22:59 “Ndoshta nuk do të ecin kurrë” Këngëtarja zbulon diagnozën e rrallë të vajzave binjake
Këngëtarja britanike dhe ish-anëtarja e Little Mix, Jesy Nelson, ka bërë publike se vajzat e saj binjake janë diagnostikuar me një sëmundje të rrallë gjenetike, Spinal Muscular Atrophy (SMA) tip 1, e cila prek rëndë muskujt e trupit.
Në një video emocionale në Instagram, Nelson tregoi se Ocean Jade dhe Story Monroe, të lindura para kohe në javën e 31-të, kanë pasur vështirësi në lëvizje dhe ushqyerje, çka i çoi mjekët drejt ekzaminimeve të thelluara në spitalin Great Ormond Street në Londër. Aty ajo u informua se vajzat “ndoshta nuk do të ecin kurrë” dhe se do të përballen me aftësi të kufizuara.
Këngëtarja theksoi se SMA është një sëmundje shumë serioze, e cila pa trajtim mund të jetë fatale brenda dy viteve të para të jetës. Ajo u shpreh mirënjohëse që vajzat kanë marrë trajtimin e nevojshëm, pasi sipas saj “pa të, ato do të vdisnin”.
Pavarësisht situatës së vështirë, Jesy Nelson u shpreh optimiste, duke besuar se vajzat e saj do të “sfidojnë çdo parashikim”. Ajo tha se e bëri publike historinë për të ndërgjegjësuar prindërit e tjerë dhe për të ndihmuar në diagnostikimin sa më të hershëm të fëmijëve me këtë sëmundje./mxh
