Studimi: Lidhjet që fillojnë në vjeshtë kanë më shumë gjasa të mbijetojnë!
Edhe pse dashuria mund të lindë në çdo stinë të vitit, pyetja që lind shpesh është nëse ekziston një periudhë kur ajo lulëzon më shumë dhe ka më shumë gjasa të zgjasë. Romantikët do të këmbëngulnin se ndjenjat nuk njohin kalendar, por studimet shkencore sugjerojnë se stinët ndikojnë më shumë sesa mendojmë në zgjedhjet tona emocionale.
Sipas një analize të publikuar nga Facebook Data Science, e cila ka shqyrtuar ndryshimet e statusit sentimental të miliona përdoruesve, rezulton se pikërisht gjatë muajve të vjeshtës shënohet një rritje e ndjeshme e personave që kalojnë nga “beqar” në “në një lidhje” apo “të fejuar”. Kjo periudhë duket se shoqërohet me një nevojë më të madhe për stabilitet, afërsi dhe lidhje emocionale.
Në të njëjtën linjë, një studim i realizuar nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong tregon se rënia e temperaturave ndikon drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si funksionojnë ndjenjat tona. Sipas studiuesve, kur moti ftohet, njerëzit kanë më shumë tendencë të kërkojnë “ngrohtësi” emocionale, duke u afruar me dikë dhe duke ndërtuar lidhje më të qëndrueshme.
Ekspertët shpjegojnë se ekziston një lidhje e fortë mes ndjesive fizike dhe atyre psikologjike: i ftohti, ditët më të shkurtra dhe atmosfera më intime e stinëve të vjeshtës dhe dimrit nxisin dëshirën për shoqëri, siguri dhe përkatësi. Kjo vlen si për burrat, ashtu edhe për gratë, të cilët në këto muaj priren të jenë më të hapur ndaj lidhjeve serioze.
Pra, edhe pse dashuria nuk ka stinë të caktuar, duket se vjeshta dhe dimri krijojnë kushtet ideale që ajo të marrë formë, të thellohet dhe të zgjasë më gjatë.
The post Studimi: Lidhjet që fillojnë në vjeshtë kanë më shumë gjasa të mbijetojnë! appeared first on iconstyle.al.