Normal view

Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit

11 June 2026 at 16:31

Ndërsa kryeministri Edi Rama këmbëngul se “nuk ka marrëveshje” dhe se pa marrëveshje s’ka as projekt, dokumente teknike të nëntorit 2025 tregojnë një masterplan të detajuar me 11 zona zhvillimi, 727 mijë metra katrorë ndërtim, hotele, vila, marina dhe kazino. Emri në kopertinë është “Sazan”, por harta tregon Zvërnecin.

Dokumentet e publikuara së fundmi hedhin dritë të re mbi atë që po përgatitet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë. Dy materialet me ëmërtime “Sazan Development” dhe “Sazan Peninsula” u bënë publike nga Eric Czuleger, kryeredaktori  The Under Report një ditë më parë. Por harta që i shoqëron nuk paraqet ishullin e Sazanit, ajo përputhet qartë me morfologjinë e zonës së Zvërnecit dhe Nartës dhe tregon një transformim rrënjësor të lagunës e brendshme dhe brezit bregdetar.

Dokumenti i quajtur “Sazan Peninsula” përshkruan, faqe pas faqeje, një projekt zhvillimi për Zvërnecin.

Kjo “zhvendosje” emërtimi nuk është detaj teknik. Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për debatin publik: ndërsa gazetarët, opinioni dhe madje edhe mediat e huaja i bëjnë pyetjet kryeministrit për Sazanin, materialet teknike tregojnë se projekti më i avancuar dhe më i detajuar është konceptuar për një zonë tjetër të mbrojtur, pikërisht aty ku disa javë më parë nisën të zhvillohen punime përgatitore, rrethime telash me gjemba dhe ku shpërtheu protesta që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Dokumenti i parë, “Sazan Development – Request for Proposal” (RfP), mban datën 6 nëntor 2025. Përmes tij kërkohen shërbime AOR/EOR (arkitekt dhe inxhinier i regjistruar përgjegjës) dhe shërbime inxhinierike: propozime teknike e financiare, staf, metodologji pune, eksperiencë të ngjashme, plan burimesh dhe shërbime projektimi për ndërtesa e infrastrukturë.

Në praktikën e zhvillimit imobiliar, një RFP i këtij lloji nuk i përket fazës fillestare apo vizionit për një projekt, por hartohet në momentin kur projekti kërkon të kalojë drejt zbatimit.

Po aty përmenden studime që lidhen drejtpërdrejt me territorin lagunor të Zvërnecit dhe Nartës, një modelim i cilësisë së ujit në lagunën e Nartës, studime për sedimentet,  vlerësim i rrezikut sizmik, studim për vijën bregdetare dhe vlerësim për distancat e sigurta nga skarpatet.

Dokumenti i dytë, “Vision Masterplan – Book 2”, mban datën 14 nëntor 2025 dhe etiketohet në kopertinë si  dorëzim draft. Ai është hartuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës LAVA (Laboratory for Visionary Architecture), me strategjinë e mobilitetit të punuar nga kompania e planifikimit të transportit Systematica. Masterplani bazohet, siç thuhet në vetë dokumentin, mbi një përmbeledhje të porositësit të mëparshëm: “Sazan Masterplan Brief V1.5 – AA”, të datës 20 gusht 2025.

Pra, para se LAVA të vizatonte qoftë edhe një vijë, dikush e kishte porositur dhe përcaktuar kornizën e këtij zhvillimi.

Masterplani organizon territorin në 11 zona programore, me 254.8 hektarë tokë dhe 727,527 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar. Zonat mbajnë emra si “Sazan Citadel & Marina”, “Cheval Blanc”, “Sazan Cove”, “Sazan Yacht Club”, “Sazan Beach Villas”, “Sazan Lake Villas”, “Sazan Hills”, “Casa Cipriani” dhe “Atlantis”.

Brenda tyre, sipas tabelave të vetë dokumentit, parashikohen rreth 3,200 njësi banimi e hotelerie: qindra vila “të markës”, mes tyre edhe kategoria e quajtur “Billionaires”; hotele të brendeve Aman, Cheval Blanc dhe Cipriani; një hotel “Atlantis” me 500 dhoma; kazino; fusha golfi; qendër kalërimi; klube plazhi dhe një “citadelë” e konceptuar për 5 deri në 10 mijë vizitorë në ditë, me rreth 3,000 vende parkimi.

Pjesa jugore e projektit rezervohet, sipas vetë dokumentit, përUltra High Net Worth Individuals”, individë me pasuri ultra të lartë, me akses të mbyllur, pika kontrolli sigurie dhe plazhe private. Dokumenti e përmend hapur edhe rolin e projektit si “levë për ambiciet e Shqipërisë për Golden Visa”.

Dokumenti pranon ndërhyrje të rënda në ekosistem

Masterplani nuk e fsheh shkallën e ndërhyrjes fizike në territor. Ai parashikon drenazhim dhe thellim të shtratit të lagunës, vlerësuar paraprakisht në 6 milionë metra kub, mbi një sipërfaqe prej rreth 525 mijë metrash katrorë, si dhe mbushje toke prej rreth 2 milionë metrash kub për të ngritur artificialisht terrenin ku do të vendosen vilat.

Projekti parashikon liqene artificiale, kanale të lundrueshme, marina të gërmuara në tokë, të gjitha në një lagunë që vetë dokumenti e përshkruan si “një nga ligatinat më të rëndësishme ekologjike të Shqipërisë”.

Madje, plani shkon më tej dhe pranon me shkrim rreziqet: drenazhimi i pakontrolluar, thuhet aty, rrezikon të destabilizojë hidrologjinë e lagunës, të rrisë erozionin dhe të prishë balancën e sedimenteve.

Autorët identifikojnë si “rrezik për zhvillimin” faktin që organizata si Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe Eco-Albania po shtyjnë për kufizimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Mbrojtja ligjore e natyrës trajtohet jo si kusht, por si pengesë për t’u menaxhuar.

Një tjetër element bie në sy. Parimet e masterplanit flasin për “më pak se 8% sipërfaqe toke” të zënë nga ndërtesat, e njëjta shifër e përdorur publikisht edhe për Sazanin. Por tabela e përdorimit të tokës në të njëjtin dokument tregon se 53% e territorit klasifikohet si “zonë zhvillimi” dhe vetëm 5% si “e pazhvillueshme dhe e mbrojtur”, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes hapësirave rekreative (29%) dhe liqeneve e marinave (13%).

Dy shifrat masin gjëra të ndryshme, e para gjurmën fizike të ndërtesave dhe e dyta territorin që organizohet në funksion të zhvillimit. Pikërisht këtë hendek e ka dokumentuar Citizens.al që në muajin mars 2026, duke argumentuar pse narrativa e “8 përqindëshit” nuk shpjegon mënyrën se si projekti e ndryshon funksionin e të gjithë territorit.

Çfarë thotë studio LAVA?

E pyetur nga Citizens.al, studioja LAVA konfirmoi autorësinë e dokumentit, duke e cilësuar atë si studim paraprak.

“Dokumenti në qarkullim është një studim draft i zhvilluar nga LAVA, si një prej disa studimeve për Gadishullin e Sazanit”, thuhet në përgjigjen e dërguar me shkrim. Sipas kompanisë, ai përfaqëson “një dorëzim draft – jo një plan final apo të miratuar”, studimi “i dha përparësi përgjegjësisë ekologjike, biodiversitetit dhe balancës mes ruajtjes së tokës dhe zhvillimit”, ndërsa angazhimi i LAVA-s në projekt “nuk vazhdoi përtej kësaj faze”.

Përgjigjja e LAVA-s konfirmon dy fakte thelbësore: dokumenti është autentik dhe ai është vetëm njëri prej “disa studimeve” të porositura për këtë projekt. Studio nuk iu përgjigj pyetjes së çfarë ka ndodhur me projektin pas largimit të tyre.

Studio nuk iu përgjigj pyetjeve të Citizens.al se kush e porositi studimin dhe kush e hartoi “brief”-in “AA” të gushtit 2025. LAVA deklaroi se u largua nga projekti, po kush e mori stafetën?

Kjo përgjigje mund të gjendet, të paktën pjesërisht, në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit. Siç raportoi Citizens.al vetëm pak ditë më parë, kompanitë e lidhura me Zvërnecin dhe Sazanin po konsolidohen rreth strukturave të grupit Al-Khayyat nga Katari, kompanitë e të cilit në Doha mbajnë pikërisht emrat “Sazan Development Holding” dhe “Sazan Operations Holding”.

I njëjti emërtim “Sazan” që në dokumentet teknike mbulon Zvërnecin, shfaqet edhe në skemën e korporatatave të pronarëve të rinj.

Rama përballë dokumenteve

Gjatë një takimi me gazetarë evropianë këtë javë, kryeministri Edi Rama u pyet me këmbëngulje nga një gazetare rumune nëse ekziston një projekt për Sazanin.

“Nuk ka një marrëveshje, nuk mund të bëjmë marrëveshje pa pasur projekt. Nuk kemi as marrëveshje për Sazanin. Pse? Sepse po negociojmë prej dy vitesh”, u përgjigj ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për shitje të ishullit, por për një “sipërmarrje të përbashkët”, ku ndërtimet do të kenë tituj pronësie “ashtu sikurse edhe këtu përballë bulevardit”.

Në të njëjtën përgjigje, megjithatë, kryeministri pranoi se plane zhvillimi ekzistojnë: “Plan për t’u zhvilluar? Po, ka dy vendndodhje”, tha ai, pa e përmendur me emër vendndodhjen e dytë.

Për Zvërnecin, përgjigjja e tij ishte edhe më e shkurtër: “Për ishullin nuk kam asnjë skicë të paraqitur sepse nuk ka asnjë marrëveshje, në Zvërnec ka një marrëveshje me pronarët e tokës dhe po vazhdojnë, është normale, nuk kam çfarë t’ju them për të”.

Por deklaratat e kryeministrit nuk i përgjigjen pyetjes që ngrenë dokumentet. Pyetja nuk është nëse ekziston një marrëveshje finale e firmosur. Pyetja është: si shpjegohet që, ndërsa zyrtarisht mohohet ekzistenca e një projekti të përcaktuar, në nëntor 2025 qarkullonin dokumente teknike me datë, autor, zona ndërtimi, tabela sipërfaqesh, strategji parkimi, faza zbatimi dhe kërkesa për oferta inxhinierike, të gjitha mbi territorin e Zvërnecit?

Cila është “vendndodhja e dytë” me plan zhvillimi, që kryeministri e pranon por nuk e emërton?

Dokumentet nuk provojnë se projekti është miratuar nga institucionet shqiptare, as se punimet në terren janë autorizuar mbi bazën e këtij masterplani. Por ato provojnë diçka tjetër, po aq të rëndësishme: se Zvërneci, brenda një peizazhi të mbrojtur, është trajtuar prej muajsh në materiale teknike si një projekt i strukturuar zhvillimi, me investitorë, arkitektë, inxhinierë dhe afate, të gjitha larg syve të publikut.

Vlen të theksohet se masterplani parashikon edhe një fazë “0 – enabling works”, punime përgatitore në pjesën veriore të territorit. Pikërisht punime përgatitore, rrethime me gardh dhe roje private ka dokumentuar Citizens.al në terren gjatë javëve të fundit në Zvërnec, përfshirë ngjarjen e 30 majit, kur një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private në prani të Policisë së Shtetit, pamje që ndezën protestat mbarëkombëtare.

Si arritëm deri këtu?

Dokumentet e publikuara nga The Under Report shtojnë një hallkë të re në një zinxhir që Citizens.al e ka ndjekur prej më shumë se një viti.

Në qershor 2025, Citizens.al raportoi se qeveria krijoi kompaninë shtetërore ASDRE për t’u bërë ortake në zhvillimin e resortit të propozuar nga Affinity Partners e Jared Kushner, ndërsa institucionet nuk bënin transparencë për propozimin në Zvërnec.

Në janar 2026, vizita e Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë, me darka private me kryeministrin dhe takime me dhjetëra arkitektë, ngriti pyetjen nëse Sazani dhe Zvërneci po trajtoheshin si pasuri publike apo si asete të vendosura në tryezë përmes negociatash direkte, pa garë dhe pa transparencë. Vizita përfshiu edhe Zvërnecin, një zonë që, zyrtarisht, “nuk ishte pjesë e projektit”.

Në mars 2026, Citizens.al publikoi dokumentet mbi përmasat reale të projektit në Sazan, duke treguar se narrativa e “8% ndërtim” fshihte privatizimin funksional të të gjithë ishullit.

Më 8 qershor, dokumentet e QKB-së treguan se kompanitë ndërmjetëse po dilnin nga struktura e pronësisë, ndërsa grupi Al-Khayyat nga Katari po shfaqej gjithnjë e më drejtpërdrejt në kontrollin e aseteve dhe projekteve.

Sot, dokumentet e reja tregojnë se për Zvërnecin ekziston një masterplan teknik i detajuar.

Edhe pas këtyre dokumenteve, thelbi i çështjes mbetet i njëjtë me atë që Citizens.al ka ngritur prej muajsh: vendimet për dy prej territoreve më të vlefshme natyrore të vendit po merren në mënyrë jo transparente, larg garës dhe po aq larg publikut.

Deri më sot, asnjë institucion nuk ka bërë ende transparencë rreth projekteve. Dokumentet, ndërkohë, flasin vetë.

Lexo edhe:

Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin

Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan

Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

The post Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit appeared first on Citizens.al.

Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin

8 June 2026 at 13:10

Ndërsa protestat e “Revolucionit të Flamingove” vijojnë, në prapaskenë po ndodhin lëvizje të rëndësishme që hedhin më shumë dritë mbi aktorët që qëndrojnë pas projekteve të diskutueshme në Zvërnec dhe Sazan.

Dokumente të reja të botuara në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) tregojnë një proces të vazhdueshëm konsolidimi, ku kompanitë ndërmjetëse po tërhiqen gradualisht nga struktura e pronësisë, ndërsa grupi i vëllezërve Mohamed dhe Ramez Al-Khayyat po shfaqet gjithnjë e më drejtpërdrejt në kontrollin e aseteve dhe projekteve.

Zhdukja e ndërmjetësve

Më 3 qershor, sistemi i QKB-së reflektoi në ekstraktet e aktivitetit të kompanisë Zvërnec South Adriatic Development (ZSAD) – kompania që ka aplikuar për zhvillimin e projektit të resorteve në Zvërnec – një marrëveshje të firmosur më 7 maj.

Sipas dokumenteve, aksionet e Universal Properties Projects B.V., pronarit zyrtar të ZSAD, kaluan në pronësi të Sazan Development Holding (SDH), kompani me seli në Doha të Katarit dhe pjesë e grupit të vëllezërve Al-Khayyat.

Operacioni kushtoi 306 mijë euro, një shumë modeste krahasuar me 4 miliardë euro investime që qeveria ka deklaruar se pritet të realizohen në Zvërnec.

Vetëm dy ditë më herët, kapitali i ZSAD ishte rritur nga 50 mijë në 250 mijë euro përmes një deklarimi për derdhje fondesh në bankë.

Infografikë: Pronësia reale e zhvilluesve të projektit në Zvërnec

I parë më vete, ky mund të dukej si veprim rutinë sipërmarrjeje. Por i vendosur në kontekstin e lëvizjeve të tjera të muajve të fundit, ai sugjeron një proces më të gjerë konsolidimi të kompanive dhe projekteve.

Në nëntor 2025, Albania Land Development (ALD) – kompania që zotëron rreth 120 hektarë troje dhe marrëveshje me persona që pretendojnë pronat në Zvërnec – kaloi në pronësi të Sazan Operations Holding (SOH) për vetëm 10 mijë euro.

SOH ka të njëjtën seli në Doha si SDH dhe administrohet nga persona që lidhen me të njëjtin grup biznesi të vëllezërve Al-Khayyat: Assets Group dhe Power International Holding.

Në praktikë, kjo do të thotë se i njëjti grup po merr gradualisht kontroll si mbi kompaninë që disponon asetet dhe marrëveshjet e pronësisë, ashtu edhe mbi kompaninë që do të zhvillojë projektin.

Për më shumë se një vit, projekti i Zvërnecit nuk kishte asnjë informacion konkret mbi pronësinë, muajt e fundit u prezantua publikisht përmes një rrjeti kompanish me emra të panjohur.

Në dokumente shfaqeshin Dutch Trust Management B.V., Universal Properties Projects dhe Blue Investment Holding, kompani të strukturuara dhe administruara me mbështetjen e zyrës holandeze të konsulencës, Strik.

Zoya Georgieva Gyurova dhe Nikita Vinogradov, partnerë drejtues të kësaj zyre, figuronin administratorë dhe jo investitorë të zinxhirit të kompanive pas projektit të Zvërnecit.

Më vonë, si pronarë kryesorë përfitues u identifikuan vëllezërit Al-Khayyat, ndërsa pjesa tjetër e ortakëve nuk është bërë publike për shkak të kufijve ligjorë të raportimit: kanë më pak se 25% të aksioneve.

Lëvizjet e fundit sugjerojnë se kjo strukturë po thjeshtohet, pasi emrat ndërmjetës të zyrës Strik, po tërhiqen nga skena, ndërsa pronarët realë po shfaqen më drejtpërdrejt.

Megjithatë vullneti i qeverisë për të mos e zbardhur plotësisht skemën e investimit e shtyn më tej këtë paqartësi.

Lidhjet e mundshme me sipërmarrësit shqiptarë

Infografikë: Skema e kalimit të truallit dhe lidhjet me kompanitë shqiptare

Kjo histori me Zvërnecin dhe Sazani përmban edhe elementë të tjerë që tërheqin vëmendje.

Përfaqësuesit e Strik figurojnë në regjistrat e QKB-së si përfaqësues ose pronarë përfitues në të paktën 13 kompani të tjera që operojnë në Shqipëri në sektorë si hoteleria, farmaceutika, shëndetësia dhe energjetika.

Strukturat offshore përdoren shpesh për të ndarë kontrollin real të aseteve nga pronësia formale, por përdorimi i tyre nuk përbën në vetvete shkelje ligjore.

Po ashtu, nuk ka asnjë provë që kompani të tjera që kanë përdorur shërbimet e Strik, si Spitali Amerikan, Equos Resort, Farmacom apo Adriavolt Ecopower, të kenë lidhje me projektet në Sazan dhe Zvërnec.

Megjithatë, aktiviteti i shtuar i kësaj zyre në Shqipëri dhe roli i saj në strukturat e kompanive të projektit lënë vend për pikëpyetje mbi interesat që ajo përfaqëson dhe nëse pas investimit qëndrojnë edhe aktorë që nuk shfaqen drejtpërdrejt në dokumentet publike.

Disa elementë të dokumentuar kanë tërhequr vëmendjen veçanërisht për shkak të afërsisë së tyre me grupin Kastrati.

Përveç pranisë publike të përfaqësuesve të këtij grupi në takime me Ivanka Trump gjatë muajit janar, të paktën tre kompani të lidhura me strukturat e Strik kanë përdorur adresa që lidhen me asetet e grupit Kastrati.

Dutch Global Maintenance dhe Dutch Warehouse Services u krijuan në Shqipëri gjatë viteve 2024 dhe 2025 nga Gyurova dhe Vinogradov me “trust”-in holandez.

Sipas dokumenteve të regjistrimit, ato operojnë në fusha si tregtia duty-free, konsulenca për ndërtime dhe menaxhimi i projekteve dhe janë administruar nga persona me histori pune në Aeroportin e Tiranës (TIA).

Kompanitë fillimisht kishin adresë në MAK Albania Hotel dhe më pas u zhvendosën në TIA, dy sipërmarrje të kontrolluara nga grupi Kastrati.

Ngjashëm, edhe kompania Sazan Operations – që mendohet të drejtojë operacionet e zhvillimeve në Shqipëri –  e regjistruar në Tiranë më 21 prill 2026 nga grupi Al-Khayyat, ka deklaruar adresë në MAK Albania Hotel.

Sigurisht, vetë ekzistenca e një adrese të përbashkët nuk provon pronësi, kontroll apo përfshirje direkte në investim.

Megjithatë, në analizat financiare, adresat e përbashkëta konsiderohen shpesh elementë që tregojnë afërsi ose marrëdhënie biznesi mes subjekteve.

Botime të ndryshme në media muajt e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi lidhjet e mundshme të personave dhe kompanive të mëdha të biznesit në Shqipëri, përfshirë Kastratin dhe grupin Balfin.

Deri tani, asnjë prej këtyre grupeve nuk ka konfirmuar përfshirje zyrtare në projektet e Zvërnecit dhe Sazanit.

Po ashtu, nuk ekzistojnë prova publike që t’i identifikojnë ato si pronarë përfitues të këtyre zhvillimeve.

Megjithatë, afërsitë në adresa, lëvizjet e kompanive dhe marrëdhëniet e biznesit vazhdojnë të ushqejnë pikëpyetje mbi ekzistencën e një arkitekture më të gjerë interesash pas projekteve, të cilat duket se gëzojnë përkrahjen e qeverisë për të qenë në prapavijë.

A ishte vërtet Sazani një ofertë e pakërkuar?

Vetë emërtimi i kompanive Sazan Development Holding dhe Sazan Operations Holding sugjeron se grupi Al-Khayyat synon të ketë rol edhe në zhvillimin e projektit të ishullit.

Zyrtarisht, qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka deklaruar se ka vetëm një projekt të paraqitur, ai për Sazanin dhe që buron nga një ofertë e pakërkuar e Affinity Partners, fondi investimesh ky i drejtuar nga Jared Kushner.

Në dhjetor 2024, projekti përfitoi edhe statusin e investitorit strategjik dhe qeveria deklaroi se ishte në negociata për formulën e zhvillimit.

Mbetet e paqartë sesi do të kalojë projekti i Sazanit në zotërimin e grupit nga Katari dhe po ashtu sesi do të përfitojë ai lehtësirat që ofron statusi i investitorit strategjik.

Raportimet e fundit tregojnë se qeveria po përgatitet të transferojë asetet e ishullit drejt Ministrisë së Financave, me synim përfundimtar Korporatën Shqiptare të Investimeve.

Vetë Kushner ka deklaruar publikisht se interesi për Shqipërinë lindi pas një takimi privat me Kryeministrin Edi Rama në jahtin e biznesmenit Matt Rothschild gjatë vitit 2021.

Sipas tij, deri në atë moment dinte shumë pak për Shqipërinë, por i la mbresa vizioni që i paraqiti Rama.

Nga ana tjetër, Rama ka deklaruar publikisht se nisma për investimin në Sazan dhe Zvërnec ka ardhur nga vetë Kushner.

Sigurisht, asnjë prej këtyre deklaratave nuk provon shkelje ligjore, megjithatë, ato ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si qeveria i ka ndërtuar dhe i aplikon mekanizmat e investimeve strategjike.

Në rrethana normale, projekte të kësaj shkalle do të duhej të kalonin përmes proceseve të hapura të konkurrimit, shpalljeve të interesit, kritereve të qarta të vlerësimit dhe transparencës institucionale në vendimmarrje.

Por projekti i Sazanit, me një vlerë të deklaruar prej rreth 1.5 miliardë eurosh, duket se ka lindur nga kontakte private mes aktorëve politikë dhe investitorëve, përpara se të mbështetej nga një strukturë kompanish dhe instrumentet që ofronte ligji për investimet strategjike.

Nga kjo të krijohet përshtypja se procedurat ndoqën investitorin dhe jo e kundërta, investitori procedurat.

Kështu, ndërsa protestat vazhdojnë, dokumentet e pakta të bëra publike, tregojnë se në prapaskenë po konsolidohet një strukturë e re kontrolli mbi projektet e Zvërnecit dhe Sazanit.

Kush përfiton realisht prej saj dhe sa transparente janë këto marrëdhënie mbetet ende pa përgjigje të plotë.

The post Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin appeared first on Citizens.al.

Investitorët strategjikë, ligji që u dha privatëve bregdetin

2 June 2026 at 16:03

Në vitin 2015, Shqipëria miratoi ligjin “Për Investimet Strategjike”, me qëllimin e deklaruar për të tërhequr investime të mëdha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të hapur vende të reja pune.

Ligji u prezantua si i përkohshëm. Por, vit pas viti, ai është shtyrë disa herë dhe aktualisht është lënë në fuqi deri në vitin 2027.

Ajo që nisi si mekanizëm për të lehtësuar investimet, është kthyer në një nga instrumentet më të debatueshme të zhvillimit në Shqipëri. Në teori, ligji synonte të përshpejtonte procedurat administrative për projekte me rëndësi ekonomike. Në praktikë, statusi i “investitorit strategjik” krijoi një sistem privilegjesh që u dha kompanive private akses të veçantë në tokë publike, bregdet, plazhe, zona turistike, ishuj dhe pasuri me interes publik.

Në disa raste, ky status ka përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të pronës publike, qira simbolike, shtyrje afatesh, ndryshime kontratash dhe procedura të negociuara drejtpërdrejt me shtetin. Për këtë arsye, ligji ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën, konkurrencën e ndershme dhe trajtimin e barabartë para ligjit.

Si lidhet kjo me Zvërnecin?

Ajo që po ndodh sot në Zvërnec nuk mund të lexohet e shkëputur nga mënyra se si është trajtuar territori gjatë viteve të fundit.

Hapat e parë për t’i hapur rrugë projekteve të mëdha në zona të ndjeshme nisën me tkurrjen e zonave të mbrojtura. Në janar 2022, përmes dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, qeveria hoqi mijëra hektarë nga rrjeti i zonave të mbrojtura, duke reduktuar me rreth 20% sipërfaqen e tyre.

Pas këtyre ndryshimeve, zona të tëra në bregdet humbën statusin e mëparshëm të mbrojtjes. Kjo i hapi rrugë investimeve në hapësira si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, Pasqyrat, Pulëbardhat, Gjiri i Hartës, Gjiri i Marinës dhe Gjiri i Pemës së Thatë.

Në vitin 2024, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura e çuan më tej këtë proces. Nën argumentin e zhvillimit të turizmit, u zgjeruan mundësitë për ndërhyrje dhe ndërtime në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme ose me mbrojtje më të fortë.

Ndërlidhja mes ligjit për Investimet Strategjike dhe ligjit për Zonat e Mbrojtura është parë prej vitesh nga ekspertët e mjedisit dhe ekonomisë si një nga pikat më problematike të modelit të zhvillimit. Që në vitin 2021, nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike, katër ndodheshin brenda ose pranë zonave të mbrojtura natyrore.

Një prej rasteve ishte Kepi i Stillos, poshtë fushës së Butrintit, ku parashikohej zhvillimi i një resorti luksoz me 636 vila. Një tjetër rast është Gjiri i Manastirit, i cili, ndonëse u minimizua publikisht si “një pikë e vogël”, po kthehet në një zonë të rënduar nga ndërtimi.

Në këtë kuptim, Zvërneci nuk është një rast i izoluar. Ai është pjesë e një modeli më të gjerë ku zonat me vlerë natyrore, publike dhe turistike trajtohen si hapësira të hapura për projekte zhvillimi, shpesh pa transparencë të plotë për publikun.

Mungesa e transparencës

Në vitin 2023, Citizens.al raportoi se ligji për investimet strategjike kishte shërbyer kryesisht për betonizimin e bregdetit, duke u dhënë investitorëve rreth 5.8 milionë metra katrorë tokë në të gjithë vendin.

Vetëm në bregdetin e jugut, rreth 1.6 milionë metra katrorë sipërfaqe u ishin dhënë investitorëve strategjikë përmes këtij ligji. Edhe pse ligji u miratua me argumentin e tërheqjes së investitorëve të huaj, deri në vitin 2023 vetëm 2 nga 44 projektet e miratuara rezultonin investime tërësisht të huaja.

Vitet e fundit, pasuri të rëndësishme natyrore dhe ekonomike, si Porti i Durrësit, Sazani dhe Zvërneci, janë futur në logjikën e investimeve të mëdha strategjike. Por këto procese janë shoqëruar nga mungesë transparence, informim i vonuar publik dhe paqartësi mbi përfitimin real të qytetarëve.

Rasti i Portit të Durrësit është një nga më domethënësit. Publiku nisi të njihej me planet për transformimin e portit vetëm pasi në rrjetet sociale qarkulluan pamje nga restoranti “Nusret” në Dubai, ku shfaqeshin zyrtarë të lartë shqiptarë me biznesmenin Mohamed Alabbar, themeluesin e Eagle Hills.

Në të njëjtën linjë, edhe projektet në Sazan dhe Zvërnec u bënë fillimisht të njohura për publikun përmes mediave ndërkombëtare. Në mars 2024, Bloomberg dhe The New York Times raportuan për planet e Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë zhvillime turistike në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit.

Edhe sot, paqartësia vazhdon të shoqërojë debatin për Zvërnecin. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas projektit qëndron Katari, ndërsa emrat realë të investitorëve mbeten të paqartë për publikun. Zona u rrethua me tela me gjemba, ndërsa autoritetet e paraqitën rrethimin si pjesë të punimeve përgatitore për rrugë dhe infrastrukturë.

Nga njëra anë flitet për investitorë strategjikë dhe negociata. Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka pranuar se “nuk ka projekt” të miratuar, duke e përdorur këtë argument për të thënë se nuk mund të pranohet kërkesa e protestuesve për anulimin e tij.

Kjo ngre pyetjen kryesore: si mund të negociohet transformimi i një zone të mbrojtur, kur publiku ende nuk ka parë një projekt të qartë, dokumente të plota dhe vendimmarrje transparente?

Shqetësime për ligjin e investimeve strategjike nuk janë ngritur vetëm nga organizata apo aktivistë në Shqipëri. Kritika kanë ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka theksuar se pjesa dërrmuese e projekteve u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Sipas raportit, kjo ka krijuar perceptimin se përfitues janë kryesisht kompani me lidhje të forta politike, më shumë sesa investitorë të huaj.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka deklaruar se procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.

Problemi nuk është vetëm te një projekt, një resort apo një gardh. Problemi është te një model ku zhvillimi trajtohet si justifikim për të negociuar tokën publike, bregdetin, zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore pa transparencë të mjaftueshme.

Lexo gjithashtu:

The post Investitorët strategjikë, ligji që u dha privatëve bregdetin appeared first on Citizens.al.

Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba

25 May 2026 at 17:35

Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.

Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.

“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.

Banorët: Nuk dimë kush po ndërton

Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.

Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.

“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.

Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.

“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.

Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.

“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.

Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.

“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.

Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.

Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.

Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve

Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.

Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.

“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.

Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.

Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.

“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba appeared first on Citizens.al.

Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur

18 May 2026 at 14:56

Të shtunën, më 16 maj, dhjetëra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë – Nartë. Ndërhyrjet e fundit në zonë nisën në mungesë transparence se nga kush dhe për llogari të kujt po kryhen duke nxitur zemërim jo vetëm te ambientalistët, por edhe te qytetarët që e duan natyrën e Shqipërisë.

Sapo mbërritën në zonë, 6–8 km larg nga Vlora, protestuesit u ndeshën me disa persona të paidentifikuar, pa asnjë logo kompanie, që qëndronin në hyrje të një porte të improvizuar të kantierit të ndërtimit.

“Hape portën që të dalin njerëzit në det!” – u shpreh i revoltuar njëri nga banorët e zonës.

Pasi hynë me forcë, protestuesit dëshmuan atë që kishte ndodhr gjatë këtyrë ditëvë në zonën e mbrotjur: prerje e pyjeve, makineri të rënda, shkatërrim i dunave të rërës dhe zëvendësim i tyre me beton.

“Administrata e Zonave të Mbrojtura nuk është këtu të monitorojë se çfarë po bëhet në zonë të mbrojtur. Të gjitha institucionet e kanë braktisur, nuk janë askund ata që kanë në dorë pasuritë tona natyrore”, tha Zydjon Vorpsi, nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Zona e Pishë–Poro–Nartës është një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme në jugperëndim të Vlorës, e njohur për biodiversitetin e pasur, lagunën, pyjet me pisha dhe habitatet e shpendëve migratorë, përfshirë flamengot. Aktualisht, Pishë–Poro–Nartë gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022.

“Me të marrë natyrën, si me të marrë pasaportën”

Protesta bëri bashkë akvitistë në mbrojtje të mjedisit me banorët e zonës, të cilët kundërshtuan me forcë marrjen e tokës së tyre.

“Kjo është toka jonë, toka e babait tim. Babai im është peshkatar, i ka duart e çara nga puna. Nuk ia merr dot njeri detin”, tha e revoltuar e reja Brunela Mërtiri.

Mërtiri shtoi se kjo është vijimësi e asaj që po ndodh në Shqipëri: “Siç vodhën Dhërmiun, Palasën tani duan të marrin edhe atë që ka mbetur në Nartë.”

Aktivisti dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Ylli Tafaruci, e paralelizoi atë që po ndodhte në Vlorë me atë çfarë ka ndodhur në Durrës para 10–20 viteve.

“A e dini sa pyje apo plazhe të mbrojtura ka sot në Durrës? Asnjë! A e dini sa resorte dhe ndërtime po bëhen sot në Durrës? Po aq sa po bëhen në Vlorë dhe po aq pak akses sa keni ju në ato plazhe, aq pak kemi dhe ne”, theksoi Tafaruci.

Aktivisti Ervin Goci u shpreh se marrja e natyrës është po aq e rëndë sa vjedhja e pasaportës.

“Është të të marrin pasaportën e të qenurit shqiptar. Kur të merr natyrën, kur të merr tokën, territorin, kur të merr peizazhin, kur të merr atë emër me të cilën, ti me çdo njeri që takon të huaj i thua çfarë natyre ka Shqipëria…”, nënvizoi ai.

Ambientalistët e lidhën ngjarjen në Pishë – Poro – Nartë me reformën e zonave të mbrojtura që nisi që në vitin 2018, që i hapi rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

“Ne nuk e kishim menduar kurrë që do bëhej një ligj i ri për zonat e mbrojtura, që është ligji më absurd që mund të ekzistojë, që lejon ndërtimin në ligatinat bregdetare të Shqipërisë”, analizoi Mirjan Topi nga PPNEA.

Çfarë dihet deri më tani?

Dy javë pas denoncimeve të ambientalistëve për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Pishë – Poro – Nartë, institucionet vazhdojnë të japin informacion të kufizuar për projektin. IKMT bëri publik emrin e kompanisë që po kryen punimet, pas presionit mediatik.. “Zvërnec South Adriatic Development”, është firma, e cila sipas institucionit po zhvillon punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, dokumenti i plotë i vendimit nuk është publikuar për qytetarët, ndërsa vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”. Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi dhe hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania që ka marrë lejen kontrollohet përmes një strukture të ndërlikuar kompanish të regjistruara në Holandë, me dy shtetas të huaj si përfitues fundorë. Ambientalistët dhe qytetarët shprehin shqetësim për mungesën e transparencës, ndërsa punimet në terren kanë nisur pa u bërë publike dokumentet kryesore të projektit.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.

❌