Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Opinion.al

Protesta e 24 Janarit, Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë

By: dan iela
10 January 2026 at 16:09

Në një komunikim me gazetarët, pas mbledhjes së kreyesisë, kreu i PD Sali Berisha u pyet lidhur me protestën e 24 Janarit. Ai tha se Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit dhe është zëri popullor që do të bjerë mbi të, por u shpreh se ai vetë nuk merr pushtet me dhunë.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD ME GAZETARËT:

Kemi diskutuar për protesta të cilat do të gjitha do të shqyrtohen dhe do vendosen në kohën e duhur.

Pyetje: Të tipit? Mund të na i shpjegoni pak më qartë?

Sali Berisha: Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund largimin e kësaj organizate kriminale që siç e patë ju dhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetaj, që në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuar, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë.

Pyetje: Zoti Berisha, a keni ju një thirrje ndaj protestuesve dhe në një formë ose në një tjetër, pritet që 24 janari t’i ngjajë 21 janarit?

Sali Berisha: 21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konseguent në këtë linjë, ai e ka provuar. Natyrisht, Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.

Pyetje: Zoti Berisha, pse nuk po arrijnë të gjitha partitë opozitare që të mblidhen në një protestë të vetme? Po t’i shohim, të gjitha partitë opozitare denoncojnë dosjen Balluku, dosjen e Ashqit, por nuk po arrijnë që të kenë të jenë së bashku në një protestë.

Sali Berisha: Tani të marrim, të marrim kështu po. Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe mediave, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama.

Pyetje: Por munguan, zoti Lapaj…

Sali Berisha: Prit një minutë. Mungoi Lapaj, i cili, të cilin unë e kam përgëzuar dhe e përgëzoj për protestën e tij të vazhdueshme para Këshillit të Ministrave. Për të tjerët, në qoftë se janë të vendosur të ose duan të luftojnë të keqen Rama, vendin e kanë të hapur. Pastaj vendimet i marrin vetë.

Pyetje: Zoti Berisha, do t’i vendosni ndonjë kuotë deputetëve ose njerëzve që kanë poste në Partinë Demokratike për të sjellë njerëz në protestë apo…

Sali Berisha: Njerëzit siç e pa, siç e patë ju, u mbush Tirana me njerëzit. Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Lubi Babukun, Edi Ramën, Lindat e tij, komplet siç është rasti i, se nuk është më pak ajo si quhej ajo, Sesilia e Maduros. Sesilia quhej ajo? Po. Po, më pak nuk është më pak. Edhe Linda e Surrelit, aty afër është, sepse dhe ajo i fut duart në tendera, në gjëra kështu, a kupton apo jo.

Pyetje: Zoti Berisha, a keni një skenar për protestën e 24 janarit apo është ende herët dhe takimet e mëtejshme do të përcaktojnë edhe se si do të zhvillohet kjo protestë? Pra a do të ketë një qëndrim të qytetarëve në shesh?

Sali Berisha: Nuk do të gjeni kurrë, kurrë një njeri transparent si unë. Në komunikatë, jo. Gjeni ju, ku i keni? Ku është, ku janë të tjerët? Pra unë çdo ditë u them ju atë që kam ndërmend të bëj, e ndonjëherë edhe gjëra që janë projekte. Kështu që, ose që do bëhen. Pra, në moment, unë do ju informoj ju për të gjitha gjërat.

Pyetje: Çfarë do të kërkohet me 24 janar, zoti Berisha?

Sali Berisha: Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Kjo është e gjithë puna. Shqipëria nuk do, nuk do më t’i shohë me, nuk do më t’i shohë me sy të ballit këta njerëz, a kupton. Nuk do, ka fituar urrejtje të madhe.

 

 

Berisha kundërshton Ramën për përmbytjet: 6 mijë forca nuk i ka ushtria në bordero

By: dan iela
10 January 2026 at 15:27

Kreu i PD Sali Berisha, në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike u ndal në situatën e krijuar nga përmbytjet në vend. Ndër të tjera Berisha tha se Kryeministri Rama ka gënjyer kur tha se në terren janë 6 mijë forca për të përballuar situatën.

“6 mijë forca, thoshte Edi Rama, janë në terren. Paturpësi e madhe. 6 mijë forca nuk ka në bordero ushtria. Nga i gjeti mbrojtja civile? Nga mashtrimet e Edi Ramës”, u shpre Berisha duke u ndalur ede në faktin e mosshpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

“Dhe cinizmi ekstrem, mbledh komitetin e emergjencës dhe nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan. Po si të përçan? Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve.

Ndaj u them qytetarëve se çdo gjë që ka thënë dje ka qenë një tallje cinike. Po si mund të mos e shpallësh gjendjen e emergjencës kur edhe sot në Durrës janë 4 mijë banesa me ujë brenda. Dhe sa janë në Lezhë, në Mamurras, në Gjirokastër, në Fier, në Novoselë, etj. Dhe u mblodh, dëgjuan dokrrat, mashtrimet e njëri pas tjetrit të atyre dhe nuk përcaktoi… shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është kushti i parë që qeveria të marrë hapat e tjerë për të adresuar problematikat e krijuara nga fatkeqësia natyrore. Dhe ky jo, ky i ka nga xhepi ato. Është kriminale kjo. Po të gjitha këto tregojnë edhe njëherë karakterin e këtij regjimi. Të gjitha këto dëshmojnë se çdo ditë në pushtet, ata janë një barrë e rëndë, e tmerrshme për shqiptarët kudo që janë.
Ndaj dhe është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj. Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin për gjithë këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës.

Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, humbasin bukën e gojës. Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin. Dhe pse kjo? Se do ndërtohen kulla aty. Se mafia e betonit, mafia e kokainës, mafia e drogës i djeg ato për të ndërtuar kulla në atë shesh”, tha Berisha.

PD përcakton datën për protestën e radhës

By: dan iela
10 January 2026 at 14:45

Partia Demokratike do të vijojë protestat dhe data e radhës është 24 Janari, ndërkohë që ende nuk ka një vendim për orën e saktë.

Është ky vendimi që ka dalë nga mbledhja e kryesisë këtë të shtunë, ndërkohë që një ditë më parë  PD ka patur takim me forcat opozitare në vend.

 

Magazinë për stampime veshjesh me logo false, pranga turkut në Kamëz

By: dan iela
10 January 2026 at 11:59

Një magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false është është zbuluar nga Policia e Tiranës këtë të shtunë në Kamëz.

Në kuadër të operacionit të koduar “Brands 2”, ka rënë në pranga një shtetas turk O. S., 46 vjeç dhe u shpall në kërkim një tjetër shetas turk me iniciale M. K., 50 vjeç.

“Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme”, bën me dije policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”.

Zbulohet në Kamëz, 1 magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohet 1 shtetas turk, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas turk si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 punonjëse.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh/këpucësh, makineri lazeri, printimi ose stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”,  organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk  O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B,  punonjëse në këtë magazinë.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

 

Përfshihet nga flakët autoboti në Rrugën e Kombit

By: dan iela
10 January 2026 at 11:46

Një autobot që transportonte karburant është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes teksa udhëtonte në autostradën Rruga e Kombit.

Ngjarja ka ndodhur në 34 të rrugës, por fatmirësisht zjarri I përmasave të mëdha, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të forcave të shumta të zjarrfikëses së Mirditës është vënë nën kontroll.

 

 

Rënie inertesh, gurësh e prezencë uji, ARRSH: Bllokime në disa akse rrugore

By: e xh
10 January 2026 at 09:14

Në disa akse rrugore të vendit ka pasur rënie gurësh, inerte dhe prezencë të ujit, për shkak të reshjeve të shiu gjatë natës.

Përmes një njoftimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), thotë se ka problematika në disa akse rrugore.

Në Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi po kryhet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, në Valare-Erind-Çajup (km 7+600) ka rrëshqitje aktive dhe aksi është  i bllokuar.

ARRSH njofton se në aksin Korçë-Dardhë (km 9+00), ka pasur shkarje anësore e trupit të rrugës, ndërsa në aksin Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit), pati shkarje masive aktive dhe zgjerim të çarjes rreth 10 cm.

Ndërkaq, rrëshqitje dherash ka pasur edhe në Librazhd-Qafë Thanë, ku pastrimi në proces. Në aksin Dushaj-Lekbibaj, ka rënë masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi vijon me kujdes.

Sipas ARRSH, është duke u punuar për të bërë të mundur pastrimin e rrugëve.

Gjithashtu, ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes të shtuar.

Njoftimi i ARRSH

Situata e akseve rrugore

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut në të gjithë territorin e vendit, duke sjellë rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trup të rrugës.

Reshje dëbore ka pasur në zonën veriore, në lartësi mbi 1100 m, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë?

Akset që kanë pasur probleme:

Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës.

Valare-Erind-Çajup (km 7+600): rrëshqitje aktive, aksi i bllokuar në këtë vend po punohet për hapjen.

Korçë-Dardhë (km 9+00): shkarje anësore e trupit të rrugës, situata po monitorohet.

Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit): shkarje masive aktive, zgjerim i çarjes rreth 10 cm.

Librazhd-Qafë Thanë: rrëshqitje dherash, pastrimi në proces.

Skuraj-Peshkopi: rënie gurësh dhe inertesh, pastrim nga grupet e punës.

Dushaj-Lekbibaj: rënie masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit, qarkullimi vijon me kujdes.

Shkalla e Zezë (Gjirokastër): rrugë njëkalimshme, kërkohet vëmendje e shtuar.

Llogara: ka mjegull të denudur.

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Qeveria e Venezuelës nis lirimin e të burgosurve politikë

By: e xh
9 January 2026 at 22:36

Qeveria e Venezuelës ka nisur lirimin e të burgosurve politikë, në një hap që zyrtarët e përshkruan si një “gjest dashamirës”.

Ministria e Jashtme e Spanjës njoftoi se pesë shtetas të saj janë liruar. Mes tyre është aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut me origjinë venezuelase-spanjolle, Rocío San Miguel, konfirmoi familja e saj për mediat amerikane.

Ky hap vjen pas marrjes nën pranga të presidentit venezuelas, Nicolás Maduro, nga autoritetet amerikane në një operacion në kryeqytetin Caracas të shtunën, ku ai akuzohet për trafik droge në New York.

Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetin social Truth Social se lirimi i të burgosurve politikë, që është një kërkesë e gjatë e SHBA-ve, ishte “një gjest shumë i rëndësishëm dhe i mençur” nga Venezuela. Ai shtoi se lirimi i tyre ishte një shenjë e “kërkimit të paqes” dhe për këtë arsye kishte anuluar një “valë të dytë sulmesh” që pritej kundër vendit.

Jorge Rodríguez, kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe vëllai i presidentes së përkohshme Delcy Rodríguez, njoftoi në televizionin shtetëror se “një numër i konsiderueshëm” do të lirohet menjëherë, pa specifikuar saktësisht numrin ose identitetin e të burgosurve.

Qindra të burgosur politikë ndodhen në burgjet venezuelase, ndërsa deri më tani besohet se janë liruar vetëm disa prej tyre. Jorge Rodríguez tha se qeveria e përkohshme po i lironte ata në interes të “unitetit kombëtar dhe bashkëjetesës paqësore”. Rocío San Miguel, kritike e zëshme e Maduron dhe eksperte për mbrojtjen e të drejtave, ishte e para e konfirmuar si e liruar. Familja e saj i tha New York Times se ajo ishte dërguar në ambasadën spanjolle në Caracas.

Ajo u arrestua në vitin 2024 dhe akuzohej për përfshirje në një komplot për vrasjen e presidentit të atëhershëm, duke u përballur me akuza për tradhti, komplot dhe terrorizëm. Arrestimi i saj tronditi aktivistët e të drejtave të njeriut dhe, për shkak se vendndodhja e saj ishte e panjohur, u konsiderua nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut si një “zhdukje e mundshme e detyruar”.

Organizatave venezuelase për të drejtat e njeriut, disa prej të cilave kanë anëtarë ose themelues në burg, e mirëpritën lajmin me kujdes.

Edhe pse një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Maduron, administrata e përkohshme e Delcy Rodríguez ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me SHBA që nga marrja nën pranga e liderit të tyre dhe deklarimet e mëdha për të ardhmen e Venezuelës. Rreth 50 deri në 80 të burgosur besohet të mbahen në burgun e famshëm El Helicoide, që sipas Presidentit Trump do të mbyllet pas arrestimit të Maduron.

Ky burg është bërë ndërkombëtarisht i njohur për mbajtjen e kundërshtarëve politikë, me raporte nga grupet e të drejtave të njeriut për tortura, duke përfshirë rrahje dhe elektrokutim.

Njoftimi vjen pak ditë pasi Presidenti Trump tha se kishte “dhënë urdhër për mbylljen e atij burgu”, i cili ishte bërë një nga simbolet më të njohura të shtypjes politike në vend.

Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut Provea paralajmëroi se mbyllja e pritur e El Helicoide nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen nga vendet e tjera të mbajtjes që vazhdojnë të funksionojnë në vend.

Kryetarja e opozitës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Maria Corina Machado, e cila ka disa aleatë të ngushtë në burg, ka kërkuar me insistim lirimin e tyre.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Machado pritej të vinte në SHBA “javën e ardhshme”. Machado i kishte thënë më herët mikpritësit Sean Hannity se dëshironte t’i dorëzonte presidentit amerikan Çmimin e saj Nobel për Paqe. Pyetur nëse Trump do ta pranonte këtë, ai u përgjigj se “do të ishte një nder i madh”.

Opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut në Venezuelë kanë thënë prej vitesh se qeveria përdorte arrestimet për të shtypur disidentët dhe për të heshtur kritikët.

Që nga zgjedhjet e diskutueshme të vitit 2024, opozita ka pohuar se procedurat ligjore ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë janë shtuar.

Prokurori i Përgjithshëm Tarek Saab dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë vazhdimisht kanë mohuar që Venezuela mban të burgosur politikë, duke argumentuar se të arrestuarit janë ndaluar për krime të vërteta.

Yesterday — 9 January 2026Opinion.al

Kapja e Maduros, zyrtarët amerikanë “zbarkojnë” në Venezuelë

By: e xh
9 January 2026 at 21:22

Personeli diplomatik dhe i sigurisë nga njësia për Çështjet e Venezuelës në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, kanë udhëtuar sot për në kryeqytetin e vendit.

Mediat e huaja bëjnë të ditur se sipas një zëdhënësi të Departamentit, ata janë në Karakas për të vlerësuar rifillimin e mundshëm të operacioneve të Ambasadës.

SHBA-të urdhëruan stafin e ambasadës së tyre të largoheshin nga Venezuela në vitin 2019.

Kujtojmë se disa ditë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kreu një operacion ushtarak në Venezuelë, i cili u finalizua me kapjen e Presidentit ne detyrë, Nicolas Maduro.

Aksioni opozitar, PD mbledh nesër Kryesinë

By: e xh
9 January 2026 at 20:52

Partia Demokratike do të mbledhë nesër Kryesinë në ora 13:00.

Kjo mbledhje do të fokusohet në aksionin opozitar dhe sesi do të vazhdojë ai, si dhe në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

PD njofton se edhe gjatë mbledhjes së nesërme, diskutimi në lidhje me aksionin opozitar do të ‘rrotullohet’ drejt synimit të krijimit të një qeverie teknike.

Gjatë ditës së sotme opozita mbajti një tryezë me aktorë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ku u diskutua në lidhje me hapat e ardhshëm të aksionit opozitar.

Përmbytjet në Durrës/ Protestë para bashkisë, qytetarët kërkojnë dëmshpërblim

By: e xh
9 January 2026 at 20:22

U mbajt këtë mbrëmje protesta e tretë radhazi para Bashkisë së Durrësit, ku u mblodhën dhjetëra qytetarë që akuzojnë pushtetin vendor dhe kryebashkiaken Emirjana Sako për mosmarrjen e masave të nevojshme me qëllim shmangien e përmbytjes së qytetit, problem që ndodh sa herë ka reshje shiu të dendura dhe periodike.

Protestuesit kërkojnë vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar. Shumë prej tyre pretenduan se nuk kanë marrë ende dëshmpërblimet e humbjeve të shkaktuara nga moti i keq vitin e kaluar, por edhe më parë.

Ndryshe nga tubimi i djeshëm, protestuesit nuk tentuan të hyjnë me forcë në godinën e Bashkisë, duke deklaruar se kjo protestë është paqësore, por vetëm pak minuta më pas filluan të hedhin domate dhe shpërthejnë kapsolla drejt Bashkisë. Për shpërthimin e lëndëve pirotenike Forcat Shqiponja shoqëruan një person, në ndihmë të të cilit, përfaqësues të PD-së u nisën drejt rajonit të policisë.

Në Durrës është regjistruar gjithashtu dhe viktima e parë nga përmbytjet. Kryesisht problematikat më të mëdha janë regjistruar në zonën e Kënetës, Katund i Ri dhe Sukth si pasojë e daljes së rumin Erzen nga shtrati ku janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë dhe shtëpi.

Mbi 50 protestues të vrarë në demonstratat në Iran

By: e xh
9 January 2026 at 19:56

Më shumë se 50 protestues janë vrarë në Iran që nga fillimi i protestave antiqeveritare më 28 dhjetor, tha një organizatë joqeveritare.

“Të paktën 51 protestues, përfshirë nëntë fëmijë nën moshën 18 vjeç, u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën gjatë 13 ditëve të para të protestave në të gjithë Iranin”, tha organizata Iran Human Rights me seli në Norvegji .
Një numërim i mëparshëm e kishte çuar numrin e të vdekurve në 45.

Ndërprerja e internetit zgjat më shumë se 24 orë

Ndërkohë, “mbyllja e internetit në të gjithë vendin” e imponuar nga autoritetet iraniane në përgjigje të protestave në Iran ka hyrë në orën e 24-të, tha sot grupi i monitorimit të sigurisë kibernetike Netblocks.

“Kanë kaluar 24 orë që kur Irani vendosi një mbyllje të internetit në të gjithë vendin, me lidhjen e internetit të rënë në 1% të nivelit të saj të zakonshëm”, shkroi organizata joqeveritare në rrjetet sociale X.

Djali i ish-Shahut i bën thirrje ‘urgjente’ Trumpit që të ndërhyjë

Ndërkohë, djali i ish-shahut të Iranit dhe figurës së opozitës në mërgim i bëri thirrje sot Donald Trump të ndërhyjë pa vonesë në Republikën Islamike, ku po rritet një lëvizje për të sfiduar qeverinë.
“Z. President, ky është një apel urgjent dhe i menjëhershëm në të cilin kërkoj vëmendjen, mbështetjen dhe veprimin tuaj”, shkroi Reza Pahlavi në rrjetet sociale.

“Jini të gatshëm të ndërhyni për të ndihmuar popullin iranian”.

Reza Pahlavi, i cili jeton pranë Uashingtonit, nuk specifikoi se çfarë lloj ndërhyrjeje pret nga presidenti i SHBA-së, por e justifikoi kërkesën e tij me vendimin e autoriteteve iraniane për të ndërprerë aksesin në internet në vend dhe shtypjen e protestuesve. “I bëra thirrje popullit të dalë në rrugë për të luftuar për lirinë e tyre dhe për të mbingarkuar forcat e sigurisë me numrin e tyre. Kjo është ajo që bënë mbrëmë”, tha ai.
“Kërcënimet tuaja ndaj këtij regjimi kriminal i kanë mbajtur larg edhe elementët e këqij të regjimit. Por koha po mbaron. Populli do të kthehet në rrugë brenda një ore. Kërkoj ndihmën tuaj”, shtoi ai, duke iu drejtuar Donald Trump.

Presidenti amerikan kërcënoi dje se do ta “godasë Iranin shumë rëndë” nëse autoritetet do të reagonin duke vrarë protestuesit.

Pas dy javësh të një lëvizjeje fillimisht të lidhur me koston e jetesës, vala e pakënaqësisë po fiton terren dhe po paraqet një sfidë serioze për Republikën Islamike, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1979.

Trump: Nuk kam nevojë për ligjin ndërkombëtar, i bindem vetëm moralit tim

By: e xh
9 January 2026 at 19:26

Nuk ka asgjë që mund ta ndalojë Donald Trump, e madje as ligji ndërkombëtar.

I pyetur në një intervistë për Nju Jork Times, nëse ka ndonjë kufizim në fuqitë e tij globale, Trump e bëri të qartë se ai vepron si dëshiron.

“Morali im, mendja ime është e vetmja gjë që mund të më ndalojë. Nuk kam nevojë për ligjin ndërkombëtar”, tha Trump.

Kur u pyet më tej nëse administrata e tij duhej t’i përmbahej ligjit ndërkombëtar, Trump tha po, por e bëri të qartë se ai vetë është arbitri kur kufizime të tilla zbatohen për shtetet e bashkuara.

Kreu I shtëpisë së bardhë nuk hoqi dorë as nga ambicia e tij për të marrë Groenlandën.

Ai madje pranoi se kjo situatë mund të çojë në një moment në një zgjedhje, mes NATO-s ose ishullit në kontroll të Danimarkës.

Trump përsëriti se Groenlanda është shumë e rendësishme për Shtetet e Bashkuara dhe pronësia e saj është psikologjikisht e nevojshme për sukses.

Qeveritë e Danimarkës dhe të Groenlandës i hedhin poshtë propozimet e Trump për të blerë ose pushtuar ishullin.

Kryeministrja daneze Frederiksen tha javë se një përpjekje ushtarake për të pushtuar Groenlandën do të shënonte fundin e NATO.

Vende europiane si Franca, Gjerania, Spanja, Italia apo Mbretëria e Bashkuar e kanë bërë të qartë se Groenlanda I përket vetëm popullit të saj. Kryeministrja italiane Georgia Meloni theksoi se Trump nuk do te ndërhyjë usharakisht në ishull, por nëse e bën, ajo nuk do e mbështesë.

Moti i keq shkakton ndërprerje të energjisë elektrike në Francë dhe Britani

By: e xh
9 January 2026 at 16:59

Erëra të forta goditën Francën dhe Britaninë të premten, ndërsa stuhia Goretti përfshiu Evropën Veriore, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike.

Në Francë, rreth 380 mijë familje mbetën pa energji, kryesisht në rajonin e Normandisë dhe në Bretanjë, njoftoi kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis.

Gjatë natës, në rajonin Manche në veriperëndim të Francës u regjistruan shkulme ere mbi 150 km/orë, ndërsa në Barfleur u shënua një rekord prej 213 km/orë. Si pasojë, operatori hekurudhor SNCF pezulloi qarkullimin e trenave mes Parisit dhe rajonit të Normandisë.

Në Britani, sipas National Grid, rreth 57 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike, pasi stuhia Goretti solli reshje të tjera dëbore pas një jave me temperatura ngrirëse.

Qindra shkolla pritet të mbyllen në të gjithë Skocinë dhe në disa zona të Anglisë qendrore, e cila është goditur veçanërisht rëndë nga Goretti

Përmbytjet,Ministria e Mbrotjes:Mbi 155 efektivë në terren për të ndihmuar qytetarët

By: e xh
9 January 2026 at 16:46

Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin. Në një njoftim të shpërndarë për mediat bëhet e ditur se efektivët e Komandës Mbështetëse dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore, janë të dislokuar në zonat e prekura nga përmbytjet, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Në Vlorë, janë angazhuar 37 efektivë, 4 mjete dhe 3 gomone dhe një ambulancë me 2 efektivë mjekësorë.

Në Durrës janë angazhuar 61 efektivë, 17 mjete, 5 gomone, 7 agregate motopompe, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 27 efektivë me 4 mjete. Në zonën e urës së Mifolit në fshatin Ferras, në Fier po punojnë 23 forca, 34 mjete dhe 1 motovarkë.

Sakaq, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenierik për të pastruar rrugët me 3 efektivë dhe 2 mjete.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Petro: Shoh rrezik real për një kërcënim ushtarak të SHBA-së ndaj Kolumbisë

By: e xh
9 January 2026 at 16:09

Presidenti kolumbian, Gustavo Petro thotë se ekziston një kërcënim real ushtarak i SHBA-ve kundër Kolumbisë.

Petro deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i trajtojnë kombet e tjera si pjesë të një “perandorie” amerikane. Deklarata e Petros, vjen pasi Trump kërcënoi Kolumbinë se mund të ndërhyjë ushtarakisht.

Trump dhe Petro zhvilluan një bisedë telefonike të mërkurën në mbrëmje, pas së cilës presidenti amerikan tha se do të takohej me homologun e tij kolumbian në Shtëpinë e Bardhë.

Por të enjten, toni i Petros la të kuptohej se marrëdhëniet nuk ishin përmirësuar ndjeshëm.

Presidenti Trump shpesh e ka fajësuar emigracionin për krimin dhe trafikimin në SHBA, duke e përdorur atë për të justifikuar operacionet e zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë, dhe ka akuzuar vende si Kolumbia dhe Venezuela se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar trafikimin e drogës.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan ka dërguar agjentë të ICE-së në qytete anembanë vendit. Agjencia zbaton ligjet e imigracionit dhe kryen hetime për imigracionin pa dokumente. Ajo gjithashtu luan një rol në largimin e emigrantëve pa dokumente nga SHBA-ja.

VIDEO/ Po jepte deklaratë për mediat, deputetes i shpërthen eksplozivi në kokë

By: e xh
9 January 2026 at 15:59

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, kur Gladys Aurora López, deputete e Partisë Kombëtare, u plagos rëndë nga një pajisje shpërthyese që shpërtheu vetëm disa centimetra larg kokës së saj.

Ngjarja ndodhi të enjten gjatë një interviste për mediat, kur López po fliste para kamerave dhe papritmas një objekt rrethor u hodh drejt saj. Pajisja goditi pjesën e pasme të qafës së saj dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar panik në turmë dhe duke lënduar edhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë.

López mbijetoi, por pësoi dëmtime serioze, duke përfshirë djegie dhe dëmtime në dëgjim. Shumë nga të pranishmit gjithashtu pësuan lëndime të lehta. Sulmi ndodhi në një kohë të tensionuar politikisht, gjatë një rinumërimi të kontestuar të votave pas fitore së ngushtë të Nasry Asfura në presidencialet e nëntorit.

Presidenti i Kongresit, Luis Redondo, urdhëroi menjëherë një hetim dhe kërkoi shqyrtimin e kamerave të sigurisë dhe regjistrimeve të 911 për të identifikuar autorin. Ndërkohë, presidenti i zgjedhur Asfura bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se “kjo nuk duhet të ndodhë, pavarësisht motivit”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Kombëtare, Tomás Zambrano, e përshkroi sulmin si një akt dhune të papranueshëm dhe akuzoi partinë në pushtet për krijimin e një klime armiqësore ndaj opozitës. Ai bëri thirrje që Forcat e Armatosura dhe Policia Kombëtare të mbrojnë ligjvënësit dhe sigurinë e Kongresit, duke paralajmëruar se Honduras po hyn në një nga periudhat më kritike politike në historinë moderne të vendit.

Moti i keq/ Bashkia e Durrësit thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme

By: e xh
9 January 2026 at 15:53

Sipas parashikimit të motit, Durrësi pritet të përballet me erëra të forta në orët në vijim. Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta.

Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve. Strukturat tona do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet”-thuhet në njoftim.

Pse Raketa Oreshnik që përdori Rusia është një bishë e paparashikueshme?

By: e xh
9 January 2026 at 15:51

Historiania dhe analistja ushtarake, Dr. Victoria Taylor, ka shpjeguar më shumë rreth raketës hipersonike Oreshnik që Rusia qëlloi drejt Lvivit gjatë natës.

“Putinit i pëlqen shumë të përdorë atë element hipersonik dhe kur diskutojmë për këto lloj raketash balistike, sigurisht që e bën përgjimin e tyre tepër të vështirë”, i tha ajo prezantueses sonë Samantha Uashington.

“Ajo që e bën edhe më të vështirë është fakti që fragmentohet edhe gjatë fluturimit, kështu që është një bishë mjaft e paparashikueshme”, shtoi ajo.

Nuk është hera e parë që rusët e kanë vendosur atë. E bënë për herë të parë në nëntor të vitit 2024.

“Kjo nuk është një teknologji krejtësisht e re,” shtoi Taylor, shkruan Shqiptarja.com

“Por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të merret në konsideratë fakti që është tepër i shpejtë dhe tani për tani sistemet mbrojtëse perëndimore nuk janë të orientuara posaçërisht për t’u përballur me të”, përfundoi ajo.

Lideri suprem i Iranit kërcënon Trump-in

By: e xh
9 January 2026 at 15:49

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka kërcënuar presidentin amerikan Donald Trump, duke parashikuar se ai do të “rrëzohet”, ndërsa e ka fajësuar SHBA-në për protestat masive antiqeveritare që po tronditin Iranin prej gati dy javësh.

Në demonstratat më të mëdha deri tani, mijëra qytetarë dolën në rrugë në disa qytete kryesore, duke brohoritur slogane si “vdekje diktatorit” dhe duke djegur ndërtesa shtetërore. Protestat shpërthyen nga zemërimi për rritjen e kostos së jetesës, por janë shndërruar në thirrje të hapura për fundin e regjimit teokratik. Sipas Netblocks, autoritetet iraniane vendosën një bllokadë totale të internetit, e cila zgjati mbi 12 orë, në përpjekje për të shtypur protestat.

Në fjalimin e tij të parë lidhur me trazirat, të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei i quajti protestuesit “vandalë” dhe “sabotatorë”, duke deklaruar se Republika Islamike “nuk do të tërhiqet”. Ai akuzoi Trumpin se ka “duart e lyera me gjakun e mbi një mijë iranianëve” dhe tha se presidenti amerikan do të pësojë fatin e dinastisë perandorake të rrëzuar në vitin 1979.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi se “entuziazmi për përmbysjen e regjimit iranian është i jashtëzakonshëm”, duke paralajmëruar se SHBA-ja do të reagojë ashpër nëse autoritetet iraniane vrasin protestuesit.

Protestat janë raportuar në Teheran, Tabriz, Mashhad, Isfahan dhe në rajonet kurde, duke përbërë sfidën më të madhe për regjimin iranian që nga trazirat e viteve 2022-2023 pas vdekjes së Mahsa Amini.

Groenlanda/ Zyrtari i NATO kërcënon SHBA: Do marrim bazat amerikane në Europë

By: e xh
9 January 2026 at 15:45

Kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri, Gunther Fehlinger lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj SHBA-së mes pretendimeve se Donald Trump mund të vendosë marrjen e Groenlandës, duke mos përjashtu edhe ndërhyrje ushtarake atje.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Fehlinger tha se nëse SHBA do të aneksonte Groenlandën, të gjitha bazat amerikane në Europë do të konfiskoheshin dhe SHBA “do të duhet të largohej.”

Nëse merrni Groenlandë, ne do të marrim çdo bazë amerikane nga Aviano në Ramstein, nga Rumania e të gjitha bazat e tjera ushtarake, do të konfiskohen, dhe ju do të humbisni pozitat që ka pasur fuqia amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse merrni Groenlandën, duhet të largoheni”, shprehet Gunther Fehlinger, Kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri.

Videoja e politikanit austriak u shpërnda përmes platformave X dhe Reddit. Ai ishte duke iu përgjigjur pjesërisht një postimi të parë si provokues të podkasteres së MAGA, Katie Miller, e cila shpërndau online një imazh të Groenlandës së mbuluar me një grafik të flamurit të SHBA-së,  të shoqëruar me mbishkrimin “Shumë shpejt”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Miller-it, ai shtoi se “ne mund ta mbrojmë veten shumë mirë, dhe mund ta bëjmë këtë pa strehën bërthamore amerikane, pa trupat amerikane në Evropë dhe pa bazat amerikane. Liderë të tjerë europianë kanë reaguar ndaj pretendimeve se SHBA kërkon ishullin e madh në Arktik, dhe disa prej tyre kanë theksuar se një veprim i tillë nga administrata Trump mund të cojë në shpërbërjen e aleancës ushtarake të NATO-s.

❌
❌