Normal view

“Kjo nuk është rruga e duhur”: Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e projekteve në Vjosë–Nartë

21 June 2026 at 18:09

Një grup studiuesish shqiptarë dhe të huaj zhvilluan këtë fundjavë një vizitë shkencore në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në vijim të shqetësimeve dhe debatit publik të shkaktuar nga projektet e zhvillimit turistik të planifikuara në këtë territor.

Pas vizitës në terren, studiuesit kërkuan ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve zhvillimore në zonë, duke argumentuar se Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri dhe Europë.

Profesori Aleko Miho tha se modeli i zhvillimit të propozuar për këtë territor nuk është rruga e duhur dhe se aktivitetet që cenojnë biodiversitetin dhe integritetin e zonës duhet të ndalen menjëherë.

“Kjo nuk është rruga e duhur e zhvillimit. Bëjmë thirrje që këto lloj aktivitetesh zhvillimore në këtë zonë të ndalohen menjëherë. Kjo zonë meriton prej vitesh të jetë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe të shihet një zhvillim në përputhje me kërkesat e mjedisit, ku në bazë të jetë zhvillimi i qëndrueshëm”, u shpreh Miho.

Profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës theksoi rëndësinë e veçantë të deltës së Vjosës për biodiversitetin dhe vlerësoi se mospërfshirja e të gjithë kompleksit natyror në parkun kombëtar mbetet një problem që duhet adresuar.

“Është e qartë se kemi një numër të jashtëzakonshëm habitatesh dhe ky diversitet duhet të ruhet. Nuk bëhet fjalë vetëm për flamingot, por për një pasuri shumë më të gjerë speciesh dhe habitatesh të rrezikuara”, tha Schiemer.

Sipas tij, komuniteti shkencor mund të ndihmojë në gjetjen e modeleve të zhvillimit që ruajnë natyrën dhe njëkohësisht krijojnë mundësi ekonomike për komunitetet lokale.

Akademiku Perikli Qiriazi solli në vëmendje disa prej vlerave më të veçanta natyrore të Zvërnecit dhe Nartës, duke veçuar dunat ranore, lagunat dhe ekosistemet ujore të zonës.

Ai ndaloi veçanërisht te laguna e Limopuos, duke theksuar rëndësinë e saj si një rezervuar i rrallë me ujë të ëmbël në mes të një kompleksi lagunor me ujë të kripur.

“Lagunat janë të kripura dhe ruajnë komunikimin me detin, ndërsa ky është një liqen me ujë të ëmbël. Është shumë e rëndësishme që në mes të një mjedisi të kripur të kemi një sipërfaqe kaq të madhe me ujë të ëmbël”, tha Qiriazi.

Ai përmendi gjithashtu kodrat molasike të Zvërnecit, të formuara nga procese natyrore bregdetare, si një tjetër element me vlerë të rrallë gjeologjike dhe peizazhore.

“Resortet mund ta kthejnë natyrën e mbrojtur në qytet turistik”

Profesori i Universitetit të Tiranës, Ferdinand Bego, tha se gjatë vizitës në terren grupi i studiuesve konstatoi ndërhyrje të dukshme në territor, përfshirë pastrimin e vegjetacionit dhe nivelimin e sipërfaqeve.

“Për dy apo tre ditë aktivitet të një firme që pretendohet se ka marrë leje për studime gjeologjike, ne pamë se ishte pastruar vegjetacioni, ishin sheshuar dunat dhe ishin hapur sheshe ndërtimi”, tha Bego.

Sipas tij, pavarësisht deklaratave se nuk ekziston ende një projekt konkret, fakti që janë dhënë leje zhvillimore tregon se planet për ndërtime ndodhen në një fazë të avancuar.

“Resortet turistike që shiten si modele zhvillimi mund të kthehen në zona urbane të veshura me emrin ‘luxury resorts’. Ekosistemet natyrore dhe habitatet e krijuara për qindra e mijëra vite rrezikojnë t’ia lënë vendin qyteteve dhe fshatrave turistike që do të jenë qendra të mirëfillta banimi”, u shpreh ai.

Bego paralajmëroi se një zhvillim i tillë mund të sjellë humbjen e një pasurie natyrore me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për brezat e ardhshëm.

“Sado i bukur të shitet dhe sado t’i vishen emra si ‘Dubai’ apo ‘Maldive’, një gjë është e sigurt: Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë për të fituar gjë, por do të humbasin një thesar të jashtëzakonshëm natyror që përfaqëson një nga ekosistemet më të ruajtura në rajon”, tha ai.

Protesta e flamingove është protestë për gjithë biodiversitetin

Taulant Bino nga AOS Albania tha se simbolika e flamingove nuk duhet parë si mbrojtje e një specieje të vetme, por si një alarm për të gjithë ekosistemin.

“Kjo protestë po quhet e flamingove si simbolikë, por është edhe protesta e pelikanëve dhe e shumë gjallesave të tjera. Është protesta e atyre që duan ta mbrojnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri ndër breza”, tha Bino.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në zonë u vunë re flamingo në prag të sezonit të folezimit, si dhe specie të tjera të rëndësishme shpendësh.

Sipas tij, kërcënimet për Vjosë–Nartën nuk lidhen vetëm me projektet në Zvërnec, por edhe me zhvillime të tjera të planifikuara përgjatë gjithë kompleksit natyror të deltës së Vjosës.

“Nëse lejohet të zhvillohet kështu Zvërneci, atëherë janë në kërcënim edhe të gjitha zonat e tjera të mbrojtura, si Butrinti, Karavastaja apo Buna–Velipoja”, përfundoi Bino.

Zona e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përfaqëson një nga komplekset më të rëndësishme lagunore dhe bregdetare në Shqipëri, me vlera të larta ekologjike, peizazhore dhe socio-ekonomike.

Kompleksi përfshin laguna, kripore, ligatina, pyje bregdetare me pishë, habitate dunore dhe kodra bregdetare, të cilat mbështesin një biodiversitet të pasur dhe shërbejnë si zona të rëndësishme për migrimin, ushqimin dhe folezimin e shpendëve.

Në muajin maj 2026 nisën ndërhyrje paraprake në kuadër të projektit për zhvillimin e një resorti turistik në territorin e zonës së mbrojtur. Këto zhvillime shkaktuan reagime të forta publike dhe çuan në nisjen e protestave që më pas u shndërruan në atë që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Edhe pse protesta nisi si një lëvizje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, me kalimin e javëve ajo është zgjeruar drejt kërkesave për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lexo gjithashtu:

The post “Kjo nuk është rruga e duhur”: Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e projekteve në Vjosë–Nartë appeared first on Citizens.al.

Pas Zvërnecit, Rrjollit dhe Dardhës, bie edhe gardhi i Kakomesë

21 June 2026 at 17:04

Protesta që nisi fillimisht si revoltë ndaj punimeve në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë vazhdon të nxisë reagime në disa zona të vendit, ku qytetarët po kundërshtojnë rrethimet dhe kufizimin e aksesit në natyrë dhe burime.

Pas rrëzimit të gardheve në Zvërnec, Rrjoll dhe Librazhd, paraditen e së dielës banorë të zonës së Sarandës shembën pjesën e mbetur të gardhit në Kakome, i cili prej më shumë se 20 vitesh kufizonte aksesin e qytetarëve drejt bregdetit.     

“Populli shqiptar ka nisur të ndërtojë Shqipërinë e Re. Shqipërinë ku gangsterët nuk ngrenë dot gardhe me tela me gjemba, nuk kërcënojnë e nuk dhunojnë dot banorët, nuk u grabitin dot pronën me falsifikimet e kadastrës”, u shpreh deputeti Redi Muçi në një reagim në rrjetet sociale për ngjarjen.

Edhe pse dy ditë më parë punonjës të Bashkisë Himarë kishin hequr portën hyrëse të rrethimit, kjo nuk i ndali protestuesit të zhvillonin protestën e paralajmëruar dhe të largonin edhe pjesën tjetër të gardhit. Aksionit iu bashkuan banorë nga Nivica, Vlora dhe zona të tjera përreth.

“Nuk e merrni Kakomenë sa të ketë Nivica djem!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Poshtë kusarët!” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.

“Djersën e gjyshërve tanë po e marrin padrejtësisht, dhe kjo është gjynah i madh. Janë për burg! Berisha, Rama, na hapën rrugët e Greqisë dhe ne u larguam. Pse? Që të pasuroheshin ata”, tha për Citizens.al Marika Jorgji.

Sipas banorëve, protesta lidhet me një konflikt pronësie të pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash. Ata pretendojnë se tokat në Kakome janë trashëgimi e familjeve vendase, ndërsa kompania “Riviera”, e cila ka ushtruar aktivitet në zonë, pretendon se i ka fituar ato në mënyrë të ligjshme përmes blerjes. Banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

“Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama e kanë mbajtur të bllokuar këtë çështje për interesa personale. Turp!”, u shpreh Sofokli Thoma gjatë fjalës së tij, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e një zgjidhjeje nga qeveritë dhe forcat politike që kanë qenë në pushtet ndër vite.

Gardhet bien një nga një

Tërheqja zvarrë e një protestuesi në Zvërnec nga punonjës të sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, u bë shkak për nisjen e protestave në Tiranë, të cilat tashmë vijojnë prej tre javësh.

Ajo që nisi si lëvizje qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e projekteve të ndërtimit në Zvërnec, është shndërruar në një valë më të gjerë protestash. Protesta ka kaluar përtej kauzës mjedisore, duke artikuluar hapur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.

Dy javë pas ngjarjes në Zvërnec, më 13 qershor, banorët e Rrjollit, të cilët kanë protestuar prej më shumë se një viti për çështjen e pronave të tyre, rrëzuan gardhin rrethues të vendosur në zonën ku parashikohet ndërtimi i projektit turistik “Baks Bay”.

Gardhi rrethues është vendosur nga kompania “Gener 2”, në pronësi të familjes Ulaj, e cila ka sjellë makineri në zonë. Kompania është pajisur me leje ndërtimi në vitin 2024 dhe projekti parashikon ndërtimin e 35 blloqeve rezidenciale me 1 deri në 10 kate lartësi, në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.

Banorët pretendojnë se toka i është kaluar investitorit përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë çështje vijojnë procese gjyqësore.

Një ditë më pas, më 14 qershor, banorët e fshatit Dardhë në Bashkinë Librazhd ngritën shqetësimin se burimi i ujit të pijshëm “Gurra e Bardhë”, nga i cili furnizohet komuniteti, ishte rrethuar me gardh nga kompania “Lucente Koncesionare”, që operon hidrocentralin në zonë. Sipas tyre, rrethimi po ua kufizonte aksesin në burimin e ujit.

Të dielën, në shenjë proteste, banorët rrëzuan gardhin me tela, duke kërkuar rikthimin e aksesit të lirë në burimin që e konsiderojnë jetik për fshatin.

Ekspertë të ndryshëm kanë analizuar mënyrën se si qytetarët po kundërshtojnë gjithnjë e më shumë përdorimin e hapësirave publike në funksion të interesave private, duke argumentuar se kjo nuk është thjesht historia e një “gardhi”, por e një modeli qeverisjeje dhe menaxhimi të territorit.

“Ky është ndoshta momenti kur gardhi pushon së qeni një strukturë fizike dhe shndërrohet plotësisht në një instrument pushteti. Sepse nuk përcakton më vetëm kush hyn dhe kush del. Përcakton edhe se kush ka të drejtë të ushtrojë autoritet dhe kush jo”, shkruan urbanistja Doriana Musai në një editorial për Citizens.al.

Lexo më shumë:

The post Pas Zvërnecit, Rrjollit dhe Dardhës, bie edhe gardhi i Kakomesë appeared first on Citizens.al.

Hetimi për korrupsion lidhur me resortin shqiptar të dhëndrit të Trump të çon në Holandë

21 June 2026 at 16:32

Artikull i publikuar nga “Follow the Money”, përkthyer nga origjinali.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, po zhvillon një resort ekskluziv në Shqipëri, i financuar përmes kompanive guaskë holandeze dhe kapitalit nga Katari. Pas protestave të ashpra, autoritetet shqiptare kundër korrupsionit po shqyrtojnë tani projektin. Si shtrihet gjurma e parave nga bregdeti shqiptar deri në Amsterdam?

Pas ditësh protestash të ashpra, SPAK hapi këtë javë një hetim mbi një resort luksoz të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Projekti gjigant po zhvillohet në një zonë ekologjikisht të ndjeshme në bregdetin shqiptar. Hetimi përqendrohet në parregullsi lidhur me dhënien e tokës dhe konflikte të mundshme interesi.

Nga një vështrim në regjistrin tregtar rezulton se projekti menaxhohet nga pikëpamja fiskale përmes kompanive guaskë holandeze. Por çfarë bëjnë saktësisht këto kompani.

Model klasik

Një publikim i fundit në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë zbuloi se një strukturë e përbërë nga pesë kompani guaskë me seli në Amsterdam përbën qendrën administrative të resortit. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar Zvernec South Adriatic Development drejton projektin nga pikëpamja juridike dhe financiare.

Kjo njësi zotëron lejen përkatëse, strukturon aksionet dhe kanalizon fondet drejt ishullit shqiptar të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit. Në fund të vitit 2024, qeveria miratoi zhvillimin e kësaj zone nga firma e kapitalit privat të Kushnerit, Affinity Partners.

Një nga pesë kompanitë guaskë – Blue Industries Investment Holding B.V. – është në pronësi të aksionerëve shqiptarë, sipas dokumenteve qeveritare shqiptare të shqyrtuara nga Follow the Money. Por, për shkak se secili aksioner individual zotëron më pak se 25 për qind të projektit, ata nuk janë të detyruar të bëjnë publik identitetin e tyre.

“Holanda, si furnizuese e kompanive guaskë, është një nyje e rëndësishme në transferimin dhe fshehjen e parave që vijnë nga jashtë vendit”, tha Lotte Rooijendijk, nga Transparency International në Hollandë.

“Është një model klasik”, thotë Lotte Rooijendijk nga Transparency International në Hollandë. “Në praktikë shikon se shumë të ashtuquajtur UBO-s (pronarë përfitues përfundimtarë) fshihen pas këtyre strukturave. E pamë këtë te Panama Papers dhe tani te ky projekt: Holanda, si furnizuese e kompanive guaskë, është një hallkë e rëndësishme në zhvendosjen e parave të huaja jashtë sistemit të dukshëm financiar. Falë rregullave aktuale evropiane, ne nuk mund të shohim gjithmonë as se kush janë personat e përfshirë. Zyrat holandeze të trusteve janë çelësi në këtë proces.”

Një rus dhe një bullgar

Zyra pas kompanive B.V. është kompania holandeze me seli në Amsterdam Dutch Trust Management (DTM). Kjo zyrë është në pronësi të Nikita Vinogradov (Moskë, 1991) dhe bullgares Zoya Gyurova (1988). Rusi Vinogradov ka qenë drejtues për Rusinë në firmën “Strik Attorneys at Law dhe Tax Advisors”, ku edhe Gyurova punonte si juriste. Kompania e lidhur me të “Strik Tax and Legal” ende i liston të dy si partnerë në departamentin e kontabilitetit.

Sipas faqes së internetit të DTM, kompania ofron shërbime administrative dhe ndihmon në krijimin e shoqërive zotëruese (holding) Ajo vlerëson të drejtën tregtare të Holandës si “jashtëzakonisht fleksibël” dhe është e specializuar në kompani B.V. dhe fondacione. Kjo zyrë relativisht e vogël fokusohet kryesisht te kompanitë e Evropës Qendrore, zotërimet financiare dhe kompanitë shumëkombëshe indiane.

Se si projekti i resortit të Kushnerit përfundoi pikërisht te DTM nuk është e qartë. Zyra gjithashtu nuk i është përgjigjur pyetjeve të “Follow the Money”.

Nga regjistri tregtar rezulton se DTM kishte disa klientë shqiptarë. Në vitin 2025, zyra u vu sërish në qendër të vëmendjes pasi një prej këtyre klientëve u përjashtua nga tenderët publikë. Ai kishte dorëzuar dokumente të falsifikuara lidhur me një tender në Tiranë. Përmes një shoqërie holandeze, të krijuar nga DTM, përfitimet nga kjo veprimtari përfunduan te palë të lidhura me aksionerë bullgarë dhe rusë.

Puna e trusteve i sjell në çdo rast Vinogradovit dhe Gyurovës të ardhura të konsiderueshme. Një raport financiar vjetor tregon se Gyurova ka derdhur katërqind mijë (euro) në një shoqëri zotëruese personale, të cilën ajo e krijoi në kohën kur mori detyrën në “Dutch Trust Management”. Edhe Vinogradov ka një “holding” të tijin, por që prej vitit 2022 ai nuk publikon më raporte financiare vjetore.

Konflikt interesi

Fakti që projekti i Kushnerit nuk i bën të njohur një pjesë të aksionerëve nuk do të thotë se është e paqartë se cilët janë aktorët e mëdhenj përkrah Kushnerit. Dokumentet e bëra së fundmi të disponueshme tregojnë se një nga pesë kompanitë holandeze B.V., “Universal Properties Projects B.V.”, kohët e fundit ka transferuar një pjesë të konsiderueshme të interesave të saj në projektin e resortit te grupi nga Katari Al-Khayyat Group, në pronësi të vëllezërve Moutaz dhe Mohammed Al-Khayyat. Këtë e zbuloi së fundmi platforma shqiptare Citizens.al.

Ky transferim është i pazakontë, sepse Al-Khayyat Group ka interesa biznesi që lidhen me vendimmarrjet politike të vjehrrit të Kushnerit. Sipas New York Times, Al-Khayyatët e nisën bashkëpunimin me Kushnerin në kohën kur qeveria Trump lehtësoi sanksionet ndaj Sirisë. Përmes kësaj, grupi Al-Khayyat fitoi akses në kontrata ndërtimi me një vlerë totale prej rreth dymbëdhjetë miliardë eurosh.

Vetë Kushner i hedh poshtë akuzat për konflikt interesi. “Ajo që të tjerët e quajnë konflikt interesi, Steve [Witkoff] dhe unë e quajmë përvojë dhe marrëdhënie që kemi ndërtuar në të gjithë botën”, tha ai vitin e kaluar për televizionin CBS.

Një miliard euro për ishullin

Kushner, i cili si një përfaqësues i afërt i vjehrrit të tij takohet me krerë shtetesh, sipas deklarimeve të tij ra në gjurmët e zonës gjatë një pushimi. Nga një jaht, ai dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, e panë për herë të parë ishullin shqiptar në vitin 2021. Ata mbetën të mahnitur nga bukuria e tij, i tha ai gazetës The Guardian.

“Isha thjesht shumë i habitur që diçka e tillë ekzistonte në mes të Mesdheut dhe ende nuk ishte zhvilluar.” Ai e shfrytëzoi mundësinë dhe pas negociatave me qeverinë, Kushner dhe bashkëpunëtorët e tij vendosën një miliard euro për ishullin.

Përfaqësues të lëvizjes mjedisore shqiptare ngritën menjëherë alarmin kur qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama ndryshoi në vitin 2024 ligjin për zonat e mbrojtura natyrore, me qëllim që ta bënte të mundur projektin. Këtë e thotë Joni Vorpsi nga organizata shqiptare për mbrojtjen e natyrës PPNEA.

“Ndërkohë, 400 hektarë tokë nga zona e mbrojtur natyrore Vjosa-Nartë janë rrethuar me tela me gjemba. Aty jetojnë specie të rrezikuara si foka mesdhetare, dhe ajo është një ndalesë e rëndësishme në rrugën e migrimit të flamingove. Tani lejohet të ndërtohet?!”

Hetimi për korrupsion përqendrohet te ndryshimi i ligjit që bëri të mundur projektin. Vorpsi mendon se çelësi qëndron te kompanitë guaskë holandeze. “Se nga vijnë saktësisht të gjitha paratë, nuk e dimë, por kemi një ide.”

Rreziqe për kontrollin demokratik

Pavarësisht polemikave, qeveria shqiptare vazhdon ta mbështesë publikisht projektin. Kryeministri Edi Rama ka thënë disa herë se investimet e huaja janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai kundërshton kritikat ndaj ndryshimit të legjislacionit për natyrën rreth Zvërnecit. Rama deklaron se qeveria po ndjek vetëm procedurat standarde.

Në të njëjtën kohë, grupet opozitare dhe aktivistët mjedisorë theksojnë se kombinimi i investimeve të mëdha të huaja, kontrollit të dobët institucional dhe strukturave komplekse të pronësisë holandeze përbën rreziqe të mëdha për kontrollin demokratik.

Ndërkohë, Komisioni Evropian është përfshirë në debat. Resorti me përmasa të mëdha mund të pengojë bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë, nëse rezulton se vendi shkel rregullat mjedisore evropiane. Shqipëria do të binte në kundërshtim me direktivat evropiane për shpendët dhe habitatet, për shkak të heqjes së pjesshme të statusit të mbrojtur të zonës.

Vorpsi nga PPNEA shpreson që ky presion nga Brukseli të vazhdojë. “Protestat janë rritur jashtëzakonisht shumë gjatë javëve të fundit, por ende nuk është bërë publik identiteti i të gjithë aksionerëve në këtë strukturë. Ndërkohë që kryeministri Rama sillet sikur nuk po ndodh asgjë, bregdeti ynë i mbrojtur po nxirret në shitje.”

Qeveria e Shqipërisë, Dutch Trust Management dhe Affinity Partners nuk iu përgjigjën pyetjeve të Follow the Money.

Lexo gjithashtu:

The post Hetimi për korrupsion lidhur me resortin shqiptar të dhëndrit të Trump të çon në Holandë appeared first on Citizens.al.

❌