Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Opinion.al

Trump kërcënon të padisë komedianin Trevor Noah për shakanë me Epstein

By: e xh
2 February 2026 at 16:57

Presidenti Donald Trump ka sulmuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy dhe prezantuesin e mbrëmjes, Trevor Noah. Pas një shakaje që ky i fundit bëri për Jeffrey Epstein në skenë, Trump ka kërcënuar se do të padisë prezantuesin e çmimeve Grammy.

Duke bërë shaka se ky do të jetë viti i tij i fundit si prezantues, Noah tha me shaka:

“Kënga e Vitit, kjo është një Grammy që çdo artist e dëshiron pothuajse aq sa Trump dëshiron Groenlandën, gjë që ka kuptim sepse ishulli i Epsteinit është zhdukur, ai ka nevojë për një të ri për të kaluar kohë me Bill Clinton”.

Në përgjigje, presidenti amerikan tha se komediani, i cili drejtoi emisionin The Daily Show në Comedy Central në SHBA për shtatë vjet, ishte një “humbës total”, duke shtuar:

Me sa duket do t’i dërgoj avokatët e mi të padisin këtë moderator të varfër, patetik, pa talent dhe budalla, dhe do ta padis për shumë para.

Trump kritikoi shakanë e Noah-ut, i lindur në Afrikën e Jugut, të bërë pasi u shpërnda gongu i këngës së vitit.

Duke shkruar në Truth Social, në stilin e tij të zakonshëm frenetik dhe të pandërprerë, Trump tha:

“Noah tha, GABIMISHT për mua, se Donald Trump dhe Bill Clinton kanë kaluar kohë në Ishullin Epstein. GABIM!!! Nuk mund të flas për Bill-in, por unë nuk kam qenë kurrë në Ishullin Epstein, as diku pranë tij dhe, deri te deklarata e rreme dhe shpifëse sonte, nuk jam akuzuar kurrë se kam qenë atje, as edhe nga Media e Rreme. Noah, një humbës i plotë, duhet t’i ketë faktet e sakta dhe t’i rregullojë shumë shpejt.

Përgatitu Noah, do të argëtohem pak me ty!”.

Vitet e fundit, Trump ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një sërë mediash, përfshirë BBC-në, New York Times-in, Associated Press-in dhe Wall Street Journal-in.

Korrikun e kaluar, gjigandi mediatik amerikan Paramount, i cili zotëron CBS, pranoi t’i paguante Trump 16 milionë dollarë për të zgjidhur një padi lidhur me një intervistë të CBS me Kamala Harris, ish-zëvendëspresidenten dhe kandidaten presidenciale demokrate për zgjedhjet e vitit 2024.

Grupi i PD përçahet për bojkotin e komisioneve, Berisha: Vendimin e merr kryesia

By: e xh
2 February 2026 at 16:01

Duket se vendimi i opozitës për të bojkotuar komisionet, ka përçarë grupin e Partisë Demokratike. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar Berishës i kanë dalë kundër disa deputetë për vendimmarrjen e bojkotit të reformave.

Bëhet fjalë për Bledjon Nallbatin, Xhelal Mziun, Oerd bylykbashin, Ina Zhupën, Tritan Shehun dhe Arjan Ndojën, të cilët kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat

Në këto kushte Berisha është shprehur se do jetë kryesia që do marrë vendimin final.

Sot ishte afati i fundit që opozita të merrte pjesë në komisione, dhe pas vendimit të bojkotit, të martën në seancë plenare do të diskutohet kërkesa e grupit parlamentar socialist për  për ndryshimin e përbërjes të këtij komisioni dhe heqjen e paritetit të opozitës në drejtim.

I doli në dosjen “Epstein”, ish-presidentja e Kosovës: Nuk e kam njohur e as takuar

By: e xh
2 February 2026 at 16:00

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ndaj raportimeve që përfshijnë emrin e saj në dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta.

Në një postim në Facebook, Jahjaga shpjegon se gjatë kohës sa mbante detyrën nuk ka pasur kurrë njohje, takim apo kontakt me Epstein. Përmendja e emrit të saj në disa media, sipas saj, lidhet vetëm me një email mes palëve të treta dhe nuk dëshmon lidhje personale.

Ish-presidentja sqaron gjithashtu se termi “Presidenti i Kosovës” në këtë korrespondencë nuk i referohet asaj personalisht dhe nuk përbën kërkesë për takim.

“Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein”  janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.

Në këtë email te palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.

Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te vërehet lehtë nga dokumentet.

Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”, shkruan ajo në facebook.

Deputeti i PD kundër Berishës për bojkotimin e reformës territoriale

By: e xh
2 February 2026 at 15:48

Anëtarët e opozitës munguan në komisionin e posaçëm parlamentar “Për reformën administrativo- territoriale në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa kundër kësaj lëvizjeje ka dalë deputeti Bujar Leskaj.

Kjo mbledhje e kësaj të hëne ishte afati i fundit lënë nga maxhoraca, ndërsa sipas deputetit Leskaj, rishikimi i Reformës Territoriale është një domosdoshmëri. Demokrati thekson se sipas tij, kjo lëvizje është një tentativë për të lënë Partinë Demokratike jashtë diskutimeve, në një moment të rëndësishëm për rishikimin e Reformës Territoriale.

Reagimi i plotë i Bujar Leskaj:

Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. Përkundrazi, ajo ka sjellë pasoja të rënda në të gjithë territorin, duke dobësuar funksionimin e njësive administrative për shkak të mungesës së menaxhimit efikas nga bashkitë e reja. Dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit, si dhe me faktin se ndarja territoriale u konceptua mbi baza elektorale, me qëllim favorizimin elektoral të Partisë Socialiste, duke dëmtuar rëndë shërbimet për qytetarin, demokracinë vendore dhe përfaqësimin real të komuniteteve.
Rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale është sot një domosdoshmëri. Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik dhe social, si dhe me planifikime realiste që garantojnë autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Në praktikë, reforma ka dështuar në katër drejtime thelbësore: (1) nuk rriti eficiencën ekonomike të njësive vendore, (2) përqendroi pushtetin në mënyrë të tepruar te kryebashkiakët, duke cenuar decentralizimin, (3) dobësoi mekanizmat e demokracisë dhe llogaridhënies vendore, si dhe (4) nuk arriti të nxisë zhvillimin ekonomik e social apo të zbusë varfërinë. Këto pasoja e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të thellë dhe gjithëpërfshirës të reformës, të ndërtuar mbi parimet e autonomisë vendore, konsensusin politik dhe social dhe planifikime realiste, në mënyrë që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe të shmanget përsëritja e një reforme të njëanshme dhe të rrezikshme.
Tre janë pikat tona të forta, si Parti Demokratike, për të vazhduar punën në Komisionin e Reformës Administrativo-Territoriale: (1) pasojat negative të reformës 2014/15, (2) nuk duhet të lejojmë një komision të njëanshëm, ashtu siç i intereson sektit Rama, (3) Partia Demokratike sot ka një produkt të vetin, me propozime konkrete në lidhje me rikonfigurimin administrativo-territorial, ndaj të cilit është punuar gjithë këto vite.
Më poshtë po rendis modestisht disa arsye pse Partia Demokratike e ka domosdoshmëri vazhdimin e punës në Komisionin e Rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale:
1. Të gjithë e dimë, si teorikisht ashtu edhe praktikisht, se në të gjitha shtetet e botës reforma administrativo-territoriale kërkon një konsensus politik substancial, si dhe mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës.
2. Ashtu siç është theksuar edhe nga Partia Demokratike që në procesin e realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve.
3. Siç kemi denoncuar, si Parti Demokratike, gjatë këtyre viteve, ligje të caktuara të miratuara nga sekti Rama dhe ndërhyrje të pa precedenta nga Edi Rama, kanë shkelur Kartën e Autonomisë Vendore dhe decentralizimin e pushtetit vendor, duke e kthyer në shumë raste pushtetin vendor të centralizuar në duart e Edi Ramës dhe duke e shndërruar në mjet të tij.
4. Në të gjitha analizat tona si opozitë, të mbështetura edhe në vlerësimet profesionale të ekspertëve dhe sekretariateve pranë Partisë Demokratike, të cilat kanë kryer një punë kolosale në drejtim të rishikimit dhe nevojës për ndryshime në këtë reformë, veçanërisht Sekretariati i Pushtetit Vendor pranë PD-së, i drejtuar nga eksperti dhe ish-kryetari i Bashkisë z.Ylli Asllani, kemi arritur në përfundimin se kjo reformë ka nevojë për një rishikim të thellë, për një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e Reformës Administrativo-Territoriale të viteve 2014/15
5. Në qarkun e Vlorës, përpara 2 viteve, sëbashku me drejtues të Partisë Demokratike, kemi zhvilluar disa takime me qytetarët, ku jemi zotuar për rishikimin e reformës . Kjo reformë duhet të jetë e përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve, sepse janë pikërisht ata që çdo ditë ndiejnë dhe përballen me mangësitë e kësaj reforme të dëmshme. Nga përvoja e katër takimeve me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë kanë miratuar, mbështetur dhe mirëpritur propozimin e Partisë Demokratike për krijimin e katër bashkive të reja: Orikumit, Amantisë (Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës (Topallti).
6. Reforma Territoriale-Administrative, e cila do të miratohet, është jo vetëm një sfidë, por edhe një mision. Për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe analizë të drejtë në favor të qytetarëve.
7. Reforma administrativo-territoriale ka qenë kryefjala e programit tonë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, 14 majit 2023 dhe 11 majit 2025 dhe për të jemi zotuar publikisht. Prandaj, na lind detyrimi që kemi ndaj qytetarëve, që këtë reformë ta vazhdojmë, ta mbrojmë dhe ta rishikojmë me përgjegjësi, ekspertizë dhe profesionalizëm.
8. Partia Demokratike ka ndërtuar një draft gjatë viteve 2022–2023 lidhur me propozimet për reformën, për të cilin janë analizuar dhe diskutuar përparësitë e tij. Rikonfigurimi në 94 (ose 97) bashki, gjithashtu dhe në 5 rajone të mëdha sipas specifikave për cdo rajon ( 1. Rajoni Veriut (Rrethet Shkodër—Lezhe- Pukë – Mirditë- Tropojë- Kukës)2. Rajoni Arbrit ( Rrethet Tiranë- Durrës- Kavajë-Krujë- Kurbin- Mat- Dibër)3. Rajoni Muzakajve ( Rrethet Fier- Lushnjë- Berat -Skrapar)4. Rajoni Kaonëve ( Rrethet Vlorë- Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë- Përmet)5. Rajoni Elbasan-Korçë (Rrethet Elbasan- Librazhd – Korçë- Pogradec- Kolonjë) do të sillte respektimin e plotë të parimeve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm brenda rajoneve, por edhe ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.Krijimi i 33 (ose 36) bashkive të reja do të ndihmonte realisht zonat dhe njësitë administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga bashkitë ku ndodhen nën juridiksion. Të 94 (ose 97) bashkitë do të kishin mundësi reale për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të ushtruar kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
9. Partia Demokratike e ka një produkt të vetin në lidhje me mënyrën se si duhet të organizohet reforma e re administrativo-territoriale, të cilën e kemi bërë publike dhe pjesë integrale të programit dhe alternativës sonë qeverisëse, dhe ndaj së cilës duhet të vazhdojmë mbrojtjen dhe argumentimin që ky produkt, drafti i Partisë Demokratike për këtë reformë, të jetë pikë kyçe e diskutimeve të Komisionit përkatës.
10. Propozimet tona si Parti Demokratike janë në përputhje të plotë me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore dhe ofrojnë planifikime realiste për garantimin e autonomisë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin. Për këtë arsye kemi detyrimin t’i mbrojmë dhe t’i çojmë deri në fund.
11. Reforma Territoriale-Administrative është njëkohësisht sfidë dhe mision; për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jo të njëanshëm, në mënyrë të tillë që të jetë në favor të qytetarëve. Si e tillë, ne si Parti Demokratike duhet të tregojmë kthjelltësi dhe pjekuri, sepse Edi Rama e rikërkon dhe do një komision të njëanshëm për ta shndërruar reformën në mekanizmin elektoral të radhës, ashtu siç bëri me reformën e vitit 2014–2015. Një veprim i tillë, mosbërja pjesë e punës së këtij Komisioni, do të na përballte me të njëjtat pasoja negative si reforma aktuale e viteve 2014–2015.
12. Partia Demokratike nuk duhet të dekurajohet nga Komisioni fiktiv që u ngrit në vitin 2023, në lidhje me rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, i cili ishte një komision fals. Përkundrazi, ne duhet t’i insistojmë qëndrimit në këtë Komision. Nuk duhet të biem pre e grackës së Edi Ramës dhe provokacioneve të tij, sepse atij i intereson një Komision pa opozitën, pa Partinë Demokratike, mundësi të cilën kurrsesi nuk duhet t’ja japim. Kemi detyrimin të mos largohemi nga ky Komision.
Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari .
Kjo reformë nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët janë profesionistë të aftë dhe të respektuar. Rishikimi i saj duhet të korrigjojë gabimet e bëra në vitin 2014, në respekt të plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe për të cilën ne si Parti Demokratike e kemi detyrim dhe zotim për të vazhduar.

Epstein, trafik organesh nga Maqedonia, trutë e 1000 personave u trafikua nga Shkupi

By: e xh
2 February 2026 at 15:43

Dosja Epstein ka tronditur edhe Ballkanin. Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Jeffrey Epstein zbulojnë akuza tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi të Maqedonisë, profesor në Universitetin e Kolumbias – në eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia e Veriut me qëllim fundor, eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara.

Në një email që mban titullin: Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën e vetëvrasjeve në Amerikë, të dërguar me datë 5 shkurt 2019-të, me emër dërguesi dhe marrësi të censuruar, thuhet se nga Maqedonia kanë mbërritur në SHBA rreth 1000 tru njerëzish, disa prej tyre nga persona që kanë kryer vetëvrasje.

Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet shtetërore ishin në dijeni ose dhanë leje për një lëvizje të tillë.

Në emailin e datës 5 shkurt 2019, diskutohen kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve.

Në dokumente përmenden gjithashtu shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, duke përfshirë Pittsburgh, Columbia, Neë York dhe Yale.

Në pjesën për Maqedoninë, thuhet se “vendi i vogël ballkanik siguron “material” referuar organit të trurit tek njerëzit, falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias i cili vjen nga atje dhe ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit”.

Sipas përshkrimit, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me aeroplan nën eskortë speciale dhe u dërguar me anije në Shtetet e Bashkuara.

Atje, ata kanë përfunduan në kuti speciale, të shënuara me kode, sipas anës së trurit dhe datës së marrjes, pa specifikuar vendin ku organet i nënshtroheshin më pas procedurave eksperimentale.

Këto pretendime tërheqin edhe një herë vëmendjen ndaj rrjetit të kontakteve dhe aktiviteteve të lidhura me Jeffrey Epstein të shtrira në të gjithë botën.

Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork dhe vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje, edhe pse rasti i tij vazhdon të gjenerojë polemika dhe dyshime…

Ronaldo “bojkoton” Al Nassr, krisen marrëdhëniet me arabët

By: e xh
2 February 2026 at 15:41

Situatë e papritur në Arabinë Saudite, ku Cristiano Ronaldo raportohet se ka vendosur të mungojë në ndeshjen e radhës së Al Nassr kundër Al-Riyadh, të planifikuar për këtë të hënë, në kuadër të javës së 20-të të kampionatit. Sipas mediave portugeze, arsyeja nuk lidhet me gjendjen fizike të yllit portugez, por me pakënaqësinë e thellë ndaj menaxhimit të klubit.

Burime pranë Al Nassr bëjnë me dije se Ronaldo është i irrituar me politikën e merkatos të ndjekur nga PIF, Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite, i cili menaxhon edhe klubin. Ai e konsideron të padrejtë trajtimin krahasuar me rivalët e Al Hilal, të cilët kanë përfituar investime më të mëdha.

Pakënaqësia e Ronaldos lidhet kryesisht me mungesën e përforcimeve në merkaton e dimrit, ku Al Nassr ka afruar vetëm mesfushorin 21-vjeçar irakian, Haydeer Abdulkareem. Kjo situatë ka tensionuar raportet dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e portugezit në klub.

Macron kishte kërkuar ndihmën e Epstein, çfarë thuhet në dosje

By: e xh
2 February 2026 at 15:37

Një tjetër emër i rëndësishëm i politikës globale, në publikimin e mbi 3 milionë faqeve shtesë dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Epstein, është ai i Presidentit aktual të Francës. Emri i tij shfaqet në dokumente të shumta që datojnë para dhe pas zgjedhjes së tij për herë të parë si president në vitin 2017. Të dhënat sugjerojnë se Epstein pretendonte se Macron kishte kërkuar ndihmën e tij për çështje të ndryshme.

Në një email të dërguar nga Epstein më 17 shtator 2018 drejtuar presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende, Epstein tha se informacioni që po ndante ishte konfidencial dhe citoi Macron.

“Nga Macron: Ne besojmë se duhet të rimendojmë, rindërtojmë dhe shpikim (i) qeverisjen dhe formatin e institucioneve ndërkombëtare, (ii) angazhimet dhe marrëdhëniet midis aktorëve publikë dhe privatë dhe (iii) instrumentet socio-ekonomike për t’iu përgjigjur më mirë këtyre sfidave. Cilat risi socio-ekonomike do të mbështesnit për të promovuar një të ardhme më ‘progresiste’?” – thuhet në mesazh.

Veçmas, një email i dërguar Epstein-it më 22 mars 2016 nga biznesmeni emiratas Sultan Ahmed bin Sulayem thoshte se ai kishte marrë pjesë në një drekë në Pallatin Elysee dhe kishte zhvilluar bisedime me Macron, i cili në atë kohë shërbente si ministër i Ekonomisë i Francës.

“Drekë në Pallatin Elysee,” thuhej në email. “Bisedë e këndshme me ministrin francez të Ekonomisë, z. Macron, lidhur me biznesin tonë në Francë.”

Në një tjetër email të datës 12 shtator 2018, Epstein i shkruante biznesmenit amerikan Tom Pritzker, duke iu referuar një takimi ku përfshihej Macron.

“Jacques po darkon me Macron sot, kështu që koha ishte perfekte,” thuhej në mesazh.

Në një tjetër shkëmbim emailesh të datës 30 gusht 2018, Epstein pretendonte gjithashtu se Macron kërkonte këshillat e tij për “pothuajse gjithçka, përfshirë institucionet, politikat dhe shkencën”, duke shtuar se Macron “dëshiron të udhëheqë Evropën, ndoshta botën”.

Nga presidenca franceze nuk është dhënë asnjë koment zyrtar lidhur me dokumentet. Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi së fundmi një sasi masive prej mbi 3 milionë faqesh, 2 mijë videosh dhe 180 mijë imazhesh që lidhen me Epstein-in, në kuadër të Aktit të Transparencës për Dosjet Epstein, i cili u nënshkrua në ligj nga presidenti amerikan Donald Trump më 19 nëntor të vitit të kaluar.

Dosjet përfshinin foto të figurave të njohura, transkripte të jurive të mëdha dhe të dhëna hetimore, megjithëse shumë faqe ishin fort të redaktuara për të mbrojtur viktimat.

Agjencia publikoi edhe 30 mijë dokumente shtesë të martën e kaluar dhe të mërkurën njoftoi se kishte marrë mbi 1 milion dokumente të tjera që potencialisht lidhen me Epstein-in.

Epstein u gjet i vdekur nga vetëvrasja me varje në një burg të qytetit të Nju Jorkut më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin. Ai përballej me akuza federale për drejtimin e një rrjeti trafikimi seksual që përfshinte vajza të mitura dhe gra, ndërsa vdekja e tij ndodhi gjatë kohës që ishte në paraburgim në Qendrën Korrektuese Metropolitane.

Dosjet Epstein, emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë

By: e xh
2 February 2026 at 15:35

Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito përmend mundësinë që Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, t’i bashkohej një takimi me presidentin rus. Megjithatë, pas rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, ideja u braktis. Në email-e të tjera, Epstein i referohet “dokumenteve Putin”, pa sqaruar përmbajtjen e tyre.

Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar kontaktesh politike dhe financiare. Ai kishte kryer pagesa ndaj figurave politike britanike dhe kishte komunikuar me ish-kryeministrin norvegjez Thorbjørn Jagland lidhur me takime me liderë botërorë, përfshirë Putinin.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit në vitin 2018. Në email-e të tjera, ai përshkruan aktivitetet e Robert Maxwell dhe lidhjet e tij me shërbime të huaja inteligjence.

Në korrik 2019, pas arrestimit në New York, avokatët e Epstein i njoftuan FBI-në se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, një përfundim që vijon të ngjallë dyshime dhe debate.

25-vjeçari nga Saranda arrestohet duke vjedhur në Kavajë

By: e xh
2 February 2026 at 15:09

Një 25-vjeçar nga Saranda me inicialet G.D. është arrestuar nga policia menjëherë pasi kishte kryer vjedhje në dy banesa në Kavajë.

“Blutë” bëjnë me dije se i kanë sekuestruar 5 ora dhe 3 unaza, që ishin aksesorët e vjedhur nga i riu, i dënuar më pare për të njëjtin krim.

Gjatë operacionit “Houses” u zbardhën tri tentative për vjedhje në banesa. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, dje, ka tentuar të vjedhë edhe në 2 banesa, në fshatin Blerimaj.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 25-vjeçari.

PD braktis sërish mbledhjen për ‘Territorialen’, PS zhbën nesër formulën e barazisë

By: e xh
2 February 2026 at 13:38

Përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar për herë të katërt pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

“I kemi dhënë të gjitha garancitë opozitës për të qenë pjesë e komisionit. U humbën dy muaj që mund të kishim produkt. I kemi kërkuar Parlamentit javën e kaluar të ndryshojmë mënyrën se si është formuar komisioni, duke shtuar një anëtar nga mazhoranca për të krijuar një mekanizëm zhbllokues. Kjo nuk do të thotë që opozita të mos jetë, do të ketë tetë anëtarët e saj. Ndërkohë, do të fillojmë të punojmë për këtë proces”-tha bashkëkryetari Arbjan Mazniku.

Vlorë/ Kamioni del nga rruga, drejtuesi në gjendje të rëndë

By: e xh
2 February 2026 at 12:49

Një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në zonën e plazhit, në vendin e njohur si Kalaja, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, para pak çastesh.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se automjeti ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë ose një defekti në sistemin e frenimit.

Si pasojë e aksidentit, shoferi i kamionit, Perparim Kapaj, 62 vjeç, është plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Atentati në Lezhë/ Dëshmia e policit: Qëllova me armë për të neutralizuar autorët

By: e xh
2 February 2026 at 11:46

Është zbardhur dëshmia e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili ndodhej rastësisht në një berberhane në momentin kur mbrëmjen e kaluar ndodhi atentati në Lezhë, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Sipas informacioneve, polici ka deklaruar se nuk ishte në shërbim në momentin e ngjarjes dhe se prania e tij në zonë ka qenë krejtësisht rastësore.

Sipas dëshmisë, për shkak të dinamikës së shpejtë të atentatit dhe rrethanave të krijuara, ai nuk ka mundur të identifikojë autorët. Polici ka pohuar se ka përdorur armën e zjarrit në përpjekje për t’i neutralizuar, me qëllim parandalimin e pasojave më të rënda.

Berisha: Irena Gjoka u dëbua dy herë nga Greqia! Ishte këshilltare e Ergys Agasit

By: e xh
2 February 2026 at 10:52

Kryedemokrati Sali Berisha, në dalje nga SPAK, akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka është dëbuar dy herë nga Greqia, duke kërkuar që asaj t’i ndërpritet menjëherë mandati si magjistrate. Berisha u shpreh po ashtu se Irena Gjoka hynte dhe dilte nga zyrat e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim në kuadër të hetimit për AKSHI-n.

Sa për dijeni, Irena me 5 mbiemra është një shoqe në shpirt me Lindën e Surrelit, përveçse këshilltare e Gys Agasit. E faktuar vizitat e saj. Ka rrezik edhe ndonjëri prej jush këtu i ka parë videot në dosjen e Ergys Agasit se si serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit“. Po ashtu kreu i PD tha se avokati i Irena Gjokës ka amnistuar krimin zgjedhor.

Pojës së Skapit dhe avokatit të Irenës me 5 mbiemra, njeriut që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i partisë-shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon, por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delinkuenti të narko-shtetit shqiptar”.

Detaje të reja nga plagosja në Lezhë, një pjesëtar i familjes Nikulaj në berberhane

By: e xh
2 February 2026 at 09:09

Zbardhen detaje të reja nga plagosja mbrëmë në Lezhë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se objektiv nuk ka qenë berberi 30-vjeçar, i cili mbeti i plagosur.

Brenda në berberhane dyshohet se ka qenë edhe një pjesëtar i familjes Nikulaj. Po ashtu, brenda dyshohet se ka qenë edhe një efektiv policie, i cili ka kundërpërgjigjur ndaj autorëve. Ndërhyrja e tij ka parandaluar atentatin. Në dëshminë e tij paraprake, polici ka deklaruar se është gjendur rastësisht në berberhane dhe se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, duke mos arritur t’i shohë autorët.

Dyshohet se edhe një person i dytë ka mbetur i plagosur, por nuk është paraqitur në spital.

Çfarë ndodhi? 

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Lezhë, në zonën e njohur si kryqëzimi i Rrilës. I plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka qenë objektivi i atentatit, por është goditur aksidentalisht nga plumbat teksa ndodhej brenda ambientit të punës së tij, ku bashkë me të ndodheshin edhe persona të tjerë brenda në berberhane.

Autorët kanë mbërritur me një automjet tip Audi A3 përballë berberhanes. Tre persona kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt berberhanes, ku dyshohet se ndodhej objektivi i atentatit, një person tjetër që ishte brenda në atë moment.

Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte shënjestër e atentatit është larguar.

Ndërkohë i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai ka marrë tre plagë, në shpatull, në bark dhe në këmbë.

Rritja e pagave, Rama: Gjyqtarët duan të imponohen mbi parlamentin dhe qeverinë

By: e xh
2 February 2026 at 09:03

Kryeministri Edi Rama thotë se gjykatësit, me kërkesën e tyre për rritje pagash, duan t’i imponohen parlamentit dhe qeverisë, dy pushteteve të tjera.

Sipas Ramës, ata duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.

“Tjetri thotë të na vini vlera fikse, si mund t’i lihet ekzekutivit dhe legjislativit, sa herë t’u teket për ta rritur. Pra duhet një sistem reference. Si mund t’i lihet parlamentit, qeverisë, kur ne kemi në dorë çekiçin dhe i bien si të duam ne, thotë ky gjykatësi. Dhe thotë, sistemi i referencës më i mirë është ai që pasqyron ndryshimet reale, dhe rritjen e çmimeve si ai në 2016. Në 2016 kur zgjidhëm një sistem reference, me qëllimin e mirë që gjykatësve t’u jepnin paga më të larta se të tjerët, për të mbështetur e shpallur me reformën e tyre dhe i ngritëm mbi të gjithë të tjerët, për t’u dhënë sinjal të fortë të vullnetit, për të pasur drejtësi të pavarur, por dhe gjykatës që të ndihen të respektuar, ky thotë, ta bëjmë tani përgjithmonë. Pra, Shqipëria të bëhet vendi ku përjetësisht të marrin paga mbi të tjerët. Kërkojnë 1800 euro rritje për gjyqtarin e Shkallës së Parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe 3000 euro rritje për gjykatësit e SPAK, BKH. SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht. Këtu jemi, jemi në një situatë ku gjykatësit duhet të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera, duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.”, tha Rama.

Gjyqtarët kërkuan rritje page, Rama: Paguhen sa në Greqi, argumentet e tyre…

By: e xh
2 February 2026 at 08:47

Mëngjesin e kësaj të hëne kryeministri Edi Rama dekaroi se gjyqtarët kërkuan tinëz rritjen e pagave të tyre, që do t’u kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro, para nga taksat e shqiptarëve.

Përmes një video mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ballafaqimi i gjykatësve në seancën në Gjykatën Kushtetuese, linte për të dëshiruar, me argumentet që ata kishin përdorur.

Rama shtoi se me pagat aktuale, gjyqtarët në Shqipëri paguhen njësoj sa në Greqi, vend i BE, dhe marrin dyfishin e gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

“Gjykata Kushtetuese publikoi përpara ditësh regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata gjykatësish, edhe ata me probleme ligjore të paregjistruara, gjithsesi, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese, që t’iu rrisë pagat. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrim të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, realisht ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me Gjykatën Kushtetuese, lë tejet për të dëshiruar. Nuk është çështje personash, por ja si flet njëri, unë jam gjykatës karriere, kuptoj nga politika, jeta shoqërore, nga të gjitha. Nga ana e kryeministrit u anatemua, u anatemua ideja që këta njerëz mund të përdorin fuqinë e tyre për të shkelur mbi dy pushtetet e tjera. Mendova këtë, që edhe ne të zgjuar jemi. E kam bërë kërkesën personalisht. Ky i thotë gjykatës, thashë ta bëjmë tinëz këtë punë, qeveria e kishte mendjen te zgjedhjet jo te ne, t’i merrnim shqiptarëve nga taksat, 37 milionë euro të tjera. Gjyqi është gjyq në fund të fundit thotë, se nëse të tjerët janë dhe nuk janë, ne të tjerët që jemi në shumë punë të tjera, gjykatësit janë vet zot dhe vet shkop. Jemi koshientë thotë për nivelin e pushtetit ekzekutiv, të demokracisë. Po për çfarë niveli të demokracisë bën gjyqtari me ironi. Dua ta dinë të gjithë se e vërteta është që në Shqipëri, pagat e gjykatësve sot, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi, vendi BE, dyfish se pagat e gjykatësve në Maqedoni dhe Malin e Zi.”, theksoi kreu i qeverisë.

 

Pas kërcënimeve, Trump paralajmëron një marrëveshje me Kubën

By: e xh
2 February 2026 at 08:27

Donald Trump i cili kohët e fundit përshkallëzoi kërcënimet e tij kundër Kubës, duket se ka ndryshuar qëndrim. Uashingtoni ka filluar dialogun me autoritetet kubane, dhe sipas presidenti amerikan bisedimet mund të çojnë edhe në një marrëveshje.

“Po flasim me kubanezët, zyrtarët e lartë në Kubë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me Kubën”. Pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, aleatin kryesor të Kubës, Trump e ka kërcënuar vazhdimisht qeverinë e ishullit komunist.

Trump, i cili tashmë ka ndaluar dërgesat e naftës venezueliane në Kubë pas arrestimit të Nicolas Maduros në fillim të janarit, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që thotë se Uashingtoni “mund” të vendosë tarifa, me një shumë të paspecifikuar, për vendet që shesin naftë në Havanë, duke pretenduar se Kuba përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

U përmend në dosjen “Epstein”, reagon Elon Musk: Nuk kam bërë asgjë të gabuar

By: e xh
2 February 2026 at 08:27

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk mohoi të hënën çdo lidhje me Jeffrey Epstein. Musk ka thënë se ai kurrë nuk e vizitoi “ishullin e frikshëm” të financierit, nuk udhëtoi me aeroplanin e tij “Lolita Express” dhe as nuk mori pjesë në festat e tij.

Sqarimi erdhi pasi emri i Musk u shfaq në grupin e fundit të dokumenteve të lidhura me rastin Epstein.  Musk lëshoi sqarimin në platformën e tij të mediave sociale X, ku tha se kishte kohë që kishte kërkuar publikimin e plotë të dosjeve të Epstein dhe ndjekjen penale të atyre që abuzuan me fëmijët.

Ai pretendoi se ky qëndrim e kishte bërë atë një objektiv sulmesh nga ajo që ai e quajti “media të trashëguara” dhe “propagandistë të ekstremit të majtë”.

Në postimin e tij, Musk tha se ishte i përgatitur të përballej me sulme personale për mbështetjen e publikimit të dosjeve, duke shtuar se mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm ishte më e rëndësishme sesa reputacioni i tij.

“E dija që do të më njollosnin pa pushim, pavarësisht se nuk kisha marrë pjesë kurrë në festat e tij, nuk kisha qenë në aeroplanin e tij “Lolita Express”, nuk kisha shkelur në ishullin e tij të frikshëm dhe nuk kisha bërë asgjë të gabuar”, shkroi Musk, duke theksuar se do të pranonte kritika të mëtejshme nëse kjo do të ndihmonte në sjelljen e drejtësisë për viktimat.

Sqarimi pasoi publikimin nga Departamenti i Drejtësisë i të premtes të grupit më të madh të dosjeve të lidhura me Epstein deri më tani.

“Seria e re” përfshin rreth tre milionë faqe shtesë dokumentesh, së bashku me mijëra video dhe imazhe.

Dokumentet ofrojnë më shumë detaje rreth kontakteve të Epstein me disa individë të profilit të lartë, përfshirë Musk, Bill Gates dhe sekretarin e tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick.

Zyrtarët kanë thënë se dosjet përmbajnë gjithashtu shumë informacione të paverifikuara të paraqitura në zbatimin e ligjit.

 

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

By: e xh
2 February 2026 at 08:25

Ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.

Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal. Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites, reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore.

Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve. Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10m/s. Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

By: e xh
2 February 2026 at 08:24

Dashi

Asnjë planet nuk do ndikoje sot ne jetën tuaj sentimentale kështu qe gjithçka do shkoje si e kishit ëndërruar. Lëreni pas krahë edhe ato qe keni kaluar. Beqaret do i marrin gjerat me seriozisht dhe ne çdo moment do e kërkojnë princin e tyre te kaltër. Financat do mbeten te qëndrueshme gjate gjithë kohës. Asgjë dhe askush nuk do mund t’i trazoje ato.

Demi

Venusi do ndikoje pozitivisht gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale. Me ne fund do pajtoheni me personin qe keni ne krah dhe do e shihni me pozitivizëm te ardhmen. Beqaret do kenë disa takime, por ne asnjë moment nuk do mendojnë te krijojnë menjëherë një lidhje. Ne planin financiar tregohuni gjithë kohës te vëmendshëm sepse përndryshe do keni vështirësi.

Binjaket

Dite e mbushur me çaste te lumtura kjo e sotmja për te dashuruarit. Si kurrë me pare do flisni hapur edhe për disa tema delikate. Beqaret do luajnë me zjarrin dhe ka rrezik te digjen rende. Gjerat e nxituara asnjëherë nuk dalin për mire. Sektori i financave do jete i animuar. Nuk priten aspak probleme dhe vështirësi te mëdha, megjithatë maturia duhet te mbizotërojë.

Gaforrja

Ka rrezik qe gjate kësaj dite te ketë mjaft konflikte ne jetën tuaj sentimentale. Marrëdhënia me partnerin do jete delikate. Beqaret do ndihen gati për te filluar një histori dashurie dhe do i shohin me kujdes te gjitha mundësitë qe do iu jepen. Edhe gjendja e te ardhurave do përmirësohet ndjeshëm kështu qe do jeni me te qete kur te kryeni ndonjë shpenzim.

Luani

Do tregoheni shume te matur gjate kësaj dite dhe nuk do lejoni te krijohet asnjë lloj problemi me personin qe keni ne krah. Beqaret do jene nervoze dhe nuk do mund te fillojnë dot një lidhje serioze. Duhet te presin edhe pak kohe për te ndryshuar status. Ne planin financiar duhet te merrni masa strikte ne mënyrë qe gjendja mos përkeqësohet me tepër.

Virgjeresha

Ata qe janë ne një lidhje nuk do ndihen te qete gjate kësaj dite. Te shumte do jene personat qe do ju thonë histori nga me te ndryshmet ne mënyrë qe t’iu ngrenë dyshimet mbi partnerin. Mos ua bëni qejfin. Për beqaret ka shume mundësi qe një miqësi te përfundojnë ne diçka me shume. Ne lanin financiar duhet te ndërmerrni disa rreziqe qe gjendja me pas te rregullohet.

Peshorja

Do ja njihni te gjitha cilësitë partnerit tuaj gjate kësaj dite dhe gjithçka do shkoje për mrekulli mes jush. Emocionet do jene te njëpasnjëshme. Beqaret do jene te parrezistueshem dhe do marrin propozime nga me mbresëlënëset. Gjendja e te ardhurave do vije dalëngadalë duke u përmirësuar dhe kjo edhe pale ndihmës se disa familjareve.

Akrepi

Do ndiheni mjaft xheloze sot pe rate qe keni ne krah dhe kjo mund te nxisë edhe debatet te njëpasnjëshme. Asgjë nuk ka për te ecur si e kishit ëndërruar. Beqaret nuk do ndihen ende gati për te filluar një lidhje dhe do ju bien me shkelm edhe mundësive te mira qe do iu jepen. Ne planin financiar perspektivat janë goxha te mira. Nëse hiqni para mënjanë keni për t’u pasuruar shpejt,

Shigjetari

Do e ngrini ne piedestal gjate kësaj dite partnerin sepse ne fakt ai i meriton te gjitha. Shume gjera kane për te ndryshuar qe sot e tutje. Beqaret do fillojnë aventura kalimtare te cilat do i bëjnë te ndihen mjaft mire. Gjendja e financave do vije dalëngadalë duke u përmirësuar. Do lodheni pak duke marre masa strikte, por rezultati do ju beje te ndiheni te qete.

Bricjapi

Mos ëndërroni gjera te cilat partneri nuk do mund t’ua plotësojë dot sot sepse do lëndoni veten tuaj. Jo gjithçka do jete ne dorën e tij. Beqaret do jene sensuale dhe gati për te pranuar ftesat qe do ju bëhen. Me shume gjase do fillojnë histori te bukura dashurie. Financat nuk do mbeten ne gjendjen qe ishin pasi ndihma e një te afërmi do iu ndihmoje mjaft.

Ujori

Fatmirësisht kjo dite nuk do jete aspak e tensionuar për jetën tuaj sentimentale. Do merreni vesh për çdo gjë me atë qe keni ne krah dhe gjerat do ecin për mrekulli. Beqaret do i mendojnë gjerat me kujdes dhe nuk do nxitohen te fillojnë menjëherë një lidhje. Ne planin financiar bëjini mire llogarite ne mënyrë qe gjendja te mos përkeqësohet.

Peshqit
Duhet te tregoheni sa me besnike gjate kësaj dite me atë qe keni ne krah, përndryshe situata mund t’iu ndërlikohet me tepër nga sa mund ta keni menduar ndonjëherë. Beqaret do kenë një dite shume te zakonshme dhe nuk do arrijnë te krijojnë dot një lidhje. Ne planin financiar do kryeni transaksione te rëndësishme sepse gjendja do jete goxha e qëndrueshme.

❌
❌