Normal view

Received — 30 July 2026 Revista Monitor

Kosova regjistron më pak biznese të reja, rënie mbi 5% brenda një viti

30 July 2026 at 15:30

Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë ka vazhduar të shënojë rënie edhe gjatë muajit qershor 2026, duke reflektuar një ngadalësim të ritmit të hapjes së bizneseve.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se regjistrimet e reja kanë rënë si në krahasim me muajin paraprak, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, në muajin qershor janë regjistruar gjithsej 1.092 ndërmarrje të reja, ose 1,4 për qind më pak krahasuar me muajin maj 2026.

Rënia është edhe më e theksuar në krahasim me qershorin e vitit 2025, kur numri i bizneseve të reja rezulton të jetë 5,1 për qind më i ulët.

Pavarësisht rënies së përgjithshme, sektori i tregtisë vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më tërheqës për sipërmarrësit.

Gjatë qershorit, 242 ndërmarrje, ose 22,2 për qind e totalit të bizneseve të reja, janë regjistruar në aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe riparimit të automjeteve dhe motoçikletave.

Pas tregtisë, numri më i madh i regjistrimeve është evidentuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit, me 124 ndërmarrje ose 11,4 për qind të totalit. Në vendin e tretë renditet ndërtimtaria me 121 ndërmarrje ose 11,1 për qind, ndërsa aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike përbëjnë 114 ndërmarrje, ose 10,4 për qind të regjistrimeve të reja.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se bizneset e reja vazhdojnë të jenë pothuajse ekskluzivisht mikro-ndërmarrje. Nga 1.092 ndërmarrjet e regjistruara në qershor, 1.088 i përkasin kategorisë me 0 deri në 9 të punësuar, ndërsa vetëm katër janë regjistruar si ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 punëtorë. Gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe, çka tregon se investimet në biznese me kapacitete më të mëdha vazhdojnë të mungojnë.

Edhe forma ligjore e organizimit mbetet pothuajse e pandryshuar. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (Sh.P.K.) dominojnë bindshëm me 78,57 për qind të të gjitha regjistrimeve të reja, ndërsa bizneset individuale përbëjnë 20,88 për qind.

Format e tjera ligjore, si kompanitë e huaja, shoqëritë aksionare, ndërmarrjet publike, kooperativat bujqësore apo zyrat e përfaqësisë, kanë një pjesëmarrje minimale ose nuk kanë pasur fare regjistrime gjatë muajit qershor.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, rajoni i Prishtinës vazhdon të dominojë me 536 ndërmarrje të reja, që përfaqësojnë 49,1 për qind të totalit. Pas tij renditen Ferizaj me 115 ndërmarrje (10,5%), Prizreni me 109 (10%), Gjilani me 97 (8,9%), Peja me 90 (8,2%), Mitrovica me 85 (7,8%) dhe Gjakova me 60 ndërmarrje, ose 5,5 për qind të totalit.

Në nivel vendi rënia ishte prej 16 bizneve, por disa qendra shënuan rritje: Prishtina kaloi nga 523 në 536 regjistrime, Peja nga 76 në 90, Gjilani nga 86 në 97 dhe Ferizaj nga 110 në 115.

Në anën tjetër, ulje u vunë re në Gjakovë (nga 83 në 60), Prizren (nga 130 në 109) dhe Mitrovicë (nga 100 në 85). Kryeqyteti vazhdon të përqendrojë peshën kryesore të ekonomisë vendase, duke mbuluar 49,1% të gjithë regjistrimeve të qershorit.

Pavarësisht luhatjeve rajonale, struktura e bizneseve sipas madhësisë mbetet pothuajse e pandryshuar, e dominuar plotësisht nga mikro-ndërmarrjet.

Nga 1 mijë e 92 biznese të regjistruara në qershor, 1 mijë e 88 kanë nga 0 deri në 9 të punësuar, kurse vetëm 4 hyjnë në kategorinë 10 deri 49 punëtorë. Asnjë ndërmarrje e madhësisë së mesme apo të madhe nuk u regjistrua gjatë muajit.

 

 

The post Kosova regjistron më pak biznese të reja, rënie mbi 5% brenda një viti appeared first on Revista Monitor.

Euro përsëri në rënie, kursi me Lekun prek minimum të ri historik

30 July 2026 at 14:58

Kursi i këmbimit Euro-Lek po karakterizohet nga presione të vazhdueshme në rënie dhe preku ditën e enjte një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 93.57 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros ka rënë me 3.3%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 4.1%.

Sipas agjentëve të këmbimit, kursi vazhdon të ndikohet nga oferta e lartë e valutës, e lidhur kryesisht me sezonin turistik. Gjysma e dytë e muajit korrik dhe gjysma e parë e muajit gusht shënojnë pikun e sezonit turistik; rrjedhimisht edhe efekti më i fortë sezonal në kursin e këmbimit. Në këtë fazë, forcimi i presioneve rënëse mbi kursin e Euros është një tendencë pak a shumë normale.

Megjithatë, ajo që është vërejtur në vitet e fundit është një rënia e vazhdueshme e Euros edhe jashtë sezonit veror, që sinjalizon një rritje të vazhdueshme të ofertës valutore në ekonominë shqiptare.

Për aq sa tregojnë statistikat zyrtare, kjo mund të shpjegohet sidomos me rritjen e vazhdueshme të të ardhurave nga turizmi dhe shërbimet, por edhe me rritjen e investimeve nga jashtë, sidomos në pasuri të paluajtshme.

Bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar dhe shënoi deficitin më të ulët historik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 2025 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 178 milionë eurove, 70% më pak krahasuar me vitin 2024.

Megjithatë, në publik vazhdon të ekzistojë një perceptim i fortë se prurjet valutore janë të lidhura në një masë të madhe edhe me aktivitetet kriminale. Zbulimi i disa skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit nga Prokororia e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e mbështet këtë perceptim.

Pjesërisht, rënia e Euros kundrejt Lekut besohet se po nxitet edhe nga një tendencë në tkurrje e ofertës së monedhës vendase në tregun e brendshëm, kryesisht për shkak të politikës fiskale të ndjekur nga Qeveria Shqiptare. Në vitet e fundit, buxheti po qëndron në suficit për pjesën më të madhe të vitit. Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këta faktorë po ushtrojnë presion të vazhdueshëm në zhvlerësimin e Euros dhe në forcimin e monedhës vendase. Që prej vitit 2024, Banka e Shqipërisë po përpiqet nga zbusë ritmin e forcimit të lekut, nëpërmjet blerjeve të mëdha të valutës në tregun e brendshëm.

Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të 3-mujorit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjen kishin vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit.

Megjithatë, as ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot plotësisht rënien e kursit të Euros. Me inflacionin që po shfaq tendenca të dukshme në rritje, edhe hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të vijuar blerjet intensive të valutës po ngushtohen. Në qershor, inflacioni arriti në 3.2%, ndërsa përbërësi i inflacionit bazë arriti në 3.5%.

The post Euro përsëri në rënie, kursi me Lekun prek minimum të ri historik appeared first on Revista Monitor.

Propozimi i PS për reformën territoriale: Ulet numri i bashkive nga 61 në 46

30 July 2026 at 14:54

Partia Socialiste ka zyrtarizuar në Kuvend projektligjin për Reformën e re Administrativo-Territoriale. Nisma parashikon uljen e numrit të përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive më të vogla me qendra më të mëdha administrative.

Ky propozim vjen në një kohë kur debati mbi efikasitetin e decentralizimit të vitit 2014 ka qenë në qendër të vëmendjes politike dhe ekonomike.

Për vite me radhë, institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët e pushtetit vendor kanë ngritur shqetësimin se shumë prej 61 bashkive të krijuara në reformën e kaluar vuajnë nga mungesa e të ardhurave të veta, kapacitetet e pamjaftueshme administrative dhe mbështetja e lartë financiare nga buxheti qendror.

Mazhoranca synon që përmes këtij konsolidimi të ri të adresojë pikërisht këto sfida, duke ulur shpenzimet administrative dhe duke i dhënë frymëmarrje investimeve publike në nivel lokal.

Sipas draftit të dorëzuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, skema tradicionale zëvendësohet me konceptin e ri Bashki-Qytet-Njësi Administrativet.

Ky model ruan bashkinë si e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore me një buxhet, një këshill dhe një kryetar, por krijon nivelin e ri organizativ të Qytetit për të garantuar më shumë përfaqësim, duke çuar në total numrin e tyre në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.

Në paketën e ndryshimeve, 28 bashki ekzistuese konsolidohen në 13 bashki të reja, ndërsa 15 bashki humbasin statusin e tyre të deritanishëm për t’iu bashkuar bashkive fqinje.

Konkretisht, procesi i shkrirjes prek Fushë-Arrëzin, Klosin që i bashkohet Matit, Rrogozhinën, si dhe Dimalin e Poliçanin që kalojnë nën administrimin e Beratit.

Po ashtu, Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka i bashkohet Lushnjës, ndërsa në jug dhe qendër të vendit parashikohet bashkimi i Selenicës me Vloren, Maliqit me Korçën, Këlcyrës me Përmetin, Memaliajt me Tepelenën, Libohovës me Gjirokastrën, Cërrikut dhe Belshit me Elbasanin, si dhe Përrenjasit që i bashkohet Librazhdit.

Propozimi i socialistëve është përcjellë tashmë për njohje dhe konsultim edhe te kryetarët e bashkive dhe këshillat përkatës.

Për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta në buxhetet vendore, përfaqësimin politik lokal dhe afërsinë e shërbimeve për qytetarët, ky ndryshim pritet të shoqërohet me debate të forta në Kuvend dhe tryezat e interesit gjatë muajve në vijim.

The post Propozimi i PS për reformën territoriale: Ulet numri i bashkive nga 61 në 46 appeared first on Revista Monitor.

Eurostat: 53% e familjeve shqiptare nuk bëjnë dot një javë pushime, të dytët në Europë

30 July 2026 at 13:34

Shqipëria është e rrethuar nga dete, liqene dhe alpe mahnitëse, por më shumë se gjysma e familjeve në vendin tonë nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime në vit larg banesës së tyre, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të privimit ekonomik në Europë.

Sipas të dhënave të Eurostat, që për Europën i takojnë vitit 2025, dhe Shqipërisë vitit 2023, rreth 53% e familjeve në Shqipëri nuk mund të përballojnë një javë pushime. Shqipëria renditet e dyta, pas Rumanisë, ku kjo përqindje kalon 60%.

Pas Shqipërisë renditen Turqia, me rreth 51%, Maqedonia e Veriut, me afërsisht 48%, dhe Greqia, me rreth 47%. Të dhënat tregojnë se pamundësia për të bërë pushime është veçanërisht e përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.

Në këtë tregues, Shqipëria është shumë më dobët edhe se Rajoni. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari përqindja arrin afërsisht në 39%. Italia regjistron një nivel prej rreth 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32-33%.

Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse sa gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se pamundësia për të kryer një javë pushime prek proporcionalisht gati dy herë më shumë familje shqiptare sesa në BE.

Në vendet me të ardhura më të larta, përqindja është dukshëm më e ulët. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi, niveli zbret në rreth 12-13%.

Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk kanë mundësi të kryejnë një javë pushime, si dhe në Luksemburg, me rreth 11%.

Pozicioni i Shqipërisë reflekton nivelin e ulët te të ardhurave të familjeve dhe hapësirën e kufizuar që mbetet për shpenzime jo të domosdoshme, pasi përballohen kostot e ushqimit, strehimit, energjisë dhe transportit.

Edhe pse pushimet nuk konsiderohen shpenzim bazë, pamundësia për t’i financuar përdoret si një tregues i rëndësishëm i standardit të jetesës dhe i privimit material.

Treguesi i Eurostat nuk mat nëse një person ka shkuar realisht me pushime, por nëse familja ka mundësi financiare të paguajë një javë larg shtëpisë. Pushimet mund të bëhen brenda ose jashtë vendit.

Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk konsiderohet automatikisht e privuar.

The post Eurostat: 53% e familjeve shqiptare nuk bëjnë dot një javë pushime, të dytët në Europë appeared first on Revista Monitor.

Ngrihet Instituti i Tumoreve, hiqet pragu moshor për check-up, dy shërbime i kalojnë shtetit

30 July 2026 at 13:14

Qeveria miratoi ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, i pari i këtij lloji në vend, i cili do të ndërthurë trajtimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirqenies Sociale, Evis Sala, tha pas mbledhjes së qeverisë se institucioni do të ndërtohet sipas modeleve europiane, duke marrë si referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano.

“Shqipëria, për herë të parë, do të ketë një Institut Kombëtar të Tumoreve sipas modeleve europiane. Kemi marrë si shembull modelin e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano,” tha Sala.

Instituti do të ketë tri fusha kryesore veprimi. E para do të jetë klinike dhe do të përfshijë kirurgjinë, kimioterapinë dhe radioterapinë. Dy fushat e tjera do të jenë mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, ky i fundit i pari i këtij lloji në vend.

Brenda strukturës kërkimore do të ngrihet një njësi për studimet klinike, e cila do t’u krijojë mundësi pacientëve të përfshihen në studime ndërkombëtare.

“Njësia e studimeve klinike ka rëndësi të veçantë, sepse u mundëson pacientëve të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare,” tha ministrja.

Sipas Salës, përfshirja e institutit në rrjetin europian të qendrave shkencore do të krijojë gjithashtu mundësi për përfitimin e fondeve europiane për barna dhe teknologji.

“Duke qenë pjesë e rrjetit europian të qendrave shkencore, do të kemi mundësi të përfitojmë fonde europiane si për barna, ashtu edhe për teknologji,” tha ajo.

Instituti do të shërbejë edhe si qendër koordinuese për rrjetin e pikave të trajtimit. Aktualisht funksionojnë tetë pika, ndërsa një e nëntë pritet të hapet në Fier.

Hiqet kufiri i moshës për check up, dializa dhe check up i kalojnë shtetit

Qeveria miratoi gjithashtu heqjen e kufirit të sipërm të moshës për programin e kontrollit bazë shëndetësor. Çdo qytetar nga mosha 35 vjeç e lart do të ketë të drejtë ta përfitojë shërbimin falas.

“Për herë të parë hiqet tavani moshor për shërbimin e check-up-it. Çdo qytetari të moshës 35 vjeç e sipër do t’i ofrohet kontrolli falas,” tha Sala.

Sipas saj, duke nisur nga shtatori, shërbimi do të përfshijë edhe qytetarët mbi 70 vjeç.

Një tjetër vendim lidhet me kalimin e shërbimeve të check-up-it dhe dializës nën administrimin e shtetit. Kontratat aktuale, të ofruara nga koncesionarët, përfundojnë përkatësisht në shtator dhe nëntor.

“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti,” tha ministrja.

 

The post Ngrihet Instituti i Tumoreve, hiqet pragu moshor për check-up, dy shërbime i kalojnë shtetit appeared first on Revista Monitor.

Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm, në rënie për gjysmën e parë të vitit

30 July 2026 at 13:00

Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm publik ishte në rënie edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të qershorit ra në 4.18%, nga 4.23% që kishte qenë në fund të vitit 2025 dhe 4.3% që kishte qenë një vit më parë.

Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.3%, nga 4.35% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët që prej vitit 2022, kur kriza inflacioniste që nxiti konflikti në Ukrainë solli një rritje të fortë të normave të interesit në tregjet financiare.

Megjithatë, rënia e yield-it mesatar është shtrirë kryesisht në tremujorin e parë të vitit. Në tremujorin e dytë, rënia pothuajse është frenuar (4.18% në fund të 6-mujorit nga 4.19% në fund të 3-mujorit).

Kjo mund të shpjegohet pjesërisht me korrektimin nga nivelet mjaft të ulëta ku yield-et patën arritur në periudhën janar-shkurt, por reflekton edhe forcimin e pritshmërive inflacioniste, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimit të naftës që prej fillimit të muajit mars. Kjo solli një zhvendosje të lehtë në rritje të yield-eve gjatë tremujorit të dytë, sidomos për titujt e borxhit afatgjatë.

Sidoqoftë, në terma mesatarë yield-i i borxhit vazhdon të pësojë rënie, megjithëse Ministria e Financave ka vijuar të rrisë maturitetin mesatar, nëpërmjet shtimit të peshës specifike të instrumenteve afatgjata në strukturën e huamarrjes së re.

Në fund të qershorit, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit më tej në 1179 ditë, nga 1002 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2025.

Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe si një mënyrë për të shfrytëzuar normat përgjithësisht të ulëta të interesit.

Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund të tremujorit të dytë 2026 arriti në 804 miliardë lekë,  me një rritje modeste të vlerës nominale prej 2.5% krahasuar me një vit më parë.

Në terma realë, borxhi i brendshëm publik vlerësohej sa 29.1% e PBB-së, në rënie nga niveli prej 30.48% që kishte qenë një vit më parë.

Gjithmonë sipas Ministrisë së Financave, borxhi publik total në fund të tremujorit të dytë të këtij viti ishte sa 49.02% e PBB-së, nga 54.02% që vlerësohej një vit më parë.

The post Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm, në rënie për gjysmën e parë të vitit appeared first on Revista Monitor.

Qeveria lehtëson industrinë e mbrojtjes dhe i hap rrugë Fincantieri-t në Pashaliman

30 July 2026 at 12:53

Qeveria miratoi një paketë aktesh për fushën e mbrojtjes, që përfshin ndryshime në trajtimin e TVSH-së për kompanitë e industrisë ushtarake, vënien e kantierit të vjetër të Pashalimanit në dispozicion të Fincantieri-t dhe angazhime të reja të Forcave të Armatosura në misione jashtë vendit.

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi tha pas mbledhjes së qeverisë këtë të enjte se ndryshimet në ligjin për TVSH-në synojnë të lehtësojnë procedurat për kompanitë dhe ndërmarrjet me të cilat janë lidhur marrëveshje në industrinë e mbrojtjes.

“Ndryshimi në ligjin për TVSH-në do të mundësojë vijimin e procedurave për kompanitë dhe ndërmarrjet me të cilat kemi lidhur marrëveshje në industrinë e mbrojtjes, si dhe angazhimin e tyre konkret për sjelljen e teknologjisë së fjalës së fundit në Shqipëri,” tha ministri.

Sipas tij, lehtësimi synon të mbështesë ngritjen dhe zhvillimin e fabrikave dhe kompanive për prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Një tjetër vendim lidhet me projektaktin për mbylljen e kantierit të vjetër të Pashalimanit dhe vënien e tij në dispozicion të kompanisë italiane Fincantieri.

“Ky akt i hap rrugën zhvillimit të kantierit detar dhe një bashkëpunimi tregtar me Fincantieri-n, së bashku me shoqërinë KAYO, në kuadër të një sipërmarrjeje të përbashkët,” tha ministri.

Sipas tij, në kantier parashikohet të prodhohen anije me gjatësi deri në 82 metra. Ministri tha gjithashtu se kantieri ka prodhuar më herët anije në Shqipëri, ndërsa projekti i ri synon zgjerimin e aktivitetit të tij përmes bashkëpunimit me Fincantieri-n.

Qeveria miratoi edhe angazhimin e Shqipërisë në një mision në Gaza. Përfaqësimi fillestar do të përbëhet nga katër oficerë shtabi.

“Shqipëria do të ketë një përfaqësi me katër oficerë shtabi. Pas vlerësimit të angazhimit në forcën ndërkombëtare stabilizuese do të vendoset edhe niveli i trupave që mund të dërgohen në Gaza,” tha ministri.

Në mbledhje u miratua gjithashtu një vendim për misionin e Forcave të Armatosura në Letoni, pa u dhënë hollësi të mëtejshme mbi përmasën ose kohëzgjatjen e angazhimit.

Kabineti autorizoi edhe shpërblime për zjarrfikësit, forcat e mbrojtjes dhe efektivët e angazhuar në operacionet kundër zjarreve.

Sipas ministrit, gjatë situatës së zjarreve kete vit janw menaxhuar 27 vatra masive, me angazhimin e më shumë se 1.380 forcave, pesë helikopterëve dhe 90 mjeteve aktive.

 

The post Qeveria lehtëson industrinë e mbrojtjes dhe i hap rrugë Fincantieri-t në Pashaliman appeared first on Revista Monitor.

ASHK: Pas shlyerjes së kredisë duhet të kërkoni fshirje të hipotekës

30 July 2026 at 12:00

Shlyerja e plotë e një kredie nuk garanton që hipoteka hiqet automatikisht nga regjistrat e pronës. Agjencia Shtetërore e Kadastrës paralajmëron se barra mund të vazhdojë të figurojë në dokumentacionin e pasurisë derisa pronari të kryejë procedurën e posaçme për fshirjen e saj.

Kjo do të thotë se përfundimi i marrëdhënies financiare me bankën ose kreditorin nuk e përditëson vetvetiu kartelën e pasurisë. Për ta pasqyruar ndryshimin në regjistër, qytetarët duhet të aplikojnë për fshirjen e hipotekës dhe më pas të pajisen me kartelë të përditësuar të pronës.

Aplikimi kryhet online në portalin e-Albania, përmes shërbimit “Aplikim për fshirjen e hipotekës kontraktore, gjyqësore apo ligjore”.

Sipas njoftimit të ASHK-së, dokumenti kryesor që duhet paraqitur është akti noterial për fshirjen e hipotekës. Kur aplikimi bëhet nga një person tjetër në emër të pronarit, kërkohet gjithashtu prokurë ose akt përfaqësimi.

Procedura është e nevojshme për të harmonizuar gjendjen reale të detyrimit me të dhënat zyrtare të pronës. Pa këtë hap, hipoteka mund të mbetet aktive në regjistër edhe pse kredia është paguar plotësisht, duke lënë kartelën e pasurisë të papërditësuar.

 

The post ASHK: Pas shlyerjes së kredisë duhet të kërkoni fshirje të hipotekës appeared first on Revista Monitor.

Prill-qershor, ulen me 0.9% regjistrimet e reja të automjeteve prej bllokimit të Hormuzit

30 July 2026 at 11:43

Bllokimi i ngushticës së Hormuzit dha efekt edhe te tregtia e auto-veturave, të cilat kanë shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit edhe pse numri i mjeteve në qarkullim shënoi rekord të ri me rreth 1,1 milionë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë prill-qershor 2026 sektori i transportit rrugor ka shënuar një rritje vjetore prej 9,0% në numrin total të mjeteve në qarkullim, ndërsa regjistrimet e mjeteve të reja për herë të parë kanë pësuar ulje prej 0,9%, si rrjedhoje e efekteve negative që dha në transportin ndërkombëtar të mallrave bllokimi i ngushticës së Hormuzit.

Në sektorin e transportit detar, volumi i përgjithshëm i mallrave të përpunuara në Portin e Durrësit është rritur me 9,9%, numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 6,5%, ku anijet e huaja shënuan një rritje vjetore prej 9,1%, dhe volumi i përgjithshëm i mallrave të tregtuara me det ka shënuar një rritje vjetore prej 1,2%.

Ndërkohë, sektori i transportit hekurudhor ka shënuar zhvillime negative në terma vjetorë, ku volumi i mallrave të transportuara në ton ka rënë me 13,8%, ndërsa treguesi i volumit në ton-kilometër ka pësuar një ulje vjetore prej 15,1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit paraardhës.

Transporti rrugor, numri i mjeteve në qarkullim rreth 1,1 milionë

Sektori i transportit rrugor vijon të përbëjë volumin më të madh të lëvizshmërisë në vend. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, numri i mjeteve rrugore në qarkullim arriti në 1.092.726 mjete, ku auto-veturat zënë pjesën dërrmuese me 80,7% të totalit, të ndjekura nga motorët me 6,3% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.

Nga ana gjeografike, Qarku i Tiranës kryeson bindshëm me 34,8% të mjeteve gjithsej, ndjekur nga Durrësi me 13,7%, ndërsa qarqet me përqendrimin më të ulët mbeten Gjirokastra me 2,1% dhe Kukësi me 2,4%.

Sa i takon regjistrimeve të reja për herë të parë, gjatë kësaj periudhe u regjistruan 26.738 mjete, prej të cilave 78,7% ishin auto-vetura, ku markat më të preferuara për blerësit shqiptarë mbeten Volkswagen me 16,4% dhe Mercedes Benz me 14,0% të tregut të regjistrimeve të reja.

Rritet aktiviteti në transportin detar

Transporti detar ka shënuar një aktivitet të qëndrueshëm përmes katër porteve kryesore tregtare të vendit, ku Porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e transportit të mallrave me 94,2% të volumit total të trajtuar, e cila përkthehet në 2.267 mijë ton mallra.

Lëvizja e përgjithshme e pasagjerëve përmes porteve detare arriti në 336.103 persona gjatë këtij tremujori, me Portin e Sarandës që mbajti peshën kryesore të udhëtarëve me 60,6% të totalit, i ndjekur nga Porti i Durrësit me 34,9% dhe Porti i Vlorës me 4,5%.

Për sa i përket tregtisë ndërkombëtare detare, volumi i mallrave të eksportuara dhe importuara nëpërmjet detit preku shifrën e 1.555 mijë tonëve, ku strukturat e mallrave të transportuara dominohen nga metalet bazë, produktet e rafinuara të naftës dhe mineralet jo-metalike.

Transporti hekurudhor. drejt shuarjes

Infrastruktura hekurudhore në shfrytëzim në territorin e vendit shtrihet në një gjatësi prej 253 kilometrash, duke përfshirë linjat funksionale nga Kufiri në Gjorm, Durrës-Elbasan, Rrogozhinë-Fier dhe Fier-Vlorë.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet shinave hekurudhore regjistroi një total prej 103,7 mijë tonësh.

Struktura e mallrave të transportuara me hekurudhë dominohet pothuajse plotësisht nga grupi i qymyrit, linjitit, naftës bruto dhe gazit natyror, të cilat zënë 91,9% të totalit të mallrave hekurudhore, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet nga lëndët e para të ricikluara dhe mbetjet e ngurta bashkiake.

The post Prill-qershor, ulen me 0.9% regjistrimet e reja të automjeteve prej bllokimit të Hormuzit appeared first on Revista Monitor.

Transporti ajror vijon ngjitjen, pasagjerët rriten me 26,4% në tremujorin e dytë

30 July 2026 at 11:23

Transporti ajror i pasagjerëve në vend u rrit me ritme dyshifrore në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa volumi i mallrave dhe postës shënoi rënie.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës prill-qershor udhëtuan me linja ajrore 3.858.055 pasagjerë, nga 3.052.511 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 26,4%.

Në transportin ajror operuan 33 shoqëri ajrore të huaja, krahasuar me 29 në tremujorin e dytë të vitit 2025. Numri i fluturimeve arriti në 23.216, nga 18.458 një vit më parë.

Në hapësirën ajrore shqiptare fluturuan gjithsej 121.684 avionë. Prej tyre, 98.468 ishin mbikalime, ose 80,9% e totalit, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga fluturimet e raportuara në vend.

Rritja e numrit të pasagjerëve nga i vetmi aeroport në vend siç është ai Ndërkombëtar i Tiranës po vijon prej kohësh një trajektore në ngjitje si efekt i shtimit të numrit të detinacioneve që mbulohen nga linjat low cost por edhe nga një ecuri e mirë e turizmit në vend ku Shqipëria ka vijuar të jetë në qendër të promovimit ndërkombëtar.

Në kahun tjetër, transporti ajror i mallrave dhe postës u tkurr. Volumi i hyrjeve dhe daljeve arriti në 704 tonë, me rënie 11,9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

Mallrat dhe posta e hyrë përbënin 74,6% të volumit të përgjithshëm, ndërsa mallrat dhe posta e dalë zinin 25,4%.

Edhe tregtia e mallrave me ajër shënoi rënie. Volumi i importeve dhe eksporteve arriti në 556 tonë, ose 4,7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, mallrat e importuara me ajër përbënin vetëm 0,02% të volumit të përgjithshëm të mallrave të importuara në vend.

 

The post Transporti ajror vijon ngjitjen, pasagjerët rriten me 26,4% në tremujorin e dytë appeared first on Revista Monitor.

BB: Shqipëria, me boshllëqe të mëdha në infrastrukturë, investimet japin kthim të lartë

30 July 2026 at 11:00

Boshllëqet e mëdha në rrugë, hekurudha dhe energji e bëjnë Shqipërinë ndër vendet ku investimet e reja në infrastrukturë mund të japin kthim të lartë në krahasim me vendet e tjera të Europës dhe Rajonit.

Sipas studimit të fundit të Bankës Botërore, “Bazat e infrastrukturës: Nga asetet ekzistuese drejt rritjes së ardhshme”, Shqipëria ka një raport eficience prej 4.39 në energji dhe 2.22 në transport.

Kjo do të thotë se për çdo 1 lek të shpenzuar për investime në energji, kthimi i përgjithshëm në ekonomi mund të arrijë rreth 4.4 lekë, ndërsa për çdo 1 lek të investuar në transport, kthimi mund të jetë rreth 2.2 lekë.

Ky kthim përfaqëson përfitimin e përgjithshëm që merr ekonomia, përmes rritjes së prodhimit, uljes së kostove, kursimit të kohës, lidhjes më të mirë me tregjet dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Banka e quan këtë tregues raporti i eficiencës së investimeve në infrastrukturë. Ai krahason përfitimet ekonomike dhe sociale që sjell një investim me kostot e financimit dhe konsumimit të tij gjatë kohës. Kur raporti është mbi 1, përfitimet e mundshme janë më të larta se kostot.

Raporti i lartë nuk do të thotë se Shqipëria ka infrastrukturë më të zhvilluar, përkundrazi lidhet me faktin ekonomia mbetet e nën-zhvilluar nga mungesa e infrastrukturës.

Banka shpjegon se kthimi nga investimet në transport është zakonisht më i lartë në vendet në zhvillime pasi ato kanë më pak infrastrukturë dhe çdo projekt i ri plotëson një mungesë më të madhe.

Në vendet e zhvilluara, rrjetet rrugore dhe hekurudhore janë tashmë të dendura. Për këtë arsye, një investim shtesë sjell zakonisht një ndryshim më të vogël, por ne vendin tonë për shkak të boshllëqeve të mëdha ndikimi ekonomik i një projekti të ri mund të jetë shumë më i fortë.

Me një raport eficience prej 2.22, Shqipëria paraqet kthim potencial më të lartë nga investimet në transport sesa vendet e Rajonit. Në Bosnjë-Hercegovinë, raporti i eficiencës së transportit është vetëm 0.77. Kjo do të thotë se kthimi i vlerësuar ekonomik është më i ulët se kostoja e investimit në kushtet aktuale të financimit.

Shqipëria ka një tregues pothuajse tri herë më të lartë. Në Bullgari, raporti është 0.82, ndërsa në Kroaci arrin në 1.02. Krahasuar me këto vende, raporti i Shqipërisë është rreth 2.7 herë më i lartë se në Bullgari dhe rreth 2.2 herë më i lartë se në Kroaci dhe rreth 2.9 herë më i lartë se në Bosnjë-Hercegovinë.

Edhe krahasuar me disa vende më të zhvilluara europiane, Shqipëria paraqet potencial më të lartë në transport, sepse nis nga një nivel më i ulët infrastrukture dhe ka boshllëqe më të mëdha për të mbushur.

The post BB: Shqipëria, me boshllëqe të mëdha në infrastrukturë, investimet japin kthim të lartë appeared first on Revista Monitor.

Mbulimi i popullsisë me shërbime bankare po përmirësohet

30 July 2026 at 10:00

Mbulimi i popullsisë me shërbime bankare ka shënuar përmirësim në dy vitet e fundit, i mbështetur nga rritja e degëve të bankave, por paralelisht edhe nga tendencat demografike negative.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar Shqipëria kishte një njësi fizike bankare (degë ose agjenci) për 5,792 banorë.

Numri mesatar i banorëve të shërbyer nga një njësi bankare ra me 16%. Njëkohësisht, numri mesatar i banorëve për njësi bankare ka arritur nivelin më të ulët që nga viti 2015.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025 numri i degëve të bankave arriti në 408, në rritje me tetë njësi krahasuar me një vit më parë.

Kjo shifër nuk përfshin degët e shtuara si rezultat i përthithjes së institucionit financiar jo-bankë NOA nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Numri i degëve të bankave u rrit për të dytin vit radhazi dhe ka arritur numrin më të lartë që prej vitit 2021.

Numri i degëve të bankave ka një përqendrim të lartë në qarkun e Tiranës, me afërsisht 46% të numrit të tyre total. Por, kjo i përgjigjet në një masë të madhe përqendrimit të lartë të popullsisë dhe të aktivitetit ekonomik në këtë qark.

Prania fizike e bankare në Shqipëri e ka shënuar nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet, edhe për faktin se cikli i rritjes së madhësisë së sektorit bankar u ndërpre.

Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Procesi u theksua më shumë pas vitit 2015, nga procesi i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ra nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

Por, në vitet e fundit, disa prej bankave të sektorit kanë nisur një cikël të zgjerimit të degëve, të lidhur me strategjitë e tyre të rritjes, veçanërisht në segmentin retail. Objektivat e bankave në fjalë janë veçanërisht të përqendruara në produktet e depozitave.

Zgjerimi i bazës së depozitave është thelbësor në rritjen e pjesës së tregut edhe në huadhënie dhe në aktivet e tjera në përgjithësi. Rritja e numrit të degëve është e lidhur me momentin pozitiv të sektorit bankar në periudhën pas pandemisë.

Performanca e mirë financiare ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e biznesit dhe të rrjetit të degëve.

Megjithatë, dixhitalizimi në rritje i shërbimeve dhe produkteve bankare po sjell në treg edhe modele të reja. Këtë vit në Shqipëri nisi veprimtarinë e para bankë ekskluzivisht dixhitale, pa asnjë degë fizike.

Nga ana tjetër, përmirëismi i mbulimit demografik me shërbime bankare është ndikuar edhe nga tkurrja e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Censi i fundit e vlerësoi popullsinë e vendit në 2.36 milionë banorë, në rnëie me 14.4% krahasuar me vlerësimin e mëparshëm.

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Mbulimi i popullsisë me shërbime bankare po përmirësohet appeared first on Revista Monitor.

Tirana, mes tregjeve më të shtrenjta, qiratë e zyrave në kulla arrijnë deri në 40 euro/m²

30 July 2026 at 06:03

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë po vijojnë të rriten në segmentin premium, ku në disa prej projekteve më të mëdha ato arrijnë deri në 40 euro për metër katror në muaj.

Sipas të dhënave nga tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme, nivelet më të larta të qirave regjistrohen në godinat e biznesit dhe kullat në zhvillim ose të sapopërfunduara në zonën e qendrës.

Konkretisht sipas të dhënave për Monitor, nga agjencia ndërkombëtare për pasuritë e paluajtshme “Colliers International Albania” në projektet pranë zonës së ish-Sheratonit (në fazë zhvillimi) çmimi maksimal i qirasë për zyra ka arritur 40 euro për metër katror, duke shënuar nivelin më të lartë në Tiranë.

Në komplekset e tjera, si “MET Tirana Building” çmimi ka arritur 33 euro për metër katror. Për 2025 çmimet e qirave për zyra, në këtë godinë varionin 20 deri 30 euro për metër katror. Ndërsa të kulla “Downtown One” çmimi maksimal zbret në 25 euro për metër katror nga 30 euro për metër katror që arriti në 2025.

Agjentët imobiliarë pohojnë se rritje të çmimeve janë shënuar në objektet si “ETC Business Toëer”, “Twin Towers” dhe “Ring Center”.

Stela Dhami nga agjencia imobiliare “Colliers Internacional Albania” thotë se rritja e kostove të ndërtimit, zhvlerësimi i euros, zhvillimet e reja urbane dhe kërkesa për standarde më të larta hapësirash pune janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në ecurinë e çmimeve në këtë segment të tregut.

Në këto projekte, çmimet e qirasë mbeten më të lartat në treg për shkak të lokacionit, standardeve të ndërtimit, administrimit profesional dhe shërbimeve të përbashkëta që ofrohen, ndërsa një pjesë e tyre vijon të jetë ende në faza ndërtimi apo përfundimi.

Burime nga tregu imobiliar theksojnë se kërkesa për hapësira zyrash moderne mbetet e qëndrueshme, veçanërisht nga kompani që kërkojnë ambiente në godina të reja dhe në zona qendrore biznesi.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të tregut të zyrave në Tiranë, qiratë mbeten më të ulëta dhe ndryshojnë sipas zonës dhe cilësisë së objektit, duke mos arritur nivelet e projekteve premium.

Tendenca rritëse e çmimeve për qiratë e zyrave në kulla pritet të sjellë një rritje të çmimit mesatar të qirasë për vitin 2026 për zonën e qendrës.

Në 6 mujori e dytë të 2025, sipas të dhënave të raportit të “Colliers Albania çmimet mesatare të qirave për ambientet e zyrave në zonat qendrore arritën 30 euro duke u barazuar me ato të Barcelonës dhe Pragës, dy tregje të konsoliduara në Europë.

Tirana u rendit jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian.

Në Tiranë çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Portugalia që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave për zyra në 2025 ishin më larta edhe sesa kryeqytetet e rajonit. Në zonat qendrore të Beogradit çmimet arritën 18 euro për metër katror në 6-mujorin e parë të 2025-s. Në Zagreb të Kroacisë çmimet janë 17.5 dhe në Sofje të Bullgarisë 16 euro për metër katror në muaj.

Tirana u pozicionua edhe ndër qytetet më të shtrenjta edhe për çmimet e qirave në zonat sekondare. Me një mesatare prej 19 euro për metër katror në muaj, kryeqyteti shqiptar në 2025 tejkaloi disa qytete të rajonit si Beogradi (15 euro), Zagrebi (13 euro) dhe Sofia (11 euro)./ D.Azo

 

https://monitor.al/cmimet-e-qirave-te-zyrave-ne-tirane-barazohen-me-barcelonen-si-po-ndikon-informaliteti/

 

 

The post Tirana, mes tregjeve më të shtrenjta, qiratë e zyrave në kulla arrijnë deri në 40 euro/m² appeared first on Revista Monitor.

e-Albania, shërbimet shtohen, por të moshuarit mbeten jashtë sportelit digjital

30 July 2026 at 06:01

Digjitalizimi i shërbimeve publike po zgjeron me shpejtësi bazën e përdoruesve mes moshave të reja dhe atyre aktive në punë, por po lë gjithnjë e më pas brezat e vjetër, duke thelluar atë që njihet si analfabetizmi digjital.

Të dhënat e fundit të INSTAT mbi shpërndarjen e individëve që ndër- veprojnë me autoritetet publike për shkarkimin apo printimin e formularëve zyrtarë në platformën qeveritare e-Albania, tregojnë për ndasi të fortë të strukturës së përdoruesve, ku grup-mosha mbi 55 vjeç ka peshën më të ulët nga totali i përdoruesve, edhe pse kjo përbën më shumë se 40 për qind të popullsisë së vendit

Gjatë vitit 2025, grup-moshat 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç përbëjnë 51 për qind të totalit të përdoruesve në E-albania në 2025.

Edhe grup-mosha 45-54 vjeç ka ruajtur një qëndrueshmëri të lartë, pasi përbën 23% të përdoruesve, çka tregon se popullsia aktive deri në prag të pensionit po arrin të përshtatet me shërbimet online. Ndërkohë, të rinjtë e moshës 16-24 vjeç mbajnë një peshë konstante prej rreth 15.4% të totalit të përdoruesve.

Shifrat zbulojnë një rënie dramatike të përdorimit të këtyre shërbimeve nga popullsia në prag pensioni dhe ajo pensioniste, duke konfirmuar vështirësitë e mëdha që këto fasha kanë për të përdorur platformat digjitale. Te grup-mosha 55-64 vjeç, pesha në shkarkimin e dokumenteve zyrtare është përgjysmuar brenda vitit, duke rënë nga 16.5% në vitin 2024 në vetëm 7.2% të totalit të përdoruesve në vitin 2025.

Situata mbetet edhe më kritike për të moshuarit e fashës 65-74 vjeç, të cilët përbëjnë vetëm 2.8% përdoruesve të E-albania në 2025. Ndërsa shërbimet bëhen ekskluzivisht online, moshat e vjetra po e gjejnë veten të përjashtuara apo të paafta për të kryer procedurat dhe duke u varur tërësisht nga ndihma e familjarëve ose e palëve të treta shpesh herë me kosto shumë të lartë për të siguruar qoftë edhe një certifikatë.

Me kalimin e plotë të shumë shërbimeve kryesore aplikuese në platformën e-Albania, të moshuarit nuk kanë më zgjedhje alternative. Kur një pjesë e tyre nuk ka mjetet ose njohuritë e mjaftueshme për të naviguar në sistem, ata thjesht nuk janë nga statistikat si përdorues direkte, duke ia deleguar këtë nevojë fëmijëve ose nipërve.

Kalimi drejt identifikimit të sigurt, përmes sistemeve më komplekse të hyrjes ose aplikacioneve celulare shpesh kërkon hapa që për këtë brez janë të ndërlikuar, si përdorimi i kodeve OTP (One-Time Password) nëpërmjet mesazheve ose e-mail-eve, të cilat rrisin barrierën e përdorimit.

Teksa moshat aktive në punë që trajnohen apo përdorin teknologjinë çdo ditë, pensionistët nga ana tjetër përballen me mungesë të pikave të asistencës publike apo kurseve të thjeshtëzuara për moshën e tretë, duke bërë që ritmi i përshtatjes së tyre të mos ndjekë dot përditësimet e platformave qeveritare./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

The post e-Albania, shërbimet shtohen, por të moshuarit mbeten jashtë sportelit digjital appeared first on Revista Monitor.

Kredia e ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në pesë vjet

30 July 2026 at 06:00

Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore ka arritur vlerën më të ulët që prej vitit 2021.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike ishte më pak se 14.8 miliardë lekë, në rënie me 29.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky portofol vazhdon të dominohet nga kredia për sektorin energjetik, që përbën më shumë se 94% të vlerës totale të huasë së ndërmarrjeve publike. Afërsisht 5% e portofolit është kredi për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht e ndërmarrjes së Tiranës.

Pjesa e sektorëve të tjerë në huanë e ndërmarrjeve publike është në vlera të papërfillshme.

Huamarrja e ndërmarrjeve shtetërore pranë bankave tregtare është përqendruar historikisht nga kreditë e kompanive të sektorit energjetik, kryesisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ndërmarrjeve të grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

Në përgjithësi, këto kredi kanë pasur si qëllim kryesor blerjen e energjisë elektrike nga importi. Ato janë të siguruara me garanci sovrane nga qeveria shqiptare.

Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre kredive vitin e kaluar u rifinancuan nëpërmjet një marrëveshjeje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që dha një hua për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Kredia është e garantuar nga qeveria shqiptare dhe sipas regjistrit të borxhit kishte një vlerë të mbetur prej 45.75 milionë eurosh në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

Projekti ka pasur synim të ristrukturimin e detyrimeve të OSHEE-së, duke i mundësuar kompanisë financimin indirekt të investimeve që klasifikohen si të gjelbra.

Ndërkohë, për shkak të kushteve më të favorshme hidrike, por edhe rënies së ndjeshme të çmimeve të energjisë në tregjet e huaja, nevojat për kredi të reja me qëllim financimin e importeve të energjisë duken të kenë qenë më të ulëta.

Rënia e vlerës së kredisë të ndërmarrjeve publike është ndikuar ndjeshëm edhe nga lëvizjet në kursin e këmbimit. Në pjesën më të madhe, portofoli i kredisë është në Euro dhe rënia e monedhës europiane në kursin e këmbimit me Lekun gjatë viteve të fundit ka ulur edhe vlerën e këtyre kredive.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e kredive të garantuara për kompanitë e sektorit energjetik ishte 6.35 miliardë lekë. Kjo shumë përbëhet gjithsej nga gjashtë kredi, të marrë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, te Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Tirana Bank. Kreditë në fjalë maturohen mes viteve 2026 dhe 2037./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Kredia e ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në pesë vjet appeared first on Revista Monitor.

Received — 29 July 2026 Revista Monitor

Intesa Sanpaolo me rezultate rekord dhe parashikime të reja

29 July 2026 at 17:15

Milano, 29 korrik 2026 – Intesa Sanpaolo shënoi gjashtëmujorin e saj më të mirë, me të ardhura neto prej 5.6 miliardë eurosh në gjysmën e parë të vitit 2026. Të ardhurat neto arritën në 2.8 miliardë euro në tremujorin e dytë, duke shënuar performancën më të mirë tremujore në historinë e Grupit. Të ardhurat neto u rritën me 6% nga viti në vit në gjysmën e parë dhe 7% në tremujorin e dytë.

Kthimi vjetor mbi kapitalin (ROE) arriti në 20%, ndërsa Kthimi vjetor mbi kapitalin e prekshëm (ROTE) qëndroi në 25%. Fitimet për aksion (EPS) u rritën me 9% nga viti në vit, duke konfirmuar aftësinë e Grupit për të ofruar rritje të qëndrueshme.

Përmirësimi i udhëzimeve dhe shpërndarja e aksionarëve

Bazuar në performancën e shkëlqyer gjashtëmujore, Intesa Sanpaolo përmirësoi parashikimet e saj për të ardhurat neto për vitin 2026 në më shumë se 10 miliardë euro.

Në gjashtë muajt e parë, Grupi shënoi një rritje të konsiderueshme të EPS, DPS dhe vlerës kontabël të prekshme për aksion. Një dividend i ndërmjetëm prej 3.8 miliardë eurosh do të paguhet në nëntor.

Për vitin 2026, Intesa Sanpaolo pret të kthejë rreth 9.4 miliardë euro për aksionarët përmes dividentëve dhe blerjeve të aksioneve.

“Intesa Sanpaolo vazhdon të renditet ndër bankat evropiane me shpërblimin më të lartë të aksionarëve”, tha z. Carlo Messina, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo.

Rritja e të ardhurave dhe momenti komercial

Gjysma e parë solli të ardhura rekord, marzh operativ dhe të ardhura bruto. Të ardhurat u rritën në të gjithë komponentët, të mbështetura nga modeli i biznesit i diversifikuar mirë i Grupit.

Të ardhurat neto nga interesi (TNJ) u rritën krahasuar me vitin e kaluar pavarësisht normave më të ulëta dhe u përshpejtuan fuqishëm në tremujorin e dytë. Udhëzimet për të ardhurat neto nga interesi u rritën në mbi 15 miliardë euro.

Momenti komercial mbeti i fortë, me kreditë për klientët që u rritën për të pestin tremujor radhazi dhe u rritën me 5% nga viti në vit, ndërsa depozitat u rritën me 7%. Asetet financiare të klientëve tejkaluan 1.5 trilion euro, me Asetet nën Menaxhim që u rritën me 49 miliardë euro.

Biznesi i Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Pasurisë vazhdoi të jepte rezultate të forta, me Komisione rekord në gjysmën e parë dhe tremujorin e dytë, së bashku me të ardhurat rekord nga Sigurimet. Komisionet u rritën me 5% në gjysmën e parë, ndërsa hyrjet bruto të Aseteve nën Menaxhim u rritën me 7%. Shërbimet këshillimore të Grupit vazhduan të vepronin si një stabilizues kundër ndikimit të paqëndrueshmërisë së tregut në tarifa, ndërsa fabrikat e produkteve të tij në pronësi të plotë mbeten një avantazh i qartë konkurrues.

“Ne ofruam më shumë se 44 miliardë euro kredi për të mbështetur familjet dhe bizneset”, u shpreh z. Messina.

Efikasiteti, cilësia e aseteve dhe kapitali

Raporti Kosto/Të Ardhura ishte 35.9%, më i ulëti ndonjëherë, gjithashtu falë investimeve në teknologji që po japin fryte. Kostot operative ranë me 1% nga viti në vit.

Transformimi teknologjik ofron fleksibilitet të mëtejshëm për të ulur Kostot dhe për të përshpejtuar ndryshimin gjenerativ të fuqisë punëtore pa kosto sociale dhe pa ndikim në të Ardhura.

Kostoja vjetore e riskut ishte 20 pikë bazë, me një rritje të fortë të mbulimit dhe pa mbivendosje të lëshuara. Grupi nuk raportoi shenja të përkeqësimit të cilësisë së aseteve.

Fluks kanë hyrë në kredive me probleme (NPL) ishin në nivelet më të ulëta historike, kreditë e tyre nuk kanë mbetur në portofolin e kredisë dhe mbrapsht të diversifikuar mirë.

Raporti i Kapitalit të Përbashkët ishte 13.1%, ose 13.8% duke përfshirë përfshirjen e DTA-së. Raportet MREL ishin më të mirat në klasën e tyre dhe raportet e likuiditetit mbetën shumë mbi objektivat e Planit të Biznesit.

Transaksioni “Monte dei Paschi di Siena”

Oferta për “Monte dei Paschi” është në rrugën e duhur. Transaksioni është një përshpejtues i madh i Planit të Biznesit dhe do të zgjerojë bazën e klientëve të Intesa Sanpaolo me gjashtë milionë klientë, ndërkohë që do të forcojë franchisën e saj në Financën e Konsumatorit dhe në Bankën e Korporatave dhe Investimeve, duke shfrytëzuar gjurmën ndërkombëtare të Mediobanca.

“Objektivi ynë është të krijojmë së bashku një Grup edhe më të fortë dhe më fitimprurës, duke luajtur një rol udhëheqës në një mjedis global gjithnjë e më kompleks”, u shpreh z. Messina.

Intesa Sanpaolo pret të ofrojë 2.9 miliardë euro në sinergji duke u mbështetur në aftësitë e saj të provuara të ekzekutimit dhe platformën e IT-së. Transaksioni pritet t’i mundësojë Grupit të arrijë objektivat e Planit të Biznesit tre vjet më parë, duke arritur 2 trilion euro në asete financiare të Klientëve deri në vitin 2029.

“Programi ynë i rekrutimit parashikon që 13,100 të rinj t’i bashkohen Grupit”, shtoi z. Messina.i rezultat, Grupi pret të gjenerojë më shumë se 16 miliardë euro të ardhura neto në vitin 2029, me një rritje të fortë të EPS, DPS dhe shpërndarjes së kapitalit për aksion dhe pa rrezik integrimi.

The post Intesa Sanpaolo me rezultate rekord dhe parashikime të reja appeared first on Revista Monitor.

Sondazhi i NDI-së: Rritet pesimizmi, një në katër qytetarë do të largohet nga Kosova

29 July 2026 at 15:33

Sondazhi i ri i NDI-së tregon se 38 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa dëshira për emigrim është rritur nga 16 në 28 për qind krahasuar me fundin e vitit 2024. Tendenca është dukshëm më e theksuar te të rinjtë, ku gati gjysma e grupmoshës 18–24 vjeç deklarojnë se do të largoheshin nga vendi po ta kishin mundësinë.

 

NDI Zyra në Kosovë ka bërë një sondazh të ri, i realizuar me 1,200 qytetarë të rritur në gjithë Kosovën, ndërmjet 15 prillit dhe 5 majit 2026, i publikuar sot.

Rezultatet janë përcaktuar në bazë të gjinisë, rajonit dhe moshës, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024.

Sipas gjetjeve kryesore, qytetarët e Kosovës janë bërë më pesimistë për drejtimin e vendit, ndërsa është rritur ndjeshëm përqindja e atyre që do të largoheshin përgjithmonë po ta kishin mundësinë. Kostoja e jetesës, çmimet e energjisë dhe papunësia paraqiten si shqetësimet kryesore, derisa sigurimi shëndetësor renditet në krye të prioriteteve konkrete të qytetarëve.

Sipas rezultateve, 38 për qind e të anketuarve mendojnë se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtim të gabuar. Vetëm 31 për qind vlerësojnë se vendi është në drejtimin e duhur, ndërsa 27 për qind nuk e shohin situatën as pozitivisht dhe as negativisht.

Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur vetëm 24 për qind mendonin se Kosova po shkonte në drejtim të gabuar, kjo kategori është rritur për 14 pikë përqindjeje. Në të njëjtën periudhë, vlerësimi se vendi po ecën në drejtimin e duhur ka rënë nga 38 në 31 për qind.

Rreth 62 për qind e qytetarëve thonë se do të qëndronin në Kosovë, ndërsa 28 për qind do të zgjidhnin të shpërnguleshin përgjithmonë në një shtet tjetër. Tetë për qind nuk janë të sigurt.

Dëshira për t’u larguar është rritur ndjeshëm krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur këtë mundësi e zgjidhnin 16 për qind e qytetarëve. Në anën tjetër, përqindja e atyre që do të qëndronin ka rënë nga 67 në 62 për qind.

Tendenca është më e theksuar te të rinjtë. Rreth 44 për qind e grupmoshës 18–24 vjeç deklarojnë se do të largoheshin nga Kosova, krahasuar me 37.1 për qind të grupmoshës 25–34 vjeç dhe 31.5 për qind të atyre nga 35 deri në 44 vjeç.

Çmimet e mallrave konsiderohen si problemi më i madh për Kosovën gjatë vitit të ardhshëm, të përmendura nga 56.6 për qind e të anketuarve.

Në vendin e dytë janë çmimet dhe furnizimi me energji elektrike me 43.8 për qind, ndërsa papunësia renditet e treta me 40.2 për qind.

Korrupsioni është përmendur nga 18.1 për qind, siguria publike nga 14.7 për qind, dialogu me Serbinë nga 11.2 për qind dhe tensionet ndëretnike nga 7.8 për qind.

Rezultatet tregojnë se shqetësimet ekonomike dhe sociale kanë peshë dukshëm më të madhe sesa temat politike dhe të sigurisë.

Kur janë pyetur se cilat shpenzime janë më të vështira për t’u përballuar nga familjet e tyre, 62.3 për qind kanë përmendur faturat e shërbimeve publike.

Blerja e produkteve ushqimore është problem për 46.9 për qind të familjeve, ndërsa shpenzimet për kujdesin shëndetësor janë përmendur nga 29.8 për qind. Pagesat e kredive dhe borxheve paraqesin vështirësi për 20.8 për qind të të anketuarve.

Sigurimi shëndetësor është çështja më e rëndësishme konkrete për 58.3 për qind të qytetarëve.

Ai pasohet nga shërbimet cilësore në kujdesin parësor shëndetësor me 35.8 për qind dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat me 35 për qind.

Përmirësimi i cilësisë në arsim është prioritet për 25.5 për qind, luftimi i dhunës ndaj grave për 14.2 për qind, pensionet për 12 për qind dhe mungesa e çerdheve për 10.8 për qind.

Pavarësisht pakënaqësive ekonomike dhe politike, 75.3 për qind e qytetarëve deklarojnë se demokracia është gjithmonë më e preferueshme se çdo formë tjetër e qeverisjes.

Megjithatë, 15 për qind mendojnë se në rrethana të caktuara një qeveri autoritare mund të jetë më e preferueshme, ndërsa 5.5 për qind thonë se për njerëzit si ata nuk ka rëndësi nëse regjimi është demokratik apo jodemokratik.

Korrupsioni konsiderohet kërcënimi më i madh për demokracinë nga 41.1 për qind e qytetarëve. Pas tij renditen pabarazia ekonomike me 37 për qind dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve me 33.3 për qind.

Dobësimi i sundimit të ligjit dhe mungesa e besimit në institucione janë përmendur nga nga 26.3 për qind, ndërsa përhapja e informatave të rreme ose mashtruese nga 20.3 për qind.

Duke bashkuar vlerësimet “mirë” dhe “shkëlqyeshëm”, Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon nivelin më të lartë të besimit, me rreth 95 për qind. Policia e Kosovës arrin afërsisht 93 për qind, ndërsa KFOR-i rreth 91 për qind.

Institucionet fetare vlerësohen pozitivisht nga rreth 87 për qind, Gjykata Kushtetuese nga 76 për qind dhe pushteti lokal nga rreth 73 për qind.

Në fund të renditjes gjenden partitë politike, me vetëm rreth 40 për qind vlerësime “mirë” ose “shkëlqyeshëm”. Qeveria dhe ekzekutivi arrijnë rreth 53 për qind, ndërsa Kuvendi i Kosovës rreth 52 për qind.

Në një shkallë nga një deri në pesë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vlerësimin mesatar 4.70, duke u renditur të parat. NATO-ja pason me 4.68, Gjermania me 4.51 dhe Mbretëria e Bashkuar me 4.41.

Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë marrë vlerësim të njëjtë prej 4.29. Në fund të listës janë Kina me 1.35 dhe Rusia me 1.14.

Rreth 86 për qind pajtohen se SHBA-ja është mbështetësi më i madh i Kosovës, ndërsa 75 për qind e thonë të njëjtën për Bashkimin Evropian. Gjithashtu, 66 për qind besojnë se Kosova nuk mund t’ia dalë pa mbështetjen amerikane, ndërsa 68 për qind vlerësojnë se vendi nuk mund t’ia dalë pa mbështetjen e BE-së.

Për 64.9 për qind të qytetarëve, prania e më shumë grave mes kandidatëve kryesorë të një partie politike përbën faktor pozitiv në vendimin e tyre për votim.

Ky qëndrim është më i përhapur te gratë, me 73.3 për qind, por mbështetet edhe nga shumica e burrave, me 56.6 për qind. Vetëm 3.4 për qind në nivel të përgjithshëm e konsiderojnë përfaqësimin më të madh të grave si faktor negativ.

The post Sondazhi i NDI-së: Rritet pesimizmi, një në katër qytetarë do të largohet nga Kosova appeared first on Revista Monitor.

BE-ja nuk arrin të çojë përpara negociatat e anëtarësimit të Serbisë

29 July 2026 at 14:57

Përpjekja e Komisionit Europian për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e shteteve anëtare, duke nxjerrë në pah ndarjet brenda bllokut lidhur me faktin nëse Beogradi ka bërë përparim të mjaftueshëm në reformat për sundimin e ligjit, raportoi Politico më 6 korrik.

Komisioni kishte kërkuar miratimin e ambasadorëve të BE-së për hapjen e Klasterit 3 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, që mbulon konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, me argumentin se reformat e fundit në sistemin gjyqësor dhe atë zgjedhor justifikonin përparimin e mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, të cilat prej kohësh kanë mbetur në vendnumëro.

Megjithatë, disa shtete anëtare mbetën të pavendosura. Holanda ishte e gatshme të bllokonte këtë hap për shkak të shqetësimeve mbi ecurinë demokratike të Serbisë, pavarësinë e gjyqësorit dhe marrëdhëniet e saj të ngushta me Rusinë, sipas një raporti të Politico, të publikuar më 6 korrik, duke cituar diplomatë dhe zyrtarë të BE-së.

Ky zhvillim vjen pavarësisht se Parlamenti i Serbisë miratoi më 25 qershor ndryshime në legjislacionin e diskutueshëm për gjyqësorin, i cili kishte marrë kritika nga Bashkimi Europian dhe ekspertët ligjorë më herët gjatë këtij viti.

Qeveria serbe deklaroi se ndryshimet e harmonizojnë legjislacionin me rekomandimet e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës, pasi u tërhoq pjesërisht nga disa dispozita që, sipas kritikëve, dobësonin pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, mbrojti rekomandimin e Komisionit gjatë debatit në Parlamentin Europian më 7 korrik, duke deklaruar se Serbia së fundmi ka bërë “një hap në drejtimin e duhur”, duke ndryshuar legjislacionin e kontestuar dhe duke shënuar progres edhe në reformat zgjedhore.

“Nuk duam ta shohim Serbinë të mbetet pas dhe për këtë arsye, në dritën e zhvillimeve të fundit pozitive, Komisioni ka rinovuar rekomandimin e tij ndaj Këshillit për hapjen e Klasterit 3”, tha Kos.

Ajo shtoi se Serbia ka bërë përparim të prekshëm në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), përfshirë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, ndërsa puna vazhdon për ligjet që rregullojnë financimin e partive politike dhe masat kundër korrupsionit.

Kos theksoi se nevojitet ende progres i mëtejshëm në fushën e lirisë së medias, të drejtave themelore, reformave zgjedhore dhe garantimit të një mjedisi ku shoqëria civile të mund të veprojë lirshëm.

Sipas Politico, Komisioni Europian ka arritur në përfundimin, në një dokument të brendshëm informues, se Serbia ka korrigjuar prapakthimin e lidhur me ligjet për gjyqësorin të muajit janar.

Megjithatë, një vlerësim tjetër i Komisionit nxjerr në pah shqetësime për presionin ndaj gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe mungesën e progresit në hetimet për rastet e mëdha të korrupsionit, përfshirë hetimin mbi shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona në nëntor 2024.

 

The post BE-ja nuk arrin të çojë përpara negociatat e anëtarësimit të Serbisë appeared first on Revista Monitor.

Lumenjtë humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave

29 July 2026 at 14:00

Dy nga gjashtë basenet kryesore lumore në vend u klasifikuan në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave sipërfaqësore gjatë vitit 2025, ndërsa një tjetër shënoi përkeqësim krahasuar me një vit më parë. Këto janë konkluzionet e Raportit Gjendjes në Mjedis 2025, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Basenet Ishëm-Erzen dhe Seman renditen në kategorinë “Gjendje e keqe”, ndërsa Shkumbini ka kaluar nga “Gjendje e mirë” në “Gjendje e moderuar”, duke reflektuar ndikimin e vazhdueshëm të shkarkimeve urbane të patrajtuara, aktivitetit industrial dhe presionit nga bujqësia.

Raporti vëren se cilësia e ujërave mbetet përgjithësisht e mirë në burimet dhe rrjedhat e sipërme të lumenjve, por përkeqësohet ndjeshëm në segmentet që kalojnë pranë qendrave të banuara. Sipas AKM-së, ndikimi i shkarkimeve urbane, industriale dhe bujqësore mbetet faktori kryesor që ul klasifikimin e shumë stacioneve të monitorimit.

Përkeqësimi më i theksuar evidentohet në basenin Ishëm-Erzen, i cili klasifikohet në Klasën V – Gjendje e keqe. Raporti identifikon si segmentet më problematike Lumin e Tiranës në stacionet Ura e Kamzës,

Lanabregas dhe Yrshek, si edhe Lumin Ishëm dhe Erzenin në Urën e Beshirit. Në këto pika monitorimi regjistrohen vlera të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen (NBO5), amoniakut dhe lëndëve ushqyese, tregues që sinjalizojnë ndotje të konsiderueshme nga shkarkimet urbane të patrajtuara. Vetë raporti thekson se “afër zonave të banuara impakti i shkarkimeve urbane të cilat derdhen direkt të patrajtuara sjell klasifikim me një ndotje të lartë”.

Edhe baseni i Semanit rezulton në Klasën V – Gjendje e keqe, duke u përkeqësuar krahasuar me vitin 2024, kur ishte klasifikuar në Klasën IV – Gjendje e varfër. Raporti lidh këtë rezultat kryesisht me gjendjen e lumit Gjanica në stacionin Ura e qytetit Fier, ku ndikimi i shkarkimeve urbane dhe industriale shoqërohet me nivele të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen, amoniakut dhe ortofosfateve, tregues të ndotjes së rënduar të ujërave.

Ndërkohë, Shkumbini shënoi përkeqësim gjatë vitit 2025, duke kaluar nga Klasa II – Gjendje e mirë në Klasën III – Gjendje e moderuar. Sipas raportit, ky ndryshim lidhet me përkeqësimin e disa treguesve të cilësisë, megjithëse pjesa më e madhe e parametrave vazhdon të mbetet brenda kufijve të lejuar.

Në anën tjetër, Vjosa dhe Drini vijojnë të ruajnë gjendjen më të mirë mjedisore ndër basenet e monitoruara. Raporti i klasifikon të dy në Klasën II – Gjendje e mirë, me tregues fizikë, kimikë dhe biologjikë që mbeten brenda standardeve të përcaktuara nga Direktivës Kuadër të Bashkimit Evropian për Ujin.

Gjetjet e raportit tregojnë se ndarja mes lumenjve të ruajtur dhe atyre që kalojnë pranë zonave të urbanizuara po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Ndërsa segmentet malore vijojnë të ruajnë cilësi të mirë të ujit, presioni nga shkarkimet e patrajtuara dhe aktivitetet ekonomike po rëndon gjendjen e disa prej baseneve më të mëdha të vendit, duke i larguar ato nga objektivat e kërkuara për arritjen e një statusi të mirë ekologjik.

The post Lumenjtë humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave appeared first on Revista Monitor.

Intervista e punës, pyetjet që duhet t’i prisni dhe si të përgjigjeni

29 July 2026 at 13:51

Intervistat e punës nuk testojnë vetëm njohuritë profesionale. Shpesh, punëdhënësit duan të kuptojnë si sillet kandidati në situata reale: si reagon nën presion, si punon me të tjerët, si zgjidh konfliktet, si komunikon me klientët dhe si i menaxhon afatet.

Për këtë arsye, një nga format më të përdorura janë pyetjet e sjelljes, që zakonisht nisin me “Më tregoni për një rast kur…” ose “Jepni një shembull kur…”. Ideja është se mënyra si një kandidat ka vepruar në të kaluarën jep një pamje më të qartë për mënyrën si mund të veprojë në të ardhmen.

Pyetjet më të shpeshta lidhen fillimisht me punën në ekip. Kandidatit mund t’i kërkohet të tregojë një rast kur ka punuar me dikë me personalitet shumë të ndryshëm, kur ka pasur konflikt me një koleg, kur i është dashur të marrë rol drejtues, kur ka bërë një gabim në raport me një koleg, apo kur i është dashur të marrë informacion nga dikush që nuk përgjigjej. Në këto raste, punëdhënësi nuk kërkon një histori perfekte, por një shembull që tregon maturi, bashkëpunim dhe aftësi për të zgjidhur situata të vështira.

Një grup tjetër pyetjesh lidhet me klientët. Kandidati mund të pyetet për një rast kur ishte e rëndësishme të linte përshtypje të mirë, kur nuk i përmbushi pritshmëritë e një klienti, kur u sigurua që klienti të largohej i kënaqur, apo kur iu desh të menaxhonte një klient të vështirë. Për pozicionet që kanë kontakt me publikun, këto pyetje janë vendimtare, sepse tregojnë jo vetëm durim, por edhe aftësi për të ruajtur imazhin e kompanisë.

Në intervista shfaqen shpesh edhe pyetjet mbi përshtatjen me ndryshimet. “Më tregoni për një rast kur keni qenë nën presion”, “Si u përshtatët me një ndryshim në kompani?”, “Si e përballuat fillimin në një punë të re?”, “Kur ju është dashur të mendoni shpejt?” apo “Më tregoni për një dështim” janë pyetje që synojnë të nxjerrin në pah fleksibilitetin e kandidatit. Përgjigjja më e mirë nuk është ajo që fsheh vështirësitë, por ajo që tregon çfarë mësoi kandidati prej tyre.

Menaxhimi i kohës është një tjetër pikë e fortë në intervista. Punëdhënësi mund të kërkojë shembuj për raste kur kandidati ka pasur shumë përgjegjësi njëkohësisht, kur ka mbajtur në kontroll një projekt afatgjatë, kur puna është bërë e papërballueshme, kur ka vendosur një objektiv personal apo kur një problem i papritur i ka prishur planin. Në këto përgjigje, rëndësi ka të tregohet si janë vendosur prioritetet dhe si është ruajtur cilësia e punës.

Edhe organizimi është një aftësi që kërkohet pothuajse në çdo pozicion. Pyetje si “Si i vendosni prioritetet?”, “Si delegoni detyrat?” apo “Kur ju ka ndihmuar organizimi të respektoni një afat të ngushtë?” synojnë të kuptojnë nëse kandidati punon në mënyrë të strukturuar apo vetëm reagon ndaj urgjencave.

Komunikimi është po aq i rëndësishëm. Kandidatit mund t’i kërkohet të tregojë një rast kur komunikimi me shkrim ishte vendimtar, kur arriti të bindte dikë në punë, kur shpjegoi një çështje teknike për persona jo specialistë, kur zhvilloi një bisedë të vështirë me një klient apo koleg, ose kur dha një prezantim të suksesshëm. Në këto raste, punëdhënësi kërkon të shohë jo vetëm çfarë u tha, por si u mendua dhe u përgatit komunikimi.

Në fund, shumë pyetje lidhen me motivimin dhe vlerat profesionale. “Cila është arritja juaj më e madhe?”, “Kur keni marrë iniciativë për të zgjidhur një problem?”, “Si punoni nën mbikëqyrje shumë të afërt apo shumë të lirshme?”, “Kur keni qenë kreativ në punë?” apo “Kur jeni ndier të pakënaqur në një rol?” janë pyetje që ndihmojnë punëdhënësin të kuptojë çfarë e motivon kandidatin dhe çfarë lloj ambienti pune i përshtatet.

Përgjigjet më të mira janë ato që ndërtohen si histori të shkurtra dhe konkrete. Rekomandohet metoda STAR: situata, detyra, veprimi dhe rezultati. Fillimisht jepet konteksti, më pas përgjegjësia që kishte kandidati, veprimi konkret që ndërmori dhe në fund rezultati ose mësimi që doli nga ajo përvojë.

Këshilla kryesore është që kandidati të mos përpiqet të mësojë përgjigje përmendësh. Më mirë është të përgatisë disa histori reale nga përvoja e tij, të lidhura me punën në ekip, komunikimin, presionin, organizimin dhe zgjidhjen e problemeve. Këto histori mund të përshtaten lehtë gjatë intervistës, në varësi të pyetjes që bëhet./ The Muse

 

The post Intervista e punës, pyetjet që duhet t’i prisni dhe si të përgjigjeni appeared first on Revista Monitor.

❌