Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 28 December 2025Main stream

Zgjedhjet në Kosovë, analisti: Pas orës 19:00 do jemi pak të habitur…

By: A R
28 December 2025 at 15:00

Pas 9 muajsh krizë, Kosova i drejtohet këtë të diel, më 28 dhjetor, kutive të votimit, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Analisti Lutfi Bilalli, në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj në Prishtinë, thotë se vota e qytetarëve do të jetë një përgjigje për këtë krizë. Sipas tij, pas orës 19:00, kur mbyllet zyrtarisht orari i votimeve, do të ketë surpriza…

“Mendoj se pas orës 19:00 do të jemi pak të habitur, nuk po hyj më tutje. Legjitimiteti, ose amnistia për njërën palë apo tjetrën, do të jetë një sfidë që do të merren pas zgjedhjeve subjektet politike. Kemi hyrë në fazën që të ndërtohet diçka e re, duhet të prishet e vjetra. Mendoj se do të kemi shumë surpriza. Mendoj se kemi probleme të strukturave politike, që nuk kanë arritur në vijën e duhur të përfaqësojnë… Kemi krijuar brenda këtyre strukturave kuadra që nuk përfaqësojnë denjësisht, cilësia në klasën politike është e dobët. Kemi ardhur në një pozitë kur çdo gjë bëjnë… të jem unë. Të zgjidhem deputet dhe për të tjerat… Mendoj se në këtë aspekt subjektet politike kanë shumë për të bërë. Vota është një lloj përgjegjësie dhe nuk mundet dosido të jepet votë nga votuesi për atë që nuk ke bërë. Kjo do të jetë sfida”, tha Bilalli.

Duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, analisti thekson se vendi “nuk e ka luksin të hyjë përsëri në zgjedhje, të cilat kanë kosto financiare, por edhe vullneti i votuesve zbehet”.

Rriten kompetencat për Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara, krijohet Super-Inspektorat i Territorit

By: A R
28 December 2025 at 14:54

Ministria e Brendshme ka nxjerr për konsultim publik 3 projektligje në funksion të administrimit të aseteve të konfiskuara, dhënies fund të ndërtimeve pa leje si dhe forcimit të kontrollit në territorit.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe strukturat vendore shkrijnë kompetencat në një institucion të vetëm të ri të quajtur Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve, me varësi qendrore dhe degë rajonale.

Qëllimi i të cilit është kontrolli i unifikuar, dhe më efikas ndaj ndërtimeve pa leje.

“Me anë të këtij riorganizimi synon rritjen e kapaciteteve inspektuese, profesionalizimin e trupës, rritjen e pavarësisë funksionale si dhe garantimin e një procesi inspektimi të besueshëm, të integritetshëm dhe të mbrojtur nga ndikimet e jashtme. Struktura e re pritet të sigurojë zbatimin e një qasjeje të unifikuar dhe të standardizuar në kontrollin e territorit”, thuhet në projektligj.

Projektligji i dytë rishikon administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje ku Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara bëhet autoriteti i vetëm përgjegjës.

 “Efektet e pritshme nga zbatimi i këtij projektligji janë krijimi i procedurave më të shpejta, më të qarta dhe më të kontrollueshme, rritja e të ardhurave nga shitja dhe përdorimi publik i objekteve, shmangia e konflikteve ndërinstitucionale, forcimi i sigurisë juridike për pronarët dhe institucionet, si dhe garantimi i një niveli maksimal transparence për publikun”, thuhet në projektligj.

Ndërsa projektligji i tretë zgjeron rrolin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ku do të përfshijë në administrim pasuritë e konfiskuara nga gjykatat, ato të pushtetit vendor si dhe ndërtimet pa leje. Përfshirja e monedhave virtuale si pasuri e konfiskueshme dhe krijimi i një fondi të posaçëm të dedikuar, që do të përdoret për rikualifikimin ose funksionalizimin e objekteve të paligjshme, është një tjetër risi e draft-ligjit.

Nga ARMO, tek Bankers e Gërdeci! Beqiri i shkruan Marco Rubios: SPAK po godet ‘mizat’, por ‘elefantët’ janë familjet Berisha e Meta

By: A R
28 December 2025 at 14:48

Avokati Idajet Beqiri i është drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio një letër me prova mbi aferat korruptive për familjen e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe për atë të ish-presidentit Ilir Meta.

Ai theksoi se për familjet Berisha dhe Meta ekzistojnë prova të shumta për dhjetëra afera korruptive me vlera miliardëshe. Avokati përmend këtu privatizimet e Telekom, ARMO-s, Albpetrol, Bankers Petrol, aferat për ndërtimin e Rrugës së Kombit si dhe masakrën e Gërdecit, për të cilat thotë se SPAK nuk ka ndërmarrë veprime të mirëfillta hetimore dhe se aktivitetin e ka bazuar në disa dosje periferike që nuk kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm politik.

“Kjo letër ju dërgua sot Sekretarit Amerikan të Shtetit Marko Rubio…

Subjekti: Nevoja për drejtësi të vërtetë në Shqipëri.

I nderuar Zoti Sekretar,

Shqipëria po përballet me një fenomen shqetësues: drejtësia selektive që kursen “elefantët” e korrupsionit të lartë shtetërorë dhe godet vetëm “mizat”.

SPAK nuk ka ndërmarrë hetime për aferat më të mëdha të grabitjes së pasurisë publike, duke përfshirë: Privatizimet e Telekomit, ARMO-s, Albetrolit, mbi 4 miliardë euro të Bankers Petrol, të Profarmës, të Bankës Kombëtare; të 4 hidrocentraleve, aferat mbi 150 milion dollarë të Fazlliçit dhe Lazaroviçit, të Rrugës së Kombit (ku janë vjedhur 600 milionë euro, dhe projekti arriti koston 1.4 miliard euro); aferën gjakatare të Gërdecit dhe grabitjen e Thesarit të Shtetit, Floririn e Krrabës.

Arsyet janë të qarta: Këto afera të rënda korruptive janë të lidhura vetëm me figurat e dy familjeve të fuqishme politike në Shqipëri, të Sali Berishës dhe të Ilir Metës.

Ndërkohë, SPAK, nga të qënurit “i kapur”, si dhe nga sëmundja e punës për bujë, përqendrohet tek dosjet periferike, duke goditur individë të vegjël, ose ata që nuk kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm politik.

Nëse SHBA do të kishte ndikim real mbi SPAK, sikurse thuhet, të gjithë arkitektët e korrupsionit të madh, Familjet e mëdha Berisha-Meta, që i kanë bërë gjëmën e zezë Shqipërisë dhe shqiptarëve,  do ishin goditur jo për “gjethet” e  pemëve, siç janë goditur sot, por për rrënjët, trungjet dhe degët e korrupsionit të tyre”, shkruan avokati Idajet Beqiri.

Macron: Sulmet ruse në Ukrainë tregojnë vendosmërinë ruse për zgjatje e luftës

By: A R
28 December 2025 at 14:40

Presidenti francez, Emmanuel Macron dënoi sulmet masive ruse në qytetin e Kievit dhe rajonet përreth, të cilat, sipas tij, ilustrojnë vendosmërinë e Rusisë për të zgjatur luftën që ajo vetë filloi.

“Presidenti i Republikës shprehu dënimin e Francës për valën e re të sulmeve ruse që ndodhën brenda natës në Ukrainë. Ai theksoi se kjo valë sulmesh ilustroi edhe një herë kontrastin midis gatishmërisë së Ukrainës për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe vendosmërisë së Rusisë për të zgjatur luftën që filloi gati katër vjet më parë, përfshirë edhe duke vazhduar të shënjestrojë civilët”, cituan presidentin Macron burimet pranë tij.

Presidenti francez foli gjatë në një telefonate me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Halifax, Kanada, në prag të një takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sot në Florida.

Të premten në mbrëmje, Kievi u shënjestrua nga më shumë se 519 dronë dhe 40 raketa, nga të cilët 474 dhe 29 përkatësisht u rrëzuan, sipas Forcave Ajrore Ukrainase.

”Këto sulme, të cilat, ashtu si sulmet e mëparshme, shënjestruan infrastrukturën energjetike, lanë dy persona të vdekur dhe rreth 40 të plagosur në Kiev dhe rajonin përreth”, raportuan autoritetet lokale.

Ministria ruse e Mbrojtjes, nga ana e saj, tregoi se më shumë se 230 dronë ukrainas u rrëzuan mbi Rusinë gjatë ditës.

Macron theksoi dje “nevojën për të vazhduar punën drejt paqes në këto ditë, duke shtuar nevojën për një armëpushim të mbështetur nga garanci të forta dhe të qëndrueshme sigurie për Ukrainën”, sipas të njëjtave burime.

Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrja 17.84% deri në orën 13:00

By: A R
28 December 2025 at 14:29

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka arritur 17.84% deri në orën 13:00. Pjesëmarrja vazhdon të rritet gjatë ditës, me Ranillugën që prin me 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët prej 1.57%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri në orën 13:00, kanë votuar 21.51% e qytetarëve me të drejtë vote. KQZ-ja gjithashtu raportoi për disa probleme me energjinë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, por këto janë zgjidhur më pas.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu shpresën se rezultatet do të mundësojnë formimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re sa më shpejt.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 1.999.024 qytetarë, dhe qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i LSI: Transporti publik po bëhet me standardet e BE në Tiranë

By: A R
28 December 2025 at 14:17

Ish-sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, këshilltar në Këshillin Bashkiak, deklaron se përmirësimi i transportit publik në Tiranë drejt standardeve evropiane është parashikuar si një nga projektet kryesore në buxhetin e Bashkisë për vitin 2026.

Sipas tij, investimi synon t’u ofrojë qytetarëve një shërbim më cilësor, më të shpejtë dhe më të besueshëm, duke reduktuar ndotjen, trafikun dhe kohën e humbur në lëvizje. Projekti parashikon ndërtimin e linjave të shpejta të autobusëve, përdorimin e autobusëve elektrikë, korsive të dedikuara dhe infrastrukturës moderne të menaxhimit, shkruan A2 CNN.

Braimllari thekson se ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt një qyteti më të jetueshëm dhe më evropian, me transport publik modern dhe efikas për të gjithë qytetarët.

Tregtonin fishekzjarre në Sarandë, nën hetim dy pronarë të subjekteve tregtare

By: A R
28 December 2025 at 14:10

Dy persona janë vënë nën hetim pasi akuzohen se tregtonin në mënyrë të paligjshme lëndë piroteknike. Gjatë kontrolleve në subjekte tregtare për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, u zbuluan dy raste të shitjes së fishekzjarrëve.

Gjatë kontrolleve në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarrë dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.

Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Lumë” turistësh në Korçë, qyteti juglindor mirëpret 4000 vizitorë çdo ditë përgjatë fundvitit

By: A R
28 December 2025 at 14:01

Prej datës 25 dhjetor e deri më datën 4 Janar, Korça kthehet në “kryeqytetin” e festave në Shqipëri dhe këtë e vërtetojnë shifrat e sektorit të hoteleri turizmit.

Mbi 98% e hoteleve në Korçë, Voskopojë, Dardhë, Boboshticë, Vithkuq dhe fshatrat e tjerë turistikë janë të rezervuar ndërsa sipas platformës Booking, janë mbi 6000 shtretër të cilët janë pronetuar për këto data.

Nga ana tjetër, trafiku është rënduar në juglindje si pasojë edhe e rikthimit të emigrantëve të cilët jetojnë e punojnë në Greqi.

Bashkia e Korçës ka organizuar aktivitete kulturore dhe artistike përgjatë muajit Dhjetor, duke sjellë evenimente cilësore në teatrin “Andon Zako Çajupi” si orkestra simfonike, muzikali “Katedralja”, kori “Acapella”, Kori Lira, dhe në fund duke e finalizuar me spektaklin e fishekzjarrëve në qendër të qytetit.

Burime pranë bashkisë Korçë bëjnë me dije se me një përllogaritje mesatare, Korça çdo ditë mirëpret rreth 4000 vizitorë.

Kosova voton për të dalë nga ‘bllokada’, deri tani pa probleme serioze

By: A R
28 December 2025 at 13:53

Në Kosovë, këtë të dielë më 28 dhjetor, po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dytat brenda këtij viti.

Ato u thirrën pasi për më shumë se 10 muajsh, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të formojnë institucionet e reja të vendit.

Mbi 900 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, megjithëse në disa raste ka pasur vonesa të vogla. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri të banuara me shumicë serbe.

Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime ka qenë pak mbi 8%. Rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” (DnV) raporton se vonesa në hapjen e vendvotimeve ka pasur vetëm në rreth 3% të tyre. Vonesat më të theksuara janë shënuar në rajonin e Pejës, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve.

Sipas DnV-së, vetëm në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme me vendosjen e kabinave të votimit ose kamerave, ndërsa këto probleme kanë qenë më të theksuara në komunat me shumicë serbe. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, bëri të ditur se në 6 qendra votimi janë paraqitur probleme me energjinë elektrike, të cilat po trajtohen.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë, ndërsa janë gjithsej 2.614 vendvotime. Votimi për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit është zhvilluar një ditë më parë në ambasada dhe konsullata në 18 shtete.

Në garë janë 22 subjekte politike: 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. KQZ ka certifikuar gjithsej 1 180 kandidatë për deputetë, prej të cilëve rreth 67% janë burra dhe 33 për qind gra.

Procesi zgjedhor po monitorohet nga rreth 8 600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe një delegacion nga Parlamenti Evropian. Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit po vëzhgon zgjedhjet me fokus në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike.

Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar qindra zyrtarë policorë dhe rreth 100 prokurorë, të cilët do të qëndrojnë në terren deri në përfundim të votimit, me qëllim parandalimin dhe trajtimin e çdo parregullsie eventuale.

Analistët politikë vlerësojnë se këto zgjedhje janë vendimtare për zgjidhjen e bllokadës institucionale dhe rikthimin e stabilitetit politik.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht vendet e QUINT-it, kanë bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të rregullt dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e tyre për të ardhmen evropiane të Kosovës./Marrë nga DW

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 29 Dhjetor 2025

By: A R
28 December 2025 at 13:43

Dashi

Do e kuptoni me mire gjate kësaj dite se marrëdhënia ne çift nuk i përmbush te gjitha objektivat e duhura, prandaj mund te merren vendime me rëndësi. Beqaret duhet te tregohen sa me te arsyeshëm dhe te mos bëjnë zgjedhje te gabuara. Financat nuk do jene aspak ne gjendjen me te mire kështu qe mund te keni vështirësi te mëdha.

Demi

Dite e veçante kjo e sotmja për te gjithë ata qe janë ne një lidhje. Do merreni vesh për mrekulli me parterin tuaj dhe do argëtoheni pa fund se bashku. Beqaret duhet te tregohen me te disponueshem ndaj ftesave qe do ju bëhen dhe nuk duhet te mbyllen ne vetvete. Ne planin financiar do ketë vështirësi te vogla, por asgjë për t’u alarmuar.

Binjaket

Do i jepni rëndësinë e duhur sot jetës suaj ne çift dhe gjithçka do shoje ashtu si e kishit ëndërruar. Nuk pritet te ndodhe asgjë e keqe. Beqaret do ndihen mire ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë te bëjnë ndryshime. Perspektivat financiare do jene te mrekullueshme. Do i zgjidhni shume shpejt te gjithë problemet qe keni pasur.

Gaforrja

Dite goxha e tensionuar pritet te jete kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Gjithsecili do kërkojë te dale e tija dhe askush nuk do hape rruge. Beqaret duhet t’i dëgjojnë edhe këshillat e miqve para se te vendosin te bëjnë një zgjedhje. Ne planin financiar do keni shume fat dhe gjendja do përmirësohet me shume sesa ju mund ta kishit menduar.

Luani

Dita e sotme do jete me e qete për ata qe janë ne një lidhje. Me ne fund do i sqaroni mosmarrëveshjet e vogla qe keni pasur dhe do jeni me te qete. Beqaret do ndihen mjaft mire ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë me patjetër te ndryshojnë status. Financat do rriten mjaft fale një ndihme te qe do iu japin familjaret. Mund te shlyeni pa frike borxhet e hershme.
Virgjeresha

Pesimizmi juaj sot ne jetën sentimentale do jete tërësisht i pajustifikuar. Nëse mbylleni ne vetvete keni për ta humbur njëherë e përgjithmonë partnerin. Beqaret do ëndërrojnë me shume nga sa duhet dhe kjo mund t’iu krijoje iluzione te kota. Me financat duhet te bëni shume kujdes. Po shpenzuat pa menduar aspak për situatën ne te cilën ndodheni do keni vështirësi.
Peshorja

Do keni te njëjtat ide dhe mendime me partnerin tuaj dhe do bashkëpunoni për gjithçka me te. Dita do jete plot diell dhe e mbushur me emocione. Beqaret do realizojnë takime mjaft interesante te cilat mund te sjellin edhe një histori dashurie te bukur. Ne planin financiar duhet te mundoheni te ruani sa te mundni ekuilibrin sepse përndryshe do keni vështirësi.

Akrepi

Do keni probleme goxha te mëdha gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift sot dhe do ndiheni shpeshherë keq. E mira do jete te gjeni mënyrën për te folur me partnerin, jo te kërkoni ngushëllim ne krahët e dikujt tjetër. Beqaret do marrin vendime me rëndësi pas disa takimeve te mrekullueshme. Dite me shume fat për financat. Situata do jete mjaft e mire.

Shigjetari

Do përballeni me shume zhgënjime sot juve qe jeni ne një lidhje dhe do vuani tej mase. Sikur te kishit bere kujdes me pare nuk do përballeshit kurrsesi me një situate te tille. Beqaret do bëjnë për vete cilindo qe do pëlqejnë. Financat fatmirësisht nuk do jene te këqija edhe pse jo aq te shkëlqyera sa për te hequr shume te mëdha mënjanë.

Bricjapi

Do bekoheni nga yjet gjate kësaj dite dhe marrëdhënia ne çift do ece me se miri. Si ju ashtu edhe partneri do jeni te gatshëm ta dëgjoni tjetrin dhe te shkëmbeni mendime për çdo gjë. Beqaret me mire t’i lënë gjerat te rrjedhin vete. Ne planin financiar do jeni shume te shpërqendruar dhe problemet mund te jene te njëpasnjëshme. Kujdes!

Ujori

Do tregoheni shume te hapur dhe te disponueshem ndaj partnerit gjate kësaj dite. Marrëdhënia ne çift nuk do ketë asgjë për çfarë te shqetësoheni. Beqaret nuk do mundin as sot ta gjejnë personin qe do ju përshtatet ne çdo pike. Financat do jene delikate për shkak te shpenzimeve te mëdha qe do kryeni për veshjet dhe produktet e bukurisë.

Peshqit

Do i shtoni dozat e intimitetit ne çift gjate kësaj dite dhe do kaloni çaste te lumtura ne krahët e partnerit. Shume gjera kane për te qene ndryshe për ju. Beqaret do përballen me zhgënjime te mëdha nëse nuk tregohen te matur. Te ardhurat do përmirësohet me shume nga sa mendonit. Do ndiheni te qete kur te kryeni shpenzimet e nevojshme.

Kamioni përplasi për vdekje motoristin, arrestohet shoferi

By: A R
28 December 2025 at 12:56

Një 48-vjeçar në Elbasan, është arrestuar këtë të diel, 28 dhjetor 2025, pasi një ditë më parë shkaktoi një aksident me kamionin që drejtonte, duke rezultuar me një viktimë.

Sipas njoftimit të uniformave blu, aksidenti ndodhi në aksin rrugor “Çepe-Belsh”, ku kamioni përplasi motomjetin, e drejtuesi i këtij të fundit ndërroi jetë në spital.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 48 vjeç, banues në Belsh, pasi dje, në aksin rrugor “Çepe–Belsh”, kamioni që ai drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në fshatin Seferan. Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi E. K. ka humbur jetën në spital“, njofton policia.

Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati

By: A R
28 December 2025 at 12:45

Historia e saj është dëshmi se edhe në përvojën më të errët, njeriu mund të gjejë dritë për të vazhduar përpara. Është historia e një gruaje që, megjithëse e goditur fort nga jeta, zgjodhi të jetojë, të krijojë dhe të mos e humbasë shpresën.

Blerina Kalthi është vetëm 37 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, që jeton në fshatin Sanxhak të Laçit. Një prej sprovave më të mëdha me të cilat i është dashur të përballet në jetë është ajo e betejës me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje i hodhi “rrënjët” e para tek i vëllai, i cili ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, i diagnostikuar me tumor në kokë.

“Në vitin 2012, vëllai im u diagnostikua me tumor në kokë. Ne ishim vetëm dy fëmijë. Ai nuk kishte asnjë shenjë, thjesht një dhimbje të lehtë koke. Kishte bërë kontrolle të shumta, pasi asokohe jetonte në Francë atë kohë, e dërguam për kontroll edhe në Belgjikë, por ai kishte një tumor agresiv në qendër të trurit. Vëllait nuk i bëhej, as ndërhyrje, as kimioterapi dhe ne e humbëm për vetëm 45 ditë në moshën 28-vjeçare”, tha Kalthi, për ATSH.

Blerina tha se menjëherë pas kësaj përvoje të hidhur, kaloi një periudhë të errët depresioni, ndërsa kishte edhe të birin vetëm katër muajsh.

Ajo thotë se jeta vazhdoi mes dhimbjes pafund, kur në vitin 2021, u bë shkak një dhimbje e lehtë në gjoks që Blerina të konfirmonte diagnozën e kancerit në gji.

“Kisha një tumor që në gjuhën e mjekëve quhet me qeliza kulluese. Tumori u përhap shumë shpejt në mitër, mëlçi dhe në gjak. Kam bërë 28 seanca kimioterapie, dy ndërhyrje dhe transplant të palcës kurrizore në Turqi. E gjithë kjo periudhë e vështirë ka zgjatur tre vite, ndërkohë që unë mbyllesha në vetvete, urreja botën, nuk doja njerëzit dhe askënd afër. Për shumë muaj nuk kam mundur as të eci”, tha Kalthi.

37-vjeçarja u shpreh se nuk mund ta quajë veten plotësisht të shëruar, pasi është ende me terapi, suplemente dhe ndjekje të vazhdueshme nga mjekët e spitalit Onkologjik për ecurinë e sëmundjes.

Por, goditjen e tretë me diagnozën e kancerit, do ta merrte nga nëna e saj, e cila në janar të vitit të kaluar, në moshën 68-vjeçare, u diagnostikua me kancer malinj në gjoks.

Ajo thotë se e ëma iu nënshtrua disa analizave specifike që e çuan në heqjen e gjirit deri në pjesën e limfomave nën sqetull.

Por, mes kësaj stuhie emocionesh, ajo zgjodhi të mos dorëzohet. Gjeti forcë tek duart e saj, tek krijimtaria dhe arti. Punimet artizanale u bënë streha e saj shpirtërore, një mënyrë për të shprehur dhimbjen, por edhe shpresën. Çdo punim mban brenda një histori, një luftë të fituar, një kujtim të dashur dhe një dëshirë të fortë për jetën.

“Me punimet e pikturës dhe ato në allçi jam njohur dy vitet e fundit nga një mikesha ime. Ajo më ofroi në kurs për t’u rikuperuar pak nga situatat e vështira që kalova. Nuk mendova që do e përvetësoja aq shpejt, por kuptova që ky kishte qenë një pasion i fshehur i imi. Lindi si një dëshirë e momentit, që më pas u kthye në burim të ardhurash për veten, familjen e që më ndihmoi në rritjen e fëmijëve”, pohoi Kalthi.

Faqja e saj online “Art me dashuri” është një pikë takimi me të pasionuarit pas artizanatit, që zgjedhin të blejnë kundrejt çmimeve simbolike suvenire në allçi apo tablo pikture.

Kalthi tha se ka shumë njerëz që e kanë “përqafuar” artin e saj, edhe në shenjë sensibilizimi dhe mbështetje për një grua të re, nënë e dy fëmijëve që ka kaluar një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh, por që nuk u dorëzua kurrë.

Krijimtaria i jep kuptim ditëve të saj mes përditshmërisë së punëve në shtëpi në fshatin Sanxhak të Laçit, por njëherësh e ndihmon të përballojë humbjen e vëllait dhe frikën për shëndetin e nënës, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe frymëzim për shumëkënd.

“Podcasti” i Ramës / Futbollisti nga Petrela, ambasador i turizmit shqiptar në Poloni

By: A R
28 December 2025 at 12:29

Futbollisti 27-vjeçar Juljan Shehu, i cili aktualisht luan me ekpin e Uidzeu Lodz në Poloni, ishte i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.

Mesfushori nga Petrela, i cili e filloi karrierën e tij profesionale këtu në Shqipëri, me ekipin e Kastriotit më 2028-2019, dhe pasi spikati atje, u transferua tek ekipi i Laçit, ku qëndroi për tre sezone, 2019-2022, tregoi rrugëtimin e tij drejt skuadrës polake dhe sfidat me të cilat është përballur.

Ai është kthyer në një ambasador të Shqipërisë në Poloni, dhe ka fituar aq shumë popullaritet, sa shprehet se një agjenci turistike polake i thotë: “Sa herë ti bën gol, ne shtojmë një charter për në Shqipëri”.

Edhe kur vjen në Shqipëri, Juljani tregoi se sjell shumë turistë polakë që duan ta njohin vendin tonë.

Sipas tij, polakët e duan shumë Shqipërinë si pikë turistike. “Shqipëria është destinacioni i dytë për polakët për turizëm”, theksoi ai.

Duke folur për vështirësitë e fillimit në Poloni, siç ishte njohja me gjuhën, Juljani u shpreh se falë punës së palodhur ia ka dalë të arrijë suksesin.

Shehu luajti 98 ndeshje dhe shënoi 9 gola gjatë tre sezoneve.

Në vitin 2022 ai u transferua në Poloni te skuadra e Uidzeu Lodz, ku ka marrë një famë të madhe.

Juliani ka lindur në fshatin Petrelë në Tiranë dhe që i vogël e adhuronte futbollin. I ati, i cili ka pasur një servis makinash, e ka mbështetur për të ndjekur ëndrrën dhe talentin e tij. Juliani është i martuar me një vajzë shqiptare, po nga Petrela.

Rihapet kinema “Republika”, filmat më të fundit do të jenë premierë në Shkodër

By: A R
28 December 2025 at 12:20

Kinema “Republika” u rikthye zyrtarisht pas një rikonstruksioni të plotë. Në premierën e parë pati radhë nga qytetarë të çdo grupmoshe, dëshmi e lidhjes së fortë që Shkodra ka me kinemanë dhe ekranin e madh.

“Për mua është një lajm shumë i rëndësishëm, jam rritur në këtë vend dje kam kujtime shumë të bukura”

“Është këndshëm, i duhet rinisë një gjë për me kaluar kohën dhe shijuar filmat e fundit”

“Jam shumë i lumtur të vij këtu të shoh filma”, thanë disa qytetarë.

Ndërsa për drejtuesit e kulturës në Shkodër, tashmë për të pasionuarit e kinemasë nis një periudhë e re ku në fokus janë filmat më të fundit

“Pas një rikonstruksioni shumë dinjitoz të godinës dhe rikthimi në identitet të këtij institucioni. Ne sot jemi si çdo qytet tjetër evropian”, u shpreh Sara Smaja, Drejtore e Kulturës Bashkia Shkodër.

“Po shohim njerëz që e frekuentojnë, interesi është i madh. Kjo jo vetëm për investimet bashkëkohore, por edhe nga dëshira e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë”, Egena Zymeri, Drejtuese e Kinema Republika.

Rikthimi i Kinema Republika shënon jo vetëm rifillimin e filmave ne ekranin e madh por edhe ringjalljen e një tradite kulturore në veri të vendit.

Interes i ulët për zgjedhjet në Kosovë, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 11:00

By: A R
28 December 2025 at 12:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte pak mbi 8%.

Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviq – vetëm 0.08%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri më tani, votuan pak mbi 10% e qytetarëve.

Shqipëria dhe Bullgaria forcojnë boshtin e sigurisë, nga trupat në Novo Selo te “Portat e Korridorit VIII”

By: A R
28 December 2025 at 12:01

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka njoftuar një thellim të bashkëpunimit strategjik me Bullgarinë, duke vënë theksin te siguria kolektive në NATO dhe rëndësia gjeopolitike e Korridorit VIII.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar pas takimit me homologun bullgar, Atanas Zapryanov, Vengu bëri të ditur se dy vendet ndajnë një qasje realiste dhe të përbashkët mbi sfidat aktuale të sigurisë që kërcënojnë Evropën Juglindore.

Një pikë kyçe e diskutimit ishte kontributi ushtarak i Shqipërisë në krahun lindor të Aleancës. Ministri Vengu theksoi se pala bullgare ka vlerësuar lart angazhimin e trupave shqiptare që shërbejnë në Grupin Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo.

Përveç bashkëpunimit në terren, dy ministrat diskutuan për “mundësitë konkrete” në fushën e industrisë ushtarake. Rëndësia e modernizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse u cilësua si prioritet, duke lënë të hapur mundësinë për projekte të përbashkëta prodhimi ose furnizimi, në funksion të rritjes së sigurisë kolektive.

Pika më strategjike e diskutimit ishte infrastruktura kritike. Vengu e cilësoi si “pikë konvergjence” domosdoshmërinë e investimeve në Korridorin VIII.

“Shqipëria dhe Bullgaria ndajnë qëndrime të përbashkëta dhe realiste mbi sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore, rëndësinë e modernizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse. Në takimin me homologun bullgar, Atanas Zapryanov, u vlerësua angazhimi i trupave shqiptare në Grupin Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, dhe mundësitë konkrete për forcimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë ushtarake, në funksion të sigurisë kolektive dhe angazhimeve tona në NATO.”, shkruan ministri Vengu në rrjetet sociale.

Ministri vizatoi një linjë direkte sigurie dhe tregtare që lidh dy skajet e gadishullit:

“Nga Porto Romano deri në Burgas,” shkruan Vengu, duke iu referuar dy porteve detare që shërbejnë si porta hyrëse dhe dalëse të këtij korridori pan-evropian.

Rusia e miliarderëve, oligarkët në shërbim të luftës dhe Putinit

By: A R
28 December 2025 at 11:53

Gjatë luftës me Ukrainën, numri i miliarderëve në Rusi ka arritur nivelin më të lartë historik.

Megjithatë, gjatë 25 viteve të sundimit të Vladimir Putinit, oligarkët rusë e kanë humbur pothuajse të gjithë influencën politike. Ky është një lajm i mirë për Putinin…

Sanksionet perëndimore nuk kanë arritur t’i kthejnë ata kundër tij, ndërsa politika e tij e “karotës dhe shkopit” i ka bërë mbështetës të heshtur.

Një shembull i qartë është Oleg Tinkov, ish-miliarder bankar, i cili pas kritikës së luftës në një postim në Instagram u detyrua të shiste bankën e tij, Tinkoff, për vetëm 3% të vlerës së saj reale. Ai humbi rreth 9 miliardë dollarë dhe u largua nga Rusia.

Oleg Tinkov

Në fillim të viteve 1990, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, disa rusë fituan pasuri të mëdha duke privatizuar ndërmarrje shtetërore, duke u bërë oligarkë me ndikim të madh politik.

Boris Berezovsky, oligarku më i fuqishëm i kohës, madje pretendonte se kishte ndihmuar Putinin të arrinte presidencën në 2000.

Më vonë, ai kërkoi falje për rolin e tij, duke e quajtur Putinin “tiran lakmitar” dhe shkatërrues të lirisë. Berezovsky u gjet i vdekur në mënyrë misterioze në Mbretërinë e Bashkuar në 2013-ën, ndërsa oligarkia ruse kishte humbur fuqinë e saj.

Që nga pushtimi i Ukrainës, oligarkët rusë kanë mbetur kryesisht të heshtur, dhe ata që e kundërshtuan publikisht janë detyruar të braktisin vendin dhe pasurinë. Ata më të pasurit janë thelbësorë për përpjekjet e luftës së Putinit dhe janë pre e sanksioneve perëndimore, por pa sukses për t’i kthyer kundër Kremlinit.

Sanksionet kanë bllokuar pasuritë dhe llogaritë e tyre, duke i mbajtur besnikë dhe duke i përdorur për të mbështetur ekonominë e luftës ruse.

Humbja e kompanive të huaja pas pushtimit krijoi një hapësirë për biznesmenë pro-Kremlinit, të cilët morën aksione me çmime të ulëta, duke krijuar një “ushtri të re besnike dhe aktive”.

Sipas ekspertëve, e ardhmja e këtyre miliarderëve varet nga përballja me Perëndimin dhe frika e tyre më e madhe është rikthimi i pronarëve të mëparshëm. Në vitin 2024, 11 miliarderë të rinj dolën pikërisht përmes këtij procesi.

Pavarësisht luftës dhe sanksioneve, Putini ka ruajtur kontroll të fortë mbi figurat kyçe ekonomike dhe politike të vendit dhe në disa aspekte, sanksionet e kanë lehtësuar këtë kontroll.

Marrë nga BBC

Trump vendos vijat e kuqe: Asgjë për Ukrainën pa miratimin tim

By: A R
28 December 2025 at 11:41

Përpara një vizite të planifikuar të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida të dielën, Presidenti i SHBA-së,  Donald Trump paralajmëroi se asgjë nuk do të vendoset derisa ai ta miratojë atë. “Ai nuk ka asgjë sa kohë që unë nuk jap pëlqimin”, tha Trump në një intervistë me revistën “Politico” të premten “Pra, do të shohim se çfarë do të ketë.”

Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin mes Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën në Palm Beach, Florida.  Mbetet e paqartë nëse do të ketë bisedime edhe me palën ruse. Rusia nuk u përmend në njoftim.

Zelensky optimist
Vetë presidenti Zelensky njoftoi më parë se një marrëveshje sigurie midis Ukrainës dhe SHBA-së ishte “pothuajse e përfunduar”. Drafti i një plani 20-pikësh ishte përfunduar 90 përqinga agjencia e lajmeve Reutersd, shkroi Zelensky në një bisedë në WhatsApp me gazetarët.

Zelensky i kishte thënë më parë portalit të lajmeve Axios se SHBA-të kishin ofruar një marrëveshje garancie sigurie 15-vjeçare, e cila mund të zgjatej. Megjithatë, Kievi dëshironte një afat më të gjatë.

“Mbështetje e plotë” nga Evropa dhe Kanadaja
Përpara udhëtimit në SHBA, Zelensky u konsultua edhe me aleatët europianë. Me iniciativën e Kancelarit Friedrich Merz, presidenti ukrainas informoi një numër krerësh shtetesh dhe qeverish dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s rreth bisedimeve të tij të ardhshme me Trump, njoftoi qeveria gjermane në mbrëmje.

Deri më tani nuk janë publikuar detaje specifike. Në një deklaratë thuhet, se njëmbëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish nga Evropa dhe Kanadaja, si dhe udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së, e kanë siguruar Ukrainën për “mbështetjen e tyre të plotë” dhe theksuan angazhimin e tyre për të punuar “në koordinim të ngushtë me SHBA-në për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.

Zelensky theksoi të shtunën, se Evropa duhet të vazhdojë të punojë së bashku.  “Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të bashkohen për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës evropiane, pavarësinë e shteteve tona dhe paqen në Evropë. Duhet të ketë paqe”, shkroi Zelensky në Platformën X.

Nga Pepe te protestat anti-ICE, si u shndërrua bretkosa meme e ekstremit të djathtë kundër Trump

By: A R
28 December 2025 at 11:32

Një simbol i papritur po shfaqet gjithnjë e më shpesh në protestat kundër administratës Trump në Shtetet e Bashkuara, bretkosa.

Dikur e lidhur fort me meme të ekstremit të djathtë, sot ajo po përdoret nga aktivistë të majtë si mjet ironik dhe politik kundër politikave të emigracionit dhe forcës shtetërore.

Sipas një analize të BBC-së, protestat e viteve të fundit kundër administratës Trump nuk janë karakterizuar vetëm nga parulla dhe marshime klasike, por edhe nga elementë festivë dhe absurdë, duke nisur nga kostume bretkosash, njëbrirësh, dinosaurësh, mësime salse në rrugë, shpërndarje ushqimi apo dhe performanca artistike, të cilatshpesh përballen me forcat e armatosura të rendit.

Ky kombinim i humorit me politikën duket sikur synon të ndryshojë narrativën vizuale dhe morale të përplasjes mes protestuesve dhe shtetit.

Nga Pepe te Portland

Historia e bretkosës në politikën amerikane nuk mund të kuptohet pa përmendur Pepe the Frog, personazhin vizatimor që u përvetësua nga grupet e ekstremit të djathtë gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump në vitin 2016.

Pepe u përdor gjerësisht në forume si 4chan dhe 8chan, shpesh në kontekste raciste apo ekstremiste, dhe u shndërrua në një simbol për këtë rrymë.

Vetë Trump e ka shpërndarë një meme të tillë gjatë fushatës së tij.

Megjithatë, Pepe nuk kishte origjinë politike. Ai u krijua në vitin 2005 nga artisti Matt Furie si një personazh i thjeshtë dhe apolitik.

Furie ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj mënyrës se si u përdor vepra e tij dhe madje tentoi ta “vriste” personazhin në një strip komik. Por simboli, siç vëren profesori i artit performativ LM Bogad për BBC-në, “nuk kontrollohet më nga krijuesi, ai ndryshon, zhvendoset dhe riformësohet”.

Moment viral dhe një simbol i ri

Kthesa ndodhi më 2 tetor, kur një video nga Portland, Oregon, u bë virale, një protestues i veshur me kostum bretkose u përball me agjentë të emigracionit (ICE). Një oficer përdori sprej kimik drejt kostumit, ndërsa protestuesi reagoi me humor, duke thënë se kishte provuar “tamale më pikante”. Pamjet u shpërndanë masivisht dhe bretkosa u shndërrua në simbol të rezistencës ironike ndaj shtetit.

Ngjarja ndodhi në një klimë tensioni të lartë, pasi Trump kishte dërguar Gardën Kombëtare në Portland, duke e quajtur qytetin “zonë lufte”. Protestat u intensifikuan dhe kostumi i bretkosës u bë pjesë e identitetit vizual të tyre.

“Frivoliteti taktik” dhe fuqia e imazhit

Profesori LM Bogad shpjegon për BBC se kjo strategji funksionon në disa nivele.

Së pari, ajo kontrollon optikën, është shumë më e vështirë të justifikohet dhuna shtetërore ndaj dikujt të veshur si bretkosë apo njëbrirësh.

Së dyti, krijon një atmosferë përfshirëse për protestuesit.

Së treti, ofron një formë “mbrojtjeje politike”, ku kritika mund të maskohet si shaka në kontekste ku kundërshtimi i hapur është i rrezikshëm.

BBC e lidh këtë qasje me shembuj historikë ndërkombëtarë, nga lëvizja serbe Otpor kundër Millosheviçit, te përdorimi i figurës së Winnie the Pooh për të kritikuar presidentin kinez Xi Jinping, apo dhe deri te protestat në Hong Kong.

Nga simbol i së djathtës në “Antifa Frog”

Me përhapjen e protestave, kostumi i bretkosës u pa në qytete të ndryshme amerikane.

Kërkesa u rrit aq shumë sa kostumet dolën jashtë stokut dhe çmimi i tyre u rrit.

Një grup aktivistësh në Portland krijuan nismën “Operation Inflation”, që mbledh fonde për të blerë dhe shpërndarë kostume për protestuesit, me synimin “për të ndryshuar historinë që po tregohet” për protestat.

Kështu, në mënyrë ironike, bretkosa që dikur ishte simbol i ekstremit të djathtë po quhet tani online “Antifa Frog”, duke reflektuar betejën simbolike mes dy kampeve politike.

Meme-t që tregojnë dy bretkosa në luftë, Pepe dhe bretkosën e Portlandit, shfaqin këtë përplasje kulturore si mjet për vëmendje dhe kuptim.

Dukshëm, simbolet politike nuk janë statike, por lëvizin, rimerren, rinterpretohen sipas nevojës. Madje, një kostum absurd mund të bëhet një armë serioze politike.

Shkelje me lejet mjedisore në Fier, 7 zyrtarë në gjyq

By: A R
28 December 2025 at 11:22

Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier dhe 6 specialistë të këtij institucioni u dërguan në gjyq nga Prokuroria e Fierit për dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Përmes një njoftimi zyrtar, hetuesit thonë se ata kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe nuk kanë administruar raportet e vetëmonitorimit nga subjektet.

Po ashtu, Prokuroria thotë se nuk është ndjekur vjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën mbi 3 milionë lekë gjatë viteve 2017–2019.

Miratonin dhe refuzonin leje mjedisore në kundërshtim me ligjin, Prokuroria Fier dërgon në gjyq Drejtorin dhe specialistët e Agjencisë Rajonale Mjedisore Fier/Vlorë/Gjirokastër

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq punonjësit e Agjencisë Rajonale Mjedisore Fier/Vlorë/Gjirokastër për veprën penale ‘Shpërdorimi detyre’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1051, u provua se, drejtori dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, duke vepruar e mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, auditimeve të brendshme të kryera nga Ministria e Mjedisit:

  • Kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe pa respektuar kriteret ligjore dhe nënligjore; disa leje mjedisore të tipit “C” ishin miratuar në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm që kërkohet nga ligji dhe aktet nënligjore; si dhe janë konstatuar standarde të ndryshme vendimmarrjeje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
  • Një numër i konsiderueshëm i subjekteve të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që DRM-Fier nuk ka kërkuar pezullimin apo revokimin e lejeve, siç parashikon ligji.
  • Nuk është ndjekur vjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën mbi 3 (tre) milionë lekë për vitet 2017–2019. Rezultoi se për vitin 2017 nuk kanë likuiduar këtë tarifë 424 subjekte në shumën 848 000 lekë, për vitin 2018 nuk kanë likuiduar tarifën 421 subjekte në shumën 842 000 lekë dhe për vitin 2019 nuk kanë likuiduar tarifën 702 subjekte në shumën 1 404 000 lekë, duke mos realizuar të ardhurat në shumën totale prej 3 094 000 lekë.
    Në përfundim, prokuroria ngriti akuzë dhe dërgon për gjykim të pandehurit:
  • A.V., ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier;
  • B.F., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
  • E.B. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
  • E.Z. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
  • E.B. specialiste për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
  • V.G., specialiste monitorimi në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër; dhe
  • P.T., specialist finance në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
    Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
    Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
    “, njofton organi i akuzës.
❌
❌