Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Main stream

Historike në Venezuelë, Parlamenti hap tregun e naftës, merr fund monopoli i Çavizmit

By: A R
29 January 2026 at 23:00

Venezuela, vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ka marrë një vendim që shënon fundin e një epoke ideologjike dhe ekonomike. Parlamenti i vendit miratoi këtë të enjte (29 janar 2026) një reformë radikale që i hap dyert kapitalit privat në sektorin e naftës, duke zhbërë kështu politikën e “kontrollit të ngurtë shtetëror” të vendosur nga Hugo Çavez dhe pasuesit e tij prej më shumë se çerek shekulli.

Ligji, i cili kaloi në lexim të dytë në Asamblenë Kombëtare, tashmë pret vetëm vulën finale: nënshkrimin ekzekutiv nga Presidentja e përkohshme de facto, Delcy Rodríguez, për të hyrë zyrtarisht në fuqi.

Ajo që e bën këtë vendim historik është fakti se u votua nga vetë Partia Socialiste e Bashkuar e Venezuelës (PSUV), forca politike e themeluar nga Çavez, e cila gëzon shumicën në Asamble. Deputetët socialistë, të cilët për dekada kanë shtetëzuar asete dhe kanë demonizuar kapitalin privat në sektorin strategjik energjetik, miratuan liberalizimin e tregut.

Kjo lëvizje shihet nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një pranim i heshtur i dështimit të modelit të centralizuar, i cili, i kombinuar me sanksionet dhe keqmenaxhimin, e kishte çuar industrinë e naftës të Venezuelës (PDVSA) drejt kolapsit total teknik dhe financiar.

Masa e re ligjore thyen tabunë e madhe të Çavizmit. Shteti nuk do të jetë më i vetmi operator në fushat naftëmbajtëse. Kompanitë ndërkombëtare dhe investitorët privatë do të kenë të drejtë të zotërojnë aksione dhe të menaxhojnë operacione, me shpresën për të sjellë kapitalin dhe teknologjinë e munguar.

Tani sytë janë drejtuar nga pallati presidencial “Miraflores”, ku Delcy Rodríguez pritet të hedhë firmën që do të zyrtarizojë këtë ndryshim drastik kursi, në një përpjekje për të ringjallur “zemrën” e ekonomisë venezueliane në vitin 2026.

“Vlora është hajdutëria më e madhe”, avokati: Kadastra ishte bërë “ferr” për qytetarët

By: A R
29 January 2026 at 22:52

Reforma Territoriale ka sjellë debat dhe polemika mes të ftuarve në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Avokati Edmond Petraj u shpreh se ndryshimet territoriale janë të nevojshme, deklaratë e cila solli komentin e deputetit Redi Muçi nga “Lëvizja Bashkë”, i cili tha se sot nuk ka autonomi lokale, duke sjellë si shembull zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Për avokatin Petraj, kjo ishte gjëja më e mirë që u bë, pasi Kadastra e Vlorës ishte kthyer në një “ferr” për qytetarët e Vlorës.

Pjesë nga debati:

Muçi: Çështja e ndarjes territoriale lidhet edhe me autonominë lokale. Kjo qeveri ka treguar centralizim. Ja si e larguan Kadastrën nga Vlora.

Petraj: Kadastra e Vlorës është bërë ferr. Të gjitha shërbimet nuk jepen nga Kadastra.

Borakaj: Pse është kthyer në ferr?

Petraj: Vlora është hajdutëria më e madhe.

Borakaj: Pse nuk ka njerëz të ndershëm?

Petraj: Vetëm problemet që ka sot Kadastra e Vlorës nuk mbarojnë në Gjykatën Administrative.

Borakaj: Të shkaktuara nga kush?

Petraj: Nga vetë administrata. Ajo Kadastrë, por edhe kadastrat e tjera, kanë mbivendosje pa fund.

Grimci: Pse ka mbivendosje? Sepse kur u bë dixhitalizimi u tjetërsuan pronat, nga AKSHI.

Petraj: Nuk është AKSHI.

Muharremi: Problemin që shkaktuan ata, po e vuajmë ne sot.

Petraj: Kadastrat, në përgjithësi, nuk respektojnë kërkesat e qytetarëve. Një qytetar ka të drejtë të caktojë kufijtë e pronës; kur ka mospërputhje me hartën, ata nuk mblidhen për të ngritur komisionin dhe për të saktësuar pronën.

Borakaj: Ju thatë se zgjidhet për 5 minuta, pse nuk zgjidhet?

Petraj: Administrata duhet të marrë profesionistë brenda.

“Në mars ’97 protestoja kundër Berishës, sot jemi kolegë”, flet deputetja e Vlorës!

By: A R
29 January 2026 at 22:45

Briseida Çakërri është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuese e qarkut të Vlorës. Ajo u betua më 30 tetor, duke zënë vendin e Bruna Mersinit, e cila kandidoi dhe fitoi postin e kryetares së Bashkisë së Vlorës. Rrugëtimi i saj drejt politikës nuk ka qenë i shpejtë, por i ndërtuar me vite përkushtim, aktivitet dhe pasion për qytetarët dhe vendin e saj.
Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv, Çakërri rrëfeu emocionet e momentit kur u betua në parlament:

“E thashë pak ëmbël fjalën ‘betohem’, por nuk mund ta përshkruash dot me fjalë emocionin, nderin dhe përgjegjësinë që ndjeva. Ishte një nga momentet më të bukura të rrugëtimit tim”. Ajo shtoi se të qenit deputete ka qenë gjithmonë një dëshirë personale, e ndërtuar përmes ndjekjes së politikës dhe angazhimeve të ndryshme:

“Kam punuar me vite me radhë, por nuk mund ta dish kur do të vijë ai moment i betimit. E kam ndjekur politikën gjithmonë dhe dëshiroja të isha këtu”.

Tre muaj pas betimit, Briseida Çakërri tregon se përvoja në parlament ndryshon shumë nga ajo që shihet nga jashtë: “Debatet televizive nuk tregojnë punën intensive që bëhet. Kupton që ke më shumë përgjegjësi se sa duket, por mësohesh me ritmin e punës dhe ndihesh pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes”. Ajo thekson se është aktive si në seancat plenare, ashtu edhe në komisionet e ekonomisë dhe turizmit, duke kombinuar angazhimin parlamentar me shërbimin për qytetarët e Vlorës.

Në zgjedhjet e 11 majit, ajo u rendit e 11-ta nga 16 kandidatët e PS-së në qarkun e Vlorës, duke marrë 2,610 vota në Shqipëri dhe 38 në diasporë, gjithsej rreth 3,000 vota. Briseida vlerëson se ky rezultat është fryt i angazhimit të saj të vazhdueshëm dhe përkatësisë familjare:
“Më ka ndihmuar shumë prejardhja ime. Vij nga një familje qytetare vlonjate, një mbiemër i njohur në qytet dhe një rrugëtim shumë i gjatë pune. Fushatën time e bëra derë më derë, duke kërkuar votat e çdo qytetari, pa dallim bindjes politike”.

Ajo rrëfeu historinë e familjes së saj, e cila ka dhënë kontribut të madh për Shqipërinë: “Vij nga një familje atdhetare dhe dëshmorësh. Musa Çakërri, një nga të parët tanë, u vra në vitin 1905, dhe vizita e parë e Ismail Qemalit pas ngritjes së flamurit të pavarësisë ishte te familja jonë për të kërkuar faljen e gjakut. Babai im, Krenar Çakërri, ka qenë themelues i degës së PS-së në Vlorë dhe aktiviteti i tij politik ka ndikuar shumë tek unë”.

Briseida kujton aktivitetin e saj të hershëm politik, që nisi që në fëmijëri: “Kam qenë vetëm gjashtë vjeç kur mora pjesë për herë të parë në protesta në vitin 1997. Nga atëherë politika ka qenë pjesë e jetës sime. Kam qenë aktiviste në Fresh, pastaj kryetare e organizatës së lagjes dhe më pas për rajonin”.

Ajo ka përfunduar studimet në financë, ka dy mastera dhe specializime të ndryshme, duke punuar edhe si pedagoge dhe për projekte të Bashkimit Europian në Itali. Megjithatë, Briseida zgjodhi të qëndrojë në Shqipëri dhe të kontribuojë në vendin e saj: “Është më e lehtë të ikësh dhe të kontribuosh jashtë, por i detyrohem Shqipërisë shumë. Dua të jem këtu dhe të shërbej qytetarët e mi”.

Emri i saj, Briseida, ka frymëzim nga figura mitologjike e Trojës: “Mami lexonte shumë Homerin dhe vendosi t’u japë këtë emër fëmijëve. Në Shqipëri janë vetëm 18 persona me këtë emër”.
E pyetur për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe për Sali Berishën, ajo u shpreh se:
“Edi Rama është një nga figurat më të forta të politikës shqiptare dhe do të lërë gjurmë të forta në Shqipëri. Sali Berisha, ndërkohë, është aty për të mbrojtur interesat e veta, jo të popullit”.
Si deputete e re e Vlorës, Çakërri viziton rregullisht qytetin dhe fshatrat për të dëgjuar qytetarët dhe për të adresuar problemet e tyre:

“Politika nuk bëhet vetëm nga foltorja. Çdo votë është një qytetar që ka besuar tek emri im, dhe unë kam për obligim të shërbej për ta. Problemet e tyre i transmetoj te bashkia ose institucionet përkatëse dhe mundohem t’i ndihmoj sa më shumë”.

Përsa i përket turizmit, Briseida tregon për projektligje që synojnë bashkëpunimin mes agjencive turistike në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit, me trajnime dhe lehtësira fiskale:
“Synojmë të bëjmë turizmin shtyllën më të fortë të ekonomisë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për Vlorën”.- shprehet Çakërri.

Armët bërthamore të Iranit, Hegseth: Ushtria e SHBA-së e gatshme të zbatojë çdo vendim të Trumpit

By: A R
29 January 2026 at 22:38

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se ushtria e SHBA-së është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi që merr presidenti Donald Trump lidhur me Iranin, për të parandaluar që Teherani të vijojë më tej aftësitë e tij bërthamore.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku Trump i kërkoi Hegsethit të komentonte situatën – me një forcë të madhe ushtarake amerikane të grumbulluar në rajon – ai tha se “ata nuk duhet të rrisin kapacitetet bërthamore. Ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo që ky president pret nga Departamenti i Luftës (War Department),” duke iu referuar emërtimit jozyrtar që administrata Trump i ka vënë Departamentit të Mbrojtjes.

Zyrtarë amerikanë thanë se Trump po shqyrton opsionet, por ende nuk ka vendosur nëse do të godasë Iranin.

Tensionet SHBA-Iran u rritën pas shtypjes së përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet klerikale në javët e fundit.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, por demonstratat në mbarë vendin për shkak të vështirësive ekonomike dhe shtypjes politike janë qetësuar tashmë.

Ai ka thënë se SHBA do të veprojë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite dhe amerikane ndaj instalacioneve kyçe bërthamore.

Sherr në studio / Muharremi: Këta të opozitës kanë perla! Demokratja: Me kë e ke ti?

By: A R
29 January 2026 at 22:31

Studioja e “Quo Vadis”, e moderatores Pranvera Borakaj, është kthyer në arenë debati mes të ftuarve këtë të enjte.

Përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës janë përplasur për reformën në drejtësi dhe mënyrën se si funksionon ajo kur bëhet fjalë për politikanë të caktuar.

Anëtari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i cilësoi “perla” akuzat e opozitës ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe qëndrimet e saj për politikanë të caktuar.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së PD të Degës 1 në Tiranë, Eda Grimci, e cila tha se, lidhur me qëndrimet e mazhorancës dhe atë që ka krijuar kjo mazhorancë ndër vite, ka raporte të OSBE-së që rrëzojnë propagandën.

Pjesë nga biseda:

Muharremi: Këta të opozitës janë një perlë e vërtetë.

Grimci: Me kë e ke ti?

Muharremi: Këto partitë e reja janë përfshirë në një vorbull dhe hajde të mbushim emisionin.

Grimci: Le të rrimë te Rama.

Muçi: Ka hallin e Shqipërisë.

Muharremi: Ia tregoi Shqipëria më 11 maj zotërisë.

Grimci: Ta tregoi edhe raporti i OSBE-së.

Muharremi: Nëse ka njeri dhe ka qenë vullneti i Edi Ramës për të pasur një drejtësi të pavarur. Reforma territoriale gjyqësore është vettingu i gjyqtarëve.

Agron Shehaj del hapur kundër Berishës: Nuk më kanë votuar që të ulem me partitë e vjetra!

By: A R
29 January 2026 at 22:23

“Nuk më kanë votuar të ulem me partitë e vjetra”, kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Tema e diskutimit të kësaj mbrëmjeje ishte “A do të bashkohet opozita?” dhe i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me qëndrimin e tij ndaj bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, Shehaj tha se kjo nuk mjafton për ta rrëzuar nga qeveria kryeministrin Edi Rama.

Sipas Shehajt, ideja se bashkimi i opozitës është një “çelës magjik” për zgjidhjen e problemeve të Shqipërisë është e gabuar. Madje ai kujtoi se bashkëpunime të tilla janë provuar edhe më parë, pa sjellë ndryshim real për qytetarët.

Kreu i partisë Mundësia tha se problemi kryesor është mungesa e një alternative të besueshme politike, që të adresojë hallet konkrete të qytetarëve, si çështja e pronës, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe shëndetësia. Sipas tij, qytetarët nuk janë të interesuar vetëm se kush largohet nga pushteti, por çfarë ofron opozita në vend të tij.

Pjesë nga biseda në studio:

Blendi FevziuShehaj, ishe më skeptik ditën e hënë, ku je me pozicionin e sotëm?

Agron ShehajUnë isha për jo në fakt, jo skeptik. Tani po flasim për bashkimin sikur bashkimi të ishte çelësi magjik për çdo problem që ka Shqipëria.

Blendi FevziuJo nuk po flasim për bashkimin, bashkëpunim i opozitës se fjala bashkim është shumë e madhe

Agron ShehajBashkëpunim, se na ka munguar bashkëpunimi dhe ky është problemi i madh i shqiptarëve dhe kjo është arsyeja pse Edi Rama është në pushtet dhe ne jemi në opozitë. Tani bashkëpunimi, bashkimi në një qëllim. Qëllimi në thelb i bashkimit është të ikë Rama. Ky është. Rama është një kryeministër i korruptuar dhe duhet të ikë sa më shpejt, por ne bashkëpunime të tilla kemi patur pa fund.

Blendi FevziuTë ikë Rama apo të ikë Partia Socialiste?

Agron ShehajTani një sekondë, kur themi të ikë Rama themi të ikë Partia Socialiste, të ikë kjo mazhorancë. Por ne 34 vjet këtë kemi pasur gjithmonë, njëherë të ikë Berisha, të ikë Nano, pastaj të ikë Berisha prap, tani të ikë Rama. Problemi është se ne duhet të shkojmë përtej kësaj. Ne duhet të flasim për alernativën, është alternativa që na duhet.

Kush na dëgjon na shtëpia thotë, ore çfarë po flasin këta?! Për bashkim, të ikë Rama, të vijë dikush tjetër. Ai që na dëgjon ka hallin e pronës dhe do të dijë, Rama nuk ia dha pronën, ia mori dhe ia dha një oligarku, dhe do të dijë, këta që duan të vijnë çfarë plani kanë për pronën, do ma kthejnë apo s’do ma kthejnë?! Sa të besueshëm janë, që do vijnë ta shkundin Ramën dhe ta rrëzojnë?! E njëjta gjë vlen për atë të riun në Theth që Rama nuk ia dha pronën, që Rama nuk ia dha lejen e ndërtimit të ndërtonte një lokal të vogël të jetonte me turistët, e ia prishi.

E njëjta gjë vlen për shëndetësinë, për arsimin, ne duhet të flasim për një alternativë, për një alternativë të besueshme dhe vetëm kështu e fitojmë besimin e qytetarëve. Ore ne duhet të shikojmë… ne kemi patur zgjedhje, se këtu jemi duke dhënë mend, duke dhënë opinione. Duhet të shikojmë faktet. Në zgjedhjet e fundit në 2025-ën, partitë e vjetra apo tradicionale kanë humbur 1/3 e votave, kanë kaluar nga 750 mijë vota, në 500 mijë vota. Kanë humbur 250 mijë vota. E kanë kuptuar apo jo që kanë një problem besueshmërie?!

Kanë marrë për herë të parë partitë e reja pothuajse 150 mijë vota. Qytetarët shqiptarë janë lodhur me partitë e vjetra, i thanë 100 mijë herë, ndryshoni, rinovohuni, riformohuni sepse kështu nuk mund të vazhdojmë dhe përqafuan një parti tjetër politike, partitë e reja.

Dhe partitë e reja nuk u votuan të ulen me partitë e vjetra. I votuan sepse besuan se ata janë ndryshimi. Dhe ne si parti e re, nuk mund të na thonë ‘tani hajde ulemi ne’. Sepse neve nuk na kanë votuar të ulemi me partitë tradicionale, sepse ndryshe votonin partitë tradicionale, nuk votonin për ne. Ne duhet të flasim për alternativën, duhet të fitojmë besimin e qytetarëve. Si ikën Rama? Rama nuk ikën me bashkimin, nuk mjafton bashkimi. Që të ikë Rama duhet të fitojmë besimin e qytetarëve dhe për sa kohë që s’e fitojmë besimin e qytetarëve Rama nuk ikën.

Territorialja në “udhëkryq”, Farrici: Përgjegjësi e opozitës të marrë pjesë në Komision

By: A R
29 January 2026 at 22:16

Mazhoranca socialiste do t’i japë edhe një mundësi Partisë Demokratike për t’u bërë pjesë e Reformës Territoriale, duke vendosur ta presë në komision deri të hënën.

Sot, konferenca e kryetarëve u mblodh për të diskutuar propozimin e socialistëve për të ndryshuar përbërjen e komisionit të posaçëm të Reformës Territoriale, duke i hequr opozitës barazinë e anëtarëve dhe bashkëkryetarin.

Mazhoranca argumentoi se ky ndryshim është i nevojshëm për të zhbllokuar punën e komisionit, pasi opozita e ka bojkotuar atë.

Adelina Farrici nga shoqata e bashkive të Shqipërisë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” me gazetarin Roland Zili tha se opozita e ka detyrim të marrë pjesë në Komision, duke qenë se deputetët janë të mandatuarit e popullit.

Intervista e plotë

-Si e shikoni mënyrën se si po procedon komisioni i Reformës Territoriale i cili deri më sot nuk ka hedhur ende hapin e parë drejt një pune konkrete?

Farrici: Në momentin e krijimit të Komisionit të Reformës Administrative dhe Territoriale, ishte një moment optimist, pasi kishte gjithëpërfshirje politike. Është shumë e rëndësishme gjithëpërfshirja politike, pasi nuk do të donim që ky të ishte një proces i njëanshëm. Duhet të jetë një proces konsultues, një proces që adreson problematikat që janë evidentuar gjatë këtyre 10 viteve implementim të reformës së 2014.

-Ju po thoni që reforma duhet të marrë konsensusin e opozitës. A mund të procedojë PS e vetme nëse PD nuk shkon në komision të hënën?

Farrici: Secili nga deputetet e zgjedhur, qofshin përfaqësues të mazhoracës apo opozitës, janë persona që janë mandatuar dhe janë përfaqësues të një pjese të komunitetit. Nëse bëhet fjalë për vendimmarrje në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve është përgjegjësi e tyre të jenë pjesë. Nuk do të dëshironte askush që përsëri reforma të shikohet si e njëanshme ashtu siç ndodhi dhe në 2014. Është përgjegjësi e opozitës të jetë pjesë, të japë opinionet, rekomandimet e veta.

-Çfarë pritshmëri keni ju nga puna e këtij komisioni si shoqatë?

Farrici: Komisioni do vazhdojë të funksionojë. Koha është shumë e shkurtër, duhet një punë shumë intensive. Duhet një proces konsultues. Duhet të fillojë sa më shpejt punë në mënyrë që të kemi një rezultat konkret që të implementohet dhe zbatohet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

-A do të përfshiheni ju si shoqatë me propozime konkrete?

Farrici: Ne do ta ndjekim këtë proces, do të dërgojmë rekomandimet tona, do jemi pjesë e tryezave konsultuese, do angazhojmë edhe ekspertë të ndryshëm.

-Cilat janë ndryshimet kryesore që duhet të sjellë kjo reformë sipas jush?

Farrici: Gjërat që janë artikuluar, që reforma e mëparshme nuk i arriti, një nga gjërat është demokracia lokale dhe përfaqësimi i zonave rurale. Duke qenë se i kemi paralelisht qoftë Reformën Territoriale, qoftë atë Zgjedhore, duhet të adresohet që te reforma zgjedhore që të kemi gjithëpërfaqësim të të gjitha zonave në këshillin bashkiak, pra të zgjedhurit të jenë edhe nga zonat rurale. E dyta është shërbimi ndaj qytetarëve. Të jetë një shërbim që shkon më parë qytetarëve. Kjo do realizohet nëpërmjet fuqizimit të Njësive Administrative. Kjo reformë do të shikohet si një reformë që do bëjë bashkitë funksionale.

Bashkimi i opozitës, Shehi: Nëse na thonë ec te oborri jonë se kemi gjelin, nuk vlen!

By: A R
29 January 2026 at 22:00

Cilat janë pikat që bashkon opozitën kundër mazhorancës pavarëissht ndryshimeve?

Pikërisht për këtë temë po diskutohet në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku ishte i ftuar dhe Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së.

Shehi u ndal fillimisht tek drejtësia në vend, për të cilën u shpreh se është e “dhunuar”, por ama e cilëson mjetin e duhur për t’u përdorur nga opozita.

A bijmë dakord që shpresa më e madhe që kemi ne si opozitarë është kjo drejtësi, e keq, e dhunuar, e korruptuar, vendosja emrin si të duash. Po s’kemi më të mirë se kaq. A jemi dakord që mirë a keq këta prokurorë na japin një dorë në këtë muhabet? E jo thjesht ta interpretojmë se po na japin një dorë për të ardhur në pushtet, por po i japin një mundësi shoqërisë shqiptare në një farë mënyre të pastrohet“, tha ai.

Sa i përket bashkëpunimit të opozitës, ose cilësuar ndryshe si bashkimi i saj, Shehi shprehet se “Ça do bëjmë, do bëjmë krushqni ne? Në qoftë se bijmë dakord për këto gjëra, që është gabuar e po mundohemi t’i rikuperojmë, mund të bëjmë një rrugë bashkë”.

Zbulohet bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

By: A R
29 January 2026 at 21:51

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë prindërit në Shqipëri. Një lloj specifik i qumështit për foshnja po tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së një substance të rrezikshme.

Gjatë kontrolleve në Gjermani, në produktin Aptamil 1 Pronutra (800g) është gjetur prani e një toksine (cereulide) që vjen nga bakteri Bacillus cereus. Ky bakter mund të shkaktojë probleme shëndetësore, ndaj është dhënë alarmi në të gjithë rrjetin europian të sigurisë ushqimore (RASFF).

AKU njoftoi qytetarët se nëse e kanë blerë këtë produkt ta kthejnë në pikat e shitjes.
Sipas autoritetit inspektorët janë tashmë në terren për të bllokuar çdo kuti të mbetur nëpër rafte.

NJOFTIMI I PLOTË

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:

Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026

Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

Pas urdhrit të AKU-së, firma tërheq nga tregu të gjitha seritë e qumështit  Aptamil - Bota Sot

Vjet mbi 20 mijë biznese të reja, kryeson Tirana me rreth 11.200 të tilla. Më pas vijnë Durrësi, Vlora e Fieri

By: A R
29 January 2026 at 21:30

Viti 2025 rezultoi një vit me rritje të fortë të sipërmarrjes në vend. Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar mbi 20 mijë biznese të reja, ose rreth 3.200 biznese më shumë se viti 2024.

Tirana vijon të kryesojë me numrin më të lartë të bizneseve të reja, rreth 11.200 të tilla, duke mbajtur peshën më të madhe të regjistrimeve në shkallë vendi.

Pas saj renditen Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani dhe Shkodra.

Sa i përket fushave ku po investojnë sipërmarrësit e rinj, në vend të parë qëndron tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërsa vend të konsiderueshmë zë edhe riparimi i automjeteve. Më pas vijnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi, apo edhe sektori i informacionit dhe komunikacionit.

Një tjetër tregues domethënës është edhe roli i grave në sipërmarrje. Gjatë vitit 2025, rreth 6,600 biznese të reja rezultojnë të drejtuara nga gratë./vizionplus.tv

“Peleshi noter, Parlamenti realizon normën”, Kaso: Vetëm 3 deputetë dinë ç’është votuar për kodin penal

By: A R
29 January 2026 at 21:21

Ivi Kaso, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” u shpreh se kryeparlamentari Niko Peleshi është kthyer në noter, ndërsa Parlamenti, sipas tij, thjesht realizon normën.

“Është një Parlament i cili me ndërgjegje po e zhbën rolin e tij. Peleshi është i vetmi kryetar Parlamenti që po deligjitimon karrigen ku është ulur. Një kryetar Parlamenti që shndërrohet në një noter të mesazhit që i bën kreu i grupit parlamentar të PS, që vetë nuk di çfarë ka në rend të ditës. Mos të flasim për deputetët. Nga 85 deputetët që votuan ndryshimet në Kod, nëse ka më shumë se 3 deputetë që e dinë se çfarë kanë votuar atë ditë, unë jap dorëheqjen nga çdo funksion”, tha Kaso.

“Kështu është katandisur Parlamenti. Kanë qenë një herë e një kohë këto ndërmarrjet që duhet të plotësonin normën. Është një Parlament që fut 21 ligje, dy ndryshime Kodi dhe realizon normën pa debat. Opozita i tha mazhorancës që mund të qëndrojë edhe 3 ditë për t’i diskutuar”, shtoi Kaso.

“Jemi në presion me kohën”, Mazniku flet për ‘Territorialen’: Procesi, me apo pa opozitën nuk ndalet më!

By: A R
29 January 2026 at 21:13

PD ka kohë deri të hënën të rikthehet tek reformat ose PS do të vijojë e vetme. Arbjan Mazniku, bashkëkryetar komisioni për Territorialen, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se për reformën Territoriale nuk janë aspak në avantazh me kohën dhe se nuk ka vend për të humbur kohë.

Gjatë intervistës, ai theksoi se pavarësisht se qëndrimit të opozitës, procesi i nisur tashmë nuk do të ndalet.

“Nëse ne ia dalim të bëjmë reformë me 140 vota do ishte idealja të shkonim një mekanizëm konsensusi. Ramë dakord për bashkë-kryesi dhe bëmë mbledhjen e parë opozita nuk erdhi, mbledhjen e dytë erdhi por të tretë dhe mbledhjen e katër nuk erdhi. Nëse nuk vijnë ditën e hënë, ne të gjithë anëtarët e PS në komision kanë kërkesën të firmosur ku ne të bëjmë ndryshimin, pra të kryejmë një komision dhe të futemi në një proces pune, por roli i opozitës nuk preket do jetë mëse e mirëpritur, por procesi nuk ndalet më. Me reformën territoriale jemi në një presion në afat me kohën. Ndërsa Reforma elektorale ka avantazh më të madh në kohë”, tha ai.

Një tjetër shqiptar sulmohet me thikë në burgjet greke. Sapo ishte transferuar nga…

By: A R
29 January 2026 at 21:06

Një shqiptar i dënuar me nofkën “Demos” u sulmua me thikë të enjten pasdite, pasi u transferua në burgun e Malandrinos në Greqi.

Sipas informacioneve nga mediat greke, ai u transferua në burgun e Malandrinos dhe pak para se të arrinte në repartin e tij ai u sulmua. Ai mori lëndime të rënda por pa asnjë rrezik për jetën e tij.

Shqiptari mësohet se ishte i përfshirë në tentativën e vrasjes së Jan Lalës që ndodhi në maj 2025. Lala ishte duke udhëtuar me makinën e tij dhe u qëllua me një kallashnikov.

Automjeti i blinduar i 41-vjecarit grek e shpëtoi pasi edhe pas 50 të shtënave ai nuk u plagos. “Demos” gjithashtu njihet për marrëdhëniet e tij me një figurë të njohur të mafias greke.

Sarandë, dy të plagosur pas sherrit me thika, njëri niset drejt Tiranës me urgjencë

By: A R
29 January 2026 at 15:00

Një sherr për motive të dobëta, ka degjeneruar në përdorim të thikës dhe në plagosjen e dy personave në Sarandë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.4 të qytetit.

Si pasojë e një konflikti mes shtetasve Enea Qorri dhe Arnest Gjoncaj, kanë mbetur të plagosur të dy personat. Mësohet se 27-vjecari Gjoncaj, banues në fshatin Gjashtë, është i goditur me thikë pas shpine dhe është nisur me urgjencë drejt Tiranës.

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për ngjarjen dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të saj.

Dikur “fiksimi” i vajzave, surprizon Gabriel Garko: Jam martuar me një burrë!

By: A R
29 January 2026 at 14:52

Ylli i kinemasë italiane, Gabriel Garko, ka zbuluar një kapitull të ri të jetës së tij personale gjatë një interviste në Verissimo, të shtunën, më 24 janar.

Në sallonin mikpritës të Silvia Toffanin, aktori rrëfeu se kishte bërë një hap të madh: 2 vjet më parë, ai është martuar me partnerin e tij, me të cilin ishte në lidhje prej rreth 4 vitesh.

Ceremonia e martesës u zhvillua në mënyrë tepër private, larg syrit të publikut.

“E organizova gjithçka në mënyrë që lajmi të mos dilte jashtë. Ndodhi më 2 dhjetor dhe nuk ia tregova askujt. Familjet tona e mësuan po atë ditë. Lajmin e ndava vetëm me njerëzit me të cilët kam lidhje të forta. Ishim vetëm katër veta në Bashki, gjithçka ishte private“, tregoi Garko.

Partneri i tij quhet Giorgio, dhe së fundmi paparacët i kanë fotografuar të dy në Romë, bashkë me unazat.

Mësohet se Giorgio është nga Palermo, një avokat rreth 40 vjeç dhe që drejton një B&B në Siçili.

Sipas raportimeve, çifti janë njohur përmes miqve të përbashkët dhe më pas nisën të flisnin në rrjetet sociale. Lidhje që sot i ka çuar drejt një zgjedhjeje të rëndësishme jetësore.

Mamaja denoncon djalin: Vodhi banesën dhe motorin e të atit. Arrestohet 22-vjeçari

By: A R
29 January 2026 at 14:45

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 22 vjeç, të akuzuar për vjedhje në banesën e prindërve të tij.

Mamaja e të riut ka kallëzuar në polici, se ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, ka dëmtuar derën e banesës, ka vjedhur sende në banesë dhe motomjetin e babait të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shqipëria përshëndet nismën amerikane për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

By: A R
29 January 2026 at 14:37

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përshëndetur paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, një iniciativë që kërkon nga Departamenti i Shtetit raportim të detajuar mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky projektligj konsiderohet një njohje institucionale e problematikave serioze që përballen shqiptarët në këtë rajon, duke përfshirë çështjet e pasivizimit të adresave, diskriminimit në arsimin dhe punësimin, si dhe kufizimeve në pjesëmarrjen qytetare.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, akti përfaqëson një hap domethënës në trajtimin serioz dhe transparent të të drejtave të pakicave shqiptare në nivel ndërkombëtar, duke dërguar një sinjal të fortë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë rëndësinë e respektimit të të drejtave të komunitetit shqiptar dhe mbështesin përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Ky projektligj tregon se sfidat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk janë të padukshme dhe se komuniteti ndërkombëtar ndjek me vëmendje situatën në këtë rajon”, deklaron Ministria, duke nënvizuar se iniciativa e Kongresit mund të shërbejë si nxitje për dialog konstruktiv me autoritetet serbe dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmoi angazhimin e saj të vazhdueshëm për ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për sigurimin e një ambienti që respekton të drejtat e njeriut. Ajo thekson rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet amerikane, organizatat ndërkombëtare dhe komunitetin lokal për të gjetur zgjidhje afatgjata për sfidat sociale, ekonomike dhe kulturore me të cilat përballet pakicë etnike shqiptare në Republikën e Serbisë.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë një takimi në Tiranë me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi, diskutoi në detaje mbi situatën aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nevojat urgjente dhe mënyrat konkrete për avancimin e të drejtave të tyre. Takimi fokusohej veçanërisht në pasivizimin e adresave, aksesin në shërbimet publike dhe mundësitë për pjesëmarrje të barabartë në jetën institucionale.

Ministria u shpreh se mbështetja e SHBA-së dhe kontributi i Kongresit Amerikan përmes këtij projektligji nuk është vetëm një akt simbolik, por një instrument konkret për forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, duke siguruar se zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dëgjohet dhe do marrë vëmendjen që meriton në arenën ndërkombëtare.

Kina ekzekuton 11 anëtarë të një familjeje mafioze

By: A R
29 January 2026 at 13:52

Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të një familje mafioze nga Mianmar, e njohur për mashtrime të mëdha përmes romancave të rreme online.

Familja kriminale Ming u dënua me vdekje në shtator nga një gjykatë në qytetin Wenzhou, në Kinën lindore, e cila kreu edhe ekzekutimet. Ata u shpallën fajtorë për krime të rënda, përfshirë vrasje me dashje, plagosje, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe organizim kazinosh ilegale. Sipas autoriteteve kineze, grupi ishte përgjegjës për vdekjen e 14 shtetasve kinezë dhe plagosjen e shumë të tjerëve.

Vendimi u miratua nga Gjykata Supreme Popullore e Kinës, e cila e cilësoi provën si të plotë dhe bindëse. Anëtarëve të familjes iu lejua të takonin të afërmit para ekzekutimit. Perandoria e tyre kriminale u shemb në vitin 2023, kur u arrestuan dhe iu dorëzuan Kinës nga milicitë etnike në Mianmar.

Ngjarja përkoi me vizitën e kryeministrit britanik Keir Starmer në Pekin, ku ai diskutoi edhe çështjet e të drejtave të njeriut me presidentin Xi Jinping.

Berisha: Dëshmova në Strasburg regjimin e Ramës, opozita do vazhdojë betejën deri në fitore

By: A R
29 January 2026 at 13:44

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot, më 29 janar, një konferencë për mediat, ku foli për vizitën e tij në Strasburg dhe takimet me drejtues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Berisha u shpreh me tone të forta ndaj qeverisë Rama, duke e akuzuar atë për ndërtimin e një narko-shteti dhe për përfshirje në korrupsion dhe trafik droge.

Sipas Berishës, Rama ka dhënë leje ndërtimi për kulla, ku pastrohen para, vetëm që të ketë përfitime në zgjedhje. Ai theksoi se në takimet me drejtues të komisioneve dhe me anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, u trajtua situata alarmante në Shqipëri. “Falënderova Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që i anuloi Ramës çdo pritje, pasi ai mbajti atje një fjalim të stilit të Gaddafit”, tha Berisha.

Kreu democrat e përshkroi situatën në vend si të rrezikshme. “Shqipëria është e rrezikuar nga regjimi i Ramës. Fantazma e kreut të organizatës kriminale Edi Rama ishte më e përçmuara në Strasburg. Shqipëria e Ramës renditet aty si diktaturë autoritare që bazohet në drogë”.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mobilizimit të opozitës shqiptare. “Opozita është e vendosur të përballet dhëmbë për dhëmbë me këtë narko-regjim. Ftoj opozitarët të vazhdojmë këtë betejë deri në fitoren tonë, sepse shpresa e vetme e vendit është opozita dhe ajo nuk do të zhgënjejë”

Berisha nënvizoi se jehona e protestës së opozitës në takimet ndërkombëtare ishte e fuqishme dhe është pruitur mjaft mire nga miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ai shtoi se vizita në Strasburg i dha mundësinë opozitës të tregojë realitetin e brishtë dhe të rrezikshëm në vendin tonë, duke e paraqitur qeverinë Rama si një structure, që punon kundër interesave të qytetarëve dhe institucioneve demokratike.

Duke folur për çështjen Balluku, Berisha u shpreh se Rama ka frikë nga zëvendëskryeministrja. “Rama ka frikë nga Belinda Balluku. Kjo, sepse në dosjen e Ballukut, në çdo dy rreshta përmendet Rama”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, vetëm protesta e rrëzon Ramën nga pushteti. “Rama i konsideron qytetarët si qenie inferiore dhe beson se i gënjen dhe i mashtron sipas qejfit. E dinë qytetarët që AKSHI është Rama. E dinë se pengjet janë marrë për qindra milionët e tyre, e dinë qytetarët këtë. Uraganin në protestën e 24 janarit e patë, tre herë më i madh ishte zemërimi. Po shkohet drejt triumfit të ligjit dhe Kushtetutës”, u shpreh ai.

Le Monde “zbërthen” Edi Ramën! Kryeministri, nga piktura te atletet: Jam unë edhe kaq!

By: A R
29 January 2026 at 13:36

29 janar 2026 – Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një intervistë me një gazetar të Le Monde, e cila është pasqyruar në një artikull, ku ai cilësohet “një politikan jo i zakonshëm”.

“Një portret që ndërthur politikën, artin, gjuhën frënge dhe vizionin europian të vendit”, shkruan Le Monde.

Intervista është realizuar në ambientet e Kryeministrisë, në kopshtin e Edenit, ku gazetari francez përshkruan një atmosferë larg klisheve të pushtetit.

Që në hyrje, Rama shfaqet si një lider atipik: një kosh basketbolli i varur në mur, vizatime shumëngjyrëshe dhe piktura personale që dëshmojnë për lidhjen e tij të pandarë me artin dhe sportin.

Le Monde ndalet edhe te rrugëtimi i Ramës me gjuhën frënge, të cilën ai e ka mësuar gjatë rinisë, në Cité Internationale des Arts në Paris. Sipas kryeministrit, ajo mbetet një gjuhë që e bën të ndihet “si në shtëpi”, edhe pse sot anglishtja dominon marrëdhëniet ndërkombëtare.

I pyetur për stilin e tij të veshjes, shpesh të komentuar për atletet e bardha edhe në evente zyrtare, Rama thekson se nuk bëhet fjalë për imazh apo strategji komunikimi, por për autenticitet.

“Ka të bëjë me të qenurit vetvetja. Pse duhet të ndryshoj për t’u dukur sikur jam pjesë e një shfaqjeje? Jam unë, dhe kaq”, është shprehur kreu i qeverisë.

Në intervistë trajtohet edhe rritja e ndjeshme e turizmit, veçanërisht e turistëve frankofonë në Shqipëri.

Rama shprehet se Shqipëria tashmë po flet vetë përmes bukurisë së saj, pa paragjykimet e së shkuarës, duke u shfaqur si një vend europian, mikpritës dhe me harmoni fetare.

Në fund të bisedës, kryeministri përmbledh me metafora identitetin e vendit.

Tirana, sipas tij, është “dëshira për të ardhmen” dhe Shqipëria është “dashuria për të tjerët”.


Le Monde e mbyll intervistën duke e përshkruar Edi Ramën si një lider që mbetet vetvetja, mes pikturës, sportit dhe një vizioni të qartë europian. Shqipërinë e përshkruan si një vend që po prezantohet gjithnjë e më shumë përmes bukurisë së saj, në të gjitha stinët dhe qytetet.

Më poshtë, intervista e plotë:

Gazetari: Z. Kryeministër, para se të fillojmë intervistën, po ju rrëfehem diçka po mendoja nëse duhet të ndërroja atletet. Që kur ju pashë duke mirëpritur krerët e shteteve në samitin evropian në Tiranë, mendova se nuk po i përmbaheshit saktësisht kodit klasik të veshjes. Ky stil i pazakontë, a është një mënyrë për të projektuar një imazh modern, ndryshe nga perceptimi tradicional për Shqipërinë?

Edi Rama: Jo. Ka më shumë të bëjë me të qenurit vetvetja. Përndryshe, nuk do të isha vetvetja. Pse duhet të ndryshoj për t’u paraqitur sikur jam pjesë e një shfaqjeje? Jam unë, dhe kaq. Megjithatë, gjërat po ndryshojnë. Ka edhe të tjerë që po fillojnë të veshin atlete.

Gazetari: A është njohja e gjuhës frënge një aset në funksionin tuaj si kreu i qeverisë, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Edi RamaFrëngjishtja nuk është më gjuha e marrëdhënieve ndërkombëtare. Më vjen keq ta them, por kjo është anglishtja. Megjithatë, të flasësh frëngjisht më bën të ndihem vërtet si në shtëpi. Është një ndjesi që të lejon ta përjetosh thellë një kulturë, e cila përndryshe humbet në anglisht ose në shqip. Prandaj, kur kemi fatin ta eksplorojmë drejtpërdrejt, është diçka vërtet e jashtëzakonshme.

Gazetari: Gjatë udhëtimit tonë kemi vënë re një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, mes tyre edhe shumë frankofonë. Si e shpjegoni këtë interes të madh për Shqipërinë?

Edi Rama: Jam shumë i lumtur, sepse më në fund Shqipëria është në gjendje t’u flasë francezëve që e vizitojnë përmes bukurisë së saj. Ata e admirojnë vendin pa paragjykimet që për një kohë të gjatë e kanë shoqëruar në sytë e botës, të Evropës dhe të Francës. Ata zbulojnë një vend evropian, që e do Francën, një vend të bukur dhe mikpritës, ku fetë bashkëjetojnë në harmoni të plotë dhe ku, pavarësisht diversitetit fetar, ekziston një unitet i fortë në përkatësinë evropiane dhe në dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Gazetari: Z. Kryeministër, nëse do t’ju duhej ta përkufizonit Tiranën me një fjalë, cila do të ishte ajo?

Edi RamaDëshira për të ardhmen.

Gazetari: Po Shqipërinë?

Edi RamaDashuria për të tjerët.

❌
❌