Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

‘Foltorja’ në Korçë, Berisha: Korrupsioni në Shqipëri po shqetëson edhe Uashingtonin

27 December 2025 at 19:48

Nga Gazeta ‘SI’ –Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte sot në qytetin e Korçës, si pjesë e turit të “Foltores”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se shqetësimet për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar tashmë nuk janë vetëm çështje të brendshme, por sipas tij kanë ndezur ‘sirenat e alarmit’ edhe në Uashington, duke e cilësuar situatën në Shqipëri si rrezik për demokracinë dhe stabilitetin europian.

Berisha vazhdoi me akuzat ndaj qeverisë duke thënë se Rama dhe Balluku i kanë ditët e numëruara, teksa theksoi se në qeverisjen e PD nuk i bëhej rezistencë Prokurorisë dhe ish-kryeprokurores “armike e betuar” e tij, Ina Ramës, por hiqej imuniteti i deputetit kur kërkohej.

Më tej Berisha tha se qëllimi i Ramës dhe mazhorancës është të copëtojnë opozitën.

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi gjallë, në këmbë, të fortë dhe të sigurtë në fitore. Jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrë të padrejtë u morën akte brutale, të turpshme, në projektin Shqipëria pa opozitë, projekt për copëtimin e saj, me qëllimin Shqipëria pa opozitë. Për izolimin më të thellë të forcës më properëndimore në historinë e kombit, megjithatë ne triumfuam. Ne u ringritëm me kauzat tona, nga izolimi, si feniksi nga hiri u ringritëm”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj Ramës, se ka marrë të gjitha pushtetet.

“Donin të na shkatërronin, kauzat tona u sanksionuan me 7 rezoluta. Rama donte të na zhdukte, si diktaturë, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.

The post ‘Foltorja’ në Korçë, Berisha: Korrupsioni në Shqipëri po shqetëson edhe Uashingtonin appeared first on Gazeta Si.

Google zbulon se çfarë fjalësh u kërkuan më shumë në vitin 2025

27 December 2025 at 17:09

Teksa viti 2025 po i afrohet fundit, Google ka publikuar përmbledhjen vjetore të kërkimeve më të shpeshta, duke reflektuar ngjarjet, personazhet dhe temat që kanë dominuar interesin publik gjatë vitit në mbarë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, lista e kërkimeve kryesohet nga emri i Charlie Kirk, i cili u shndërrua në termin më të kërkuar për shkak të një ngjarjeje tragjike. Themeluesi i organizatës Turning Point USA u vra më 10 shtator gjatë një fjalimi në kampusin e Universitetit Utah Valley, ngjarje që shkaktoi një valë të gjerë kërkimesh dhe la në hije zhvillime të tjera të rëndësishme të vitit.

Pas tij, në pesëshen e parë të kërkimeve renditen filmi i suksesshëm i Netflix “KPop Demon Hunters”, lodra virale prej pelushi Labubu, modeli i ri i Apple, iPhone 17, si dhe ligji i njohur si “One Big Beautiful Bill Act”, i cili hyri në fuqi në muajin korrik.

Interes të lartë ngjallën edhe emra dhe tema të tjera, përfshirë kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, platformën e inteligjencës artificiale DeepSeek, mbylljen e qeverisë amerikane, Kupën e Botës për Klube të FIFA-s dhe tarifat tregtare. Këto kërkime pasqyrojnë një vit të mbushur me tensione politike, zhvillime teknologjike dhe ngjarje sportive me ndikim global.

Në kategorinë e lajmeve, më të kërkuarat ishin Akti “One Big Beautiful Bill”, mbyllja e qeverisë federale dhe vrasja e Charlie Kirk. Po ashtu, interes të madh patën temat që lidhen me tarifat, protestat “No Kings”, zjarret masive në Los Angeles, zgjedhjen e një Pape të ri, publikimin e dokumenteve Epstein, inaugurimin e presidentit të SHBA-së dhe uragani shkatërrues Melissa.

Sa i përket personave më të kërkuar, kryesimin e mban Zohran Mamdani, i ndjekur nga Tyler Robinson dhe muzikanti D4VD. Në listë përfshihen edhe Erika Kirk, Papa i ri Leo XIV, sportisti Shediur Sanders, Caroline Leavitt, Andy Byron dhe prezantuesi i njohur Jimmy Kimmel. Në botën e kinemasë, aktori Pedro Pascal ishte më i kërkuari, përpara emrave si Malachi Burton, Walton Goggins, Pamela Anderson dhe Charlie Sheen.

Në industrinë e filmit, “KPop Demon Hunters” kryesoi kërkimet, ndërsa “Sinners” dhe “The Minecraft Movie” patën gjithashtu interes të lartë. Në televizion, seriali “The Hunting Wives” dominoi kërkimet, i ndjekur nga “The White Lotus” dhe “The Pitt”, si dhe nga sezonet e reja të serialeve shumë të ndjekura “Squid Game” dhe “Severance”. Në muzikë, D4VD ishte artisti më i kërkuar, ndërsa grupe dhe artistë si KATSEYE, Bad Bunny, Sombr dhe Doechii fituan vëmendje të konsiderueshme. Në sport, më i kërkuari ishte futbollisti amerikan Shediur Sanders, përpara boksierit Terence Crawford dhe talentit të basketbollit Cooper Flagg.

Viti 2025 u shënua edhe nga humbja e disa figurave të njohura publike. Në krye të listës së personave të ndjerë ishte Charlie Kirk, ndërsa kërkime të shumta u bënë edhe për Gene Hackman, Ozzy Osbourne dhe Papa Françeskun. Po ashtu, interes pati për ndarjen nga jeta të Ann Burrell, Diane Keaton, Michelle Trachtenberg, Hulk Hogan, Malcolm-Jamal Warner dhe Val Kilmer.

Një tjetër kategori që tërhoqi vëmendje ishte ajo e frazave të përdorura nga brezat e rinj, e titulluar “Çfarë thonë fëmijët?”. Termat “6-7”, “Sigma”, “41”, “Skibidi” dhe “Ohio” kryesuan këtë listë, duke treguar se zhargoni digjital vijon të evoluojë me shpejtësi. Për krahasim, kërkimet kryesore të vitit të kaluar në SHBA përfshinin zgjedhjet presidenciale, Donald Trump, lojën “Connections” të New York Times, New York Yankees dhe zëvendëspresidenten e atëhershme Kamala Harris.

The post Google zbulon se çfarë fjalësh u kërkuan më shumë në vitin 2025 appeared first on Gazeta Si.

Foto/ Dhunohet barbarisht gazetari i rubrikës rozë, familjarët: Rrezikon shikimin!

27 December 2025 at 17:04

Nga Gazeta ‘SI’ – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme opinionin publik.

Gazetari i rubrikës rozë, Elton Tozaj është dhunuar rreth orës 19:30, në autostradën Tiranë–Durrës, në rrethana që ende mbeten shqetësuese dhe të paqarta.

Sipas informacioneve të bëra publike nga familjarët e tij, gazetari është sulmuar në mënyrë barbare nga disa persona, të cilët, sipas tyre, janë tashmë të identifikuar. Dhuna e ushtruar ndaj Tozajt ka qenë e rëndë, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike.

Familja ka bërë të ditur se Elton Tozaj ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Sipas tyre, situata është delikate, pasi gazetari po lufton për të mos humbur shikimin, çka e bën edhe më alarmante këtë ngjarje.

Familjarët shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe kërkojnë që autorët të vihen sa më parë përpara drejtësisë.

The post Foto/ Dhunohet barbarisht gazetari i rubrikës rozë, familjarët: Rrezikon shikimin! appeared first on Gazeta Si.

E reja përplas për vdekje 69-vjeçarin me biçikletë në Durrës

27 December 2025 at 13:18

Nga Gazeta ‘SI’ – Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune, më 27 dhjetor, në qytetin e Durrësit, ku si pasojë ka humbur jetën një 69-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Katund Sukth–Fllakë, ku një 29-vjeçare dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin  e automjetit dhe për pasojë, ka përplasur 69 vjeçarin R. B., i cili po lëvizte me biçikletë.

Ai është dërguar në spital, ku fatkeqësisht më pas ka ndërruar jetë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë njoftuar se pas aksidentit, arrestuan në flagrancë drejtuesen e mjetit me inicialet Xh. Ç., 29 vjeçe, banuese në Durrës.

The post E reja përplas për vdekje 69-vjeçarin me biçikletë në Durrës appeared first on Gazeta Si.

Çmimi i energjisë për familjarët nuk ndryshon në 2026-n

27 December 2025 at 13:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i pandryshuar edhe për vitin 2026.

Në mbledhjen e fundit, Enti Rregullator i Energjisë vendosi të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2026 zbatimin e vendimit të marrë në janar për uljen e çmimit të energjisë. Kështu, konsumatorët familjarë që përdorin deri në 700 kilovator energji në muaj do të vazhdojnë të paguajnë 8.5 lekë për kilovat, ndërsa ata që tejkalojnë këtë konsum mujor do të paguajnë 9.5 lekë për kilovat për gjithë sasinë e energjisë së përdorur.

Sipas njoftimit të ERE-së, vendimi u mor pasi Shoqëria e Furnizimit të Shërbimit Universal tregoi në pasqyrat financiare se, pavarësisht uljes së çmimit që filloi të aplikohet nga shkurti i këtij viti, të ardhurat e saj kanë mbuluar kostot operative dhe kanë lejuar funksionimin normal të shoqërisë. Pritet që kjo situatë të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026.

Sipas llogarive, ky reduktim në çmim i kursen familjeve shqiptare deri në 100 euro në vit.

Gjithashtu, ERE vendosi të mbajë të pandryshuar edhe çmimin e energjisë elektrike për karikimin e automjeteve elektrike në stacionet e karikimit, të vendosura në tetor të këtij viti.

The post Çmimi i energjisë për familjarët nuk ndryshon në 2026-n appeared first on Gazeta Si.

Kreu ndërhyrje tek ‘Ura e Vashës’ dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj, arrestohet 44-vjeçari në Klos

27 December 2025 at 12:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Një 44-vjeçar u arrestua në flagrancë nga policia në Klos pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës Ura e Vashës, pranë të cilit ndërtoi edhe një ndërtim pa leje një objekt ngjitur me urën.

Objekti u zbulua nga kontrollet e policisë për parandalimin e krimeve mjedisore. 44-vjeçari është në akuzë për 2 vepra penale, shkatërrim i veprave kulturore dhe ndërtim i paligjshëm.

Ura e Vashës, me mbi 300 vjet histori, ndodhet në fshatin Fshat të Klosit, me një hark karakteristik, monument kulture që në vitet ’80.

Njoftimi

“Në vijim të punës dhe kontrolleve të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos. Ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”. Monitorimi i territorit për goditjen e paligjshmërive vijon”, njoftoi Policia.

The post Kreu ndërhyrje tek ‘Ura e Vashës’ dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj, arrestohet 44-vjeçari në Klos appeared first on Gazeta Si.

6 parashikime për kriptomonedhat në 2026

27 December 2025 at 12:48

Megjithëse viti përfundoi pa ndonjë kulmim dramatik, 2025 shënoi një pikë kthimi për industrinë e kriptomonedhave.

I nxitur nga premtimi i Presidentit Donald Trump për ta bërë Shtetet e Bashkuara “kryeqytetin e kriptos në botë”, Bitcoin u rrit mbi 65% gjatë 12 muajve pas zgjedhjeve të 2024.

Së fundmi, shqetësimet për një mundësi flluske në tregun e aksioneve kanë bërë që investitorët të zvogëlojnë rrezikun. Bitcoin ka humbur më shumë se 1/4 e vlerës së tij në vetëm dy muaj, duke u tregtuar 13% më poshtë që nga fillimi i vitit. Por, ndryshe nga tregjet e mëparshme, këtë herë mbijetesa e industrisë nuk është në rrezik. Pas më shumë se një dekade ciklesh të rritjes dhe rënies, skandalesh dhe goditjesh rregullatore, kripto po lë vendet periferike dhe po kalon në një fazë të re: integrim institucional.

“Me një mjedis rregullator të ngrohtë dhe mikpritës, zbutjen masive të rregullave ekzistuese dhe një gatishmëri të dukshme për të falur këdo për çdo krim financiar, është një kohë e shkëlqyer të jesh ose inovator ose mashtrues,” thotë Dave Nadig, president dhe drejtor i kërkimeve në ETF.com.

Çfarë pritet për kriptomonedhat në 2026, sipas analistëve

Pritet “qartësi”

Kryekomisari për kripto në Shtëpinë e Bardhë, David Sacks, njoftoi në një postim javën e kaluar se Senati do të votojë për Ligjin CLARITY (Digital Asset Market Clarity Act) deri në janar 2026, pas miratimit me mbështetje dy-partiake në Dhomën e Përfaqësuesve në korrik.

Ligji CLARITY do të krijojë një kornizë për rregullimin e aseteve digjitale, duke nxjerrë industrinë “nga errësira dhe duke e futur në ekonominë e rregulluar,” shkroi fondi i kriptos i Andreessen Horoëitz në korrik. “Ky qartësim ligjor do të hapë derën për gjeneratën e ardhshme të infrastrukturës së decentralizuar, mjeteve financiare dhe aplikacioneve të zotërimit nga përdoruesit,” shtoi ai.

Të njëjtën muaj, Consumer Reports paralajmëroi se Ligji CLARITY “prioritizon sigurinë rregullatore për industrinë e kriptos në kurriz të mbrojtjes së konsumatorëve.” Drejtori i avokatisë së grupit, Chuck Bell, paralajmëroi se ligjshmëria mund të zvogëlojë aftësinë e Komisionit të Sigurimeve dhe Tregjeve (SEC) për “të mbrojtur investitorët dhe për të ruajtur integritetin e tregut.”

Thelbësore, projektligji do të ndajë dhe përcaktojë mbikëqyrjen midis SEC dhe Komisionit për Tregjet e Të Ardhurave të Mallrave. Kjo do t’u lejojë rregullatorëve të japin udhëzime se si shërbimet financiare mund të angazhohen me kripto, thotë Ric Edelman, themelues i Digital Assets Council of Financial Professionals.

“Të gjitha këto hapin rrugën për angazhim shumë më të madh nga investitorët institucionalë dhe firmat kryesore të Wall Street për të alokuar fonde në kripto,” thotë ai.

Qarkullimi i Stablecoin mund të trefishohet

Stablecoin (monedhat digjitale që mbështeten në valutë) pritet të kalojë 1 trilion dollarë në qarkullim deri në 2026, më shumë se trefishi i tregut aktual, sipas një parashikimi javën e kaluar nga emetuesi i ETF-ve të kriptos 21Shares.

Miratuar në korrik, Ligji GENIUS (Guiding and Establishing National Innovation for U.S. Stablecoins) është korniza e parë rregullatore për stablecoin-et e pagesave. Deri në korrik 2026, pritet që rregullatorët të njoftojnë rregulloret e tyre për zbatimin e ligjit, gjë që pritet të përshpejtojë adoptimin institucional nga bankat, fintech-et dhe rrjetet e pagesave, me kompani si JPMorgan, PayPal, Visa dhe Mastercard që tashmë përdorin stablecoin.

“Duke kuptuar se lufta kundër stablecoin është si të luftosh internetin, vitin e ardhshëm një grup bankash do të fillojë t’i adoptojë ato, qoftë duke i mbajtur në bankë ose duke lançuar të vetat,” thotë Austin Campbell, themelues i Zero Knoëledge Consulting dhe profesor për asete digjitale në NYU Stern.

“Agimi i epokës institucionale”

Bitcoin historikisht lëviz në cikle katërvjeçare, për shkak të ngjarjes së quajtur halving që ndodh çdo katër vjet, e cila ul furnizimin e ri të monedhave me 50%. Mençuria konvencionale parashikon se Bitcoin do të ketë arritur kulmin në tetor, duke krijuar një “dimër kriptosh” në 2026.

Megjithatë, me investitorët institucionalë që tani përbëjnë pjesë më të madhe të tregut, ky cikël po bëhet një tregues më pak i besueshëm i çmimeve. Në 2025, korrelacioni midis Bitcoin dhe indeksit teknologjik NASDAQ 100 është më shumë se dyfishuar. Korrelacioni matet nga -1 deri 1, ku vlerat mbi zero tregojnë korrelacion pozitiv. Mesatarja e këtij viti ishte 0.52, nga 0.23 në 2024.

Menaxheri i aseteve kripto Grayscale parashikon se 2026 do të shënojë fundin e ciklit katërvjeçar, duke hapur rrugën për “agimin e epokës institucionale.” Me fjalë të tjera, trajektoria e tregut do të kalojë nga zgjerimi i shpejtë i nxitur nga investitorët retail në një kanal më të qëndrueshëm dhe në rritje, i drejtuar nga ristrukturimi institucional.

Që nga fillimi në 2024, blerjet e Bitcoin nga ETF-të amerikane të kriptos kanë dyfishuar emetimin e ri të Bitcoin. Menaxheri më i madh i aseteve në botë, BlackRock, e renditi të mërkurën iShares Bitcoin Trust ETF (IBIT) midis tre temave kryesore të investimeve për 2025, duke tërhequr rreth 25 miliardë dollarë flukse neto këtë vit.

Ndërsa më shumë furnizim kalon në ETF, thesaret korporative, zyrat familjare dhe fondet e lidhura me sovranët, Bitcoin ndalon së u tregtuari si aset retail, sepse këta mbajtës nuk tregtojnë sipas momentit apo tregimeve afatshkurtra, thotë Cory Klippsten, CEO i Sëan.com.

“Historia më e madhe në 2026 nuk është ku tregtohet Bitcoin; është që një pjesë gjithnjë e më e madhe e furnizimit thjesht ndalon lëvizjen, dhe tregu po përshtatet me këtë,” thotë Klippsten.

Bast mbi “praktikisht gjithçka”

Tregjet e parashikimeve, miq apo armiq, janë një nga segmentet që po rriten më shpejt në kripto. Mbështetësit thonë se ato grumbullojnë informacion më efikas se sondazhet, ndërsa kritikët argumentojnë se e kthejnë botën në kazino. Me afërsi të zgjedhjeve të mesme në SHBA, ato pritet të tërheqin tregtarë, gazetarë dhe operativë politikë.

Polymarket, tregu më i madh i parashikimeve në botë, tashmë afrohet me 1 miliard dollarë volum javore, por analisti i Galaxy Research, Ëill Oëens, parashikon se kjo shifër do të kalojë 1.5 miliardë dollarë vitin e ardhshëm, “ndërsa shtresat e reja të efikasitetit të kapitalit thellojnë likuiditetin dhe fluksi i urdhërave i drejtuar nga AI rrit frekuencën e tregtimit.” Bitëise gjithashtu parashikon që interesimi i hapur në Polymarket do të arrijë nivel rekord, duke kaluar nivelet e zgjedhjeve të 2024.

Heqja e disa pengesave rregullatore po rrit gjithashtu optimizmin. Fillimisht këtë muaj, Polymarket njoftoi se është përsëri në dispozicion në SHBA, pas një pauze katërvjeçare. Për më tepër, Coinbase po padit shtetet Michigan, Illinois dhe Connecticut, duke kërkuar që gjykatat të konfirmojnë se shtetet nuk mund të ndërhyjnë në juridiksionin ekskluziv të CFTC mbi tregjet e parashikimeve, tha kompania për Bloomberg. Gjithashtu, në maj, rregullatori hoqi një apel për një vendim gjykate që lejon platformën Kalshi të listojë kontrata investimi që përdoruesit amerikanë mund të përdorin për të bastuar mbi rezultatet e zgjedhjeve.

“Duke pasur këtë mjedis masivisht deregulues, dyshoj se tregjet e parashikimeve do të dalin jashtë kontrollit në 2026 duke u afruar zgjedhjeve,” thotë Nadig. “Praktikisht gjithçka do të jetë e ligjshme për të bastuar përmes një tregu parashikimesh, nga kush fiton një primare të kontestuar deri te sa herë teshtin Sekretari i Thesarit Scott Bessent,” shton ai.

Tregjet e kriptos mbeten “emocionale”

Megjithëse ka konsensus se kripto do të vazhdojë të shkojë mainstream vitin e ardhshëm, analistët janë të ndarë për mënyrën se si kjo do të reflektohet në çmimet e Bitcoin, me tregjet e opsioneve që aktualisht japin probabilitet të barabartë për 50.000 ose 250.000 dollarë deri në fund të vitit 2026.

Mes optimistëve: Edelman parashikon një rritje prej 50% deri 100% për shkak të “rritjes masive të angazhimit të këshilltarëve,” ndërsa Grayscale parashikon një rekord të ri për Bitcoin në gjysmën e parë të 2026, sipas një raporti të fundit.

“Një arkitekturë më e plotë rregullatore në ekonomitë kryesore po thellon integrimin e blockchain-ve publike me financën tradicionale dhe po nxit flukse kapitale afatgjata në treg,” shkruajnë analistët e Grayscale.

Analistja e Galaxy Research, Alex Thorn, vëren se një rekord i ri është “ende i mundshëm,” por thotë se 2026 është “shumë kaotik për t’u parashikuar,” me “rrezik në rënie në afat të shkurtër.” Megjithatë, ajo shton se “perspektiva optimiste (për periudha më të gjata) vetëm sa po forcohet,” duke parashikuar se aseti do të arrijë 250,000 dollarë në 2027.

Megjithatë, disa argumentojnë se turma e investitorëve institucionalë nuk ndryshon një të vërtetë universale për tregjet e kriptos: ato ushqehen nga emocionet.

“Trump kaloi nga antagonisti në entuziastin kryesor të kësaj industrie. Kjo e rriti Bitcoin në njëpikë që u bë tepër i shtrenjtë. Për mua, 2024 ishte maksimumi, 2025 është pasiguria, dhe 2026, mendoj, do të jetë një treg bjerrës ekstrem,” thotë Mike McGlone, Strateg i Lartë i Mallrave në Bloomberg Intelligence. “Shumë tregtarë dhe investitorë janë thjesht tepër emocionalë,” shton ai, duke theksuar se shumica e 37 milionë kriptomonedhave janë “spekulative” dhe duhet të “pastrohen” për të stabilizuar tregun.

Ndërsa shmang një parashikim të çmimit, Nadig e përforcon këtë mendim: “Bitcoin do të tregtohet, ashtu si ka bërë që ditën e parë, si një mall psikologjik. Ajo do të vlejë dhe gjithmonë ka vlejtur vetëm sa dikush tjetër është i gatshëm të paguajë për të.”

The post 6 parashikime për kriptomonedhat në 2026 appeared first on Gazeta Si.

Tregu i makinave bën ‘indietro’. Europa i rikthehet mjeteve me naftë e benzinë

27 December 2025 at 12:44

Makinat me lëndë djegëse po i mbijetojnë politikave që vendosën “vdekjen” e tyre.

Prova për këtë është vendimi i fundit i Bashkimit Europian që deklaroi se do të tërhiqej nga zotimi se deri në 2035-n do të zhdukte makinat me naftë apo benzinë dhe do të kishte vetëm elektrike (EV). Njoftimi erdhi një ditë pasi gjigandi i makinave Ford tha se ka hequr dorë nga prodhimi i makinave elektrike, njësoj si shumë prodhues të tjerë që po i lënë në plan dytësor “strategjitë e mbrojtjes së klimës”.

Këto zhvillime tregojnë se tranzicioni energjetik është shumë më i alrgët nga se e kishim menduar dhe se makinat ndotëse do të vazhdojnë të dominojnë rrugët e Europës dhe Amerikës për të paktën edhe disa dekada. Kjo po ashtu thellon edhe kontrasttin midis Perëndimit dhe Kinës, që ka zhvilluar një treg të mjeteve elektrike, me mbështetjen e shtetit.

Në SHBA, ku presidenti Donald Trump i quan makinat elektrike si “mashtrim”, Shtëpia e Bardhë ka ndërprerë ndihmat ekonomike për ata që donin të blinin makina elektrike. Po ashtu njoftoi se do të zbusë kriteret për mjetet dhe kamionët, që ishin vendosur më herët në kuadër të mbrojtjes klimatike.

Zyrtarët europianë thonë se favorizojnë një të ardhme kryesisht elektrike, dhe shumë vende ende kanë incentiva për automjetet elektrike. Por Brukseli është përballur me presion të madh nga prodhuesit e automjeteve të kontinentit për të zbutur ndalimin e planifikuar për vitin 2035. Prodhuesit e “vjetër” të makinave, me fuqinë punëtore të madhe dhe fabrikat e ndërtuara për motorë me djegie të brendshme, kanë pasur vështirësi të konkurrojnë me EV-të kineze, që janë me kosto të ulët dhe cilësi të lartë.

Propozimi i rishikuar do t’i detyrojë prodhuesit të arrijnë reduktimin e 90% të emetimeve të flotës krahasuar me nivelin e vitit 2021. Kjo do të thotë se shumica e automjeteve do të jenë plotësisht elektrike. Por gjithashtu lejon hapësirë për hibride duke përfshirë ato me opsion plug-in dhe automjete me karburant.

Ferdinand Dudenhöffer, drejtori i Qendrës për Kërkimin Automobilistik në Bochum, Gjermani, tha se sheh industrinë globale të ndahen në tre pjesë – një në Shtetet e Bashkuara, plotësisht mbështetëse e makinave me benzinë e naftë; një në Kinë, e fokusuar tërësisht në EV; dhe një tjetër në Europë, ku politikat tani janë të paqarta. Ai tha se prodhuesit kinezë do të përfitojnë më së shumti nga kjo dinamikë, sepse tregu kinez tejkalon atë amerikan dhe europian dhe duket se do të vazhdojë të rritet dhe të elektrifikohet.

Tregjet amerikane dhe europiane kanë pasur vështirësi të shkëputen nga automjetet me djeguie sepse motorët me djegie të brendshme kanë marzh më të lartë fitimi. Por kjo strategji i vendos ata në një pozicion të vështirë afatgjatë.

“Në të ardhmen, Kina do të vendosë rregullat e industrisë automobilistike,” tha Dudenhöffer.

Me një leje për të vazhduar prodhimin e makinave me benzinë, ai tha se prodhuesit perëndimorë “fitonin një përfitim afatshkurtër. Por në plan afatgjatë, ata humbasin shumë. Avantazhet e prodhuesve kinezë do të rriten gjithnjë e më shumë.”

Ford, në njoftimin e saj, tha se po kërkonte “mundësi me kthim më të lartë” duke zgjeruar opsionet me benzinë dhe hibride. Ajo tha se do të prodhojë një kamion me benzinë në një fabrikë në Tennessee, ndërsa pezullon prodhimin e EV-së kryesore, F-150 Lightning.

Prodhues të tjerë si Volvo dhe Porsche gjithashtu kanë tërhequr planet më ambicioze për EV. Më herët këtë vit, Stellantis, që përfshin markat Jeep dhe Fiat, ka ndryshuar drejtimin duke u larguar nga planet për të qenë plotësisht elektrik në Europë deri në 2030.

Ndalimi i automjeteve me benzinë e naftë ishte një komponent kryesor i planit të Europës për klimën, i prezantuar katër vite më parë, ndërsa zyrtarët e quajtën një “detyrë të brezave” për të shpëtuar planetin. Në atë kohë, udhëheqësit e BE-së thanë se kishin vendosur industrinë e makinave të kontinentit që përbën 7% të PBB-së së Europës në krye të inovacionit duke krijuar një objektiv të qartë për të ardhmen.

Por prodhuesit e mëdhenj të makinave, përfshirë Mercedes-Benz, Volkswagen dhe BMW, kanë parë vlerat e tyre të tregut të bien ndjeshëm. Në një gabim strategjik, EV-të që ata prodhuan zakonisht ishin të segmentit të lartë, jo për masën. Ndërkohë, udhëheqësit në Gjermani dhe Itali përshkruan objektivin e vitit 2035 si një rrezik për vendet e punës europiane.

“Një kufizim kaq i rreptë në 2035 nuk do të ndodhë, nëse është për mua,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz./Washington Post – Gazetasi.al

The post Tregu i makinave bën ‘indietro’. Europa i rikthehet mjeteve me naftë e benzinë appeared first on Gazeta Si.

83% e mjeteve të reja që regjistrohen në Shqipëri janë të përdorura

27 December 2025 at 12:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), nga janari deri në nëntor të këtij viti shqiptarët kanë regjistruar gjithsej 5.312 mjete elektrike, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 70%. Megjithatë, pavarësisht këtij ritmi të lartë rritjeje, pesha e mjeteve elektrike në flotën e re mbetet ende e ulët, pasi ato përbëjnë vetëm rreth 6% të regjistrimeve të reja.

Tregu i mjeteve elektrike në Shqipëri dominohet nga marka kineze, BYD me mbi 2.800 mjete elektrike aktive në qarkullim, duke u pozicionuar ndjeshëm përpara konkurrencës. Në vend të dytë renditet Volkswagen, por me një diferencë të konsiderueshme, me vetëm 982 mjete elektrike aktive.

Në total, gjatë 11 muajve të parë të vitit, në Shqipëri janë regjistruar mbi 89 mijë mjete të reja. Pjesa dërrmuese e tyre janë mjete me naftë, rreth 53.5 mijë njësi, ndërsa struktura e tregut vijon të dominohet nga automjetet e përdorura. Sipas shifrave zyrtare, rreth 83% e mjeteve të regjistruara janë të përdorura, kryesisht të importuara nga tregjet e Bashkimit Europian.

Sa i përket markave, Volkswagen kryeson listën e regjistrimeve totale me rreth 17 mijë mjete të reja, i ndjekur nga Mercedes-Benz me rreth 12.6 mijë mjete. Kjo pasqyron një treg që mbetet i orientuar drejt automjeteve tradicionale me karburant fosil, pavarësisht përpjekjeve për diversifikim.

Edhe pse vitet e fundit kanë pasur nisma nga qeveria për ta orientuar Shqipërinë drejt një transporti më të qëndrueshëm dhe “të gjelbër”, në praktikë transformimi ka qenë i ngadaltë. Aktualisht, mjetet elektrike përdoren kryesisht nga kompanitë e taksive, ndërsa adoptimi nga familjarët mbetet i kufizuar, për shkak të kostove fillestare, mungesës së infrastrukturës së karikimit dhe pasigurisë mbi kostot afatgjata.

Situata është komplikuar edhe më tej pas vendimit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i cili dyfishoi çmimin e energjisë për karikimin e mjeteve elektrike, nga 11 në 22 lekë për kilovat-orë. Ky vendim u kundërshtua nga shoqatat e taksive, të cilat kërkuan pezullimin e tij, por pa sukses. Kritikat janë përqendruar në faktin se rritja e kostos së karikimit bie në kundërshtim me politikat e deklaruara për nxitjen e përdorimit të mjeteve elektrike. Qeveria ka paralajmëruar plane për ndërtimin e kullave të karikimit me çmime preferenciale për familjarët, si një përpjekje për të nxitur përdorimin individual të mjeteve elektrike.

Nga ana tjetër një vendim i qeverisë pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në tregun e mjeteve në vend. Pak ditë më parë u vendos rritja e cmimeve për zhdoganimin e mjeteve, me tarifa tavan pëër të shmangur nëndeklarimet dhe evazionin. Po ashtu, kjo lëvizje pritet të sjellë rritje cmimesh edhe për blerësit, duke cuar në një “korrigjim” të tregut, që vitet e fundit përjetoi një turbo.

The post 83% e mjeteve të reja që regjistrohen në Shqipëri janë të përdorura appeared first on Gazeta Si.

Projektligji i SHBA-së për Shqipërinë dhe Ballkanin: Të nxjerrim lidera të rinj dhe të luftojmë korrupsionin!

27 December 2025 at 10:24

Nga Gazeta ‘SI’ – Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar një projektligj të ri të quajtur “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, i cili synon forcimin e demokracisë, rritjen e tregtisë dhe investimeve, si edhe zgjerimin e mbështetjes politike amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Projektligji është depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve dhe përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë, duke e cilësuar rajonin si strategjik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Europës.

Dokumenti parashikon forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit përmes mbështetjes për sistemin e drejtësisë, transparencën në prokurimet publike dhe mbrojtjen e mediave të pavarura. Një tjetër objektiv kryesor është rritja e tregtisë dhe investimeve amerikane në rajon, veçanërisht në sektorë si energjia e pastër, infrastruktura, bujqësia, teknologjia dhe bizneset e vogla.

Projektligji synon gjithashtu uljen e varësisë nga energjia ruse duke nxitur diversifikimin energjetik dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme, si edhe parashikon kodifikimin e sanksioneve amerikane ndaj individëve dhe subjekteve që minojnë stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus është edhe ndikimi destabilizues rus dhe kinez, për të cilin kërkohen raporte të detyrueshme mbi fushatat e dezinformimit, ndërhyrjet politike dhe kërcënimet kibernetike. Projektligji parashikon mbështetje për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale në vendet e rajonit, si edhe zgjerimin e programeve arsimore dhe shkëmbimeve ndërkombëtare, përfshirë universitetet, Peace Corps dhe nisma për të rinjtë.

Një element i veçantë është krijimi i programit “Young Balkan Leaders Initiative”, i cili synon zhvillimin e liderëve të rinj të moshës 18 deri në 35 vjeç në fushat e biznesit, teknologjisë, qeverisjes dhe gazetarisë. Po ashtu, projektligji riafirmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO të vendeve që përmbushin kriteret.

Edhe pse projektligji nuk përmend raste apo emra konkretë për Shqipërinë, vendi përfshihet qartësisht në analizën dhe politikat amerikane për Ballkanin Perëndimor. Kongresi amerikan e identifikon korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta politike, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.

The post Projektligji i SHBA-së për Shqipërinë dhe Ballkanin: Të nxjerrim lidera të rinj dhe të luftojmë korrupsionin! appeared first on Gazeta Si.

Zgjedhjet në Kosovë, sot voton Diaspora

27 December 2025 at 10:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Prej orës 7:00 të mëngjesit e deri në orën 19:00 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në përfaqësitë e ndryshme diplomatike, diaspora po voton për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.

Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të huaja.

Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike.

Por, gjithsej 42 për qind e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje ishin të pamjaftueshme që kjo parti, e cila ka qenë në pushtet e vetme që nga viti 2021, të qeverisë sërish vetë.

Dhe, pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar e dështimit të dy mandatarëve për kryeministër për të siguruar vota të mjaftueshme për formimin e një qeverie të re, 28 dhjetori u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.

Për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 votues, nga gjithsej mbi dy milionë qytetarët me të drejtë vote në këto zgjedhje.

Gjithsej numri i diasporës që është regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë është pak mbi 77 mijë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për votim do të vlejnë dokumentet identifikuese me afat të skaduar.

Por, askush që është regjistruar për të votuar nga diaspora nuk do të mund të votojë fizikisht në Kosovë të nesërmen, më 28 dhjetor, pasi që emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend.

The post Zgjedhjet në Kosovë, sot voton Diaspora appeared first on Gazeta Si.

Trump dhe Zelensky do të takohen këtë të dielë në Florida

27 December 2025 at 10:01

Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se do të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump në Florida të dielën, ndërsa vazhdojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës në shkallë të plotë të Rusisë.

Zelensky tha se donte të përqendrohej në një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe propozime të ndara për garancitë e sigurisë së SHBA-së. Por një zyrtar i lartë rus tha se plani ishte “rrënjësisht i ndryshëm” nga ai që Rusia po negocionte me SHBA-në.

Kremlini nuk ka komentuar ofertën e Zelensky-t për të tërhequr trupat nga rajoni lindor i Donbasit të Ukrainës, nëse edhe Rusia tërhiqet

Gjatë natës, të paktën pesë persona u plagosën në kryeqytet, Kiev, në një valë të re sulmesh ajrore ruse, tha kryebashkiaku. Një person tjetër u plagos në rajonin e Kievit.

Majori i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës po e zmbrapsnin sulmin, me dëshmitarë okularë që raportuan shpërthime në qytet.

Sulmi rus vazhdoi të shtunën në mëngjes, me forcat ajrore të Ukrainës që paralajmëruan se një kërcënim me dronë dhe raketa është në fuqi për të gjithë vendin.

Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Presidenti i Ukrainës u takua për herë të fundit me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në tetor.

Ukraina është përpjekur të sigurojë garanci nga SHBA-të si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, dhe Zelensky ka sugjeruar që një “zonë e lirë ekonomike” e demilitarizuar është një mundësi e mundshme për zonat e Donbasit që Rusia nuk ka arritur t’i marrë me forcë.

Të premten, Zelensky u tha gazetarëve se plani 20-pikësh ishte 90% i përfunduar: “Detyra jonë është të sigurohemi që gjithçka është 100% gati.”

The post Trump dhe Zelensky do të takohen këtë të dielë në Florida appeared first on Gazeta Si.

E shtuna do të jetë me mot të kthjellët

27 December 2025 at 09:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Për ditën e shtunë, më 27 dhjetor, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Sipas parashikimeve, moti do të jetë kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësira të pakta dhe kalimtare priten në relievet malore në lindje të vendit.

Gjatë orëve të mëngjesit dhe të mbrëmjes do të ketë prani të mjegullës së dendur dhe mjegullinës, kryesisht në zonat luginore, çka mund të ndikojë në shikueshmëri. Po ashtu, parashikohet prezencë e ngricave përgjatë akseve rrugore, veçanërisht në zonat malore, ndaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriu, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 10 m/s. Në det, valëzimi do të jetë i ulët, i forcës 1 deri në 3 ballë.

The post E shtuna do të jetë me mot të kthjellët appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Denoncimi: Kompanitë shqiptare të bulmetit po blejnë qumësht me aflatoksinë për çmim më të lirë

26 December 2025 at 21:02

Nga Gazeta ‘SI’- Kryetari i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, ka ngritur alarmin për një praktikë shqetësuese që, sipas tij, po zbatohet nga kompanitë e përpunimit të qumështit në vend. Në një komunikim të drejtpërdrejtë me fermerët, Resuli thotë se ka mësuar se këto kompani kërkojnë të blejnë qumështin që rezulton me prani aflatoksine, por me një çmim më të ulët.

Sipas tij, qumështi i kontaminuar blihet rreth 5 lekë për litër më lirë, ndërsa ajo që mbetet e paqartë dhe thellësisht shqetësuese është destinacioni final i këtij produkti dhe mënyra se si trajtohet më pas.

“Një praktikë e shëmtuar dhe diskriminuese po zhvillohet muajt e fundit nga industria e përpunimit të qumështit, duke shtypur blegtorin shqiptar dhe duke e çuar atë drejt falimentimit. Në rastet kur qumështi rezulton me aflatoksinë, praktika e industrisë është e thjeshtë: ‘ua marrim me 5 lekë më pak’”, shprehet Resuli.

Ai thekson se kjo mënyrë veprimi ngre pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore dhe transparencën e tregut. “Pyetja kryesore është nëse qumështi me aflatoksinë hidhet realisht në qarkullim për qytetarët dhe fëmijët, apo nëse kjo përdoret si një justifikim për të mashtruar blegtorët dhe për t’ua ulur çmimin e blerjes”, shton ai.

Në këtë kuadër, Resuli u bën thirrje publike Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që të ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa ndaj kësaj praktike, të cilën ai e cilëson si të padrejtë dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin publik.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh duke pasur parasysh faktin se gjatë viteve të fundit AKU ka konstatuar raste kur kompani të përpunimit të qumështit kanë hedhur në treg produkte bulmeti me përmbajtje aflatoksine, një toksinë kancerogjene që dëmton organet jetësore të njeriut.

Po ashtu, raste të përsëritura janë evidentuar edhe në tregtimin e fruta-perimeve, ku janë gjetur mbetje substancash toksike të dëmshme për konsumatorët, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit ushqimor në vend.

The post Denoncimi: Kompanitë shqiptare të bulmetit po blejnë qumësht me aflatoksinë për çmim më të lirë appeared first on Gazeta Si.

SHBA mesazh Kosovës: S’ka shëmbim territoresh dhe rivizatim kufijsh!

26 December 2025 at 20:47

Nga Gazeta ‘SI’ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur një qëndrim të qartë dhe të palëkundur lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Aktit të Demokracisë për Ballkanin Perëndimor.

Një nga mesazhet kyçe të këtij akti lidhet me refuzimin e qartë të çdo politike që synon shkëmbime territoresh apo rivizatime kufijsh. SHBA bën të ditur se nuk do të ndjekë dhe as do të mbështesë iniciativa që promovojnë ndarjen territoriale apo ndryshimin e kufijve mbi baza etnike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ky akt e pozicionon dialogun mes dy vendeve brenda një kuadri politik që refuzon kategorikisht çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.

Po ashtu, dokumenti thekson rëndësinë e mbështetjes së demokracive pluraliste në rajon, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e tensioneve dhe konflikteve etnike që kanë shënuar të kaluarën e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni rithekson se një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila shihet si themel i paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

SHBA u bën gjithashtu thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përparojnë sa më shpejt në zbatimin e Aneksit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, duke nënvizuar se progresi konkret në këtë drejtim do të hapte rrugën për një angazhim më të madh amerikan në fazat e ardhshme.

The post SHBA mesazh Kosovës: S’ka shëmbim territoresh dhe rivizatim kufijsh! appeared first on Gazeta Si.

Dy adoleshentet në Tiranë largohen nga shtëpia, prindërit njoftojnë policinë

26 December 2025 at 18:42

Nga Gazeta ‘SI’ – Dy prindër kanë kallëzuar në polici largimin nga banesa të vajzave të tyre të mitura, përkatësisht 15 dhe 16 vjeçe, në Tiranë.

Shtetasi F. M. dhe shtetasja A. C. kanë bërë denoncimet pranë autoriteteve.

Policia po punon për gjetjen e adoleshenteve dhe sqarimin e rrethanave të largimit.

The post Dy adoleshentet në Tiranë largohen nga shtëpia, prindërit njoftojnë policinë appeared first on Gazeta Si.

Çmimi i bakrit arrin nivel rekord

26 December 2025 at 11:15

Bakri arriti një çmim rekord, duke kaluar për herë të parë pragun prej 12.000 dollarësh për ton, pasi shqetësimet për tarifat amerikane dhe mundësinë e mungesave nxitën një rritje që vazhdon që nga tetori.

Ky metal industrial, i cili shihet si tregues i shëndetit të ekonomisë globale, u rrit mbi 1%, duke arritur deri në 12.160 dollarë për ton gjatë ditës në Londër, përpara se të zbriste përsëri rreth 12.065 dollarë.

Ari dhe argjendi gjithashtu u rritën në nivele të reja rekord, të nxitura nga tensionet gjeopolitike dhe pritshmëritë që Rezerva Federale e SHBA-së do të ulë normat e interesit vitin e ardhshëm.

Çmimet e rritura të bakrit po “nxiten nga pritshmëritë për mbështetje të mëtejshme të ekonomisë në Kinë”, tha John Meyer, analist në firmën konsulente SP Angel. Ai shtoi se një dollar më i dobët amerikan po rritte gjithashtu çmimet e metaleve të çmuara dhe bazike.

Ky metal i kuq ka shënuar një seri rritjesh rekord që nga tetori, kur incidente serioze në miniera të mëdha ndikuan në prodhim dhe shkaktuan frikë për mungesa të furnizimit. Edhe më parë, analistët prisnin që mungesat të shfaqeshin në vitet e ardhshme për shkak të rritjes së kërkesës.

“Edhe në një botë me rritje prej 2% të PBB-së globale, ne do të prisnim deficit të konsiderueshëm në tregun e bakrit gjatë vitit të ardhshëm,” thanë analistët e Jefferies këtë javë.

Rritja e fundit është nxitur edhe nga shqetësimet në rritje për mundësinë që administrata e Presidentit Donald Trump të vendosë tarifa shtesë për importin e bakrit vitin e ardhshëm. Tarifat aktuale nuk prekin katodat e bakrit, por shqetësimet se tarifat e ardhshme mund të ndikojnë kanë nxitur tregtarët të dërgojnë sasi të mëdha drejt SHBA-së.

Sasi të mëdha janë grumbulluar tashmë këtë vit në SHBA, dhe fluksi i vazhdueshëm në këtë drejtim mund të “shtypë furnizimin lokal në Kinë dhe në pjesë të tjera të botës”, tha Meyer.

Bakri është në rrugën për të shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga viti 2009, pasi ka shënuar një rritje prej 37% deri më tani në 2025./FinancialTimes

The post Çmimi i bakrit arrin nivel rekord appeared first on Gazeta Si.

180 mln euro për rijetëzimin e minierave në vend. Qeveria kërkon rikthimin e ekspertëve të ikur

26 December 2025 at 11:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Me anë të një ligji që ndodhet aktualisht në proces konsultimi, qeveria shqiptare synon të rijetëzojë sektorin minerar, duke e kthyer atë në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare.

Strategjia për sektorin minerar 2026–2040 parashikon fillimisht përmirësimin e kuadrit ligjor, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive institucionale dhe funksionale, si dhe rregullimin e çdo hallke të zinxhirit minerar përmes licencave të posaçme. Synimi kryesor është krijimi i një sektori minerar të sigurt, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.

Deri në 2030, qeveria parashikon që të paktën 30% e xeherorit të kromit, bakrit dhe nikelit të përpunohet brenda territorit shqiptar, si rezultat i investimit në fabrika e rafineri.

Sipas draftit, sektori minerar në Shqipëri përballet aktualisht me problematika serioze, si niveli i lartë i aksidenteve në punë, ndotja mjedisore nga zonat historike minerare, mungesa e rehabilitimit dhe mbikëqyrja institucionale e fragmentuar. Këto faktorë e mbajnë sigurinë teknike dhe mbrojtjen e mjedisit nën mesataren evropiane.

Një tjetër fokus i strategjisë është rigjallërimi i arsimit profesional dhe universitar në degët që lidhen me sektorin minerar. Parashikohet rikthimi i ekspertëve nga diaspora, zbatimi i programeve të mentorimit dhe përmirësimi i shkollave profesionale, me synim përgatitjen e profesionistëve të aftë për të përballuar transformimin teknologjik të industrisë minerare.

Risi e rëndësishme e reformës është edhe ndërtimi i një databaze kombëtare të integruar dhe dixhitale, e cila do të përfshijë të gjitha të dhënat minerare dhe gjeologjike të vendit, duke rritur transparencën, kontrollin dhe efikasitetin në menaxhimin e burimeve natyrore.

Sipas vlerësimeve paraprake, zbatimi i kësaj strategjie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 55 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme dhe të paktën 114 milionë euro-180 mln deri vitin 2040, në varësi të skenarëve të zhvillimit.

The post 180 mln euro për rijetëzimin e minierave në vend. Qeveria kërkon rikthimin e ekspertëve të ikur appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Vendet më të mrekullueshme në botë, ku mund t’i faleni Zotit

25 December 2025 at 13:27

Bordi i Financial Times ka publikuar një listë të vendeve më të magjishme në botë, ku mund të gjeni Zotin. Pavarësisht besimit, këto objekte fetare nga Lindja në Perëndim të tregojnë se besimi vjen në forma të ndryshme.

Manastiri Saghmosavank, Armeni

Kisha e San Giovanni Battista, Mogno, Zvicër

Manastiri Hozoviotissa, Amorgos, Greqi

Pavilioni Khuha Kharuehat, Phraya Nakhon Cave, Tajlandë

Manastiri Vatopedi, Mali Athos, Greqi

Kapela Otaniemi, Espoo, Finlandë

Xhamia Ibn Tulun, Kajro, Egjipt

Sinagoga e Madhe e Edirnesë, Edirne, Turqi

Pagoda Shwedagon, Yangon, Mianmar

Kisha e Të Gjithëve Shenjtë – Tudeley, Mbretëri e Bashkuar

Katedralja e Sienës, Toskani, Itali

Komplekset e tempullit Borobudur, Java Qendrore, Indonezi

Komplekset e tempullit Borobudur, Java Qendrore, Indonezi

The post Vendet më të mrekullueshme në botë, ku mund t’i faleni Zotit appeared first on Gazeta Si.

Sa shpenzojnë europianët për Krishtlindje?

25 December 2025 at 12:59

Shpenzimet e Krishtlindjes në Europë u rritën në 2025 ndërsa inflacioni ngriti çmimet dhe rregullatorët ashpërsuan standardet e sigurisë për lodrat.

Gjermania pritet të bëhet vendi që shpenzon më shumë në Bashkimin Evropian gjatë sezonit festiv, sipas të dhënave nga platforma Statista.

Në vitin 2025, shpenzimet me pakicë gjatë sezonit të Krishtlindjes pritet të arrijnë rreth 85.24 miliardë euro në Gjermani.

Franca vjen në vend të dytë me një vlerësim prej 71.65 miliardë euro, ndërsa Italia me mbi 43 miliardë euro.

Në Europën më të gjerë, Mbretëria e Bashkuar kryeson listën, me një sondazh të PwC që parashikon një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024, pavarësisht nisjes së ngadaltë të shitjeve festive.

Megjithatë, dhuratat e këtij viti mund të jenë më të shtrenjta, pasi inflacioni vjetor i eurozonës u vlerësua të ishte 2.2% në nëntor 2025, sipas Eurostat, nga 2.1% një muaj më parë.

“Shpenzimet festive pritet të reflektojnë një mendësi të kujdesshme, e karakterizuar nga ndjeshmëria ndaj çmimeve dhe preferenca për kënaqësi të përballueshme,” deklaroi Mastercard Economics Institute në parashikimin e tij të fundit.

Cilët janë dhuratat më të njohura në BE?

Bukuria, moda dhe elektronika janë ndër kategoritë më të preferuara të dhuratave gjatë këtij sezoni festiv, sipas institutit ekonomik.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024, çekët shpenzuan më shumë për kozmetikë, ndërsa polakët preferuan bizhuteri dhe orë dore.

Ndërkohë, spanjollët investuan më shumë në gjëra të përdorura, ndërsa italianët në pajisje shtëpiake.

Çekët gjithashtu shpenzuan më shumë për lojëra dhe lodra krahasuar me të gjithë evropianët.

Vit i kaluar, kozmetika dhe lodrat ishin produktet që shpesh raportohej për probleme sigurie në BE, me përbërës kimikë të identifikuar si shkaku kryesor i rrezikut në gati gjysmën e këtyre njoftimeve.

Toy Industries of Europe (TIE), një shoqatë tregtare për industrinë evropiane të lodrave, hulumtoi 70 lodra nga faqet e para të rezultateve të kërkimeve në shtatë platforma kryesore online që dorëzonin në Belgjikë dhe Francë.

Rreth 96% e tyre nuk përputheshin me kërkesat e sigurisë të BE-së, dhe 86% kishin probleme serioze sigurie, si pjesë të vogla që mund të shkaktojnë mbytje, magneta të fuqishme dhe bateri me akses të lehtë.

Në tetor të këtij viti, Këshilli Evropian miratoi rregulla të reja për të rregulluar sigurinë e lodrave, duke futur një pasaportë dixhitale për të gjurmuar më mirë lodrat e shitura online dhe duke ndaluar përdorimin e substancave kimike të dëmshme për fëmijët./Euronews

The post Sa shpenzojnë europianët për Krishtlindje? appeared first on Gazeta Si.

❌
❌