Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Opinion.al

Kushtetuesja riktheu pezullimin e Ballukut, Klosi: Rama mbron çdo vendim të SPAK

By: e xh
9 February 2026 at 23:26

Gjykata Kushtetuese mori vendimin, më 6 shkurt, për të rrëzuar padinë e kryeministrit ndaj GJKKO-së, në lidhje me masën e pezullimit, të vendosur nga kjo e fundit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Lidhur me këtë çështje pyetja që shtrohet në “tryezën e diskutimit” në emisionin Opinion në Tv Klan, është se çfarë do të bëjë Rama. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, trego tre veprimet kryesore që do të bëjë Rama në postim e Kryeministrit, të kreut të PS dhe si përfaqësues i të zgjedhurve shqiptarë.

Blendi Klosi: Jam shumë dakord që në parim një titullar i një institucioni i kujt niveli, nëse rast se kapet në gabim, në shkelje, në flagrancë mund të gjykohet direkt.

Fationa Mejdini: E ka kapur pra.

Blendi Klosi: Të kërkohet arrestimi, por jo ta pezullosh ti dhe institucioni që drejton X apo Y të ngelet pa funksion.

Blendi Fevziu: Pse po ta arrestojë a nuk shkon njësoj?

Blendi Klosi: Pyetja atje është çfarë do bëjë Rama? Çfarë i kërkohet Ramës që të bëjë?!

Blendi Fevziu: Çfarë do bëjë Rama, meqë e hapë këtë?

Blendi Klosi: E para si kryetar i Partisë Socialiste, po bën atë që ka bërë që kur mori pushtetin në vitin 2013 ka thënë që ne do ngremë një drejtësi të re mbi të cilën ne nuk do bëjmë asnjë gjykim, asnjë pengesë për atë se çfarë do të gjykohet. Dhe sot edhe në mbledhje të Grupit Parlamentar, por edhe publikisht mbron çdo vendim të SPAK dhe të drejtësisë së re, sa u takon vendimeve të çështjes.

Artan Hoxha: Përgjigju pyetjes!

Blendi Fevziu: Pse nuk e ngritën këtë çështje kur pezulloi SPAK-u Sali Berishën si deputet?

Blendi Klosi: Nuk e pezulloi, e izoloi. Çfarë duhet të bëjë Edi Rama si kryeministër?! Patjetër që duhet të garantojë atë detyrë që e ka marrë si funksionale, funksionimin e shtetit. Si kryetari i PS do të vazhdojë mbështetjen për SPAK, si kryeministri i vendit do të vazhdojë që shteti të funksionojë dhe si përfaqësues i të zgjedhurve shqiptarë është që të mbrojë këtë mënyrë të funksionimit te shtetit me të mirat dhe me të këqijat e saj.

Yesterday — 9 February 2026Opinion.al

Kush e drejton Ministrinë e Infrastrukturës pas pezullimit të Ballukut?

By: e xh
9 February 2026 at 22:52

“Kushtetuesja pezullon Ballukun, çfarë do të bëjë Rama” është tema që po diskutohet këtë të hënë në emisionin “Opinion”, pas mosvendimin të Gjykatës Kushtetuese, trupa gjykuese e të cilës të premten u nda 4 me 4 lidhur me ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lënë si rrjedhojë në fuqi atë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur avokati Ili Gërdupi. Një nga pyetjet që iu drejtua avokatit Gërdupi ishte nëse ky mosveprim e kthen në normë çështjen e pezullimit të ministrave nga ana e GJKKO-së. Por ai theksoi se ky vendim i Kushtetueses vetëm lë në fuqi pezullimin e ministres, por s’mund të kthehet në normë për shkarkimin e ministrave. Madje sipas tij, ky është i vetmi rast kur kryeministri apo një institucion tjeteër mund të rikërkojë një vendim.

Askush nuk mund ta bëjë përveç ministrit. Do jemi pa ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë.”, tha Gërgupi.

Ai shtoi se “Janë disa çështje për të cilat mund të delegohet e drejta, por janë disa funksione që janë ngushtësisht të lidhura me ministrin. Udhëzimet, urdhrat, janë gjëra që mund t’i lëshojë vetëm ministri. Propozimin e VKM-ve mund ta propozojë vetëm ministri. Bëhet një delegim me afat të caktuar, nuk besoj se do e zgjidhë problemin.Ky vendim nuk e normon çështjen në mënyrë përfundimtare, nuk ka një arsyetim i cili është arsyetim maxhorance dhe detyrues. Vendimet e GJK-së kanë detyrime edhe për arsyetimet, për shkak se nuk janë arritur 5 vota, ne do të konsiderojmë se asnjë nga arsyetimet nuk është detyrues dhe rrjedhimisht kjo çështje mbetet akoma për diskutim, për sa kohë nuk kemi një pezullim të radhës, sepse është i vetmi rast ku mund të kërkohet përsëri nga kryeministri ose një tjetër institucion që pretendon se po i cënohet e drejta nga ky vendim në Kushtetuese dhe të kërkojë një interpretim shterues.”, tha Gërdupi.

Avokati shtoi se gjyqtarët e Kushtetueses kanë 30 ditë afat nga data e shpalljes, që në këtë rast është data 6 shkurt, për ta zbardhur vendimin dhe më pas për ta publikuar në fletoren zyrtare. Që do të thotë se Balluku mbetet në detyrë zyrtarisht të paktën deri më 7 Mars.

Kërkesa për burg ndaj ish-krerëve të UÇK, Fevziu: Nuk vranë ata 20 mijë shqiptarë

By: e xh
9 February 2026 at 22:38

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këtë kërkesë të “Speciales” Fevziu e cilësoi si të padrejtë dhe absurde, duke theksuar se të akuzuarit nuk janë përgjegjës për krimet e rënda të kryera gjatë luftës së Kosovës dhe se dënime të tilla nuk janë dhënë as për autorët realë të krimeve në ish-Jugosllavi.

“Krime lufte, krime kundër njerëzimit. Katër drejtues të një strukture ushtarako-politike, e cila kurrë nuk u largua nga territori i Kosovës. Kurrë nuk tentoi që të sulmonte një strukturë tjetër. Qëndroi dhe luftoni gjatë luftës së Kosovës, sidomos në vitet ’97-’99. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorët e vrasjes së 1432 fëmijëve, që humbën jetën rrugëve të qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të vrasjes së mbi 20 mijë shqiptarëve, rreth 7-8 mijë të të cilëve nuk u gjenden ende eshtrat, të marrë peng dhe të masakruar gjatë luftës së Kosovës.

As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të masakrave me fëmijë, gra, të cilëve u janë prerë kokat dhe janë hedhur në kanale siç ka ndodhur në Rajçak dhe në shumë vende të tjera. Asnjë prej këtyre të katërve nuk ka qenë protagonist politik, apo ushtarak. U bënë protagonist për të mbrojtur familjet e tyre, fisin e tyre dhe tokën e tyre dhe në një moment të caktuar kur Kosova kishte nevojë, ata rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur të ardhmen e prindërve, të fëmijëve të tyre dhe të atyre vetë. Asnjë prej shkaktarëve realë të krimeve në Ish-Jugosllavi, në Bosnje, në Kroaci, Kosovë, Slloveni nuk ka marrë dënime të këtyre përmasave nga Gjykata e Hagës. Ndërkohë që një Gjykatë e Posaçme e Kosovës ka dhënë një dënim i barabartë me dënimin me burgim të përjetshëm”, tha Fevziu.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi bazën ligjore të vendimeve të Gjykatës Speciale, mungesën e së drejtës së faljes dhe pamundësinë e dëmshpërblimit, duke e cilësuar këtë çështje si “një rast turpi për Kosovën”.

“Ndërkohë ajo që është absurde, është që kjo gjykatë ka marrë vendime, në bazë të ligjit me të cilën është krijuar, duhet të vepronte me ligjet e Jugosllavisë të vitit 1998, që i ka anashkaluar. Dënimi më i lartë i Jugosllavisë duhet të shkonte 15 vjet. Deri tani nuk ka një gjykatë eprore që mund të kthente vendimet e saj. Nuk lejohet falja nga asnjë autoritet i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe vetë presidenten në rast dënimi, e drejta e faljes ekziston në çdo vend të botës. Dhe e katërta, asnjë prek katër të pandehurve edhe nëse do të shpallen të pafajshëm nuk mund të dëmshpërblehet për vitet që ka lënë në burg. Është një ligj që unë nuk e di se në cilin vend të globit ekziston, edhe pse për fatin e keq është votuar nga katër personat që sot po dënohen nga kjo gjykatë dhe nga Parlamenti i Kosovës. Nëse ka një rast turpi për Kosovës, rasti i turpit është ekzaktësisht ky”, përfundoi Fevziu.

U dënua me burg, vetëdorëzohet në polici kryebashkiaku i Rrogozhinës

By: e xh
9 February 2026 at 22:25

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, pas vendimit të Apelit të GJKKO, është vetëdorëzuar pasditen kësaj të hëne në Policinë e Rrogozhinës.

Memolla është vetëdorëzuar në zbatim të vendimit të Apelit që la në fuqi dënimin e shkallës së parë, 1 vit burg dhe 5 vite heqje të së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike.

Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë u shpall fajtor për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.

“Specialja” në Hagë kërkoi burg për Thaçin e 3 ish-krerëte UÇK, reagon Albin Kurti

By: e xh
9 February 2026 at 22:21

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me 180 vite burg në total të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Kurti shkruan se “Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste” dhe se “institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”.

Reagimi i plotë i Albin Kurtit:

Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe

By: e xh
9 February 2026 at 20:59

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

Përfytyro një mëngjes të zakonshëm, ku mëndja është hapa përpara trupit, duke projektuar ditën ndërsa duart kryejnë mekanikisht veprimet. Je duke u bërë gati të dalësh nga shtëpia dhe, me nxitimin e dikujt që kërkon të fitojë çdo sekondë, kap çantën, fik dritat dhe mbyll derën pas me një lëvizje të prerë e të sigurt.

Por, pikërisht në atë fragment sekonde, kur dora jote ende prek dorezën e ftohtë, një imazh i qartë dhe i pamëshirshëm të shfaqet në mëndje, ku çelësat e shtëpisë, të harruar mbi komodinë, saktësisht dy metra larg teje, por tashmë të paarritshme. Trupi yt ngrin në një pozicion absurd, ndërsa gishti tregues ende qëndron mbi dorezen e kyçit që sapo e vulose vetë.

Ndjen një lloj plogështie që të zbret nga koka deri te këmbët, një përzierje e mosbesimit me një irritim të thellë ndaj vetes. Sheh dorezën e palëvizshme dhe për një moment, instinkti yt të shtyn ta provosh, sikur me një mrekulli dera mund të hapet, por e di që është e kotë. Ky është momenti i përulësisë totale i një gabimi banal që të kujton se, pavarësisht planeve të mëdha, jemi gjithmonë vetëm një harresë larg kaosit. Brenda 50 deri në 100 milisekonda, shumë kohë përpara se mendja juaj koshiente të mund të procesojë ndjenjën “oh-jo-gabim”, “sistemi i alarmit” të trurit tuaj tashmë është aktivizuar.

Kjo njihet si Negativiteti i Lidhur me Gabimin. Kërkimet në Frontiers in Human Neuroscience (2025) konfirmojnë se ky sinjal e ka origjinën në Korteksin Cingular Anterior, i cili vepron si një detektor automatik i konflikteve. Korteksin Cingular Anterior në thelb njofton pjesën tjetër të trurit, duke bërtitur se realiteti i situatës nuk përputhet më me “parashikimin” e brendshëm të suksesit. Ndërsa ora shënon 200 deri në 500 milisekonda pas dështimit, ju kaloni në fazën e Pozitivitetit të Gabimit. Ky është momenti “Aha!” i njohjes së gabimit.

Sipas studimeve të fundit (Smith et al., 2025), fuqia e këtij sinjali është përcaktuese (“bëje ose dështo”). Nëse besoni se mund të përmirësoheni, truri juaj tregon një reagim shumë më të fort. Truri në ato milisekonda nuk vëren thjesht gabimin por analizon edhe burime metabolike për të analizuar pse ndodhi ai. Në këtë udhëkryq, Korteksi Paraballor Ventromedial dhe Amigdala përfshihen në një “stërvitje force”. Amigdala mund ta regjistrojë dështimin si një kërcënim social, duke nxitur një reagim stresi “lufta ose ikja”. Megjithatë, nëse korteksi paraballor arrin ta rregullojë me sukses këtë emocion, truri hyn në një gjëndje të rireshtimit neural.

Gjetjet e fundit të viteve 2024-2025 në neuroshkencë sugjerojnë se truri i përdor këto “të dhëna dështimi” për të përditësuar modelet e tij të sjelljes (behavior) parashikues. Në vend që të përsërisë të njëjtin cikël, truri rilidh shtigjet e tij qelizore duke bërë në thelb një “arnim” të lidhjeve të qelizave për të siguruar që parashikimi i radhës të jetë më i saktë. Nëse dështimi shkaktohet nga lodhja, reagimi i trurit është edhe më dramatik. Sipas kërkimeve të fundit, truri mund të bëj një shpërthim të shpejtë të lëngut cerebrospinal kur përjeton “dështim apo frikë”. Kjo është një “urgjence” fiziologjike, zakonisht e rezervuar për gjumin e thellë, duke treguar se truri e sheh dështimin e përsëritur si një sinjal se është tepër i “ngarkuar”. Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në New York.

#fatjonalubonja

Gjyqi për 4 ish-krerët e UÇK, Rama: Më duhet kohë ta gëlltis atë mal me m*t….

By: e xh
9 February 2026 at 20:20

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se prokurorët specialë kërkuan këtë të hënë dënimin me nga 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe 3 ish-krerët e tjerë të UÇK-së, kur nisën deklarata përmbyllëse në procesin gjyqësor në Hagë.

Kreu i qeverisë shqiptare shkruan se “ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave”. 

“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?!

Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!”,- shkroi Rama.

Prokurorja e çështjes, Kimberly Ëest, teksa artikuloi kërkesën për dënimin, tha se akuzat nuk e kanë humbur vlerën me kalimin e kohës.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Data 9 dhe 10 shkurt i është rezervuar ekipit të akuzës për të bërë deklaratat përmbyllëse, ndërsa mbrojtja e ish krerëve të UÇK do të nisë me deklaratat e saj nga e mërkura e 11 shkurtit deri në 18 shkurt.

Akuzat për ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Rama në Bruksel, darkë informale me Antonio Kostën

By: e xh
9 February 2026 at 20:15

Menjëherë pas mbledhjes së grupit, Edi Rama udhëtoi drejt Brukselit, ku në mbrëmje zhvillon një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Kosta.

Prej ditësh, vizita e Ramës është komentuar si një takim I thirrur nga Kosta për t’i tërhequr vëmendjen lidhur me detyrimin për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë.

Sipas informacioneve, Rama është me një delegacion të vogël, ku   shoqërohet në këtë udhëtim vetëm nga ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni dhe se takimi me Antonio Kostën është një darkë informale.

Në agjendë, sipas të njëjtave burimeve nuk ka takime zyrtare.

Berisha: Rama mesazh Europës se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim

By: e xh
9 February 2026 at 19:31

Nga foltorja e mbajtur sot para Kryeministrisë, kreu i PD Sali Berisha tha se Rama ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës. Sipas kryedemokratit mesazhi i kryeministrit për Europën ka qenë se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim.

Por sonte ne jemi këtu për të bërë thirrje për protestë çdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik që Edi Rama në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Europës. Ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës. Miq, dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit. Para se të nisej, së bashku me Lubinë bënë mbledhjen e grupit parlamentar dhe në një sfidë të hapur, në një sfidë që tejkalon çdo lloj standardi, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim”, tha Berisha.

Foltorja e sotshme e PD-së mbahet një ditë para protestës kombëtare të thirrur nga opozita para Kryeministrisë.

Nga Mbretëria e Bashkuar në Arabinë Saudite, pasojat globale të skandalit Epstein

By: e xh
9 February 2026 at 19:29

Për të parafrazuar hapjen e famshme të Marksit, një fantazmë po e përndjek botën: fantazma e skandalit Epstein. Miliona email-e dhe imazhe të rrjedhura nga rasti i pedofilit miliarder amerikan, i cili vdiq në burg në vitin 2019 në Nju Jork në një vetëvrasje kryesisht misterioze, po kanë pasoja në pjesën më të madhe të planetit. Nga Shtetet e Bashkuara në Evropë, nga Hemisfera Veriore në Jugun Global, historia e abuzimit seksual të fëmijëve, festave në ishullin e tij privat, dhuratave financiare dhe favoreve politike dhe të biznesit ka pasoja kudo. “Një konspiracion i gjerë global”, e quan London Guardian. Ja një hartë e skandalit që po trondit botën.

Amerikë

Bill dhe Hillary Clinton u detyruan të dëshmonin para Kongresit në Uashington pasi u publikuan fotot e ish-presidentit amerikan në një pishinë me një grua në një festë të organizuar nga Epstein, megjithëse të dy mohojnë çdo shkelje. Bill Gates, themeluesi i Microsoft, u akuzua nga ish-gruaja e tij, Melinda, se kishte lidhje me Epstein (ai e justifikoi veten duke thënë: “Po kërkoja donatorë për fushatat e mia bamirëse në Afrikë”). Dhe pastaj është edhe Elon Musk; teoricieni i MAGA-s Steve Bannon; ish-Sekretari i Thesarit Larry Summers; avokati i madh Alan Dershowitz; senatorë, përfaqësues, bankierë; iluzionisti David Copperfield; dhe regjisori Woody Allen dhe gruaja e tij, Brett Rattner, regjisor i dokumentarit për zonjën e parë Melania.

Dhe sigurisht, Donald Trump, por në dokumentet e publikuara deri më tani, emri i tij, pavarësisht një marrëdhënieje shumëvjeçare me Epstein dhe shumë fotografive dhe videove që i përshkruajnë ata së bashku, nuk duket se është i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë: a është ky një rast apo një komplot i Shtëpisë së Bardhë për ta mbrojtur atë? Në vitin 2002, Trump tha për Epstein: “Një person fantastik. E kam njohur prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Është shumë argëtues të jesh pranë tij. Thonë se i pëlqejnë gratë aq sa unë, dhe shumë prej tyre kanë tendencë të jenë shumë të reja.” Edhe Noam Chomsky, shkencëtari politik i së majtës radikale në SHBA dhe një pikë referimi për të majtën radikale globale, ka përfunduar në rrjetën e parave të shpërndara nga Epstein: ai është 97 vjeç dhe po shërohet nga një goditje në tru, por dje gruaja e tij Valerie kërkoi falje në emër të tij për miqësinë e tyre me pedofilin miliarder.

Mbretëria e Bashkuar

Paradoksalisht, një kryeministër që nuk e ka takuar kurrë Epsteinin, Keir Starmer , është ai që rrezikon më shumë të japë dorëheqjen si pasojë e skandalit: për emërimin e Peter Mandelson si ambasador në Uashington, pavarësisht se dinte për lidhjet e tij me pedofilin miliarder. Mandelson mori të paktën 75,000 £ nga Epstein dhe i dha atij informacione konfidenciale në këmbim. Starmer praktikisht e detyroi Mandelsonin të jepte dorëheqjen, e përjashtoi nga Partia Laburiste dhe e akuzoi se kishte gënjyer për shkallën e vërtetë të lidhjeve të tij me Epsteinin, i cili tani po hetohet nga Scotland Yard për “tregti të brendshme” të mundshme që daton që nga koha kur ai ishte ministër në qeverinë e Gordon Brown. Morgan McSweeney, shefi i stafit të Downing Street, i cili kishte mbështetur emërimin e Mandelson, dhe ishte një i mbrojtur, gjithashtu dha dorëheqjen. Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të shpëtuar punën e kryeministrit.

Institucioni tjetër britanik i goditur nga skandali është monarkia: me akuza gjithnjë e më serioze që po dalin kundër Princit Andrew , tani një ish-princ, të cilit i janë hequr titujt dhe madje edhe shtëpia e tij në Kështjellën Windsor nga vëllai i tij, Mbreti Charles, i cili u nxit nga Starmer të dëshmonte para Kongresit Amerikan. Sarah Ferguson , ish-gruaja e Andrew, është gjithashtu e njollosur nga marrëdhënia e saj me Epstein: kanë dalë në sipërfaqe email-e në të cilat ajo i kërkonte miliarderit para dhe, pasi i merrte, e falënderonte si “mikun e saj më të dashur”. Sipërmarrësi britanik Richard Branson, një nga burrat më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar, është gjithashtu i përfshirë në këtë rast: “Sa herë që të jesh në zonën time, do të isha i lumtur të të shihja, me kusht që të sjellësh haremin tënd me vete”, i shkroi ai Epstein në një mesazh.

Norvegji

Familja mbretërore norvegjeze është goditur gjithashtu nga skandali: Princesha e Kurorës Mette-Marit korrespondonte gjerësisht me Epstein, edhe pas dënimit të tij të parë për pedofili. Kjo miqësi, e kombinuar me gjyqin për përdhunim kundër djalit të saj, ngre dyshime rreth përshtatshmërisë së saj për t’u bërë mbretëreshë. Epstein gjithashtu u takua dhe komunikoi shpesh me ish-Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, gjatë kohës së këtij të fundit si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Një tjetër ish-Ministër i Jashtëm norvegjez, Borge Brende, gjithashtu flinte ose planifikonte të flinte në shtëpinë e Epstein në Nju Jork.

Izrael

Ish-kryeministri izraelit Ehud Barak përmendet në email-e të shumta nga Epstein, me të cilin ai diskuton investimet dhe marrëveshjet e biznesit në të cilat u përfshi pasi u largua nga politika. Në të paktën një rast, Barak qëndroi në Nju Jork si mysafir i Epstein. Por ish-gjenerali dhe ish-lideri i Partisë Laburiste mohon të ketë qenë ndonjëherë dëshmitar i sjelljes së papërshtatshme ose të ketë marrë favore. Fakti që Ghislaine Maxwell, partnerja romantike e Epstein, e cila tani po vuan një dënim me 20 vjet burg në Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e saj në trafikimin seksual të fëmijëve, ishte vajza e Robert Maxwell, një botues i shquar britanik me origjinë hebraike, i identifikuar më vonë si bashkëpunëtor i Mossadit, ka ngjallur teori se vetë Epstein ishte një agjent i shërbimit sekret izraelit, me qëllim shantazhimin e figurave të profilit të lartë. Por kjo teori, e mbështetur nga një ish-agjent i Mossadit dhe disa gazetarë, po vihet në dyshim nga ekspertët kryesorë të inteligjencës.

Arabia Saudite

“Jam i sigurt që po i hap këmbët”, i shkroi Epstein, një anëtar i lartë i familjes mbretërore saudite, Rafaat al-Sabbagh, një këshilltar i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman. Në zyrën e tij, Epstein mbante një foto të tij dhe të MBS, por nuk është e qartë se kur është bërë.

Rusi

Epstein ishte miqësuar me ambasadorin rus në Uashington, Vitaly Churkin , duke i premtuar, ndër të tjera, se do ta ndihmonte të siguronte një punë për të birin në një bankë investimesh në Nju Jork. Miliarderi dyshohet se i shprehu Churkinit dëshirën e tij për t’u takuar me Vladimir Putinin dhe për të vizituar Rusinë për të rekrutuar modele të reja për konkurse bukurie dhe sfilata mode. Në realitet, siç zbuluan hetimet, ai po përpiqej të siguronte vajza për t’i abuzuar dhe për t’i vënë në dispozicion të rrjetit të tij pedofil. Peter Mandelson, atëherë ministër në qeverinë britanike, i kishte ofruar ndihmë për të marrë një vizë për në Rusi.

Francë

Ish-Ministri francez i Kulturës, Jack Lang, dha dorëheqjen së fundmi nga posti i tij si president i Institutit të Botës Arabe, një institucion prestigjioz kulturor me seli në Paris, pas zbulimit të llogarive bankare në parajsa fiskale që mbaheshin bashkërisht nga Epstein dhe vajza e Lang, së cilës Epstein thuhet se i la 5 milionë dollarë në testamentin e tij. Një figurë e shquar në establishmentin francez që nga presidenca socialiste e Francois Mitterrand, Lang kishte një miqësi të gjatë me Epstein. Emri i Emmanuel Macron shfaqet gjithashtu qindra herë në email-et e Epstein, por nuk ka prova për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë midis të dyve.

Sllovakia

Ndërsa shërbente si ministër i jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak shkëmbente shpesh mesazhe me Epstein për të rregulluar takime me të dhe “vajzat” e tij. Në një email, ministri i shkruante miliarderit: “Përshëndetje nga Kievi! Vetëm për të konfirmuar se vajzat këtu janë më të bukura se kurrë.” Në një mesazh tjetër, ai i tha Epstein: “Unë do të zgjidhja vajzën Mi.” Epstein u përgjigj: “Mund t’i kesh të dyja, unë nuk jam posesiv.” Në një shkëmbim mesazhesh të vitit 2018, Lajcak shkroi se “Moska ka naftë dhe vajza”, pasi Epstein shkroi: “Vajzat janë eksporti më i mirë i Rusisë”.

Bregu i Fildishtë

Midis viteve 2012 dhe 2014, Epstein ndihmoi ish-kryeministrin izraelit Barak të zhvillonte projekte biznesi sigurie në Bregun e Fildishtë, duke e vënë atë në kontakt me shefin e stafit të presidentit të Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Mongolia

Në vitet 2013-2014, Epstein luajti një rol të ngjashëm në lehtësimin e projekteve në Mongoli të ngjashme me ato të iniciuara në Bregun e Fildishtë, duke ndihmuar në promovimin e teknologjisë izraelite të mbikëqyrjes.

Itali

Matteo Salvini përmendet gjithashtu dhjetëra herë në emailet që lidhen me çështjen Epstein. Por kreu i Lidhjes thotë: “Nuk e njoh; e kam takuar Steve Bannon vetëm një herë.”/La Repubblica

Dashnor Sula prezantohet si Kryeinspektor: Do mbaj kontakte direkte me Ramën

By: e xh
9 February 2026 at 18:29

Ish-deputeti i PD Dashnor Sula u prezantua sot në detyrën e re të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, ku në fjalën ee mbajtur ai theksoi që e sheh detyrën si një sfidë dhe një “dorashkë të hedhur” nga kryeministri Rama. Sula vuri në dukje se do të bashkëpunojë ngushtë me ministren dhe kryeministrin Rama në detyrën e re.

“Bashkëpunimi me zonjën ministre dhe me qeverinë do të jetë në kushte maksimale. Sigurisht mendoj që tre pika do më shoqërojnë gjatë gjithë periudhës që do jem në krye të Inspektoriatit të përgjithshëm. Përkushtimi, përkushtimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit kur vihet në punë, deri orën që mbyllet, dhe unë ju garantoj që do jem 24 orë në 24 për çdo problem, apo koleg, vartës, që do ketë problematika, për t’u informuar, apo për të patur direkt kontakt me ministren dhe kryeministrin”, tha Sula.

Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, sepse kështu funksionon demokracia, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar dhe për çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. S’është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, vijoi ai.

Irani gati të zvogëlojë sasinë e uraniumit: E bëjmë nëse SHBA-të heqin sanksionet

By: e xh
9 February 2026 at 18:21

Irani është gati të zvogëlojë rezervat e uraniumit të pasuruar shumë nëse Shtetet e Bashkuara heqin “të gjitha sanksionet”, tha të hënën kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, pas rifillimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit.

“Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me mundësinë e zvogëlimit të rezervave të uraniumit të pasuruar në 60%, Mohammad Eslami tha se kjo varet nga heqja e të gjitha sanksioneve në këmbim”, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Irna, pa specifikuar nëse deklarata i referohej të gjitha sanksioneve kundër Iranit apo vetëm atyre të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Teheranit.

Përpara sulmeve SHBA-Izrael ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor 2025, Irani po pasuronte uraniumin në 60%, shumë përtej limitit prej 3.67% të vendosur nga traktati ndërkombëtar bërthamor i vitit 2015, tashmë i shfuqizuar.

Rusia: Nuk e sulmojmë Europën, por gati të hakmerremi nëse do jetë e nevojshme

By: e xh
9 February 2026 at 17:25

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se Rusia nuk ka plane për të sulmuar Europën. Megjithatë, Lavrov nënvizoi se nëse Rusia sulmohet, do të ketë hakmarrje me të gjitha mjetet ushtarake.

“Ne nuk do të sulmojmë asnjë pjesë të Europës. Nuk kemi absolutisht asnjë arsye për ta bërë këtë. Dhe nëse Europa zgjedh të materializojë kërcënimet e saj për t’u përgatitur për luftë kundër nesh dhe fillon të sulmojë Rusinë, presidenti tha se nuk do të jetë një operacion ushtarak special nga ana jonë, por një përgjigje ushtarake në shkallë të plotë me të gjitha mjetet ushtarake në dispozicion në përputhje me dokumentet doktrinare mbi këtë çështje”, tha Lavrov në një intervistë

Në konferencën për shtyp në fund të dhjetorit 2025, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia nuk është në luftë me Perëndimin, por është Perëndimi ai që po lufton kundër Rusisë nëpërmjet nacionalistëve ukrainas.

Ai vuri në dukje më parë se Rusia nuk ka dashur kurrë të luftojë kundër Evropës. Por Putin se nëse Europa zgjedh të nisë një luftë kundër Rusisë, nuk duhet të ketë dyshime se Rusia është gati të hakmerret menjëherë.

Skandali Epstein, reagon për herë të parë familja mbretërore britanike

By: e xh
9 February 2026 at 15:25

Princi William dhe Princesha Catherine shprehën shqetësim për viktimat e Jeffrey Epstein në një deklaratë, masa e fundit nga monarkia britanike për t’u distancuar nga zbulimet rreth marrëdhënies së ish-Princit Andrew me shkelësin e dënuar seksual.

Familja mbretërore më e njohur e Britanisë thotë se u trondit nga përmbajtja e më shumë se 3 milion faqeve dokumente të publikuara më parë këtë muaj nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha e Uellsit janë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme”, tha pallati në një deklaratë.

“Mendimet e tyre mbeten të përqendruara te viktimat”, shtoi ai.

Deklarata e lëshuar përpara udhëtimit tre-ditor të William në Arabinë Saudite, është pjesë e përgjigjes së monarkisë ndaj krizës në rritje që rrethon ish-princin, të cilit iu hoqën titujt mbretërorë në tetor pas zbulimeve të mëparshme rreth marrëdhënies së tij me Epstein.

Vëllai 65-vjeçar i Mbretit Charles III tani njihet thjesht si Andrew Mountbatten-Windsor.

Mbreti javën e kaluar e detyroi Mountbatten-Windsor të largohej nga shtëpia e tij e hershme në Royal Lodge pranë Kështjellës Windsor, duke përshpejtuar një veprim që u njoftua për herë të parë në tetor, por që nuk pritej të përfundonte deri më vonë këtë vit.

Mountbatten-Windsor tani jeton në pronën e mbretit në Sandringham në Anglinë lindore.

Ai do të jetojë përkohësisht në Wood Farm Cottage ndërsa shtëpia e tij e përhershme në pronë do t’i nënshtrohet riparimeve. Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në marrëdhënien e tij me Epsteinin.

Protesta e PD/ Policia e Tiranës publikon masat, rrugët që do të bllokohen

By: e xh
9 February 2026 at 14:50

Partia Demokratike do të mbajë të martën e 10 shkurtit protestën e tretë kombëtare përpara Kryeministrisë.

Policia e Tiranës ka njoftuar masat që do të ndërmerren për këtë protestë dhe segmentet rrugore që do të bllokohen.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Sekuestrohen mbi 26 mijë euro në Rinas, dy persona nën hetim për mosdeklarim parash

By: e xh
9 February 2026 at 14:39

Policia Kufitare e Rinasit ka evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar, duke sekuestruar mbi 26 mijë euro dhe paundë.

Në kuadër të kontrolleve të shtuara, të bazuara edhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kontrollit në vijën e dytë, atij iu gjetën 15 mijë paundë, të cilat tentonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga territori i Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në shkelje të ligjit.

Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Prokurori James Pache në Gjyqin e Hagës thotë se UÇK-ja keqtrajtoi njerëz

By: e xh
9 February 2026 at 14:25

Në fjalën e tij përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve, prokurori James Pache paraqiti akuza të reja lidhur me veprimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës.

Ashtu si prokurorët para tij, Pache u fokusua te ajo që e cilësoi si “krime lufte”, duke pretenduar se ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë keqtrajtuar persona që ndodheshin nën ndalim.

|Thaçi vet ka kërcënuar se do ta vriste një të ndaluar”, tha Pache, duke iu referuar asaj që e quajti provë dëshmie.

Orban: Kur u intensifikua lufta në Kosovë, Bill Clinton më kërkoi të sulmoja Serbinë

By: e xh
9 February 2026 at 14:23

Kryeministri hungarez, Viktor Orban i Hungarisë deklaroi se kur lufta në Kosovë u intensifikua në vitin 1999, gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, ai mori një telefonatë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton.

Para një audience në Szombathely, Orban tha se Clinton i kërkoi Hungarisë të hapte një front të dytë dhe të sulmonte Serbinë, ose “të paktën të qëllonte mbi ta nga Hungaria përmes Vojvodinës deri në Beograd”, sipas mediave hungareze.

Siç tha Orban, qeveria e tij e hodhi poshtë këtë dhe iu përgjigj kërkesës së qartë të presidentit amerikan me një “Jo, zotëri!”.

Sipas kryeministrit hungarez, ai e pyeti Clintonin se çfarë do të ndodhte në një situatë të tillë me 300,000 hungarezët etnikë që jetonin në Vojvodinë.

Viktor Orban tha më tej se ata kishin rënë dakord ta diskutonin çështjen personalisht në samitin e NATO-s të planifikuar për një javë më vonë, por amerikanët nuk e ngritën më kurrë çështjen.

Për deklaratën e Orbam reagoi Aron Tabor, një ekspert amerikan dhe pedagog në Institutin e Studimeve Politike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Eötvös Lóránd.

Tabor tha se ndërsa kishte disa plane për një operacion tokësor të NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, nuk kishte mbështetje të vërtetë politike për to dhe nuk ka prova se Hungarisë iu kërkua të sulmonte Serbinë.

Historia e Dhimitër Zikos, shqiptarit që pikturoj portretin e Winston Churchill-it

By: e xh
9 February 2026 at 14:20

Nga Aurenc Bebja

Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque” ka botuar, të enjten e 23 dhjetorit 1954, në faqen n°3, historinë asokohe të Dhimitër Zikos, shqiptarit që pikturoj portretin e Winston Churchill-in me kostum bask.

E njihni ?… Dhimitër Ziko, dekorator, portretist dhe polyglot

Burimi : Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque, e enjte, 23 dhjetor 1954, f.3

Dhimitër Ziko është padyshim një nga figurat më të njohura, më të pëlqyeshme dhe më piktoreske në Biarritz-in e sotëm.

Ashtu si shumë nga bashkëqytetarët e tij, ai lindi larg Biarritz-it, në fakt shumë larg, në Tiranë, kryeqytetin e Mbretërisë (sot Republika Popullore) të Shqipërisë. Dhuntitë e tij e destinuan atë për pikturë. Ai udhëtoi për t’u perfeksionuar.

Ai studioi në Shkollën e Arteve të Bukura të Athinës (djepi i Arteve), pastaj udhëtoi nëpër Rusi. Ishte në fillim të revolucionit, udhëtimet nuk ishin të lehta ; për t’u kthyer në Shqipëri, atij iu desh të bënte një devijim nëpër Mançuri dhe Kinë.

Me t’u kthyer në atdhe, ai dizajnoi pullën postare dhe monedhat e para me imazhin e Mbretit Ahmet Zogu, të cilat i siguruan një bursë për të studiuar në Paris. Prej andej, ai shkoi në Biarritz, i punësuar nga Société des Cinémas de la Côte Basque si dizajner posterash. Ai u ndje aq mirë atje sa që vendosi të qëndrojë.

Biarritz-i e përqafoi këtë shqiptar të gëzuar dhe mirëdashës. Po aq sa talentin, miqtë e tij e vlerësonin humorin e tij të vazhdueshëm dhe sinqeritetin. Ziko nuk i fshehu kurrë ndjenjat e tij, të cilat pothuajse i kushtuan shtrenjtë. Ai u arrestua për “vërejtje përçmuese” për ushtrinë gjermane. Por ylli i tij me fat e çoi në burgun Château-Neuf në Bayonne, ku qëndroi për shtatë muaj… dhe ku pikturoi 45 portrete. I mbyllur brenda katër mureve, Ziko gjeti një mënyrë për të siguruar jetesën për familjen e tij. Është e vërtetë që drejtori i burgut francez bëri çmos për të favorizuar bashkëqytetarët e tij, dhe Ziko, francez në zemër, konsiderohej një prej tyre. Ziko nuk e ka harruar. Në Bordeaux, ku punon tani, drejtori i burgut herë pas here merr vizita miqësore nga ish-i burgosuri i tij.

Ziko është piktori i sipërfaqeve të mëdha, skenografisë së teatrit dhe tabelave të mëdha reklamuese që të gjithë në Biarritz e njohin.

Ai më parë firmosi dekorimin e kabaresë “La Venta”, në Kazinonë Bashkiake, dhe Suzanne Raymond gjeti tek ai një bashkëpunëtor të çmuar kur nisi rinovimin e Kazinosë Bellevue.

Si portretist, Ziko zgjodhi personalitete të shquara, duke përfshirë Papa Piun XII, Winston Churchill (me kostum bask) dhe shumë të tjerë. Portretet e tij me bojëra uji (akuarel), të vizatuara dhe të përgatitura me shumë kujdes, janë të jashtëzakonshme për mjeshtërinë e tyre. Në fakt, në akuarel ai jep më të mirën e vetvetes. Ai ekspozoi veprat e para pesë vjet më parë. Njerëzit e njihnin gëzimin relativisht “Rabelais-ien” të Zikos. Ata u habitën kur panë kaq shumë freski dhe poezi të thjeshtë në shprehjen e tij.

Një udhëtar me përvojë, Dhimitër Ziko është poliglot. Kur u vendos në Biarritz, ai fliste rrjedhshëm shqip, frëngjisht, greqisht, rusisht, italisht dhe gjuhë të tjera, të cilave tani u shton edhe gjuhën gaskone. Por ai pranon se pavarësisht përpjekjeve të tij, nuk ka mundur të mbajë mend më shumë se dhjetë fjalë baske.

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1954-historia-e-dhimiter-zikos-shqiptarit-qe-pikturoj-portretin-e-winston-churchill-it-me-kostum-bask/

Dosja Epstein trondit sërish qeverinë britanike, dorëhiqet drejtori i…

By: e xh
9 February 2026 at 14:17

Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer po përballet me një tjetër goditje, pasi drejtori i komunikimit në kryeministri, Tim Allan, dha dorëheqjen.

Largimi i Allan vjen vetëm një ditë pasi nga detyra u tërhoq edhe Morgan McSweeney, shefi i kabinetit dhe një nga këshilltarët më të afërt të kryeministrit. Dorëheqjet lidhen me krizën e krijuar pas mbështetjes për Peter Mandelson, i nominuar për ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, mes zbulimeve për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes, Allan tha se kishte vendosur të largohej për t’i hapur rrugë formimit të një ekipi të ri.

“I uroj Kryeministrit dhe stafit të tij çdo sukses,” u shpreh ai.

Tim Allan ka një karrierë të gjatë në politikën britanike. Ai ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Tony Blair nga viti 1992 deri në 1998 dhe më pas ndërtoi një nga firmat më të njohura të konsulencës për çështje publike në Mbretërinë e Bashkuar. Në shtator 2025, ai u emërua drejtor ekzekutiv i komunikimit në Downing Street.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme po shtojnë presionin mbi kryeministrin Starmer, i cili po përpiqet të menaxhojë krizën politike të shkaktuar nga polemikat rreth emërimeve dhe lidhjeve të figurave kyçe të qeverisë me Jeffrey Epstein.

❌
❌