Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka dalë këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, në një konferencë për mediat për të prezantuar treguesit më të fundit të zhvillimeve ekonomike të vitit 2025, pritshmëritë për vitin 2026, nxitjen e inovacionit dhe përafrimin me standardet europiane.
“Siç është bërë me dije, INSTAT ka publikuar sot të dhënat e fundit për PBB-në, i cili në tremujorin e tretë të vitit 2025 rezultoi me një rritje prej 3,75%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024. Kjo rritje është brenda pritshmërive të qeverisë dhe ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, e cila në të njëjtën periudhë ishte 1.6%, dhe më e lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku rritja ishte 3.4%,” deklaroi Ibrahimaj.
Ajo shtoi se “ne jemi besimplotë që deri në fund të vitit 2025 do të arrihet rritja prej 3.9%, edhe pse parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë më të ulëta.”
Sa i përket rritjes sipas sektorëve, ministrja theksoi se situata mbetet e ngjashme me tremujorin e kaluar.
Ndërsa sa i përket rritjes në vitin e ardhshëm, Ibrahimaj mbetet pozitive se do të vazhdojmë të kemi një trend rritës.
“Besoj fort që ekonomia në vitin 2026 do të vijojë të ruajë trendet rritëse sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave. Të gjitha sinjalet tregojnë një ecuri të mirë, me performancë pozitive të shërbimeve. Investimet, sipas parashikimeve të buxhetit, do të jenë të larta, dhe do të ketë stimuj fiskalë të konsiderueshëm,” përfundoi Ibrahimaj./kb
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar këtë të mëkurë, më 24 dhjetor, përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.
Kështu, në njoftimin për mediat bëhet me dije hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.
Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.
A.C., nga ana tjetër, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, V.Ç. ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:
-A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;
-A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
-V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit thekson se angazhohet për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore./kb
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat nga selia blu, ku është ndalur te ajo që e cilësoi si “skandali i AKSHI-t”, duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe personave të lidhur me të.
Sipas Berishës, dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është “edhe më e zezë”, pasi, sipas tij, në qendër të saj qëndrojnë familjarë të kryeministrit. Ai përmendi baxhanakun e Ramës, Armand Frangu, si dhe bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama, të cilën e cilësoi si “patronazhiste të AKSHI-t”.
“Edhe më e zezë është dosja e AKSHI-t, ku kopshti privat i Edi Ramës ka pasur protagonist në hije baxhanakun e tij, peshkaqenin Armand Frangu dhe natyrisht patronazhisten e AKSHI-t, Linda Ramën”, u shpreh Berisha gjatë konferencës.
Kreu i PD-së vijoi akuzat duke deklaruar se Armand Frangu është një person i denoncuar disa herë në Kuvend, duke e lidhur atë me emra të ndryshëm në çështje të ndryshme. Sipas Berishës, AKSHI është një agjenci që varet drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, çka, sipas tij, e bën edhe më të rëndë situatën.
Ai përmendi gjithashtu emrin e Ergys Agasit, të cilin e cilësoi si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit, duke deklaruar se ky i fundit rezulton, sipas tij, me fitime shumë të mëdha financiare brenda një periudhe të shkurtër kohore. Berisha tha se këto fitime, sipas tij, janë të pajustifikuara dhe kërkojnë hetim të thelluar nga institucionet përgjegjëse./kb
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një inspektim këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, në kantierin e projektit të ri “Kengo Art Park”, që po ndërtohet në zemër të natyrës së Petrelës.
“Paska ecur në krahasim me herën tjetër!”, u shpreh Rama.
Projekti, i cili zë një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.
“Kengo Art Park” është projektuar nga arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, dhe synon të integrohet në peizazhin natyror të zonës, duke krijuar një hapësirë moderne për aktivitete kulturore dhe artistike.
“I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur nga pikëpamja arkitekturore edhe memorien historike të vetë godinave.”, shkruan kryeministri krahas videos.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.
“Jemi në kantierin e Kengo Art Park, parkut të artit Kengo që emrin e ka marrë nga arkitekti i famshëm Kengo Kumo, i cili është ai që e ka projektuar këtë projekt. Projekti shtrihet në dy zona, zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh. Ky si projekt është në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike, të cilat kanë degraduar, duke i kthyer këto në qendra zhvillimi, duke i kthyer në si nga pikëpamja arkitekturore dhe urbanistike, po ashtu edhe nga pikëpamja funksionale.”shpjegoi Agolli.
Parku do të përfshijë pavione ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.
Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.
Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në “shtator të vitit të ardhshëm“.
Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Agolli që po i shpjegonte Ramës ecurinë e punimeve, u shpreh se “Njerëzit do vijnë ta vizitojnë edhe për shkak të arkitektit, sepse është një nga arkitektët më të mirë në botë.”
Ai tha se ndonëse i gjithë parku është 32 mijë metra katrorë, sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 7 mijë e 400 metra katrorë, duke u bërë një nga hapësirat e ekspozimit më të madh të artit në Tiranë./kb
Deputetja demokrate, Albana Vokshi ndau sot një qëndrim lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, që sipas saj përdoret nga kryeministri në mënyrë tallëse.
E ftuar në “Syri Tv”, Vokshi u shpreh se parlamenti nuk përcjell vullnetin e qytetarëve.
Vokshi tha se që në ditën e parë të seancës plenare të legjislaturës së re, nuk ka pasur më jetë normale parlamentare.
“Edi Rama e përsëriti historinë, por për fat të keq ka filluar ta përsërisi në mënyrë më të përkeqësuar. Juve ju kujtohen, sikurse e përmendët, ju kujtohen disa prej protestave që ne kemi bërë para rreth një viti e pak kur kërkonim të drejtat për të folur, për komisione hetimore, për interpelanca e kështu me radhë.
Në fakt, në nisje të këtij sesioni të ri, pavarësisht se ky parlament nuk përcjell pra vullnetin e qytetarëve, nuk personifikon vullnetin e votuesve, menduam që duke pasur këtë supermaxhorancë, Edi Rama nuk do kishte nevojë as për të të prerë fjalën, as për, as për të refuzuar interpelancat, as për të refuzuar komisionet hetimore e kështu me radhë.
Po përkundrazi, që ditën e parë, që në seancën e parë kur do kur do të diskutohej programi i qeverisë dhe, përbërja e qeverisjes, ju kujtohet që na e hoqi të drejtën e fjalëve të gjithve, nxori Diellën, në mënyrë antikushtetuese, antiproceduriale, duke u tall me të gjithë deputetët, duke u tall me të gjithë qytetarët, dhe e mbylli seancën për më pak se gjysëm ore. Që nga ai moment nuk ka pasur më jetë normale parlamentare”,-tha Vokshi./Kb
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.75 për qind në tremujorin e tretë të vitit.
Zgjerim i Prodhimit të Brendshëm Bruto në korrik-shtator rezulton të jetë ngadalësuar në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, shkruan A2 CNN. Në korrik-shtator 2024 ishte 4.09%.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja e pagave në administratën publike, ndjekur nga taksat dhe turizmi me shitblerjen e pronave.
E kundërta ndodhi me sektorët e punësimit masiv si bujqësia dhe industria që u tkurrën respektivisht me 0.46 dhe 0.48 për qind./kb
Të bashkuar dhe në një frymë vëllazërore, ipeshkvijtë e Kishës Katolike në vendin tonë i kanë drejtuar popullit shqiptar këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, një mesazh dashurie dhe shprese me rastin e festës së Krishtlindjes.
Në urimin e tyre, ata theksuan se Krishtlindja është një moment i veçantë për të festuar lindjen e Jezus Krishtit, duke i ftuar besimtarët të jenë më pranë njëri-tjetrit, të falin dhe të ndajnë gëzimin me ata që kanë më shumë nevojë.
Mesazhi i përbashkët i ipeshkvijve thekson rëndësinë e bashkimit, faljes dhe ndarjes së gëzimit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të jetojnë këtë festë me dashuri, shpresë dhe paqe.
Imzot Gjergj Meta në mesazhin e tij, tha se urimi i Krishtlindjes bëhet në mënyrë të përbashkët nga të gjithë ipeshkvijtë për të dërguar dashuri dhe shpresë për popullin shqiptar.
“Të dashur vëllezër dhe motra këtë urim Krishtlindjesh duam tua bëjmë së bashku me Ipeshkvit e Shqipërisë. do të kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë dhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Safës, por jemi të sigurtë ai na i uron krsh nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të zotit që është në Shqipëri.”, tha Meta.
Ndërsa imzot Giovanne Peragine, tha se Krishtlindja na kujton praninë e Zotit në jetën tonë dhe na nxit të japim dhe të falim ndaj të tjerëve.
“Me rastin e festës së Krishtlindjeve, sëbasshku me bashkëvëllezërit e mi ipeshkvinj, dëshiroj t’ju drejtoj të gjithëve një lajm shprese. Zoti u bë njeri dhe banon ndër ne. Po, Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh. Ai hyn në jetën tonë të përditshme. Ai bëhet i veçanërisht pranishëm atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje. Të kremtosh Krishtlindjet, do të thotë të ndiesh praninë e zotit. Mos mendoni vetëm për veteveten, mos të mundohemi vetëm të marrim por mbi të gjitha të japim. jo të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrve ndaj të tjerëve. Vetëm ashtu, Krishti do të lindë dhe do të qëndrojë gjithmonë në jetën tonë.”, u shpreh imzot Giovanne Peragine.
Më tej, imzot Arjan Dodaj u shpreh se drita e Krishtlindjes na ndriçon nga errësira, duke sjellë shpresë dhe gëzim në jetën tonë dhe në bashkësinë tonë.
“Populli që ecën në errësirë pa një dritë të madhe, e mbi këtë luginë të errët, shndriti drita e fuqishme. E ka shumuar gëzimin, e ka rritur harenë, kështu thotë profeti Isaia në kapitullin e nëntë. Kjo është përvoja e Krishtlindjes, përvoja e daljes nga një errësirë. Përvoja që prek njeriun deri në misterin e fundit të pakapërcyeshëm të asaj që është misteri i vdekjes, siç ka shënjuar edhe të vëllait tonë Simonin, por ne e dimë që në fe, kjo dritë shndrin. E Zoti nëpërmjet ofertës së tij shndrin në jetën tonë e përballë këtij grazhdi në Betlehem, ftojmë të gjithë të festojmë të sodisim këtë Zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë, të bëjmë që edhe kisha jonë të mbushet me dritën hyjnore të Jezusit, populli ynë të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi, çdo mungese shprese.”, tha Dodaj.
Në fund, imzot Ottavio Vitale në mesazhin e tij, tha se Krishtlindja sjell lajmin e paqes dhe thirrjen për pajtim me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
“Të dashur vëllezër dhe motra, jam i lumtur t’ju drejtohem të gjithëve me rastin e Krishtlindjes së shenjtë, festës që kisha kremton çdo vit, duke përkujtuar lindjen e zotit tonë, Jezu Krishtit. Të përgatitim familjet tona, ta pranojnë me lutje e gëzim atë që po vjen, shëlbuesin. Zoti me ne!
Ndryshoni dhe kthehuni tek unë thotë Zoti. Ja lajmi që na jepet në këtë Krishtlindje të shenjtë. Si mund të gëzojmë me lajmërimin e engjëllit që sjell lajmin e lindjes të Zotit të Paqes. Nëse ne nuk jemi njerëzit e paqes, si mund të themi e duam Zotin dhe e bëjmë vullnetin e tij, nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim. Ky Zot i paqes që po vjen, ka vdekur për ne dhe për mëkatet tona, për të na pajtuar me atin. Gëzuar Krishtlindjet.”, e mbylli urimin e tij, imzot Vitale./kb
Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u ndal në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Sipas Spiropalit, puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike.
Gjuha shqipe, tha Spiropali, është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.
“Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik. Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti. Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton”, thekson Ministrja e Jashtme.
Postimi i Spiropalit:
Vizita në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është një ndalesë me peshë të veçantë në rrugëtimin e kujtesës sonë kombëtare.
Në këtë qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella — nga Shën Tereza te Pjetër Bogdani, nga Hasan Prishtina e shumë figura të tjera — gjejmë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni ynë si komb.
Puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike e bëjnë atë një shtyllë të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.
Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik.
Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti.
Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton./kb
Ish-deputetja e Partisë Demokratike tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se sot është e vështirë të gjesh persona që kanë pasur pushtet politik në Shqipëri dhe që mund t’i etiketosh si moralisht të pastër.
“Rastet e fundit rrënjosën përfundimisht perceptimin që kurrsesi politika nuk i shërben popullit, përkundrazi problemi është që dhe trashëgimia e asaj çfarë ishte më parë nuk është aq dinjitoze dhe të gjitha aferat që ndodhin dhe përmendjet e përfshirjes së të gjithë, nuk i jep moral palëve. Tani këto janë gjithë blerë dhe shitur. Ku ka më politikë për qytetarët? Këtë nuk e beson as macja”, tha Nebiaj.
“Këtu ke edhe emra aktivë sot, se kjo është perla e perlave, që kanë ekzistuar vetëm në opozitë dhe janë miliarderë, që është muhabet tjetër ky. Prandaj më vijnë mua mesazhe gjithë kohën dhe më thonë më mirë të iki”, shtoi ajo.
Gjithashtu, ajo u shpreh se kryetarët e partive opozitare duhej të dilnin krah për krah në protesta për të dhënë një mesazh të qartë për qytetarët, duke lënë mënjanë interesat personale apo garën për pushtet.
“Njeriu sidomos kur hyn në politikë e bën edhe një gjë që s’lidhet drejtpërdrejtë me interesin e vet, por përderisa s’ndodh, kam përshtypjen që kjo është arsyeja pse nuk ndodh. Duhet të bëheshin bashkë edhe dilnin atje të katërt krahë për krahu dhe të thonin ja ku jemi, hajdeni na u bashkoni. Nuk ka rëndësi pushteti, ka rëndësi që ky pushtet ka vajtur aty ku s’mban më. Kaq. Qytetarët mund të ishin treguar më të gatshëm për të reaguar”, theksoi ajo/kb
Përplasjet mes drejtuesve politikë në Partinë Demokratike vijojnë prej disa ditësh, ndërsa kanë kulmuar ditën e djeshme me reagimin e fortë të Ervin Salianit në rrjetet sociale ndaj sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka.
Më parë ka qenë Noka ai që ka ashpërsuar tonet, duke deklaruar se Salianji është tashmë edhe de jure i përjashtuar nga kryesia e Partisë Demokratike, pas largimit nga grupi i komunikimit në WhatsApp. Sipas Nokës, Saliani është përjashtuar edhe me shkresë zyrtare nga Partia Demokratike, duke u larguar nga çdo funksion.
E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Salinajit, i cili prej disa ditësh kishte heshtur për këtë çështje. Ditën e djeshme, në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai ka shpërthyer ndaj Flamur Nokës, duke e quajtur “aksident politik” dhe duke e akuzuar për lidhje të shumta me krimin. Salianji përmend disa eksponentë kriminalë dhe mohon nga ana tjetër çdo lidhje të tijën me Suel Çelën apo Ergys Agasin, për të cilët Flamur Noka ka pretenduar se Salianji është takuar me ta dhe ka organizuar foltore apo takime në Durrës.
“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim! Ai nuk është thjesht një gabim politik, as vetëm idiot apo i përdorur si gojëprishur për të zhvendosur vëmendjen! Ka njerëz që mbajnë flamurin për ideal. Ka edhe nga ata që e përdorin Flamurin pa ideal për të goditur kë t’u dalë përpara. Ai është produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi. Një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal”, tha Salianji.
Sipas ish-deputetit, Flamur Noka është personi që duhet të largohet nga Partia Demokratike dhe se reformimi i partisë duhet të nisë pikërisht prej tij. Saliani gjithashtu aludon se Flamur Noka është “non grata”, duke shkruar se ai nuk e kalon dot oqeanin.
“Kam disa ditë që duroj baltën për hir të demokratëve, me bindjen se duhet të heshtim për t’i qëndruar përballë qeverisë por disa si ky paskan interesin e kolltukut jo të demokratëve! Personalisht vetëm kam denoncuar bandat e kartelet nga jugu në veri e kur më akuzon për lidhje me krimin një njeri si Flamuri që nuk kalon dot as kufijtë, as det e as oqean për shkak të këtyre lidhjeve, për shkak të korrupsionit, grabitjes së pronave të të varfërve, apartamenteve të të pastrehëve dhe tregtisë së vendeve të punës, nuk është sulm por dëshmi që jam në rrugën e duhur! Një medalje nderi në luftën kundër krimit dhe karteleve kriminale e politike. Sa për lidhjet me Ergys Agasin prisni dhe pak dhe do t’i shihni: bizneset, ortakëritë dhe bashkëpunimet. E vërteta ka këtë zakon: del gjithmonë dhe nuk pyet as për zhurmë, as për mbrojtje politike. Sa më përket mua, zero lidhje me këtë kategori. Kaq për sot. Pas çdo përfolje tjetër do të sjell dëshmi, fakte dhe do të demaskoj çdo pacipësi që thuhet”, shtoi ai/kb
Në portin detar të Vlorës vijon fluksi në ardhje i festave të fundvitit. Fluks ky që ka nisur prej ditës së premte të javës që lamëpas duke vazhduar në rritje për disa ditë.
Megjithëse fundjave, e shtuna dhe e diela mbeten pika kulmore me shifra më të larta në rritje edhe ditët e kësaj jave të re kanë patur një fluks në rritje.
Këtë të mërkurë kanë mbërritur në portin e Vlorës 444 pasagjerë por edhe 46 persona nga ekuipazhi. Gjithashtu kanë zbarkuar 127 autovetura, 1 kamper, 2 minibus dhe 14 kamiona, shkruan A2 CNN.
Të shumtë në numër janë emigrantë që vijnë për festat në atdhe por nuk mungojnë as shtetas të huaj të cilët vijnë në Vlorë me rastin e festave për ti kaluar këtu ndryshe./kb
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona mashtrim me investimet në Forex ndaj të huajve. Hetimet nisën në vitin 2023 pas informacioneve të të marra në rrugë operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë ‘Forex’.
Rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i. Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.
“Nga ky procedim janë veçuar aktet dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri me numër 8500/1 për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 K.Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 287 i K.Penal ndaj viktimave të tjera në bashkëpunim me autoritetet e huaja”, njoftoi prokuroria.
Nga këqyrja e aplikacionit “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, shtetas të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit. Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdha në këmbim.
“Konkretisht, shtetasi i cili ishte i regjistruar si L.C. komunikon në aplikacionin ‘ËhatsApp’, duke i thënë përdoruesit se ka kryer transfertën prej 8,700 euro. Kjo pagesë rezulton se është kryer pasi ai ka firmosur një kontratë, e cila parashikonte një vlerë prej 100,000 euro prej tij dhe për këtë shkak në datë 29.11.2023, ai ka kryer tranfertën bankare, e cila në përshkrim ka, se kryhet në formë huaje. Në vijim të bisedave të këqyrura rezulton se ky shtetas i ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo është një mashtrim i madh. Në datë 13.12.2023 i kërkohet sërish që ky shtetas të kryejë një transaksion në vlerën prej 3,500 euro, me justifikimin se është penalitet për shkak se transferta e parë ka shkuar me vonesë”, njoftoi prokuroria.
Në rastin konkret të aktivitetit mashtrues të zhvilluar në ambientet e call center-it, rezulton se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror.
“Ata kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të veprimtarisë, që konsistonte në kontaktimin e klientëve të huaj për investime të rreme në Forex dhe kanë ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin mekanizëm për të përfituar shuma parash pa qëllim kthimi”, tha prokuroria.
Sipas organit të akuzës një prej të punësuarve në “Ozar” sh.p.k ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa një tjetër ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj.
Në këtë skemë figuron edhe administratori ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k.
“Përgjegjësia e tij lidhet me mosveprimin e tij si administrator, me faktin që ai ka pranuar të figurojë si drejtues i shoqërisë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme”, njoftoi prokuroria.
Një tjetër ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa dy prej tyre kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit që zhvillohej në këto ambiente. Në gjyq është dërguar edhe personi kryesor, sipas prokurorisë, i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
“Nga sa më sipër, rezulton e provuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”, njoftoi prokuroria./kb
Një imazh i ri hapësinor mahnitës ka kapur dy galaktika spirale në mes të një përplasjeje kozmike me lëvizje të ngadaltë, që shkëlqejnë në nuanca të blusë, të kuqes dhe argjendit.
Fotografia tregon galaktikat NGC 2207 dhe IC 2163 ndërsa ato lëvizin drejt njëra-tjetrës, të bllokuara në një valle gravitacionale.
Për ta krijuar atë, shkencëtarët shtresuan dritën infra të kuqe të kapur nga Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST), teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, me vëzhgime me rreze X nga Observatori i Rrezeve X Chandra i NASA-s për të krijuar një imazh.
E parë ballë për ballë nga Toka, galaktika më e madhe, NGC 2207, dominon skenën ndërsa IC 2163 më e vogël mbivendoset me skajin e saj të jashtëm. Ndërsa ato tërhiqen nga njëra-tjetra, krahët e tyre spiralë përdredhen dhe shtrihen, me rrjedha yjesh dhe gazi të tërhequra në hapësirë.
Përplasja kozmike është një nga katër imazhet e bazuara në Chandra që u publikuan në të njëjtën kohë.
Të tjerat përfshijnë NGC 6334, një rajon që formon yje i shënuar nga harqe gjithëpërfshirëse gazi dhe pluhuri të shndritshëm, mbetja e supernovës G272.2-0.3, ku gazi i nxehtë që lëshon rreze X përhapet përmes një guaskë në zgjerim, dhe R Aquarii, një sistem yjor në të cilin një xhuxh i bardhë i dendur tërheq material nga një gjigant i kuq fqinj.
Sipas NASA-s, studimi i galaktikave që bashkohen si këto është një pjesë e rëndësishme e misionit të JWST – për të ndihmuar shkencëtarët të ndërtojnë modele më të sakta se si galaktikat rriten, evoluojnë dhe përfundimisht kombinohen me kalimin e kohës kozmike./Kb
Në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri organizata dhe institucione humanitare kanë shtuar ndihmën për familjet e varfra dhe të moshuarit, kategori që po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi ekonomike. Në Pogradec dhe jo vetëm ndihmat janë përqendruar kryesisht te familjet pa të ardhura dhe mosha e tretë e vetmuar.
Pastori Mentor Rama, përfaqësues i Krishti për Kombet, thotë se ky vit ka një domethënie të veçantë për organizatën, e cila prej 25 vitesh është pranë shtresave në nevojë.
Sipas tij, të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të varfërisë, veçanërisht tek të moshuarit, të cilët po përballen me nevoja të shtuara. Rama thotë se përmes një bashkëpunimi shumë të mirë me Bashkinë Pogradec kanë arritur të identifikojnë dhe të ndihmojmë mijëra familje me probleme sociale dhe të moshuar.
“Për ne është vit i veçantë sepse si CFN e bëjmë këtë prej 25 vitesh rresht. Ne mundohemi për të qenë pranë familjeve dhe fëmijëve në nevojë. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me pushtetin vendor, bashkinë Pogradec dhe përmes këtij bashkëpunimi kemi identifikuar dhe ndihmuar mijra familje dhe të moshuar.
Vetëm në prefekturën e Pogradecit janë rreth 15 mijë persona përfitues të ndihmave, por bashkë me qytetet e tjera të Shqipërisë bëhen rreth 24 mijë e 900 persona, fëmijë apo familjarë. Në këtë periudhë festash ne shpërndajmë dy lloje paketash, për fëmijët me ëmbëlsira dhe pajisje shkollore dhe paketat familjare me ushqime për festat e dhjetorit.
Mua më dhemb zemra për ta thënë dhe më vjen keq që duhet ta pranoj edhe si qytetar i këtij vendi, që varfëria kohët e fundit është shtuar më shumë, të paktën nga evidencat tona. Nëse dikur nevojat më të mëdha i kishin fëmijët, sot po përballemi me nevoja shumë akute te mosha e tretë”, tha Pastori Mentor Rama.
Mes përfituesve në këtë periudhë është edhe kjo grua e divorcuar, nënë e një vajze 10-vjeçare, ato çdo ditë përpiqen të mbijetojë me shumë pak të ardhura, ndërsa vajza ëndërron të bëhet mjeke.
“Jetojmë me ndihmë ekonomike, me 58 mijë lek të vjetra, këto i kemi për ushqim, për drita, çfarë të bësh edhe ato që jep i ati për vajzën, i mbledhim që paguajmë uji dhe dritat. Shumë e vështirë, po, dua të punoj por jam lidhur pas vajzës sepse deri tani e kam me dhjeta në shkollë”
Ndihmat humanitare në prag të Krishtlindjes sjellin jo vetëm ushqime dhe paketa festive, por edhe gëzim për dhjetra familje që përballen çdo ditë me varfërinë dhe pasigurinë ekonomike e duket se atë që duhet ta bëjë shteti e bëjnë organizatat humanitare dhe të huajt./Kb
Cait Conley e nisi fushatën e saj për Kongres me një seri videosh të realizuara me celular, ku flet për koston e jetesës, shëndetësinë dhe iniciativa të tjera politike, ndërsa ngre pesha në garazhin e saj.
Ajo e quan serinë “Reps and Real Talk”, një referencë për identitetin e dyfishtë që ish-oficerja e operacioneve speciale të Ushtrisë Amerikane shpreson se do ta çojë drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2026 dhe do ta përmbysë distriktin e saj kongresional në Nju Jork, një nga më të kontestuarit politikisht në vend, nga republikan në demokrat: “Si dikush që ka kaluar 16 vite në ushtri si oficere aktive, duke shërbyer në zona të shumta lufte, kam udhëhequr burra dhe gra në shërbim të këtij vendi, në mbrojtje të Amerikës dhe Kushtetutës. Ne do të fokusohemi tek rezultatet. Kjo është një vazhdimësi e shërbimit dhe e të bërit gjënë e duhur për këtë vend që e duam kaq shumë, duke u ofruar amerikanëve të ardhmen që meritojnë dhe duke u siguruar që ditët më të mira të Amerikës janë ende përpara nesh”.
Conley është pjesë e “Hellcats”, një grup prej katër grash demokrate me të kaluar ushtarake që garojnë për Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit të ardhshëm. Demokratëve u duhen tre vende republikane për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, çka do t’u jepte fuqinë për të penguar axhendën legjislative të Trumpit dhe për të hetuar administratën e tij.
Hellcats – një emër që i bën homazh grave të para në marinë, gjatë Luftës së Parë Botërore – përfshin një instruktore të pensionuar të marinsave, një pilote helikopteri të Marinës, një kapitene të ish-marinsave dhe një ish-oficere të operacioneve speciale të Ushtrisë. Ato po bëjnë fushatë si bllok që nga fillimi, të frymëzuara nga i ashtuquajturi “badass caucus”, një grup prej pesë grash demokrate me përvojë në sigurinë kombëtare që përmbysën vende republikane në vitin 2018.
Ndryshe nga ai grup, i cili u vetë-brandua pasi mori detyrën, Hellcats po e përqafojnë identitetin e tyre që herët. Emrin e krijuan në pranverë, pas muajsh komunikimi në një grup mesazhesh. Ato përballen me sfida të ndryshme. Conley, 40 vjeç, duhet të fitojë një garë të mbipopulluar paraprake në qershor në distriktin e saj periferik të Nju Jorkut, përpara se të përballet me kongresmenin Mike Lawler, i cili mposhti një demokrat në detyrë në vitin 2022.
Joanna Mendoza, një marinse në pension që garon në distriktin e 6-të të Arizonës, mbetet pas kongresmenit republikan Juan Ciscomani në mbledhjen e fondeve. Ndërsa Maura Sullivan, e cila humbi në një garë të ngjeshur paraprake në New Hampshire në vitin 2018, pas zhvendosjes në atë shtet një vit më parë, duhet të kapërcejë etiketimin si “e ardhur nga jashtë”, që e ndoqi në fushatën e saj të mëparshme.
Në javët e para të fushatës, secila prej kandidateve ka përqafuar një mesazh të ngjashëm: trajnimi ushtarak dhe etosi i shërbimit i bëjnë ato veçanërisht të përshtatshme për të thyer bllokadat dhe mosfunksionimin e Uashingtonit: “Pasi lashë ushtrinë dhe hoqa uniformën, betimi i shërbimit nuk skadon. Është një angazhim për gjithë jetën dhe, duke parë çfarë po ndodh me vendin tonë sot, po i përgjigjem sërish thirrjes për të shërbyer. Dhe si nënë e një fëmije të moshës shkollore, një djali 10-vjeçar plot energji, fillova të mendoj se si mund të duket e ardhmja për të, duke pare gjendjen e kombit tonë dhe kjo më frikësoi vërtet”.
Strategët e fushatave thonë se e kaluara e kandidateve mund t’i ndihmojë ato të kapërcejnë ndarjet partiake dhe të neutralizojnë stereotipet gjinore që shpesh kanë ndjekur gratë kandidate, duke dëshmuar forcë pa sakrifikuar afërsinë me votuesit. Ata përmendin suksesin e Mikie Sherrill, ish-pilote helikopteri e Marinës, dhe Abigail Spanberger, ish-oficere e CIA-s, të cilat fituan gara të vështira kongresionale në Nju Xhersi dhe Virxhinia në vitin 2018.
Të dyja u zgjodhën guvernatore të shteteve të tyre muajin e kaluar. Tre nga katër kandidatët kanë fëmijë, gjë që, sipas strategëve, i ndihmon ato të duken më të afërta me publikun dhe të jenë mesazhere më efektive, veçanërisht kur flasin për përballueshmërinë e jetesës.
Faqja e fushatës së Rebecca Bennett, ish-pilote helikopteri e Marinës që garon në distriktin e 7-të të Nju Xhersit, shfaq një foto të saj përpara një helikopteri në ceremoninë e promovimit. Ajo mban në krahë vajzën e saj foshnje: “Të qenit veteran, për mua, do të thotë t’i shërbej këtij vendi dhe ta vë vendin mbi partinë, dhe për mua, do të thotë të jem në gjendje të them se kam shërbyer në disa nga mjediset më sfiduese që ekzistojnë në këtë tokë. Kam udhëhequr misione në mes të oqeanit, në mes të natës, ku nuk ka asnjë hapësirë për gabim, dhe e kam kryer punën çdo herë. Gjithashtu, jam nënë e dy fëmijëve dhe po i rris vajzat e mia në këtë distrikt, dhe më e vogla është në çerdhe, më e madhja është në shkollë publike dhe i kuptoj sfidat me të cilat po përballemi në këtë vend sepse edhe familja ime po përballet me to dhe kjo po më lejon vërtet të lidhem me njerëz në të gjithë distriktin”.
Edhe Partia Republikane ka një histori të fundit të mbështetjes së grave kandidate me përvojë ushtarake dhe të inteligjencës kombëtare, përfshirë përfaqësuesen e Floridës, Anna Paulina Luna, veterane e Forcave Ajrore, dhe senatoren e Ajovës Joni Ernst, nënkolonele në pension e Rezervës së Ushtrisë. Republikanët kanë pasur prej kohësh avantazh te votuesit veteranë. Një sondazh i Pew Research Center në vitin 2024 tregoi se 63% e veteranëve identifikohen ose priren nga Partia Republikane, ndërsa 35% janë demokratë ose priren nga demokratët.
Megjithatë, në këto zgjedhje, Hellcats besojnë se mund të shfrytëzojnë politikat e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth ndaj grave në ushtri për të fituar mbështetjen e veteranëve. Këto përfshijnë vendimin e Hegseth për të shpërndarë një komitet që jepte rekomandime për mirëqenien dhe trajtimin e grave ushtarake, si dhe anulimin e një programi që synonte rritjen e rolit të grave në sektorët e sigurisë kombëtare.
Në Arizona, Mendoza po bën fushatë duke u fokusuar në uljen e kostove për familjet, forcimin e sigurisë kombëtare dhe rikthimin e stabilitetit në zyrat publike. Ajo thekson “udhëheqjen në shërbim”, duke e krahasuar besimin që trupat u japin komandantëve të tyre me besimin që votuesit u japin zyrtarëve të zgjedhur.
Debbie Walsh, Drejtoreshë e Qendrës për Gratë Amerikane dhe Politikën, u shpreh: “Kur je dikush që ka shërbyer në ushtri, ka shërbyer në luftë, nën stresin e betejës, në situata në Afganistan, Irak apo pika të tjera të nxehta të botës, është shumë e vështirë të thuash: ‘Nuk jam i sigurt nëse janë mjaftueshëm të forte apo të vendosur’,” Kjo sjell menjëherë kredencialet e lidershipit, forcës, vendosmërisë dhe aftësisë për të marrë vendime të vështira në rrethana të vështira.”
Kongresmeni demokrat Jason Crow nga Kolorado, veteran dhe bashkë-drejtues i përpjekjeve për rekrutim të Komitetit Kombëtar Demokrat për Fushatat Kongresionale, i përshkroi kandidatet si “luftëtare të ashpra”, të përshtatshme për t’u përballur me sulmet e administratës Trump/kb
Shqipëria është pajisur me sistemet Javelin. Lajmin e jep ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili thotë se ato janë siguruar falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Javelin-at do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
“Ta bëjmë të qartë edhe për njerëzit që na ndjekin dhe për publikun e gjerë. Jemi në një nga vendbazimet e forcës së Armatosur, forcës tokësore, nuk kemi nevojë të japim detaje se ku ekzaktësisht, por sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë i sistemit të lëshimit Javelin. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-të. Sikundër edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme është e rëndësishme për tre arsye. E para sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave dhe më në fund po realizohet, e dyta sepse bashkëpunimi me SHBA-të mbetet në themel të forcimit të kapaciteteve tona dhe të rritjes së aftësive mbrojtëse. Pika e tretë e rëndësishme ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë të luftimit me të gjitha sistemet, pajisjet teknologjike të përditësuara, ndaj ka këtë domethënie të trefishtë”, tha Vengu./kb
Ekonomia amerikane u rrit më shpejt se sa pritej në tremujorin e tretë, e nxitur nga shpenzimet e forta të konsumatorëve, por vrulli duket se është zbehur për shkak të kostos në rritje të jetesës dhe mbylljes së fundit të qeverisë.
Produkti i brendshëm bruto u rrit me një normë vjetore prej 4.3% tremujorin e kaluar, tha Byroja e Analizës Ekonomike e Departamentit të Tregtisë në vlerësimin e saj fillestar të PBB-së së tremujorit të tretë. Ekonomia u rrit me një ritëm prej 3.8% në tremujorin e dytë. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar se PBB-ja do të rritej me një ritëm prej 3.3%, shkruan A2.
Të dhënat u vonuan nga mbyllja 43-ditore e qeverisë dhe tani janë të vjetruara. Shpenzimet e konsumatorëve u rritën me një normë prej 3.5% tremujorin e kaluar pasi u përparuan me një ritëm prej 2.5% në tremujorin e dytë.
Pjesa më e madhe e përshpejtimit të shpenzimeve të konsumatorëve rezultoi nga një nxitim për të blerë automjete elektrike para skadimit të kredive tatimore më 30 shtator. Shitjet e automjeteve motorike ranë në tetor dhe nëntor, ndërsa shpenzimet në vende të tjera ishin të përziera.
Zyra e Buxhetit të Kongresit, jopartiake, ka vlerësuar se mbyllja mund të ulë PBB-në midis 1.0 pikë përqindjeje dhe 2.0 pikë përqindjeje në tremujorin e katërt. Ajo parashikoi se pjesa më e madhe e rënies së PBB-së do të rikuperohej, por vlerësoi se midis 7 miliardë dhe 14 miliardë dollarëve nuk do të rikuperohej.
Sondazhet sugjerojnë se shpenzimet e konsumatorëve po nxiten nga familjet me të ardhura më të larta, falë një bumi të tregut të aksioneve që ka fryrë pasurinë e familjeve. Në të kundërt, konsumatorët me të ardhura të mesme dhe të ulëta po përballen me rritjen e kostos së jetesës që vjen si pasojë e tarifave gjithëpërfshirëse të Presidentit Donald Trump, thanë ekonomistët, duke krijuar atë që ata e quajnë një ekonomi në formë K-je.
Ky fenomen po shfaqet edhe midis bizneseve. Ekonomistët thanë se korporatat e mëdha kanë arritur kryesisht t’i rezistojnë goditjes nga detyrimet e importit, të cilat kanë rritur kostot, dhe po investojnë në inteligjencën artificiale. Por bizneset më të vogla po përballen me tarifat. Politikat e Trump po kontribuojnë në atë që ekonomistët e kanë quajtur një krizë përballueshmërie që po dëmton vlerësimet e tij të miratimit. Familjet përballen gjithashtu me fatura më të larta të shërbimeve, ndërsa rritja e shpejtë e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale dhe cloud computing rrit kërkesën për energji elektrike.
Disa do të përballen me cmime marramendëse të sigurimeve shëndetësore në vitin 2026./kb
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do t’u mohojnë vizat pesë personave, mes tyre edhe një ish-komisioner i Bashkimit Evropian, me arsyetimin se kanë tentuar të “detyrojnë” platformat amerikane të rrjeteve sociale të shtypin pikëpamje që nuk i mbështesin.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se masat prekin individë që, sipas Uashingtonit, kanë avancuar politika censurimi përmes shteteve të huaja dhe organizatave joqeveritare, duke synuar folës dhe kompani amerikane. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bëhet fjalë për “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara” që kanë promovuar goditje ndaj lirisë së shprehjes.
Në mesin e personave të përfshirë është Thierry Breton, ish-komisioneri evropian për tregun e brendshëm dhe rregullator i lartë i teknologjisë në Komisionin Evropian. Departamenti i Shtetit e përshkroi Breton si “arkitektin” e Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së, i cili vendos detyrime të forta për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale.
Breton reagoi duke e quajtur vendimin një “gjueti shtrigash”, ndërsa në një postim në platformën X shkroi: “Për miqtë tanë amerikanë: Censura nuk është aty ku mendoni se është”.
Akti për Shërbimet Digjitale ka ngjallur kritika të forta nga konservatorë amerikanë, të cilët pretendojnë se ai synon të censurojë opinionet e djathta. Brukseli i ka mohuar këto akuza. Breton ka pasur përplasje të drejtpërdrejta edhe me Elon Musk, pronarin e platformës X, lidhur me zbatimin e rregullave evropiane.
Së fundmi, Komisioni Evropian e gjobiti platformën X me 120 milionë euro, gjoba e parë e vendosur sipas DSA-së, duke argumentuar se sistemi i verifikimit me shenjën blu ishte “mashtrues” pasi nuk verifikonte realisht përdoruesit. Si kundërpërgjigje, X bllokoi Komisionin Evropian nga reklamimi në platformë.
Lista e personave të sanksionuar përfshin edhe Clare Melford, drejtuese e Global Disinformation Index (GDI), një organizatë me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Sarah B. Rogers, akuzoi GDI-në se ka përdorur fonde të taksapaguesve amerikanë për të nxitur censurimin dhe “listat e zeza” ndaj mediave dhe fjalës së lirë në SHBA.
Nga ana e saj, GDI reagoi duke e cilësuar ndalimin e vizave si “një sulm autoritar ndaj lirisë së shprehjes” dhe “një akt flagrant censurimi shtetëror”.
Po ashtu, ndalim vizash iu vendos edhe Imran Ahmed, drejtues i organizatës Center for Countering Digital Hate (CCDH), e cila lufton gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin online. Sipas autoriteteve amerikane, ai ka qenë një “bashkëpunëtor kyç” në përpjekjet e administratës Biden për të përdorur qeverinë kundër qytetarëve amerikanë.
Në listë janë edhe Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, drejtuese të organizatës gjermane HateAid, të cilat sipas Uashingtonit kanë ndihmuar në zbatimin e DSA-së. Në një deklaratë për BBC-në, ato e quajtën vendimin “një akt represioni nga një qeveri që po injoron gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit”.
Marco Rubio tha se masat synojnë “agjentët e kompleksit global të censurës”, të cilët do të ndalohen përgjithësisht nga hyrja në SHBA. Ai shtoi se politika “Amerika e Para” e presidentit Donald Trump refuzon çdo shkelje të sovranitetit amerikan, përfshirë përpjekjet e huaja për të ndikuar mbi fjalën e lirë në Shtetet e Bashkuara./kb
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar protestën e opozitës para Kryeministrisë.
Në një dalje televizive, Sula e cilësoi protestën si “sfilatë”, ndërsa shtoi se thirrja për qeveri teknike ka 4 vite që dëgjohet. Ai shtoi më tej se ka besim te demokratët por jo te lidershipi.
“Për mua ishte një sfilatë. Pritshmëria, steka u ngrit aq lart, ka demokrat që presin verbërisht edhe erdhën, më shumë të ishin se protesta janë të rëndësishëm, organizatorët për çfarë e bënë? Berisha tha s’shkulemi më. Fillimi dihet, ikja nuk dihet. Kjo qeveria teknike kam nja 4 vjet që e dëgjoj. I tha te Foltorja tani do e rrëzojmë Ramën. Ikën këto. Kam besuar te demokratët por jo te lidershipi. Opozita është vlerë. Janë vlerë por ku, koka? Aty është problemi. Pas 35 vjetësh të besosh që do sjelli ndryshimin Berisha nuk shkon më? Nuk kam gjë me Berishën. Vija nga takimet në zonat rurale. Njerëzit thonë nga 10, 7 thonë do e hedhim për Ramën, është e korruptuar po qeveria e Berishës ka vrarë njerëz. E përzumë në 2013 këtë qeveri, prapë do vijë kjo qeveri. Është e thjesht gjëja. Duhet ta kuptojmë. Më intereson të jetë funksionale demokracia. Me rotacion, me pastrim elitash. Duhet të jesh shpresë për qytetarët. Nuk mund të ngjallet shpresa dhe të thuash prapë do vijmë ne. Edhe dje po ta shikosh, qeveria ka rënë duke zënë poshtë opozitën”, tha Sula. /Kb
Gjyma e të punësuarve me pagë marrin deri në 52,000 lekë në muaj (63,456 lekë bruto), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për pagën mediane në tremujorin e tretë.
Mediana e pagës është niveli i pagës që ndan punëmarrësit në dy grupe të barabarta, ku 50% e të punësuarve paguhen më pak se kjo vlerë dhe 50% më shumë. Ndryshe nga paga mesatare, e cila llogaritet duke mbledhur të gjitha pagat dhe duke i pjesëtuar me numrin e punonjësve, mediana nuk ndikohet nga pagat shumë të larta ose shumë të ulëta.
Paga mediane është më përfaqësuese për pagën tipike që merr shumica e punonjësve, veçanërisht në ekonomi si e jona ku ekzistojnë diferenca të mëdha mes pagave.
Sipas të dhënave të INSTAT ka një diferencë të fortë mes pagës mediane dhe pagës mesatare. Paga mesatare mujore ishte rreth 83,300 lekë në tremujorin e tretë ose 31% më e lartë se paga mediane.
Sipas tabelës, mediana e pagës mujore bruto ka ndjekur një rritje të qëndrueshme për shkak të rritjes së pagës minimale. Në fillim të vitit 2021 ajo arrinte në 40,605 lekë, duke reflektuar rritje graduale të të ardhurave, por edhe efektet e inflacionit dhe ndryshimeve strukturore në tregun e punës.
Nga viti 2021 në 2022, mediana vijon të rritet nga 40,810 lekë në mbi 46,233 lekë, me një stabilizim të përkohshëm gjatë tremujorëve të vitit 2022. Rritja u bë e dukshme në vitin 2023, ku mediana kalon nga 49,600 lekë në tremujorin e parë, në 52,880 lekë në tremujorin e tretë.
Në vitin 2024, mediana rritet më tej, nga 55,200 lekë në 58,000 lekë, ndërsa në vitin 2025 arrin në mbi 63,000–63,456 lekë, duke treguar një përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave në segmentin e mesëm dhe sidomos në administratën publike.
Nëse paga mesatare rritet për shkak të rritjes së fortë të pagave të një grupi të vogël (p.sh. menaxherë, sektorë të paguar mirë) shumica e punonjësve nuk përfitojnë. Ndërsa rritja e medianës tregon se përfitimet po prekin realisht pjesën qendrore të punonjësve.
Teksa pagat po rriten fuqia blerëse sidomos në qytete është përkeqësuar nga shtrenjtimi i fortë i çmimeve të qirave dhe të ushqimeve. Për herë të parë në vitin 2024 Shqipëria kishte çmimet mesatare për ushqimet më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian./monitor.al/kb