Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Opinion.al

Plani i paqes mes Ukrainën, Kina premton koordinim strategjik me Rusinë

By: e xh
27 January 2026 at 22:36

Ministri i Mbrojtjes i Kinës, Dong Jun, ka komunikuar me homologun rus, Andrey Belousov, duke i thënë se dy vendet duhet të forcojnë koordinimin strategjik dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Ai shtoi se Kina është e gatshme të rrisë mekanizmat e shkëmbimit dhe të kontribuojë për sigurinë dhe qëndrueshmërinë globale.

Takimi vjen pak ditë pasi negociatorët rusë dhe ukrainas diskutuan një plan të ndërmjetësuar nga SHBA për të përfunduar luftën, pothuajse katër vjet pas pushtimit rus.

Belousov nga ana e tij tha se që nga takimi i fundit në qershor të vitit të kaluar, shumë ngjarje kanë ndikuar në situatën ndërkombëtare dhe se vendet duhet të përmirësojnë aftësitë për t’iu përgjigjur rreziqeve dhe sfidave globale. Ai shtoi se takimi do të forcojë më tej partneritetin strategjik dypalësh midis Kinës dhe Rusisë.

Dong dhe Belousov gjithashtu diskutuan bashkëpunimin ushtarak, shkëmbimin e eksperiencës dhe nevojën për të punuar së bashku për sfidat globale, duke përfshirë sigurinë në rajone të ndryshme.

Yesterday — 27 January 2026Opinion.al

Braçe në Kuvend: Turizmi po nxit importin, jo prodhimin vendas

By: e xh
27 January 2026 at 21:38

“Kapacitetet tona këto janë 12, 13, 15 milionë njerëz të pritur në harkun e një viti ajo që duhet të na mbajë në këtë nivel që është në nivel i pranueshëm duhet të jetë standardi. Sa më parë të organizohemi të kemi standard të turizmit për të mbajtur këtë numër dhe për të garantuar kthimin e këtyre turistëve në Republikën e Shqipërisë për pushimet e tyre edhe aktivitetet që secili prej tyre i ka jetike apo të domosdoshme”.

Sipas tij, turizmi do të duhet të kishte tërhequr edhe degë të tëra të ekonomisë.

“Bujqësia shkon shumë dhe duhet të ishte dega që duhet të kishte përftuar më shumë nga turizmi sa i takon prodhimit vendas bujqësor, blegtoral e fruti kulturës. Për fat të keq nuk po ndodh kjo, sepse turizmi po na nxit drejt importit. Po të shikosh të dhënat e dhjetorit natyrisht tek eksportet bujqësia ushqimi, pijet e duhani janë më rënie ndërkohe që importi është me një rritje që shkon 1%”, tha Braçe.

Ndërkohë, vijoi Braçe, që prodhimi vendas po konsumohet shumë më pak sa i takon turizmit, sepse nuk është më në parametrat dhe ky është viti më i vështirë i mundshëm.

“Jemi goditur nga dy përmbytje dhe nga zjarret ky është viti që duhet ndihmuar akoma më shumë për të eliminuar këtë fenomen që kemi. Pra që shërbimet e turizmit po nxisin importin jo prodhimin vendas”, tha Braçe.

E dyta, shtoi ai, janë efektet që turizmi po prodhon në disa elemente të tjerë të rëndësishëm siç është edhe tregu i imobilareve dhe tregu i qirave.

“Airbnb që përkthehet në fenomen sa i takon përballimit të flukseve turistike veçanërisht në ato muaj që janë më të fortët po ndikon fort në çmimet e qirave duke dhënë një impakt mbi shtresa e kategori të ndryshme të vendit përfshi edhe të rinjtë”, tha Braçe.

VIDEO/ Presidenti i Nigerisë rrëzohet gjatë takimit me Erdogan

By: e xh
27 January 2026 at 21:07

Presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, pësoi një incident gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në Ankara, ku po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi.

Ngjarja ndodhi teksa Tinubu po përshëndeste trupat ceremoniale, në praninë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Pas disa hapash, ai u  pengua, humbi ekuilibrin dhe u rrëzua për disa çaste, duke çuar në ndërprererjen e menjëhershme të protokollit.

Stafi i pranishëm ndërhyri menjëherë dhe e ndihmoi presidentin nigerian të ngrihej. Sipas mediave, Tinubu nuk ka pësuar lëndime dhe gjendja e tij është e mirë.

Ceremonia u ndal për pak momente, por më pas vizita vijoi sipas planit, pa ndryshime në axhendën zyrtare. Pamjet nga incidenti kanë bërë xhiron e rrjetit në disa media ndërkombëtare.

Trump: Irani dëshiron marrëveshje

By: e xh
27 January 2026 at 20:48

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Washingtonin, në një kohë kur SHBA-ja ka dislokuar mjete shtesë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë një grup goditës me aeroplanmbajtëse.

Në një intervistë për faqen e lajmeve “Axios”, Trump tha se situata me Iranin është “në ndryshim”, duke përmendur mbërritjen e asaj që ai e përshkroi si një “armadë e madhe” pranë Iranit, duke iu referuar dislokimit të një grupi goditës me aeroplanmbajtëse në rajon.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Kanë telefonuar në shumë raste. Ata duan të flasin”, shtoi ai.

SHBA-ja dislokoi të hënën Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme, ndërsa Washingtoni forcon qëndrimin e tij rajonal. Aeroplanmbajtësja e klasës Nimitz hyri në rajon “për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Çarshinë e Madhe të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të fortë të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të “godasë fort” nëse protestuesit vriteshin, por më vonë zbuti retorikën, duke sugjeruar se Teherani ka anuluar qindra ekzekutime të planifikuara.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave të armatosura” dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të shkaktonte një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”.

Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, duke nxitur sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga Teherani, përpara se Uashingtoni të njoftonte një armëpushim.

Kodin Penal, Lamallari: Dekriminalizimi i “shpifjes” për gazetarët, mbrojtje e…

By: e xh
27 January 2026 at 20:46

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Lamallari sqaroi se ndryshimet vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit, duke afruar më tej legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, me qëllim përputhjen për aq sa është e mundur.

Dy ndryshimet e propozuara më të debatuara në opinionin publik dhe qarqet mediatike është ashpërsimi i sanksionit penal për parkimin dysh dhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes. Këtë ndryshim, Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias, ndërsa theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.

“Në fokus të kësaj pakete janë detyrimet që ka Shqipëria në përafrim me 7 akte kyçe të aktit legjislativ europian, në kuadrin e kapitullit 24 të negociatave që kemi me Komisionin dhe vendet anëtare. Kjo paketë përfaqëson një politikë penale më të qartë, më koherente, më europiane, e bazuar mbi analiza konkrete. Në thelb, paketa konsiston në një kontribut dhe hap të matur në drejtim të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është nevoja për të adresuar disa nga pikat e ndërmjetme të identifikuara në pozicionin e përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Kodi Penal përfarohet me 7 direktiva të Komisionit Europian, që lidhen me pastrimin e parave, trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, sigurinë e BE-së. Kjo ka qenë një analizë e përbashkët me ekspertët europianë. Këto nuk janë ndryshime formale, ato forcojnë realisht kapacitetet e shtetit shqiptar për të ndjekur krimin e organizuar dhe krimin kufitar.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, rriten dënimet për abuzimet seksuale. Nga ana tjetër zgjerohen edhe afatet e parashkrimit për këto vepra me ndjeshmëri shumë të lartë.

Një ndërhyrje e matur dhe e domethënëse bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që është parkimi në rresht të dytë, që trajtohet si vepër penale vetëm në ato raste kur pengohet seriozisht qarkullimi i ambulancave, zjarrfikësve dhe policinë e shtetit që mund të jetë në operacione të ndryshme.

Qeveria shqiptare ka marrë një angazhim që nuk ka ndodhur kurrë më parë: për herë të parë shteti shqiptar shkon me një nismë shumë serioze në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe një vendimi më demokrat që përfaqëson punën e gazetarëve, pa i vendosur ata para presionit për procesim penal, sidomos për akuzat që mund të bëhen për shpifje; nuk mund të ketë kurrsesi ndjekje penale për ta. Krahas dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët, kemi shkuar më tej duke garantuar mbrojtje specifike për ta”,- tha Lamallari ndër të tjera.

Dy vrasje dhe protesta, Trump tërhiqet nga Minneapolis

By: e xh
27 January 2026 at 19:56

Presidenti amerikan, Donald Trump, tregoi shenjat e para të zbutjes në luftën ndaj emigrantëve të paligjshëm. Një zyrtar i lartë i emigracionit në SHBA pritet të largohet nga qyteti i Minneapolis, në atë që mund të shënojë një ndryshim në tonin e Shtëpisë së Bardhë pas të shtënave fatale të një qytetari të dytë amerikan nga oficerët federalë gjatë fundjavës.

Ndërsa Komandanti i Patrullës Kufitare Gregory Bovino dhe disa agjentë të imigracionit largohen, “Cari i Kufirit” Tom Homan do të fillojë të udhëheqë përpjekjet në terren në qytetin e Minesotës, pasi të shtënat me armë zjarri ndaj Alex Pretti të shtunën përshkallëzuan tensionet. Vendimi i Presidentit Donald Trump mund të tregojë interesin e administratës për të tërhequr vëmendjen nga veprimet më agresive federale në goditjen e tij mbarëkombëtare kundër imigracionit.

“Askush në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë Presidentin Trump, nuk dëshiron të shohë njerëz të lëndohen ose të vriten në rrugët e Amerikës. Të shtënat e së shtunës mbeten nën hetim aktiv. Si president i zgjedhur siç duhet, presidenti po përmbush vullnetin e popullit duke arrestuar dhe larguar këto kërcënime nga vendi ynë. Është shpresa, dëshira dhe kërkesa e Presidentit Trump që rezistenca dhe kaosi të marrin fund sot. Kjo është arsyeja pse Presidenti Trump foli drejtpërdrejt me Guvernatorin Walz dhe ai ka përcaktuar një rrugë të qartë dhe të thjeshtë për rivendosjen e ligjit dhe rendit në Minesota”, tha Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Pavarësisht njoftimit, raportimet në internet tregojnë se operacionet kundër emigracionit kanë vazhduar. Megjithatë, heqja e Bovinos mund të paralajmërojë një largim nga qasja e ashpër që ai kishte inkurajuar. Ndryshimi i lidershipit erdhi si një lehtësim për disa në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, të cilët e shohin Homanin si një dorë më me përvojë duke pasur parasysh vitet e tij në zbatimin e ligjit federal. Ndryshimi gjithashtu u prit mirë dhe me lëvdata nga udhëheqësit e Partisë Republikane në Capitol Hill.

Kryeministri britanik tallet me Macron, del në skenë me syze

By: e xh
27 January 2026 at 19:01

Kryeministri britanik Keir Starmer surprizoi publikun me një paraqitje humoristike gjatë një eventi komedie në Londër, ku bëri edhe një referencë për presidentin francez Emmanuel Macron. Ai u shfaq në skenë me syze aviator dhe me një qëndrim të relaksuar e vetëironik, duke fituar menjëherë duartrokitjet e audiencës.

Gjatë spektaklit “The Political Party Live”, Starmer vuri syzet dhe tha “Bonjour”, duke shkaktuar të qeshura në sallë, ndërsa momenti u publikua edhe në TikTok. Shakaja lidhej me paraqitjen e fundit të Macron në Forumin Ekonomik të Davosit, ku presidenti francez u pa me syze të ngjashme.

Starmer shtoi me humor se mund t’i mbante ato edhe në takime ndërkombëtare, por pranoi se për punën në Parlament i duhen syzet e zakonshme për të parë qartë.

Ish-Sekretarja e Brendshme britanike Braverman, bashkohet me ekstremin e djathtë

By: e xh
27 January 2026 at 18:56

Ish-Sekretarja e Brendshme Britanike Suella Braverman e njohur për retorikën e saj armiqësore kundër emigrantëve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ka ndërruar parti. 45 vjeçarja u  prezantua si anëtare e Reform Uk, partisë së të djathtës ekstreme të Nigel Farage. Në tubimin e mbajtur në Londër Braverman tha se kishte hequr dorë nga anëtarësimi i saj në partinë konservatore pas 30 vitesh ndërsa shtoi se me kalimin e saj në Reform UK ndihet si në shtëpi.

Në fjalimin e saj krah Nigel Farage, Braverman iu tha të pranishmëve në sallë se Britania e Madhe ishte shkatërruar dhe se emigracioni i paligjshëm kishte dale jashtë kontrollit.

Ne ose do të vazhdojmë rrugën e dobësimit dhe rënies që përfshin dorëzimin e vendit tone ose mund ta rregullojmë vendin tone, të rimarrim pushtetin dhe të rizbulojmë forcën tone tha Braverman.

Deputete në Parlamentin Britanik që prej vitit 2015, Suella Braverman ka qënë më parë Prokurore e Përgjithshme e Wellsit përpara se të niste karrierën e saj në politikë. Braverman mori postin e Sekretares së Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2022 nën qeverinë e Liz Truss por u detyrua të jepte dorëheqjen vetëm një muaj pas marrjes së detyrës pasi kishte përdorur emailin e saj personal për ti dërguar një dokument një kolegu konservator.

Rishi Sunak e riemëroi Suella Braverman në këtë pozicion vetëm 6 ditë pasi kishte marrë detyrën, por Braverman nuk ia doli të mbijetonte gjatë pasi një vit më vonë u shkarkua nga kryeministri Britanik për shkak të një artikulli që akuzonte Policinë Metropolitane se kishte marrë urdhëra për arrestime në protestat pro palesztineze në Londër. Suella Braverman është deputetja e tretë Konservatore në Detyrë që i bashkohet Partisë së Nigel Farage duke e çuar numrin e deputetëve të partisë Reform UK në 8 brenda parlamentit britanik.

SPAK dërgon për gjykim 10 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine

By: e xh
27 January 2026 at 18:55

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal 141/1 të vitit 2023 ndaj një grupi personash të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje narkotikësh, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi janë marrë të pandehur gjithsej 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët akuzohen se kanë vepruar në formën e një rrjeti kriminal të mirëorganizuar, me shtrirje ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Të pandehurit janë:

Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez, dhe Geis Sejfullai, të akuzuar për veprat penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini, të akuzuar për veprat penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Artjon Çaushllari (alias Gjika), i akuzuar për veprat penale:

“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës që përdorej nga i pandehuri, Baki Huqi, si dhe në lokalin, Bar “Tahiti”, në pronësi të të pandehurit, Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës).
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvarez dhe Baki Huqi, të akuzuar për veprat penale:

“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës së përdorur nga i hetuari Baki Huqi, si dhe të lokalit Bar “Tahiti”, në pronësi të të hetuarit Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës).
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Geis Sejfullai, i akuzuar për veprën penale:

“Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga neni 279 paragrafi 2, i Kodit Penal.Sipas akteve të administruara për procedimin penal 141/1 i vitit 2023, ka rezultuar e provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgatitur kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme për importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave me “lëkurë gjedhësh”, në brendësi të cilave u gjetën të fshehur 90 kg kokainë me vlerë tregu 3.6 milionë euro. Ngarkesat kanë mbërritur në Portin e Durrësit në muajin korrik dhe nëntor të vitit 2024 si edhe janë magazinuar  në disa ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë.

Nga hetimet u konkludua se në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal janë të përfshirë edhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në këto episode. Për rrjedhojë është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr.141/1 të vitit 2023 në procedimin e ri penal,  141/1/1, pa autor dhe vijimin e hetimeve për veprat e mëposhtme penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal, si dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Pasuri, borxhe dhe 5 emra të mundshëm, enigma e trashëgimisë së Valentino Garavanit

By: e xh
27 January 2026 at 17:52

Akti i Gjykatës së Romës, seksioni XIV i falimentimit daton më 29 janar 2025: shpall mbylljen e falimentimit të “Atelier Realm srl” pas shpërndarjes së aktiveve tek kreditorët. Procedura ka zgjatur 6 vite, shkruan Corriere della Sera. Shoqëria, me rreth dhjetë punonjës, prodhonte çanta luksoze me markën VBH. Personazhe të famshëm dhe yje ndërkombëtare si Gwyneth Paltrow, Jennifer Lopez, Uma Thurman, Sarah Jessica Parker dhe Michelle Obama janë fotografuar me çantat e tyre VBH dhe fotot ishin të varura në showroom-in e Romës. Por financat nuk rezistuan dhe e kuqja e thellë nuk ishte ajo e Valentinos, por bilanci me humbje.

Marrëveshja me kuratorin e falimentimit

Çantat e çmuara (që gjenden ende online me çmime deri në 14 mijë euro) prodhoheshin në laboratorin e Pontassieve nga lëkurat e çmuara të pitonit, krokodilit dhe lëkurë viçi. Stilist ishte amerikani Vernon Bruce Hoeksema, pra VBH, pronar i kompanisë dhe partner i Valentino Garavanit (si edhe menaxher dhe ortak në disa kompani të shtëpisë së modës që nga vitet ’90). Hoeksema me shumë gjasa do të jetë një nga trashëgimtarët dhe ndoshta në 550 mijë eurot që ai ka derdhur në arkat e ateliesë, pas një marrëveshjeje pajtimi me kuratorin e falimentimit, ka tashmë një “paradhënie” të trashëgimisë. Aventura e pafat sipërmarrëse ka prodhuar një humbje milionëshe, duke marrë parasysh edhe kompaninë tjetër të bizhuterive të vënë në likuidim, por tashmë të lënë pas.

Pesë protagonistët e trashëgimisë

Dhimbja për vdekjen e stilistit, i ndarë nga jeta më 19 janar në moshën 93-vjeçare, shoqëron tani rrugën drejt trashëgimisë, e cila është një formuese me disa pika të qarta dhe të paktën pesë protagonistë, pra trashëgimtarë të mundshëm, pa asnjë pasardhës apo paraardhës të drejtpërdrejtë.

Kush janë?

Partneri Hoeksema (68 vjeç); ish-partneri, ortak dhe mik i jetës Giancarlo Giammetti (83); nipi Piero Villani (77), djali i motrës Wanda që vdiq në vitin 1997, inxhinier, prej dekadash i përfshirë në nyjet qendrore të perandorisë; familja e brazilianit Carlos Souza me djemtë 40-vjeçarë Sean dhe Anthony; dhe së fundi Fondacioni Valentino-Giammetti me mision filantropik. Nuk është e qartë, ndërkohë, shkalla e lidhjes familjare e Oscar Garavanit, “stërnip” i stilistit. Në këtë kuadër, testamenti i lënë nga Valentino, me shumë gjasa, përcakton se kujt i shkon çfarë. Por të hamendësosh shifra miliardëshe është e guximshme: Valentino kishte të ardhura pasurore (dhe shpenzime të konsiderueshme), por jo më dividentë nga kompanitë.

Llogaria në bankën e mbretëreshës Elizabeta

Formuesja është pikërisht ajo e likuiditetit dhe investimeve financiare. Qarkullon informacioni për ekzistencën e një llogarie në Londër pranë Coutts & Company, një bankë private britanike që administron pasuri me shumë zero për njerëzit e zakonshëm. Këtu, përveç Valentinos, thuhet se kishte llogari edhe mbretëresha Elizabetë. Një institucion shekullor në shërbim, kryesisht, të elitës angleze.

Ndryshim vendbanimesh

Në Londër kanë pasur rezidencë si Garavani ashtu edhe Giammetti për më shumë se 10 vite, që nga viti 1998 kur shtëpia e modës u shit te Hdp për rreth 260 milionë euro. Më pas, të paktën deri në vitin 2021 sipas dokumenteve të konsultuara, stilisti ishte rezident në Zvicër, në Chalet Gifferhorn në Gstaad. Në vitet e fundit mund të ketë pasur zhvendosjen e fundit në Itali, në vilën romake. Rezidenca dhe origjina e kapitaleve janë tema që mund të përfshihen në procedurën e trashëgimisë.

Likuiditeti

Para disa vitesh kishte gjurmë të një likuiditeti të konsiderueshëm (të ngjashëm me atë të përfituar në vitin 1998) në një kompani nga Luksemburgu, më pas e vënë në likuidim, rreth së cilës rrotulloheshin shumë shoqëri financiare në juridiksione të ndryshme me avantazhe fiskale. Kapitalet që lidhen me Valentinon (dhe në një masë të vogël edhe ato të Hoeksema-s) janë lëvizur ndër vite duke u mbështetur në shoqëri financiare të regjistruara kryesisht në Holandë dhe në Ishujt e Kanalit. Arkitekti kryesor i këtij arkipelagu është avokati holandez Ronald Feijen. Ndërsa inxhinieri i madh që “vidhos” nyjet kryesore shoqërore me vulën e familjes (dhe kuota të vogla aksionesh) është nipi i Valentinos, Piero Villani.

Vila dhe jahte

Pikat e qëndrueshme janë pasuritë e paluajtshme dhe jahtet, të zotëruara kryesisht drejtpërdrejt nga stilisti. Vila romake me mbi 30 dhoma, e regjistruar në bilanc me 1,6 milionë euro, një pjesë e vogël e vlerës reale të tregut. Kështjella e Wideville në Francë, e blerë në janar 1995 nga bashkëshortët Setton për 80,7 milionë franga franceze (rreth 12 milionë euro) dhe që sot ka një vlerë jashtëzakonisht më të lartë. Pastaj shtëpia në Toskanë, chalet-i në Gstaad. Një pjesë e madhe e koleksionit të veprave të artit, ndërkohë, ruhet mes rezidencës në Holland Park, në Kensington të Londrës (ku thuhet se në mure janë varur Picasso të çmuar) dhe apartamentit luksoz në Nju Jork, me pamje nga Park Avenue. Edhe këto janë asete themelore, por ende misterioze të trashëgimisë. Së fundi jahti, 46-metërsh TM Blue One, i ndërtuar në vitin 1988: kushton mbi një milion euro në vit për llogaritë e Seaboats dhe vlera e tij aktuale është 12,4 milionë euro, sipas një vlerësimi të studios teknike të komandantit Alberto Bertacca.

Ishin nisur drejt Lionit, tifozët grekë aksidentohen në Rumani, vdesin 6 prej tyre

By: e xh
27 January 2026 at 15:41

6 persona kanë humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur pasi një aksidenti të rëndë në Timis të Rumanisë.

Mediat rumune raportojnë se një kamion u përplas me një furgon dhe si pasojë humbën jetën 6 pasagjerë të furgonit dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas raportimeve Furgoni mbante 10 persona që ishin tifozë të ekipit grek PAOK dhe po udhëtonin nga Greqia në Francë.

Policia e Timiş njoftoi se kontrollet fillestare në vendngjarje tregojnë se shoferi i furgonit u përpoq të parakalonte. Në përpjekje për t’u kthyer në korsinë e tij, ai goditi një kamion dhe më pas u përplas me një kamion tjetër, i cili po udhëtonte në drejtim të kundërt.

Protesta e PD, Gjykata jep vendimin për 19 të arrestuarit

By: e xh
27 January 2026 at 15:40

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 19 protestues që dyshohet se në protestën e 24 janarit që Partia Demokratike zhvilloi në kryeqytet, hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe forcave të rendit.

Kujtojmë se Prokuroria kishte kërkuar për 5 arrest në burg, 5 arrest shtëpie dhe 9 të tjerë detyrim paraqitje.

Gjatë seancës, u raportua një incident në hollin e Gjykatës Penale, ndërsa gjyqtarët ishin të tërhequr për të diskutuar vendimin.

Avokatët e të arrestuarve për protestën e 24 janarit pretenduan se u provokuan nga një person, duke krijuar tension në ambientet e gjykatës, ku i pranishëm ishin edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.

“Kush është ky provokator? Kush e solli këtë këtu, ka 5 orë”, u dëgjua të thoshte deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës

By: e xh
27 January 2026 at 15:35

Gjatë debatit në grupin parlamentar të EPP-së në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për ‘terapinë konvertuese’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqiti situatën në Shqipëri, si një rrezik serioz për sigurinë e Europës, duke e cilësuar atë si ‘narkoshtet’ të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Në një debat tjetër, kryedemokrati Sali Berisha kritikoi ashpër raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve. Ai u shpreh se, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të Xhorxh Sorosit.

Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë. Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve.

FJALA E PLOTË:

Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.

Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.

Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale.

Po kështu, tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u ndala tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, në të cilin koordinatori kryesor i karteleve të drogës me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë.

Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca.

Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.

Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.

Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë.

Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie.

Ngrin Amerika, digjet Australia/ Temperatura arrijnë rekordin 48 gradë celsius

By: e xh
27 January 2026 at 15:08

Një valë e fortë të nxehti me temperatura rekord të larta në Australinë juglindore ka shkaktuar zjarre në shkurre, ka detyruar qindra banorë në zonat rurale të largohen nga shtëpitë e tyre dhe Melburni regjistroi ditën e tij më të nxehtë në pothuajse 17 vjet.

Temperaturat në disa pjesë të Melburnit, kryeqytetit të shtetit të dytë më të populluar të Australisë, Viktorias, tejkaluan 45 gradë Celsius.

Qytetet në rajonin e Malit, në pjesën veriperëndimore të shtetit të Viktorias, regjistruan temperatura që arritën në 48.9 gradë Celsius, duke thyer rekordin në atë shtet, sipas të dhënave paraprake nga Byroja Australiane e Meteorologjisë.

Vala e të nxehtit, më intensivja që nga “E shtuna e zezë” në vitin 2009, kur zjarret në shkurre vranë 173 persona në Victoria, e ka rritur nivelin e rrezikut nga zjarri në disa pjesë të shtetit në ekstrem.

Shumë komunitete ende po rimëkëmben nga zjarret e përhapura në shkurre në fillim të këtij muaji, të shkaktuara gjithashtu nga një valë e fortë nxehtësie.

Shërbimet e emergjencës kanë trokitur në dyert e rreth 1,100 shtëpive dhe kanë dërguar mesazhe me tekst në rreth 10,000 telefona duke i nxitur banorët të largohen nga zona.

Protesta, Gjekmarkaj: Policia e mbushur me patronazhistë, u ushtrua dhunë

By: e xh
27 January 2026 at 14:41

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke thënë se po përpiqet të shtypë protestat qytetare me dhunë.

Komentet Gjekmarkaj i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se në protestën e 24 janarit, qytetarët që ishin në shesh nuk morën një ofertë demokratike nga qeveria, por gaz lotsjellës dhe dhunë nga policia.

Gjekmarkaj vijoi më tej duke thënë se shteti shqiptar sot sulmon të dobëtit dhe mbron të fortët e të pushtetshmit.

“Unë mendova sot se ministrja e Bredshme do kërkonte falje. Do kërkonte falje sesi deputetët te Komisariati nr.1 nuk u pranuan për orë të tëra, për një bisedë informative nga shefi i Komisariatit. Do kërkonte falje për gazin e skaduar, për dhunën disproporcionale ndaj opozitës, por nuk e bëri. Pranoi të heshtte dhe të akuzonte.

Ky thotë është një shtet që e ka humbur busullën morale, i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortit. Dhe kur një shtet fillon të trembë fëmijë dhe të mbrojë të pushtetshmit, ai shtet nuk prodhon më rend, por revoltë qytetare. Në 24 janar qytetarëve nuk iu përgjigjën me ofertë demokratike, por me gaz helmues të skaduar, me një polici të mbushur me patronazhistë ideologjikë me një zell klasor. Keni kthyer orët pas në epoka të cilat mendonim se i kishim harruar. Ilir Proda, zari i Suel Çelës është fytyra juaj.

Populli po ju rrethon, sepse nuk e mposhtët vullnetin e asaj mase të madhe qytetarësh. Vullneti qytetar nuk mposhtet me gaz, dinjiteti nuk shpërndahet me ujë. E vërteta nuk arrestohet e as mbulohet me mjegullën e gazit të skaduar. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, na sjellin një kod penal që parashikon burg për parkimin dysh. A thua se ky është shqetësimi më i madh i qytetarëve”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.

Gaza, Hamasi do fusë 10 mijë trupa në qeverinë që do drejtojë enklavën palestineze

By: e xh
27 January 2026 at 14:08

Hamasi dëshiron të integrojë forcën e tij policore prej 10,000 trupash në qeverinë e re të Gazës të mbështetur nga SHBA-të, në një përpjekje për t’u bashkuar me Komitetin Kombëtar për Qeverisje (NCAG) të rajonit.

Ky veprim vjen ndërsa procesi politik për çarmatimin e saj mbetet i bllokuar. Qeveria e Hamasit në Gaza, në një letër drejtuar stafit të saj, u bëri thirrje 40,000 punonjësve të saj dhe anëtarëve të forcave të saj të sigurisë të bashkëpunojnë me Komitetin Kombëtar për Qeverisje (NCAG), duke i siguruar ata se po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për t’i integruar ata në qeverinë e re.

Hamasi planifikon të integrojë afërsisht 10,000 oficerët e tij të policisë në këtë qeveri të re, thanë burime të njohura me çështjen. Këta oficerë policie tashmë kanë marrë detyrat në Gaza, ndërsa Hamasi përpiqet të rivendosë pushtetin e tij në zonën që kontrollon.

Nuk është e qartë nëse Izraeli, i cili ka hedhur poshtë kategorikisht çdo përfshirje të Hamasit në qeverisjen e ardhshme të Gazës, do të bjerë dakord për përfshirjen e punonjësve politikë dhe të policisë në NCAG.

Planet e Hamasit për forcën e tij policore dhe punonjësit politikë tregojnë se mbeten dallime të rëndësishme midis Hamasit dhe Izraelit të mbështetur nga SHBA-të, ndërsa Donald Trump vazhdon me planet e tij.

Javën e kaluar, presidenti amerikan organizoi një ceremoni nënshkrimi në Davos për të krijuar “Këshillin e Paqes”, i cili do të shërbejë si një administratë kalimtare për Gazën dhe do të koordinojë fondet për rindërtimin e territorit. Korniza përfshin një dispozitë që përjashton “organizatat e huaja terroriste” nga qeverisja.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i tha Reuters se grupi ishte gati t’ia dorëzonte qeverisjen NCAG-ut prej 15 anëtarësh dhe kryetarit të tij, Ali Saath, me efekt të menjëhershëm. Ai vuri në dukje se Hamasi “ka besim të plotë se NCAG do të veprojë bazuar në shfrytëzimin e punonjësve të kualifikuar dhe mbrojtjen e të drejtave të atyre që kanë punuar në periudhën e mëparshme”. Megjithatë, Hamasi dhe Saath ende nuk janë takuar për të diskutuar qeverisjen.

Shoqërimi i të miturit në komisariat, Koçi: Nuk u trajtua në mënyrë çnjerëzore

By: e xh
27 January 2026 at 14:05

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, foli në Kuvend për protestën e opozitës. Koçiu tha se policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ndërsa shtoi se 11 policë u lënduan.

“Dua të jem e qartë kur them që policia nuk ushtroi dhunë. Policia u përball me dhunë. Në protestë efektivët u sulmuan me molotov dhe sende të forta, dhe për pasojë 11 efektivë u lënduan dhe morën ndihmën në spital. U bë thirrje vazhdimisht për qetësimin e situatës dhe vetëm pas kësaj u ndërmorën masa për shpërdarjen e turmave sipas rregulloreve”, u shpreh Koçiu.

Ajo shtoi se “hedhja e molotovëve dhe sulmi ndaj institucioneve dhe policisë nuk është protestë”.

Më tej, ministrja e Brendshme sqaroi edhe shoqërimin e një të mituri në komisariat gjatë protestës.

“U konstatua duke hedhur gurë dhe sende të forta drejt policisë. I mituri është 14 vjeç, në asnjë moment nuk u trajtua në mënyrë çnjerëzore. U mbajt në ambiente të veçanta. Askush nuk duhet të përdorë të miturit si mburojë politike”, tha Koçiu.

Humnerë në mes qytetit/ 4 kilometra çarje, evakuohen mbi një mijë persona në Siçili

By: e xh
27 January 2026 at 14:00

Mbi 1,000 persona u evakuuan me urgjencë nga qyteti kodrinor i Niscemit në Sicili, ku një rrëshqitje e tmerrshme e tokës, rreth 4 km e gjatë, kërcënoi banesat e ngritura në mënyrë të pasigurt buzë shkëmbit.

Pamjet nga ajri treguan ndërtesat që varen në buzë të greminës së krijuar. Humnerat e thella, të krijuara në qytet, reflektuan qartazi përmasat e katastrofës natyrore. Fatmirësisht, megjithatë, deri tani nuk ka raportime për të vdekur ose të lënduar nga ky incident,

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë qenë shkaktare të rrëshqitjes masive të tokës, duke krijuar një situatë të cilën kryetari i bashkisë, Massimiliano Conti, përshkroi si “të tmerrshme”. Ai paralajmëroi se gjendja mund të përkeqesohet akoma edhe më shumë, sepse sic tha, po regjistrohen edhe shembje të reja dheu.

Shkollat në zonë janë mbyllur për sigurinë e fëmijëve, ndërsa autoritetet lokale po punojnë ngushtë me policinë, zjarrfikësit dhe njësitë e mbrojtjes civile për të hartuar një plan veprimi dhe për të rivendosur normalitetin në qytet. Zonat bregdetare të Sicilisë u goditën javën e kaluar nga Stuhia Harry, që dëmtoi atje rrugë e banesa.

Të hënën, Italia shpalli gjendjen e emergjencës për rajonet jugore të Sicilisë, Sardenjës dhe Kalabrisë.

Moti i keq, 34 viktima në SHBA

By: e xh
27 January 2026 at 13:52

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket sikur janë kthyer në Epokën e Akullnajave ndërkohë që një stuhi vrastare dimri ka mbuluar me borë pjesën më të madhe të vendit nga verilindja në jug duke shkaktuar të paktën 34 viktima dhe lënë pa energji elektrike mbi gjysëm milioni njerëz.

Në shumë shtete niveli i dëborës arriti në 50 centimetra ndërsa temperaturat zbritën deri në -31 gradë Celcius.

Në Mississippi, u regjistrua stuhia më e ashpër e dimrit që nga viti 1994.

Sipas mediave vendase, zonat më të goditura nga ndërprerjet e energjisë janë Tennessee, Mississippi, Louisiana and Kentucky

Mbi 5000 fluturime u anulluan vetëm të hënën ndërsa shtetet më të prekura nga anullimet e fluturimeve janë Dallas, Boston dhe New York.

Që nga e premtja e shkuar, më shumë se 20,000 fluturime janë anulluar për shkak të stuhisë. Vetëm të shtunën u anulluan 11,000 fluturime, duke thyer rekordin e shënuar gjatë pandemisë Covid-19.

Plot 220 milionë amerikanë janë në gjendje alerti për shkak të ftohtit ekstrem ndërkohë që meteorologët parashikojnë që reshjet e dëborës të godasin më tej zonën e Michiganit dhe New York-ut. Gjendja e emergjencës është shpallur në mbi 20 shtete ndërkohë qw autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Meteorologët thonë se temperaturat pritet te mbeten nën zero gjatë gjithë javës.

“Lapanjos, lëri dënglat”, përplasen Balla e Bardhi në Parlament

By: e xh
27 January 2026 at 13:50

Gjatë fjalës së Taulant Ballës në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pati një përplasje verbale me të. Balla tha se partia kundërshtare duhet të përballet me drejtësinë dhe të distancohet nga dhuna kundër institucioneve.

Sa për Bardhin, tha se ai ka firmosur kallëzimin penal për nënkryetarin e grupit të vet.

Taulant Balla: Këta lapanjosët…

Gazment Bardhi: Lapanjos je ti!

Taulant Balla: Duhet të përballen me drejtësinë. Nuk ka as parti politike që i merr në mbrojtje sepse zotrote dhe kushdo tjetër që i ushqen me para për të goditur institucionet, duhet të mbash përgjegjësi. Kjo parti politike duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve bashkë me një matuf, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi. Lëri këto dëngla ti se bën si qesharak këtu, ti ke bërë kallëzimin për këta 18 që përmenda unë sikurse ke bërë kallëzimin për Belind Këlliçin, Edmond Spahon për kongresin madhështor të dhjetorit 2021. Unë jam ai që jam dhe e kam për nder, kurse ti duhet të mbash përgjegjësi sepse njerëzit mbajnë përgjegjësi për fytyrën e vet dhe gjithçka firmosin. Kryetar grupi që ka firmosur kallëzim penal për nënkryetarin.

❌
❌