Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Opinion.al

Lufta në Gaza, Izraeli: Mbi 71 mijë palestinezë të vrarë

By: e xh
30 January 2026 at 16:46

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër kjo e raportuar më herët nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Gazeta izraelite Haaretz shkruan se kjo shënon herën e parë që Izraeli pranon publikisht shifrat e dhëna nga autoritetet brenda enklavës palestineze, të cilat më parë ishin hedhur poshtë nga Tel Avivi zyrtar, duke u cilësuar si të pabesueshme dhe propagandë e Hamasit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga grupi militant palestinez, që nga nisja e ofensivës izraelite më 7 tetor 2023 janë regjistruar 71.667 viktima. Ushtria izraelite thekson se këto shifra nuk përfshijnë personat e zhdukur, të cilët dyshohet se mund të ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë njofton se të paktën 492 palestinezë kanë humbur jetën që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë raportuar se katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të grupeve militante palestineze.

Pas publikimit të lajmit nga Haaretz, një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë më tej, duke deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen vetëm nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit përmes kanaleve të tyre zyrtare të komunikimit.

Në kërkim nga Italia për trafik droge, arrestohet në Turqi vëllai i Visit të Pojës

By: e xh
30 January 2026 at 15:27

Arrestohet në Turqi për llogari të shtetit italian Bledin Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, anëtar i grupit të Troplinëve me bazë në Durrës. Grupi i Visit të Pojës dyshohet se ka trafikuar 1.3 tonë kokainë në vitet 2020-2025.

Emri i Bledin Doçit figuron në dosjen e megaoperacionit “Ura” të zhvilluar mes SPAK dhe homologëve italianë më 21 maj të vitit 2025 ku u godit një prej grupeve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë. Baza e grupit ishte në Shqipëri dhe me degëzime në Itali.

Visi i Pojës, ishte një prej ‘kokave’ të grupit që operonte nga Shqipëria  së bashku me Denis Myftiun dhe Erion Kapidanin, të cilët lëshonin urdhra dhe koordinonin aktivitete përmes bisedave në aplikacioneve të enkripatuara.

Komisioni për Reformën Territoriale, Berisha: S’ka bashkëpunim me PS

By: e xh
30 January 2026 at 15:21

Sali Berisha tha PD se nuk do të ketë bashkëpunimi me PS lidhur me diskutimet për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.

“Mbrojtja që i bëjnë vjedhjeve miliarda të Ramës dhe Lubi Ballukut bëjnë të pamundur çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj maxhorance.

Lubi Balluku është historia më e turpshme e një vendi në të cilin kreu i organizatës kriminale përdor si mburojë atë për të shpëtuar veten e tij. Ftoj qytetarët ta regjistrojnë në memorie, garantoj se sot në planet nuk ka një kryeministër të dytë si Rama që prapa çdo firme të ketë një vjedhje. Nuk ka. Prapa çdo vendim të ketë një vjedhje.

Ndaj edhe kjo që shihni me Ballukun ka të bëjë vetëm me këtë që thashë. 10 ditë më parë i dha vëllaut të vet me dy tre vendime me firmë 37 mijë metër katror tokë publike pasi ka vjedhur vetë bazat e ushtrisë, tani i është kthyer reparteve me vëllain e vet dhe u rrëmben tokën. Në çdo vendim ka vjedhje dhe plaçkitje ndaj edhe ai nuk mundet të pranojë heqjen se shkon vetë para drejtësisë. Por do ta çojë sovrani“, deklaroi Berisha.

Turqia gati të ndërmjetësojë mes Iranit dhe SHBA: Diplomacia e vetmja zgjidhje

By: e xh
30 January 2026 at 15:17

Turqia është e gatshme të luajë një rol ndërmjetësues mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, për të ulur tensionet në rajon. Kështu tha të premten presidenti turk Recep Tayip Erdogan pas një bisede telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian

Sipas njoftimit të bërë nga zyra për shtyp e presidentit, dy liderët diskutuan për rritjen e tensioneve ushtarake në rajon dhe theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për ruajtjen e stabilitetit.

Erdogan ritheksoi se Turqia është e gatshme të shërbejë si urë lidhëse mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke vënë theksin te diplomacia si rruga e vetme për zgjidhje.

Nga ana e tij, Pezeshkian tha se Irani ndjek një politikë të bazuar në dialog dhe respekt të ndërsjellë, brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare, duke refuzuar kërcënimet dhe përdorimin e forcës.

Ai shtoi se çdo proces diplomatik ka nevojë për besim të ndërsjellë dhe për ndaljen e veprimeve kërcënuese dhe nxitëse të luftës në rajon.

Deklaratat vijnë pasi president Donald Trump tha disa ditë më parë se një flotë e madhe ushtarake amerikane po lëviz drejt Iranit, duke paralajmëruar se “koha po mbaron” për një marrëveshje mes Teheranit dhe SHBA-së.

U kap pas 29 vitesh, pse Kostandin Nishku ekzekutoi 10-vjeçarin në banesë

By: e xh
30 January 2026 at 15:04

Kostandin Nishku i fshihej drejtësisë prej vitit 1997, por pas 29 vitesh, ai u arrestua në Greqi për llogari të drejtësisë së vendit tonë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 10-vjeçari, nipi i një personi i cili i kishte vrarë vëllain.

Historia tragjike nis më datë 19 mars 1997, kur Nishku, alias Baki Duzha, së bashku me shtetasin Roland Kotorri, kanë shkuar të armatosur në shtëpinë e shtetasit Kujtim Bregu. Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, pasi Veli Bregu në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ishte arratisur nga burgu.

Veli Bregu nuk ndodhej në banesë dhe aty ishin vetëm Kujtimi, gruaja e tij, djali 10-vjeçar dhe vajza 15-vjeçare. Pasi i ka kërkuar të tregojnë ku ndodhet Veli Bregu dhe nuk ka marrë përgjigje, Nishku ka urdhëruar shtetasin Roland Kotorri që të vrasë djalin e mitur dhe pas refuzimit të Kotorrit, e ka qëlluar me pistoletë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes Nishku është larguar drejt Greqisë, ku dhe ka jetuar me identitetin e rremë Hariz Vjeri. Identifikimi i tij është kryer bazuar në identitetin e rremë dhe krahasimin fotografik të fotos së autorit të vitit 1997 dhe fotos së pasaportës së marrë në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.

Pas arrestimit, pritet ekstradimi i nishkut në vendin tonë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Berisha zbulon datën e protestës së radhës kombëtare

By: e xh
30 January 2026 at 13:50

Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se protesta e radhë kombëtare kundër qeverisë “Rama” do të jetë më 10 shkurt në orën 17:00.

Në konferencën për mediat, kryedemorkati ftoi qyetarët që të bëhen pjesë e tubimit deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon si hartuesin e skemave korruptive në vend.

“Në 10 shkurt të gjithë në rrugë dhe sheshe, në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria kundër regjimit të drogës dhe vjedhjes së Shqiptarëve”, tha Berisha.

Bulqizë/ Babai plagos me thikë djalin, 29-vjeçari në spital

By: e xh
30 January 2026 at 13:42

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 29 janarit 2026 në fshatin Ostren, Bulqizë, ku një 58-vjeçar ka plagosur me mjet prerës thikë djalin e tij.

Rreth orës 23:00, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi B.N., 58 vjeç, brenda banesës së tij, ka goditur me thikë djalin e tij, shtetasin K.N., 29 vjeç.

Falë reagimit dhe ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i ngjarjes. Autor i dyshuar u arrestua në vendngjarje dhe u sekuestrua mjeti prerës (thikë) që përdori.

Shtetasi i plagosur ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Kristjan Asllani mbërriti në Stamboll, mesfushori kuqezi i bashkohet Besiktas

By: e xh
30 January 2026 at 13:21

Pas një problemi me avionin, Kristjan Asllani më në fund ka mbërritur në Stamboll për t’u bashkuar me skuadrën e tij të re Besiktas.

Klubi turk ka konfirmuar gjithcka teksa ka postuar foto të mesfushorit të kombëtares shqiptare me shallin e klubit turk duke theksuar se futbollisti do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore

Kristjan Asllani u transferua te Besiktas në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni me të drejtë blerjeje nga ana e klubit turk. Në bazë të asaj që publikohet në median turke, Besiktas mund të blejë  kartonin e mesfushorit 23 vjeçar për 12-13 milionë euro.

Kristjan Asllani nuk është i vetmi futbollist shqiptar që i bashkohet Besiktasit, me këtë të fundit që ka në pronësi edhe kartonin e Ernest Muçit që është transferuar te Trabzonspor me huazim.

Dënimi në Greqi, KLGJ nuk pranon nisjen e procedurave për verifikimin e Irena Gjokës

By: e xh
30 January 2026 at 13:18

KLGJ me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme se nuk kishte deklaruar në formular një dënim në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize. Shumica e anëtarëve thonë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Për rrjedhojë, nuk u ngrit komisioni që do të merrte në shqyrtim dokumentacionin, dhe do të niste procesin e verifikimit.

Vetë Gjoka në një letër drejtuar KLGJ-së argumenton se nuk ka asnjë arsye ligjore për ndërprerjen e mandatit të saj si gjyqtare. Gjoka argumenton se s’ka kryer asnjë shkelje për  faktin që nuk e ka deklaruar dënimin, pasi ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë.

Kurti për Bordin e Paqes: Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe ku të ketë nevojë

By: e xh
30 January 2026 at 13:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.

Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, njëra prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian./REL

Lufta në Ukrainë, Rusia: Trump na ka kërkuar të ndalim sulmet deri me 1 shkurt

By: e xh
30 January 2026 at 13:13

Rusia deklaron se presidenti rus Vladimir Putin ka marrë një kërkesë personale nga homologu i tij amerikan, president Donald Trump, për të ndalur sulmet ndaj Kievit deri më 1 shkurt.

Sipas Moskës, kërkesa synon krijimin e një klime të favorshme për negociata paqeje.

Kur u pyet për përmbajtjen e kërkesës dhe përgjigjen e Rusisë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë më tej.

Ukraina ka bërë të ditur se do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse Rusia heq dorë nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, në një periudhë të shënuar nga temperatura shumë të ulëta.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar për 1 shkurt në Abu Dhabi, mund të ndryshojë datë ose vendndodhje.

Zelensky këmbëngul: Ukraina gati për anëtarësim në BE në vitin 2027

By: e xh
30 January 2026 at 11:56

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka riafirmuar synimin e tij që vendi të jetë teknikisht gati për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2027, pavarësisht skepticizmit dhe kundërshtimeve të shprehura së fundmi nga disa liderë europiane.

Duke folur për mediat, Zelensky deklaroi se deri në fund të vitit 2026 Ukraina do të ketë përmbushur hapat kryesorë të kërkuar për anëtarësim. “Teknikisht, do të jemi gati në vitin 2027”, tha Presidenti i Ukrainës.

Megjithatë, disa zyrtarë të BE-së kanë dhënë sinjale më të rezervuara. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, theksoi se procesi i zgjerimit bazohet në rregulla të qarta dhe paralajmëroi se presioni mbi BE-në për afate konkrete mund të jetë kundërproduktiv. Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, la të kuptohet se, ndonëse vullneti politik ekziston, nevojiten përparime më të mëdha, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Zelensky theksoi se kërkesa e tij kryesore është një afat i qartë, duke e konsideruar anëtarësimin në BE pjesë të rëndësishme të garancive të sigurisë pas luftës. Megjithatë, procesi kërkon miratim unanim nga 27 shtetet anëtare, ndërsa Hungaria vijon të kundërshtojë përshpejtimin e anëtarësimit të Ukrainës. Kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi se shumica e qytetarëve hungarezë e refuzojnë këtë perspektivë, çështje që pritet të luajë rol kyç edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Hungari.

Rama debat me fermerin: Nuk i mbyllim kufijtë për ty

By: e xh
30 January 2026 at 11:26

Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat me një fermer gjatë takimit me përfaqësues të bujqësisë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, ku u diskutuan problematikat e prodhimit, tregut dhe konkurrencës me produktet e importit.

Rama theksoi se strategjia e qeverisë në bujqësi mbështetet te krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të agropërpunimit, të cilat sipas tij janë kyçe për rritjen e vlerës së prodhimit vendas. “Është domosdoshmëri strategjike të kemi frigoriferë, kapacitete për ruajtje dhe fabrika për përpunim, në mënyrë që asnjë gram prodhim të mos shkojë dëm dhe fermeri të jetë zot i çmimit në çdo kohë”, u shpreh Kryeministri.

Një fermer ngriti shqetësimin për mbrojtjen e prodhimit vendas nga mallrat e importuara, duke kërkuar ndërhyrje për kufizimin e tyre. Rama e quajti këtë kërkesë si të pamundur në një ekonomi të hapur.

“Nuk ekziston mbyllja e kufijve për produktet, vetëm sepse dikujt i leverdis. Këtë e kemi ndarë që në vitet ’90, kur zgjodhëm lirinë dhe ekonominë e tregut. Kufijtë nuk mbyllen”, tha Rama, duke i kërkuar fermerit të mos ndërpriste fjalën dhe të respektonte rregullin e diskutimit.

Kryeministri mohoi gjithashtu akuzat për favorizime apo monopol, duke theksuar se qeveria merr informacion nga terreni, e kryqëzon dhe e vlerëson para se të marrë vendime. Ai preku edhe çështjen e naftës për bujqësinë, duke pranuar se ka abuzime dhe se skema duhet korrigjuar, pasi një pjesë e përfituesve nuk e përdorin naftën për prodhim.

Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, ndërsa Rama u largua më herët për shkak të një takimi me përfaqësues të huaj, duke lënë ministrat për të vijuar diskutimet me fermerët.

Denoncimet për AKSHI, raportuesi i PE: Mos më pyesni për gjithçka që thotë Berisha

By: e xh
30 January 2026 at 10:40

Gjatë konferencës vjetore, raportuesi i PE për Shqipërinë Andreas Schieder foli për situatën politike në vend, integrimin europian dhe luftës për korrupsion.

Ai u pyet nga gazetarët në lidhje me deklaratat e kreut të PD, Sali Berisha, lidhur me dosjen e SPAK për AKSHI-n.

“Mos më bëni pyetje për gjithçka thotë Berisha dhe mos më shtyni të komentoj çdo gjë që thotë ai.”, u përgjigj raportuesi i PE për vendin tonë.

Referuar nje dosje të SPAK për AKSHI-n, Berisha ka denoncuar se ky grup i struktura kriminal ka eksportuar te vendet armike të NATO informacione të NATOs që i disponon edhe Shqipëria, a është parë si shqetësim nga BE ky denoncim?

Schieder: Përgjigjja e parë dhe e shkurtër është jo. Së dyti ju lutem mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha dhe që unë të bëj komente për gjithçka që thotë ai, sepse edhe unë do të duhet të dal pastaj nga roli im institucional.

Ellenzék (1938) / Udhëtim në Mat, vendlindjen e Zogut të Parë

By: e xh
30 January 2026 at 10:27

Nga Aurenc Bebja

Gazeta e hungarezëve të Rumanisë “Ellenzék” ka botuar, me 3 korrik 1938, në faqen n°8, rrëfimin e udhëtimit asokohe në vendlindjen e Mbretit Zog (Burgajet, Mat) me rastin e martesës me trëndafilin e bardhë të Hungarisë (Mbretëreshën Geraldinë).

Legjenda e lindjes së Zogut të Parë, Mbretit të shqiptarëve

Burimi : Ellenzék, 3 korrik 1938, faqe n°8

Burgajet (në malet e Matit), korrik.

“Parisi nuk është Franca” — u thotë të huajve çdo francez.

Dhe Tirana — nuk është Shqipëria.

Por unë e pranoj, e lashë të më pëlqente Tirana. Me të kaluarën e saj të shumëngjyrshme dhe të tashmen e paqartë, me bulevardet e gjera dhe ministritë moderne pranë xhamive, me lagjet e pazareve të përthyer, kishat dhe ndërtesat e çrregullta, me romët e saj shumëngjyrësh dhe vajzat që po bëhen europiane. Më pëlqyen sekretarët e ministrive që flisnin frëngjisht, në sytë e të cilëve akoma digjej flaka e së kaluarës, poetët revolucionarë apo opozitarë, karrocierët e tyre të ashpër, por të besueshëm ; më pëlqyen shkollat, ku fëmijë të dobët, por ambiciozë përpiqeshin të bëheshin të denjë për të ardhmen e Shqipërisë ; më pëlqyen kafetë me pamje të errët dhe të dyshimtë — më pëlqeu Tirana, sepse është një koleksion i shumëngjyrshëm i së kaluarës dhe të tashmes shqiptare.

— Por nëse doni të shihni Shqipërinë e vërtetë, ngjituni në male.

Këtë këshillë e kisha dëgjuar një mijë herë. Prandaj iu binda dhe u nisa përsëri drejt maleve shqiptare. Udhëtuam me makinë. Një nga krenaritë e qeverisë shqiptare është se gjatë pesë viteve të fundit janë ndërtuar 3.000 kilometra rrugë. Nëse mendojmë se ndërtimi i një rruge tetë metra të gjerë (natyrisht pa prishje betoni) në terrenin e tmerrshëm malor kushton 80.000 franga ari për kilometër, pra rreth 5 milionë lei, atëherë duhet t’i shohim me më shumë mirëkuptim rrugët automobilistike të shtruara me zhavorr të trashë, jo krejtësisht të lëmuara, por të gjera dhe patjetër të kalueshme, që lidhin fushën shqiptare me zonat malore. Kudo ura të reja, viadukte, parmakë rrugësh. Të gjitha këto nuk ekzistonin dhjetë vjet më parë. Atëherë ishte rrezik për jetën të kaloje mbi dërrasat prej druri që po shembeshin, mbi përrenjtë malorë që vërshonin e ndonjëherë fryheshin deri në disa kilometra gjerësi dhe që, kur u tekej, merrnin me vete gjithçka, madje edhe atë që ndodhej në atë çast mbi dërrasë.

Tani, megjithatë, me goma më të mira, ngjitemi relativisht rehat nga Shkodra, përmes Krujës, deri në luginën e lumit Fan. Pas një dite e gjysmë me makinë dhe kalërim, arrijmë në malet e vërteta, ku kodrat e buta të Burrelit dhe Burgajetit valëviten rrëzë dëborës dy mijë metra të lartë. Atje, prej nga dy dekada më parë, nga kështjella e lashtë e Burgajetit e Xhemal Pashës, u nis një i ri njëzetvjeçar për të fituar pavarësinë e Shqipërisë — dhe prej të cilit u bë mbreti i parë i Shqipërisë.

Në vendlindjen e Zogut I

Jemi në tokën e Mbretit Zog I, në rajonin ku emri Zog nderohet veçanërisht.

Atje, gjatë tre ditëve të festimeve të dasmës, njëqind deri në njëzet mijë të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në ajër, të qëlluara nga banorët entuziastë të Matit, dhe gjashtëdhjetë mijë të ftuar u ulën në tryezat e shtruara me shumë pasuri që gjyshi i mbretit, Princi Xhemal, (ndoshta e ka fjalën për Xhelal Zogun, vëllain e Mbretit Zog) kishte përgatitur për popullin e tij.

Sepse Mbreti Zog është “profet në vendlindjen e vet”. Është e vërtetë se mbretin nuk e lidhin me bashkëfshatarët e tij vetëm fijet sentimentale, jo vetëm krenaria e banorëve të krahinës, por edhe një diplomaci e mençur, tipikisht shqiptare, të cilën mbreti e zbaton para së gjithash ndaj njerëzve të vet. Bijtë e kësaj krahine gëzojnë trajtim të veçantë në ushtri. Ish-krerët e fiseve të tyre janë të gjithë oficerë shtabi të ushtrisë dhe, në fillim të çdo muaji, në adjutanturën mbretërore pranë pallatit, marrin rrogën e tyre dhe të njësive që komandojnë.

Në viset e tjera të Shqipërisë gjithashtu, por sidomos në krahinën e maleve të Matit, sistemi feudal jeton ende pothuajse i pacënuar : populli i ndjek me besnikëri udhëheqësit e tij. E kujtdo që i është besnik prijësi, atë e ndjekin edhe çetat. E pra, në krahinën e Matit, si çetat ashtu edhe prijësit janë besnikë të Mbretit Zog. Madje edhe familjet e mëdha që dikur ishin rivalët e tij, sot janë nënshtruar dhe janë mbështetës besnikë të tij.

Por në këtë krahinë, disi, fshatari është më krenar dhe zotëria është më zotëri. Sikur në shtëpitë e mëdha të fermave, të shpërndara nëpër lugina, të jetonin vetëm fisnikë, sepse secila prej tyre është si një kështjellë e vogël, një fortifikim i pavarur. Këto male këtu flasin të gjitha për lavdinë e familjes Zogu. Dhe nuk është çudi, sepse çdo kthesë rruge, çdo qafë mali apo shteg malor mban kujtimin e betejave të famshme kundër pushtuesve turq ose serbë, në të cilat familja Zogu udhëhiqte luftëtarët shqiptarë.

Të gdhendura në shkëmbinjtë e maleve, shkronja dhjetë deri në pesëmbëdhjetë metra të larta ose edhe më të mëdha formojnë : “R. Z. I.” — “Rroft Zogu I.” — Rroftë Mbreti Zog I!

Oriz me mish, çorbë, petulla me mjaltë…

Në shtëpitë e asaj krahine të mrekullueshme, ku hyra si mysafir, e ndjeva përsëri atë ndjenjë që e kisha ndier shpesh që nga ardhja ime ; sikur po ecja në një tokë që e dua prej kohësh. Kur vizitova shkollën fillore, pata përshtypjen se ndodhesha në një shkollë fshatare të fushës ; fëmijët këndonin në shqip një melodi të njohur mirë:

“Fluturo, fluturo, zog i vogël…”

Kur po shfletoja librin e vizitorëve në manastirin Rubiguti (Rubikut), njëri pas tjetrit hasja emra shqiptarë dhe hungarezë, si edhe oficerë dhe ushtarë hungarezë që kaluan këtu gjatë luftës… Vëllezërit e Rubigutit (Rubikut) gjithashtu kënduan këngë… Në të njëjtin manastir, fola edhe hungarisht me një marangoz nga “Sombori”.

Kudo ku shkel, ndeshem me traditat e monarkisë së vjetër dhe kujtimet hungareze ; kjo traditë përzihet me traditat turke dhe shqiptare. Sigurisht, shoh vetëm burra, sepse gratë, gjatë pritjes së mysafirëve, qëndrojnë në shtëpinë e grave.

Ulur mbi qilima me lesh dhie të shtruar, tymosim cigare, pimë kafe dhe pritësi im na tregon histori. Për beteja, vepra heroike, fitore dhe humbje. “Kështu ka qenë, kështu ndodhi, Allahu e ka urdhëruar kështu, Allahu ose Shpëtimtari ka urdhëruar kështu…” — besimet fetare këtu përzihen, traditat bashkohen, dhe nuk është e rrallë të gjesh një të krishterë që jeton sipas zakoneve myslimane, ose një mysliman që feston edhe ditët e shenjta të të krishterëve.

Pas kafes, natyrisht, duhet të hamë. Ata sjellin tashmë enën për larjen e duarve, tavolinën (sofrën) e ulët dhe të rrumbullakët të mbushur me specialitetet vendase : mish me oriz, çorbë, petulla me mjaltë. I hamë pa ceremoni, në sofrën e madhe, me dorë ose me pirun.

Hafuz Musaj, imami i Burgajetit, tregon…

Kështu ecim nga shtëpia në shtëpi nëpër lagje. Të gjithë i kemi vizituar dhe dëgjuar. Vetëm një person nuk arritëm ta gjenim: Hafuz Musaj, imami i Burgajetit. Pavarësisht se shkuam drejt shtëpisë së tij, ishte ditë e premte, dhe ai kishte shkuar të falej në xhaminë e Burrelit.

Fatmirësisht, u takuam papritmas me të në një nga shtegtimet malore. Hoxha i vjetër, me mjekër, i mençur, me çallmë dhe mahnitës, zbriti nga kali, shtriu qilimin e lutjes mbi një shkëmb, ne u ulëm pranë tij, rreth tij pak a shumë : hungarezë dhe anglezë, shqiptarë dhe mysafirë, të rinj dhe të moshuar, gazetarë dhe fshatarë, udhëtarë dhe bari dhish. Përreth nesh shtrihen male të pafundme. Dhitë kullosnin në kodrat e largëta. Një djalosh rom i mban dhitë e tij afër dhe më pas gjithashtu ai u ul pranë nesh — për të dëgjuar tregimet.

Dhe legjenda e lidnjes së Mbretit Zog shpaloset ngadalë para nesh :

— Lart, në majën e maleve të Burgajetit, në kështjellën e tij të vjetër, jetonte një pasha. Emri i tij ishte Xhemal Ismaili ; kudo flitej për guximin e tij dhe fuqinë e shpatës së tij. Ai gjithashtu nderohej nga bashkëfshatarët e tij, deri sa u martua. Sepse Xhemal Pasha nuk ndoqi traditën e lashtë dhe nuk shkoi në një vend të largët për të marrë gruan. Kjo nuk iu fal në luginën e Matit, dhe mbrëmjeve pranë zjarrit flisnin shumë për këtë nëpërmjet pëshpëritjesh.

Por pashai ishte një njeri këmbëngulës, dhe kur gruaja e tij e parë vdiq, përsëri kërkoi një bashkëshorte nga fshatrat e afërta. Por kjo martesë e dytë nuk pati fat. Pashai shpejt mbeti sërish beqar. Dhe atëherë Xhemal Pasha i tha njeriut të tij të dashur, Mehmet Rizvanit :

— Hip mbi kalë, Mehmet Rizvani, dhe përgatitu për udhëtim. Do të zgjasë tre ditë e tre netë udhëtimi yt deri në Tiranë. Atje jeton familja Toptani, pasuria dhe bollëku i të cilëve kanë përhapur famën e tyre larg. Shko të vizitosh shtëpinë e Adem Toptanit dhe kërko vajzën e tij për mua. Por, pasi Toptanët janë një racë mendjemadhe dhe krenare, nëse nuk të japin vajzën, shko edhe në shtëpinë e Emin Bej Toptanit. Ai gjithashtu është Toptan ; ndonëse jo nga dega kryesore, kam dëgjuar shumë gjëra të mira për vajzën e tij, Sadijen. Ai ndoshta është më pak mëndjemadh se Toptanët e tjerë, të cilët rrallë martohen me të huajt, për të mos shpërndarë pasurinë e madhe të Toptanëve. Por Emin Beu nuk përfiton nga pasuria dhe ndoshta do të të japë vajzën.

Gjithçka ndodhi ashtu siç e parashikoi mençuria e Xhemal Pashës. Adem Toptani qeshi dhe e largoi të dërguarin e Pashait jo aq të pasur. Por ai u prit me ujë, kripë dhe bukë në shtëpinë e Emin Beut dhe të nesërmen ai mundi t’i sillte lajmin e mirë zotërisë së tij : ai do të kishte për grua vajzën e Emin Beut…

Lotët e Sadijes rridhnin gjatë udhëtimit nga Tirana deri në Burgajet. Ajo nuk gëzohej për burrin që mençuria e babait të saj ia kishte caktuar. “Çfarë njeriu i vjetër duhet të jetë Xhemal Pasha, që unë të bëhem gruaja e tij e tretë!” — mendoi ajo.

Por me të mbërritur në kështjellën e Burgajetit, zemra e Sadijes u mbush me gëzim. Atje, duke e pritur te porta, ishte një luftëtar i ri dhe i pashëm : burri i saj.

Sadija lindi një djalë.

Një vit pas martesës, erdhi në jetë fëmija i parë. Xhemal Pasha i ftoi fisnikët e rajonit të Matit në një festë të madhe, duke pritur mbërritjen e trashëgimtarit. Por fisnikët që ishin mbledhur për festën u larguan të trishtuar : fëmija i parë ishte një vajzë.

Kur Sadija u bekua me një fëmijë për herë të dytë në kështjellën e Burgajetit, Xhemal Pasha nuk ftoi asnjë mysafir. Megjithatë, këtë herë kishte arsye për gëzim : lindi Ahmet Zogu, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë.

Që në fëmijëri, djali i Xhemal Pashës tregoi vullnet të madh.

Ai ishte mezi gjashtë vjeç kur dëgjonte çdo mbrëmje në haremin e nënës së tij për rrëfimet e Musa Eushait (Eusajt ose Tushës), tradhtarit. Musa Eushai (Eusajt ose Tushës) ishte një mik i dashur i Xhemal Pashës. Por ai i tradhtoi vëllezërit e tij te turqit. Ai u kap rob dhe u var.

Atë natë, një zog ogurzi cicëroi nën dritaren e Zogut të vogël. Djali i vogël i zgjoi shërbëtorët dhe u nis për ta ndjekur. Sepse ky zog ogurzi mund të ishte vetëm shpirti i transmigruar i Musa Eusajt (Tushës). Ata e ndoqën deri në agim, derisa gjetën gjurmët e tij. Por djali gjashtëvjeçar nuk do të shkonte në shtrat derisa të kapej zogu. Në të njëjtën pemë ku Musa Eusaj (Tusha) ishte varur dikur dhe ku zogu cicëronte, Zogu e vari zogun ogurzi. Sepse vetëm në këtë mënyrë ai dhe familja e tij mund të gjenin paqe.

Djali me vullnet të fortë u bë po ashtu një burrë me vullnet të fortë. Në vitin 1914, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeç, ai hyri në oborrin e sundimtarit të atëhershëm të përkohshëm, Princ Vidit, me veshje të bukura shqiptare. Zogu u soll me besnikëri ndaj princit, pa u ekspozuar shumë ndaj tij. Princi Vidi nuk mundi ta mbante fronin e huaj dhe kryetari i ri shqiptar u bë komandanti i përgjithshëm i të gjitha trupave vullnetare shqiptare – atyre që luftuan zyrtarisht në anën e ushtrisë austro-hungareze, por bëmat e të cilave nuk u vlerësuan mjaftueshëm në Vjenë. Zogu u thirr në Vjenë dhe u mbajt atje deri në fund të luftës. Ai nuk ishte tamam i burgosur, por as nuk mund të kthehej në shtëpi.

Në fund të luftës, ai u bë Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Ylli i tij kishte filluar të ngjitej që nga viti 1920. Në vitin 1922, ai shtypi një kryengritje dhe u zgjodh Kryeministër. Në vitin 1925, ai u bë President i Republikës. Në vitin 1928, Asambleja Kushtetuese vendosi të rivendoste monarkinë dhe Zogut iu ofrua kurora mbretërore. Kështu, ai u bë mbreti i parë kombëtar i Shqipërisë së pavarur.

Protesta e PD, raportuesi i PE: Demokracia me molotov nuk është e mirë

By: e xh
30 January 2026 at 10:19

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.

Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.

Schieder komentoi dhe protestën e opozitës të zhvilluar më 24 janar. Schieder tha se në Shqipëri situata nuk është aq dramatike sa pasqyrohet në media, duke shtuar se demokracia me molotov nuk është e mirë.

“Së pari personi që i dha emri këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj kur vjen këtu dhe sheh një situatë më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë. E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit, dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Por të mos e dramatizojmë më shumë seç duhet. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”, tha Schieder.

Pentagoni është gati për luftë, Trump: Do të ishte mirë nëse nuk do të na duhej

By: e xh
30 January 2026 at 10:02

Teksa ushtria amerikane pret vetëm urdhrin, presidenti Donald Trump ende beson tek negociatat me Iranin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se për të, do të ishte fantastike nëse SHBA-ve nuk do i duhej që të kryenin një sulm kundër qeverisë së Teheranit.

“Kemi shumë anije tepër të mëdha dhe shumë të fuqishme që lundrojnë drejt Iranit tani. Dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim. Iranianëve u thashë dy gjëra. Së pari, jo armë bërthamore. Dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit, por ata po i vrasin me mijëra. Unë ndalova 837 varje dy javë më pare. Askush nuk ka bërë diçka të tillë”, tha Trump.

Zyrtarët amerikanë thonë se Trump po shqyrton opsionet e tij, por nuk ka vendosur nëse do ta sulmojë Iranin. Sekretari i Luftës i SHBA-së, Pete Hegseth, ka bërë me dije se ushtria është në gatishmëri të plotë për të zbatuar çdo urdhër.

“Kur thatë ju, zoti President, ‘ne po sigurojmë kufirin’, ushtria ishte krenare të bënte pjesën e saj përkrah Departamentit të Sigurisë së Brendshme. E njëjta gjë edhe me Iranin tani, duke u siguruar që ata t’i kenë të gjitha opsionet për të bërë një marrëveshje. Ata nuk duhet të kenë aftësi bërthamore. Ne do të jemi të përgatitur të ofrojmë gjithçka që ky president pret nga Departamenti i Luftës”, u shpreh ai.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, por demonstratat në të gjithë vendin për shkak të privimeve ekonomike dhe shtypjes politike janë zbehur që atëherë. Presidenti ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite dhe amerikane në sajtet kryesore bërthamore.

I dënuar me burg për drogë dhe shfrytëzim prostitucioni, arrestohet 53-vjeçari

By: e xh
30 January 2026 at 09:23

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Decision”.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Kërcënimi i Trump ndaj Kanadasë, heq certifikimin e avionëve dhe tarifa 50%

By: e xh
30 January 2026 at 08:45

Presidenti Donald Trump tha se po heq certifikimin nga të gjitha avionët e prodhuar në Kanada dhe kërcënoi me një tarifë prej 50% për këto aeroplanë derisa avionët Gulfstreams të prodhuar në Amerikë të certifikohen në atë vend.

Trump tha konkretisht se po i hiqte certifikimin Global Express, një avion biznesi nga Bombardier me seli në Kebek, së bashku me “të gjithë avionët e prodhuar në Kanada”.

“Kanadaja po e ndalon në mënyrë efektive shitjen e produkteve Gulfstream në Kanada përmes të njëjtit proces certifikimi”, shkroi Trump në Truth Social. “Nëse, për ndonjë arsye, kjo situatë nuk korrigjohet menjëherë, unë do t’i ngarkoj Kanadasë një tarifë prej 50% për çdo avion të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Kërcënimi është episodi i fundit në një përplasje të zgjatur midis SHBA-së dhe fqinjit të saj fqinj që kur Trump mori detyrën vitin e kaluar.

Vetëm disa orë më parë, kryeministri kanadez Mark Carney tha se pret që Trump të “ respektojë sovranitetin kanadez ” pas raportimeve se separatistët e Albertës u takuan me zyrtarë amerikanë. Dhe disa ditë më parë, Trump kërcënoi me një tarifë 100% për partnerin e dytë më të madh tregtar të Amerikës nëse ai arrinte një marrëveshje tregtare me Kinën.

Nuk është e qartë nëse Trump ka autoritetin ligjor për të deçertifikuar avionët; Shtëpia e Bardhë nuk ka lëshuar një urdhër ekzekutiv për asnjë tarifë mbi avionët kanadez. Trump nuk specifikoi ndonjë mekanizëm për të deçertifikuar avionët në postimin e tij.

Asnjë president nuk i ka hequr ndonjëherë drejtpërdrejt certifikimin avionëve. Vendimi është lënë gjithmonë në dorë të ekspertëve të sigurisë së aviacionit në Administratën Federale të Aviacionit, tha Richard Aboulafia, drejtor menaxhues i firmës konsulente të industrisë AeroDynamic Advisory.

“Përdorimi i sigurisë së avionëve si mjet në një luftë tregtare është thjesht një ide tepër e keqe”, tha ai.

Nëse Trump i ndalon të gjitha avionët e prodhuar në Kanada, kjo do të ishte një goditje për linjat ajrore dhe pasagjerët amerikanë. Përveç avionëve të biznesit, Bombardier prodhon avionët rajonalë CRJ që përdoren në fluturimet furnizuese, të cilat zakonisht transportojnë pasagjerë nga aeroportet më të vogla në aeroporte më të mëdha. Linjat ajrore United, Delta dhe American punësojnë linja ajrore rajonale që përdorin CRJ në fluturimet e tyre furnizuese.

Bombardier prodhon gjithashtu avionë më të vegjël komercialë, A220. Por disa nga këta avionë A220 prodhohen në Shtetet e Bashkuara dhe disa të tjerë në Kanada.

Deri më tani, asnjë nga linjat ajrore rajonale që ofrojnë këto fluturime furnizuese nuk ka raportuar se ka aeroplanë të ulur në tokë, tha për CNN të enjten në mbrëmje Faye Malarkey Black, CEO e Shoqatës Rajonale të Linjave Ajrore.

Sipas firmës së analizave të aviacionit Cirium, ekzistojnë 648 avionë pasagjerësh CRJ të prodhuar në Kanada që përdoren nga linjat ajrore amerikane. Këta aeroplanë janë planifikuar të kryejnë më shumë se 2,600 fluturime çdo ditë, me një total prej 175,000 vendesh të disponueshme për pasagjerë çdo ditë.

Lënia në tokë e këtyre aeroplanëve jo vetëm që do të shkaktonte ndërprerje të gjera të orarit të linjave ajrore amerikane, por mund të linte shumë aeroporte më të vogla në zonat rurale pa shërbim ajror. Sipas të dhënave të Shoqatës Rajonale të Linjave Ajrore, linjat ajrore rajonale janë burimi i vetëm i fluturimeve për 64% të aeroporteve amerikane.

“Mendoj se kjo synon bizneset (avionët reaktivë)”, tha për CNN të enjten në mbrëmje një burim nga industria, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Jam shumë i vetëdijshëm për atë që thuhej në postimin (në mediat sociale), se të gjitha ishin avionë. Por do të isha vërtet i tronditur nëse qëllimi do të ishte të ndalej flota që u shërben kaq shumë mbështetësve të presidentit.”

Heqja e këtyre avionëve CRJ nga sistemi ajror i SHBA-së do të shkaktonte kaos të përhapur, tha Aboulafia.

“Do të ishte një katastrofë transporti”, tha ai për CNN. “Nëse do të ishte vetëm Global Express, nuk do të ishte problem aq i madh. Por nëse do të ishin të gjithë avionë të prodhuar në Kanada… sistemi (i udhëtimit ajror në SHBA) do të ndikohej seriozisht.”

Gjithashtu, nuk është e qartë nga postimi në Truth Social nëse “të gjithë avionët” i referohen vetëm aeroplanëve apo edhe helikopterëve. Kanadaja është një furnizuese kryesore e helikopterëve civilë, duke përfshirë helikopterët e evakuimit mjekësor që përdoren për të transportuar pacientët në gjendje kritike dhe të plagosur. CNN i është drejtuar FAA-s për koment.

OBSH për virusin vdekjeprurës Nipah: Rreziku i përhapjes përtej Indisë është i ulët

By: e xh
30 January 2026 at 08:42

Rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës Nipah përtej Indisë është i ulët, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke shtuar se nuk po rekomandonte kufizime udhëtimi ose tregtie pasi u raportuan dy infeksione nga vendi i Azisë Jugore.

Hong Kongu, Malajzia, Singapori, Tailanda dhe Vietnami janë midis vendeve aziatike që këtë javë shtuan kontrollin në aeroporte për t’u mbrojtur nga përhapja e mundshme e virusit pasi India konfirmoi dy infeksione.

“OBSH-ja e konsideron të ulët rrezikun e përhapjes së mëtejshme të infeksioneve nga këto dy raste”, tha agjencia në një email drejtuar Reuters, duke shtuar se India ka kapacitetin për të përmbajtur shpërthime të tilla.

“Nuk ka ende prova për rritje të transmetimit nga njeriu te njeriu”, tha ajo, duke shtuar se po koordinohej me autoritetet shëndetësore indiane.

Por nuk përjashtoi ekspozimin e mëtejshëm ndaj virusit, i cili po qarkullon në popullatat e lakuriqëve të natës në pjesë të Indisë dhe Bangladeshit fqinj.

Virusi, i cili përhapet kryesisht nga lakuriqët e natës që kultivojnë fruta dhe kafshë të tilla si derrat, mund të shkaktojë ethe dhe inflamacion të trurit. Ai ka një shkallë vdekshmërie prej 40% deri në 75% dhe nuk ka kurë, megjithëse vaksinat në zhvillim janë në fazën e testimit.

Ai transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës të infektuar ose nga frutat që ata infektojnë, por transmetimi nga njeriu te njeriu nuk është i lehtë, pasi zakonisht kërkon kontakt të zgjatur me njerëzit e infektuar. Shpërthime të vogla nuk janë të rralla dhe virologët thonë se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët.

Burimi i infeksionit nuk është kuptuar ende plotësisht, tha OBSH-ja. Ajo i ka dhënë Nipah-ut përparësi sepse nuk ka vaksina ose trajtime të licencuara, ka një shkallë të lartë vdekshmërie dhe ka frikë se mund të mutojë dhe të përhapet më lehtë.

Autoritetet lokale thanë se dy punonjësit e shëndetësisë që u infektuan në fund të dhjetorit në shtetin lindor indian të Bengalit Perëndimor po trajtohen.

❌
❌