Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 December 2025Main stream

Tarifat e Trump godasin whiskeyn, ndalohet prodhimi i bourbon-it të famshëm Jim Beam

22 December 2025 at 22:39

Prodhuesi i uiskit të famshëm bourbon Jim Beam ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin në distilerinë e tij kryesore në Kentucky për vitin e ardhshëm.

Në një deklaratë për BBC-në, kompania bëri me dije se distileria do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht, ndërsa do të shfrytëzohet koha për investime dhe përmirësime në infrastrukturë. “Ne vlerësojmë vazhdimisht nivelet e prodhimit për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës së konsumatorëve dhe së fundmi kemi diskutuar me stafin planet tona për vitin 2026”, theksohet aty.

Industria e bourbon-it në Kentucky, e njohur botërisht për këtë pije, po përballet me pasiguri, pjesërisht për shkak të politikave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Marka Jim Beam është në pronësi të gjigantit japonez të pijeve Suntory Global Spirits, i cili punëson mbi 1,000 persona në Kentucky. Kompania theksoi se operacionet e tjera në shtet do të vazhdojnë normalisht, përfshirë një distileri tjetër, fabrikat e mbushjes dhe magazinimit, si edhe qendrën për vizitorë. Ndërkohë, Jim Beam po shqyrton mënyrën se si do të angazhojë fuqinë punëtore gjatë pauzës së prodhimit dhe është në bisedime me sindikatën e punonjësve.

Sipas Kentucky Distillers’ Association, në tetor u raportua se sasia e bourbon-it në magazina kishte arritur një nivel rekord prej mbi 16 milionë fuçish. Këto fuçi, të cilat tatohen nga shteti, u kanë kushtuar prodhuesve rreth 75 milionë dollarë këtë vit. Prodhuesit amerikanë të alkoolit janë goditur gjithashtu nga tarifat hakmarrëse pasi Trump shpalli të ashtuquajturën “Dita e Çlirimit”, kur SHBA vendosi tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës.

Shoqata e distilerive theksoi se zgjerimi i industrisë gjatë dekadës së fundit ishte fokusuar te rritja globale dhe bëri thirrje për rikthimin e tregtisë pa tarifa reciproke. Edhe tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë kanë ndikuar negativisht, pasi shumica e provincave kanadeze bojkotuan pijet alkoolike amerikane më herët gjatë vitit.

/ abcnews.al /

Before yesterdayMain stream

Festimet me fishekzjarre për zgjedhjet lokale shkaktojnë 18 të plagosur në Indi

22 December 2025 at 22:04

Një incident gjatë festimeve të rezultateve të zgjedhjeve lokale në Indi ka përfunduar me të paktën 18 persona të plagosur pas një zjarri që u shkaktua nga hedhja e pluhurit të curcumës së kombinuar me fishekzjarre dhe flakë.

Ngjarja u regjistrua të dielën rreth orës 15:00 në qytetin e Jejuri, pranë Pune-s në shtetin Maharashtra, ku banorë dhe zyrtarë politikë ishin mbledhur për të festuar fitoren e një partie në zgjedhjet lokale dhe për të bërë rite faljeje te një tempull.

Sipas dëshmive, pluhuri i curcumës (bhandara), përdorur tradicionalisht gjatë riteve festive në këtë zonë, ra në kontakt  me flakën e hapur apo me fishekzjarre, duke shkaktuar një flakëzë të papritur dhe një zjarr të vogël, që përfshiu disa persona afër vendit të ceremonisë.

Shumica e të lënduarve morën djegie të lehta në duar apo pjesë të tjera të trupit dhe u trajtuan menjëherë në spitale, ku shumica u liruan pas kujdesit të parë mjekësor. Autoritetet po hetojnë për të sqaruar nëse ishte pluhuri vetë apo shpërthimet e petardëve, që shkaktuan zjarret.

Festimet me pluhura ngjyrash prej curcumës janë një traditë në shumë zona të Indisë gjatë ngjarjeve politike, religjioze apo kulturore, por autoritetet shpesh paralajmërojnë për rreziqet e përdorimit të tyre pranë flakëve të hapura apo fishekzjarrëve, për shkak të rrezikut të ndriçimit dhe djegieve.

Në këtë rast, festimet e zgjedhjeve lokale u kthyen papritur në situatë të pasigurt, kur elementët e shkëndijave dhe pluhuri i thatë ndërvepruan në mënyrë të rrezikshme.

“Ushtria ukrainase në momente dobësie”, Krisafi: ‘Luftë sfilitjeje’, marrja e territoreve është pasojë e …

22 December 2025 at 21:37

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, ka deklaruar se luftimet në Ukrainë po zhvillohen si një luftë sfilitjeje, ku shkatërrimi i kundërshtarit është qëllimi kryesor dhe territori mbetet pasojë. Ai theksoi se Kupjansk ka qenë një nga qytetet më të luftuara, duke kaluar disa herë nga duart e rusëve te ukrainasit. Sipas Krisafit, beteja për Donetskun pritet të vijojë edhe në vitin 2026, me përplasje të forta në një territor rreth 5 mijë kilometra katrorë. Ai shtoi se rënia e Sivjenskut brenda shtatë ditësh, pas katër vitesh rezistencë ukrainase, tregon dobësi në ushtrinë ukrainase.

“Janë dy qytete që po luftohen. Kupjansk-u ka qenë qyteti më i luftuar; rusët e morën dhe u rimor sërish nga ukrainasit. Lufta vijon në çdo moment, është luftë sfilitjeje të kundërshtarit. Territori është pasojë, sepse qëllimi është shkatërrimi i kundërshtarit. Rusët po mundohen të shkatërrojnë sa më shumë ukrainas.

2026 është lufta për 5 mijë kilometra në Donetsk. Ushtria ukrainase ka luftuar katër vite në Sivjensk dhe u mor për shtatë ditë nga rusët. Kjo tregon dobësi nga ushtria ukrainase. Sivjensku është një lloj porte për të shkuar në dy territoret e papushtuara në Donetsk. Nëse lufta vijon në këtë mënyrë, do të kemi ndryshime në kilometra. Rusia ka marrë rreth 5 mijë kilometra gjatë këtij viti, sa qarku i Gjirokastrës.”  / abcnews.al /

“Për protestën u shpenzuan 1 milion euro”, Beqiri: Fitorja e Berishës, numri i militantëve u barazua me të policëve

22 December 2025 at 20:25

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se thirrjet e Sali Berishës për protesta kanë dështuar, duke theksuar se pjesëmarrja ka qenë e ulët edhe krahasuar me protestat e mëparshme. Sipas tij, Berisha e ka cilësuar protestën si fitore vetëm sepse numri i militantëve u barazua me atë të policëve.

Beqiri tha se në protestë nuk kanë marrë pjesë mbështetës të vërtetë të Partisë Demokratike, por individë që, sipas tij, nuk përfaqësojnë interesat e Shqipërisë. Ai e cilësoi protestën si të organizuar me pagesa, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 1 milion euro.

“Berisha ka tentuar të bëjë thirrje shqiptarëve që të dalin në protestë dhe e kemi parë edhe në foltore sesa i janë bashkangjitur. Ai sot e konsideroi një fitore të madhe, sepse krahasuar me të gjitha protestat ishte fitore, pasi u barazua numri i militantëve me policët.

Me të vërtetë, atij i janë bashkangjitur ata që nuk janë Partia Demokratike e Shqipërisë, por ata që i bashkangjiten, që nuk janë shqiptarë, ata që bëjnë politikën e serbëve.

Këta njerëz tani po mundohen të mbajnë bandën e tyre kundër Shqipërisë dhe edhe kjo protestë është një protestë ku shumica e tyre janë mercenarë. Nuk mund të vish në pushtet duke paguar militantët; 1 milion euro u hodhën në protestën e sotme dhe ata që u hapet barku për popullin duhet të investonin aty ku ka nevojë. Ishte protesta e seksionit të PD-së në SPAK, ku u dha një material SPAK-ut dhe, për ta mbajtur gjallë, iu dha materiali.”  / abcnews.al /

Protesta, shoqërohet një person/ Pas fjalës së Berishës, militantët hedhin molotov drejt kryeministrisë

22 December 2025 at 20:09

Policia ka shoqëruar një person pas hedhjes së molotovit në drejtim të kryeministrisë.

Partia Demokratike ka përfunduar protestën kombëtare që u zhvillua në bulevardin përpara Kryeministrisë. Me përfundimin e fjalës së kreut të opozitës, Sali Berisha protestuesit hodhën molotove përpara derës së Kryeministrisë dhe forcave të policisë.

Megjithëse ishte paralajmëruar një protestë madhështore, nuk rezultoi të ishte një e tillë. Pjesëmarrja në nisje dhe përgjatë protestës ishte e ulët.

Në këtë protestë janë vënë në gatishmëri mbi 1300 forca policore Forcat Shqiponja, dhjetëra agjentë civilë si edhe 5 autobotë.

/ abcnews.al /

Ndahet nga jeta pianisti dhe profesori i nderuar Koço Vrame

22 December 2025 at 19:55

Është ndarë nga jeta pianisti dhe profesori i mirënjohur Koço Vrame, një prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës korçare.
Koço Vrame ishte një emër i njohur dhe i dashur, i cili për më shumë se 50 vite kontribuoi me përkushtim në jetën artistike të qytetit.
Si pianist dhe profesor, ai la gjurmë të pashlyeshme në formimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e Orkestrës Simfonike të Korçës, ku dha një ndihmesë të çmuar me profesionalizëm dhe pasion.
Me interpretimet e tij të ndjera dhe punën e palodhur si profesor, Vrame u bë pjesë e historisë kulturore të qytetit, duke fituar duartrokitjet dhe respektin e artdashësve ndër vite.
Pianisti i shquar vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, kanceri në mëlçi.

Salianji: Nuk më përjashton dot njeri/ Çupi: Retorikë komuniste! Kush ka mendim kundër në PD, është lincuar

22 December 2025 at 18:55

Analisti Frrok Çupi ka deklaruar se në Partinë Demokratike linçohesh nëse shfaq ide apo iniciativa ndryshe nga ajo e kryetarit. Sipas tij, figura që kanë menduar ndryshe në këtë parti, si Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko, janë sulmuar dhe përjashtuar nga forumet vendimmarrëse.

Çupi e ka cilësuar deklaratën e Salianjit në protestën e PD si retorikë komuniste dhe formulë bolshevike, e cila është jashtë kohe dhe konteksti politik aktual.

“Mund të kesh një ide ose iniciativë, por aty linçohesh po të jesh ndryshe nga doktori. Si kundër kishte marrë vajzën dhe dhëndrin, duke u treguar njerëzve të tjerë: ja ku është e ardhmja e PD-së. Ai tenton të bëjë argument dhe tenton t’u thotë demokratëve që jam me ju.

Është linçuar Hajdari, Gramoz Pashko, secili në PD që ka pasur ndryshe atë parti. Është retorikë komuniste, unë rri në këtë parti se është partia ime. Është një formulë bolshevike, është e shëmtuar sepse është jashtë kohës dhe kontekstit. Atë realisht e kanë përjashtuar sepse nuk bën pjesë në forume. Prej tyre nuk ke kurrë aksion apo ndryshim. Diçka bëri dhe nervin e Berishës e ngriti në qiell dhe e detyroi SPAK-un të jetë në krahët e të bijës.”  / abcnews.al /

Inteligjenca e SHBA: Rusia synon gjithë territorin e Ukrainës/ Zelensky: Po shqyrtojmë çdo detaj…

22 December 2025 at 18:29

Idërguari special i Donald Trump për luftën në Ukrainë, thotë se delegacionet amerikane dhe ukrainase kanë përshëndetur bisedimet “produktive dhe konstruktive” të mbajtura në Miami, në prani të aleatëve evropianë, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Gjatë tre ditëve të fundit në Florida, delegacioni ukrainas ka zhvilluar një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët e tij amerikanë dhe evropianë”, thuhet në deklaratë. Deklarata u shpërnda në rrjetin social X nga Steve Witkoff, i dërguari special i Donald Trump, dhe Rustem Umerov, kryenegociatori i Kievit.

Zelensky ndërkohë e quajti konstruktiv dialogun me SHBA dhe tha se ekipi I tij po punon internsivisht. Po shqyrtohet çdo pikë në detaje dhe ka një dialog konstruktiv me palën amerikane. Kjo është e rëndësishme”, shkroi në X presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sa i takon Rusisë, ajo mbetet plotësisht e angazhuar për arritjen e paqes në Ukrainë”, deklaroi i dërguari special i Donald Trump, Witkoff. Sipas tij “Rusia i vlerëson shumë përpjekjet dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit ukrainas dhe rivendosjen e sigurisë globale”.

Por përkundër këtyre pohimeve raportet e shërbimeve amerikane të inteligjencës vazhdojnë të këmbëngulin se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr aspak dorë nga ideja për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të pretenduar territore evropiane që në të kaluarën i përkisnin Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe vende që sot janë anëtare të NATO-s.

Këtë e raportoi agjencia e lajmeve Reuters, e cila ka folur me “gjashtë burime” të njohura me çështjen, të cilat ofrojnë një pasqyrë të situatës thellësisht të ndryshme nga ajo e paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe nga negociatorët e tij të besuar me rusët

Këtë fundjavë, rusët refuzuan që negociatat të ecin një shkallë më tej, duke hedhur poshtë mundësinë e një takimi trepalësh me shba dhe ukrainën. Bisedimet e ardhshme mbeten ende për tu konfirmuar, pasi deri më tani nuk ka ende një axhendë të përcaktuar për takimin e radhës, por një indicie e dha shefi I delegacionit rus kirill Dmitriev i cili postoi pas bisedimeve një foto të tijën me me mbishkrimin herën tjetër në Moskë. / abcnews.al /

Protesta/ Pamjet me dron, Lapaj i lë vendin Berishës. Kreu i PD braktiset nga mbështetësit

22 December 2025 at 18:08

Pas foltoreve traditë e ‘të hënës demokrate’, selia blu paralajmëroi protestën e sotme përpara kryeministrisë.

Nga pamjet e siguruara me dronë nga ABC News, shihet se në orarin zyrtar të nisjes së protestës ka një numër të pakët të qytetarëve të pranishëm.

Mesa duket, protestat në dukje madhështore të demokratëve vijojnë të jenë të zbrazëta në realitet ku qytetarët dukshëm i kanë braktisur organizimet e PD.

Në këtë protestë janë vënë në gatishmëri mbi 1300 forca policore Forcat Shqiponja, dhjetëra agjentë civilë si edhe 5 autobotë.

Opozita ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në protestën kombëtare për të rrëzuar regjimin.

Trump nënshkruan urdhrin/ SHBA synon kthimin e njerëzve në Hënë deri në 2028

20 December 2025 at 22:51

Presidenti amerikan Donald Trump përcaktoi qëllimin e SHBA-së për të dërguar njerëzit përsëri në Hënë deri në vitin 2028 dhe për të mbrojtur hapësirën nga kërcënimet me armë në një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës, lëvizja e parë e madhe e politikës hapësinore të mandatit të dytë të administratës së tij.

Urdhri, i lëshuar disa orë pasi astronauti miliarder privat dhe ish-klient i SpaceX, Jared Isaacman, u betua si administratori i 15-të i NASA-s, riorganizoi gjithashtu koordinimin e politikave kombëtare hapësinore nën drejtimin e këshilltarit kryesor të shkencës të Trumpit, Michael Kratsios.

I titulluar “SIGURIMI I SUPERIORITETI HAPËSINOR AMERIKAN”, urdhri i bën thirrje Pentagonit dhe agjencive të inteligjencës amerikane të krijojnë një strategji të sigurisë hapësinore, nxit efikasitetin midis kontraktorëve privatë dhe kërkon demonstrime të teknologjive të mbrojtjes nga raketat në kuadër të programit Golden Dome të Trump.

Duket se anuloi organin më të lartë koordinues të politikave hapësinore të Shtëpisë së Bardhë, Këshillin Kombëtar të Hapësirës, një panel anëtarësh të kabinetit që presidenti e ringjalli gjatë mandatit të tij të parë dhe që ka menduar ta shkarkojë këtë vit.

Por një zyrtar i administratës tha se nuk do të anulohej dhe sugjeroi që do të vazhdonte të ishte nën varësinë e Zyrës së Politikave Teknologjike të Shtëpisë së Bardhë me një strukturë të ndryshme në të cilën presidenti, në vend të zëvendëspresidentit, do të ishte kryetar.

Qëllimi për të ulur njerëzit në Hënë deri në fund të mandatit të dytë të Trumpit në vitin 2028 ka ngjashmëri me direktivën e presidentit në mandatin e tij të parë për të bërë një kthim në Hënë deri në vitin 2024, duke e vendosur satelitin në qendër të politikës amerikane të eksplorimit të hapësirës.

Nafta në shënjestër, SHBA-të sekuestrojnë një anije pranë Venezuelës

20 December 2025 at 22:31

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar sot, 20 dhjetor, një anije pranë brigjeve të Venezuelës. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë për mediat e huaja. Kjo është hera e dytë gjatë këtij muaji që SHBA-të ndërmarrin një veprim të tillë pranë këtij vendi.

Ky veprim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën, 16 dhjetor, se kishte urdhëruar një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.

Venezuela nuk ka reaguar ende për sekuestrimin e fundit, por më herët ka akuzuar Washingtonin se po përpiqet t’i vjedhë burimet e naftës.

Gjatë javëve të fundit, SHBA-të kanë shtuar praninë e saj ushtarake në Detin e Karaibeve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve që i konsiderojnë si të përfshira në kontrabandë droge nga Venezuela. Sipas raportimeve, rreth 100 persona janë vrarë në këto operacione.

Megjithatë, SHBA-të nuk kanë paraqitur prova publikisht që këto mjete lundruese po transportonin drogë, ndërsa ushtria amerikane po përballet me kritika dhe hetime nga Kongresi për këto sulme.

Washingtoni akuzon presidentin venezuelian Nicolás Maduro se drejton një organizatë të shpallur terroriste, të njohur si “Karteli i Diejve”, një akuzë që Maduro e mohon. Administrata Trump pretendon se Maduro dhe grupi i tij përdorin naftën e “vjedhur” për të financuar terrorizmin, trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasje dhe rrëmbime.

Venezuela, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, varet pothuajse tërësisht nga të ardhurat e naftës për financimin e shpenzimeve shtetërore.

Njoftimi i Trump për “bllokadën” erdhi vetëm pak ditë pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës, e dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë”, që përdorte metoda të fshehta për të shmangur kontrollin.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm nafte dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria venezueliane reagoi ashpër, me presidentin Maduro që tha se SHBA “rrëmbeu ekuipazhin” dhe “vodhi anijen”.

Gurët e shtëpisë time/ Shega lezhjane, ishulli i mrekullive!

20 December 2025 at 22:14

Ishulli i Lezhës është pjesë e programit të qeverisë ‘100 fshatrat’ që synon të sjellë përmes projekteve zhvillimore një dimension të ri zhvillimit të agroturizmit dhe përmirësimit të ekonomisë së zonës. Laguna e Ishull-Lezhës është e pasur me specie të rralla si Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku.

Ishulli i Lezhës, është quajtur ‘ishull’ për shkak të sistemit lagunor që afrohet deri pranë qytetit të Lezhës. Ndodhet rreth 60 km. nga Tirana dhe me një histori të vjetër si një sistem lagunor dhe destinacion turistik. Është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940. Edhe sot ruan këtë status të emërtuar si “Rezervat Gjuetie dhe Rezervë e Menaxhuar”. Kjo zonë përfshin një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota.

Laguna është e pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, në perëndim të fshatrave të ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Edhe në këtë lagunë, ashtu si në atë të Karavastasë, janë flamingot ato që tërheqin më shumë me shfaqet e tyre të “kërcimit” në ujë. Këtu banorët kanë emigruar kryesisht në Greqi. Fatjon Vathaj tregon vuajtjet e rrugës për në Greqi, nëpër male që në moshën 15 vjeç. “Tani nuk do ta beja kurre ate rruge”, na thotë. Pjesë e odisesë së kësaj rruge ishte të gjeje një vend për të fjetur dhe ajo që gjeti Fatjoni ishte një dhomë me një “sobë me granata dhe eksplozive”.

Vendosi të kthehej dhe të hapte një fermë të vogel për familjen, të cilën e ka kthyer tashmë në biznes. Shkurtat apo thëllëzat janë zogu i shumekerkuar. Vezet e tyre kerkohen shume veçanerisht per shkaqe shendetsore. Hoteli i Gjuetisë në Ishull-Lezhë i ndërtuar në vitit 1936 është një objekt me vlera të veçanta historike. Mirditori Viktor Jushi, administrator i Hotelit të Gjuetisë, mjeshtër i punimit të gurit, thotë se “ky objekt u ndërtua nga italianët për promovimin e turizmit të të apasionuarve pas gjuetisë. Aty ndodhet edhe një ndërtesë e vitit 1939, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë. Është shpallur “Monument Kulture”.

Këtu, Konti Çiano, ish-ministri i Jashtëm i Italisë. dikur ftonte në këtë vilë shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes. Në kohën e komunizmit, këtu vinin qeveritarët e kohës, të cilët gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës.  Jushi, I cili e bleu këtë kompleks pas kthimit nga emigracioni, thotë se “grumbulloi eksperiencë në Greqi” dhe hapi biznes këtu duke punësuar veten dhe familjen. “Kam bo mire qe jam kthy”, na thotë Jushi.

Vila e ministrit të Duçes gjendet pikërisht këtu dhe siç ka dëgjuar Viktori nga babai I tij, këtu mendohet se janë takuar madje Çiano dhe Ribentrop. Më vonë, gjatë viteve të komunizmit, këtu vinte më shumë Kadri Hazbiu. Viktori thotë se janë përpjekur të ruajnë karakterin e objektit dhe natyren. “Do sakrifica qe te mirembahet dhe te investojme”, thotë ai.  / abcnews.al/

Ishulli Hormuz shndërrohet në xhevahir të kuq/ Iran, reshjet e shiut transformojnë vijën bregdetare

20 December 2025 at 21:48

Reshjet e shiut në ishullin Hormuz të Iranit e kanë transformuar përkohësisht vijën bregdetare në një pamje mbresëlënëse natyrore me nuanca të kuqe. Plazhi është i njohur për rërën dhe shkëmbinjtë e tij me ngjyrë të kuqe të theksuar, të krijuara nga përqendrimet e larta të oksidit të hekurit. Sa herë që bie shi, siç ndodhi këtë javë, rrjedha të tokës së kuqe zbresin drejt bregut, duke ngjyrosur plazhin dhe ujërat përreth, në kontrast të fortë me blunë e Gjirit Persik.

Ky fenomen natyror tërheq rregullisht turistë, fotografë dhe vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Përtej pamjes vizuale, toka e kuqe – e njohur lokalisht si gelak – eksportohet në sasi të kufizuara dhe përdoret në prodhimin e kozmetikës, pigmenteve dhe disa produkteve tradicionale.

Ishulli Hormuz ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, aty ku Gjiri Persik takohet me Gjirin e Omanit, rreth 1,080 kilometra në jug të kryeqytetit iranian, Teheranit. Reshjet e shiut në ishull janë relativisht të rralla dhe ndodhin kryesisht gjatë dimrit dhe fillimit të pranverës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Musk triumfon: rikthehet bonusi 56 mld $, hapet rruga drejt 1 000 miliardëve

20 December 2025 at 21:32

Elon Musk mund të forcojë pozicionin e tij si njeriu më i pasur në botë. Gjykata e Lartë e shtetit amerikan Delaware ka rikthyer shpërblimin gjigant prej 56 miliardë dollarësh që kompania Tesla i kishte dhënë atij në vitin 2018.

Ky bonus ishte anuluar në vitin 2024 nga një gjykatë më e ulët, pas një padie nga një aksioner, i cili e quajti shpërblimin “të tepruar” dhe kundër interesave të aksionerëve. Por Gjykata e Lartë e Delaware e rrëzoi këtë vendim, duke thënë se heqja e plotë e shpërblimit ishte e padrejtë, sepse Musk kishte punuar për Teslën për 6 vite (2018-2024) pa marrë pagesë.

Çfarë fiton Musk nga ky vendim?

Falë marrëveshjes së vitit 2018 që tani është rikthyer:

-Musk mund të blejë aksione të Tesla-s me çmim shumë të ulët

-Pjesa e tij në kompani rritet nga 12,4% në 18,1%

-Vlera e aksioneve të tij rritet me rreth 139 miliardë dollarë

Musk e quajti këtë vendim një “hakmarrje të merituar” në një postim në rrjetin e tij social “X”. Pas problemeve ligjore në Delaware, ai e ka zhvendosur selinë e Tesla-s në Teksas.

Bonusi i ri, edhe më i madh

Përveç rikthimit të bonusit të vitit 2018, Elon Musk ka siguruar edhe një shpërblim të ri edhe më të madh.

Pas anulimit të kompensimit të vjetër, ai kishte paralajmëruar se mund të largohej nga Tesla nëse nuk do t’i jepej një paketë e re që do t’i forconte kontrollin mbi kompaninë. Për të mos e humbur, aksionerët pranuan t’i ofrojnë një skemë të re shpërblimi, e cila, nëse plotësohen disa objektiva, do t’i mundësojë Musk të rrisë pjesën e tij në Tesla nga 13% në rreth 25%, me një vlerë të mundshme që mund të arrijë deri në 1 000 miliardë dollarë.

Ende mbetet e paqartë nëse ky bonus i ri do të shtohet mbi atë të vjetrin që sapo u rikthye dhe sa realisht do të rritet pjesëmarrja e Musk në kapitalin e Tesla-s.

Aksident në Bradashesh, përplasen dy automjete/ Katër persona të plagosur

20 December 2025 at 20:55

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:10, në aksin rrugor rreth rrotullimi i Bradasheshit – Paraburgimi i Elbasanit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment me qarkullim jo të paktë  .

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një manovre parakalimi të gabuar nga njëri prej automjeteve të përfshira, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes mjeteve.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesit e të dy automjeteve si edhe dy pasagjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga bluzat e bardha.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.

Dritasi, toka e ullinjve/ Xhixha: Duhet të jesh agronom dhe njohës i mirë i ullirit, nuk është e thjeshtë

20 December 2025 at 20:38

Në fshatin Dritas, mes njerëzve punëtorë dhe një tradite të hershme bujqësore, kultivimi i ullirit mbetet një nga shtyllat kryesore të jetesës. Një pjesë e mirë e komunitetit siguron të ardhurat nga agrumet dhe veçanërisht nga kultura e ullirit, e cila i ka dhënë identitet kësaj zone.

Teksa udhëton në kodrat e Dritasit, përballesh me një rrugë në proces rikonstruksioni. Mjete dhe punëtorë që i japin një tjetër pamje fshatit, duke treguar se zona ka prirje zhvillimi, veçanërisht në sektorin e pemëtarisë.

Pëllumb Xhixha është një nga banorët që pasionin për tokën e ka kthyer në mënyrë jetese. Edhe pse në prag pensioni, ai vazhdon çdo ditë punën në plantacionin e ullinjve, ku e gjejmë së bashku me familjarët në procesin e vjeljes.

“Jemi të kënaqur me prodhimin, por kemi mungesë të fuqisë punëtore. Kemi marrë punëtorë, por është e vështirë për t’i gjetur.”

Plantacioni është i ndarë sipas varieteteve të ndryshme të ullirit, çka sipas Pëllumbit kërkon njohuri.

 “Kemi mbjellë varietetin italian për prodhim vaji, kemi marrë edhe kaniniotin. Fillimisht kemi nisur në vitin 2008 me forcat tona, në 2010 kemi mbjellë të tjerë dhe sot kemi rreth 600 rrënjë ullinj.”

Puna me ullirin, thotë ai, nuk është e thjeshtë dhe kërkon përkushtim gjatë gjithë vitit.

 “Me fol për ullirin duhet të jesh agronom. Ka plehërimin, krasitjen, vaditjen.”

Këtë vit, prodhimi ka qenë i mbarë dhe vjelja ka nisur në kohën e duhur.

 “Kemi filluar vjeljen dhe jemi të kënaqur këtë vit. Kemi edhe ullinj shekullorë në Qinëm. Rreth datës 20 dhjetor, fundi i dhjetorit, duhet ta gjesh të vjelur këtë varietet.”

Për sa i përket përpunimit të vajit, Pëllumbi thotë se tashmë kanë gjetur zgjidhjen e duhur, ndryshe nga vitet e para.

 “Me përpunimin e vajit kemi gjetur fabrikën më të mirë, Kadri Muka është mjeshtër i vajit të ullirit. Para vitit 1990 s’kishte fabrika, e përpunonim me këmbë, ishte stermundim”

Sot, sfida mbetet tregtimi i prodhimit, ku ai kërkon më shumë mbështetje institucionale.

 “E mira është që institucionet të na gjejnë zgjidhje për gjithë këtë prodhim. Ne e shesim te të njohurit, kemi gjetur treg.”

Cilësia e vajit të ullirit të Dritasit, sipas tij, tashmë është bërë e njohur edhe jashtë kufijve. Ndërsa mesazhi i tij shkon veçanërisht për të rinjtë.

 “I bëj thirrje të rinjve: nuk është shumë fitimprurëse, por s’të lë pa gjë. Nuk do shumë stermundim. Ka shumë familje që merren vetëm me ullirin dhe jetojnë për mrekulli, sepse kjo zonë është shumë e përshtatshme.”

Përveç plantacioneve me ullinj, Pëllumbi ka investuar edhe në përpunimin e drurit. Ndërkohë, Dritasi shihet gjithnjë e më shumë edhe si një zonë me potencial turistik, falë natyrës, historisë dhe kulinarisë.

Nga arsimi…në prodhimin e rakisë/ Ish-mësuesja kthehet në Boboshticë, fshati i manave të zinj

20 December 2025 at 20:32

Pas një karriere të gjatë në mësimdhënie në disa prej shkollave të rajonit të Korçës, Antonina Çaprazi, pas daljes në pension, vendos të rikthehet në vendlindjen e saj, Boboshticë, fshati i njohur ndryshe si vendi i manave të zinj.

Boboshtica ruan prej brezash traditën e prodhimit artizanal të rakisë së manit. Por për Antoninën, e arsimuar në kimi, kjo traditë u kthye në një mundësi për të shkuar edhe më tej. Përveç rakisë, ajo nisi të prodhojë edhe pije të tjera, si likerë të ndryshëm.

Në një rrëfim për ABC News, Antonina tregon se fillimisht gjithçka nisi si eksperiment, por pasioni dhe njohuritë profesionale e shtynë drejt një gamë më të gjerë prodhimesh.

Ndoshta është një fenomen unik në vend, që sipas traditës, në fshatin Boboshticë, gjithë procesi i nxjerrjes së rakisë, që nga mbledhja e frutave, fermentimi e deri te prodhimi,  bëhet nga gratë, ndërsa burrave u mbetet vetëm ‘dhurata’ për ta pirë.”

Fshati Boboshticë është i njohur prej kohësh për frutin e manit dhe për pemët mijëravjeçare që gjenden vetëm në disa zona të Korçës. Historia e tyre e saktë nuk dihet, por gojëdhënat flasin për një origjinë shumë të hershme.  Sipas Antoninës, gojëdhënat tregojnë se manat janë të pranishme në Boboshticë që nga koha e persëve, ndërsa historia më e dokumentuar i përket viteve të Luftës së Parë Botërore, kur disa djem të fshatit, të rekrutuar në ushtri, sollën fidanë nga Bullgaria pas përfundimit të luftës.

Sot, përveç pemëve që ka vetë, Antonina merr edhe mana me qira dhe prodhon raki dhe likerë vetëm për qëllime tregtimi. Ajo tregon se produktet e saj kanë tashmë një treg të sigurt.

Historia e Antonina Çaprazit është një shembull se si përvoja, dijet dhe tradita mund të bashkohen, duke krijuar jo vetëm produkte cilësore, por edhe një model frymëzues për rikthimin dhe investimin në vendlindje.  / abcnews.al /

Art në fije, ekspozitë në Shkodër/ Punime të bëra mjeshtërisht nga duart e grave shqiptare

20 December 2025 at 20:22

Janë punuar me shumë mjeshtëri e me dashuri…

Janë punime që flasin vetë. Çdo fije peri është një histori, një frymëzim dhe një amanet i trashëguar brez pas brezi. Ky është arti i vërtetë i grave shqiptare, të cilat përmes duarve të tyre të arta kanë sjellë modë, bukuri dhe identitet që 100 vite më parë , shumë kohë përpara se moda të ishte pjesë e industrisë së sotme.

38 jelekë të krahinave të ndryshme të vendit janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë në Muzeun Historik të Shkodrës, titulluar “Arti i fijes në jelek”. Ekspozita sjell për vizitorët një udhëtim përmes ngjyrës, motiveve dhe punës së hollë të dorës së gruas artizane shqiptare, një rrëfim i kulturës sonë popullore, i sjellë në dritë përmes një tradite që nuk shuhet kurrë.

Drejtoresha e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçej, shpjegon se ideja për ekspozitën erdhi pas procesit të inventarizimit, pasi çdo jelek rezultoi të ishte një vepër më vete, me veçorinë dhe bukurinë e tij unike.

Jelekët datojnë nga fillimi I viteve 1700 e deri 50 vitë më parë, ndërsa janë nga hapësira të ndryshme të Shqipërisë. E veçanta është ekspozimi I jelektur të motrës tone, I motrës së mjeshtrit të pikturës e arkitekturës, Kolë Idromeno.

Kjo ekspozitë synon që të rinjtë, e sidomos nxënësit, të njihen me të kaluarën e historinë e vendit tonë.

Punimet e ekspozuara janë të rralla, të punuara me materiale tepër të kushtueshme dhe të gjitha të realizuara me dorë, ndërsa fijet e mëndafshit apo materialet e tjera janë siguruar brenda vendit.  Një zeje e cila kërkohet të ringjallet duke e kthyer veshjen tradicionale në një modë të ditëve të sotme

❌
❌