Futbollisti i famshëm Hulk martohet me mbesën e ish-gruas së tij
Futbollisti i njohur brazilian Hulk (39) është martuar përmes një ceremonie fetare me Camila Angelo, e cila është mbesa e ish-bashkëshortes së tij, Iran Angelo. Camila dhe Iran janë fizikisht shumë të ngjashme, ndërsa Hulk dhe Camila janë në një lidhje prej katër vitesh.
Camila është dy vite më e re se Iran dhe para dy vitesh ajo solli në jetë një fëmijë me Hulkun. Ndërkohë, çifti është në pritje të një tjetër fëmije.
Gjatë këtij viti, Camila dhe Hulk pritet të bëhen prindër të një djali, duke e çuar në pesë numrin e fëmijëve të futbollistit. Me ish-bashkëshorten Iran, gjatë një martese që zgjati 12 vjet, Hulk ka tre fëmijë.
Martesa mes Hulkut dhe Iran Angelo u shpërbë pasi futbollisti u afrua me Camilan. Pas këtij zhvillimi, Iran Angelo reagoi për mediat portugeze, duke folur pas një kohe të gjatë për dhimbjen që përjetoi.
Iran Angelo ka deklaruar se edhe sot e kësaj dite nuk arrin të pajtohet me atë që i ka ndodhur. Sipas saj, tradhtia erdhi jo vetëm nga bashkëshorti, por edhe nga mbesa e saj.
“Është sikur të kem varrosur një vajzë të gjallë. Zgjohem dhe shkoj të fle pa e kuptuar pse më ndodhi gjithçka kjo. Dhimbja është shumë e madhe, ndonjëherë mendoj se do të më shkulin zemrën. Ajo ishte si vajza ime. I dhashë gjithçka që nga momenti që erdhi në jetë. Shumë herë sakrifikova ëndrrat e mia që të realizoheshin të sajat. Dhe nuk flas vetëm për gjëra materiale, sepse ato janë të lehta për t’u dhënë kur ke para, por për dashuri, përkushtim, vëmendje dhe respekt… gjithçka”.
Hulk, i cili aktualisht i afrohet fundit të karrierës së tij profesionale, po aktivizohet në Brazil. Në sezonin e kaluar, ai zhvilloi 61 ndeshje me Atletico Mineiro, ku realizoi 21 gola dhe dhuroi 8 asistime.
Emrin e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare gjatë kohës kur luajti për Porton, ndërsa në vitin 2012 kaloi te Zeniti i Shën Petersburgut në Rusi. Më pas, ai kaloi edhe pesë vite në Kinë. Me kombëtaren braziliane, Hulk ka zhvilluar 49 paraqitje, duke shënuar 11 gola. /Telegrafi/
