Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

14:04 Vrasje me paramendim dhe falsifikim dokumentesh, Gjykata dënon me 16 vite burg shtetasin

By: Kesjana
4 February 2026 at 14:04

Last Updated on 04/02/2026 by Kesjana

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj të pandehurit I. B. (alias B., alias M.), pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të tij.

Gjykata e ka deklaruar fajtor të pandehurin për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, duke e dënuar me 12 vite burg. Po ashtu, ai është shpallur fajtor për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për të cilën është dënuar me 2 vite burg.

I. B. është dënuar gjithashtu me 2 vite burg për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, sipas Kodit Penal. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, gjykata ka bashkuar dënimet në një të vetëm.

Në përfundim, në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri është dënuar përfundimisht me 16 vite burg. Vuajtja e dënimit do të llogaritet nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm./kb

14:00 Paralajmërimi i Anthropic për IA-në godet tregjet globale

By: Kesjana
4 February 2026 at 14:00

Tregjet globale të aksioneve të kompanive të softuerit regjistruan një rënie të ndjeshme për ditën e dytë radhazi të mërkurën, pasi investitorët shprehën shqetësime se përparimet në inteligjencën artificiale mund të ndërpresin modelet tradicionale të këtij sektori.

Aksionet e firmave evropiane që ofrojnë shërbime analitike, softuer dhe shërbime profesionale ranë ndjeshëm, ndërsa kompanitë rivale në Azi dhe SHBA gjithashtu u përballën me ulje të çmimeve të aksioneve. Ky tregtim i ashpër u nxit pjesërisht nga një model i ri ligjor i inteligjencës artificiale i krijuar nga kompania Anthropic, që i solli investitorëve një paralajmërim mbi kërcënimin që Inteligjenca  mund të nxisë për biznese tradicionale.

Reuters shkruan se këtë të mërkurë, RELX i Britanisë dhe Wolters Kluwer i Holandës, të dy ofrues të shërbimeve analitike për industrinë ligjore, shënuan nivele të reja të ulëta, secili me rënie gati 3% në tregtinë e mëngjesit në Evropë. Aksionet e London Stock Exchange Group ranë edhe 6%, duke zgjeruar rënien e së martës prej gati 13%.

Eksportuesit indianë të IT-së ranë ndjeshëm, ndërsa zhvilluesit japonezë të softuerit dhe sistemeve NEC, Nomura Research dhe Fujitsu ranë mes 7% dhe 11%, duke tërhequr poshtë indeksin kryesor Nikkei gjatë natës.

Ekspertët tregtarë thonë se kjo rënie vjen në një moment kur investitorët janë bërë më të kujdesshëm për perspektivën afatgjatë të rritjes së kompanive të softuerit, përfshirë rreziqet nga konkurrenca e firmave të reja të bazuara në IA dhe nga klientët që po zhvillojnë zgjidhje të tyre të brendshme.

Një nga nxitësit kryesorë të rënies ishte lançimi i një plug-in ligjor për chat-botin Claude Anthropic, i cili synon të automatizojë detyra ligjore dhe analizë të të dhënave, një zhvillim që ka rritur shqetësimet se IA do të zëvendësojë disa shërbime tradicionale të softuerit.

Edhe kompanitë e reklamimit, të cilat perceptohen si të ndjeshme ndaj ndikimit të IA-së, u përballën me presion nga tregjet: reklamuese të mëdha si Publicis dhe WPP panë rënie të çmimeve të aksioneve.

Aksionet e SAP-s, kompanisë më të madhe evropiane të softuerit, ranë më shumë se 3% pas një parashikimi të dobët të të ardhurave nga shërbimet cloud, i cili uli rreth 40 miliardë dollarë nga vlera e saj në treg.

Ndërsa kompanitë e çipave dhe gjigantët e IA-së si Nvidia dhe Microsoft vazhdojnë të regjistrojnë rritje rekord në tregjet amerikane, autoritetet rregullatore si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Anglisë kanë paralajmëruar për rreziqet e mundshme të një flluske financiare lidhur me entuziazmin për teknologjinë IA./kb

 

13:45 Mbetjet e rrezikshme të “Kurum”/ Ekzekutohen 20 masa sigurie, në kërkim 13 persona

By: Kesjana
4 February 2026 at 13:45

Policia e Durrësit ka ekzekutuar 20 masa sigurie të caktuara nga Gjykata e Durrësit për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Në njoftim bëhet me dije se po punohet edhe për kapjen e 13 shtetasve të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesa gjatë zhvillimit të operacionit.

Gjithashtu njoftohet se operacioni është kryer nga policia e Durrësit në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Eko-Toxic”.

Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Ekzekutohen 20 masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit. 

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizoi operacionin e koduar “Eko-Toxic”.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua vendimi i datës 03.02.2026, i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ndalimin e shtetasve:

-F. Ç., 47 vjeç, dhe G. S., 55 vjeç, banues në Durrës, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim; 

-M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;

-J. K., 49 vjeç, I. L., 55 vjeç dhe H. L., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, E. V., 59 vjeç, Sh. J., 55 vjeç, të dy banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim;

-R. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-Sh. H., 39 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim;

-N. B., 58 vjeç, dhe A. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;

-K. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-I. M., 47 vjeçe, banuese në Durrës; M. P., 37 vjeçe; A. D., 46 vjeçe; K. S., 34 vjeçe; B. T., 40 vjeçe dhe E. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-M. Z., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve:

-E. D., 46 vjeç; Y. K., 46 vjeç dhe H. S., 42 vjeç, banues në Turqi; M. I., 43 vjeç banues në Vlorë; A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë; M. K., 68 vjeçe, banuese në Tiranë; P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan; Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës; D. S., 43 vjeç, banues në Tiranë; D. S., 57 vjeç, shtetas kroat; Gj. S., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë; O. P., 40 vjeçe, banuese në Lushnje; dhe I. H., 61 vjeç, shtetas gjerman.

Shtetasit e mësipërm dyshohen për kryerjen e veprave penale në fushën e menaxhimit dhe kontrabandimit të mbetjeve.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Kb

13:30 Siguria ushqimore/ Balla, në Këshillin Kombëtar të Integrimit: Duhet të përshpejtojmë zbatimin e ligjeve

By: Kesjana
4 February 2026 at 13:30

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian për sigurinë ushqimore.

Balla u shpreh se ligji i ri për ushqimin përbën hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore. Ai shtoi më tej se sot në Bashkimin Europian ekziston një pritshmëri pozitive për ritmin me të cilin Shqipëria po negocion dhe po jep rezultate.

Ndër të tjera, Balla shtoi se në vitin 2026 do të ketë një qasje të re sa i përket kontrollit të zbatimit të ligjeve.

“Ligji i ri i për kontrollet zyrtare i përafruar me rregulloren e BE-së dhe puna për ligjin e ri për ushqimin përbëjnë hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore. Shqipëria është në rrugën e duhur, vetëm duhet të ndryshojë marshin në më të shpejtë në në këtë drejtim strategik. Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare dhe duhet parë më këtë fokus nga të gjithë. Kjo duhet reflektuar edhe në qasjen që duhet të kemi në marrëdhënien me procesin e negociatave. Sot në BE, qoftë në PE, KiE, apo KE ekziston një pritshmëri pozitive për ritmin me të cilin Shqipëria po negocion dhe po jep rezultate. Me të drejtë kryeministri i ka kërkuar ministrit dhe Kuvendit për të arritur rezultate konkrete në fushën e sigurisë ushqimore. Mbetemi të angazhuar si Kuvend dhe Këshill Kombëtar i Integrimit në përshpejtimin e ligjeve për sigurinë ushqimore. Në 2026 do të jetë një qasje e re sa i përket kontrollit të zbatimit të ligjeve. Adresimi i rekomandimeve të KE-së në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fito-sanitarisë është detyrë e përbashkët e të gjithë ligjëvënësve, pavarësisht se demokratët i kemi me mungesa këto kohë. Në Kuvend nuk ka asnjë parti politike që të jetë kundër anëtarësimit. E nevojshme të mbyllen kapitujt brenda 2027, me synimin tonë politik që anëtarësimin ta përmbyllim brenda kësaj dekade. Më pëlqen të them që më 28 nëntor të 2030 flamuri ynë të ngrihet në Bruksel krahas flamujve të vendeve të BE-së”, tha Balla. /Kb

13:15 Banorët e Gurrasit të Pogradecit në protestë/ Tokat e ligjit 7501 jepen me qira për agroturizëm

By: Kesjana
4 February 2026 at 13:15

Rreth 40 familje nga fshati Gurras janë ngritur sot në protestë para Bashkisë së Pogradecit, duke kundërshtuar dhënien me qira të sipërfaqeve të tokës që ata pretendojnë se i kanë pasur në përdorim prej vitesh. Sipas banorëve, toka e ndarë me ligjin 7501 është dhënë nga bashkia me qira për një investitor privat, i cili synon të zhvillojë agroturizëm dhe pemëtari.

Kryeplaku i fshatit Gurras, Arjan Çinari, shprehet se një pjesë e banorëve e kanë refuzuar dikur tokën për shkak të pamundësisë për të përballuar taksat, por, sipas tij, ajo ka qenë gjithmonë në përdorim nga familjet e zonës. Ai thotë se sot banorëve u është hequr edhe asistenca ekonomike, ndërsa toka u është marrë dhe dhënë me qira një subjekti tjetër, pa u zgjidhur më parë konflikti i pronësisë. Sipas kryeplakut, nëse nuk ka një zgjidhje, banorët do të vijojnë protestat dhe nuk përjashtohet edhe bllokimi i rrugëve.

“Kjo parcelë toke që është dhënë me qira ka qenë e ndarë me ligjin 7501, disa e kanë refuzuar, disa jo. Sot i është prerë edhe asistenca, i është marrë edhe toka, vjen tjetri me qira e merr me kontratë dhe del që ai e ka tokën. Ka ardhur e ka folur vetëm me disa banorë, por nuk zgjidhet problemi kështu. Banorët do të ngrihen në protestë, do të bllokojnë rrugët si herët e tjera. Sot do të futemi të diskutojmë brenda në bashki”, shprehet Çinari.

Edhe banori Mariglen Krasta thotë se e ka tokën të ndarë me ligjin 7501 dhe ka aplikuar për certifikatë pronësie, por kërkesa i është refuzuar nga kadastra. Ai shprehet se ka paguar të gjitha taksat dhe e ka pasur tokën të mbjellë dhe të rrethuar, por, sipas tij, investitori i ka prerë pemët pa asnjë sqarim. Krasta kërkon transparencë nga bashkia për mënyrën se si është marrë ky vendim.

“Kam tokën të ndarë me ligjin 7501 dhe kam bërë aplikim për certifikatë. Më është refuzuar, ka dalë negative se kadastra thotë që e keni refuzuar, ndërkohë që unë e kam me tapi. Kam bërë aplikimin, taksat i paguaj të gjitha. E kam pasur të mbjellë e të rrethuar, por m’i ka prerë zotëria. Nuk e di unë si e ka bërë këtë gjë, të na sqarojë bashkia për këtë vendim se unë tokën e kisha në përdorim. Është e vetmja tokë që është ndarë për familje”, tha banori.

E njëjta situatë paraqitet edhe nga Suzana Torra, e cila thotë se toka është punuar prej vitesh nga familja e saj me lajthi dhe qershi. Ajo shprehet se pemët janë prerë pa dijeninë e tyre dhe se askush nuk i ka kontaktuar për këtë vendim, duke theksuar se nga ajo tokë siguronte të ardhurat për familjen.

“Kemi të njëjtin problem, tokën e kemi punuar me lajthi, qershi. E refuzuam atëherë se na kërkonin taksa, nuk kishim dhe i lamë, por i kemi përdorur dhe s’e dinim që do të ndodhte kjo gjë. Na i kanë prerë të gjitha pa dijeninë tonë. Edhe kryetari i fshatit duhet të vinte t’u thoshte që këto toka i kanë fshatarët. Me ato pemë e mbaja shtëpinë. Nuk jam kontaktuar nga asnjë, i mbushën xhepat mirë”, tha Torra.

Në protestë ishte i pranishëm edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili kërkon sqarime nga Bashkia e Pogradecit. Sipas tij, nëse toka është dhënë me qira, duhet të ekzistojë një vendim i Këshillit Bashkiak, në të kundërt bëhet fjalë për shkelje të hapur të ligjit. Male thekson se çdo kontratë e tillë duhet të kalojë për miratim në këshill dhe se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë.

“Banorët e fshatit Gurras janë mbledhur këtu për një problematikë që kanë me tokat e tyre shekullore. Një person, i cili pretendon se ka marrë toka me qira në atë fshat, ka shkuar dhe ka zaptuar tokat e fshatit. Bashkia duhet të bëjë sqarimin a ka dhënë kontratë, a ka vendim të Këshillit Bashkiak? Kjo kontratë nëse është dhënë, është në shkelje të plotë të ligjit. Çdo tokë që është në pronësi të shtetit, bashkia ka të drejtë ta japë me qira, por kjo kalon nëpërmjet vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak. Në dijeninë time nuk ka një vendim të këtyre të fundit, nëse kjo ka ndodhur kemi të bëjmë me shkelje të ligjit e duhet të mbajmë përgjegjësi”, u shpreh Male.

Në një komunikim me administratorin që ka marrë me qira tokën, ky i fundit është shprehur se prej 2 vitesh tashmë e ka në përdorim këtë tokë me kontratë të rregullt qiraje me Bashkinë e Pogradecit. Ndërsa në zonë do të kryejë një investim në agroturizëm dhe pemëtari. Gjithashtu ai u shpreh i gatshëm për çdo verifikim mbi pronën në fjalë. Burime nga Bashkia Pogradec bëjnë të ditur se do të ngrihet një grup pune për të verifikuar nëse banorët e fshatit kanë dokumente mbi këtë tokë. /Kb

12:30 Kampi i refugjatëve në Gjadër/ Raporti i HRW: Italia ndoqi një model shtypës të kontrollit të emigracionit

By: Kesjana
4 February 2026 at 12:30

Organizata Human Rights Watch, një organizatë ndërkombëtare e pavarur dhe e dedikuar për mbrojtjen dhe monitorimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, ka publikuar një raport lidhur me kontrollin e emigracionit nga Italia.

Në raportin e HRW, thuhet se Italia ka ndjekur model shtypës të kontrollit të emigracionit që përfshinte ndalimin e njerëzve në qendrat e emigrantëve në Shqipëri në pritje të deportimit dhe pengimin e shpëtimeve humanitare në det.

Gjithashtu theksohet se gjykatat italiane bllokuan përpjekjet e njëpasnjëshme të qeverisë së Italisë për për të përpunuar në Shqipëri kërkesat për azil të emigrantëve nga vendet që Italia i ka përfshirë në “listën e vendeve të sigurta të origjinës”.

Më tej përmendet se si edhe Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës paralajmëroi në dhjetor të dy viteve më parë se problemet me qendrat e paraburgimit në Itali vënë në pikëpyetje zbatimin e një modeli të tillë në Shqipëri.

Në raportin përmbledhës të HRW thuhet gjithashtu se Italia shkeli një urdhër arresti ndërkombëtar për një zyrtar libian të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit. Profilizimi racor nga policia dhe dhuna ndaj grave mbeten shqetësime serioze në Itali, sipas organizatës ndërkombëtare.

“Gjykatat italiane bllokuan përpjekjet e njëpasnjëshme të autoriteteve. Në përgjigje, në mars qeveria italiane e ripërdori objektin e ndërtuar dhe të administruar nga Italia në Shqipëri në një qendër paraburgimi për njerëzit që tashmë ishin urdhëruar të deportoheshin. Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës paralajmëroi në dhjetor 2024 se problemet me qendrat e paraburgimit në Itali “vënë në pikëpyetje zbatimin e një modeli të tillë… në Shqipëri”. Organizatat italiane të shoqërisë civile dokumentuan shkelje të së drejtës për të kërkuar azil dhe të drejtave për shëndet, informacion dhe për një mjet juridik efektiv në Itali. Një analizë ligjore nga Gjykata e Kasacionit arriti në përfundimin se marrëveshja Itali-Shqipëri mund të shkelë Kushtetutën italiane, ligjin e BE-së dhe traktatet e të drejtave të njeriut.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendosi në gusht se Italia nuk i kishte përmbushur standardet e ligjit të azilit të BE-së në rastin e dy shtetasve nga Bangladeshi të cilët më parë kishin zbarkuar në Shqipëri për përpunimin e kërkesës për azil. Autoritetet italiane lejuan që një Memorandum Mirëkuptimi i vitit 2017 me Libinë mbi bashkëpunimin në fushën e migracionit të rinovohej automatikisht më 2 nëntor për tre vjet, pavarësisht abuzimeve të rënda. Në qershor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut shpalli të papranueshme një ankesë që përfshinte një përgjim vdekjeprurës nga Roja Bregdetare Libiane në vitin 2018, e ndjekur nga keqtrajtimi i migrantëve në paraburgim pas kthimit në Libi, duke arritur në përfundimin se nuk kishte juridiksion sepse Italia nuk kishte ushtruar kontroll efektiv në këtë rast. Në gusht, ekuipazhi i një anijeje patrullimi libiane që u dhurua nga Italia hapi zjarr ndaj një anijeje shpëtimi të operuar nga SOS MEDITERRANEE, me 87 të mbijetuar të shpëtuar në bord duke thyer dritare dhe duke dëmtuar pajisje. Një prokuror italian hapi një hetim për incidentin.

Një gjyqtar urdhëroi në korrik që katër oficerë të Guardia di Finanza (policia doganore) dhe dy oficerë të Rojës Bregdetare të dalin në gjyq për akuza të shumta për vrasje të paqëllimshme në lidhje me një anije të mbytur në shkurt 2023 pranë brigjeve të Kalabrisë, në të cilën vdiqën 94 persona, përfshirë 35 fëmijë. Gjykata e Kasacionit vendosi në mars se 177 migrantë kishin të drejtë për kompensim për privimin nga liria e tyre ndërsa mbaheshin në bordin e anijes Diciotti të Rojës Bregdetare Italiane për 10 ditë në vitin 2018 përpara se të lejoheshin të zbarkonin.

Në korrik, Gjykata Kushtetuese tha se fuqitë qeveritare për të gjobitur dhe ndaluar anijet joqeveritare të shpëtimit ishin kushtetuese, por sqaroi se imperativi për të shpëtuar jetë mund të justifikonte shpërfilljen e urdhrave shtetërorë. Që nga shtatori 2025, qeveria kishte ndaluar anijet e shpëtimit 34 herë që nga shkurti 2023, duke i mbajtur anijet larg operacioneve jetësore të shpëtimit për 700 ditë. Në gusht, qeveria e la në tokë aeroplanin e OJQ-së Seabird, të përdorur për të dalluar anijet në vështirësi, për 20 ditë.

Një referendum në qershor për të shkurtuar nga dhjetë në pesë vjet qëndrimin e detyrueshëm ligjor përpara se të fitohej shtetësia nuk arriti të përmbushte kërkesën minimale të pjesëmarrjes; Kryeministri Meloni dhe figura të tjera kryesore në qeveri u kishin bërë thirrje njerëzve të bojkotonin votimin.

Sipas statistikave qeveritare për vitin 2025, deri në mesin e shtatorit pothuajse 49,000 njerëz, përfshirë afërsisht 8,600 fëmijë të pashoqëruar, kishin arritur në Itali nga deti, pak më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në një pjesë të raportit të HRW/kb

12:15 Media spanjolle: Riviera Shqiptare, destinacioni kryesor për vitin 2026

By: Kesjana
4 February 2026 at 12:15

Harrojini destinacionet e njohura turistike! Këtë vit, ne ju rekomandojmë vende ku do të zbuloni luksin e autenticitetit, qetësinë aziatike, dizajnin portugez dhe kryeqytetin e paparashikueshëm kulturor shqiptar, shkruan Gabriel Echeverría në një artikull të botuar në median spanjolle “The Officer”.

Nëse janari ishte muaji i premtimeve, shkurti duhet të jetë muaji i planifikimit të pushimeve tuaja!

Kjo, pasi udhëtimet në vitin 2026 nuk duhet t’i kushtohen destinacioneve klasike ku të gjithë turistët shkojnë për të bërë të njëjtën foto – por, zbulimit të “luksit të qetë” që nuk mund të blihet me para, por me kuriozitet!

Duke kombinuar të dhënat e trendit global me axhendën tonë editoriale, ne kemi zgjedhur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026 – vende ku është ende e mundur të ndihesh si udhëtar, dhe jo si turist!

Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare

Nëse hapni Instagram-in ose TikTok-un, imazhet e bregdetit shqiptar shfaqen kudo!

Shqipëria është shndërruar nga një destinacion sekret në një obsesion evropian. Dhe kjo është kuptimplote!

Vija bregdetare shqiptare është e ngjashme me ujërat bruz të Greqisë dhe Italisë, por shërbimet ofrohen me gjysmën e çmimit dhe ka më pak turma vizitorësh, të paktën për momentin!

Pikat e nxehta si Ksamili ose Dhërmiu ofrojnë pushime verore mesdhetare të viteve ’90: natyrë e egër dhe e thjeshtë.

Udhëtoni drejt Tiranës, kryeqytetit të gjallë dhe kulturor që të surprizon, dhe më pas vizitoni jugun e Shqipërisë!

Qëndroni në hotele me pamje nga deti Jon dhe shijoni prodhimet e freskëta të detit.

Nxitoni, pasi deri në vitin 2027 – e gjithë kjo mund të ndryshojë!

Mos prisni deri në gusht. Trendet e vitit 2026 favorizojnë turistët që udhëtojnë gjatë sezoneve maj-qershor ose shtator-tetor.

Mot i ngrohtë, shërbim më i mirë dhe ndjesi e paçmuar e të pasurit qytetin tërësisht për veten tuaj!

Revista spanjolle “The Officer” ka renditur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026:

1. Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare, Shqipëri

2. Shteti Zen: Shtegu Okinawa, Japoni

3. Parajsa e Dizajnit: Alentejo, Portugali/Kb

12:00 Pinterest shkarkon dy inxhinierë pas identifikimit të punonjësve të pushuar nga puna

By: Kesjana
4 February 2026 at 12:00

Pinterest ka shkarkuar dy inxhinierë pasi ata përdorën mjete të brendshme për të identifikuar se cilët punonjës ishin larguar nga puna.

Sipas kompanisë, inxhinierët kishin krijuar skripte të personalizuara që aksesonin në mënyrë të paautorizuar informacion konfidencial, duke zbuluar emrat dhe vendndodhjet e punonjësve të pushuar, të cilat më pas u shpërndanë edhe tek persona të tjerë.

“Kjo ishte një shkelje e qartë e politikave të Pinterest dhe e privatësisë së ish-kolegëve tanë”,deklaroi një zëdhënës i kompanisë për BBC.

Pinterest njoftoi së fundmi se do të shkurtojë rreth 15% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 700 vende pune, si pjesë e një strategjie të re të përqendruar te inteligjenca artificiale. Drejtori ekzekutiv Bill Ready tha në një email se kompania po “dyfishon përkushtimin ndaj një qasjeje të orientuar drejt AI-së”.

Burime të njohura me çështjen bëjnë të ditur se skriptet synonin mjete të brendshme komunikimi, si Slack, duke gjeneruar sinjalizime kur llogaritë e punonjësve çaktivizoheshin, një mënyrë e zakonshme për të kuptuar se kush është prekur nga pushimet nga puna.

Identitetet e dy inxhinierëve të shkarkuar nuk janë bërë publike dhe ata nuk kanë komentuar mbi rastin.

Industria e teknologjisë po përballet me shkurtime masive të vendeve të punës vitet e fundit. Vetëm këtë vit, kompani si Amazon, Meta, Google dhe Microsoft kanë larguar mijëra punonjës.

Sipas platformës Layoffs.fyi, rreth 700 mijë persona janë pushuar nga puna në sektorin global të teknologjisë gjatë katër viteve të fundit./kb

11:45 Zbulohet planeti i ngjashëm me Tokën, i mbuluar nga akulli

By: Kesjana
4 February 2026 at 11:45

Është zbuluar një planet potencialisht i ngjashëm me Tokën dhe i mbuluar me akull. Planeti është shkëmbor, lehtësisht më i madh se Toka dhe gjendet në zonën e ashtuquajtur të banueshme, duke u rrotulluar rreth një ylli të ngjashëm me Diellin. Ai ndodhet 146 vite dritë larg nesh. Nga vëzhgimet e para mendohet se mund të jetë më i ftohtë se planeti Mars, me temperatura sipërfaqësore që nuk i kalojnë -68 gradë Celsius.

Studimi është realizuar nga një ekip kërkuesish ndërkombëtarë, të drejtuar nga Universiteti i Queensland-it në Australi, dhe është publikuar në revistën shkencore Astrophysical Journal Letters.

I titulluar me siglën HD 137010 b, ky planet mendohet se merr nga ylli i tij rreth 1/3 e sasisë së dritës dhe ngrohtësisë që merr Toka nga Dielli.

Gjithashtu, shkencëtarët shprehen se, nisur nga pozicionimi i këtij planeti, ka mundësi të ketë edhe ujë në gjendje të lëngshme në sasi shumë të larta, pra një botë uji, nëse do të kishte edhe një atmosferë më të pasur me dioksid karboni./kb

11:30 Paraburgimi në Shqipëri, KiE propozon disa rekomandime: Të vlerësohet periodikisht

By: Kesjana
4 February 2026 at 11:30

Ekspertët e Këshillit të Europës kanë lëshuar disa rekomandime kryesore për të adresuar problemin e paraburgimit në Shqipëri. Në dokumentin që mban firmën e gjyqtarit belg Theo Byl, zv/prokurorit të Përgjithshëm të Kasacionit në Itali, Nicola Lettieri dhe gjyqtarit portugez, Filipe César Marques thuhet se duhen sqaruar konceptet e paqarta ligjore dhe të ketë përkufizime të qarta sa i përket termave “arsye të rëndësishme” ose “rrezik i veçantë”. Ata rekomandojnë përafrimin e terminologjisë me standardet ndërkombëtare për të garantuar parashikueshmëri dhe siguri juridike.

Sipas tyre duhen forcuar kërkesat për arsyetim gjyqësor.

“Duke kërkuar që gjyqtarët të japin arsyetime të individualizuara dhe specifike për rastin kur vendosin paraburgimin. Futja e mjeteve të strukturuara të vlerësimit të rrezikut, për të ndihmuar gjyqtarët të vlerësojnë nëse masat më pak kufizuese mund të adresojnë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet. Detyrimi i gjykatave për të dokumentuar shprehimisht në vendim arsyet pse masa si garancia pasurore, detyrimi për paraqitje apo mbikëqyrja elektronike nuk janë të mjaftueshme”, thuhet në rekomandime.

Të tjera rekomandime janë edhe zgjatja e afatit për paraqitjen e ankimimit kundër vendimeve për paraburgimin nga pesë në dhjetë ditë.

Një nga çështjet më të rëndësishme është edhe kohëzgjatja dhe rishikimi periodik i paraburgimit. Ekspertët rekomandojnë kufizim të kohëzgjatjes maksimale. Sipas tyre ajo mund të tejkalohet vetëm “në raste vërtet të jashtëzakonshme dhe vetëm mbi bazën e justifikimeve konkrete, të individualizuara dhe të arsyetuara mirë”. Përtej kësaj, ekspertët vlerësojnë se duhet vlerësuar periodikisht nëse paraburgimi vazhdon të jenë i domosdoshëm, proporcional dhe i arsyeshëm dhe jo vetëm në ecurën e hetimit. Për këtë arsye, prokurorët duhet të vendosin parimin e përgjithshëm për të kërkuar prova edhe në favor të personit nën hetim dhe ta informojnë gjykatën në mënyrë të menjëhershme.

Një tjetër rekomandim është heqja e parashkrimit kohor prej 6 muajsh.

“Heqja e parashkrimit kohor prej 6 muajsh për kundërshtimin e kohëzgjatjes së paraburgimit (i vetmi kufizim duhet të jetë ndalimi i përsëritjes së argumenteve që janë paraqitur dhe shqyrtuar tashmë). Përcaktimi që afati kohor të fillojë të llogaritet nga momenti i masës së mëparshme të sigurimit edhe për vepra të ndryshme të kryera para lëshimit të urdhrit të parë, kur ekziston lidhje sipas nenit 55 të Kodit Penal. Vendosja e ekuivalencës midis arrestit në shtëpi dhe paraburgimit, duke ndryshuar mënyrën e zbritjes në dënimin përfundimtar, në mënyrë që një ditë paraburgim/arrest shtëpie të barazohet me një ditë dënim përfundimtar”,thuhet në rekomandimet e KiE-së.

Po ashtu rekomandohet edhe forcimi i përdorimit të alternativave ndaj paraburgimit, zgjerimi i regjimit të garancisë pasurore, krijimi i një sistemi efektiv dhe funksional të mbikëqyrjes elektronike si dhe futja e urdhrit të ndalimit të kontaktit. Ndër të tjera kërkohet një vëmendje e veçantë për personat në situatë vulnerabël.

Kujtojmë se në një konferencë të nivelit të lartë të organizuar në Tiranë nga ministria e Drejtësisë, Këshilli i Europës i cilësoi si të ekzagjeruara masat e sigurisë “arrest në paraburgim” të dhëna nga gjykatat shqiptare.

“Marrja e një mase siguruese nuk ka nevojë që të ketë si premisë që personi të jetë fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm. Na duhen indicie serioze apo baza të arsyeshme për t’u thënë gjyqtarëve që metodologjia e vlerësimit është e njëjtë si për shpalljen e fajësisë, ashtu edhe për masat siguruese. Masat e paraburgimit mund të zbatohen vetëm në ato procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkuara me ligj me dënim mbi 1 vit burg”, tha Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë,

Theo Byl, gjyqtar belg që ndërhyri virtualisht me një fjalim, iu referua praktikës që ndiqet në Belgjikë, ku përdorin masa alternative si monitorimi elektronik për të zëvendësuar paraburgimin, çka e ka ulur ndjeshëm numrin e të paraburgosurve./kb

11:30 Asnjë nga 8 kandidatët nuk shpallet fitues, shtyhet gara për zgjedhjen e kreut të ri të Gardës së Republikës

By: Kesjana
4 February 2026 at 11:30

Last Updated on 04/02/2026 by Kesjana

Shtyhet gara për të zgjedhur kreun e ri të Gardës së Republikës. Nga tetë kandidatë në garë, asnjë prej tyre nuk është vlerësuar si fitues.

“Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, të zhvilluar në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 05.06.2024, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.

 Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta.

Ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar”, thuhet në njoftimin që u është dërguar kandidatëve./kb

11:28 Praktikat për ekselentët/ Rama: Rreth 1600 të punësuar përmes programit! Projekti i “Garancisë Rinore”, një tjetër vlerë!

By: Kesjana
4 February 2026 at 11:28

Last Updated on 04/02/2026 by Kesjana

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në eventin e organizuar për praktikat e punësimit për ekselentët.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se nga ky program i është dhënë mundësia 1600 personave që të punësohen.

“Unë jam bërë besimtar i fortë e këtij programi. Ky program ka punësuar rreth 1600 persona në administratën e shtetit. Ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm është se janë mbi 1600 burime që kanë kapacitetin potencial që të jenë nesër drejtuesit e departamenteve të drejtorive e kështu me radhë. Kjo ka qenë një urë e ngritur si fillim me Universitetin për t’u dhënë mundësi të rinjve mundësi”, tha ai./kb

11:00 Lufta për fron në Çeçeni/ Kush mund të jetë pasardhësi i Kadyrov-it?

By: Kesjana
4 February 2026 at 11:00

Ndryshimi i udhëheqjes në Rusi kurrë nuk ka qenë proces i lehtë. Në Çeçeni, madje është edhe më i ndërlikuar. Në epokën sovjetike, tranzicioni në Byronë Politike ishte gjithmonë jotransparent dhe me përplasje të brendshme. Nikita Khrushchev, që mori pushtetin pas dy vjetësh përplasjeje pas vdekjes së Joseph Stalinit, u rrëzua nga një grusht shteti i udhëhequr nga Leonid Brezhnevi. Ai më pas vdiq gjatë mandatit, ashtu sikurse edhe Yury Andropov dhe Konstantin Chernenko, njëri pas tjetrit me shpejtësi. Mikhail Gorbachev më në fund ndali këtë gjë.

Në Rusinë postsovjetike, Boris Yeltsin ia bëri me sy dhe tundi kokën në shenjë miratimi ndaj Vladimir Putin-it dhe më pasi ia dorëzoi drejtimin e presidencës në natën e Vitit të Ri më 1999.

Ndërkaq, në Çeçeni, pas dy luftërave të Kremlinit kundër separatistëve dhe kryengritësve islamikë që nga fillimi i viteve ’90, rajoni më në fund u nënshtrua me ndihmën e klanit Kadyrov. Akhmat Kadyrov, ish-luftëtar rebel, kaloi në anën e qeverisë dhe u emërua president, duke stabilizuar situatën në rajon për rreth një vit deri kur u vra më 2004.

Djali i tij, Ramzani, mori pushtetin tri vjet më vonë pasi arriti moshën 30-vjeçare, moshë që kërkohet me Kushtetutë për këdo që emërohet president. Që atëherë, ai ka udhëhequr me grusht të hekurt, duke shtypur klanet rivale, duke krijuar ushtrinë e tij gjysmëprivate dhe duke përqendruar pushtetin dhe pasurinë në dorën e tij.

Putin, i cili e vendosi Kadyrov-in në këtë post dhe mbështetet tek ai për të mos lejuar që Çeçenia të bëhet sërish një problem i madh për Moskën, ka mbyllur sytë ndaj atyre që organizatat e të drejtave të njeriut i përshkruajnë si abuzime të përhapura, një klimë dhune dhe pandëshkueshmërie, si dhe shpërfillje të ligjit federal.

Tani, gjendja shëndetësore e Kadyrov-it është në pikëpyetje dhe spekulimet për pasardhësin e tij janë të shumta. Kremlini dëshiron ta mbajë Çeçeninë të qetë, sidomos në kohën kur Rusia është e përqendruar në luftën e saj kundër Ukrainës. Kadyrov-i do që familja e tij ta ruajë kontrollin mbi pushtetin dhe pasurinë, ndërsa rivalët po kërkojnë një mundësi për të marrë pushtetin.

Një element shtesë në gjithë këtë: Sipas ligjit, udhëheqësi i Çeçenisë duhet të jetë të paktën 30 vjeç, ndërsa vajza e madhe e Kadyrov-it është 27-vjeçare dhe djali i madh vetëm 20 vjeç. Kjo hap mundësinë që dikush të shërbejë si udhëheqës i përkohshëm, që nuk dallon me rastin siç ndodhi me vetë Kadyrov-in.

Kjo është një listë me njerëzit që garojnë për pasardhës të Kadyrov-it:

AKHMAT KADYROV

Djali i madh në mesin e 12 fëmijëve biologjikë të Kadyrov-it, Akhmati, që mban emrin e gjyshit të tij, ka mbajtur poste të rëndësishme që mbikëqyrin sportin dhe aktivitetet atletike. Kjo përputhet me pëlqimin e të atit të tij ndaj fitnesit dhe garave sportive si boksi, luftërat e arteve të përziera marciale dhe futbollit. Në vitin 2022, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai u emërua përfaqësues zyrtar i Çeçenisë në organizatën zyrtare rinore dhe sportive të Kremlinit, e njohur si Lëvizja e të Parëve. Një vit më vonë, ai zhvilloi takime publike në Kremlin me Putin-in, gjë që shumë vëzhgues e interpretuan si shenjë mbështetjeje. Më 2024, Akhmati u emërua ministër i Sportit dhe Edukimit Fizik. Ai mori gjithashtu drejtimin e klubit kryesor profesionist të futbollit në Çeçeni, FC Akhmat Grozny. Tani 20 vjeç, ai është emëruar zëvendëskryeministër i rajonit në janar të këtij viti.

AISHAT KADYROVA

Aishat, 27-vjeçare, ka mbajtur poste me profil më të ulët, por të rëndësishme në prapaskenat e qeverisë rajonale. Ajo u emërua zëvendësministre e parë e Kulturës më 2020, dhe tri vjet më vonë ajo mori postin e zëvendëskryeministres së rajonit, përgjegjëse për mirëqenien sociale. Kjo i dha asaj mundësinë të kishte mbikëqyrje mbi buxhetet për shpenzimet sociale. Ajo ishte po ashtu pronare e një shtëpie mode të quajtur Firdaws, e cila dizajnonte veshje për gra dhe burra që shiteshin në Çeçeni dhe vende të tjera. Më 2022, Aishat, së bashku me Firdaws dhe disa të afërm të tjerë, u sanksionuan nga Departamenti amerikan i Thesarit. Shkurtin e vitit të kaluar, ajo i befasoi vëzhguesit duke dhënë dorëheqje nga qeveria, duke thënë se “puna qeveritare i shkon më shumë për shtat një burri të fortë”.

ADAM KADYROV

Adami, 18 vjeç, djali i tretë më i madh i Kadyrov-it, është ngritur gradualisht nga i ati në poste të rëndësishme në rajonin e Çeçenisë. Ai u bë i njohur gjerësisht në moshën 15-vjeçare, kur sulmoi Nikita Zhuravel-in, një rus i akuzuar për djegien e një Kurani, i cili më pas ishte dërguar në Çeçeni për t’u gjykuar. I ati publikoi videon e rrahjes brutale duke e lavdëruar, ndërsa Adami u vlerësua për veprimin dhe mori titullin “Hero i Republikës së Çeçenisë”. Më vonë, ai u emërua shef i shërbimit të sigurisë në Presidencën rajonale. Në verën e vitit 2025, raportohet se ai u martua me mbesën e aleatit të ngushtë të babait të tij, Adam Delimkhanov, duke nxitur spekulime se ishte një martesë politike me qëllim forcimin e lidhjeve mes familjeve. Në fillim të janarit, autokolona e sigurisë së Adamit u përfshi në një aksident trafiku në Çeçeni. Ai u plagos rëndë dhe më pas u dërgua në Moskë për trajtim mjekësor.

ADAM DELIMKHANOV

Një i afërm dhe anëtar i të njëjtit klan, Delimkhanov, 56 vjeç, shihet si aleati më i ngushtë i Kadyrov-it. Ai është deputet në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus që nga viti 2007, por raportet e tij me disa figura në rrethet udhëheqëse të Rusisë janë të tensionuara. Ashtu si Kadyrov-i, edhe ai akuzohet për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Shpesh ai njihet si “njeriu me armën e artë”, pasi një pistoletë e veshur me ar thuhet se i ra nga xhepi kur u përlesh me grushte me një ligjvënës në Parlament më 2013. Autoritetet në Dubai e kanë shpallur atë si person të dyshuar për vrasjen e rivalit kryesor të Kadyrov-it, Sulim Yamadayev, në vitin 2009, pasi policia tha se në vendngjarje u gjet një armë e veshur me ar. Akuzat më vonë u rrëzuan, pasi Kadyrov-i vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe. Po atë vit, Kadyrov-i i tha një gazetari se Delimkhanov-i ishte “miku im më i ngushtë, më i afërt se një vëlla”, si dhe pasardhësi i tij i preferuar, ndonëse djemtë e Kadyrov-it në atë kohë ishin ende fëmijë të vegjël.

MAGOMED DAUDOV

Si kryeministër rajonal që nga emërimi në këtë post në maj të vitit 2024, Daudov, 45 vjeç, do të bëhej ushtrues detyre i kreut të rajonit pas vdekjes së Kadyrov-it, sipas Kushtetutës së Republikës. Një ish-luftëtar rebel që gjithashtu ndryshoi anë dhe kaloi në atë të qeverisë ruse në fillim të vitit 2000, Daudov-i thuhet se fitoi besimin e Kadyrov-it duke i sjellë kokën e një komandanti që kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen e babait të Kadyrov-it. Daudov-i nganjëherë njihet si “Lord”, një nofkë që ai thotë se ia ka vënë Kadyrov-i për shkak të kostumit të zi që kishte veshur kur u takuan për herë të parë. Ish-polic me përvojë të gjatë, ai përshkruhet si zbatues i urdhrave të Kadyrov-it, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë për përfshirje në rrëmbime dhe tortura, si dhe për rol udhëheqës në një fushatë të dhunshme kundër personave të komunitetit LGBT. Para se të emërohej kryeministër, ai kishte qenë kryetar i Parlamentit rajonal që nga viti 2015.

APTI ALAUDINOV

Alaudinov, 52 vjeç, shihet si një person që ka lidhje të ngushta me përfaqësues të agjencive ruse të sigurisë, gjë që mund të krijojë tensione me figurat dhe forcat rajonale nëse ai do të ishte pasardhës i Kadyrov-it. Gjeneralmajor i policisë, ai u bë zëvendësshef i Ministrisë së Brendshme të rajonit në vitin 2011. E ardhmja e tij u dëmtua ndjeshëm në vitin 2019, kur u ndalua në lidhje me një komplot që u përfol se u organizua kundër Kadyrov-it. Ai e humbi postin në Ministrinë e Brendshme në vitin 2021 dhe raportohet se qëndroi për një kohë në Moskë. Fati i tij ndryshoi sërish pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në atë që disa e përshkruajnë si përpjekje për t’u rehabilituar në sytë e Kadyrov-it, ai iu bashkua forcave ruse që luftojnë në Ukrainë dhe u bë komandant i batalioneve “Akhmat”, të emërtuara për nder të babait të vrarë të Kadyrov-it. Zyrtarisht nën urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, këto njësi janë tallur si “ushtarë të ‘TikTok’-ut”, që kalojnë më shumë kohë duke postuar video në rrjetet sociale sesa duke luftuar në vijën e frontit.

RUSLAN EDELGERIYEV, ABUZAID VISMURADOV, IBRAGIM ZAKRIYEV

Analistët dhe vëzhguesit kanë përmendur edhe këto figura më pak të njohura si pasardhës të mundshëm të Kadyrov-it. Një kolonel i Ministrisë së Brendshme që ka shërbyer në forcat ruse të sigurisë brenda dhe jashtë Çeçenisë, Ruslan Edelgeriyev, 51 vjeç, ishte kryeministër i rajonit në vitet 2012-2018. Ai është këshilltar i Putin-it dhe i dërguar i posaçëm i presidentit rus për çështjet e klimës dhe burimeve ujore.

Mik i fëmijërisë së Kadyrov-it dhe ish-shef i shërbimit të tij të sigurisë, Abuzaid Vismuradov, 50 vjeç, është zëvendëskryeministër që nga viti 2020. Më herët ai drejtonte forcën e sigurisë “Terek”, e cila akuzohet për abuzime. Djali i tij, Ramzan është i martuar me vajzën e Kadyrov-it, Tabarik.

Ibragim Zakriyev, 35 vjeç, i njohur edhe si Yakub, është ish-kryetar i Groznit, kryeqytetit të Çeçenisë, dhe deri në mars 2021 ishte shef kabineti si për Kadyrov-in – dajën e tij – dhe i kabinetit rajonal. Më 2023, ai u emërua në krye të degës ruse të prodhuesit francez të jogurtit, Danone, pasi dega u mor nën kontroll nga shteti rus. /REL/kb

10:45 “Marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi”/ Niko Peleshi zhvillon vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan

By: Kesjana
4 February 2026 at 10:45

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili kryeson një delegacion parlamentar, po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Peleshi dhe delegacioni parlamentar kanë zhvilluar takime me kryetarin e Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, si edhe me kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen, Pete Sessions.

Gjatë këtyre takimeve u nënvizua se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të fortë, të qëndrueshme dhe strategjike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një aleancë të palëkundur. Peleshi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në integrimet euroatlantike të vendit dhe në zbatimin e reformave transformuese, me fokus të veçantë reformën në drejtësi.

“Marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi”/ Niko

Gjithashtu në takime u nënvizua rëndësia e marrëdhënieve dypalëshe dhe vullneti për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

U theksua më tej se ky bashkëpunim po forcohet më tej edhe përmes angazhimit në Bordin e Paqes të SHBA-së, ku Shqipëria është Anëtare Themeluese, pjesëmarrje e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Në takimin me Kongresmenin Keith Self, kryeparlamentari vlerësoi paraqitjen në Kongres të nismës ligjore “The Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, e cila kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Gjithashtu, u diskutua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këto takime, kryetari i Kuvendit, Peleshi, shoqërohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Ilirian Pendavinji, Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Ivi Kaso, Belind Këlliçi, si dhe Klevis Balliu. Kjo vizitë përbën një tjetër hap në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe në rritjen e rolit të diplomacisë parlamentare shqiptare në arenën ndërkombëtare si edhe bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./kb

10:30 Debati mbi pagat e magjistratëve/ Shoqata e Prokurorëve kundër Ramës

By: Kesjana
4 February 2026 at 10:30

Shoqata e Prokurorëve ka reaguar në lidhje me debatin. e bërë së fundi për pagat e gjyqtarëve mes kryeministrit Edi Rama dhe Shoqatës së Gjyqtarëve.

Sipas saj, debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve.

Në reagim theksohet se, çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksohet se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Reagimi i Shoqatës së Prokurorëve

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend./Kb

10:15 Nga emigrimi te inflacioni, pse shqiptarët po blejnë më pak rroba e këpucë

By: Kesjana
4 February 2026 at 10:15

Importet e tekstileve dhe këpucëve u ulen ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar një ndryshim të ndjeshëm në sjelljen konsumatorë nga rritja e kostove të jetesës dhe dinamikat demografike të vendit.

Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT importet e veshjeve dhe këpucëve shënuan 86,4 mijë tonë në 2025, me ulje 9% në raport me vitin 2024.

Sipas aktorëve të tregut, arsyeja kryesore lidhet me tkurrjen e popullsisë. Në vitin 2025, popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ose –1.2%, norma më e lartë në rajon. Në raport me Censin 2011 tkurrja është më shumë se 17%. Rënia më e fortë është në grup-moshën deri 30 vjeç, që po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Tregtaret e lidhin rënien e kërkesës për veshje dhe këpucë me faktin se Shqipëria ka më pak njerëz për të veshur e mbathur pasi grup-moshat aktive dhe ato që shpenzojnë më shumë për modën po largohen drejt Bashkimit Evropian. Tregu vendas mbetet me një popullsi në plakje, e cila ka prioritete të tjera konsumi dhe një nevojë më të ulët për blerje të shpeshta veshjesh.

Përveç demografisë, goditja tjetër vjen edhe nga rritja e kostove të tjera të si, ushqimet, qiratë dhe banesat. Çmimet më të larta ka detyruar familjet shqiptare të rishikojnë listën e shpenzimeve. Në një mjedis ku inflacioni ka gërryer fuqinë blerëse, veshjet dhe këpucët janë zhvendosur nga kategoria e nevojave të menjëhershme në atë të shpenzimeve që mund të shtyhen.

Konsumatorët po zgjedhin, duke u mjaftuar me blerjet ekzistuese ose duke u orientuar drejt tregut të përdorur, ndërsa buxheti i familjeve shkon kryesisht për mbijetesë, ushqime, energji, ujë etj.

Tregtarët pohuan se rënia do të ishte edhe më e madhe nëse nuk do të ishte efekti i turistëve. Shitësit me pakicë të veshjeve në qendra tregtare dhe aksesore kanë pohuar se 10%-15% e xhiros ditore është realizuar nga turistët. Ata zakonisht blejnë gjëra të lira për përdorim gjatë kohës që janë në Shqipëri./Marrë nga Monitor.al/kb

10:00 Bill Gates në dosjet Epstein, ish-bashkëshortja: Më kujtoi periudha shumë të dhimbshme të martesës sonë

By: Kesjana
4 February 2026 at 10:00

Melinda French Gates ka reaguar publikisht pas përfshirjes së emrit të ish-bashkëshortit të saj, bashkëthemeluesit të Microsoft-it Bill Gates, në dokumentet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke deklaruar se ky zhvillim ka rikthyer kujtime të dhimbshme nga martesa e tyre.

“Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë kësaj llumi”, janë fjalët e saj. Melinda French Gates dhe Bill Gates u divorcuan në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë.

Në një intervistë për podcastin Wild CardNPR-së, filantropistja miliardere u shpreh se ndjen “trishtim të thellë” për akuzat që lidhen me Epstein dhe theksoi se personat e përmendur në dokumente duhet të japin përgjigje për to.

“Për mua është e vështirë sa herë që dalin në dritë këto detaje, sepse më rikthejnë kujtimet e disa periudhave shumë të dhimbshme në martesën time”, u shpreh ajo sipas BBC-së. Ajo shtoi: “Çfarëdo pyetjesh që mbeten, për gjëra që as nuk mund t’i kuptoj plotësisht, ato pyetje u takojnë atyre personave dhe edhe ish-bashkëshortit tim. Ata duhet të përgjigjen për këto gjëra, jo unë”.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve përfshijnë një pretendim të Epstein se Bill Gates kishte kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme, pretendim që Gates e ka mohuar kategorikisht.

Një zëdhënës i Bill Gates i cilësoi akuzat si “absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”, duke theksuar se ato vijnë nga “një gënjeshtar i provuar dhe i pakënaqur”.

Bill Gates nuk është akuzuar për asnjë shkelje nga viktimat e Epstein dhe përmendja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton përfshirje në ndonjë aktivitet kriminal.

Mediat amerikane raportojnë se Melinda French Gates kishte shprehur shqetësim për lidhjen e ish-bashkëshortit të saj me Epstein edhe para ndarjes së tyre. Pas shpalljes së divorcit, Bill Gates pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një punonjëse të Microsoft-it në vitin 2019.

Pretendimet ndaj Bill Gates janë pjesë e mbi tre milionë dokumenteve të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. Dy email-e të datës 18 korrik 2013, që dyshohet se janë hartuar nga Epstein, përmbajnë akuza të ndryshme, megjithëse nuk është e qartë nëse ato janë dërguar ndonjëherë te Gates. Pas publikimit të fundit, përfaqësuesit e Bill Gates deklaruan se dokumentet tregojnë vetëm përpjekjet e Epstein për të dëmtuar reputacionin e tij./kb

09:45 Rama thumbon Shoqatën e Gjyqtarëve: Nuk ju takon të përdorni etiketime si partitë e degraduara

By: Kesjana
4 February 2026 at 09:45

Kryeministri Edi Rama në një lidhje të drejtpërdrejtë i është përgjigjur Shoqatës së Gjyqtarëve. Rama iu është drejtuar që të lënë betejën retorike dhe të mos përdorin etiketime si partitë e vjetra dhe të degraduara të Shqipërisë.

Ai theksoi se gjyqtarët në Shqipëri i kanë pagat më të larta se kolegët e tyre në rajon.

“Nuk synon që të ndezë kundërshti për një vendimmarjre dhe proces që do të zhvillohet në sallën e gjyqit. Si arrini ju deri në pikën të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e Këshillit të Ministrave, mediat, t’i akuzoni të gjtihë për histeri. Kush jeni ju? Jam shumë i agjituar se 37 milionë euro që kërkoni ju janë para që duhet të merren nga dikush tjetër.

Merrni përsipër të flisni për abuzime ndërkohë që duhet të siguroni pavarësi dhe paanësi. Ju kërkoni t’i rrisni pagat vetes me gjyq. Po krijoni furi populiste.

Pagat e gjykatësve janë më të larta se të presidentit, ministrave, deputetëve etj. Si ka mundësi që paga juaj është me e lartë se pagat e gjykatës së lartë.

Betejën retorike ju sugjeroj ta lini se nuk iu takon gjykatësve të përdorin etiketime që ju shkojnë partive më të vjetra dhe të degraduara të Shqipërisë nga një trupë gjykuese që është mbështetur nga qeveria, kurrë se keni pasur këtë pavarësi.

Ky është vullneti ynë. Ato paga që keni sot që i keni më të larta se kolegët e tuaj në rajon”, tha Rama./Kb

09:30 Zbulohet plani sekret? SHBA-të dhe Europa gati për sulm nëse Rusia…

By: Kesjana
4 February 2026 at 09:30

Bombardimet ruse mbi Ukrainë janë intensifikuar sërish, veçanërisht ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike, në kulmin e një vale të fortë të ftohti me temperatura që arrijnë deri në -25 gradë Celsius.

Vetëm natën e fundit, Rusia lëshoi mbi 450 dronë dhe 71 raketa, kryesisht kundër Kievit, por edhe ndaj Kharkivit, Dnipros dhe Zaporizhzhia-s. Si pasojë, në Zaporizhzhia u vranë me dronë të paktën pesë persona, mes tyre edhe dy të rinj 18-vjeçarë.

Në të njëjtën kohë, në Kiev ndodhej për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili nga foltorja e Parlamentit ukrainas deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin “i ka bërë keq llogaritë”.

Sipas tij, Moska nuk e kishte parashikuar rezistencën e gjatë të Ukrainës dhe as mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve perëndimorë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e akuzoi Putinin se ka shkelur armëpushimin e premtuar. Nga ana tjetër, Moska kishte bërë të ditur se pezullimi i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të kryeqytetit do të zgjaste vetëm deri të dielën, 1 shkurt.

Zelensky deklaroi se Rusia e shfrytëzoi armëpushimin për të grumbulluar raketa të reja dhe për të goditur vendin pikërisht në mes të dimrit të ashpër, duke vënë në dyshim çdo pretendim për paqe.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se do të vizitojë Kievin më 24 shkurt, që shënon 4 vite nga nisja e luftës dhe për të riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Ukrainës.

Garancitë e sigurisë

Qeveria ukrainase dhe aleatët perëndimorë kanë rënë dakord të përgatisin një reagim të koordinuar ushtarak nëse Rusia shkel një armëpushim të mundshëm apo ndërmerr sërish një pushtim të gjerë.

Në vijën e parë do të ishte një koalicion i vendeve europiane, i quajtur ndryshe “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, në bashkëpunim me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Financial Times, plani parashikon një reagim në tre faza.

Në 24 orët e para nga një shkelje ruse, Ukraina do të përgjigjej ushtarakisht dhe paralelisht do të njoftonte aleatët përmes kanaleve diplomatike. Nëse agresioni do të vazhdonte, forcat e vendeve europiane do të ndërhynin, me mundësinë e përfshirjes edhe të Norvegjisë, Turqisë dhe Islandës. Në rast se pas 72 orësh, ofensiva ruse nuk ndalet, reagimi perëndimor do të bëhej masiv, me përfshirjen e plotë të kapaciteteve ushtarake të SHBA-ve.

Ky plan është diskutuar fillimisht në Paris në dhjetor dhe më pas në Kiev më 3 janar, në nivel drejtuesish ushtarakë. Vetë Zelensky i kishte kërkuar Trumpit garanci konkrete sigurie gjatë një takimi në Mar-a-Lago.

Franca dhe Britania janë shprehur të gatshme të dërgojnë trupa për monitorimin e paqes, por vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje armëpushimi.

Rusia, nga ana e saj, kundërshton çdo prani ushtarake të huaj në Ukrainë. Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov ka deklaruar se çdo garanci sigurie duhet të miratohet edhe nga Moska, duke paralajmëruar se trupat e huaja do të konsideroheshin “objektiva legjitime”.

Frika e Kievit

Ukraina këmbëngul se pa garanci të forta sigurie nuk do të pranojë asnjë kompromis territorial. Kievi druhet nga përsëritja e shkeljeve ruse të marrëveshjeve të mëparshme, si Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 apo marrëveshjet e Minskut pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Dobësia kryesore e planit të ri mbetet fakti se ai varet nga arritja e një armëpushimi, ndërkohë që lufta vazhdon pa ndalur.

Trump ka përmendur mundësinë e shtrirjes së nenit 5 të NATO-s për Ukrainën, si një “anëtare pothuajse e plotë”, por kushtet mbeten të paqarta. SHBA-të ofrojnë garanci për 15 vite, ndërsa Zelensky kërkon 50.

Debati mbetet i hapur…/kb

❌
❌