UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH/ – Në fjalimin e saj të parë publik si drejtuese e MI6, Blaise Metreweli tha se Rusia po përpiqej të eksportonte kaos në Evropë përmes sulmeve hibride dhe dezinformimit, sipas ”New York Times”.
Shefja e re e spiunazhit e Shërbimit Sekret Britanik (MI6) paralajmëroi se Rusia përbënte një kërcënim akut për Perëndimin, duke kryer operacione zjarrvënieje dhe sabotimi, vrasje dhe sulme kibernetike dhe me dronë në të gjithë Evropën.
”Vija e re e frontit është kudo”, tha shefi, Blaise Metreweli, e cila në tetor u bë gruaja e parë që drejton agjencinë, e njohur si MI6, pas një karriere si agjente sekrete.
”Eksporti i kaosit është një tipar, jo një defekt, në qasjen ruse ndaj angazhimit ndërkombëtar”, tha ajo.
Në fjalimin e saj përurues në selinë e MI6, Metreweli përdori një ton të zymtë, pa kërkuar ndjesë, duke përshkruar “epokën e re të pasigurisë” në të cilën Rusia dhe fuqitë e tjera armiqësore përdorin një sërë armësh, nga teknologjia kibernetike te dezinformimi, për të mbjellë mosmarrëveshje dhe për të prishur shoqëritë demokratike perëndimore.
”Në një botë të tillë agjencitë e shërbimeve sekrete duhet të shfrytëzojnë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera për t’u kundërpërgjigjur, duke krijuar aleanca në ekosistemin më të gjerë teknologjik dhe duke ndryshuar mentalitetin e agjentëve të inteligjencës”, tha ajo.
“Zotërimi i teknologjisë duhet të përfshihet në gjithçka që bëjmë, jo vetëm në laboratorët tanë, por edhe në terren, në zanatin tonë dhe, akoma më e rëndësishmja, në mentalitetin e çdo oficeri”, tha ajo.
E diplomuar në Universitetin e Kembrixhit, ajo së fundmi shërbeu si drejtoreshë e përgjithshme e teknologjisë dhe inovacionit në MI6, një post që zakonisht quhet Q – zhvilluesja e pajisjeve të përjetësuara në serinë e filmave të James Bond.
Si shefe e agjencisë, Metreweli, 48 vjeçe, tani njihet me shkronjën C, një emërtim që daton që nga shefi i parë i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete, Mansfield Cumming, i cili nënshkroi direktivat e tij me C në fillim të viteve 1900.
Sipas traditës, i vetmi zyrtar i identifikuar publikisht në MI6 është shefi.
Ndryshe nga shefat e mëparshëm të MI6, të cilët shpesh përdornin fjalime për të ofruar një turne në pikat e nxehta të botës, Metreweli i mbajti vërejtjet e saj të përqendruara te Rusia.
Ajo iu referua Kinës, të cilën BM e ka karakterizuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare, në një frazë të vetme si një “pjesë qendrore e transformimit global që po ndodh këtë shekull”.
Ajo gjithashtu nuk tha asgjë për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht një marrëdhënieje të gjatë për ndarjen e inteligjencës midis MI6 dhe CIA-s, një marrëveshje që është vënë në pikëpyetje me kthimin e presidentit Trump.
”Bota jonë është më e rrezikshme dhe e kontestuar tani sesa për dekada të tëra”, tha Metreweli.
”Ne po jetojmë në një hapësirë midis paqes dhe luftës”, theksoi ajo./ a.jor.
The post BM – Shefja e MI6: Rusia po përpiqet të eksportojë kaos në Evropë përmes sulmeve hibride dhe dezinformimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.