Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Imzot Dodaj: Krishtlindja, përvoja e daljes nga errësira

24 December 2025 at 11:57

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kjo Krishtlindje ka bërë bashkë, në një frymë vëllazërore, gjithe ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilët iu drejtuan popullit shqiptar me një mesazh dashurie dhe shprese.

Mesazhi i kësaj Krishtlindjeje u përcoll nga ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, arqipeshkvi i Shkodër-Pult, imzot Giovanni Peragine, imzot Arjan Dodaj, arqipeshkvi i Tiranë-Durrës dhe imzot Ottavio Vitale, ipeshkvi i Lezhës.

“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe dhe mbi këtë luginë të errët shndriti drita e fuqishme. E ke shumuar gëzimin, e ke rritur harenë”, me këto vargje të profetit Isaia, kapitulli 9, arqipeshkvi Arjan Dodaj, nisi mesazhin e tij drejtuar besimtarëve katolikë në këtë prag Krishtlindjeje.

Për imzot Dodaj, përvoja e Krishtlindjes është përvoja e daljes nga një errësirë.

“Zoti nëpërmjet ofertës së tij, shndrit në jetën tonë dhe përballë këtij grazhdi në Betlehem, ku jemi të gjithë të ftuar të kremtojmë e festojmë, le të sodisim këtë Zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë”, tha arqipeshkvi Dodaj.

Kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, ftoi besimtarët të bëjnë të mundur që, “edhe Kisha jonë të mbushet me dritën hyjnore të Jezusit, populli ynë të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi e çdo mungese shprese”.

Në mesazhin e përbashkët të ipeshkvijve kujtohet edhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Sapës i cili u nda nga jeta së fundmi. Simon Kulli ishte një ndër katër priftërinjtë e parë shqiptarë të shuguruar pas diktaturës komuniste në Shqipëri.

/a.f/

The post Imzot Dodaj: Krishtlindja, përvoja e daljes nga errësira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Zemra e Shenjtë e Krishtit” kremton sot 86-vjetorin e meshës së parë

24 December 2025 at 11:13

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Vigjiljen e Krishtlindjes së vitit 1939, u përurua Kisha e Etërve Jezuitë të Tiranës, kushtuar “Zemrës së Shenjtë të Krishtit”.

Kjo kishë katolike e ritit latin, është e vendosur në rrugën e Kavajës, në perëndim të Sheshit Skënderbej. Ndërtimi i saj kishte nisur që në vitin 1938, me arkitektin Giovanni Santi (1901-1983). Santi ishte një arkitekt italian, i mirënjohur për kishat e tij moderniste në Friuli Venezia Giulia dhe për punën e tij në Tiranë, me porosi të Jezuitëve. Karriera e tij përfshinte konkurse për projekte të rëndësishme fetare, të ndikuara nga tendencat moderniste. Me përurimin e “Zemra e Shenjtë e Krishtit”,  ajo u bë një nga tre kishat katolike të Tiranës në epokën parakomuniste.

Me shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë në botë ateist, dhe me goditjen ndaj klerit, kisha u transformua, në vitin 1976, në kinoteatrin “Rinia”.  Në strukturën e fasadës u bënë ndërhyrje, për t’iu përshtatur funksionit të ri.

Me rënien e regjimit diktatorial, kishës iu rikthye fasada e mëparshme. Dyert e saj u rihapën për besimtarët në vitin 1991. Në vitin 1997, në këtë kishe u mbajt një meshë përshpirtjeje për humanisten shqiptare, Nënë Terezën.

/a.f/

The post “Zemra e Shenjtë e Krishtit” kremton sot 86-vjetorin e meshës së parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Memoriali”, mbi 250 ndërhyrje të avancuara për sëmundjet vaskulare të trurit gjatë 2025

24 December 2025 at 09:56

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, vazhdojnë të realizohen me sukses procedura nga më të avancuarat sa i përket sëmundjeve vaskulare të trurit.

Prej më shumë se tre vitesh, në këtë spital, është ngritur një nga shërbimet më moderne për diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve vaskulare të trurit.

Gjatë vitit 2025, janë kryer mbi 250 procedura me rezultate të suksesshme, falë teknologjisë së përparuar dhe aparaturave të imazherisë së gjeneratës së fundit, ku ekipi mjekësor arrin të diagnostikojë në kohë, duke realizuar ndërhyrjen e menjëhershme dhe jetëshpëtuese.

DSA-ja cerebrale i lejon mjekët të shohin me saktësi enët e gjakut të trurit dhe të identifikojnë aneurizmat, stenozat dhe çdo problem tjetër që mund të çojë në komplikacione serioze për jetën e pacientit.

Ndërkohë, prej një viti në këtë spital realizohet procedura e trombektomisë mekanike e cila është trajtimi më efektiv i goditjeve ishemike në tru. Me anë të katetereve arrihet ena e gjakut e bllokuar dhe realizohet heqja e gjakut të mpiksur duke i dhënë pacientit mundësinë e një rikuperimi të plotë. Mjekët shpjegojnë se, kjo është një ndërhyrje që shpëton jetë dhe ul ndjeshëm pasojat e invaliditetit.

/a.f/

The post “Memoriali”, mbi 250 ndërhyrje të avancuara për sëmundjet vaskulare të trurit gjatë 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krishtlindja tek arbëreshët, nga festa tek gatimet dhe liturgjia në dy gjuhë

24 December 2025 at 09:06

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Komuniteti arbëresh në Itali, ashtu siç ka ruajtur gjuhën për më tepër se 500 vjet, ka ruajtur edhe traditat e zakonet, sa i përket festave tradicionale dhe atyre fetare.

Krishtlindja, për këtë komunitet të krishterësh, është një nga festat më të rëndësishme të vitit.

Lucia Martino, një aktiviste e komunitetit arbëresh, shkrimtare dhe promovuese e e kuzhinës arbëreshe në botë, rrëfeu për ATSH-në traditën e pritjes së Krishtlindjes nga ky komunitet.

“Për ne Krishtlindja është një festë shumë e rëndësishme. Fillimisht bëjmë pemën, skenën e lindjes së Krishtit me grazhdin. Me këtë rast komuniteti merr pjesë në lutjet e përsëritura 9-ditore, (le novene) përmes të cilave i kërkohet Zotit të të plotësojë një dëshirë. Krishtlindja është edhe një rast për t’u lidhur më shumë mes arbëreshëve”, thote Lucia.

Këto ditë që i paraprijnë festës, këndohen këngët për Krishtin e sapolindur, në mënyrë rigoroze vetëm në gjuhën arbëreshe. Duke filluar nga data 23 dhjetor, veçanërisht në familjet e mëdha, njerëzit mblidhen për të përgatitur ëmbëlsirat e Krishtlindjes (scalette, crustuli etj). Lucia rrëfen se, kryesisht, ëmbëlsirat e Krishtlindjes përgatiten përmes skuqjes në vaj, ndërsa ato të Pashkës piqen në furrë.

“Natën që i paraprin Krishtlindjes, përgatitet tryeza duke u bazuar tek tradita, sipas të cilës duhen ngrënë 9 asortimente të ndryshme. Në këtë natë, gjithçka duhet të jetë pa mish. Dikur përgatiteshin spagetit me thërrmija buke dhe açuge, një kuzhinë e varfër por plot shije, e cila ndiqet edhe sot e kësaj dite”, shpjegon Lucia Martino e cila është mjeshtre e gastronomisë arbëreshe dhe ka shkruar disa libra në mënyrë që kultura e gatimit arbëresh të mos humbasë.

Një pjatë që nuk mungon në vigjilje të festës, është merluci i tharë (baccala’), gjithashtu rrepka, brokoli dhe peshq të vegjël të fërguar, por jo të kushtueshëm, duke bërë një lidhje me familjen e Nazaretit dhe Krishtin që lindi në varfëri. Gjithashtu vihen në tavolinë edhe ëmbëlsirat të cilat do të shoqërojnë të gjithë periudhën festive.

“Në familjen time, për Krishtlindje nuk kanë munguar kurrë petullat, të cilat i keni edhe ju”, rrëfen Lucia Martino. Më tej, ajo vijon me ëmbëlsirën tipike që hahet në vigjilje dhe quhet giuggiulena (ëmbëlsira të ngjashme me karamelet me fara susami, bajame e mjaltë).

Ndërkohë dreka e Krishtlindjes përgatitet me makarona shtëpie, kec me patate në furrë, fruta dhe ëmbëlsirat që ishin përgatitur më herët. Ndërsa panettone ka hyrë më vonë në traditën e tryezës arbëreshe.

E pyetur mbi besimin fetar, Lucia tregon se, arbëreshët janë katolikë, në kuptimin që varen nga papa. “Por ne ndjekim ritin bizantin dhe Eparkia jonë e Ungrës (Eparchia di Lungro) është njohur që në vitin 1919. Ne kremtojmë me liturgjinë tonë në gjuhën arbëreshe ose greqisht”, thotë Lucia Martino.

Në fakt, më shumë se 1 shekull më parë, Vatikani i kushtoi vëmendje më të madhe situatës së besimtarëve të ritit bizantin për shkak të kërkesave të tyre të vazhdueshme për emërimin e një peshkopi në Kalabri dhe një tjetër në Siçili, me kompetenca të plota territoriale.

1 nga 4
Lucia Martino - Aktiviste e komunitetit arbëresh

/a.f/

The post Krishtlindja tek arbëreshët, nga festa tek gatimet dhe liturgjia në dy gjuhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”

23 December 2025 at 16:25

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vlerësoi Rita Petron me çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”.

Petros iu dorëzua çmimi nga poeti e shkrimtari Primo Shllaku. Vlerësimi shkon përtej suksesit personal dhe shënon një moment të rëndësishëm për letërsinë shqipe bashkëkohore.

“Mendoj që kjo lloj poezie të shkojë sidomos tek të rinjtë, sepse duke qenë brenda programeve shkollore, unë e di që aty janë të kufizuara dhe në përgjithësi bëhet poezia e traditës. Kështu që kurset e hapura dhe punëtoritë me studentë dhe ata që duan të shkruajnë, por edhe kurset e hapura e leximet e hapura dhe për ata që duan të krijojnë bashkëbisedim, sepse në fund të fundit, poezia na zhvesh nga komplekset”, u shpreh poetja Rita Petro.

Misioni i çmimit “Poeti Laureat” është të nderojë autorë që, përmes fjalës poetike të pasurojnë gjuhën artistike dhe mbajnë gjallë dialogun mes letërsisë dhe shoqërisë. Ky çmim i jep poezisë një hapësirë më të madhe në vëmendjen publike dhe rikujton se fjala poetike mbetet një mjet i fuqishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi. /j.p/

The post Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

50-vjetori i animacionit shqiptar

23 December 2025 at 15:58

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Animacioni shqiptar i ka fillesat e tij 50 vjet më parë.

Në një aktivitet përkujtimor në nderim të animacionit dhe atyre që kontribuan në realizimin e këtij arti, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ndihmoi me dokumente arkivore dhe pamje filmike.

Kreu i AQSHF, Eljan Tanini, e konsideroi këtë jubile të artit tonë pamor, jo vetëm si një përvjetor festiv, por një rikthim në rrënjët e krijimtarisë sonë filmike aty ku lindi vizioni, ironia, karakteri dhe poezia që solli animacionin shqiptar ndër dekada.

Në fondin e AQSHF-së, ruhet një pasuri me vlera e cila bën të mundur që kjo histori të kujtohet me autenticitet duke i dhënë frymë figurave që e ndërtuan me pasion dhe vizion këtë traditë.

Në aktivitet u vlerësuan dhe u shpreh mirënjohja për të gjithë krijuesit, animatorët, studiuesit dhe dashamirësit që vijojnë ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e animacionit shqiptar.

/a.f/

The post 50-vjetori i animacionit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë

22 December 2025 at 12:59

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ 18 vjet më parë, u nda nga jeta regjisorja aq e dashur për publikun, Xhanfise Keko.

E njohur si regjisorja që ngriti në një nivel të lartë filmin për fëmijë, Xhanfise Keko u nderua dhe vlerësua jo vetëm nga spektatori. Ajo mban titullin “Nderi i Kombit” dhe mbetet një emër i paharruar i kinematografisë shqiptare dhe një zë i rrallë me ndjeshmëri artistike.

Xhanfise Çipi Keko lindi më 27 janar të 1928, në Gjirokastër. I kreu studimet në Moskë për montazh kinomatografik. Një suport në karrierën e saj ishte edhe bashkëshorti, regjisori dokumentarist Endri Keko.

Pionierja e filmit shqiptar për fëmijë e nisi rrugëtimin e saj artistik që në vitin 1952, si montazhiere dhe dokumentariste. Në karrierën e saj, realizoi 12 filma artistike të metrazhit të gjatë të cilët u vlerësuan edhe jashtë vendit. Filmat e saj nuk ishin thjesht histori në ekran, por edhe mësime njerëzore dhe kujtime që vijojnë të jetojnë me publikun.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në këtë përvjetor të humbjes së saj, u shpreh se, Xhanfisja i dha fëmijërisë sonë fytyrë, zë dhe ëndërr, duke e parë botën me sy të pastër e zemër të madhe.

/a.f/

The post Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra

22 December 2025 at 11:45

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH- Edlira Ruzi/ Katër herë zbriti Meri Popins nga oxhaku i familjes Benks, në 4 shfaqjet e vëna në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

Premiera absolute e muzikalit aq të dashur botërisht, u duartrokit gjatë edhe nga fëmijët e kryeqytetit dhe prindërit që i shoqëronin. Çadra fluturuese, çanta magjike, zëri i ëmbël i Venera Lumanit si edhe loja e natyrshme e dy fëmijëve protagonistë, sollën në sallë një frymë përralle duke i përhumbur në ëndërrime.

Ashtu si në Broadway, Meri zbriti plot sharm e magji edhe në Teatrin e Kukullave duke sjell gëzim, por edhe rregull e këshilla. Misheli Kadeli e Luana Thomai, dy fëmijët nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, që interpretuan Majkëll Benks dhe Xhejn Benks, u argëtuan me dadon e tyre speciale, por edhe mësuan një nga një fjalët magjike.

Siç ndryshoi dhoma e tyre, që u bë e rregullt dhe e bukur kur misioni i Merit mbaroi, edhe jeta e fëmijëve mori një udhë tjetër.  Bashkë me Majkëllin dhe Xhejnin, edhe spektatorët e vegjël mësuan se është e rëndësishme të thuash “të lutem” apo “faleminderit”.

E veçanta e shfaqjes ishte bashkëpunimi mes Teatrit të Kukullave dhe QKKF. Përveç Mishelit e Luanës, në shfaqje morën pjesë edhe 10 balerinë të vegjël të cilët shoqërojnë Merin në disa prej 8 pjesëve të kënduara të shfaqjes. Prania e aktorëve të vegjël, bëri që edhe bashkëmoshatarët e tyre spektatorë të përfshiheshin më shumë në historinë e Merit.

“Meri Popins” ishte muzikali i shumëpritur në mbyllje të këtij viti, me regji të Endri Çelës. Interesi i publikut ishte i madh dhe kjo u vu re edhe nga radha e gjatë në biletarinë e Teatrit të Kukullave.

Meri do të shfaqet sërish fundjavën e ardhshme në teatër, në datat 27 dhe 28 dhjetor.

1 nga 13
Meri Popin në Teatrin e Kukullave, Foto: Edlira Ruzi

/a.f/

The post “Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alis kurorëzohet fitues i Fest 64, do të përfaqësojë Shqipërinë në Vjenë

21 December 2025 at 00:53

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli sot siparin e tij, duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nan”.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht: Inis Neziri dhe Sheila.

Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nan” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.

Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”. Organizatorët kishin përgatitur disa surpriza për publikun në sallë dhe atë pas ekranit të televizorit. Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Pas performancës muzikore ata falenderuan publikun për mbështjeten e vazhdueshme. “Është falë jush që ne artistët ekzitojmë”, tha Elsa Lila, pas interpretimit të këngës “Vibracione”.

Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.

Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve. Tommy Cash në përfundim të këngëve që interpretoi i premtoi publikut se do të kthehet për të ndenjur më gjatë dhe për të dhënë një koncert të vërtetë.

/r.e/

The post Alis kurorëzohet fitues i Fest 64, do të përfaqësojë Shqipërinë në Vjenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake

19 December 2025 at 17:37

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ 45 foto dhe dokumente të rralla e të panjohura më parë, janë pjesë e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”, e çelur sot në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Kjo ekspozitë vjen në 20-vjetorin e themelimit të Universitetit, si rezultat i një pune kërkimore 7-vjeçare të studiuesit Pjetër Logoreci, në arkivat austriake. Rektori UAMD priti studiuesin Logoreci pas ardhjes së tij nga Vjena, enkas për t’iu bashkuar stafit të Universitetit në çeljen e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”.

Gjatë takimit, studiuesi Logoreci u shpreh se fotot e rralla të mbledhura nga arkivat e Vjenës ia dhuron UAMD-së. Rektori, dr. Shkëlqim Fortuzi, shprehu vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen e thellë për Pjetër Logorecin, për punën e shkëlqyer arkivore dhe promovimin e figurës së Aleksandër Moisiut.

“Ky dhurim shënon një kontribut tejet të çmuar e të jashtëzakonshëm në fillimin e ngritjes së fondit të rrallë arkivor për UAMD-në mbi figurën e këtij personaliteti epokal shqiptar, me famë ndërkombëtare, emrin e të cilit mban me krenari universiteti ynë”, u shpreh Fortuzi.

1 nga 5

/j.p/r.e/

The post Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare

19 December 2025 at 11:22

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Javët Kulturore Ndërkombëtare dhe CulturAlb përmbyllën edicionin e katërt, i pasur me kulturë, zëra krijues dhe histori të jashtëzakonshme.

Aktiviteti përmbyllës u zhvillua në Vila 31 me praninë e artistëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik etj. E pranishme në këtë event ishte edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa e cila falënderoi artistët për atmosferën e mrekullueshme që i sollën mbrëmjes.

“Kanë qenë shumë aktivitete në këtë edicion të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, me rreth 500 artistë që erdhën në Shqipëri dhe shkëmbyen kulturë e aktivitete me ne. Dua të falënderoj 22 përfaqësues nga bota që na u bashkuan në këtë edicion të katërt, të cilët bënë që JKN të mos ishte vetëm një kalendar kulturor por një platformë kulturore diskutimi e dialogu mes vendeve, si dhe shkëmbimi të programeve, përvojave e artistëve”, u shpreh Pipa.

Aktivitetet e JKN janë konsideruar si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, që gjatë këtij vitit mbushën skenat tona me emocione dhe kreativitet.

JKN është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore nëpërmjet aktiviteteve më të spikatura të këtyre kulturave, si përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë, trashëgimisë etj. JKN është një paradë aktivitetesh që zhvillohen prej majit e deri në nëntor. /j.p/

 

Javet Kulturore Nderkombetare. Fotot nga Andrin Hoxha
1 nga 12

The post Mbyllet edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rexhep Meidani vlerësohet nga Universiteti i Tetovës me titullin “Doctor Honoris Causa”

18 December 2025 at 14:48

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Akademik Rexhep Meidani, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tetovës.

Ceremonia solemne u mbajt ditën e djeshme (17 dhjetor 2025), në Amfiteatrin e UT-së, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës.

Akad. Rexhep Meidani u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa për kontributin e tij në shkencë, arsim dhe jetën publike.

Titulli, së bashku me logon dhe flamurin e universitetit, u dorëzua nga rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli.

Rexhep Meidani ka lindur më 17 gusht 1944. Ai ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare për fizikë në Shqipëri dhe në Francë. Prej vitit 2003 është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka qenë President i Shqipërisë gjatë viteve 1997- 2002.

Akad. Meidani, përveç veprimtarisë së pasur pedagogjike e shkencore, ka shkruar dhjetëra libra shkencorë, filozofik-shkencorë dhe monografi. Pjesë e veprave të tij janë edhe librat publicistikë dhe eseistikë. Për shumë vite me radhë ai ka dhënë mësim në Universitetin e Tetovës. /j.p/

1 nga 5

The post Rexhep Meidani vlerësohet nga Universiteti i Tetovës me titullin “Doctor Honoris Causa” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çmimet kombëtare të Letërsisë 2024, pesë nga finalistët

18 December 2025 at 13:19

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në vazhdën e publikimit të finalistëve të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau të tjerë emra në këtë konkurrim sa i përket botimeve të vitit 2024.

Matteo Mandala është një prej 10 studiuesve të përzgjedhur nga juria e kryesuar nga Besnik Mustafaj dhe me anëtarë: Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli. Matteo Mandala vjen në këtë edicion të Çmimeve Kombëtare për Letërsinë me librin studimor “Në periferinë e Ismailandit” (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Studimeve.

Ndërsa Anila Mullahi është një tjetër studiuese e përzgjedhur me librin studimor “Krijimi letrar në proces” (Botimet Pegi) si finalist për Çmimin e madh të Studimeve. Objekt kërkimor i këtij studimi është rrugëtimi krijues i disa prej veprave në prozë të shkrimtarit të njohur shqiptar, Dritëro Agolli.

Iljaz Spahiu është një prej 10 përkthyesve të përzgjedhur nga juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë me romanin “Njeriu që shet gjak” nga autori Yu Hua (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Përkthimit.

Fate Velaj është një prej 10 autorëve të përzgjedhur për romanin “Mossanga” (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Letërsisë.

Shkrimtari Alban Tufa është një prej 10 autorëve të përzgjedhur per romanin “Po sikur të mos jetë ëndërr?” (Botimet Toena) si finalist për Çmimin e madh të Letërsisë. /j.p/

The post Çmimet kombëtare të Letërsisë 2024, pesë nga finalistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meri Popins”, premiera e fundjavës në Teatrin e Kukullave

18 December 2025 at 11:23

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kjo fundjavë vjen në Teatrin e Kukullave me një premierë absolute plot magji. Fëmijët do të mund të shohin personazhin e tyre të dashur, Meri Popins, në një muzikal të ngrohtë që bashkon të gjithë familjen nën çadrën fluturuese të Merit.

Meri Popins thotë se, askush nuk e di që ekziston një fllad mbrëmjeje, i cili, kur kalon mes yjeve, i kthen dëshirat e fëmijëve në realitet. Kështu ndodhi edhe me Xhejnin dhe Majkëllin, dëshira e të cilëve shndërrohet në formën më magjike të mundshme. Meri Popins me çadrën e saj fluturuese dhe çantën plot surpriza, u mëson fëmijëve mirësjelljen, fjalët magjike, vlerën e miqësisë, kënaqësinë e punës, fuqinë e imagjinatës, dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë të jesh një njeri i dashur dhe i mirë.

Shfaqja e re e Teatrit të Kukullave është e përshtashme për të gjithë familjen.

Teatri i Kukullave njoftoi se biletat për dy datat e kësaj jave u shitën në kohë rekord, ndërkohë që shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe një fundjavë më pas, më 27 dhe 28 dhjetor.

“Meri Popins” vjen me skenar e regji nga Endri Çela, kostumografi nga Sofi Kara, skenografi nga Beqo Nanaj dhe formulimin muzikor nga kompozitori Sokol Marsi.

Në shfaqje do të interpretojnë: Venera Lumani, Luana Thomai, Mishel Kadeli, Aleksandër Grami, Jorida Meta, Erdit Asllanaj, Amelja Heta, Briana Çakmashi, Erla Halili, Etual Gashi, Kleisa Rrapi. /j.p/

The post “Meri Popins”, premiera e fundjavës në Teatrin e Kukullave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare

17 December 2025 at 15:24

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ “Klubi i Filmit” titullohej aktiviteti i përbashkët mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Të pranishmit në aktivitet, diskutuan mbi filmin “Vitet e para”, i bazuar në romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Ata trajtuan marrëdhëniet mes artit, propagandës dhe historisë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Diskutimi e lidhi filmin me kinematografinë dhe teatrin shqiptar të prodhuar në vitet e diktaturës, si mjete të indoktrinimit dhe ndërtimit të një kujtese të deformuar.

“Klubi i Filmit” propozon që filmat e kësaj periudhe të vijojnë të shfaqen për publikun, por të shoqëruar me komente dhe analiza kritike, me qëllim që të sqarohet e vërteta historike e ngjarjeve dhe e personazheve, përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive reale, duke ndihmuar veçanërisht brezat e rinj të dallojnë propagandën nga realiteti.

Ky takim është pjesë e cikleve të klubit të filmit “Mësojmë nga e kaluara”, ku në fokus janë temat e luftës së klasave, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, dënimi i inxhinierëve të Maliqit nga regjimi, si edhe simbolika filmike që pasqyron realitetin e një epoke të errët të historisë sonë.

/r.e/j.p/

The post “Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, vendi pritës i sesionit XX të takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale

17 December 2025 at 13:50

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Delegacioni shqiptar i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit i cili mori pjesë në takimin ministerial të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore (CoMoCoSEE), zhvilloi dy takime të rëndësishme ndërkombëtare në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ministri Gonxhja bëri me dije se u zhvillua një takim me drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Europë, Magdalena Landry, si dhe ekipin e kulturës së UNESCO-s, si një moment vlerësimi për bashkëpunimin e deritanishëm me MTKS-në, rezultatet konkrete të arritura dhe vizionin mbi projektet e reja për vitin 2026.

Gjatë këtij takimi u konfirmua një nismë me rëndësi të veçantë: Shqipëria do të jetë vendi pritës i Sesionit të 20-të të Takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke forcuar rolin e saj aktiv dhe të besueshëm në nivel ndërkombëtar.

Gjithashtu, u zhvillua një takim i rëndësishëm me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, i fokusuar në Liqenin e Ohrit, një pasuri e përbashkët natyrore dhe kulturore, pjesë e Trashëgimisë Botërore UNESCO. Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, koordinimin institucional dhe ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme, në përputhje me standardet e UNESCO-s, për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi dhe peizazhi unik për brezat që vijnë.

Në këtë ministerial, delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa. /j.p/

The post Shqipëria, vendi pritës i sesionit XX të takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin

17 December 2025 at 13:11

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Artistja e Popullit, Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin e lindjes.

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja u shpërngul në Shkodër kur Tinka ishte pesë vjeç. Në vitin 1947 ajo niset drejt kryeqytetit për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës, por rastësisht kaloi në degën e Dramës në Liceun Artistik.

Prej vitit 1949 ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Tinka Kurti shkëlqeu në rolet protagoniste në shfaqjet: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa” etj. Ajo ka interpretuar mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana”, (1958).

Në karrierën e saj, Tinka Kurti numëron rreth 300 role në skenën e teatrit dhe kinematografi. Kurti ka spikatur me rolet e Nënë Pashakos tek filmi “Yjet e netëve të gjata” (1972), Nëna tek filmi “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” (1993) etj.

Në Festivalin 11-të, të mbajtur në vitin 2000, në Tiranë, iu dha Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961 dhe më vonë është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.

Çmimeve të festivaleve të filmit dhe dramës, u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. /j.p/r.e/

The post Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake

17 December 2025 at 11:23

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, u çel ekspozita “Olbania”.

Kjo është një ekspozitë kolektive e grupit të artistëve italianë “Alterazioni Video”, i cili eksploron territore hibride të periudhës së “pas së vërtetës”, neorealizmit të YouTube-it dhe teknologjive të deepfake-it.

“Olbania” vjen e kuruar nga Sara Dolfi Agostini. Projekti u konceptua në vitin 2009, gjatë pjesëmarrjes së tyre në Bienalen e 3-të të Tiranës, dhe merr titullin nga një keqshkrim i përhapur në forumet dhe chatroom-et e fillimviteve 2000, një etiketë që u shndërrua në territor fiktiv online, i ngarkuar me simbole dhe stereotipe të mitologjive ballkanike.

Gjatë një “gjuetie në internet”, në fazën kur Shqipëria kaloi mediatikisht nga televizioni italian në internetin global, “Alterazioni Video”, ndërtuan një arkiv vizual prej mbi 600 polaroidesh.

Ekspozita shfaqet si një bashkëpunim aksidental mes përdoruesve online dhe artistëve, një kapsulë kohore që dokumenton qarkullimin e një versioni alternativ të Shqipërisë dhe, pa dashje, rishpikjen e saj në hapësirën digjitale. Ekspozita “Olbania” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

The post Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

78-vjetori i lindjes së shkrimtarit e përkthyesit Primo Shllaku

16 December 2025 at 15:37

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Primo Shllaku, një personalitet që spikat si shkrimtar, poet, përkthyes, mësimdhënës, promovues i gegnishtes dhe vlerave të saj, feston sot 78-vjetorin e lindjes.

Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16 dhjetor të vitit 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes dhe studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe. Prej shumë vitesh, ai është zhvendosur në Tiranë, duke dhënë kontribut përveç mësimdhënies, edhe si shkrimtar, përkthyes dhe promovues i përfshirjes së vlerave të gegnishtes në gjuhën shqipe.

Shllaku është vlerësuar me mjaft çmime për krijimtarinë e tij. Primo Shllaku fillimisht punoi si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. Ai është bir i regjisorit, Artistit të Popullit, Lec Shllaku, nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, vëllai i aktorit të Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku. Ndër veprat më të rëndësishme të tij janë vëllimet poetike “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”, “Muzikantët”, “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, “Nji Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë”, dhe libri me drama, “Aktorë pa kujtesë”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër e vlerëson atë si një personalitet me vlera të shumanëshme, puna dhe krijimtaria e të cilit, ka lënë gjurmë. /j.p/

The post 78-vjetori i lindjes së shkrimtarit e përkthyesit Primo Shllaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë shkencore për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes

16 December 2025 at 15:02

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Akademia e Shkencave organizoi konferencën shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”.

Akad. Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, mbajti fjalën përshëndetëse, duke u ndalur në kompleksitetin e vlerave të veprës së Martin Camajt. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk është vetëm një përkujtim, por një rikthim i domosdoshëm te burimet e mendimit, të gjuhës dhe të estetikës që Camaj i la kulturës sonë si një trashëgimi e pashtershme.

Në këtë konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse dhe Bujar Hudhri, botues i veprës së plotë të Martin Camajt ndër vite, i cili së fundmi solli një format krejt të ri, të pajisur dhe me parathënie studimore nga akademik Matteo Mandalà.

Me tematikat e cekura gjatë punimeve të konferencës shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes” synohej të thelloheshin disa linja studimore që kanë të bëjnë me studimin e prozës dhe poezisë së Camajt. Gjithashtu u synua analizimi i tipare të përveçme të krijimtarisë së tij (dramaturgjia ndër të tjera) si dhe arketipia, mitet dhe receptimi i burimeve klasike, gjithashtu dhe kërkime specialistike në fushë të gjuhësisë, filologjisë së tekstit dhe analizës së krahasuar tekstore, një metodë kjo e pranishme në disa punime shkencore të tij, për të cilat dhe ka vend të flitet më gjerë.

Personaliteti shumëdimensional i Martin Camajt u shtjellua gjerësisht dhe në përputhje me tiparet qenësore të krijimtarisë dhe të kontributeve të tij në disa disiplina. Një fakt i tillë u nënvizua edhe në përmbyllje të punimeve të konferencës. /j.p/

The post Konferencë shkencore për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌