Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Opinion.al

Aksidentohet në Nigeri Anthony Joshua, dy të vdekur nga përplasja e mjeteve

By: e xh
29 December 2025 at 16:34

Boksieri britanik i peshave të rënda Anthony Joshua ka mbetur i plagosur në një aksident me makinë në Nigeri, teksa dy të tjerë mbetën të vrarë.

Aksidenti ndodhi në shtetin Ogun dhe Joshua, 36 vjeç, pësoi lëndime të lehta kur automjeti i tij u përplas me një makinë tjetër.

Dëshmitarët okularë thanë për mediat lokale se Joshua pasagjer në makinën që u aksidentua me një kamion që nuk ishte në lëvizje.

Në pamjet e publikuara duket 36-vjeçari në makinën e aksidentuar, i cili ka pësuar lëndime dhe del nga automjeti për t’u dërguar në spital.

Aksidenti ndodhi 10 ditë pasi Joshua shënoi një fitore në raundin e gjashtë ndaj YouTuber Jake Paul në Miami, duke e lënë amerikanin me një nofull të thyer në dy vende.

Më parë këtë vit, Joshua zbuloi planet e tij për të investuar në të ardhmen e boksit në vendin e tij të origjinës. Ai ndau ambicien e tij për të krijuar një akademi boksi në Nigeri për të ndihmuar talentet lokale dhe për t’u ofruar boksierëve të rinj burimet për t’u bërë profesionistë.

Lëvizje në kupolën e Policisë së Shtetit, shkarkohet nga detyra…

By: e xh
29 December 2025 at 16:04

Ditën e sotme në strukturën e Policisë së Shtetit ka pasur disa ndryshime, shkarkime nga detyra dhe emërime të reja.

Pas vlerësimit të performancës, të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH, proces i cili do të vazhdojë për të gjitha drejtoritë vendore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka firmosur mesditën e sotme shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore Lezhë, Drejtues Altin Mena dhe të zv.drejtorit për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka, me motivacionin për performancë të dobët.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm ka komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë, zv/drejtorin për Hetimin e Krimit, në DVP drejtues  Kujtim Gjoka.

Po me të njëjtin motivacionin janë shkarkuar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër Mariglen Duçi dhe shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz Besmir Dervishi.

Po ashtu:

Altin Mena është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në DVP Kukës.

Taulant Gjoka është emëruar shef i Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër.

Mariglen Duçi, shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës.

Besmir Dervishi, shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë.

Ervis Gjoshi, eshte emëruar shef i komisariatit në Dibër.

Sentilian Ndreu, emërohet përkohësisht, shef i Komisariatit nr. 5 në Tiranë.

Aksident në rrugën Korçë-Ersekë, plagosen dy persona

By: e xh
29 December 2025 at 16:00

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Ersekë në afërsi të fshatit Kamenicë.

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se një mjet ka dalë nga rruga duke përfunduar në tokë bujqësore. Brenda mjetit kanë qenë dy persona, një djalë e një vajzë, të cilët po transportohen në spital për ndihmë mjekësore.

Nga bluzat e bardha në vendngjarje mësohet se çifti ka pësuar tronditje dhe fatmirësisht nuk kanë probleme për jetën apo dëmtime në trup.

Policia po ashtu ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Turqi/Përplasje me armë mes policisë dhe xhihadistët e ISIS-it, 3 efekivë të vrarë

By: e xh
29 December 2025 at 15:35

 Tre oficerë policie u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në një përleshje me militantë të dyshuar të Shtetit Islamik ( ISIS ) mëngjesin e kësaj të hëne në provincën veriperëndimore të Turqisë, Yalova.

Gjatë një bastisjeje, të dyshuarit në një banesë iu përgjigjën thirrjeve për dorëzim nga forcat e sigurisë me armë zjarri, duke çuar në një shkëmbim zjarri.

Sipas transmetuesit shtetëror TRT Haber 6-të nga terroristët u vranë gjithashtu.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu ngushëllime familjeve të oficerëve të policisë dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“I lutem Zotit për mëshirë për oficerët tanë heroikë të policisë që u martirizuan në operacionin kundër organizatës terroriste ISIS në Yalova këtë mëngjes dhe u shpreh ngushëllimet e mia familjeve të tyre, Departamentit të Policisë, vendit dhe kombit tonë. U uroj shërim të shpejtë oficerëve tanë të plagosur të policisë”, tha shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se në operacionet e kryera kundër organizatës terroriste ISIS gjatë muajit të kaluar, janë arrestuar 137 të dyshuar dhe ndaj 97 të dyshuarve janë zbatuar masa kontrolli gjyqësor.

Korrupsioni dhe vonesat në subvencione, fermerët grekë përshkallëzojnë protestat

By: e xh
29 December 2025 at 15:32

Fermerët grekë vendosën të përshkallëzojnë sot protestat anëembanë vendit kundër vonesave në pagesat e subvencioneve, të shkaktuara nga një skandal përvetësimi të fondeve të BE-së për bujqësinë në vend nga agjensia shtetërore OPEKEPE.

Të gjendur përballë presionit në rritje nga çmimet e ulëta,  kostot në rritje të energjisë elektrike dhe përkeqësimit të kushteve klimatike, fermerët sot planifikojnë të bllokojnë të gjitha akset kombëtare dhe rurale të rrugëve.

Vendimi është marrë pas bisedave të tensionuara mes përfaqësuesve të fermerëve. Kjo bllokadë pritet të ndikojë mijëra udhëtarë në prag të festive.

Trafiku ka filluar që tani të përkeqësohet në shumë rrugë të vendit. Radhë të gjata makinash u regjistruan në autostradën Athinë Selanik e cila sot do të bllokohet nga traktorë dhe mjete të rënda.

Sipas mediave greke, numri total i bllokadave rrugore nga fermerët ka arritur në 57.

Situata e tejzgjatur e protestive që kanë nisur që në nëntor, duket se i ka lodhur fermerët, shumë prej të cilëve kanë qëndrime të ndara.

Disa prej tyre janë të vendosur të vazhdojnë protesta ndërsa një grup tjetër është i gatshëm të hyjë në negociata me përfaqësues të qeverisë.

1767014462_maketakinisimploka11.jpg1.jpg

Berisha uron Kurtin: Zgjedhjet në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë

By: e xh
29 December 2025 at 15:29

Kryetari i PD, Sali Berisha ka uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e së dielës në  Kosovë. Në një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se zgjedhjet në Kosovë duhet të shërbejnë si shembull për Shqipërinë.

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama është armiku i votës së lirë në vendin tonë, duke e kthyer çdo proces zgjedhor në farsë elektorale.

Postimi  Berishës

Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.  Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre. Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb

Rama reagon për mungesën e ujit në Vlorë: Plasi më në fund syri i keq

By: e xh
29 December 2025 at 15:24

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën në Vlorë, ku prej katër ditës ky qytet përballet me mungesën e ujit, pasi një defekti në ujësjellës.

Rama shkruan se sot mbërrijnë nga Stambolli pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit në ujësjellësin e Vlorës, që sipas tij ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyr.

Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës, teksa me humor shkruan: Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…

Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan ai.

Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare

By: e xh
29 December 2025 at 14:54

Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.

I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.

Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.

“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.

Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.

Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.

Foltorja e opozitës, policia tregon rrugët që do bllokohen sot

By: e xh
29 December 2025 at 14:29

Opozita mban sot foltoren para Kryeministrisë. Për këtë arsye, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash, që parashikojnë edhe bllokimin e disa akseve rrugore në kryeqytet.

Këto akse do të jenë të bllokuara nga ora 18:00 deri në orën 20:00.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubimin e ditës së sotme, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Berisha: Nuk ka forcë që e mban në pushtet Ramën në qoftë se ne pushtojmë sheshin

By: e xh
29 December 2025 at 13:43

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kjo parti është “në betejën finale dhe kjo betejë finale është largimi i këtij regjimi”.

“Ne sot jemi të qartë dhe duhet të qartësojmë çdo demokrate e demokrat, të përkushtohemi në projektin e opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike si kusht i të gjitha kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë.
Nuk ka një parti me eksperiencën tonë. Ne erdhëm në vitet ’90 si i vetmi vend dhe e vetmja shoqëri me 4 kulte, kulti i Enver Hoxhës, Stalinit, Leninit, Marksit, etj. Ndërkohë vendet e tjera ish-komuniste nga viti 1956 ishin çliruar nga kultet.
Ju e keni të vështirë ta mendoni se çfarë tmerri dhe sa të tmerrshëm ishin kultet. Por ne i shembëm ato me guxim.
I shembëm pa konflikt civil. Tanket i nisën drejt nesh, ne i bllokuam ato me barrikada, por vetë nuk rrëmbyem armë, as RPG, armë antitanke. Na rrethuan tek selia, po me tanke. Ne nuk u mposhtëm, por përsëri qëndruam, u vetëpërmbajtëm.
Na vranë, u përzunë nga selia e kryeministrisë. Të gjitha këto eksperienca, pse unë po i citoj sot dhe do i citoj, i citoj dhe do i citoj sepse ne jemi ne forcë demokratike që drejtohemi vetëm nga parime demokratike. Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme. Në besojmë se Edi Rama, ky regjim i kalbur, largohet vetëm kur opozitarët të lënë mënjanë lodhjen e tyre, të lënë mënjanë dëshpërimin e tyre, rraskapitjen e tyre dhe të dalin në shesh çdo ditë. Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga”, tha Berisha.

“Këtë nuk e kemi bërë ndonjëherë. Kjo na ka munguar. E kemi bërë, por me qëllime jo kaq sa këto. Se ne kemi bërë edhe në vitin 1998, me radhë. Por sot jemi para këtij momenti. Ne, në kushte kur ky regjim, Edi Rama, pasi është dokumentuar jo tashmë vetëm nga opozita, por edhe nga hetimi i prokurorisë se kanë abuzuar miliona dhe miliarda para të taksapaguesve dhe jka hequr çdo maskë në mbrojtje të flaktë në mbrojtje të abuzimeve të tmerrshme me paratë e shqiptarëve sepse është vetë direkt i implikuar”, shtoi kreu i PD-së.

“Minutat e Fundit” në Globe: finalja e vitit me ulje deri në 60%

By: e xh
29 December 2025 at 12:36

Ditët e fundit të Dhjetorit shënojnë gjithmonë një moment të veçantë për blerjet e fundvitit. Koha është e kufizuar, ritmi rritet dhe vendimet merren më shpejt. Në këtë periudhë, Globe rikthen fushatën “Minutat e Fundit”, finalen e vitit që synon të lehtësojë zgjedhjet e klientëve në ditët e fundit para ndërrimit të viteve.

Nga data 27 deri më 31 Dhjetor, në të gjithë rrjetin e dyqaneve Globe dhe online, klientët mund të përfitojnë ulje deri në 60%, në një periudhë të shkurtër dhe të përqendruar komunikimi. Fushata është konceptuar për ata që kanë lënë blerjet për në fund, por që kërkojnë ende çmime reale dhe zgjedhje të zgjuara.

“Minutat e Fundit” përfaqësojnë momentin kur Globe fokusohet tek nevojat reale të fundvitit, duke ofruar një eksperiencë të thjeshtë dhe të qartë blerjeje. Me komunikim të drejtpërdrejtë dhe kohë të kufizuar, fushata synon të nxisë vendime të menjëhershme dhe praktike.

Për shumë familje shqiptare, kjo fushatë është tashmë një traditë e fundvitit, një mundësi për të mbyllur vitin me zgjedhje të mençura, pa e tejkaluar buxhetin e festave. Globe vijon të pozicionohet si pika ku blerjet e fundit të vitit bëhen më të lehta dhe më të leverdishme.

Fushata “Minutat e Fundit” është e vlefshme nga 27 deri më 31 Dhjetor, në të gjitha dyqanet Globe në Shqipëri dhe në platformën online.

Globe – cilësia është kursim.

Stoku në gjykata, Sadushi vë alarmin: S’ka gjyqtarë, punohet me 73% të kapacitetit

By: e xh
29 December 2025 at 12:34

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka ngritur alarmin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar mungesën e gjyqtarëve dhe rritjen e vazhdueshme të stokut të çështjeve në gjykata, veçanërisht në apel.

Në një deklaratë për mediat teksa bëri bilancin e fundvitit, Sadushi u shpreh se sistemi gjyqësor funksionon aktualisht me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij real.

“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi Sadushi.

Sipas tij, situata bëhet edhe më problematike nëse merren parasysh standardet e CEPEJ, sipas të cilave Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë për të përballuar në mënyrë normale ngarkesën gjyqësore.

“Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një disproporcion të thellë ndërmjet nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale të sistemit. Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem”.

Ai e quajti domosdoshmëri marrjen e masave konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës.

“Në këtë panoramë të përgjithshme mungesash, gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi”.

Sadushi theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira, Gjykata e Lartë ka arritur të ulë backlogun me 61% gjatë pesë viteve të fundit, duke dhënë gjithsej 39.269 vendime dhe duke e reduktuar stokun në 14.081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, me një normë likuidimi prej 273%, shifra që sipas tij përfaqëson një stërmundim profesional dhe jo një normalitet institucional.

“Këto rezultate janë reale, por sistemi sot po prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë që krijohet sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë”, u shpreh Sadushi.

Ai evidentoi gjithashtu problematikën e cilësisë së dobët të rekurseve, ku një pjesë e madhe e tyre nuk kalojnë filtrin e pranueshmërisë, duke konsumuar kohë gjyqësore pa efekt real për drejtësinë. Sipas të dhënave, rekurset e papranueshme arrijnë deri në 82% në Kolegjin Penal.

Zgjedhjet në Kosovë/ Rama uron Kurtin: Uroj që mandati të kthehet në sukses

By: e xh
29 December 2025 at 11:03

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e tij në zgjedhje.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi fitoren si domethënëse dhe shprehu urimin që mandati i ri, i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albin Kurtin dhe partinë e tij, të kthehet në sukses dhe mbarësi për Kosovën.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar”, ka shkruar kryeministri Rama.

Katër ditë pa ujë, qytetarët e Vlorës dynden te burimi i Ujit të Ftohtë

By: e xh
29 December 2025 at 10:01

Në ditën e katërt të mungesës së ujit të pijshëm për qytetarët e Vlorës, edhe pse kanë kaluar mbi 92 orë pa furnizim në pjesën më të madhe të qytetit, banorët janë drejtuar sërish në orët e para të ditës së sotme drejt burimit nëntokësor, i cili ndodhet pranë tunelit të Ujit të Ftohtë, por dhe një depoje të ujësjellë3sit që ndodhet në këtë zonë.

Qytetarët janë shprehur të indinjuar për situatën e krijuar dhe kanë fajësuar institucionet e Vlorës për mungesën e zgjidhjes.

Ata thonë se çdo ditë kërkojnë të mbushin ujë ku të mundin, ndërsa situata vështirësohet më shumë për shkak të pragfestës së Vitit të Vitit të Ri. Pranë Ujit të ftohtë edhe qytetarë vlonjatë emigrantë.

Ndërkohë, një ditë më parë, të irrituar nga mungesa e ujit të pijshëm, disa qytetarë kanë hyrë me forcë në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, aty ku po zhvillohej mbrëmja gala, festa e fundvitit për qytetarët e Vlorës.

Autoritetet kanë deklaruar se defekti, i cili ka ndodhur katër ditë më parë, pritet të riparohet gjatë ditës së sotme. Megjithatë, qytetarët vijojnë të jenë të indinjuar dhe të grumbullohen në zonën e Ujit të Ftohtë për të siguruar ujë të pijshëm.

16 viktima nga zjarri në një azil pleqsh në Indonezi

By: e xh
29 December 2025 at 09:19

Gjashtëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur në një zjarr që shpërtheu në një azil pleqsh në Manado, në ishullin indonezian të Sulawesi.

Shumë prej trupave të viktimave u gjetën brenda dhomave të tyre, tha punonjësi i shpëtimit Jimmy Rotinsulu, duke shtuar se shumë nga banorët e moshuar me shumë gjasa po pushonin në dhomat e tyre të dielën në mbrëmje kur shpërtheu zjarri.

Autoritetet arritën të evakuonin 12 persona, të gjithë të padëmtuar, dhe t’i transferonin ata në një spital lokal, shtoi ai.

Pamjet e transmetuara nga transmetuesi lokal Metro TV treguan flakët që përfshinë azilin e pleqve, ndërsa banorët vendas ndihmuan në evakuimin e një burri të moshuar.

Strategjia e re e sigurisë kombëtare të SHBA, një tronditje për Evropën

By: e xh
29 December 2025 at 09:18

As një vit nuk është mbushur nga ardhja në detyrë e Donald Trump, por nga perspektiva e Brukselit, kjo kohë është një përjetësi. Valë tronditëse njëra pas tjetrës i kanë mbajtur evropianët në ankth; çdo javë solli kërkesa të reja, akuza dhe më pas ndryshime rrënjësore. Tronditja e 4 dhjetorit ishte kulmi i ri i përkohshëm dhe ka të ngjarë të jetë më e zgjatura. Një tronditje që e godet në palcë Evropën.

Strategjia e re e sigurisë kombëtare të SHBA-së mbarti disa surpriza për aleatët e saj. Kina nuk është më një rivale sistemike, por thjesht një konkurrente ekonomike. Rusia pranohet si një fuqi e madhe me një treg premtues, veçanërisht për lëndët e para. Dhe nëse lindin konflikte me presidentin e saj, Vladimir Putin, Donald Trump ofron shërbimet e tij si ndërmjetës. Po Koreja e Veriut? As që përmendet më. Gjatë mandatit të parë të Trump, Kim Jong-un ishte ende armiku numër një publik.

Vlerësim rrënues

Strategjia e re amerikane e sigurisë tregon ndarjen më radikale që ka ndodhur me evropianët. SHBA-të, vendi që çliroi Evropën nga terrori nazist gjerman më shumë se 80 vjet më parë me një kosto të madhe, më pas u bënë edhe fuqia mbrojtëse e kontinentit dhe, në veçanti, gjithmonë e mbështetën projektin e Bashkimit Evropian, tani janë armiku i tij. Paragrafët kushtuar BE-së lexohen si një aktakuzë. Ato paraqesin një pamje të një BE-je plotësisht të rrënuar në prag të kolapsit civilizues, të gërryer nga migrimi masiv, shtypja e opozitës, normat e ulëta të lindshmërisë dhe censura.

“Askush prej nesh nuk duhet të tronditet nga fjalët që thonë të tjerët për ne”, rekomandoi Presidentja e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen dhjetë ditë pasi u njoftua strategjia e re. Paragraf pas paragrafi, ajo i çmontoi deklaratat nga Uashingtoni. Evropa rezervon të drejtën për të nxjerrë ligjet e veta – refuzim ky i presionit amerikan për të lejuar kompanitë amerikane të teknologjisë të operojnë sa më lirshëm të jetë e mundur, të papenguara nga rregulloret evropiane.

Në Evropë, vazhdoi Presidentja e Komisionit, të gjithë mund të votojnë për “kë të duan”, pa presion apo manipulim të jashtëm. Kjo duhet të kuptohet pa dyshim. Por von der Leyen e bëri të qartë se çfarë rrezikohet: “liria për të jetuar siç duam”.

Një projekt kundër SHBA-së?

Që presidenti i Amerikës e përçmon thellësisht Bashkimin Evropian bëhet e qartë në një nga konferencat e tij të pafundme për shtyp. “BE-ja u themelua”, deklaroi Trump në samitin e NATO-s në Hagë këtë verë, “për të shkatërruar SHBA-në”.

Trump e shikon suficitin tregtar të evropianëve si një fyerje personale: “Ata nuk i duan makinat tona!” Tarifat drastike janë përgjigja e tij; BE-ja duhet të dobësohet. Dhe ai mbjell pasiguri duke vënë vazhdimisht në pikëpyetje angazhimin besnik ushtarak të SHBA tek aleanca e NATO-s.

Partnerë të rinj

Strategjia e sigurisë kombëtare e 4 dhjetorit e SHBA shkon edhe më tej. Aty pretendohet, se liria e shprehjes censurohet në BE dhe opozita shtypet. Kjo i referohet partive të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në BE – të cilat duhet të forcohen. Kjo është arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance nuk u takua me kancelarin gjerman në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, por me Alice Weidel,  drejtuesen e AfD-së.

“Rrjeti i partive të ekstremit të djathtë dhe konservatore të krahut të djathtë në Evropë, përfshirë lëvizjen MAGA, është bërë më i rrënjosur gjatë katër viteve të fundit”, shpjegon politologia gjermano-amerikane Cathryn Clüver Ashbrook në një intervistë me studion e ARD në Bruksel. Ajo shton se partitë, por edhe politikanët individualë, marrin mbështetje.

Për shembull, fondet nga Fondacioni Heritage shkuan për politikanin britanik të ekstremit të djathtë Nigel Farage. “Tani duhet ta presim këtë në kontekstin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare për Evropën kontinentale”, vëren Clüver Ashbrook. Partitë e krahut të djathtë në Evropë po mbështeten – në Hungari, ku ato janë tashmë në pushtet, dhe në vende si Gjermania, ku ato janë në opozitë.

Mbështetjes së drejtpërdrejtë për partitë politike i shtohet edhe rrjetëzimi nëpërmjet medias, përfshirë në Gjermani. Para zgjedhjeve federale në shkurt, Elon Musk vlerësoi AfD-në jo vetëm në platformën e tij X, por gazeta e përditshme Die Welt, në pronësi të shtëpisë botuese Springer, botoi gjithashtu mbështetjen e Musk për AfD-në si artikull i të ftuarit. Drejtori ekzekutiv i Springer, Matthias Döpfner, ndërhyri personalisht pas publikimit të strategjisë së re të sigurisë të Trump. Evropa duhet ta dëgjojë Trumpin, shkroi Döpfner në një editorial në Die Welt; asnjë fjalë kritike nuk gjendet në editorial./DW

Zelensky: Garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën janë 100% të dakorduara

By: e xh
29 December 2025 at 08:43

Volodymyr Zelensky tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin “100% të dakorduara” pas një takimi me Donald Trump në Mar-a-Lago të dielën.

Presidenti ukrainas përshëndeti “arritjet e mëdha” pas një takimi dypalësh me homologun e tij amerikan, i cili këmbënguli se lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të përfundojë së shpejti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Zelensky u tha gazetarëve në Florida se garancitë e sigurisë së SHBA-së për vendin, një pikë kyçe përpara se të finalizohet një zgjidhje paqeje, janë “100% të dakorduara” dhe një plan ekonomik për të rigjallëruar ekonominë ukrainase është “pothuajse i finalizuar”.

“Kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë janë 100% të dakorduara”, u tha Zelensky gazetarëve.

“Garancitë e sigurisë të SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar”, ka shtuar ai.

Trump bëri të ditur se bisedimet me Zelenskyn dhe delegacionin ukrainas do të vazhdojnë të hënën.

Ndërsa e cilësoi takimin produktiv, presidenti amerikan pranoi se çështja më e ndjeshme – ndarja e mundshme e territoreve – mbetet e pazgjidhur.

Kur u pyet konkretisht për Donbasin në lindje të Ukrainës – zona që përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku, të cilën Ukraina e ka kundërshtuar ta heqë dorë, pasi kjo do të shpërblente Rusinë, e cila ka pushtuar pjesë të saj – Trump pranoi: “Kjo është një çështje shumë e vështirë”.

Pa vendosur ose pa sinjalizuar një afat kohor, Trump tha “do ta shohim brenda disa javësh” nëse plani i paqes funksionon.

Yesterday — 28 December 2025Opinion.al

Vetëvendosje fiton zgjedhjet, vjen reagimi i parë i Albin Kurtit

By: e xh
28 December 2025 at 22:55

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit është më i thelli në historinë e Kosovës.

“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet”, tha Kurti në konferencën e parë për mediat pas shpalljes së rezultatit paraprak.

“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49,79% të votave në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, të zhvilluara këtë të diel. Rezultati paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerr partinë e Albin Kurtit forcë të parë, ndjekur nga PDK 21,19%, LDK me 13,77% dhe AAK me 5,74%.

Zgjedhjet në Kosovë/ Kurti kryeson me mbi 50% të votave, vijon numërimi

By: e xh
28 December 2025 at 21:35

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje po kryeson bindshëm në rezultatet paraprake të zgjedhjeve, ku deri më tani janë numëruar 81% e kutive.

Vetëvendosje ka siguruar deri tani mbi mbi 50% të votave.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.36%, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 14.15%.

Protesta në Vlorë për mungesën e ujit/Qytetarët futen në teatër,bllokojnë dhe rrugët

By: e xh
28 December 2025 at 20:18

Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.

Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.

Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.

Më pas ata vijuan protestën e tyre dhe në rrugë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.

❌
❌