Normal view

Belind Këlliçi: Raporti i DASH ekspozoi pasojat ekonomike të korrupsionit në qeverisjen Rama

By: V K
28 September 2025 at 13:01

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, “Investment Climate 2025”, duke e cilësuar atë si një skenar realist kundër propagandës dhe mashtrimeve qeveritare.

Këlliçi theksoi se raporti pasqyron një realitet që Partia Demokratike, e ka denoncuar prej vitesh: pengesat korruptive qeveritare ngulfatin rritjen dhe zhvillimin ekonomik, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë ritmin e përafrimit me vendet europiane.

Ai nënvizoi se përtej propagandës dhe statistikave të mbivlerësuara, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me varfërinë më të lartë në rajon, ndërsa reforma strukturore dhe vizioni qeveritar mungojnë, duke lënë pas një ekonomi të kapur nga korrupsioni, narko-trafiku dhe klientelizmi politik.

Këlliçi ritheksoi se Partia Demokratike beson tek liria e biznesit, investimet e huaja dhe mundësitë për qytetarët, dhe theksoi urgjencën e largimit të një qeverie që, mandat pas mandati, pengon zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) “Investment Climate 2025”, është një skaner realist kundër propagandës dhe mashtrimeve qeveritare!

Raporti i fundit i DASH [] pasqyron një realitet të cilin Partia Demokratike e ka denoncuar në vazhdimësi, një realitet ku pengesat korruptive qeveritare ngulfatin rritjen dhe zhvillimin ekonomik, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë ritmin e përafrimit të Shqipërisë me vendet europiane.

Në raport specifikohet niveli i ulët i ekonomisë, ku PBB-ja arrin në vetëm një të katërtën e mesatares së BE-së.

Përtej propagandës së 10 milionë turistëve dhe “përpjekjeve të mëdha për të mbyllur kapitujt”, ky është realiteti faktik i përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë, të cilët fatkeqësisht mbeten me varfërinë më të lartë në rajon dhe shumë larg sigurisë ekonomike europiane apo zhvillimit teknologjik.
Reformat strukturore për të zvogëluar këtë hendek me vendet e zhvilluara nuk gjejnë në qeverinë shqiptare as aftësinë, as vizionin dhe as vullnetin për t’u ndërmarrë.

Një ekonomi shqiptare konkurruese do duhej të kishte një klimë të mirë biznesi, një hapje drejt teknologjive të reja dhe mundësive industriale të kohës, një diversifikim të burimeve dhe shfrytëzim të burimeve natyrore, për të mundësuar që çdo i ri të ketë mundësinë të ndërtojë të ardhmen me të ardhura dinjitoze në shtëpinë e tij.

Përkundrazi, problemet kronike me korrupsionin galopant, si në nivel qëndror, po ashtu edhe në nivel lokal dhe të shtrirë në mënyrë kapilare, pengojnë iniciativën e lirë dhe besimin tek ekonomia.

Vizioni qeveritar është dëshmuar në vazhdimësi i njëjti, injektim i flukseve të stërmëdha të parasë së pistë, braktisje totale e sektorit industrial dhe fermerëve, pengesa burokratike dhe zhvatëse ndaj sipërmarrjeve të vogla e të mesme, dhurim i tokave të bregdetit tek klientët personalë të kryeministrit apo “investitorët strategjikë” me CV të pasur kriminale vendase dhe ndërkombëtare!

Raporti tregon se si korrupsioni është pengesë konkrete në ekonominë shqiptare, e jo vetëm temë e diskursit publik opozitar.

Korrupsioni në sektorin publik, sistemin gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrenca e padrejtë dhe e shtrembëruar, ekonomia e madhe informale, pastrimi i parave, pengesat në të drejtën pronësore, zbatimi i dobët i kontratave, janë të gjitha përgjegjësi direkte e një qeverisje të mbrapshtë dhe të dështuar 12 vjeçare, e cila riciklon fytyrat, por jo qasjen destruktive kundrejt shtetformimit.

Në raport po ashtu specifikohet se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni, shtrembërojnë konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale.

Raportet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë ose pengojnë investimet në Shqipëri.

E drejta pronësorë, sipas raportit, vijon të jetë një sfidë në Shqipëri, ku është vështirë të sigurohet titulli i qartë i pronës dhe kompensimi për tokat e konfiskuara nga sistemi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i pamjaftueshëm!
Garantimi i të drejtës pronësore do duhej të ishte baza e çdo politike qeveritare që synon një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të investimeve të huaja direkte, të besimit të investitorëve tek Shqipëria.
Përkundrazi, prona është trajtuar si plaçkë elektorale, nga zyrtarë të babëzitur me orientim qeveritar, për të deformuar vullnetin elektoral të votuesve dhe pamundësuar pasurimin e shqiptarëve në pronën e tyre të pavarur nga qeveria.

Partia Demokratike beson tek sipërmarrja e lirë, tek rritja ekonomike e bazuar në lirinë e biznesit për qytetarët shqiptarë dhe investitorët e huaj, pa vargonjtë korruptivë dhe gjobaxhinj të një administrate të kalbur.

Por PD njëkohësisht rithekson urgjencën kombëtare të largimit një orë e më parë të një qeverie, e cila mandat pas mandati, tregon paaftësinë dhe bashkëfajësinë në pengimin e kësaj lirie ekonomike, pasi një qytetar shqiptar i lirë, i pavarur dhe me mirëqënie, nuk do të ishte i kontrollueshëm nga makineria antiligjore e patronazhimit dhe neodiktaturës.

 

The post Belind Këlliçi: Raporti i DASH ekspozoi pasojat ekonomike të korrupsionit në qeverisjen Rama appeared first on Albeu.com.

Klima e investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për Shqipërinë: Sfidë kryesore paratë e drogës! PPP-të me mungesë të ekspertize

By: M C
27 September 2025 at 22:13

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025. Në këtë raport, theksohet se administrata shqiptare vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme, ndërsa ka shqetësime të vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në raport, Shqipëria përshkruhet si një vend me disa probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, të cilat ndikojnë në klimën e përgjithshme të biznesit.

Në dokument thuhet se sfidat kryesore që dëmtojnë ambientin e biznesit përfshijnë korrupsionin e përhapur, një sistem gjyqësor të dobët, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe praninë e madhe të ekonomisë informale dhe pastrimit të parave, sidomos me burim nga trafiku i drogës.

Ekonomia informale ka ndikuar ndjeshëm në shtrembërimin e konkurrencës në treg. Për më tepër, bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale.

“Komuniteti i biznesit raporton se hyrja masive e të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni po shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë gjithashtu se mund të bëhen objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale”, thuhet në raport.

DASH evidenton korrupsionin e vazhdueshëm në procesin e prokurimeve shtetërore, ku kontratat shpesh jepen përmes procedurave të dyshimta dhe të mbyllura.

Përkundër përpjekjeve të qeverisë për të promovuar transparencë në tenderime, përmes platformës “Open Procurement” dhe dixhitalizimit të shërbimeve, raporti vëren se realiteti në terren mbetet problematik.

Kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) përmenden si një tjetër burim shqetësimi, pasi, sipas raportit, ato shpesh janë hartuar pa analizë të thelluar dhe me mungesë të ekspertizës profesionale. Kjo ka kufizuar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj dhe ka krijuar terren për favorizime.

Sipas raportit, të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një çështje delikate. Të huajt dhe vendasit përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar tituj të qartë pronësie.

“Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar hapësirat për konkurrencë të ndershme, përfshirë edhe për investitorët e huaj, sidomos në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësime serioze.

Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të vështira tregtare, si me entitete publike, ashtu edhe me ato private, disa prej të cilave kanë përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar”, thekson DASH.

Janë raportuar raste të abuzimeve me sistemin gjyqësor, ku individë të caktuar kanë manipuluar dokumentacionin për të përvetësuar prona në mënyrë të paligjshme. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një dukuri e përhapur dhe kompensimi për pronat e konfiskuara gjatë komunizmit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe joefikas.

Raporti i DASH thekson se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe ngritjen e institucioneve të specializuara si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Megjithatë, zbatimi i reformës në drejtësi ka krijuar boshllëqe serioze për shkak të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, duke ngadalësuar proceset gjyqësore, veçanërisht në gjykatat e apelit.

Përkundër përparimeve të regjistruara, si përmirësimi në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International (nga 37 në 42 pikë), investitorët e huaj mbeten skeptikë për klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Ata theksojnë se mungesa e stabilitetit ligjor, ndryshimet e shpeshta në politikat fiskale dhe rreziku nga arbitrariteti i autoriteteve mbeten pengesa të mëdha.

Sipas raportit, investimet direkte nga SHBA në Shqipëri arritën në 382 milionë dollarë në fund të vitit 2024, një rritje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, raporti vëren se ky nivel është ende modest dhe përfaqëson një pjesë të vogël të kapitalit të huaj në vend, për shkak të klimës së pasigurt për investime.

Bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri shpesh zgjedhin të përfshijnë klauzola të arbitrazhit ndërkombëtar në kontrata, për të shmangur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes sistemit vendas të drejtësisë, të cilin e konsiderojnë të ngadaltë, joefektiv dhe të ndikuar politikisht.

The post Klima e investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për Shqipërinë: Sfidë kryesore paratë e drogës! PPP-të me mungesë të ekspertize appeared first on Albeu.com.

❌