Artan Hoxha tregon pse krimi shqiptar është problem për SHBA
Gazetari Artan Hoxha ka folur në emisionin “Opinion” për raportet e SHBA me SPAK në vendin tonë.
Hoxha u shpreh se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar dhe ata kanë një interes të shtuar për organizatat kriminale në Shqipëri, pasi ata dinë një gjë që shqiptarët nuk e dinë. SHBA-të njohin potencialin e tyre ekonomik.
Gazetari mori si shembull rastin se si dy organizata kriminale shqiptare kishin financuar fushatën e presidentit të Ekuadorit Guillermo Lasso.
“Qëndrimi është i ndryshuar në ambasadën Amerikane pas ardhjes së presidentit Trump. Ka ndryshuar brenda një kohe rekord, shumë shpejt. Amerikanët e kanë patur këtë informacion përpara, thjesht e kanë nxjerrë nga sirtari dhe e kanë vënë në zbatim. Amerikanët dinë një gjë më shumë se ne. Dinë potencialin e vërtetë të organizatave kriminale shqiptare të narkotrafikut. E dinë me saktësi. Pse e dinë? Në momentin që ne themi që ka organizata që e kanë kaluar 1 miliard dollarëshin. Ai e di që për një vend si Shqipëria, nëse ekziston një organizatë kriminale, që po lëviz kokainë në këto përmasa, ai e di infiltrimin e kësaj paraje në administratën e vendit, e dinë se çfarë mund të bëhet me këto para gjatë fushatës elektorale. Gjë që ne i kemi të provuara, realisht. Ato ndikojnë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. SHBA-të e kanë të provuar tashmë këtë.”, tha Hoxha.
Pse janë organizatat tona problematike për SHBA-të?
“Pse janë organizatat tona problematike për SHBA-të? Së pari, për herë të parë kemi një grup shqiptar, familja Hysaj nga Departamenti i Thesarit, të ekspozuar dhe të shpallur si organizatë terroriste që pastron para për kartelin Sinaloa. Që ka përdorur biznese amerikane, territorin amerikan, ka përdorur perandorinë e kazinove që kishte në territon e Meksikës, dhe ka ndikuar në SHBA. Ky është vendimi i 13 nëntorit të vitit të kaluar. Pra, për herë të parë, s’kemi pasur kurrë, kemi saktësisht të evidentuar nga agjencitë amerikane të luftës kundër drogës, nga operacione konkrete të bëra në territorin shqiptar. SPAK nuk ka operuar në Shqipëri me hetimet e veta, SPAK-ut ia kanë sjellë. I kanë thënë: ‘Ja ku i ke, vepro’. Kush i ka sjellë këto? DEA.
Kur kam qenë në Ekuador dhe takova drejtorin e antidrogës atje, kur hapi të dhënat, i kishte me projektor si ti, e di ku i kishte marrë të dhënat? Nga DEA, që dy organizata shqiptare kishin financuar me 5 milionë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. 5 milionë dollarë! Ne kishim financuar me 5 miliardë dollarë fushatën e presidentit Guillermo Lasso. sepse njëri nga shqiptarët ishte mik me dhëndrin e presidentit. Në Ekuador. Ai presidenti ishte CEO banke, kishte punuar me shqiptar dhe prandaj u përfshinë. Sepse shqiptarëve nuk u bëhet vonë kush bëhet president. Po flas për realitetin. Dritan Gjika ka financuar fushatën e presidentit Guillermo Lasso, unë kam vajtur në Ekuador, tek vila ngjitur me vilën e presidentit. Kanë lëvizur me makinën private të presidentit të Ekuadorit. Nga e kishin marrë? Duke patur këtë informacion autoritetet amerikane, duke parë që kjo organizata që po ndikon direkt në Ekuador, duke parë që lëviz me një ngarkesë të vetme 16.5 ton. Ajo ngarkesa që u kap në Hamburg. Ata e dinë ku të çon kjo sasi. Këto grupe që e bëjnë këtë punë janë shqiptare, ato kanë në Shqipëri bizneset e tyre, lidhjet e tyre. Vetëm organizata Çopja ka 14 milionë euro longota ari, 15 milionë euro bitcoin. Kaq ke kapur.”, shtoi ai.
Sipas Hoxhës, SHBA-të nuk kishin asnjë interes më parë për krimin në Shqipëri. Por interesi I tyre u shtua pikërisht pasi panë se si grupet kriminale shqiptare mund të ndikonin përtej vendit të tyre, deri në Amerikën Latine.
“Amerikanët për sa kohë grupet tona bllokonin urën e Mifolit dhe të Memaliajt nuk ishin problem për të, kpor kur i panë në Amerikë, kur i panë në Amerikën Latine, kur i panë në Europë, kur panë fuqinë dhe potencialin e tyre dhe mund të ndikojnë edhe larg vendeve të tyre, ata thanë janë problem prej fuqisë ekonomike. Nuk rrezikojnë NATO, por fuqia ekonomike e tyre, kur shkojnë tek miliardi i dollarit, në një vend si Shqipëria ata bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm. Kur them me 5 milionë dollarë investuan për Lason, imagjinon ti në Shqipëri kur të dalin kandidatët e panjohur me 26 mijë vota. Ja si u bë lidhja. SHBA e di shumë mirë si ky zinxhir është bashkuar dhe kanë ardhur e ia kanë dhënë dosjet SPAK-ut në dorë. Dhe ne do shohim në vijim se çfarë do të kërkojnë ata dhe me çfarë intensiteti. Kur duan të veprojnë, ata veprojnë.”, u shpreh gazetari, duke shtuar se DEA e ka shumë të qartë deri në ç’masë janë infiltruar organizatat kriminale në vendin tonë, në ç’nivel politik dhe administrativ të zbatimit të ligjit, dhe sa influencë kanë arritur të blejnë me “narko-dollarët”, duke influencuar madje “deri në legjislativ”. Sipas Hoxhës, mbetet vetëm për t’u parë se sa do të veprojnë.