Imzot Dodaj: Krishtlindja, përvoja e daljes nga errësira
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kjo Krishtlindje ka bërë bashkë, në një frymë vëllazërore, gjithe ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilët iu drejtuan popullit shqiptar me një mesazh dashurie dhe shprese.
Mesazhi i kësaj Krishtlindjeje u përcoll nga ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, arqipeshkvi i Shkodër-Pult, imzot Giovanni Peragine, imzot Arjan Dodaj, arqipeshkvi i Tiranë-Durrës dhe imzot Ottavio Vitale, ipeshkvi i Lezhës.
“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe dhe mbi këtë luginë të errët shndriti drita e fuqishme. E ke shumuar gëzimin, e ke rritur harenë”, me këto vargje të profetit Isaia, kapitulli 9, arqipeshkvi Arjan Dodaj, nisi mesazhin e tij drejtuar besimtarëve katolikë në këtë prag Krishtlindjeje.
Për imzot Dodaj, përvoja e Krishtlindjes është përvoja e daljes nga një errësirë.
“Zoti nëpërmjet ofertës së tij, shndrit në jetën tonë dhe përballë këtij grazhdi në Betlehem, ku jemi të gjithë të ftuar të kremtojmë e festojmë, le të sodisim këtë Zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë”, tha arqipeshkvi Dodaj.
Kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, ftoi besimtarët të bëjnë të mundur që, “edhe Kisha jonë të mbushet me dritën hyjnore të Jezusit, populli ynë të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi e çdo mungese shprese”.
Në mesazhin e përbashkët të ipeshkvijve kujtohet edhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Sapës i cili u nda nga jeta së fundmi. Simon Kulli ishte një ndër katër priftërinjtë e parë shqiptarë të shuguruar pas diktaturës komuniste në Shqipëri.
/a.f/
The post Imzot Dodaj: Krishtlindja, përvoja e daljes nga errësira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.