6 të pandehur për skemën e zhvatjes ndaj pacientëve me kancer te Onkologjiku
Skema e dyshuar në Spitalin Onkologjik ku pacientët me kancer devijoheshin nga sistemi publik drejt klinikave private për përfitime financiare ka marrë një zhvillim të rëndësishëm.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq gjashtë nga personat e dyshuar, mes tyre zyrtarë të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) dhe mjekë, ndërsa hetimet zbulojnë edhe dështime serioze institucionale, si lënia jashtë funksioni e pajisjeve jetike për trajtim.
Rasti rikthen në vëmendje krizën e besimit dhe mungesën e llogaridhënies në sistemin shëndetësor publik.
Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Tiranës tha të enjten se kishte përfunduar hetimet dhe për këtë ka vendosur të dërgojë në gjyq zv.drejtoreshën e QSUT-së, koordinatoren e Spitalit Onkologjik, administratorin e një kompanie farmaceutike dhe një grup mjekësh dhe specialistësh.
Ata akuzohen për vepra si shpërdorim detyre, fshehje të ardhurash dhe tregtim mallrash kontrabandë.
Sipas hetimeve, disa zyrtarë dhe mjekë të Spitalit Onkologjik orientonin pacientët me kancer drejt klinikave private, ku ata detyroheshin të paguanin për shërbime që duhet t’i merrnin falas në spitalin shtetëror.
Në disa raste, pacientët përzgjidheshin nga listat e pritjes dhe devijoheshin qëllimisht, ndërsa personat përgjegjës përfitonin financiarisht.
Fillimisht, çështja u shqyrtua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vlerësuar nëse kishte elementë të korrupsionit të organizuar, por më pas iu kthye Prokurorisë së Tiranës.
Hetimet treguan se një aparaturë e rëndësishme për trajtimin e pacientëve me kancer (kobalto-terapia) në QSUT nuk u vu kurrë në funksion, për shkak të mungesës së infrastrukturës së sigurisë (bunker anti-radioaktiv). Pajisja u instalua në kushte të papërshtatshme dhe mbeti e papërdorur që nga viti 2021, duke krijuar edhe rrezik për personelin.
Po kështu, u zbulua gjithashtu se një koordinator i spitalit orientonte në mënyrë të paligjshme pacientët drejt klinikave private për trajtime që duhet të ofroheshin falas në spitalin shtetëror, duke përfituar financiarisht nga kjo skemë.
Për këtë përgjegjësia bie mbi administratoren e Spitalit Onkologjik në QSUT, Alketa Pere dhe zv.drejtoresha e QSUT-së Brikena Qirjazi, të cilat sipas Prokurorisë nuk kanë marrë masa për parandalimin e kësaj situate duke privuar pacientët nga trajtimi i duhur dhe duke kufizuar alternativat mjekësore.
Një specialiste në QSUT akuzohet se hartoi një ekspertizë të pasaktë për burimet radioaktive, duke çuar në blerjen e një pajisjeje që nuk u përdor kurrë dhe që shkaktoi gjithashtu dëm ekonomik për shtetin.
Ndërkohë, administratori i “Flori Farma”, Florian Marku, njëherazi farmacist, dyshohet se ka kontrabanduar ilaçin “Valamor,” teksa Halil Gashi, administrator i klinikës Megis, dyshohet për punësim të paligjshëm dhe fshehje aktiviteti tregtar.
Spitali Onkologjik është vënë shpesh në qendër të akuzave për abuzime të rënda dhe rrezikim të jetës së pacientëve. Në tetor 2025, një raport i KLSH-së evidentoi probleme serioze, si barna të skaduara, aparatura jashtë funksioni dhe shërbime të pamjaftueshme, duke rrezikuar trajtimin e pacientëve.
Në verën e vitit 2024, një sërë protestash kulmuan para Ministrisë së Shëndetësisë, ku institucioni u etiketua nga protestuesit si “Ministria e Vdekjes”. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësitë për ngjarjen që çoi në shkarkimin dhe hetimin e shtatë mjekëve dhe specialistëve, duke i cilësuar ata “zullumqarët e shëndetit”.
Në të njëjtën periudhë u diskutua edhe për mundësinë e dhënies së autorizimeve për mjekët e sektorit publik që të punojnë në klinika private, një masë për të cilën mbetet e paqartë niveli i zbatimit.
Lexoni gjithashtu:
- Skandali i Onkologjikut, sërish protesta tek “Ministria e Vdekjes”
- Onkologjiku: KLSH ekspozon mungesa në barna, staf dhe pajisje
The post 6 të pandehur për skemën e zhvatjes ndaj pacientëve me kancer te Onkologjiku appeared first on Citizens.al.