Normal view

21:57 Të tjerët nuk kanë vapë, por ju po digjeni? Këto mund të jenë arsyet që fshihen pas kësaj

By: EL
9 August 2026 at 21:57

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Nëse kjo ndjesi përsëritet shpesh, nuk duhet fajësuar gjithmonë moti: disa gjendje shëndetësore mund të ndikojnë në mënyrën si trupi rregullon temperaturën

Kjo ndjesi e përsëritur mund të mos lidhet vetëm me motin e nxehtë. Në disa raste, shkaku mund të jetë një gjendje shëndetësore që ndikon në mënyrën se si trupi e rregullon temperaturën.

Nëse ju duket vazhdimisht se keni vapë, edhe kur të tjerët përreth jush ndihen krejt rehat, shkaku mund të mos jetë thjesht moti i nxehtë. Ndjesia e mbinxehjes dhe djersitja e shtuar mund të jenë të bezdisshme, sidomos kur nuk e dini çfarë i shkakton. Ndonjëherë arsyeja është krejt e padëmshme, por ndjeshmëria e vazhdueshme ndaj nxehtësisë mund të lidhet edhe me disa gjendje shëndetësore ose me përdorimin e barnave.

Diabeti

Te diabeti, niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të dëmtojë me kalimin e kohës enët e gjakut dhe nervat. Kjo mund të ndikojë në djersitje dhe në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën, duke e bërë vapën më të vështirë për t’u përballuar.

Hipertiroidizmi

Kur gjëndra tiroide prodhon më shumë hormone sesa i nevojiten trupit, mund të shfaqet hipertiroidizmi. Përveç ndjeshmërisë ndaj nxehtësisë, mund të shfaqen djersitje e shtuar, rrahje të shpejta të zemrës, lodhje, dobësi muskulore dhe dridhje të duarve.

Shtatzënia

Gjatë shtatzënisë ndryshojnë metabolizmi dhe qarkullimi i gjakut, ndërsa trupi prodhon më shumë nxehtësi. Për këtë arsye, gratë shtatzëna mund të ndihen më shpesh me vapë dhe ta përballojnë më vështirë temperaturën e lartë.

Menopauza

Afshi i nxehtë është një nga simptomat më të njohura të menopauzës dhe perimenopauzës. Ndjesia e papritur e nxehtësisë zakonisht përhapet në fytyrë, qafë dhe kraharor dhe shpesh shoqërohet me djersitje. Mund të shfaqet edhe gjatë natës dhe të ndikojë në gjumë.

Anhidroza

Edhe mungesa e djersitjes mund ta bëjë më të vështirë përballimin e vapës. Anhidroza është gjendje në të cilën personi nuk djersit mjaftueshëm ose nuk djersit fare. Meqë djersitja ndihmon në ftohjen e trupit, mungesa e saj mund të rrisë rrezikun e mbinxehjes. Shkaku mund të lidhet me disa sëmundje, dëmtime të nervave, probleme me gjëndrat e djersës ose barna të caktuara.

Temperatura e lartë

Nëse ndjesia e vapës shoqërohet me temperaturë të lartë të trupit, mund të bëhet fjalë për ethe, të cilat shpesh janë reagim ndaj një infeksioni. Nëse temperatura është shumë e lartë ose zgjat gjatë, veçanërisht kur shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, konfuzion, qafë të ngrirë, dhimbje të forta koke, të vjella ose dobësi të theksuar, kërkoni ndihmë mjekësore.

Edhe barnat mund të ndikojnë

Disa barna, përfshirë disa antidepresivë, antipsikotikë, barna për tensionin e gjakut, diuretikë dhe antikolinergjikë, mund të ndikojnë në djersitje ose në rregullimin e temperaturës. Nëse dyshoni se shqetësimi lidhet me terapinë që përdorni, mos e ndërprisni vetë, por këshillohuni me mjekun ose farmacistin.

Si ta lehtësoni vapën?

Zgjidhni veshje të lehta dhe të ajrosshme, pini mjaftueshëm lëngje dhe qëndroni në ambiente të freskëta kur është e mundur. Aktivitetet fizike në natyrë planifikojini në mëngjes ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.

Nëse keni afshe të nxehta, mund t’ju ndihmojë të shmangni alkoolin, kafeinën dhe ushqimet shumë pikante. Për djersitjen gjatë natës, mbajeni dhomën e gjumit të freskët dhe përdorni çarçafë të lehtë.

Si të freskoheni shpejt?

Ventilatori ose ajri i kondicionuar, një pije e freskët dhe një kompresë e ftohtë në qafë, ballë ose kyçe mund të sjellin lehtësim. Mund të ndihmojë edhe një dush me ujë të vakët ose të freskët. Nëse shfaqen dobësi, marramendje ose të përziera, shmangni sforcimin fizik.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

Nëse ndiheni vazhdimisht me vapë pa arsye të qartë, keni vënë re një ndryshim të ri ose simptomat ndikojnë në jetën e përditshme dhe gjumin, këshillohuni me mjekun.

Ndihma urgjente është e nevojshme nëse mbinxehja shoqërohet me konfuzion, humbje të vetëdijes, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, rrahje shumë të shpejta të zemrës, dobësi të fortë ose temperaturë shumë të lartë. Këto mund të jenë shenja të një gjendjeje serioze dhe kërkojnë trajtim të shpejtë. /ET

21:54 Lideri suprem i Iranit emëron ish-kreun e Gardës, Rezaee në postin më të lartë të sigurisë

By: EL
9 August 2026 at 21:54

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, e ka emëruar Mohsen Rezaee-n sekretar të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, posti më i lartë i sigurisë në vend, ku ai do të jetë përfaqësuesi i Khamenei-t.

Pozicioni më parë mbahej nga Ali Larijani, i cili u vra në sulmet amerikane-izraelite në mars, dhe më pas nga Mohammad Bagher Zolghadr.

Rezaee është një ish-shef i IRGC-së dhe anëtar i Këshillit të Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Iranit, i cili zgjidh mosmarrëveshjet midis parlamentit dhe Këshillit të Gardianëve, një organ i veçantë që shqyrton kandidatët për poste.

Ai ishte komandant ushtarak gjatë Luftës Iran-Irak të viteve 1980, e cila në Iran njihet si “Mbrojtja e Shenjtë”.

Khamenei gjithashtu emëroi Zolghadrin si këshilltarin e tij politik/ET

21:53 Trump: SHBA po negocion me intensitet të ulët me Iranin

By: EL
9 August 2026 at 21:53

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të dielën se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë negociata me intensitet të ulët me Iranin dhe sinjalizoi një theks në rritjen e presionit ekonomik mbi vendin.

“Po e bëjmë këtë me zë të ulët”, tha Trump në një intervistë telefonike me Axios.

“Ne jemi vetëm në gjysmë të negociatave me ta. Po e vëzhgojmë Iranin me inflacionin e tij të madh dhe faktin që ata nuk kanë para”, tha ai.

Trump i tha Axios se Irani është në gjendje shumë të keqe ekonomikisht, duke thënë se Teherani nuk ka para për të paguar ushtarët.

Komentet e presidentit vijnë mes një sërë kërkesash të reja nga iranianët për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha më herët sot se Irani dhe SHBA-të nuk janë të angazhuara në bisedime.

“Do të funksionojë. Gjithmonë funksionon. Është si një lojë shahu”, tha Trump/ET

21:38 Grupet kriminale përplasen me armë në Danimarkë, disa të plagosur

By: EL
9 August 2026 at 21:38

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Disa persona u plagosën  në një të shtënë me armë në qytetin e vogël danez Holbeck të dielën, të cilën policia tha se mund të lidhet me një larje hesapesh midis kriminelëve. Në një deklaratë, policia tha se forcat u vendosën në pjesë të ndryshme të qytetit portual Holbeck, i vendosur në ishullin Zealand, rreth 70 kilometra në perëndim të Kopenhagenit, pas “të shtënave gjatë të cilave u plagosën disa persona”.

Në këtë kohë, nuk mund të japim informacione të mëtejshme mbi gjendjen e tyre shëndetësore“, shtoi policia, e cila u njoftua rreth orës 15:45 sipas orës lokale.

Rasti më i mundshëm është ai i “largimit të hesapeve midis organizatave kriminale”, sqaroi policia.Sipas informacioneve, të shtënat ndodhën në një zonë banimi.

Raportet fillestare tregojnë se autorët e krimit janë parë duke ikur nga vendi i ngjarjes me një makinë të bardhë, tha policia, dhe bëri thirrje për dëshmitarë të incidentit./ET

21:28 8 vatra zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: 6 janë aktive, ndërsa 2 janë nën kontroll

By: EL
9 August 2026 at 21:28

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Ministria e Mbrojtjes mbrëmjen e kësaj të diele ka dalë me një përditësim të fundit lidhur me situatën e zjarrve në vend. Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme janë raportuar 8 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë.

Nga këto vatra 6 vijojnë aktive, ndërsa 2 janë nën kontroll/monitorim. Ministria bën me dije se janë angazhuar 227 forca në terren, ndërsa është kërkuar edhe angazhimi i 50 forcave ushtarake për vatrën në lagjen Boje, Krujë. Janë angazhuar gjithashtu mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, 1 avion Air Tractor, si dhe një mjet ajror i FA-së në Cikallesh.

Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita, janë rishfaqur disa vatra dhe vijon ndërhyrja e monitorimi. Në Cikallesh, Kavajë, vatra është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë. Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, vijon puna për izolimin e vatrave. Zjarri është nën kontroll. Në Koilaç–Greshicë zjarri është izoluar dhe nën kontroll. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm vatra të vogla me prush dhe tym. Vijon monitorimi dhe ndërhyrja nga strukturat e angazhuara. Në lagjen Boje, Krujë, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor, është kërkuar urgjentisht angazhimi i 50 forcave ushtarake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vilëz, Kurbin, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar 50 forca nga strukturat vendore, MZSH, Policia dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndërprerë avancimin e zjarrit, duke shmangur djegien e kishës, varrezave dhe banesave përreth./ET

21:24 Trafik kilometrik në kthim nga jugu, mijëra automjete të bllokuara nga Tuneli i Llogarasë drejt Orikumit (VIDEO)

By: EL
9 August 2026 at 21:24

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Numri i lartë i pushuesve, të cilët e kaluan fundjavën në plazhet e jugut të vendit, kanë shkaktuar trafik më radhë kilometrike mbrëmjen e sotme, nga Tuneli i Llogarasë drejt Orikumit dhe më tej në drejtim të Vlorës.

Një numër i lartë automjetesh qëndrojnë në radhë të gjata duke e bërë kthimin e pushuesve nga plazhet e Palasës, Drimadhasit, Dhërmiut, Jalës dhe Himarës të vështirë, si pasojë e lëvizjes me ritme të ngadalta.

Fundjava solli fluks pushuesish në jug të vendit duke sjellë ngarkesë edhe në rrugët kryesore të zonës.

Autoritetet kanë bërë thirrje që drejtuesit e mjeteve të tregojnë durim dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor me qëllim shmangien e aksidenteteve./ET

21:22 “Topi i artë”, asnjë favorit / Messi e Yamal nuk shkëlqyen në finale, por mbeten kandidatë

By: EL
9 August 2026 at 21:22

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Rezultati i finales së Kupës së Botës me triumfin e  Spanjës ka ndryshuar rrënjësisht kartat në garën për “Topin e Artë”.

Të gjitha pritshmëritë u rrëzuan, ndërsa kjo e radhës pritet të jetë një nga garat më të paparashikueshme, me shumë pretendentë në lojë dhe pa asnjë favorit kryesor.
Ndonëse shumëkush shpresonte se finalja do ta zgjidhte çështjen, nuk ndodhi kështu: si Messi ashtu edhe Yamal nuk arritën të shkëlqenin.

“pleshti” pësoi një goditje të rëndë në momentin vendimtar, ndërsa lojtari 19-vjeçar i Barcelonës e ngriti lart trofeun e Kupës së Botës pa luajtur realisht një rol kryesor.

Kjo rikthen në garë emra të tjerë të mëdhenj që lanë gjurmë sezonin e kaluar , nga Kane te Mbappé, Haaland dhe Rodri e madje edhe Cubarsí, tashmë një shtyllë kryesore si për Barcelonën ashtu edhe për kombëtaren spanjolle.

Pasiguria e vërtetë qëndron te kriteret që do të zgjidhen për dhënien e trofeut të lakmuar, pasi të gjithë kandidatët fituan diçka gjatë sezonit. Haaland mund të ketë siguruar “vetëm” Kupën e Ligës Angleze, por ai bëri një paraqitje të shkëlqyer në Kupën e Botës me Norvegjinë dhe, mbi të gjitha, shënoi plot 38 gola për Manchester City.

Kuotat e e Rodrit janë rritur gjithashtu me shpejtësi. Ai u rikthye në formë të shkëlqyer pas dëmtimit dhe u shpall lojtari më i mirë në Kupën e Botës. Nuk duhet anashkaluar as Kane; pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Bayern Munich, me 61 gola ndërsa me Anglinë u rendit në vendin e tretë të Kupës së Botës.

E vetmja gjë e sigurt është se, në një vit Kampionati Botëror, paraqitjet dhe golat në këtë turne mund të jenë vendimtarë. Dhe në këtë aspekt, Mbappé nuk zhgënjeu. Pas një sezoni me ecuri të luhatshme te Reali, ish-lojtari i Monakos shkëlqeu duke shënuar dhjetë gola dhe duke marrë vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave, duke kaluar kështu Messin, i cili mbetet ende një pretendent serioz për “Topin e Artë”. Megjithatë, njëkohësisht, francezi 27-vjeçar dështoi në gjysmëfinalen vendimtare kundër Spanjës dhe e mbylli sezonin pa asnjë trofe. E thënë shkurt, ka disa candidate për “Topin e Artë”, secili me argumente të forta në një garë që premton të jetë tejet e ngushtë deri në momentet e fundit./ET

21:18 Aksident në Krujë/ Përplasen dy automjete, niset drejt Traumës një person

By: EL
9 August 2026 at 21:18

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në afërsi të fshatit Mazhe të Krujës.

Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe, si pasojë e përplasjes, kanë përfunduar jashtë rruge.

Nga aksidenti ka mbetur e plagosur një grua, e cila është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore. Dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./et

21:15 Kurthi për trafikantët shqiptarë, investigimi i “Sky News” zbulon si trafikohen emigrantët: Dokumente false dhe 24 mijë stërlina

By: EL
9 August 2026 at 21:15

Një hetim i bërë nga stacioni televiziv britanik i lajmeve Sky News, zbulon modelin e biznesit që aplikojnë trafikantët shqiptarë të emigrantëve drejt ishullit.

Sipas hetimit, trafikantët shqiptarë përdorin dokumenta fallco për të sjellë emigrantët nga tuneli nëndetar që lidh Francën me Anglinë, ndërkohë një pjesë e viktimave mbahen peng për të punuar në tregtinë e shpërndarjes së drogës për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe trafikimit, njofton nga Londra korrespondenti i Top-Channel, Arben Manaj.

Nuk është surprizë për ata që e njohin se si funksionon trafikimi i emigrantëve nga kontinenti evropian drejt brigjeve angleze, që trafikantët përdorin dokumentat fallco për të sjellë emigrantë nga Franca përmes tunelit nëndetar që lidh Francën dhe Anglinë.

Trafikantët më pas, përmes futjes së emigrantëve në makina luksoze, dhe përmes shumash që shkojnë deri në 24 mijë stërlina, ku një pjesë e atyre që s’kanë mundësi pagese i mbajnë të lidhur pas borxhit dhe i fusin në tregtinë dhe shpërndarjen e kokainës nëpër rrugët e Londrës e gjetkë, për të shlyer borxhin ndaj trafikantëve.

Hetimi i rrjetit televiziv britanik të lajmeve Sky News, përmes gazetarëve të kamufluar, kanë zbuluar nga takimi me një trafikant shqiptar, që shpesh bien pre lehtësisht në kurthet gazetareske, dhe ky trafikant shqiptar i dënuar për tregti droge, i ofron gazetarit të Sky News shumën e 24 mijë stërlinave për të sjellë një kushëri të pretenduar të gazetarit të kamufluar me theks nga nënkontinenti Indian, dhe i ofron të punojë për gjysmën e shumës si shpërndarës droge dhe kokaine për emigrantin që do trafikonte në Angli.

Ky kalim nuk u realizua, pasi Sky News e tërhoqi tentativën, edhe pse trafikanti premtoi ta kalonte emigrantin e supozuar përmes hipjes së tij në një Range Rover që kishte kushtuar 100 mijë stërlina dhe që e ngiste për shumë vite një shtetas britanik me origjinë turke, e që bënte këtë rrugë çdo javë prej vitesh. Stafet e emigracionit, nën presionin e volumit të kalimeve, kur shohin një makinë me targa britanike që mendojnë se kthehet në atdhe, janë më neglizhentë në verifikimin e dokumentave të pasagjerëve në automjete, sipas hetimit të Sky News.

Ndërkohë, hetimi i stacionit të njohur televiziv britanik nxjerr në pah edhe dështimet e stafit të Kontrollit të Kufirit në Evropë dhe Britani, ku mësohet për mungesë stafi dhe për nevojën e investimeve në teknologji dhe trajnimin e stafeve për të përballuar numrin e lartë të njerëzve që hyjnë e dalin përmes ngushticës së La Manshit mbi det dhe në tunelin nëndetar.

Edhe pse zyrtarët e emigracionit dhe kontrollit kufitar thonë se teknologjia në kufi është shumë e mirë, sërish e pranojnë se është një luftë konstante për të qenë një hap para atyre që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Britani. Ndërkohë, trafikantët janë gjithnjë e më kreativë në këtë biznes. Sky News ka siguruar nga hetimi një listë me numra trafikantësh të qenieve njerëzore me origjinë shqiptare që reklamojnë shërbimet e tyre në median sociale.

Një oficer britanik i Kontrollit Kufitar thotë se, edhe pse ka marrëveshje për rikthimin e shpejtë të emigrantëve mes Shqipërisë dhe Britanisë, vihet re një rritje në radhët e shqiptarëve, por edhe nacionaliteteve të tjera që tentojnë të hyjnë në Britani me dokumenta fallco.

Hetimi i Sky News zbulon fenomenin shqetësues të trafikimit ilegal të personave që më pas përfshihen në tregtinë e drogës në Britani, si dhe mungesën e kontrolleve të sigurisë në Kanalin Anglez, ose La Mansh.

Sipas një drejtuese të organizatës së bamirësisë, “Unseen”, Justine Carter, lidhja me borxhet ndaj trafikantëve është një mjet i qëllimtë që përdoret për të detyruar dhe trysnuar viktimat drejt borxheve të fryra dhe të manipuluara. Sky News i referohet edhe akademikut shqiptar në Londër, Dr. Andi Hoxhaj, i cili thotë se ka 3.5 milionë përdorues të rregullt kanabisi në Britani, andaj ka një treg droge dhe tregti droge që kanë nevojë të madhe për drogë të rritur ose transportuar në Britani.

Sipas Dr. Hoxhajt, Brexit-i ka ndikuar në kohën që kërkohet nga agjencitë ligjzbatuese britanike për të marrë informacione nga homologët e tyre evropianë. Sipas Home Office, rastet e azilit për ata që hyjnë me kamionë kanë rënë në 25 për qind gjatë vitit të kaluar, çka tregon se qasja jonë funksionon, thotë zëdhënësi. Por faktikisht, ardhjet me gomone vazhdojnë të rriten edhe pas ardhjes së Kryeministrit të ri britanik në detyrë./et

21:04 Vlahovic drejt Besiktasit? Trajneri Italiano rrit presingun që ta ketë nën urdhrat e tij

By: EL
9 August 2026 at 21:04

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Dusan Vlahovic është gati të zgjidhë dilemat për të ardhmen dhe Turqia po afrohet gjithnjë e më shumë. Pas një muaj e gjysmë pritjeje dhe reflektimesh në përfundim të aventurës së tij te Juventusi, sulmuesi 26 vjeçar duket se e ka marrë një vendim dhe dha sinjalet e para të qarta për një kalim të mundshëm te Besiktasi, që deri tani është klubi më i vendosur për të siguruar shërbimin e tij.

Ajo që e anon peshoren nga ana e Stambollit është në mënyrë të veçantë prania e trajnerit Vincenzo Italiano, me të cilin sulmuesi serb ka punuar kur ishin te Fiorentina në sezonin 2021/22. Trajneri italian edhe pse kanë kaluar thuajse 5 vjet, e di si t’ia rrisë vlerën dhe i ka kërkuar drejtuesve të klubit transferimin e tij në mënyrë që ai të kalojë sa më shpejt problemet me përshtatjen dhe të integrohet në skuadër

Në orët e fundit janë intensifikuar bisedimet dhe presidenti i Besiktasit, Serdal Adali ka konfirmuar publikisht operacionin dhe urdhëroi vartësit e tij të mbyllin sa më shpejt operacionin. Presingu po bëhet në mënyrë të veçantë te babai i futbollistit dhe përfaqësuesit e lojtarit. Propozimi ekonomik i plotëson ambiciet e futbollistit; kontratë 4-vjeçare me një pagë prej rreth 10 milionë euro në sezon plus bonusi për firmën.

Mbeten për t’u zgjidhur detajet e fundit në lidhje me bonuset e lidhura me objektivat e skuadrës e sidomos ato për paraqitjet e futbollistit, por orët e ardhshme duket se do të jenë ato vendimtare për mbylljen e suksesshme të tratativave.

Besiktas ka zgjedhur Vlahovic dhe kërkon të përshpejtojë punën edhe për të mposhtur konkurrencën e Atletico Madrid që po monitoron situatën, por që në këtë moment nuk mund të bëjë asnjë lëvizje pa shitur Sorloth. Kontaktet mes Besiktas dhe Vlahovic po ecin me ritme të larta për të reduktuar diferencat e fundit mes kërkesës dhe ofertës, por përshtypja është se e ardhmja e sulmuesit serb do të vendoset përfundimisht brenda javës së ardhshme./et

19:57 Zbulohet një anije e mbytur romake në brigjet e Siçilisë

By: EL
9 August 2026 at 19:57

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Një anije e mbytur nga lashtësia romake u gjet në brigjet e Siçilisë, që vlerësohet se daton më shumë se 2,000 vjet më parë.

Anija u gjet e ngarkuar me qindra kontejnerë të ruajtur mirë, të cilët përdoreshin për të transportuar produkte të tilla si vera dhe vaji i ullirit.

Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, e përshkroi anijen e mbytur si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike nënujore të viteve të fundit.

Zhytësit specialistë e gjetën anijen në një thellësi prej rreth 46 metrash, pas një informacioni nga peshkatarët. Anija e mbytur është 21 metra e gjatë dhe gjashtë metra e gjerë,.

Ministria e Kulturës thotë se anija daton që nga shekulli i 2-të ose i 1-rë para Krishtit. Peshkatari dhe zhytësi i lirë Giacomo De Mola përshkroi se si e zbuloi aksidentalisht anijen historike ndërsa eksploronte shtratin e detit pranë Mazara del Vallo.

Zhytës specialistë nga njësia speciale e policisë italiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e njohur si Skuadra e Artit të Karabinierëve u dërguan në vendngjarje.

Zyrtarët thonë se do të merren masa sigurie për të ruajtur rrënojat gjatë hetimit, ndërsa ekspertët punojnë për të përcaktuar natyrën e saj dhe për të mbledhur më shumë informacion rreth ngarkesës së saj.

/et

19:55 Sherri në burgun e Fierit, kërkohet largimi nga detyra i 6 efektivëve dhe pezullimi i 2 të tjerëve

By: EL
9 August 2026 at 19:55

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi këtë te diele ka thirrur mbledhjen e Komisionit të Disiplinës për të shqyrtuar masat pas incidentit të dhunshëm të regjistruar në ambientet e Burgut të Fierit.

Në qendër të shqyrtimit janë masat e propozuara për largimin nga detyra të 6 efektivë të sigurisë, pezullimi nga detyra për 2 efektivë të tjerë. Gjithashtu kërkohet masë disiplinore shtesë prej 3 muajsh për të burgosurit e përfshirë në konflikt

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Organi i akuzës po verifikon nëse përplasja mes të burgosurve ka qenë një konflikt i çastit apo një ngjarje e organizuar dhe e porositur paraprakisht.

Në kuadër të hetimeve paraprake, është marrë në pyetje Denis Bajri. Sipas dëshmisë së tij të dhënë para hetuesve, ai është thirrur nga Gjini dhe Zoto, të cilët më pas e kanë sulmuar fizikisht duke përdorur mjete prerëse të improvizuara./et

19:29 I ndërroi jetë nëna/ Ardian Çapja, i dënuar me burgim të përjetshëm kërkon leje për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit

By: EL
9 August 2026 at 19:29

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Ardian Çapja, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka kërkuar leje të posaçme për të dalë nga burgu dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij.

Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të sigurisë që shoqëron vuajtjen e dënimit, si dhe masat që duhet të merren për garantimin e sigurisë gjatë transportit dhe qëndrimit të tij jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.

Vendimi përfundimtar do të merret pasi autoritetet të vlerësojnë të gjitha rrethanat dhe kushtet e nevojshme për shoqërimin e të dënuarit gjatë ceremonisë mortore./et

19:24 Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta shpërfillë gjuhën shqipe, prej një viti asnjë procesverbal në shqip

By: EL
9 August 2026 at 19:24

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mos publikojë në gjuhën shqipe procesverbalet e mbledhjeve të saj, edhe pse kanë kaluar gati 11 muaj nga përkthimi i fundit.

Sipas një verifikimi të Portalb.mk, procesverbali i fundit i publikuar në shqip mban datën 19 shtator 2025. Që prej asaj kohe, në faqen zyrtare nuk figurojnë 83 procesverbale në gjuhën shqipe.

Qeveria aktuale ka zhvilluar deri tani 193 mbledhje. Mungesë dokumentesh ka edhe në versionin maqedonisht për 25 mbledhjet e fundit, ku procesverbali më i fundit i publikuar është ai i 5 qershorit.

Portalb.mk i kërkoi sqarime Qeverisë për arsyet pse procesverbalet nuk publikohen në shqip dhe pse mungojnë edhe në maqedonisht, por nuk mori përgjigje.

Më herët, portali e kishte ngritur të njëjtën çështje edhe me ish-zëvendëskryeministrat e VLEN-it, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti. Sipas Portalb.mk, edhe pse ata kishin deklaruar se procesverbalet ishin të disponueshme në gjuhën shqipe, verifikimet në faqen zyrtare tregonin të kundërtën.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parashikon gjoba nga 4 mijë deri në 5 mijë euro për institucionet që nuk zbatojnë detyrimet ligjore, si edhe sanksione për personat përgjegjës. Sipas Portalb.mk, megjithatë, këto masa nuk janë zbatuar.

Problematika me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore ishte evidentuar edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur një pjesë e informacionit në faqen zyrtare të Qeverisë mungonte ose nuk përditësohej në shqip./et

19:21 Përmbyset varka pranë Liberty Island në New York, humbin jetën një foshnjë 5-muajshe dhe një 27-vjeçare

By: EL
9 August 2026 at 19:21

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Një incident tragjik ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë Liberty Island në New York, kur në rrethana ende të paqarta një varkë u përmbys, duke rezultuar në vdekjen e një gruaje 27-vjeçare dhe një foshnje 5-muajshe.

Sipas informacionit nga Departamenti i Policisë së New York-ut, autoritetet u informuan për një incident me një varkë të përmbysur rreth orës 22:55.

Forcat e Rojës Bregdetare, një ekip zhytësish dhe një ekip ajror nxituan në vendngjarje, ndërsa më parë 12 persona që ndodheshin në të njëjtën varkë ishin shpëtuar tashmë nga uji dhe pësuan lëndime të lehta.

Megjithatë, gruaja 27-vjeçare dhe vajza pesëmuajshe u gjetën pa ndjenja dhe u dërguan në spital, ku u shpallën të vdekura. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ato ishin të afërme me njëra-tjetrën.

New York Post raporton se gjithsej 14 persona ishin në bordin e anijes 23 metra të gjatë. Operatori i anijes, një banor 46-vjeçar i Manhattanit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, përballet me 13 akuza. Hetimet për shkaqet dhe rrethanat e incidentit tragjik janë duke vazhduar.

19:06 Aksident ‘zinxhir’ në Sarandë, përfshihen 6 automjete!

By: EL
9 August 2026 at 19:06

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Ismail Qemali”, në lagjen nr. 4, Kodër, në Sarandë.

Sipas informacioneve paraprake, nga aksidenti janë dëmtuar 5-6 automjete, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Ende nuk dihen rrethanat që çuan në aksident, ndërkohë që Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes./et

18:38 Hiqen këngët e Taylor Swift nga postimet e Trump dhe Shtëpisë së Bardhë në rrjetet sociale

By: EL
9 August 2026 at 18:38

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Disa nga këngët e Taylor Swift janë hequr nga videot e postuara në mediat sociale nga fushata e Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë.

Një video e postuar më 3 gusht ku shfaqet presidenti amerikan dhe zonja e parë, Melania Trump, duke parë fishekzjarrë, u postua këtë muaj në TikTok me këngën e Swift “August”.

“Jam e sigurt që @Taylor Swift do të jetë shumë e emocionuar që përdorëm këngën e saj! #taylorswift #maga #august”, thuhet në tekstin shoqërues.

Fushata e Trump publikoi më vonë një postim tjetër, duke e kritikuar Swift për titullin e albumit të saj të vitit 2012, Red. “A e dinit se Taylor Swift shkroi një album të tërë për ngjyrën e partisë Republikane?” shkruhej në të, duke sugjeruar tituj këngësh parodi.

Të dyja videot tani janë të heshtura. Llogaritë e mediave sociale të lidhura me Trumpin e kanë përdorur muzikën e Swift edhe në video të tjera të fushatës, por disa prej tyre nuk kanë më zë.
Postimet e tjera kanë përfshirë muzikë nga artistë si Ariana Grande, Katy Perry, Sabrina Carpenter, Olivia Rodrigo dhe Kenny Loggins, të cilët të gjithë kundërshtuan publikisht përdorimin e muzikës së tyre.

“Ju lutem mos e përdorni muzikën time në lidhje me këtë absurditet barbar, çnjerëzor dhe të neveritshëm”, shkroi Grande pasi Shtëpia e Bardhë postoi muzikën e saj mbi një montazh të agjentëve të ICE-së që prangosin dhe ndalojnë njerëz.

Kur Shtëpia e Bardhë e Trump përdori një nga këngët e Carpenter për të krijuar kolonën zanore të një videoje të bastisjeve të imigracionit në vitin 2025, këngëtarja shkroi : “Kjo video është e ligë dhe e neveritshme. Mos më përfshini kurrë mua ose muzikën time për të përfituar axhendën tuaj çnjerëzore.”/et

18:36 “Kruja shpëtoi nga katastrofa”, Nufi: U përhap brenda 7 minutave nga njoftimi i parë

By: EL
9 August 2026 at 18:36

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në një intervistë për Euronews Albania ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në Krujë i cili tashmë është vënë nën kontroll dhe është shuar. Gjatë mbrëmjes së djeshme, zjarri rrezikoi seriozisht qytetin e Krujës dhe banorët.

Nga Qendra Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm, ministri Nufi bëri me dije se situata tashmë ndodhet në monitorim të plotë, ndërsa theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar rreth 24 vatra zjarri në rang kombëtar.

Duke u ndalur te zjarri në Krujë, ministri u shpreh se ajo ka qenë një nga situatat më problematike të 3-4 viteve të fundit. Sipas tij, zjarri u përhap brenda 7 minutave nga njoftimi i parë, duke rrezikuar banesat, spitalin dhe jetën e qytetarëve, por falë ndërhyrjes së menjëhershme nga toka dhe ajri, u bë e mundur që situata të vihej nën kontroll rreth orës 06:00 të mëngjesit.

“Sot që flasim, situata është në monitorim të plotë. Kanë qenë rreth 24 vatra zjarri gjatë ditës së djeshme dhe gjatë orëve të fundit. 23 nga këto janë adresuar. Vatra më e madhe e zjarrit është hequr në qytetin e Krujës, ku një angazhim i jashtëzakonshëm i Forcave të Armatosura, i zjarrfikësve, të bashkive të ndryshme të Republikës, i Policisë së Shtetit, të gjithë atyre personave që ishin në vijë të parë të flakëve, bënë të mundur që të parandalojnë një katastrofë shumë të madhe.

Siç e keni parë edhe në pamjet filmike që janë transmetuar dje për gjatë ndërhyrjes, ka qenë një situatë jashtëzakonisht e vështirë. Unë ju flas këtu nga Qendra Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm, ku më bëhet monitorimi me dron i territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe gjatë gjithë kohës, edhe gjatë darkës dje, ne kemi pasur dronin TB2 i cili ka bërë monitorimin e gjithë territorit të Republikës, jo vetëm për vatrën e zjarrit që ndodhej në Krujë, që ishte jashtëzakonisht shumë e madhe, por edhe në të gjitha vatrat e tjera të zjarrit që ndodheshin në vendet e tjera: në Kavajë, Mallakastër, Tiranë e tjerë”, tha ai.

Ministri theksoi se vendi disponon kapacitete operacionale të jashtëzakonshme për këtë sezon, duke përfshirë një flotë prej 5 helikopterësh të Forcave të Armatosura, si dhe monitorim të vazhdueshëm përmes dronëve të avancuar dhe dronëve termikë.

Gjithashtu, ai shtoi se në vend ndodhet tashmë avioni trajnues për Canadair, ndërsa pritet që brenda dy ditësh të mbërrijë edhe i dyti, në kuadër të përgatitjeve për flotën e re të porositur për emergjencat civile. Nëse situata do të dalë jashtë parashikimeve, ministri theksoi se do të aktivizohet Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

“Vetëm ditën e djeshme në qytetin e Krujës kanë qenë mbi 400 forca, 200 prej tyre kanë qenë nga Forcat e Armatosura e 200 e ca forca të tjera mund të kenë qenë nga Zjarrfikësit, AKMC-ja, i gjithë personeli tjetër që ishin në situatën e zjarrit në Krujë.

A mjaftojnë kapacitetet dhe investimet për përballimin e emergjencave civile? Ka gjithmonë punë për të bërë. A kemi ne kapacitete pranë zjarrfikësve dhe pranë Forcave të Armatosura për t’i bërë ballë gjithë emergjencave që ndodhin në territorin e Republikës? Deri tani kemi pasur një menaxhim të jashtëzakonshëm dhe deri tani kemi pasur një ndërhyrje në kohë reale për shuarjen dhe përballimin e gjithë situatës së zjarreve.

Unë me shumë trishtim kam parë sot në mëngjes pasi u largova nga qyteti i Krujës në orën 6 të mëngjesit, pasi kalova të gjithë peripecinë e natës dhe ndërhyrjen e djemve dhe të gjithë efektivëve, qoftë zjarrfikës, qoftë Forcave të Armatosura në ballë të flakëve.

Keni parë videot, kam qenë vetë prezent në momentin kur ka shpërthyer zjarri, që është ajo videoja ikonike që zjarrfikësit po ndërhyjnë dhe gati sa nuk janë djegur fizikisht. Kemi pasur djemtë poshtë në momentin që ai zjarr ka shpërthyer, meraku i kush ishte vetëm për njerëzit që ishin të rrethuar nga të dyja krahët nga zjarri, por ishte dhe për djemtë që ishin poshtë duke u ndihmuar.

Është shumë kollaj të theksojmë që erdhën me vonesë, duhet të bëjmë më shumë, duhet të kishim bërë më shumë. Jo fondi i emergjencave, jo avionët… që në fakt avioni trajnues për Canadair është këtu dhe ka bërë jo vetëm trajnimin e pilotëve tanë, por ka bërë edhe ndërhyrjen në kuadër të këtyre trajnimeve për shuarjen e zjarreve.

Për punë dy ditësh do të vijë edhe avioni i dytë trajnues që do bëjë edhe ai ndërhyrjen te zjarri në kohë reale për të trajnuar pilotët tanë për të tre avionët Canadair që ne kemi porositur për emergjencat civile në Republikën e Shqipërisë.

Flota e zjarrfikësve është shumë e mirë, do shtohet edhe më tepër flota e zjarrfikësve në Forcat e Armatosura. Shikoj prapë me trishtim, gati me cinizëm se si njerëzit adresohen, “jo u fik me lopata, s’u fik me lopata”. Çdo mjet rrethanor i cili është standardizuar, gjendet pranë Forcave të Armatosura dhe përdoret për shuarjen e zjarreve.

Është shumë kollaj të bësh teoricienin nga divani i shtëpisë me pultin e televizorit, është shumë e vështirë të jesh në front të parë te zjarri e të rrezikosh jetën. Dhe unë kam parë me sytë e mi dje përkushtimin e zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura që asnjë shtëpi të mos digjej”, shtoi ai./et

18:19 Pentagoni u kërkon kompanive të mbrojtjes të rrisin prodhimin e armëve mes shqetësimeve për rezervat

By: EL
9 August 2026 at 18:19

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Departamenti i Mbrojtjes u ka kërkuar kontraktorëve ushtarakë amerikanë të rrisin prodhimin e armëve mes shqetësimeve se rezervat po pakësohen ndërsa lufta me Iranin vazhdon.

Një memo e shkruar të mërkurën nga Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes Steve Feinberg u dha udhëheqësve në industri jo më shumë se 21 ditë për të paraqitur plane për të nxitur orare dorëzimi dukshëm më të shpejta dhe rritje të prodhimit për kapacitete kritike. Memoja u raportua për herë të parë nga Washington Post.

“Memorandumi i 5 gushtit është i vërtetë. Ai do të informojë buxhetin e vitit fiskal 2028 të paraqitur në Kongres për financim dhe është plotësisht në përputhje me përpjekjen tonë të vazhdueshme për të rindërtuar bazën industriale të mbrojtjes. Buxheti i vitit fiskal 2027 që po shqyrtohet aktualisht në Capitol Hill mund ta rrisë këtë përpjekje sot”, konfirmoi zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.

Parnell e mbrojti memorandumin, duke thënë se puna direkte me udhëheqësit e industrisë “nuk është e re”.

“Zëvendëssekretari Feinberg është një lider brezash në këtë përpjekje, duke nxitur punën e vështirë të rregullimit të sistemit tonë të blerjeve të prishur, të vjetëruar dhe jashtëzakonisht kompleks, në mënyrë që të mund të prodhojmë armët që u nevojiten luftëtarëve tanë me ritmin që kërkon kërcënimi”, tha ai./et

18:02 “Këtu është dëgjuar era shtet”/ Banorët e Krujës falënderues ndaj qeverisë: Na keni shpëtuar

By: EL
9 August 2026 at 18:02

Last Updated on 09/08/2026 by EL

Banorët e Krujës kanë përjetuar mbrëmjen e djeshme tmerr si pasojë e zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu faqen e malit e që mbërriti fare pranë shtëpive. Më te rrezikuarit ishin banorët e lagjeve Abaze, Barabit dhe Varosh.

Në profilin e tij në facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar disa prej banorëve, të cilët i janë falënderues gatishmërisë që strukturat e shtetit treguan në përballimin e këtij rreziku të madh.

“Shih çfarë është bërë këtu. Kujtova se mu dogj shtëpia. Shteti ka qenë në këmbë, ministri i Brendshëm, Hita. Mos të kishin qenë ata, shtëpia ime e lagja do ishte djegur. Ua bëftë zoti hallall zjarrfikësve, policëve, emergjencave, të gjithëve, këtu është dëgjuar era shtet. Faleminderit shumë”, thotë një prej banorëve.

Aktualisht vatrat e zjarrit në malin e Krujës janë izoluar dhe rreziku është eliminuar. Qindra banorë të evakuuar nga mbrëmja e djeshme, janë rikthyer sot në shtëpitë e tyre, ndërsa fatmirësisht përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur persona të lënduar.

“E shikoni vetë komplet kjo pjesa e djegur, shtëpia, zjarri këtu. Zoti është i madh dhe shteti shqiptar ka qenë në gatishmëri. Puna dhe gatishmëria që është bërë këtu, neve sot na ka shpëtuar”, thotë një tjetër banor.

Zjarri ka qenë fare pranë shtëpive teksa shumë oborre janë tashmë të shkrumbuara, por vetë ndërtesat nuk kanë pësuar dëmtime. Evakuime ka pasur dhe nga spitali i Krujës si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

Përveç ndërhyrjes nga toka, helikopterët kanë asistuar për disa orë nga ajri me qëllim izolimin e rrezikut. Sakaq, policia ka arrestuar dhe një banor të zonës, i dyshuar si autor i zjarrit që dogji hektarë me pyje. Dyshohet se i arrestuari, të ketë ndezur një zjarr në oborrin e shtëpisë së tij për të djegur disa barishte, e më pas flakët i kanë dalë nga kontrolli./et

❌