Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Zelensky bisedë telefonike me Von der Leyen: BE po e mbështet Ukrainën në shumë aspekte vendimtare

By: Re Nato
23 December 2025 at 18:01

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Zelensky, me anë të një postimi në X, shkruan se është mirënjohës ndaj BE për të gjithë mbështetjen, ndihmën dhe angazhimin maksimal të treguar jo vetëm këtë vit, por që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.

“Javën e kaluar, Këshilli Evropian miratoi një vendim për 90 miliardë dollarë ndihmë financiare për Ukrainën për periudhën 2026-2027, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Ne e vlerësojmë shumë faktin që BE po e mbështet Ukrainën në këtë mënyrë në këtë fazë diplomatike, në shumë aspekte vendimtare”, tha ai.

Sipas Zelensky, negociatat në vazhdim mund ta ndryshojnë rrënjësisht situatën dhe është thelbësore të sigurohet presioni i duhur mbi Rusinë.

28 dhjetori, ndryshe nga 9 shkurti? Abazi: LVV ka pësuar rënie, rritje e opozitës

By: Re Nato
23 December 2025 at 17:31

Kandidati për deputet i AAK, Haki Abazi thotë se fushata e kësaj force politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit është e mirëorganizuar.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Abazi u shpreh se LVV ka pësuar rënie, ndërsa partitë e opozitës kanë shënuar rritje.

“Fushata po vazhdon me instentit të shtuar. Jemi në ditët e fundit. Fushata e Aleancës është e mirëorganizuar. Që do ketë ndryshime, qytetari i Kosovëska treguar mundësi, aftësi, shoh  rënie të LVV dhe rritje të partive në opozitë. Për shkak të rritjes së çmimeve, izolimit të Kosovës. Slogani i LVV tregon mendësi politike të një monopilizimi të një pluralizmi politik. Kur zgjodhëm kryetarin e parlamentit, zotimet e Kurtit se ka numrat për qeverinë, nuk ishin. Demokracia kërkon 51 përqind dhe nuk mund të ndryshojë asgjë në këtë format. Sot jemi në rrugë për në Suharekë. Presim një tubim madhështor, ku do të jetë edhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj”, theksoi ai./abcnews.al

Zelensky zbulon draftet për fundin e luftës

By: Re Nato
23 December 2025 at 17:13

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur disa draft-dokumente kyçe që synojnë një përfundim të qëndrueshëm të luftës me Rusinë.

Draftet përfshijnë çështje të garancive të sigurisë, rindërtimit të Ukrainës dhe kornizën e negociatave për paqen, shkruan kyiv post.

Zelensky tha se megjithëse ka një përparim të rëndësishëm, ende ekzistojnë dallime midis asaj që është shkruar dhe realitetit në terren.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Andrij Hnatov, raportuan tek presidenti pas takimeve me përfaqësues të SHBA-së se punimi ka përfunduar dhe draftet janë gati.

“Draftet janë të strukturuara për të siguruar një fund të vërtetë të luftës dhe për të parandaluar një pushtim të ri rus”, tha ai.

Lideri ukrainas shtoi se procesi diplomatik dhe diskutimet ndërkombëtare do të vazhdojnë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.

Vuçiç konfirmon bisedimet për t’ia shitur NIS një kompanie hungareze

By: Re Nato
23 December 2025 at 16:32

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinw e vetme tw naftës në Serbi, tha të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të gjera që synonin sektorin e naftës të Rusisë në janar, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë, por për NIS-in zbatimi i tyre u shty disa herë përpara se të hynte përfundimisht në fuqi më 8 tetor.

“Ne kemi informacione se përfaqësuesit e Gazpromit po bisedojnë, mes të tjerash, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, u tha Vuçiç gazetarëve të martën.

“Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.

Berisha, shfaqje me molotov/ Mahmutaj: Qëllimi i tij, të shpëtojë nga prangat e SPAK

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:52

Gazetari Fatos Mahmutaj thotë se kreu i PD, Sali Berisha ka si qëllim të shpëtojë nga prangat e SPAK.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Mahmutaj u shpreh se Berisha është në hall dhe kërkon të marrë pushtetin me dhunë.

“Qëllimet e qytetarëve nuk bashkohen me qëllimet e Berishës. Berisha ka qëllim të shpëtojë nga pranga e SPAK. Berisha ka hallin e tij personal. Protesta sot prodhoi ca akte të shëmtuara dhune dhe gjithmonë kështu kanë qenë. Kaq është fantazia politike e Berishës. Kaq është mundësia dhe kaq shihet nga opozita shqiptare. Berisha e nisi në 1990 me mashtrimet e tij. Njerëzit pas pak vitesh i la pa bukë në 1997. Për të fshehur mungesën e inteligjencës politike, prodhon akte dhune. Me dhunë, Berisha mendon se do marrë pushtetin. Pushteti merret me votë”, theksoi ai./abcnews.al

4 te plagosur në protestë/ Lëndohen një qytetar, fotografi dhe dy efektivë policie

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:40

Katër persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së opozitës, si pasojë e dhunës dhe hedhjes së molotovëve drejt kordonit të policisë dhe në portat e Kryeministrisë.

Një qytetar dhe një fotograf morën lëndime gjatë tubimit ndërkohë që të plagosur janë edhe dy efektivë të policisë. Pak minuta pasi protestuesit kanë boshatisur sheshin e Kryeministrisë, policia shkencore mbërriti aty dhe vendosi shiritat me mbishkrimin “skenë krimi”.

Për disa orë ekspertët kanë kryer fotografimin dhe filmimin e dëmtimeve të krijuara nga shpërthimet e flakëve prej molotovit.

Forcat e rendit kanë ndaluar një person për aktet e dhunës në protestë ndërkohe që po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë./abcnews.al

Berisha në rënie të lirë/ Sondazhi “Zëri i Shqiptarëve”: Rama lideri më i preferuar

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:38

Për herë të parë, ABC News sjell një sondazh për gjithë figurat më të rëndësishme politike të Shqipërisë në 100 vite.

Cilin preferojnë shqiptarët nga drejtuesit e shtetit ndër vite?

Elektorati i majtë sot, ka vlerësim më pozitiv për kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama 33.8%, 17.9% për ish-kryeministrin Fatos Nano, kurse simpatizantët e regjimit komunist kanë 7% për Enver Hoxhën dhe 1.3% për Ramiz Alinë.

Ana tjetër, elektorati i djathtë, ndahet mes Sali Berishës 24% dhe mbretit Ahmet Zogu 16.1%.

Më të vjetrit, janë simpatizantë të Enver Hoxhës, mbi 59 vjeç, kurse më të rinjtë të Edi Ramës 46.4 vjeç.

Mes të djathtëve, pavarësisht se Zogu herën e fundit si mbret daton 90 vite më parë, 5 vite para se të lindte Sali Berisha, Simpatizantët e Zogut, 47.1 vjeç kanë moshë më të re se ata të Berishës, 49.8 vjeç.

Rezulton se më të shkolluarit në Shqipëri, ata me 13.2 vite mesatare shkolle mbështesin Ramën, ata me 13 vite Zogun, 12.8 vite Nano ose Ramiz Alinë, kurse me 11.9 vite shkollë Sali Berishën.

Mbështetësit me më pak vite shkollimi se ata të Berishës, mbështesin Enver Hoxhën.

Tek ndarja zonale. Në zona urbane, Rama është më i pëlqyer me 35.4%, ndërsa mbështetja i bie në zona rurale me 30.3%. E njëjta gjë ndodh me Mbretin Zog, nga 16.5% në 15.5%, dhe Fatos Nanon, 21.1% dhe 15.1%.

Të vetmit që kanë një rritje në zonat rurale janë Sali Berisha dhe Enver Hoxha. Kryetari i PD pëlqehet vetëm 21.1% në qytete, por mbështetjen më të madhe e ka në fshatra, 29.8%. Ashtu si Enver Hoxha, nga 4.3% në 8.4%. përderisa ende dominojnë skenën politike aktualisht, Rama është më i dëshiruari nga të majtët, kurse Berisha nga të djathtët.

Por si votuan simpatizantët e Enver Hoxhës, Ramiz Alizë apo Fatos Nanos në 11 maj?

40.3% votuan për PS, 21% parti të tjera kurse 38.8% nuk votuan fare.

Sa i përket simpatizantëve të Ahmet Zogut? Vetëm 22% zgjodhën koalicionin e djathtë të Sali Berishës, po kaq, afër 20.8% zgjodhën parti të tjera, ndërsa 57.4% nuk votuan fare.

Një sinjal ky, se Sali Berisha për pëlqyeshmëri mund të mbetet nr.2, por nuk shihet domosdoshmërisht si lideri i të djathtës në Shqipëri./abcnews.al

Berisha, shfaqje me molotov/ Salianji “s’e kalon kufirin”: Do vazhdoj foltoret

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:27

Nga foltore e mbledhur, në protestë për të bredhur.

Berisha qeverinë nuk e rrëzoi, numrat pak ndryshuan, por doktorit pak i intereson kjo, ylberin opozitar e fitoi.

Tiku iku, por vetëm pak metra larg, kurse Salianji erdhi, deri tek piramida, vijën e kuqe të doktorit nuk e shkeli.

“Nuk më përjashton dot njeri. Do i vijoj foltoret”.

Në një cep Lapajn, në cepin tjetër Salianjin, Berisha distancën e te rinjve nuk e përtyp kollaj, ndaj fjalën të parit ia dha Këlliçit, megjithë kompleksitetin e tij për t’u shfaqur këto kohë në protesta.

Kurse Gazi foli i treti, pas një vajze. Sheshi iu duk madhshtor, por nuk e fshehu dëshiren se i pëlqen më tepër të drejtoje se sa të sakrifikojë.

“Jo se s’na pëlqen të rrimë ngrohtë ne shtepi, apo të dalim në të ftohtë të protestojmë, por na ka mbytur korrupsioni”.

Por dardha e ka bishtin mbrapa, ashtu si Gazi zëvendësuesin. Pas tij, fjalën e mori djali i Fahriut.

Kurse Doktori nuk e fshehu gëzimin e këtij koktejli opozitar.

“Se kanë thënë ku është opozita, ja ku është forca, ja ku është opozita, mjerë ai që e gënjen Ramën për ne”.

Por demokratët nuk erdhën për opoziten, por për qeverinë.

Kur Ramën nuk e rrëzoi dot as sot në qeveri, Berisha u premtoi se do i shkojë në shtëpi.

“Në surrel do i shkojmë, po po, më degjoni mua, marshimi do jetë për në Surrel”.

Protesta mbaroi, por një urim për festat doktori nuk e bëri dot, në vend të fishekzjarreve, u dha demokratëve një shfaqje me molotov./abcnews.al

Inteligjenca amerikane paralajmëron për ambiciet e Putinit ndaj Evropës

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:19

Raportet e inteligjencës amerikane vijojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga synimi për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të zgjeruar ndikimin rus edhe në territore evropiane që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik, përfshirë vende që sot janë anëtare të NATO-s.

Këto vlerësime bien ndesh me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe të negociatorëve të tij, të cilët kanë pohuar se Kremlini synon t’i japë fund luftës që nisi me pushtimin e Ukrainës pothuajse katër vite më parë.

Raportet e inteligjencës amerikane, më i fundit i hartuar në muajin shtator, hedhin poshtë edhe pretendimet e Moskës se Rusia nuk përbën kërcënim për Evropën. Sipas këtyre vlerësimeve, vendet e para të rrezikuara do të ishin shtetet baltike: Estonia, Letonia dhe Lituania.

Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, deklaron se Moska po përshpejton planet e saj strategjike.

“Sipas planit fillestar, Rusia duhej të ishte gati për veprim në vitin 2030. Tani afatet janë shkurtuar për vitin 2027”, tha ai, duke shtuar se Kremlini e sheh veten si një fuqi që mbijeton vetëm përmes zgjerimit të vazhdueshëm të ndikimit.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Shërbimi sekret turk arreston drejtuesin e lartë të ISIS

By: Re Nato
22 December 2025 at 22:58

Shërbimet turke të inteligjencës njoftuan sot (22 dhjetor) se arrestuan një udhëheqës të dyshuar të grupit Shteti Islamik (ISIS), i cili po planifikonte sulme në rajon dhe deri në Evropë, “midis Afganistanit dhe Pakistanit”, raportoi Agjencia Anadolu.

“Mehmet Gören, një nga udhëheqësit e dyshuar të organizatës terroriste Shteti Islamik, u arrestua në rajonin Afganistan-Pakistan në një operacion të kryer nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT) dhe u soll në Turqi”, raportoi agjencia.

Sipas MIT-it, i dyshuari po përgatiste “sulme vetëvrasëse që synonin civilët në Afganistan, Pakistan, Turqi dhe Evropë”. Inteligjenca e mbledhur nga agjencia tregonte se ai kishte pranuar të kryente sulme vetëvrasëse kundër civilëve dhe se kishte “lehtësuar transferimin” e luftëtarëve të ISIS-it nga Turqia në rajonin Afganistan-Pakistan.

Dega lokale e ISIS-it në Khorasan (IS-K), e cila vepron në Afganistan dhe Pakistan, ndër të tjera, konsiderohet si një nga më aktivet e organizatës dhe ka marrë përgjegjësinë për qindra sulme të dhunshme në atë rajon dhe më gjerë.

MIT pretendon se Mehmet Gören “ka shërbyer në mënyrë aktive në kampe që i përkisnin organizatës terroriste të Shtetit Islamik” dhe është ngjitur në radhët e saj, duke arritur një pozicion udhëheqës.

Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç të Ukrainës, Odesës

By: Re Nato
22 December 2025 at 22:20

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.

Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme “sistematike” në rajon. Javën e kaluar, ai paralajmëroi se fokusi i luftës “mund të jetë zhvendosur drejt Odesës”.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar aksesin e Ukrainës në logjistikën detare.

Më herët në dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të ndërpresë aksesin e Ukrainës në det si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj anijeve cisternë të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.

“Flota në hije” është një term që i referohet qindra anijeve cisternë të përdorura nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Natën e së dielës në rajonin e Odesës, grevat ndërprenë energjinë elektrike për 120,000 njerëz dhe shkaktuan një zjarr në një port të madh që shkatërroi dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj perimesh.

Moska mohon raportet se planifikon të sulmojë Evropën

By: Re Nato
22 December 2025 at 21:39

Moska ka mohuar raportet e Reuters se Rusia po planifikon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të sulmojë Evropën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha gjatë një konference: “Ne kemi parë disa raporte të shpërndara mbi këtë çështje… Kjo është një situatë ku shërbimet e inteligjencës po bëjnë supozime dhe përfundime të pasakta. Kjo nuk është e vërtetë.”

Edhe zëvendës ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov deklaroi se Rusia, pas luftës në Ukrainë, është ligjërisht e gatshme të konfirmojë se nuk ka ndërmend të sulmojë vendet e BE-së dhe NATO-s.

“Sigurisht, ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë vendet e BE-së dhe NATO-s. Rusia nuk ndjek qëllimet agresive që i atribuohen vendit tonë”, tha diplomati.

Përkundrazi, siç tha ai, Evropa tashmë ka filluar zbatimin e programeve të rimilitarizimit në shkallë të gjerë. Vendet e BE-së e justifikojnë këtë duke përmendur një kërcënim të mundshëm nga Rusia.

Vritet një gjeneral rus në Moskë

By: Re Nato
22 December 2025 at 21:12

Gjenerali rus, Fani Sarvarov është vrarë të hënën si pasojë e shpërthimit të një bombe në makinën e tij, kanë bërë të ditur zyrtarët rusë.

Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se gjenerali ushtarak ka vdekur në mëngjesin e së hënës pas shpërthimit të pajisjes shpërthyese që duket se i ishte vendosur nën makinë.

Sarvarov, 56 vjeç, ka qenë udhëheqës i Departamentit të stërvitjes operative të forcave të armatosura, ka bërë të ditur Komiteti.

Sipas tij, një teori që po hetohet është që bomba është vendosur me përfshirjen e shërbimeve ukrainase të inteligjencës. Ukraina nuk ka komentuar ende në këtë drejtim.

Hetuesit janë në vendin e ngjarjes, afër makinës, e cila gjendet në qoshen e parkut të një blloku banesash në jug të kryeqytetit të Moskës.

Nga fotografitë që janë bërë në vendin e ngjarjes shihet një makinë e bardhë e dëmtuar rëndë.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, në Moskë janë shënjestruar një numër zyrtarësh ushtarakë rusë.

Protesta e PD/ Çupi: Berisha e ngre pushtetin mbi fatkeqësinë e popullit/ Beqiri: Duhet të jetë në burg

By: Re Nato
22 December 2025 at 20:35

Analisti Frrok Çupi thotë se Sali Berisha e ngre pushtetit mbi fatkeqësinë e popullit.

Në një intervistë për ABC News, Çupi u shpreh se fjalimi i Berishës në protestës, përmbante fjalë si kufoma apo varre.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri deklaroi se Berisha duhet të ishte në burg për krimet që ka bërë.

Frrok Çupi: Pushtetin e tij e ngre mbi fatkeqësinë e poipullit, ndaj vendit. Fjalimi i tij ishte kufoma, varre. Një njeri makabër mund t’i bëjë këto gjëra. Kjo është Shqipëria që Saliu e sheh në ëndërr. Interesat e tij, janë të kundërta me interesat e njerëzve.

Idajet Beqiri: SPAK po mbështet këtë kryekriminel. Për krimet e mëdha që ka bërë Berisha. Të mos përfundosh hetimet për vrasjet e 8 personave, Haklaj, janë vrarë me urdhër të Berishës. Motrat e Haklaj kanë dhënë dëshmi. SPAK mban sehir, nuk e çon çështjen në gjykim. Nuk e dërgon Gërdecin. Problemi është që SPAK, si e lejon akoma që t’i vihet zjarr Shqipërisë. SPAK çfarë do? Do që të bëjë edhe një Gërdec tjetër, 21 janar tjetër? Saliun e lënë akoma që t’i vërë zjarrin Shqipërisë./abcnews.al

Protesta, zjarr dhe dhunë pas fjalës së Berishës/ Protestuesit thyejnë kordonin e policisë, heqin gardhin metalik

By: Re Nato
22 December 2025 at 19:48

Zjarr dhe dhunë në protestën e PD, pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha.

Pasi Berisha mbylli fjalën e tij, militantët hodhën dhjetëra molotov drejt godinës së Kryeministrisë.

Disa prej tyre, thyen kordonin policor dhe hoqën gardhin metalik.

Megjithëse ishte paralajmëruar një protestë madhështore, nuk rezultoi të ishte një e tillë. Pjesëmarrja në nisje dhe përgjatë protestës ishte e ulët./abcnews.al

Salianji: Nuk më përjashton dot njeri. Ish deputeti: Sot jam këtu për protestë, por do të vazhdoj foltoret e mia

By: Re Nato
22 December 2025 at 18:44

Edhe pse ka dalë kundër doktorit me foltoret e tij, Ervin Salianji mori pjesën në protestën e thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha përpara godinës së Kryeministrisë.

I pyetur nga mediat nëse i druhej një përjashtimi, Salianji deklaroi se nga PD nuk e përjashton dot njeri.

Salianji shtoi se do të vijojë foltoret.

“Si protestues. Nuk është me dëshirë kjo punë. Jam këtu si demokrat. Nuk diskutohet që do vazhdoj dëgjimoret. Nuk më përjashton askush. Do të jem në PD dhe do vijoj të kontribuoj për PD. Ka ndryshuar nga kjo lëvizje dhe ka për të ndryshuar edhe më shumë. Do ta shoh dhe do ta them”, theksoi ai./abcnews.al

“Pjesëmarrja në protestë e ulët”/ Frrok Çupi: PD zvogëlohet, Berisha kërkon të shuajë zërat kundër

By: Re Nato
22 December 2025 at 18:27

Sali Berisha ka thirrur protestë kombëtare para godinës së Kryeministrisë, por pak mbështetës i janë përgjigjur pozitivisht kreut të PD.

Analisti Frrok Çupi thotë se protesta e Berishës bëhet për t’i shërbyer atij dhe për të eleminuar zërat që i ka kundër.

“Bën një shërbim shumë të madh të dyanshëm. E para, PD bën një shërbim për militantët e vet. Duan rrëmujë, janë shumë pak. Duan një ushqim. Duan ndonjë lekë nëpër duar, të bërtasin, që lideri ynë po na e dëgjon zërin.

I mban të zhytur para vetes. Shërbimi tjetër, i bën shërbim vetes. Kjo protestë ka qëllim eleminimin e zërave të Salianjit. Do duheshin punë, regjizura, pamje, filma, për ta paraqitur para publikut një opozitë të tillë. Pse ka ardhur PD duke u zvogëluar? Ka ardhur, përveç mëkateve, krimit, por edhe e dëshmon veten në protesta. E thotë hapur, kjo jam unë. Për t’i thënë Salianjit, mblodha më shumë se ty. PD u krijua me strategji për të marrë pushtetin.

E mori një herë pushtetin dhe nuk e mori më. Militantët pushtet duan. Ky është pushteti, do të mbarojë protesta, është njësoj si të tjerat. Jemi të detyruar të shohim spektaklin brenda PD. Një deputet afër Berishës, Gjoni ka deklaruar se nuk e mbajmë popullin nga zemërimi. Ka lënë të kuptohet se do ketë trazira. Nëse kanë përgatitur gjë mes tyre, nëse Berisha do ishte aq i pafrikësuar, do bënte plane për të krijuar një viktimë nga radhë e veta. Kam përshtypjen se as Salianji dhe Lapaj nuk do të jenë viktima”, theksoi ai./abcnews.al

I dërguari i Trump në Groenlandë: Do të punoj që ishulli të bëhet pjesë e SHBA

By: Re Nato
22 December 2025 at 18:02

Donald Trump ka shkaktuar një debat të ri me Danimarkën pasi emëroi një të dërguar special në Groenlandë, ishullin e madh Arktik që ai ka thënë se do të donte ta aneksonte.

Trump njoftoi të dielën se Jeff Landry, guvernatori republikan i Luizianës, do të bëhej i dërguari special i SHBA-së në Groenlandë, një pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës.

Guvernatori Landry tha në një postim në X, se ishte një nder të shërbeja në një “pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.

Kryeministri i Groenlandës tha se ishulli duhet të “vendosë vetë të ardhmen tonë” dhe “integriteti i tij territorial duhet të respektohet”.

Ky veprim ka zemëruar Kopenhagën, i cili tha se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së për “një shpjegim”.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur vendndodhjen e saj strategjike dhe pasurinë minerale.

Ai ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e ishullit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, një aleat i NATO-s që tradicionalisht ka gëzuar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin.

Groenlanda, shtëpi e rreth 57,000 banorëve, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e danezëve.

Ndërsa shumica e banorëve të Groenlandës favorizojnë pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bërjes pjesë e SHBA-së.

 

❌
❌