Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gjërat Tona/ Jani Aliaj, kontrata e vdekjes

By: Rovena
25 January 2026 at 21:02

Burgjet janë ndërtuar për të izoluar krimin. Por çfarë ndodh kur krimi ndodh brenda tyre?

Më 19 janar 2026, brenda mureve të burgut më të madh të Greqisë, ndodhi një vrasje që tronditi jo vetëm sistemin penitenciar, por edhe balancat e krimit të organizuar.

Një i burgosur shqiptar, 49 vjeç, u vra me thikë të improvizuar. Autori, një shtetas grek 28-vjeçar. Viktima, Jani Aliaj, një ndër shqiptarët më të kërkuar, i cili për pAk ditë pritej të ekstradohej në Shqipëri, për të vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm.

Vrasja ndodhi në zonën e njohur si krahu i tretë i burgut të Koridhalosë, aty ku mbahen të izoluar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.

Por kjo ngjarje nuk ishte një sherr banal burgu. Faktet flasin për një kontratë vdekjeje.

Jani Aliaj u vra në një burg të sigurisë së lartë, ndonëse i konsideruar problematik për institucionet. Në një hapësirë që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24, me kamera, roje dhe protokolle sigurie.

Sonte po sjellim hetim e një vrasje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë.

Një ngjarje që ekspozon dobësitë e sistemit penitenciar dhe ngre pyetje të rënda mbi përgjegjësinë e autoriteteve.

Si u organizua vrasja? A ishte e planifikuar nga brenda? Dhe pse ende ka më shumë pyetje sesa përgjigje?

Kjo është dosja e një vrasjeje në burg. Një krimi në zemër të sigurisë shtetërore.

KUSH ISHTE JANI ALIAJ

Jani Aliaj, 49 vjeç ishte një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Në 10 vjet ai është akuzuar për 2 vrasje. Të paktën të dokumentuara dhe për të cilat drejtësia ka folur.

Të parën në Greqi, për të cilën është dënuar me 18 vjet burg dhe të dytën në Shqipëri, ku është dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë.

I ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në Tiranë e Gjirokastër dhe dy sulmeve të mëparshme më thikë në burgun e Koridhalosë në Greqi, i fundit 6 muaj para se të vritej.

Prej 13 muajsh ishte në burg në Greqi, në pritje të ekstradimit në Shqipëri. Para se të kthehej për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në vendin tonë, duhej të shlyente edhe 2 vite burg në shtetin helen, dënim nga i cili i kishin mbetur vetëm disa muaj.

Nga ana tjetër ka dhe një çështje të hapur me drejtësinë. Aktualisht, në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi ndaj tij për, vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe shitje narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për disa vite, Policia e Shtetit e rendiste në krah të 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Emri i tij lidhet me një zinxhir vrasjesh e plagosjesh të ndodhura për larje hesapesh në Gjirokastër, Tepelenë, Tiranë, Durrës e Fier.

Janë pikërisht këto ngjarje, që pasi kulmuan në vitin 2016, nisën të pasojnë njëra – tjetrën dhe nxorën në sipërfaqe përplasjet e dy grupeve nga Tepelena. Deri në atë kohë dihej pak, ose aspak për aktivitetet e tyre, që në shumicën e rasteve ishin shtrirë edhe përtej kufijve.

Dy personazhet kryesore që duket se ideuan dhe realizuan disa atentate, të finalizuara e të dështuara, ishin Elton Çiça, i cili u vra në Tiranë dhe Jani Alia që u dënua me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e tij e që u vra më 19 janar 2026 në burgun e Koridhalosë në Greqi.

VRASJA BRENDA BURGUT

Jani Aliaj u qëllua për vdekje me thikë rreth orës 16:00, të datës 19 janar 2026.

Ngjarja ndodhi brenda një ambienti që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24. Një thikë e improvizuar, e ndërtuar brenda burgut, u përdor për të goditur për vdekje Jani Aliajn. Ai u godit dy herë në gjoks, duke mbetur i vdekur në vend.

Autori nuk u përpoq të fshihej. Nuk kishte panik. Ishte i qetë. Si dikush që e dinte se çfarë duhej të bënte. Autoritetet e Pireut po hetojnë ngjarjen si një krim të porositur nga persona të tjerë. Kjo nisur edhe nga një tentativë e 6 muajve më parë, kur autori bashkë me disa të burgosur arabë, tentuan të vrasin Jani Aliajn, por nuk ia arritën. Pas kësaj tentative, 49-vjeçari Shqiptar, mori një status mbrojtje dhe u izolua në një qeli në sektorin B, bashkë me një ish-punonjës Policie te dënuar për drogë, vend që konsiderohej më i sigurt.

Autori i vrasjes po ashtu nuk është një emër i panjohur për autoritetet vendase. I dënuari grek që goditi me thikë Jani Aliajn është Kristos Vardhuniotis, i dyshuar si vrasës me pagesë.

28-vjeçari grek kishte kryer më parë një tjetër vrasje në Agios Panteleimonas. Teksa lëvizte më një motoçikletë, ai iu afrua shtetasit shqiptar dhe e qëlloi me armë zjarri në kokë.. Bëhet fjalë për ekzekutimin e Artur Bashimit, ngjarje e ndodhur më 18 gusht 2025 në Athinë, që po ashtu u dyshua se ishte kryer me porosi nga burgu.

Më 3 shtator 2025 Policia e Greqisë zbardhi vrasjen e 47-vjecarit nga Gjirokastra, Artur Bashimi, duke arrestuar 28-vjeçarin grek, i cili aktualisht akuzohet edhe për vrasjen e Jani Aliajt në burgun e Koridhalosë. Ai pranoi krimin në atë kohë dhe tha se për vrasjen e shqiptarit ishte paguar 15 mijë euro. Ai theksoi se nuk e njeh personin që porositi vrasjen e shqiptarit, por tha se urdhri erdhi nga brenda burgjeve greke.

Dy vrasje. Dy mënyra të ndryshme. Një profil që për autoritetet ngre dyshimin kryesor: ai nuk vepron vetëm. Madje asnjëherë për interesa personale, por i paguar dhe për llogari të dikujt tjetër. Madje ka dyshime se ai vepron për llogari që atje e konsiderojnë “mafia e burgut”.

Mediat greke, që nisën menjëherë të investigojnë ngjarjen, kanë ngritur disa pyetje serioze në lidhje me përgjegjësitë e administratës së burgut dhe rrethanat, në të cilat i dënuar Jani Aliaj, i njohur si “Xheku”, u vra në mes të ditës në burgun e Koridhalos.

Aliaj, i cili vuante dënimin për vrasje dhe ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2024 në Moschato, njihej nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa informacionet sugjeronin se ai ishte “pistoleta” e Vangelis Zambounis dhe ishte i lidhur me rrjete serioze të krimit të organizuar.

Vangelis Zambounis ishte një emër kyç i krimit të organizuar në Greqi, i njohur për aktivitetet e tij të gjerë në trafikun e drogës, kontrabandë armësh dhe shantazhe të strukturuara ndaj rivalëve dhe biznesmenëve. Sipas hetimeve, ai kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar mbikëqyrjeje dhe kontrolli, ku përdorte individë të dhunshëm si “pistoleta” për të ekzekutuar urdhra dhe për të mbajtur rivalët nën frikë. Zambounis ishte gjithashtu i përfshirë në një sërë eliminimesh të planifikuara, duke e bërë emrin e tij një nga më të frikshmit në botën kriminale greke. Ai arriti të ruante ndikimin e tij edhe në prani të presionit të lartë nga autoritetet, duke përdorur informacione operative, kodime të komunikimeve dhe rrjete të fshehta bashkëpunëtorësh.

Brenda këtij konteksti të tensionuar, vrasja e tij u shndërrua në një ngjarje që tronditi opinionin publik: Vangelis Zambounis u qëllua me 90 plumba brenda makinës së tij, një akt që tregoi qartë për shkathtësinë dhe mizorinë e rivalëve të tij. Incidenti u interpretuar si një mesazh i fortë për të gjithë ata që ishin pjesë e rrjeteve kriminale dhe për autoritetet, duke nxjerrë në pah rrezikun e vazhdueshëm të përplasjeve mes grupeve të armatosura. Sipas hetimeve, ky ekzekutim nuk ishte thjesht një akt hakmarrjeje, por një plan i mirë organizuar që synonte eliminimin e një figure kyçe dhe destabilizimin e strukturave të kontrollit të tij. Vrasja e Zambounis, brutale dhe e shënuar nga një numër i jashtëzakonshëm plumbash, konfirmoi fuqinë e rrjeteve kriminale dhe pasigurinë që mbizotëronte edhe në hapësirat publike të Athinës. Ky incident lidhet ngushtë edhe me aktivitetet e individëve të tjerë të krimit të organizuar, duke përfshirë lidhjen e tij me Jani Aliajin dhe rrjetin që drejtohej nga Klodian Lekocaj, duke krijuar një mozaik të dhunshëm ku urdhri, influenca dhe eliminimi ishin pjesë e përditshme e jetës së krimit të organizuar.

Nisur nga të gjitha të dhënat që dispononte Policia greke, kishte edhe informacione rreth një kontrate vdekjeje për Jani Aliajn.

Që në nëntor të vitit 2025, administratës së burgut të Koridhalos i kishte mbërritur informacioni në lidhje me një kontratë aktive vdekjeje kundër Jani Aliajt. Konkretisht, udhëheqësi famëkeq i asaj që mediat greke e quajnë, “mafia e burgjeve”, Klodian Lekocaj, mbajti pengje dhe hapi qeli në krahun e tretë duke kërkuar Aliajn.

Shefi i atëhershëm i burgut, Kostas Lambropoulos, dyshohet se e mori seriozisht këtë informacion dhe, siç rezulton, informoi me shkrim si udhëheqjen politike të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve ashtu edhe Sekretariatin e Përgjithshëm për Politikat Kundër Krimit . Më pas, me një vendim të miratuar nga Komiteti Qendror i Transferimeve, i burgosuri u hoq nga Krahu C dhe u transferua në K2 , pra në krahun e sigurisë së lartë, i njohur edhe si krahu “17 Nëntori”.

Megjithatë, sipas informacioneve, pasi shefi i atëhershëm i rojeve la pozicionin e tij , Jani Aliaj u transferua përsëri në krahun e 3-të, aty dhe ku u vra. Ky kthim në vendin nga ku e kishin larguar për siguri, shkaktoi një shqetësim serioz, pasi: Vlerësimi i rrezikut nuk ishte hequr zyrtarisht; nuk dihet nëse ka pasur një vlerësim të ri të dokumentuar të sigurisë; ndërsa, sipas burimeve për mediat greke, vendimi thuhet se është dhënë me urdhër verbal.

Konsiderohet e dyshimtë që, ndërsa ekzistenca e kërcënimit ishte e njohur, i burgosuri u kthye në një repart ku ishin aktivë grupe rivale dhe individë, me të cilët ai kishte llogari të hapura. Burime që kanë njohuri për rastin theksojnë se: Transferimi i mëparshëm në K2 kishte për qëllim pikërisht mbrojtjen e tij; Kthimi i tij në Krahun e Tretë e përmbysi plotësisht regjimin e sigurisë; krijoi kushtet për ekzekutimin e kontratës së vdekjes.

Autori i vrasjes dyshohet të jetë Kristos Vardouniotis, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet dhe rrethanat e sulmit. Ndërsa porosia ka dyshime se mund të jetë dhënë po nga i njëjti burg, nga Klodian Lekocaj, i cili si në shumë raste të ngjashme që është hetuar, ka mohuar të ketë lidhje me krimin.

Klodian Lekocaj është një nga emrat më të errët që shfaqet në dosjet e krimit të organizuar shqiptar që ka vepruar në Greqi. I dënuar me burgim të përjetshëm, ai konsiderohet nga autoritetet hetimore greke si një figurë që, pavarësisht izolimit fizik, nuk e ka humbur kurrë ndikimin e tij kriminal. I vendosur në burgun famëkeq të Koridhalosit, Lekocaj dyshohet se ka ndërtuar dhe drejtuar atë që hetuesit e përshkruajnë si “mafia e burgjeve”, një mekanizëm i fshehtë urdhrash, presionesh dhe eliminimesh që shtrihet përtej mureve të institucionit penitenciar.

Sipas të dhënave hetimore, emri i tij përmendet si porositës në disa krime të rënda, së fundmi edhe për vrasjen e Jani Aliajt, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe ekspozoi dobësitë e thella të sistemit të sigurisë brenda burgjeve të sigurisë së lartë. Lekocaj del në komunikime të koduara, në dëshmi bashkëpunëtorësh dhe në informacione operative, si një figurë që jep urdhra, ndërmjetëson konflikte dhe mban nën kontroll individë të tjerë të botës së krimit.

Hetimet sugjerojnë se burgimi i përjetshëm nuk e ka shkëputur nga aktiviteti kriminal, por përkundrazi, burgu është shndërruar në një qendër komande të padukshme. Për autoritetet, rasti i Klodian Lekocajt përfaqëson modelin më shqetësues të kriminelit modern. Një individ që vazhdon të ushtrojë pushtet edhe pas hekurave, duke sfiduar drejtpërdrejt sistemin penitenciar dhe vetë drejtësinë.

Hetimi i Sigurisë së Pireut po fokusohet në një pistë kryesore. Vrasja e Jani Aliajt ishte e porositur. Trafiku i drogës në Athinë shihet si motivi kryesor. Kush kontrollon sheshet? Kush shpërndan? Kush përjashtohet?

BURGU FAMËKEQ

Burgu i Koridhalos, në periferi të Athinës, nuk është thjesht një institucion ndëshkimi, por një simbol i errët i përplasjes mes shtetit dhe krimit.

Për dekada me radhë, ai ka strehuar disa nga emrat më të rrezikshëm të botës së nëndheshme greke dhe ndërkombëtare. Brenda këtyre mureve janë regjistruar vrasje mes të burgosurve, përplasje të dhunshme bandash dhe akte që kanë tronditur vetë autoritetin e shtetit. Koridhalos është bërë i famshëm edhe për arratisje spektakolare, që kanë ekspozuar dobësitë e sigurisë dhe kanë kthyer burgun në një simbol dështimi institucional. Trazirat, marrjet peng dhe zbulimi i armëve brenda qelive kanë qenë pjesë e një realiteti të përsëritur ndër vite. Mbipopullimi dhe kushtet e rënda kanë ushqyer tensione të vazhdueshme, duke e kthyer çdo ditë në një provë force. Në këtë burg, kontrolli shpesh është vënë në dyshim dhe rendi është sfiduar hapur. Koridhalos nuk ka qenë kurrë një burg i qetë. Ai ka qenë gjithmonë një vatër konflikti, ku dhuna nuk është përjashtim, por paralajmërim. Dhe pikërisht këtu, në këtë hapësirë të mbingarkuar me histori të errëta, ndodhi edhe vrasja e Jani Aliajt.

Përplasja e grupeve të Tepelenës

Hakmarrja mes dy djemve nga Tepelena, Elton Çiça dhe Jani Alia, nisi në vitin 2006 pas një vrasjeje në rajonin e Atikës Perëndimore. U zhvendos më vonë në burgun e Koridhalosë në Greqi e më pas u pasua me plagosje e vrasje mes dy grupeve, në Gjirokastër, Tiranë, Durrës e Fier. Kjo përplasje, që u duk se kishte nisur nga një sherr banal, në fakt zhvilloi një sagë të përgjakshme, që për 10 vjet shkaktoi 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe disa atentate të dështuara që Çiça e Alia, i bënë njëri-tjetrit, më vonë edhe ndaj miqve të tyre.

Pas ngjarjes së datës 1 maj 2016, ku mbeti i vrarë Elton Çiça, Policisë së Tiranës i është dashur të gjurmojë të shkuarën e hershme të viktimës për të zbuluar motivin e vrasjes së tij në kryeqytet. Burime nga grupi hetimor thanë në atë kohë se Çiça u ekzekutua për motive hakmarrje, që lidhej me një vrasje të ndodhur në vitin 2006. Në rajonin e Atikës Perëndimore, në Greqi, Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, nga fshati me emrin Zhapokikë, i Memaliajt. Viktima, E. Ballazhiu 20 vjeç, ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiça ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.

Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Elton Çiça i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiça. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiça me 5 vjet për drogë.

Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiça plagosi me thikë Alinë kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiça, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.

Megjithatë, duket se edhe një ngjarje e vitit 2015 në Tepelenë, shtoi emra të tjerë në listën për hakmarrje të Çiçës. Më 30 mars të atij viti, disa persona i grabisin dhe i dhunojnë prindërit Elton Çiçës, të cilët ai më pas i gjen dhe vendos të bëjë vetëgjyqësi. Një nga autorët e dyshuar vritet dy muaj më vonë, tjetri arrin t’i shpëtojë një atentati me eksploziv, ndërsa një tjetër i dyshuar, ekzekutohet pas 6 vitesh në një atentat që nuk u lidh asnjëherë zyrtarisht me hakmarrjen e Çiçës.

Grabitja e prindërve të Elton Çiçës

Mbrëmjen e 30 marsit të vitit 2015, një grup personash grabitën me armë banesën e prindërve të Elton Çiçës, Naim e Antonela Çiça, në Tepelenë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Gjirokastrës, grabitësit e maskuar kanë hyrë në banesën e dy të moshuarve dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, u kanë vjedhur një sasi prej 5 mijë eurosh e janë larguar. Prokuroria e Gjirokastrës arriti në përfundimin se grabitja ishte realizuar nga shtetasi: Robert Rama, Ervis Imeri, si dhe Sokol e Arben Jella. Në dosje thuhej se Ervis Imeri ishte personi që kishte dijeni për paratë në shtëpinë e prindërve të Çiçës.

Ndërkohë 4 vite pas ngjarjes, më 22 janar të vitit 2019, Policia rrestoi si të dyshuar për këtë ngjarje edhe Erigers Mihasin, i cili u ndalua në zonën e Yrshekut, në Tiranë.

Në dosjen e Prokurorisë së Gjirokastrës thuhej se Erigers Mihasi është zbuluar si i implikuar në ngjarje, pas vrasjes së 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinj e Eljon Hato. Mihasi u paraqit në Spitalin e Traumës për t’u interesua për miqtë e tij të plagosur por edhe për viktimën, të cilin e kishte shok dhe në atë moment Policia e shoqëroi dhe mori shenjat e gishtërinjve të tij.

Ekspertimi daktiloskopik zbuloi se gjurmët e gishtave në një paketë cigaresh, që ishte gjetur në makinën e autorëve të grabitjes në shtëpinë e prindërve të Elton Çiçës, ishin të Erigers Mihasit. Megjithatë kjo provë duket se nuk bindi prokurorin e çështjes, i cili 6 muaj pas arrestimit, në korrik të vitit 2019, kërkoi lirimin e Erigers Mihasit nga qelia. Akuza kërkoi zëvendësimin e masës, nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore”, kërkesë që u pranua nga Gjykata. Megjithëse u lirua nga qelia, hetimet për Mihasin vijuan në gjendje të lirë për “vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, “plagosje të rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa lejë të municioneve luftarake”.

Ndërsa në mars të vitit 2021 hetimet për Erigers Mihasin u pushuan. Megjithatë, ai u ekzekutua pak kohë më vonë, konkretisht më 13 nëntor të vitit 2021, në zonën e “Astirit”, në Tiranë, bashkë me mikun e tij Armando Dumani. Kjo ngjarje vijon të mbetet pa autor, edhe pse Prokuroria nuk e ka lidhur me grabitjen e Tepelenës, por më tepër me përplasjet e grupit të Ervis Martinajt dhe rivalëve të tij, duke qenë se Mihasi njihej si një ndër njerëzit e tij më të afërt.

Vrasja e Robert Ramës

Teksa ishte në kërkim për grabitjen e prindërve të Elton Çiçës, dy muaj pas ngjarjes, konkretisht më 9 qershor 2015, ekzekutohet në Durrës, Robert Rama. 31-vjeçari nga Laçi dhe banues në Tiranë, u qëllua për vdekje në një lokal në zonën e ish- Kënetës. Rama, i cili kishte filluar të identifikohej me emrin Ledjon Hyska, u qëllua teksa ishte në shoqërinë e dy personave, të cilët mbetën të plagosur. Dy persona kanë zbritur nga motori dhe pasi nxorën armën nga çanta, e qëlluan për vdekje. Në momentin e ngjarjes, rreth orës 20:00, pranë zonës kanë qenë edhe persona të tjerë, që arritën t’u shpëtojnë plumbave, por pa arritur të identifikojnë autorët. Qytetarët që u gjendën në vendin e ngjarjes, u përpoqën t’u japin ndihmën e parë të plagosurve, duke i transportuar drejt Spitalit të Durrësit, por për 31-vjeçarin Robert Rama, nuk mund të bëhej më asgjë, duke qenë se ishte qëlluar edhe në kokë.

Policia ngriti disa pista për vrasjen, duke i përqendruar hetimet kryesisht tek grabitja, për të cilën ai ishte në kërkim, megjithatë, krimi mbeti pa autor për shumë kohë.

Ndërsa më herët, më 4 maj 2015, një tjetër person që ishte dyshuar për grabitjen e prindërve të Çiçës në Tepelenë, Ervis Imerit, i shpëtoi një atentati me eksploziv në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Por në një tjetër atentat, po me eksploziv u krye sërish ndaj tij në Tiranë, më 8 dhjetor të vitit 2015, kur Imeri ndodhej në makinë bashkë me të vëllain, Eltonin, i cili mbeti i gjymtuar nga shpërthimi.

Disa muaj pas kësaj ngjarje, pasi ishte vrarë në Tiranë, Elton Çiça, i plagosuri nga shpërthimi i eksplozivit, Elton Imeri shprehej se as ai, as i vëllai nuk kishin lidhje me vrasjen e Çiçës. Madje, e përjashtonte të vëllain, Ervis Imerin, edhe nga grabitja e prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë, duke deklaruar se ai ka transportuar autorët, por pa e ditur se çfarë kishin bërë. Ndërsa dëshmonte se Ervisi kishte marrë kërcënime nga këta persona që të mos tregonte identitetin e 2 prej tyre, të cilin në fakt ai nuk i dinte sepse ata mbanin maska.

Dy atentatet ndaj Jani Alisë

Një atentat që Elton Çiça dyshohej se kishte organizuar me qëllim vrasjen e Jani Alisë, dështoi më 10 janar të vitit 2016, pranë një qendre tregtare, te Rruga e Kavajës në Tiranë. Një kalimtar i rastit u plagos lehtë në ballë nga ciflat e xhamave që u thyen nga plumbat, megjithatë objektivi i ngjarjes, që më vonë u mësua se ishte Jali Alia, arriti të shpëtojë dhe u largua. Po kështu u larguan edhe atentatorët, duke lënë pas vetëm gëzhojat e armës që, sipas dëshmitarëve u shkrep 7-8 herë. Kur Policia mbërriti në vendin e ngjarjes nuk gjeti as autorët, as të dëmtuarit, përveç 5 gëzhojave të një arme që dyshohet të ketë qenë pistoletë tip “TT” dhe disa xhamave të thyer të një lokali, ku po hynte personi që dyshohet se ishte objektiv i atentatit. Burime nga Policia e Tiranës thanë në atë kohë se atentatorët dyshohet se kishin qenë në lëvizje me një automjet tip “Benz 190” dhe kishin qëlluar në ecje. Shërbimet e Komisariatit nr.2 dhe ato të Policisë Rrugore të Tiranës, u vunë në ndjekje të automjeti, i cili nga verifikimet rezultoi në pronësi të një personi që banon në periferi të Durrësit.

Pak muaj më pas, më 25 prill të vitit 2016, Elton Çiça u dyshua për një tjetër atentat ndaj Jani Alisë, kësaj here në Gjirokastër. Alia u plagos lehtë në njërën dorë, por nuk pranoi të denoncojë ngjarjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në kohën kur Jani Alia po lëvizte me makinën e mikut të tij, në afërsi të vendit të quajtur Ura e Lumit. Policia nisi hetimet për ngjarjen, duke pasur si të dyshuar Elton Çiçën, por pa arritur ta provojë autorësinë e tij.

Ekzekutimi i Elton Çiçës

Pas këtyre dy atentateve të dështuara ndaj tij, ishte radha e Jali Alisë që të vepronte, i bindur se gjithçka ishte organizuar nga Elton Çiça. Më 1 maj të vitit 2016 ai arrin të ekzekutojë armikun e tij, në një lokal pranë stadiumit Dinamo në Tiranë. 36-vjeçari nga Tepelena, Elton Çiça, u qëllua me dy plumba pistolete, teksa ndodhej në një tavoli me 3 persona të tjerë. Në pamjet filmike shquhej qartësisht autori, ndonëse jo fytyra e tij, edhe pse fshihej vetëm nga një kapele. Nga regjistrimet e kamerave, shihet që ora ishte 22:15 minuta, para se vrasësi të futej në lokal. Në atë moment, në bar “De Niro”, fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndron në këmbë pranë derës, tek banaku, dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë janë të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhet viktima, Elton Çiça, që është me kokën ulur duke shkruar diçka në celular. Në atë kënd të lokalit, nuk shquhet asnjë person tjetër, pasi tavolinat e tjera janë bosh. Ndërsa në aneksin e lokalit, që nuk është i fokusuar nga kamera, ndodhen klientë të tjerë. Aty futet një person i veshur sportiv dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht duket si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave. Por në fakt ai me hapa të shpejtuar drejtohet tek tavolina ku ndodhej viktima. Sapo afrohet aty, ai i drejtohet me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxjerr pistoletën, e qëllon dy herë dhe largohet për të dalë nga lokali. Autori kthehet një fragment sekonde, shikon drejt tavolinës dhe më pas “zhduket”, nga dera e jashtme e lokalit.

Tri javë pas vrasjes së Elton Çiçës në lokalin “De Niro”, Policia e Tiranës arriti të dokumentojë ngjarjen, të identifikojë dhe të shpallë në kërkim dy autorët e dyshuar. Ata ishin Jani Alia, i dyshuar si personi që kreu ekzekutimin dhe Renato Milloshi, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Drejtori i Policisë së Tiranës, që në atë kohë ishte Ervin Hodaj, nëpërmjet një konference për shtyp tha se autorët ishin shpallur në kërkim

Burimet saktësuan në atë kohë se personi që ka shkrepur armën, duke lënë të vdekur Elton Çiçën, ishte Jani Alia. Ndërsa shoku i tij, Renato Milloshi, ishte personi që i kishte krijuar kushtet për të kryer krimin, duke e lëvizur me makinë, para dhe pas vrasjes. Emrat e këtyre dy personave, si autorë të mundshëm të ngjarjes, dolën në skenë më pak se 48 orë pas vrasjes. Megjithatë përgjatë kësaj kohë, oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë kryen hetime intensive duke mbledhur prova të mjaftueshme. Prova që bindën edhe Gjykatën për të vendosur masat e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë.

Ndërkohë, Policia kishte të dhëna, se i përfshirë në vrasjen e Çiçës, ishte edhe Nelgert Pata, i cili ishte miku i Jani Alisë, i cili nuk u arrit asnjëherë të shoqërohej, qoftë edhe për t’u marrë në pyetje.

Më qëllim arrestimin e dy autorëve të dyshuar, Policia dhe forcat speciale RENEA zhvilluan disa operacione, kryesisht në zonën e Tepelenes dhe Gjirokastrës, por rezultuan pa sukses. Ndërsa pak kohë më vonë, konkretisht në shkurt të vitit 2017, Renato Milloshi u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Mohoi të kishte marrë pjesë në vrasje, madje edhe të kishte pasur dijeni për kryerjen e saj. Ai pranoi që e kishte transportuar me makinë Jani Alinë deri tek lokali ku ndodhi vrasja, por nuk e dinte arsyen se përse kishte shkuar aty. Madje ka deklaruar se e ka mësuar më vonë se çfarë kishte ndodhur.

Në gusht të vitit 2017, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 8 muaj burg, vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit. Ndërsa gjyqi për Jani Alinë vijoi deri në maj të vitit 2018, kur u dha dhe vendimi me burgim të përjetshëm në mungesë te tij. Në dosjen e Prokurorisë thuhej se ishte zbardhur tërësisht ngjarja, madje disa nga provat e krimit ishin gjetur në një automjet tip “BMË X6” që përdorte Jani Alia dhe në shtëpinë me qira të të dashurës së tij në Tiranë. Por Alia vijoi arratinë duke iu shmangur përballjes me drejtësinë, deri më datë 31 dhjetor 2024, kur u arrestua Athinë.

Arrestimi i tij, u komunikua zyrtarisht edhe nga Policia greke, duke shpjeguar se ai ishte ndaluar në rrugë për kontroll pas lëvizjeve të dyshimta. Nga kontrolli rutinë, u konstatua se Alia përdorte identitet të rremë duke u identifikuar si Aleksan Kreshnik, i datëlindjes 1976. Pasi u shoqërua për në komisariat, u verifikua se Jani Alia ishte i arratisur nga burgu i Greqisë në 1 qershor të vitit 2015, si dhe rezultonte i kërkuar nga shteti shqiptar për vrasje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.

 

Ekzekutohet Nelgert Pata

Nelgert Pata, 34 vjeç, mik i Jani Alisë, i cili kishte qenë i dyshuar për vrasjen e Elton Çiçës, ekzekutohet në Fier më 20 nëntor të vitit 2016. Atentati për eliminimin e të riut nga Memaliaj, dyshohej se po organizohej prej të paktën një muaji. Edhe 3 ditë para se të ndodhte ngjarja në Fier, Pata ishte ndjekur nga autorët e dyshuar në Tiranë. Autorët e vrasjes duket se po studionin çdo lëvizje të tij, në mënyrë që të mos gabonin si radhën e parë, kur edhe pse u përdor një arme me preçizion të lartë, ai arriti të shpëtojë vetëm me një gërvishtje në vesh. Pista kryesore e ngritur nga grupi hetimor, ishte ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes dy grupeve nga Tepelena, të Elton Çiçës dhe Jani Alisë.

Tri ditë para se të ekzekutohej në Fier, 34-vjeçari Nelgert Pata i kishte shpëtuar një tjetër atentati, në Tiranë. Madje në të njëjtin lokal, tek pallatet “Delijorgji”, ku u plagos me snajper pasditen e 21 gushtit të vitit 2016. Kjo dyshohet se ka qenë arsyeja pse ai ishte larguar nga kryeqyteti për t’u strehuar në Fier, ku ka qëndruar në një hotel. Sipas burimeve, më 17 nëntor, ai kishte parë disa persona të dyshimtë, teksa po qëndronte në një lokal në Rrugën e Kavajës, pikërisht në vendin ku u plagos 3 muaj më parë. Duke dyshuar se këtë persona kishin si qëllim vrasjen e tij, Pata, edhe pse ishte në kërkim nuk ka ngurruar t’i telefonojë Policisë. Në vendngjarje kanë shkuar brenda pak minutash shërbimet e Komisariatit nr.2, të cilët kanë nxituar edhe për faktin se Pata ishte një person që ata po e kërkonin prej 3 muajsh. Megjithatë kur kanë mbërritur në adresën e dhënë nga 34-vjeçari, ai ishte “zhdukur” e bashkë me të edhe të dyshuarit. Të njëjtën skemë ai e kishte përdorur edhe para tri javësh në Fier, kur serish kishte parë persona të dyshimtë që e ndiqnin dhe i kishte telefonuar Policisë. Por edhe në këtë rast shërbimet e rendit nuk kishin arritur të konstatonin asgjë.

I vetëdijshëm se ishte i rrezikuar dhe ndiqej për t’u vrarë, Nelgert Pata përdorte vazhdimisht një makinë të blinduar, me xhama të errët, megjithëse ditën kur u vra në Fier, e kishte lënë të parkuar në hotelin ku po qëndronte. Policia tha se makina u gjet në parkingun e hotelit. Bëhej fjalë për një automjet tip “Benz S-Class”, me targa të denoncuara të vjedhura që i përkasin një automjeti tip “Volksëagen”, në pronësi të një shtetasi në Vlorë. Brenda automjetit që rezulton se i përket viktimës (pasi çelësi ndodhej në çantën personale të tij), gjendeshin dy automatikë model 56, kalibër 7.62 mm, si dhe një shishe benzinë 1.5 litërshe. Me të njëjtën makinë, por me targa ruse, të cilat tashmë ia i kishte ndryshuar, Pata kishte ardhur nga Gjirokastra në Tiranë, ditën që iu bë atentat tek pallatet “Delijorgji”, më 21 gusht 2016.

Në kohën kur i shpëtoi këtij atentati, Nelgert Pata nuk kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu. Ai kishte pasur edhe më parë probleme të mëparshme me drejtësinë. Nelgert Pata dhe i ati, Astrit Pata, ishin dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë me nga 8 vjet burg secili dhe me nga 3 milionë lekë gjobë, por e kishin përfunduar dënimin. Ata u gjykuan fillimisht nga Gjykata e Krimeve të rënda, për trafikimin e dy vajzave me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Norvegji.

Në atentatin që u vra Nelgert Pata, mbeti i plagosur edhe miku i tij, Ari Alinani, i cili ishte në drejtim të automjetit. 38 –vjeçari nga Delvina ka deklaruar se Patën e njihte vetëm prej 3 ditësh, në kohën kur ai ishte zhvendosur nga Tirana në Fier. Por hetimet zbuluan se makinën tip Volksëagen, Alinanit ia kishte dhuruar pikërisht viktima, Nelgert Pata. Por kjo nuk ishte prova e vetme kundër tij, pasi edhe tabulatet telefonike vërtetuar se Pata dhe Alinani kishin pasur komunikime të vazhdueshme. Por i plagosuri nuk ka pranuar të japë të dhëna që mund të konsideroheshin të vlefshme për hetimet dhe u arrestua me akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Ari Alinani konsiderohej si personi kyç që mund të hidhte dritë mbi vrasjen e Nelgert Patës, por edhe atentateve të mëparshme mes grupeve rivale të Tepelenës. Ai madje dyshohej se mund të ishte edhe autor i plagosjes me 3 plumba të Andi Mustafarajt në gusht të vitit 2016, në një lokal pranë ish-ekspozitës në Tiranë. Mustafaraj ishte një nga miqtë e Elton Çiçës. Nisur nga ngjashmëria fizike e autorit të filmuar nga një kamera sigurie, Policia e Tiranës dyshonte se i dyshuari për plagosjen e Mustafarajt ishte Ari Alinani, megjithëse ai vetë mohoi vazhdimisht përfshirjen në atë ngjarje. Por, në një kohë që të gjitha ngjarjet e rënda kriminale mes dy grupeve kanë ndodhur në Tepelenë, Fier e Tiranë, ngjarjet i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda me akuzat e grupit të strukturuar kriminal, vrasjes, e armëmbajtjes pa leje.

Prej vitit 2016, ndonëse ai ka jetuar në arrati deri ditën kur u arrestua në Athinë, më 31 dhjetor 2024, nuk pati më përplasje mes dy grupeve të Tepelenës. Kjo edhe për arsye se dy prej tyre nuk jetojnë më. Ndërsa Jani Alia, i transformuar thuajse tërësisht në pamje, vijoi aktivitetin e tij jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur drejtësisë për 9 vjet.

Kur autoritetet shqiptare, po përgatiteshin që të realizonin ekstradimin e Jani Aliajt dhe ta izolonin në burg përjetësisht, oficeri i kontaktit solli një njoftim ndryshe nga ç’pritej. I shumëkërkuari nga drejtësia jonë, ishte vrarë në burgun grek.

Vrasja në Koridhalos nuk është vetëm një krim burgu.

Është një mesazh. Një paralajmërim. Dhe një dëshmi se, edhe pas hekurave, lufta për pushtet dhe drogë nuk ndalet kurrë.

Vrasja e Jani Aliajt nuk mbaron me minutën e fundit të jetës së tij. Ajo vazhdon në çdo heshtje. Në çdo raport të paplotë. Në çdo përgjegjësi që nuk mbahet nga askush. Sepse burgu nuk është vetëm ndëshkim. Është provë e shtetit. Dhe kur një shtet dështon të mbrojë jetën, edhe pas hekurave, drejtësia mbetet e pa vendosur kurrë. Kjo dosje mbetet e hapur. Sepse muret nuk duhet të fshehin të vërtetën.

 

 

 

 

‘Gjërat Tona’/ Vrasja me eksploziv, e shkuara që nuk harrohet në Shkodër

11 January 2026 at 20:49

Në Shkodër, ka histori që thuhet se janë mbyllur, por në fakt duket se kurrë nuk janë harruar.

Madje edhe kur familjet thonë se i kanë lënë pas e kanë shtrirë dorën e pajtimit.

Më 29 dhjetor 2025, në një hyrje pallati në lagjen “Manush Alimani”, një shpërthim i fuqishëm i merr jetën një 67-vjeçari.

Viktima është Hysni Ymeri dhe sipas hetimeve, ai ishte objektivi i atentatit.

Një emër i lidhur me histori të vjetra gjakmarrjeje. Histori që familja pretendon se i kishte lënë pas.

Por e shkuara, ndonjëherë, kthehet për të marrë hak. Dhe këtë tashmë nuk e përjashton as grupi hetimor, pa çka se ende nuk ka ngritur një pistë konkrete.

Shpërthimi ndodh në hyrjen e pallatit ku Hysni Ymeri jetonte. Eksplozivi ishte vendosur me kujdes në kasetën e matësve elektrikë.

Nuk ishte rastësi. Nuk ishte gabim. Ishte një atentat i mirëmenduar.

Kabina metalike shpërthen në momentin që viktima afrohet. Copëza metali, beton dhe llamarina e godasin aq fort sa i marrin jetën pak minuta më vonë në spitalin e Shkodrës.

Në trupin e tij, mjekët gjejnë metale të copëtuara nga shpërthimi.

Në dysheme, gjak, në hyrje, shkatërrim total.

Familja thotë se konfliktet ishin mbyllur, se nuk kishte më kërcënime, se askush nuk kishte arsye ta vriste. Por sipas Policisë, atentati ishte i menduar dhe i organizuar për të.

Ndonëse ende pa një motiv të qartë, grupi hetimor po gërmon tashmë në dosje të vrasjeve të vjetra, ku të afërm të viktimës kanë qenë të dyshuar. Por më shumë se për të gjetur motivin real të atentatit, duket se kjo histori rikthen në vëmendje një dilemë edhe më të fortë. A mbyllen ndonjëherë vërtetë historitë e gjakmarrjes? Apo thjesht heshtin deri në shpërthim si ai i 29 dhjetorit?

 

ATENTATI ME EKSPLOZIV

 

Ora shënon rreth 10:00 e mëngjesit. Në Sallën Operative të Policisë Shkodër raportohet për një shpërthim të dyshuar si aksidental. Informacioni që përcollën qytetarët fliste për një shpërthim bombole gazi. Por shumë shpejt, versioni ndryshon.

Në hyrjen e pallatit nr. 10/22, në lagjen “Manush Alimani”, kabina metalike e matësve elektrikë është shkatërruar plotësisht. Dyshemeja e thyer në një gjerësi prej 3.5 metrash. Pllaka të copëtuara. Llamarina të deformuara. Një biçikletë e rrëzuar dhe gjurmë gjaku. Hysni Ymeri kishte pësuar plagë të shumta në kokë dhe trup. Gjatë autopsisë, në trupin e tij gjendet material metalik, i dyshuar si fragment shpërthimi.

Ky nuk ishte aksident. Ishte eksploziv.

Megjithatë, ditën kur Hysni Ymeri mbeti i vrarë, Policia duket se vuri në jetë një taktikë çorientuese, e cila në fakt rezultoi e suksesshme.

Rreth 20 minuta pasi ndodhi ngjarja, Policia e Shkodrës shpërndau një informacion paraprak, duke lënë të hapur të dy versionet, por më shumë u përqendruar të një shpërthim i matësve elektrik, pa përmendur në asnjë moment eksplozivin.

 

Policia e Shkodrës

Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matëseve të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësve elektrikë.

 

Por teksa minutat kalonin, viktima u identifikua dhe ekspertët antieksploziv mbërritën në vendngjarje. Përmes formave jo zyrtare, Policia vijoi të shpërndante informacione, që në fakt e largonin vëmendjen nga shkaku real i shpërthimit. E duket se jo pa qëllim. Në media shpejt nisën të dalin të dhëna që përjashtonin pothuajse plotësisht eksplozivin, madje edhe të dhëna për kamerat e sigurisë që nuk kishin arritur të fiksojnë asnjë person të dyshimte. Në fakt kishtë ndodhur e kundërta. Por e gjithë kjo “lojë” e Policisë po bëhej për një arsye. Që personi që kishte vendosur eksplozivin, i cili në fakt ishte identifikuar, të lëvizte dhe të fliste lirshëm. Pa pasur dyshimin se mund të ishte në vëzhgim apo në ndjekje. E kjo formë e çoi Policinë edhe tek 3 emra të tjerë.

Megjithatë duket se Policia nuk pati një koordinim me OSHEE, që nisur nga të dhënat që po dilnin në media, e hodhi poshtë versionin që kishte shpërndarë Policia. OSHEE deklaroi se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në hyrjen e pallatit ndodhej një panel me matës elektrik me tension deri në 400 volt, që teorikisht dhe teknikisht sipas OSHEE është e pamundur që të sjellin atë shpërthim aq të fuqishëm.

Për disa ditë me radhë, deri më datën 2 janar 2026, kur Policia njoftoi për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e 4 personave të dyshuar, ngjarja mbeti e mbuluar nga misteri. Pa një shkak zyrtar të shpërthimit dhe pa një motiv konkret, që në fakt vijon të jetë i paqartë edhe sot.

 

Policia e Shkodrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shadows”. Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit Hysni Ymeri, e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të Policisë Shkodër. Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit Hysni Ymeri, bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor, në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: Gerti Bushati, 27 vjeç, Ergys Ibrahimi, 27 vjeç, Edison Hasaj, 25 vjeç dhe Gjergj Zefi, 24 vjeç. Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive, e dyshuar me telekomandim në distancë, kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi Hysni Ymeri. Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.

Prokuroria e Shkodrës, më datë 29 dhjetor 2025, mbi bazën e materialeve kallëzuese të dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ka regjistruar procedim penal nr.1972, në lidhje me veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Në vijim të hetimeve, janë regjistruar emrat e shtetasve, Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergj Zefi, si persona që u atribuohen veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim, “Prishja e qetësisë publike”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Të gjithë u lanë në burg nga Gjykata e Shkodrës, gjatë masave të sigurisë që u zhvilluan veçmas për Gerti Bushatin, i cili pranoi faktin që kishte vendosur eksplozivin dhe për 3 të tjerët që thanë se do të flasin në një moment tjetër.

Por si ra Policia në gjurmët e tyre?

 

PROVAT QË ZBULUAN AUTORËT

Në vendngjarje angazhohet grupi i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me njësinë Antieksploziv të RENEA-s. Kryhen veprime proceduriale: këqyrja e vendit të ngjarjes; sekuestrimi i provave materiale; marrja e mostrave për ekspertim kimik dhe teknik.

Ekspertët konstatojnë drejtimin e shpërthimit nga poshtë–lart, çka përjashton çdo mundësi defekti teknik. Eksplozivi ishte vendosur me qëllim në një ambient publik, në hyrjen e pallatit ku banonte viktima.

 

Dosja e Prokurorisë

Në lidhje me këtë ngjarje është krijuar grupi i posaçëm hetimor së bashku me njësinë Antieksploziv të repartit RENEA, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, e cila ndodhet në rrugën “Mehmet Pashë Plaku” dhe pikërisht në hyrjen e dytë të pallatit nr.10/22, që kufizohet nga ana veriore me rrugën që vjen nga sheshi “Isa Boletini”, nga ana jugore me rrethrrotullimin e hotel “Argenti, nga ana lindore me rrugën “Mehmet Pashë Plaku” dhe nga ana perëndimore me sheshin e pallateve parafabrikat. Nga këqyrja konstatohet se hyrja e pallatit është e shtruar me pllaka, të cilat janë të dëmtuara me gjerësi 3.5 metra. Nga këqyrja e dyshemesë ndodhet një biçikletë e rrëzuar, llamarina të deformuara, mbetje elektrike dhe mbetje inerte. Në anën e majtë të hyrjes, në lartësinë 0.96 metra ka një parvaz me gjatësi 22 centimetër, ku në distancë 2.8 metra, në anën e majtë të faqes së murit, ndodhet pjesa e pasme e kutisë metalike, ku janë të vendosura matësit elektrik të kësaj hyrjeje. Nga këqyrja e kësaj pjese metalike konstatohet se në pjesën fundore të kësaj ndodhet një tjetër pllakë metalike në vendin ku janë të vendosur matësit. Këto profile së bashku me matësit janë të shkëputur, shkatërruar dhe deformuar, në dukje me drejtim poshtë-lart. Poshtë kësaj pllake metalike dhe mbi bordurën e ngjitur me murin, evidentohet një formë grope me përmasa 40 me 8 centimetra.

 

Nga këqyrja e dyshemesë së hyrjes, në distancë 1.9 metra nga brinja jugore dhe 22 centimetra nga fillimi i hyrjes, evidentohet një njollë e kuqe gjaku, 40 me 40 centimetra, ku u mor me tampon steril. Nga këqyrja konstatohet se në fillim të hyrjes, në distancën 2.8 metër nga faqja e murit, u gjet një bateri e markës “Kodak”, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Dosja e Prokurorisë

Në distancë 6 metër në juglindje të pallatit, u gjet një llamarinë e dëmtuar në bazamentin e kutisë së bokseve elektrikë, evidentohet një sipërfaqe me mbetje pluhuri të zi, nga ku u mor me fshirje me garzë pambuku steril, si dhe elementëve në të cilat kanë qenë të montuara bokset, u morën dy garza pambuku steril. Gjithashtu u morën si provë edhe mbetje të pluhurit të zi, nga kolona e tavanit të hyrjes së pallatit. U konstatuan dëmtime me thyerje tek shkallët, parmaku metalik dhe sheshpushimet e tyre. Në vazhdim, së bashku me ekspertët antieksploziv të RENEA-s u bë këqyrja në të gjithë sipërfaqen e hyrjes dhe mbetjet u morën për ekzaminime të mëtejshme.

Viktima, Hysni Ymeri kishte pësuar plagë të shumta në kokë dhe në trup. Gjatë autopsisë u gjet një material metalik, në dukje si llamarinë, në formë të çrregullt.

Është pyetur paraprakisht djali i viktimës, Albano Ymeri, i cili në lidhje me ngjarje deklaron se:

Albano Ymeri

Viktima është babai im, Hysni Ymeri. Unë dhe ai nuk kemi ndonjë konflikt për gjakmarrje. Di që babai ka qenë i tronditur pasi kemi nënën në spital dhe babi më është shprehur: “Nuk kam çfarë të bëj, nëna po na le!” Xhaxhai im, Shkëlqim Ymeri, para rreth 25 vitesh ka qenë i dyshuar për një vrasje, por ka dalë i pafajshëm dhe unë kam qenë i vogël, nuk e kujtoj se për kë bëhet fjalë. Por nuk kemi asnjë problem në lidhje me këtë. Xhaxhai im jeton në Itali. Edhe unë jetoj jashtë shtetit. Nuk kemi asnjë lidhje me këtë rast. Mbrëmë kam dërguar babin në shtëpi dhe sot në mëngjes i thashë të shkojë te spitali dhe nuk erdhi. Më tha të shkoja vetëm. Nuk më është shprehur për ndonjë shqetësim.

 

Paralelisht, hetimi ndjek gjurmët digjitale. Pamjet e kamerave të sigurisë rindërtojnë lëvizjet e një personi, orë përpara shpërthimit. Një djalë me xhup të zi dhe pantallona gri, hyn në hyrjen e pallatit duke ecur mbrapsht, hap kasetën e matësve elektrikë, qëndron 60 sekonda dhe largohet. Në një tjetër pamje, ai mban në dorë një qese të bardhë. Rruga e ndjekur dokumentohet kamera pas kamere. Personi identifikohet nga Policia si Gerti Bushati.

 

Dosja e Prokurorisë

Në vijim janë kryer një serë veprimesh hetimore. Është bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, duke filluar nga kamerat e sigurisë në një banesë private, e cila ndodhet në hyrje të vendit të ngjarjes. Sipas orës 04:25 të DVR-së, që është një orë para me orën reale, dallohet një person me xhakavento me ngjyrë të zezë dhe me pantallona ngjyrë gri, i cili hyn me shpinë në hyrje të pallatit, duke ecur prapa dhe hap kasetën e matësve elektrik. Ky person qëndron në hyrje deri në orën 04:26, sipas orës së DVR. Nga kamerat e sigurisë së një tjetër banese private, e cila ndodhet në rrugicën pas vendit të ngjarjes, ku diferenca e orës së DVR është 1 orë e 44 minuta më përpara se ora reale, në orën 05:08 dallohet një person, me të njëjtën veshje, i cili lëviz në drejtim të vendit të ngjarjes dhe në dorë mban një qese me ngjyrë të bardhë.

 

Në kamerat e sigurisë të marra në një pastiçeri, ku ora në DVR me orën reale është e njëjtë, shikohet i njëjti person, i cili lëviz me drejtim nga rruga “Baja e Vogël” dhe futet në rrugicën mbrapa pallatit të viktimës në orën 03:21. Po në kamerat e sigurisë së këtij biznesi, dallohet i njëjti person që vjen nga rruga “Baja e Vogël” në orën 03:21. Nga kamerat e sigurisë të marra nga një dyqan bojërash, i cili ndodhet në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, shikohet i njëjti person, që lëviz nga kjo rrugë në drejtim të rrugës “Baja e Vogël”, në orën 03:15. Ky person është identifikuar si shtetasi Gerti Bushati.

Kontrolli në banesën e Bushatit sjell prova konkrete. Veshje që përputhen me pamjet filmike, pajisje elektronike dhe elementë të tjerë me interes hetimor.

 

Dosja e Prokurorisë

Është ushtruar kontroll në banesën e Gerti Bushatit, ku janë marrë e sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një palë tuta të zeza “Nike”; Një pulovër ngjyrë bezhë në të kaftë “Cargo”; Një pulovër me kapuç ngjyrë gri “Adidas”; Një palë xhinse ngjyrë blu “Boss”; Një paketë cigare ngjyrë blu, brenda të cilës një cigare e dyshuar me bimë narkotike kanabis sativa; Një lap top “HP”, ngjyrë gri; Tre celularë pa karta sim brenda dhe një radio me bateri të ndryshkur. Shtetasi Gerti Bushati është konstatuar në zyrat e një kompanie telekomunikacioni ku është i punësuar dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

 

Pasi i janë njohur të drejtat ligjore ndaj tij është ushtruar edhe një kontroll fizik. Më pas i është marrë deklarim në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime dhe ka dhënë sqarime në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Ka dhënë të dhëna implikuese për përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe në lidhje me personat e tjerë të dyshuar.

Gerti Bushati

Dua të them se jam përdorues i lëndës narkotike kanabis sativa dhe konsumoj herë pas here. Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam pasur dijeni për vrasje, vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje.

Por juridikisht, pasojat janë të qarta. Eksplozivi u vendos. Shpërthimi ndodhi. Një njeri humbi jetën.

Në këto rrethana është bërë ndalimi me iniciativë i Gerti Bushatit. Pas marrjes së deklarimeve të tij, së bashku me ekspertin kriminalist grupi hetimor ka shkuar buzë lumit Kir, ku kanë fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një palë tuta ngjyrë gri me stemën “Nike”, të identifikuara nga Gerti Bushati. Këto tuta rezulton të kenë qenë të veshura nga ai në kohën që ka vendosur eksplozivin në kasetën e matësve elektrike dhe me të cilat është fiksuar nga kamerat e sigurisë.

Hetimi zgjerohet. Në procedim përfshihen edhe tre shtetas të tjerë: Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergj Zefi. Kryhen kontrolle banesash. Dhjetëra celularë të sekuestruar, para cash, automjet dhe pajisje elektronike. Sipas referimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, të katër personat kanë vepruar në bashkëpunim, duke siguruar lëndën plasëse, përfituar financiarisht dhe duke realizuar planin deri në vrasjen e Hysni Ymerit. Hetimet tregojnë se në ditën e atentatit, në lagjen “Manush Alimani” ndodheshin edhe dy të arrestuarit e tjerë, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Dyshimet më të forta janë se shpërthimi i telekomanduar është aktivizuar nga Ergys Ibrahimi, në momentin kur 67-vjeçari po ngjitej drejt banesës së tij.

 

 

Dosja e Prokurorisë

Është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Edison Hasaj, ku u morën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një Iphone dhe 2 targa automjeti. Është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ergys Ibrahimi, ku u morën dhe u sekuestruan 5 celularë, një sasi parash, etj. Është ushtruar kontroll edhe në aktivitetin e tij provat “Gysi Tatoo”, në një ambient të marrë me qira. Ku u sekuestruan edhe një tablet Apple ngjyrë gri, një celular “Samsung” bashkë me një kartë memorie dhe një Iphonë i thyer pa kartë. Është ushtruar kontroll edhe në banesën e shtetasit Gjergj Zefi, ku janë sekuestruar 9 celularë. Është bërë sekuestrimi i hard disk-ut të kamerave të sigurisë së një banesë ngjitur me shtëpinë e Gerti Bushatit. Gjithashtu edhe i një automjeti “Mercedes Benz”, në pronësi të Ergys Ibrahimit.

Iu komunikuan të drejtat ligjore dhe u bë kontrolli personal Gjergj Zefit, Edison Hasajt dhe Ergys Ibrahimit, ku shtetasit Gjergj Zefi, në xhepin e xhupit iu konstatuan 2820 euro dhe 1757 lekë të rinj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Të tre këtyre personave u është marrë deklarim në cilësinë e personave ndaj të cilëve po zhvillohen hetime dhe deklaruan se do shprehen në një moment të dytë. Është bërë këqyrja e aparatit celular të Gerti Bushatit, ku në rubrikën e fotografive shfaqen disa foto me interes për këqyrjen, kryesisht foto ku ky person shfaqet me lëndë narkotike dhe armë zjarri. Është bërë këqyrja e pjesshme e aparatit celular të Edison Hasajt, me të dhëna me interes për hetimet.

Sipas Prokurorisë, nga tërësia e akteve dhe e provave rezulton se shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergj Zefi, në bashkëpunim mes tyre kanë siguruar lëndën plasëse, kanë marrë përfitime monetare dhe kanë realizuar të gjithë planin deri në vrasjen me eksploziv të Hysni Ymerit.

 

MOTIVI DHE E SHKUARA

Hysni Ymeri nuk ishte një emër i panjohur për të shkuarën. Ndonëse vetë nuk rezulton me rekorde kriminale, ai ishte i lidhur me histori të vjetra gjakmarrjeje.

Familja e tij deklaron se këto konflikte ishin mbyllur. Se nuk kishte më kërcënime. Se jeta kishte vazhduar. Por hetimi tregon se atentati ishte i drejtuar. Një plan i menduar. Një shënjestër e përzgjedhur. Dhe në fund një vrasje e realizuar.

Në vitin 1995 në lagjen Kiras të Shkodrës është vrarë Shefqet Çekorja. Në atë kohë si autor i ngjarjes u dyshua vëllai i Hysni Ymerit, i cili kohë më pas mori pafajësi edhe nga Gjykata, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme. Por familjet kryejnë edhe vetë hetime paralele dhe duket se nuk mjaftohen me aq sa shkruhen nëpër dosje. Megjithatë, disa vite pas vrasjes së Shefqet Çekores dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.

Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës pas disa deklaratave që bëri disa ditë përpara asaj ngjarje.

Por 5 ditë pas kësaj deklarate që bëri për mediat, edhe vetë Ismet Çekorja u vra. Konkretisht më 2 shtator të vitit 2022. Ai shprehej se nuk kishte frikë nga askush. Por faktet treguan të kundërtën.

Vrasja e vitit 1995, pa çka se për familjet konsiderohet si një histori e mbyllur, është një nga ato dosje që ka hapur grupi hetimor menjëherë pas vrasjes së Hysni Ymerit. Megjithatë nuk është dosja e vetme. Po verifikohet lidhja e mundshme edhe me një tjetër krim të ndodhur në vitin 2017, për të cilin është i akuzuar nipi i Hysni Ymerit.

Dritan Ymeri u akuzua se më 1 korrik të vitit 2017, vrau fqinjin e tij, 44-vjeçarin Ilir Aliaj, një mjek i njohur në Shkodër. Familja e autorit dhe e viktimës jetonin në të njëjtin pallat, një godinë e vjetër dy katëshe, tarraca e të cilit shfrytëzohej nga të dy palët. Por kjo u kishte shkaktuar debate vazhdimisht. Megjithatë mbrëmja e 1 korrikut ishte tragjike. Ilir Aliaj, i shoqëruar nga djali i tij, në atë kohë 16 vjeç, ka qenë duke ndërtuar një mur ndarës me blloqe betoni mbi tarracë. Dritan Ymeri, 26-vjeçar, sapo e ka parë e ka qëlluar me plumb në kokë, në prezencë të djalit të mitur. Ilir Aliaj la pas dy djem, të madhin që në atë kohë ishte 16 vjeç dhe më të voglin 5-vjeçar. Ai që ishte dëshmitar i vrasjes së babait të tij, e pati edhe më të rëndë, duke e kaluar me trauma atë që ndodhi. Ashtu sikurse edhe nëna e bashkëshortja e tij, të cilat nuk arritën dot të bënin asgjë apo të ndërhynin për të evituar tragjedinë e ndodhur në familjen e tyre. Askush nuk ka qenë në dijeni se autori i dyshuar, që jetonte jashtë vendit, ishte kthyer nga Franca dhe kishte armë me vete.

Pak ditë pas vrasjes, u dyshua se autori i krimit, Dritan Ymeri mund të ishte larguar drejt Francës. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mesnatën e 1 korrikut në lagjen “Qemal Stafa” te vendi i quajtur “Ish-Dekori”, dyshohet që i riu Ymeri është larguar me një makinë tip “Golf 5” me targë AA 526 RA dhe me ngjyrë të zezë. Sipas hetuesve të çështjes, i akuzuari për vrasjen e mjekut 44-vjeçar mund të kishte ikur drejt Malit të Zi, përmes pikës kufitare të Muriqanit, jo duke kaluar kufirin, por ilegalisht përmes malit. 26-vjeçari kishte 3 muaj që ishte kthyer nga Franca dhe për këtë shkak Policia pati dyshime se ka arritur që të gjejë mundësinë që të shkojë sërish në këtë vend. Nga ana tjetër pati dyshime se persona të afërt apo dhe miq të tij e kishin ndihmuar që të largohet pa lënë gjurmë dhe t’u shpëtojë forcave të policisë.

Një nga personat që pati dyshime se mund ta kishte ndihmuar ishte edhe Hysni Ymeri, i cili u vra me eksploziv më 29 dhjetor. Kjo edhe për shkak se në momentin që Policia shkoi në shtëpinë e tij për kontroll pas vrasjes së mjekut 40-vjeçar, ai refuzoi të hapte derën. E duket se këtë dyshim e kanë pasur prej kohësh edhe familja e mjekut Ilir Aliaj.

Por arratia e Dritan Ymerit nuk zgjati shumë. Pas kontrollove të shumta të kryera nga forcat policore, pamundësisë për t’u larguar dhe falë masave të marra nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Drejtoritë Vendore të tjera të Policisë, si dhe pas negociatave të pandërprera me familjarët, më 13 korrik 2017 ai i vetëdorëzua në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ndërsa për të njëjtat akuza, Dritan Ymeri u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, me 18 vjet heqje lirie. Vendim që u shpall më 19 shkurt të vitit 2021.

Prokurori i çështjes, gjatë dhënies së pretencës në gjykatën e Apelit Shkodrës, kërkoi dënimin me 20 vite burgim të Dritan Ymerit. Ndërsa vetë i pandehuri Ymeri kërkoi rrëzimin e dënimit të shkallës së parë, duke pretenduar që çështja e tij të rigjykohet nga fillimi. Por në fund të procesit, Gjykata pasi dëgjoi të dyja palët, ka vendosur dënimin me 18 vite burgim për autorin e vrasjes.

 

Dosjet e dy vrasjeve të ndodhura në Shkodër, në vitin 1995 dhe 2017 po verifikohen aktualisht nga grupi hetimor, me qëllim gjetjen e ndonjë rrethane apo motivi që mund të ketë sjellë atentatin me eksploziv që i moti jetën Hysni Ymerit mëngjesin e 29 dhjetorit 2025. Megjithatë, nuk rezulton që të jenë pyetur, qoftë edhe si persona që mund të japin të dhëna në dobi të hetimit, asnjë nga familjarët e viktimave, qoftë të Shefqet Çekores, apo edhe të Ilir Aliajt. E në këto kushte, për aq kohë sa vetë të arrestuarit ende nuk kanë folur e aq më pak të kenë treguar se nga kush e kanë marrë porosinë, vrasja e 67-vjeçarit vijon të jetë e rrethuar nga misteri.

Asnjë nga 4 të arrestuarit nuk rezulton të kenë pasur njohje e aq më pak probleme personale me viktimën. Madje as me djalin e tij, që në fakt jeton jashtë vendit dhe ishte kthyer në Shkodër vetëm 4 ditë para ngjarjes, për shkak se e kishte nënën në gjendje të rëndë në spital.

 

Kjo nuk është historia e një gabimi në shënjestër. Provat tregojnë të kundërtën. Është historia e një vendimi kriminal. Një atentati të paracaktuar.

Një vrasje me eksploziv. Një jetë e humbur. Dosja ndodhet në Prokurori. Hetimet vazhdojnë.

Drejtësia pritet të flasë. Por ajo që del në skenë deri tani është një e vërtetë e madhe.

E shkuara në Shkodër duket se nuk harrohet kurrë. Madje mund të shpërthejë në çdo moment.

Herë me plumba e herë me eksploziv.

“Gjërat Tona”/ Një vit, 43 vrasje – Anatomia e krimit

4 January 2026 at 21:04

 Viti 2025 nuk do të mbahet mend vetëm për datat në kalendar. Do të mbahet mend për numrin 43. Kaq jetë u ndërprenë në Shqipëri brenda një viti.

Disa vrasje tronditën vendin. Të tjera u kthyen në kronikë. Disa u harruan pothuajse menjëherë. U vra një gjyqtar, brenda sallës së gjyqit, aty ku drejtësia duhet të jetë më e mbrojtur se kudo tjetër. U ekzekutuan persona të lidhur me krimin e organizuar, në atentate tipike mafioze. U vranë biznesmenë, qytetarë të zakonshëm, gra e të mitur.

Disa në rrugë, disa në shtëpi, disa për hakmarrje e disa për arsye që ende nuk i dimë.

43 vrasje nuk janë thjesht statistika. Janë 43 histori ku shteti mbërriti pas krimit. 43 ngjarje kriminale ku parandalimi nuk funksionoi.

Sonte, në “Gjerat Tona”, nuk do të numërojmë vrasjet. Do të përpiqemi t’i kuptojmë. Sepse pas çdo krimi të rëndë, fshihet një pyetje më e madhe: Çfarë na tregoi viti 2025 për sigurinë, drejtësinë dhe shoqërinë tonë?

VRASJET E NJË VITI

Viti 2025 filloi më plumba në Shkodër dhe u mbyll me nj dhe u mbyll me një vrasje me eksploziv po aty. Një qytet, që njësoj si Tirana, mban numrin rekord të vrasjeve. Gjatë gjithë vitin aty u vranë 9 persona dhe 3 prej këtyre ngjarjeve vijojnë të mbeten pa autor. Dy vrasje që ndodhën atje, konsiderohen si vepra të krimit të organizuar, pa çka që janë të mbuluara nga hije dyshimi dhe ende nuk ka të dhëna konkrete për autorësinë. Rrugët e Shkodrës nisën të përgjaken që më 5 janar të vitit 2025.

27 plumba të shkrepur tek e tek nga një pushkë 10-she, për banorët e fshatit Dragoç, të Postribës, ngjasuan me fishekzjarret. Ato ditë vazhdonin festimet dhe herë pas herë dëgjoheshin krisma të tilla. Askush nuk dyshoi në asnjë moment që në një rrugë aty afër shtëpive të tyre, rreth orës 21 të mbrëmjes dikush ishte vrarë.

Aq sa trupi i pajetë i 33-vjeçarit që ishte ekzekutuar në mbrëmjen e 5 janarit, u gjet të nesërmen, pas gati 10 orësh, nga një banor i zonës. Kur pa xhamat e thyer të makinës, dëshmitari u afrua për të parë çfarë kishte ndodhur. Aty kuptoi se gjendej përpara një vrasjeje dhe lajmëroi Policinë e Shkodrës.

Viktima u identifikua shpejt. Ishte 33-vjeçari Ramazan Mataj, banor i fshatit, por shtëpinë e kishte disa qindra metra larg vendit ku u ekzekutua.

Ekspertët që kryen veprimet e para në vendngjarje dhe hetuesit që nisën menjëherë verifikimet, ishin të qartë se viktima ishte nxjerrë në pritë. Por orë pas ore, u bindën që në fakt nuk ishte nga ato pritat e krimit të organizuar. Qoftë për shkak të vendit ku ndodhi vrasja, qoftë edhe nga emri i viktimës.

Ramazan Mataj nuk rezultonte person me të shkuar kriminale, apo që të kishte konflikte që mund të sillnin një atentat ndaj tij. Veprimet hetimore të Policisë së Shkodrës ishin të shpejta. Rrethi i të dyshuarve u ngushtua vetëm aty, brenda fshatit Dragoç, që në fakt nuk është i njohur për krime të kësaj natyre.

Por prova më e fortë që u zbërthye shpejt nga oficerët e Policisë u gjet në makinën e viktimës. Ishte celulari i tij, që në fakt nuk kishte kartë sim të vendosur, por merrte internet nga një tjetër celular që po ashtu u gjet në makinë.

Përmes këtij celulari, Policia arriti të bjerë në gjurmët e autorit të krimit. Ai ishte një banor i fshatit po ashtu dhe çfarë rezultoi më vonë, ishte se krimin ai e kreu për ndër. Arjon Hasaj, 29 vjeç, baba i 4 fëmijëve, fillimisht e mohoi ngjarjen, por përballë provave u bind dhe pranoi gjithçka. Tha se e vrau Ramazan Matajn, sepse ai kishte pasur lidhje me motrën e tij, duke u bërë shkak që ajo të divorcohej dy herë.

Edhe tentativat e tij për ta bindur që t’i qëndronte larg të motrës kishin dështuar dhe kjo ishte arsyeja pse ai kishte nisur të thurte planin për ta ekzekutuar. Plan që ka nisur ta vërë në jetë që prej datës 25 dhjetor 2024, kur ka provuar për herë të parë pushkën që i vëllai, Klisman Hasaj e fshihte prej disa vitesh.

Kryeqyteti ashtu si Shkodra, mbajnë rekordin e zi, me nga 9 vrasje të ndodhura, Durrësi me 6 dhe Vlora e Lezha me nga 4. Por vitin 2025 nuk kaloi pa krime të tilla edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Për motive nga më të ndryshmet. Krime që nuk kursyen as të miturit, madje as të moshuarit.

E tillë ishte ngjarja e 13 janarit në fshatin Shëngjin i Vogël, të Qafë Mollës, në Tiranë. Xhemal Meta, 81 vjeç, u vra me çekiç nga 64-vjeçari, Isuf Hasa. Pasi e goditi për vdekje, autori i dyshuar i mori edhe 200 mijë lekë. Ngjarja u zbardh brenda 48 orëve dhe Policia mundi të arrestojë autorin e të sekuestrojë paratë që i kishte vjedhur viktimës, por edhe armën e krimit që Hasa e kishte fshehur në shtëpinë e të bijës.

Pak ditë më pas, konkretisht më 24 janar, një tjetër vrasje, ende e pazbardhur, ndodhi në Tiranë. 48-vjeçari Lulzim Visha gjendet i vrarë me armë zjarri brenda makinës së tij në zonën e Kamzës. Policia gjeti një automjet, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët, e cila rezultonte e vjedhur në Elbasan.

Më 24 shkurt, një 67-vjeçar u vra me armë zjarri në zonën e Kurbinit. Viktima, Dodë Mali u gjet u pajetë në fshatin Vilës. Policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar, 53-vjeçarin Dashnor Tota, banor i zonës.

Tri ditë më vonë, në fshatin Guci e Re, në Shkodër, vritet me armë zjarri në oborrin e banesës, 20-vjeçari Pavlin Preka. Për muaj me radhë ngjarja mbeti pa autor, derisa më 21 dhjetor u arrit të identifikohen dhe të arrestohen dy persona të dyshuar. Të dyshuarit janë Vasel Koçekun 43 vjeç dhe Klaudio Lisajn 20 vjeç, të cilët u lanë në burg nga Gjykata e Shkodrës, edhe pse mohuan përfshirjen në krim. Megjithatë Prokuroria tha se ka përgjime ambientale që i implikojnë. Sipas hetimeve, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe. Historia, sipas hetimeve, ka nisur në vitin 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.

Një konflikt mes disa të rinjve, i nisur pasditen e 3 majit, për shkak të një aksidenti rrugor me dëme të vogla materiale, vijoi me përdorimin e armëve, duke shkaktuar vrasjen e një personi dhe plagosjen e 4 të tjerëve. Të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Konflikti verbal 5 minuta më vonë ka bërë që protagonistët të nxjerrin armët.  Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi, ishte në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin. Sapo janë takuar, me pretendimin që të sqaroheshin për aksidentin, Klevis Ndreca ka nisur të qëllojë me armë. Po me armë i është kundërpërgjigjur edhe Daniel Gjeloshi. Ky i fundit mbeti i plagosur, bashkë me dy personat që ndodheshin në makinë me të, Liridon Ismailajn dhe Gerald Bitrin, i cili ndërroi jetë më vonë në spital. Nga të shtënat me armë i plagosur aksidentalisht mbeti edhe Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante, Angjelina Gjezaj.

Një konflikt pronësie, i mori jetën 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu, në fshati Tpla të Hasit, më 7 maj. Autori i dyshuar i ngjarjes, 41-vjeçari Ylber Jaku, u arrestua dhe Policia sekuestroi edhe armën e krimit. Sallahu ishte qëlluar me armë zjarri teksa po lëvizte me automjetin e tij. Vrasja e kishte zanafillën tek një ngjarje ndodhur dy ditë më parë, mes dy familjeve Sallahu dhe Jaku. Më konkretisht, pas një konflikti për çështje pronësie, 21-vjeçarja Artjola Sallahu dhunoi me sende të forta çiftin e bashkëshortëve Agim Jaku, 65 vjeç dhe Vera Jaku, 60 vjeçe, të cilët mbetën të plagosur dhe përfunduan në spital. Artjola Sallahu u arrestua pas ngjarjes. Agim Jaku mori mjekim dhe u largua nga spitali ndërsa bashkëshortja e tij qëndroi edhe për pak kohë nën kujdesin e mjekëve. Artjola Sallahu është e motra e viktimës, Ryshyt Sallahu, ndërsa Agim dhe Vera Jaku janë prindërit e autorit të dyshuar të ngjarjes, Ylber Jaku.

Një 30-vjeçar qëllohet për vdekje me thikë në fshatin Kryekuq të Divjakës. Viktima Besmir Kumria, u godit nga i dyshuari Xhesion Toromeni, i cili u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrit të arrestohet shumë shpejt nga Policia. Nga hetimet paraprake u dyshua se Toromeni e kishte qëlluar 30-vjeçarin Kumria, pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.

Piro Prroni, 61 vjeç, u vra më 28 gusht pas sherrit për një parcelë me kanabis në fshatin Abat të Shalës, në Shkodër. Autori i dyshuar vrasjes, Ndoc Maçaj, i cili u vetëdorëzua në Polici, rezulton se ishte kryeplaku i fshatit Abat, njëherazi edhe kushëri i viktimës. Dëshmia e tij zbardhi edhe motivet e ngjarjes, që duket se ishin pasojë e një përplasje mes tij e viktimës për 80 rrënjë kanabisi që ishin kultivuar në tokën në pronësi të autorit të vrasjes, në zonën e njohur si “Pushime”. Maçaj ka pranuar autorësinë e krimit, por në dëshminë e tij, ka pretenduar se vrasjen e ka bërë për vetëmbrojtje. Ai ka rrëfyer se gjatë kontrolleve ka konstatuar kanabisin e kultivuar në tokën e tij dhe në këtë moment është përballur edhe me kushëririn, me të cilin ka nisur edhe debati që përfundoi deri në vrasje.

Më 24-shtator, në Lagjen nr.12 të Durrësit, u gjet i vrarë me thikë 51-vjeçari Valbon Beqiri. Policia arriti të zbardhë shumë shpejt ngjarjen dhe arrestoi autorin e dyshuar, 24-vjeçarin Teilor Tivari, por edhe mikun e tij 27-vjeçar, i cili e kishte ndihmuar me një automjet për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar ka pranuar krimin, duke dhënë edhe versionin e tij për ngjarjen. Tivari ka deklaruar se kishte miqësi me viktimën, e cili e ka thirrur në shtëpi për të pirë një birrë, por më pas, sipas tij, ka tentuar ta përdhunonte. Kjo ka qenë arsyeja që ka ndodhur një përleshje mes tyre, më pas i dyshuari thotë se ka marrë thikën e bukës dhe e ka goditur.

Një biznesmen italian, 44-vjeçar, u vra në Salari të Tepelenës, në orët e para të mëngjesit të datës 27 shtator. Ai u qëllua nga një distancë rreth 120 metra, nga i dyshuari Kamber Sulçe, nga Vlora, i cili u shpall në kërkim nga Policia dhe u vetëdorëzua disa ditë më vonë, në muajin tetor. Sipas dosjes hetimore, biznesmeni Eduardo Sarchi, mbeti viktimë si pasojë e një konflikti të nisur prej djalit të ortakut të tij dhe autorit për dritat e gjata të makinës. Në deklarimet e tij, i riu Gazmend Braçi thotë se pas zënkës me vrasësin, automjeti që kishin iu fik në rrugë, pasi nuk kishte karburant, çka detyroi atë të kërkonte ndihmën e të atit. Ky i fundit shkoi menjëherë për t’i ardhur për ndihmë së bashku me biznesmenin italian, me dy makina të ndryshme. Ky ishte momenti ku nisi gjithçka. Sipas dëshmisë së tij, autori qëlloi në distancë, në vendin ku i kishte lënë makina, me të cilën kishin dalë për gjah. Fyerjet dhe të shtënat në distancë kanë vazhduar për gati 20 minuta. Dëshmitë, të ndihmuara edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Hajdar Ismailgeci, 40 vjeç, u vra me thikë nga shoku i tij mbrëmjen e 2 tetorit, në zonën e Babrrusë, në Tiranë. Ai u gjet i pajetë në mes të rrugës, pranë shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”. Autori i dyshuar i krimit, pasi ka goditur me thikë Ismailgecin, dyshohet se ka shkuar në një lokal rreth 300 metër larg vendit të ngjarjes. Ai është parë nga banorët e zonës me njolla gjaku. Pasi ka qëndruar pak minuta në lokal, ai është larguar dhe ka humbur gjurmët. Megjithatë, një ditë pas ngjarjes, Policia e Tiranës arrestoi autorin e dyshuar, Arlind Demushi, 38 vjeç.

Në orën 15:35 të datës 6 tetor 2025, Astrit Kalaja goditi për herë të fundit çekiçin e gjyqtarit. Ende nuk kishte përfunduar leximin e vendimit, kur u qëllua me 3 plumba në gjoks. Plumba që e lanë të vdekur në vend, në prezencë të sekretares dhe të pranishmëve në sallën e vogël të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Drejtësia u godit në zemër, brenda tempullit të saj.

Autori, që ishte palë e tretë në proces, qëlloi edhe dy të pranishëm, që ishin pala paditëse dhe doli qetësisht nga salla numër 3. Dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor dhe qetësisht iu afrua policëve që ndodheshin jashtë, duke u thënë: Unë e vrava.  Ndërsa motivi duket se ishte akumuluar për 33 vite me radhë, nga familja e autorit që në fakt ende nuk kishte lindur kur nisën problemet e para të pronësisë.

Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, nga Shkodra, tha se nuk qëlloi mbi gjyqtarin, por mbi sistemin e drejtësisë. Një sistem që për 33 vjet nuk i dha dot zgjidhje një problemi pronësie, dosjet e të cilës kaluan në duart e 26 gjyqtarëve dhe asnjëherë nuk u dha një verdikt final.

Por fundi ishte tragjik. Një gjyqtar me një karrierë 32-vjeçare, i konfirmuar në detyrë në vitin 2019, duke kaluar me sukses procesin e vetingut, humbi jetën për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës. Pagoi me jetën e tij për atë që familja e autorit e konsideronte padrejtësi nga i gjithë sistemi.

Ndërsa autori, u izolua në qeli, me gjasë përjetësisht. E megjithatë dosja e pronës së tij sërish mbeti në duart e drejtësisë. Me vendimin e fundit që dha Astrit Kalaja, para se ekzekutohej në sallën e gjyqit, çështja do të rigjykohet edhe një herë në shkallën e parë.

Dy persona mbetën të vrarë në një lokal në Manëz të Durrësit më 22 tetor.  Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç u ulën në tavolinë dhe i kërkuan kafe kamerierit, Alteo Pepa. Ky i fundit ishte i ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund t’u shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur. Përgjigja e tij u bë shkak i një konflikti mes të rinjve, ku fillimisht filloi me fyerje. Në debat ndërhyri dhe Flori Paluçi, i cili i doli në mbrojtje kamarierit, duke thënë se nuk mund ta shanin pasi kamerieri ishte ulur në tavolinë me të. Po duket se kjo ndezi edhe më shumë konfliktin, duke shkuar deri te përdorimi i armës. I pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.

Më 28 tetor, një tjetër vrasje ndodh në Berat. Një 63-vjeçar qëlloi për vdekje me thikë një 42-vjeçar, pas sherrit për xhiron me kalë. Policia arrestoi autorin e dyshuar, Kristo Mema, i njohur edhe me emrin Kostandin Hoxha. Ai u gjet i fshehur tek “Shpella e Memecit”, pranë Kishës përballë Urës së Goricës. 63-vjeçari goditi me thikë vizitorin nga Tirana, Keli Hoxha, duke i shkaktuar vdekjen. Mes tyre pati një sherr për fotot dhe xhiron me kalë. 42-vjeçari nga Tirana ndodhej në Berat si vizitor, ndërsa Kristo Mema, autori i krimit, ofronte shërbimet e tij me kalë për turistët në lagjen “Kala”.  Autori ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar disa herë. Pas kësaj, autori është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që 42-vjeçari Keli Hoxha është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat. Ai nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën sapo ka mbërritur në spital.

Në të njëjtën ditë, po më 28 tetor, një tjetër vrasje ndodh në Tiranë. 41-vjeçari qëlloi me thikë kolegun e tij picier, pas sherrit për proshutën. Autori i dyshuar, Filip Shehu, prej tre muajsh punonte si ndihmës picier në një restorant, ku ishte vartës i Indrit Ismaillarit, i cili u vra me thikë gjatë një konflikti të çastit. Viktima kishte rreth pesë vite që punonte në të njëjtin vend dhe njihej nga stafi si kryekuzhinier. Sipas hetimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda më pak se një minute. Në dëshminë e tij, 43-vjeçari Shehu ka deklaruar se është ndier i fyer dhe i poshtëruar publikisht nga eprori i tij, i cili e kishte ofenduar me fjalë të rënda banale para kolegëve.

Ndërsa më 9 nëntor, një 18-vjeçar u arrestua pasi kishte plagosur rëndë një 52 vjeçar, në fshatin Arapaj të Durësit. Adoleshenti e ka goditur me grusht viktimën, i cili është rrëzuar dhe për pasojë është përplasur me kokë në bordur, duke ndërruar jetë të nesërmen në spital.

Edhe viti 2025 nuk kaloi pa krime të rëndë ku u përfshinë të miturit. Më 14 gusht, një 14-vjeçar vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij në Maliq, ndërsa më 26 nëntor një tjetër vrasje e tillë ndodhi në Durrës, ku viktimë mbeti një 15-vjeçar.

KRIMET NË FAMILJE

Më 16 janar, një krim në familje ndodh në Bulqizë. Autori vret me armë gjahu djalin e xhaxhait. Vasil Kamberi, 36 vjeç humbi jetën në afërsi të pyllit, në fshatin Tërnovë e Vogël, pasi u qëllua me armë gjahu nga i afërmi i tij, Flamur Kamberi. 36-vjeçari u nis me urgjencë me helikopter drejt Tiranës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Kushëriri i tij, Flamur Kamberi, i cili ishte edhe personi që lajmëroi Policinë, u shoqërua në Komisariat si autori i dyshuar i krimit. Ai dyshohet se ka qëlluar aksidentalisht drejt kushëririt të tij. Policia të nesërmen tha se përveç arrestimit të autorit të dyshuar, kishte proceduar edhe 3 persona të tjerë, që kishin dalë së bashku për gjueti.

Më 1 shkurt, një krim në familje ndodh, tek “Kodra e Priftit”, në rrugën “Ilia Shyti”, në Tiranë. 74-vjeçari Hekuran Gjoni, godet me thikë djalin e tij 37-vjeçar, Asim Gjoni, i cili për pasojë humbi jetën në spital. Në dëshminë e tij, i moshuari ka pohuar se me të birin kishte shpesh konflikte për shkak se sipas tij, e shante dhe e bullizonte.

Kur kishte kaluar ka më shumë se një muaj nga vrasja e parë e vitit 2025, Shkodra tronditet nga një krim në familje. Më 18 shkurt, 34-vjeçari Kolë Manaj vret me armë zjarri bashkëjetuesen, Anila Prendushi dhe më pas qëllon veten, duke ndërruar jetë në spital më 24 shkurt. Çifti bashkëjetonte prej rreth 5 vitesh dhe nuk kishin shfaqur probleme, përkundrazi të gjithë i njihnin për raportin e tyre të lumtur deri paraditen e 18 shkurtit. 44-vjeçarja, rreth 6 vite më parë ishte ndarë nga bashkëshorti, me të cilin kishte 3 fëmijë, 20, 19 dhe 9 vjeç dhe aktualisht jetonte me të dashurin 10 vite më të ri. Konfliktet e vazhdueshme mes çiftit javët e fundit dhe kërkesa e gruas për t’u ndarë nga partneri dyshohet se janë bërë shkak për tragjedinë e ndodhur një ditë më parë në Shkodër. Ndonëse hetimet po vijojnë, burime konfirmojnë se 44-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve i kishte kërkuar partnerit, Kolë Manaj që të shkëpusin marrëdhënien.

Më datë 27 shkurt 2025, në orën 12 e 36, në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është njoftuar se te rruga “Gjon Muzaka”, mbrapa Njësisë Administrative Nr.10, në banesën nr.14, telefonuesja, Ardita Agovi, ka dhënë banesën me qira me “R BNB”. Mbasi personat nuk janë përgjigjur është futur në banese dhe ka gjetur një person të shtrirë që nuk përgjigjej.

Kanë kaluar shërbimet e Policisë dhe të Urgjencës, ku nga shërbimet e Urgjencës është konfirmuar se personi është pa shenja jete, e seksit femër, rreth 30 vjeçe dhe me pas ka kaluar grupi hetimor.

Menjëherë pas kësaj telefonate është formuar grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë dhe u shkua në adresën e dhënë. Banesa në fjalë ndodhet në një vilë 3-katëshe, në katin e tretë të saj, e cila ndodhet mbrapa Njësisë Nr.10. Në dhomën e gjumit të këtij apartamenti, sipër krevatit është gjetur e shtrirë përmbys kufoma e seksit femër, në pozicion të dorës së djathtë e mbështetur mbi të dhe futur në pjesën e barkut. Në pjesën e krevatit ku ndodhej e shtrirë viktima, dalloheshin njolla të kuqe si ato të gjakut, si dhe në pjesë të ndryshme të trupit të saj, kryesisht gjoks, fytyrë, flokë, etj., kishte shenja me ngjyrë të kuqërremte.

Ka rezultuar se viktima kishte dy plagë të shkaktuara nga një thikë, një në kraharor dhe një poshtë shpatullës, në shpinë. Fillimisht identifikimi i saj ka qenë i vështirë, pasi apartamenti ishte pastruar nga autori i krimit, i cili përveç zhdukjes së provave, kishte marrë me vete edhe mjetet e identifikimit.

Por gjithçka ka nisur të zbardhet përmes dëshmive të personave që i kishin takuar dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë.

Policia ka sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike të subjekteve të ndryshme pranë banesës dhe përgjatë itineraret që dy shtetasit e huaj kanë përshkuar për t’u afruar te banesa.

Nga verifikimet rezulton se, më datë 19 shkurt 2025, në orën 15:13 në ambientet e terminalit të Aeroportit të Rinasit, në hyrje, shfaqet së bashku një burrë dhe një vajzë. Në dukje, këta janë dy turistë të huaj, mes shumë e shumë të tjerëve që zbresin çdo ditë në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Pamjet e kamerave të sigurisë në Rinas tregojnë një sjellje normale, duken të qeshur e shfaqen pa asnjë problem. Të paktën për ata që i shohin. Pasi ata vetë mund të kenë pasur jo vetëm probleme, por edhe konflikte. Me gjasë të nisura prej andej nga vinin.

Për disa ditë me radhë, të gjithë ata që patën kontakt me ta, mendonin se ishin çift. Në mos bashkëshortë, të paktën u dukeshin si dy të dashuruar.

Në fakt, rezultoi se ishin babë e bijë.

Po flasim për dy shtetas palestinezë. Fadi Alwan, 49 vjeç dhe Rayan Alwan, 24 vjeç. Për vajzën 24-vjeçare, Shqipëria ishte destinacioni i saj i fundit. Pas një fluturimi që zgjati 2 orë e 5 minuta nga Frankfurti në Tiranë më 19 shkurt, ajo qëndroi e gjallë vetëm dy ditë në Shqipëri. Pasi dyshohet se mbrëmjen e 21 shkurtit u vra. Ndërsa babai i saj u arratis vetëm disa orë pasi e goditi për vdekje dy herë me thikë. Një herë në gjoks e një herë në shpinë. Fadi Alwan u lokalizua në Liban ku edhe u arrestua pak kohë më vonë me qëllim ekstradimi.

Ndërsa më 2 maj, një tjetër krim në familje, me protagonistë turistët e huaj, ndodh sërish në Shkodër. Turisti amerikan vret me thikë bashkëshorten. Brandon Saporito dhe Sandra Holley ishin vendosur në një apartament me qira në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, pasi kishin ardhur për të vizituar Shkodrën. Por, mbrëmjen e 1 majit, amerikani kishte konsumuar shumë alkool dhe në mëngjes është konfliktuar me bashkëshorten, të cilën në sherr e sipër e ka qëlluar për vdekje me thikë. Më pas ka tentuar të vetëvritet duke prerë damarët. Ai është dërguar fillimisht në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe menjëherë më pas është prangosur.

Mbrëmjen e 10 qershorit një person u gjet i pajetë afër pronës së tij në fshatin Xibër të Klosit. Nga këqyrja në vendin e ngjarjes, rezultoi se viktima kishte dëmtime dhe shenja dhune në trup. Viktima ishte 65-vjeçari Selim Velsula, i cili kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë. Pas hetimeve intensive, Policia arriti të identifikojë autorin e dyshuar, Hazbi Velsula, kushëri i viktimës. Të nesërmen pas krimit, Velsula i telefonoi vetë Policisë duke pranuar autorësinë dhe arrestimi i tij u realizua në Allias të Tiranës.

Një tjetër krim i rëndë në familje ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut në Fier. Vajza mbyti me tel babanë e saj në fshatin Frashër. Ermalinda Rama, 26 vjeç, u arrestua nga Policia si e dyshuar për vrasjen e të atit, Anesti Rama, 56 vjeç. Shkak i ngjarjes dyshohet se kanë qenë debatet për motive të dobëta prej disa kohësh mes vajzës dhe babait, pasi, siç deklaroi vetë e dyshuara më vonë, ai nuk e lejonte të vishej siç donte ajo dhe nuk i jepte para.

Një zjarr i dyshimtë që shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 28 korrik, në një banesë në Pogradec, çoi në zbulimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, që rezultoi të ishte vrasje. Gjatë ekzaminimit të viktimës në morg, mjeku ligjor konstatoi se trupi nuk ishte plotësisht i djegur. Ajo që e bëri rastin edhe më tronditës ishte fakti se viktima, Kozeta Teço, 52 vjeçe, kishte shenja dhune në trup dhe, më shqetësuesja, një prerje të thellë në zonën e fytit një tregues i qartë se zjarri mund të jetë përdorur për të fshehur një krim. Policia u rikthye në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova të tjera. Ndërkohë sekuestroi kamerat e sigurisë së  bizneseve në zonë, të cilat e çuan në gjurmët e autorit të dyshuar, Ilirjan Selmanaj, 31 vjeç. Ai kishte pasur një lidhje intime me 52-vjeçaren Teço.

Më 28 tetor, në Shkallnur të Durrësit, 69-vjeçari Pjetër Kedheli u vra nga djali i tij, Marjan Kedheli, 25 vjeç, në kuzhinën e banesës së tyre. Autori i ngjarjes u arrestua nga Policia dhe pranoi autorësinë, duke pohuar se ngjarja ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar që të angazhohet për pritjen e njerëzve dhe me pagesat për shkak se një javë më parë i kishte vdekur gjyshja.

Në një fshat të vogël të Vlorës, afro 65 kilometër larg, qetësia e mbrëmjes së 1 nëntorit u thye nga plumbat. Një tjetër krim, një tjetër emër i njohur i botës së errët. Një 33-vjeçar që i shmangej drejtësisë, nuk iu shmang dot hijes së vet. Bertil Alliaj, në kërkim prej gati një dekade, kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm dhe vret kushëririn e tij, Dalan Alliajn, 38 vjeç. Një njeri që jetonte thjeshtë, punonte, e s’kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.

Gjashtë të shtëna pistolete në oborrin e shtëpisë i dhanë fund gjithçkaje. E ndërsa Policia vraponte për të ndaluar autorin, historia dukej se përsëritej. Kësaj here, ajo që nuk ndodhi për 10 vjet, u realizua për 5 orë. Autori u arrestua.

Një dekadë më parë, emri i tij ishte në çdo ekran. Një masakër e egër, një dënim prej 35 vitesh burg. Por ndryshe nga 3 viktimat e asaj që mori emrin “Masakra e Çoles”, Bertil Alliaj mbeti i gjallë… dhe i lirë.

KRIMI I ORGANIZUAR

Ndonëse kanë ndodhur shumë krime në familje, vrasje për motive të dobëta apo për sherre banale, krismat e armëve të krimit të organizuar janë ato që dëgjohen më shumë kudo. E të tilla pati edhe gjatë vitit 2025.

Ndonëse një krim që të paktën deri në fund të vitit, i faturohej si motiv ai i pronësisë, vrasja e biznesmenit 57-vjeçar, Bujar Nasufi, më 12 janar, në Tiranë, konsiderohet si vepër e krimit të organizuar. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri pranë banesës së tij, në zonën e Selitës. Në brendësi të një tuneli, që dikur përdorej nga ushtria, në zonën e “Kodrat e Sharrës”, Policia gjeti të shkrumbuar motorin që dyshohet se ishte përdorur nga autori i kamufluar si shpërndarës picash. Përveç motorit të djegur është gjetur dhe arma e krimit një automatik i shkurtër MP5.

Rreth orës 20:00, të mbrëmjes së 17 prillit 2025, ekzekutohet në verandën e lokalit të tij, në Pllanë të Lezhës, Gjovalin Prendi. 64-vjeçari, që ishte paralajmëruar edhe dy herë gjatë vitit 2020, në një sulm me eksploziv e një tjetër me plumba, në të njëjtin lokal, është babai i Sidorel Prendit, i njohur me emrin Roan Brahimi.

Më herët, në vitin 2014, Gjovalin Prendit i kishin vrarë edhe nipin e plagosur një tjetër, në një atentat pranë urës së Milotit, që Policia deklaronte në atë kohë se kishte si objektiv djalin e dajës së tyre. Edhe kjo ngjarje nuk është përjashtuar si pistë hetimore, pa çka se hetimet janë fokusuar tek hakmarrja e lidhur me djalin e viktimës, po ashtu i vrarë në Greqi.

Gjovalin Prendi dyshohet të jetë qëlluar nga ana e majtë e lokalit. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur dy autorët kanë ardhur nga aksi rrugor i vjetër duke dalë në pjesën anësore të biznesit familjar ku kanë qëlluar Prendin. Më pas në një moment është fiksuar nga kamerat automjeti i autorëve, që është larguar pas atentatit drejt urës së Milotit.

Pak kohë pas ngjarjes automjeti është gjetur tërësisht i djegur në Fushë-Gjormë të Kurbinit. Burimet thanë se në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.

Edhe vrasësi më profesionist e ka një pikë të dobët. Ndodh që edhe ai gabon. Megjithatë gabimet e tij, jo gjithmonë shfrytëzohen nga autoritetet, që në shumë raste ndodh t’i japin kohë për t’u zhdukur. Aq kohë sa të kalojë kufirin qoftë edhe në këmbë. E më pas gjithçka mbyllet me një shpallje në kërkim. Kjo ka ndodhur edhe në Vlorë, më 27 prill të vitit 2025. Një vrasës i huaj, me kombësi rumune, tashmë i identifikuar, ka qëndruar dhe ka lëvizur lirshëm në Vlorë për 6 ditë.

Ka arritur të realizojë krimin për të cilin ishte paguar, qarkullon me makinë në disa rrugë të qytetit, përshkon rrugë nacionale pa u penguar nga askush dhe në fund, gati 5 orë pas vrasjes, del nga territori shqiptar dhe humb çdo gjurmë. Ky person, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është Daniel Cornea, 53 vjeç, shtetas rumun, me njërin nga prindërit grek dhe që jeton në Athinë.  Ai akuzohet nga Prokuroria e Vlorës si personi që ka kryer ekzekutimin e 58-vjeçarin Renato Hoxha, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 27 prillit 2025, në lagjen “Hajro Çakërri”.

Krimi dukej si një ngjarje që ekspozoi edhe një herë përplasjen mes grupeve të Vlorës, megjithëse viktima ishte një person pa të shkuar kriminale dhe me një profil të ulët. I ndaluar si person i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, është 37-vjeçari Evis Mehmetaj, i cili mesditën e datës 1 maj 2025 u la në burg nga Gjykata e Vlorës, për përkrahje të autorit të krimit dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës.

Një 29-vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Durrës në orët e vona të 19 majit 2025. Viktima, Ermir Dedja, nga Shijaku, i veshur me një kostum sportiv, po lëvizte në këmbë duke iu afruar një lokali, kur ndaj tij u qëllua disa herë pas shpine. Policia mundi të sekuestrojë pamjet e disa prej kamerave të sigurisë në zonë, disa prej të cilave kanë fiksuar momentin kur makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat. Në pamjet filmike, që janë edhe me audio, dëgjohen krismat e kallashnikovit por edhe të bërtiturat e njerëzve, disa prej të cilëve nxitojnë të kthehen mbrapsht për t’u shpëtuar plumbave.  Grupi hetimor fillimisht nisi të gërmojë rreth të shkuarës së Ermir Dedjas, që kishte pasur disa precedentë penal, kryesisht për çështje droge dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në vitin 2015, ai ishte arrestuar pasi i kishte lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovës, përmes pikës kufitare të Morinës. Ndërsa dy vite më vonë ra sërish në pranga, i dyshuar për përkrahjen të autorit të krimit. Konkretisht, u akuzua se kishte ndihmuar autorin e një plagosje të ndodhur në Shijak, shtetasin Ismail Nuredin. Nga ana tjetër, grupi hetimor kishte të dhëna se ai kishte vepruar edhe si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, pasi kishte miqësi me njërin prej tyre, Aldo Avdylajn. Ermir Dedja, kohët e fundit kishte jetuar në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Që nga data 19 gusht 2025, në këtë shtëpi, në fshatin Zenisht të Burrelit, nuk banon më njeri.  Pasi bëri të 40-tat e djalit të vetëm, Rufat Dobra mbylli dyert dhe u zhvendos tek vajzat në Tiranë. Ndonëse vrasja e të birit 23-vjeçar u zbardh shumë shpejt nga Policia e Dibrës dhe tashmë 4 autorë të dyshuar ndodhen pas hekurave, duket se ngjarja sërish është e rrethuar nga misteri. Ende nuk dihet me saktësi motivi i krimit dhe as urdhëruesi.

Dhe kjo është pikëpyetja me e madhe e familjes së Renis Dobrës, por edhe e Policisë, që ka ngritur 3 pista kryesore, pa vendosur dot me prova se cila prej tyre qëndron. U vra për shkak të konflikteve të drogës, me porosi nga burgu, apo për shkak të ndonjë problemi brenda rrethit të tij familjar. Deri në këtë fazë të tri variantet janë të mundshme, por pa ndonjë provë konkrete, që mund të veçojë ndonjërën nga pistat si më kryesore.

Rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës më 8 korrik 2025, tashmë pritet të hetohet nga SPAK.  Gjykata e Dibrës shpalli moskopetencën duke e kaluar dosjen tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më 20 shtator 2025, kjo gjykatë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të dy të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e të riut. Më herët, për të njëjtën ngjarje, ishin arrestuar edhe Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri.

Një atentat mafioz tronditi Shkodrën mbrëmjen e 4 shtatorit. Kristian Kola, 34 vjeç, u ekzekutua pranë ish-“Kinema Republika” teksa po pinte kafe në katin e parë të një hoteli. Dy persona të maskuar, që lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht plumbave u shpëtoi miku i tij që ndodhej në tavolinë me të. Motivi i vrasjes mbetet i panjohur edhe pse grupi hetimor kreu veprime intensive për zbardhjen e ngjarjes. I riu punonte në ndërtim, në një subjekt që e drejtonte i ati dhe nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë. Atentatorët u larguan menjëherë nga vendngjarja, por ndryshe nga si ndodh në ngjarje të tilla, mjeti i krimit nuk u gjet as i djegur dhe as i braktisur në ndonjë vend. Ngjarja edhe sot vijon të jetë e rrethuar nga misteri.

Breshëria e automatikut përgjaku edhe një herë Shkodrën mëngjesin e 8 shtatorit 2025, në ditën e parë të shkollës. Në një lokal shumë pranë Bashkisë dhe shkollës “Kolë Idromeno”, ishin të ulur në një tavolinë Erogen Vaso, Armando Pali dhe Liridon Kraja. Në orën 08:50, një person me veshje të gjata dhe një xhup, jo e zakonshme për temperaturat e larta, afrohet me motor në hyrjen e përparme të lokalit. Ai zbret dhe le motorin ndezur. Pa hequr nga koka skafandrën, nxjerr dy armë nga çanta e shpinës dhe futet brenda duke qëlluar menjëherë drejt tavolinës ku ishin ulur tre personat. Plumbat goditën të tre ata që ishin në tavolinë, ndonëse objektiv ishte Erogen Vaso, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviq. Madje nuk kursyen as kamarieren 25-vjeçare, Meri Kaçeri, që po shërbente në lokal. Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër dhe ish- punonjës i IMT-së, mbeti i vdekur në vend. Ndërsa dy miqtë e tij dhe kamarierja u plagosën duke u transportuar me urgjencë në Spitalin e Shkodrës. Liridon Kraja, mik i Erogen Vasos, që njëkohësisht ishte edhe shoqërues i tij, nuk arrin t’i mbijetojë plagëve dhe ndërron jetë në spital.

Bilanci i ngjarjes, dy të vrarë e dy të plagosur.

Autori, Ragip Gila, largohet në këmbe, duke përshkuar mes për mes lokalin dhe del nga dera e pasme e tij.

Gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, ai rrëzohet nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në ato momente, efektivët i kanë bërë thirrje që të hidhte armën dhe të dorëzohej. I rrethuar dhe në pamundësi për të vrapuar, në fund ai bindet dhe vihet në pranga.

Përballë prokurorit, teksa dëshmonte për ngjarjen, autori i dyshuar Ragip Gila ka pranuar gjithçka, duke marrë vetë përgjegjësinë për vrasjen e dy personave e plagosjen e dy të tjerëve. Megjithatë ka deklaruar se objektivi i tij ishte Erogen Vaso, i cili në fakt mbeti i plagosur, duke pretenduar se kishte një çështje personale me të.

Ndonëse ka pranuar autorësinë, grupi hetimor e ka marrë me rezerva dëshminë e Ragip Gilës dhe po heton mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë që mund ta kenë porositur për vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso.

Natën e 5 tetorit, qetësia e Sarandës u thye nga një shpërthim i fuqishëm. Zhurma e motorëve dhe zëri i detit u përzien me britmat e banorëve. Në një nga rrugët e qytetit, një makinë u përfshi nga flakët dhe brenda saj, një burrë mbeti i bllokuar. 58-vjeçari Isuf Jaçaj nuk arriti të mbijetojë. Një shpërthim me eksploziv i mori jetën në çast. Ekspertët e Policisë së Shtetit konfirmuan se bëhej fjalë për një sasi të kosniderueshme tritoli të vendosur poshtë makinës. Një atentat i planifikuar me kujdes, që synonte eliminimin e menjëhershëm të tij. Shpërthimi ishte i pastër, i ftohtë… dhe profesional. Por kjo nuk ishte hera e parë që mbiemri Jaçaj përmendej në dosjet e Policisë. Pak muaj më parë, në një tjetër atentat, të birit të tij i ishte vendosur eksploziv në makinën personale, në një ngjarje që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima. Në atë kohë, ai ndodhej në burg, i arrestuar për një plagosje me armë zjarri në Sarandë.

Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër. Nga plumbat e kallashnikovëve.

Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar në rrethrrotullim, në hyrje të rrugës që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”, kishte ndaluar duke pritur një tjetër makinë që do të dilte nga parkingu i Rinasit.  Në 75 sekonda ndodh gjithçka. Të paktën 82 plumba të shkrepur drejt një “Mercedes”-i të bardhë lanë të vdekur në vend një 47-vjeçar pasagjer në këtë mjet dhe drejtuesi 42 vjeç u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pas 4 ditësh në spital.  Hetimet flasin për profesionalizëm të lartë e një koordinim në kufijtë e perfeksionit.

Rëndësinë një krimi të tillë, nuk ia jep vetëm vendi ku ndodhi ngjarja, por edhe personazhi që u ekzekutua. E po ashtu edhe grupi që mori pjesë për realizimin e atentatit. Katër autorë, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.

Viktima ishte Gilmando Dani. Një emër i njohur ndër vite në konfliktet më të ashpra të Tiranës. Por më tepër, i njohur si njeriu më i besuar i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka një historik të gjatë arrestimesh, akuzash e ngjarjesh ku është dyshuar e hetuar se mund të jetë përfshirë bashkë me 47-vjeçarin që mbeti i vrarë.

Personi që u plagos rëndë në këtë atentat e më pas ndërroi jetë, ishte pjesë e strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i emëruar aty në shtator të vitit 2025, në rrethana të dyshimta. Megjithatë në atë ngjarje nuk ishte si agjent i AMP-së. Ishte si bashkëshoqërues i Gilmando Danit në udhëtimin e tij 5 ditor në Barcelonë, ku udhëtuan, qëndruan e u kthyen bashkë. Ndërsa ditën e ngjarjes ishte drejtues i makinës që u sharrua nga plumbat.

Të tjera pikëpyetje për sigurinë ngre edhe largimi i atentatorëve. Makina e tyre përshkoi 14 kilometra nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Halil të Fushë – Krujës, ku u gjet në flakë bashkë me armët e krimit brenda. Një skemë tipikë e atentateve të ngjashme, e kryer edhe në dhjetëra vrasje të tjera, madje pothuajse edhe në të njëjtin vend.

Mbrëmjen e 30 nëntorit 2025, plumbat i rikthyen edhe një herë frikën qytetarëve të Elbasanit. Edmond Hyka, 43 vjeç, u ekzekutua me 3 plumba sapo hipi në makinën e tij “Range Rover”. Në momentin që ai doli nga ambientet e biznesit të tij, një pikë karburanti në rrugën “Emin Matraxhiu”, në dalje të qytetit të Elbasanit, një person i maskuar iu afrua te xhami i makinës dhe e qëlloi me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Në një prej videove që ka fiksuar momentin e vrasjes, që është analizuar nga grupi hetimor, duket qartë momenti kur autori i maskuar del nga makina tip “Audi” dhe shkon qetësisht drejt automjetit ku ndodhej Mondi Mëhalla. Në momentin që autori i afrohet makinës nga krahu i shoferit, qëllon me pistoletë drejt 43-vjeçarit dhe ai mbetet i vdekur në vend.

VRASJE PËR HAKMARRJE

Disa hasmëri të vjetra u duk se ishin mbyllur në Rrëshen. Të paktën deri shtatorin e vitit 2023, kur para derës së Komisariatit të Policisë u ekzekutua Martin Bardhi.  Por pas vrasjes së tij, një hasmëri e re u hap. Pas ekzekutimit të Martin Bardhit, askush nuk është në qeli. Autorët sot lëvizin lirshëm. Ndonëse pista e vrasjes ishte ajo e hakmarrjes dhe për të pati edhe të dyshuar. Aq sa me gjasë, për të njëjtin motiv, mbrëmjen e 13 janarit 2025, dyshohet se u ekzekutua edhe nipi i tij, 30-vjeçari Kristian Bardhi. Të dy viktimat, xhaxha e nip, kishin qenë të dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë, marsin e vitit 2023. Kohë kur Saimir Reçi, u shpëtoi plumbave pas një përplasje në Rrëshen. Në mungesë të provave që i lidhnin me këtë krim, akuzat për ta ranë dhe dosja u mbyll pa autor. Por mesa duket hesapet ende nuk ishin mbyllur. Ajo ngjarje, në harkun kohor të 18 muajve, shkaktoi dy viktima.

Një 57-vjeçar u gjet i vrarë në orët e para të mëngjesit të datës 1 qershor, në oborrin e banesës së tij në fshatin Tale të Lezhës. Viktima, Pjetër Kaza, është zbuluar pa shenja jete rreth orës 05:00 nga bashkëshortja. Ai punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, është kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate. Dyshohet se në këtë moment ndaj tij është qëlluar me armë zjarri me silenciator, në kohën kur ai ishte ende në automjet përpara banesës. 57-vjeçari ka marrë plumba në kokë dhe kraharor, çka i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme. Viktima nuk kishte precedentë të mëparshëm penal. Sipas grupit hetimor, vrasja e 57-vjeçarit, dyshohet të lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit. Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Hetimet e Prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Frrok Lleshaj, 65 vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e 4 gushtit, teksa ecte në rrugë, në fshatin Paçram të Vaun të Dejës. Dikur ai kishte qenë efektiv i Policisë së shtetit, por para 20 vitesh ishte akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij, Dodë Lleshaj, ngjarje për të cilën kishte vuajtur edhe një dënim prej 18 vitesh burg. Lleshaj kishte vetëm dy vite që kishte fituar lirinë. Policia i përqendroi hetimet tek pista e hakmarrjes.

Viti 2025 nisi dhe u mbyll me vrasje në Shkodër. Më 29 dhjetor, 67-vjeçari Hysni Ymeni, humbi jetën nga një shpërthim eksplozivi, sapo vuri këmbën në hyrjen e pallatit të tij, në lagjen “Manush Alimani”. Më 2 janar 2026, Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “SHADOWS”, gjatë të cilit u arrestuan 4 persona, Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Sipas Policisë, këta persona kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur lëndë eksplozive e dyshuar me telekomandim në distancë, kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte Hysni Ymeri. Grupi hetimor ende nuk e thotë zyrtarisht motivin e ngjarjes, por e shkuara e viktimës flet për një histori gjakmarrjeje, pavarësisht se duket se familjet ishin pajtuar.

43 vrasje në një vit. Një numër që nuk duhet të kalojë pa reflektim. Sepse këto nuk janë vetëm histori kriminale. Janë histori dështimesh të vogla dhe të mëdha.

Të familjes, të shoqërisë, të institucioneve.

Disa nga këto vrasje ishin të planifikuara. Të tjera shpërthime dhune. Por të gjitha kishin diçka të përbashkët: Askush nuk arriti t’i ndalonte në kohë.

Policia por dhe vetë drejtësia nuk gjykohen vetëm nga sa shpejt zbardhin krimet, por se sa jetë arrin të mbrojë përpara se krimet të ndodhin.

Viti 2025 na la 43 arsye për të mos heshtur. Sepse kur dhuna normalizohet, rreziku më i madh është të mësohemi me të. Dhe kjo është humbja më e madhe.

Gjërat tona/ “Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish

By: Re Nato
28 December 2025 at 20:47

Në një fshat të vogël të Vlorës, afro 65 kilometër larg, qetësia e mbrëmjes së 1 nëntorit u thye nga plumbat.

Një tjetër krim, një tjetër emër i njohur i botës së errët.

Një 33-vjeçar që i shmangej drejtësisë, nuk iu shmang dot hijes së vet.

Bertil Alliaj, në kërkim prej gati një dekade, kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm dhe vret kushëririn e tij, Dalan Alliajn, 38 vjeç. Një njeri që jetonte thjeshtë, punonte, e s’kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.

Gjashtë të shtëna pistolete në oborrin e shtëpisë i dhanë fund gjithçkaje.

E ndërsa Policia vraponte për të ndaluar autorin, historia dukej se përsëritej.

Kësaj here, ajo që nuk ndodhi për 10 vjet, u realizua për 5 orë. Autori u arrestua.

Një dekadë më parë, emri i tij ishte në çdo ekran.

Një masakër e egër, një dënim prej 35 vitesh burg.

Por ndryshe nga 3 viktimat e asaj që mori emrin “Masakra e Çoles”, Bertil Alliaj mbeti i gjallë… dhe i lirë.

“Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish.

Historia e një krimi të pranuar, por pa një motiv. Një vrasje që rikthen në kujtesë një histori më të madhe, dështimin për ta ndaluar një vrasës që i kishte duart me gjak që më parë.

VRASJA DHE ARRESTIMI

Në këtë fshat, gjaku i afërt është bekim dhe mallkim. Këtu, çdo konflikt mbetet i shkruar në kujtesë. Por askush nuk e mendonte që do të përfundonte sërish me armë.

Për 10 vite, banorët e fshatit Gjorm nuk e kishin parë Bertil Alliajn. Para disa vitesh ai kishte arritur të pajisej me pasaportë kosovare dhe mendohej se kishte lëvizur jashtë vendit. Në fshat rezulton të jetë kthyer dy ditë para ngjarjes. Në familje thonë se shkak për kthimin e tij ishte bërë një problem shëndetësor i të atit, por kjo nuk dihet me siguri. Të paktën për aq kohë sa ai, menjëherë pas kthimit, ka komunikuar në telefon me djalin e xhaxhait, Dalan Alliajn, i cili jetonte në Fier. E ka ftuar që të shkojë tek shtëpia e tij në Gjorm. Në momentin që ai ka shkuar aty, mbrëmjen e 1 nëntorit 2025, nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi por e ka qëlluar direkt.

Duket se gjithçka mund të ketë qenë e planifikuar dhe autori ka qenë duke e pritur. Rreth orës 20:00, familjarët e tij pasi kanë dëgjuar të shtënat në derën e shtëpisë kanë dalë për të parë dhe Bertil Alliaj u ka thënë se e ka vrarë ai.

Të pyetur në lidhje me ngjarjen, ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë debat. I ati i autorit ka thënë se djali i tij pas kthimit ka qenë i heshtur dhe ka qëndruar i mbyllur pa folur me njeri. Ka rrëfyer për Policinë se nuk e di nëse ka pasur konflikt mes tij dhe 36-vjeçarit.

Policia e Vlorës

Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë. Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 33 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.

Teksa Dalan Alliaj transportohej me autoambulancë drejt spitalit të Vlorës, ndonëse mësohet se aty ka shkuar pa shenja jete, paralelisht Policia kishte nisur një aksion për kapjen e autorit.

Të dhënat flisnin se ai ishte larguar menjëherë pas krimit, për t’u fshehur në zonat malore pranë fshatit Gjorm. Aty u përqendruar edhe kërkimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga një dron që gjurmoi nga ajri lëvizjet e tij.

Pas 5 orësh ai u arrit të neutralizohet dhe të arrestohet. Në momentin e prangosjes, iu gjet edhe pistoleta “Beretta”, me të cilën dyshohet se kishte realizuar vrasjen e djalit të xhaxhait.

Policia e Vlorës

Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes. Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme (1 nëntor), rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Dalan Alliaj. Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri. Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Pra, ajo që nuk u arrit të realizohej për 10 vjet, u realizua brenda 5 orësh. Por me një çmim shumë të lartë. Jetën e një tjetër njeriu.

Autori i ngjarjes pranoi gjithçka, por pa dhënë asnjë motiv: Kam një arsye shumë të fortë, por nuk mund ta them. Jam penduar për atë që bëra, por arsyeja që kisha unë më shtyu drejt vrasjes.

Të njëjtën frazë përsëriti edhe paraditen e 5 nëntorit 2025 në Gjykatën e Vlorës, ku u paraqit për masën e sigurisë. I akuzuar për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, Bertil Alliaj u la në burg nga gjyqtari Etien Isak.

Por ndërkohë, përveç kësaj mase, ai u izolua në burg edhe në zbatim të vendimit të mëparshëm të dhënë në mungesë ndaj tij, atij me 35 vjet heqje lirie, për ngjarjen me 3 të vrarë në vitin 2015, e njohur si “Masakra e Çoles”.

MASAKRA E ÇOLES

Dhjetë vite para krimit të 1 nëntorit në fshatin Gjorm, Vlora u trondit nga një ngjarje e rëndë që mori emrin “Masakra e Çoles”. Një sherr banal, i nisur në një lokal lojërash fati, u kthye në një natë gjakderdhjeje. Pas dhunimit të një 21-vjeçari, grupi i miqve të tij, mes tyre edhe Bertil Alliaj, u rikthyen për t’u hakmarrë. Brenda pak minutash, plumbat morën jetën e tre të rinjve: Akil Hasanaj (Haki Rakipi), Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Ishte një vrasje e ftohtë, e pakuptueshme, që la pas një qytet të shokuar dhe një zinxhir drejtësie që s’do të mbyllej kurrë plotësisht. Edhe pse u dënua me 35 vite burg, Alliaj arriti të zhdukej, duke jetuar për një dekadë si hije, derisa historia u përsërit sërish, këtë herë më afër se kurrë, në gjirin e familjes së vet.

Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, për një kazino në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës. Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj. Limaj lajmëroi Aleksandër Llanaj dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të shkonin për t’u sqaruar, në një lokal në lagje “Çole” të Vlorës.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më datë 7 prill 2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjetrin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë.

Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12:33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj. Më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13:50 e në vazhdim. Rreth orës 14:00 të asaj dite, në drejtim të lokalit ku ndodhi ngjarja, janë filmuar duke ecur së bashku Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, njëri prej të cilëve është duke pirë cigare. Më pas ata janë futur në njërën nga hyrje të lokalit duke u futur fillimisht në verandën e tij. Ata kanë qëndruar në verandë përballë njëri-tjetrit duke biseduar dhe pirë cigare.

Pas 2 minutash, në hyrjen tjetër që të fuste në verandën e lokalit janë parë duke hyrë së bashku Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj. Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht Ardi Velaj. Për pasojë Ardi Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe ai vetë, ndonëse kishte pistoletë me vete, nuk ka arritur ta përdorë.  Po kështu, Aleksandër Llanaj ka qëlluar tri herë edhe ndaj personit tjetër, Haki Rakipi.

Nga një automjet tip “BMW”, ka dalë Bertil Alliaj, i cili është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij. Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe ishte futur në verandën e tij, ndërsa Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit ku ka parë të shtrirë të tokë trupat e pajetë të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt.

Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin “BMW X5”, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Alliaj, me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën, me të cilën kishte qëlluar Llanaj.

Më pas, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet të Albi Limajt, për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, Bertil Alliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka pasur faktorë plotësues të qitjes në dorë.

Ndërkohë që Bertil Alliaj është larguar midis pallateve, Ani Begaj ka dërguar në spital Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur. Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar trupi i pajetë i Albi Limajt. Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begajn, Bertil Alliajn dhe të ndjerin Albi Limaj, i cili kishte organizuar edhe takimin.

Në lidhje me vrasjen e Albi Limajt, Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen.

Përfundimisht, Prokuroria e Vlorës ka çmuar se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa të pandehurit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë konsumuar secili më vete veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim”, në të dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Akuza ndaj tyre bazohet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit kimik, aktet e ekspertimit balistik, aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, tabulatet telefonike, përgjimet e kryera, procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike, thëniet e personave të pyetur si deklarues, etj.

Pas një kalvari të gjatë gjyqësor në të tri shkallët dhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2017, që riktheu dosjen në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit dha vendimin final më 19 mars të vitit 2022.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Vlorës për Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Alliajn. Për Llanajn, që ishte i vetmi i arrestuar, pasi kishte mbetur edhe vetë i plagosur në ngjarje, ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerët, që u gjykuan në mungesë, mbeti në fuqi dënimi me nga 35 vite burg. Vendimi u mor nga tre anëtarët e gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

DHJETË VJET ARRATI

Ku ishte Bertil Alliaj për dhjetë vite? Si mund të jetojë dikush në arrati në një vend të vogël si Shqipëria? A u ndihmua? Apo askush nuk kërkoi mjaftueshëm?

Për një dekadë, ai s’u kap. E duket se shteti, në heshtje, e kishte harruar. Derisa ai i kujtoi të gjithëve ekzistencën e tij me plumba.

Miku i tij, bashkëpunëtor dhe i dënuar për të njëjtën ngjarje, Ani Begaj, ishte arrestuar 7 vite pas “Masakrës së Çoles”, më 7 korrik të vitit 2022. Ai u arrestua së bashku me djalin e xhaxhait të tij, Elton Begajn. Të dy të arrestuarit ishin duke lëvizur me një automjet tip “Nissan”. Ata janë ndjekur në Lungomare nga Policia dhe nuk kanë ndaluar, derisa në një rrugicë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, nuk kanë gjetur rrugëdalje. Policia i ka shtrirë barkas të dy, duke u vënë prangat, ndërsa me vetë u janë gjetur edhe pistoleta.

Njësoj si Bertil Alliaj, edhe Ani Begaj ishte dënuar me 35 vjet burg. Por ndërsa ai tashmë po vuante dënimin në qeli, Alliaj vijoi arratinë edhe për 3 vite, derisa realizoi krimin e radhës dhe u arrestua.

Në fshatin e tij, në Gjorm të Vlorës, banorët thonë se nuk e kishin parë që pasi ndodhi “Masakra e Çoles”. I pajisur me një pasaportë kosovare, Bertil Alliaj, mendohet se mund të ketë lëvizur edhe jashtë Shqipërisë, megjithatë ka të dhëna se ka qëndruar edhe në Vlorë. Madje mund të jetë ndihmuar edhe nga kushëriri i tij, Dalan Alliaj, të cilin e qëlloi për vdekje mbrëmjen e 1 nëntorit 2025.

Në mes të kësaj tragjedie është një lidhje gjaku. Dy kushërinj. Njëri i qetë, familjar, baba i dy fëmijëve, që merrej me biznes dhe nuk kishte pasur kurrë probleme me Policinë; tjetri, një fantazmë e drejtësisë së munguar. Çfarë i ndau? Dhe pse tani? Këtë mund ta sqarojë vetëm autori i krimit, Bertil Alliaj, i cili deri në këtë fazë të hetimit nuk ka zgjedhur të tregojë asgjë.

DËSHTIMI I SISTEMIT

Rasti i Bertil Alliaj nuk është i vetëm. Dhjetëra persona të dënuar me burgim, vijojnë t’i shmangen drejtësisë e në ndonjë rast edhe të kryejnë krime të tjera. Sistemi i drejtësisë shqiptare mbetet me vrima të mëdha. Në kërkim, në ndjekje, në përgjegjësi.

Në momentin që për një të dënuar nuk ekzekutohet vendimi, përgjegjësia është zinxhir. Por dikush me siguri nuk ka bërë detyrën.

Në dosjet e pluhurosura të drejtësisë shqiptare, Bertil Alliaj ishte thjesht një emër i harruar. Derisa u kthye në lajm. Vrasja e Dalan Alliajt në Gjorm të Vlorës, më 1 nëntor 2025, është një tjetër dëshmi se shteti nuk ka mekanizma real ndëshkimi. Nëse dikush fshihet, thjesht pritet që të dalë vetë. Dhe Bertil Alliaj doli, por me një vrasje tjetër.

Kur drejtësia dështon, ndëshkimi bëhet i rastësishëm. Ai vjen si hakmarrje, si aksident, si tragjedi e përsëritur.

Një dënim i harruar, një krim i përsëritur, një jetë e humbur.

Në një vend ku drejtësia ecën ngadalë, fajtorët kthehen para nesh. Jo për t’u penduar, por për të vrarë sërish.

Dhe pyetja që bëjnë të gjithë: Kush e vrau Dalan Alliajn? Kushëriri apo sistemi?/abcnews.al

“Gjërat Tona”/ Elbasani, “kryeqyteti” i krimit, qetësia 3-vjeçare pas goditjes së 4 grupeve dhe vrasja e biznesmenit që riktheu frikën

21 December 2025 at 21:02

Çdo qytet ka anën e vet të padukshme. Por këtu, ajo pjesë nuk ishte më vetëm një hije, ishte kthyer në sundimtare. Katër grupet kryesore, secila me hierarkinë, territorin dhe burimet e veta, funksiononin sipas një rregullave të pashkruara.

Policia shpesh shfaqej vetëm pas krimit. Kurrë para tij. Dhe qytetarët, nga shtëpitë, lokalet apo bizneset e vogla, e kishin kuptuar prej kohësh: Kjo nuk ishte neglizhencë. Ishte frikë ose diçka më e thellë.

Ky është Elbasani. Një qytet që ndër vite mbajti rekordin e zi të krimit në Shqipëri. Rrugë që panë dhjetëra vrasje pa autor, atentate të porositura, llogari hesapesh që zgjidheshin me armë.

Për gati dy dekada, pesha e katër grupeve kriminale të krijuara pikërisht këtu, e shndërroi Elbasanin në një laborator dhune, ku funksiononin rrjete të organizuara që transportonin tonelata kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Gjithçka mbeti e heshtur për vite me radhë. Vrasës me pagesë, miliona euro që qarkullonin për eliminime, emra të paprekshëm që askush nuk guxonte t’i përmendte. Deri në momentin kur disa prej tyre, të arrestuar, të rrezikuar dhe pa rrugëdalje, vendosën të flisnin. Të penduarit u kthyen në çelësin e një bote kriminale që më parë dukej e padukshme.

Dëshmitë e tyre, të mbështetura nga mesazhet e platformës së kriptuar SKY, zbuluan gjithçka: hierarkitë, strukturat, rrugët e drogës, komandat e ekzekutimeve dhe lidhjet ndërkombëtare. SPAK dhe Policia goditën një e nga një grupet më të rrezikshme: “Çapja”, “Çela”, “Çopja”, “Alibej”, por edhe degët e ndryshme të së njëjtës. Dosjet e tyre sot janë në gjykatë: vrasje, trafik kokaine, dhe pastrim parash në shifra marramendëse.

Dhe Elbasani, papritur, u qetësua. Tre vite pa atentate. Tre vite pa krime të nivelit të lartë. Një frymëmarrje që qyteti nuk e kishte njohur prej dekadash.

Por më 30 nëntor 2025, heshtja u thye. Biznesmeni 43-vjeçar, Edmond Hyka, i njohur edhe si Mondi Mëhalla, u ekzekutua në një atentat që në pamje të parë dukej mafioz. Pronari i një pike karburanti, një lokali dhe i linjës së vetme të taksive në Elbasan, u qëllua për vdekje në një zonë të njohur të qytetit, duke rikthyer menjëherë frikën, dyshimet dhe makthet e një epoke të errët.

Ky është rrëfimi për kriminalitetin e Elbasanit. Një qytet që u përpoq të rilindte pas goditjes së grupeve kriminale, por që u kujtua një natë të ftohtë nëntori se hija e krimit nuk largohet kurrë aq lehtë.

GRUPI “ÇAPJA”

Për 18 vite me radhë ishte një mbiemër që dominoi qytetin. I lidhur ngushtë me ngjarje të bujshme kriminale brenda dhe jashtë vendit. Një familje, disa anëtarë të saj, por edhe njerëz të besuar që kishte afruar pranë vetes, u hetuan, arrestuan, u liruan e u arrestuan sërish. Disa prej tyre u vranë e të tjerë arritën t’u mbijetonin atentateve. Por për vite me radhë kishin arritur të fitonin betejat me drejtësinë, ndonëse jo gjithmonë me rivalët. Më shumë se një grup kriminal, ata ishin një familje. Po flasim për grupin “Çapja”.

Për shumë vite me radhë, mbiemri i kësaj familje u shkrua me germa të mëdha në faqet e para të gazetave dhe periodikisht ishte kryefjalë e kronikave televizioneve. E ashtu siç ishin të parët që u etiketuan gjerësisht si “të paprekshëm”, ishin edhe të parët që nisën të zbrisnin nga froni, atëherë kur ai që konsiderohej “truri”, Ardian Çapja, u arrestua e më pas u dënua me burgim të përjetshëm.

Të njëjtin fat me të, pati edhe nipi i tij, Florenc Çapja. Edhe pse iu shmang drejtësisë për vite me radhë, në fund u arrestua dhe u ekstradua nga Dubai për të vuajtur të njëjtin dënim. Atë me burgim të përjetshëm.

Më 27 mars të vitit 2021, agjentet e zyrës së Interpol Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në bashkëpunim me Policinë e Dubait, arrestuan Florenc Çapjan. Pasi janë kryer verifikimet Policia atje ka konfirmuar faktin se, personi i ndaluar ishte i shpallur në kërkim nga Prokuroria shqiptare.

Prokuroria e Elbasanit e kishte shpallur në kërkim Florenc Çapjan, pasditen e datës 16 mars 2021. Por pak orë para se të firmosej urdhër  – arresti, Çapja ishte larguar nga Shqipëria. Ai kishte fluturuar fillimisht drejt Stambollit, në orët e para të mëngjesit e më pas në Dubai. Rastësi apo jo, kjo nuk thuhet me siguri, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë informuar se do të arrestohej e ka vendosur të arratisur drejt vendit nga ku nuk mund të ekstradohej.

Florenc Çapja qëndroi vetëm një muaj në paraburgim duke u liruar kundrejt garancisë pasurore prej 55 mijë eurosh, ashtu siç kishin bërë shumë emrat të tjerë të njohur të krimit në Shqipëri, duke iu shmangur në këtë mënyrë përballjes me drejtësinë. SPAK i nisi menjëherë autoriteteve të Dubait një kërkesë ekstradimi për Florenc Çapjan, por për shumë kohë nuk u dha asnjë përgjigje, deri më 25 prill të vitit 2025, kur Interpol Adu Dabi njoftoi autoritetet shqiptare se ai ishte arrestuar pasi ishte miratuar ekstradimi i tij.

Çapja kërkohej për një ngjarje që ishte hetuar e rihetuar nga Prokuroria e Elbasanit, për të cilën akuzohej edhe Ardian Çapja, por gjithmonë përfundonte duke u pushuar hetimet. Ndërsa në fund dosja e kësaj ngjarje, që bën fjalë për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri, i kaloi SPAK-ut.

Më 15 nentor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit, dënoi 6 personat që ishin përfshirë në vrasjen e vitit 2012 në Elbasan. Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke caktuar dënim të përjetshëm për Ardian e Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun. Ata u shpallën fajtorë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. 25 vite heqje lirie u vendos për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin. Bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.

Florenc Çapja akuzohet për porositjen e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, më 15 gusht të vitit 2012. Ky i fundit akuzohej se në bashkëpunim me të tjerë kishte ekzekutuar Sokol Çapjan në dhjetor të vitit 2005 në Elbasan. Dosja u rikthye edhe njëherë në duart e drejtësisë pas dëshmisë së dhënë në vitin 2020 nga i penduari Ervis Bardhi, i cili pranoi se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin. Ervis Bardhi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa rrëfeu se porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin e morën pikërisht nga Ardian dhe Florenc Çapja.

Florenc Çapja ishte arrestuar edhe më herët në Elbasan për vrasje, por ishte lënë i lirë në rrethana të dyshimta. Më 19 nëntor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta lirojë atë nga burgu, edhe pse konsiderohej me rrezikshmëri të lartë dhe ishte me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. Gjyqtari vendosi pushimin e çështjes penale nr. 40, viti 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës Fadil Mema, me argumentin se nuk provohej se ai e kishte kryer këtë vepër penale.

Por sot, me izolimin në qeli të Florenc Çapjas, historia e një familjeje që për vite me radhë ia doli të ishte e paprekshme, në fund duket se është thyer. Një përplasje e ashpër që nisi dy dekada më parë në qytetin e Elbasanit, me futjen në lojë edhe te killerave me pagesë, atëherë kur Ardian Çapja administronte bizneset e familjes bashkë me të vëllain, Sokolin, shkaktoi dhjetëra viktima. Vrasja e Sokol Çapjas solli përplasje me armë, viktima e të plagosur, që e kthyen Elbasanin në një arenë lufte. Në fillim duke eliminuar ata që i kishin pajtuar për të mbyllur hesapet e tyre e më pas duke përfunduar vetë në shënjestër. Ndërsa tani, historia e Ardian Çapjas, nipit të tij, Florencit dhe e familjes, mori fund pikërisht nga një prej atyre që paguan për t’u hakmarrë ndaj atyre vrasësve që nisën këtë betejë të përgjakshme.

Ervis Bardhi, një djalë që në vitin 2012 lidhi një “kontratë” të për vrarë vrasësin e Sokol Çapjas, u kthye në të penduar. Ai vetë u identifikua nga një gjurmë gishti, në targën e makinës së djegur që u përdor për vrasjen. Në fillim ishte në kërkim. Më pas u dorëzua për të treguar gjithçka që dinte. Tregoi aq shumë, sa sot, i paprekshmi Ardian Çapja është izoluar përjetësisht në burg.

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në nëntor të vitit 2023 la në fuqi vendimin e shkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan së bashku me Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012.

E duket se ky vendim, që u ekzekutua edhe për Florenc Çapjan pas ekstradimit në Dubai, rrëzoi përfundimisht nga froni grupin “Çapja”, që dominoi Elbasanin për 18 vjet.

Por për Florenc Çapjan, përballja me drejtësinë nuk është mbyllur ende. Një tjetër dosje ku përmendet emri i tij si porositës vrasjesh po gjykohet në Gjykatën e Posaçme. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani ka përmendur edhe emrin e tij në rrëfimin para prokurorëve të SPAK, si personi që ka ofruar 200 mijë euro për të ekzekutuar Sokol Sanxhaktarin, i cili sipas tij ishte pjesë e grupit të Suel Çelës.

Sipas tij, informacionet për të do t’ia jepte Bledar Muça, lidhje e Çapjave dhe Festim Çoli.

Dumani deklaroi në gjykatë se me Florenc Çapjan u prish për shkak se ai kërkoi të pajtohet me Talo Çelën dhe aty dyshoi se ata ishin bashkë.

Në dëshminë e tij Dumani ka deklaruar se vrasja e dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini nuk u realizua, pasi Sanxhaktari u arrestua. Ngjarja, për të cilën u vu në pranga Sokol Sanxhaktari ndodhi mëngjesin e 30 korrikut të vitit 2020. Ai u akuzua për vrasjen e mikut të tij Florian Lamçe, në bashkëpunim me Adriano Hajdarin.

GRUPI “ALIBEJ”

Në vitin 2020 ishte radha e ekspozimit të një tjetër grupi në Elbasan. Një grup që në fakt aktivitetin e kishte zhvilluar jashtë kufijve të vendit, por përplasjet për drogën bënë që ngjarjet kriminale të ndodhnin brenda. Për dy vite me radhë, nga viti 2018 deri në vitin 2020, në Elbasan ndodhën disa vrasje që për shumë kohë mbetën të pa zbardhura. Kjo edhe për shkak të lidhjeve që krimi kishte krijuar në strukturat e Policisë dhe të drejtësisë. Gjithçka nisi të zbardhej nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, fillimisht të Nuredin Dumanit e më tej edhe të vetë Erion Alibejt, që ishte kthyer në lider të grupit “Alibej”, pas vrasjes së të vëllait e më tepër për të marrë hakun e tij.

Në kohën kur Elbasani ishte nën “kthetrat” e krimit dhe kur shumë vrasje po trondisnin vendin, “fajtorët” kërkoheshin në radhët e Policisë.

E ndoshta, siç po dëshmojnë të penduarit dhe bisedat në SKY, jo pa qëllim.

Deklaratat e vazhdueshme politike etiketonin si përgjegjëse të “luftës” atje, dy grupe kryesore. Çapjat dhe Çelët.

Por edhe ndikimin që ata kishin përmes “shërbëtorëve” që kishin krijuar në strukturat e rendit.

Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ndoshta me të drejtë deklaronte publikisht në vitin 2017 se as Çapjat dhe as Çelët nuk mund të simbolizonin qytetin.

Në fakt, edhe pse jo në kontekstin që shprehej ministri i kohës, këto dy grupe nuk ishin të vetmit që kishin shkaktuar përplasjet në Elbasan. Vit pas viti në skenë dolën edhe grupi Çopja e më tej edhe Alibej, ndonëse këta të fundit nuk e kishin fuqinë e tre të tjerëve.

Pasi bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi dëshminë e tij gjatë disa seancave të procesit “Plumbi i artë”, më 29 maj 2025 ishte radha e një tjetër të penduari. Erion Alibejt.

Rrëfimi i tij në sallën e gjyqit ishin një dëshmi, që shpjegonte jo vetëm si bëhej trafiku i drogës, si bëheshin vrasjet e si kontraktoheshin killerat por edhe se si bliheshin oficerët e Policisë.

Një roman i tërë kriminal, me histori gangsterësh, trafikantësh kokaine, killerash me pagesë, policë e shefa Policie që i shërbenin krimit, duke u vënë në dispozicion edhe sistemin TIMS e duke komunikuar në SKY.

Erion Alibej e nisi rrëfimin e tij me atë që njihet si “Masakra e Bradasheshit”, ku iu vra vëllai e xhaxhai, bashkë me mikun e tyre, një shtetas turk.

Vetëm pak ditë pas ngjarjes, konkretisht më 18 janar 2019 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, Hajdar Bako. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për një konflikt të ashpër mes tij e viktimës, Endrit Alibej dhe vëllait të tij, Erionit.  Ndërsa më herët, më 30 dhjetor 2018 ishte pyetur edhe Talo Çela, po ashtu si person që kishte dijeni. Megjithatë, të dy kanë mohuar të kishin dijeni, paçka se hetimet më pas zbuluan të kundërtën. Madje zbuluan se ishin të përfshirë direkt në ngjarje.

Fillimisht ai që hodhi dritë rreth vrasjes së trefishtë, që u quajt “Masakra e Bradasheshit”, ishte bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Më 17 qershor të vitit 2022, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani ka deklaruar se, financues të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, organizator ishte Kel Kamami, ndërsa ekzekutorë Altin Ndoci e Mir Haxhia. Ndërsa sipas tij, makinën e ekzekutorëve e drejtonte Talo Çela.

Duke rrëfyer gjithçka dinte, Erion Alibej shpjegoi në Gjykatën e Posaçme historikun e të vëllait në aktivitetin e trafikut të drogës dhe faktin që ai vetë, deri në momentin kur Endrit Alibej ishte zhytur në borxhe, nuk kishte kryer asgjë të jashtëligjshme. Ndërsa asaj rruge i hyri për ta nxjerrë të vëllain nga situata e vështirë. Por nga ana tjetër, foli dhe për miqësinë e që ai ka pasur me Suel Çelën, ndërsa i vëllai me Hajdar Çopjan.

Erion Alibej shpjegon se si e nisi aktivitetin e tij me drogën dhe takimin me Franc Çopjan në Angli. Dëshmoi se si arriti të ngrinte punën, aq sa më pas emri i tij nisi të përmendej shumë. Gjatë kësaj kohë ai thotë se ka punuar me dy shqiptarë, një nga Rrogozhina dhe një nga Durrësi.

E megjithëse ishte në kërkim, Erion Alibej tregon se lëvizte lirshëm. Kishte arritur të siguronte një radio që kishte dhe kanalin e Policisë dhe përmes saj qarkullonte me sigurinë që nuk do e ndalonin, pasi sipas tij, nëse targa e makinës së tij do u jepej shërbimeve të Policisë, do e dëgjonte në radio.

Gjykata vlerëson se në zbardhjen e një serë ngjarjesh të rënda kriminale, kanë rëndësi deklarimet e Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, të cilët kanë marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe kanë dhënë shpjegime lidhur me ngjarjet e hetuara nga SPAK. Deklarimet e marra nga Dumani e Alibej, përputhen me të dhënat e administruara nga komunikimet e personave të përfshirë në veprimtari kriminale nëpërmjet aplikacionit SKY.

Në një nga mesazhet që Nuredin Dumani i dërgon vëllait të tij, Dashnor Dumani, shprehet për një diskutim që kanë pasur për Erion Alibejn, për të cilin është planifikuar të derdhet vaj në rrugë, me qëllim eliminimin e tij gjatë ecjes me makinë. Ndalimi i makinës së tij do të realizohej me hedhjen e vajit të djegur në rrugë, me qëllim që makina të dilte nga rruga.

Çdo sistem i sëmurë ka një pikë thyerjeje. Për Elbasanin, ajo erdhi kur nisën përplasjet mes vetë grupeve. Marrëveshjet e brishta u prishën. Territoret u çuan në konflikt. Dhe qyteti u kthye në skenë të atentateve, që nga njëra anë ekspozuan fuqinë e tyre… dhe nga ana tjetër dobësinë e shtetit.

Vetëm pasi muret e heshtjes u çanë nga plumbat, institucionet nisën të shfaqnin reagim. Por ishte tepër vonë. Krimi ishte rritur më shpejt se ligji.

ORGANIZATA “ÇOPJA”

Elbasani është qyteti i vetëm në Shqipëri që ka prodhuar dy organizata kriminale, që konsiderohet niveli më i lartë i kriminalitetit në vend. Një prej këtyre organizatave ishte edhe klani “Çopja” që u kodit në korrik të vitit 2024 në një operacion ndërkombëtar.

Në një operacion që përveç autoriteteve shqiptare përfshiu edhe disa shtete të Bashkimit Europian, të zhvilluar më 31 korrik 2024, u ekzekutuan disa urdhër-arreste, nga 33 që ishin firmosur nga SPAK. Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Europolin dhe organet ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, arrestuan 15 anëtarë të dyshuar të klanit Çopja, një organizatë shqiptare që po hetohej nga të gjitha këto vende. Përpjekja e koordinuar, e quajtur operacioni GORGON, kulmoi me një seri kontrollesh të kryera në Tiranë, kundër figurave kyçe brenda rrjetit kriminal. Për pasojë u sekuestruan pasuri të konsiderueshme, përfshirë pasuri të paluajtshme dhe 1 milion euro cash. Nga vetë emri që u kodua ky operacion, GORGON, që vjen nga mitologjia greke, ndryshe e njohur edhe si Meduza, duket se përshkruan tiparet e kësaj organizate kriminale, mizore dhe e frikshme.

Prokuroria e Posaçme pas përfundimit të këtij operacioni, njoftoi zyrtarisht se hetimet kishin nisur në kuadër të procedimit penal nr.75, të vitit 2022, ku objekt ishte veprimtaria kriminale e një organizate kriminale, e cila kishte bazën në qytetin e Elbasanit. Kjo organizatë drejtohej nga vëllezërit Franc Gergely (Franc Çopja) dhe Hajdar Çopja. SPAK, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Europë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare. Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve Çopja, daton rreth viteve 2006–2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Europës dhe më gjerë. Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte, të cilat iu dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve. Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve nëpërmjet vrasjeve me pagesë, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë.

Nga ana tjetër, për operacionin e suksesshëm foli zyrtarisht edhe Europol, që e quan klanin Çopja një grup të profilit të lartë shqiptar të krimit të organizuar që ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht.

EUROPOL

Banda përbëhej kryesisht nga familjarë dhe bashkëpunëtorë nga e njëjta zonë në Shqipëri. Anëtarët e grupit dyshohet se janë përgjegjës për vrasje të shumta me pagesë, trafik në shkallë të gjerë droge dhe pastrim të fitimeve të paligjshme nëpërmjet transaksioneve komplekse të kriptomonedhave. Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik në shkallë të gjerë droge, ndër aktivitete të tjera kriminale. Hetimi zbuloi gjithashtu se si kreu i këtij grupi të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan vrasjen e disa anëtarëve të grupeve të tjera kriminale shqiptare duke kontraktuar vrasës. Të paktën shtatë vrasje i janë atribuuar këtij grupi specifik kriminal midis viteve 2019 dhe 2020, një numër prej të cilave janë kryer jashtë Shqipërisë.

Hetimet e SPAK zbuluan se vëllezërit Çopja dyshohet të kenë porositura 14 ekzekutimeve, ndërsa gjithashtu është dokumentuar pjesëmarrja e tyre në organizimin e grabitjes në pistën e Aeroportit të Rinasit në vitin 2019. Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale. Ngjarje të tilla si:

Vrasja në rrethana cilësuese e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh;

Vrasja në rrethana cilësuese e Klevin Bahos dhe plagosja e vëllait të tij, Aldo Baho”, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2019, në fshatin Broshkë të Elbasanit;

Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit, ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2019, në fshatin Përparim të Peqinit;

Vrasja e Klevis Kapllanit e ndodhur më 15 shtator 2020, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës;

Vrasje e mbetur në tentativë e Kei Pikut, ngjarje e ndodhur më 16 janar 2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”;

Vrasje e mbetur në tentativë e Irfan Azizit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2020, afër rrethrrotullimit të Poshnjës në Urën Vajgurore;

Vjedhja me armë e mbetur në tentativë dhe tentativa e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit Minella Muçi, më 23 mars 2018, në lagjen “28 Nëntori”, në Fier;

Vjedhja me armë e vlerave monetare që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 9 prill 2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas.

Hetimet e SPAK kanë lidhur me organizatën kriminale të paktën një prej ish- gjyqtareve të Elbasanit, Pajtime Fetahun, e cila dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut. Gjithashtu edhe një punonjëse të administratës së gjykatës, 2 oficerë policie dhe zëvendësdrejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj. Sipas hetimeve, të paktën deri në këtë fazë, bëhet fjalë për një rast korrupsioni në gjyqësor, pasi dyshohet se një prej punonjësve të Gjykatës së Elbasanit ka ndarë të dhëna sekrete me organizatën kriminale.

E sigurisht, financat janë fuqia e çdo organizate kriminale dhe organet ligjzbatuese synojnë dobësimin e tyre pikërisht duke i goditur edhe aty. Pavarësisht se klani Çapja konsiderohet si një perandori jo vetëm kriminale, por edhe financiare, gjatë operacionit u arrit të sekuestrohet 1 milion euro cash. Paratë u gjetën të groposura në oborrin e shtëpisë së Hajdar Çopjas. E gjithë sasia monetare, e valutave të ndryshme është mbyllur në një llogari bankare që administrohet nga SPAK. Nga ana tjetër, hetuesit besojnë se përmes bisedave të zhvilluara në SKY, kanë zbardhur dhe linjën e transferimit të parave nga disa shtete të huaja drejt Shqipërisë. Disa prej transfertave kryesore janë kryer përmes një pike të këmbimit valutor që administrohet nga Maklen Mici dhe Bashkim Lika, të dy të vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Kjo pikë e këmbimit valutor, që prej 13 shtatorit të vitit 2007 ndodhet në rrugën “4 shkurti” përballë Bankës së Shqipërisë në Tiranë, ku 60 për qind të aksioneve i zotëron Bashkim Lika dhe 40 për qind të pronësisë së saj i zotëron Maklen Mici. Të njëjtët persona, më 24 mars 2023 kanë regjistruar një kompani ndërtimi, duke synuar ndërtimin e objekteve të banimit në Tiranë. Sipas SPAK, nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e vëllezërve Çopja në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre, si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

ORGANIZATA “ÇELA”

Organizata e dytë kriminale, jo nga rëndësia por nga radha e goditjes, është ajo “Çela”. E njohur veç të tjerash edhe për rivalitetin e gjatë me anëtarë të familjes “Çapja”.

Në vitin 2024, Prokuroria e Posaçme firmosi 21 urdhër arreste për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela dhe masat u vendosën nga Gjykata e Posaçme më 22 nëntor 2024. Në krye të listës, ishte masa “arrest në burg” e dhënë në mungesë edhe për Suel Çelën, i cili akuzohet nga SPAK për:

Tentativën e vrasjes së Ardian Çapjas, e ndodhur më 8 qershor 2020, në Elbasan; Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të vrarë Bledar Muçën dhe Elvis Koçin; Organizatë kriminale; Armëmbajtje pa leje; Trafik droge; Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë; Korrupsion aktiv në sektorin privat; Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të gjitha vepra të kryera në kuadër të organizatës kriminale ose grupit të strukturuar kriminal.

Në dosjen e SPAK renditen të gjitha episodet kriminale që i atribuohen kësaj organizate, për të cilat janë siguruar prova edhe përmes mesazheve të shkëmbyera në SKY. Sipas të dhënave hetimore, rezulton se Suel Çela kishte paguar Prekë Kodrën për të realizuar vrasjen me Snajper të Ardian Çapjas, plan që në fakt dështoi, pasi ai mbeti i plagosur. Por ndër të tjera, mes tyre ka dhe biseda që zbulojnë lidhjet kriminale edhe përtej Elbasanit.

Nga komunikimet e zhvilluara më 9 gusht të viti 2020, në Encrochat dhe Sky, Prekë Kodra i tregon planin, por nuk i zbulon emrin e shënjestrës së radhës në Shkodër. Por sapo i përmend emrin e fisit nga Shkodra, Suel Çela e këshillon që të mos ketë besim tek ata.

Më tej, më 27 gusht e fton për ta takuar, si dhe e informon se telefonat që kanë në përdorim nuk janë të sigurt, pasi ka gjasa që platforma e enkriptuar e komunikimeve Encrochat janë hapur në Holandë dhe Angli, por ka menduar se ata që përdoren në Shqipëri janë të sigurt.

Përgjatë gjithë komunikimeve në SKY, që janë pjesë e dosjes së SPAK, Prekë Kodrës i referohen me pseudonimet “gjahtari”, “gjuetari”, dhe “mjeshtri”. Dyshohet se është pikërisht ky personi që ka qëlluar ndaj Ardjan Çapjas, të cilin e la të plagosur në oborrin e banesës së tij. Gjuajtja u bë nga kodra përballë shtëpisë dhe po në dosje, rivalët shkruanin se “xhindi”, emër me të cilin e thërrisnin Çapjan, u kishte shpëtuar për 1 milimetër, pasi aq larg e kishte pasur plumbin nga zemra.

Pjesë e dosjes së SPAK janë edhe fotografi të bisedave që Suel Çela ka zhvilluar në SKY, po ashtu edhe të Bledar Muçës, njeriut më të afërt të armiqve të tij, familjes Çapja, të cilin e mbanin në vëzhgim për ta vrarë, derisa në fund e realizuan vrasjen e tij. Po kështu, ka edhe fotografi të armëve që Prekë Kodra i dërgonte në SKY Suel Çelës, përveç snajperit që do të përdorte për realizimin e vrasjes së Ardian Çapjas. Por edhe fotografi të Ardian Çapjas gjatë kohës që e monitoronin nga larg për ta vrarë në oborrin e shtëpisë së tij.

Po në SKY anëtarët e organizatës dërgonin edhe foto të ngarkesave me kokainë që niseshin nga Ekuadori, por edhe të lajmeve që kishin publikuar mediat belge, pas sekuestrimit të një sasie kokaine në portin e Antwerpit.

Në lidhje me aktivitetin e trafikimit të lëndës narkotike, në dosjen e SPAK zbardhen komunikimet mes Suel Çelës, me biznesmenin Marsel Shega, ku nga konteksti i bisedës kuptohet që grupi ka organizuar një ngarkesë me kokainë që nga Amerika e Jugut në Europë, e cila dyshohet se nuk është marrë. Suel Çela insiston se duhet të bëhen verifikime pasi ka dyshime se persona që e kishin marrë përsipër nxjerrjen e lëndës narkotike nga porti mund ta kenë vjedhur. Suel Çela i shkruan Marsel Sheges se nëse rezulton se grupi i daljes e ka vjedhur, apo i ka mashtruar atëherë ai duhet ekzekutuar, pasi dikush duhet te bëhet shembull.

Në bazë të komunikimeve, SPAK ka zbardhur edhe skemën se si Suel Çela me disa anëtare të tjerë kishin organizuar trafikimin e një sasie prej rreth 446 kg kokainë nga Ekuadori në drejtim të Holandës. Sipas komunikimeve ka rezultuar se Ergys Dashi, të cilit i referohen me pseudonimin “Pika”, i vrarë në Ekuador, ka pasur rolin e bashkë financuesit dhe organizatorit të transportit nga Ekuadori në drejtim të Holandës të 446 kilogramëve lënde të dyshuar kokaine. Suel Çela ka pasur rolin e bashkë financuesit për blerjen e rreth 100 kilogramëve lëndë narkotike e dyshuar me qëllim të trafikimit të saj nga Ekuadori ne Holandë dhe shitjen e saj në tregun europian. Në një moment, Suel Çela komunikon edhe me Ervin Matën, kushëriri i Ergys Dashit, i cili po ashtu është në kërkim nga SPAK për trafik kokaine nga Brazili.

Ndonëse në kërkim, dëshmitë e të penduarve dhe platforma SKY dëshmuan se 37-vjeçari Suel Çela, apo i njohur edhe si Marjus Lulaj, vit pas viti është fuqizuar edhe më shumë. Me miliardat e fituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, financoi vrasjen e kundërshtarëve, madje në shumë raste bleu edhe drejtësinë. Bashkë më të vëllain, Mario Çelën, duket se kanë drejtuar një perandori krimi, tashmë e njohur si organizata kriminale “Çela”.

Por ndryshe nga ai, vëllai ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ku u ndalua gjatë operacionit të nëntorit të vitit 2024, kur SPAK i dha goditjen më serioze kësaj organizate.

Ndërsa goditja e radhës erdhi më 3 korrik 2025, kur në Itali u sekuestruan prona të vëllezërve Çela, të llogaritura në vlerën e mbi 4 milionë eurove.

Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Veronës kryen një operacion të përbashkët kundër organizatës kriminale të vëllezërve Suel e Mario Çela, e cila vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Hetimet e kryera nga SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

Sekuestrimi u ekzekutua më 3 korrik 2025 pas vendimit të Gjykatës së Veronës, si masë preventive, në kuadër të vijueshmërisë së hetimeve.

Suel Çela, i cili është një nga personat më të kërkuar nga Policia, fillimisht u shpall në kërkim nga SPAK pasi akuzohej se kishte porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.

Në këtë datë kur u plagos, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën. Porosinë për vrasjen e Kilës ai ka pohuar se e kishte marrë nga Suel Çela. Në dosje jepen detaje të plota mbi këtë ngjarje.

Ka qenë dëshmitari tjetër i drejtësisë, Henrik Hoxha, që e ka rrëfyer të plotë këtë ngjarje për prokurorët e SPAK. Ai ka thënë se Nuredin Dumani ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka shkuar disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini. Ai i kishte premtuar se do të paguhej 70 mijë euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta realizonin bashkë.

Por teksa janë nisur me makina të ndryshme, Henrik Hoxha tregon se në një moment ka marrë një mesazh nga Dumani që i ka thënë se e kanë plagosur. Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar në Fier dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë Elton Kilën. Sueli i çonte foton e Kilës në telefon.

Por kjo nuk ishte porosia e vetme që Dumani pretendon se kishte marrë nga Suel Çela. Një tjetër krim me kërkesë tij tij, Nuredin Dumani thotë se ka qenë edhe tentativa për të vrarë administratorin e shkollës private, Lulzim Masha. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Çelën dhe i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës.

Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka ofruar shumën 150 mijë euro për vrasjen.

Suel Çela, që konsiderohet si “i paprekshmi” i Elbasanit, u vu në qendër të vëmendjes në një ngjarje të vitit 2017, për sulmin ndaj policisë tek tregu agro-ushqimor i Elbasanit. Në fillim të muajit shtator 2017, drejtori i Policisë së Elbasanit miratoi një plan masash për goditjen e grupeve kriminale, personave në kërkim dhe mjeteve të blinduara. Qëllimi i këtij plani ishte mbajtja nën kontroll i anëtarëve të grupeve kriminale të evidentuara në Elbasan, me tendencë kryerjen e krimeve kundër personit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor.

Në bazë të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016-2017 në qytetin e Elbasanit, në lidhje me personat me precedentë kriminal e penal të fiseve Çapja, Çela, etj, kërkohej që të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të mbajnë nën kontroll anëtarët e këtyre fiseve, lëvizjet që ata bëjnë, mjetet me të cilat lëvizin, numrat e telefonave që ata përdorin, si dhe ambientet që frekuentonin.

Pas këtij plani masash ndodh incidenti në tregun Agro-Ushqimor, për të cilin u akuzua dhe u shpall në kërkim Suel Çela. Por në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm në lidhje me këtë ngjarje. Incidenti mori përmasa edhe më të rënda kur dolën pamjet e “Audi”-t të zi, të blinduar, që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

“Pushteti” që Suel Çela kishte fituar ndër vite, del edhe gjatë rrëfimeve të një tjetër bashkëpunëtori të drejtësisë në procesin e dosjes “Plumbi i artë” që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Seancë pas seance, Erion Alibej ka treguar gjithçka ka bërë vetë por edhe çdo bisedë me persona të tjerë, që e orientuan drejt atyre që i vranë vëllain, Endrit Alibej në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit”. E po aq sa vrasja e vëllait, një tjetër peshë e rëndë për Erion Alibejn është përhapja me shpejtësi e një të pavërtete siç e quan ai, që është “humbja” e 50 kilogramëve kokainë në Angli. Një informacion që ai e dëgjoi nga Suel Çela, por që këmbëngul se nuk është i vërtetë.

E megjithatë, në një kohë kur shumë mistere ende mbeten të pazbardhura në një histori intrigash të thurura nga grupet kriminale, ka dhe një të vërtetë.

Të katër grupet e Elbasanit u goditën nga SPAK dhe Policia. Çapjat, Çopjat, Alibej dhe Çelët. Por teksa drejtuesit dhe disa prej anëtarëve të këtyre grupeve kriminale janë në burg, vetëm Suel Çela vijon të jetë i lirë, ndonëse në arrati.

VRASJA E BIZNESMENIT

Kur u ndërmorën operacionet e mëdha që goditën krimin, qyteti priti me shpresë, por edhe me dyshim. Sepse të gjithë e dinin: Goditja e grupeve kriminale nuk është problemi më i madh. Problemi është të prekësh rrënjët e tyre, lidhjet që i mbajtën gjallë për vite të tëra. Sa nga ato lidhje u hetuan? Sa u çuan deri në fund? Dhe sa prej tyre u lanë në heshtje?

Teksa këto pyetje vijojnë ende të mbeten pezull, qytetarët prisnin përgjigje. Me shpresën që lufta mes tyre kishte marrë fund.

Por mbrëmjen e 30 nëntorit 2025, plumbat i rikthyen edhe një herë frikën qytetarëve të Elbasanit.

Edmond Hyka, 43 vjeç, u ekzekutua me 3 plumba sapo hipi në makinën e tij “Range Rover”. Në momentin që ai doli nga ambientet e biznesit të tij, një pikë karburanti në rrugën “Emin Matraxhiu”, në dalje të qytetit të Elbasanit, një person i maskuar iu afrua te xhami i makinës dhe e qëlloi me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.

Në një prej videove që ka fiksuar momentin e vrasjes, që është analizuar nga grupi hetimor, duket qartë momenti kur autori i maskuar del nga makina tip “Audi” dhe shkon qetësisht drejt automjetit ku ndodhej Mondi Mëhalla. Në momentin që autori i afrohet makinës nga krahu i shoferit, qëllon me pistoletë drejt 43-vjeçarit dhe ai mbetet i vdekur në vend. Makina “Range Rover” bën lëvizje të pakontrolluar, pasi Mondi Mëhalla kishte mbetur i vdekur në vend. Policia e Elbasanit, disa orë pas ngjarjes, gjeti të djegur automjetin e përdorur nga autorët, në fshatin Mirakë të Librazhdit. Brenda makinës u sekuestrua edhe arma e krimit, një pistoletë e djegur, e cila po analizohet për gjurmë në Laboratorin e Kriminalistikës, pa çka se duket gati e pamundur që të gjenden prova të vlefshme për ekzaminim.

E duket se pikërisht makina e atentatorëve, ishte një prej provave më të forta që orientoi grupin hetimor drejt identifikimit të personave të parë të dyshuar për ngjarjen. Fillimisht u arrestua 32-vjeçari Xhino Ago, ish-ortaku i Mondi Mëhallës, i akuzuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, si dhe Kujtim Pisha, roja i karburantit ku ndodhi ngjarja, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Pas tyre u arrestua në Përrenjas edhe 29-vjeçari Nevzat Spaho, i dyshuar si pjesëmarrës në ngjarje. Mbi të rëndojnë akuzat e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Në kërkim vijojnë dy autorët, Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç. Automjeti i përdorur në krim rezulton të jetë në pronësi të Agos, dhe ia kishte dhënë për përdorim Aranit. Ky i fundit ndodhej nën “arrest shtëpie” për një çështje tjetër penale. Në një tjetër video të analizuar nga grupi hetimor, Marselo Arani, shfaqet duke marrë makinën “Audi”, nga një garazh në afërsi të “21 Dhjetorit”, në Tiranë.

Mëhalla dhe Ago kanë qenë më parë ortakë. Në mars të vitit 2023, Mëhalla i ka shitur Agos kompaninë “Albania Car Agency”, e cila ofron shërbime të qirasë së automjeteve dhe taksive. Më 24 prill 2025, sipas të dhënave të QKB-së, Mondi Mëhalla ka themeluar zyrtarisht kompaninë “El Taxi shpk”, me të njëjtin objekt aktiviteti.

Nga ana tjetër, Xhino Ago, gjatë deklarimeve të tij ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke dhënë një tjetër version, duke këmbëngulur se marrëdhënia me të nuk ishte krisur, madje komunikonin dhe pinin kafe vazhdimisht bashkë. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe ditën e ngjarjes.

Xhino Ago

Rreth orës 9 të mëngjesit kam dalë nga shtëpia ime dhe kam lëvizur me automjetin “Hyundai” me traga AB 516, në emër të kompanisë së një shoku tim, i cili quhet Nazif Bajrami. Rruga që kam ndjekur është në drejtim të qytetit te Elbasanit dhe kam shkuar tek zyrat e taksive, pasi unë jam administratori. Zyrat i kam tek karburanti ku ndodhi ngjarja. Kur kam shkuar te puna, kam takuar Mondi Mëhallën dhe kemi pirë një kafe të bari i karburantit. Më pas kemi dalë në këmbë dhe kemi lëvizur për qark karburantit ku ndodhet magazina dhe kemi ndenjur deri në orën 13:00, ku gjatë kësaj kohe unë kam qenë vetëm me Mondin. Më pas unë me mjetin e përshkruar më lart jam larguar në të njëjtën rrugë për në banesën time, ndërsa Mondi mori “Range”-in dhe më tha se do të ikte për në Kavajë për drekë me të shtëpisë. Deri rreth orës 15:45, kam qëndruar në shtëpi dhe gjatë kësaj kohe kam komunikuar me video në WhatsApp me Mondin. Më tha se tani do te kthehem nga Kavaja dhe për 20 minuta jam në Elbasan. Pas kësaj bisede kemi folur me video në Whatsapp ku i thash Mondit a do të vish me mua në Tiranë, që të çojmë Fatlinda Istrefin në Tiranë, që e njihte dhe Mondi, dhe Mondi më tha ok do të ikim bashkë dhe do të takohem tek karburanti, pasi unë do i dërgoja dhe kunatin tim Urim Topuzin, i cili do t’i vendoste disa llamba tek magazina e tij, pasi Urimi ishte në shtëpinë e tij. Pas kësaj bisede unë shikova nga shtëpia ime autostradën dhe pashë se kishte trafik dhe i thashë kunati, Urimit, shko ti tako Mondin, unë po çoj në Tiranë, Fatlindën. Dhe kështu ndodhi unë me makinën time çova Fatlindën në Kodër Institut, dhe unë jam kthyer në Elbasan, dhe kam shkuar direkt tek zyrat dhe po prisja Mondin, i rashë telefonit dhe nuk më përgjigjej dhe kam qëndruar rreth 20 minuta dhe ora e saktë ka qenë rreth 18:00, nuk mbaj mend orën dhe më pas kam qëndruar deri kur më mori në telefon Enola, operatorja e kompanisë sime.

Gjatë shpjegimit, Xhino Ago, është shprehur se në shtëpi ka qëndruar me gjyshen dhe të atin, ndërsa nëna e tij kishte shkuar në Tiranë me kunatin. Ka treguar se ka në pronësi 16 makina kineze elektrike, prej të cilave 7-8 automjete i kishte me qira Mond Mëhalla. Në lidhje me ngjarjen Xhino Ago është shprehur se kur ka marrë vesh për ngjarjen nëpërmjet telefonit nga operatorja e firmës është nisur me shpejtësi tek karburant  dhe ka parë aty policinë dhe “Range Rover”-in e ndaluar.  Aty ka mësuar se ishte vrarë Mondi Mëhalla.

Teksa 3 të arrestuarit janë njohur me masat e sigurisë në Gjykatën e Elbasanit dhe dy të kërkuarit ende nuk janë arrestuar, Policia ka shpallur në kërkim një tjetër biznesmen në lidhje me ngjarjen. Ai është Oklid Dalipi, 35 vjeç, i cili dyshohet se për shkak të problemeve me drejtësinë, e kishte ndryshuar mbiemrin në El Ouejdi. Nga të dhënat e Policisë, ai rezulton të jetë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut pas ngjarjes dhe ende nuk është rënë në gjurmët e tij. Emri i tij doli gjatë veprimeve hetimore, ku disa dëshmi të mbledhura treguan për një konflikt që Mondi Mëhalla kishte pasur më të disa ditë para se të ekzekutohej. Bëhet fjalë për një konfrontim fizik mes tyre, për një çështje borxhi që mendohet se është një shumë e konsiderueshme, afro 700 mijë euro. Ka dyshime se Oklid Dalipi të jetë financues i vrasjes së Mondi Mëhallës.

Oklid Dalipaj, apo El Ouejdi, njihet edhe me pseudonimin “Kiço”. Sipas dëshmisë së njërit prej të arrestuarve, 10 ditë para vrasjes Mëhalla kishte ushtruar dhunë fizike ndaj El Ouejdit në karburantin ku ndodhi edhe vrasja. Për të shmangur borxhin e konsiderueshëm që kishte ndaj Mondi Mëhallës, 35-vjeçaru tashmë në kërkim, kishte ofruar si kompensim katër apartamente në Tiranë por me probleme pronësie gjë që rriti tensionin mes tyre. Ky dyshohet të ketë qenë edhe motivi i ngjarjes, të paktën deri në këtë fazë të hetimeve që po kryhen në Elbasan. Edhe pse duket se dinamikat ndryshojnë dita ditës dhe emra të rinj dalin në skenë.

Ndonëse duket si një krim i organizuar, me përfshirjen e disa personave, që nga organizatori, urdhëruesi, financuesi, ndihmësi, ekzekutori, etj., vrasja po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit. Nëse do i kalojë SPAK-ut apo jo, kjo pritet në vazhdim se çfarë do të dalë nga hetimi. Megjithatë, duket se vrasja e Mondi Mëhallës, nuk i ngjason vrasjeve të mëparshme që ndodhnin në Elbasan, kur grupet kriminale lanin hesapet me njëra-tjetrën.

Ky dokumentar nuk është fundi i historisë.

Sepse krimi nuk zhduket me një aksion, as me disa arrestime.

Zhduket kur shkelet bashkëpunimi i fshehtë mes forcës së errët dhe atyre që duhet ta ndalojnë.

Katër grupet mund të jenë goditur, por modeli i tyre mbetet. Dhe derisa institucioneve t’u kthehet besimi, dhe qytetarëve t’u kthehet zëri, hijet do të vazhdojnë të ecin pranë nesh.

“Gjërat Tona”, Portret i Klodjan Brahos/ Dosjet që tronditën politikanët!

14 December 2025 at 21:00

Në një moment kritik për drejtësinë, në një vend ku betejat kundër korrupsionit kanë prekur majat e politikës, ekonomisë dhe institucioneve shtetërore, për Prokurorinë e Posaçme është hapur një kapitull i ri.

Pas një prezantimi të gjatë publik, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh me shumicë votash Klodjan Brahon, si drejtues të ri të SPAK.

Prokurorin që për vite me radhë ka hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Një emër jo shumë i ekspozuar publikisht, por një dorë që ka firmosur dosje të mëdha, dosje të rënda por ndonjëherë edhe të debatueshme.

Por mandati i Klodjan Brahos vjen edhe me sfida të tjera. Jo vetëm për ruajtjen e standardeve dhe trashëgimisë së drejtuesit aktual, Altin Dumani, në hetime dhe qëndrime të forta, por edhe sepse korrespondon me 3-vjecarin që çon në ripërtëritjen e SPAK.

Në fund të këtij 3-vjecari, me ligjin aktual, nga Struktura e Posaçme, do të duhet të largohet jo vetëm Klodjan Braho, por edhe 10 prokurorë të tjerë të posaçëm që janë emëruar në dhjetor të vitit 2019. E si drejtues, ai do të duhet të sigurojë kolegët për të ardhmen e tyre. Ligji thotë se pas përfundimit të mandatit në strukturën e posaçme, prokurorët rikthehen në detyrat që kanë mbajtur, por pjesa më e madhe e tyre vijnë nga një prokurori që tashmë është shkrirë, Prokuroria për Krime të Rënda.

Këtë paqartësi të ligjit, kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, e ka ngritur si shqetësim, në mënyrë që ligji të plotësohet, pasi në të kundërt, këta prokurorë, nuk do të kenë një vend në sistem.

Duke parë nga e ardhmja, Dumani po ashtu, në disa dalje publike, kërkoi mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK, edhe pas mandatit 9-vjeçar. Por teksa Dumani kishte kohë, pasardhësit të tij Braho, do t’i duhet që t’i çojë para këto kërkesa brenda 3 viteve, ku së paku të sigurojë që prokurorët e posaçëm pas mandatit, ta kenë të qartë fatin e tyre.

E me gjithë sfidat me të cilat do të përballet gjatë mandatit të tij 3-vjeçar si drejtues i SPAK, mesa duket Braho ka dhe një tjetër lupë që do e vëzhgojë gjatë kësaj detyre. Ndërkombëtarët. Ashtu si dikur Yuri Kim vëzhgoi nga afër zgjedhjen e Altin Dumanit, edhe procesi i pasardhësit të tij nuk i shpëtoi vëmendjes së përfaqësive diplomatike. Ata ishin aty për të parë e mesa duket edhe për të fituar. Pasi sinjalet se Klodjan Braho ishte i preferuari i tyre, i kishin dhënë që nga shtatori. Madje duket se për ta kujtuar një detaj të tillë, diplomatët amerikanë e bënë thuajse të qartë, kur një ditë para zgjedhjes në KLP, kishin ribotuar fotografinë e një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, në zyrën e Brahos në SPAK.

Surprizat duket se u hoqën që në nisje të procesit mëngjesin e 12 dhjetorit 2025, kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që votimi për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme të ishte publik dhe jo i fshehtë.

Pra me 7 vota, nga 11 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Klodjan Braho zgjidhet drejtues i SPAK. Detyrë që do ta marrë zyrtarisht më 19 dhjetor 2025, pasi të mbarojë përfundimisht mandati i Altin Dumanit.

Por kush është në të vërtetë Klodjan Braho?

Cili është profili i paautorizuar i njeriut që nga 19 dhjetori do të udhëheqë institucionin më të fuqishëm të drejtësisë shqiptare?

Ky dokumentar ndjek gjurmët e karrierës së tij. Dosjet e tij më të forta, betejat, dështimet, presionet dhe prioritetet që ai ka vendosur si busull për vitet e ardhshme.

Nga hetimet që kanë rrëzuar ministra, te çështjet që gjykata ia ktheu për plotësim.

Nga lufta me korrupsionin e lartë, te sfidat e një institucioni që kërkon t’i tregojë vendit se askush nuk është mbi ligjin.

 

KUSH ËSHTË KLODJAN BRAHO

 

Klodjan Braho, 44 vjeç, nga Skrapari, i cili ka qenë një prej figurave kryesore të SPAK-ut, është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës, ai u emërua prokuror në vitin 2007. Karrierën e nisi në Prokurorinë e Beratit, ku qëndroi në detyrë deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë edhe një periudhë si zëvendësdrejtues i organit të akuzës atje.

Nga Vlora, ai u transferua më tej në Prokurorinë për Krime të Rënda, në Tiranë, ku u përfshi në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme.

Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

Ndërkohë ai është drejtues i Seksionit të Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.

KARRIERA

  • 14.11.2007 – 2012 Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
  • 2012 – 2015 Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
  • 2014 – 2015 Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
  • 2015 – 19.12.2019 Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
  • 19.12.2019 emërohet Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

 

Nga data 19 dhjetor 2025, ai do marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, por bashkë më të, siç shprehet vetë ai, mund të huazojë edhe disa nga tiparet më të mira nga paraardhësit e tij. Qetësinë e Arben Krajës dhe vendosmërinë e Altin Dumanit.

Teksa lexoi për afro 1 orë platformën e tij për drejtimin e SPAK, që bindi edhe 7 anëtarë të KLP-së që i dhanë votën, Klodjan Braho renditi edhe sfidat që e presin por tregoi edhe vizionin e tij për punën e institucionit më të rëndësishëm të akuzës në vend. Megjithatë nuk la pa përmendur disa herë edhe drejtuesin e ri të BKH, të zgjedhur vetëm disa ditë para tij dhe projektet që ka për të bashkëpunuar për hetimet.

Përveç vijimit të punës, duke ruajtur standardin e krijuar tashmë por edhe besimin e publikut te Prokuroria e Posaçme, duhen korrigjuar edhe defektet. E një defekt i tillë, jo pak i komentuar, madje edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, është marrja dhe sigurimi i provës. Konkretisht sekuestrimi i celularëve. Klodjan Braho e tha qartë gjatë prezantimit të platformës së tij që ligji e thotë qartë mënyrën e procedimit në raste të tilla. Por është i njëjti ligj, që mesa duket nuk u respektua brenda normave në rastet e mëparshme, aq sa u desh vendimi i Kushtetueses për të vendosur ato kufizime, që në fakt i përcakton vetë ligji.

Një tjetër problematikë, me të cilën SPAK është përballur gjatë 6-vjeçarit të funksionimit të tij është edhe publikimi i dosjeve hetimore në media. Madje në shumë raste ka pasur vendim për mospublikimin e tyre nga Gjykata e Posaçme. Megjithatë sërish kjo nuk e ka penguar daljen e akteve. Por Klodjan Braho thotë se disa hetime të nisura në këtë drejtim kanë dhënë efekt. Ndonëse sipas tij, në 99 % të rasteve dosjet publikohen nga palët dhe jo nga Prokuroria e Posaçme.

E si çdo njeri tjetër, edhe Klodjan Braho e ka një pikë të fortë dhe një pikë të dobët. E forta është eksperienca e tij e gjatë në hetimin e korrupsionit dhe e dobëta vëmendja publike, që pas 19 dhjetorit do jetë e shtuar. Megjithatë ai thotë se edhe kësaj do i kushtojë vëmendje, pasi në çdo rast, çdokush ka nevojë përmirësim.

Për Klodjan Brahon, në 6 vite, SPAK ka kaluar edhe eksperienca të vështira, por ai ka dhe një filozofi të vetën dhe njëkohësisht edhe një zgjidhje. Çdo vështirësi sipas tij shndërrohet në aftësi dhe mesa duket kjo mund të kalohet edhe duke e ndarë përgjegjësinë dhe punën për dosjet hetimore me prokurorët e tjerë të SPAK. Sepse sipas tij, qëllimi nuk është që dikush të shkojë në burg, por të vendoset drejtësi.

Goditja e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk do të mjaftonte nëse nuk goditen edhe financat e tyre. “Ndjekja e parasë” është kryefjala e hetimeve në botë e kjo duket do vazhdojë të jetë edhe filozofia e SPAK nën drejtimin e Klodjan Brahos 3 vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të platformës së tij, Braho përmendi se është punuar shumë në këtë drejtim dhe është arritur të konfiskohen mbi 18 milionë euro pasuri, që janë sa dyfishi u buxhetit të SPAK. Por thotë që çdo çështje penale do të shoqërohet me hetim pasuror.

Për Klodjan Brahon, ka rëndësi institucioni dhe jo individi. Duhet të jetë SPAK që të përcaktojë standardin dhe jo emrat e përveçëm, as drejtuesi dhe as ndonjë prokuror. Dhe kjo sipas tij është sfida më e madhe e SPAK.

 

DREJTËSIA QË JEP PADREJTËSI

Prokuroria e Posaçme ka qenë në qendër të retor ikës politike në mesin e muajit shkurt. Që prej arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, debatet publike kanë pasur si kryefjalë SPAK-un.

E teksa diskutohej për drejtësi apo padrejtësi nga ana e Strukturës së Posaçme, që për 5 vite u duk se ishte fytyra më e pastër e drejtësisë së re, erdhën edhe deklarata zyrtare nga të dy krahët.

Më 18 shkurt, kryeministri Edi Rama pranoi se ka disa gjëra që nuk shkojnë edhe me Prokurorinë e Posaçme, pasi është ende një institucion i ri me shumë probleme. Sipas tij ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Por, Rama thonë se nuk mundet që në emër të pavarësisë, të intimidohen njerëz që merren në pyetje. Apo edhe që paraburgimi të kthehet në një normë për të kapur e futur brenda pa gjyq këdo.

Nga ana tjetër, një ditë para tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kur të vijë në pushtet do ta shkrijë SPAK-un. Edhe pse pas arrestimit të Veliajt, ai “amnistoi” të gjithë prokurorët e SPAK, përveç Altin Dumanit. Por deklarata e Berishës erdhi në ditën që po dilte nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. Aty nuk i kurseu sërish sulmet ndaj Altin Dumanit, teksa deklaronte se nëse do i fitonte zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Posaçme do shkrihej, ndërsa prokurorët e lidhur me bandat do futeshin në burg. E në një kohë që dukej sikur fati i SPAK, sipas asaj retorike, do të përcaktohej pas zgjedhjeve të 11 majit, me premtimin e Berishës për shkrirje dhe deklaratën e Ramës për mbështetjen e drejtësisë së reformuar, duket se SPAK-un tashmë e pret edhe një sfidë tjetër.

Sfida me veten. Me prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re.

Altin Dumani: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij!

Në 5 vjet SPAK e ka demonstruar këtë më shumë se çdo institucion tjetër drejtësie ndonjëherë më parë. Dhjetorin e vitit 2024, ky u arsyetua si një mesazh për politikën. Por para ligjit duhet të jenë të bartë edhe vetë ata që japin drejtësi. Pra, vetë prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re. Dhe dëshmia më e fortë për këtë do të jetë dosja që SPAK e ka në dorë që prej korrikut të vitit 2024 dhe që më 20 shkurt 2025 kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Dosje, që me një vendim të gjyqtarit Erion Bani për mospublikim të saj deri në përfundim të hetimeve, asnjë pjesë e saj nuk doli në media. Ndoshta jo pa qëllim, pasi në fashikujt e saj flitej për afera korrupsioni e ushtrim ndikimi të paligjshëm tek gjyqtarë e prokurorë të drejtësisë së vjetër dhe asaj të re.

Po flasim për dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar që prej korrikut të vitit 2024. Pjesë e saj janë edhe një ish-oficere e Policisë Gjyqësore e SPAK, një avokat dhe një biznesmen. Të tre këta janë në kërkim, pasi nuk është arritur arrestimi i tyre. Por çfarë e bën më të rëndësishme këtë dosje, janë komunikimet që 4 personazhet e saj, bëjnë të shpenguar në platformën SKY, duke përmendur aferat me gjyqtarë, prokurorë e punonjës gjykatash.

Teksa prej 5 vitesh dosjet e shumta të Prokurorisë së Posaçme kishin tronditur botën e krimit por jo vetëm, në vitin 2024 një dosje e njohur për publikun si “Dosja Zarka”, duket se tronditi edhe vetë drejtësinë e re.

Deri në atë moment pazaret e krimit më drejtësinë ishin cekur në 2-3 dosje, por skema dhe rrjeti i zbuluar nga komunikimet në Sky mes vetë njerëzve të drejtësisë, treguan se ashtu si krimi i organizuar edhe mes drejtësisë kishte organizim për të dhënë padrejtësi.

Magjistratja Eriona Daupaj, një ish-oficere e Policisë Gjyqësore në SPAK është në qendrën e këtyre komunikimeve bashke me avokatin Radovan Çela dhe me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ky i fundit i arrestuar. Mënyra se si ajo shprehet në komunikimet që “Gjërat Tona” ka lexuar, tregon se mes njerëzve të drejtësisë ka grupime që punojnë së bashku si një rrjet që kryejnë ato që ata konsiderojnë “punë”, për të lehtësuar pozitat e njërit të hetuar apo tjetrit.

Këto linja të zbardhura nga “Dosja Zarka” tregojnë se si kjo “punë” për të prishur një hetim niste që në fazat e para të marrjes në dorë të një referimi derisa kjo dosje shkonte në duart e Gjykatës.

Një nga çështjet më të famshme ku këta njerëz të drejtësisë së re dhe të vjetër kanë vepruar për të dhënë padrejtësi, është dosja e njohur gjerësisht për publikun si “Toyota Auris”, ku u hetua futja në mënyrë të paligjshme e 3.4 milionë eurove përmes Portit të Durrësit. Çështja u hetua fillimisht te Krimet e Rënda, pastaj u shpall moskompetencë dhe u dërgua në Gjykatën e Tiranës.

Historia e kësaj dosje nis më 24 qershor 2018, kur në Portin e Durrësit u sekuestruar rreth 3.4 milionë euro. Në deklaratën zyrtare lidhur me sasinë rekord të eurove që u sekuestruan Policia e Shtetit deklaronte në atë kohë se ishte vënë në dijeni nga burimet vendase, një ditë para se të bëhej një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë. Policia e Shtetit deklaronte se ishte vënë në dijeni më datë 20 qershor 2018 për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, Policia shprehej se u ishte dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.

Çështja e 3.4 milionë eurove fillimisht u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila më pas shpalli moskompetencë dhe hetimin e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por kjo dosje nuk qëndroi shumë as këtu. Pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda, kjo çështje ishte e para që i kaloi për kompetencë rretheve. Fatin e saj e mori në dorë Gjykata e Tiranës, që pas një ping pongu në institucionet e drejtësisë, në nëntor të vitit 2020 shpalli edhe vendimin. Pas më shumë se dy viteve nga sekuestrimi i 3.4 milionë eurove, dosja “Toyota Auris”, përfundoi vetëm me një të pandehur. Gjykata e Tiranës pushoi akuzat për 4 nga 6 të dyshuarit. U dërgua për gjykim vetëm Elvis Vladi, i dyshuar si personi që siguroi automjetet “Toyota” në Belgjikë, me akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi. Ndërsa Agim Çeka, shoferi që solli makinat në Shqipëri, u gjykua vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrollit në shtëpi iu gjet një pistoletë. Gjykata argumentonte se provat e dorëzuara nga Prokuroria nuk provonin përfshirjen e 4 personave të tjerë të dyshuar, duke i zhveshur nga të gjitha akuzat.

Por kjo dosje tashmë është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, kur në vitin 2024 u arrestua ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka.

Në vazhdën e hetimeve për korrupsionin, atë brenda vetë sistemit, Klodjan Braho, ka hetuar edhe dosjen e famshme ndaj Aurel Zarkës. Me të, gjatë ushtrimit të detyrës në të shkuarën, Braho kishte ndarë edhe bankën e akuzës.

Por përtej guximit për të hetuar qoftë edhe një koleg të afërt kur kapet në paligjshmëri, dosja e cila zbuloi kulisat e nëndheshme të drejtësisë për të favorizuar krimin, sot, pas më shumë se 1 viti nga arrestimet, nuk duket të jetë edhe aq e suksesshme në përballje me gjykatën.

Kryeprokurori i ri i SPAK e hetoi atë dosje të fragmatarizuar dhe çoi në gjyq më vetë, Aurel Zarkën, ish-hetuesen e BKH-s, Eriona Daupaj dhe avokatin Radovan Çela, duke i akuzuar se ishin përfshirë në korrupsion e ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndërhyrë në zgjidhjen e çështjes në favor të të hetuarve për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove nga Porti i Durrësit, lirimin e pasurive të Suel Çelës apo edhe në dosje të tjera.

Shkalla e Parë dënoi fillimisht Zarkën me 2 vite e 8 muaj burg, por dosja ngeci në Apel, i cili e zhbëri atë dënim duke konsideruar se SPAK dhe GJKKO, kishin vlerësuar gabim akuzat, pasi ish drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës dhe të hetuarit e tjerë do te duhet të akuzoheshin nga SPAK për grup kriminal që bashkëvepronin për të ndërhyrë në drejtësi në favor të të pandehurve në këmbim të parave.

Dosja aktualisht ndodhet e rekursuar në Gjykatën e Lartë, aty ku SPAK dhe i pandehuri Zarka, kërkojnë të njëjtën gjë, prishjen e vendimit të Apelit.

Nga ana tjetër, më 10 dhjetor 2025, edhe Gjykata e Brukselit ka shpallur moskompetencë për hetimin e dosjes “Toyota Auris”. Gjykata e shpalli veten të paaftë territorialisht për të gjykuar këtë çështje. Dhoma e 46-të e gjykatës penale beson se provat nuk përcaktojnë se kur ose në cilin vend u vendosën këto para të paligjshme në ndarjet e fshehura të automjeteve. Në fakt, kamioni udhëtoi nëpër disa vende përpara se të sekuestrohej nga autoritetet shqiptare. Zyra e prokurorit federal ende ka mundësinë të apelojë këtë vendim.

Kjo dosje, që përfshin vetë njerëzit e drejtësisë në dhënien e padrejtësisë, duket se është edhe një nga ato të debatueshmet që ka hetuar Klodjan Braho. Ai e tha dhe vetë që detyra te ish- Krimet e Rënda dhe te SPAK e ka bërë që të hetojë edhe kolegë të tij edhe gjyqtarë dhe të përfaqësojë akuzën. Me gjithë polemikat për hetimin e dosjes më të përfolur, duket se vetë Braho ka bindjen se edhe njerëzit e sistemit të drejtësisë i ka hetuar me objektivitet.

 

DOSJET MË TË NXEHTA

 

Hetimi i korrupsionit, kryesisht i zyrtarëve të lartë, ka shënjuar karrierën e drejtuesit të ri të SPAK, Klodjan Braho. E duket se kjo është pika e tij më e fortë.

Mes çështjeve më të nxehta që Klodjan Braho ka kryer hetime dhe ka përfaqësuar akuzën në Gjykatë, është edhe ajo e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Në përfundim të seancave gjyqësore, Llalla u shpall fajtor dhe u dënua me një vendim të formës së prerë me dy vite burgim dhe konfiskimin e pasurisë. Megjithatë Llalla ishte larguar drejt Italisë, ku Klodjan Braho nisi dhe një letër-porosi me qëllim ekstradimin e tij.

Nga ana tjetër, një tjetër dosje që ai ka hetuar bashkë me Aurel Zarkën, ishte ajo e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, dosje e cila rrëzoi nga “froni” i Gjikës. Ndërkohë në një çështje tjetër të rëndësishme, Braho arriti të rrëzojë mitin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, duke thyer edhe imazhin e një institucioni të suksesshëm. Hetimi i Klodjan Brahos depërtoi me sukses në aferën korruptive të njohur ndryshe si skema “5D” që tregonte veprimet abuzive me fondet publike që kryenin drejtorët e Bashkisë Tiranë. Njëherësh Braho, urdhëroi arrestimin e disa zyrtarëve dhe personave të tjerë biznesmenë që kryen procedurat e ndërtimin të inceneratorit të Elbasanit. Pas këtyre veprimeve ai u përball me një fushatë të egër mediatike, e cila u venit me kalimin e kohës.

Por nga ana tjetër, Klodjan Braho është edhe prokuror i dosjes së Gërdecit, që po hetohet prej vitit 2021 megjithatë ende nuk është marrë asnjë vendim. Braho është pjesë e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në tragjedinë e Gërdecit.

Vetë detyra e tij, e ka detyruar Klodjan Brahon të përballet edhe me sfida gjatë hetimeve që ka kryer për korrupsionin. Por teksa pyetet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një zgjedhje, mes stabilitetit të vendit apo pavarësisë si prokuror për të vënë drejtësi, ai e ka një përgjigje edhe për këtë.

Vetë objektivi i Prokurorisë së Posaçme është të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Që nga themelimi i kësaj strukture, dosje të tilla ka pasur me shumicë. Janë goditur grupe e organizata mjaft të fuqishme te krimit të organizuar, por edhe zyrtarë të nivelit më të lartë të pushtetit qendror dhe atij vendor. Duke i njohur meritat edhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, Klodjan Braho thotë se problematike ngelet korrupsioni që duket se do të jetë edhe prioritet e politikës penale të SPAK në vazhdim.

Megjithatë Braho pranon se korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm nga SPAK edhe pse sipas tij faktet tregojnë se është goditur. Por jo çdo formë korrupsioni që ndodh në vend mund të zbulohet dhe është pothuajse e pamundur që kjo të ndodhë. Për të arritur në nivelin që të mos ketë korrupsion, duhet diçka më shumë sesa vetë SPAK-u.

Ashtu si paraardhësi i tij Altin Dumani, edhe Klodjan Braho duket se ka të njëjtin qëndrim për Policinë e Shtetit. Nisur nga shqetësimi i ngritur për një numër të ulët referimesh nga organet ligjzbatuese në SPAK, Braho e pranon si të vërtetë. Por nga ana tjetër nuk heziton që të flasë edhe hapur. Në vazhdon mund të arrihet që Policia e Shtetit do të jetë e pavenojshme, pasi SPAK dhe BKH do të kenë strukturën e mjaftueshme për të qenë proaktivë dhe për të nisur vetë hetime.

Me gjithë punën e bërë në 6 vite, me gjithë arritjet e ndonjëherë edhe dështimet, Klodjan Brahon pas datës 19 dhjetor 2025 e presin sfida edhe më të mëdha. Cilësia e jetës së tij ka qenë disi më ndryshe nga ajo e qytetarëve të zakonshëm.

Këto kanë ndodhur kur ishte prokuror, por situatat mund të ndryshojnë tani që është drejtues i strukturës më të rëndësishme hetimore në vend. Mund të mos jetë vetëm çështje ekspozimi, por në ndonjë rast edhe rreziku.

Një sinjal kujdesi, apo ndoshta edhe ndonjë mesazh tjetër, Braho e dha vetë ditën kur edhe u zgjodh nga KLP si drejtues i SPAK. Teksa ulej për të prezantuar platformën e tij, ai nxori nga çanta një gotë plastike dhe e vendosi krah shishes me ujë mbi tavolinë. Nëse ishte sinjal për sigurinë, mesazh për vazhdimësinë e punës së SPAK, apo thjeshtë një zgjedhje e tij për të konsumuar ujin në gotë dhe jo në shishe si kolegët e tij që kishin folur para tij, këtë nuk mund ta themi. Megjithatë ky veprim i Klodjan Brahos mori të gjithë vëmendjen e medias.

Detyra e tij e re në drejtim të SPAK, do e përballë me shumë sfida dhe vështirësi, siç u shpreh vetë ai.

Megjithatë çdo situatë e vështirë, ka një zgjidhje të lehtë dhe ajo është përmes zbatimit të ligjit. Me këtë filozofi, Klodjan Braho mori votëbesimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

 

 

Kur gjykata tenton qeverinë/ Rasti “Balluku”, pezullim apo ndërhyrje, balanca e pushteteve në provë

7 December 2025 at 20:53

Demokracia funksionon mbi një parim të thjeshtë: Askush nuk është mbi ligjin.

Por në Shqipëri, ky parim po testohet në një skenë publike, para syve të të gjithëve.

Kur Prokuroria e Posaçme ngriti dyshimet dhe ndërmori hetime ndaj zëvendëskryeministres, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, më 19 nëntor 2025 Gjykata vendosi pezullimin nga detyra. Një masë e justifikuar me pretendimin e ndikimit në procesin hetimor.

Në letër gjithçka duket e qartë. Shteti funksionon me rregulla. Një institucion vepron, tjetri respekton kufijtë. Por realiteti politik është shumë më kompleks.

Qeveria e çon rastin në Gjykatën Kushtetuese dhe pretendon për shkelje të ndarjes së pushteteve. Argumenti: Vendimi për pezullim nuk i përket Gjykatës. Është kompetencë e kryeministrit.

Kjo është pika ku fillon përplasja. Dhe ajo nuk është një përplasje mes individëve, por mes pushteteve. Kush e ka të drejtën të kufizojë një funksionar të lartë të qeverisë?

Ekzekutivi është i bindur se Gjykata  po tejkalon kompetencat. Gjykata dhe SPAK janë të bindur se ligji e mbron hetimin.

Dy lexime të së njëjtës Kushtetutë. Dy interpretime të të njëjtit nen, atij 103 që thotë:

  1. 1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
  2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
  3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Dhe është pikërisht pika 3 e këtij neni që ka hapur debat. Pra nëse sipas Kushtetutës, një anëtar i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit, atëherë Prokuroria duhej t’i drejtohej më parë Kuvendit dhe jo të merrte vendim.

Dhe Shqipëria, e ndarë mes mbështetjeve politike, bëhet rrëfim i një historie më të madhe: Të drejtësisë që kërkon të fuqizohet dhe pushtetit që nuk dëshiron të dorëzojë influencën.

Në këtë përplasje, secili institucion thotë se po mbron demokracinë. Por mos vallë demokracia po përdoret vetëm si argument? Pas çdo vendimi ka një efekt. Një vendim që duhej të ishte thjesht teknik, bëhet një lëvizje politike.

Tani, gjithë vëmendja kthehet tek një institucion i vetëm që mund t’i japë përgjigje këtij ngërçi: Gjykata Kushtetuese.

Ajo duhet të përcaktojë vijat e kuqe. Ku mbaron fuqia e qeverisë, ku fillon ajo e drejtësisë dhe kush i ruan balancat kur pushtetet përplasen?

VENDIMMARRJE QË SHTYHET

Në çdo demokraci, Gjykata Kushtetuese është roja e fundit. Ajo vendos kur pushtetet tejkalojnë kufijtë e tyre. Ajo garanton që ligji të mos përdoret si armë politike.

Në këtë histori gjithçka zbërthehet pikërisht këtu. Sepse vetëm Kushtetuesja mund të thotë se kush ka të drejtë në këtë rast. Qeveria apo Gjykata.

Por ndërsa debati në media nxehet, Kushtetuesja hesht.

Vendimi vonon. Dhe kjo vonesë nuk është neutrale. Sa më tepër të zgjatet, aq më shumë ndryshon realiteti i pushtetit.

Përballë dy leximeve të kundërta, Kushtetuesja duhet të vendosë kush ka autoritetin final. Drejtësia penale apo politika ekzekutive.

Juristët paralajmërojnë se nëse pushteti ekzekutiv mund të zhbëjë masat e Gjykatës, atëherë cilat garanci ruajnë hetimin ndaj zyrtarëve të lartë?

Por nga ana tjetër, nëse SPAK mund të pengojë funksionimin e qeverisë, a mos po krijojmë një pushtet të katërt, më të fuqishëm se të tjerët?

Këto nuk janë lojëra fjalësh. Janë pyetje që prekin themelet e një shteti.

Ekspertët e së drejtës kushtetuese kanë 3 dilema: Kush vendos pezullimin? Sa i madh është imuniteti i ministrave? A po krijohet precedent i rrezikshëm për të ardhmen?

Në këtë betejë ligjore secila palë argumenton se është mbrojtësja e shtetit të së drejtës. SPAK duke thënë se askush nuk duhet të jetë mbi një hetim dhe Qeveria që thotë se askush nuk duhet të ndërhyjë në pushtetin ekzekutiv.

Në letër të dyja kanë të drejtë. Por vetëm “e drejta” nuk mjafton. Duhet interpretim. Dhe interpretimi i përket vetëm Gjykatës Kushtetuese.

Por sa kohë ajo nuk flet, pushteti i heshtjes rritet. Besimi i publikut dobësohet.

Transparency International paralajmëron se besimi tek institucionet matet edhe me vendimmarrjen në kohë. Shteti nuk mund të qëndrojë pezull, përkohësisht, përgjithmonë.

Në çdo vend europian, konflikti i kompetencave trajtohet pa vonesë, sepse heshtja është vetë përgjigja më e rrezikshme: Nuk ka rregulla të qarta.

Kjo çështje është kthyer në test të së vërtetës. A është Shqipëria gati të ketë institucione që kontrollojnë me të vërtetë njëra-tjetrën apo balanca e pushteteve mbetet vetëm në teori?

Ndërkohë ora ecën, opinioni pret, hetimet vazhdojnë. Dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka folur ende.

Data fillestare e caktuar për një vendim, ishte data 2 nëntor. Por në këtë datë, Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte përfunduar shqyrtimin paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Shqipërisë lidhur me çështjen e pezullimit të ministres Belinda Balluku nga GJKKO. Kolegji i Gjykatës u mblodh sipas planifikimit dhe shqyrtoi aspektet formale të kërkesës, si kompetenca, afatet, legjitimimi i kërkuesit dhe rregullshmëria procedurale. Kolegji prej tre gjyqtarësh vendosi që çështja të kalojë në fazën e dytë të procedurës, pra në mbledhjen e Gjyqtarëve, pa marrë një vendim të menjëhershëm për pranimin ose mospranimin e kërkesës. Ky vendim tregon se Kolegji nuk ka arritur një vendimmarrje unanime për ta dërguar çështjen direkt në seancë plenare, por as nuk e ka rrëzuar kërkesën në fazën e parë. Për rrjedhojë, sipas praktikës së Gjykatës Kushtetuese, dosja i kalon Mbledhjes së të gjithë gjyqtarëve, të cilët do të rivlerësojnë kriteret formale dhe nëse ekziston një kërkesë për pezullim të aktit të kontestuar, mund ta shqyrtojnë atë në këtë fazë.

Në këtë pikë të procesit, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar mbi fatin e kërkesës së kryeministrit, por vetëm ka hapur rrugën për një vlerësim më të gjerë institucional. Vendimi përfundimtar i Mbledhjes së Gjyqtarëve, qoftë për mospranim, qoftë për kalim në seancë plenare për shqyrtim në themel, u vendos që të zhvillohej më datë 4 dhjetor 2025.

Por teksa pritej një vendimmarrje, Gjykata Kushtetuese publikoi një tjetër njoftim zyrtar, ku sqaron afatin e shqyrtimit paraprak. Sipas njoftimit, Gjykata ka vendosur që shqyrtimi paraprak nga Mbledhja e Gjyqtarëve të zhvillohet më 12 dhjetor 2025, duke shtyrë kështu çdo vendimmarrje deri në këtë datë.

Gjykata Kushtetuese

Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi në një komunikim me mediat nga Kryesia e Kuvendit vendimin e Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Balla u shpreh se është në një linjë me kryeministrin për faktin se Gjykata nuk mund të pezullojë një ministre.

Taulant Balla

Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti i vetëm që bën ligjin në Shqipëri, s’ka autoritet tjetër, mos krijoni lidhje që nuk ekzistojnë. Kuvendi i di detyrat e veta që ka në kudër të këtij procesi. Përmbushja e detyrave të shtëpisë nga Shqipërisë për BE lidhet me legjislacionin. E kam ndjekur këtë gjë në Kroaci në 2009-ën. Nuk po shpikim diçka, por janë disa detyra që duhet t’i bëjë vendi ynë. Janë gjëra që duhet të bëhen me opozitën. SPAK ka bërë një punë të shkëlqyer. Sa i përket rastit në fjalë, kryeministri ka qenë i qartë. Ka pasur një vendim nga GJKKO për pezullimin e një ministri. Në vlerësimin e kryeministrit, por dhe un edhe pas 21 vitesh, mendoj se nuk e ka një kompetencë të tillë gjykata, të pezullojë një ministër, sepse Kushtetua sipas nenit 103, pika 3 e ka barazuar ministrin me deputetin sa i takon imunitetin. Megjithatë, për fat të mirë, rendi kushtetues e ka përcaktuar qartë, që kur ke një ankesë, e çon në Gjykatën Kushtetuese. Të presim Kushtetuesen.

Në këtë vakum institucional shtrohet pyetja: Kush e mbron demokracinë kur institucioni përgjegjës nuk vendos? A është kjo neglizhencë? Apo është pikërisht strategjia? A po shmanget përplasja? Apo po shtyhet qëllimisht duke e afruar vendimin pikërisht me datën kur Altin Dumani përfundon mandatin e tij si drejtues i SPAK.

Sepse, në fund të ditës çdo ditë pa vendim, është një vendim në vetvete.

Por nga ana tjetër, me këtë vendim për shtyrje, vetë Gjykata Kushtetuese po tregon se në fakt nuk po vepron me të njëjtin standard. Ndryshe veproi në rastin e Erion Veliajt, duke marrë në shqyrtim me shpejtësi kërkesën e tij dhe njëkohësisht duke vendosur në favor të tij, ndryshe po vepron në rastin e kërkesës së kryeministrit.

Dy standardet e Gjykatës Kushtetuese janë një tjetër tregues për përplasjen e pushteteve. A po tenton vërtetë gjyqësori të dominojë mbi ekzekutivin, apo të marrë edhe atributet që nuk i takojnë?

KËRKESA NË KUSHTETUESE

Një ditë pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e pezullimit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, konkretisht më 21 nëntor 2025, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një kërkesë për vënie në lëvizje Gjykatës Kushtetuese. Objekt i kësaj kërkesë prej 19 faqesh, ishte zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Në pikën e dytë, kërkohet shfuqizimi i vendimit nr.118, të datës 19 nëntor 2025 të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Gjithashtu kërkohet pezullimi i efekteve të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundim të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, interpretimin e pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës, në kuptimin që “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta por edhe legjislacioni procedural.

Kërkesa e Kryeministrit

Me vendimin e saj nr.118, datë 19 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera të caktojë masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë për zonjën Belinda Balluku. Kryeministri vlerëson se vendimi në fjalë është një akt antikushtetues për arsyet e mëposhtme:

  1. Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili sipas pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit.
  2. Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në Nenin 7 të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
  3. Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese, që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë.

Për këto arsye, kryeministri kërkon nga Gjykata Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë akt, duke zgjidhur njëkohësisht edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit, për shkak të faktit që GJKKO, duke vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës së ministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, duke krijuar de facto një situatë juridike të ngjashme me shkarkimin, ka ndërhyrë në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të Kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit.

Në kërkesë bëhet edhe shpjegimi mbi legjitimimin e kërkuesit:

Kërkesa e Kryeministrit

Për sa i përket legjitimimit, Kryeministri është një nga subjektet që kanë të drejte të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, bazuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 134 të Kushtetutës. Në pikën 2 të të njëjtit nen, Kushtetuta ka parashikuar se “Subjektet e parashikuara në paragrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h’, dhe “i”, të paragrafit 1 të këtij neni, mund të bëjë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Në rastin konkret, bëhet fjalë për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për gjykimin e një mosmarrëveshje kompetence, në përputhje me shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 113 të Kushtetutës, e cila ka lindur ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër, për shkak të miratimit nga kjo e fundit të masës së ndalimit “Pezullim të ushtrimit të detyrës”, të dhënë për Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Një pezullim i tillë cenon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, si organ që përbën pushtetin ekzekutiv, në disa nga fushat e përgjegjësisë së tij, konkretisht fusha e përgjegjësive shtetërore e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, miratuar me vendimin nr.508, datë 25 shtator 2025, të Këshillit të Ministrave. Përveçse një pezullim i tillë përbën në vetvete ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, sjellim në vëmendje se vendimmarrja në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës krijon gjendje de facto të shkarkimit të tij.

Në këtë mënyrë, ndërhyhet në diskrecionin që Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese i ka njohur Kryeministrit për të propozuar ministra, që ai vlerëson të jenë pjesë e kabinetit të tij qeverisës. Ndërhyrja në pushtetin ekzekutiv nëpërmjet këtij akti shtrihet edhe në shkeljen që ai i bën garancisë së parashikuar në pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës. Duke parashikuar se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit, kjo dispozitë kushtetuese i ka njohur ministrit të njëjtat garanci, përfshirë edhe ato procedurale, që ka edhe deputeti. Garanci, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e vetë ministrit dhe të Këshillit të Ministrave, si organi më i lartë ekzekutiv kushtetues, i pavarur.

Çka do të thotë se në rast se nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, nuk mund të vendoset ky pezullim as për anëtarin e Këshillit të Ministrave, sepse në të kundërt, do të pezullohej vetë veprimtaria shtetërore e ekzekutivit që ai drejton. Në këtë kuptim, garancia e anëtarit të Këshillit të Ministrave nuk përbën thjeshtë interes të vetë individit që ushtron detyrën e ministrit, por të Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, ku ai është anëtar dhe që tashmë për shkak të vendimit me efekt pezullues të GJKKO-së, është penguar në përmbushjen e një sërë kompetencash të veta.

Kërkesa e Kryeministrit

Theksojmë se tashmë Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë në shqyrtim dhe as të nxjerrë akte sipas ligjit nr.9000/2003, për asnjë nismë, në rastin konkret, në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Për të gjitha këto arsye, Kryeministri, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, legjitimohet për paraqitjen e kësaj kërkesë. Së fundi, për sa i përket legjitimimit, është e qartë që kërkesa paraqitet brenda afatit 6-mujor nga çasti i lindjes së konfliktit. Kujtojmë se vendimi i GJKKO-së mban datën 19 nëntor 2025 dhe i është njoftuar Kryeministrisë në datën 20 nëntor 2025. Mosmarrëveshja e kompetencës shtrohet në dy raste:

  1. Kur objekti i mosmarrëveshjes është ndërhyrja në kompetencat e një organi kushtetues.
  2. Kur konflikti i mirëfilltë i kompetencave lidhet me faktin nëse një organ nxjerr akte, që cenojnë sferën e kompetencave të organit tjetër.

Në kërkesë sqarohet me detaje edhe themeli i saj, pra cenimi i imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, sipas pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës: “Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit”.

Imuniteti i deputetit përbëhet nga të gjitha garancitë kushtetuese dhe ligjore, që i takojnë këtij të fundit, qoftë ato që i sigurojnë mungesën e përgjegjësisë për mendimet dhe vendimet, që jep në ushtrim të funksionit, qoftë ato që i japin mbrojtje të veçantë procedurale gjatë procedimit penal. Në këtë kuadër, në kërkesë theksohet se barazia që ka vendosur Kushtetuta në trajtimin e deputetit dhe ministrit, në kuadër të imunitetit, shtrihet në të gjitha të drejtat procedurale që u takojnë këtyre subjekteve, si për ato që janë parashikuar në mënyrë të shprehur nga vetë Kushtetuta, në nenin 73 të saj, ashtu dhe për ato që përmban ligji procedural penal, konkretisht Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale:

  1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, Gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
  2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Sipas kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është e qartë se koncepti i “personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral” përfshin në kuptimin e drejtpërdrejtë, deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.

Kërkesa e Kryeministrit

Arsyet përse vlerësojmë se garancia e mësipërme i përket anëtarit të Këshillit të Ministrave, po aq sa edhe deputetit, janë si vijon:

Kushtetuta barazon në aspektin substancial gëzimin e imunitetit të anëtarit të këshillit të Ministrave, në analogji të njëjtë me imunitetin e deputetit. Duke barazuar mbrojtjen ligjore të anëtarit të Këshillit të Ministrave me atë të deputetit, Kushtetuta i ka dhënë të njëjtin kuptim juridik imunitetit për të dyja këto kategori funksionesh dhe për shkak të funksionit të tyre të lartë shtetëror, garantohet edhe një mbrojtje e veçantë ligjore.

Për pasojë, ashtu sikurse anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat garanci të deputetit, sipas nenit 73 të Kushtetutës, po njësoj gëzon edhe garancitë që deputetit i njeh neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.

Garancia e deputetit nga masa ndaluese e pezullimit nga detyra është një e drejtë, që për nga natyra dhe përmbajtja, përfshihen tipikisht në konceptin e “imunitetit”, duke qenë se është edhe kjo një garanci, në kuadër të procesit penal, që buron për shkak të detyrës. Duke qenë norma të së njëjtës natyrë dhe qëllimi, si rregullat e Nenit 73 të Kushtetutës, edhe rregulli i Nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, përfshihen në kuptimin e imunitetit dhe të dyja i nënshtrohen analogjisë së vendosur nga pika 3 e Nenit 103 të Kushtetutës. Nisur nga kjo, pavarësisht se “ndalimi i pezullimit” është i parashikuar vetëm në Kodin e Procedurës Penale dhe jo në Kushtetutë, thelbi i çështjes është barazia në pozitë ndërmjet dy subjekteve, si një rregull kushtetues dhe jo niveli normativ i aktit nga ku buron garancia.

Kërkesa e Kryeministrit

Zbatimi për analogji i Nenit 242 në rastin e ministrit nuk vjen vetëm si një konkluzion i logjikës formale prej Nenit 103/3 të Kushtetutës, por mbështetet në një përligje të arsyeshme, që ka të bëjë me pozitën kushtetuese, respektivisht të anëtarit të Këshillit të Ministrave dhe të deputetit. Prej nga buron edhe vetë motivi përse neni në fjalë i Kushtetutës e ka vendosur këtë “barazim”. Secili prej të dyve përfaqësojnë jo vetëm funksione kushtetuese, por organin më të lartë të pushteteve përkatëse, që përbëjnë bazën e funksioneve ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, pa të cilët ky i fundit nuk mund të ekzistojë.

Synimi i pikës 2 të nenit 242, ashtu si edhe normat e vendosura në nenin 73 të Kushtetutës, nuk është dhënia e privilegjeve ndaj individit, që ushtron detyrën e deputetit, por sigurimi i kushteve që funksioni kushtetues i deputetit të përmbushet në mënyrë të pavarur. Kjo, duke kufizuar mundësinë që ai të vendoset në kushtet kur nuk mund të ushtrojë dot detyrën e tij.

Në këtë linjë arsyetimi, çdo gjendje që “pezullon” apo kufizon mundësinë e deputetit për të ushtruar detyrën e tij, në bazë të Kushtetutës, mund të vijë vetën në mënyrë të tërthortë, si rrjedhojë e masës së sigurimit personal, që ia bën atij të pamundur de facto që ta ushtrojë atë dhe asnjëherë ndaj tij nuk mund të nxirren akte që synojnë posaçërisht t’i pezullojnë ushtrimin e funksioneve. Për sa kohë që deputeti nuk gjendet në rrethanat që pasjellin përfundimin e mandatit të tij, sipas pikës 2, të Nenit 71 të Kushtetutës, e vetmja mundësi dhe i vetmi rast tjetër që Kushtetuta ka parashikuar se mund ta pengojë atë në ushtrimin e detyrës, është rasti kur ai duhet t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal, që i kufizojnë lirinë, “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”, si masat më të rënda që mund të jepen gjatë procedimit penal. Për pasojë është e qartë që Kushtetuta nuk e lejon pengimin e deputetit për të ushtruar detyrën në asnjë rrethanë tjetër dhe kjo është arsyeja përse ligjvënësi e ka përjashtuar atë së bashku me të zgjedhurit e tjerë nga aplikimi i masës ndaluese “pezullim i ushtrimit të detyrës”.

Në këtë linjë, përderisa ministri është anëtar i organit më të lartë ekzekutiv, është e justifikueshme që ai të ketë të njëjtën garanci në ushtrimin e detyrës së tij, njësoj si deputeti në pushtetin ligjvënës. Nëse u referohemi të zgjedhurve të tjerë, ata janë kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, të cilët gëzojnë mbrojtje të posaçme në ruajtjen dhe ushtrimin e mandatit të tyre, të cilën ua garanton Neni 115 i Kushtetutës, duke rregulluar rastet kur ata mund të shkarkohen për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve.

Duke pasur garanci të tillë, edhe për këta funksionarë të zgjedhur, Kodi i Procedurës Penale nuk mund të parashikonte mundësinë e pezullimit të tyre nga detyra, sepse kjo do të tejkalonte parashikimet kushtetuese në një kohë kur nuk është provuar shkelja e rëndë sipas nenit 115 të Kushtetutës.

Kërkesa e Kryeministrit

Përderisa ligji e ka parashikuar garancinë e mospezullimit nga detyra të kryetarit të bashkisë, sipas Neni 242 të Kodit të Procedurës Penale, do të ishte joproporcionale dhe e paarsyeshme që e njëjta garanci të mos aplikohej për organin ekzekutiv në nivel qendror, ministrin – anëtarin e Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu, për sa i përket faktit që pika 2 e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale u referohet vetëm “të zgjedhurve sipas ligjit elektoral” si të përjashtuar nga masa ndaluese, kujtojmë këtu se Kryeministri dhe ministrat, në të vërtetë nuk mund të konsiderohen si funksionarë të zakonshëm të emëruar. Ata emërohen nga Presidenti por i nënshtrohen miratimit nga Kuvendi. Pra, zgjidhen nga vetë organi që përfaqëson sovranin.

Gjejmë rastin të përmendim se edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.39, datë 23 qershor 2000 të saj, e ka analizuar ministrin si funksionar, që ka të njëjtin trajtim procedural për efekt të imunitetit, si deputet.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, vendimi nr.118, datë 19 nëntor 2025 i GJKKO-së, është një vendim i nxjerrë jo vetëm me interpretim të gabuar të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, por, si rrjedhojë edhe në shkelje të garancisë kushtetuese, të pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, që parashikon se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit.

Për pasojë, sipas kërkesës së kryeministrit në Kushtetuese, është i mjaftueshëm edhe vetëm ky shkak për të vendosur shfuqizimin e vendimit të mësipërm të GJKKO-së, si një vendim i papajtueshëm me Kushtetutën.

Më tej, në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese është sqaruar edhe cenimi i parimit të ndarjes së pushteteve, parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës:

Sistemi i qeverisjes së Republikës së Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Kërkesa e Kryeministrit

Ky parim është trajtuar e shtjelluar në mënyrë të përsëritur dhe të zgjeruar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, e cila, në vijimësi është shprehur për të si vijon:

Gjykata ka theksuar se, në bazë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, tri pushtetet qendrore duhet të ushtrohen jo vetëm në mënyrë të pavarur, por edhe në mënyrë të balancuar. Kjo gjë arrihet nëpërmjet zgjidhjeve kushtetuese, që garantojnë kontroll të ndërsjellë dhe ekuilibruar të mjaftueshëm midis pushteteve, pa cenuar dhe pa ndërhyrë në kompetencat e njëri – tjetrit. (vendimi i datës 12.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese) Ky parim përfshin pushtetet në rrafsh horizontal, ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe në rrafsh vertikal, pushtet qendror – qeverisje vendore, prandaj, në rastin në shqyrtim, Gjykata do të vlerësojë kompetencat ndërmjet pushtetit legjislativ dhe atij vendor nën dritën e parimit të ndarjes së pushteteve (vendimi i Gjykatës Kushtetuese 29/2021).

Sipas kërkesës së kryeministrit, kjo ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, si dhe të atij legjislativ, sjell për pasojë prishjen e rendit juridik dhe cenon parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve, duke krijuar jo vetëm pezullimin e ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, por njëkohësisht edhe pezullimin e dekretit të Presidentit dhe vendimin e Kuvendit, përmes të cilit ky funksionar politik i zgjedhur ushtron këtë detyrë të lartë shtetërore me përgjegjësi politike përpara zgjedhësve.

Kërkesa e Kryeministrit

Krijimi i një vakance artificiale të përkohshme, të parashikuar në Kushtetutë dhe të ndaluar në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, krijon pasojë në funksionimin e pushtetit ekzekutiv duke sjellë për pasojë mungesën e drejtimit politik në përmbushje të përgjegjësive shtetërore në raport me fushën e përgjegjësisë, që mbulohet nga anëtari i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Kryeministri, i emëruar nga Presidenti dhe i konfirmuar nga Kuvendi.

Kryeministri si organ i kompetencës propozuese, nuk mund t’i propozojë Presidentit një masë pezulluese për një anëtar të Këshillit të Ministrave, duke qenë se kompetenca e tij kushtetuese është e qartë dhe nuk lë vend për interpretim dhe a vetëm mund të propozojë emërimin ose shkarkimin, ndërkohë që “pezullimi” i një anëtari të Këshillit të Ministrave nuk njihet nga sistemi juridiko-kushtetues i shtetit shqiptar. Mungesa e njohjes dhe e parashikimit nga Kushtetuta e nocionit të “pezullimit” për anëtarët e Këshillit të Ministrave arsyeton pamundësinë faktike të materializimit të këtij nocioni juridik për kabinetin qeverisës, i cili sipas Kushtetutës, është gjithnjë në detyrë në përgjigje të përgjegjësive dhe detyrimeve kushtetuese të ushtrimit të pushtetit ekzekutiv në vend.

Në fund të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me qëllim pranimin e saj, renditën edhe 10 pikat që Kryeministri rendit në këtë kërkesë:

Kërkesa e Kryeministrit

  1. Pezullimin e vendimit të GJKKO, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
  2. Në bazë të kompetencave, Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë pezullimin e vendimit të GJKKO, për shkak se prek interesa të larta shtetërore, shoqërore, por edhe të vetë individëve.
  3. Përmes caktimit të masës së përkohshme, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën të hyjë në fuqi është i domosdoshëm, pasi mbron sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, duke ruajtur funksionalitetin e pushtetit ekzekutiv.
  4. Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave.
  5. Kushtetuta nuk lejon vakumin në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe për rrjedhojë është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që të parandalojë krijimin e një vakance të tillë. Për rrjedhojë është domosdoshmëri që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë në pezullimin e vendimit të GJKKO, në mënyrë që të shmangen pasojat e rënda për shtetin, si rrjedhojë e pamundësisë së funksionimit të Këshillit të Ministrave.
  6. Është interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit, të ushtruara përmes propozimit, emërimit dhe konfirmimit nga secili institucion, të cilat me vendimin e GJKKO-së janë pezulluar, të vazhdojnë të prodhojnë efekt juridik.
  7. Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive. Është në interes shtetëror që ky parim të ruhet dhe të mbrohet.
  8. Pezullimi si ministër apo si zëvendëskryeministër, përveçse shkakton mosfunksionim të Këshillit të Ministrave, pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësive të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
  9. Interesat individuale të qytetarëve preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pezullimi i funksionimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të vetë Këshillit të Ministrave.
  10. Duke vlerësuar pezullimin e vendimit të GJKKO të një interesi shtetëror, shoqëror dhe individual, kërkojmë nga Gjykata që të aprovojë kërkesën dhe të bëjë pezullimin derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.

REFORMA NË DREJTËSI

Në një kohë kur Shqipëria është më afër se kurrë drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian, duket se vetë drejtësia e reformuar është kthyer në një problematikë të panevojshme, duke marrë kritika nga kongresmeni amerikan Keith Self. Sipas tij, drejtësia shqiptare që u ngrit për njerëzit nuk po u shërben më atyre.

Kongresmeni amerikan ka ngritur shqetësime për reformën në drejtësi. Ai nënvizoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur ndërsa thotë se rezultat aktuale ngrenë pikëpyetje  nëse qytetarët po marrin drejtësi të paanshme.

Kongresmeni Keith Self

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatimi, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç është menduar dhe po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar.

Kryetari i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve ka evidentuar stokun e lartë të dosjeve të pazgjidhura, vonesat e të cilave, cenojnë edhe besimin e qytetareve tek drejtësia.

Kongresmeni Keith Self

Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë fakti që numri i rasteve të prapambetura në nivel kombëtar është zgjeruar nga afërsisht 16,000 raste në fillim të reformës në rreth 200 000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesa të tilla dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor.

Aktualisht edhe socialistet kanë propozuar ndryshime në reformën në drejtësi, të cilat parashikojnë korrigjime në dy ligje atë “për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Po ashtu projektligji parashikon që përmes një dispozite kalimtare, deri sa të kryhet procesi i zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, kryetaret aktuale të gjykatave dhe prokurorive që nuk kanë një emër të rregullt do të konsiderohen të zgjedhur deri ne 31 dhjetor 2028.

Edhe vonesat në vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, sidomos për çështje që janë prioritete pasi prekin vetë shtetin, duket se janë një problematikë e gjithë sistemit të drejtësisë.

Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet të mbrojë balancën e pushteteve. Por sa kohë nuk vendos, ai ekuilibër mbetet vetëm në letër. Sot hetimet vazhdojnë në prapaskenë. Qytetarët presin dhe shohin.

Më shumë se një rast i izoluar, kjo është një provë për besimin tek shteti.  Kjo çështje nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, ka të bëjë me rregullat që do të vlejnë për të gjithë.

Secili prej nesh e di, pushteti ndryshon duar. Sot e ka njëra palë, nesër një palë tjetër. Zgjidhja nuk është të fitojë njëra palë. Zgjidhja është që të fitojë sistemi.

Demokracia nuk ka nevojë për heronj. Ajo ka nevojë për institucione që funksionojnë. Rasti “Balluku” është më shumë se një konflikt kompetencash.

Është një pyetje thelbësore: Kush e mbron shtetin kur pushtetet përplasen? Balanca e pushteteve mbetet sërish në provë. Në pritje të vendimit që Gjykata Kushtetuese për vetë faktin e rëndësisë së çështjes, duhej ta kishte dhënë me kohë.

Por në vend të kësaj vetëm e shtyn një vendimmarrje, me pretekstin e volumit por më tepër me pretekstin e agjendës së saj.

Gjërat Tona/ “21 Janari” – Urdhri i padukshëm

23 November 2025 at 20:55

Ka disa momente kur historia nuk shkruhet në libra, por në gjakun e njerëzve të zakonshëm.

21 janari 2011 ishte një ditë e tillë.

Katër qytetarë, katër jetë të pafajshme, u shuan në bulevardin e kryeqytetit, nga tytat e armëve të shtetit të tyre.

Vrasja e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt do të hapte një plagë që prej gati 15 vitesh nuk po shërohet. Dhe sot, më shumë se kurrë, ajo plagë kërkon të flasë.

Jo më për ata që qëlluan, por për ata që urdhëruan.

Dilema 15-vjeçare për 4 vrasjet e ndodhura para Kryeministrisë, duket se më në fund mund të marrë përgjigje. SPAK pas disa hezitimesh, më 12 mars 2024 u urdhërua nga Gjykata e Lartë që të regjistrojë procedim penal.

Urdhër që e vuri në zbatim shumë shpejt. Më 23 tetor 2024 nisi marrja në pyetje e zinxhirit të Policisë së Shtetit. Duke nisur me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, Hysni Burgajn, që në atë kohë ishte drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj. Hetimet shkuan edhe më lart, kur u thirrën për t’u marrë në pyetje ata që nuk kishin dëshmuar kurrë për  “21 janarin”. I pari Lulzim Basha, në cilësinë e ish-ministrit të Brendshëm dhe i dyti Sali Berisha, në cilësinë e Kryeministrit.

Grupi i hetimit të posaçëm drejtuar nga prokurori Alfred Shehu kërkoi çdo material që disponon Prokuroria e Tiranës, përfshirë nëse ka pasur apo jo urdhër ndalime të tjera për 4 vrasjet në bulevard dhe dokumentet që lidhen me planin e masave, shoqërimet e protestuesve.

 

VITET E HESHTJES

Ndonjëherë drejtësia nuk është e verbër, por është e shurdhët. Të paktën kështu dukej.

Hetimi u mbyll. U rihap. U mbyll sërish. Prova që zhdukeshin. Dëshmitarë që nuk flisnin. Urdhra që askush nuk i merrte përsipër.

U dënuan dy gardistë. Por jo ata që morën vendimet. Jo ata që dhanë urdhrat.

Në sytë e familjarëve ishte sikur shteti po i vriste dy herë. Herën e parë me plumba. Herën e dytë me heshtje.

Në kërkim të drejtësisë, familja e Aleks Nikës nuk u dorëzua. Ata sollën prova të reja, analiza të thelluara, ekspertiza balistike, dëshmi që tregonin se plumbi që vrau Aleksin nuk kishte ardhur rastësisht. Dhe as vetvetiu.

Në heshtjen e tyre të gjatë, këto prova ishin si një dorë që troket fort në derën e drejtësisë. Dhe kësaj radhe dera u hap.

SPAK e rihapi dosjen. Dhe për herë të parë, duket se askush nuk është më i paprekshëm. Një nga një u thirrën: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së kohës, zëvendësi i tij, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Të gjithë dhanë versionin e tyre. Por tashmë në duart e prokurorëve të Posaçëm është edhe dëshmia e fundit. Ajo që për 15 vite ka qenë enigma më e madhe. Dëshmia e ish-kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha.

Pas një loje disa ditore me fletë-thirrjen e SPAK, që në fakt ia kishte dërguar në tri adresa, Berisha duket se u bind që t’i përgjigjej thirrjes së SPAK për të dëshmuar vetëm më 17 nëntor 2025, ku ishte paraqitur në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.

Me 19 nëntor 2025 ai u paraqit në SPAK për të dhënë përgjigje. Jo vetëm para kamerave, por para drejtësisë.

E kur u përgjigj për dy orë në zyrën e prokurorit, në dalje iu drejtua edhe kamerave. Megjithëse dukshëm ndryshe nga kur hyri. Sipas tij nuk është dhënë asnjë urdhër nga Kryeministria për të qëlluar me armë ndaj tyre. Madje thotë se ministri i Brendshëm i kohës, Lulzim Basha ka shkuar në zyrën e tij së bashku me komandantin e Gardës dhe i kërkuan të evakuohej, por ai qëndroi në zyrë.

 

Sali Berisha

Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë.  Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë rrezikun.  Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër.  Vazhdove persistove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës. Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër. Për vrasjet duhet të ketë hetime. Thashë edhe njëherë. Por që kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme

 

Një nga provat thelbësore që është dorëzuar në SPAK nga familja e Aleks Nikës, është një audio regjistrim. Në këtë material dëgjohet një komunikim në radio që ka ndodhur para vrasjes së protestuesve. Nga komunikimet kuptohet që komandantit të Gardës i është kërkuar të hyjë në Kryeministri. Pasi ka dalë nga aty ka nisur komunikimi në radio.  Zëri nuk është shumë i qartë, megjithatë ka sekuenca që mund të kuptohen.

Por Berisha e hodhi poshtë edhe këtë provë, duke pretenduar se është e manipuluar, pasi sipas tij sot mund të manipulohet zëri i kujtdo.

 

Sali Berisha

Të falsifikosh një zë është gjëja më e thjeshtë. Janë imituar në autenticitet të plotë jo zëra të njerëzve të thjeshtë, por gjer të presidentë të SHBA, të Obamës. Një urdhër i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj unë një audio të dorëzuar pas 12 vitesh, është zero, është njësoj si shiriti i Metës.

Në një deklaratë para se të merrej në pyetje për 21 janarin në SPAK, Berisha u shpreh se Kryeministria nuk ka pasur asnjëherë server, pasi sipas tij serverin e ka pasur Garda.

 

Ervin Karanxha, ish-prokurori i çështjes

Serveri i kamerave është formatuar dy herë në mënyrë të atillë që nuk bëhej më. Pra nuk mund të merreshin më të dhëna. Është bërë një kopjim, që është marrë ajo video që kishte dhe është formatuar dhe nuk kishte më asnjë mundësi. Është marrë një kopje…

 

 

E kur provat mund të fshihen edhe brenda ditës, çfarë mund të ndodhë për 15 vjet.

 

Ervin Karanxha, ish-prokurori i çështjes

Veprimet që po kryhen, duhet të ishin kryer që para 15 vitesh. Duhet parë, edhe ky fakt duhet të verifikohet nga SPAK-u. Pse u mbajt kjo çështje frenato? Edhe të pyetet edhe prokurorja e Përgjithshme, pse nuk e ke hetuar. Sepse kemi një nen të ligjit për Gardën. Ju e keni parasysh, Garda funksionon në mënyrë vertikale. Është e centralizuar. Ka një rast që mund të bëhet nga punonjësi i Gardës kur është në kushtet e një rreziku real, të çastit, aty për aty dhe s’ka urdhër. Është tek për tek dhe ai nuk do presë urdhrin. Është në rastet e mbrojtjes së nevojshme. Por edhe me urdhër, prapë gjithçka rrotullohet tek mbrojtja e nevojshme. Pra kur sulmohesh, shihet proporcionaliteti, rreziku i sulmit, etj., pra vlerësohet  në tërësi. Marrja e jetës është e fundit.

 

Megjithatë kjo është faza e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen. Ballafaqimi me provat e reja të Prokurorisë së Posaçme, në vijim mund të ngrihen edhe akuza.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Po shoh që po merren prova me intensitet. Janë pyetur shumë persona, mendoj se do kemi një përfundim. Tani te fletëthirrja, çfarë ka dalë në media që e kanë nxjerrë vetë ata, dalin dy vepra penale të parashkruara. Shpërdorimi i detyrës, që është bërë pasi ka ndodhur në 2011-ën, del edhe një vepër tjetër që është veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kemi të bëjmë me hetim të thelluar. Pra nuk është hetim sipërfaqësor, por shihen çfarë veprimesh, ku ka çaluar e ku s’ka çaluar. Jemi në pritje të një përfundimi. Edhe e rrezikshme, neni 79 është, që ngjarja është e rrezikshme për jetën e shumë personave. Është e vërtetë që aty është rrezikuar jeta e shumë qytetarëve. Pavarësisht se vepra është parashkruar, sepse shumë shpesh Prokuroria i bie shkurt, është parashkruar dhe e çon me nenin 66 për pushim. Edhe veprat penale të parashkruara, qoftë dhe për falsifikim, duhet t’i shkohet deri në fund. Populli shqiptar duhet të dijë, kush ka shpërdoruar detyrën atë ditë. Kush ka shkelur ligjin. Kush ka falsifikuar. Këta njerëz nuk kanë moral.

 

 

MINUTAT E ERRËSIRËS

Makina të përmbysura e të përfshira nga flakët. Tym i zi benzine e nafte që të bllokon frymëmarrjen. Gaz lotsjellës, bomba molotov, granata gazi që për pak çaste të bëjnë të humbasësh shikimin.

Njerëz që vrapojnë me maska në gojë dhe që nuk dinë çfarë bëjnë vetëm bërtasin, gjuajmë ne gurë e shkopinj forcat e policisë të vendosura rreth godinës së Këshillit të Ministrave. Të rinj, të moshuar madje edhe shumë policë të gjakosur që mbajnë plagët me duar. Të tjerë të asfiksuar që transportohen drejt ambulancave.

Një panoramë që të krijon idenë e një arene lufte, por në fakt gjithçka ndodhi në qendër të Shqipërisë, në mes të Tiranës, para selisë së Kryeministrisë.

Protesta nisi si një thirrje politike, por shpejt u kthye në britmë popullore. Njerëz që kërkonin dinjitet, drejtësi, llogari. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.

Por përballë tyre qëndronte Garda e Republikës, e armatosur, e ngurtë, e urdhëruar. Në ajër ndjehej frikë. Frikë dhe një energji e panjohur që po rritej.

Dhe pastaj… krisma. Katër jetë u prenë brenda pak minutash.

Nuk ishin vandalë. Nuk ishin armiq. Ishin qytetarë të pafajshëm.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Është bërë këqyrje e anës veriore të Kryeministrisë dhe konkretisht po të kemi parasysh, është gardhi metalik në pjesën e brendshme. Aty me prokurorët e tjerë që kemi bërë këqyrje, kemi konstatuar një serë gëzhojash të qitura nga armë zjarri. Siç e kujtoj, një prokuror, Adriatik Cama, ka qenë tek autopsia e viktimave, unë kam qenë te sektori i vrasjeve. Ai na informon se duhej të kishim parasysh, të ishim më tepër në kërkim të gëzhojave të kalibrit 9 milimetër, sepse ato lidhen me ngjarje. Pra ato e kanë forcën më të vogël se Kallashnikovi, por është i madh si kalibër. Kallashnikovi ose AK47 e ka kalibrin 7.62. Kemi bërë këqyrje dhe kemi gjetur 117 gëzhoja të qitura nga 5 armë zjarri, që i korrespondonin grupit të zjarrit. Këto kanë qenë veprime e para, kemi bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Deri këtu nuk ka pasur ndonjë problem.

 

Që historia kishte të fshehta dhe që Prokuroria po pretendonte ta zbardhte në atë kohë, ishte fakti që u mor i pandehur shefi i IT-së në Kryeministri, Armando Kasa. Ai akuzohej se kishte fshirë pamjet e vrasjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të sigurisë. Përfaqësuesi i akuzës në atë hetim, Ndini Tavani, duke lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj Kasës, ndër të tjera u mbështet edhe tek ekspertiza e FBI-së, e cila përcaktoi se këto filmime ishin fshirë. Prokurori theksoi se nga 16 kamera, që ndodheshin në objektin e Kryeministrisë, 11 prej tyre ishin në gjendje pune, me shpejtësi 25 pamje në sekondë për secilin kanal.  Këto regjistrime nuk iu vunë në dispozicion organit të hetimit, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet një letërkëmbimi me Prokurorinë, pohonte se kamerat nuk punonin që prej 2009-s. Fshehja, fshirja dhe manipulimi i provave nisi menjëherë pasi përfundoi protesta. Fillimisht me pastrimin e sheshit para Kryeministrisë nga vetë punonjësit e këtij institucioni, para se ky shesh të rrethohej si skenë krimi.

Manipulimi i fakteve nisi nga vetë kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha. Në daljen e parë publike pas vrasjes së 4 qytetarëve, Berisha u përpoq të bënte përgjegjës protestuesit.

Sali Berisha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit, është se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.

Manipulimi u zhvendos më pas në Spitalin Ushtarak, ku mjekët u urdhëruan që të mbështesnin versionin e kryeministrit, duke thënë se qytetarët ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël.

Mjeku:Dukeshin plagë të vogla që shkonin për armë zjarri nga distancë… e afërt”.

Kur ky skenar nisi të rrëzohej nga pamjet e publikuara në media, nisi të vihej në jetë skenari tjetër. Fillimisht sulmi ndaj kryeprokurores së asaj kohe, Ina Rama dhe presidentit Bamir Topi e më pas ndaj gazetarëve që po publikonin fakte.

Në ditët e nxehta pas 4 vrasjeve, lufta e parë që qeveria i shpalli Prokurorisë, përveç fshirjes së gjurmëve të krimit, ishte refuzimi për të dorëzuar 6 gardistët për të cilët ishte firmosur urdhër-arresti. Faktet nisën të dalin në dritë ditë pas dite, por sa më shumë shtoheshin faktet, aq më shumë shtoheshin edhe hipotezat dhe interpretimet shtetërorë për t’i rrëzuar. Në fillim duke thënë se gardistët nuk kishin marrë urdhër për të qëlluar, por qëlluan me vullnetin e tyre. Më pas, ekspertë kriminalistë, nisën të mbështesin teorinë se vrasjet ishin kryer nga plumba rikoshetë.  Në këtë formë, qartazi, po përdorej gjithçka për të fshehur të vërtetën.  Në një lojë të gjatë gjyqësore, drejtësia shpalli fajtor gjeneralin Ndrea Prendi dhe shefin e Operacionales së Gardës, Agim Llupo, duke i dënuar minimalisht.

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin e Ndrea Prendit me 23 vjet burg dhe të Agim Llupos me 25 vjet burg, duke i akuzuar për vrasje me paramendim. Ndërsa Gjykata rrëzoi organin e akuzës, duke ndryshuar edhe akuzat.  Në përnfudim, Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg dhe Agim Llupo me 3 vjet burg, për akuzën “vrasje nga pakujdesia”.  Ata u shpallën fajtorë vetëm për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.  Gjyqësori shqiptar ka njohur si viktimë të pestë të 21 janarit edhe djalin e Faik Myrtajt , 22-vjeçarin Bardhosh Myrtajn. Ai u vetëvra 3 muaj pas ngjarjes ku humbi jetën i ati. Gjykata Administrative tha se ai ishte viktimë e ngjarjes tragjike, pasi nuk arriti dot të përballonte vrasjen e të atit dhe ka qenë nën efektin e zisë patologjike.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me punonjës së zyrës së OSBE në Tiranë, kanë hartuar një raport të detajuar prej 46 faqesh, pasi kanë inspektuar Policisë së Shtetit në lidhje me menaxhimin e demonstratës së 21 janarit 2011. Hetim është pasqyruar i detajuar në raportin e majit të vitit 2011, ku janë përmendur të gjitha shkeljet e kryera nga forcat e policisë, mosfunksionimi siç duhet i planit të masave, por nuk është përmendur në asnjë rast momenti i vrasjes së 4 qytetarëve. Inspektimi i kryer u zhvillua duke u bazuar në mbledhjen e informacionit nëpërmjet intervistave të zhvilluara me punonjës të Policisë së Shtetit, të nivelit drejtues dhe zbatues dhe verifikimin e procedurave te ndjekura nga strukturat e Policisë. Për kryerjen e hetimeve janë administruar, këqyrur dhe vlerësuar dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit. Gjithashtu janë përdorur pamje filmike të transmetuara nga mediat, intervistime me punonjës të strukturës policore të niveleve të ndryshme, fotografi dhe intervistime me qytetarë.

Raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ishte ndarë në 7 pjesë kryesore: Masat paraprake organizative, përshkrimi i ngjarjes, intervistimet, masat pas protestës, konkluzionet, rekomandimet dhe fotot përshkruese. Ajo çka bie në sy gjatë shtatë pjesëve të këtij raporti, është fakti se në asnjë paragraf të tij nuk është përmendur momenti i vrasjes së katër qytetarëve gjatë demonstratës. Janë përshkruar me hollësi dhe minutë pas minute momentet kur turma ka sulmuar policinë me sende të forta. Urdhrat e dhënë nga drejtuesit për përdorimin e gazit lotsjellës, makinës me ujë dhe një tjetër urdhër për përdorimin e një helikopteri për hedhjen e lëndëve lakrimogjene mbi protestuesit. Ndërsa rezulton të jetë dhënë edhe një urdhër për t’u njoftuar Garda e Republikës që të mos qëllojë më me armë, pasi turma po tërhiqet drejt selisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që në raport nuk citohet momenti kur është dhënë urdhri për të qëlluar me armë. Katër qytetarët e vrarë gjatë demonstratës, përmenden vetëm si shifër, në tabelën statistikore me pasojat e demonstratës.

Nga konkluzionet përfundimtare të raportit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton që Policia e Shtetit nuk ka qenë e përgatitur për demonstratën e 21 janarit dhe plani i masave nuk është zbatuar me përpikmëri. Si rezultat i çorganizimit të forcave të policisë edhe godina e Kryeministrisë mbeti e pambuluar nga forcat e rendit për rreth 45 minuta. Grupi i punës që ka hartuar raportin përfundimtar, ka arritur në përfundimin se gabimet e forcave të policisë gjatë protestës kanë nisur që me orarin e vënies në zbatim të planit të masave. Rezulton që forcat e policisë janë angazhuar për demonstratën, në vendin ku ishte lajmëruar 3 orë para se të fillonte, gjë që ka sjellë lodhjen e efektivave të rendit e më pas çorganizimin e tyre. Plani i masave të policisë ka dalë jashtë kontrollit që pas orës 14:20, kur përpara godinës së Kryeministrisë, një grup prej 300 – 350 demonstruesish, kanë filluar të godasin me shkopinj dhe sende të forta, policët e vendosur në kordon, që ishin të pa pajisur me mjete mbrojtëse. Forcat FNSH janë afruar, por nuk janë futur në veprim, duke qëndruar në gatishmëri. Për rreth 35–40 minuta, protestuesit kanë vazhduar dhunën ndaj punonjësve të policisë. Janë bërë thirrje me megafon nga drejtuesit e Policisë, por sipas SHKB është konstatuar se në këtë fazë nuk janë kryer komunikime të vazhdueshme nga drejtuesit e Policisë së Shtetit me organizatorët e tubimit.

Pas çarjes së kordonit të policisë nga turma për të depërtuar tek godina e Kryeministrisë, është dhënë urdhër nga drejtuesi i shërbimit që të fillojë hedhjen e granatave të dorës me gaz lostjellës “CN”. Janë përdorur veç granatave edhe shotganët 12 mm dhe 40 mm me gaz “CN”, për shpërndarjen e demonstruesve që ishin më aktiv në ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë.

Raporti i SHKB: Ky veprim ka rezultuar jo shumë efektiv, për shkak të mosllogaritjes së drejtimit të erës, e cila frynte me drejtim perëndim – lindje dhe gazi “CN” i hedhur në drejtim të demonstruesve, kthehej në vendin e dislokimit të forcave të policisë dhe FNSH-së, të cilët ranë nën efektin e këtij gazi për arsye të mos pajisjes së tyre me kundragaz.

Edhe pas përdorimit të lëndëve kimike, një pjesë e grupit të demonstruesve vazhdonte të godiste punonjësit e policisë dhe në këtë moment hynë në veprim dy automjete ujëhedhës.

Raporti i SHKB: Automjetet ujëhedhës nuk u shoqëruan me punonjës policie, për arsye të angazhimit të gjithë forcave policore në ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, dhe rënies nën efektin e lëndëve lakrimogjene. Ky veprim bie në kundërshtim me procedurat standarde të punës për rendin dhe sigurinë publike, e cila parashikon shoqërimin e automjeteve ujëhedhës me forca policore.

Sipas raportit, nga pamjet vizive konstatohet që, porta Nr. 1 e godinës së Kryeministrisë për rreth 45 minuta, nuk ka qenë mbuluar me forca policore, për shkak të çorganizimit të tyre. Por nga ana tjetër, duket se ka pasur informacion 3 ditë para demostratës se më 21 Janar do të kishte incidente.

Raporti i SHKB: Drejtoria e Policisë së Tiranës më 18 janar 2011, ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se, nga organizatorët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste do goditet me mjete të forta, si gurrë, vezë, në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në miting do të marrin pjesë militantë të dhunshëm nga rrethet, të cilët kanë tendenca për të krijuar trazira gjatë mitingut. Më problematikët do të jenë ata të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjatë mitingut do të vendosen në mes të protestuesve në vende të ndryshme makina të vjetra, të cilat do të digjen. Gjithashtu, do të bëhet bllokimi i bulevardit duke hedhur plehra me makina si dhe do të shkatërrohen mjetet e drejtuesve të ministrive të ndryshme.

 

ZËRI I EUROPËS

Dhe kur vendi nuk gjeti dot guximin të përballej me të vërtetën, zëri erdhi nga jashtë.

Gjykata e Strasburgut foli qartë: Përdorimi i forcës ishte i pajustifikuar. Përdorimi i armëve ishte i paligjshëm. Dhe 21 janari ishte përgjegjësi e shtetit shqiptar.

Kjo ishte hera e parë që dikush e tha zëshëm: Ishte krim. Një krim shtetëror.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i publikuar më 14 nëntor të vitit 2023 zgjoi shpresat e të gjithëve për një drejtësi, që sado e vonuar të jetë, një ditë do të vihet në vend.  Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në vendim e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës, në protestën e 21 Janarit, ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar, si për vrasjen, ashtu edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve. Sipas Gjykatës, shteti dështoi në kontrollimin e protestës dhe oficerët e Gardës së Republikës, përdorën armët e zjarrit duke vrarë 4 persona, përfshirë dhe Aleks Nikën. Në të njëjtin vendim thuhet se, Gjykatat nuk saktësuan nëse përdorimi i armëve për të shpërndarë protestuesit, ishte mundësia e fundit për gardistët.

Gjykata e Strasburgut: Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera, jo vdekjeprurëse, për kontrollin e turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet.

Në vendim, Gjykata e të Drejtave të Njeriut thotë se, zyra e Kryeministrisë, që në atë kohë drejtohej nga Sali Berisha, nuk ofroi të gjitha video incizimet, ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet, që do të ishin provë e vlefshme për hetimin.

Gjykata e Strasburgut: Çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues i Gardës.

Nga ana tjetër, janë gjetur edhe mangësi të tjera në shqyrtimin e dosjes hetimore nga drejtësia shqiptare.

Gjykata e Strasburgut: Kishte pasur gjithashtu edhe një serë mangësish të tjera në hetim, duke përfshirë fshirjen e videoregjistrimit të indicentit dhe mos ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.

Këto mangësi nga ana e organeve hetimore shqiptare, sipas vendimit të Strasburgut, ngrenë dyshimet se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim padrejtësisht. Në fund, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut sugjeron se, autoritetet duhet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen ne rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.

Gjykata e Strasburgut ishte vënë në lëvizje pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës. Dosja për vrasjen e tij po hetohet prej tri vitesh nga Prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autorësinë e krimit.

Ndërsa më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë, me trupë gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni vendosi:

“Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023″.

 

 

SI U SHMANGËN DËSHMITARËT

Përveç provave që u manipuluan e të tjerave që nuk o konsideruan, hetuesit e kohës duket se shmangën edhe dëshmitë e gjalla të asaj kohë. I tillë ishte edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në demostratën e 21 janarit.

Ai thotë se ka dëshmuar në Prokurori lidhur me ngjarjen e 21 Janarit duke zbuluar se përveç Agim Llupos, nga tarraca e Kryeministrisë ka qëlluar edhe shefi i sigurisë.

Fatos Mahmutaj: Në të njëjtin moment janë qëlluar pothuajse të gjithë. Intervalet janë pothuajse pak sekonda nga njëri-tjetri. Unë i kam parë dy personat që kanë identifikuar, më vonë i kam identifikuar. Agim Llupo ishte me maskë, plus nuk e njihte njeri.

Fatos Mahmutaj tregon edhe se si është marrë nëpër këmbë nga Mjekësia Ligjore shqiptare që e refuzoi dhe më pas u detyrua të telefononte një nga prokurorët. Ndërsa thotë se ekspertizën e ka bërë privatisht në Belgjikë.

Fatos Mahmutaj: Dëshmia ime nuk marrë asnjëherë. Për ironi të fatit shkova në mjekësinë ligjore, sepse prokuroria më orientojë për të bërë ekspertizën dhe shefja më tha që ti duhet të jesh goditur në shtëpi. E nxora telefonin dhe mora një nga prokurorët i tregova dhe më tha hajde të bësh kallëzimin penal. Shkova në zyrën e tij dhe më tha nuk kam vizore. Nuk kam aparat fotografik dhe ia nxora vetë. Unë e kam bërë në Belgjikë ekspertizën pak kohë më pas, por nuk e di sa vlen.

Në përkujtimoren e 21 Janarit, Prokuroria e Tiranës shpërndau një deklaratë duke thënë se është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 të vitit 2011, i rifilluar, aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21 janar 2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Prokuroria thotë se, në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore janë kryer të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk është bërë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën. As personat që kanë plagosur gazetarin Fatos Mahmutaj dhe qytetarët Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28 shkurt 2020, prej prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë ndihmuar shumë grupin hetimor. Ata ishin në tërheqje. Ka qenë në një moment që përdorimi i armëve të zjarrit ka qenë në kundërshtim me ligjin për armët e zjarrit. Por duhet të kemi parasysh që edhe në ligjin për armët e zjarrit gjithçka rrotullohet tek neni 19 i Kodit Penal, ai është baza, që duhet të veprohet në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Pra që duhet të kesh një sulm të padrejtë, të vërtetë dhe të çastit dhe ti me mjetet proporcionale, kur është objekti i rëndësisë së veçantë shihet rast pas rasti.

Prokuroria e Përgjithshme duhet të regjistronte procedim penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Sepse në kohën që ka qenë, në bazë të nenit 141 të Kushtetutës, kompetente për të hetuar zyrtarët e lartë ka qenë Prokuroria e Përgjithshme. Me ndryshimet e fundit kushtetuese sot i ka SPAK-u. Është njësoj sikur SPAK-u sot të mos bëjë detyrën, t’i çojë zyrtarët në prokuroritë e rretheve. Pse nuk është marrë përsipër, është detyrë që ta sqarojë Ina Rama.

 

Ky dokumentar nuk kërkon të gjykojë. Por të pyesë. Sepse pyetjet që nuk marrin përgjigje janë ato që dhembin më shumë.

Kush e dha urdhrin? Kush autorizoi përdorimin e armëve? Kush vendosi që tytat të drejtoheshin nga populli?

Nëse përgjigjet gjenden, atëherë Shqipëria do përballet me një të vërtetë të rëndë: Më 21 janar 2011 shteti u kthye kundër qytetarëve të vet.

Për familjet, drejtësia nuk është fjalë. Është njeriu i tyre që nuk u kthye më kurrë.

Ka momente kur një vend duhet të vendosë: Të jetojë me plagën, apo ta shërojë atë.

“21 janari” nuk është histori e vjetër. Është histori e pambyllur.

Dhe 19 nëntori 2025 mund të jetë dita kur e vërteta fillon të flasë.

Jo për të kthyer jetët që u morën.

Por për të mos lejuar kurrë më që shteti të marrë jetë të tjera të pafajshmish.

Mbi gjakun e katër qytetarëve të zakonshëm sot ndërtohet guximi i një drejtësie të re.

Ky është rrëfimi i së vërtetës që nuk mund të varroset.

 

 

Vrasja e Danit, fatura e krimit/ Rikthimi i një “lufte” të vjetër

By: Re Nato
16 November 2025 at 20:58

Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër.

Nga plumbat e kallashnikovëve.

Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar në rrethrrotullim, në hyrje të rrugës që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”, kishte ndaluar duke pritur një tjetër makinë që do të dilte nga parkingu i Rinasit.

Në 75 sekonda ndodh gjithçka. Të paktën 82 plumba të shkrepur drejt një “Mercedes”-i të bardhë lanë të vdekur në vend një 47-vjeçar pasagjer në këtë mjet dhe drejtuesi 42 vjeç u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pas 4 ditësh në spital.

Hetimet flasin për profesionalizëm të lartë e një koordinim në kufijtë e perfeksionit.

Çfarë e mundësoi që një veprim i tillë të realizohej në një zonë të mbikëqyrur? A ishte dështim teknik? Një rrjedhje informacioni? Apo diçka më e errët, koordinim nga brenda?

Hetimi do të kërkojë përgjigje në videot që regjistruan çdo kënd, në dëshmitë e kalimtarëve dhe në komunikimet që po shqyrtohen tashmë nga grupi hetimor.

Por një detaj i ftohtë vjen si një goditje tjetër. Vetëm 2 minuta pas largimit të autorëve, një delegacion shtetëror kaloi në të njëjtën rrugë. Pranë makinës së bërë shoshë nga plumbat e ku brenda saj ndodhej një i pajetë e një tjetër që vetëm merrte frymë.

Një kalim që ngrit pyetjen më të thjeshtë dhe më shqetësuese: Çfarë na tregon kjo për kontrollin dhe për menaxhimin e informacionit në zemër të kryeqytetit?

Në orët dhe ditët që vijojnë, ne do të ndjekim gjurmët që lë pas kjo ngjarje. Prova, video, dhe njerëzit që mund të dinë më shumë. Sepse kur një akt i tillë kriminal ndodh në vendin që e konsiderojmë më të sigurtin, dyshimet mbeten se kush e rrëzon gardhin e kontrollit dhe për çfarë arsye?

Rëndësinë një krimi të tillë, nuk ia jep vetëm vendi ku ndodhi ngjarja, por edhe personazhi që u ekzekutua. E po ashtu edhe grupi që mori pjesë për realizimin e atentatit. Katër autorë, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.

Viktima ishte Gilmando Dani. Një emër i njohur ndër vite në konfliktet më të ashpra të Tiranës. Por më tepër, i njohur si njeriu më i besuar i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka një historik të gjatë arrestimesh, akuzash e ngjarjesh ku është dyshuar e hetuar se mund të jetë përfshirë bashkë me 47-vjeçarin që mbeti i vrarë.

Personi që u plagos rëndë në këtë atentat e më pas ndërroi jetë, ishte pjesë e strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i emëruar aty në shtator të vitit 2025, në rrethana të dyshimta. Megjithatë në atë ngjarje nuk ishte si agjent i AMP-së. Ishte si bashkëshoqërues i Gilmando Danit në udhëtimin e tij 5 ditor në Barcelonë, ku udhëtuan, qëndruan e u kthyen bashkë. Ndërsa ditën e ngjarjes ishte drejtues i makinës që u sharrua nga plumbat.

Të tjera pikëpyetje për sigurinë ngre edhe largimi i atentatorëve. Makina e tyre përshkoi 14 kilometra nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Halil të Fushë – Krujës, ku u gjet në flakë bashkë me armët e krimit brenda. Një skemë tipikë e atentateve të ngjashme, e kryer edhe në dhjetëra vrasje të tjera, madje pothuajse edhe në të njëjtin vend.

Pistat? Larje hesapesh, hakmarrje por dhe reagim pas mesazhe të errëta të dalë nga rrjetet e koduara.

Por si mund të ndodhë një vrasje e tillë në një zonë kaq të monitoruar?

Kush e dha informacionin?

Dhe kë duhet të trembë kjo goditje?

A është kjo ngjarje rikthim i një “lufte” të vjetër?

VRASJA NË 75 SEKONDA

Aty ku në ditë të tjera qëndrojnë efektivë Policie, patrulla, madje dhe grupe të gatshme, më 11 nëntor 2025, nuk kishte asnjë prej tyre. Madje vetëm disa makina që qarkullonin pa trafikun e rënduar që jemi mësuar të shohim.

Në orën 14:14, makina e atentatorëve “Toyota” me targa greke të vjedhura është e ndaluar me bllokazh në afërsi të rrethit në krahun e djathtë.

Makina qëndron aty dhe pas 20 sekondash fillon të lëvizë dhe kalon në krahun tjetër të rrethit, përballë, vetëm pak metra larg Komisariatit të Rinasit, duke qëndruar po me bllokazh edhe 20 sekonda të tjera.

Më pas hapen dyert dhe zbresin 3 autorët, sapo shohin që makina ku ndodhej objektivi i tyre po i afrohej rrethit dhe nisin menjëherë të qëllojnë.

Pasi goditet me armë për 4 sekonda, drejtuesi i mjetit humb drejtimin dhe pa kryer harkun në rreth, mjeti ecën diagonal derisa mbetet i ndaluar.

Në një moment 3 atentatorët kthehen për të hipur në mjetin e tyre, por pasi shohin makinën e objektivit që kishte ndaluar kthehen sërish për ta qëlluar.

Njëri prej tyre, me hap normal, përshkon mes për mes rrethit, me automatik në dorë dhe i afrohet makinës. Menjëherë pas tij shkon edhe autori tjetër, pasi në dukje, të parit i ngec arma dhe personi tjetër i jep një armë që në dukje është e shkurtër, e ngjashme me pistoletë. Ndërsa makina e tyre vijon rrugën për pak metra me dyer të hapura.

Personi që i dha armën kthehet tek makina, ndërsa autori tjetër, me dy armët në duar, vijon i qetë drejt mjetit të ndaluar ku ishte objektivi, hedh njërën armë në tokë dhe me tjetrën afrohet tek xhami, në krahun e pasagjerit, ku ishte Gilmando Dani dhe qëllon edhe disa herë drejt tij.

Në këtë moment bashkëpunëtori i tij kthehet serish dhe ecën me vrap në drejtim të tij. Teksa i pari merr armën që kishte hedhur në tokë, i dyti qëllon edhe disa herë të tjera, në distancë, drejt makinës “Mercedes”.

Gjithçka zgjat 75 sekonda. Më pas autorët hipin në makinë e cila lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon drejt Fushë – Prezës dhe Fushë-Krujës.

Rezulton që autorët të kenë përdorur një rrugë rurale, e përdorur edhe në ngjarje të tjera, që të çon drejt Niklës dhe fshatit Halil ku u gjet e djegur makina.

KUSH ËSHTË GILMANDO DANI

Në dosjet e drejtësisë emri i Gilmandi Dani shfaqet për herë të parë në mesin e viteve 2000. Ai ndjek një jetë paralele me atë të Emiljano Shullazit, figura qendrore e grupit, për të cilin Prokuroria ka ngritur disa akuza të rënda ndër vite.

Nëse për Emiljano Shullazin, kishte nisur një hetim për dyshime të përfshirjes në linja të trafikut të drogës që në vitin 2003, madje edhe me dyshimet se ishte pjesë e një grupimi që njihej me herët si “Djemtë e Rrugës së Kavajës”, emri i Gilmando Danit shfaqet krah tij pak më vonë.

Për 15 vjet, nga viti 2006 deri në vitin 2021 Dani është dënuar 4 herë nga Gjykatat.

Dënimet e Gilmando Danit

Më 16 qershor 2006 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 8 muaj burg për “armëmbajtje pa leje, sigurim i mjeteve për vjedhje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Më 11 maj 2012 dënohet nga Gjykata e Tiranës me një vit burg për “armëmbajtje pa leje”.

Më 22 shkurt 2016 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 200 mijë lekë gjobë për “moskallëzim krimi”

Më 3 dhjetor 2021 dënohet me 12 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Në shkurt të vitit 2006 Emiljano Shullazi arrestohet nga forcat speciale RENEA në një apartament në rrugën “Him Kolli”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Blis”. Bashkë më të u arrestuan edhe Gilmando Dani, Dritan Hate dhe një vajzë që quhej Elona, e cila në atë kohë përflitej si e fejuara e tij. Në apartamentin e Shullazit u gjetën disa armë të ndryshme dhe pasaporta e certifikata. Për armët dhe falsifikimin e pasaportës, Shullazi u dënua me vetëm dy vjet burg, pasi kërkoi gjykim të shkurtuar. Por teksa mbahej në paraburgim për këto akuza, një tjetër hetim paralel që po zhvillohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një linjë trafiku heroine, u finalizua me operacionin “Identikit”. Gjatë këtij operacioni, përveç Shullazit që ndodhej në qeli, u arrestuan edhe 7 persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-oficer të Antidrogës, që akuzohej për nxjerrje të sekretit hetimor. Sipas dosjes së Prokurorisë, grupi akuzohej se kishte trafikuar 350 kilogram heroinë. Drejtuesi i këtij grupi ishte shpallur në kërkim për trafik droge nga Turqia në Shqipëri, me destinacion final Italinë.

Akuzat ishin të rënda: “Trafikimi i narkotikëve”, “Organizim, drejtim e financim i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës” dhe “Kryerjen e krimit të trafikimit të narkotikeve nga pjesëtar të organizatës kriminale”.

Katër prej të pandehurve të dosjes u dërguan për gjykim, ndërsa Emiljano Shullazi dhe një tjetër prej të pandehurve nuk pranuan akuzat. Megjithatë, në janar të vitit 2009 të dy ata u dënuan me nga 13 vjet heqje lirie. Pa kaluar 10 ditë nga ky vendim, Shullazi vendos ta apelojë. Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda, vendos të prishë vendimin dhe të kthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në këtë fazë dy të pandehurit pranojnë vetëm akuzën e trafikut të drogës dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar duke përfituar uljen e masës së dënimit.

Përfundimisht në tetor të vitit 2009 Emiljano Shullazi dënohet me 8.8 vite burg. Dënim që shumë shpejt i solli lirinë, duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.

Ndërkohë, miku i tij, njeriu më i afërt e i besuar, i konsideruar si krahu i djathtë, Gilmando Dani, kishte fituar me kohë lirinë. Gjatë kohës që Shullazi vuante këtë dënim, çdo “punë” tjetër jashtë zgjidhej nga Gilmando Dani.

Madje, më 15 gusht të vitit 2009 Prokuroria mori në pyetje Gilmando Danin, i cili për disa ditë po hetohej në lidhje me vrasjen e 4 oficerëve të Policisë nga Dritan Dajti më 7 gusht të atij viti. Dani ishte paraqitur vetë për të dhënë deklarime. Disa orë pasi ka dëshmuar ai është lënë i lirë pasi nuk u gjet asnjë provë që të ngriheshin akuza ndaj tij.

Më 21 prill të vitit 2011, 4 muaj pasi u lirua nga burgu, ku vuajti dënimin për trafik lëndësh narkotike, Emiljano Shullazi provoi sërisht qelinë për disa orë, pas denoncimit të dy deputetëve socialistë për prishjen e një takimi elektoral. Shullazi u ndalua nga forcat e policisë të Komisariatit nr.2, si personi që kishte penguar subjektin politik për zgjedhjet në organet përfaqësuese. Pas njohjes me akuzën dhe marrjes në pyetje, prokurori ka vendosur që Shullazi, në atë kohë 32 vjeç, të procedohej penalisht në gjendje të lirë. Hetimi i tij në gjendje të lirë u argumentua nga prokurori i gatshëm, me faktin se një vepër e tillë penale nuk parashikon arrest.

Por vetëm pak ditë më pas ai arrestohet. Emiljano Shullazi bashkë me grupin e tij prej 11 personash u prangosën më 8 maj të vitit 2011, vetëm disa minuta para se të mbyllej procesi i votimi në Komunën Farkë të Tiranës. Një operacion i forcave të Policisë së Tiranës, bëri të mundur arrestimin e tij, në afërsi të Liqenit të Thatë. Në momentin e arrestimit policia sekuestroi dy makinat e blinduara, me të cilat ai lëvizte prej disa ditësh, antiplumb, tri pistoleta, tri thika dhe disa doza bimë narkotike.

Edhe pas këtij episodi, Shullazi lirohet disa muaj më vonë. Ndërsa ndalohet mbrëmjen e 8 nëntorit 2011, pasi bashkë me mikun e tij Gilmando Dani, u kapën me maskë dhe armë në një makinë, teksa lëviznin në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Megjithatë Dani ka marrë autorësinë e pistoletës duke sjellë pafajësi për Shullazin.

Pas këtij momenti vjen një periudhë e gjatë qetësie, të paktën me organet e drejtësisë. Deri në vitin 2016 ata vijuan aktivitetin e tyre në liri, derisa erdhi momenti që i izoloi në qeli, ku Shullazi ndodhet edhe sot, ndërsa Gilmando Dani kishte përfunduar dëmin në vitin 2024 dhe ishte tashmë i lirë.

Emiljano Shullazi është prangosur pas mesnatës së datës 17 prill 2016, teksa mbahej i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 01:30, oficerët e Krimeve të Rënda, kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj Shullazit dhe dy personave të tjerë që po ashtu mbaheshin të shoqëruar. Dy personat e tjerë që u arrestuan bashkë me të, ishin miku i tij, Gilmando Dani, si dhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi. Ata kishin shkuar në Polici që të interesoheshin për Shullazin, por nuk janë lejuar që të dalin më, duke u komunikuar edhe atyre arrestimin. Prokuroria kishte ngritur ndaj tyre 4 akuza të rënda, disa prej të cilave nga denoncimet e të dëmtuarve, disa nga hetimet e kryera me metoda speciale që prej muajit shkurt të atij viti. Ata akuzoheshin për “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “shtrëngim me atë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë që hetimet për këto akuza po vijonin dhe të tjera denoncime bëheshin në Prokurori, më 3 dhjetor të vitit 2017 arrestohen edhe 2 persona të tjerë. Endrit Qyqja dhe Endri Zela, i cili ishte nipi i Shullazit. Ata u arrestuan teksa kishin shkuar të takoheshin me Emiljano Shullazin në burgun 313, ku ai ndodhej i izoluar bashkë me Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” në mungesë edhe për Qyqen dhe Zelën, masa që prokurorja e çështjes i ka kërkuar Policisë t’i ekzekutojë në kohën që ata ndodheshin ende në ambientet e paraburgimit në rrugën “Jordan Misja”.

Kjo dosje u zvarrit pa marrë vendim për gati 5 vite, derisa më 3 dhjetor të vitit 2021 Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit të Krimit të Organizuar shpalli vendimin për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për grup të strukturuar kriminal. Në përfundim të seancës, trupi gjykues vendosi të dënojë me 14 vite burg Emiljano Shullazin. Po kështu vendosi 12 vite burg për Gilmando Danin dhe Endrit Qyqen, 10 vite burg, Endrit Zelën dhe 9 vite burg Blerim Shullazin. Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Gjykata rrëzoi kërkesën e Shullazit për përjashtimin e trupës gjykuese të kryesuar nga Miliana Muça dhe anëtarët Artur Kalaja dhe Daniela Shirka. Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij i nisur në dhjetor të vitit 2018 në Apel, ka pasur një zvarritje të gjatë, ku ishin shtyrë mbi 40 seanca. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqa dhe Blerim Shullazi u dënuan dhjetorin e vitit 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 55 vite burg për veprat penale “Krijim i grupit të strukturat kriminal”, “Gjobëvënie” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”. Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Krimet e Rënda në 2018-ën. Një javë para se të shpallej ky vendim, konkretisht seanca e datës 24 nëntor 2021, në Apelin e Posaçëm për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin u shoqërua me debate. Tri vite pasi ata u shpallën fajtorë, vetëm më 24 nëntor u arrit të zhvillohej seanca në Shkallën e Dytë. Në seancë ishim vetëm tre avokatë, ndërsa dy nga të pandehurit, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani, ishin pa mbrojtës, pasi dy avokatët kryesisht nuk ishin paraqitur. Në këto kushte, Gjykata vendosi që procesi të vijojë pa avokatë dhe kjo shkaktoi debate në sallën e gjyqit. Fillimisht ishte Emiljano Shullazi, i cili e nisi me prokurorin Altin Dumani. Më pas ndërhyri gjyqtarja Miliana Muça, e cila pas kërkesës, i dha fjalën të pandehurit Emiljano Shullazi. Situata ka qenë disi e tensionuar gjatë seancës, ku Shullazi i ka kërkuar Gjykatës që marrë parasysh listën me 100 avokatë kryesisht. Edhe pse avokati i tij ishte paraqitur, ai ka folur në emër të të pandehurve të tjerë, duke thënë se në rast se vendimi do të merrej pa mbrojtës, atëherë kush do ta bënte rekursin e tyre. Fjalën pas Shullazit e ka marrë edhe Gilmando Dani, avokati i të cilit nuk ishte paraqitur, por ai kishte pretendime se ishte përjashtuar vetëm pse ka munguar një herë, duke qenë se ishte me Covid. Edhe Dani ka kërkuar të njëjtën gjë si Shullazi, që Gjykata të shikojë mundësinë e avokatëve kryesisht, pasi ka një listë me 98 të tillë.

Debatet gjatë seancës në Apel, një javë para vendimit

Prokurori Altin Dumani: Pjesë nga procesverbali i datës 07.04.2021, kur pjesë e trupit gjykues u bë kryesuesja, Miljana Muça. (citon) Pjesë nga fjala e të pandehurit Gilmando Dani në seancë: “Mos e bllokoni këtë proces, se ne nuk bëjmë gjyq me ju dhe për këtë arsye e kemi shtyrë gjyqin, kur ishte ajo zonja e nderuar tjetër që kishte dy vjet. Prandaj mos qëndro kot. Jep dorëheqjen”.  Pjesë nga procesverbali i datës 29.09.2021, citoj siç është shkruar në seancë: “Tek kjo gjykatë, te ky procesi jonë, po shkelet ligji me të shtata këmbët dhe s’ka si mund të vazhdojë ky proces. Dihet pse po vonohet procesi. O zonjë, ikni ju të dyja, na gjeni dy gjyqtarë që të mos kenë lidhje me çështjen dhe të bëjmë gjyqin nesër”.  Edhe pak kalon nëntori i 2021, edhe 3 vjet gjykimi në shkallë të parë, akoma s’është çelur shqyrtimi gjyqësor. Nuk është shtyrë asnjë seancë për mungesë të prokurorëve. S’është shtyrë… Në vijimësi, marrë në konsideratë edhe dinamikën e këtij procesi, unë arrij në këtë vlerësim. Që ky gjykim, qëllimisht nga i pandehuri, zvarritet.

Emiljano Shullazi: Po pse ne duam të rrimë në burg sipas teje!? (ndërhyn gjyqtarja e paralajmëron njësoj si avokatin)

Prokurori Altin Dumani: Lidhur me Blerim Shullazin, ndoshta është momenti që të verifikohet gjendja e tij shëndetësore.

Emiljano Shullazi: Kërkoj fjalën.. (ndërhyn gjyqtarja që i jep fjalën Emiljano Shullazit). Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, ne detyrë? Në s’ju kemi pengu. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ore kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ia fus murit me kokë unë eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do i nxjerr para avokatit, si të mi prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në apel, më datë 7 erdhe ke ne??” Po normal, se je njohur me dosjen në shkallë të parë. E njihje dosjen. Për atë arsye dhatë edhe dorëheqjen. Si mund ta vazhdojmë ne gjyqin. Ore unë them dua të dal edhe tani nga burgu, po unë s’dal dot nga burgu. S’ka pse prokurori flet, jo ne thamë kështu, thamë ashtu… Unë do të dal sot nga burgu, si do të dal nga burgu? Dola nga burgu unë? S’ka kuptim kjo fjalë. Gjykata që thotë… aty e ke listën, tani nëse do të fillojmë ne sipas prokurorit ashtu, edhe unë po them është prokurori që i thotë atij Avni Matës dhe atij Pekës mos hajde në gjyq. Pse nuk thërret avokatë të tjerë, ke 100 avokatë aty? Caktoji ti ato avokatët e tjerë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Më fal t’ju ndërpres vetëm dy sekonda. Ju flisni për mbrojtjen e të pandehurve të tjerë, se mbrojtësi juaj është prezent?

Emiljano Shullazi: Si do të vazhdojë seanca? Po mirë, këtij kush do t’ia bëjë rekursin? Kush avokat?

Gjyqtarja Miljana Muça: Atëherë merr parasysh mbrojtjen e dy të pandehurve të tjerë se avokati juaj është korrekt?

Emiljano Shullazi: Po normal, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre?

Gjyqtarja Miljana Muça: A në këtë prizëm domethënë?

Emiljano Shullazi: Po, sepse nëse ju merrni vendim, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre? Do t’ua bëjë prokurori? Ne jemi të interesuar. Silleni ju një avokat, gjejeni ju avokatin. Ke aty 100 avokatë, keni 7 muaj me Avni Matën me Pekën. Caktoji ato të tjerët. Hiq këta, cakto të tjerët. Ku e dini ju që s’do të vijnë të tjerët? Ose prokurori, jo ju… Se ju s’e keni thënë, po e tha prokurori. Ku e dini ju se s’do vijnë të tjerët? Mbaroni listën dhe pastaj… Po prapë s’ka kuptim kjo, si do rrikemi ne, si paskam unë interes të shtyhet seanca? Ta thashë edhe një herë. Unë nuk pretendoj fare që të marr drejtësi me ju, sepse ju s’keni si të dilni ndesh kundra vendimit që keni dhënë në Shkallë të Parë, se ma ke marrë atë pronë pa të drejtë. Kam thënë prit se kam Apelin, të ka thënë avokati. Prit sa të mbarojë Apeli. Ti more vendimin, se the ia ke marrë me zor Ylvi Beqjas. Tani si të them unë: “Ej, s’ia kam marrë me zor”. Ti e ke marrë një herë atë vendim për Ylvi Beqjan, ma ke dhënë dënimin mua për atë punë. Ajo kuptohet.

Gjyqtarja Miljana Muça: Avokati juaj, më fal edhe një herë, avokati juaj në fakt qe korrekt në mënyrën e të shprehurit në raport me ligjin. Kërkesat tuaja, ankesat tuaja mbi përbërjen e trupit gjykues kanë ndjekur hallkat e gjykimit. Dhe avokati u shpreh që, natyrisht që këtë vendimmarrje, apo këtë qëndrim apo këtë përbërje të kolegjit do ta ankimojë…

Emiljano Shullazi: Jo mo jo, se deri diku edhe ju jeni korrektë, se ju e keni bërë një dorëheqje. Edhe ju jeni dakord me këto që them unë, se përderisa e keni bërë dorëheqjen përpara kërkesës sime për përjashtim, jeni dakord me këtë që them unë. Apo s’është kështu? Keni bërë pra dorëheqje ju e s’ju është pranuar. Si ka mundësi që ju ia pranoni kërkesën për përjashtim kësaj kryetares, kurse ajo s’jua pranon juve? Për shkaqe që janë shumë më të larta sesa ato që ke bërë ti dorëheqjen.

Gjyqtarja Miljana Muça: Ju kuptoj, uluni. Faleminderit.

Gilmando Dani: Ka mundësi ta marr dhe unë fjalën po dëshët? (Ndërhyn gjyqtarja, i jep fjalën) Në lidhje me ato që tha zoti prokuror, unë s’është se i mohoj ato fjalë. I kam thënë, kam qenë i irrituar në lidhje me trupin gjykues. Dihet shumë mirë se na ka gjykuar një herë, s’mund të na gjykojë për së dyti. Kështu që është e kotë që i lexove procesverbalet. Edhe është mendimi im zotëri, nuk është një mendim i të gjithëve, që e morët ju ashtu dhe që e thoni si të doni. Po nejse. Të kthehemi tek avokatët. Se ju zonja gjyqtare flisni këtu për një proces të rregullt ligjor dhe që neve të na garantohen të drejtat tona. Po këtu, sa keni ardhur ju, këtu nuk po shihet fare. Këto 6 muaj që jeni këtu, keni 6 muaj që thoni proces ligjor, proces ligjor. Po keni 6 muaj që sillni po të njëjtët avokatë. I keni vënë kush e di sa gjoba, mbi 20 milionë lekë a 30 a nuk e di se ku do t’i gjejnë ato avokatët. Kurse këtu është një listë e gjatë, që e kemi edhe neve, me 98 veta, ka edhe lista të tjera me çfarë kemi dëgjuar dhe ju nuk thirrni asnjërin prej tyre. Se përse, e dini ju këtë punë. Por merrni vendimin në fund të procesit që thoni që procesi të vazhdojë pa avokatë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Këtu seancën e drejton gjykata…

Gilmando Dani: Po ta mbaroj…

Gjyqtarja Miljana Muça: Se e ndërpreva edhe të pandehurin tjetër. Ju bëj me dije dhe ju kujtoj se… jam e pasaktë për datën e seancës, por ju keni marrë fjalën dhe keni thënë: “Kam zgjedhur një avokat. Avokati im është me Covid”. Ju kemi kërkuar emër, nuk na keni dhënë emrin dhe nuk kemi njoftuar një avokat të tillë. Atëherë mbani qëndrimin tuaj në lidhje me ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes. Keni thënë këto fjalë.

Gilmando Dani: Po, unë nuk i mohoj që i kam thënë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në raport me këtë pyetje që ju shtron kryesuesja, jepni një sqarim.

Gilmando Dani: Po, ta jap sqarimin tani. Zgjodha avokaten time që ishte… se ia harrova dhe emrin tani. Erdhi në seancë. Mungoi një herë dhe direkt sa mungoi i vutë 500 mijë lekë gjobë. Herën e dytë e morët dhe e përjashtuat. Që herën e dytë. Kurse të tjerët keni 6 muaj që i thirrni. E kuptoni çfarë po them. Ma hoqët avokatin im, ma hoqët për një herë. Kurse këto që vini ju, këto të shtetit, keni 6 muaj që s’keni ndërruar asnjë. Tani ne jemi në një kohë pandemie zonjë. Tjetri sot është mirë, nesër është sëmurë. Si mund t’i them unë atij që ka qenë me Covid hajde?! Ku e di unë si është ai me shëndet? Ai mund të ketë shkuar jashtë shtetit përderisa nuk erdhi këtu. Se nuk jam interesuar më për atë. Ju flisni pse s’erdhi ai. Unë e kisha zënë këtu avokatin, unë e kisha këtu ju ma përjashtuat. Zonjë, keni 6 muaj, urdhëro, nëse nuk e keni ju listën, jua jap unë po deshët. Janë 98 veta.

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos u shqetësoni për listën sepse është…

Gilmando Dani: Po pse zgjidhni po ata persona dhe i keni mbytur në gjoba?

Gjyqtarja Miljana Muça: Arsyen ua tha Gjykata…

Gilmando Dani: Ku është e drejta këtu, se thoni i keni armët të barabarta. Çfarë armësh të barabarta kemi ne, që te vendi ku jemi shihet sa të barabarta i kemi. Pa marrë parasysh pastaj shkeljet që janë bërë për këtë dosje, dihen nga të gjithë. Edhe prokurori thotë është shtyrë për arsyen tonë. 270 ditë, i keni në procesverbal që është shtyrë për shkak të Gjykatës. Edhe vazhdon Gjykata prapë… O zonjë, ju si relatore duhet t’i gjeni këtij procesi një zgjidhje.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në rregull…

Gilmando Dani: Më fal një sekondë se edhe prokurori e di shumë mirë që në ditët që keni ardhur ju, në mos gaboj këtu kanë qenë të pestë avokatët. Ka qenë momenti i parë që gjyqi do të shqyrtohej. Por në momentin që erdhët ju këtu… (ndërhyn avokati)

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos e ndërprit të pandehurin, është shumë e rëndësishme që gjykata ta dëgjojë…

Gilmando Dani: Që sa erdhëm nuk kishte drita, ikën dritat. Edhe ju ishin e jashtëligjshme. A e dini vetë ju që ishin e jashtëligjshme, se e dhatë vetë arsyen?

Gjyqtarja Miljana Muça: Gjykata tërhiqet në dhomë këshillimi.

Dënimi për këtë çështja për të gjithë të tjerët, përveç Emiljano Shullazit, kishte përfunduar. Vetë Gilmando Dani e përfundoi në vitin 2024 dhe i ishte kthyer lirisë. Ndërsa miku i tij, Emiljano Shullazi vijon të qëndrojë pas hekurave, tashmë në lidhje më një tjetër dosje që është dërguar për gjykim nga SPAK më 15 shkurt të vitit 2025.

ATENTATET E MËPARSHME

Gilmando Dani i kishte mbijetuar edhe dy atentateve të tjera. I pari në vitin 2011, i dyti në 2015, ku u plagos edhe Emiljano Shullazi. Dosjet e të dyja ngjarjeve mbetën ende pa autorë.

Ngjarja e parë ndodhi mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2011, teksa ai kishte dalë për të hapur një vend që të parkonte makinën, tek shtëpia ku banonte bashkë me Shullazin, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Ngjarja në atë kohë, më shumë se një tentativë vrasje e tij, u cilësua nga grupi hetimor si një paralajmërim për të, gjithashtu edhe ndaj mikut të tij të ngushtë, Emiljano Shullazi. Në ngjarje dyshohej të kishin marrë pjesë më shumë se dy persona. Fakt që provohej nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, të qitura nga dy armë të ndryshme, njëra prej të cilave automatike. Autorët i kishin zënë pritë Gilmando Danit në dy pozicione të ndryshme, fare pranë shtëpisë së tij. Në vendin e ngjarjes është parë një makinë, nga brendësia e së cilës është qëlluar me breshëri, si dhe dyshohet edhe për një person tjetër, që e priste në këmbë në brendësi të një tuneli pallati, përballë shtëpisë së tij. Sipas policisë Dani është qëlluar nga dy drejtime dhe ka mbetur i plagosur.  I pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore në Spitalin Ushtarak, 33-vjeçari Gilmando Dani, ka treguar se nuk ka arritur të identifikojë personat që e kanë qëlluar. Sipas tij, në atë moment është zënë në befasi dhe gjithçka ka qenë e papritur. Ndërsa nuk ka mundur të shikojë fytyrat e tyre për shkak të errësirës.

Atentati i dytë ndaj dy miqve, Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi ndodhi 4 vitë më vonë.

Rreth orës 20:22, të datës 5 janar 2015, në sallën operative të Policisë së Tiranës ka telefonuar një qytetar, i cili deklaronte se tek mbikalimi i Rinasit, sa kalon lokalin e Hasan Hakës, ka të shtëna me automatik. Policia dërgoi në vendngjarje specialistin e zonës dhe nga verifikimi, rezultoi të ishte qëlluar në drejtim të mjetit tip ‘Golf’, me targa AA 629 HR, por polici nuk kishte konstatuar persona të dëmtuar.

Më pas, në një komunikim të dytë, u njoftua se drejt Spitalin Ushtarak, po transportoheshin të plagosur me armë zjarri, shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge.

Grupi hetimor nisi procedim penal për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorëve. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Bërxullë, në rrugën “Nënë Tereza”, në afërsi të mbikalimit të Rinasit dhe u klasifikua si tentativë vrasje. Ishte qëlluar me armë ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, kur ata po ktheheshin nga Fushë – Kruja, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës me automjetin e tyre tip “Golf 4”, ngjyrë gri. Pak metra para se të mbërrinin tek Qafa e Kasharit, një makinë tjetër u kishte zënë pritë. Nga kjo makinë është qëlluar me breshëri dhe të dy miqtë, Shullazi e Dani, mbetën të plagosur.

Për pasojë, automjeti ku ndodhej Shullazi, ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë në një arë në anë të saj, nga krahu i fshatit Domje. Duke përfituar nga ky moment, autorët kanë arritur të largohen me shpejtësi dhe nuk është arritur të identifikohen.

Dy të plagosurit u pyetën në Spitalin Ushtarak, por thanë se nuk kishin parë asgjë dhe nuk kishin njohur askënd. Megjithatë Policia pati disa të dyshuar e të shoqëruar, ndonëse ngjarja nuk u arrit të dokumentohej asnjëherë. Pati dyshime se personi që qëlloi ishte Enver Stafuka, ndërsa në drejtim të makinës ishte Gentian Bejtja. Por asgjë nuk u provua dhe dosja mbeti pa autor.

Por pak minuta para se të ndodhte kjo ngjarje, një tjetër njeri i afërt i Shullzit, ishte përfshirë në një tjetër ngjarje, në mes të Tiranës.

Rreth orës 20:00, në rrugicën me emrin “Islam Alla”, pranë rrugës së “Kavajës”, Policia ka marrë njoftim për të shtëna me armë zjarri. Brenda pak minutash është mësuar se bëhej fjalë për 2 persona të plagosur dhe një të vrarë. Dy të plagosurit dhe një person i tretë, kishin shkëmbyer zjarr me viktimën. Një nga këta persona ishte Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit, i cili në atë moment ka qenë i shoqëruar nga punonjësi Policie dhe një person tjetër. Ata janë përballur me viktimën, Arjanit Sterjo, person me precedentë penalë, i dyshuar edhe si vrasës me pagesë, i cili sipas tyre ka nisur të qëllojë drejt tyre dhe ata i janë kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje.

Ndonëse ishin dy ngjarje që ndodhën thuajse paralelisht me njëra-tjetrën dhe kishin si të përbashkët vetë Emiljano Shullazit, Policia tha në atë kohë se nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.

Gjatë historikut 20-vjeçar, që emrat e Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit u lidhën pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin, mund të jenë thurur plane e të tjera mund të kenë dështuar për eliminimin e tyre, por të paktën këto dy ngjarje patën pasoja dhe u shoqëruan me veprime hetimore. Çdo plan tjetër mbeti ndër vite në arkiva, thjesht si informacion operativ dhe asgjë më shumë.

AGJENTI I AMP NËRRON JETË NË SPITAL

Personi që drejtonte makinën e sharruar nga plumbat pranë Aeroportit të Rinasit, është 42-vjeçari Mustafa Shaljani, i njohur edhe me emrin Muçi dhe mbiemrin Sheqeri. I plagosur rëndë në këtë atentat, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës duke gdhirë data 15 nëntor. Ai rezultoi të kishte udhëtuar me Gilmando Danin drejt Barcelonës në Spanjë, më 7 nëntor 2025 dhe ishin kthyer po bashkë ditën e ngjarjes, më 11 nëntor 2025. I plagosuri mori plumba në trup dhe në kokë, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe u mbajt për 4 ditë i intubuar në reanimacionin e Spitalit të Traumës, ku dha frymën e fundit. Prej dy muajsh ai ishte emëruar agjent në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Përballja me këtë fakt e bënte edhe më të rëndë ngjarjen dhe vuri menjëherë në lëvizje strukturat e Ministrisë së Brendshme. Pas ngjarjes, dy oficerë Policie u arrestuan për shkeljet e konstatuara në procedurën e emërimit të Mustafa Shaljanit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Efektivat e Komisariatit nr.3 dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar dokumentet e Besueshmërisë për rekrutimin e tij. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektori Ashim Zajmi me detyrë Ndihmës specialist i Policimit në Komunitet, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Por arrestimi i tyre është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Tiranës, e cila më 15 nëntor nuk vendosi asnjë masë sigurimi ndaj tyre duke i lënë të lirë.

Vërtetimi i Besueshmërisë është një proces ligjor i kontrollit dhe verifikimit të figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, ose të kandidatëve që synojnë të punësohen në këtë strukturë. Por pavarësisht se Mustafa Shaljani rezulton se kishte ndërruar emrin, procedurat kanë vijuar normalisht duke u fshehur këto të dhëna. Sipas verifikimeve që ka bërë AMP në lidhje me procesin e rekrutimit të tij në muajin shtator të vitit 2025, kur Agjencia kishte një drejtor të komanduar, janë konstatuar shkelje të procedurave ligjore. Ndërkohë AMP ka bërë kallëzim edhe në Prokuorinë e Tiranës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri. Sipas hetimeve, Mustafa Shaljani është rekrutuar si agjent pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore pa pasur certifikatë sigurie.

Emri i tij doli në skenë për herë të parë në dhjetor të vitit 2011, kur u procedua penalisht nga Policia e Tiranës, bashkë me vëllain e tij binjak, Shemsi Shaljani, për një incident të ndodhur mes tyre me ish-deputetin e asaj kohe, Saimir Tahiri, të cilin e kanë fyre dhe kapur nga krahu.

Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve të Spanjës informacione për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Mustafa Shaljanit për qëndrimin e tyre në Barcelonë dhe janë në pritje të një përgjigjeje.

Ndërsa pas veprimeve hetimore disa ditë pas ngjarjes dhe kontrollit të territorit, Policia e Tiranës zbuloi një bazë armatimi, në fshatin Zall të Fushë-Krujës. Brenda saj u konstatuan armë shpërthyese, armësh zjarri dhe municion luftarak. Policia theksoi se banesa, që ishte kthyer në “depo” armësh është në pronësi të Ylli Zallës, 47 vjeç, i cili dyshohet të këtë furnizuar me armë grupin e ekzekutorëve të Gilmando Danit në Rinas. Ka të dhëna që makina e atentatorëve të ketë qenë në pronën e tij dhe nga aty është nisur më pas drejt vendit ky u realizua vrasje. Ylli Zalla nuk është arritur të gjendet nga Policia dhe është shpallur në kërkim. Zalla është një person me precedent penal, i arrestuar më herët për arsenal armësh dhe prodhim lëndësh plasëse. Ai ka qenë i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS. Por disa vite më parë është proceduar penalisht edhe për  kërcënimin me jetë të ish-pronarin e fabrikës së çimentos në Fushë – Krujë.

TRI PISTAT HETIMORE

Vrasja e Gilmando Danit konsiderohet si një nga ato krimet të rënda, të vëshira dhe të ndërlikuara për t’u dokumentuar. Me eliminimin e tij, atentatorët dhe porositësit kanë synuar të godasin edhe vetë Emiljano Shullazin që ndodhet në burg. Dani ishte njeriu i tij më i besuar, krahu i djathtë që nuk e kishtë lënë kurrë në baltë dhe me gjasë mund të çonte deri në fund çdo porosi të tij duke drejtuar gjithçka nga jashtë.

Përveç pistës së larjes së hesapeve mes grupeve, hakmarrjes për ngjarje që ndër vite mund të jetë hetuar por asnjëherë nuk janë vënë nën akuzë, si Shullazi ashtu dhe Dani, grupi hetimor ka dhe një pistë të tretë. E ajo lidhet me një krim të mundshëm për të parandaluar planë vrasjesh që në disa momente u ekspozuan nga platforma SKY në dosjen e SPAK, që goditi disa grupe kriminale gjatë operacionit “Revanshi”, në maj të vitit 2024.

Plane që personazhe të botës së krimit mund t’i ketë hamendësuar, por në momentin që mesazhet bëhen publike, kushdo e ndjen veten edhe më të rrezikuar. Dhe një nga ata personazhe që kishte zhvilluar biseda të tilla në SKY gjatë vitit 2020, edhe pse i izoluar në burg, ishte edhe Emiljano Shullazi.

Nga i gjithë grupi i tij, që u arrestuan me akuza të rënda në vitin 2016, disa prej të cilave ranë rrugës, të gjithë përfunduan dënimin dhe lanë qelinë njëri pas tjetrit. I vetmi që vijon të mbahet i izoluar është Emiljano Shullazi, për të cilin tashmë janë dy procese që po zhvillohen në Gjykatën e Posaçme. I pari që lidhet me vrasjen e vitit 2005 të biznesmenin Vajdin Lame dhe mikut të tij Artan Arsi dhe i dyti lidhur me dosjen e operacionit “Revanshi”, që ekspozoi aleancat e disa grupeve kriminale që bashkëvepronin për vrasjet e kundërshtarëve. Procesi i parë, ai i vrasjes së Vajdim Lames, ku përveç Shullazit janë në gjykim edhe 4 persona të tjerë, është drejt përfundimit, në fazën e dëshmive.

Ndërsa procesi tjetër është i ndarë në dy pjesë, një në themel dhe një tjetër në fazë seance paraprake. Më 15 shkurt 2025 SPAK mbylli hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen me 14 pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas dosjes së SPAK:

DOSJA E SPAK

Të pandehurit Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi dhe Blerim Abazi, gjatë muajve janar-korrik 2020 dhe i pandehuri Naim Stafuku, gjatë muajit gusht 2020 në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Durim dhe Valter Bami. Të pandehurit Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi në bashkëpunim me persona të tjerë si grup kriminal kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e Preng Gjinit. Të pandehurit Leonard Duka dhe Drianto Bardhi dhe grupi kriminal i drejtuar nga Leonard Duka kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi. Gjergji Cukali, në bashkëpunim me persona të tjerë planifikuar vrasjen e Elvis Gaçajt dhe Altin Gegës. Viktor Imeraj dhe Satilno Basho planifikuan të vrisnin Fatmir Hysenin dhe Armando Hysenin. Xhelal Rraja, në bashkëpunim me persona të tjerë planifikoi vrasjen e Arben Ndokës. Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë ka goditur familjarin e një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një çështje në ngarkim të Shullazit. Astrit Balliu i akuzuar për armëmbatje pa leje dhe në bashkëpunim me shtetasin Miri Bruli ndihmuan Aldo Avdylin të ikte në Malin e Zi nëpërmjet Liqenit të Shkodrës. Gjithashtu Astrit Balliu ka thyer masën e arrestit.

Pjesë e kësaj dosje janë disa episode, mes të cilave edhe plani për vrasjen e Durim Bamit. Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Shullazi – Marklen Haka

Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat, se jam këtu dhe robt që janë jashtë, me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardhë në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën Reklamë.

Ai Duri i ka çuar haber atij Nokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.

Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Shullazi – Arben Ndoka

Emiljano Shullazi: Po më thotë tani që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal “A…” dhe me shumë se 20 minuta nuk rri. Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Një tjetër episod i dosjes së SPAK, lidhet me bashkëpunimin e Ervis Martinajt me Satilno Bashon për vrasjen e Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”, për të cilin shfaq interes edhe Emiljano Shullazi.

Për të dokumentuar aktivitetin kriminal të Satilno Bashos, SPAK ka verifikuar edhe komunikimet e tjera që ai ka kryer, ku mes tyre bien në sy komunikimet me Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg. Nga bisedat Prokuroria ka vënë re bashkëpunimin e tyre me qëllim lokalizimin e Fatmir Hyesnit , Armando Sulejmanit dhe personave të tjerë të lidhur me ta. Nga konteksti i bisedave vihet re që Emiljano Shullazi ka dyshime se këta të dy persona janë përfshirë në vrasjen e Edison Harizajt, ngjarje e ndodhur më 6 nëntor 2018, në Durrës.

Harizaj njihej ndryshe si “Edison Faqedjeguri” apo edhe “Edisoni i 7 pallateve” në Vlorë. Vrasja e tij ndodhi në zonën e plazhit, në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i plagosur edhe miku i tij, Genci Caci. Automjeti tip “Audi”, në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci, u qëllua me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend. Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010.

Emiljano Shullazi: Njërin duhet ta marrim (marrim peng) që të dimë kush qëllon dhe të dimë se ku të trokasim pastaj. Ku ma gjen dot “Doqen”?

Me Bashon ai shkëmben mesazhe në prill të vitit 2020, duke biseduar edhe për çështje të tjera, siç ishte vrasja e Leonard Dukës, pasi sipas Shullazit do të merrnin pagesë të mirë. Por sipas tij, fillimisht duhej të mbyllte problemet me gjyqin, pasi në atë kohë Satilno Basho ndodhej me masë “arrest shtëpie”.

Emiljano Shullazi: Është ky Nardi Duka nga Tirana, thonë që rri në Spanjë. Kemi çuna që e bëjnë andej? Nuk e di për adresë por po e gjetëm e marrim aty. Mbaro këtë arrestin një herë. Pastaj këtej nga Durrësi të bëjmë ndonjë gjë. Jam dobët me informacionin aty dhe s’po çaj dot, s’po dalin fare pisat.

Nga komunikimet që kryejnë në datat 17 dhe 18 maj 2020, Shullazi me Bashon diskutojnë në lidhje me automjetet, që t’i përdorin në vrasje. Diskutojnë në lidhje me gjetjen e një furgoni, ambulance dhe një “Range Rover”, që ta lyejnë me ngjyrë të bardhë, të ngjashme me makinat e Policisë.

Emiljano Shullazi: Duhet kapur ai “Çipuri” (Armando Sulejmani) që të tregojë se kush ka gjuajtur, duhet me e marrë vesh se kush gjuan…. Duhet me e gjet atë që ka gjuajtur vëlla se s’bën. Pra ti thua që “Çipuri” me vëllain e “Buzderrit” (Sokol Sinomatajt) kanë gjuajtur?

Në vazhdim Shullazi e pyet edhe për Durim Bamin.

Emiljano Shullazi: Me atë Durim Bamin, është ai nga Fushë – Kruja, di ndonjë që ka muhabet andej nga Vlora? Se për atë mbushin 1 milion euro. Këtë muhabet e bëj me ty dhe nuk dua që ta marrë vesh njeri ç’a flasim bashkë. Dur Bami të pret në besë duke ngrënë bukë, ai ka 100 hasmër, do bëj festë Policia. As nuk do e kërkojë njeri atë muhabet. Po hiç arrestin një herë, se kam rob unë atje që të afrojë.

Emiljano Shullazi: Mbyll atë gjyqin ti që të jesh vetë në lëvizje për ktej nga Durrësi, apo nuk e kalon qarkun e Vlorës ti? Vëlla Tirana është pak problem, ama sa kalon Casa Italian nuk e rru… kush. Andej nga kam hall unë nuk kalon Policia, vetëm një herë në ditë.

Vrasja e 11 nëntorit është më shumë sesa një atentat i radhës. Ajo rihapi plagët e një konflikti që zgjat thuajse dy dekada. Por gjithashtu ngriti shumë pikëpyetje.

Si depërtojnë grupet kriminale në zona të “blinduara”?

Si lëviz informacioni? Kush i ndihmon?

Dhe sa të pambrojtur jemi kur akte të tilla kryhen në dritë të diellit, pranë aeroportit më të rëndësishëm të vendit?

Hetimet vazhdojnë. Por ndërsa autorët mbeten në arrati, mesazhi është i qartë:

Një luftë e vjetër po rikthehet. Dhe askush nuk e di se ku mund të godasë herën tjetër./abcnews.al

Debatet në Apel – Altin Dumani: Gjyqi zvarritet qëllimisht, Shullazi: T’ia fus murit me kokë unë

By: Re Nato
16 November 2025 at 20:26

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij i nisur në dhjetor të vitit 2018 në Apel, ka pasur një zvarritje të gjatë, ku ishin shtyrë mbi 40 seanca.

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Krimet e Rënda në 2018-ën. Një javë para se të shpallej ky vendim, konkretisht seanca e datës 24 nëntor 2021, në Apelin e Posaçëm për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin u shoqërua me debate.

Prokurori Altin Dumani: Pjesë nga procesverbali i datës 07.04.2021, kur pjesë e trupit gjykues u bë kryesuesja, Miljana Muça. (citon) Pjesë nga fjala e të pandehurit Gilmando Dani në seancë: “Mos e bllokoni këtë proces, se ne nuk bëjmë gjyq me ju dhe për këtë arsye e kemi shtyrë gjyqin, kur ishte ajo zonja e nderuar tjetër që kishte dy vjet. Prandaj mos qëndro kot. Jep dorëheqjen”.  Pjesë nga procesverbali i datës 29.09.2021, citoj siç është shkruar në seancë: “Tek kjo gjykatë, te ky procesi jonë, po shkelet ligji me të shtata këmbët dhe s’ka si mund të vazhdojë ky proces. Dihet pse po vonohet procesi. O zonjë, ikni ju të dyja, na gjeni dy gjyqtarë që të mos kenë lidhje me çështjen dhe të bëjmë gjyqin nesër”.  Edhe pak kalon nëntori i 2021, edhe 3 vjet gjykimi në shkallë të parë, akoma s’është çelur shqyrtimi gjyqësor. Nuk është shtyrë asnjë seancë për mungesë të prokurorëve. S’është shtyrë… Në vijimësi, marrë në konsideratë edhe dinamikën e këtij procesi, unë arrij në këtë vlerësim. Që ky gjykim, qëllimisht nga i pandehuri, zvarritet.

Emiljano Shullazi: Po pse ne duam të rrimë në burg sipas teje!? (ndërhyn gjyqtarja e paralajmëron njësoj si avokatin).

Prokurori Altin Dumani: Lidhur me Blerim Shullazin, ndoshta është momenti që të verifikohet gjendja e tij shëndetësore.

Emiljano Shullazi: Kërkoj fjalën.. (ndërhyn gjyqtarja që i jep fjalën Emiljano Shullazit). Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, ne detyrë? Në s’ju kemi pengu. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ore kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ia fus murit me kokë unë eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do i nxjerr para avokatit, si të mi prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në apel, më datë 7 erdhe ke ne??” Po normal, se je njohur me dosjen në shkallë të parë. E njihje dosjen. Për atë arsye dhatë edhe dorëheqjen. Si mund ta vazhdojmë ne gjyqin. Ore unë them dua të dal edhe tani nga burgu, po unë s’dal dot nga burgu. S’ka pse prokurori flet, jo ne thamë kështu, thamë ashtu… Unë do të dal sot nga burgu, si do të dal nga burgu? Dola nga burgu unë? S’ka kuptim kjo fjalë. Gjykata që thotë… aty e ke listën, tani nëse do të fillojmë ne sipas prokurorit ashtu, edhe unë po them është prokurori që i thotë atij Avni Matës dhe atij Pekës mos hajde në gjyq. Pse nuk thërret avokatë të tjerë, ke 100 avokatë aty? Caktoji ti ato avokatët e tjerë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Më fal t’ju ndërpres vetëm dy sekonda. Ju flisni për mbrojtjen e të pandehurve të tjerë, se mbrojtësi juaj është prezent?

Emiljano Shullazi: Si do të vazhdojë seanca? Po mirë, këtij kush do t’ia bëjë rekursin? Kush avokat?

Gjyqtarja Miljana Muça: Atëherë merr parasysh mbrojtjen e dy të pandehurve të tjerë se avokati juaj është korrekt?

Emiljano Shullazi: Po normal, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre?

Gjyqtarja Miljana Muça: A në këtë prizëm domethënë?

Emiljano Shullazi: Po, sepse nëse ju merrni vendim, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre? Do t’ua bëjë prokurori? Ne jemi të interesuar. Silleni ju një avokat, gjejeni ju avokatin. Ke aty 100 avokatë, keni 7 muaj me Avni Matën me Pekën. Caktoji ato të tjerët. Hiq këta, cakto të tjerët. Ku e dini ju që s’do të vijnë të tjerët? Ose prokurori, jo ju… Se ju s’e keni thënë, po e tha prokurori. Ku e dini ju se s’do vijnë të tjerët? Mbaroni listën dhe pastaj… Po prapë s’ka kuptim kjo, si do rrikemi ne, si paskam unë interes të shtyhet seanca? Ta thashë edhe një herë. Unë nuk pretendoj fare që të marr drejtësi me ju, sepse ju s’keni si të dilni ndesh kundra vendimit që keni dhënë në Shkallë të Parë, se ma ke marrë atë pronë pa të drejtë. Kam thënë prit se kam Apelin, të ka thënë avokati. Prit sa të mbarojë Apeli. Ti more vendimin, se the ia ke marrë me zor Ylvi Beqjas. Tani si të them unë: “Ej, s’ia kam marrë me zor”. Ti e ke marrë një herë atë vendim për Ylvi Beqjan, ma ke dhënë dënimin mua për atë punë. Ajo kuptohet.

Gjyqtarja Miljana Muça: Avokati juaj, më fal edhe një herë, avokati juaj në fakt qe korrekt në mënyrën e të shprehurit në raport me ligjin. Kërkesat tuaja, ankesat tuaja mbi përbërjen e trupit gjykues kanë ndjekur hallkat e gjykimit. Dhe avokati u shpreh që, natyrisht që këtë vendimmarrje, apo këtë qëndrim apo këtë përbërje të kolegjit do ta ankimojë…

Emiljano Shullazi: Jo mo jo, se deri diku edhe ju jeni korrektë, se ju e keni bërë një dorëheqje. Edhe ju jeni dakord me këto që them unë, se përderisa e keni bërë dorëheqjen përpara kërkesës sime për përjashtim, jeni dakord me këtë që them unë. Apo s’është kështu? Keni bërë pra dorëheqje ju e s’ju është pranuar. Si ka mundësi që ju ia pranoni kërkesën për përjashtim kësaj kryetares, kurse ajo s’jua pranon juve? Për shkaqe që janë shumë më të larta sesa ato që ke bërë ti dorëheqjen.

Gjyqtarja Miljana Muça: Ju kuptoj, uluni. Faleminderit.

Gilmando Dani: Ka mundësi ta marr dhe unë fjalën po dëshët? (Ndërhyn gjyqtarja, i jep fjalën) Në lidhje me ato që tha zoti prokuror, unë s’është se i mohoj ato fjalë. I kam thënë, kam qenë i irrituar në lidhje me trupin gjykues. Dihet shumë mirë se na ka gjykuar një herë, s’mund të na gjykojë për së dyti. Kështu që është e kotë që i lexove procesverbalet. Edhe është mendimi im zotëri, nuk është një mendim i të gjithëve, që e morët ju ashtu dhe që e thoni si të doni. Po nejse. Të kthehemi tek avokatët. Se ju zonja gjyqtare flisni këtu për një proces të rregullt ligjor dhe që neve të na garantohen të drejtat tona. Po këtu, sa keni ardhur ju, këtu nuk po shihet fare. Këto 6 muaj që jeni këtu, keni 6 muaj që thoni proces ligjor, proces ligjor. Po keni 6 muaj që sillni po të njëjtët avokatë. I keni vënë kush e di sa gjoba, mbi 20 milionë lekë a 30 a nuk e di se ku do t’i gjejnë ato avokatët. Kurse këtu është një listë e gjatë, që e kemi edhe neve, me 98 veta, ka edhe lista të tjera me çfarë kemi dëgjuar dhe ju nuk thirrni asnjërin prej tyre. Se përse, e dini ju këtë punë. Por merrni vendimin në fund të procesit që thoni që procesi të vazhdojë pa avokatë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Këtu seancën e drejton gjykata…

Gilmando Dani: Po ta mbaroj…

Gjyqtarja Miljana Muça: Se e ndërpreva edhe të pandehurin tjetër. Ju bëj me dije dhe ju kujtoj se… jam e pasaktë për datën e seancës, por ju keni marrë fjalën dhe keni thënë: “Kam zgjedhur një avokat. Avokati im është me Covid”. Ju kemi kërkuar emër, nuk na keni dhënë emrin dhe nuk kemi njoftuar një avokat të tillë. Atëherë mbani qëndrimin tuaj në lidhje me ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes. Keni thënë këto fjalë.

Gilmando Dani: Po, unë nuk i mohoj që i kam thënë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në raport me këtë pyetje që ju shtron kryesuesja, jepni një sqarim.

Gilmando Dani: Po, ta jap sqarimin tani. Zgjodha avokaten time që ishte… se ia harrova dhe emrin tani. Erdhi në seancë. Mungoi një herë dhe direkt sa mungoi i vutë 500 mijë lekë gjobë. Herën e dytë e morët dhe e përjashtuat. Që herën e dytë. Kurse të tjerët keni 6 muaj që i thirrni. E kuptoni çfarë po them. Ma hoqët avokatin im, ma hoqët për një herë. Kurse këto që vini ju, këto të shtetit, keni 6 muaj që s’keni ndërruar asnjë. Tani ne jemi në një kohë pandemie zonjë. Tjetri sot është mirë, nesër është sëmurë. Si mund t’i them unë atij që ka qenë me Covid hajde?! Ku e di unë si është ai me shëndet? Ai mund të ketë shkuar jashtë shtetit përderisa nuk erdhi këtu. Se nuk jam interesuar më për atë. Ju flisni pse s’erdhi ai. Unë e kisha zënë këtu avokatin, unë e kisha këtu ju ma përjashtuat. Zonjë, keni 6 muaj, urdhëro, nëse nuk e keni ju listën, jua jap unë po deshët. Janë 98 veta.

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos u shqetësoni për listën sepse është…

Gilmando Dani: Po pse zgjidhni po ata persona dhe i keni mbytur në gjoba?

Gjyqtarja Miljana Muça: Arsyen ua tha Gjykata…

Gilmando Dani: Ku është e drejta këtu, se thoni i keni armët të barabarta. Çfarë armësh të barabarta kemi ne, që te vendi ku jemi shihet sa të barabarta i kemi. Pa marrë parasysh pastaj shkeljet që janë bërë për këtë dosje, dihen nga të gjithë. Edhe prokurori thotë është shtyrë për arsyen tonë. 270 ditë, i keni në procesverbal që është shtyrë për shkak të Gjykatës. Edhe vazhdon Gjykata prapë… O zonjë, ju si relatore duhet t’i gjeni këtij procesi një zgjidhje.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në rregull…

Gilmando Dani: Më fal një sekondë se edhe prokurori e di shumë mirë që në ditët që keni ardhur ju, në mos gaboj këtu kanë qenë të pestë avokatët. Ka qenë momenti i parë që gjyqi do të shqyrtohej. Por në momentin që erdhët ju këtu… (ndërhyn avokati)

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos e ndërprit të pandehurin, është shumë e rëndësishme që gjykata ta dëgjojë…

Gilmando Dani: Që sa erdhëm nuk kishte drita, ikën dritat. Edhe ju ishin e jashtëligjshme. A e dini vetë ju që ishin e jashtëligjshme, se e dhatë vetë arsyen?

Gjyqtarja Miljana Muça: Gjykata tërhiqet në dhomë këshillimi./abcnews.al

Gilmando Dani në krah të Emiljano Shullazit nga vitet 2000, 4 herë i dënuar nga Gjykatat

By: Re Nato
16 November 2025 at 20:10

Në dosjet e drejtësisë emri i Gilmandi Dani shfaqet për herë të parë në mesin e viteve 2000. Ai ndjek një jetë paralele me atë të Emiljano Shullazit, figura qendrore e grupit, për të cilin Prokuroria ka ngritur disa akuza të rënda ndër vite.

Nëse për Emiljano Shullazin, kishte nisur një hetim për dyshime të përfshirjes në linja të trafikut të drogës që në vitin 2003, madje edhe me dyshimet se ishte pjesë e një grupimi që njihej me herët si “Djemtë e Rrugës së Kavajës”, emri i Gilmando Danit shfaqet krah tij pak më vonë.

Për 15 vjet, nga viti 2006 deri në vitin 2021 Dani është dënuar 4 herë nga Gjykatat.

Dënimet e Gilmando Danit

Më 16 qershor 2006 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 8 muaj burg për “armëmbajtje pa leje, sigurim i mjeteve për vjedhje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Më 11 maj 2012 dënohet nga Gjykata e Tiranës me një vit burg për “armëmbajtje pa leje”.

Më 22 shkurt 2016 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 200 mijë lekë gjobë për “moskallëzim krimi”

Më 3 dhjetor 2021 dënohet me 12 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Në shkurt të vitit 2006 Emiljano Shullazi arrestohet nga forcat speciale RENEA në një apartament në rrugën “Him Kolli”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Blis”. Bashkë më të u arrestuan edhe Gilmando Dani, Dritan Hate dhe një vajzë që quhej Elona, e cila në atë kohë përflitej si e fejuara e tij. Në apartamentin e Shullazit u gjetën disa armë të ndryshme dhe pasaporta e certifikata. Për armët dhe falsifikimin e pasaportës, Shullazi u dënua me vetëm dy vjet burg, pasi kërkoi gjykim të shkurtuar. Por teksa mbahej në paraburgim për këto akuza, një tjetër hetim paralel që po zhvillohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një linjë trafiku heroine, u finalizua me operacionin “Identikit”. Gjatë këtij operacioni, përveç Shullazit që ndodhej në qeli, u arrestuan edhe 7 persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-oficer të Antidrogës, që akuzohej për nxjerrje të sekretit hetimor. Sipas dosjes së Prokurorisë, grupi akuzohej se kishte trafikuar 350 kilogram heroinë. Drejtuesi i këtij grupi ishte shpallur në kërkim për trafik droge nga Turqia në Shqipëri, me destinacion final Italinë.

Akuzat ishin të rënda: “Trafikimi i narkotikëve”, “Organizim, drejtim e financim i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës” dhe “Kryerjen e krimit të trafikimit të narkotikeve nga pjesëtar të organizatës kriminale”.

Katër prej të pandehurve të dosjes u dërguan për gjykim, ndërsa Emiljano Shullazi dhe një tjetër prej të pandehurve nuk pranuan akuzat. Megjithatë, në janar të vitit 2009 të dy ata u dënuan me nga 13 vjet heqje lirie. Pa kaluar 10 ditë nga ky vendim, Shullazi vendos ta apelojë. Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda, vendos të prishë vendimin dhe të kthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në këtë fazë dy të pandehurit pranojnë vetëm akuzën e trafikut të drogës dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar duke përfituar uljen e masës së dënimit.

Përfundimisht në tetor të vitit 2009 Emiljano Shullazi dënohet me 8.8 vite burg. Dënim që shumë shpejt i solli lirinë, duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.

Ndërkohë, miku i tij, njeriu më i afërt e i besuar, i konsideruar si krahu i djathtë, Gilmando Dani, kishte fituar me kohë lirinë. Gjatë kohës që Shullazi vuante këtë dënim, çdo “punë” tjetër jashtë zgjidhej nga Gilmando Dani.

Madje, më 15 gusht të vitit 2009 Prokuroria mori në pyetje Gilmando Danin, i cili për disa ditë po hetohej në lidhje me vrasjen e 4 oficerëve të Policisë nga Dritan Dajti më 7 gusht të atij viti. Dani ishte paraqitur vetë për të dhënë deklarime. Disa orë pasi ka dëshmuar ai është lënë i lirë pasi nuk u gjet asnjë provë që të ngriheshin akuza ndaj tij.

Më 21 prill të vitit 2011, 4 muaj pasi u lirua nga burgu, ku vuajti dënimin për trafik lëndësh narkotike, Emiljano Shullazi provoi sërisht qelinë për disa orë, pas denoncimit të dy deputetëve socialistë për prishjen e një takimi elektoral. Shullazi u ndalua nga forcat e policisë të Komisariatit nr.2, si personi që kishte penguar subjektin politik për zgjedhjet në organet përfaqësuese. Pas njohjes me akuzën dhe marrjes në pyetje, prokurori ka vendosur që Shullazi, në atë kohë 32 vjeç, të procedohej penalisht në gjendje të lirë. Hetimi i tij në gjendje të lirë u argumentua nga prokurori i gatshëm, me faktin se një vepër e tillë penale nuk parashikon arrest.

Por vetëm pak ditë më pas ai arrestohet. Emiljano Shullazi bashkë me grupin e tij prej 11 personash u prangosën më 8 maj të vitit 2011, vetëm disa minuta para se të mbyllej procesi i votimi në Komunën Farkë të Tiranës. Një operacion i forcave të Policisë së Tiranës, bëri të mundur arrestimin e tij, në afërsi të Liqenit të Thatë. Në momentin e arrestimit policia sekuestroi dy makinat e blinduara, me të cilat ai lëvizte prej disa ditësh, antiplumb, tri pistoleta, tri thika dhe disa doza bimë narkotike.

Edhe pas këtij episodi, Shullazi lirohet disa muaj më vonë. Ndërsa ndalohet mbrëmjen e 8 nëntorit 2011, pasi bashkë me mikun e tij Gilmando Dani, u kapën me maskë dhe armë në një makinë, teksa lëviznin në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Megjithatë Dani ka marrë autorësinë e pistoletës duke sjellë pafajësi për Shullazin.

Pas këtij momenti vjen një periudhë e gjatë qetësie, të paktën me organet e drejtësisë. Deri në vitin 2016 ata vijuan aktivitetin e tyre në liri, derisa erdhi momenti që i izoloi në qeli, ku Shullazi ndodhet edhe sot, ndërsa Gilmando Dani kishte përfunduar dëmin në vitin 2024 dhe ishte tashmë i lirë.

Emiljano Shullazi është prangosur pas mesnatës së datës 17 prill 2016, teksa mbahej i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 01:30, oficerët e Krimeve të Rënda, kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj Shullazit dhe dy personave të tjerë që po ashtu mbaheshin të shoqëruar. Dy personat e tjerë që u arrestuan bashkë me të, ishin miku i tij, Gilmando Dani, si dhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi. Ata kishin shkuar në Polici që të interesoheshin për Shullazin, por nuk janë lejuar që të dalin më, duke u komunikuar edhe atyre arrestimin. Prokuroria kishte ngritur ndaj tyre 4 akuza të rënda, disa prej të cilave nga denoncimet e të dëmtuarve, disa nga hetimet e kryera me metoda speciale që prej muajit shkurt të atij viti. Ata akuzoheshin për “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “shtrëngim me atë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “grup i strukturuar kriminal”./abcnews.al

Gjërat tona/ Misteri i vrasjes së Renis Dobrës, porosi nga burgu, çështje droge apo probleme familjare

By: Rovena
2 November 2025 at 20:47

Që nga data 19 gusht 2025, në këtë shtëpi, në fshatin Zenisht të Burrelit, nuk banon më njeri.  Pasi bëri të 40-tat e djalit të vetëm, Rufat Dobra mbylli dyert dhe u zhvendos tek vajzat në Tiranë.

Ndonëse vrasja e të birit 23-vjeçar u zbardh shumë shpejt nga Policia e Dibrës dhe tashmë 4 autorë të dyshuar ndodhen pas hekurave, duket se ngjarja sërish është e rrethuar nga misteri. Ende nuk dihet me saktësi motivi i krimit dhe as urdhëruesi.

Rufat Dobra

U kapën edhe dy të tjerët, por ata s’janë të vetmit. Jam i bindur që ka edhe persona të tjerë të përfshirë. Ende nuk dihet se kush e ka urdhëruar vrasjen e djalit tim…

Dhe kjo është pikëpyetja me e madhe e familjes së Renis Dobrës, por edhe e Policisë, që ka ngritur 3 pista kryesore, pa vendosur dot me prova se cila prej tyre qëndron.

U vra për shkak të konflikteve të drogës, me porosi nga burgu, apo për shkak të ndonjë problemi brenda rrethit të tij familjar.

Deri në këtë fazë të tri variantet janë të mundshme, por pa ndonjë provë konkrete, që mund të veçojë ndonjërën nga pistat si më kryesore.

Rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës më 8 korrik 2025, tashmë pritet të hetohet nga SPAK.  Gjykata e Dibrës shpalli moskopetencën duke e kaluar dosjen tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më 20 shtator 2025, kjo gjykatë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të dy të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e të riut. Më herët, për të njëjtën ngjarje, ishin arrestuar edhe Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri.

Drejtoria e Policisë së Dibrës arriti të zbardhë ngjarjen dhe 8 ditë pas krimit, më 16 korrik 2025, arrestoi dy prej autorëve të dyshuar. Dy të tjerët u arrestuan më dy muaj më vonë, më 19 shtator. Në deklaratën zyrtare, teksa komunikonte rezultatet e operacionit “Bashkëfajësia”, i zhvilluar gjatë një jave me metoda speciale hetimi, drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka foli edhe për motivet e dyshuara të ngjarjes.

Sipas policisë, vrasja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve në fushën e drogës mes viktimës dhe autorëve. Gjatë operacionit që u zhvillua më 16 korrik, u arrestuan Fatjon Bushgjokaj, 34 vjeç, i cili u kap në zonën e Astirit në Tiranë dhe Petrit Çakrri, 55 vjeç, nga Tropoja, që u ndalua në fshatin Golaj të Hasit. Vëllezërit e Fatjon Bushgjokajt që ishin shpallur në kërkim, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, u arrestuan më 19 shtator.

Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 8 korrik 2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht të Burrelit, Renis Dobra është marrë peng dhe me pas është vrarë, duke u mbytur me litar. Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i Renis Dobrës ka mbetur pranë sektorit “C”, pa arritur në breg, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.

Pavarësisht dyshimeve të para, ashtu siç kishin raportuar dëshmitarët, Policia e Dibrës deklaronte se 4 personat që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.

Provat dhe dëshmitë

Më datë 8 korrik 2025, rreth orës 23:30, Rufat Dobra është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat dhe ka bërë kallëzim penal, duke pretenduar se, atë ditë, rreth orës 17:00 djali tij, Renis Dobra, ka dalë nga shtëpia me automjetin e tij “Mercedes Benz” dhe nuk është kthyer më.  Ai ka dalë me qëllim që të shkonte në qytetin e Burrelit.

Rreth orës 21:30, shtetasi Renisi i ka shkruar një sms babait të tij, duke i treguar se po shkonte në shtëpi. Por kur kishin kaluar 40 minuta nga ky mesazh, rreth orës 22:10, babait të Renisit, i ia telefonuar nipi i tij, Arbër Budini, i cili i ka thënë që se i dukej se djalin e kishte kapur Policia.

Pas kësaj telefonate, Rufat Dobra i ka kërkuar nipit që të vinte ta merrte me makinë në shtëpi dhe të iknin bashkë në Burrel, që të interesoheshin te Komisariati i Policisë. Aty më pas ka bërë edhe kallëzim, duke deklaruar humbjen e djalit t tij.

Policia ka marrë në pyetje Arben Budinin, në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit, i cili ka qenë personi i fundit që ka parë makinën e Renis Dobrës dhe ka menduar se e kishte ndaluar Policia.

Arben Budini

Rreth orës 22:10 të datës 8 korrik 2025, në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, në fshatin Zenisht, kur kam qenë duke udhëtuar me makinën time, kam parë makinën e dajës tim, Rufat Dobra, të ndaluar në rrugë. Makina ishte me drejtim lëvizje për nga fshati Lis dhe përballë saj kishte ndaluar një fuoristradë me drita të ndezura të forta, që më pengonin shikimin. Kam ulur shpejtësinë për të përshëndetur dajën dhe për ta pyetur se pse kishte ndaluar. Aty kam parë një person që ishte mes dy makinave të ndaluar, i cili me ton urdhërues më ka thënë të mos ndaloja aty. Vazhdova rrugën sepse mendova se ishin punonjës Policie. Mora në telefon dajën dhe pasi fola me të i thashë se Renisin e kishte ndaluar Policia. Ai më tha që të shkoja te shtëpia e tij dhe ta merrja me makinë. Pasi e mora, kemi shkuar në vendin ku kisha parë makinat dhe aty nuk kishte më asgjë. Me atë rrugë kemi shkuar më pas në Burrel për t’u interesuar te Komisariati i Matit, ku daja më pas bëri kallëzim.

Shërbimet e Policisë së Dibrës ka administruar dhe këqyrur kamerat e sigurisë nga Komisariati i Policisë Mat dhe jo vetëm, kamera që janë të vendosura në pikat kyçe të qytetit Burrel, me qëllim zbulimin e lëvizjeve të autorëve të ngjarjes.

Në orarin që bëhej fjalë për lëvizjen e autorëve të dyshuar dhe pikërisht në orën 22:02, në kamerat që mbulojnë Urën e Matit, është konstatuar një automjet “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, me drejtim lëvizjeje në drejtim të qytetit të Burrelit dhe 20 sekonda pas këtij automjeti është konstatuar një fuoristradë e bardhë, në dukje “Hyundai”, si dhe pas një tjetër makinë “Mercedes Benz”, pak sekonda pas fuoristradës, e ngjarje me makinën në pronësi të Rufat Dobra, të cilën e ka pasur në përdorim djali i tij, Renisi.

Është ndjekur lëvizja nëpërmjet kamerave në hyrje të qytetit Burrelit, ku automjetet e përshkruara më lart, në orën 22:04:54 është konstatuar automjeti tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, në hyrje të qytetit Burrel dhe në orën 22:05:58 është konstatuar automjeti tip fuoristradë me ngjyrë të bardhë (automjeti tip “Hyundai”), ndërsa automjeti i tretë, i viktimës Renis Dobra, është konstatuar disa minuta më pas.

Është vazhduar verifikimi i lëvizjes së automjeteve, përmes kamerave të sigurisë në vende të ndryshme dhe është arritur të zbulohet se itinerari i lëvizjes së tre automjeteve ka qenë në drejtim të rrugës së vjetër të Shkopetit, sipas aksit rrugor Milot-Burrel. Në orën 22:39, automjeti tip fuoristradë me ngjyrë të bardhë dhe automjeti tip “Mercedes Benz” i viktimës, Renis Dobra janë konstatuar nga kamerat e lokalit “Mhilli”, në afërsi të vendit të ngjarjes.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 9 korrik 2025, rreth orës 06:20, në vendin e quajti “Qafa e Ulzës”, pa shkuar tek ura e Ulzës, është gjetur një shapkë, e cila dyshohet se ka qenë e Renis Dobrës, e konfirmuar më pas nga familjarët e tij. Në aksin rrugor Ura e Ulzës-Tuneli i Shkopetit, në anën e majtë të rrugës së asfaltuar, është konstatuar që ka pasur një dalje nga rruga të një automjeti, e cila ka vazhduar në tatëpjetën në drejtim të liqenit të Ulzës. Aty janë konstatuar pjesë automjeti dhe rreth 10 metër pa mbërritur në sipërfaqen e liqenit është gjetur kufoma e shtetasit Renis Dobra, i cili është i dëmtuar në pjesën më të madhe të trupit dhe në pjesën e fytit është konstatuar një brazdë strangulimi e mavijosur, por nuk janë vërejtur plagë arme zjarri. Ndërsa, automjeti tip “Mercedes Benz”, me ngjyrë ulliri, kishte përfunduar në thellësinë e liqenit.

Trupi i pajetë i Renis Dobrës është dërguar në ambientet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për të kryer këqyrjen e imtësishme dhe autopsinë, ku nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë paraprakisht mendohet se shkaku i vdekjes ka qenë asfiksia, pasi i janë dëmtuar gjëndrat tiroide, si pasojë e shtrëngimit me mjete në pjesën e fytit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se, Renis Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e lëndëve narkotike dhe atje ka pasur konflikt me shtetasin Egri Hani alias Egri Koçi, 24 vjeç, për shkak të prishjes së pazareve dhe konflikti ka qenë i pambyllur. Për këtë shkak hetimet fillimisht janë përqendruar në pistën e hakmarrjes ndaj 23-vjeçarit Dobra nga ana e Egri Hani. Ky person, në momentin kur ndodhi vrasja e Renis Dobrës, ndodhej nën efektin e masës “arrest shtëpie”, i akuzuar për shkatërrim të pronës me zjarr.

Egri Hani, i cili njësoj si Renis Dobra është banor i fshatit Zenisht, ishte arrestuar më 2 qershor 2025, një ditë pasi dyshohej se i kishte venë flakën një makine në Burrel, në bashkëpunim me një person tjetër.

Për këtë arsye, Policia ka ushtruar kontroll në banesën e Egri Hanit, gjatë të cilit nuk janë gjetur sende të kundërligjshme, por i janë sekuestruar disa celularë, me qëllim këqyrjen dhe ekzaminimin e tyre. Gjithashtu i janë gjetur edhe disa lista me emra dhe numra telefonik gjermanë.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 9 korrik 2025 është përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, ku ishte hedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, me targë AA349ST, me ngjyrë jeshile, së bashku me kufomën e shtetasit Renis Dobra. Është bërë këqyrja e automjetit pas nxjerrjes nga liqeni dhe nuk është konstatuar asgjë e kundërligjshme apo ndonjë send që mund t’i shërbente hetimit për zbulimin e autorëve. Në automjet janë gjetur dokumentet e mjetit, karta e identitetit dhe dëshmia e taksistit të shtetasit Rufat Dobra, babait të viktimës Renis Dobra, dokumente të cilat kanë qenë në pjesën e kroskotit të mjetit.

8 makina me qira

Dyshimet e grupit hetimor se pengmarrja e më pas vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra, mund të jetë kryer nga një grup i strukturuar kriminal, lidhen me organizimin e krimit, personat që janë angazhuar në ngjarje por dhe shtrirja në kohë e planit për realizimin e veprës penale.

Grupi hetimor, ka zbuluar se personat e përfshirë në ngjarje, kanë marrë me qira 8 makina. Madje në disa raste kanë kërkuar nga kompanitë e mjeteve me qira, që të hiqnin pajisjen GPS, ndonëse kërkesa nuk u është pranuar. Një investim i tillë, pa diskutim që shoqërohet edhe me një pagesë për realizimin e vrasjes, gjë që ka sjellë dyshime për porositjen e saj. Pa çka se motivi real ende nuk është saktësuar, ndonëse në fillim u dyshua për çështje droge. Por me aq sa u zbulua në vazhdim, rezultoi se Renis Dobra, gjatë aktivitetit të tij të jashtëligjshëm në Gjermani, nuk kishte pasur kurrë të bënte me sasi të mëdha droge dhe as parash.

Dosja e Prokurorisë

Nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se njëri nga automjetet që kanë marrë pjesë në rrëmbimin, mbajtjen peng dhe më pas vrasjen e shtetasit Renis Dobra ka qenë automjeti tip “Range Rover”, me targë AA333RM, me ngjyrë të zezë dhe në këto kushte, pas verifikimit të këtij automjeti, ka rezultuar se është në pronësi të një subjekti, i cili jepte makina me qira. Nga verifikimet e kryera pranë këtij subjekti ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Bushgjokaj, 24 vjeç, më datë 7 korrik 2025 ka marrë me qira automjetin tip “Range Rover” dhe kjo vërtetohet me kontratën e mbajtur nga ana subjektit, ku bashkëlidhur kontratës është edhe fotokopja e dokumenteve të identifikimit. Momenti i marrjes me qira të këtij automjeti nga ana e shtetasit Aleksandër Bushgjokaj është dokumentuar edhe me marrjen e pamjeve filmike të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, të cilat janë edhe audio. Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe praktika origjinale e kontratës se marrjes me qira të këtij automjeti.

Është pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit personi që merret me përpilimin e kontratave të automjeteve të dhëna me qira dhe ka deklaruar se, më datë 5 korrik 2025, është telefonuar nga një person, i cili i ka kërkuar të marrë me qira një automjet tip “Volkswagen Golf 7”. Ai thotë se personat e interesuar nuk i ka njohur në momentin që kanë shkuar në vendin e tij të punës, pasi nuk kishin marrë më parë automjete me qira. Por nëpërmjet dokumentacionit ka identifikuar Fation Bushgjokajn, i cili kishte marrë me qira një automjet tip “Audi A4”.

Më datë 6 korrik 2025, rreth orës 12:35, Fation Bushgjokaj ka sjellë automjetin e marrë me qira dhe po atë moment ka marrë me qira një automjet tip ‘Volkswagen Golf 7” për pesë ditë, me çmimin 30 euro dita dhe ka përpiluar kontratën përkatëse. Të nesërmen, ky person ka kërkuar të marrë me qira automjetin tip “Range Rover” dhe i ka kërkuar që t’ia linte me qira me çmim 105 euro dita.

Dosja e Prokurorisë

Rreth orës 14:09 të datës 7 korrik 2025, në vendin ku jepen makinat me qira, ka shkuar shtetasi Fation Bushgjokaj së bashku me vëllain e tij, Aleksandër Bushgjokaj me automjetin tip “Volkswagen Golf 7” të marrë me qira dhe kanë përpiluar kontratën për automjetin tip “Range Rover”. Kontratën e ka bërë në emër të shtetasit Fation Bushgjoka me çmim 105 euro dita dhe pasi kanë marrë automjetin me qira janë larguar. Më datë 10 korrik 2025, në orën 13:23, në aplikacionin “WhatsApp”, e ka telefonuar një person që është prezantuar si Fation Bushgjokaj dhe i ka thënë se po shkonte një kushëri i tij për të dorëzuar automjetin “Range Rover”, që kishte marrë me qira, pasi ishte edhe data për ta dorëzuar. Rreth orës 13:20 të datës 10 korrik 2025, tek puna ka shkuar një person, i cili i është prezantuar si kushëri i Fatjon Bushgjokajt, i cili ka çuar automjetin “Range Rover”, automjet i cili ka qenë i larë nga brenda dhe jashtë, ku në atë moment ka shkuar aty edhe Fation Bushgjokaj me një taksi.

 

Sipas deklarimeve që ka dhënë personi që merret me përpilimin e kontratave, Fation Bushgjokaj i ka kërkuar që të hiqte GPS e automjetit tip “Range Rover”, pasi sipas tij, i vëllai i tij kishte qenë në burg për vjedhje dhe kishte bërë vjedhje me këtë automjet. Fillimisht, punonjësi i subjektit ka mbetur i habitur nga ky fakt i treguar nga Bushgjokaj për të vëllain e tij, Aleksandër Bushgjokaj dhe lidhur me këtë problem ka telefonuar administratorin e subjektit duke i kërkuar që të shkonte aty për këtë problem. Më pas administratori e ka telefonuar sërish dhe punonjësi i tij i ka sqaruar se si ishte çështja. Në këtë moment ai i ka kërkuar që t’i nxirrte jashtë nga vendi i punës personat që ishin aty, pasi nuk ndërhynin tek GPS dhe nuk bëheshin bashkëpunëtorë me të. Më pas, administratori nëpërmjet telefonit të punonjësit të tij, ka komunikuar me Fation Bushgjokajn, të cilit i është prezantuar si punonjës policie pranë repartit RENEA dhe i ka thënë që ofronin shërbime për makina me qira dhe jo për gjëra të tjera. Më pas të dy personat që kishin dorëzuar makinën “Range Rover” janë larguar nga aty me taksi. Para se të largohej, Fation Bushgjokaj i ka thënë punonjësit të subjektit se automjetin “Volkswagen Golf 7” do ta sillte të nesërmen, pasi i mbaronte kontrata më datë 11 korrik 2025. Por pasi punonjësi i ka telefonuar administratorit, ky i fundit i ka kërkuar që ta sillte automjetin tip “Golf” po atë ditë dhe jo të nesërmen.

Dosja e Prokurorisë

Është bërë këqyrja e automjetit tip “Range Rover” në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe nga ana e ekspertëve janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa objekte, si dhe 6 fije floku të marra në pjesën e brendshme të automjetit, 7 gjurmë papilare dhe 7 tamponë sterilë me mbetje biologjike. Është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit daktiloskopik vlerësues-krahasues lidhur me gjurmët papilare të gjetura dhe për kryerjen e ekspertimit biologjik lidhur me 7 tamponët sterilë me mbetje biologjike, objektet e tjera dhe fijet e flokut që u sekuestruan në makinë. Është bërë këqyrja e automjetit tip “Volkswagen Golf 7”, ku janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa objekte, 2 fije floku të marra në sendiljen e parë të pasagjerit, 5 gjurmë papilare dhe 8 tampona sterilë me mbetje biologjike. Edhe për këtë prova janë përpiluar vendimet për ekspertimit daktiloskopik vlerësues-krahasues dhe për kryerjen e ekspertimit biologjik lidhur me fijet e flokut mbetjet biologjike.

 

Por këto nuk ishin makinat e vetme të sekuestruara nga Policia në lidhje me ngjarjen. Gjithashtu, rezultoi se ishin marrë me qira edhe tri makina nga Petrit Çakrri. Një “Mercedes Benz GLK”, një “Hyundai Santa Fe” dhe “Volkswagen Jetta”. Të tri këto makina i janë sekuestruar menaxherit të një subjekti provat që jep makina me qira.

Ai është pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit dhe ka shpjeguar se të tri këto makina i ka marrë me qira Petrit Çakrri, nga data 3 korrik 2025 deri më datë 13 korrik 2025, i cili ka paraqitur dokumentet e identifikimit bashkëlidhur praktikës dhe plotësuar kontratën e qirasë sipas rregullave.

Dosja e Prokurorisë

Fillimisht, shtetasi Petrit Çakrri ka marrë me qira automjetin tip “Mercedes Benz GLK”, më datë 3 korrik 2025 dhe më pas ka kërkuar ta ndërrojë më datë 8 korrik 2025 me automjetin tip “Hyundai Santa Fe”, automjet të cilin e ka marrë me qira në orët e para të mëngjesit të asaj date dhe më datë 9 korrik 2025, në orën 00:45 e ka dorëzuar duke kërkuar ta ndërrojë me automjetin tip “Volkswagen Jetta”, me ngjyrë të bardhë. Sipas menaxherit të subjektit, shtetasi Petrit Çakrri (Hoxha) ka qenë i njohur si klient i rregullt i kompanisë, pasi edhe më parë kishte marrë mjete me qira dhe për shkak të kësaj marrëdhënieje me kompaninë, automjetet e marra me qira, akoma nuk i kishte dhënë si paradhënie, pasi do t’i jepte kur të kthente automjetin më datë 13 korrik 2025. Lidhur me automjetin tip “Hyundai Santa Fe”, menaxheri ka sqaruar se ky automjet, pasi e ka dorëzuar shtetasi Petrit çakrri, i është dhënë me qira një shtetasi të huaj, i cili ndodhej në Sarandë.

Janë administruar pamje filmike në vende të ndryshme në territorin e Bashkisë Mat për datën 8 korrik 2025 dhe jo vetëm, me qëllim për të kontrolluar lëvizjet e automjetit “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, i marrë me qira nga Fatjon Bushgjokaj, automjetit “Hundayi Santa Fe”, me ngjyrë të bardhë, i marrë me qira nga Petrit Çakrri dhe automjetit “Menz Mercedez”, me ngjyrë ulliri, në përdorim nga viktima Renis Dobra. Ka rezultuar se dy automjetet, ai “Range Rover” dhe “Hundayi Santa Fe”, janë konstatuar ditën e ngjarjes në hyrje të territorit të qytetit të Burrelit, si dhe janë konstatuar në lëvizje edhe në ndjekje të viktimës Renis Dobra gjatë ditës deri në orën 22:02, të datës 8 korrik 2025. Janë konstatuar në kamerat e vendit të quajtur “Ura e Matit”, kohë kjo ku ka ndodhur rrëmbimi i Renis Dobrës së bashku me automjetin e tij dhe kanë ndjekur të njëjtin itinerar lëvizjeje deri në vendin ku kanë hedhur automjetin dhe viktimën në vendin e quajtur “Sektori C”, në aksin rrugor Burrel-Shkopet. Pas këtij momenti nga vendi i quajtur “Sektori C” në drejtim të Tiranës kanë lëvizur vetëm me automjetin “Range Rover” dhe atë “Hyundai Santa Fe”.

Duke ndjekur lëvizjet e automjeteve përmes kamerave të sigurisë në subjekte të ndryshme, ka rezultuar se autorët e dyshuar kanë ndjekur rrugën e vjetër të Milotit për t’u kthyer në Tiranë. Por, po të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe për të shkuar në Burrel ditën e ngjarjes. Madje, në kohën që furnizonin makinat me karburant, në rrugën nga Kamza në drejtim të Laçit, më 8 korrik 2025, rreth orës 17:25, kamerat kanë fiksuar të dy makinat, “Range Rover” dhe “Hyundai Santa Fe”. Pas furnizimit me karburant, kanë parkuar në ambientet e jashtme të “Bar Kafe”, aty pranë dhe personat që ishin në këto makina janë futur në ambientet e lokalit brenda. Personat janë fiksuar nga kamerat dhe më pas janë krahasuar me fotografitë e marra nga sistemi TIMS. Ka rezultuar se ishin Petrit Çakrri, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Në një moment tjetër filmik janë konstatuar në tavolinë të ulur një tjetër person me kanatiere, me krahun e djathtë të mbushur me tatuazhe dhe në tavolinë janë konstatuar dy aparatë telefonik celularë dhe një çelës automjeti tip “Range Rover”. Duke u nisur nga karakteristikat trupore dhe fotot në sistemin TIMS ka rezultuar se ky person është Fation Bushgjokaj.  Ky ka qenë momenti i identifikimit të 4 personave të përfshirë në ngjarje, vendet e të cilëve në makinë janë përcaktuar po ashtu nga pamjet filmike që ka analizuar grupi hetimor.

Është pyetur Petrit Çakrri, i cili në prani të avokatit të tij ka shpjeguar se ka kryer lëvizjet sipas pamjeve filmike të kamerave dhe GPS të automjeteve të marra nga ai me qira, si dhe ka pranuar se kanë qenë në qytetin e Burrelit.

Petrit Çakrri

Kam ardhur nga Tirana në Milot, ku kam ndaluar tek një hotel dhe kam pirë kafe me Fation Bushgjokajn dhe me vëllezërit e tij, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj. Vëllezërit Bushgjokaj kanë takuar Renis Dobrën, i cili lëvizte me automjetin “Mercedes Benz”, në afërsi të një çezme në fshatin Zenisht. Në drejtim nga Miloti për në Burrel kam udhëtuar bashkë me Kristi Bushgjokajn, ndërsa pasi vëllezërit Bushgjokaj kanë takuar Renis Dobrën, Fationi dhe Kristi kanë debatuar me të dhe kanë hipur në automjetin “Mercedes Benz” të Dobrës. Nga vendi ku Fationi dhe Kristi kanë hipur në makinën e Renis Bobrës, drejtimin e “Range Rover” e ka marrë Aleksandër Bushgjokaj . Nuk kam dijeni se çfarë bisede është bërë ndërmjet vëllezërve Bushgjokaj dhe Renis Dobrës. Më pas unë jam kthyer për në qytetin Burrel dhe nëpërmjet unazës së qytetit jam kthyer përsëri në drejtim të Milotit, nga Shkopeti. Gjatë rrugës, në afërsi të Ulzës, më kanë parakaluar dy automjetet “Range Rover” dhe ”Mercedes Benz”. Di që në makinën e Renis Dobrës kanë qenë Fationi dhe Kristi . Më pas, në një vend në anësore të rrugës, kam parë “Range Rover” dhe makinën “Mercedes Benz”. Në dalje të Burrelit, në afërsi të Ulzës, kam parë të tre vëllezërit Bushgjokaj jashtë automjetit dhe automjetin tip “Mercedes Benz” në afërsi të automjetit tip “Range Rover”.

Është pyetur Fation Bushgjokaj, i cili në prani të avokatit të tij ka shpjeguar se ka kryer lëvizjet sipas pamjeve filmike të kamerave dhe GPS të automjeteve të marra nga ai me qira, si dhe ka pranuar se kanë qenë në qytetin Burrel dhe në qytetin Klos, ku ka takuar një shok, të cilit nuk ia mban mend emrin. Sipas tij, ka ardhur nga Tirana në Milot, ku ka ndaluar tek një hotel, ku ka pirë kafe me Petrit Çakrrin dhe me vëllezërit e tij.

Fation Bushgjokaj

Kam lëvizur së bashku me vëllain tim, Aleksandrin për në Klos dhe pasi kam takuar një shok në Klos, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, jam kthyer për në drejtim të Rrëshenit, ku pasi kam kaluar vendin e quajtur “Ura e Matit”, në afërsi të një fshati, kam ndaluar mbi 1 orë, duke biseduar në telefon. Më pas jam kthyer mbrapsht, duke kaluar në qytetin e Burrelit dhe nëpërmjet unazës së qytetit jam drejtuar për në rrugën në drejtim të Milotit, nga Shkopeti. Gjatë rrugës, në afërsi të Ulzës, kam bërë 2-3 ndalesa për të folur në telefon. Gjatë rrugës, kam parë dy automjete që më kanë parakaluar, të cilat nuk i kam njohur. Më pas, duke ecur, kam parë vetëm njërin automjet të ndaluar në krahun e majtë të rrugës, ndërsa automjetin tjetër nuk e kam parë më.

Edhe dy vëllezërit e Fation Bushgjokajt, Aleksandri dhe Kristi të arrestuar më vonë, kanë dhënë pothuajse të njëjtën deklaratë me të, pa pranuar në asnjë moment të jenë takuar me Renis Dobrën. Por dëshmia që i implikon, veç provave të tjera të grupit hetimor është ajo e Petrit Çakrrit.

Ende nuk dihet me saktësi se çfarë i lidh tre vëllezërit me Petrit Çakrrin, përveç faktit se po hetohen për të njëjtën vrasje. Por burimet thonë se nuk përjashtohet mundësia që të jenë njohur në burg. Madje të gjithë personat nën hetim, kishin fituar lirinë prej pak kohësh. Të katërt janë persona me precedentë të mëparshëm penal, kryesisht në vjedhje. Ndërsa Petrit Çakrri njihet edhe më herët, si dëshmitar i vrasjes së ish-deputetit demokrat Azem Hajdari.

Pas disa precdentëve për vjedhje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë, Çakrri ishte arrestuar edhe në qershor të vitit 2017, pasi akuzohej se i kishte marrë një biznesmeni nga Vora një shumë prej 4.4 milionë lekësh. Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit, Çakrri i kishte vajtur në dyqanin e tij në Vorë dhe i ishte prezantuar si tregtar dhe e kishte mashtruar.

Nga ana tjetër, Fation Bushgjokaj, po ashtu ka një listë të gjatë precedentësh kriminal, si grabitje, vjedhje, rrëmbime, trafik droge, arratisje etj. Në vitin 2017, Fation Bushgjokaj krijoi bandën e grabitjes me dhunë. Pjesë e saj ishin vëllai i tij Aleksandër Bushgjokaj, vëllai tjetër Ndue Bushgjokaj, shoku i tyre dhe një vajzë e quajtur Kristina. grupi ishte kthyer në tmerrin e qytetarëve në periferi të kryeqytetit, Kamzë, Laknas, Laprakë etj. Duke përdorur vajzën e grupit për të joshur persona të ndryshëm që shënjestronin, Fationi, vëllai i tij, Aleksandri dhe shoku i tyre, përmes dhunës i grabisnin sendet me vlerë, si celularë, varëse apo portofola. Më pas grupi largohej me një makinë tip “Fiat”. Në tetor të vitit 2019, Bushgjokaj u arratis nga Burgu i Rogozhinës. Ai kishte dalë me leje dhe nuk u kthye më.

Ndaj tij ka pasur një masë sigurie arrest me burg edhe në vitin 2021 nga Gjykata e Kurbinit për grabitje me dhunë të një ish-efektivi të policisë së burgjeve. Pas veprimtarisë së tij kriminale në Shqipëri, ai u zhvendos në Gjermani duke krijuar një grup të trafikut dhe shpërndarjes së kokainës. Pjesë e këtij grupit dyshohet të ketë qenë edhe 23-vjeçari Renis Dobra, me të cilin ka pasur mosmarrëveshje.

Ky aktivitet në Gjermani dhe fakti se viktima kishte qenë i proceduar atje për të njëjtën çështje, bëri që grupi hetimor të ngrinte si pistë të parë pas vrasjes së Renis Dobrës atë të konfliktit për çështje droge.

Megjithatë, të dhënat e përftuara më vonë, duket se nisën ta zbehnin këtë pistë, për shkak se Dobra asnjëherë nuk kishte lëvizur sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo shuma të mëdha parash, që mund të sillnin një organizim të këtyre përmasave për vrasjen e tij. Një organizim që bëri bashkë tre vëllezër dhe ish-dëshmitarin e procesit “Hajdari”, duke u investuar aq shumë sa të merrnin me qira 8 automjete.

Por gjatë hetimeve në vazhdim, nisën të dalin në skenë detaje të tjera të dyshimta, aq sa të ngriheshin edhe dy pista të tjera që lidheshin me një porosi të mundshme nga burgu por edhe me ndonjë problem nga rrethi i tij familjar.

Deri në këtë fazë të hetimit asnjë nga pistat nuk mund të përjashtohet.

Por të paktën një gjë është e sigurt. Me kalimin e dosjes në SPAK, vrasja e Renis Dobrës është kryer nga një grup i strukturuar kriminal. Se kush e ka urdhëruar vrasjen e tij, kush ka paguar dhe motivi real i krimit, ende mbeten mister./abcnews.al

Kriptot e sekuestruara, thesari dixhital i drejtësisë shqiptare

26 October 2025 at 19:58

Në epokën e parasë dixhitale, edhe krimi ka ndryshuar formë. Nga kartëmonedhat e fshehura në sirtarë, sot pasuritë e paligjshme fshihen në kode, serverë dhe portofolë virtualë. Në çdo sekuestrim, pasuria e paligjshme bëhet provë. Ajo ruhet, numërohet, administrohet.

Por çfarë ndodh kur pasuria nuk është fizike? Kur ekziston vetëm në rrjet, me një kod që mund të zhduket me një klikim?

Shqipëria ka sekuestruar mbi 11 milionë euro në kriptovaluta, por ende nuk ka një portofol dixhital për t’i ruajtur ato. Një boshllëk që e detyroi të kërkojë ndihmë jashtë kufijve.

Në një rrjet global ku paratë udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, drejtësia shqiptare përballet me një pasuri që nuk mund ta mbajë dot në duar.

Një sistem drejtësie përballë një bote të re financiare.

Një garë midis ligjit dhe teknologjisë, ku çdo vonesë mund të kushtojë miliona.

Një histori për miliona që ekzistojnë, por që askush nuk e di ku janë.

Nga Berlini në Londër, nga Vilniusi në Tiranë, drejtësitë e Europës po përballen me të njëjtin sfidë: Si të ruajnë pasuritë dixhitale të krimit pa i humbur.

“Milionët e ngrira të krimit”, një udhëtim përmes botës së errët të kriptomonedhave të sekuestruara dhe sfidës së drejtësisë për t’i mbajtur nën kontroll.

Në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, gjatë vitit 2024 janë sekuestruar kriptovaluta në pronësi të krimit të organizuar, me vlerë mbi 11 milionë euro, por shteti nuk ka ndonjë mënyrë ligjore apo teknike për t’i ruajtur.

Në botën e kriptovalutave, pasuria nuk është një llogari bankare, por një kod 64-shifror që ekziston vetëm në Blockchain.

Ai kod është gjithçka dhe humbja e tij do të thotë humbja e parave përgjithmonë.

Adrian Civici

Një nga problemet që diskutohet shpesh për financat e decentralizuara dhe në këtë rast për kriptomonedhat, është vështirësia shumë e madhe e gjurmueshmërisë së tyre. Transaksionet janë tërësisht private, bazohen në një kod, që është një kod privat që e zotëron ai që ka kriptomonedhat. Transaksionet e tyre, përveç certifikimit që ndodh në sistemin Blockchain, por edhe në sisteme të tjera certifikimi që ato funksionojnë, janë pothuajse të padukshme dhe të pakapshme nga sistemi sa herë që transferojnë vlera. Kështu që përveç zhvillimeve pozitive, që ky është një nga zhvillimet financiare dhe monetare më të mëdha të viteve të fundit, me shumë gjasa që të zhvillohet vazhdimisht dhe të bëhet një nga sistemet kryesore të transferimit të vlerës dhe pagesave, shqetësimi më i madh për kriptomonedhat, përveç rasteve të mashtrimeve me natyre financiare, të skemave të natyrës piramidale, ose vjedhjeve të ndryshme që bëhen duke u future në këtë sistem, pra humbja që mund të kenë zotëruesit e tyre, është edhe problemi i fshehtësisë që ato kanë për të bërë pagesa ilegale, apo për të financuar tregti ilegale jo formale, për të shmangur sistemin e taksave dhe tatimeve që duhet të ketë gjithkush, për të thyer embargo apo kufizime për vende të ndryshme, por edhe për të qenë të fshehta në veprimet që bëjnë. Duke qenë se ato kanë edhe këtë funksion, ose mundësi që mund të përdoren, në plot raste janë bërë objekt përdorimi edhe nga krimi i organizuar, jo vetëm në nivel individual, ose në nivel grupesh, por edhe nga shtete të ndryshme, institucione apo organizata të mëdha, siç është rasti i shumë financimeve në kuadrin e konfliktit ushtarak Rusi – Ukrainë, apo në raste të tjera, janë përdorur për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, por edhe për të shmangur çdo lloj detyrimi, pagesë që ka sistemi fiskal.

As SPAK, as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara nuk kishin një portofol dixhital zyrtar. Për disa javë me radhë, as vetë prokurorët nuk dinin ku të depozitonin milionat e bllokuara në rrjet.

Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”

Asetet e kriptovalutave në vlerë rreth 11 milionë dollarë amerikanë, janë zbuluar në disa kuleta kriptovalutash (portofole dixhitale) të llojeve të ndryshme dhe janë të bllokuara nga 2 kompani globale, të njohura si ofrues të shërbimeve për mjetet dixhitale (digital token). Në rastin konkret, këto kompani bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme. Vlerat e aseteve dixhitale janë sekuestruar në zbatim të vendimit për sekuestron preventive të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), mbi portofolet digjitale dhe asetet përkatëse. Për aq kohë sa vendimi i sekuestros preventive është në fuqi, këto asete digjitale të bllokuara, janë të sigurta.

Zgjidhja erdhi pas negociatave të ngushta me një vend të Bashkimit Europian, që ofroi infrastrukturën e vet për ngrirjen e pasurisë dixhitale. Një sforco teknike e madhe, por që ngriti një pyetje themelore: Pse Shqipëria nuk ishte gati për një rast të tillë?

Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”

Prej vitit 2022, SPAK ka kryer dhe vijon të kryejë hetime mbi ngjarje kriminale kundër jetës dhe pronës, mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe mbi pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale, e shtrirë në Shqipëri dhe në vende të Bashkimit Europian. Përmes bashkëpunimit me këto vende dhe me ndihmën e EUROPOL-it, në përgjigje të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike të iniciuara nga SPAK, u përftuan të dhëna hetimore dhe proceduriale, të cilat tregonin se disa anëtarë të organizatës kriminale nën hetim, ushtronin aktivitetin e transferimit të vlerave monetare përmes sistemit të jashtëligjshëm “HAWALA”, përfshirë edhe këmbime dhe transferta përmes kriptovalutave (aseteve dixhitale). Nga veprimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme gjatë muajit korrik 2024, në zbatim të vendimeve përkatëse të GJKKO-së, u sekuestruan prova materiale, ku u gjetën gjurmë të përdorimit të aseteve dixhitale, veprimtari kjo që lidhej me veprën penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. Portofolet dixhitale, të hapura nga vendi partner i BE-së në përputhje me legjislacionin përkatës të tij, janë për llogari të SPAK-ut dhe menaxhohen prej tij. Në këto portofole nuk realizohet asnjë veprim pa miratimin zyrtar të SPAK-ut.

 

Një kriptomonedhë nuk ekziston në një bankë apo në një kartë fizike. Ajo ruhet në një portofol dixhital. Një aplikacion që mban çelësat e enkriptuar. Kush ka çelësin, ka pasurinë. Dhe në këtë rast, shteti nuk kishte çelësin.

 

Adrian Civici

Kriptomonedhat ose kriptovalutat janë para dixhitale të decentralizuara, jo transparente, të dukshme në funksionimin e tyre, që rol kryesor kanë transferimin e vlerës. Akoma nuk luajnë rolin e parasë që ne përdorim përditë, por janë dhe funksionojnë vetëm në sistemin dixhital. Kriptovaluta kryesore është Bitcoini, e cila zë rreth 60 për qind të transkaksioneve dhe aktiviteteve që kryhen, por ndërkohë janë edhe disa kriptovaluta të tjera të rëndësishme, si Etherum, apo të tjera, të cilat nuk janë të njëjta me Bitcoin, pasi konsiderohen si kriptovaluta të gjeneratës së dytë apo të tretë, por gjithsesi në totalin e tyre kryejnë të njëjtat funksione. Aktualisht ky sistem është i lirë në mënyrën se si është i ndërtuar dhe si funksionon. Sot në botë llogariten që të jenë të paktën 20 mijë kriptomonedha, të cilat kanë komunitetin e tyre që i beson, i përdor në sistem. Kryesisht funksionojnë në internet dhe kryesisht në sistemin dixhital dhe është një nga zhvillimet e financave më të decentralizuara dhe më të mëdha që po zhvillohet me një ritëm shumë të madh.

 

Nëse nuk ke kontrollin e çelësit privat, kriptovalutat janë praktikisht të humbura. Edhe një gabim i vogël në ruajtje mund të shkaktojë humbje të pakthyeshme.  Përballë kësaj sfide, drejtësia shqiptare u detyrua të improvizojë.

Në disa vende të Europës, si Gjermania, Belgjika, Lituania apo Britania, autoritetet kanë ngritur struktura të posaçme për ruajtjen e aseteve dixhitale të sekuestruara. Në Shqipëri, kriptot e sekuestruara mbeten të ngrira, jo vetëm ligjërisht, por edhe teknologjikisht.

 

Adrian Civici

Akoma shumë vende, shumë banka qendrore nuk e pranojnë që kriptomonedhat të përdoren në mënyrë legale, apo që të marrin përsipër që të bëjnë transaksione me kriptomonedha. Nga ana tjetër edhe krijimi i portofoleve shtetërore të kriptomonedhave akoma është një përvojë e re. Edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo vende të tjera, po kërkojnë që të gjendet forma më e përshtatshme për të ndodhur një gjë e tillë, por në dijeninë time në Shqipëri nuk ka akoma as legjislacion për sa i përket njohjes, kontrollit, lëvizjeve të tyre. Kemi një ligj që lejon që të mund të krijohen agjenci ose platforma, që mund të tregtojnë apo mund të veprojnë me kriptomonedha, por nuk kemi as distributor të kriptomonedhave, as qendra këmbimi të kriptomonedhave në Lekë, Euro apo Dollarë, pra jemi akoma në një proces reflektimi institucional, në lidhje me plotësimin e kuadrit ligjor, të të gjithë këtij fenomeni dhe procesi.

 

Një pasuri që ekziston, por nuk mund të preket. Një thesar që as ligji, as teknologjia nuk po arrijnë ta mbajnë. Dhe një pyetje që mbetet e hapur: Kush i ruan “milionat e ngrira” të drejtësisë shqiptare?

 

RRUGA E HUMBUR E KRIPTOVE

Në një raportim zyrtar para Komisionit të Ligjeve, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani pranoi publikisht boshllëkun: Shqipëria nuk ka portofol dixhital për ruajtjen e kriptovalutave të sekuestruara.

 

Altin Dumani

Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira.

 

Ligji shqiptar parashikon që çdo pasuri e sekuestruar të ruhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Por ky ligj është shkruar për prona fizike, jo për monedha dixhitale që ekzistojnë vetëm në internet.

Ligji aktual nuk përcakton procedura standarde konkrete për ruajtjen e kriptovalutave. As portofol dixhital, as akseset në çelësa nuk janë të rregulluara. Praktikisht, çdo sekuestrim është një rast eksperimental.

 

Adrian Civici

Natyrisht tendenca dhe kërkesa për rregullime ligjore dhe për transparencë janë në rendin e ditës sot për sa i përket kriptomonedhave. Edhe bankat qendrore kryesorë por edhe qeveritë e shumë vendeve, përfshirë edhe vendet më të zhvilluara të botës, po përpiqen vazhdimisht që të ndërtojnë një sistem të plotë ligjor, kontrollues, raportues, për të gjurmuar dhe për të pasur të gjithë informacionin se si ndodh ky shkëmbim vlere apo transferim vlere në sistemin e kriptomonedhave. Ka shumë përpjekje dhe në fakt edhe rregullime ligjore po bëhen edhe nga bankat qendrore edhe nga qeveritë, Ministritë e Financave në shumë vende të botës. Pra është një shqetësim dhe një proces ligjor që po përpiqet t’i ndjekë nga mbrapa të gjithë këto zhvillime teknologjike dhe monetare, në mënyrë që të eliminojë sa më shumë që të jetë e mundur çdo lloj informalizmi, fiktiviteti, apo shkelje të gjitha atyre aktiviteteve që sapo i përmendëm.

 

Një boshllëk ligjor që rrezikon ta kthejë pasurinë e sekuestruar në pasuri të humbur.

Në vitet e fundit, disa shtete janë përballur me humbje të mëdha të fondeve dixhitale të sekuestruara, nga sulme kibernetike, nga gabime teknike apo nga mungesa e transparencës.

Në disa raste, çelësat privatë janë humbur përgjithmonë.

Në të tjera, shtetet kanë vendosur të krijojnë struktura të posaçme, njësi dixhitale për menaxhimin e aseteve të sekuestruara.

Në vitin 2018, në Danimarkë humbën 500 Bitcoin pas një transferimi të pasaktë.

Në vitin 2020, në Kanada, kriptovaluta e sekuestruar në një rast droge u zhduk për shkak të gabimit në ruajtje.

Në vitin 2021, në SHBA, FBI krijoi njësi të posaçme për menaxhimin e aseteve dixhitale, pas një vjedhjeje por që u arrit të rikuperohej nga autoritete.

Por rasti më i rëndë ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar, ku më 16 korrik 2025 u dënua një ish-zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit për vjedhjen dhe fshehjen e 50 Bitcoin, me vlerë aktuale 4.4 milionë paund, që ishin të konfiskuara si pronë kriminale gjatë një hetimi mbi krimin online.

Paul Chowles, 42 vjeç, ishte pjesë e hetimit të Agjencisë Kombëtare të Krimit, i cili kishte në shënjestër rrjetet e krimit të organizuar që shisnin mallra të paligjshme në faqen e internetit “Silk Road 1”, në vitin 2013. Operacioni, i cili u krye së bashku me FBI-në, çoi në dënimet e disa individëve që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar për vepra penale të lidhura me drogën.

Një fazë e dytë e operacionit u nis në vitin 2014, e cila çoi në identifikimin dhe arrestimin e personit që kishte lançuar “Silk Road 2.0”, më pak se një muaj pasi FBI kishte mbyllur faqen origjinale në vitin 2013. Si pjesë e ekipit hetimor që punonte në këtë rast, Paul Chowles mori drejtimin në analizën dhe nxjerrjen e të dhënave përkatëse dhe kriptomonedhave nga pajisjet e sekuestruara.

Midis 6 dhe 7 majit 2017, 50 nga 97 Bitcoin të sekuestruara u transferuan nga një portofoli dixhital i të arrestuarit në një adresë publike në dy transaksione. Bitcoin u nda më pas në sasi më të vogla dhe u transferua përmes “Bitcoin Fog”, përpara se të zhvendosej në adresa të tjera publike në një përpjekje për të fshehur gjurmët e parave.

Më pas Paul Chowles ose e konvertoi Bitcoin-in në paund dhe i tërhoqi fondet nga llogaria e tij, ose përdori si një kartë debiti Cryptopay dhe një kartë debiti Wirex nga llogaritë që ai kishte krijuar.

Në total, ai kreu 279 transaksione duke përdorur kartën e debitit Cryptopay, duke shpenzuar shumën prej 23 mijë paund në periudhat mes gushtit 2021 dhe majit 2022. Gjithashtu konvertoi dhe bëri pesë tërheqje me një total prej 6 mijë paund.

U llogarit që Paul Chowles, i cili që atëherë është shkarkuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit, përvetësoi vlerën prej 613 mijë paund. Vlera e 50 Bitcoin në atë kohë ishte 59 mijë paund por tani vlerësohet të jetë me vlerë më shumë se 4.4 milionë paundë. Në Gjykatën e Kurorës së Liverpulit ai u deklarua fajtor për vjedhje, transferim të pasurisë kriminale dhe fshehje të pasurisë kriminale dhe u dënua me 5 vite e gjysmë burg.

Pa një portofol të certifikuar, Shqipëria rrezikon që pasuritë e ngrira të mbeten jashtë kontrollit shtetëror. Në teori janë të sekuestruara, por në praktikë janë vetëm ‘të ngrira në ajër’. Një pasuri që ekziston vetëm në kode, por që mund të përkthehet në miliona euro të vërteta në çdo moment.

 

Adrian Civici

Shumica dërrmuese e kriptomonedhave janë ose në rrjet, pra në sisteme anekse të mbajtjes së këtij informacioni, ose janë thjeshtë dhe vetëm në sistemin e internetit, pra në sistemin dixhital. Varet se ku ato janë përqendruar dhe në çfarë porte ti ke hyrë për grumbullimin, blerjen, shitjen, apo veprimet e këtyre kriptomonedhave. Kështu që pjesa më e vështirë në këtë rast është pjesa e identifikimit, sepse megjithëse janë bërë shumë hapa përpara që të mund të identifikohen, sidomos veprimet me kriptomonedha, pasi që të shkosh deri te autori që i ka është shumë e vështirë, sepse ka një kod privat. Gjithkush që futet në sistemin e kriptomonedhave nuk jep asnjë gjeneralitet, vetëm ka një kod privat e një kod publik ku ai ndërmerr veprimet e transferimet. Pra njëri nga kodet garanton që ti je pronar i kriptomonedhave, një lloji të tyre dhe ato gjenden të depozituara në këtë portofolin dixhital, ke dhe një kod tjetër që quhet si çelës më publik, me anë të të cilit ti bën veprime, pra bën transferime, blerje, shitje. Kështu që procesi më i vështirë është procesi i identifikimit, që ky portofol kriptomonedhash, ose këto transaksione, janë kryer në funksion të një shkeljeje ligjore. Dhe në momentin që provohet se këto transaksione janë të lidhura me një veprim antiligjor, atëherë fillon procesi, në radhë të parë të dokumentimit të saktë të adresës, të veprimeve dhe pastaj të gjitha veprimet që vijnë nga mbrapa, si mund të bllokohen deri te sekuestrimi, rishitja apo marrja nga ana e shtetit të vlerës së tyre.  

 

Në disa vende të BE-së, si Gjermania dhe Holanda, autoritetet ruajnë kriptovalutat në serverë të kontrolluar nga shteti, me auditim të pavarur dhe protokolle sigurie. Aty çdo transaksion regjistrohet, çdo qasje logohet dhe asnjë fond nuk mund të lëvizë pa autorizim gjyqësor.

Përballë realitetit të ri financiar, drejtësia shqiptare ka mbetur disa hapa pas. Dhe përderisa portofoli dixhital mungon, çdo sekuestrim është një rrezik i mundshëm.

 

Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”

Deri tani Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk rezulton të ketë një infrastrukturë të portofoleve dixhitale. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, asetet dixhitale të sekuestruara nga SPAK nuk janë në rrezik, pasi siç përmendëm më sipër, portofolet dixhitale të hapura/krijuara për llogari të SPAK janë realizuar nga një vend partner i BE-së, me eksperiencë të gjatë në hetime të veprave penale në lidhje me kriptovalutat , sekuestrim/transferim të tyre, ruajtje e konfiskim, në mbështetje të një kuadri ligjor të tyre të konsoliduar. Ripërsërisim se lëvizje/veprime në këto portofole dixhitale autorizohen vetëm nga SPAK.

 

Në nivel europian, po diskutohet krijimi i një kuadri të përbashkët për menaxhimin e kriptovalutave të sekuestruara. Një sistem që do të parandalonte humbjet, do të garantonte transparencën dhe do të sillte standarde të njëjta për të gjitha shtetet anëtare.

Ndërsa drejtësia përballet me pasuritë dixhitale të sekuestruara, tregu i kriptomonedhave në vend po zgjerohet. Mijëra përdorues, por ende pa një strategji të qartë për rregullim dhe siguri.

Nëse drejtësia nuk arrin ta ruajë pasurinë e sekuestruar, a mund ta quajmë atë drejtësi të plotë? “Milionët e ngrira të krimit” janë më shumë se kriptovaluta. Janë prova që tregojnë sa gati është shteti për të hyrë në epokën e krimit dixhital.

 

THESARI I PADUKSHËM

 

Sot, mbi 11 milionë euro kriptovaluta janë ngrirë nga drejtësia shqiptare. Ato ekzistojnë në rrjet, por askush nuk mund t’i shpenzojë, as t’i ruajë me siguri. Një thesar dixhital që kërkon urgjentisht një çelës ligjor dhe teknik.

 

Adrian Civici

Në rast se identifikohen se ku janë, zhdukja e tyre është shumë e vështirë. Për faktin se në këtë rast edhe organet e specializuara kur i identifikojnë, nuk është se identifikojnë çdo lloj kriptomonedhe ose çdo lëvizje. Identifikojnë ato lëvizje apo ato portofole të kriptomonedhave që janë të lidhura me transaksione të dyshimta, që mund të jenë informale deri në kriminale, të cilat bllokohen. Bllokimi i tyre bëhet me disa forma, duke marrë dhe kontrollin e atyre që quhen çelësa privat dhe çelësa publikë, pra bllokohen edhe veprimet që mund të bëhen në momente të mëtejshme mbas momentit të bllokimit dhe pastaj ose duke përdorur kompani apo platforma të specializuara që i administrojnë dhe i ruajnë që ato të mos preken. Pastaj janë edhe të gjitha veprimet ligjore që kanë të bëjnë ne faktin, përveç dokumentimit dhe provës që këto kriptomonedha janë përdorur në mënyrë kriminale ose në mënyrë informale, procesi tjetër është veprim ligjor që nga dokumentimi i saktë i lëvizjeve që janë bërë, që nga dokumentimi i saktë i portofolit ku ato qëndrojnë, deri te vendimet e Gjykatave për sa i përket sekuestrimit të tyre. Natyrisht pasi të ketë një vendim gjykata për sekuestrimin, ka disa forma të tjera se si ato mund të ripërdoren.

 

Në shumë vende të BE-së, kjo çështje është trajtuar si emergjencë kombëtare. Në vitin 2023, Europol propozoi standarde të përbashkëta për ruajtjen e aseteve dixhitale të sekuestruara. Shtetet si Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Lituania kanë tashmë portofolë të certifikuar të administruar nga agjenci shtetërore.

Në Gjermani, çdo kriptovalutë e sekuestruar transferohet menjëherë në një portofol të kontrolluar nga Zyra Federale e Krimeve. Çelësat ndahen në tri pjesë të koduara, asnjë person i vetëm nuk mund të ketë qasje të plotë.

Në Shqipëri, përkundrazi, ruajtja e pasurisë dixhitale ende varet nga bashkëpunimi me një vend të BE-së që ka ofruar përkohësisht infrastrukturën e vet.

Një sistem transparent do të garantonte jo vetëm sigurinë e fondeve, por edhe besimin e publikut në drejtësi. Sot, mungesa e transparencës ushqen dyshimet dhe krijon terren për abuzim.

Por ekziston edhe një mundësi pozitive. Ekspertët besojnë se ngritja e një portofoli dixhital shtetëror do të ishte edhe një hap për zhvillimin e industrisë Fintech në Shqipëri. Një bashkëpunim mes drejtësisë dhe inovacionit që mund të vendosë vendin në hartën e transparencës dixhitale.

Disa propozime tashmë janë në tryezë. Një zgjidhje e mundshme është krijimi i një “Agjencie Dixhitale të Pasurive të Sekuestruara”, e cila do të ruante fondet me auditim ndërkombëtar dhe standarde të BE-së.

Një tjetër zgjidhje afatshkurtër do të ishte integrimi i Bankës së Shqipërisë si institucion garant për ruajtjen e çelësave dixhitalë, në bashkëpunim me SPAK dhe Ministrinë përkatëse. Por çdo reformë kërkon më shumë se teknologji, kërkon vullnet politik dhe kornizë ligjore të re. Ligji për sekuestrimet duhet të përshtatet me realitetin dixhital, përndryshe krimi do të jetë gjithmonë një hap përpara.

Kriptovalutat nuk janë më e ardhmja, tashmë janë një realitet. Bota po ndryshon shpejt. Në një sistem ku krimi udhëton me kod, drejtësia duhet të mësojë të flasë gjuhën e teknologjisë. Milionët e ngrira të krimit nuk janë thjesht para. Janë një provë,  një pasqyrë që tregon sa gati është drejtësia për të hyrë në shekullin dixhital. Sepse në botën e kriptove, kush nuk ka çelësin humbet thesarin.

Më datë 21 janar 2025 Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të njoftuar më datë 1 gusht 2024, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të një organizate kriminale, me bazë në qytetin e Elbasanit, e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i përdorimit të kriptovalutave nga ana e organizatës kriminale, me qëllim realizimin e pagesave të ndryshme, etj.

Në zbatim të vendimit të GJKKO, nr.683, datë 28 nëntor 2024, “për caktim masë  sigurimi pasuror”, si dhe urdhrit të organit procedues, datë 6 dhjetor 2024 “për ekzekutimin e vendimit”, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim edhe me EUROPOL, policinë Federale të Belgjikës, atë të Holandës e Spanjës, në periudhën 25 nëntor 2024 e deri më datë 15 janar 2025, koordinuan veprimet për të mundësuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe urdhrit të organit procedues mbi sekuestrim preventiv të aseteve të kriptovalutave në kuleta kriptovalutash në vlerën e mbi 10 milionë dollarë. Këto rezultate u arritën në bashkëpunim të ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës “Stablecoin”, si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash.

 

Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”

 

Në këtë çështje jemi ende në fazë të hetimeve paraprake, dhe një ekspozim i të dhënave hetimore do cenonte vijimin e hetimeve. Për këtë arsye nuk mund të shprehemi mbi sa pyesni. 

FATI I PASURISË SË NGRIRË

 

Sot kriptovalutat me vlerë afror11 milionë euro janë të ngrira. Por këto fonde nuk mund të lëvizin, nuk mund të shiten, nuk mund të përdoren, pa rrezikuar humbjen e tyre.

Por çfarë ndodh pas sekuestrimit të një kriptomonedhe? Hetimi gjurmon adresën në Blockchain, vendoset sekuestrimi ligjor dhe duhet transferuar në një portofol shtetëror. Por në Shqipëri portofoli mungon.

Në mungesë të një portofoli shtetëror, drejtësia shqiptare detyrohet të kërkojë ndihmë jashtë kufijve. Një zgjidhje e përkohshme, që ngre pyetjen: Kush garanton thesarin?

Nëse nuk ke kontrollin e çelësave privatë, nuk ke kontrollin e aseteve. Është sikur thesari i sekuestruar të ruhet në një kasafortë jashtë vendit, me çelës që nuk e mban dot vetë. Në botën e kriptovalutave, kontrolli është gjithçka.

 

Në Belgjikë dhe Finlandë, autoritetet hetimore humbën qasje në portofolet dixhitale të sekuestruara për shkak të gabimeve teknike dhe mungesës së menaxhimit të sigurt. Humbjet ishin të pakthyeshme. Një çelës i humbur do të thotë miliona të zhdukura përgjithmonë.

Një klikim i gabuar, një e-mail i hakuar, apo një çelës privat i harruar dhe thesari dixhital mund të zhduket. Për këtë arsye, shumë shtete përdorin portofole të ashtuquajtura ‘të ftohta’, të shkëputura nga interneti dhe të mbrojtura fizikisht.

Ato ruhen si ar, në ambiente të siguruara nga Policia.

Nëse Shqipëria do të krijonte një strukturë të tillë, mund të siguronte që çdo euro dixhitale e sekuestruar të mbetej në duart e shtetit. Më pas, me një vendim final Gjykate për konfiskimin e tyre, praktikat për t’i kthyer në paranë tradicionale mund të jenë të ndryshme.

 

Adrian Civici

Përvojat e vendeve të zhvilluara, sidomos të SHBA por edhe vendeve të tjera, njohin disa forma, që nga forma e një ankandi publik, por në këtë rast duhet të kesh një rezervë shtetërorë ku t’i kesh të depozituara, deri te përdorimi i agjencive ndërmjetëse dhe së fundmi është edhe versioni që mund të konvertohen në një monedhë tjetër, si Euro, Dollarë dhe pastaj ato mund të shiten apo të përdoren në bazë të vendimit, t’i kalojnë shtetit.

 

Publiku pak di për këtë temë, por ajo prek drejtpërdrejt besimin në drejtësi dhe administrimin e pasurive. Çdo shtet që menaxhon kriptovaluta të sekuestruara duhet të ketë transparencë publike, auditim dhe raportim periodik. Vetëm kështu shmangen abuzimet dhe humbjet.

Në botën e kriptove, sekreti është armiku i drejtësisë.

Nëse drejtësia dixhitale bëhet realitet, Shqipëria mund të jetë një shembull në rajon, një vend që ruan dhe rikuperon pasuritë e krimit me standarde europiane.

Por nëse sistemi vonohet, çdo ditë që kalon e shton rrezikun që thesari dixhital të zhbëhet në heshtje.

Në një kohë kur krimi ecën me kod, drejtësia nuk mund të mbetet pa kodin e vet.

“Milionët e ngrira të krimit” janë më shumë se pasuri. Janë një provë për sistemin, për ne të gjithë.

 

Gjërat tona/ Një vrasje si në Siçili – Atentati me eksploziv që përgjaku Sarandën

By: Re Nato
19 October 2025 at 20:50

Natën e 5 tetorit, qetësia e Sarandës u thye nga një shpërthim i fuqishëm.

Zhurma e motorëve dhe zëri i detit u përzien me britmat e banorëve.

Në një nga rrugët e qytetit, një makinë u përfshi nga flakët dhe brenda saj, një burrë mbeti i bllokuar.

58-vjeçari Isuf Jaçaj nuk arriti të mbijetojë. Një shpërthim me eksploziv i mori jetën në çast.

Ekspertët e Policisë së Shtetit konfirmuan se bëhej fjalë për një sasi të kosniderueshme tritoli të vendosur poshtë makinës. Një atentat i planifikuar me kujdes, që synonte eliminimin e menjëhershëm të tij.

Shpërthimi ishte i pastër, i ftohtë… dhe profesional.

Por kjo nuk ishte hera e parë që mbiemri Jaçaj përmendej në dosjet e Policisë.

Pak muaj më parë, në një tjetër atentat, të birit të tij i ishte vendosur eksploziv në makinën personale, në një ngjarje që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima.

Në atë kohë, ai ndodhej në burg, i arrestuar për një plagosje me armë zjarri në Sarandë.

A ishte shpërthimi i 5 tetorit 2025 një hakmarrje ndaj djalit të tij?

Një mesazh për heshtje?

Apo vijim i luftës së heshtur që prej vitesh përfshin emra të njohur të botës së nëndheshme në jug të vendit?

Një zinxhir ngjarjesh që të çon drejt një historie hakmarrjeje, heshtjeje dhe frike.

Kush qëndron pas këtij shpërthimi? Cilat janë lidhjet mes babait dhe djalit, mes viktimës dhe krimit?

Dosja e një historie që zbërthen një nga ngjarjet më tronditëse të viteve të fundit në jug të Shqipërisë.

VRASJA ME EKSPLOZIV

Ora ishte 22:50 kur në qytetin e Sarandës u dëgjua një shpërthim i fortë. Ishte data 5 tetor 2025, kur në lagjen nr.3, Policia gjeti një makinë të shkatërruar që pas shpërthimit u përfshi edhe nga flakët. Në makinën tip “Toyota”, u gjet trupi i pajetë i një personi, që më pas u identifikuar si 58-vjeçari Isuf Jaçaj.

Për rreth një orë, para se të ndodhte ngjarja, ai kishte qenë në një lokal aty pranë me disa miq. Më pas është çuar nga tavolina dhe është drejtuar për tek makina që e kishte parkuar shumë afër lokalit dhe do të shkonte në shtëpi. Sapo ka ndezur makinën, lënda plasëse e vendosur poshtë saj, që dyshohet të ketë qenë rreth 500 gramë eksploziv, ka shpërthyer. Shpërthimi sipas Policisë është kryer nga distanca. Janë hasur vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi nuk ka kamera sigurie nëpër biznese që të kenë filmuar qodtë momentin e shpërthimit, apo momentin kur është vendosur eksplozivi në makinë.

Pas një ngjarje të tillë, veprimet e para hetimore lidhen me viktimën. Të shkuarën e tij, familjen dhe rrethin shoqëror, në mënyrë që të ngrihen pistat për zbardhjen e ngjarjes.

Isuf Jaçaj, vitet e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar turistët me skaf drejt destinacioneve të ndryshme në bregdetin e Sarandës.

Në arkivat e Policisë së Sarandës, emri i Isuf Jaçajt figuron i regjistruar në dy ngjarje ku ka mbetur i plagosur. Fillimisht në një shkëmbim zjarri ku u hodhën edhe granata në vitin 1996, në lagjen nr.4, në Sarandë, kur edhe u arrestua pasi në shtëpi iu gjetën një pistoletë dhe një krehër me fishekë. Vite më vonë Jaçaj përfshihet në një tjetër ngjarje, ku fatmirësisht i shpëton plumbave. Më 13 tetor të vitit 2011, Policia arreston një 28-vjeçar nga Fieri, me banim në Sarandë, pasi dyshohej se kishte qëlluar me automatik ndaj dy personave. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Adem Shena”, në lagjen Nr. 3 në Sarandë. Autori i dyshuar, Edjon Muskaj, sot pronar i disa bizneseve në Sarandë, qëlloi tri herë me automatik në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, ku ndodhej Isuf Jaçaj dhe drejtues mjeti ishte Arjan Lushkaj, nga Mallakastra, me banim në Sarandë. Menjëherë pas të shtënave autori i dyshuar u largua me një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri. Policia gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe fishekë.

Megjithatë, asnjëra nga këto ngjarje nuk rezulton të ketë lidhje me atentatin me eksploziv të datës 5 tetor 2025, ku Isuf Jaçaj mbeti i vrarë.

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, janë fokusuar tek një krim i mundshëm me motive hakmarrje, që lidhet më shumë me djalin e tij, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Jaçaj është babai i 31-vjecarit Klaus Jaçaj, i cili dushohet se strehoi një nga autorët e dyshuar për ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.

Madje, ekzekutimit me eksploziv të Isuf Jaçajt, i parapriu një tjetër ngjarje, po me eksploziv në makinë, por fatmirësisht pa të lënduar. Disa ditë pasi kishte ndodhur plagosja në Sarandë, konkretisht më 21 korrik 2025, kur Klaus Jaçaj ishte ende në kërkim, një person i maskuar me maske silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i tij, duke e shkatërruar atë plotësisht. Kjo ngjarje vijon të mbetet ende pa autor.

Atentati me eksploziv ndaj Isuf Jaçajt, bëri që për disa ditë me radhë, qyteti i Sarandës të blindohej nga forcat speciale RENEA dhe FNSH. U kryen disa kontrolle në qytet, por edhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, me qëllim gjetjen e provave që mund të çonin në zbulimin e ngjarjes.

HAKMARRJE NDAJ DJALIT

Ngjarja, që për grupin hetimor, dyshohet të jetë bërë shkak për atentatin me eksploziv ku mbeti i vrarë Isuf Jaçaj, ka ndodhur rreth orës 15:00, të datës 17 korrik 2025. Në lagjen nr. 4, të Sarandës, 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn, 33 vjeç dhe Ernest Lamën, 25 vjeç, nga Kamza. Të dy këta persona rezultojnë me precedentë penalë në Sarandë, pasi më 8 janar 2025 kishin kundërshtuar forcat e policisë në rrugën “Skënderbeu” por kishin fituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt iu gjet nga Policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Policia dhe FNSH u vunë në kërkim të dy personave. Autori kryesor dyshohej Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, aktualisht në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me Policinë greke disa vite më parë.

Ramadan Canaj, në prill të vitit 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Ne 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai ka shkëmbyer zjarr me Policinë greke dhe u arrit të arrestohej në fund të shkurtit të vitit 2008. Ai rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi. Në sistemin e policisë greke rezulton i rregjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”. U largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. U ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia.

Në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vellai tij. Canaj në dhjetor të vitit 2022 u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025.

Pas plagosjes së datës 17 korrik në Sarandë, Ramadan Zoto u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit 2025. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje ishin vetëdorëzuar më herët.

Policia e Sarandës zbardhi dhe dokumentoi plagosjen me armë të dy personave nga Kamza në qytetin bregdetar. Për ngjarjen, përveç vëllezërve Canaj, ishin shpallur në kërkim edhe Artan Murataj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç. Dyshohet se ngjarja lidhet në një konflikt për zënien e një sipërfaqe toke, përgjatë vijës bregdetare. Dy të plagosurit nga Kamza pretendonin se dy vëllezërit Canaj u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën, por situata kishte dale jashtë kontrollit kur ishin takuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Sarandës, më datë 17 korrik 2025, në orën 14:58, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, shfaqen dhe vihet re se vijnë 2 persona të identifikuar nga specialistët e policisë në komunitet si shtetasi Ramadan Vladimir Zoto (Canaj) dhe Artan Murataj, 43 vjeç, banues në Sarandë, të cilët pasi kalojnë ecin dhe futen në ambientet e brendshme të lokalit, ulen në tavolinë në krahun e djathtë të hyrjes së tij.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 17.07.2025, në orën 14:59, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, në pamje vihet re se shtetasi Artan Murataj dhe Ramadan Zoto (Canaj), i cili çohet nga tavolina ku po qëndronte i ulur dhe nga brezi nxjerr një send në dukje armë zjarri pistoletë dhe drejtohet për në ambientet e jashtme te lokalit aty ku qëndronin të ulur shtetasit Gezim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Njëkohësisht çohen në këmbë edhe shtetasit Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët ndodheshin të ulur në tavolinën në zonën e jashtëm të lokalit. Në një moment shtetasi Artan Murataj pasi shikon shtetasin  Ernest Lama duke u larguar shkon dhe afrohet drejt tij dhe fillimisht e qëllon  me grusht në pjesën e kokës dhe më pas me shkelma dhe më pas humbasin nga fushëpamja e kamerave. Njëkohësisht, shtetasit Klaus Jaçaj dhe Artan Murataj ecin në ambientet e verandës së lokalit me drejtim  nga stadiumi i qytetit të Sarandës derisa humbasin nga fushëpamja e  kamerave, ndërsa shtetasi Erjon Canaj, pasi vesh shapkat, të cilat i kishte te tavolina ku qëndronte i ulur, ecën në të njëjtin drejtim si shtetasit Ramadan Canaj, Klaus Jaçaj dhe Artan Murataj.

Në vijim të zbardhjes së ngjarjes ndër të tjera janë marrë dhe deklarimet e shtetases Agathulla G., si dhe shtetasit Angjelo M., të dy punonjës në lokalin ku ndodhi ngjarja. Gruaja që është marrë në pyetje, ka deklaruar se ka qenë në afërsi të lokalit, ku ndodhet picerie dhe nga kuzhina ka parë që para lokalit, në trotuar ka qenë një person i shtrirë në tokë, të cilin ajo nuk e njihte. Ky person i ka kërkuar që të merrte ambulancën dhe çantën e tij. Ajo ka marrë çantën dhe ia ka dhënë kamarierit me emrin Angjelo, i cili e ka lënë në banak, ku dhe u gjet nga Policia. Kjo shtetase ka deklaruar se nuk i njeh personat e plagosur as ata që qëlluan, pasi nuk i ka parë, duke qenë se ndodhej larg.

Ndërsa personi tjetër që është marrë në pyetje, me emrin Angjelo, ka qenë i punësuar si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe ishte turn i dytë në punë.

Kamarieri Angjelo M.

Dua të shpjegoj se në lokal u ulën dy persona, të cilëve nuk u ishte marrë porosia akoma. Unë në atë kohë ndodhesha në banak, pasi po ndihmoja me porositë e tjera ndërsa kamarieri tjetër ndodhej te pjesa e picerisë. Në këtë moment unë dëgjova vetëm një të bërtitur dhe shkrepjen e armës ku më pas unë dhe banakierja, shtetasja Eriselda Rr. u futëm menjëherë në kuzhinë edhe mbyllëm dyert. Kur ndodheshim në kuzhinë dëgjuam disa njerëz, të cilët donin të hapnin derën e tualetit. Pas disa minutash, pasi nuk kishte më zhurmë, ne dolëm nga kuzhina dhe pamë një person, i cili ishte i plagosur dhe po qëndronte i shtrirë në rrugë, në hyrje të lokalit. Unë shkova dhe mora disa shishe ujë dhe prisnim ambulancën të arrinte. Dua të sqaroj se unë nuk e njihja shtetasin i cili ishte i plagosur madje nuk e kisha parë ndonjëherë.

Sipas Prokurorisë, nga provat e marra ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Artan Murataj dhe Klaus Jaçaj kanë ndihmuar autorët e dyshuar të kryerjes së veprës penale, për largimin dhe fshehjen e tyre me qëllim shmangien e tyre nga organet e hetimit dhe policisë.

Më datë 19 korrik, dy ditë pas ngjarjes, Artan Murataj është paraqitur në Komisariat. Duke qenë se kishte shkaqe të bazuara për të menduar se kishte rrezik ikjeje, ndaj tij është proceduar me urdhër ndalimi po atë ditë. Nga ana e policisë gjyqësore, në orën 23:30 është ekzekutuar urdhri i ndalimit të prokurorit ndaj Artan Muratajt, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërsa Klaus Jaçaj ka vijuar t’i shmanget përballjes me Policinë edhe për disa ditë, derisa më 24 korrik është arrestuar.

Gjatë kohës që i biri qëndronte në arrati, babai i tij, Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën në atentatin me eksploziv të 5 tetorit 2025, i ka telefonuar të birin duke i kërkuar të dorëzohej në Polici.

Telefonata: Duhet të dorëzohesh vetë në polici për përkrahjen e autorit të krimit, në të kundërt do të vijë unë të gjej ku je fshehur dhe të dorëzoj në polici me duart e mija, keni plagosur dy të rinj kupton…

Klaus Jaçaj ndihmoi autorin e plagosjes të fshihej në shtëpinë e tij më pas i mundësoi largimin drejtë Korçës, pas këtyre veprimeve katër ditë më pas në 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv.

Por gjatë kësaj kohe, Klaus Jaçaj ishte kërcënuar seriozisht me jetë, ku i kërkohej që të dorëzonte autorin e plagosjes, Ramadan Canajn.

Mesazhi: Dorëzo Ramadan Canajn, në të kundërt do të vrasim ty dhe familjarët e tu…

Në fakt, se sa serioz ishte ky kërcënim do të provohej në ditët në vazhdim, edhe pas arrestimit të Ramadan Canajt.

Më 21 korrik 2025, pak ditë pas përplasjes me armë, i vendoset tritol makinës së Klaus Jaçajt. Në atë kohë, Jaçaj ishte person në kërkim në lidhje me plagosjen pranë stadiumit të qytetit. Nga shpërthimi u shkatërrua plotësisht makina e parkuar, por pati dhe dëme të shumta në një banesë dhe në një automjet tjetër. Policia rrethoi zonën dhe ngriti pika kontrolli në hyrje daljet e qytetit, por deri më sot askush nuk është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të dyshimtë me maskë silikoni, por nuk u arrit të identifikohej.

Policia e Sarandës

Më datë 21 korrik 2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Pas shpërthimit tragjik në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari, hetuesit nisen nga pyetja kryesore: Kush kishte interes të kryente këtë sulm dhe pse?

Në vendngjarje, Policia gjeti mbetje eksplozivi të tipit C-4 ose tritol, çka tregon për një nivel profesionalizmi që e tejkalon një konflikt të zakonshëm personal. Ekspertët e kriminalistikës zbuluan se mekanizmi i shpërthimit ishte i ngjashëm me disa raste të mëparshme në jug dhe në Tiranë.

Grupi hetimor ka dyshime se porositësit e atentatit mund të jenë nga Tirana, pjesë e një rrjeti kriminal që ka lidhje edhe me trafikun e lëndëve plasëse dhe porositjen e ekzekutimeve. Eksplozivi nga ana tjetër ka dyshime se mund të jetë siguruar në Fier, një zonë ku vitin 2023 u dokumentua një rast i trafikut të eksplozivit.

Në këtë pikë, hetimi kthehet pas në kohë:

Në vitin 2023, policia e Fierit arrestoi Albi Meçinin, një 35-vjeçar me precedent penal, i kapur me 21 kilogramë eksploziv. Aksioni u krye më 28 shtator të vitit 2023 në qytetin e Fierit, pas informacioneve në rrugë operative, ku Meçini bashke me dy të tjerë u kapën me 21,6 kg lëndë eksplozive. Albi Meçini është i dyshuar edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të dy personave në Sarandë, Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit.

Personi tjetër që akuzohet bashkë me të, Ervis Cukali akuzohet si njeriu që siguroi 21 kg eksploziv dhe që u kap në Sarandë nga policia, në një ndjekje spektakolare, teksa bashkë me dy shokët e tij tentoi të shpëtonte duke u hedhur në det.

Tani, hetuesit po kontrollojnë nëse eksplozivi i përdorur në shpërthimin e fundit në Sarandë ka të njëjtin përbërje kimike me atë që iu sekuestrua Meçinit. Një detaj që mund të zbulojë rrjetin e vërtetë pas tragjedisë. Mekanizmi i aktivizimit, sipas burimeve të policisë, ngjante me atë të një atentati ndodhur pak vite më parë në Tiranë.

Në pistën më të fortë: porositësit janë në Tiranë, logjistika në Fier, dhe atentati ndodh në Sarandë. Një trekëndësh i krimit që përfshin tregtinë e lëndëve plasëse, porositësit e atentateve dhe ekzekutorët lokalë.

Hetimi vazhdon, por çdo ditë që kalon, për hetuesit bëhet më e qartë se shpërthimi në Sarandë nuk ishte një rast i izoluar…

Ishte pjesë e një zinxhiri më të madh krimi, që bashkon Tiranën, Fierin dhe Jugun në të njëjtën hartë të errët të botës së nëndheshme. Një histori ku fijet e krimit kalojnë nëpër disa qytete, duke lënë pas vetëm heshtje dhe frikë.

ATENTATET ME EKSPLOZIV

Zhurma e këtij shpërthimi mund të jetë një mesazh.

Një kërcënim për hesape të pambyllura.

Apo paralajmërim për një gjobë të vënë që nuk është shlyer. Por nga ky shpërthim dikush mund të ketë mbetur i gjymtuar. Madje edhe i vrarë.

Shpërthimet e tritolit, të ndodhura jo rrallë në vendin tonë, kanë qenë të gjitha për një arsye të tillë. Dhe veç të tjerash kanë shkaktuar edhe terror tek qytetarët që nuk kanë pasur të bëjnë fare me historinë e askujt.

Eksplozivi konsiderohet si arma që nuk lë gjurmë dhe zhduk çdo provë. Një minë, prodhohet lirë, përdoret lehtë dhe pas shpërthimit të saj autorët është e vështirë të identifikohen.

Një nga autorët e arrestuar për këto ngjarje shprehej në gjykatë: Zgjodha këtë mënyrë pasi nuk doja të ballafaqohesha me viktimën. Eksplozivi nuk lë gjurmë në vendngjarje, kështu ndihesha më i sigurt…”

Përdorimi i eksplozivit në ngjarje kriminale në këto 30 vjet ka pasur një historik që në ndonjë rast bëhet i frikshme. Në vitin 1992 kanë ndodhur 18 ngjarje me eksploziv që erdhën duke u rritur vit pas viti.

Në vitet ’94 – ’95, 100 rastet e përdorimit të eksplozivit ishin të kryera në tri zona në Veri të vendit dhe për këtë arsye ky lloj krimi u konsiderua “krim me origjinë nga veriu”. Por shtrirja e këtyre ngjarjeve në zona të tjera, kryesisht në Gjirokastër bëri që konceptimi të ndryshonte.

Në vitit ’97 – ’99 ndodhën disa ngjarje me eksploziv që u cilësuan akte terroriste, 148 të tilla, 8 shpërthime në banesa gjyqtarësh, pa viktima por me dëme të konsiderueshme. 140 raste të tjera me dëm material rreth 3 milionë dollarë dhe 34 persona mbetën të gjymtuar.

Ngjarje të tilla vazhduan edhe në vitet në vazhdim. Për një periudhë të gjatë Kruja u konsiderua vendi më problematik, kryesisht pas nisjes së punimeve për fabrikën e çimentos. Një akt i mirëfilltë terrorist, i konsideruar në atë kohë si tentativë vrasje e ish-kryeministrit Ilir Meta, ndodhi në dhjetor të vitit 2000, ditën kur do bëhej përurimi i fabrikës.

Më pas, po në këtë zonë, shtyllat e tensionit të lartë u bënë objekt i vazhdueshëm i shpërthimeve me eksploziv. Vitet e fundit, shpërthimet e tritolit u kthyen në një fenomen dhe u bënë të shpeshta, kryesisht në Vlorë dhe Tiranë.

Pjesa më e madhe e atentateve, që kanë shkaktuar plagosjen apo vdekjen e objektivit dhe që janë realizuar me eksploziv, vijojnë edhe sot të jenë pa autor.

Megjithëse, sidomos vitet e fundit, Policia ka goditur disa grupe që realizonin krime të tilla. Madje disa autorë, të kthyer në të penduar, kanë zbërthyer jo vetëm mekanizmin se si funksiononin këto grupe kriminale, por kanë treguar se sa me lehtësi sigurohet tritoli që përdoret në atentate. Kompani të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, shpesh janë bërë burim furnizimi për grupet kriminale.

Atentate të realizuara me mina të komanduara në distancë apo edhe nga afër me fitil, herë kanë dështuar e herë janë realizuar. Ngjarje të tilla nuk mungojnë thuajse asnjë vit. Por disa prej tyre konsiderohen si akte terroriste.

Madje në vitin 2000, ish-prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, vendosi rihetimin e të gjitha dosjeve të këtyre ngjarjeve të mbetura pa autor. Duke nisur nga ajo më e rënda, ngjarja e datës 26 shkurt 1996, vendosja e bombës në supermaketin VEFA, që vrau 4 qytetarë e plagosi 11 të tjerë në qendër të Tiranës. Shpërthimi i tritolit në banesën e gjyqtarit, Prel Martini, nëntorin e vitit 1996 dhe në banesën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, më 11 shtator të vitit 1998, ngjarje të ndodhura në Tiranë.

Një sasi prej 25 kg tritol e vendosur brenda një makine “Fiat”, që ngjante si makinë Policie, shkaktoi një ngjarje tragjike më 26 shkurt të vitit 1996 në qendër të Tiranës. Akti terrorist i hedhjes në erë të supermarketit të firmës VEFA pa dyshim konsiderohet ngjarja më e rëndë. Bilanci ishte tragjik, me 4 te vdekur dhe 11 te plagosur. Viktimat e asaj ngjarjeje ishin Vera Dume, Muhamet Karamani, Hasim Karamani dhe Vait Osmani.

Tritoli që rezultoi të ishte blerë në Lushnjë, ishte aktivizuar nga afër me fitil zjarrpërcjellës, nga një person që e afroi makinën pranë derës së supermarketit. Pasi bëri ndezjen, ai zbriti dhe u largua me vrap.

Më 27 shkurt të vitit 2005, rreth orë 23:40, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse kanë gjetur vdekjen Vajdin Lame dhe Artan Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte Vajdin Lame, në rrugën “Dervish Hima”, në Tiranë. Lënda plasëse ka qenë e vendosur në kabinën e ashensorit dhe ka shpërthyer në momentin kur ashensori ndodhej në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa ishte duke u ngjitur në katin e tetë.

Artan Arsi kishte mbaruar shkollën me Vajdin Lamen dhe ishin miq të vjetër. Arsi kishte jetuar në Shkodër, por prej rreth 4 muajsh, para se të vritej u zhvendos në Tiranë dhe jetonte me bashkëshorten e dy fëmijët në një banesë me qira pranë Stacionit të Trenit. Arsi punonte si menaxher në një firmë zvicerane për barna farmaceutikë dhe gjatë kohës që nisi të jetojë në Tiranë, takohej çdo ditë me Vajdin Lamen. Edhe natën para se të vriteshin të dy, Artan Arsi ka qëndruar në lokalin e Lames, duke e pritur derisa ai të ndahej nga dy arkitektë italianë, me të cilin ishte ulur në një kënd tjetër të lokalit dhe po bisedonin për rikonstruksionin e ish-kampit të punëtorëve në Durrës.

Sulmi që për shumë vite me radhë kishte mbetur pa autor, ishte realizuar falë një telekomandimi tepër profesional në momentin që dy shokët e fëmijërisë gjendeshin në ashensor, në një pallat pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”.

Banda e Lushnjës ka ekzekutuar me bombë me telekomandë Enver Rabinë, më 5 mars të vitit 2005, në Tiranë. Rabija ka rënë pre e një kurthi të organizuar nga ushtarët e Aldo Bares. Ata e kishin urdhëruar për të eliminuar një nga ish-punonjësit e Policisë së Shtetit që i kishte sulmuar në vitin 1997. Por në momentin që Rabija është nisur në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, bomba që mbante në dorë ka shpërthyer, duke e lënë të vdekur në vend. Historia e mësipërme është treguar para Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga një shok i ngushtë i Rabisë. Dëshmitari Pëllumb Beqiri, një efektiv i policisë në Burgun e Rrogozhinës, deklaron detaje të pathëna të ekzekutimit mafioz të Rabisë. Ai ka treguar se ka takuar Enverin tri ditë para ngjarjes në një lokal në Tiranë. Gjatë takimit, i ka thënë se “banda më do të vdekur dhe më ka lënë një detyrë të vështirë”.

Në dosjen e Prokurorisë shpjegohet ngjarja e ndodhur në orën 04:30 të mëngjesit, në vendin e njohur si “pallatet e sizmikut”, ku u gjet trupi i pajetë i një personi që për shumë kohë mbeti i paidentifikuar. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për shtetasin Enver Rabija. Ngjarja në fillim u hetua në tri drejtime. Si një ngjarje aksidentale, që viktimës mund t’i kishte plasur mina në dorë dhe ishte nisur për ta vënë në ndonjë ndonjë shtëpi. Kjo për arsye se në pallatin ku ndodhi ngjarja jetonin disa prokurorë dhe oficerë policie. Madje jetonte edhe nëna e oficerit Klenti Bano, një oficer Policie që u vra nga banda e Lushnjës. U hetua edhe si një vetëvrasje e mundshme dhe si një ekzekutim. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për vrasje.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Atë mëngjes, gjyqtari i ri ishte me mjaft nxitim për në punë. E priste një ditë e ngarkuar me shumë gjyqe. Teksa po hipte në makinën e tij, vuri re që i kishte rënë goma dhe duke qenë se nxitonte hipi në makinën tjetër. Një makinë tip “Benz”, model i vjetër, që kryesisht e përdorte bashkëshortja. Por duket se e gjithë kjo ishte një kurth për të. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në makinën ku ai hipi dhe jo në atë me gomë të rënë.

Konomi udhëtoi vetëm pak metra dhe makina shpërtheu në ecje. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor. Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi kryerjen e veprimeve hetimore, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit të krimit.

Është mëngjesi i datës 9 maj 2012. Ora shënon 7 e 35 minuta. Një shpërthim i fuqishëm trondit edhe muret rrethuese të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Një sasi eksplozivi shpërthen vetëm pak metra larg saj, në një vilë dy katëshe në sheshin mes rrugës që të çon nga Liceu Artistik për në Qytetin Studenti.

Eksplozivi ishte lidhur nga jashtë portës së kësaj vile, ku jetonte zëvendësdrejtor i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Anwar Rizik, 43 vjeç, shtetas palestinez ishte duke dalë nga shtëpia në atë moment. Ai jetonte aty me gruan e tij shqiptare dhe djalin 5-vjeçar. Po nisej për në punë, drejt Fushë-Krujës, por fillimisht do shoqëronte djalin për në kopsht.

Nuk ka arritur të bëjë asnjë hap përtej portës. Sa e hapi, eksplozivi u aktivizua e shpërtheu duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht djali i tij i mitur, edhe pse ndodhej vetëm 3 metra larg tij, nuk pësoi asgjë. Ndërsa 43-vjeçari Anwar Rizik, mbeti i vrarë në mënyrën më makabre, duke pësuar gjymtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Gruaja e tij shqiptare, e alarmuar nga ngjarja ka nxituar të lajmërojë policinë, nëpërmjet sallës operative. Ndërsa për shkak të distancës së afërt me vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe të alarmuar nga ajo çfarë kishte ndodhur, në vendin e ngjarjes kanë shkuar të parët personeli i Ambasadës Amerikane.

Sipas policisë, eksplozivi ishte vendosur në vendin ku bashkohen dy kanatet e portës. Zona ku ndodhi ngjarja, ka qenë e vëzhguar nga kamera sigurie, por asnjë prej tyre nuk ka fokusuar autorin. Pritej ekzaminimi i kamerave të Ambasadës Amerikane, 20 metra larg vendit të ngjarjes, por nga këqyrja paraprake nga vetë personeli i ambasadës, ka rezultuar se nuk kanë filmuar autorët e ngjarjes.

Inxhinieri Anwar Rizik, i cili prej një viti kishte marrë edhe shtetësinë shqiptare, punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri.

Policia shoqëroi disa banorë të fshatit Zall të Krujës, por asnjëherë s’u arrit dokumentimi me prova shkencore për përfshirjen e tyre në atentat. Ngjarja u hetua si vazhdim i disa sulmeve të mëparshme me eksploziv ndaj fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

Mesditën e 11 qershorit të vitit 2022, një sasi e madhe eksplozivi e vendosur në makinën e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, shpërtheu duke e plagosur rëndë. I riu ndërroi jetë pak momente më pas, si pasojë e plagëve të rënda. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare. Qytetarë të shumtë u bënë dëshmitarë të pamjeve të rënda dhe ishin të parët që i erdhën në ndihmë Sadikajt, duke e transportuar me një makinë të rastit drejt spitalit.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj kur makina “Volkswagen”, me targa AB 077 PO që drejtonte, shpërtheu në ecje. Në një zonë me shumë lëvizje siç ishte vendi ku ndodhi shpërthimi, ngjarja mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Por fatmirësisht nuk u dëmtua askush tjetër.

Sipas ekspertëve, autorët mund të kenë qenë duke vëzhguar lëvizjen e tij dhe kanë aktivizuar lëndën plasëse në momentin kur nuk ka pasur makina të tjera afër.

Menjëherë pas vrasjes së tij, Policia nxitoi të tregonte precedentët, duke e konsideruar si një person me precedentë të theksuar kriminal, megjithatë deri më sot askush nuk është në burg për atë ngjarje. Nga ana tjetër, Sadikaj merrej edhe me biznes. Ai ishte pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, që në fakt ishte vendlindja e nënës së tij dhe kalonte një pjesë të madhe të kohës atje.

Prokuroria e Tiranës hetoi në disa pista, përfshirë edhe atë të larjes së hesapeve për shkak të konflikteve të ashpra ku ishte përfshirë në Greqi. Madje për një kohë të gjatë kishte vuajtur dënimin atje, pasi akuzohej për një vrasje të ndodhur 8 vite më parë në Athinë, për prishjen e pazareve të drogës. Gjithashtu, po hetohej edhe si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal që vepronte një vend të Bashkimit Europian.

Dëshmitë e familjarëve të tij, nisur nga takimet dhe lëvizjet e fundit që kishte bërë pak para vrasjes, orientuan grupin hetimor drejt një biznesmeni nga Fieri, që qëndronte kryesisht në Sarandë, i cili u ekzekutua 6 muaj pas vrasjes së Sadikajt.

Nëna e Aleksandër Sadikajt ka rrëfyer për oficerë e Policisë se djali i saj, para se të vritej kishte qëndruar në hotelin “Blue Sky” në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, duke shtuar dyshimet se familja Papa kishte gisht në ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit. Familja kishte kryer një hetim paralel për të zbuluar vrasësit dhe informacionet i kishin çuar atje. Nëna e Sadikajt, tregonte se i biri nuk kishte qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve Ledjan Alushaj dhe tjetri i quajtur Xhino. Të dy këta persona, nëna e Sadikajt i konsideron si të përfshirë në ngjarje edhe pse ishin miqtë e djalit të saj. Sipas dosjes së Prokurorisë, Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip “Volkswagen”, të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.

Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve. Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Familjarët e Aleksandër Sadikaj dhe shokët e tij, kishin pasur dyshime se vrasja ishte organizuar në qytetin e Sarandës dhe në Kurjan të Fierit.  Ata vazhdimisht janë interesuar dhe angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim dhe hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërt.

Shpërthimi që tronditi Sarandën nuk ishte thjesht një akt dhune. Ishte një mesazh. Një sinjal, që në prapaskenë, ende sot, ekziston një betejë e heshtur mes grupeve që kërkojnë pushtet, ndikim dhe hakmarrje.

Pas çdo prove të djegur, pas çdo heshtjeje zyrtare, qëndron një rrjet i errët interesash, ku kufiri mes ligjit dhe krimit bëhet i paqartë.

Hetimet zyrtare vijojnë, por në qytet ende flitet me zë të ulët. Sepse askush nuk do të jetë dëshmitari i radhës.

Në fund, mbetet pyetja që nuk gjen përgjigje: A ishte ky shpërthim një paralajmërim… Apo vetëm fillimi i diçkaje më të madhe?

Një histori që nis në Sarandë, por që mund të ketë rrënjë shumë më thella./abcnews.al

“Gjërat Tona”/ Drejtësia që prodhoi vetëgjyqësinë

12 October 2025 at 20:55

Në orën 15:35 të datës 6 tetor 2025, Astrit Kalaja goditi për herë të fundit çekiçin e gjyqtarit.

Ende nuk kishte përfunduar leximin e vendimit, kur u qëllua me 3 plumba në gjoks.

Plumba që e lanë të vdekur në vend, në prezencë të sekretares dhe të pranishmëve në sallën e vogël të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Drejtësia u godit në zemër, brenda tempullit të saj.

Autori, që ishte palë e tretë në proces, qëlloi edhe dy të pranishëm, që ishin pala paditëse dhe doli qetësisht nga salla numër 3.

Dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor dhe qetësisht iu afrua policëve që ndodheshin jashtë, duke u thënë: Unë e vrava.

Ndërsa motivi duket se ishte akumuluar për 33 vite me radhë, nga familja e autorit që në fakt ende nuk kishte lindur kur nisën problemet e para të pronësisë.

Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, nga Shkodra, tha se nuk qëlloi mbi gjyqtarin, por mbi sistemin e drejtësisë.

Një sistem që për 33 vjet nuk i dha dot zgjidhje një problemi pronësie, dosjet e të cilës kaluan në duart e 26 gjyqtarëve dhe asnjëherë nuk u dha një verdikt final.

Por fundi ishte tragjik.

Një gjyqtar me një karrierë 32-vjeçare, i konfirmuar në detyrë në vitin 2019, duke kaluar me sukses procesin e vetingut, humbi jetën për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës.

Pagoi me jetën e tij për atë që familja e autorit e konsideronte padrejtësi nga i gjithë sistemi.

Ndërsa autori, u izolua në qeli, me gjasë përjetësisht. E megjithatë dosja e pronës së tij sërish mbeti në duart e drejtësisë. Me vendimin e fundit që dha Astrit Kalaja, para se ekzekutohej në sallën e gjyqit, çështja do të rigjykohet edhe një herë në shkallën e parë.

VRASJA E GJYQTARIT

Salla Operative e Policisë së Tiranës mori njoftim në orën 15:38, të datës 6 tetor 2025, se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Kalaja, po zhvillonte një seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse Ragip Kurtaj, 71 vjeç, i shoqëruar nga djali i tij Ervis Kurtaj, 46 vjeç, si dhe palë të paditur përmbaruesin gjyqësor të Zyrës Përmbarimore Shkodër, Taulant Muja dhe palë të treta Gjon Shkambin, 56 vjeç, i shoqëruar nga nipi i tij Elvis Shkambi, 30 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta Policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit, si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen. Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e dy prokurorëve të Tiranës, Arens Çela dhe Erjon Imeraj, kanë vijuar me veprimet hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, Andan Xholi dhe Vladimir Mara, të cilët janë paraqitur për të verifikuar rrethanat e ngjarjes. Rrethana që mund të tregonin nëse ishin përballë një grupi kriminal, që mund të hetohej nga SPAK, apo bëhej fjalë për një ngjarje që është kompetencë e Prokurorisë së Tiranës. Por nga aq sa rezultoi, nuk ishte një krim i kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nga verifikimi i të gjitha fakteve, pamjeve dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje, rezultoi se në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja detektor, njëri pas tjetrit, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke u ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush Koxhaj, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, duken të dy personat, xhaxha e nip, Elvis dhe Gjon Shkambi teksa qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29. Më pas ata futen në ambientet e sallës numër 3 ku do të zhvillohej seanca gjyqësore.

Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit. Astrit Kalaja, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të dy personave që ishin palë paditëse në seancë, Ragip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, duke i plagosur të dy.

Nga hetimet ka rezultuar se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit ose ndihmësit.

Policia e Tiranës

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim; Banush Koxhaj, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

Në momentet e para pasi ka realizuar vrasjen, Ervis Shkambi ka dorëzuar armën tek një nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë, u është drejtuar vetë policëve të Komisariatit nr.1 që ishin me shërbim jashtë Gjykatës dhe u ka thënë që është ai personi që ka kryer krimin. Më tej nuk ka folur më. Është bërë shoqërimi i tij, fillimisht në Komisariatin nr.1, ku është mbajtur deri në orë 22:00. Më pas është shoqëruar drejt ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës ku dhe është marrë në pyetje për më shumë se një orë. Me një artikulim të qartë, i qetë dhe pa shfaqur në asnjë moment pendesë, 30-vjeçari ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Elvis Shkambi

Kam qenë i shoqëruar me xhaxhain tim Gjon Shkambi dhe jemi futur të dy në Gjykatë. Pistoletën e mbaj gjithmonë me vete, pasi kam ato problemet e mia. Nuk është hera e parë që futem nëpër gjykata me armë. Kemi pritur sa të fillonte seanca dhe jemi futur brenda. Në momentin që gjyqtari ka dhënë vendimin kam ndjerë një urrejtje të pashpjegueshme ndaj tij. Nuk e kuptoj as tani. Kam nxjerrë armën dhe e kam qëlluar. Kam qëlluar edhe ndaj palës tjetër. Kisha edhe fishekë të tjerë në pistoletë, por kur po qëlloja, aty e kam kuptuar se çfarë po bëja dhe kam ndaluar. Nuk kam qëlluar më. Më pas kam dalë jashtë. Dorëzova pistoletën tek një punonjës që pashë aty përballë meje dhe kam pritur ne oborr. Në momentin që pashë policët u afrova vetë dhe u thashë që e kam bërë unë vrasjen.

Ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ndonëse herë pas here e kishte ngritur si shqetësim zvarritjen që i bëhej nëpër gjykata problemit të tij të pronësisë, nuk ka preferuar të japë shpjegime në lidhje me ngjarjen.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, Gjon Shkambi, megjithëse në momentin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkrete, nuk ka ndërmarrë as ndonjë veprim për të ndaluar nipin e tij. Madje, siç është verifikuar nga këqyrja e pamjeve filmike, të fiksuara nga kamerat e sigurisë në sallën e gjyqit, ai ka qëndruar i qetë gjatë kohës që Elvis Shkambi qëllonte me armë zjarri. Kjo sipas Prokurorisë të krijon dyshimin se ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij, madje ka dyshime se Gjon Shkambi ka pasur rolin e shtytësit për të vrarë edhe dy personat e tjerë që ndodheshin në sallë si palë paditëse, pra Ragip dhe Elvis Kurtajn.

Prokuroria e Tiranës

Shtetasi Gjon Shkambi, ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar, në dëm të Ragim dhe Elvis Kurtajt. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij Elvis Shkambi, madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gjon Shkambi, gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të administruara me procesverbal, për kanosjet me jetë që u janë bërë nga ky shtetas.

Në fakt kërcënimet e familjes Shkambi vazhduan edhe pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit, kur xhaxhai tjetër i autorit të ngjarjes, shtetasi Gjovalin Shkambi, paralajmëronte një tjetër ngjarje të ngjashme. Menjëherë pas kërcënimit të tij publik, Policia e Shkodrës e shoqëroi menjëherë dhe më pas u arrestua.

GJYQTARI PA ASNJË MASË DISIPLINORE

Gjyqtari Astrit Kalaja, 62 vjeç, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në Gjykatën e Apelit Tiranë ishte baba i tre fëmijëve. I lindur në Shkodër, Kalaja u diplomua për drejtësi në vitin 1993. Me një karrierë 32-vjeçare si gjyqtar, ai ishte emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Për 11 vjet, deri në qershor të vitit 2004 ka ushtruar profesionin e tij si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Më pas, nga vitit 2004 e deri më 31 janar të vitit 2023 ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ndërsa dy vitet e fundit ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Astrit Kalaja, e ka kaluar Vetingun në vitin 2019. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, e konsideroi të plotë vetëdeklarimin e tij duke e konfirmuar në detyrë në janar të vitit 2022. Astrit Kalaja, nuk kishte marrë asnjëherë masa disiplinore gjatë karrierës së tij.

Ditën kur ndodhi ngjarja, gjyqtari Astrit Kalaja kishte të përcaktuara në kalendarin e Gjykatës së Apelit 9 seanca gjyqësore. Dy për “dhënie fuqi të vendimit të gjykatave të huaja”, një “lëshim urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje”, dy “përjashtim nga sekuestro”, një “dëshmi trashëgimie”, dy “vërtetim fakti juridik” dhe seanca e fundit ishte për “kundërshtim veprimesh përmbarimore”.

Seancë që rezultoi edhe e fundit në karrierën e tij 32-vjecare. Palë paditëse në këtë proces ishin 14 persona, mes tyre edhe Ragip e Elvis Kurtaj që mbetën të plagosur, të cilët kundërshtonin vendimin e përmbarimit gjyqësor, më palë të paditur përmbaruesit Taulant Muja dhe palë e tretë ishin Gjon Shkambi me nipin e tij Elvis Shkambi.

OBJEKTI QË NXITI KONFLIKTIN

Në daljen e tij të fundit televizive, në maj të vitit 2023, Gjon Shkambi tregonte të gjithë ecurinë e vendimeve për pronën e tij, duke pretenduar se zvarritje të tilla po e shtyjnë drejtë vetëgjyqësisë. Deklaratat e tij, sot pas ngjarjes së rëndë në Gjykatën e Apelit, duket se ishin një paralajmërim për atë që ndodhi.

Por si nisi ky konflikt…

Me vendimin nr.52 të Bashkisë së Shkodrës, datë 5 shtator 1992, u është dhënë strehim 31 familjeve, me një akt marrëveshje provizore, në objektin ish-shkolla e rezervave të ndërtimit, në lagjen “Skënderbeg”, në Shkodër. Në vendim thuhet se: Kryesia e Bashkisë, duke parë kushtet tuaja të strehimit, ka vendosur t’ju strehojë në objektet e mësipërme, ish-shkolla e Rezervave dhe nuk merr parasysh financimin e punimeve që duhen kryer në atë objekt.

Në vitin 1996 Komisioni i Kthimit të Pronave i njeh truallin ku ishte ndërtesa shtetërore në fjalë, familjes Shkambi, si ish-pronare. Në vitin 2002, një tjetër vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave, bën ndarjen e pronës, në përpjesëtim të familjeve ish-pronare.

Banorët që ishin strehuar në atë objekt, bëjnë kërkesë për privatizim dhe marrin përgjigje nga kryetari i bashkisë në atë kohë, Lorenc Luka:

Pasi u njoha me shkresën tuaj po përcjellim informacionin tonë. Ju bëjmë me dije se aktualisht Bashkia Shkodër nuk mund ta kryejë këtë veprim të shitjes së objektit, pasi ky veprim, në rastin që paraqitet nuk gjen mbështetje, përkatësisht nga aktet nënligjore.

Ndërsa në vitin 2012, Gjon Shkambi bën blerjen e objektit nga Ministria e Financave. Pas këtij viti kanë nisur gjyqet me zyrën Përmbarimore të Shkodrës.

Në vitin 2012, banorëve ju shkon një shkresë nga përmbaruesi, i cili u kërkonte të lironin objektin.

Në vitin 2014, Gjykata e Shkodrës vendos që të bllokohen të gjitha veprimet përmbarimore të përmbaruesit, me kreditor Gjon Shkambin. Vendimi është apeluar, por Gjykata e Apelit Shkodër ka lënë në fuqi këtë vendim edhe në vitin 2016.

Në vitin 2020, 31 familjet në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Në atë kohë doli, Gjon Shkëmbi, i cili pretendoi të ishte pronar i godinës dhe tentoi të futej në godinë. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false.

Të strehuar që prej vitit 1992 me vendim të Këshillit Bashkiak të kohës, si familje në nevojë, përfituan banesë sociale nga shteti. Por historia e tyre u kthye në një betejë të gjatë me institucionet dhe me pretenduesit e pronësisë.

“Të gjitha të zezat i kemi veç nga bashkia. S’na ka dalë për zot Lorenc Luka…”, shprehet banori Noc Ndoci.

Në zërin e Paulina Nikës ndihet frika e përjashtimit nga shtëpia, në të cilën ka jetuar për 3 dekada.

“Kam 35 vjet këtu. Problemet na filluar në 2012. Atëherë erdhi përmbaruesi Martin Tusha”, thotë banorja Paulina Nika.

Banorët e lidhin zinxhirin e padrejtësive me institucionet vendore të kohës, ndërsa shkaku i çdo përplasje mban emrin e Lorenc Lukës, ish-kryetari demokrat i bashkisë së Shkodrës.

“Përmbaruesi Martin Tusha në 2002 është bazu me i vendim gjykate që thotë se ne e kemi zaptu forcërisht. Po bashkia na ka strehu kemi akt marrëveshje. Lorenc Luka njeriu i tana të zezave”, shprehet Noc Ndoci.

Të gjithë rrëfejnë të njëjtin cikël të lodhshëm gjyqesh, dokumentesh dhe vendimesh që ndryshonin duar.

“Kemi kërku me e privatizu para këtij. Në Shkodër pallatet kanë qenë shtetërore. Unë lind në Shkodër s’kam prona, ai në Dukagjin paska…”, shprehet Ndoci.

Në kalvarin e gjyqeve të njëspasnjëshme, Noc Ndoci tregon se si Astrit Kalaja priti 10 vite Gjon Shkambin për dokumentin e trashëgimisë, të cilin nuk e dorëzoi kurrë.

“Astrit Kalaja për mu është njeriu që ka vendos drejtësinë. E ka prit Gjon Shkambin 10 vjet me i ç’u dokumentin e trashëgimisë”, thotë banori Noc Ndoci.

Kjo godinë, që mbart dhimbje, frikë dhe kujtimin e një vendimi të fundit, ka vetëm një emër: Astrit Kalaja. Për këta banorë, nuk ishte vetëm një gjyqtar, por njeriu që i dëgjoi, i kuptoi dhe i mbrojti.

Në 33 vjet të kësaj historie që spo gjen zgjidhje, çështja e pronësisë ka kaluar në duart e 26 gjyqtarëve, 10 prokurorëve, 4 ministra të Financave dhe 2 kryetarëve të Bashkisë Shkodër.

Tashmë i mbetet në dorë institucioneve për të përcaktuar vërtetësinë, apo edhe për të qartësuar se cili është pronari real i një prone që ka futur në konflikt 31 familje me një familje që e pretendon truallin, me përmbarimin dhe që në fund u pasua me vrasjen e një gjyqtari në sallën e gjyqit.

Në statistikat e Policisë së Shtetit, nga viti 1998 deri në vitin 2023, 637 shtetas shqiptarë kanë qenë në qendër të atentateve për shkak të konflikteve për pronat. Prej tyre 185 janë vrarë dhe 208 janë plagosur rëndë. Për 244 të tjerë plani për t’i vrarë mbeti në tentativë. Shifrat i përkasin “luftës” për tokën dhe llogariten nga viti 1998 e në vazhdim.

Me procese që kanë kaluar dy dekada, ligje që janë ndryshuar vazhdimisht, mosmarrëveshjet e pronave futën në armiqësi njerëzit më të afërt të familjes, lidhje krushqie dhe kushërinj apo trashëgimtarë. 12 mijë shtetas shqiptarë janë aktualisht nën procese civile në të gjitha gjykatat në vend dhe me fashikuj e harta topografie këmbëngulin se kanë të drejtë ata dhe jo pala tjetër. 2 mijë prej tyre janë pjesë e stokut në Gjykatën e Lartë. Nuk ka një statistikë nga prokuroritë se sa është numri i të dënuarve për akuzën e falsifikimit dhe të tjetërsimit.

DËSHTIMI I SIGURISË

Gjykata është vendi ku bashkohen personat që janë në konflikt me njëri – tjetrin, të cilët shpesh herë mbartin emocione dhe ngarkesa të mosmarrëveshjeve, duke i manifestuar ato edhe në sallën e gjykimit. Në këto kushte, ekziston kurdoherë rreziku, që reagimet e personave, të cilët aksesojnë sallën e gjyqit të përshkallëzohen në atë masë, sa të përbëjnë rrezik për personat e tjerë të pranishëm. Qofshin këta persona të tretë, përdorues të Gjykatës, qoftë staf administrativ, apo qoftë edhe vetë gjyqësori.

Ky ishte një nga argumentet e gjyqtareve që u ndjenë seriozisht të kërcënuar me jetë, teksa u mbyllën në dhomë këshillimi e nuk mund të dilnin nga andej, për shkak të frikës që u kanosej nga familjarët e disa personave që kishin dënuar. Incidenti i rëndë ndodhi në Gjykatën e Apelit, aty ku dhe ndodhi ngjarja tragjike më 6 tetor 2025. Fiks dy vite para kësaj ngjarje, më 6 tetor 2023, Prokuroria nisi hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Celami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet që u kishin ardhur në sallën e gjyqit, teksa po bëheshin gati të shpallnin vendimin.

Ato kërkuan ndihmën e Policisë së Tiranës menjëherë mbasi shpallën nga 35 vjet burg për shtetasit Daut Elmazi dhe Gentian Zoto, dënimin me 30 vjet burg për Igli Memaj dhe nga 25 vjet për Serxho Ademin dhe Albano Goxhaj. Gjyqtaret u kërcënuan në sallën e gjyqit nga të afërmit e këtyre të akuzuarve, të cilët u dënuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë. Vetë personat e akuzuar nuk ishin të pranishëm në seancë, por ndaj tyre po jepej vendimi për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2019 në Vlorë, kur u qëllua në drejtim të një automjeti, në të cilin ndodhej Inez Hajrulla. Por të pandehurit pretendonin se provat në vendngjarje ishin manipuluar nga Policia e Vlorës dhe se gjykatat nuk i kishin konsideruar drejt provat ndaj tyre, Të njëjtin pretendim patën edhe familjarët që po ndiqnin në sallën e Gjykatës së Apelit seancën në ngarkim të tyre. Pas kësaj ngjarje, asnjëra nga gjyqtaret nuk kërkoi mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Policia e Shtetit mori masa shtesë ndaj tyre.

Ngjarja tragjike në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka rikthyer frikën dhe kujtesën e dhimbshme të sulmeve me armë në sallat e gjykatave shqiptare, si rasti i plagosjes në Fier, të gjyqtares Irena Gjoka, që në atë kohë mbante mbiemrin Maneku. Gjyqtare, e cila vitet e fundit ka qenë në shënjestër të familjes Berisha dhe Meta, pasi shorti e përcaktoi për të shqyrtuar çështjen në ngarkim tyre në Gjykatën e Posaçme, ku ajo ushtron funksionin aktualisht.

Emri i gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si një prej figurave më të përfolura dhe më të sulmuara nga politika. Në duart e saj ndodhen disa nga dosjet më të bujshme të kohëve të fundit, përfshirë ato që prekin drejtpërdrejt familjet Berisha dhe Meta. E përballur me një valë sulmesh publike, Irena Gjoka është kthyer sot në simbol të drejtësisë që nuk tërhiqet përballë presioneve politike.

Por ngjarja e rëndë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në mënyrë tragjike, ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka hapur sërish debatin për mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore. Në Fier, kjo tragjedi ka rikthyer kujtimet e dhimbshme të vitit 2007, kur më 18 janar të atij viti gjyqtarja Irena Gjoka u qëllua me armë brenda ambienteve të gjykatës.

Sulmi i asaj kohe u bë shkak që për herë të parë në Shqipëri, në një gjykatë të vendoseshin roje sigurie dhe detektorë metalesh në hyrje. Por, sipas shumë juristëve, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e magjistratëve.

Gjatë homazheve në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, para se ai të përcillej në banesën e fundit në Shkodër, shumë kolegë të tij shprehën pasigurinë për ambientet ku punojnë.

Edhe kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, tha se 99% të gjykatave nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë. Në një deklaratë për mediat, ai tha se duhen ndërtuar godinat e reja. Sipas tij, nëse nuk ekziston siguria në gjykatë, edhe qytetari më i thjeshtë ndihet i rrezikuar.

260 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë më 9 tetor 2025, 3 ditë pas vrasjes së kolegut të tyre në sallën e gjyqit, zhvilluan një mbledhje urgjente në Këshillin e Lartë Gjyqësor për të diskutuar mbi çështjen e sigurisë së magjistratëve e sistemit të drejtësisë. Gjithçka nisi me një minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja.

Në përfundim të mbledhjes, gjyqtarët dolën në një deklaratë të përbashkët duke shprehur dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut të tyre. Sipas tyre, vrasja e gjyqtarit Kalaja është pasojë e një klime fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve.

Deklarata e gjyqtarëve

Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë, është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallën e gjykimit është kufiri i fundit i cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë. Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri: Drejtësia nuk do të përkulet. Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit. Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund. Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje,  kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës. Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesë të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin.

Sipas tyre, Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Dhe kjo, për ta nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi. Nga ana tjetër, gjyqtarët i kërkojnë edhe pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ që të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Pasi sipas tyre, shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.

Deklarata e gjyqtarëve

Krijimi i një grupi ndërinstitucional me përfaqësim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore; Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave; Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve; Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore; Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor; Ndërhyrje të menjëhershme në ligjet ose aktet nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave; Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; Inspektim kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizim i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave me skaner dhe detektorë për garantimin e sigurisë në gjykata.

Në përfundim u kërkua njohja e statusit “ Dëshmor i Atdheut” i gjyqtarit Astrit Kalaja.

VRASJET E NJERËZVE TË DREJTËSISË

Krimi ka kërcënuar vazhdimisht drejtësisë e herë pas here ka qëlluar edhe në shenjë. Por ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja, është rasti i parë që ndodh brenda një institucioni drejtësie. Pas vrasjes me eksploziv të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, në vitin 2011, në historinë e sistemit të drejtësisë, Astrit Kalaja është gjyqtari i dytë që humb jetën.

Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve. Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 5 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend.

Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë. Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi”, është gjetur e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës.

Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt.

Më 30 shtator të vitit 2003, vritet Genci Sina, shoferi i prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai ishte duke shoqëruar bashkëshorten e Sollakut dhe vajzën e tij, kur në afërsi të Piramidës, një taksi i afrohet makinës së tij, një person zbret dhe e qëllon me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.  Familjarët e viktimës deklaronin se Sina nuk kishte asnjë problem personal, por ngjarja ishte një mesazh për kryeprokurorin.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pas një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën por edhe konfliktet e pronësisë.

Vrasja e avokatit Ravik Gurra, në një lokal në mes të Elbasanit, mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, ishte një dëshmi e fortë se si krimi godet me gjithë ashpërsinë e tij dhe sa serioz është kur kërcënon. Edhe avokatët, ashtu sikurse prokurorët dhe gjyqtarët, janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por në 25 vitet e fundit sistemi i drejtësisë është sulmuar në të gjitha drejtimet. Është përballur me akuza, me kërcënime, por persona të caktuar, pjesë e tij, kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze.

Më 1 nëntor të vitit 2019, mbetet i vrarë në një atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Hetimet për atentatin u përqendruar tek vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos në atë ngjarje. Por Policia dhe Prokuroria kishin të dhëna se objektiv i atentatit ishte edhe Aleksandër Laho, që ndodhej në makinë me të dhe u plagos.

Ironikisht, ky personazh, Aleksandër Laho, është akuzuar në fund të muajit shtator 2025 nga Prokuroria e Posaçme, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, që ka kryer tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, duke falsifikuar dokumente. Me hetimin e fundit të SPAK doli edhe një herë në skenë problemi i pronësisë dhe vërtetësisë së dokumenteve të pronësisë, që sot po shkakton kaq shumë përplasje e vrasje.

Madje i mori jetën edhe gjyqtarit Astrit Kalaja, që duket se pagoi për padrejtësitë e gjithë sistemit.

Ndërsa motivi duket se ishte akumuluar për 33 vite me radhë, nga familja e autorit që në fakt ende nuk kishte lindur kur nisën problemet e para të pronësisë.

Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, nga Shkodra, tha se nuk qëlloi mbi gjyqtarin, por mbi sistemin e drejtësisë.

Një sistem që për 33 vjet nuk i dha dot zgjidhje një problemi pronësie, dosjet e të cilës kaluan në duart e 26 gjyqtarëve dhe asnjëherë nuk u dha një verdikt final.

Por fundi ishte tragjik.

Një gjyqtar me një karrierë 32-vjeçare, i konfirmuar në detyrë në vitin 2019, duke kaluar me sukses procesin e vetingut, humbi jetën për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës.

Plumbat duket se ishin ndaj drejtësisë në emër të padrejtësisë.

❌
❌