Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së… Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.
Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.
Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.
Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.
Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.
Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.
Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.
Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.
Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.
Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.
Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.
Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.
Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE./ Marrë nga REL/kb
Drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, një inspektor, si dhe efektivë të rendit në Vlorë, janë përfshirë në një incident. Shkak ka qenë një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe IMT-së për lirimin e hapësirave publike.
Forcat e IMT dhe Policisë Bashkiake janë dhunuar nga katër persona për të mos lejuar lirimin e hapëisrës publike, raporton A2 CNN.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës, ku pas konstatimit të një sherri, efektivët e qarkullimit rrugor ndërhynë për ta shuar atë. Gjatë ndërhyrjes, një nga efektivët është goditur me grushte nga disa persona, duke qenë i detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër për të shpërndarë personat.
Më pas janë njoftuar forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar personat e përfshirë në sherr./kb
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të hënë, vetëm pak orë përpara protestës kombëtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen, por jo vetëm. Edhe liderët e partive të tjera opozitare.
“Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës. Të vijnë në Tiranë. Të bindim çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret. Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar. Është një ditë që fton çdo shqiptar. Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.
Unë kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe. Do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin e tij, për familjen e tij, për të ardhmen, por edhe për vendin dhe kombin e tij.”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me skenarin e protestës së sotme, kryedemokrati nuk dha detaje por tha se protesta e sotme duhet të shihet si një proces deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.
“Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit. Kjo është. Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë. Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese.Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar. Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit. Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës.”, tha Berisha.
Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë të paralajmëruar kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje“.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistencemë të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament./kb
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë, në orët e paradites, në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga një kope qensh endacakë, të cilët gjenden në mënyrë të përhershme në këtë zonë dhe në rrugët e qytetit.
Fëmija ndodhej në shëtitore së bashku me familjarët, kur është rrethuar dhe kafshuar nga qentë, duke përjetuar momente paniku. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa familjarët kanë bërë denoncim pranë autoriteteve, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ka tronditur qytetarët dhe ka rikthyer në vëmendje problematikën serioze dhe të përsëritur të qenve endacakë, të cilët shihen çdo ditë në shëtitore, rrugë, lagje dhe pranë institucioneve publike, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për fëmijët dhe kalimtarët.
Të shqetësuar dhe të indinjuar, qytetarët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit, duke kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme për garantimin e sigurisë publike./kb
Këtë të hënë, më 22 dhjetor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Partizani“, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.
Sipas mediave, në seancën që po zhvillohet në GJKKO, ka nisur mbrojtja e Berishës, i cili përfaqësohet nga dy avokatët, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj.
Këta të fundit, pretendojnë se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.
“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri,” thotë Klodiana Gjyzari./kb
Demokracia amerikane mbetet funksionale, por po përballet me tensione serioze institucionale. Kështu shprehet gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Samuel Alito, në një intervistë për Corriere della Sera, teksa analizon gjendjen e sistemit kushtetues amerikan në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
“Institucionet funksionojnë, por është shumë e vështirë të miratohen ligje në Kongres. Kjo i shtyn presidentët të zgjerojnë kompetencat e tyre deri në kufi, ndonjëherë edhe përtej tij, ndërsa gjykatat përfshihen gjithnjë e më shpesh në përplasje me pushtetin ekzekutiv”, deklaron Alito.
Gjykata e Lartë aktualisht ka një supermazhorancë konservatore 6 me 3, e cila ka rishikuar precedentë të rëndësishëm ligjorë mbi abortin, të drejtën për armë, politikat e barazisë racore (affirmative action) dhe lirinë fetare. Sipas sondazheve, rreth gjysma e amerikanëve kanë një opinion negativ për institucionin më të lartë gjyqësor të vendit.
Në një kontekst ku Kongresi shihet si i paralizuar dhe presidentët përdorin gjithnjë e më shumë urdhra ekzekutivë, Alito thekson rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit mes tre pushteteve.
I pyetur për vendimin historik Dobbs, që rrëzoi Roe v. Wade dhe ia riktheu vendimmarrjen mbi abortin shteteve dhe Kongresit, Alito thotë se kritikat ndërkombëtare janë shpesh të pabazuara.
“Në shumë vende evropiane, përfshirë Britaninë dhe Francën, ligjet për abortin miratohen nga parlamentet. Pikërisht këtë parashikon edhe vendimi Dobbs”, shprehet ai, duke pranuar se çështja mbetet thellësisht përçarëse në shoqërinë amerikane.
Alito mohon se bindjet fetare të gjyqtarëve ndikojnë në vendimet e Gjykatës, edhe pse sot gjashtë nga nëntë anëtarët e saj janë katolikë. “Vendimet merren mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, jo të fesë”, thekson ai.
Gjyqtari amerikan paralajmëron se polarizimi politik ka dobësuar rolin e Kongresit, duke i lënë më shumë hapësirë pushtetit ekzekutiv. Kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të çështjeve urgjente që përfundojnë në Gjykatën e Lartë, përfshirë vendime mbi rishpërndarjen elektorale dhe përdorimin e Gardës Kombëtare.
Duke komentuar vendimin për imunitetin presidencial, Alito thotë se ai nuk përbën kërcënim për Kushtetutën. “Imuniteti nuk vlen vetëm për një president, por për të gjithë. Demokracia funksionon vetëm nëse humbësi i zgjedhjeve e pranon rezultatin dhe dorëzon pushtetin”, shprehet ai.
Alito pranon se Gjykata e Lartë po përballet me një krizë besimi, por paralajmëron se delegjitimimi i saj nga politika dhe media dëmton vetë shtetin e së drejtës./kb
Policia e Tiranës ka njoftuar planin e masave, për protestën që pritet të zhvillohet ditën e sotme, para Kryeministrisë.
Kështu, përmes një njoftimi për mediat, bëhet me dije se për të garantuar rendin publik, të drejtat e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, janë marrë masa që përfshijnë kufizime të lëvizjes dhe parkimit në disa bulevarde dhe rrugë kryesore të kryeqytetit, si “Dëshmorët e Kombit”.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Kufizime të lëvizjes në disa akse/segmente rrugore:
-Nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative./kb
Një substancë e re, e konsideruar tashmë si kërcënimi më serioz për antidopingun ndërkombëtar, po alarmon Agjencinë Botërore Antidoping (WADA). Bëhet fjalë për M101, një derivat i hemoglobinës së nxjerrë nga një krimb detar i quajtur Arenicola marina, i cili po përdoret në eksperimente për të rritur në mënyrë artificiale fuqinë dhe qëndrueshmërinë fizike.
Eksperimentet janë zhvilluar në laboratorë në Bjellorusi dhe Kinë, ku shkencëtarët kanë testuar substancën mbi cricetë të artë, të pagëzuar simbolikisht “Lance A”, “Lance B” e të tjerë, në një referencë të hapur ndaj çiklistit amerikan Lance Armstrong. Pas injeksioneve me M101, kapaciteti i gjakut për të transportuar oksigjen është rritur deri në dhjetë herë, duke i shndërruar kafshët në “super-atletë”.
Sipas të dhënave eksperimentale, M101 transporton 156 molekula oksigjeni, krahasuar me vetëm katër që transporton hemoglobina njerëzore, dhe funksionon në mënyrë efikase në temperatura shumë më të gjera se ato të trupit të njeriut. Kjo sjell rritje të ndjeshme të forcës dhe rezistencës, pa efektet anësore tipike të doping tradicionale si Epo apo transfuzionet e gjakut.
Pika më shqetësuese për autoritetet antidoping është fakti se hemoglobina me origjinë jo-njerëzore nuk zbulohet nga kontrollet klasike dhe nuk ndryshon parametrat kryesorë të gjakut, duke e bërë të paefektshme pasaportën biologjike të sportistëve. Për këtë arsye, M101 është futur në “listën e zezë” të WADA-s dhe është diskutuar gjerësisht në konferencën e fundit në Busan, Koreja e Jugut.
Fillimisht i zhvilluar nga një laborator francez për përdorim mjekësor, në ruajtjen e organeve për transplant, në sallat e operacionit dhe në situata emergjente M101 ka përfunduar edhe në tregun e zi, duke ngritur dyshime për përdorim të paligjshëm në sportin elitar.
Ekspertët paralajmërojnë se zbulimi i kësaj substance është i vështirë dhe kërkon analiza të shtrenjta, të cilat duhet të kryhen brenda pak orësh nga përdorimi, për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të saj në organizëm. Laboratorët antidoping në Europë po punojnë për zhvillimin e metodave të reja të kontrollit, përpara se fenomeni të përhapet më tej.
Një gjë është e qartë: dopingu po hyn në një fazë të re dhe shumë më të sofistikuar, ndërsa institucionet ndërkombëtare janë në garë me kohën për të mos mbetur pas./kb
Braho merr drejtimin e SPAK, Altin Dumani i dorëzon detyrën kreut të Prokurorisë së Posaçme
“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Braho/kb
Roja Bregdetare e SHBA-ve është në “ndjekje aktive” të një tjetër anijeje në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, teksa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.
Autoritetet amerikane kanë sekuestruar tashmë dy cisterna nafte vetëm këtë muaj, njërën prej tyre të shtunën.
Ndjekja e së dielës lidhet me një “anije të flotës së errët të sanksionuar, që është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”, tha një zyrtar amerikan, citon BBC. “Ajo po lundron nën një flamur të rremë dhe është nën urdhër gjyqësor sekuestrimi.”
Washingtoni e ka akuzuar Venezuelën se përdor paratë e naftës për të financuar krimin e lidhur me drogën, ndërsa Venezuela i ka përshkruar sekuestrimet e cisternave si “vjedhje dhe rrëmbim”.
Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar urdhëroi një “bllokadë” të cisternave të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Venezuela, shtëpia e rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë, ka akuzuar administratën Trump se po përpiqet të vjedhë burimet e saj.
Autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht ndjekjen e së dielës, dhe vendndodhja e saktë si dhe emri i cisternës së përfshirë nuk dihen ende.
Që nga java e kaluar, më shumë se 30 nga 80 anijet në ujërat venezueliane ose që po i afroheshin vendit ishin nën sanksione amerikane, sipas të dhënave të mbledhura nga TankerTrackers.com.
“Këto akte nuk do të mbeten të pandëshkuara,” tha qeveria venezueliane në përgjigje të incidentit të së shtunë, ku u sekuestrua një anije pranë brigjeve të Venezuelës/kb
Analiza gjenetike ka qenë një mjet kyç në diagnostikimin e shumë sëmundjeve për vite me radhë. Megjithatë, deri më tani, edhe kur identifikohej një mutacion gjenetik, nuk ishte gjithmonë e qartë se çfarë do të thoshte saktësisht për shëndetin e pacientit. Një zhvillim i ri në inteligjencën artificiale (IA) po vjen për të mbushur këtë boshllëk kritik.
Hulumtuesit kanë zhvilluar një mjet të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur V2P (Variant to Phenotype), i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqjen nëse një mutacion gjenetik është i dëmshëm, por gjithashtu mund të parashikojë llojin e sëmundjes që ka të ngjarë të shkaktojë. Thënë thjesht, mjeti përpiqet të përgjigjet jo vetëm “a ka ndonjë problem?”, por edhe “çfarë problemi mund të lindë?”.
Çfarë është e ndryshme nga mjetet ekzistuese
Shumica e sistemeve të analizës gjenetike sot mund të vlerësojnë nëse një mutacion në ADN është potencialisht patogjen. Megjithatë, kjo shpesh i lë mjekët dhe pacientët përballë mijëra varianteve të mundshme, pa një pamje të qartë se cili prej tyre lidhet në të vërtetë me simptomat.
V2P shfrytëzon teknikat e avancuara të të mësuarit automatik për të lidhur variantet gjenetike me sëmundjet ose tiparet që ato mund të shkaktojnë. Duke vepruar kështu, ai i jep përparësi mutacioneve më të “dyshuara” dhe i ndihmon ekspertët të përqendrohen në ato me rëndësinë më të madhe klinike.
Si u trajnua sistemi i IA-së
Mjeti u trajnua në një bazë të dhënash të gjerë që përfshinte variante gjenetike të dëmshme dhe beninje. Ndryshe nga qasjet e mëparshme, V2P përfshinte informacionin mbi sëmundjet që nga fillimi, kështu që “mëson” jo vetëm nëse një mutacion është i rrezikshëm, por edhe se si shoqërohet me probleme specifike shëndetësore./CNA/kb
Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri janë në rënie gjatë vitit 2025, pas katër vitesh radhazi në rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2025, të ardhurat e investitorëve të huaj kishin vlerën e 253 milionë eurove, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 802 milionë eurove, në rënie me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë që prej vitit 2020 që fitimet nga investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie. Në vitet e fundit, rritja e fitimeve është mbështetur nga rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas pandemisë dhe nga rritja e vazhdueshme e investimeve të reja.
Megjithatë, pjesërisht ajo është ndikuar edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron nga ndikuar pozitivisht të ardhurat e investitorëve të huaj, të shprehura në monedhën europiane. Gjatë 2025, ecuria e kursit të këmbimit Euro-Lek është më e stabilizuar, me një ndryshim vjetor pranë nivelit të 2%, gjithmonë në kahun rënës. Stabilizimi i kursit po e redukton efektin e tij statistikor në ecurinë e të ardhurave nga investimet për investitorët e huaj në Shqipëri.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2025 ranë në 228 milionë euro, 2.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare ngelet gjerësisht negativ, në vlerën e 575 milionë eurove. Megjithatë, deficiti në këtë zë u tkurr lehtë me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit dhe për këtë arsye bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Të dhënat progresive tregojnë se, edhe për vitin 2025, investimet e huaja direkte vazhdojnë të regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 1.208 miliardë euro, shifër kjo 4.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshë gjithnjë e më të rëndësishme në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2025, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 632 milionë euro, 0.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 52% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2025./Marrë nga Monitor.al/kb
Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme.
Gjatë fundjavës që lamë pas, eksponentë të ndryshëm të PD-së, mes tyre Flamur Noka, Albana Vokshi, Jola Hysaj, Klevis Balliu dhe Elda Hoti, kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, duke i ftuar ata të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila konsiderohet nga ata si një moment kyç në aksionin opozitar kundër qeverisë.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.
Po ashtu, Berisha artikuloi akuza të forta për korrupsion ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke përmendur SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat sipas tij janë vënë në shërbim të qeverisë. Ai foli për “zbulime të mëdha” gjatë ditëve të fundit dhe përsëriti akuzat për afera korruptive që përfshijnë zyrtarë të lartë të mazhorancës/kb
Disa mijëra aktivistë nga e gjithë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke u mbledhur kundër asaj që ata e përshkruajnë si presion qeveritar mbi universitetet shtetërore.
Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që përballet me ndërhyrjen politike në arsimin e lartë, ishte e para e këtij lloji në Novi Pazar, një qytet me shumicë popullsie myslimane boshnjake.
Është ndër shumë protesta të organizuara pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Studentët nga Novi Pazari janë bërë të famshëm në të gjithë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’u bashkuar me protestat masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë më 1 nëntor.
Lëvizja protestuese, e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura të opozitës, akuzon Presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij populiste nacionaliste për nxitjen e korrupsionit, shërbimeve të dobëta publike, nepotizmit dhe kufizimeve të lirisë së medias. Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat./Kb
Presidenca franceze ka mirëpritur sot më 21 dhjetor, e diel deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar një bisedë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Reagimi vjen pasi Macron theksoi se Evropa duhet të rihapë kanalet e komunikimit me Rusinë për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin.
“Në mënyrë pozitive është pritur fakti që Kremlini ka rënë dakord publikisht me këtë qasje. Në ditët në vijim do të vendosim mënyrën më të përshtatshme për të ecur përpara”,thuhet në një deklaratë të Pallatit Élysée.
Presidenca franceze nënvizoi se çdo diskutim i mundshëm me Moskën do të zhvillohet në transparencë të plotë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me aleatët evropianë, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet arritja e një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për dialog me homologun e tij francez, në një intervistë të publikuar të dielën nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Më herët gjatë javës, Emmanuel Macron deklaroi se beson që Evropa duhet të rivendosë kontaktet me Putinin, në vend që t’ia lërë vetëm Shteteve të Bashkuara rolin udhëheqës në negociatat për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
“Pushtimi i Ukrainës dhe këmbëngulja e presidentit Putin e kanë bërë të pamundur çdo dialog gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e Élysée-së. Megjithatë, aty shtohet se sapo perspektiva e një armëpushimi dhe negociatave për paqe bëhet më e qartë, atëherë bëhet sërish e dobishme të flitet me Putinin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po presin këtë fundjavë negociata të tjera që synojnë përfundimin e konfliktit, të cilat po zhvillohen në Florida. Bisedimet po ndërmjetësohen nga i dërguari special amerikan Steve Uitkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Në këto negociata, pala ukrainase dhe përfaqësuesit evropianë janë përballë delegacionit rus, të kryesuar nga Kirill Dmitriev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Uashingtoni ka propozuar një format trepalësh, i cili do të shënonte takimin e parë ballë për ballë mes Moskës dhe Kievit pas rreth gjashtë muajsh. Megjithatë, Kremlini e ka mohuar të dielën se janë planifikuar negociata trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Lufta në Ukrainë, e nisur në vitin 2022, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka tensionuar rëndë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit. Në muajt e fundit janë shtuar përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore, ndërsa roli i Evropës në këto negociata mbetet një nga çështjet kyçe të debatit ndërkombëtar./kb
Një gropë balte prehistorike e ruajtur në mënyrë unike mund të mbajë gjurmët më të vjetra të këmbëve njerëzore ndonjëherë në Gadishullin Arabik, thonë shkencëtarët.
Shtatë gjurmët e këmbëve, të gjetura mes një grumbulli prej qindra gjurmësh kafshësh prehistorike, vlerësohet të jenë 115,000 vjeçare.
Shumë fosile dhe objekte të mbetura nga era kanë ardhur nga situata si ky shtrat i veçantë liqeni në Arabinë Saudite veriore. Arkeologët zbuluan vendin, thellë në shkretëtirën Nefud në një vend të quajtur “gjurma” në arabisht, në vitin 2017, pasi koha dhe moti fshinë sedimentin sipërfaqësor.
Është e lehtë të imagjinohet se një shtrat liqeni me baltë ishte një zonë me trafik të lartë në Gadishullin Arabik mbi 100,000 vjet më parë.
Kur popullatat lëvizin, këto gjurmë lihen pas derisa të mbulohen. Në ngjarjen shumë, shumë më të vjetër të Burgess Shale, disa nga organizmat më të vjetër të gjetur ndonjëherë u ruajtën të paprekur sepse ka të ngjarë të kenë rënë në një rrëshqitje balte dhe të jenë vrarë menjëherë./Kb
Në fund të seancës së “Shihemi në Gjyq”, Eni Çobani ka një lajm të bukur për ndjekësit e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Një vit më parë, rubrika vijoi në dy puntata. Bëhet fjalë për historinë e Erionës që fillimisht u përplas me babain e saj, Maliqin që s’e pranonte më në shtëpi pas martese, duke i qëndruar, siç thoshte ai, kanunit të Lekë Dukagjinit. Djali i Erionës po qëndronte me gjyshërit dhe ajo nuk arrinte dot ta shihte.
Seanca vijuese ishte mes Erionës, Maliqit dhe vjehrrit, Avniut, i cili pretendonte se kjo e fundit e kishte braktisur fëmijën. Megjithatë, në fund të asaj seance, pati një moment që përloti sepse Avniu e kishte sjellë djalin për të takuar të ëmën.
Eni Çobani:Unë i kam pasur herë pas here në zyrën time, telefonata të përhershme, dëshirë sigurisht për bashkim midis çiftit dhe sot, unë jam jo e lumtur, jam shumë e emocionuar, nuk e besoj akoma dhe vetë që dy familje të forta, njëri kuksian dhe tjetri matjan, kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe ka ndodhur çudia! Çudi të cilën unë dua ta bëj sot prezent, jam shumë e emocionuar.
Ardit Gjebrea:Nga do ta fillojmë?
Eni Çobani:Do ta fillojmë nga prindërit se besoj që ata kanë qenë një gur themeli për zgjidhjen e këtij konflikti dhe dua një duartrokitje të fortë për z. Avni dhe z. Maliq!
Tashmë gjërat po kthehen në rrugë të mbarë dhe duket se merita u takon dy prindërve.
Eni Çobani:Puna e këtyre dy burrave ka qenë jo e jashtëzakonshme, por urtërsia, mendimi, dëshira, dashuria, vullneti, ka burimin nga këta dy njerëz prandaj them që prindërit janë guri i themelit për fëmijët e tyre, ndaj dua t’i falënderoj nga zemra për ndihmën që më kanë dhënë për realizimin e një ëndrre, një ëndrre të Erionës që sot është këtu!
Avniu thotë se çifti, Eriona e Lorenci po bashkohen dhe uron më të mirat për ta. Ata hyjnë në studio dhe kjo është hera e parë që Lorenci shfaqet, kurse Eriona fluturon nga gëzimi.
“Eriona, edhe ditën kur ka ikur që këtej më thoshte znj. Eni, po Lorenci do të vijë? Dashuria e asaj vajze për këtë djalë, unë nuk e di sa e di Lorenci, por unë them që nuk ka dashuri më të madhe”, thotë Çobani para se t’i drejtojë disa pyetje.
Eni Çobani:Çfarë ishte për ty kjo eksperiencë?
Eriona:Për mua është dashuria e pafundme!
Eni Çobani:Luftoi shumë Eriona dhe ia arritëm! Ditën që më ka thënë znj. Eni, Lorenci erdhi, unë nuk e kam besuar, por kur fola me Lorencin dhe me prindërit, atëherë e besova. Lorenc, për ty çfarë ishte? Të kemi folur një çikë rëndë…
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot më 21 dhjetor, e cila pritet të jetë telefonata e tyre e fundit për vitin 2025. Sipas Downing Street, telefonata u zhvillua të dielën pasdite dhe u përqendrua në luftën në Ukrainë, situatën humanitare në Gaza, si dhe në emërimin e ambasadorit të ri britanik në Uashington.
Një zëdhënëse e Kryeministrisë britanike bëri të ditur se dy liderët nisën bisedën duke reflektuar mbi zhvillimet e luftës në Ukrainë. Sir Keir Starmer e informoi presidentin Trump mbi punën e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i cili synon të mbështesë çdo marrëveshje të mundshme paqeje dhe të garantojë një përfundim të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftrave.
Më pas, vëmendja u zhvendos drejt Lindjes së Mesme, ku dy liderët diskutuan situatën në terren në Gaza, në një kohë kur armëpushimi mbetet i brishtë dhe shqetësimet humanitare janë të mëdha. Sipas autoriteteve lokale në Gaza, qindra civilë, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën që nga vendosja e armëpushimit, çka e bën situatën edhe më të ndërlikuar.
Gjatë bisedës, Kryeministri britanik e informoi gjithashtu presidentin amerikan për emërimin e Dr. Christian Turner si ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA. Dr. Turner, një diplomat me përvojë të gjatë dhe aktualisht përfaqësues i përhershëm i Britanisë së Madhe në OKB, do të zëvendësojë Lord Mandelson, i cili u shkarkua në shtator pas zbulimeve lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein. Sipas Sir Keir Starmer, ky emërim pritet të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Trump, i cili foli nga rezidenca e tij Mar-a-Lago në Florida, dhe kryeministri Starmer përfunduan bisedën duke i uruar njëri-tjetrit Krishtlindje të gëzuara.
Marrëdhëniet personale mes Starmer dhe Trump kanë qenë përgjithësisht të mira, me kryeministrin britanik që ka shmangur kritikat publike ndaj presidentit amerikan. Megjithatë, së fundmi ai ka shprehur pakënaqësi ndaj gjuhës fyese të përdorur nga Trump ndaj një gazetareje, duke deklaruar se nuk do të pranonte kurrë që dikush t’i drejtohej vajzës së tij në atë mënyrë.
Telefonata vjen në një moment kur SHBA-ja ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, ndërsa vetë Trump ka pohuar se palët janë “më afër se kurrë” një marrëveshjeje paqeje. Nga ana tjetër, zyrtarë të Kremlinit kanë bërë të ditur se bisedimet për një plan paqeje me SHBA-në po ecin përpara në mënyrë “konstruktive”.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë vendimtare, me përpjekje të shtuara diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa konflikti në Gaza vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda humanitare. Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aktorë kyç në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet dhe siguri, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Lindjen e Mesme. /The Independent/kb
Për herë të parë në Shqipëri, një dron bujqësor është vënë në përdorim si mjet pune për monitorimin e kulturave bujqësore në zonat e Fushë-Krujës dhe Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama e solli sot këtë nismë në vëmendje, duke e konsideruar si një ndihmë të rëndësishme për fermerët. Sipas tij, droni mund të vlerësojë shëndetin e bimëve dhe të ndihmojë në përdorimin më efikas të inputeve bujqësore, duke ulur kostot, rritur rendimentin dhe përmirësuar cilësinë e prodhimit.
Ky mjet i ri teknologjik do të shërbejë jo vetëm për fermerët, por edhe për Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë Krujë dhe Shkodër. Rama theksoi se kjo iniciativë është pjesë e vizionit “Bujqësia 2030”, i cili synon një sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Për herë të parë, një dron bujqësor vihet në dispozicion si mjet pune për monitorimin në kohë reale të kulturave, vlerësimin e shëndetit të bimëve dhe përdorimin më efikas të inputeve, duke ulur kostot, rritur rendimentin dhe cilësinë e prodhimit. Ky dron do t’u shërbejë Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë e Shkodër, si dhe fermerëve. Bujqësia inteligjente është pjesë e vizionit tonë Bujqësia2030, për një sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Rama.
Bujqësia inteligjente mbetet ende një koncept i ri për vendin, por po tërheq interes të madh nga sipërmarrjet bujqësore. Shqipëria po nis gjithashtu të aplikojë elementë të bujqësisë precize, ku GPS-i dhe imazhet satelitore përdoren për hartëzimin e tokave dhe për trajtim të personalizuar të sipërfaqeve bujqësore./kb
Çfarë ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju?
Ndoshta i kërkuat një strukturë eseje për të dhënë një përgjigje për një pyetje të vështirë, një analizë të zgjeruar të një sasie të madhe të dhënash, apo thjesht të kontrollonte nëse letra juaj e motivimit përputhej me përshkrimin e vendit të punës.
Por disa ekspertë po ngrenë alarmin se delegimi i këtyre detyrave tek inteligjenca artificiale mund të nënkuptojë që truri ynë po punon më pak. Kjo sipas tyre, mund të dëmtojë aftësitë tona për të menduar në mënyrë kritike dhe për të zgjidhur probleme.
Në fillim të këtij viti, Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) publikoi një studim që tregonte se personat që përdornin ChatGPT për të shkruar ese shfaqnin më pak aktivitet në rrjetet e trurit që lidhen me përpunimin kognitiv, gjatë kohës që kryenin detyrën.
Studiuesit deklaruan se studimi i tyre nxjerr në pah “nevojën urgjente për të eksploruar një rënie të mundshme të aftësive të të nxënit”.
Në kërkim morën pjesë 54 persona, të gjithë të rekrutuar nga MIT dhe universitete përreth. Aktiviteti i trurit të tyre u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG), një metodë që përfshin vendosjen e elektrodave në skalp.
Disa nga “prompte”-t e përdorura nga pjesëmarrësit përfshinin kërkesa për përmbledhjen e pyetjeve të esesë, gjetjen e burimeve, si dhe përmirësimin e gramatikës dhe stilit.
AI u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe formuluar ide, megjithëse disa përdorues ndjenë se inteligjenca artificiale nuk ishte veçanërisht e mirë në këtë drejtim.
“AI e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve”
Në një studim tjetër, Universiteti Carnegie Mellon dhe Microsoft, kompania që operon Copilot, zbuluan se aftësitë e zgjidhjes së problemeve te njerëzit mund të dobësohen nëse ata bëhen tepër të varur nga inteligjenca artificiale.
Ata anketuan 319 punonjës të sektorit administrativ (white-collar), të cilët përdornin mjete AI për punën e tyre të paktën një herë në javë, duke i pyetur se si e aplikonin të menduarit kritik gjatë përdorimit të tyre.
Studiuesit analizuan rreth 900 shembuj detyrash të dhëna inteligjencës artificiale, që varionin nga analiza e të dhënave për të nxjerrë njohuri të reja, deri te verifikimi nëse një punim i plotësonte rregulla të caktuara.
Studimi zbuloi se sa më e lartë të ishte besimi i përdoruesve në aftësinë e mjetit për të kryer një detyrë, aq më i ulët ishte “angazhimi në të menduar kritik”.
“Ndërsa GenAI mund të rrisë efikasitetin e punonjësve, ajo mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe potencialisht të çojë në varësi afatgjatë nga mjeti, si dhe në dobësim të aftësive për zgjidhje të pavarur të problemeve”,thuhet në përfundimet e studimit.
Edhe nxënësit e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar u anketuan në një studim të publikuar në tetor nga Oxford University Press (OUP). Rezultatet treguan se gjashtë në dhjetë prej tyre mendonin se AI kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me detyrat shkollore.
Atëherë, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a janë vërtet në rrezik aftësitë tona njohëse?
Sipas Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP dhe bashkëautore e studimit me nxënësit, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.
“Hulumtimi ynë tregon se nëntë në dhjetë nxënës thonë se AI i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me shkollën, qoftë zgjidhjen e problemeve, kreativitetin apo përsëritjen”, shpjegon ajo.
“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i AI e ka bërë shumë të lehtë kryerjen e punës për ta… Pra, kemi të bëjmë me një panoramë me nuanca.”
Ajo shton se shumë nxënës dëshirojnë më shumë udhëzime se si ta përdorin saktë inteligjencën artificiale.
ChatGPT, i cili sipas drejtorit ekzekutiv Sam Altman ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, ka publikuar një listë me 100 “prompte” për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.
Por profesori Wayne Holmes, studiues i inteligjencës artificiale dhe edukimit në University College London (UCL), thotë se kjo nuk mjafton.
Ai kërkon shumë më tepër kërkime akademike mbi efektet e mjeteve AI në procesin e të nxënit, përpara se nxënësit dhe studentët të inkurajohen gjerësisht t’i përdorin ato.
“Sot nuk ka prova të pavarura, në shkallë të gjerë, për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, as për sigurinë e tyre, apo madje për idenë se ato kanë ndikim pozitiv”, thotë ai për BBC-në.
Rezultate më të mira, por nxënie më e dobët?
Prof. Holmes i referohet edhe kërkimeve mbi atë që quhet atrofi kognitive, ku aftësitë e një personi dobësohen pas përdorimit të AI.
Ai përmend rastin e radiologëve që përdorin mjete AI për të interpretuar rrezet X përpara se të vendosin diagnozën.
Një studim i Shkollës së Mjekësisë në Harvard, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e AI përmirësonte performancën e disa klinicistëve, por e dëmtonte atë të të tjerëve, për arsye që studiuesit ende nuk i kuptojnë plotësisht.
Autorët bënë thirrje për më shumë kërkime mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me inteligjencën artificiale, në mënyrë që të gjenden forma përdorimi që “rrisin performancën njerëzore, në vend që ta dëmtojnë atë”.
Prof. Holmes shpreh shqetësimin se studentët, si në shkollë ashtu edhe në universitet, mund të bëhen tepër të varur nga AI për të kryer punën e tyre dhe, si pasojë, të mos zhvillojnë aftësitë themelore që ofron arsimi.
Një ese mund të marrë nota më të mira falë ndihmës së inteligjencës artificiale, por pyetja kryesore mbetet kjo: A përfundojnë studentët duke kuptuar më pak?
Siç e përmbledh ai, “Produktet e tyre janë më të mira, por në fakt të nxënit është më i dobët”.
Nga ana tjetër, Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, kompania që zotëron ChatGPT dhe e përfshirë në marrëveshjen me Universitetin e Oksfordit, thotë se kompania është “shumë e vetëdijshme për këtë debat”.
“Ne definitivisht nuk mendojmë se studentët duhet ta përdorin ChatGPT për të bërë punën”, thotë ajo për BBC-në.
Sipas saj, mjeti funksionon më mirë si tutor sesa si një burim i thjeshtë përgjigjesh. Ajo jep shembull përdorimin e ChatGPT në “study mode”, ku studenti mund të zhvillojë një dialog me chatbot-in.
Studenti fut pyetjen që e ka të vështirë dhe chatbot-i e ndan atë në pjesë, duke ndihmuar në kuptimin e saj.
Shembulli që ajo sjell është ai i një studenti që punon vonë natën për një temë që nuk e kupton plotësisht.
“Nëse keni një prezantim për të bërë dhe është mesnatë, nuk do t’i dërgoni email tutorit tuaj universitar për ndihmë. Mendoj se potenciali është realisht aty që ChatGPT të përshpejtojë të nxënit, nëse përdoret në mënyrë të duhur”, thotë ajo.
Megjithatë, Prof. Holmes këmbëngul se çdo student që përdor mjete AI duhet të jetë i vetëdijshëm se si funksionon arsyetimi i tyre dhe si i trajtojnë të dhënat kompanitë që i ofrojnë ato. Ai thekson se rezultatet duhet gjithmonë të verifikohen.
“Nuk u them kurrë studentëve të mi se nuk duhet ta përdorin AI-në… Por ajo që përpiqem të them është se duhet ta kuptojmë mirë, që të mund të marrim vendime të mira.”/kb