Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Opinion.al

Rama: Do t’i shesim energji Europës dhe bashkë me miqtë tanë arabë do të bëjmë para

By: e xh
14 January 2026 at 13:26

Kryeministri Edi Rama tha se përmes hidrocentraleve, synon të shesë energji të rinovueshme në shtetet e Bashkimit Europian, përmes projektit të përbashkët me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne kemi 100% energji të ripërtëritshme. Nuk kemi energji nga karburantet fosile. Ne varemi nga humori i Allahut. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, atëherë nuk kemi shi dhe duhet t’i drejtohemi importit. Vitet e fundit kemi investuar shumë në energji diellore dhe atë të erës”, tha Rama në fjalën e tij në panelin Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dabi.

“Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të vitit 2028 do të jemi plotësisht sovran. Nuk do të blejmë më energji nga jashtë. Ndërkohë kemi edhe një bashkëpunim strategjik. Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Dr Sulltani, zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në 3 Giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër dhe sigurisht së bashku me miqtë tanë arabë të bëjmë para, për t’ia shitur pra Europës”, shtoi Rama.

Polonia: Evropa duhet ta mbështesë Trump, vetëm ai mund ta ndalë Putin

By: e xh
14 January 2026 at 12:01

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki tha se Donald Trump është i vetmi udhëheqës botëror i aftë të ndalojë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Evropës.

Në një intervistë me programin “Today” të BBC, ai tha se udhëheqësit rus nuk duhet t’i besohet, por se Evropa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur Presidentin Trump në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Nawrocki ishte i njohur tashmë si një mbështetës i vendosur i Donald Trump. Ai thotë se me Rusinë e Vladimir Putinit që kërcënon vendin e tij, si dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti i SHBA-së është i vetmi person që mund ta “zgjidhte këtë problem” si dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Ai u pyet për miqësinë e tij me Donald Trump, veçanërisht në dritën e kërcënimeve të presidentit amerikan për të marrë “me çdo mjet” territorin autonom danez të Groenlandës, diçka që ka tronditur Evropën dhe që kërcënon të prishë aleancën 77-vjeçare të NATO-s.

SHBA-të, këmbënguli ai, pavarësisht deklaratave të fundit nga zyrtarët amerikanë që thonë të kundërtën, ishin ende garantuese të sigurisë në Evropë. Ajo që Donald Trump po bënte në emër të evropianëve, tha ai, “meriton mbështetje dhe respekt të madh”.

Presidenti Nawrocki tha se mund ta shihte Evropën duke u “shkëputur” nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se kjo nuk ishte mirë as për sigurinë ekonomike dhe as për sigurinë ushtarake të Bashkimit Evropian.

U arratis nga spitali/ Kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan për Altin Ndocin

By: e xh
14 January 2026 at 11:51

Policia vijon punën për gjeten dhe kapjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u arratis ditën e djeshme nga Spitali i Durrësit.

Uniformat blu janë duke ushtruar kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar tetë persona, zyrtarë të burgut të Durrësit dhe kryeinfermieri.

Rreth orës 13.00 të së martës Altin Ndoci është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.

Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.

“Mbrojtës pedofilësh”, Trump i drejtohet punëtorit: F*** you

By: e xh
14 January 2026 at 11:21

Një moment i shkurtër por i tensionuar ka ndodhur gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në fabrikën Ford Rouge në Dearborn të martën.

Sipas raportimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, një punëtor e ka akuzuar Trumpin si “mbrojtës pedofilësh”. Në përgjigje, Trump duket se i ka thënë “f*** you” dhe ka bërë një gjest të pahijshëm. Audioja e ngjarjes është e vështirë për t’u kuptuar qartë.

Gazetarët kanë kontaktuar Ford për të verifikuar nëse punëtori është marrë në përgjegjësi. Në një deklaratë, kompania deklaroi: “Kemi pasur një event të mrekullueshëm sot dhe jemi krenarë për mënyrën se si punonjësit përfaqësuan Ford. Kemi parë klipin për të cilin po flisni. Një nga vlerat tona kryesore është respekti dhe nuk e mbështesim përdorimin e fjalëve të papërshtatshme brenda ambienteve tona. Kur ndodh diçka e tillë, kemi një proces për t’u marrë me situatën, por nuk japim detaje për çështjet e personelit.”

Ngjarja ka shkaktuar diskutime të shumta online, ndërsa Ford thekson se respekton rregullat e sjelljes në punë.

 

Arratisja e Altin Ndocit, arrestohen 8 persona

By: e xh
14 January 2026 at 10:13

Tetë persona janë arrestuar nga policia pas arratisjes së të burgosurit të rrezikshëm Altin Ndoci nga spitali i Durrësit.

Tetë të arrestuarit për “shpërdorim detyre” janë zyrtarë të burgut të Durrësit, ku Ndoci po qëndronte në paraburgim, i akuzuar si përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave vrasjen e 4 personave.

Në pranga ranë, Aulon Çuko, kryeinfermieri i IEVP Durrës, si dhe Dezdemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.

Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali”.

Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.

Ndoci konsiderohet pjesë e klanit Çopja nga Elbasani dhe është pjesë e dosjes së SPAK me 33 të pandehur për këtë organizatë kriminale. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave edhe “vrasje”.

Shpërtheu ndaj gjyqtarëve, dënohet Antonio Conte

By: e xh
14 January 2026 at 09:33

Antonio Conte është dënuar me dy ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh nga Lega Serie A, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen Inter–Napoli. Trajneri i Napolit humbi kontrollin në pjesën e dytë të takimit, pasi VAR-i konfirmoi një penallti për Interin, duke reaguar ashpër nga vija anësore.

Si pasojë, Conte nuk do të jetë në stol në dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit kundër Parmës dhe Sassuolos, të dyja në “Stadio Maradona”. Sjellja e tij u cilësua e papërshtatshme, pasi goditi topin nga vija anësore dhe pati përplasje verbale me gjyqtarët para largimit nga fusha.

Në të njëjtin raund të Serie A, edhe trajnerë të tjerë si Paolo Vanoli dhe Davide Nicola u ndëshkuan me karton të kuq, por morën vetëm nga një ndeshje pezullim. Ndërkohë, Komisioni Disiplinor ka shpallur edhe pezullime për disa futbollistë, me dënime që variojnë nga një deri në tre ndeshje.

Mbreti Zog (1933): Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, një dëshirë e madhe

By: e xh
14 January 2026 at 09:31

Nga Aurenc Bebja

Gazeta zvicerane “La Tribune de Genève” ka botuar, me 21 dhjetor 1933, në faqen n°12, qëllimin e Mbretit Zog për Kosovën shprehur asokohe gjatë një fjalimi me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Synimet shqiptare ndaj Kosovës

Burimi : La Tribune de Genève, 21 dhjetor 1933, f. 12

Romë, 20. — “Giornale d’Italia” mëson nga Tirana se mbreti Zog ka mbajtur së fundmi një fjalim me rastin e festës së pavarësisë shqiptare, në prani të përfaqësuesve të Kosovës dhe të rajoneve të tjera të nënshtruara ndaj Jugosllavisë, të cilët dëshironin të dëshmonin edhe një herë lidhjen e tyre me mëmëdheun.

Mbreti kujtoi se, duke pranuar kurorën e Skënderbeut, do të kishte dashur të merrte titullin mbret i shqiptarëve dhe jo atë të mbretit të Shqipërisë, duke dashur kështu të pohonte se ndihej babai i të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda dhe përtej kufirit. Ai i inkurajoi irredentistët të kenë besim në fatet e atdheut, duke shtuar se ai vetë, qeveria dhe të gjithë patriotët shqiptarë nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të realizuar dëshirën e madhe të Shqipërisë : aneksimin e Kosovës, pa të cilën Shqipëria nuk është veçse një trup i gjymtuar, një trup pa krahë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/mbreti-zog-1933-bashkimi-i-kosoves-me-shqiperine-nje-deshire-e-madhe-per-te-cilen-nuk-do-te-kursejme-asnje-perpjekje-per-ta-realizuar/

Përmbytjet, si paraqitet situata në Durrës

By: e xh
14 January 2026 at 09:27

Situata në territorin e Bashkisë Durrës paraqitet e qëndrueshme.

Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen dhe lumi Ishëm janë në kuota normale dhe po mbahen në monitorim të plotë.

Edhe në territorin e Bashkisë Krujë, situata paraqitet e qetë. Mëngjesi i sotëm ka nisur me mot të kthjellët dhe gjatë natës nuk janë evidentuar probleme. Grupet e punës kanë dalë në terren dhe vijojnë vlerësimin e dëmeve në banesa, akse rrugore dhe toka bujqësore të përmbytura. Lumenjtë Gjole dhe Zezë janë në kuota normale dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Në Bashkinë Shijak, mëngjesi ka qenë me mot të kthjellët, ndërsa nata ka kaluar pa problematika. Gjatë ditës së sotme, strukturat e bashkisë do të vijojnë punën në terren për plotësimin e akt-konstatimeve të banesave të prekura nga uji.

Përmbytjet në Shkodër/ 760 hektarë të përmbytura, bie niveli i ujit në Obot

By: e xh
14 January 2026 at 09:10

Në Shkodër paraqitet e përmirësuar situata në lidhje me përmbytjet. Krahasuar me ditën e djeshme, në Obot është konstatuar rënie e nivelit të ujit.

Në aksin që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore, prezenca e ujit është rreth 90 cm, nga 100 cm që ishte një ditë më parë.

Ndërkaq, po në Obot, ka prezencë uji në oborret e banesave, por jo në brendësi të tyre.

Sipërfaqja e përmbytur është 760 hektarë, nga të cilat 80 hektarë në Dajç, 100 hektarë në Velipojë, 530 hektarë në Ana e Malit dhe 50 hektarë në Bërdicë.

Njoftimi

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 cm, nga 100 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Dajç: 80 ha

Velipojë: 100 ha

Ana e Malit: 530 ha

Bërdicë: 50 ha

Totali: 760 ha

Protestat në Iran/ Grupet e të drejtave të njeriut: Të paktën 2,571 të vdekur

By: e xh
14 January 2026 at 09:07

Grupi i të drejtave të njeriut me seli në SHBA, HRANA, tha se numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2,571.

Grupi tha se deri më tani kishte konfirmuar vdekjen e 2,403 protestuesve, 147 figurave të lidhura me qeverinë, 12 personave nën moshën 18 vjeç dhe nëntë civilëve që nuk ishin midis protestuesve. Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2,000 persona ishin vrarë – hera e parë që autoritetet kanë dhënë një numër total të të vdekurve që nga shtypja e protestave që kanë shpërthyer në të gjithë vendin për më shumë se dy javë.

Demonstrata në të gjithë vendin
Protestat thuhet se janë përhapur në rreth 180 qytete dhe qyteza dhe 31 provinca në Iran. Fillimisht të nxitura nga rënia e monedhës kombëtare dhe kostoja marramendëse e jetesës, ato shpejt u shndërruan në protesta të hapura politike.
Analistët thonë se ato janë një nga sfidat më serioze me të cilat është përballur regjimi teokratik që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Situata u përshkallëzua në mënyrë dramatike të enjten e kaluar, kur autoritetet iu përgjigjën protestave me forcë vdekjeprurëse. Shtypja është shoqëruar me një ndërprerje pothuajse të plotë të internetit dhe telekomunikacionit, duke e bërë të vështirë verifikimin e pavarur të ngjarjeve.

Një organizatë tjetër, Iran Human Rights me seli në Norvegji, tha se kishte konfirmuar vdekjen e të paktën 734 protestuesve.

Kërcënimet e reja të Trump pak para varjes së protestuesit të parë

Një protestues 26-vjeçar iranian pritet të ekzekutohet sot për pjesëmarrjen e tij në protestat antiqeveritare që kanë tronditur Iranin , ndërsa Donald Trump u bën thirrje hapur qytetarëve të “vazhdojnë të protestojnë” dhe premton se “ndihma është në rrugë e sipër”, duke provokuar një reagim të fortë diplomatik nga Teherani.

Presidenti amerikan, në fakt, kur u pyet në një intervistë me CBS në lidhje me ekzekutimin e Soltanit, paralajmëroi masa shumë të ashpra nëse i riu iranian ekzekutohet. “Ne do të marrim masa shumë të ashpra. Nëse ata bëjnë diçka të tillë, ne do të marrim masa shumë të ashpra”, tha ai, ndërsa kur u pyet të sqaronte se çfarë donte të thoshte, zoti Trump iu referua operacionit të fundit të SHBA-së në Venezuelë dhe vrasjes së udhëheqësit të atëhershëm të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019.

Sipas organizatës norvegjeze për të drejtat e njeriut Hengaw, Erfan Soltani, nga qyteti Fardis në perëndim të Teheranit, do të ekzekutohet më vonë sot. Soltani u arrestua në lidhje me protestat në qytetin Karaj.
Organizata pretendon se familja e tij ishte informuar për dënimin me vdekje, por “ishte mbajtur qëllimisht në errësirë” në lidhje me procesin ligjor. Siç thuhet, “trajtimi i nxituar dhe jo transparent i çështjes rrit shqetësimet se dënimi me vdekje po përdoret si mjet për të shtypur protestat”.

Tregues i mizorisë së regjimit të Teheranit është informacioni nga OJQ-të se Soltani kishte vetëm 10 minuta për t’i thënë lamtumirë familjes së tij, me zyrtarët iranianë të sigurisë që i informuan të afërmit se do të ishte lamtumira e tyre e fundit para se i riu të përballej me ekzekutorin. Sipas organizatës Iran Human Rights (IHR), Soltanit gjithashtu nuk iu lejua qasja në një avokat ose në një gjyq, ndërsa “madje edhe një i afërm i ngushtë që është avokat u pengua dhe u kërcënua nga agjentët e sigurisë kur u përpoq të merrte përsipër çështjen. Ata i thanë: “Nuk ka dosje për të shqyrtuar. Ne kemi njoftuar se kushdo që arrestohet në protesta do të ekzekutohet”.

Familja e Soltanit thuhet gjithashtu se është kërcënuar me arrestim nëse përpiqet të flasë publikisht për çështjen ose të kontaktojë median, sipas Iranwire. Donald Trump, në një postim në platformën Truth Social, u bëri thirrje protestuesve iranianë të “vazhdojnë të protestojnë”, duke paralajmëruar se “vrasësit dhe abuzuesit do të paguajnë një çmim të lartë”, megjithatë, pa specifikuar se çfarë forme mund të marrë ndihma e premtuar.

Në një intervistë me CBS News, presidenti amerikan tha se do të ndërmerrte “masa shumë të forta” nëse regjimi iranian do të vazhdonte me varjen e protestuesve. Në të njëjtën kohë, SHBA-të u bënë thirrje qytetarëve të saj të “largohen menjëherë nga Irani”, mundësisht nëpërmjet Turqisë ose Armenisë, ndërsa J.D. Vance thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në të cilin mori pjesë edhe Trump.

Kontaktet sekrete dhe proceset politike

I dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, thuhet se është takuar fshehurazi gjatë fundjavës me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, i cili po përpiqet të shfaqet si një figurë qendrore në opozitë pas shpërthimit të protestave.

Në të njëjtën kohë, diplomacia iraniane nisi një sulm të ashpër ndaj Trump, me një letër nga përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeed Iravani, drejtuar Këshillit të Sigurimit. Në letrën, e cila iu nda edhe Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, Iravani akuzon presidentin amerikan për “inkurajim të hapur të destabilizimit politik”, “nxitje të dhunës” dhe “një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Republikës Islamike”.

Sipas Teheranit, “Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme ligjore për humbjen e jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht të rinjve”.

“Forcat e sigurisë po qëllojnë brenda spitaleve”

By: e xh
14 January 2026 at 08:51

Një mjeke brenda Iranit i ka thënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL) se forcat e sigurisë kanë bastisur spitalet dhe kanë vrarë protestues të plagosur, në vazhdën e shtypjes brutale të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit.

Mjekja, e cila tha se punon në një spital në jug të Iranit, theksoi se anëtarë të forcave të sigurisë iraniane kishin “vrarë” protestuesit që ishin shtruar në spital për shërim.

“Ata vranë shumë [demonstrues], arrestuan shumë prej tyre, ndërsa shumë të tjerë janë në arrati”, tha mjekja, e cila foli për Radion Farda në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

“Gjendja është shumë e rëndë”, shtoi ajo.

REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e mjekes.

Autoritetet e kanë ndalur internetin dhe i kanë bllokuar linjat telefonike, por kanë dalë dëshmi nga dëshmitarë okularë që tregojnë se shteti po zhvillon një nga goditjet më vdekjeprurëse ndonjëherë kundër protestuesve në rrugë, përcjell A2.

Të paktën 648 njerëz, kryesisht protestues, janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat druhen se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë mijëra sosh.

Forcat e sigurisë iraniane kanë përdorur forcë brutale, përfshirë qitjen me municion të vërtetë ndaj protestuesve, sipas videove të verifikuara nga REL-i dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.

“Po i vrasin të gjithë”

Spitalet në gjithë Iranin janë mbushur me të vdekur dhe të plagosur, sipas mjekëve dhe infermierëve brenda vendit me rreth 92 milionë banorë.

“Është një situatë e tmerrshme, pothuajse gjithçka është e mbyllur”, i tha Radios Farda një infermiere që jeton në kryeqytet, Teheran.

“Ka shumë njerëz me dëmtime në sy. Njerëzit thonë se nuk e duan këtë regjim. Po i vrasin të gjithë”, shtoi ajo.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar përdorimin e fishekëve metalikë të shtënë nga armë gjahu. Forcat e sigurisë shënjestrojnë qëllimisht sytë dhe kokat e protestuesve.

Mjekja në jug të Iranit tha se protestat janë “zbehur” pasi autoritetet nisën një goditje në shkallë të gjerë në qytetet kryesore, përfshirë Teheranin, më 8 dhe 9 janar.

Protestat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e lirë e monedhës kombëtare, por më pas janë shndërruar në kërcënimin më të madh për sundimtarët klerikalë të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Një burrë në qytetin e Karajit, pranë Teheranit, tha se kishte parë forcat e sigurisë duke qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve.

“Pashë të gjithë ata që po vraponin, po binin përtokë, [forcat e sigurisë] po qëllonin”, tha burri, i cili foli për Radion Farda në kushte anonimiteti. “Nuk e di çfarë lloj municioni po përdornin, por tingëllonte si municion i vërtetë”.

Ai tha se forcat e sigurisë i grumbullonin protestuesit e vdekur në kamionë dhe largoheshin me ta.

“Nuk u interesonte kush ishin këta njerëz”, shtoi ai. “U ktheva në shtëpi dhe gruaja më pyeti nëse po qaja nga gazi lotsjellës. I thashë se po qaja për të rinjtë [e vrarë]”./ REL

Teherani: Nëse Trump na sulmon, do të bombardojmë bazat amerikane në rajon

By: e xh
14 January 2026 at 08:49

Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nafizardeh, paralajmëroi të mërkurën se vendi i tij do të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse Shtetet e Bashkuara nisin një ofensivë kundër kombit persian.

 “Irani do të sulmojë bazat amerikane nëse sulmohet”, tha ministri i mbrojtjes, shkruan La Stampa.

Ai shtoi se të gjitha bazat amerikane dhe bazat ushtarake të vendeve të tjera në rajon që ndihmojnë Shtetet e Bashkuara në sulmet ndaj Iranit, do të konsiderohen objektiva legjitime.

“Përgjigja e Iranit do të jetë e dhimbshme për armiqtë e tij nëse Irani sulmohet”, deklaroi ai.

OKB: Viti 2025, më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë

By: e xh
14 January 2026 at 08:16

Viti 2025 ka qenë më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë njoftoi se të paktën 2 mijë e 514 civilë u vranë nga dhuna e lidhur me konfliktin gjatë vitit të kaluar. Ky numër është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2 mijë e 88 viktima civile, dhe me vitin 2023, kur u raportuan 1 mijë e 974 të vrarë. Edhe numri i civilëve të plagosur ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.

Sulmi më vdekjeprurës i vitit ndodhi në nëntor në qytetin perëndimor të Ternopilit, ku humbën jetën të paktën 38 civilë, përfshirë tetë fëmijë.

Të martën, 13 janar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet ruse gjatë natës kishin vrarë katër persona në Kharkiv dhe kishin lënë “qindra mijëra familje” pa energji elektrike në Kiev dhe zonat përreth, në kushte temperaturash të ulëta. Sipas misionit të OKB-së, numri total i civilëve të vrarë dhe të plagosur në vitin 2025 përfaqëson një rritje prej 31% krahasuar me vitin 2024 dhe 70% krahasuar me vitin 2023.

Më herët, OKB kishte raportuar se të paktën 8 mijë e 6 civilë u vranë dhe 13 mijë e 287 u plagosën gjatë 12 muajve të parë pas nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Në nëntor, numri total i civilëve të vrarë që nga fillimi i luftës kishte kaluar shifrën 14 mijë e 534.

Shefja e misionit të OKB-së, Danielle Bell, tha se shifrat e vitit 2025 përfaqësojnë “një përkeqësim të dukshëm të mbrojtjes së civilëve”. Sipas saj, rritja e viktimave nuk lidhet vetëm me intensifikimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit, por edhe me përdorimin e zgjeruar të armëve me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë ekspozuar civilët në të gjithë vendin ndaj rrezikut të shtuar.

Ndërkohë, presidenti Zelensky njoftoi se pothuajse 300 dronë, 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese kishin goditur qytete të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në rajonin e Kievit.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar gjatë asaj që ushtria e përshkroi si një sulm raketor. Drejtori ekzekutiv i kompanisë energjetike Yasno deklaroi se i gjithë qyteti ishte futur në “ndërprerje emergjente” të energjisë, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarret dhe të rikthenin furnizimin me energji në temperatura nën zero.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën energjetike për t’i “privuar qytetarët nga energjia elektrike, uji dhe ngrohja”, ndërsa temperaturat në mëngjes zbritën nën -15 gradë Celsius. Disa zona të kryeqytetit kishin mbetur tashmë për ditë të tëra pa ngrohje dhe energji elektrike për shkak të sulmeve të javës së kaluar.

Zelensky deklaroi gjithashtu se katër persona u vranë nga një sulm raketor “pa asnjë qëllim ushtarak” mbi një terminal postar në Korotych, në rajonin e Kharkivit. Guvernatori i rajonit verilindor tha se 10 persona u plagosën, ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se 30 persona u evakuuan.

Në rajone të tjera, guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, raportoi se dy persona u vranë nga sulmet në lindje të vendit. Ndërkohë, autoritetet në Odesa, në jug të Ukrainës, thanë se gjashtë persona u plagosën dhe se sulmet dëmtuan banesa, objekte energjetike, një spital dhe një kopsht fëmijësh.

Kievi njoftoi se kishte kryer gjithashtu një sulm gjatë natës ndaj një uzine për prodhimin e dronëve në rajonin perëndimor rus të Rostovit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se në zonë u regjistruan shpërthime dhe një zjarr.

Sulmet e fundit ndodhën dy ditë pasi pushtimi i plotë rus hyri në ditën e tij të 1 mijë e 418-të, po aq sa zgjati përfshirja e Ushtrisë Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarina Matheronva, shkroi në rrjetet sociale se, ndryshe nga e kaluara, “këtë herë Putini e zgjodhi këtë luftë, e planifikoi, e nisi dhe mban përgjegjësinë për të”.

Parashikimi i motit, 14 janar 2026

By: e xh
14 January 2026 at 08:14

Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësira kalimtare.

Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes. Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Horoskopi,14 janar 2026

By: e xh
14 January 2026 at 08:13

Dashi-Sot do të kuptoni më mirë dhe do të mbusheni me mendime pozitive. Organizoni sa më mirë ditën, në mënyrë që të mundësoni më shumë kohë për familjen. Në punë ka ardhur momenti që të nxirrni në pah aftësitë tuaja, pasi do të gjendeni përballë situatave aspak të lehta.

Demi-Mos u tregoni materialistë pasi do të dëmtoni marrëdhënien me partnerin/en. Ka ardhur momenti për të bërë bilance si në sferën e punës ashtu dhe në jetën private. Ndikimi tranzit i Hënës do të jetë mjaft i favorshëm për ata që janë vetëm. Në punë, duhet të ruani një profil të ulët, sidomos nëse duhet të drejtoni një projekt.

Binjakët-Nëse doni që të zgjidhni problemet me partnerin/en, do të bënit mirë që të shtynit vendimet për momente më të mira. Arsyetoni më mirë lidhur me gjërat që nuk ecin ashtu siç ju shpresonit. Në vendin e punës projektet mund të pengohen nga disa vështirësi. Nuk duhet të dorëzoheni.

Gaforrja-Ditë impulsive sot. Do ta keni të lehtë që të shprehni ndjenjat dhe emocionet dhe kjo gjë do t’ju ndihmojë në raport me personin që doni. Ata që janë vetëm do të njohin veç sukses, sidomos me lidhjet që sapo kanë nisur. Duhet t’i përqendroni më shumë energjitë në punë.

Luani-Sot do të jetë një ditë mjaft pozitive sa i takon jetës sentimentale, ku nuk do të mungojë mbështetja e Hënës. Ndryshime të rëndësishme për ata që janë vetëm. Dita parashikohet mjaft e mirë sa i takon punës, ku do të arrini të realizoni disa projekte që i keni përzemër.

Virgjëresha-Mundohuni të tregoheni më të kujdesshëm me fjalët dhe veprimet. Nëse jeni në pritje të mundësive të mira për të ndryshuar disa rregulla në raportin në çift, rrethanat i keni kundër. Nervozizmi do të dominojë sferën profesionale, vështirësi në të çuarit përpara të disa angazhimeve të rëndësishme.

Peshorja-Do t’iu duhet të pranoni një kompromis nëse jeni në çift. Shpesh do t’ju duhet që të bëni lëshime, një mënyrë që të mos cenoni harmoninë tuaj. Sa i takon punës, me gjasë do të shtyni një projekt, por për mirë, pasi parashikohet që të jetë me rrezik.

Akrepi-Sot do të jeni nën ndikimin e Diellit, ndërsa Mërkuri do të ngacmojë fantazinë dhe do t’ju japë mundësi të shumta për t’ia kaluar mirë me njeriun e zemrës. Në punë, do keni mundësi që të projektoni të ardhmen tuaj, të rrethuar nga mundësitë më të mira.

Shigjetari-Ky është momenti i duhur për të bërë një reflektim të mirë lidhur me jetën tuaj sentimentale. Ata që janë vetëm do të ndihen të lodhur nga të priturit të njeriut të duhur. Rruga drejt suksesit profesional nuk do të jetë e lehtë, ndonëse parashikohen disa zhvillime të frytshme.

Bricjapi-Mbushuni me frymë dhe rigjeni ekuilibrin. Takime të reja dhe ndjenja të forta parashikohen për ata që janë vetëm. Puna do të marrë gjithë vëmendjen gjatë kësaj dite. Investimet janë mjaft ambicioze, por bëni kujdes me mënyrën se si do të veproni.

Ujori-Kjo është një situatë e favorshme planetare për gjithë ata persona të përfshirë në një lidhje. Yjet do t’ju ndihmojnë që të realizoni një ëndrrën tuaj. Ata që janë vetëm do të shpërblehen gjatë kësaj dite, pasi do të bëjnë një njohje që premton shumë. Në punë, situata paraqitet mjaft e favorshme.

Peshqit-Është mirë që të kuptoni se jeta juaj ka marrë tjetër drejtim. Jetoni të ardhmen pa frikë. Ata që janë vetëm, duhet të rregullojnë disa aspekte të jetës së tyre, të cilat i mundojnë. Në punë, pas një pritje të gjatë, do keni mundësi të korrni atë që keni mbjellë. Durimi, do të rezultojë arma juaj më e fortë.

Kroacia rikthen shërbimin ushtarak pas 17 vjetësh

By: e xh
13 January 2026 at 22:53

Pas një ndërprerjeje prej gati dy dekadash, të rinjtë kroatë po thirren sërish për shërbim ushtarak. Pse e ndryshoi Kroacia vendimin për të hequr shërbimin ushtarak? A do ta ndjekin shembullin vendet e tjera ballkanike?

Viti i ri sjell me vete një sfidë të vjetër në një formë të re për të rinjtë në Kroaci. Në ditët e para të vitit 2026, rreth 1.200 prej tyre kanë marrë letra që i njoftojnë se janë thirrur për dy muaj shërbim ushtarak.

Ata janë brezi i parë që përballet me shërbimin ushtarak të detyrueshëm që kur ai u hoq në vitin 2008, një vit para se Kroacia t’i bashkohej NATO-s.

Në atë kohë, ideja ishte të profesionalizohej forca e armatosur dhe të braktisej shërbimi kombëtar i detyrueshëm.

Tani, me vetëm Hungarinë që e ndan Kroacinë nga Ukraina, perspektiva e një konflikti të armatosur duket tepër e afërt.

Një dron i humbur, ndoshta ukrainas por kurrë i identifikuar zyrtarisht, u rrëzua në kryeqytetin kroat, Zagreb, në vitin 2022. Ai nuk shkaktoi shumë dëm, por padyshim që i bëri njerëzit të mendojnë.

Mbështetje e gjerë për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm

Qeveria kroate kuptoi se mund të mbështetej vetëm në më pak se 15,000 personel ushtarak aktiv. Përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, ajo propozoi rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm për meshkujt që kishin braktisur shkollën.

Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha se kjo do t’u ndihmonte të rinjve të ndryshonin “zakonet e tyre të këqija” dhe t’i përgatiste ata për “çdo kërcënim të madh”.

Anketat treguan mbështetje të gjerë për idenë, me shtatë nga dhjetë kroatë në favor. Votuesit rizgjodhën partinë HDZ, e cila tani e ka zbatuar këtë politikë. Legjislacioni i nevojshëm u miratua shpejt në Parlament në tetorin e kaluar, me 84 deputetë në favor dhe vetëm 11 kundër.

Pak protesta

Ministria e Mbrojtjes nuk humbi kohë në kontaktimin e grupit të parë të rekrutëve, me pak ose aspak protesta.

“Nuk shoh asnjë pengesë për shërbimin ushtarak të detyrueshëm,” thotë Gordan Akrap, rektor i zëvendësuar i Universitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë “Franjo Tudjman” të Kroacisë.

“Do të ketë më shumë njerëz që duan të jenë pjesë e kësaj sesa mund të regjistrohen, sepse në momentin e tanishëm numri është i kufizuar,” shton ai.

“Disa grupe populiste të majta ekstreme thonë se duhet të investojmë në kopshte dhe gjëra të tilla. Por e vërteta është se dikush duhet t’i mbrojë kopshtet, mënyrën tonë evropiane të jetesës dhe demokracinë tonë, dhe në fund të fundit, këtë mund ta bëjë ushtria.”

Një tendencë më e gjerë në të gjithë rajonin

Rihyrja në fuqi e shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Kroaci është pjesë e një tendence më të gjerë në vendet që ishin pjesë e Jugosllavisë.

Disa prej tyre kanë qenë duke konsideruar rikthimin e një forme të shërbimit të detyrueshëm, si një rikthim në ditët e regjimit socialist të Josip Broz Titos.

Në atë kohë, të rinjtë duhej të shërbenin për një vit në Ushtrinë Popullore, e cila krijoi një forcë luftarake të konsiderueshme. Pak para se vendi të fillonte të shpërbëhej në vitet 1990, dy të tretat e forcave tokësore ishin rekrutë, me një milion rezervistë të trajnuar të tjerë në dispozicion.

Pas luftërave jugosllave

Vendet e pavarura që dolën nga luftërat jugosllave të viteve 1990 hoqën gradualisht shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Sllovenia ishte e para që hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2003; rekrutët e fundit serbë përfunduan shërbimin e tyre në vitin 2010.

Me perspektivën — ose, në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë, arritjen — e anëtarësimit në BE, dukej se kishte pak nevojë për një lloj force ushtarake që kërkonte nga të rinjtë e vendit të kalonin muaj trajnimi.

Por edhe para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, situata po fillonte të ndryshonte. Sllovenia po e diskuton rivendosjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm Në vitin 2020, partitë që formuan qeverinë e re nacionaliste të djathtë të Sllovenisë përfshinë rivendosjen e shërbimit ushtarak në marrëveshjen e tyre të koalicionit. Kryeministri i saj, Janez Jansa, u bë i famshëm si ministër i Mbrojtjes gjatë luftës dhjetëditore të pavarësisë së Sllovenisë në vitin 1991.

Ai deklaroi se forcat e armatosura të vendit, me vetëm 7.000 trupa, nuk mund ta mbronin më vendin nga një sulm dhe u ankua se të rinjtë nuk dijnë si të përdorin armët.

Qeveria aktuale e qendrës së majtë e Robert Golobit nuk e ka përqafuar këtë ide, por zgjedhjet parlamentare janë planifikuar për në mars dhe partia SDS e Jansa-s kryeson në sondazhet e opinionit.

A do ta ndjekë Serbia shembullin?

Në Serbi, qeveria ka diskutuar për disa vjet mundësinë e futjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Kanë kaluar disa afate pa u rekrutuar askush, por kjo mund të ndryshojë këtë vit, pasi ministri i Mbrojtjes Bratislav Gasic thotë se së shpejti legjislacioni do të paraqitet në Parlament.

Ndërsa vendet në rajon po rrisin shpenzimet e tyre ushtarake dhe po punojnë për të rritur personelin, lind pyetja e vjetër nëse pjesa tjetër e Evropës duhet të shqetësohet për Ballkanin.

Toby Vogel nga qendra kërkimore Këshilli për Politikën e Demokratizimit beson se mundësia e një konflikti të vërtetë mbetet e vogël.

“Aspekti ushtarak i gjithë kësaj është kryesisht një çështje përgatitjeje, më shumë sesa planifikimi konkret, dhe sigurisht jo planifikimi ofensiv,” i tha ai DW. “Serbia nuk do të sulmojë Kroacinë, dhe Kroacia nuk do të pushtojë Serbinë.”

“Në një situatë ku mjedisi i përgjithshëm është i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm, mendoj se qeveritë ndoshta po veprojnë me kujdes duke marrë masa parandaluese dhe duke vendosur elementët e nevojshëm për të ndjekur një qasje më strategjike ndaj çështjeve ndërkombëtare,” tha ai. “Por është një rikthim në të kaluarën.”/ DW

“Epstein”/ Republikanët paralajmërojnë masa ndëshkuese për Bill dhe Hillary Clinton

By: e xh
13 January 2026 at 22:21

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton  nuk do t’i binden thirrjes së Kongresit për të dëshmuar në kuadër të hetimit për rastin e Jeffrey Epstein.

Në një letër të publikuar në rrjetet sociale, Clintonët e cilësojnë thirrjen e komisionit të kontrolluar nga republikanët si “ligjërisht të pavlefshme”. Ata i janë drejtuar kryetarit të Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, duke theksuar se procesi që po ndiqet, është sipas tyre “i ndërtuar drejtpërdrejt për të çuar në burgosjen tonë”.

Nga ana e tij, Comer ka deklaruar se javën e ardhshme do të nisë procedurat për shpërfillje të Kongresit.

“Askush nuk po i akuzon Clintonët për ndonjë shkelje. Ne thjesht kemi pyetje,” u shpreh Comer para gazetarëve, pasi Bill Clinton nuk u paraqit në një seancë të planifikuar dëgjimore. “Çdokush do ta pranonte se ata kanë kaluar shumë kohë bashkë”, shtoi ai.

Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje ligjore në lidhje me Epstein, por marrëdhënia e tij e njohur me financierin gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 është vënë në qendër të vëmendjes nga republikanët, të cilët kërkojnë një pasqyrë të plotë të rrethanave që lidhen me veprimtarinë e Epstein.

Epstein u arrestua në vitin 2019 me akuza federale për trafikim seksual dhe komplot. Ai u gjet i vdekur në qelinë e një burgu në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin.

Sipas praktikës parlamentare, disa ish-presidentë amerikanë kanë dëshmuar vullnetarisht para Kongresit, por asnjë prej tyre nuk është detyruar me thirrje zyrtare.

Comer ka bërë gjithashtu të ditur se komisioni nuk do të tentojë të detyrojë dëshminë e presidentit aktual Donald Trump, duke argumentuar se një president në detyrë nuk mund të detyrohet të dëshmojë para Kongresit.

Austri/ Tre skiatorë bllokohen nga orteku, ndërrojnë jetë

By: e xh
13 January 2026 at 22:15

Tre skiatorë u bllokuan sot nga ortekët në Austri. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, kanë humbur jetën dhe mes tyre ishte edhe një 13-vjeçar.

13-vjeçari një shtetas çek, po bënte ski me një fëmijë tjetër në mesditë në vendpushimin e skive Sportgastein në Alpet Austriake.

Ai kishte dalë nga pista kur u rrëmbye nga një ortek, sipas Andreas Kandler, kreu i shërbimeve të shpëtimit malor në Bad Gastein.

Ndërsa një tjetër tragjedi ndodhi në lindje, në Untertauern në Austrinë qendrore, ku një skiatore dhe partneri i saj u rrëmbyen nga një ortek.

VIDEO/ Momenti kur Altin Ndoci arratiset me vrap nga spitali i Durrësit

By: e xh
13 January 2026 at 21:51

Ky është momenti kur i paraburgosuri Altin Ndoci është arratisur me vrap nga spitali i Durrësit ditën e sotme, ku bashkë me një të burgosur tjetër u  shoqëruan nga paraburgimi i Durrësit, për të kryer një vizitë mjekësore te godina e infektivit, nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve.

Në video duket teksa Ndoci ikën me shpejtësi, ndërsa nga pas e ndjek një prej efektivëve..

Pasi “ushtari” i Çopjave ka dalë jashtë ambienteve të spitalit është drejtuar drejt parkimit, ku jashtë traut, dyshohet se e prisnin 2 makina. Njëra prej tyre një audi luksoz A7 ngjyrë gri targë AB700RS, më të cilën Ndoci dyshohet se është larguar në drejtim të Spitallës.

Targat e automjetit “Audi A7”, i cili u përdor për arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit rezultojnë të jenë denoncuarë të vjedhura pak ditë më parë.

 

Yesterday — 13 January 2026Opinion.al

Kryepiskopi Joan në Bruksel, takime me zyrtarë të lartë europianë

By: e xh
13 January 2026 at 21:09

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Shqipërisë, Imzot Joani, zhvilloi sot,  më 13 janar 2026, një seri takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel. Ai u takua me Komisionerin Europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas.

Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së  Kryepiskopt të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, për të ardhmen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm dhe i pavarur në shoqërinë shqiptare, një shoqëri që përballet me sfida të mëdha si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet e thella demografike.

Gjithashtu, Kryepiskopi Joan u takua me Kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio (Itali). Ky takim mbart rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh rolin kyç që luan ky delegacion në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan u takua edhe me Bashkëkryetaren e Grupit të Punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko (Kroaci, EPP). Gjatë takimit u diskutuan çështje të lirisë fetare në Europë dhe u theksua modeli i suksesshëm i bashkëjetesës harmonike të komuniteteve fetare në Shqipëri. Fortlumturia e Tij informoi për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen komunitetet fetare, veçanërisht përsa i përket çështjeve pronësore.

Në të trija takimet, Fortlumturia e Tij theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.

Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së Fortlumturisë së Tij në Bruksel (12-15 janar 2026), me rastin e konferencës që do të zhvillohet nesër, më 14 janar, në Parlamentin Europian, me temë; “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të Kryepiskopit Anastas në përvjetorin e parë të jetëndërrimit të tij.

Prania e Kreut të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane mbart një rëndësi të veçantë në këtë moment kritik për negociatat e anëtarësimit. Kisha Orthodhokse, përmes veprës së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, mbetet një urë lidhëse e fuqishme midis vendit dhe Europës.

❌
❌