Hudhra, një nga bimët më të lashta të njohura nga njeriu, vazhdon të qëndrojë si një zgjidhje natyrale për shëndetin, duke kaluar çdo trend modern të mirëqenies.
Përdorimi i saj daton mijëra vjet, si në kuzhinë ashtu edhe në mjekësi tradicionale, duke u konsideruar një mbrojtës kundër sëmundjeve.
Ekspertët tregojnë se hudhra ka qenë e preferuar nga shumë civilizime të lashta, për shkak të vlerave shëndetësore dhe përdorimeve të saj të shumta. Ajo është përdorur si ilaç, si ushqim, dhe madje edhe si mjet shpirtëror për mbrojtje nga fatkeqësitë.
Pavarësisht modeleve të ndryshme të mirëqenies që shfaqen e zhduken, hudhra ka mbijetuar dhe vazhdon të përdoret në mbarë botën, duke dëshmuar se disa ilaçe natyrore nuk kanë kohë skadence.
Specialistët e shëndetit rekomandojnë përfshirjen e hudhrës në dietë, jo vetëm për aromën, por edhe për përfitimet e saj të njohura shëndetësore./mxh
Një deklaratë e Blendi Fevziut gjatë emisionit “Opinion”, për ministrat, udhëtimet e tyre dhe kasetat e gatshme, nxiti kryeministrin Rama të replikojë në distancë me moderatorin, duke e akuzuar si mashtrues.
Që prej atij momenti, replikat mes të dyve nuk janë ndalur dhe veçanërisht kryeministri ka insistuar që ta theksojë dhe provojë patjetër që deklarata e moderatorit është gënjeshtër.
Mirëpo, Fevziu duket se është menduar gjatë dhe ka konkluduar se Edi Rama vuan nga xhelozia e madhe për të, për shkak të klikimeve dhe shikimeve të shumta që ka Fevziu nëpër rrjete sociale, për videot që publikon duke shëtitur botën.
Moderatori dhe blogeri i njohur, ka publikuar një video në Instagram, ku numëron të gjitha shikimet, në të gjitha rrjetet sociale, shoqëruar me këngën e Elvana Gjatës “Xheloz”. Teksa shfaqen statistikat e arta të ndjekjes që populli i bën Fevziut, dëgjohet kënga “Mos u boj xheloz për mu, se ky maraz ka me t’shkallu”.
Fevziu shkruan me ironi: “Ky postim nuk ka parasysh asnjë person konkret. Nuk është asgjë përgjigje. Kënga është e rastësishme”./mxh
Shtetet e Bashkuara po tërheqin një pjesë të personelit nga bazat në Lindjen e Mesme, tha një zyrtar amerikan të mërkurën, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani kishte paralajmëruar fqinjët se do të godiste bazat amerikane nëse Uashingtoni sulmon.
Sipas Reuters, sy zyrtarë evropianë kanë deklaruar se ndërhyrja ushtarake amerikane mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme. Një zyrtar izraelit u shpreh se dukej se Trump kishte vendosur të ndërhynte, megjithëse fushëveprimi dhe koha mbetën të paqarta.
Katari deklaroi se tërheqjet nga baza e saj ajrore Al Udeid , baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, po “ndërmerreshin në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”.
Tre diplomatë u shprehën se personelit iu ishte thënë të largohej nga baza, megjithëse nuk kishte shenja të menjëhershme të një numri të madh trupash që po transportoheshin me autobusë në një stadium futbolli dhe një qendër tregtare, siç ndodhi disa orë para një sulmi me raketa iraniane vitin e kaluar.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë në mbështetje të protestuesve në Iran, ku mijëra njerëz janë raportuar të vrarë./mxh
Elbasani dhe Flamurtari u ndanë në barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 19-të të Superiores, të zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat, por pa gola. Në fraksionin e dytë, Elbasani kaloi në avantazh në minutën e 73-të, kur Diallo realizoi saktë nga pika e bardhë.
Reagimi i Flamurtarit ishte i shpejtë, pasi Oshafi barazoi shifrat në minutën e 80-të. Në minutat e fundit pati raste në të dyja portat, por rezultati nuk ndryshoi.
Me këtë barazim, Elbasani ruan vendin e dytë në renditje me 34 pikë. Flamurtari mbetet në zonën e poshtme të tabelës, në vendin e parafundit me 15 pikë./mxh
Influenca e serialeve turke duket se po shkon përtej oqeanit tashmë, pas valës së fiksimit që ka prekur Italinë dhe venden fqinje, tanimë është radhe e Hollywoodit.
Bradley Cooper një nga aktorët më të njohur botëror, i njohur për karizmën e tij i habiti dhe bëri të gjithë të qeshin me sinqeritetin e tij gjatë një interviste të fundit. Por kësaj here tema nuk ishte për filmat e tij, por për pasionin e nënës së tij, Gloria Campano, për serialet turke. Cooper pranoi se e ëma e tij është e fiksuar tmerrësisht me serialet turke, veçanërisht me “Erkenci Kuş” me protgaonist Can Yaman dhe Demet Özdemir.
Gjatë intervistës së tij në The Joe Rogan Experience, Cooper e filloi rrëfimin me “Mami, do më vrasi” dhe më pas tregoi se e ëma e tij ka një fiksim të veçantë me serialin turk Erkenci Kuş.
“Seriali quhet Erkenci Kuş. Ka saktësisht 360 episode (versioni ndërkombëtar), dhe nëna ime i ka parë të gjitha pa humbur asnjë! Ajo ka parë çdo episod 4-5 herë. U bë e varur gjatë pandemisë Covid dhe nuk mund ta ndalonte më. Gjëja më qesharake është se ajo thotë se aktori kryesor është ‘aktori më i mirë në botë’. Mendoj se nominimet e mia për Oscar nuk vlejnë shumë për të.”
Cooper nuk mund të mos përmendte edhe momentet e famshme të dramave turke, duke treguar se ndonjëherë, kur hyn në dhomë, dy personazhe janë duke u parë për një kohë kaq të gjatë sa ai mendon se seriali ka “ngrirë”:
“Shkoj në kuzhinë për të bërë kafe, kthehem dhe ata ende shikohen! Ata shikojnë kaq gjatë dhe thellë sa ndonjëherë mendoj se seriali ka ngecur, por jo, është thjesht stili tipik i dramave turke.”
Cooper tha gjithashtu se ka parë serialin së bashku me nënën e tij dhe se ka pëlqyer shumë aktoren kryesore të serialit, Demet Özdemir.
Erkenci Kuş është një serial turk romancë komedi i prodhuar i cili është transmetuar edhe për publikun shqiptar. Seriali fitoi çmimin për “Seriali më i mirë romacë-komedi ” në Golden Butterfly Awards të 45-të dhe përfundoi në Turqi me 51 episodet e tij, ndërsa versioni ndërkombëtar përmban 360 episode. Historia ndjek romancën dhe komedinë në Stamboll mes Sanem, një shkrimtare aspirante, dhe Can Divit, një fotograf./mxh
Departamenti amerikan i Shtetit do të ndalojë përpunimin e vizave për 75 vende të botës, në një përpjekje për të goditur aplikantët që konsiderohen si barrë publike.
Një memo e Departamentit të Shtetit u shpreh zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat sipas ligjit ekzistues, ndërsa departamenti rivlerëson procedurat e shqyrtimit dhe verifikimit.
Vendet përfshijnë Somalinë, Rusinë, Afganistanin, Brazilin, Iranin, Irakun, Egjiptin, Nigerinë, Tajlandën, Jemenin dhe më shumë.
Ndërprerja do të fillojë më 21 janar dhe do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar derisa departamenti të kryejë një rivlerësim të përpunimit të vizave.
Në nëntor 2025, një kabllogram i Departamentit të Shtetit udhëzoi zyrtarët konsullorë të zbatojnë rregulla të reja gjithëpërfshirëse të shqyrtimit sipas të ashtuquajturës dispozitë “barrë publike” të ligjit të imigracionit.
Udhëzimi udhëzon zyrtarët konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që konsiderohen të ngjarë të mbështeten në përfitime publike, duke peshuar një gamë të gjerë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, aftësinë e anglishtes, financat dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë./mxh
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në një përditësim, ka ndarë detaje nga situata në rrugën e Thethit pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të aktivizimit të ortekëve, që aktualisht është e hapur për qarkullim.
Si pasojë e reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, është prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.
Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.
Qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, thekson ARRSH.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet në terren./mxh
Biletat për Konkursin Evropian të Këngës Eurovision janë shitur me një shpejtësi rekord, duke konfirmuar edhe një herë popullaritetin e jashtëzakonshëm të këtij eventi muzikor. Plot 90 mijë bileta u blenë brenda një kohe shumë të shkurtër, menjëherë pas hapjes zyrtare të shitjes.
Sipas organizatorëve, interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm që në minutat e para. Finalja e madhe u shit plotësisht brenda pak minutash, ndërsa biletat për gjysmëfinalet dhe provat gjenerale u rezervuan pothuajse të gjitha brenda një ore. Ky ritëm i shitjes konsiderohet ndër më të shpejtët në historinë e Eurovision-it.
Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) e cilësoi reagimin e fansave si “fenomenal”, duke theksuar se Eurovision-i vazhdon të mbetet një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura dhe më të dashura në botë. Interesimi i madh lidhet jo vetëm me spektaklin muzikor, por edhe me atmosferën unike, diversitetin kulturor dhe emocionet që ky konkurs sjell çdo vit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ekziston mundësia që një numër i kufizuar biletash të dalë sërish në shitje në një fazë të dytë, në rast se disa prej tyre kthehen nga delegacionet apo sponsorët zyrtarë.
Shitja rekord e biletave dëshmon qartë se Eurovision-i vazhdon të thyejë kufijtë e një gare muzikore, duke u kthyer në një fenomen të vërtetë kulturor dhe mediatik në mbarë Evropën dhe më gjerë./mxh
Ish-banori i “BBV5”, Ilir Vrenozi ka lënë përfundimisht shtëpinë. I ndodhur prej mbrëmjes së djeshme me disa banorë të tjerë në akuarium, ai vendosi të largohej ditën e sotme, kjo pasi është shprehur se nuk ndihet mirë nga ana shëndetësore.
Menjëherë pas daljes nga shtëpia, Iliri ka dhënë intervistën e parë ekskluzive në “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku ka shpjeguar më tej për gjendjen e tij.
“Një muaj aty mu duk shumë. E ndava mendjen kur u futa brenda, të mos mendoja për familjen. Ajo është eksperienca më e mirë, e përjetova. Më vjen keq që përfundoi kështu. Pas dy javësh, vajtja tek zhavorri… Kisha hallin e shëndetit. Stenaldo është njeriu më i mirë që kam njohur. Ai qau më shumë se për nënën dje, më tha nuk kam me kë të qaj tani. Aty bëhesh si i familjes. Nuk dal dot nga vetja. Nuk bëj dot që të kapem kot, disa persona e bëjnë aty. Mua më kanë dashur aty”, tha ai./mxh
Detajet të reja në lidhje për arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit ku kishte shkuar për ndihmë mjekësore.
Sipas grupit hetimor besohet se Ndoci fshihet në Tiranë, ndërsa ai u prit nga një person me automjetin tip “Audi” jashtë ambienteve të spitalit.
Kjo pasi, makina me të cilin udhëtonin dy personat është parë nga kamerat e sigurisë në autostradën Tiranë-Durrës, duke kaluar Vorën.
Policia e Durrësit është njoftuar me vonesë për ngjarjen, duke ngritur dyshime se mund të ketë persona të implikuar në radhët e punonjësve të Burgjeve./mxh
Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës.
Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 170 lekë, me kursin aktual të këmbimit 2.09 dollarë.
Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.92 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.
“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë”, janë shprehur disa drejtues automjetesh.
Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës e ka Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.56 dollarë.
“Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po… Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, thanë disa drejtues automjetesh.
Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është e përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton, nga 750 që ishte një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.
“I bëjmë thirrje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larta në vitet e fundit”, u shprehën disa drejtues automjetesh, përcjell A2 CNN.
Shqipëria importoi vitin e shkuar më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në harkun e muajve janar-nëntor u blenë nga jashtë mbi 671 mijë tonë karburant./mxh
Erëra të forta, borë dhe temperatura të ulëta kanë goditur pjesë të mëdha të Europës Perëndimore pas mbërritjes së Stuhisë Goretti. Ekspertët e motit dhanë paralajmërime serioze në disa vende.
Në Anglinë Jugperëndimore, zyrtarët dhanë një paralajmërim të rrallë për erën, me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë dhe kushte të rrezikshme pranë detit.
Në Francë, erërat e forta shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe shumë shtëpi humbën energjinë elektrike.
Në Gjermaninë veriore, bora e madhe dhe era shkaktuan probleme të mëdha. Disa zona kishin deri në 20 centimetra borë, gjë që pezulloi mësimin në shkolla.
Autoritetet u kërkuan njerëzve të shmangnin udhëtimet sepse rrugët dhe shtigjet u bënë të pasigurta. Punëtorët përdorën shumë borëpastruese dhe shpërndanë kripë për t’i bërë rrugët më të sigurta.
Shërbimet hekurudhore në Gjermaninë veriore operonin më rrallë dhe aeroportet paralajmëruan për vonesa dhe anulime./mxh
Pavlin Preka ishte 19-vjeç kur u vra në banesën e tij, më 26 Shkurt 2025, në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas një vajze, 13-vjeç për të cilën kërkonte miratimin e familjes së saj që të martoheshin.
Këtë të martë u zbuluan detaje nga emisioni “Në Shënjestër” nga dosja hetimore ku sipas informacioneve nga njerëzit e afërt të viktimës, gjatë kontrollit të parë në vendngjarje, në afërsi të trupit të viktimës, u gjendën 6 gëzhoja arme zjarri pistoletë model 9 mm.
Nga këqyrja e parë e vendit të ngjarjes, 19-vjeçari ishte qëlluar me disa plumbe pistolete nga afër, më të hyrë në banesën e tij. Gjë që la të kuptohet nga ekspertët kriminalistë, se ai ishte ruajtur deri në mbërritjen e tij në banesë. Ose dikush kishte informuar me saktësi qitësi për lëvizjet e viktimës dhe faktin që ai kishte marrë rrugën për në shtëpinë e tij. Por për grupin hetues vrasja e këtij të riu kishte një motiv të paqartë.
Kjo për faktin se ai nuk ishte skeduar dhe nuk kishte një të shkuar apo të tashme kriminale. Madje nuk njihej në zonë as si kontingjent që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. I pari që u pyet në lidhje me krimin ishte xhaxhai i viktimës.
Nikollë Preka, i cili kishte banesën ngjitur me atë të vëllait të tij, ku aktualisht jetonte Pavlini. Aty ku ndërsa dëgjoi krismat, vrapoi i pari për të parë se çfarë kishte ndodhur. Dhe ku gjeti të vrarë në pragun e derës, nipin e tij.
“Familjarët e Pavlinit jetojnë në fshatin Gjuraj-Plan, në njësinë Administrative Pult, Bashkia Shkodër. Unë e kam ngjitur banesën me atë të Pavlinit. Kur shkova për të parë se kush është në banesë, unë pashë që dera ishte hapur. Aty pashë Pavlinin të shtrirë në tokë”, ka deklaruar në polici xhaxhai i viktimës.
Por edhe pse iu kërkua të hiqte dorë nga vajza që dashuronte, Pavlin Preka nga sa kuptohet, jo vetëm nuk e bëri një gjë të tillë, por kishte ndërtuar në kokë edhe plane se si ta bënte të vetën përgjithmonë. Kjo edhe kundra dëshirës së familjes së saj.
Ndoshta me bindjen se koha do të ishte ilaçi më i mirë dhe situatat do të vinin dhe do të normalizoheshin, pasi ai ta kishte bërë fakt të kryer lidhjen e tij me vajzën.
Por aq shumë ishte fiksuar Pavlini pas kësaj vajze, sa kishte shkuar deri aty sa të bënte tatuazh edhe emrin e saj në qafë. Gjë që e dinin edhe shokët e tij. Midis tyre edhe kushërinjtë e vajzës, me të cilët ai shoqërohej.
“Nga ajo që unë di është se Pavlini ka dashur një vajzë, me emrin ‘A*****’, të cilës nuk ia di mbiemrin, por që Pavlini ia kishte bërë emrin tatuazh në qafë. Mesa mbaj mend, Pavlini më kishte thënë se këtë vajzë e kishte parë në Dukagjin, kjo pasi edhe familja e tij ka një shtëpi atje, por jetojnë në Shkodër. Pavlini më ka thënë gjithashtu se kësaj vajze i ka kërkuar dorën te shtëpia e saj, por nuk ia kanë dhënë. Ajo që dua të them është se një ditë bashkë me Pavlinin dhe një shokun e tij që e thërrasin Flori, por që mbiemrin nuk ia mbaj mend, ishim te një shtëpi që familja ime ka në fshatin Gimaj në Dukagjin. Gjatë kohës që ishim aty Pavlini më tha ‘Ma lër këtë shtëpinë 2-3 ditë pasi do ta marr atë vajzën, dhe të vi të rri te shtëpia jote’. Por unë ia preva shkurt dhe i thashë që nuk ta lë”, -thuhet në dëshminë nga Edilion Tërthorja.
Por çmenduria e Pavlinit, nuk kishte ndërmend të ndalej këtu. Pasi siç thotë një nga shokët me të cilët ai shoqërohej, ai po kërkonte një banesë ku të qëndronte me vajzën, pasi ta kishte rrëmbyer. Dhe këtë plan nuk e kishte aspak sekret. Por e shprehte edhe në prani të kushërinjve të vajzës, me të cilët ndante përditshmërinë./mxh
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka folur për thirrjen e tij në SPAK. I ftuar në emisionin A Krasta Show , Këlliçi është shprehur se pasi i janë futur hetimit të ekonomisë familjare të Berishës, kanë përfunduar duke hetuar financimin e Kuvendit të Rithemelimit.
Sipas Këlliçit thirrja e tij në SPAK është periferike dhe s’ka asnjë vlerë. Deputeti deklaroi se për të hequr vëmendjen nga Rama u krijua një lajm që ishte flluskë sapuni.
“Portalet e financuar nga mazhoranca e kanë mbajtur për 24 orë. Kanë hetuar Berishën për veprimatrinë ekonomike familjare, kanë përfunduar duke hetuar për financimin e kuvendit të Rithemelimit, kuvendit që shpëtoi opozitën.
Kemi proceduar me procedura ligjore. Është dëshpërimi për të bërë pis opozitën dhe PD. Nuk më shqetëson është perfierike ska asnjë vlerë.
Për të hequr vëmendjen nga Rama u krijua një lajm që ishte një flluskë sapuni”, tha Këlliçi./mxh
Gazetari Artan Hoxha ka folur për arratisjen e Altin Ndocit. I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin gazetari ka deklaruar se sistemi është i kalbur.
Ai theksoi se kjo ngjarje nuk është e rastësishme e ka studiuar mirë dhe ka ruajtur momentin. Ai nënvizoi se Altin Ndoci duke qenë një person me rrezikshmëri të lartë nuk duhet të ishte në burgun e Durrësit.
Hoxha nuk kurseu as ironitë duke thënë se Ilir Metës i heqin tavolinën e ping pongut ndërsa të rrezikshmit i lënë në atë burg.
“Në atë ambient ka qenë dikush tjetër. Nga 5 policië dy kanë ikur te burgu kanë çuar personin tjetër.
Ai ka goditur një nga policët dhe ia ka futur vrapit ka dalë në oborr. Polici kur ka qëlluar ka bërë rikoshet dhe ka rrezikuar persona të tjerë aty. Ai është përplasur te shkallët e hyrjes së infektivit. Siguria sigurohet nga policia e burgjeve. Kjo nuk është një ngjarje e rastësishme, ai e ka studiuar dhe ka ruajtur momentin. Ne kemi një sistem të kalbur sigurie. Nuk është më problemi e ka fajin polici. Sistemi është i kalbur. Nuk duhet të ishte në atë burg. Ai nuk ka siguri për atë person. I heqim Ilir Metës tavolinën e ping pongut dhe lëmë këta i mbajmë te burgu i Durrësit”, tha Hoxha./mxh
Një e katërta e vendeve në botën në zhvillim janë më të varfra se sa ishin në vitin 2019, para pandemisë së Covid-it, ka zbuluar Banka Botërore.
Organizata me seli në Washington tha se një grup i madh vendesh me të ardhura të ulëta, shumë prej tyre në Afrikën Sub-Sahariane, kanë pësuar një tronditje negative gjatë gjashtë viteve deri në fund të vitit të kaluar.
The Guardian shkruan Banka tha se rritja globale ka “ngadalësuar” që prej pandemisë, dhe ritmi aktual është “i pamjaftueshëm për të ulur varfërinë ekstreme dhe për të krijuar vende pune aty ku nevoja është më e madhe”.
Rritja ekonomike në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim pritet të ngadalësohet nga 4.2% vitin e kaluar në 4% vitin e ardhshëm, sipas raportit.
Banka tha se rritja ekonomike globale po rezulton “më e qëndrueshme se sa pritej”, veçanërisht pas performancës më të mirë se parashikimet e ekonomisë amerikane vitin e kaluar, por progresi pritet të jetë i kufizuar në vitin 2026, ndërsa ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim po hasin vështirësi.
Ekonomia e SHBA-ve vlerësohet të ketë shënuar rritje prej 2.1% në vitin 2025 dhe 2.2% në vitin 2026, pas përmirësimeve prej 0.7 dhe 0.6 pikë përqindje nga parashikimi i fundit i bankës në qershor. Studimi i bankës tregoi se zona e euros mbeti prapa, me rritje vetëm 0.9% në 2025 dhe në rrugë për të arritur 1.2% në 2026.
Rritja globale pritet të mbetet kryesisht e qëndrueshme gjatë dy viteve të ardhshme, duke u ulur nga 2.7% në vitin 2025 në 2.6% në vitin 2026, përpara se të rikthehet në 2.7% në vitin 2027, një rishikim i lehtë në rritje krahasuar me parashikimin e qershorit.
Shumë prej një në katër vendet në zhvillim, ku të ardhurat mesatare janë më të ulëta se në vitin 2019, kanë përjetuar luftëra dhe uria, tha raporti, gjë që ka vonuar rimëkëmbjen e tyre nga pandemia. Rritjet e fundit ekonomike nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar rënien e mëparshme.
Indermit Gill, kryeekonomisti i Bankës, tha: “Këto trende nuk mund të shpjegohen vetëm me fatkeqësi. Në shumë vende në zhvillim, ato pasqyrojnë gabime të shmangshme në politika.”
Gill tha se vendet në zhvillim duhet të ndjekin rregulla strikte buxhetore për të siguruar bazën e rritjes së qëndrueshme. Ai shtoi se formula është e ngjashme për të gjitha vendet që duan të rriten më shpejt.
“Për të shmangur stanjacionin dhe papunësinë, qeveritë në ekonomitë në zhvillim dhe ato të avancuara duhet të liberalizojnë fuqishëm investimet private dhe tregtinë, të kufizojnë konsumin publik dhe të investojnë në teknologji të reja dhe arsim,” tha ai.
Gill theksoi se ekonomia globale ka treguar qëndrueshmëri, por nuk ka arritur të nxisë rritjen në nivele që do të krijonin vende pune për të rinjtë, veçanërisht për 1.2 miliardë nën moshën 16 vjeç që pritet të hyjnë në tregun e punës në dekadën e ardhshme.
“Me çdo vit që kalon, ekonomia globale është bërë më pak e aftë për të gjeneruar rritje dhe duket më e qëndrueshme ndaj pasigurive politike. Por dinamizmi ekonomik dhe qëndrueshmëria nuk mund të ndahen për shumë gjatë pa dëmtuar financat publike dhe tregjet e kreditit. Në vitet e ardhshme, ekonomia botërore pritet të rritet më ngadalë se në vitet e vështira ’90, ndërsa mban nivele rekord të borxhit publik dhe privat.”, shtoi Gill.
Banka Botërore pret që Kina të rritet me 4.4% këtë vit dhe 4.2% vitin e ardhshëm. Këto shifra përfaqësojnë një përmirësim krahasuar me vlerësimin e qershorit të vitit të kaluar, por gjithsesi mbeten rritjet më të ulëta në 35 vite dhe nën objektivin e Partisë Komuniste prej 5%.
Pekini është nën presion që nga pranvera e kaluar, kur Donald Trump rriti tarifat mbi importet kineze. Kina gjithashtu po përballet me sfidën e plakjes së shpejtë të popullsisë dhe pasojat e bumit spekulativ të tregut të pasurive të paluajtshme.
Banka tha se Kina rezultoi më e fortë se sa pritej, pasi shpenzimet e mëdha të qeverisë rritën konsumin e brendshëm dhe shitjet e eksporteve u mbështetën nga ridrejtimi i mallrave drejt tregjeve jo-amerikane./mxh
Një grup vendesh europiane kanë thirrur ambasadorët iranianë për të dënuar dhunën e shtetit ndaj protestave që vazhdojnë në Iran.
Franca thirri sot ambasadorin iranian në Paris për të dënuar, sipas ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, “dhunën shtetërore që është ushtruar pa dallim ndaj protestuesve paqësorë”.
Për Barrot, shtypja e protestave që tronditën Iranin nga 28 dhjetori 2025 është “e papranueshme, e padurueshme dhe çnjerëzore”.
“Ky dënim është komunikuar tashmë ministrit iranian të Jashtëm dhe do ta përsëris tek ambasadori iranian në Francë, të cilin e thirra sot”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për ata që drejtojnë armët kundër protestuesve paqësorë”.
Edhe vende të tjera europiane, përfshirë Spanjën, Holandën, Finlandën, Portugalin dhe Belgjikën, njoftuan sot se ministritë e tyre të Jashtme kanë thirrur përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit për të shprehur shqetësimin mbi dhunën kundër protestuesve.
Gjermania publikoi në X: “Veprimet barbare të regjimit iranian kundër popullit të tij janë tronditëse. Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë dhunën ndaj qytetarëve dhe të respektojë të drejtat e tyre. Ambasadori iranian u thirr sot në Ministrinë e Jashtme.”
Edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi se ka thirrur ambasadorin iranian, sipas agjencisë Reuters.
Portugalia gjithashtu thirri sot ambasadorin iranian në Lisbonë për t’i bërë të ditur “dënimin e ashpër” ndaj “shtypjes së dhunshme të protestave” kundër regjimit të Teheranit.
“Po ashtu, në kuadër të koordinimit europian, Portugalia është gati të rrisë sanksionet ndaj Iranit”, njoftoi ministria e Jashtme në llogarinë e saj në X. Lisbonë kërkoi gjithashtu që të respektohen të drejtat e qytetarëve iranianë.
Ministri i Jashtëm Paulo Rangel tha se ka thirrur përfaqësuesin e diplomacisë iraniane “për t’i komunikuar me zë të fortë dënimin e ashpër, i përsëritur në ditët e fundit, për shtypjen e dhunshme të protestave”.
Ministrja e Jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, kritikoi sot udhëheqjen e Iranit për “vrasjet e tmerrshme dhe të dhunshme” të protestuesve, duke thënë se Britania ka thirrur ambasadorin iranian për të theksuar seriozitetin e situatës.
“Mbretëria e Bashkuar dënon me fuqinë më të madhe vrasjet e tmerrshme të protestuesve iranianë dhe kërkon nga autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, deklaroi Cooper në Dhomën e Komunave.
Ajo shtoi se nënsekretari i Jashtëm për Lindjen e Mesme ka thirrur ambasadorin iranian në Mbretërinë e Bashkuar për të theksuar “seriozitetin e këtyre çasteve dhe për të kërkuar që Irani të përgjigjet ndaj raporteve të tmerrshme që marrim”, të cilat flasin për “mijëra vdekje”.
Cooper u tha ligjvënësve se Britania do të paraqesë një projektligj për zbatimin e sanksioneve të reja dhe masave sektoriale kundër Iranit./mxh
E mbani mend aktorin e vogël dhe të lezetshëm në serialin Aşk-ı Memnu i njohur në rolin e tij si Bulenti e më pas si Dündar Bey në serialin historik të suksesshëm Ertuğrul, sot pas kaq shumë vitesh Batuhan Karacakaya duket krejt ndryshe dhe më i rritur se kurrë.
28-vjeçari po jeton një histori të bukur dashurie me partneren e tij, Sinem Akar një studente 22-vjeçare e cila është rritur larg kamerave dhe famës.
Së fundmi Batuhan Karacakaya e ka surprizuar atë me një festë romantike për ditëlindjen e saj./MXH
Prokurorët e Koresë së Jugut kanë kërkuar dënimin me vdekje për ish-presidentin Yoon Suk Yeol, i cili është në gjyq për kryengritje mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2024, në një përpjekje të dyshuar për të qëndruar në pushtet.
Në argumentet përmbyllëse në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit të martën, prokurori special e përshkroi Yoon, 65 vjeç, si “udhëheqësin e një kryengritjeje”, duke përmendur një hetim që thuhet se gjeti prova se ai kishte hartuar një skemë, që daton që nga viti 2023, për të marrë kontrollin e funksioneve shtetërore.
Yoon i ka mohuar akuzat, duke këmbëngulur se ishte brenda kompetencave të tij si president për të shpallur gjendjen ushtarake, duke përmendur një bllokim legjislativ dhe një “rebelim” të supozuar që po komplotohej nga forcat pro-Penianit brenda opozitës politike.
Ligji i emergjencës ushtarake i shpallur në dhjetor 2024 shkaktoi protesta të menjëhershme publike dhe u rrëzua nga parlamenti brenda një dite.
Deklarata surprizë – përdorimi i parë i ligjit ushtarak në Korenë e Jugut që nga viti 1980 – e zhyti vendin në një krizë kushtetuese, pasi qindra trupa të armatosura u mobilizuan për një kohë të shkurtër dhe u dërguan në institucionet kryesore shtetërore, përfshirë Asamblenë Kombëtare, me sa duket për të paracaktuar autoritetin parlamentar dhe për të bllokuar mbledhjen e ligjvënësve. Kundërshtarët e denoncuan dekretin si një tejkalim të rrezikshëm të pushtetit ekzekutiv dhe Asambleja Kombëtare votoi shpejt unanimisht për të rrëzuar urdhrin, duke e detyruar Yoon ta hiqte atë pas afërsisht gjashtë orësh.
Ky veprim shkaktoi protesta të mëdha dhe thirrje për dorëheqje nga udhëheqësit e opozitës, si dhe kaos politik që përfundimisht kulmoi me një fushatë të suksesshme shkarkimi më vonë atë muaj./mxh