Normal view

VIDEO/ Ndërtuesi vlonjat kallëzon në SPAK deputetin e PD Luan Baçi: “Më zhvati 780 000 euro”. Historia pas kompleksit të njohur

By: E S
14 January 2025 at 12:46

Një denoncim i pazakontë është bërë publik në Youtube në kanalin PISK. Bëhët fjalë, për një deputet të partisë demokratike i cili është kallëzuar në SPAK nga një ish-biznesmen ndërtues nga qyteti i Fierit, Aredo Behari.

Behari akuzon deputetin Luan Baçi që i ka marrë 22 hyrje me vlerë 780 000 euro.

Por si nisi historia?

Aredin Behari pretendon se Luan Baçi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i ka vjedhur pasurinë dhe nuk ka deklaruar të ardhurat si subjekt i ligjit për deklarimin e kontrollit të pasurisë.

Në kallëzim, Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm në shoqërinë “Geral AM” shpk. Më pas ka hyrë në ortakëri me Luan Baçin, ku kanë nisur edhe mosmarrëveshjet.

Konflikti për kompleksin “Diamond Hill” në Vlorë
Konflikti mes Luan Baçit dhe Aredin Beharit lidhe me aksionet tek kompleksi turistik “Diamond Hill”, i cili ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Në kallëzim Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm i shoqerise “Geral AM” shpk.

Më 31 shtator 2009 i ka shitur 50 për qind të aksioneve Krienko Memo.

Pas kësaj Aredin Behari i ka shitur 10 për qind të aksioneve Elsa Baçi, e cila me prokurën e përgjithshme të datës 15 shkurt 2010 ka emëruar si përfaqësues me tagra të plota bashkëshortin e saj, deputetin Luan Baçi.

Aredin Behari, pretendon se pasuria e Elsa Baçi në fillimet e aktivitetit tregtar në vitin 2010 ka qenë në shumën 450mijë euro, dhe deri më tani ky aktivitet ka gjeneruar të ardhura për cilat kallëzuesi pretendon se nga të dhënat që disponon Luan Baçi, nuk i ka deklaruar në ILDKPKI dhe se i ka fshehur në rrjedhën e viteve.

Për këtë çështje prokurorja Manjola Kajana ka kryer disa verifikime në ILDKPI, zyra e Transportit Rrugor dhe biznese.

Njëherësh në 6 korrik 2023, ditën kur prokurorja Kajana ka mbyllur dosjen, ka marë në pyetje deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Luan Baçi.

Në deklarimin e tij deputeti Baçi shpjegon se ka ushtruar aktivitet privat që prej vitit 1997. Me tej ai shpjegon historikun e punësimit të tij dhe se në vitin 2007 është emëruar drejtor Rajonal i Rrugëve të Qarkut Fier dhe në vitin 2008-2013 ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier./albeu

The post VIDEO/ Ndërtuesi vlonjat kallëzon në SPAK deputetin e PD Luan Baçi: “Më zhvati 780 000 euro”. Historia pas kompleksit të njohur appeared first on Albeu.com.

Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve për Vitin e Ri: Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për objektivat tona, mirënjohje për ata që punuan për një Shqipëri më të mirë

By: E S
31 December 2024 at 12:05

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh të ngrohtë urimi për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, me rastin e ndërrimit të viteve. Në mesazhin e tij, ai e cilësoi këtë moment si një kohë reflektimi, bashkimi dhe shprese për një të ardhme më të begatë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Duke theksuar rëndësinë e familjes, atdhedashurisë dhe mikpritjes, Presidenti Begaj uroi që ky vit të shërbejë si një hap përpara drejt përmbushjes së aspiratave të përbashkëta, forcimit të institucioneve demokratike dhe mirëqenies sociale. Ai ftoi qytetarët dhe politikën të punojnë së bashku për progresin dhe zhvillimin e vendit, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.

Në fund të mesazhit, Presidenti Begaj përshëndeti në mënyrë të veçantë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si dhe diasporën, duke u bërë thirrje të ruajnë lidhjet me vendin e tyre dhe të ndihmojnë në përparimin e tij.

 

Mesazhi i plotë i Presidenti Begaj: 

Të dashur bashkëkombës,

Në traditën tonë, ndërrimi i viteve është momenti i bashkimit në familje, i festimit, gëzimit dhe lutjeve për një vit të ri sa më të begatë.

Ky moment është një mundësi e çmuar për t’u bashkuar rreth vlerave dhe aspiratave tona, duke parë së bashku drejt të ardhmes.

Festa e Vitit të Ri na kthen tek ajo çka është njerëzore, shpirtërore, dhe te vlerat tona më të rëndësishme, si: familja, atdhedashuria dhe mikpritja.

Sot dëshiroj të ndaj me ju urimet dhe falënderimet e mia më të mira:

Për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, që kontribuojnë çdo ditë me punën e dedikimin e tyre për një Shqipëri më të paqtë, më të begatë e më evropiane.

Për të gjithë bashkëqytetarët tanë, që edhe këtë mbrëmje mbrojnë, kujdesen, ndihmojnë dhe sigurojnë vazhdimësinë e jetës së vendit.

Për të gjithë ata që jetojnë në emigracion, ata që studiojnë apo ata që shërbejnë në misione ushtarake e shtetërore në vende të ndryshme të botës.

Sot dëshiroj të përshëndes dhe t’u uroj çdo të mirë të gjithë bashkëkombësve tanë të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kudo ku ata ndodhen.

Të dashur bashkëqytetarë,

Ndryshimi i viteve është moment bilanci dhe reflektimi, të cilin e bëjmë individualisht, si familje, si shoqëri, si shtet e si komb.

Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur pritshmëritë, aspiratat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj.

Ky vit ishte i pasur me arritje në shumë fusha, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimin e partneriteteve dhe imazhit ndërkombëtar, si dhe përqafimin e risive teknologjike.

  • Dikur e varfër dhe e izoluar, Shqipëria sot është anëtare aktive në NATO, është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendi i samiteve ndërkombëtare dhe mikpritëse e miliona turistëve.
  • Shqipëria sot është vendi ku reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.
  • Shqipëria sot mundëson dhe i jep fuqi votës së Diasporës.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Ndonëse dëshirat tona mund të ndryshojnë, të gjithë ndajmë të njëjtën shpresë e vizion.

Reformat që do të përgatisin Shqipërinë e së nesërmes kërkojnë përpjekje dhe angazhim nga secili prej nesh.

  • Shqipëria ka nevojë për një politikë më aktive, transparente dhe llogaridhënëse.
  • Vendi ka nevojë për zyrtarë me integritet dhe institucione të forta, që garantojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
  • Si shtet e shoqëri, duhet të fokusohemi te sfidat afatgjata, me qëllim nxitjen e reformave konsensuale dhe të qëndrueshme për ngushtimin e hendekut social midis brezave, zonave dhe shtresave shoqërore.
  • Mbi të gjitha, kemi nevojë për forcimin e rolit të familjes, mirëarsimimin, mirëedukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Një mesazh të veçantë kam sot për brezin e ri:

Përqafoni risitë, por lidhuni fort me trashëgiminë e popullit tuaj dhe, mbi të gjitha, duajeni, mësojeni e mbrojeni mirë shqipen e bukur të trojeve tona.

Studioni, punoni e jetoni ku vlerësoni se arrini objektivat tuaja, por mos i shkëpusni asnjëherë lidhjet me vendin tuaj, vendin e prindërve, gjyshërve, familjarëve tuaj, Shqipërinë krenare, Shqipërinë bujare, Shqipërinë e bukur.

Të dashura motra dhe vëllezër,

Të gjithë ne e duam Shqipërinë të zhvilluar, të sigurt, demokratike dhe evropiane.

Viti zgjedhor 2025 është test për ne për të treguar se kemi mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe se kemi aftësinë të shohim përpara.

Kemi mundësitë dhe kapacitetet.

Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona.

Si President, prind, bashkëshort dhe familjar, bashkohem sonte me urimet më të përzemërta për ju, familjet tuaja, miqtë, për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Gëzuar Vitin e Ri 2025!

The post Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve për Vitin e Ri: Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për objektivat tona, mirënjohje për ata që punuan për një Shqipëri më të mirë appeared first on Albeu.com.

Maqedonia e Veriut, sërish në udhëkryq

By: E S
9 December 2024 at 12:27
Shkruan Lutfi Dervishi*
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë se Veriut ndodhet në një udhëkryq historik. Vendimi i pritshëm për statusin e gjuhës shqipe ka një rëndësi që tejkalon kuadrin juridik, pasi prek identitetin historik, kombëtar, mbijetesën kulturore dhe vetë natyrën e themeleve të shtetit.
Historia e gjuhës shqipe është një histori sfide dhe qëndrese. Mbijetesa e saj është një dëshmi e një populli që refuzoi asimilimin që përfshiu pjesën më të madhe të kontinentit. Ndërkohë që gjuhët e tjera në pjesën latinofolëse të Perandorisë Romake, (Portugali, Spanjë apo Francë) u romanizuan, shqiptarët e ruajtën me fanatizëm gjuhën e vet.
Për më shumë se dy mijëvjeçarë, shqipja mbijetoi perballë dallgëve të gjuhëve të mëdha perandorake, nga latinishtja e Romës te greqishtja e sllavishtja kishtare, nga turqishtja osmane te arabishtja.
Rëndësia e gjuhës shqipe shkon përtej funksionit komunikues. Shqipja është bartëse e një identiteti unik kulturor dhe historik. Jo më kot, poeti Pashko Vasa shpalli moton që nuk i gjen të dytë në planet: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Kjo thënie kumton se: identiteti shqiptar, i mishëruar nga gjuha, e tejkalon fenë, politikën dhe presionet/kercenimet e jashtme.
Kjo moto u shpreh më së miri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Në Manastir u mblodhën intelektualë dhe patriotë shqiptarë për të standardizuar alfabetin e gjuhës shqipe, duke zgjedhur përfundimisht alfabetin latin.
Ky vendim i guximshëm, i marrë nën sundimin osman dhe përballë debateve e kundërshtimeve të ashpra, simbolizoi shkëputjen nga e kaluara dhe një hap drejt të ardhmes perendimore. Shqiptarët u bënë kombi i parë në botë, me shumicë myslimane, që përqafuan alfabetin latin. Ky vendim i marrë në Manastir jo vetëm unifikoi gjuhën, por edhe shenjoi Perëndimin si Yllin polar të shqiptarëve.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe nuk është vetëm një gjuhë që e flet më së paku ⅓ e banorëve; gjuha shqipe është një shtyllë kushtetuese. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, i njohu shqiptarët si komb përbërës të shtetit. Kjo marrëveshje jo vetëm që i dha fund viteve të diskriminimit, por edhe sanksionoi parimin e barazisë gjuhësore dhe identitare.
Të vihet në diskutim sot statusi i gjuhës shqipe me artifice juridike do të thotë të vihet në pikëpyetje vetë themeli i Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik. Argumenti se shteti i përket njëlloj maqedonasve dhe shqiptarëve nuk është vetëm politik, ai është sa historik aq dhe moral.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe nuk është thjesht një çështje juridike; ai është një provë e përkushtimit të vendit ndaj barazisë dhe unitetit. Shqiptarët kanë vuajtur mjaft, kanë luftuar gjatë, kanë derdhur gjak për të ruajtur gjuhën, edhe përballë sfidave në dukje të pakapërcyeshme.
Narrativa historike është e qartë: shqiptarët i kanë mbijetuar perandorive, sundimeve të huaja dhe konvertimeve fetare, por kurrë nuk e kanë braktisur gjuhën. Që nga njohja e rrënjëve të saj të lashta, deri te vendimi historik i Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ka qëndruar si emeruesi i perbashket i të gjithë shqiptarëve pavarësisht perkatesise fetare.
Gjykatesit e Gjykatës Kushtetuese tani përballen me një zgjedhje të thjeshtë. Ata ose mund ta nderojnë këtë histori duke konfirmuar statusin e barabartë të gjuhës shqipe, duke forcuar kështu themelet e një shteti multietnik; ose mund të kthejnë orën pas, duke ringjallur tensionet e vjetra dhe duke minuar jo vetëm progresin e arritur që nga Marrëveshja e Ohrit, por ndoshta vetë ekzistencën e shtetit.
Maqedonia e Veriut, fqinji ynë lindor ka vuajtur me dekada dhe ende po vuan, në rrugën e saj drejt BE për shkak të mos marrëveshjeve me fqinjet: me greket 30 vite bllokim sa i përket emrit dhe tani me bullgarët (mes të tjerash) edhe për çështje gjuhës. (Në udhëtimin e lodhshem dhe të gjate drejt BE-se, maqedonasit nuk kanë aleat më të mirë se shqiptarët, por nuk duhet ta marrin mirësinë per dobësi).
Siç na ka mësuar historia, gjuhët janë më shumë sesa fjalë; ato janë enet qarkulluese të identitetit. Dhe historia e gjuhës shqipe është një nga historite më të jashtëzakonshme të mbijetesës në historinë njerëzore.
Është një histori nga e cila Maqedonia e Veriut nuk duhet të trembet, por duhet ta përqafojë, sigurisht nëse dëshiron të ndërtojë një të ardhme të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.
Ata që nuk mësojnë nga historia rrezikojnë të përsërisin gabimet.
*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Gjykata Kushtetuese dhe gjuha shqipe

The post Maqedonia e Veriut, sërish në udhëkryq appeared first on Albeu.com.

KRIIK-ut i ka ikur treni, si u tentua dezinformimi i opinionit publik sot për datën e zgjedhjeve dhe një mesazh për donatorët e shoqatës

By: E S
4 December 2024 at 12:33

 Nga Andri Papa

Vota e emigrantëve i bën zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 një test për kastën politike por edhe për adminstratën e organizimit të tyre dhe sidomos KQZ-në, e cila sipas statistikave të viteve të fundit, nuk e ka kursyer dorën sa i përket shpenzimeve të fondeve. Madje, herë pas here, KQZ ka tejkaluar edhe ministri të rendësishme sa i përket shpenzimeve, ku vërehen jo pak raste të mungesës së konkurrencës në to, por kjo është histori tjetër.

Ndërkohë, me mbylljen e konsultimeve me partitë politike, sipas përcaktimeve ligjore pritet që deri më datë 10 dhjetor, Presidenti i Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve.

Por, në një kohë që partitë politike presin fjalën e Presidentit, një shoqatë e majmur gjatë viteve të fundit me fondet e donatorëve, që duhet KRIIK, ka dhënë çuditërisht alarmin sot duke shpërndarë nëpër numrat e celularëve të gazetarëve një deklaratë, e cila nga përmbajtja e saj tregon se ka synim më shumë t’u thotë donatorëve “jemi këtu” se sa data data për dekretimin e zgjedhjeve, e cila përfundon më 10 dhjetor!

Si gazetar sot, u çudita nga përmbajtja e një deklarate të tillë, ku KRIIK thotë se jemi vonë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, ndërkohë që afati përfundon më datë 10 dhjetor! Si mund të jemi vonë kur ligji cakton datën 10 dhjetor si limitin kohor?!

Duke lexuar ato rreshta një mendje e shëndoshë mendon se KRIIK po rreket të tha thotë se “orari për mbërritjen e trenit nuk ka ardhur ende, por treni është me vonesë”.

Çfarë nonsensi!

Si mundet që një organizatë që është mbajtur me fonde pafund nga donatorët dhe që pretendohet se ka ngritur kapacitetet e duhura njerëzore, të bëjë një çedim të tillë logjik? Apo synimet janë të tjera?

Gafa e sotme e KRIIK duke tentuar të dezinformojë gazetarët dhe nëpërmjet tyre edhe audiencën, duhet trajtuar edhe si një sinjal alarmi për donatorët, të cilët duhet të gjëjnë kohën të verifikojnë nëse taksat e amerikanëve dhe europianëve përdoren në shërbim të forcimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend apo për të financuar manipulimin e opinionit publik shqiptar duke dhënë alarme false si ky i sotmi?!

Ndoshta ka ardhur koha për një verifikim të thellë se si shpenzohen këto fonde dhe kush paguhet prej tyre duke qenë se i madh dhe i vogël brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë e di që data e caktimit të ditës së zgjedhjeve nuk ndikon aspak në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve!

Kush e pengon Ilirjan Celibashin për shembull që të vijojë me përgatitjen e infrastrukturës së zgjedhjeve ndërkohë që Presidenti i Republikës konsultohet me aktorët politik që më pas të shpallë një dekret në respekt edhe të afateve ligjore?

Ndoshta, shashka e sotme e KRIIK për zgjedhjet e ka dhënë efektin, deklarata e shpërndarë fshehurazi në numrat e gazetarëve mund t’i kënë rënë në sy edhe ndonjë donatori, por e sigurt është që sot kjo shoqatë shpërndau një dezinformim duke thënë që qenkemi vonë me caktimin e datës së zgjedhjeve, ndërkohë që afati ligjor për ta bërë këtë përfundon pas një jave!! /albeu.com

The post KRIIK-ut i ka ikur treni, si u tentua dezinformimi i opinionit publik sot për datën e zgjedhjeve dhe një mesazh për donatorët e shoqatës appeared first on Albeu.com.

Problemet e dhunës nuk i zgjidhin viktimat …

By: E S
25 November 2024 at 10:45

Nga Majlinda Bregu 

Asgjë nuk ndodh menjëherë. Në një vaskë me ujë që nxehet gradualisht,mund te valosh e të vdesësh pa e kuptuar.”

Ky përshkrim i Margaret Atwood nga “Rrëfenja e Shërbëtores” është metafora e përkryer  për ciklin e dhunës ndaj grave i cili nuk është kurrë një episod i izoluar shpërthimi nga “lodhja”, “stresi”, “nervat” apo “pasioni”.

Jo! Këto janë vetęm etiketat e justifikimit të mësuara ndër vite.

Është gjithmonë më shumë se një moment, është një qasje këmbëngulëse e tinëzare, e përforcuar, vlerësuar, shpërblyer ose thjesht e neglizhuar keqas.

1 në 3 gra në nivel botëror pranojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetë pre e dhunës fizike, seksuale apo presionit qoftë nga partneri ose një i panjohur.

Në Ballkanin tonë çdo  muaj, prej 2020 janë vrarë mesatarisht  4 gra dhe me shumë se 66% e ndjejnë në lekurë kërcënimin e dhunës në familje. (RCC, Securimeter 2024)

Në Shqipëri 52.9% e grave raportojnë një ose më shumë forma të dhunës gjatë gjithë jetës së tyre.(Grevio, 2024)

Sikur të mos mjaftonin format klasike të abuzimit e dhunës, të trashëguara ndër vite në shoqërinë tonë, të rritur nën thundrën e përdhunës, kohët moderne, kohët e medias sociale dhe të lirive pa kushte e rregulla që ato kanë, na kanë sjellë një kërcënim edhe më të madh, përballë të cilit jemi të rrezikuar, absolutisht, të gjithë, gra, burra e fëmijë.

Është rreziku i homogjenitetit të dhunuesve, i jehonës që dhuna merr  nga  dritaret online, terreni ku anonimati bullizon me format me perverse të të shprehurit, kryesisht gratë, vajzat e të miturit duke krijuar platformën e re të krimit, kronikat e të cilit po shëmbin çdo ditë qetësinë e secilit prej nesh.

Shqipëria është vendi i parë në  rajon me një sjellje paradoksale për botën online.

43% e qytetarëve e konsiderojnë të besueshëm informacionin që marrin nga mediat  sociale, por ama 59,2% janë të trembur për pasojat që ky informacion ka tek fëmijët. (Balkan Barometer 2024)

Ndaj nuk më bën çudi që edhe  rritjen më të shpejtë të fenomenit të dhunës online e raportojnë po shqiptarët me

12% të vajzave  dhe 5% të djemve.

E vërtetë që dhuna është prezente në çdo cep të botës, diku hapur e diku e kamufluar

Me makabritete, vrasje, përdhunime, plagosje, kërcënime,abort selektiv, përndjekje, martesa në moshë të vogël, dhe diskriminim gjithëfarësoj të grave e vajzave pavarsisht pozicionit të tyre ekonomik dhe statusit të tyre shoqëror.

Por në një ditë si sot, duhet menduar pak më gjatë se dhuna nuk është hall që mund ta zgjidhin viktimat.

Duhet menduar tej mediokritetit patetik të postimeve, se si cikli i dhunës,- misogjinia, tellallizimi i përditshëm se vajzat e gratë duhen parë e gjykuar siç i duan klikimet- objekte seksi dhe djemtë duhen rritur e shfaqur  në rrugë, shkollë, punë e familje, siç i do zakoni, burra të fortë e hakmarrës, – përsëritet e mban nën presion breza jo vetëm individë të dhunshëm.

Dhuna është vetëm simptoma e lëngimit të shoqërisë, anemisë të sistemit ekonomik, politik dhe familjar.

Por si në metaforën e Atwood-it,: Asgjë nuk ndodh menjëherë.

Në një vaskë me ujë që nxehet gradualisht,mund të valosh e të vdesësh pa e kuptuar.”

The post Problemet e dhunës nuk i zgjidhin viktimat … appeared first on Albeu.com.

Bregu: Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri …edhe për brezat e ardhshëm!

By: E S
2 October 2024 at 11:00

Berlin – Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit që u zhvillua dje në kryeqytetin gjerman. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, vlerësoi punën e RCC-së dhe Sekretares së saj të Përgjithshme, Majlinda Bregu, duke theksuar kontributin thelbësor në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Duke bërë bilancin e 10 viteve të Procesit të Berlinit, mund të them se ka shumë për të qenë krenar për arritjet konkrete përmes agjendave tona të bashkëpunimit rajonal.

Fluksi i pandërprerë i mallrave kritike gjatë pandemisë dhe më tej, korsitë e gjelbra që janë tashmë realitet jo vetëm brenda Ballkanit, por janë zgjeruar edhe me BE-në; dyfishimi i vëllimit të tregtisë brenda rajonit për mallrat në 5 vite; rritja prej 500% e përdorimit të roaming brenda Ballkanit Perëndimor; afro 1,200 kompani të reja kanë marrë pjesë në tregtinë brenda rajonit; lehtësimi i lëvizjes së fuqisë punëtore dhe trajtimi i dinamikave në ndryshim në tregun e punës dhe zhvendosjeve demografike me njohjen reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë dhe të shtatë profesioneve. Të gjitha këto, të njohura dhe të panjohura, kanë bërë që 82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin bashkëpunimin rajonal,” tha Bregu në takim.

“RCC-ja, në krye të së cilës kam pasur nderin të shërbej gjashtë vitet e fundit, ka udhëhequr punën për Tregun e Përbashkët Rajonal si platforma kryesore për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Ky treg ka demonstruar se si mund të duket një Treg i vërtetë Rajonal, duke ofruar gjithashtu një pasqyrë të potencialeve të Tregut Unik Europian. Megjithatë, pengesat e mbetura, bllokadat politike apo angazhimet e paplotësuara, së bashku me potencialet e mëdha të pashfrytëzuara, janë gjithashtu pjesë e të njëjtit bilanc që rajoni duhet të përpiqet t’i adresojë,” shtoi Bregu, duke theksuar se RCC, së bashku me partnerët, është duke punuar në planin e ri të të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratimi i të cilit pritet në Samitin e Procesit të Berlinit më vonë këtë muaj.

“Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të jetë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve, por për zbatimin e plotë të angazhimeve. Nuk mjafton të drejtojmë gishtin ose të presim që të tjerët të udhëheqin. Ka hapësirë që të gjithë të bëjnë më shumë. Të gjithë kemi nevojë për më shumë integrim sesa dezintegrim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkëpunim sesa izolim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkim jo vetëm me fjalë, por me veprime; kemi nevojë për planifikim më të mirë dhe instrumente të qëndrueshme financiare si pjesë e anëtarësimit gradual të BP-së në BE, kemi nevojë për një mendësi prej të rrituri, jo vetëm për një Plan Rritjeje. Ky është një udhëtim kolektiv nëse duam të sjellim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri! Ia kemi borxh vetes dhe brezave të ardhshëm,” përfundoi Bregu.

Pas takimit, Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor lëshuan një deklaratë mbi përforcimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar arritjet në agjendat e koordinuara nga RCC për CRM. Ata ranë dakord për Deklaratën e Përbashkët që riafirmon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, që pritet të miratohet në Samitin e Berlinit më vonë këtë muaj.

The post Bregu: Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri …edhe për brezat e ardhshëm! appeared first on Albeu.com.

❌