Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 16 January 2026Main stream

Pas letër-porosisë amerikane, SPAK “rëndon” Metën, dyshime për 280 mijë dollarë të tjerë

By: Os De
16 January 2026 at 20:55

SPAK ka shtuar “arsenalin” e dyshimeve të ngritura ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi mori në dorë një letër-porosi të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas materialit të administruar në tetor të vitit të shkuar, Struktura e Posaçme pretendon të ketë zbuluar një shumë të re prej gati 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe që lidhen me ish-Presidentin nën akuzë për 3 vepra penale.

Shifra është pohuar si argument për të mos e liruar Metën nga burgu, në seancën gjyqësore të 5 janarit në Gjykatën e Posaçme, në të cilën, Meta dështoi të ndryshonte masën e sigurisë. Referuar vendimit gjyqësor, të siguruar nga A2 CNN, prokurorët e SPAK kanë pohuar se së fundmi është konstatuar një shumë e përfituar nga lobimi.

Bëhet fjalë për kontratën e konsulencës me kompaninë GSIS, që i shtohet shumës fillestare për të cilën ishte ngritura akuza. Sipas SPAK, shumës prej afro 246 mijë dollarë për të cilat akuzohej Meta në një marrëdhënie të dyshuar korrupsioni, i është shtuar edhe shuma e re.

“I është shtuar dhe shuma 279.783 dollarë nga lobimi, e cila është jo vetëm përfitim i paligjshëm, por edhe mënyra e transferimit përbën një shifër të konsiderueshme, sa i përket aspektit të pastrimit të produkteve penale për të pandehurin Ilir Metaj”, citohej pretendimi i SPAK në vendimin e gjykatës.

Në një reagim të bërë pak ditë më parë në lidhje me lobimet, Meta tha se nuk ekzistonte asnjë provë që të ketë shkelur ligjin shqiptar apo atë amerikan, e as të kishte dijeni se dikush tjetër po shkelte ligjin për llogari të LSI. Sipas Metës, letër-porositë e dërguara kanë synuar jo zbulimin e së vërtetës, por mjegullimin dhe fshehjen e të vërtetave.

Greqia do të zgjerojë ujërat territorialë në Mesdhe-“Me detin Jon e kemi mbyllur”

By: Os De
16 January 2026 at 20:49

Greqia planifikon të zgjerojë më tej ujërat e saj territoriale, duke përfshirë potencialisht edhe Detin Egje, tha të premten Ministri i Jashtëm George Gerapetritis, pavarësisht kërcënimit të hershëm të Turqisë për luftë, nëse Athina ndërmerr një hap të tillë.

Sipas mediave të huaja, aleatët e NATO-s, por rivalë historikë, kanë lehtësuar tensionet vitet e fundit, por mbeten në mosmarrëveshje për vendin ku fillojnë dhe mbarojnë shelfet e tyre kontinentale në Egje – një zonë që besohet se ka potencial të konsiderueshëm energjetik dhe me implikime për fluturimet dhe hapësirën ajrore.

Greqia tashmë i ka zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga gjashtë në 12 milje detare, pas marrëveshjeve me Italinë, dhe ka nënshkruar një marrëveshje për përcaktimin e kufijve detarë me Egjiptin në Mesdheun lindor.

Por ajo ka shmangur lëvizje të ngjashme në Egje, ku Ankaraja kundërshtoi ashpër.

Në vitin 1995, parlamenti turk shpalli një “casus belli”, ose shkak për luftë, nëse Greqia do të zgjeronte në mënyrë të njëanshme ujërat e saj përtej gjashtë miljeve detare në Egje, një pozicion që Athina thotë se shkel ligjin ndërkombëtar detar.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në Parlament të premten, Gerapetritis tha se pritej zgjerim i mëtejshëm.

“Sot, sovraniteti ynë në Detin Egje shtrihet në gjashtë milje detare,” tha Gerapetritis. “Meqenëse pati një marrëveshje me Egjiptin, ashtu siç pati një marrëveshje me Italinë, do të ketë edhe një zgjerim (të mëtejshëm) të ujërave territoriale”, tha Gerapetritis.

Ai nuk specifikoi se cilat zona detare mund të zgjeroheshin. Ministria e Jashtme e Turqisë nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment.

Në korrik, Greqia ndërmori një hap tjetër duke zbuluar kufijtë e dy parqeve detare të planifikuara në detet Jon dhe Egje. Parku Egje, që mbulon 9,500 kilometra katrorë (3,668 milje katrorë), fillimisht do të zgjerohej rreth ishujve jugorë të Cikladeve, më në jug të Turqisë, sipas hartave të paraqitura nga Athina. Njoftimi ka tërhequr kundërshtime nga Ankaraja.

Greqia thotë se e vetmja çështje që është e përgatitur të diskutojë me Turqinë është demarkacioni i zonave të tyre detare, duke përfshirë shelfin kontinental dhe një zonë ekonomike ekskluzive.

Stërvitje ajrore e përbashkët mes SHBA e Shqipërisë: Po ndërtojmë një NATO më të gatshme për luftime

By: Os De
16 January 2026 at 20:46

Njësia ajrore amerikane 106th Rescue Wing është trajnuar me helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në një njoftim zyrtar, ambasada amerikane shkruan se bëhet fjalë për një stërvitje ushtarake ajrore furnizimi me karburant. 

Trajnimi praktik përforcon aftësitë e forcave të NATO-s dhe dëshmon bashkëpunimin midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. 

“Bashkëpunim në veprim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. 106th Rescue Wing u trajnua me helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare gjatë një ushtrimi për furnizim me karburant, duke forcuar aftësitë që mbajnë forcat e NATO-s gati për çdo mision. Ky trajnim praktik forcon ndërveprimin, përmirëson reagimin e shpejtë në kohë krize dhe tregon partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Së bashku, po ndërtojmë një NATO më të gatshme për luftime”,  thotë njoftimi. 

 

“Reforma zgjedhore ka nisur qëkur kisha thonjtë e paprera në Paris”, Rama-opozitës: Me ju shumë mirë, pa ju po aq mirë! Puna do bëhet

By: Os De
16 January 2026 at 20:30

Në fund të fjalimit të tij para grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama u shpreh se reforma zgjedhore do të bëhet me ose pa opozitën. 

Duke bërë autoironi, Rama tha se reforma zgjedhore ka nisur qëkur ai ishte në Paris. 

“Në fakt ka nisur që kur unë isha thjesht dhe vetëm piktor, në urat e Parisit, si e keni dëgjuar, me thonj të paprera”, tha Rama. 

Edi Rama:  Reforma zgjedhore ka nisur, ose në fakt ka nisur që kur isha akoma thjesht dhe vetëm piktor. Nën ujërat e Parisit siç e keni dëgjuar. Me thonj të paprera, që atëherë komisionet bipartizane takoheshin por atëherë i bënin te OSBE. 

Nuk di çfarë që të them. Sa herë mbarojnë zgjedhjet duhet një reformë, se pas zgjedhjeve ka një humbës. Humbësi është po ai dhe rezultati është keq e më keq. 

Damiani e di poizicionin tim, kemi bërë një reformë zgjedhore unikale në botën demokratike. I sfidoj të gjithë se ku është kjo që qeveria ndalon së marruri frymë 4 muaj para zgjedhjeve, që çdo gjë ndalon. Dhe prapë nuk iu mjafton tani e duan 9 muaj. 

Po prapë edhe 9 muaj po të bëhet nuk do të lindë fitorja. Megjithatë Damian ti e di vetë sic thoshte kryetari ynë ndjesë pastë bëni sic keni bërë gjithmonë. Për reformën territoriale e kemi të qartë drejtimin, Më pak më shumë. Fjala kyce e fundit është koordinimi”, u shpreh Rama. 

“Siguria në rrugë, përmirësim i ndjeshëm”/ Zaloshnja: Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm

By: Os De
16 January 2026 at 20:14

Barometri i sigurisë për vitin 2025 tregon një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë publike në vendin tonë, si në rrugë ashtu edhe në luftën kundër krimit. 

Në raport, perceptimi për Policinë e Shtetit mbetet kryesisht pozitiv, ku 70.1% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv. 

Eduard Zaloshnja në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për situatën e aksidenteve në vend, duke u ndalur edhe tek siguria në rrugë. 

Gjatë intervistës, Zaloshnja tha se vdekjet rrugore janë ulur dhe se gjithashtu ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme. 

“Është rritur përdorimi i rripit të sigurisë. Rripi i sigurisë përgjysmon probabilitetin e vdekjes. Këtu kam bërë një përmbledhje të vdekjeve rrugore dhe nga krimi për 15 vitet e fundit, dhe shifrat flasin vetë. Këtë vit që mbyllëm kemi patur 153 vdekje rrugore më pak se sa në vitin 2010. Në vitin ’90 këtu kanë ndodhur gjithsej katër vdekje rrugore sepse nuk kishte automobila”, tha ai. 

Më tej Zaloshnja ndërsa analizoi të dhënat e sondazhit, duke nënvizuar se Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm. 

Sipas Barometrit të Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë për vitin 2025, të hartuar nga Eduard Zaloshnja, vdekjet rrugore janë ulur me 43.5%, si dhe ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme. 

 

Komisioni Europian: S’ka ngrirje fondesh për agjendën dixhitale të Shqipërisë

By: Os De
16 January 2026 at 20:05

Ditët e fundit, zyrtarë të opozitës kanë ngritur pretendimin se Komisioni Europian ka ngrirë fondet për agjendën dixhitale të Shqipërisë.

Përmes postës elektronike gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pyeti Komisionin Europian nëse është marrë një vendim i tillë.

Një zëdhënëss i Komisionit Europian dha këtë përgjigje.

“Nuk ka pasur asnjë vendim të tillë për ndërprerjen e fondeve të marrë nga Komisioni. Nuk ka informacione të tjera që mund t’ju ndajmë në këtë fazë”.

“Jam mbret i tarifave”/ Trump vijon “kërcënimet”: Mund t’i vendos edhe për vendet që s’bien dakord që të marrim Groenlandën

By: Os De
16 January 2026 at 19:56

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili e quati veten “mbreti i tarifave”, kërcënoi më herët sot se mund të përdorë tarifat si një mjet për të ushtruar presion mbi vendet e treta që të bien dakord për aneksimin e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. 

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të kontrolluar Groenlandën, e cila është një rajon gjysmë-autonom i Danimarkës, duke argumentuar se është me rëndësi strategjike. Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta, jo vetëm nga Kopenhageni dhe Groenlanda, por edhe nga qeveritë evropiane dhe kongresistët amerikanë nga të dyja partitë. 

Komentet e Trump erdhën gjatë një eventi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, ku ai iu referua mënyrës se si kërcënimi me tarifat i ka detyruar vendet e tjera të zhvilluara të pranojnë çmime më të larta të barnave në mënyrë që të ulin çmimet në Shtetet e Bashkuara. 

“Mund ta bëj për Groenlandën. Mund të vendos tarifa për vendet nëse nuk pajtohen me Groenlandën, sepse na duhet për arsye sigurie kombëtare. Mund ta bëj,” tha ai. 

Trump nuk specifikoi shumën e tarifave të mundshme ose cilat vende do të ishin në shënjestër. Në të njëjtën kohë, një vendim është në pritje nga Gjykata Supreme e SHBA-së, e cila mund të vendosë në çdo kohë mbi ligjshmërinë e tarifave që Trump ka vendosur në mënyrë të njëanshme ndërkombëtarisht. 

“Unë jam mbreti i tarifave dhe mbreti i tarifave ka bërë një punë të shkëlqyer,” tha Trump, duke shtuar: “Shpresoj ta fitojmë çështjen në Gjykatën Supreme, sepse nëse nuk e bëjmë, do të jetë një turp për vendin tonë.“ 

Paralajmëron spastrime masive në PD, Berisha: S’kanë vend ata që bashkëpunojnë me PS

By: Os De
16 January 2026 at 19:47

Në mbledhjen që zhvilloi ditën e sotme me kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike, Sali Berishaparalajmëroi valë spastrimesh të atyre që kanë bashkëpunuar me Partinë Socialiste, apo vijojnë të përfitojnë nga kjo forcë politike për interesa të tyre personale në “kurriz” të anëtarësisë.

“Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë”,- tha Berisha gjatë mbledhjes.

Krydemokrati nuk kurseu kritikat as për ata drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në qytetet e vendit, të cilët sipas tij, nuk u angazhuan në zgjedhjet e 11 majit të ndaluar nga zemërimi që nuk ishin pjesë e listave me kandidatë për deputetë.

“Poste drejtuese nuk do mund të pretendojnë ata. Po ti je nënkryetar partie, ke qenë nënkryetar partie dhe tani më thua mua që thua që unë nuk punova në fushatë. Po si s’punove ti në fushatë? Apo pse s’e pate emrin tënd në listë, s’punove në fushatë ti? Çfarë, ti nuk dole dot mbi zemërimin tënd, kupton apo jo? Prandaj të lutem, merr një pauzë, qetësohu, je, mbetesh ti, po mendo njëherë, se nuk të ka borxh partia ty, edhe gabim po të ketë bërë, se unë nuk them se ka patur një drejtësi maksimale në, në, në përcaktimin e listave e të tjerë e të tjerë”,- tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi më tej se “nuk do zgjidhen në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen.”

SHBA “po angazhohen më fort” në Ballkan, ndërsa sanksionet për Dodik mund të rikthehen

By: Os De
16 January 2026 at 18:46

Uashingtoni nuk po tërhiqet nga Ballkani Perëndimor dhe sanksionet ndaj liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, mund të rikthehen nëse retorika e tij secesioniste vazhdon. Ky ishte mesazhi i qartë që doli nga një intervista e gazetares Ilva Tare per #BalkansDebrief te Keshillit te Atlantikut me kongresmenin republikan amerikan Mike Turner, i cili thotë se Shtetet e Bashkuara po kalojnë nga një “angazhim pasiv” drejt një roli më aktiv në rajon.

Kongresmeni Turner tha se Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i miratuar përmes NDAA-së, pasqyrojnë një angazhim më të fortë për stabilitetin në Evropën Juglindore. Ligji i jep administratës një afat 90-ditor për të vepruar kundër individëve që minojnë marrëveshje paqeje si Marrëveshjet e Dayton, një afat që po ndiqet nga afër në të gjithë rajonin.

“Uashingtoni po angazhohet më fort,” tha Turner, duke argumentuar se SHBA tani synon të adresojë tensionet e pazgjidhura përpara se ato të shndërrohen në konflikt, në vend që të menaxhojë krizat pasi ato shpërthejnë.

Shqipëria: Partnere e fortë e SHBA-së në siguri, pavarësisht shqetësimeve për korrupsionin

Ndërsa Shqipëria po avancon me shpejtësi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe po përgatitet të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, mbeten pyetje se si e sheh Uashingtoni rolin e Tiranës në fushën e sigurisë, në kushtet e shqetësimeve të vazhdueshme për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

I pyetur për bashkëpunimin SHBA–Shqipëri, kongresmeni amerikan Mike Turner dha një vlerësim të qartë dhe pozitiv. “Shumë i mirë, një partnere shumë e mirë e NATO-s,” tha ai, duke përshkruar marrëdhënien e sigurisë mes dy vendeve.

I vënë përballë pyetjes nëse korrupsioni dhe sfidat e sundimit të ligjit e minojnë arkitekturën e sigurisë së Shqipërisë, Turner pranoi kontekstin më të gjerë rajonal, por ruajti besimin në drejtimin që po ndjek Tirana. “Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit kanë sigurisht çështje për t’u adresuar,” vuri në dukje ai. “Por mendoj se ato po i adresojnë këto çështje dhe janë partnerë shumë të mirë.”

Lidhur me pyetjen se sa ndikim ka Uashingtoni për të mbrojtur reformën në drejtësi dhe pavarësinë institucionale në Shqipëri, Turner theksoi rolin kolektiv të komunitetit ndërkombëtar. “Komuniteti ndërkombëtar është partner për ndërtimin e institucioneve demokratike,” tha ai, duke shtuar se rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe NATO-s forcon reformat jo vetëm në nivel kombëtar, por në të gjithë rajonin.

Dayton në 30 vjet: Paqe, por edhe bllokim

Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon 30 vjet që nga Dayton që i dha fund luftës, Turner pranoi se megjithëse paqja është ruajtur, ajo është shoqëruar me bllokim politik. Ai tha se rajoni tani përballet me një moment tranzicioni, që do të kërkojë angazhim të ripërtërirë ndërkombëtar dhe, potencialisht, një kornizë të re, shpesh e quajtur “Dayton 2”, për të kaluar përtej një sistemi të ndërtuar për të ndalur një luftë, jo për të qeverisur një shtet.

Lidhur me vendimin e diskutueshem për të hequr sanksionet amerikane ndaj Dodikut tetorin e kaluar, Turner tha se kjo lëvizje ishte e lidhur me koncesione specifike në Republikën Srpska, por paralajmëroi se situata mbetet nën shqyrtim. Nëse sjellja destabilizuese vazhdon, tha ai, sanksionet mbeten një mjet që Uashingtoni është i gatshëm ta përdorë sërish.

Pa ambasadorë, por ende aktivë

Pavarësisht mungesës së ambasadorëve amerikanë të konfirmuar nga Senati në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Turner hodhi poshtë pretendimet për çangazhim të SHBA-së. Ai tha se ambasadat amerikane perceptohen në nivel lokal si aktive dhe me ndikim.

Kosovë–Serbi: Roli i SHBA-së mbetet qendror

Turner trajtoi gjithashtu dialogun e bllokuar të normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, duke pranuar zhgënjimin për mungesën e përparimit dhe pritshmëritë e parealizuara nga bisedimet e udhëhequra nga BE-ja. Ai tha se angazhimi i ripërtërirë nga udhëheqësit rajonalë është thelbësor, por theksoi se SHBA mbetet e angazhuar dhe e gatshme të luajë një rol vendimtar nëse procesi ngec.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), Turner ishte i prerë: ai mbetet një kusht i rënë dakord, jo një kërkesë e imponuar. “Vetë Kosova është angazhuar për të,” tha ai, duke kundërshtuar pretendimet se kjo çështje nuk është më detyruese.

Një rajon ende një test strategjik

Nga kundërshtimi i ndikimit rus te mbështetja e integrimit në BE dhe NATO, Turner e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një prioritet strategjik, jo si një mendim të dorës së dytë gjeopolitik. Mesazhi i tij për të rinjtë e rajonit ishte i drejtpërdrejtë: e ardhmja nuk do të vijë nga jashtë. “Ju jeni ndryshimi,” tha ai.

Për Uashingtonin, mesazhi është po aq i qartë: Ballkani është rikthyer në axhendë dhe po monitorohet nga afer.

 

Nga anijet tek dronët inteligjentë… Rama: Pse budallenj jemi ne t’i blejmë? Do i prodhojmë vetë dhe do i eksportojmë!

By: Os De
16 January 2026 at 18:39

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mes shumë të tjerash foli për një angazhim të kompanisë shqiptare KAYO dhe asaj italiane Fincantieri për të krijuar një kompani të përbashkët mes dy shteteve, për prodhimin e anijeve dhe mjeteve të tjera në fushën e industrisë ushtarake.

“Janë çështje të një rëndësie të dorës së parë për vendin, por degradojnë në copëza trillimesh dhe historish që hidhen për të helmuar publikun. Psh, në Shqipëri po ndodh diçka që është tërësisht e re. Shteti po merr pjesë në sipërmarrje. Krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzime me asetet publike, me fondet publike. Nuk kam parasysh vetëm abuzimin për qëllime përfitimi por edhe abuzimin në një qasje largpamëse dhe jo më larg se sot, zhvillohej seanca e fundit e negociatave dhe mund të jetë akoma në zhvillim me një nga ekselencat më të mëdha të botës, që është Fincantieri, kompania italiane lider në prodhimin e anijeve të të gjitha përmasave dhe falë kompanisë tonë publike që ne kemi ngritur Kajos, ne kemi hyrë në marrëveshje me Fincantierin, për një kompani të përbashkët. Ku 49% do ta ketë shteti shqiptar. Aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që nga njëra anë ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare duke i prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj, do bëjë mirëmbajtjen e tyre me një kompani ku shteti shqiptar është aksionar dhe patjetër do të krijoë punësim të specializuar me paga të larta. Nga ana tjetër kjo kompani do marrë porosi nga vendet e tjera, të ndryshme nga ato që prodhon Fincantieri në vendin e vet dhe shteti shqiptar, FA-të do përfitojnë 49 %. Dhe patjetër që kjo linjë prodhimi do thotë dhe transferim teknologjie dhe shumë të tjera më pas. Është vetëm një anë. Ju dëgjoni që është krijuar KAJO për kontrabandën e drogës dhe për t’i hapur rrugën kontrabandës së armëve. Nuk është kompani private kjo, por është kompani e shtetit shqiptar. Rritja e buxhetit të NATO-s për të gjitha vendet, bëri që kryeministria të bëhej si një supërmarket ku hynin e dilnin shitës që donin të takoheshin me mua për të thënë, kemi motora, anije, helikoptera, pushkë, raketa… Më fal, ne jemi budallenj këtu? Që paratë e buxhetit t’i përdorim thjesht dhe vetëm për të blerë, ndërkohë që me ato para, natyrisht do blejmë çfarë nuk prodhojmë dot, por ne makinat e ushtrisë do i prodhojmë vetë, dhe ju do e shikoni që do i prodhojmë vetë. Jo vetëm për ushtrinë shqiptare, por edhe për eksport.”, tha Rama.

“Do prodhojmë dronë inteligjentë”

Ai shtoi se vendi ynë është gati të prodhojë gjithçka vetë, nga uniformat ushtarake, tek anijet dhe madje edhe dronë inteligjentë.

“Ndërkohë që ne kemi dijen më të madhe në Europë këtu për të qepur, kemi 30 vjet që qepim për Versaçe dhe gjithë saqet e botës… Ne kemi krijuar këtu kompaninë e përbashkët. Ministria e Brendshme e Suedisë porosit uniforma për ushtrinë suedeze në Shqipëri, në një biznes fason, ne kemi histori të pafundme tenderash për uniformat. Jo, do prodhohen në Shqipëri dhe s’kemi nevojë për kompani të huaja. Kjo kompani do prodhojë uniforma dhe për vendet e tjera, do shërbejë dhe si prodhuese, dhe për kompani të tjera që janë në pikë të hallit se Versaçe nuk i çon dot aq sa duhet. Do jeni shumë të mirëpritur kur të fillojë prodhimi dhe të dalin produktet e para të kësaj kompanie dhe nuk do dalin në 2030-ën. Jemi budallenj ne që për çdo lloj droni do kuturisemi për t’ja blerë të tjerëve? Pse nuk i prodhojmë dot vetë ne?! Çfarë na pengon?! Ne kemi filluar t’i prodhojmë vetë. Çfarë është kjo? Përralla që i tregohet shqiptarëve çdo ditë, që ne ngremë nga të katërt anët fantazmat për të marrë lekë?! Po të ishte kështu, nuk do ngrinim një sistem të tërë prokurimesh që po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave të abuzimit me prokurimet dhe nuk do ishim sot vendi i parë në klasifikimin e vendeve kandidate në BE, për integritetin e prokurimeve publike. Natyrisht që kjo është një histori që vazhdon. Ne do kemi një industri ushtarake që vazhdon dhe do vazhdojë të prodhojë në vend, çfarë mundet.”, vazhdoi Rama.

Më tej, kryeministri shtoi se ka kërkuar edhe nga bashkitë të njëjtën gjë, të krijojë kompanitë e veta.

“RTSH, asnjë Lek derisa ta meritojnë!”, Rama: Të reformohet ose të mbyllet!

By: Os De
16 January 2026 at 18:29

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në komisionet parlamentare duhet të ketë përfaqësim politik dhe jo vetëm nëpunës civilë, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm në një klimë politike dhe mediatike të ndotur.

Ai u shpreh se reforma e televizionit publik ka dështuar dhe se aktualisht Shqipëria nuk ka një TV publik funksional, pavarësisht buxhetit të garantuar.

Rama paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë asnjë fond shtesë deri sa televizioni publik të meritojë taksat e qytetarëve, duke lënë të hapur edhe opsione si mbyllja, partneriteti apo privatizimi.

“Jam i bindur se në komisionet parlamentare duhet garantuar përfaqësimi politik; nëpunësit civil janë për të mbështetur, por jo për të diskutuar me komisionet. Duhet ministri, dhe në raste pamundësie shkon zëvendësi. Duhet të jemi “on call”, sepse në këtë proces kemi nevojë për koordinim dhe ndërveprim në kushtet ku mjedisi politik dhe mediatik është i ndotur. Bëhet fjalë për “tenxhere”. Duhet të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të thënë fjalën tonë.

Nuk mund të mbarojë misioni as në seanca, as në komisione. E vërteta historike është se kemi tentuar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet, por kemi dështuar. Deri tani bilanci i tij është një “dështim i suksesshëm”, dmth nga borxhi në borxh, në mosperfillje. Nuk e kemi një televizion publik në Shqipëri; hera e fundit kur e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së sistemit. Kam shkuar i ftuar, por nuk kam parë as veten, janë të vetmet intervista dhe nuk kam marrë asnjë mesazh. U kam thënë: mbylleni.

Buxhetin e tyre, televizioni e ka, ndërsa të tjerët nuk e kanë të garantuar. Televizioni publik ka buxhet, por është në borxh; duan të drejtën e transmetimit të FSHF, por nuk paguajnë lekët. Sepse ne jemi publiku dhe i shkojmë qeverisë. Nuk kemi për t’iu dhënë asnjë lekë deri sa të meritojnë taksat e shqiptarëve. Çdo opsion duhet të jetë i hapur: mbyllja, partneriteti, privatizimi, por unë nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative.” 

Mbahej i burgosur në Venezuelë, Ministria e Jashtme: Jozef Ndoci ndodhet i lirë dhe i sigurt

By: Os De
16 January 2026 at 18:25

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton sot, me 16 janar, se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt.

Siç njofton Ministria e Jashtme, Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë.

Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Karakas.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e J.N dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas”, thuhet në njoftim për median.

Rama thumbon opozitën: Bëjnë lehaqenie! Po të duan të bashkëpunojnë bujrum, derën e kanë të hapur por…

By: Os De
16 January 2026 at 18:22

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të vijojë punën pa pritur opozitën, duke theksuar se ata që duan të bashkëpunojnë janë të mirëpritur. Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po pengojnë proceset dhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, ndërsa brenda vendit veprojnë vetëm për bllokim.

Rama shtoi se Kuvendi duhet të modernizohet me më shumë teknologji dhe paralajmëroi nisjen e një procesi për ndryshime kushtetuese, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve.

“Ajo pjesë e politikës që ne nuk e kemi përballë, por e kemi pas vetes, është duke u përpjekur të na pengojë që të vazhdojmë përpara. Ne duhet të ecim me shumë vendosmëri drejt futjes sa më të thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit.

Mendoj se kanali i Parlamentit në televizion duhet të kthehet në një kanal funksional, jo thjesht të transmetojë drejtpërdrejt seancat apo mbledhjet. Kjo duhet të bëhet për Kuvendin, duke ftuar edhe palën opozitare.

Puna jonë nuk pret. Do të ishte qershia mbi tortë nëse të tjerët do të ishin të interesuar të bënin punën për vendin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata nuk janë të interesuar, por janë të angazhuar të përcjellin jashtë kufijve idenë se ky vend është një narkoshtet, ndërkohë që brenda janë të organizuar vetëm për të penguar.

Ne nuk do të presim për asnjë rast dhe për asnjë arsye askënd për të vijuar punën tonë. Kushdo që dëshiron të bashkëpunojë apo të ulet për dialog, është i mirëpritur. Për gjithçka tjetër, rrugët janë të ndara: ne përpara, ata prapa. Ajo që ata bëjnë është vetëm “lehja e qenit”.

Duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Parlamenti i Shqipërisë ka nevojë të zvogëlohet në numër; nga 140 deputetë mund të kalojë në 100. Kjo do të racionalizonte forcat dhe burimet, por ka edhe aspekte të tjera që duhen trajtuar. Prandaj, duhet ngritur një grup që të hapë këtë proces.” 

SPAK, operacion blic në zonën e “Myslym Shyrit”/ Merr pjesë dhe drejtuesi i BKH-së Jon Keta

By: Os De
16 January 2026 at 18:17

Një operacion blic i SPAK-ut, në bashkëpunim me BKH-në dhe Policinë e Shtetit, u zhvillua për të goditur një bazë të një call center-i që dyshohet se operonte në fushën e mashtrimit në një shtet tjetër. Operacioni u realizua në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe sipas informacioneve, ai ka ndodhur në zonën e “Myslym Shyrit”.

Në operacion mori pjesë edhe vetë drejtori i BKH-së, Jon Keta.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi çështjen.

“Kuvend jo me 140 deputetë, por me 100”/ Rama: Ndryshime Kushtetuese brenda këtij mandati, të ngrihet grupi i punës

By: Os De
16 January 2026 at 18:07

Kryeministri Edi Rama synon që mazhoranca socialiste brenda këtij mandati të miratojë një reformë të re Kushtetuese. Pas mbledhjes së grupit të PS, Rama tha se duhet të ngrihet grupi i punës, duke ritheksuar edhe njëherë propozimin e tij për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 në 100. 

“Duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi kuvend me 100 vetë. Ka dhe aspekte të thera që duhen zgjedhur nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë, thonë, kur vjen fjala te kushtetuta e Shqipërisë duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon shumë më tepër hapësirë angazhim, burime. Ambicia do jetë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, tha Rama. 

Rama paralajmëron ndryshimin e Rregullores se Kuvendit: Rrugaçëria në Parlament duhet të marrë fund! Të hiqet ‘pengmarrja’..

By: Os De
16 January 2026 at 17:59

Kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar opozitën se rregullorja e Kuvendit do të ndryshojë, me rinisjen e punimeve të Kuvendit, të hënën. 

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin “Sfidat parlamentare për Shqipërinë 2030”, Rama tha se po të shohësh ndarjen e orëve duket sikur jemi në një parlament, 51 m 49, orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës, është shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në vendet e BE. 

Rama: Dua ta ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Ndërsa në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga jashtë, duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, çka do të thotë se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e BE-së.

Me këtë nuk dua të them se duam t’ua ulim orët opozitës; përkundrazi, dua të them se duhet të shikojmë që të ndërpriten fjalët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun. Dhe për të pushtuar sallën e parlamentit, duke vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjesht spektatorë të një teatri balte.

Kjo duhet të marrë fund. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së, kjo nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj, duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është e shkruar në gur, dhe duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala “procedurë” të mos jetë e barabartë me konceptin e pengmarrjes.

Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave dhe të rinjve, si dhe të atyre familjeve që ndjekin Kuvendin. Mbi të gjitha, është një goditje në aspektin social, sepse krijon nxitje të urrejtjes.

Ushtria britanike prezanton helikopterin e parë pa pilot

By: Os De
16 January 2026 at 16:58

Marina mbretërore britanike prezantoi helikopterin e parë të saj pa pilot. Mjeti fluturues është ideuar që të gjurmojë nëndetëset dhe të kryejë misione të tjera me rrezik të lartë. Kjo lëvizje vjen mes tensioneve në rritje në Atlantikun e Veriut.

Helikopteri pa pilot ka kryer me sukses fluturimin testues. Këtë e konfirmoi vetë ushtria e Mbretërisë së Bashkuar duke zbuluar emërtimin e mjetit fluturues si Proteus. Helikopteri është zhvilluar në programin prej 80 milionë dollarësh dhe është konsideruar një pajisje kryesore për të mbrojtur Britaninë dhe aleatët e NATO-s kundër atij që konsiderohet një “kërcënim në zhvillim” në zonën e Atlantikut të Veriut.

I ndërtuar nga grupi i mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, Leonardo, Proteus mbështetet në sensorë dhe sisteme kompjuterike që i mundëson të interpretojë mjedisin dhe të marrë vendime në mënyrë autonome.

Arratisja e Altin Ndocit/ Policia, njoftim zyrtar pas arrestimit të ish-drejtorit të burgut të Durrësit: Akuzohet për..

By: Os De
16 January 2026 at 16:49

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës dhe ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Aksident i rëndë në aksin Maqellarë-Peshkopi, plagosen 4 persona/ 2 transportohen me helikopter drejt Tiranës

By: Os De
16 January 2026 at 16:45

Pas një aksidenti të rëndë në aksin Maqellarë-Peshkopi, 4 persona kanë mbetur të plagosur. 

Raportohet se mes tyre, një çift bashkëshortësh është vendosur të transportohet me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. 

Ata janë identifikuar si Kujtim dhe Vera Lika, konkretisht 68 dhe 66 vjeç. 

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 15:40, në aksin rrugor Peshkopi–Maqellarë, pranë fshatit Dovalan, janë përplasur dy automjete, me drejtues shtetasit K.L. 68 vjeç, dhe N.J., 57 vjeç. 

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit dhe dy bashëshortet e tyre shtetaset H.J., 55 vjeçe,  dhe V.L., 66 vjeçe. 

Shtetasi K.L., dhe bashkëshortja e tij shtetasja V.L., u transportuan me helikopter drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar mjekësore. 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. 

“Je femra më e bukur në fshatin tonë, shpirt”, motra e policit të akuzuar për dhunë nxjerr mesazhet e 46-vjeçarit: Më ka ngacmuar dhe..

By: Os De
16 January 2026 at 16:40

Ka marrë një tjetër rrjedhë historia e dhunimit të babanë e bir në Fier.

Altin Meçaj ka akuzuar Fredi Lamaj (efektiv policie) se i ka dhunuar, pasi i kishte bërë ‘like’ dhe një ‘koment komplimentues’ motrës së këtij të fundit.

Motra e Lamajt, ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet e tij se ka qenë vëllai ai i cili i ka dhunuar.

Ndërkohë ajo ka publikuar edhe mesazhet që ka marrë prej Meçajt, duke thënë se e ka denoncuar për përndjekje, pasi i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.

Reagimi i plotë:

Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.

Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.
Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.

Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.

Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.

Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.

Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.
Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.

Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.

Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.

Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.

Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.

Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.

Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt,
Motra e Fredi Lamaj

❌
❌