Normal view

Kompania private shkallmon tubacionet e ujit te “Komuna e Parisit” në Tiranë, llumi pushton depozitat e pallateve

By: E S
11 April 2025 at 20:35

Një situatë shqetësuese është raportuar sot nga banorët e lagjes Komuna e Parisit në Tiranë. Prej orëve të para të mëngjesit, nga çezmat e apartamenteve të tyre nuk ka rrjedhur ujë i pijshëm, por llum.

Sipas denoncimeve të shumta që kanë mbërritur në redaksinë tonë, kjo ndotje e madhe e ujit ka bërë që mijëra banorë të mbeten pa për të kryer shërbimet bazike të përditshme në shtëpitë e tyre, ndërsa uji i ambalazhuar në disa markete ka mbaruar.

Pamjet e dërguara tregojnë ujë me ngjyrë të zezë që rrjedh nga rubinetat, ndërsa depozitat e ujit nëpër pallate janë tashmë të mbushura me baltë dhe mbetje.

Administratoret e pallateve u kanë komunikuar banorëve se problemi ka ardhur si pasojë e një dëmtimi në tubacionin kryesor të furnizimit me ujë, i shkaktuar nga punime të pakujdesshme të kryera nga një kompani private aty pranë.

Deri në momentin e raportimit, nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga autoritetet përkatëse apo kompania që dyshohet si përgjegjëse. /skyweb.al

The post Kompania private shkallmon tubacionet e ujit te “Komuna e Parisit” në Tiranë, llumi pushton depozitat e pallateve appeared first on Albeu.com.

Instalimi i DPI-ve te Vodafone dhe One, flet AKSK: S’po ju përgjojmë, pajisjet i morëm BORXH në Izrael

By: E S
10 April 2025 at 22:56

Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen Kibernetike (AKSK) ka reaguar më në fund përmes një përgjigjeje zyrtare në lidhje me debatin e ngritur pas vendosjes pa asnjë njoftim të pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI( në rrjetin e kompanive celulare Vodafone Albania dhe One Albania.

Përmes një përgjigjeje zyrtare të nisur gazetarit Emirjon Senja, AKSK pranon zyrtarisht instalimin e këtyre pajisjeve duke e ligjëruar këtë veprim me nevojën për të mbyllur shërbimin e Tik Tok në Shqipëri.

AKSK pranon gjithashtu se pajisjet DPI të instaluara te Vodafone Albania dhe One Albania janë ofruar nga Izraeli, ndërkohë që thuhet se ato nuk janë blerë, por vetëm janë marrë në përdorim për një vit dhe më pas do t’i kthehen Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të Izraelit, shkruan skyweb.al.

Këto detaje dalin për herë të parë në publik, ndërkohë që siç mësohet, AKSK i referohet një marrëveshjeje të lidhur me Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të Izraelit në shkurt 2023, pikërisht në periudhën kur plasi skandali i hakerimit të sistemeve të AKSHI-t dhe dolën në shesh pagat, targat, numrat e telefonit dhe llogaritë bankare të shqiptarëve.

Pyetur në lidhje me bazën ligjore, mbi të cilën u vendosen këto pajisje, AKSK thotë se është referuar VKM-së së qcverisë për mbylljen e Tik Tok; ligjit për Sigurinë Kibernetike si edhe ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e femijës”, ndërkohë që nuk ka asnjë referencë ligjore në lidhje që mbron të dhënat personale nga keqpërdorimi.

Po ashtu, në përgjigjen dhënë gazetarit Senja, AKSK thekson se pajisjet DPI nuk mund të përgjojnë qytetarët.

“Platforma DPI analizon VETËM kokën (headerin) e paketës së protokollit të internetit IP dhe e ka teknikisht të pamundur të deshifrojë/ç`kodojë dhe analizojë vetë përmbajtjen e paketës (payload-in). Komunikimet me përmbajtje që transmetohen në internet në vendin tonë, janë 100% të enkriptuara me çelsa të bazuar në algoritma asimetrik për shkëmbimin e tyre, si edhe simetrik për kodimin e përmbajtjes. Në këto kushte DPI NUK arrin të aksesojë dhe as të lexojë përmbajtjen e komunikimit. DPI sheh vetëm që “diçka po dërgohet diku”, por nuk mund të identifikojë dërguesin, marrësin dhe as përmbajtjen e informacionit”, shpjegon AKSK.

Instalimi i pajisjeve DPI pritet të bëhet edhe te ISP-të e tjera krahas Vodafone dhe One Albania sipas AKSK, pasi pritet të kalohet edhe në fazën e dytë të këtij procesi.

Shprehet AKSK:

Implementimi i teknikës DPI në Shqipëri është i ndarë në dy faza:

1- Faza e parë mbulon kompanitë celulare Vodafone dhe One.

2- Faza e dytë mbulon të gjithë ofruesit e shërbimit të internetit me shumicë (Wholesale), të cilët shërbejnë si ndërmjetës midis pikave të hyrjes së internetit në vendin tonë dhe ofruesve të tjerë të shërbimit të internetit.

Ekspertë të fushës si edhe gazetarët kanë shprehur shqetëim në lidhje me censurën si edhe keqpërdorimin e të dhënave personale përmes instalimit të pajisjeve DPI pa një një kuadër rregullator të mirëfilltë që i pret rrugën pikërisht problematikave të tilla.

Deri më tani, e vetmja siguri e ofruar nga AKSK është ajo verbale duke bërë shpjegime se çfarë bën dhe çfarë nuk bën DPI ndërkohë që nuk ka (të paktën nuk është vënë në dispozion) një procedurë që tregon se si mbrohen të dhënat personale.

Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka shprehur shqetësimin se pajisjet DPI bëjnë një profilizim të mirëfilltë të individëve gjatë perdorimit të internetit, ku edhe pse nuk mund të lexohet përmbajtja e mesazheve, mund të identifikohet bashkëbiseduesi; aplikacioni i komunikimit; nëse po flet me voice apo SMS, nëse po dërgon dokumente apo video, etj; cilat websitë apo aplikacione po viziton, etj.

Ndërkohë, AKEP që është institucioni përgjegjës për komunikimet elektronike në Shqipëri nuk ka reaguar ende. /skyweb.al

The post Instalimi i DPI-ve te Vodafone dhe One, flet AKSK: S’po ju përgjojmë, pajisjet i morëm BORXH në Izrael appeared first on Albeu.com.

SIGURIMET/ Komisioni i Konkurrencës, hetim të thelluar ndaj 11 bankave në Shqipëri

By: E S
9 April 2025 at 12:54

Komisioni i Konkurrencës ka miratuar vendimin për hapjen e një procedurë hetimi të thelluar në tregun e sigurimit të jetës për kreditë bankare dhe në tregun e ndërmjetësimit të sigurimeve, duke përfshirë 11 banka dhe 2 ndërmarrje të ndërmjetësimit.

Në mbledhjen e datës 26 mars 2025, Komisioni analizoi të dhënat e mbledhura gjatë fazës së hetimit paraprak dhe konkludoi se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Dyshime për marrëveshje të ndaluara dhe pozita dominuese

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e bankave Raiffeisen Bank, OTP Bank Albania, Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Tirana Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, Union Bank, ABI Bank, ProCredit Bank, si dhe ndërmarrjeve E-Business Solutions SHPK dhe Abi Broker Sigurimesh SHA, mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe 9 të ligjit në fuqi.

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon në mënyrë eksplicite marrëveshjet apo praktikat e koordinuarames ndërmarrjeve që synojnë ose kanë efektin e shtrembërimit të konkurrencës në treg. Nga ana tjetër, neni 9 ndalon abuzimin me pozitën dominuese, përmes vendosjes së kushteve të padrejta për konsumatorin apo kufizimit të aksesit të aktorëve të tjerë në treg.

Gjithashtu, për katër banka të tjera – Credins Bank, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Tirana Bank dhe Banka e Parë e Investimeve – hetimi përqendrohet mbi dyshimet për abuzim me pozitën dominuese, në kuptim të nenit 9 të ligjit.

Hetimi përfshin periudhën 2021–2025

Vendimi nr. 1171 i datës 26.03.2025 parashikon që hetimi i thelluar do të përfshijë një periudhë gati katërvjeçare, nga 7 nëntor 2021 deri më 26 mars 2025. Gjatë kësaj kohe, bankat e listuara kanë ofruar kredi me kushtin e sigurimit të jetës, shpeshherë përmes ndërmarrjeve të përzgjedhura të ndërmjetësimit, në disa raste të lidhura drejtpërdrejt me vetë bankën ose të bashkëpunuara në mënyrë ekskluzive.

Treg me ndikim të ndjeshëm te konsumatori

Sigurimi i jetës për kredi është një element thelbësor për çdo individ apo biznes që merr hua në banka. Këto sigurime mbulojnë rrezikun e paaftësisë për të shlyer kredinë në rast vdekjeje ose paaftësie fizike të kredimarrësit. Por, nëse ndërmarrjet financiare kufizojnë zgjedhjen e klientëve apo krijojnë marrëveshje të koordinuara për çmimet apo ndërmjetësit, kjo përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe dëm potencial për konsumatorin final.

Çfarë pritet nga hetimi?

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë ende detaje për formën që ka marrë sjellja e dyshuar e ndërmarrjeve, por hetimi i thelluar do të kërkojë bashkëpunim të detyruar nga subjektet e përfshira, duke përfshirë dokumentacionin për kontratat me klientët, marrëdhëniet me kompanitë e sigurimeve dhe ndërmjetësit, si dhe mekanizmat e brendshëm të përzgjedhjes së ofertave.

Në përfundim të procesit, nëse vërtetohen shkelje të ligjit, Autoriteti mund të vendosë gjobitje deri në 10% të xhiros vjetore të ndërmarrjeve përkatëse dhe të kërkojë ndryshimin e praktikave të tregut. /skyweb.al

The post SIGURIMET/ Komisioni i Konkurrencës, hetim të thelluar ndaj 11 bankave në Shqipëri appeared first on Albeu.com.

Rekord HISTORIK, edhe Paundi “shkrihet” përballë Lekut

By: E S
8 April 2025 at 18:18

Pasiguria qe ka mberthyer boten per shkak te krizave te shumta te sigurise ne rajone te ndryshme si edhe vendimi i administrates Trump per vendosjen e tarifave shtese ndaj vendeve te tjera kane rritur ndjeshem shqetesimet per nje recesion ekonomik global.

Kjo eshte reflektuar ne bursa si edhe kursin e kembimit, nderkohe qe monedhat e forta si paundi, dollari apo euro, jane dobesuar ndjeshem gjate diteve te fundit edhe ne vendin tone.

Madje, sipas te dhenave te Bankes se Shqiperise, Paundi Britanik ka shenuar sot rekordin negativ historik me Lekun duke u kembyer si KURRE me pare, te pakten qe nga viti 2005 kur edhe daton databaza e te dhenave te BSH.

Te dhenat e BSH per kursin e kembimit mes Paundit dhe Lekut gjatë 10 viteve te fundit

Nje paund sot u kembye me mesatarisht 115.24 leke duke humbur rreth 4% te vleres se tij vetem ne nje vit. Kujtojme se nje Paund kembehej me rreth 120 leke ne te njejten periudhe te vitit te shkuar.

Sot eshte nje dite e keqe edhe per “çunat e Londres”.

Te dhenat e BSH per kursin e kembimit mes Paundit dhe Lekut gjatë vitit të fundit

Zhvleresimi i valutave perballe Lekut ka rritur shqetesimet ne familjet shqiptare qe mbahen me dergesat e emigranteve, nderkohe qe realiteti i ri nuk ka ndikuar nderkohe edhe ne drejtim te uljes se çmimit te mallrave te importit, te cilat perkundrazi, shtrenjtohen, shkruan skyweb.al.

INSTAT publikoi sot Indeksin e Çmimeve te Konsumit duke pasqyruar nje shtrenjtim te metejshem te ushqimeve krahasuar me te njejten periudhe te nje viti me pare edhe pse ne kushtet kur Leku eshte sot me i fuqishem perballe Euros, duhej te ishte e kunderta.

Nga ana tjeter, ky forcim i Lekut kundrejt monedhave te tjera ka ndikuar teper negativisht ne drejtim te eksporteve duke i bere prodhimet shqiptare me te shtrenjta ne tregun europian dhe me gjere. /skyweb.al

The post Rekord HISTORIK, edhe Paundi “shkrihet” përballë Lekut appeared first on Albeu.com.

SKEMA/ Si u transferuan miliarda në CASH të Raiffeisen Bank International në Moskë ditët që Rusia po pushtonte Ukrainën!

By: E S
6 April 2025 at 15:12

Vetëm pak ditë përpara nisjes së pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, Raiffeisen Bank International (RBI) – banka më e rëndësishme perëndimore që vijon të operojë në Rusi – ka transportuar sasi të mëdha parash CASH drejt Moskës.

Sipas një hulumtimi të përbashkët nga gazeta austriake Der Standard dhe rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve investigativë OCCRP, mes janarit dhe shkurtit 2022, RBI ka dërguar mbi nëntë miliardë euro në para CASH (euro, dollarë dhe franga zvicerane) në të paktën 189 dërgesa të veçanta drejt Rusisë.

Të paktën dhjetë nga këto dërgesa arritën në Rusi më 24 shkurt 2022 ose më pas – pikërisht kur tanket ruse po hynin në Ukrainë dhe avionët luftarakë po bombardonin qytete si Kievi. Marrësi ishte kompania TBSS, e cila mban lidhje të ngushta me institucionet shtetërore ruse.

Sipas ekspertëve, kjo lëvizje i dha një shtysë të madhe likuiditeti ekonomisë ruse, dhe potencialisht kontribuoi në mënyrë indirekte në financimin e luftës së Putinit. “Paraja e gatshme në valutë të huaj është gjithmonë e dobishme në kohë lufte,” thotë Janis Kluge, ekspert për Rusinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Nuk është e qartë kush i përfitoi saktësisht këto fonde – oligarkët rusë, miqtë e Putinit apo vetë shteti dhe ushtria ruse. Sipas analistit amerikan David Szakonyi, “me disa milionë në dorë blen besnikëri. Me disa miliardë? Aq më tepër.”

Ndërkohë, RBI ka zgjedhur të mos largohet nga tregu rus, ndryshe nga shumica e bankave perëndimore pas pushtimit të Ukrainës. Ajo vijon të gjenerojë rreth një të tretën e fitimeve totale në Rusi, duke paguar miliona në taksa drejt qeverisë ruse – para që, sipas kritikëve, ushqejnë makinerinë e luftës të Kremlinit.

Një nga detajet më interesante të zbuluara nga hetimi i Der Standard dhe OCCRP lidhet me faktin se të paktën dhjetë nga dërgesat me para të gatshme të Raiffeisen Bank International (RBI) mbërritën në Rusi më 24 shkurt 2022 ose pas kësaj date – pra, në ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Në atë kohë, tanket ruse po hynin në Kiev, ndërsa avionët luftarakë bombardonin qytetet ukrainase.

RBI është justifikuar duke thënë se ajo vepron vetëm si menaxhere e bankave partnere në bazë të kontratave. Por analistët paralajmërojnë: “Për një pushtim nevojitet para në dorë – siç ndodhi në luftën e Irakut, në Afganistan dhe tani në Ukrainë,” thotë David Szakonyi, politolog amerikan. “Disa miliona në dorë mund të blejnë besnikëri. Disa miliardë? Akoma më shumë.”

Ndërkohë që shumica e bankave perëndimore u tërhoqën nga Rusia pas nisjes së luftës, RBI zgjodhi të qëndrojë. Ajo gjeneron rreth një të tretën e fitimeve totale në Rusi dhe paguan miliona euro në taksa për qeverinë ruse çdo vit – para që, sipas kritikëve, ndihmojnë në mbajtjen gjallë të makinerisë së luftës të Kremlinit.

Një burim i brendshëm i bankës thekson se një dërgesë e planifikuar për ditën e pushtimit u ndalua në momentin e fundit. Nga ana tjetër, një zëdhënës i RBI deklaroi se nuk ka pasur dërgesa pas shpërthimit të luftës.

Zbulimet kanë rritur presionin mbi RBI, e cila prej kohësh kritikohet për qëndrimin e saj në tregun rus. Në përgjigje të interesimit mediatik, banka ka theksuar se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se të gjitha dërgesat respektonin rregulloret që ishin në fuqi në atë kohë.

Por, ndonëse nuk ka shkelje të qarta ligjore, ekspertët theksojnë se dërgesat ndihmuan në forcimin e regjimit rus – pikërisht në momentet kur përgatitjet për luftë ishin në kulm. “Paratë e gatshme ndoshta ndihmuan ose regjimin, ose ata që e mbështesin atë,” thotë eksperti për Rusinë, Janis Kluge.

Aktualisht, tërheqja nga tregu rus nuk është opsion për RBI, pasi një shitje e degës ruse mund të bëhet vetëm me miratimin e Kremlinit. Si rrjedhojë, banka vijon të operojë në Rusi, megjithëse po zvogëlon gradualisht aktivitetin e saj.

I pyetur nëse banka do të largohej nga Rusia në rast të heqjes së sanksioneve, një zëdhënës i RBI u shpreh se nuk mund të paragjykojë vendimet e Bordit Drejtues dhe të Këshillit Mbikëqyrës./skyweb.al

The post SKEMA/ Si u transferuan miliarda në CASH të Raiffeisen Bank International në Moskë ditët që Rusia po pushtonte Ukrainën! appeared first on Albeu.com.

Fiter Bajrami, Presidenti Begaj viziton KMSH, Bektashinjtë dhe Xhaminë e Namazgjasë, bën thirrje për më shumë dashuri mes shqiptarëve

By: E S
30 March 2025 at 11:47

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin, festë e cila shënon mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Mesazhe të veçanta Kreu i Shtetit u përcolli klerikëve gjatë vizitave që zhvilloi në institucionet e komunitetit mysliman dhe atij bektashi në Tiranë.

Presidenti Begaj i nisi vizitat me Xhaminë e Madhe e Tiranës, ku u prit nga Myftiu i kryeqytetit, Imam Bilal Teqja.

Presidenti u shpreh se hapja e dyerve të kësaj xhamie përmbushi kërkesën disavjeçare të besimtarëve, për të cilët ky ishte Ramazani i parë me Xhami të Madhe, e cila pret edhe turistë të shumtë, siç bëri me dije Myftiu i Tiranës.

Presidenti theksoi rëndësinë e unitetit mes besimtarëve dhe gjithë shqiptarëve, bashkë me urimin që devotshmëria e treguar gjatë këij muaji të vijojë deri në ardhjen e Ramazanit tjetër.

I shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Kreu i Shtetit përshkoi në këmbë rrugën drejt selisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga Kryetari Bujar Spahiu, të cilit i përcolli urime për Fitër Bajramin, duke u shprehur:

“Gëzuar Fitër Bajramin! Qoftë kjo ditë e shënuar një ditë solidariteti, një ditë mirësie për të gjithë shqiptarët. Fjalët e Kuranit Famëlartë dhe të urtit, Profetit Muhamed, le të shërbejnë për çdo shqiptar, për çdo besimtar, si shembull frymëzimi në jetën e përditshme, të jemi solidarë me njëri-tjetrin, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë familjet në nevojë e të jemi të bashkuar në shërbim të interesit tonë madhor, në shërbim të interesit të harmonisë qytetare, të dialogut ndërfetar”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Këtë Bajram Presidenti uroi edhe besimtarët bektashinj. Ai vizitoi selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u prit nga Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nga ku përcolli mesazhe mbi vlerat morale që mbajnë një shoqëri larg tundimit për të vrapuar drejt materiales./albeu

The post Fiter Bajrami, Presidenti Begaj viziton KMSH, Bektashinjtë dhe Xhaminë e Namazgjasë, bën thirrje për më shumë dashuri mes shqiptarëve appeared first on Albeu.com.

Një spiun në celularin dhe lap top-in tuaj, Vodafone dhe One duhet të tregojnë çfarë po ndodh me DPI

By: E S
29 March 2025 at 16:36
Nga Emirjon Senja
Vendosja e pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) në kompanitë që bëjnë shpërndarjen e internetit pa një paketë rregullatore mbi përdorimin e të dhënave është një veprim më shumë se i guximshëm, që shkon në kufijtë e çmendurisë dhe paligjshmërisë dhe me shumë gjasa do të jetë një ndër skandalet më të mëdha dhe objekt i kronikave të përditshme.
Historia sa ka filluar në fakt.
Vodafone Albania dhe One Telecomunications që i kanë vendosur dhe futur tashmë në përdorim këto pajisje duhet të jenë transparent me qytetarët, por edhe të përgjegjshëm përballë ligjit dhe të tregojnë se në çfarë rrethanash kanë pranuar instalimin dhe dhënien e aksesit në rrjetet e tyre.
Njoftimi për ndërperjen e Tik Tok erdhi pikërisht pasi këto pajisje ishin instaluar te Vodafone dhe One. Një mik me tregoi foto të këtyre pajisjeve të instaluara në njërën prej kompanive.
Ekspertë të fushës si Besmir Semanaj dhe Tomi Kallanxhi kanë dhënë alarmin për instalimin e pajisjeve në fjalë duke folur edhe për rrezikun e madh që paraqesin, siç është kontrolli i trafikut të internetit duke patur akses në ëebsitet që vizitohen nga qytetarët dhe përmbatjen e tyre; komunikimet dhe i gjithë aktiviteti online.
Është njëlloj sikur të vendosesh screen record në kompjuter apo celuar dhe çfarë shfaqet në ekranin tend të shihet nga të tjerët.
Imagjiononi të jetonit në një shtëpi xhami, pa perde, një shoqëri tepër “transparente”, siç e përshkruan Yevgeny Zamyatin në novelën “Ne”.
Është praktikë e shoqërive si kjo e jona që përdoren situata të ndryshme, siç është tani argumenti i Tik Tok për të kontrolluar qytetarët, dhe DPI janë pajisje tepër të rrezikshme nëse të dhënat kalojnë nëpër duart e personave të papërgjegjshëm. Shembuj të tillë kemi pafund këto vitet e fundit në Shqipëri.
I mbani mend si ia ulën pantallonat AKSHI-it ku dolën rrogat, numrat e celularit, llogaritë bankare?
Nga ana tjetër, AKEP ka mbushur një listë prej rreth 13 000 aplikacionesh dhe webistesh të bllokuara me synimin gjoja për bllokimin e Tik Tok, ndërkohë që ka ankesa se janë bllokuar edhe aksese në faqet e kompanive ndërkombëtare të shitjeve online.
Një rrëmujë e madhe, pa transparence ku po lihen hapësira të mëdha abuzimi. /albeu.com

The post Një spiun në celularin dhe lap top-in tuaj, Vodafone dhe One duhet të tregojnë çfarë po ndodh me DPI appeared first on Albeu.com.

SKANDALI/ Si e hëngrën shqiptarët 13.1 ton mish pule me salmonelë nga kompania AMG Food (Dimal)

By: E S
28 March 2025 at 17:25

Ka marrë përmasat e një skandali të madh shpërndarja e rreth 13 ton mish pule me salmonelë, sasi e cila është konsumuar nga qytetarët shqiptarë gjatë marsit, siç mësohet indirect nga njoftmi i AKU.

skandali përfshin Portin e Durrësit dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ku një sasia e konsiderueshme e filetos së pulës së ngrirë e ardhur nga Brazili, ka rezultuar me salmonelë, teksa një pjesë e saj është hedhur në treg dhe është konsumuar.

Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për rreth mbi 18 ton në total, ku 13.1 ton fileto pule është hedhur në treg dhe është konsumuar, ndërsa 5.2 ton është bllokuar nga AKU. Sasia ka hyrë në Shqipëri më 11 Mars.

Ndërkohë, AKU, pas publikimit të skandalit, përmes një komunikate të shkurtër për mediat, pranoi faktet, por ndërkohë nuk tregon se cila është kompania që e ka hedhur në treg fileton me salmonelë, duke mos bërë transparencë për konsumatorin.

AlbEu mëson se kompania, e cila e ka hedhur në treg fileton e pulës me salonelë është AMG FOOD, ose e njohur me emrin tregtar si diMal. Kompani është në administrim dhe në pronësi 100% të shtetasit Mondi Goxha.

AlbEu kontaktoi kompaninë për një koment, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm një reagim.

Rasti është konstatuar pas procedurave standarde, ku inspektorët e AKU-së në pikën doganore kanë marrë mostrat e mishit të importuar dhe i kanë dërguar për analizim.

Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndronte i bllokuar, por ndërkohë ka ndodhur e kundërta.

Pa pritur rezultatin e analizave, subjekti importues, në këtë rast kompania AMG FOOD, ose e njohur me emrin tregtar si diMal“, ka hedhur të gjithë produktin në treg për shitje.

Përgjigjia e analizave ka dalë me 5 ditë vonesë dhe një pjesë e sasisë është shpërndarë në treg dhe është konsumuar, ku bëhet fjalë për 13.1 ton fileto pule.

Përgjegjësia për këtë skandal shkon direkt tek Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Anila Denaj dhe tek institucioni në varësi të saj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Manush Kullolli.

Reagimi i AKU-së:

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.

Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme. /albeu,com

The post SKANDALI/ Si e hëngrën shqiptarët 13.1 ton mish pule me salmonelë nga kompania AMG Food (Dimal) appeared first on Albeu.com.

Jamie anglezi dhe Xhoni shqiptari

By: E S
26 March 2025 at 12:55
Emirjon Senja

Jamie, një 13 vjeçar britanik që vrau bashkëmoshataren e tij me thikë pas bullizimit që ajo i bëntë në rrjete sociale, u arrestua nga policia në orët e para të mëngjesit duke u çuar në rajonin e policisë.

Ndërkohë që ishte në makinë, ai u qetësua dhe këshillua nga një punonjës policie, ku ndër të tjera iu tha se nuk duhej të fliste pa takuar një avokat, ndërsa punonjësi tjetër i policisë në sportel u kujdes që ai të trajtohej me dinjitetin që një shoqëri e përparuar i qaset qytetarëve të saj, edhe pse në rastin konkret kishim të bënim me një vrasje.

Shumica e lexuesve të këtyre rreshtave e kanë parë seritë “Adolescence” ne Netlix që po bën bujë dhe s’po zgjatem më tej.

Tani le të vijmë të rasti ynë.

Xhoni*, 16 vjeç, u arrestua mbrëmë nga efektivët e komisariatit nr.6 në Tiranë pasi bashkë me një shokun e tij 17 vjeçar hodhën shishe me benzinë në oborrin e banesës së një personi që kishin konflikt.

Policia shpërndau një video ku dukeshin se adoleshentët ishin prangosur dhe po futeshin në komisariat me duar të lidhura mbrapa dhe dorën e efektivëve të Shqiponjave mbi kokë. Një përthyerje që zakonisht karakterizon ata që arrestohen për krime të rënda.
Jemi të gjithë dakord që ka një problem të madh me adoleshentët e sotëm,ku i gjen rëndom me thika apo hashash nëpër xhepa, për të mos folur për atë gjuhën vulgare ku në çdo tre fjalë, dy nisin me “o k…!” “o k…”. Mua me shqetëson shumë vulgariteti dhe mungesa e theksuar e përgjegjësisë që ka kjo moshë, por kjo nuk është forma që duhen trajtuar ata nëpër komisariate.

Kështu vetëm i bëjmë kriminelë potencialë kur të bëhen 20 apo 30 vjeç duke i frymëzuar me urrejtjen për forcat e rendit, ligjin dhe shoqërinë në përgjithësi.

Mendja rrebele e një adoleshenti që trajtohet ashtu, zakonisht nuk reflekton për krimin e kryer, por frymëzohet për veprime të tjera të dhunshme në vijim.

Jo, kjo nuk është forma e duhur e trajtimit të adoleshentëve, sado problematikë të jenë bërë ata…

*Emri nuk është i vërtetë

 

The post Jamie anglezi dhe Xhoni shqiptari appeared first on Albeu.com.

Ngarkimi i dokumenteve në kamion, reagon Bashkia Tiranë: Po spekulohet, jemi duke I transferuar në Arkivë

By: E S
25 February 2025 at 11:54

Videoja e shpërndarë gjatë mëngjesit të sotëm në rrjetet sociale teksa ngarkohen dokumente nga Bashkia e Tiranës në një kamion ka bërë xhiron e rrjetit duke nxitur edhe dyshime e reagime për shkak të arrestimit të kryebashkiakut Veliaj nga SPAK.

Gjithçka ndodh teksa një ditë më parë nga njëri prej oxhakëve të Bashkisë Tiranë doli tym i zi duke ngjallur po ashtu komente mbi çfarë po digjej.

Sigurisht në këtë kontekst çdo hyrje-dalje në këtë godinë ngjall interes. Në një reagim për mediat, zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë bëri me dije se bëhet fjalë për një transferim rutinë të dokumentacionit drejt Arkivës dhe se pretendimet në rrjetet sociale nuk janë të vërteta.

“Lajmet e shpërndara dhe ajo çfarë thotë Berisha nuk janë të vërteta. Po bëhet një transferim i dokumentacionit në Arkivën e Bashkisë së Tiranë”.

Veliaj u arrestua nga SPAK me akuzën e korrupsionit dhe ndodhet në qeli, ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa ka masë sigurie “detyrim paraqitje”. /albeu.com

The post Ngarkimi i dokumenteve në kamion, reagon Bashkia Tiranë: Po spekulohet, jemi duke I transferuar në Arkivë appeared first on Albeu.com.

“Kanibalizmi i informacionit” në përmbajtjen e gjeneruar nga AI: Një kërcënim për origjinalitetin e medias

By: E S
31 January 2025 at 18:38

*Fotoja shoqëruese e shkrimit është gjeneruar me AI

Nga Emirjon Senja

Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë integrale e punës së përditshme të redaksive të lajmeve si edhe përdoruesve individualë, me qëllim krijimin e përmbajtjes, analizimin e saj si edhe shpërndarjen automatike apo gjysmë-automatike.

Edhe pse ka pak vite në përdorim masiv, përparimet e shumta dhe kapaciteti i lartë në përpunimin dhe prodhimin e informacionit e kanë bërë AI-në mjaft efikase në këtë drejtim. Por, sigurisht, kjo lehtësi e madhe nuk mund të vinte pa problematikat e saj.

Vazhdimisht kemi folur për nevojën e verifikimit nga gazetarë dhe redaktorë profesionistë të përmbajtjeve të prodhuara nga AI para publikimit. Megjithatë, në këtë shkrim do të flasim për një rrezik disi më të sofistikuar sesa thjesht shpërndarja e informacionit të rremë me shpejtësi për shkak të kapaciteteve të mëdha të AI.

Bëhet fjalë për fenomenin e përsëritshmërisë së informacionit, ose, siç quhet ndryshe, “kanibalizimi i informacionit”, një cikël në të cilin sistemet e AI gjenerojnë përmbajtje bazuar në informacionin ekzistues, i cili më pas riciklohet përsëri në grupin e të dhënave nga i cili AI merr për të gjeneruar përmbajtje të ardhshme. Ky qark vetë-referues ngre shqetësime të mëdha mbi origjinalitetin dhe cilësinë e përmbajtjes së prodhuar.

Fenomeni pritet të bëhet edhe më shqetësues në periudhat në vijim, kur AI do të përdoret edhe më shumë nga mediat për gjenerimin e përmbajtjes.

Si funksionon “kanibalizmi i informacionit”

Koncepti i “kanibalizmit të informacionit” i referohet një procesi ku përmbajtja, kryesisht teksti, i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale përfundon duke u përdorur sërish nga sistemet e Inteligjencës Artificiale si pjesë e bazës së tyre të të dhënave për të krijuar përmbajtje të re.

Inteligjenca Artificiale, si ChatGPT, për shembull, funksionon kryesisht duke aksesuar dhe përpunuar të dhëna të shumta, të cilat janë publike dhe gjenden lehtësisht online për shkaqe të ndryshme, siç janë mënyra se si janë trajnuar algoritmet apo sepse disa të dhëna janë më të disponueshme se të tjera në motorët e kërkimit.

Duke përpunuar këto të dhëna, AI prodhon rezultatet e veta, si artikuj, përmbledhje, tabela, imazhe apo raporte të ndryshme. Këtu mbyllet cikli i parë i prodhimit, dhe kërkuesi i këtij informacioni, pasi ka bërë verifikimet dhe ndërhyrjet e veta, e publikon atë online, duke nisur ciklin e dytë. Këto të dhëna të publikuara online tashmë do të shërbejnë sërish si pjesë e bazës së informacionit që ChatGPT, për shembull, do të referojë për të prodhuar një përmbajtje të re të ngjashme.

Kjo çon në një qerthull riciklimi ku sistemet e AI gjenerojnë vazhdimisht përmbajtje të supozuar si të re bazuar në atë që është prodhuar tashmë nga AI. Kështu, përmbajtja e krijuar nga AI fillon të ushqehet me modelin e saj, pa kontribute të jashtme origjinale, siç do të ishte krijimtaria nga njeriu.

Një problematikë tjetër është shpërndarja e shpejtë dhe e lehtë e përmbajtjes së pavërtetë. Nëse një sistem AI gjeneron përmbajtje që përfshin informacione të pasakta, ai informacion do të përsëritet dhe do të përhapet më tej, pasi sistemet e tjera të AI do ta përdorin si pikë referimi.

Kanibalizmi i informacionit gjithashtu kontribuon në formimin e “dhomave të jehonës”, ku tashmë nuk janë vetëm njerëzit ata që lexojnë informacione që u përputhen me bindjet e tyre, por edhe vetë sistemet e AI, të cilat, duke u ushqyer nga e njëjta bazë të dhënash, përforcojnë paragjykime të caktuara.

Gazetarët sjellin kreativitetin, mendimin kritik dhe emocionet – elementë që sistemet e AI nuk mund të riprodhojnë. Rrjedhimisht, promovimi i origjinalitetit dhe përdorimi i AI si mjet mbështetës, dhe jo zëvendësues i gazetarit, do të jetë sfida kryesore e medias shqiptare në vitet në vijim. /albeu.com


Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.

The post “Kanibalizmi i informacionit” në përmbajtjen e gjeneruar nga AI: Një kërcënim për origjinalitetin e medias appeared first on Albeu.com.

Shtrenjtohet siguracioni i makinave, gazetari: Sistemi bonus malus vetëm ndëshkon, nuk shpërblen

By: E S
17 January 2025 at 17:24

Gazetari Emirjon Senja ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të sigurimeve të makinave, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi që penalizon drejtuesit korrektë dhe shpërblen kompanitë e sigurimeve.

Përmes një postimi të tij në Facebook, Senja ka ndarë përvojën personale, duke theksuar se çmimi i sigurimit të automjetit të tij është rritur me 22 euro, pavarësisht se ai nuk ka shkaktuar asnjë aksident ndër vite.

Sipas gazetarit, shkaku i kësaj situate është rregullorja e re e miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila ka deformuar sistemin bonus-malus.

Ky sistem, që teorikisht duhet të shpërblejë drejtuesit e kujdesshëm dhe të penalizojë ata me histori aksidentesh, duket se ka nisur të zbatohet kryesisht në drejtimin “malus”, duke ndëshkuar të gjithë njësoj pa marrë parasysh historikun e sigurisë së drejtuesve të automjeteve.

Senja ka kritikuar ashpër mungesën e transparencës dhe zbatimin e pjesshëm të këtij sistemi, që, sipas tij, është kthyer në një mjet për të përfituar më shumë nga qytetarët.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje indiferencën e publikut për çështje që prekin drejtpërdrejt xhepin e tyre.

Në fund të statusit, gazetari ka publikuar një lidhje për më shumë detaje mbi analizën e tij dhe ka bërë thirrje për më shumë vëmendje ndaj çështjeve të tilla të rëndësishme.

Statusi i plotë i gazetarit Emirjon Senja:

Sigurimet ose sistemi Malus-Malus

“Pak më parë pata një komunikim me Makbulën, një zonjë grua që më ka ndihmuar këto vite me sigurimin e makinës. Mësova që çmimi i TPL për makinën time, një Volkswagen, e sapo hyrë në moshën e adoleshencës, kushton sot 22 euro më shtrenjtë.

Dhe mqs një miku im i mirë më tha mbrëmë që “i ke patur qejf që i vogël këto çështjet e sigurimeve” 🙂 më takon të them ca gjëra në mes të kësaj heshtjeje të çuditshme të këtij populli heroik.

Gjithçka ka ndodhur për shkak të rregullores së re të AMF, të miratuar gjoja në kuadër të ligjit të ri të sigurimeve, i cili në draft ishte një super ligj, por pasi kaloi dorë më dorë deri në seancë plenare, u squll fare duke i lënë thuajse dorë të lirë kompanive të sigurimeve.

Më ka ruajtur Zoti në rrugë mes shumë të çmendurish dhe nuk kam shkaktuar asnjë aksident deri më tani.

Sipas parimit bazë të sistemit bonus-malus, unë duhej të isha shpërblyer sot dhe jo të ndëshkohesha me 22 euro plus. Historiku im është fshirë dhe unë sot nis zero-zero, njëlloj me një 22 vjeçar që ka 13 muaj me patentë.

Nuk po i hyj detajeve mbi koeficientët e riskut, të cilët kanë nisur të zbatohen të gjithë përveç atij mbi historikun e aksidenteve, gjë që ka sjellë edhe shtrenjtimin e policave të sigurimit.

Në thelb kjo është e padrejtë, të paktën bonus-malus nuk është.

Emrin le t’ia verë AMF dhe karteli që dikton rregulloret.

Por mund të thotë dikush që shpërblimin do ta marrësh vitin tjetër! Kjo nuk është e vërtetë.

Rregullorja e re operon kryesisht vetëm për “malus” dhe shumë shumë pak në drejtimin “bonus”.

(Lexo detajet: https://shorturl.at/JaPnV )

Në dy shkrime radhazi, në nëntor dhe dhjetor paralajmërova këtë që do të ndodhte në janar, por si përherë e dashura e X personazhi apo orientimi seksual i Y personazhi morën më shumë vëmendje e më shumë LIKE se sa ajo që prek drejtpërdrejt xhepin e këtij mileti.” /albeu

The post Shtrenjtohet siguracioni i makinave, gazetari: Sistemi bonus malus vetëm ndëshkon, nuk shpërblen appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Dosjet e bujshme në SPAK! Avokati i njohur: Po vjen ‘ferri’ i te paprekshmëve! Të varfërit dergjen në gjykata

By: E S
15 January 2025 at 15:03

Në vitin 2016 filloi reforma në drejtësi e cila ka sjellë një sërë problemesh për njerëzit e thjeshtë si dhe për politikanët e korruptuar, të cilët duhet të kalojnë nga porta e drejtësisë.

Avokati Arben Llangozi, në një intervistë për Shqeto ka bërë një përmbledhje rreth sistemit gjyqësor në Shqipëri. Nga njerëzit e thjeshtë e deri tek dosjet “VIP.

“Kemi drejtësi me dy standarte. Kemi hallexhinjtë që vuajnë në dyertë e gjykatave dhe “ferrin” që po hapet për njerëzit e pushtetshëm, politikanët dhe krimin e organizuar”, tha ai gjatë intervistës.

Llangozi foli edhe për dosjet e nxehta të SPAK, duke filluar nga prokurimet publike e deri te anijet që u morën për prodhimin e energjisë elektrike ne Vlorë dhe asnjëherë nuk janë venë në punë. “Janë një serë dosjesh të nxehta që janë tashmë në SPAK duke u hetuar. Nga disa prokurime publike të cilat janë përfituar nga oligarkë të ndryshëm. Tender të energjisë elektrike sic janë anijet në Vlorë të cilat janë marrë për të prodhuar energji elektrike dhe nuk janë vënë asnjë ditë në punë. Kemi disa kryebashkiakë të cilët po hetohen dhe të tjerë që do hetohen nga SPAK”.

Avokat Llangozi parashikon një verë me temperatura të larta përsa I përketë prokurorisë së posatshme. Nga ana tjetër ai thotë se në prokurorite e tjera ka një zvarritje të datave dhe gjyqeve për shkak të volumit të lartë dhe gjyqtarëve të paktë për ti shqyrtuar. “ Dosjet e pronësise janë në numrin më të lartë në rang vendi dhe qytetarët nuk marrin dot drejtësi në kohë por zvarriten për shkak të reformës në drejtësi dhe hartës së re gjyqësore. /albeu,com

The post VIDEO/ Dosjet e bujshme në SPAK! Avokati i njohur: Po vjen ‘ferri’ i te paprekshmëve! Të varfërit dergjen në gjykata appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Ndërtuesi vlonjat kallëzon në SPAK deputetin e PD Luan Baçi: “Më zhvati 780 000 euro”. Historia pas kompleksit të njohur

By: E S
14 January 2025 at 12:46

Një denoncim i pazakontë është bërë publik në Youtube në kanalin PISK. Bëhët fjalë, për një deputet të partisë demokratike i cili është kallëzuar në SPAK nga një ish-biznesmen ndërtues nga qyteti i Fierit, Aredo Behari.

Behari akuzon deputetin Luan Baçi që i ka marrë 22 hyrje me vlerë 780 000 euro.

Por si nisi historia?

Aredin Behari pretendon se Luan Baçi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i ka vjedhur pasurinë dhe nuk ka deklaruar të ardhurat si subjekt i ligjit për deklarimin e kontrollit të pasurisë.

Në kallëzim, Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm në shoqërinë “Geral AM” shpk. Më pas ka hyrë në ortakëri me Luan Baçin, ku kanë nisur edhe mosmarrëveshjet.

Konflikti për kompleksin “Diamond Hill” në Vlorë
Konflikti mes Luan Baçit dhe Aredin Beharit lidhe me aksionet tek kompleksi turistik “Diamond Hill”, i cili ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Në kallëzim Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm i shoqerise “Geral AM” shpk.

Më 31 shtator 2009 i ka shitur 50 për qind të aksioneve Krienko Memo.

Pas kësaj Aredin Behari i ka shitur 10 për qind të aksioneve Elsa Baçi, e cila me prokurën e përgjithshme të datës 15 shkurt 2010 ka emëruar si përfaqësues me tagra të plota bashkëshortin e saj, deputetin Luan Baçi.

Aredin Behari, pretendon se pasuria e Elsa Baçi në fillimet e aktivitetit tregtar në vitin 2010 ka qenë në shumën 450mijë euro, dhe deri më tani ky aktivitet ka gjeneruar të ardhura për cilat kallëzuesi pretendon se nga të dhënat që disponon Luan Baçi, nuk i ka deklaruar në ILDKPKI dhe se i ka fshehur në rrjedhën e viteve.

Për këtë çështje prokurorja Manjola Kajana ka kryer disa verifikime në ILDKPI, zyra e Transportit Rrugor dhe biznese.

Njëherësh në 6 korrik 2023, ditën kur prokurorja Kajana ka mbyllur dosjen, ka marë në pyetje deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Luan Baçi.

Në deklarimin e tij deputeti Baçi shpjegon se ka ushtruar aktivitet privat që prej vitit 1997. Me tej ai shpjegon historikun e punësimit të tij dhe se në vitin 2007 është emëruar drejtor Rajonal i Rrugëve të Qarkut Fier dhe në vitin 2008-2013 ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier./albeu

The post VIDEO/ Ndërtuesi vlonjat kallëzon në SPAK deputetin e PD Luan Baçi: “Më zhvati 780 000 euro”. Historia pas kompleksit të njohur appeared first on Albeu.com.

Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve për Vitin e Ri: Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për objektivat tona, mirënjohje për ata që punuan për një Shqipëri më të mirë

By: E S
31 December 2024 at 12:05

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh të ngrohtë urimi për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, me rastin e ndërrimit të viteve. Në mesazhin e tij, ai e cilësoi këtë moment si një kohë reflektimi, bashkimi dhe shprese për një të ardhme më të begatë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Duke theksuar rëndësinë e familjes, atdhedashurisë dhe mikpritjes, Presidenti Begaj uroi që ky vit të shërbejë si një hap përpara drejt përmbushjes së aspiratave të përbashkëta, forcimit të institucioneve demokratike dhe mirëqenies sociale. Ai ftoi qytetarët dhe politikën të punojnë së bashku për progresin dhe zhvillimin e vendit, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.

Në fund të mesazhit, Presidenti Begaj përshëndeti në mënyrë të veçantë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si dhe diasporën, duke u bërë thirrje të ruajnë lidhjet me vendin e tyre dhe të ndihmojnë në përparimin e tij.

 

Mesazhi i plotë i Presidenti Begaj: 

Të dashur bashkëkombës,

Në traditën tonë, ndërrimi i viteve është momenti i bashkimit në familje, i festimit, gëzimit dhe lutjeve për një vit të ri sa më të begatë.

Ky moment është një mundësi e çmuar për t’u bashkuar rreth vlerave dhe aspiratave tona, duke parë së bashku drejt të ardhmes.

Festa e Vitit të Ri na kthen tek ajo çka është njerëzore, shpirtërore, dhe te vlerat tona më të rëndësishme, si: familja, atdhedashuria dhe mikpritja.

Sot dëshiroj të ndaj me ju urimet dhe falënderimet e mia më të mira:

Për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, që kontribuojnë çdo ditë me punën e dedikimin e tyre për një Shqipëri më të paqtë, më të begatë e më evropiane.

Për të gjithë bashkëqytetarët tanë, që edhe këtë mbrëmje mbrojnë, kujdesen, ndihmojnë dhe sigurojnë vazhdimësinë e jetës së vendit.

Për të gjithë ata që jetojnë në emigracion, ata që studiojnë apo ata që shërbejnë në misione ushtarake e shtetërore në vende të ndryshme të botës.

Sot dëshiroj të përshëndes dhe t’u uroj çdo të mirë të gjithë bashkëkombësve tanë të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kudo ku ata ndodhen.

Të dashur bashkëqytetarë,

Ndryshimi i viteve është moment bilanci dhe reflektimi, të cilin e bëjmë individualisht, si familje, si shoqëri, si shtet e si komb.

Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur pritshmëritë, aspiratat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj.

Ky vit ishte i pasur me arritje në shumë fusha, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimin e partneriteteve dhe imazhit ndërkombëtar, si dhe përqafimin e risive teknologjike.

  • Dikur e varfër dhe e izoluar, Shqipëria sot është anëtare aktive në NATO, është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendi i samiteve ndërkombëtare dhe mikpritëse e miliona turistëve.
  • Shqipëria sot është vendi ku reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.
  • Shqipëria sot mundëson dhe i jep fuqi votës së Diasporës.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Ndonëse dëshirat tona mund të ndryshojnë, të gjithë ndajmë të njëjtën shpresë e vizion.

Reformat që do të përgatisin Shqipërinë e së nesërmes kërkojnë përpjekje dhe angazhim nga secili prej nesh.

  • Shqipëria ka nevojë për një politikë më aktive, transparente dhe llogaridhënëse.
  • Vendi ka nevojë për zyrtarë me integritet dhe institucione të forta, që garantojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
  • Si shtet e shoqëri, duhet të fokusohemi te sfidat afatgjata, me qëllim nxitjen e reformave konsensuale dhe të qëndrueshme për ngushtimin e hendekut social midis brezave, zonave dhe shtresave shoqërore.
  • Mbi të gjitha, kemi nevojë për forcimin e rolit të familjes, mirëarsimimin, mirëedukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Një mesazh të veçantë kam sot për brezin e ri:

Përqafoni risitë, por lidhuni fort me trashëgiminë e popullit tuaj dhe, mbi të gjitha, duajeni, mësojeni e mbrojeni mirë shqipen e bukur të trojeve tona.

Studioni, punoni e jetoni ku vlerësoni se arrini objektivat tuaja, por mos i shkëpusni asnjëherë lidhjet me vendin tuaj, vendin e prindërve, gjyshërve, familjarëve tuaj, Shqipërinë krenare, Shqipërinë bujare, Shqipërinë e bukur.

Të dashura motra dhe vëllezër,

Të gjithë ne e duam Shqipërinë të zhvilluar, të sigurt, demokratike dhe evropiane.

Viti zgjedhor 2025 është test për ne për të treguar se kemi mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe se kemi aftësinë të shohim përpara.

Kemi mundësitë dhe kapacitetet.

Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona.

Si President, prind, bashkëshort dhe familjar, bashkohem sonte me urimet më të përzemërta për ju, familjet tuaja, miqtë, për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Gëzuar Vitin e Ri 2025!

The post Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve për Vitin e Ri: Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për objektivat tona, mirënjohje për ata që punuan për një Shqipëri më të mirë appeared first on Albeu.com.

Maqedonia e Veriut, sërish në udhëkryq

By: E S
9 December 2024 at 12:27
Shkruan Lutfi Dervishi*
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë se Veriut ndodhet në një udhëkryq historik. Vendimi i pritshëm për statusin e gjuhës shqipe ka një rëndësi që tejkalon kuadrin juridik, pasi prek identitetin historik, kombëtar, mbijetesën kulturore dhe vetë natyrën e themeleve të shtetit.
Historia e gjuhës shqipe është një histori sfide dhe qëndrese. Mbijetesa e saj është një dëshmi e një populli që refuzoi asimilimin që përfshiu pjesën më të madhe të kontinentit. Ndërkohë që gjuhët e tjera në pjesën latinofolëse të Perandorisë Romake, (Portugali, Spanjë apo Francë) u romanizuan, shqiptarët e ruajtën me fanatizëm gjuhën e vet.
Për më shumë se dy mijëvjeçarë, shqipja mbijetoi perballë dallgëve të gjuhëve të mëdha perandorake, nga latinishtja e Romës te greqishtja e sllavishtja kishtare, nga turqishtja osmane te arabishtja.
Rëndësia e gjuhës shqipe shkon përtej funksionit komunikues. Shqipja është bartëse e një identiteti unik kulturor dhe historik. Jo më kot, poeti Pashko Vasa shpalli moton që nuk i gjen të dytë në planet: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Kjo thënie kumton se: identiteti shqiptar, i mishëruar nga gjuha, e tejkalon fenë, politikën dhe presionet/kercenimet e jashtme.
Kjo moto u shpreh më së miri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Në Manastir u mblodhën intelektualë dhe patriotë shqiptarë për të standardizuar alfabetin e gjuhës shqipe, duke zgjedhur përfundimisht alfabetin latin.
Ky vendim i guximshëm, i marrë nën sundimin osman dhe përballë debateve e kundërshtimeve të ashpra, simbolizoi shkëputjen nga e kaluara dhe një hap drejt të ardhmes perendimore. Shqiptarët u bënë kombi i parë në botë, me shumicë myslimane, që përqafuan alfabetin latin. Ky vendim i marrë në Manastir jo vetëm unifikoi gjuhën, por edhe shenjoi Perëndimin si Yllin polar të shqiptarëve.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe nuk është vetëm një gjuhë që e flet më së paku ⅓ e banorëve; gjuha shqipe është një shtyllë kushtetuese. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, i njohu shqiptarët si komb përbërës të shtetit. Kjo marrëveshje jo vetëm që i dha fund viteve të diskriminimit, por edhe sanksionoi parimin e barazisë gjuhësore dhe identitare.
Të vihet në diskutim sot statusi i gjuhës shqipe me artifice juridike do të thotë të vihet në pikëpyetje vetë themeli i Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik. Argumenti se shteti i përket njëlloj maqedonasve dhe shqiptarëve nuk është vetëm politik, ai është sa historik aq dhe moral.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe nuk është thjesht një çështje juridike; ai është një provë e përkushtimit të vendit ndaj barazisë dhe unitetit. Shqiptarët kanë vuajtur mjaft, kanë luftuar gjatë, kanë derdhur gjak për të ruajtur gjuhën, edhe përballë sfidave në dukje të pakapërcyeshme.
Narrativa historike është e qartë: shqiptarët i kanë mbijetuar perandorive, sundimeve të huaja dhe konvertimeve fetare, por kurrë nuk e kanë braktisur gjuhën. Që nga njohja e rrënjëve të saj të lashta, deri te vendimi historik i Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ka qëndruar si emeruesi i perbashket i të gjithë shqiptarëve pavarësisht perkatesise fetare.
Gjykatesit e Gjykatës Kushtetuese tani përballen me një zgjedhje të thjeshtë. Ata ose mund ta nderojnë këtë histori duke konfirmuar statusin e barabartë të gjuhës shqipe, duke forcuar kështu themelet e një shteti multietnik; ose mund të kthejnë orën pas, duke ringjallur tensionet e vjetra dhe duke minuar jo vetëm progresin e arritur që nga Marrëveshja e Ohrit, por ndoshta vetë ekzistencën e shtetit.
Maqedonia e Veriut, fqinji ynë lindor ka vuajtur me dekada dhe ende po vuan, në rrugën e saj drejt BE për shkak të mos marrëveshjeve me fqinjet: me greket 30 vite bllokim sa i përket emrit dhe tani me bullgarët (mes të tjerash) edhe për çështje gjuhës. (Në udhëtimin e lodhshem dhe të gjate drejt BE-se, maqedonasit nuk kanë aleat më të mirë se shqiptarët, por nuk duhet ta marrin mirësinë per dobësi).
Siç na ka mësuar historia, gjuhët janë më shumë sesa fjalë; ato janë enet qarkulluese të identitetit. Dhe historia e gjuhës shqipe është një nga historite më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë njerëzore.
Është një histori nga e cila Maqedonia e Veriut nuk duhet të trembet, por duhet ta përqafojë, sigurisht nëse dëshiron të ndërtojë një të ardhme të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.
Ata që nuk mësojnë nga historia rrezikojnë të përsërisin gabimet.
*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Gjykata Kushtetuese dhe gjuha shqipe

The post Maqedonia e Veriut, sërish në udhëkryq appeared first on Albeu.com.

KRIIK-ut i ka ikur treni, si u tentua dezinformimi i opinionit publik sot për datën e zgjedhjeve dhe një mesazh për donatorët e shoqatës

By: E S
4 December 2024 at 12:33

 Nga Andri Papa

Vota e emigrantëve i bën zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 një test për kastën politike por edhe për adminstratën e organizimit të tyre dhe sidomos KQZ-në, e cila sipas statistikave të viteve të fundit, nuk e ka kursyer dorën sa i përket shpenzimeve të fondeve. Madje, herë pas here, KQZ ka tejkaluar edhe ministri të rendësishme sa i përket shpenzimeve, ku vërehen jo pak raste të mungesës së konkurrencës në to, por kjo është histori tjetër.

Ndërkohë, me mbylljen e konsultimeve me partitë politike, sipas përcaktimeve ligjore pritet që deri më datë 10 dhjetor, Presidenti i Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve.

Por, në një kohë që partitë politike presin fjalën e Presidentit, një shoqatë e majmur gjatë viteve të fundit me fondet e donatorëve, që duhet KRIIK, ka dhënë çuditërisht alarmin sot duke shpërndarë nëpër numrat e celularëve të gazetarëve një deklaratë, e cila nga përmbajtja e saj tregon se ka synim më shumë t’u thotë donatorëve “jemi këtu” se sa data data për dekretimin e zgjedhjeve, e cila përfundon më 10 dhjetor!

Si gazetar sot, u çudita nga përmbajtja e një deklarate të tillë, ku KRIIK thotë se jemi vonë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, ndërkohë që afati përfundon më datë 10 dhjetor! Si mund të jemi vonë kur ligji cakton datën 10 dhjetor si limitin kohor?!

Duke lexuar ato rreshta një mendje e shëndoshë mendon se KRIIK po rreket të tha thotë se “orari për mbërritjen e trenit nuk ka ardhur ende, por treni është me vonesë”.

Çfarë nonsensi!

Si mundet që një organizatë që është mbajtur me fonde pafund nga donatorët dhe që pretendohet se ka ngritur kapacitetet e duhura njerëzore, të bëjë një çedim të tillë logjik? Apo synimet janë të tjera?

Gafa e sotme e KRIIK duke tentuar të dezinformojë gazetarët dhe nëpërmjet tyre edhe audiencën, duhet trajtuar edhe si një sinjal alarmi për donatorët, të cilët duhet të gjëjnë kohën të verifikojnë nëse taksat e amerikanëve dhe europianëve përdoren në shërbim të forcimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend apo për të financuar manipulimin e opinionit publik shqiptar duke dhënë alarme false si ky i sotmi?!

Ndoshta ka ardhur koha për një verifikim të thellë se si shpenzohen këto fonde dhe kush paguhet prej tyre duke qenë se i madh dhe i vogël brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë e di që data e caktimit të ditës së zgjedhjeve nuk ndikon aspak në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve!

Kush e pengon Ilirjan Celibashin për shembull që të vijojë me përgatitjen e infrastrukturës së zgjedhjeve ndërkohë që Presidenti i Republikës konsultohet me aktorët politik që më pas të shpallë një dekret në respekt edhe të afateve ligjore?

Ndoshta, shashka e sotme e KRIIK për zgjedhjet e ka dhënë efektin, deklarata e shpërndarë fshehurazi në numrat e gazetarëve mund t’i kënë rënë në sy edhe ndonjë donatori, por e sigurt është që sot kjo shoqatë shpërndau një dezinformim duke thënë që qenkemi vonë me caktimin e datës së zgjedhjeve, ndërkohë që afati ligjor për ta bërë këtë përfundon pas një jave!! /albeu.com

The post KRIIK-ut i ka ikur treni, si u tentua dezinformimi i opinionit publik sot për datën e zgjedhjeve dhe një mesazh për donatorët e shoqatës appeared first on Albeu.com.

Problemet e dhunës nuk i zgjidhin viktimat …

By: E S
25 November 2024 at 10:45

Nga Majlinda Bregu 

Asgjë nuk ndodh menjëherë. Në një vaskë me ujë që nxehet gradualisht,mund te valosh e të vdesësh pa e kuptuar.”

Ky përshkrim i Margaret Atwood nga “Rrëfenja e Shërbëtores” është metafora e përkryer  për ciklin e dhunës ndaj grave i cili nuk është kurrë një episod i izoluar shpërthimi nga “lodhja”, “stresi”, “nervat” apo “pasioni”.

Jo! Këto janë vetęm etiketat e justifikimit të mësuara ndër vite.

Është gjithmonë më shumë se një moment, është një qasje këmbëngulëse e tinëzare, e përforcuar, vlerësuar, shpërblyer ose thjesht e neglizhuar keqas.

1 në 3 gra në nivel botëror pranojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetë pre e dhunës fizike, seksuale apo presionit qoftë nga partneri ose një i panjohur.

Në Ballkanin tonë çdo  muaj, prej 2020 janë vrarë mesatarisht  4 gra dhe me shumë se 66% e ndjejnë në lekurë kërcënimin e dhunës në familje. (RCC, Securimeter 2024)

Në Shqipëri 52.9% e grave raportojnë një ose më shumë forma të dhunës gjatë gjithë jetës së tyre.(Grevio, 2024)

Sikur të mos mjaftonin format klasike të abuzimit e dhunës, të trashëguara ndër vite në shoqërinë tonë, të rritur nën thundrën e përdhunës, kohët moderne, kohët e medias sociale dhe të lirive pa kushte e rregulla që ato kanë, na kanë sjellë një kërcënim edhe më të madh, përballë të cilit jemi të rrezikuar, absolutisht, të gjithë, gra, burra e fëmijë.

Është rreziku i homogjenitetit të dhunuesve, i jehonës që dhuna merr  nga  dritaret online, terreni ku anonimati bullizon me format me perverse të të shprehurit, kryesisht gratë, vajzat e të miturit duke krijuar platformën e re të krimit, kronikat e të cilit po shëmbin çdo ditë qetësinë e secilit prej nesh.

Shqipëria është vendi i parë në  rajon me një sjellje paradoksale për botën online.

43% e qytetarëve e konsiderojnë të besueshëm informacionin që marrin nga mediat  sociale, por ama 59,2% janë të trembur për pasojat që ky informacion ka tek fëmijët. (Balkan Barometer 2024)

Ndaj nuk më bën çudi që edhe  rritjen më të shpejtë të fenomenit të dhunës online e raportojnë po shqiptarët me

12% të vajzave  dhe 5% të djemve.

E vërtetë që dhuna është prezente në çdo cep të botës, diku hapur e diku e kamufluar

Me makabritete, vrasje, përdhunime, plagosje, kërcënime,abort selektiv, përndjekje, martesa në moshë të vogël, dhe diskriminim gjithëfarësoj të grave e vajzave pavarsisht pozicionit të tyre ekonomik dhe statusit të tyre shoqëror.

Por në një ditë si sot, duhet menduar pak më gjatë se dhuna nuk është hall që mund ta zgjidhin viktimat.

Duhet menduar tej mediokritetit patetik të postimeve, se si cikli i dhunës,- misogjinia, tellallizimi i përditshëm se vajzat e gratë duhen parë e gjykuar siç i duan klikimet- objekte seksi dhe djemtë duhen rritur e shfaqur  në rrugë, shkollë, punë e familje, siç i do zakoni, burra të fortë e hakmarrës, – përsëritet e mban nën presion breza jo vetëm individë të dhunshëm.

Dhuna është vetëm simptoma e lëngimit të shoqërisë, anemisë të sistemit ekonomik, politik dhe familjar.

Por si në metaforën e Atwood-it,: Asgjë nuk ndodh menjëherë.

Në një vaskë me ujë që nxehet gradualisht,mund të valosh e të vdesësh pa e kuptuar.”

The post Problemet e dhunës nuk i zgjidhin viktimat … appeared first on Albeu.com.

Bregu: Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri …edhe për brezat e ardhshëm!

By: E S
2 October 2024 at 11:00

Berlin – Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit që u zhvillua dje në kryeqytetin gjerman. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, vlerësoi punën e RCC-së dhe Sekretares së saj të Përgjithshme, Majlinda Bregu, duke theksuar kontributin thelbësor në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Duke bërë bilancin e 10 viteve të Procesit të Berlinit, mund të them se ka shumë për të qenë krenar për arritjet konkrete përmes agjendave tona të bashkëpunimit rajonal.

Fluksi i pandërprerë i mallrave kritike gjatë pandemisë dhe më tej, korsitë e gjelbra që janë tashmë realitet jo vetëm brenda Ballkanit, por janë zgjeruar edhe me BE-në; dyfishimi i vëllimit të tregtisë brenda rajonit për mallrat në 5 vite; rritja prej 500% e përdorimit të roaming brenda Ballkanit Perëndimor; afro 1,200 kompani të reja kanë marrë pjesë në tregtinë brenda rajonit; lehtësimi i lëvizjes së fuqisë punëtore dhe trajtimi i dinamikave në ndryshim në tregun e punës dhe zhvendosjeve demografike me njohjen reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë dhe të shtatë profesioneve. Të gjitha këto, të njohura dhe të panjohura, kanë bërë që 82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin bashkëpunimin rajonal,” tha Bregu në takim.

“RCC-ja, në krye të së cilës kam pasur nderin të shërbej gjashtë vitet e fundit, ka udhëhequr punën për Tregun e Përbashkët Rajonal si platforma kryesore për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Ky treg ka demonstruar se si mund të duket një Treg i vërtetë Rajonal, duke ofruar gjithashtu një pasqyrë të potencialeve të Tregut Unik Europian. Megjithatë, pengesat e mbetura, bllokadat politike apo angazhimet e paplotësuara, së bashku me potencialet e mëdha të pashfrytëzuara, janë gjithashtu pjesë e të njëjtit bilanc që rajoni duhet të përpiqet t’i adresojë,” shtoi Bregu, duke theksuar se RCC, së bashku me partnerët, është duke punuar në planin e ri të të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratimi i të cilit pritet në Samitin e Procesit të Berlinit më vonë këtë muaj.

“Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të jetë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve, por për zbatimin e plotë të angazhimeve. Nuk mjafton të drejtojmë gishtin ose të presim që të tjerët të udhëheqin. Ka hapësirë që të gjithë të bëjnë më shumë. Të gjithë kemi nevojë për më shumë integrim sesa dezintegrim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkëpunim sesa izolim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkim jo vetëm me fjalë, por me veprime; kemi nevojë për planifikim më të mirë dhe instrumente të qëndrueshme financiare si pjesë e anëtarësimit gradual të BP-së në BE, kemi nevojë për një mendësi prej të rrituri, jo vetëm për një Plan Rritjeje. Ky është një udhëtim kolektiv nëse duam të sjellim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri! Ia kemi borxh vetes dhe brezave të ardhshëm,” përfundoi Bregu.

Pas takimit, Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor lëshuan një deklaratë mbi përforcimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar arritjet në agjendat e koordinuara nga RCC për CRM. Ata ranë dakord për Deklaratën e Përbashkët që riafirmon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, që pritet të miratohet në Samitin e Berlinit më vonë këtë muaj.

The post Bregu: Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri …edhe për brezat e ardhshëm! appeared first on Albeu.com.

❌