Normal view

21:59 Nicolas Cage në betejë ligjore me Netflix, kërkon 105 milionë dollarë për filmin e vjedhur

By: Monika
27 August 2026 at 21:59

Një film i Nicolas Cage që ende nuk ka dalë për publikun është bërë objekt i një konflikti të madh ligjor me Netflix. Producentët e “Fortitude” kanë ngritur padi ndaj kompanisë së transmetimit, duke pretenduar se një kopje e filmit është zhdukur nga ambientet e Netflix në Los Angeles.

Sipas padisë, dëmi i pretenduar arrin në të paktën 105 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një thriller spiunazhi me sfond Luftën e Dytë Botërore, i realizuar me një buxhet rreth 45 milionë dollarë dhe ku Cage luan një prej roleve kryesore.

Përplasja nisi pasi Netflix kërkoi ta shihte filmin përpara se të vendoste nëse do të merrte të drejtat e tij. Kopja iu dorëzua kompanisë më 15 qershor 2026 dhe shfaqja u zhvillua të nesërmen.

Producentët pretendojnë se, pas përfundimit të shfaqjes, materiali duhej të fshihej dhe kopja fizike të kthehej. Në vend të kësaj, ata thonë se disku u vodh nga zyrat e kompanisë.

Sipas palës paditëse, incidenti ka krijuar një problem serioz për të ardhmen e filmit. Nëse “Fortitude” qarkullon ose publikohet në mënyrë të paligjshme përpara premierës, vlera e tij në treg mund të bjerë ndjeshëm dhe mund të dëmtohet ekskluziviteti që lidhet me daljen zyrtare.

Netflix i ka kundërshtuar pretendimet. Kompania argumenton se filmi ishte dorëzuar pa masat e sigurisë që konsiderohen të zakonshme në industrinë e filmit dhe thekson se nuk zotëron të drejtat e “Fortitude”.

Tashmë çështja pritet të zgjidhet në gjykatë, ndërsa fati i filmit mbetet i lidhur me këtë përplasje mes producentëve dhe gjigantit të streaming-ut./mxh

21:39 Bizneset dhe qytetarët morën 2.3 mld euro kredi në 6 muaj! BSH: Ulen interesat për huatë në lekë, por rriten ato në euro

By: Monika
27 August 2026 at 21:39

Qytetarët dhe bizneset kanë marrë më shumë kredi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me vjet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga janari deri në fund të qershorit, bankat kanë aprovuar kredi me vlerë 2.3 miliardë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, në rritje me 214 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar raportit të fundit të bankës, kërkesa për kredi ka qenë në rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë sa u takon bizneseve, pasi kanë marrë në total 148.7 miliardë lekë hua gjatë kësaj periudhe.

“Në krahasim me gjashtë muaj më parë, përmirësim kanë shfaqur kreditë për biznesin e mesëm, si dhe financimi i bizneseve që veprojnë në sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve”, thuhet në raport.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznese ishte 6.4%, e njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa interesi mesatar për kreditë në euro u rrit me 0.2%, dhe aktualisht janë në 6%, i ndikuar kryesisht nga kredia për shumat deri në 250 mijë euro.

Edhe qytetarët morën më shumë kredi se vjet, rreth 786 milionë euro në total, të udhëhequr kryesisht nga nevoja për blerje banese, por rritje thuhet në raport është regjistruar edhe për kredinë konsumatore. Interesi mesatar për kredinë në lekë për blerje banese ishte 3.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit, aq sa ishin edhe vjet, ndërsa ato në euro u rritën në 5.4% nga 4.9% që ishin në të njëjtën periudhë të 2025-ës.

Ndikim në kërkesën e lartë për kredi për të financuar blerjen e banesës sipas bankës ka dhënë edhe procesi i rivlerësimit që po zhvillohet prej muajit shkurt, ndërsa pritshmëritë janë për kërkesë të lartë për hua edhe në periudhën e mbetur të vitit./mxh

21:33 Aktivistja thirrje qytetarëve: Nesër të mblidhemi te selia e PS-së në orën 17:30, t’i përshëndesin me vezë

By: Monika
27 August 2026 at 21:33

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Aktivistja Arvina Lleshi, në protestën e 89-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ka bërë një njoftim për qytetarët, duke i ftuar ata që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për ditën e nesërme te selia e Partisë Socialiste.

Aktivistja the se mbledhja e “qeverisë së krimit” do të zhvillohet nesër në orën 17:30 në selinë e PS-së, dhe u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë në tubim.

“Kam një njoftim për të gjithë qytetarët. Nesër, qeveria e krimit, në orën 17:30, ka mbledhje te selia e PS-së. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë mundësi të marrin pjesë”, u shpreh aktivistja.

Aktivistja u kërkoi protestuesve të merrnin me vete vezë, për të “përshëndetur” ministrat. “Të marrin vezë me vete dhe të shkojmë t’u bëjmë përshëndetjen e radhës, duke iu thënë: “Nuk na përfaqësoni, nuk na përfaqësoni, nuk na përfaqësoni”. Mos harroni, nesër te selia e PS-së”, tha ajo./MXH

21:26 Kancelari Merz më popullor në Ukrainë se sa në Gjermani

By: Monika
27 August 2026 at 21:26

Kancelari gjerman Friedrich Merz gëzon një mbështetje dukshëm më të madhe në Ukrainë sesa në vendin e tij, sipas një sondazhi të zhvilluar nga grupi ukrainas i vlerësimit “Rating Group”.

Rreth 64% e ukrainasve të pyetur shprehen pozitivisht për Merz, ndërsa në sondazhet e zhvilluara në Gjermani, mbështetja për kancelarin në disa raste ka zbritur nën 20%.

Në renditjen e politikanëve ndërkombëtarë, presidenti francez Emmanuel Macron rezulton më i vlerësuari, me 79% të ukrainasve që kanë një qëndrim pozitiv ndaj tij.

Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin renditet i fundit, me më shumë se 97% të të anketuarve që shprehen negativisht për të.

Sipas sondazhit, qëndrimi i ukrainasve ndaj kancelarëve gjermanë është përmirësuar gradualisht.

Në shkurt 2025, ish-kancelari Olaf Scholz kishte një nivel miratimi prej 57%, pak para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

Mbështetja për drejtuesit gjermanë ishte në nivelin më të ulët në prill 2022, pak pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, kur Gjermania kishte bërë angazhime relativisht më të kufizuara për furnizime me armë dhe ndihmë financiare.

Që prej atëherë, Gjermania është shndërruar në një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, ndërsa ndihma gjermane është shoqëruar me rritjen e perceptimit pozitiv ndaj udhëheqjes së vendit.

Sondazhi u zhvillua nga 4 deri më 9 gusht, me pjesëmarrjen e 2 000 personave të moshës mbi 18 vjeç.

Në sondazh u përfshinë banorë të territoreve të kontrolluara nga qeveria ukrainase, ku rrjeti celular funksionon./mxh

21:18 Tri ditë zi kombëtare pas zjarreve shkatërruese me 12 viktima

By: Monika
27 August 2026 at 21:18

Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune shpalli tri ditë zi kombëtare, pasi zjarret pyjore në verilindje të vendit vranë të paktën 12 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

“Me zemër të rëndë dhe shpirt të pikëlluar përballë tragjedisë së humbjes së bashkëqytetarëve tanë, shpall tri ditë zi kombëtare dhe anulimin e të gjitha ngjarjeve kulturore dhe garave sportive”, tha ai.

Të mërkurën në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Said Sayoud raportoi të paktën 12 vdekje dhe 54 persona të shtruar në spital me djegie, përfshirë gjashtë në gjendje të rëndë, në lidhje me zjarret shkatërruese pyjore pranë Bejas, Jijel dhe Tizi-Ouzou.

“Pesë vdekje u regjistruan në Jijel, katër në Beja dhe tri në Tizi-Ouzou”, sipas Sayoud.

Videot e zjarreve u shpërndanë në mediat sociale gjatë natës, veçanërisht nga qytetarët e bllokuar nga flakët.

Dhjetëra banorë u evakuuan, veçanërisht në Jijel dhe Beja.

Në Jijel, shumë familje u strehuan në plazhe ose në zonat urbane të kursyera nga zjarret, sipas videove të postuara në internet, që AFP nuk mundi t’i verifikonte menjëherë.

Sot, 46 zjarre ishin ende aktive nga 193 të regjistruara në 24 orë, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Ministri i Brendshëm dhe ministri i Shëndetësisë, Mohamed Seddik Ait Messaoudene, vizituan Bejan dhe Jijelin, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve APS.

Sipas xhandarmërisë, tre rrugë kryesore që lidhin këto rajone lindore mbetën të mbyllura edhe sot.

Çdo verë, verilindja e Algjerisë preket nga zjarret në pyje, një fenomen i përkeqësuar nga thatësirat dhe valët e nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta, të nxitura nga ndryshimet klimatike.

Në korrik, autoritetet regjistruan gati 2 000 zjarre, duke rezultuar në të paktën gjashtë vdekje, dhe gati 2 000 të tjera midis majit dhe qershorit.

Në vitet e fundit, zjarret e mëdha kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në Algjeri, kanë shkatërruar mijëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore si dhe shumë shtëpi./mxh

21:10 Mladiç alias simboli i mizorisë në kohë lufte

By: Monika
27 August 2026 at 21:10

Ratko Mladiç, i cili vdiq sot në Hagë, e konsideronte veten si hero të popullit serb, por për drejtësinë ndërkombëtare ai përfaqësonte kuintesencën e së keqes për krimet e kryera nga forcat nën urdhrat e tij gjatë luftës në Bosnje, nga rrethimi i Sarajevës deri te masakra e Srebrenicës.

Mladiç kaloi vitet e fundit në burg, pasi u arrestua në vitin 2011 dhe u dënua në vitin 2017 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnje, i cili shkaktoi 100 000 të vrarë midis viteve 1992 dhe 1995.

Dënimi u konfirmua në apel më 8 qershor 2021.

Mes këtyre mizorive ishte masakra e 8 000 burrave dhe adoleshentëve myslimanë në Srebrenicë, një gjenocid sipas drejtësisë ndërkombëtare dhe masakra më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ish-Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al Hussein, e kishte përshkruar ish-gjeneralin si kuintesencën e së keqes.

I arrestuar në vitin 2011 pas 16 vitesh arrati, ushtari trupvogël dhe arrogant e përfundoi jetën në qeli, si një plak i sëmurë.

Por, deri në vdekjen e tij, ai mbeti në sytë e një pjese të komunitetit serb lajmëtari i kauzës së popullit serb.

”Të vizatosh me gjak”

Në Beograd, emri ose fytyra e tij janë vizatuar me grafite në dhjetëra mure.

“Unë jam gjenerali Mladiç. Kam mbrojtur vendin tim dhe popullin tim”, kishte deklaruar ai që në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIJ), i cili u mbyll në vitin 2017.

Për pjesën tjetër, ky burrë, herë i zemëruar dhe brutal, herë i gëzuar dhe gazmor, sipas atyre që e kanë njohur, kishte shpjeguar një ditë se kufijtë “gjithmonë janë vizatuar me gjak dhe shtetet janë përcaktuar me varre”.

Ai konsiderohet arkitekti i tretë i spastrimit etnik gjatë luftës që e ndau Bosnjën sipas vijave të ndarjeve komunitare.

Nga Beogradi, presidenti Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në paraburgim në vitin 2006, ndezi Ballkanin me retorikën e tij “serbomadhe”, ndërsa manovronte me komunitetin ndërkombëtar; në “kryeqytetin” e tij në Pale, pranë Sarajevës, psikiatri Radovan Karaxhiç, ideologu i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2019 me burgim të përjetshëm, përhapte propagandën e tij fanatike.

Ratko Mladiç ishte krahu i tyre i armatosur, i vetmi nga treshja i lindur në Bosnje, më 12 mars 1943, sipas pretendimit të tij, ndërsa drejtësia ndërkombëtare e konsideron vitin 1942 si vitin e lindjes.

– Ushtari nga fshati –

Jetim i një partizani të vrarë nga ustashët kroatë pro-nazistë, ai e kuptoi shumë herët se donte të bëhej ushtar dhe në moshën 22-vjeçare u bë një nga oficerët më të rinj të ushtrisë jugosllave.

Kur shpërtheu lufta, pasi kishte luftuar kundër kroatëve, ai u transferua shpejt në Bosnje, kryeqyteti i së cilës, Sarajeva, iu nënshtrua një rrethimi prej gati katër vitesh.

Më shumë se 10 000 banorë, përfshirë disa qindra fëmijë, do të vriteshin nga plumbat e snajperëve ose predhat që binin nga lartësitë e mbajtura nga forcat e Mladiçit.

Megjithatë, shumë serbë të Bosnjës i relativizojnë, madje i mohojnë, mizoritë e kryera.

Mbështetësit e tij vazhdojnë të përhapin imazhin e një ushtari nga fshati, të dashuruar me tokën e tij, respektues të kodeve të nderit ushtarak, i cili nuk kishte si objektiv tjetër veçse një Jugosllavi të bashkuar dhe më pas mbrojtjen e “popullit të tij” kundër atyre që ai i quante “turq”, boshnjakët myslimanë.

Më 8 janar 2024, disa dhjetëra tifozë futbolli, të mbledhur në urën e famshme të Vishegradit, në lindje, për të festuar përvjetorin e entitetit serb, brohoritën emrin e gjeneralit ndërsa hidhnin një fishekzjarr të madh. Po atë mbrëmje, gjatë një ceremonie zyrtare në Banja Luka, në veri, me të njëjtin rast, përmendja e emrit të tij dhe atij të Karaxhiçit nga udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u prit me duartrokitje të gjata.

”Hakmarrje ndaj turqve”

Në vitin 1994, vajza e tij Ana, studente e mjekësisë, vrau veten.

Disa dëshmitarë kanë vlerësuar se Ratko Mladiç ishte bërë më brutal pas vdekjes së saj, e cila ndodhi një vit para Srebrenicës.

Pas marrjes së enklavës myslimane nga trupat e tij në korrik 1995, ai shfaqet në pamjet e kohës duke iu drejtuar grave dhe të moshuarve.

“Mos kini frikë. Ngadalë, ngadalë, lërini gratë dhe fëmijët të largohen të parët”, u thotë ai. Në një tjetër pamje shihet duke i prekur me dorë faqen një fëmije të vogël boshnjak, në mënyrë atërore.

Pamje të tjera e tregojnë në Srebrenicë me qëndrim luftarak, duke u gëzuar për këtë “hakmarrje ndaj turqve”.

Pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it, Ratko Mladiç qëndroi në Bosnje, i mbrojtur në strehën e tij në Han Pijesak, një bazë gjysmë e futur nën tokë në një pyll me pisha në lindje të vendit.

Më pas u vendos në Beograd, i mbrojtur nga ushtria.

Zyrtarisht i kërkuar, ai nuk fshihej shumë, krasiste trëndafilat, shkonte në furrë buke, darkonte në restorant dhe ndiqte ndeshje futbolli. Kur Milosheviçi u largua nga pushteti në vitin 2000, Mladiç kaloi në ilegalitet.

Arrestimet dobësuan rrjetet e tij dhe, për Serbinë, e cila synonte të hynte në Bashkimin Evropian, ai u bë një problem.

Më 26 maj 2011, ai u kap te një kushëri në një fshat në veri të Serbisë dhe më pas u dorëzua.

Para transferimit të tij në Hagë, ai kishte kërkuar të shkonte te varri i vajzës së tij, Ana./mxh

20:58 Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen kundërshtarët

By: Monika
27 August 2026 at 20:58

Barcelona dhe Bayern Munich kanë mësuar tetë kundërshtarët për fazën e ligës në Champions League.

Katalanasit do të përballen me Manchester City, Paris Saint-Germain, Aston Villa, Sporting CP, Feyenoord, Galatasaray, Como dhe Sabah.

Bavarezët do të përballen me Arsenal, Atlético Madrid, Real Betis, Manchester United, Bodo/Glimt, Lille, Slavia Praha dhe Viking./mxh

Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen

Shorti/ Barça-City në start, Bayern rigjen Arsenalin. Zbulohen

20:47 Shkolla ‘Kolë Idromeno’ në Shkodër gati për vitin e ri arsimor, Rama: Investimet vijojnë edhe në tre shkolla të tjera

By: Monika
27 August 2026 at 20:47

Shkolla “Kolë Idromeno” në Shkodër është gati të presë nxënësit për vitin e ri shkollor, pas ndërhyrjeve për përmirësimin e ambienteve dhe kushteve të mësimit. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili publikoi pamje nga shkolla e rinovuar.

Rama tha se ndërkohë vijojnë punimet në shkollën “Ismail Qemali”, ndërsa në muajt në vijim investimet do të shtrihen edhe në shkollën “Skënderbej” dhe gjimnazin “Oso Kuka”.

“Shkolla ‘Kolë Idromeno’ në Shkodër, gati për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor. Ndërkohë, vijojnë punimet në shkollën ‘Ismail Qemali’, ndërsa në muajt në vijim investimet do të shtrihen edhe në shkollën ‘Skënderbej’ dhe gjimnazin ‘Oso Kuka’”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, investimet synojnë krijimin e shkollave moderne dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafet pedagogjike në Shkodër./mxh

20:38 Situata e zjarreve në vend/ Riaktivizohet vatra në Malin e Dajtit, ndërhyrje e gjerë në Dibër

By: Monika
27 August 2026 at 20:38

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 8 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar struktura operacionale vendore dhe qendrore, përfshirë MZSH, Forcat e Armatosura, ADZM/AZM, shërbimin pyjor, Policinë e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë. Në mbështetje të operacioneve tokësore janë aktivizuar 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.

Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të 3 vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga 1 helikopter i FA. Ndërhyrja ka vijuar në terren të vështirë, ndërsa vatra mbetet aktive.

Angazhimi më i gjerë tokësor është regjistruar në qarkun Dibër.

Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca: 8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë, duke punuar me prita dhe pompa shpine.

Në Vajkal janë angazhuar forcat zjarrfikëse, 4 forca pyjore, 5 policore, 6 bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë, ndërsa për shkak të erës operacioni është mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA.

Në Sllatinë, Dibër, janë angazhuar 10 zjarrfikës, 4 forca të ADZM-së, 5 forca të njësisë administrative dhe 7 vullnetarë. Për shkak të terrenit të thyer dhe malor, forcat kanë lëvizur me mjete 4×4 dhe operacioni është mbështetur gjithashtu nga 1 helikopter i FA.

Në Arrmollë janë angazhuar 4 forca dhe 1 autobot uji, duke bërë të mundur normalizimin e situatës pa rrezik për banesat e tjera.

Në Ungrej, Lezhë, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 7 forca operacionale, 6 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Ndërhyrja përfundoi me shuarjen e plotë të vatrës.

Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara./mxh

20:36 Vendet nordike shqyrtojnë bashkimin e bursave në një treg të vetëm rajonal

By: Monika
27 August 2026 at 20:36

Një grup i kompanive dhe investitorëve më të mëdhenj të vendeve nordike po shqyrton mundësinë që Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda të bashkojnë bursat e tyre kombëtare në një treg të vetëm rajonal, me synimin për të rritur likuiditetin dhe për të tërhequr më shumë kompani për t’u listuar në bursë. Ideja për krijimin e një burse të vetme për të gjithë rajonin nordik është rikthyer në diskutim. Raportimet e së mërkurës, duke iu referuar personave në dijeni të diskutimeve, thanë se aleanca e biznesit Nordic Compass po shqyrton disa mundësi, përfshirë bashkimin e bursave kombëtare të Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë dhe Finlandës, si dhe harmonizimin e kuadrit të tyre rregullator.
Nordic Compass i tha Euronews se po analizon një sërë mundësish, por se puna është ende në fazat paraprake. “Grupi i Nordic Compass për tregjet e kapitalit po punon për të përmirësuar mundësitë për sigurimin e kapitalit, me synim mbështetjen e konkurrueshmërisë në të gjitha fazat, nga kompanitë e reja, kapitali sipërmarrës, rritja dhe zgjerimi i bizneseve, deri te ofertat publike fillestare (IPO), si dhe ekosistemin për listimet e kompanive nordike”, tha Christian Clausen, drejtues i grupit të aleancës për tregjet e kapitalit dhe kryetar i BlackRock për vendet nordike.

“Kjo përfshin analizimin e një sërë nismash të mundshme, përfshirë çështjet që lidhen me likuiditetin. Puna është ende në një fazë eksploruese dhe nuk është arritur ende asnjë marrëveshje për iniciativa apo përfundime konkrete”, shpjegoi Clausen për Euronews.

Nordic Compass u krijua në maj si një aleancë pan-nordike e biznesit, ku bëjnë pjesë më shumë se 25 kompani, fondacione dhe organizata, mes tyre Wallenberg Investments, EQT, Nordea, SEB, Nasdaq Nordic, Ericsson, Nokia, Saab, Orsted dhe Novo Nordisk Foundation.

E drejtuar nga ish-kryeministri finlandez Jyrki Katainen, aleanca punon në katër fusha: tregjet e kapitalit, teknologjitë e avancuara, mbrojtja dhe energjia.

Nismat e para të aleancës pritet të prezantohen në një samit që do të mbahet në Goteborg më 4 dhe 5 nëntor, ku raportohet se mund të paraqitet edhe propozimi për tregjet e kapitalit.

Fondet nordike të pensioneve dhe investitorët sovranë menaxhojnë rreth 4 trilionë dollarë (3.43 trilionë euro) dhe marrin më shumë se 175 miliardë dollarë në vit, por ky kapital është i shpërndarë në katër tregje të veçanta dhe jo i bashkuar në një treg të vetëm.

Kush i zotëron bursat?

Çdo bashkim do të kërkonte bashkëpunimin e tre aktorëve që nuk janë drejtpërdrejt nën drejtimin e aleancës.
Nasdaq operon shumicën e bursave kombëtare të rajonit, Euronext zotëron bursën e Oslos, ndërsa Euroclear luan një rol qendror në shlyerjen e transaksioneve me tituj financiarë në vendet nordike.

Nasdaq nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Euronext, nga ana tjetër, sinjalizoi gatishmëri për të bashkëpunuar. Kompania i tha Euronews se, përmes Oslo Børs, depozituesve të saj të titujve në Norvegji dhe Danimarkë, Nord Pool dhe Admincontrol, ajo ka një prani të konsoliduar në rajonin nordik dhe është “në dialog me Nordic Compass për të kontribuar potencialisht në masa praktike”.

“Euronext mirëpret nismat që synojnë t’i bëjnë tregjet nordike të kapitalit edhe më konkurruese në nivel global”, shtoi operatori i bursës.

“Rajoni tashmë përfiton nga tradita të forta të tregjeve financiare, investitorë të sofistikuar dhe ekosisteme lokale të suksesshme. Mundësia është të ndërtojmë mbi këto pika të forta, duke e bërë më të lehtë qarkullimin e kapitalit përtej kufijve”, tha një zëdhënës i grupit për Euronews.

Euronext iu referua gjithashtu strukturës së saj shumëkombëshe si një model të mundshëm.

“Përvoja jonë tregon se likuiditeti më i madh, teknologjia e përbashkët dhe rregullat e harmonizuara mund të sjellin përfitime për kompanitë emetuese dhe investitorët, ndërsa modeli ynë federal i mban bursat lokale pranë tregjeve të cilave u shërbejnë”, përfundoi operatori i bursës.

Ajo që mund të dalë nga samiti në Goteborg në nëntor do të tregojë nëse puna eksploruese ka prodhuar diçka më konkrete sesa thjesht analiza.

19:59 Nis evidentimi i dëmeve nga zjarret, në Pukë po vlerësohen dëmet në pyje, banesa dhe rrjetin ujitës

By: Monika
27 August 2026 at 19:59

Teksa situata në territorin e Bashkisë Pukë është normalizuar gjatë dy ditëve të fundit sa i takon vatrave të zjarrit, pasojat e shkaktuara nga flakët mbeten të mëdha. Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, thotë se situata e krijuar gjatë ditëve të fundit ka qenë e vështirë, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe terrenit të vështirë. Sipas tij, ndërhyrja e forcave në terren, e mbështetur edhe nga ajri, ka bërë të mundur shuarjen e vatrave dhe vënien nën kontroll të situatës.

“Krahas një pune kolosale që u bë me të gjitha strukturat e Bashkisë Pukë, me MNZ-në, me AKMC-në dhe me forcat e ushtrisë, falë edhe punës së mirë që bënë forcat ajrore, të cilat punojnë në terren prej gjashtë ditësh me radhë, gjendja rezulton sot, në ditën e 11-të, e përmirësuar në të gjitha vatrat e zjarrit”, u shpreh Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë.

Pas përmirësimit të situatës, Bashkia Pukë ka nisur një tjetër fazë, atë të evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve. Është ngritur grupi i punës, i cili po verifikon në terren pasojat e zjarreve, jo vetëm në sipërfaqet pyjore, por edhe në banesa dhe prona të tjera të prekura.

“Sot, Bashkia Pukë, në ditët në vijim, duke parë edhe gjendjen e përmirësuar, totalisht themi se do të bëjmë takimin e radhës me Shtabin e Emergjencave dhe do të dalim në terren për të bërë verifikimin e këtyre dëmeve që janë shkaktuar nga zjarri. Komisionet e ngritura nga Bashkia Pukë do të ndjekin çdo hap ligjor për të identifikuar këto probleme”, tha Dodaj.

Përtej bilancit të dëmeve materiale, strukturat vendore vijojnë monitorimin e territorit, me qëllim shmangien e riaktivizimit të vatrave të zjarrit. Ndërkohë, procesi i evidentimit pritet të japë një pasqyrë më të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në territorin e Pukës./mxh

19:44 Verë “e nxehtë” politike/ Berisha: U dogjën teserat e PS-së, Rama doli me Sadushin e partisë

By: Monika
27 August 2026 at 19:44

Kryedemokrati Sali Berisha po drejton pasditen e sotme mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal te vera politike, që e cilësoi si të “nxehtë” për disa arsye.

Ndër to, kryetari i PD-së veçoi djegien e teserave të Partisë Socialiste nga protestat e qytetarëve, si dhe daljen e përbashkët publike të kryeministrit Edi Rama me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në një festival në Vajzë të Selenicës.

“Vera që po lëmë pas do të jetë si vera që dogji Edi Ramën. Jemi në fund të muajit gusht. Një verë aq përvëluese, që muaj pas muaji e javë pas jave, ka shkriurë narkoshtetin dhe padrinon Edi Rama. Zjarret dogjën Shqipërinë si rrallë ndonjë vit më parë. Pothuajse nuk u menaxhuan fare. Dogjën edhe më shumë se kaq, teserat e partisë së krimit, pa llogaritur edhe mijëra që u dogjën në bulevardin e Tiranës. Kjo erë shkriu plotësisht propagandën. Rama me Sadushin e partisë ndiqte festivalet në Vajzë. Kjo verë shkriu edhe propagandën e turizmit, sepse u baronët e tyre mbrohen nga Edi Rama”-,-tha Berisha./mxh

19:38 Kundërshtarë të vështirë për Interin, çfarë vendosi shorti i Champions League

By: Monika
27 August 2026 at 19:38

Interi ka mësuar tetë kundërshtarët e tij për fazën e ligës në Champions League.

Zikaltërit do të përballen në këtë rund me Liverpool, Real Madrid, Club Brugge, Borussia Dortmund, Shakhtar Donetsk, Feyenoord, Stuttgart dhe Slovan Bratislava.

Kundërshtarët i ka mësuar edhe Manchester City. Anglezët do të përballen me Paris Saint-Germain, Barcelona, Sporting CP, Porto, Napoli, RB Leipzig, AEK Athens dhe Lens./mxh

Kundërshtarë të vështirë për Interin,

Kundërshtarë të vështirë për Interin,

19:26 Nga Inter tek Arsenal, Real Madrid mëson kundërshtarët

By: Monika
27 August 2026 at 19:26

Real Madrid ka mësuar tetë kundërshtarët e tij për fazën e ligës në Champions League.

Madrilenët do të përballen në këtë rund me Inter, Arsenal, PSV Eindhoven, Roma, RB Leipzig, Shakhtar Donetsk, LASK dhe AEK Athens.

Përgjatë kësaj faze, skuadra do të zhvillojë tetë ndeshje, ku katër prej tyre do t’i luajë në shtëpi dhe katër në transferta.

Sfidat do të jenë përcaktuese për renditjen e përgjithshme në tabelën me 36 ekipe për kalimin tutje./mxh

19:18 Ish-deputeti kritikon: “Revolucioni Flamingo” dhe “Shqipëria e Re”, përpjekje për destabilizim politik

By: Monika
27 August 2026 at 19:18

Ish-deputeti Edmond Spaho ka ndarë sot një qëndrim lidhur me forcat e përfolura destabilizuese të politikës në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spaho shprehet se “Revolucioni Flamingo” dhe “Shqipëria e Re” bëjnë pjesë te këto përpjekje.

Sipas Spahos, më e mira është që këto ngjarje të shërbejnë si indikatorë për njerëzit e thjeshtë, që të mos përdoren si “mish për top”.

“Media shkruan qe ka perpjekje te medha per te destabilizuar politikisht Shqiperine.

Nuk eshte dicka e veshtire per ta kuptuar. Fundi i procesit per integrimin europian te Shqiperise nenkupton intensifikimin e perpjekjeve per ta sabotuar kete proces.

Nuk eshte hera e pare qe forcat jo dashamirese ndaj Shqiperise, ne Europe dhe ne Lindjen e Mesme, te angazhohen ne nje beteje te tille.

Ka kohe qe po flitet per akte te mundeshme terroriste ne Shqiperi.

Revolucioni Flamingo dhe Shqiperia e Re, sipas mendimit tim, jane pjese organike e ketyre perpjekjeve.

Per fat te keq, ata qe i bejne te mundur keto skenare jane vete shqiptaret. Nje pjese sepse jane injorante funksionale, nje pjese jane aventuriere dhe pjesa tjeter, ajo me aktivja, sepse shiten per pak aspra. Ketu fus edhe spektrin politik qe ne mungese te plote te moralit, mbeshtet nje aventure te tille

Jo me kot, keto zhvillime ndodhin ne nje kohe kur shqiptaret e Kosoves e Maqedonise jane angazhuar per ti dhene nje dore destabilizimit te Shqiperise dhe kur prej pothuaj dy vjetesh, e kane lene Kosoven per mustaqet e Çelos pa president, pa institucione dhe pa shtet

Te shpresojme qe kjo ngjarje te mos jete ashtu si shkruhet. Se paku, le te sherbeje si indikator per njerezit e thjeshte qe te mos perdoren si mish per top nga aventurieret qe cdo nate kerkojne revolucion dhe permbysje te shtetit ende te dobet shqiptar.

Ka ende kohe qe institucionet e sigurise kombetare te tregojne se perse ekzistojne, qe po i sherbejne vendit dhe te godasin me dore te forte ata qe organizojne dhe financojne skenare te tille.

Shqiperia ka nevoje per paqe dhe reforma dhe jo destabilitet politik ne emer gjoja te ndryshimit”,-shkruan Spaho./mxh

19:10 Kanosi dhe fyeu gazetarët gjatë një proteste/ Procedohet penalisht aktivisti i Lapajt

By: Monika
27 August 2026 at 19:10

Policia e Korçës bën me dije se Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal ndaj shtetasit Arjan Asimi, 45-vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Ditën e sotme, gjatë protestës së organizuar nga shtetasi Arjan Asimi, përpara Bashkisë Maliq, ky shtetas kanosi dhe fyeu disa shtetas me profesion gazetarë, të cilët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme./mxh

18:58 Arrestohet në Londër Korado Gështënja, i kërkuar nga SPAK për çështjen Jan Prenga

By: Monika
27 August 2026 at 18:58

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Korado Gështënja, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, është arrestuar në Londër.

Arrestimi i tij është kryer me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ku ai kërkohet nga autoritetet e drejtësisë për t’u përballur me akuzat që lidhen me ngjarjen.

Sipas informacioneve paraprake, Gështënja dyshohet se gjatë qëndrimit në Angli ka përdorur një identitet të rremë, në përpjekje për t’iu shmangur autoriteteve.

Jan Prenga u rrëmbye në janar të vitit 2020 dhe prej atëherë vijon të mbetet i zhdukur. Çështja është një nga dosjet e bujshme të hetuara nga autoritetet shqiptare, ndërsa dyshimet e SPAK janë përqendruar te një grup personash të dyshuar për përfshirjen në rrëmbimin dhe zhdukjen e tij.

Pas arrestimit në Londër, pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e Gështënjës drejt Shqipërisë./mxh

18:57 “Do të kundërpërgjigjemi si një tërmet”, si do t’i reagojë Irani për sulmin ekonomik të Trumpit?

By: Monika
27 August 2026 at 18:57

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër hap për të goditur ekonominë e Iranit, ndërsa Teherani kërcënon me një përgjigje që mund të zgjerojë konfliktin dhe të rrisë presionin mbi SHBA-në dhe vendet e tjera.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi të hënën masa të reja kundër një rrjeti të krijuar nga Irani për të shmangur sanksionet amerikane. Masat përfshijnë sanksione dytësore ndaj partnerëve tregtarë të Iranit në sektorë si asetet digjitale, teknologjia dhe transporti detar.

Megjithatë, njoftimi i shumëpritur për masat e ashtuquajtura nga administrata Trump si “Dita D ekonomike” nuk solli sanksione aq të ashpra sa pritej. SHBA-ja vendosi kryesisht të zgjerojë dhe forcojë zbatimin e sanksioneve ekzistuese, ndërsa paralajmëroi masa më të forta ndaj vendeve që nuk ndërpresin lidhjet me Iranin.

Teherani, në vend që të tërhiqet përballë presionit amerikan, ka paralajmëruar se mund të shkaktojë dëme ekonomike dhe ushtarake në rajon. Irani ka kërcënuar me sulme ndaj prodhuesve të naftës në Lindjen e Mesme dhe vendeve evropiane, ndërsa ka lënë të hapur edhe mundësinë e përdorimit të programit të tij bërthamor si mjet presioni.

“Ne kemi luajtur shah për një kohë të gjatë… gjithashtu kemi mësuar të luajmë poker. Tani, prej njëfarë kohe, po luajmë një kombinim të të dyjave”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei. “

Një nga mënyrat kryesore përmes së cilës Irani mund të kundërpërgjigjet është rritja e mëtejshme e çmimit të naftës. Për muaj me radhë, Irani ka penguar anijet që përdorin Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin e naftës dhe gazit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global.

Ndërkohë, aleati i Iranit në Jemen, grupi Houthi, ka hapur një front të ri në Detin e Kuq, duke goditur eksporte dhe infrastrukturë të naftës saudite. Tani zyrtarët e lartë ushtarakë iranianë kërcënojnë se mund të godasin edhe objektiva energjetike jashtë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë rrugët alternative që përdoren nga vendet e Gjirit për të eksportuar naftën.

“Nëse lufta ekonomike vazhdon, asnjë pikë nafte nuk do të eksportohet, as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as nga ndonjë vend tjetër në Gjirin Persik. Ne do të kundërpërgjigjemi në një mënyrë të ngjashme me një tërmet”, shkroi në X Mohsen Rezaei, drejtues i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Çdo sulm i ri apo ndërprerje e transportit detar mund të çojë në rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore dhe, si pasojë, edhe të çmimeve të karburanteve në SHBA. Me ndihmën e marinës amerikane, kompanitë e naftës nga Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur të çaktivizojnë sinjalet identifikuese të tankerëve për të shmangur zbulimin nga autoritetet iraniane. Megjithëse eksportet vazhdojnë, trafiku përmes Hormuzit mbetet shumë më i ulët se para luftës.

Arabia Saudite ka zhvendosur rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë përmes një tubacioni që kalon drejt Detit të Kuq, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit. Prodhues të tjerë të naftës në Lindjen e Mesme kanë zhvendosur rreth 2 milionë fuçi në ditë përmes rrugëve alternative.

Irani ka sinjalizuar se këta tankerë mund të jenë objektiv i sulmeve. Autoritetet iraniane kanë publikuar një listë me 45 anije që, sipas tyre, nuk respektojnë rregullat e vendosura për lundrimin në Hormuz. Teherani ka paralajmëruar se anijet që shkelin këto rregulla mund të përballen me “gjoba, ndalim ose konfiskim”. Irani mund të zgjerojë gjithashtu shtrirjen gjeografike të konfliktit duke përdorur raketat e tij kundër objektivave më larg territorit iranian.

Të hënën, Ministria e Jashtme iraniane iu referua avionëve amerikanë të furnizimit me karburant që po largoheshin nga territori i Bullgarisë dhe paralajmëroi se Teherani mund të godasë këtë vend, i cili është edhe anëtar i NATO-s.

“Irani ka të drejtën legjitime të godasë pikën e origjinës dhe burimin e çdo akti agresioni”, tha Baghaei të hënën. Ai shtoi se Teherani ka bërë të qartë se çdo veprim që konsiderohet si mbështetje për agresionin ushtarak amerikan dhe izraelit ndaj Iranit përbën, sipas ligjit ndërkombëtar, pjesëmarrje në një akt agresioni.

Gjatë luftës, Irani ka kryer sulme në 11 vende, kryesisht në rajonin e Gjirit. Irani besohet gjithashtu se ka sulmuar një bazë të përdorur nga forcat britanike në Qipro dhe ka treguar se mund të arrijë me raketa edhe ishuj të përdorur nga forcat amerikane në Oqeanin Indian, qindra kilometra larg.

Një sulm ndaj një vendi të aleancës amerikane dhe një shteti anëtar të BE-së dhe NATO-s, si Bullgaria, do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit./mxh

18:56 Dy të vdekur pas një “incidenti të dhunshëm” në një shkollë pranë Berlinit

By: Monika
27 August 2026 at 18:56

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

Dy persona kanë humbur jetën pas një “incidenti të dhunshëm” në një shkollë pranë Berlinit, raportuan të enjten mediat lokale. Viktimat janë një nxënëse 18-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar.

Sipas transmetuesit publik rajonal RBB dhe një gazete lokale, alarmi u dha në një shkollë të mesme në qytetin Gosen-Neu Zittau, pranë kryeqytetit gjerman.

Gazeta Märkische Allgemeine raportoi se i dyshuari i arrestuar është 19 vjeç dhe ish-i dashuri i viktimës 18-vjeçare. Sipas raportimit, 30-vjeçari humbi jetën teksa përpiqej të ndërhynte në incident, ndërsa ende nuk është bërë e qartë nëse është përdorur ndonjë armë apo nëse ka persona të tjerë të plagosur.

Policia kishte konfirmuar më herët vetëm se dy persona kishin pësuar plagë të rënda, se forcat e rendit ndodheshin në vendngjarje dhe se një i dyshuar ishte arrestuar.

Pamjet nga zona pranë shkollës së mesme private tregonin një ambulancë dhe dhjetëra mjete të shërbimeve të emergjencës, ndërsa në operacion u angazhuan edhe helikopterë shpëtimi.

Muajin e kaluar, dy vajza u plagosën rëndë në një sulm në një shkollë të mesme në jug të Gjermanisë, ndërsa një 16-vjeçar u arrestua si i dyshuar. Autoritetet thanë në atë kohë se ai po kalonte një “urgjencë të shëndetit mendor”. Rasti në Gosen-Neu Zittau është ende në zhvillim dhe priten detaje të tjera.

18:56 Skandali letrar i vitit? “Life of M” i Rachel Cusk dhe drama me Natalie Portman

By: Monika
27 August 2026 at 18:56

Last Updated on 27/08/2026 by Monika

A është vërtet Natalie Portman personazhi kryesor i romanit të ri të Rachel Cusk? Apo kemi të bëjmë me një dramë letrare të krijuar për të nxitur interesin dhe për të rritur shitjet?

Një nga botimet letrare më të diskutuara të javës, madje të vitit, është “Life of M”, romani i ri i shkrimtares britanike Rachel Cusk.

E njohur për romanet “The Lucky Ones”, trilogjinë “Outline”, “Transit” dhe “Kudos”, “Second Place”, si dhe për “Parade”, fitues i Goldsmiths Prize, Cusk nuk është një emër që zakonisht lidhet me polemika të bujshme apo thashetheme. Megjithatë, këtë herë situata është ndryshe dhe pyetja që po qarkullon më shumë është: a është personazhi M një version i fiksionalizuar i Natalie Portman?

Romani, i përshkruar nga botuesi Farrar, Straus and Giroux si një “hetim i zjarrtë mbi famën, pushtetin, bukurinë dhe të vërtetën”, ka bërë që kritikët dhe lexuesit të pyesin nëse bëhet fjalë për një portret të maskuar, por jo edhe aq mirë, të aktores fituese të “Oscar”-it.

“Life of M” ndjek një shkrimtare pa emër, e cila dëshiron të përdorë një aktore të famshme, M, si frymëzim për projektin e saj të ardhshëm letrar. Shkrimtarja përshkruan jetën e yllit të kinemasë dhe e paraqet atë si një person të distancuar dhe vetëkënaqur, që përpiqet të krijojë një imazh të afërt me publikun, ndërsa pas kësaj fasade fshihet një tjetër version i saj.

Tingëllon si një thumbim ndaj Portman?

Sipas disa kritikëve dhe lexuesve, po. Ngjashmëritë mes M dhe Portman janë konsideruar aq të shumta, sa është e vështirë të mos bëhen lidhje.

Që në faqet e para të romanit, M flet për përvojën e saj si aktore fëmijë, duke luajtur në një film që i dha fund menjëherë fëmijërisë së saj. Shumë lexues e kanë lidhur këtë me “Léon: The Professional”, filmin në të cilin Portman u përzgjodh në moshën 11-vjeçare dhe që u xhirua kur ajo ishte 13 vjeç.

Në roman, M tregon gjithashtu se prindërit e saj kërkuan që disa skena të hiqeshin nga skenari dhe se pas publikimit të filmit ajo u bullizua në shkollë. Të dyja këto detaje janë treguar publikisht edhe nga Portman.

Më pas vjen një tjetër detaj që ka ushqyer spekulimet. M përmend rolin kryesor në një film për një vajzë të re të përzgjedhur për të luajtur në një balet. Lexuesit nuk vonuan ta lidhin këtë me “Black Swan”, filmin ku Portman luajti një balerinë të trazuar psikologjikisht dhe për të cilin fitoi “Oscar”-in për aktoren më të mirë.

Lista e ngjashmërive vazhdon dhe pikërisht këto detaje kanë bërë që mediat dhe lexuesit të pyesin nëse M është në të vërtetë Portman, edhe pse emri i aktores nuk përmendet në roman.

Spekulimet janë shtuar edhe nga fakti se ngjarjet zhvillohen në një qytet të paemërtuar që duket se është Parisi, ndërsa si Cusk, ashtu edhe Portman jetojnë në kryeqytetin francez. Portman ka qenë gjithashtu prej vitesh një admiruesе e punës së Cusk. Ajo ka përzgjedhur libra të shkrimtares për klubin e saj online të librave dhe e ka ftuar Cusk në një diskutim në vitin 2022. Në një intervistë për GQ në vitin 2023, Portman tha se kishte qenë “e mahnitur” kur ishte takuar me Cusk.

Nga frymëzim letrar në tradhti personale?

Cusk dhe ekipi i saj kanë zgjedhur të mos japin shumë shpjegime për lidhjen e mundshme mes M dhe Portman. Vetë autorja ka thënë se furia mediatike rreth romanit është bërë shumë stresuese për të, pasi po e shndërron një vepër letrare në një lloj “gjyqi” mbi faktet.

Cusk ka këmbëngulur se romani duhet të lexohet si një vepër letrare dhe se vetë libri e shpjegon dhe e mbron mjaftueshëm atë që përpiqet të thotë.

Por atëherë, a kemi vërtet të bëjmë me skandalin letrar të vitit? Apo kemi përpara një rast ku një polemikë e krijuar rreth një romani është shndërruar në një strategji jashtëzakonisht efektive marketingu?

E vërteta është se “Life of M” është bërë një nga romanet më të përfolura të këtij sezoni, pikërisht për shkak të pyetjes që vazhdon të qarkullojë: është M Natalie Portman apo jo?

Ironikisht, kjo mund të jetë edhe pjesa më problematike e gjithë historisë. Spekulimet rreth Portman mund të marrin aq shumë vëmendje sa të lënë në hije vetë romanin dhe shkrimin e Cusk. Disa lexues mund ta marrin librin për dramën dhe thashethemet, jo për atë që autorja ka dashur të thotë për famën, identitetin, pushtetin dhe mënyrën se si njerëzit shndërrohen në personazhe të historive të të tjerëve.

Dhe duke pasur parasysh talentin letrar të Rachel Cusk, ndoshta pikërisht kjo është skandali i vërtetë.

“Life of M”, nga Rachel Cusk, botohet nga Farrar, Straus and Giroux dhe është tashmë në qarkullim.

❌