Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat pranë stacionit hekurudhor të Lewes, në East Sussex të Anglisë së jugut. Disa prej vagonëve janë përmbysur, ndërsa pasagjerë raportohet se kanë mbetur të bllokuar brenda tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:54 me kohën lokale, ndërsa në vendngjarje janë nisur menjëherë ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit.
Sipas raportimeve të Sky News, deri tani nuk ka viktima, ndërsa personat e plagosur nuk raportohet të jenë në gjendje të rëndë. Megjithatë, operacioni i shpëtimit vijon për të nxjerrë personat që kanë mbetur të bllokuar në tren.
Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë vagonë të përmbysur dhe dëmtime të shinave, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në zonën e aksidentit.
Incidenti ndodhi në një ditë kur Britania po përjeton temperaturat më të larta të vitit, me termometri që në disa zona ka arritur deri në 38°C. Shkaqet e daljes së trenit nga shinat nuk janë bërë ende të ditura dhe pritet të hetohen nga autoritetet./mxh
Hungaria po përshpejton ndërtimin e një pragu të ulët mbi lumin Danub, me qëllim rritjen e nivelit të ujit dhe garantimin e ftohjes së centralit bërthamor të Paksit, ndërsa thatësira e fortë ka ulur ndjeshëm prurjet e lumit.
Kryeministri hungarez Peter Magyar tha sot se punimet për strukturën kanë nisur dhe se ajo do të ndihmojë në mënyrë të qëndrueshme në ngritjen e nivelit të Danubit pranë centralit.
Paks ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Budapestit dhe zakonisht siguron të paktën një të tretën e konsumit të energjisë elektrike të Hungarisë.
Situata është përkeqësuar nga temperaturat e larta dhe thatësira, të cilat kanë prekur Danubin, Renin dhe lumenj të tjerë të mëdhenj në Evropë.
Në Paks vetëm dy nga tetë turbinat po funksionojnë.
Nëntë ditë më parë centrali ishte pranë mbylljes së plotë, pasi funksionimi i turbinës së fundit varej nga vetëm disa milimetra ndryshim në nivelin e ujit.
Përpara përfundimit të pragut, autoritetet do të përdorin dy platforma 80 metra të gjata, të vendosura njëra pas tjetrës dhe pingul me rrjedhën e lumit.
Ato do të fundosen qëllimisht për të krijuar një efekt fillestar bllokues dhe për të rritur nivelin e ujit.
Struktura përfundimtare do të ndërtohet me rreth 185 mijë metra kub gurë.
Sipas kryeministrit Magyar, ushtarët hungarezë po punojnë gjatë gjithë kohës dhe ndërtimi pritet të përfundojë brenda katër javësh.
Pragu i ri pritet të rrisë nivelin e Danubit me rreth 1,2 metra përpara sistemit të ftohjes së centralit.
Kostoja e projektit vlerësohet në rreth 6,0 miliardë forinta, ose afërsisht 19 milionë dollarë.
Ndërkohë, problemet e nivelit të ulët të Danubit kanë prekur edhe centralin bërthamor të “Cernavoda” në Rumani.
Autoritetet rumune njoftuan sot mbylljen e reaktorit të dytë për shkak të mungesës së ujit të mjaftueshëm për ftohje, ndërsa reaktori i parë ishte fikur që në fund të korrikut./mxh
Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Manchester City ka arritur marrëveshje për shitjen e Tijjani Reijnders te Al Qadsiyah, një transferim që mund t’i sjellë një përfitim të dyfishtë financiar Milanit falë një klauzole të veçantë në marrëveshjen e kaluar.
Mesfushori holandez iu bashkua Cityt nga Milani verën e kaluar për një shumë fikse prej 55 milionë eurosh, me mundësinë e 14 milionë eurove të tjera në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet dhe objektivat.
Megjithatë, sipas La Gazzetta dello Sport, Milani kishte përfshirë një klauzolë shumë interesante në marrëveshje.
Nëse City do ta shiste Reijndersin brenda vitit të parë pas largimit nga ‘San Siro’, atëherë klubi italian do të përfitonte automatikisht të gjitha 14 milionë eurot e bonuseve, pavarësisht nëse kushtet për aktivizimin e tyre ishin përmbushur apo jo.
Duke qenë se City raportohet se ka rënë dakord për shitjen e tij te Al Qadsiyah për rreth 60 milionë euro, kjo do të ishte një goditje e fortë financiare për Milanin, i cili do të arkëtonte edhe 14 milionë euro të tjera.
Megjithatë, transferimi nuk është ende i sigurt. Reijnders duhet të japë miratimin për kalimin në Arabinë Saudite, ndërsa thuhet se ai mund të preferojë të qëndrojë në Evropë.
Për 28-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Nottingham Forest, Galatasaray dhe Juventus.
Sidoqoftë, për Milanin destinacioni nuk është i rëndësishëm: nëse Reijnders largohet nga City gjatë kësaj vere, 14 milionë euro do të përfundojnë në arkat e klubit italian.//et
Zgjerimi i Bashkimit Europian po hyn në një fazë vendimtare, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që po i afrohen me shpejtësi anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në procesin e integrimit, sipas Euronews.
Paralelisht, Brukseli po përgatitet për reforma të rëndësishme në mënyrën se si funksionon Unioni, në një përpjekje për t’iu përshtatur një BE-je më të madhe dhe më komplekse.
“Për herë të parë që nga Brexit, Bashkimi Europian ka një mundësi reale për të rifilluar zgjerimin. Ndërsa vende si Mali i Zi dhe Shqipëria po i afrohen vijës së finishit dhe shtetet e tjera kandidate e shohin anëtarësimin si një garanci për stabilitet dhe siguri, ambiciet e Brukselit pritet të përballen me një sërë sfidash politike dhe strategjike”, shkruan Euronews.
Procesi i zgjerimit po përjeton një hov të pazakontë. Disa prej vendeve kandidate më të avancuara janë pranë përfundimit të negociatave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për t’u shkëputur nga ndikimi i Moskës. Në të njëjtën kohë, Islanda po shqyrton mundësinë e rifillimit të negociatave për anëtarësim.
Situata nuk ka qenë kaq premtuese prej vitesh. Zyrtarë europianë kanë deklaruar se gjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa gjatë dekadës së fundit.
Brukseli po e përdor gjithnjë e më shumë perspektivën e anëtarësimit si një instrument të politikës së jashtme, me synimin për të konsoliduar ndikimin në fqinjësinë e tij, për të forcuar garancitë e sigurisë dhe për të ankoruar stabilitetin në një klimë të paqëndrueshme gjeopolitike.
Megjithatë, sa më konkrete bëhet perspektiva e një Bashkimi Europian të zgjeruar, aq më shumë shtohen pyetjet mbi mënyrën se si do të funksionojë Unioni me një numër më të madh shtetesh anëtare.
Një prej çështjeve kryesore që duhet të marrë në konsideratë procesi i zgjerimit është ekuilibri gjeografik, veçanërisht pas zgjerimit të madh të vitit 2004. Në atë kohë, 10 shtete të reja nga Europa Qendrore dhe Lindore iu bashkuan BE-së, duke krijuar shqetësime në disa kryeqytete të Europës Perëndimore se qendra e gravitetit të Unionit po zhvendosej shumë drejt lindjes.
Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy kandidatët më të avancuar aktualisht, nuk pritet ta ndryshojnë ndjeshëm këtë ekuilibër, për shkak të peshës së tyre të kufizuar demografike dhe ekonomike. Megjithatë, përparimi i tyre ngre një çështje më delikate: si do të menaxhohet Serbia, vendi më i madh i Ballkanit Perëndimor, i cili vijon të jetë një çështje përçarëse mes shteteve anëtare.
Vendet e ashtuquajtura “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” kanë ngritur pikëpyetje mbi konsideratat gjeopolitike që ndikojnë në procesin e pranimit të Beogradit. Sipas tyre, parimi i një procesi të bazuar në meritë nuk po zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha vendet kandidate.
Ndërsa rritet presioni për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të vitit, thirrjet për ruajtjen e një ekuilibri gjeografik pritet të shtohen. Kjo mund të bëjë që përparimi i Ukrainës të lidhet, të paktën pjesërisht, me atë të Serbisë.
Islanda mund të jetë një faktor i papritur në këtë ekuilibër. Vendi nordik po zhvillon një referendum, i hapur deri më 29 gusht, për të përcaktuar nëse do të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, Ukraina mbetet çështja më e rëndësishme dhe më komplekse. Kryeqytetet evropiane janë të vetëdijshme se një formë e anëtarësimit në BE ose garancive të sigurisë për Ukrainën do të duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme të paqes me Rusinë.
Pavarësisht madhësisë së ekonomisë, territori, popullsia dhe kapacitetet ushtarake të Ukrainës do ta bënin atë një shtet anëtar me peshë të konsiderueshme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Kjo do ta detyronte BE-në të rishikonte mënyrën se si funksionon një Union i zgjeruar.
Në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në vitin 2023, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi një rishikim të politikave të zgjerimit dhe një plan për mënyrën se si duhet të funksionojë një BE me 30 ose më shumë shtete anëtare.
Çështja mbeti për disa vite në plan të dytë, ndërsa kandidatura e Ukrainës e bëri procesin edhe më kompleks. Komisioni Evropian pritet ta publikojë planin më 30 shtator, në një përpjekje për të rikthyer në qendër të vëmendjes reformën e procesit të zgjerimit.
Që kur zgjerimi u rikthye në krye të axhendës së Brukselit, qeveritë evropiane kanë diskutuar mënyrat për të menaxhuar valën e ardhshme të vendeve kandidate. Propozimet përfshijnë garanci më të forta demokratike për anëtarët e rinj, duke marrë në konsideratë edhe përvojën e Hungarisë nën Viktor Orbán, si dhe forma të integrimit gradual që do t’u ofronin vendeve kandidate përfitime konkrete përpara anëtarësimit të plotë.
Në thelb të debatit qëndron edhe nevoja për reforma në funksionimin e brendshëm të BE-së. Brukseli duhet të sigurohet se institucionet evropiane do të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë efikase edhe në rast të një zgjerimi të madh.
Thirrjet për heqjen e kërkesës për unanimitet në çështje të caktuara, veçanërisht në politikën e jashtme, janë bërë gjithnjë e më të forta. Kjo lidhet me përpjekjet për ta bërë BE-në më efektive në një klimë të tensionuar gjeopolitike, veçanërisht pas rasteve kur vetoja e Viktor Orbánit ka bllokuar vendimmarrjen evropiane.
Në diskutim është edhe mundësia e një Komisioni Europian më të vogël dhe më fleksibël, i përqendruar në prioritetet e reja të Unionit. Një ndryshim i tillë do të nënkuptonte heqjen e parimit që çdo shtet anëtar ka të drejtë të ketë një Komisioner, një ide që kundërshtohet veçanërisht nga vendet më të vogla.
Megjithatë, skeptikët argumentojnë se momenti nuk është i përshtatshëm për reforma kaq të gjera, pasi disa prej vendeve kryesore të BE-së do të zhvillojnë zgjedhje vitin e ardhshëm. Mes tyre është edhe Franca, ku mundësia e një fitoreje të Rassemblement National, forcë politike e së djathtës ekstreme dhe euroskeptike, në zgjedhjet presidenciale është gjithnjë e më e pranishme në debatin politik.
Të tjerë argumentojnë se në Europë gjithmonë do të ketë zgjedhje të rëndësishme në horizont dhe se reformat e shtyra prej vitesh nuk mund të vonohen më tej.
Procesi i zgjerimit të BE-së ka supozuar gjithmonë se shtetet anëtare janë të gatshme të mirëpresin vende të reja në Union.
Zakonisht, vendet anëtare shprehin kundërshtimet e tyre përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit. Rasti i Maqedonisë së Veriut është një prej shembujve më të njohur, pasi vendi u përball fillimisht me një mosmarrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit dhe më pas me Bullgarinë për çështje që lidhen me të drejtat e pakicave.
Një bllokim i anëtarësimit gjatë fazës së ratifikimit do të ishte i paprecedentë, por mbetet një rrezik real. Zhvendosja e spektrit politik drejt së djathtës në vende themeluese të BE-së, si Holanda dhe Franca, ka bërë që një pjesë e votuesve të jenë më skeptikë ndaj zgjerimit të mëtejshëm.
Sipas Petar Marković, kreut të misionit të Malit të Zi në BE, një prej arsyeve kryesore pse Podgorica është e gatshme të pranojë garanci të mëtejshme për sundimin e ligjit dhe luftën kundër tendencave autoritare është pikërisht lehtësimi i procesit të ratifikimit.
Franca mbetet një prej të panjohurave më të mëdha. Në vitin 2005, Parisi miratoi një amendament kushtetues që parashikonte që çdo traktat i ri anëtarësimi t’i nënshtrohej një referendumi kombëtar ose të miratohej me një shumicë prej tre të pestash në një seancë të përbashkët të Parlamentit.
Edhe një herë, Mali i Zi pritet të shërbejë si një rast prove. Ratifikimi i anëtarësimit të tij mund të kombinohet me atë të Shqipërisë, në varësi të ritmit të progresit të Tiranës, ose me atë të Islandës, në varësi të rezultatit të referendumit.
“Nëse Mali i Zi nuk ia del, kjo padyshim do ta prishë seriozisht të gjithë procesin”, deklaroi për Euronews Florian Bieber, koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Evropë.
Sipas tij, BE-ja duhet të ketë një plan të qartë emergjence për t’iu përgjigjur një skenari të tillë./mxh
Tottenham ka bërë një lëvizje të fortë për transferimin e Savinhos, duke i dorëzuar Manchester Cityt një ofertë zyrtare prej 85 milionë funtesh, shumë që përputhet me vlerësimin fillestar të klubit anglez për anësorin brazilian, raporton Globo Esporte.
22-vjeçari është i interesuar për transferimin te Tottenham, pasi beson se në Londër do të ketë më shumë hapësirë për të luajtur dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Savinho nuk mori pjesë në stërvitjen e Manchester Cityt të enjten, edhe pse mungesa e tij u shpjegua zyrtarisht me sëmundje. Megjithatë, kjo ka shtuar spekulimet rreth të ardhmes së tij, në një kohë kur Tottenham po këmbëngul për transferimin e tij.
Braziliani ka bërë 84 paraqitje për Manchester Cityn gjatë dy sezoneve, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar 13 asistime. Megjithatë, sezonin e kaluar ai ishte titullar vetëm në 14 nga 36 ndeshjet e zhvilluara.
Mungesa e një vendi të rregullt në formacion ka ndikuar edhe në ambiciet e tij me Kombëtaren e Brazilit. Savinho dëshiron të luajë më shumë minuta në Ligën Premier, në mënyrë që të forcojë pozitat e tij në ciklin e ardhshëm të përfaqësueses braziliane.
Tottenham prej kohësh është i interesuar për Savinhon dhe tashmë ka bërë hapin konkret me ofertën prej 85 milionë funtesh. Edhe më herët, klubi londinez kishte zhvilluar kontakte me Cityn për brazilianin.
Megjithatë, Manchester City nuk është i bindur për shitjen e tij, pavarësisht shumës së konsiderueshme të ofruar./et
Dietat dhe këshillat për ushqyerjen qarkullojnë me shpejtësi në rrjete sociale, veçanërisht në TikTok. Por një studim i ri tregon se pjesa dërrmuese e këtyre këshillave nuk përputhet me udhëzimet shëndetësore dhe ushqimore.
Sipas një sondazhi të ri, 57% e përdoruesve të TikTok nga brezat e mijëvjeçarëve dhe Z-së thanë se janë ndikuar nga tendencat për dietën dhe ushqyerjen që kanë parë në platformë ose se i kanë provuar shpesh.
Problemi është se vetëm 2.1% e përmbajtjeve për ushqyerjen në TikTok rezultuan të sakta.
Ekspertët janë të shqetësuar nga ndikimi i platformës, veçanërisht për shkak të përhapjes së informacionit të pasaktë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndet.
Si u krye studimi?
Të dhënat e reja janë pjesë e një projekti të përbërë nga dy faza.
Fillimisht, MyFitnessPal anketoi 2,000 përdorues të TikTok nga brezat e mijëvjeçarëve dhe Z-së. Nga 57% e personave që thanë se ishin ndikuar nga tendencat shëndetësore dhe ushqimore në TikTok, më shumë se dy të tretat, ose 67%, deklaruan se kishin provuar të paktën një nga idetë që bëheshin virale disa herë në javë.
Madje, 30% e të anketuarve thanë se kishin provuar një tendencë të TikTok-ut pavarësisht rreziqeve të mundshme për shëndetin, ndërsa 31% raportuan se kishin përjetuar një efekt negativ nga një tendencë e lidhur me dietat e modës.
“Çdo individ ka nevoja të ndryshme dhe, kur njerëzit përpiqen t’i përshtaten të njëjtave moda apo ide, mund të krijojnë mungesa ushqyese duke hequr grupe të tëra ushqimesh. Nëse nuk marrin atë që i nevojitet trupit, kjo mund të ndikojë përfundimisht negativisht në humor, përqendrim dhe aftësitë njohëse”, thotë Amy Goldsmith, dietologe dhe themeluese e Kindred Nutrition.
Në fazën e dytë, MyFitnessPal bashkëpunoi me Universitetin e Dublinit për të analizuar më shumë se 67 mijë video që përmbanin këshilla për ushqyerjen. Përmbajtjet u analizuan me inteligjencë artificiale dhe u krahasuan me udhëzimet zyrtare për shëndetin dhe ushqyerjen.
Rezultatet paraprake treguan se vetëm 2.1% e përmbajtjeve ishin të sakta kur u krahasuan me këto udhëzime.
Pjesa tjetër, rreth 97.9%, u klasifikua si e pasaktë, pjesërisht e saktë ose e pasigurt, për shkak të mungesës së provave shkencore që mbështesnin pretendimet.
1. Shumë përdorues ndikohen nga tendencat
Fakti që dietat e modës dhe këshillat për ushqyerjen përhapen gjerësisht në rrjetet sociale nuk është diçka e re. Por përmasat e ndikimit të tyre janë shqetësuese.
Më shumë se gjysma e përdoruesve të rinj të anketuar thanë se kishin ndryshuar sjelljen e tyre ose kishin provuar këshilla që kishin parë në TikTok.
Kjo do të thotë se një video e shkurtër mund të ndikojë në mënyrën se si dikush ushqehet, edhe kur personi që e publikon nuk ka asnjë formim profesional në fushën e ushqyerjes.
2. Shumica e këtyre këshillave nuk kanë bazë të mjaftueshme shkencore
Analiza e më shumë se 67 mijë videove zbuloi një kontrast të fortë: vetëm 2.1% e përmbajtjeve për ushqyerjen përputheshin me udhëzimet e rregulluara shëndetësore dhe ushqimore.
Pjesa dërrmuese ishte e pasaktë, pjesërisht e saktë ose nuk mund të vërtetohej për shkak të mungesës së provave shkencore.
3. Disa njerëz i provojnë edhe kur e dinë se mund të jenë të rrezikshme
Një nga gjetjet më shqetësuese është se 30% e të anketuarve thanë se kishin provuar një tendencë ushqimore pavarësisht rreziqeve të mundshme për shëndetin.
Ndërkohë, 31% thanë se kishin përjetuar një efekt negativ pasi kishin ndjekur një dietë të modës.
Problemi është se një dietë që funksionon për një person nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për një tjetër.
“Çdo individ ka nevoja të ndryshme”, shpjegon Goldsmith. Heqja e grupeve të tëra ushqimore mund të çojë në mungesa të lëndëve ushqyese, të cilat me kalimin e kohës mund të ndikojnë te humori, përqendrimi dhe aftësitë njohëse.
4. Edhe kur u besojnë ekspertëve, përdoruesit mund të ndjekin këshilla të pakualifikuara
Pavarësisht ndikimit të TikTok-ut, përdoruesit e brezit Z thanë se u besonin më shumë përmbajtjeve të krijuara nga dietologë të regjistruar sesa informacionit të publikuar nga persona pa kualifikime.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata nuk ndjekin tendencat e krijuara nga persona pa formim profesional.
5. TikTok ka gjithnjë e më shumë ndikim te mënyra se si njerëzit informohen
Problemi nuk kufizohet vetëm te dietat dhe ushqyerja.
Ndikimi i TikTok-ut në mënyrën se si njerëzit marrin informacion është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Të dhënat e Qendrës Kërkimore Pew treguan se numri i të rriturve amerikanë që merrnin rregullisht lajmet nga TikTok ishte katërfishuar brenda tre vitesh, dhe rreth një e treta, ose 32%, e personave të moshës 18 deri në 29 vjeç thanë se merrnin rregullisht lajmet përmes TikTok-ut.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme të kontrollohet burimi i informacionit përpara se të ndryshohet mënyra e të ushqyerit. Në një platformë ku një video mund të marrë miliona shikime brenda pak orësh, fakti që një këshillë bëhet virale nuk do të thotë se është e saktë.
Dhe kur bëhet fjalë për ushqyerjen, një këshillë e gabuar nuk është thjesht një trend i padëmshëm. Ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndet, veçanërisht kur njerëzit heqin ushqime të caktuara nga dieta ose ndjekin regjime ushqimore pa u konsultuar me një profesionist./mxh
Temperaturat e larta dhe era janë bërë faktorët kyç në intensifikimi e zjarreve dhe rindezjen e vatrave që më parë janë vënë në kontroll në vendin tonë.
38 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin, ndërsa deri në orën 20:00, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë të jenë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet po zhvillohen në mënyrë të koordinuar nga strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa në aksionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 309 efektivë nga Forcat e Armatosura, 22 mjete, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon angazhimi më i madh, pasi zjarri është ende aktiv në dy drejtime. Në terren ndodhen 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor.
Autoritetet bëjnë me dije se perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe është shmangur rreziku për përhapjen e flakëve drejt tyre. Ndërkohë, operacionet vijojnë edhe në Qafën e Helmes.
Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në aksin Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, ku ekipet në terren mbështeten edhe nga helikopterët e Forcave të Armatosura. Pavarësisht terrenit të vështirë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe mbështetja nga një helikopter i FA-së kanë bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit në Abaze. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.
Në Përmet, vijon puna për shuarjen e vatrave në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në një terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Moravë të Devollit, zjarri është vendosur nën kontroll.
Në Trojë të Mirditës vijon operacioni me pjesëmarrjen e forcave zjarrfikëse, bashkisë, policisë, vullnetarëve dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në Shkodër, puna vazhdon në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ndërsa kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Vatra në Kryezi është nën kontroll.
Në Elbasan, operacionet vijojnë në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës. Në Lugaxhi janë angazhuar forca zjarrfikëse, punonjës të pyjores, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa zjarri në Dhrovjan është nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./mxh
La Liga do të aplikojë këtë sezon një seri rregullash të reja të ndarjes së drejtësisë, me synimin për të përmirësuar ritmin e ndeshjeve dhe për të ndëshkuar skuadrat apo lojtarët që tentojnë qëllimisht të humbin kohë.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me zëvendësimet. Nëse një lojtar merr më shumë se 10 sekonda për të dalë nga fusha pas zëvendësimit, futbollisti që do ta zëvendësojë nuk do të lejohet të hyjë menjëherë.
Ai do të presë ndërprerjen e parë të lojës pasi të kenë kaluar një minutë lojë reale.
Masa të reja do të ketë edhe për lojtarët që simulojnë dëmtime. Nëse një futbollist detyrohet të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi, ai do të duhet të presë një minutë pas rifillimit të lojës për t’u rikthyer.
Synimi është që dëmtimet të mos përdoren për të ndërprerë në mënyrë të panevojshme ritmin e ndeshjes.
Edhe portierët do të jenë nën vëzhgim më të madh. Nëse gjyqtari vlerëson se një portier po shtiret si i dëmtuar për të humbur kohë, trajneri do të urdhërohet që brenda 10 sekondave të largojë një lojtar nga fusha.
Nëse nuk e bën këtë, atëherë kapiteni do të duhet të largohet nga loja.
Një tjetër çështje lidhet me lojtarët që mbulojnë gojën gjatë bisedave me kundërshtarët.
Edhe pse IFAB u ka lënë kompeticioneve mundësinë që kjo sjellje të ndëshkohet me karton të kuq, Komiteti Teknik i Gjyqtarëve të La Ligës ka vendosur të mos e aplikojë këtë rregull.
“Për ne, mbulimi i gojës nuk do të jetë karton i kuq. Nuk e dimë se çfarë mund të ketë thënë kundërshtari dhe e konsiderojmë të padrejtë dhe të tepruar”, ka shpjeguar CTA./et
Pamjet e mijëra migrantëve që arritën në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën Veriore në fund të korrikut tronditën Bashkimin Evropian, i cili tashmë kishte nisur pushimet verore njëmujore, duke e vënë atë në lëvizje.
Ambasadorët e BE-së u kthyen nga pushimet për një takim online më 3 gusht, për t’u përgatitur për një tjetër takim online të 27 ministrave të Brendshëm të bllokut, një ditë më vonë. Deri atëherë, kriza ishte shmangur në masë të madhe, pasi Spanja, e cila fillimisht ishte kritikuar ashpër nga shtetet e tjera anëtare, kishte thirrur përforcime dhe tha se kishte kthyer mbrapsht tashmë rreth 70.000 nga 72.000 personat që kishin hyrë në Ceuta. Gati 90 persona vdiqën në kaosin që përfshiu rojen bregdetare spanjolle.
Mendohet se asnjë prej migrantëve nuk arriti në Evropën kontinentale. Ndërsa Ceuta, së bashku me enklavën tjetër spanjolle, Melilla, janë zyrtarisht pjesë e zonës pa pasaporta Shengen të BE-së, të dyja kanë rregulla të veçanta që përcaktojnë se kontrollet e identitetit duhet të kryhen kur udhëtohet prej tyre drejt destinacioneve në Evropën kontinentale. Kjo e bën pothuajse të pamundur hipjen në tragetet që kalojnë ngushticën e Gjibraltarit.
Atëherë, çfarë apo kush qëndronte pas fluksit të madh të migrantëve? Në deklaratën e tyre të përbashkët, të lëshuar pas takimit të fillimit të gushtit, ministrat e Brendshëm të bllokut fajësuan “rrjetet e trafikimit të migrantëve” dhe lanë të kuptohej gjithashtu se BE-ja duhet të përmirësojë “ndërgjegjësimin e përbashkët për situatën, gjë që mund të arrihet përmes zhvillimit të mëtejshëm të sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si inteligjenca para mbërritjes në kufi dhe monitorimi i rrjeteve sociale”. Para se migrantët të fillonin të mbërrinin në Ceuta, në internet u përhapën thashetheme se Spanja do t’i priste njerëzit krahëhapur.
Në kërkim të një shkaku, disa politikanë evropianë vunë në pah si vendimin e Madridit për të rregulluar statusin e migrantëve, ashtu edhe një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës. E para, skema për legalizimin e statusit, megjithatë, u drejtohej kryesisht migrantëve latino-amerikanë që punojnë në Spanjë dhe zbatohej për personat që mund të dëshmonin se kishin banuar në vend për pesë muaj rresht para fillimit të këtij viti.
Shkaku i dytë i sugjeruar për fluksin ishte një vendim shumë teknik i gjykatës, i marrë në fillim të korrikut, i cili përcaktoi se procedura e kthimit të menjëhershëm të migrantëve nga Madridi nuk zbatohej për personat e ndaluar teksa përpiqeshin të notonin nga territori i Marokut drejt Ceutës dhe Melillës. Sipas vendimit, kjo procedurë zbatohej vetëm nëse migrantët kalonin një barrierë fizike, që do të thoshte se ata që përpiqeshin të hynin duke notuar do t’i nënshtroheshin një procesi ligjor shumë më të ngadaltë, në vend që të ktheheshin menjëherë. Megjithatë, vendimi i gjykatës mezi u bë lajm në Spanjë kur u dha më 8 korrik.
Atëherë, cili ishte faktori që i tërhoqi migrantët? Ndërsa rrjetet e trafikimit duket se janë përgjigjja zyrtare e preferuar në Bruksel, disa zyrtarë evropianë kanë ngritur, të paktën privatisht, pikëpyetje për rolin e Marokut në këtë proces. (Ata gjithashtu nxitojnë të theksojnë se Spanja thotë hapur dhe në mënyrë të përsëritur, si publikisht ashtu edhe në biseda me dyer të mbyllura, se Rabati nuk ka të bëjë me këtë dhe se vendi ka qenë shumë ndihmues sa i përket kthimit të migrantëve).
Marrëdhënia mes Marokut dhe Spanjës është e ndjeshme. Në vitin 2021, Maroku lejoi rreth 8.000 migrantë të arrinin në dy enklavat spanjolle, pasi Madridi lejoi që udhëheqësi i një lëvizjeje për pavarësinë e Saharasë Perëndimore të merrte trajtim mjekësor në Spanjë. Sahara Perëndimore ishte pjesë e Spanjës deri në vitin 1975, por Maroku pretendon sovranitet mbi territorin dhe de facto kontrollon pjesën më të madhe të tij. Ndërsa Madridi më parë mbante qëndrimin se statusi i territorit duhej të përcaktohej përmes një referendumi të sponsorizuar nga OKB-ja, pas krizës së migrantëve të vitit 2021, Spanja ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se Sahara Perëndimore duhet të jetë një territor autonom nën kontrollin e Rabatit.
Disa vëzhgues kanë thënë se Maroku e kundërshtoi vendimin e Spanjës në fillim të korrikut për të përmirësuar marrëdhëniet politike me Algjerinë – një prej rivalëve kryesorë rajonalë të Rabatit, që mbështet pavarësinë e Saharasë Perëndimore.
Me Spanjën – dhe rrjedhimisht BE-në – që ngurron të drejtojë gishtin nga Maroku, deklarata e përbashkët e ministrave të Brendshëm përfundoi me një shënim intrigues: “Komunikimi gjatë momenteve të krizës mund të forcohet më tej përmes koordinimit në kohë dhe duhet të jetë më koherent, veçanërisht për të kundërshtuar aktorët e jashtëm keqdashës të angazhuar në manipulim dhe ndërhyrje të huaja në informacion.”
Por, kush mund të jenë këta “aktorë të jashtëm keqdashës”? Një zgjedhje e qartë në Bruksel është Rusia, e cila ka një histori të nxitjes së migrantëve drejt kufijve të BE-së. Kriza në Ceuta kishte disa ngjashmëri me përpjekjen e Bjellorusisë dhe Rusisë, kryesisht gjatë viteve 2021-2022, për të shtyrë mijëra njerëz, kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Siria, drejt Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. (Ky fluks i tentuar vazhdon edhe sot, me Letoninë që së fundmi u detyrua të mbyllte përkohësisht kufirin me Bjellorusinë pas një rritjeje të tentativave për kalim të kufirit).
Në atë kohë, Brukseli nxitoi të drejtonte gishtin nga regjimi i Aleksandr Lukashenkos dhe mbështetja e Kremlinit për të, si në aspektin logjistik, ashtu edhe përmes manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI). Kornizat e sanksioneve u zgjeruan për të përfshirë aktet e “instrumentalizimit të migrantëve”, ndërsa ndalimet e vizave dhe ngrirja e aseteve u vendosën ndaj zyrtarëve që lehtësonin rrugët e migrantëve drejt kufijve të BE-së, operatorëve turistikë dhe hoteleve që ishin përdorur gjatë udhëtimit, madje edhe ndaj Belavia-s, kompanisë kombëtare ajrore të Bjellorusisë, për transportimin e njerëzve fillimisht drejt Bjellorusisë.
Situata në Ceuta, megjithatë, duket ndryshe. Zyrtarë të BE-së që janë në dijeni për të dyja incidentet, atë në Ceuta dhe atë në Bjellorusi, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se rasti i dytë ishte një operacion kompleks hibrid i nxitur nga Moska dhe Minsku, i cili ishte afatgjatë dhe qartësisht politik.
Sipas zyrtarëve të BE-së, ajo që ndodhi në Ceuta duket se ishte shumë më e papritur dhe spontane. Dhe, ndërsa zyrtarët e BE-së thonë se nuk shohin prova se Rusia e nxiti fluksin, Moska e ka shfrytëzuar atë online, duke synuar audienca të ndryshme në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Diplomatët e BE-së që ndjekin manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion nga Rusia i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se “gjurmët digjitale” të Moskës ishin qartësisht të pranishme në incidentin e Ceutës. Ata përshkruan një operacion të ashtuquajtur “portal combat”, në të cilin faqe të ndryshme të Pravda-s ruse, në gjuhë të ndryshme dhe me llogari të lidhura në Telegram, amplifikuan raportime alarmiste për fluksin e migrantëve.
Narrativa e mediave ruse preku tema të njohura dhe të konsumuara: se Perëndimi po dështonte, pjesërisht për shkak të elitave evropiane të paafta; se migrantët ishin pushtues dhe okupatorë; dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli qëndronin pas incidentit për të ndëshkuar qeverinë e majtë të Spanjës për mbështetjen e saj ndaj Palestinës. Këto narrativa promovohen rregullisht edhe nga populistë të ndryshëm të së djathtës ekstreme në Evropë, disa prej të cilëve kanë lidhje të drejtpërdrejta politike me Kremlinin.
Ndërsa diplomatët e BE-së me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thanë se përpjekja e Rusisë për manipulim ishte e konsiderueshme, ata gjithashtu vunë në pikëpyetje se sa ndikim kishte pasur në të vërtetë. Në fakt, pasoja kryesore mund të ketë qenë shkaktimi i më shumë përçarjeve brenda BE-së, pasi shumë shtete anëtare dukeshin sikur po sulmonin Spanjën.
Italia, qeveria e krahut të djathtë e së cilës ka bërë luftën kundër imigracionit nga jashtë Evropës një prioritet qendror, pezulloi shpejt dhe përkohësisht lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën dhe ishte një prej nismëtarëve të një letre– të nënshkruar nga 21 shtete të tjera anëtare të BE-së (por, ç’është thelbësore, jo nga fqinjët e drejtpërdrejtë të Spanjës, Franca dhe Portugalia) – e cila mbante një qëndrim mjaft të ashpër ndaj Spanjës.
Në kohën kur ministrat e Brendshëm u takuan dhe Madridi e kishte situatën nën kontroll, blloku u rreshtua në mbështetje të Spanjës, ndërsa zyrtarë nga vendet që kishin qenë më parë kritike pranuan privatisht se reagimet e tyre fillestare kishin qenë tepër histerike dhe të përqendruara te audiencat vendase.
Dhe, pavarësisht se ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, e kritikoi publikisht Kremlinin, duket se diplomatët e BE-së nuk duan t’i japin Rusisë shumë merita. “Kremlini është i etur të marrë publicitet për marifetet e tij të ndryshme, gjë që mund ta zmadhojë rëndësinë e FIMI-t rus”, i tha Radios Evropa e Lirë një diplomat i BE-së./mxh
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas lajmeve të publikuara për pretendime mbi “legalizime” ndërtimesh në zona arkeologjike. Në një postim në rrjetet sociale, ai doli në mbrojtje të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke e cilësuar atë një model profesionalizmi dhe transparence, ndërsa tha se nuk do të lejojë që të cenohet dinjiteti i punonjësve “pa asnjë provë dhe pa asnjë bazë të ligjshme”.
Gonxhja u shpreh se ministria që drejton nuk i shmanget kritikave, auditimeve apo kërkesave për llogari, por, sipas tij, nuk do të heshtë përballë asaj që e cilësoi si shpifje dhe sulme ndaj IKTK-së. Ai tha se ripublikimi i një lajmi në disa portale nuk e bën atë të vërtetë dhe paralajmëroi se, krahas punës për projektet e trashëgimisë kulturore, do të zbardhen edhe, sipas tij, “regjitë okulte” dhe autorët e sulmeve ndaj institucionit.
“Bjeri ti biem Gonxhes se si shumë po ngre kokë ministria që drejton? Apo orekse e porosi gushti e shtatori helbete? Se thes mielli ta harrojnë! Thes boksi mbase, nxirreni dufin, fort! Po pemës me kokrra i sulen, dihet – IKTK sot një model shërbimi, profesionalizmi e zero burokracie, jo në komoditet, me shumë sakrificë e përkushtim kolektiv por dhe drejtimi. Krenari për MTKS rezultatet dhe puna konkrete, e prekshme, plot risi dhe reformuese e sistematike, si edhe transparente, e ekipit të IKTK!
Ndrruar faqja institucionit në shifra, në volum praktikash të zgjidhura, në sukses programesh e projektesh për trashëgiminë e rijetëzimin e historisë përmes ndërveprimit administrativ por dhe bashkëpunimeve të shumta. Unë dhe ministria që drejtoj nuk jemi refraktarë ndaj asnjë kritike, auditi, kontrolli apo kërkese llogarie, ama nuk do lejojmë kurrë të cënohet dinjiteti i punonjësve pa asnjë provë, pa asnjë bazë apo arsye të ligjshme, e aq më keq të heshtim kur sulmet janë dukshëm antigazetari e shpifje. Loja e ripostimeve, portal pas portali nuk e pastron burimin e as legjitimon dot lajmin e rremë, baltën e fabrikuar apo porositësin e fshehur pas kuintave. Do gjejmë kohën jo vetëm të punojmë energjikisht për rekorde punësh të mira për vendin, sektorin dhe misionin tonë ekzekutiv e politik por edhe për t’u grisur maskat dhe fletë-gjobat tërë regjive okulte e frengjive urrejtëse të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit!” shkruan Gonxhja./mxh
Pas një vere të shënuar nga temperatura rekord dhe zjarre të mëdha, zjarrfikësit në Francë po kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria. Sindikatat e tyre kanë paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare më 29 shtator, duke argumentuar se shërbimet e emergjencës nuk kanë burime të mjaftueshme për të përballuar situata që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Përfaqësuesi i disa sindikatave të zjarrfikësve, Xavier Boy, deklaroi se prioriteti është sigurimi i burimeve të nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas tij, Franca ka nevojë për një ligj që modernizon sistemin e sigurisë civile, për rekrutimin e një numri më të madh zjarrfikësish profesionistë dhe për rritjen e investimeve në pajisje, siguri dhe mbrojtjen e shëndetit të efektivëve.
Ai kërkoi gjithashtu investime që, sipas tij, të jenë në përputhje me rreziqet me të cilat po përballet Franca sot dhe që pritet të shtohen në të ardhmen, në një kohë kur Europa konsiderohet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë.
Përfaqësuesit e sindikatave u takuan këtë të enjte me ministrin e Brendshëm francez, Laurent Nunez, për t’i paraqitur kërkesat e tyre. Megjithatë, pas takimit ata u shprehën të zhgënjyer, duke thënë se nuk morën garanci konkrete dhe se përgjigjet e ministrit ishin të paqarta.
Nga ana e tij, Nuñez deklaroi se një projektligj për modernizimin e sistemit të sigurisë civile do t’u paraqitet sindikatave më 8 shtator. Ai shtoi se fondet për zjarrfikësit do të rishikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, por nuk dha një angazhim për një rritje konkrete.
Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu u ka kërkuar shtatë parlamentarëve të hartojnë një raport me propozime për përmirësimin e sistemit të zjarrfikësve, i cili duhet të dorëzohet deri më 21 shtator.
Aktualisht, sistemi francez mbështetet kryesisht te zjarrfikësit vullnetarë. Sipas të dhënave për vitin 2024, gati 80% e zjarrfikësve në Francë janë vullnetarë, ndërsa më pak se 20% janë profesionistë, të përqendruar kryesisht në zonat urbane.
Debati është intensifikuar pas zjarreve të mëdha që kanë goditur Francën këtë verë. Sindikatat pretendojnë se në disa operacione, përfshirë zjarrin pranë Bordosë, një nga më të rëndët e viteve të fundit, efektivët u përballën me mungesë personeli, pajisjesh dhe mjetesh të specializuara për shuarjen e zjarreve në pyje.
Protesta e paralajmëruar për 29 shtator pritet të zhvillohet në të gjithë Francën. Edhe pse zjarrfikësit kanë të drejtë të ndërpresin punën, ata janë të detyruar me ligj të garantojnë shërbimet minimale të emergjencës për qytetarët./et
Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka bërë sërish një reagim në liidhje me situatën e krujuar në zonën e Saulut në Tirnë, ku u ça një tubacion.
Pasi u njoftua se do të kishte kufizime të pjeszhme në zonat e Daiasit dhe Lundrës, mësohet se stafi teknik ka marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmtimit. Dhe ka njoftuar se në dy orët e ardhshme të rikthehet furnizmi me ujë.
“Stafi Teknik i UKT-së ka marrë masat e menjëhershme për riparimin e tubacionit DN 315 mm HDPE në zonën e Sukut që furnizon me ujë në zonën e Daiasit dhe të Lundrës.
Pritet që rikthimi i furnizimit me unë të bëhet në dy orët e ardhshme.”, thuhet në njoftim./et
Reperi Chris Brown ka kërkuar një rigjykim në çështjen gjyqësore me ish-punonjësen e tij shtëpiake, duke argumentuar se vendimi për t’i dhënë asaj rreth 13 milionë dollarë dëmshpërblim u ndikua nga fakti që gjykatësi lejoi jurinë të dëgjonte edhe për sulmin e tij ndaj Rihanna-s bën të ditur TMZ.
Këngëtari ka paraqitur dokumente në gjykatë, përmes të cilave kërkon zhvillimin e një gjyqi të ri në çështjen e ish-punonjëses së tij, Maria Avila, e cila përfundoi me një vendim në favor të saj dhe një dëmshpërblim të konsiderueshëm.
Avila, e cila dikur punonte për Brown, iu drejtua drejtësisë duke pretenduar se kishte pësuar lëndime të rënda pas një sulmi të dhunshëm nga një qen në shtëpinë e Chris Brown në Los Angeles. Brown, nga ana e tij, ka mohuar se mban përgjegjësi ligjore për dëmtimet e saj.
Para nisjes së gjyqit, reperi kishte kërkuar nga gjykata që të ndalonte çdo referencë ndaj dënimit të tij në vitin 2009 për një vepër penale të dhunës në familje, lidhur me sulmin ndaj Rihanna-s, me të cilën ishte në një lidhje në atë kohë.
Gjykatësi, megjithatë, vendosi të lejojë që kjo çështje të përmendej gjatë gjyqit, pavarësisht argumentit të Brown se ajo nuk kishte asnjë lidhje me çështjen në fjalë dhe se mund të ndikonte në mënyrë të padrejtë te anëtarët e jurisë.
Chris Brown argumentoi se dënimi lidhej me një incident të ndodhur 17 vjet më parë, kur ai ishte vetëm 20 vjeç, dhe këmbënguli se përmendja e arrestimit të tij ndikoi negativisht në gjykimin e jurisë.
Gjykatësi ende nuk ka marrë një vendim lidhur me kërkesën e Chris Brown për një rigjykim./mxh
Rumania ka ndalur të enjten edhe reaktorin e dytë të centralit bërthamor të Cernavoda, për shkak të rënies së ndjeshme të nivelit të Danubit, ujërat e të cilit përdoren për ftohjen e reaktorëve.
Cernavoda, i vetmi central bërthamor i Rumanisë, prodhon zakonisht rreth një të pestën e energjisë elektrike të vendit. Njëri prej dy reaktorëve, me kapacitet 700 MW secili, ishte ndalur që muajin e kaluar, ndërsa drejtori i centralit, Romeo Urjan, tha se nuk parashikohet rinisja e tij brenda 10 ditëve të ardhshme.
Rumania kishte shpenzuar më shumë se 2 milionë euro për të shmangur mbylljen e plotë, duke ndërhyrë për devijimin e rrjedhës së Danubit, përfshirë shpërthimin e një shkëmbi dhe zhytjen e katër maunave të mbushura me gurë.
Ministria e Energjisë ka deklaruar se energjia nga burimet e erës dhe importet do të ndihmojnë në garantimin e furnizimit, por ka bërë thirrje për konsum të përgjegjshëm. Në rast nevoje, konsumatorëve të mëdhenj industrialë mund t’u kufizohet përdorimi i energjisë gjatë orëve të mbrëmjes.
Danubi në nivele rekord
Sipas një analize të observatorit europian të klimës Copernicus, në gati dy të tretat e Danubit janë regjistruar prurjet më të ulëta për muajin korrik në 34 vitet e fundit.
Thatësira e rënduar nga ndryshimet klimatike po prek edhe Hungarinë, ku centrali bërthamor Paks, i cili gjithashtu ftohet me ujërat e Danubit, është pjesërisht i ndalur. Autoritetet hungareze po ndërtojnë një barrierë nënujore dhe po vendosin dy mauna të mëdha për të rritur nivelin e ujit pranë centralit.
Rënia e nivelit të Danubit ka goditur rëndë edhe transportin lumor përgjatë itinerarit prej rreth 2,850 kilometrash, nga Gjermania perëndimore deri në derdhjen e lumit në Detin e Zi.
Nëse po kërkoni një arratisje europiane pa shpenzuar shumë, Polonia duket se është destinacioni ideal. Pesë qytetet më të lira për një fundjavë ndodhen pikërisht atje, ndërsa gjashtë qytete polake janë në 10-shen e parë.
Një studim i ri, që ka analizuar kostot në 100 qytete europiane, ka zbuluar destinacionet ku paratë e turistëve vlejnë më shumë. Në llogaritje janë përfshirë akomodimi, ushqimi dhe transporti lokal për dy persona, ndërsa biletat e avionit janë lënë jashtë për shkak të ndryshimeve të mëdha të çmimeve.
Në krye të listës qëndron Vroclavi, ku një fundjavë për dy persona kushton mesatarisht vetëm 163 euro. Qyteti, i njohur si “Qyteti i Urave”, ofron një kombinim të arkitekturës historike, shesheve plot jetë dhe atraksioneve si sheshi Rinek dhe Salla e Njëqindvjetorit.
Pas tij vjen Poznanja, me një kosto prej rreth 168.50 eurosh për dy persona. Sheshi i Vjetër i qytetit, Bashkia e Poznanjas dhe Ishulli i Katedrales janë ndër pikat që mund të vizitohen pa një buxhet të madh.
Në vendin e tretë renditet Katovica, ku një fundjavë për dy kushton rreth 239 euro, ndërsa Gdanski zë vendin e katërt me rreth 275 euro. Qyteti bregdetar tërheq vizitorët me arkitekturën historike, tregun e gjatë dhe atmosferën e tij maritime.
Top pesëshen e mbyll Krakova, një prej qyteteve më të famshme turistike të Polonisë. Një fundjavë për dy persona kushton rreth 295 euro, ndërsa vizitorët mund të eksplorojnë Kazimierzin, Sukiennicen dhe Bazilikën e Shën Marisë.
Edhe jashtë Polonisë ka alternativa
Në vendin e gjashtë renditet Sofja e Bullgarisë, me rreth 77 euro për person në ditë, e ndjekur nga Zagrebi i Kroacisë me rreth 95 euro.
Më pas vijnë Malmo në Suedi me 105 euro dhe Budapesti në Hungari me rreth 111 euro për person në ditë. Në vendin e dhjetë rikthehet Polonia me Varshavën, ku shpenzimet arrijnë rreth 112 euro në ditë për person.
Dhe në anën tjetër… qytetet që kushtojnë një pasuri
Nëse Polonia është mbretëresha e destinacioneve ekonomike, Zyrihu është në krye të listës së qyteteve më të shtrenjta.
Një fundjavë për dy persona në qytetin zviceran kushton mesatarisht rreth 1,325 euro, ndërsa vetëm akomodimi arrin në rreth 359 euro.
Zvicra dominon edhe vendet pasuese, me Bernën në vendin e dytë dhe Bazelën në të tretin. Në pesëshen e qyteteve më të shtrenjta hyjnë gjithashtu Venecia dhe Parisi, ku një fundjavë për dy persona kushton përkatësisht rreth 1,180 dhe 1,133 euro.
Pra, nëse dëshironi një fundjavë europiane me histori, arkitekturë, ushqim të mirë dhe kosto të përballueshme, Polonia duket se ka kartën fituese.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i ka bërë thirrje Uashingtonit të vërë në dispozicion një pjesë të rezervave amerikane të raketave interceptuese Patriot, duke paralajmëruar se mbrojtja ajrore e Ukrainës po përballet me mungesa kritike përballë sulmeve ruse. Në një intervistë për CNN, Zelenski tha se Ukraina aktualisht merr vetëm rreth 1% të raketave interceptuese që i nevojiten. Sipas tij, furnizimi me vetëm 5% të rezervave amerikane do të mjaftonte për ta ndihmuar vendin të përballojë muajt e dimrit.
“Nëse na shesin 5%, do ta kalojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë. Nëse mund të na shesin 10%, do të shkatërrojmë të gjitha raketat balistike ruse”, deklaroi ai. Zelenski nuk dha detaje nëse SHBA-ja i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës, por la të kuptohet se po zhvillohen kontakte diplomatike për sigurimin e raketave. “Po bëj disa gjëra për të cilat nuk mund të flas”, tha presidenti ukrainas.
Mbrojtja ajrore nën presion
Kërkesa vjen ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Sulmet masive po kryhen rreth një herë në javë, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme të mëdha në ndërtesa.
Në një prej sulmeve të këtij muaji, forcat ukrainase nuk arritën të interceptonin asnjë nga 28 raketat balistike të lëshuara drejt Kievit. Sipas Zelenskit, Ukraina ka tashmë dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese se në vitin 2025, ndërsa Rusia ka rritur përdorimin e raketave balistike. Raketat balistike paraqesin një sfidë veçanërisht të madhe për mbrojtjen ajrore, pasi lëvizin me shpejtësi shumë të lartë dhe ndjekin trajektore të pjerrëta, duke i bërë më të vështira për t’u goditur.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, Rusia lëshoi më shumë se 450 raketa ndaj Ukrainës, rreth 200 prej tyre me trajektore balistike. Sipas Kombeve të Bashkuara, kjo valë sulmesh ishte ndër më vdekjeprurëset për civilët që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të gjerë në vitin 2022.
Një zjarr masiv ka rënë këtë pasdite në zonën e Peshtanit të Fierit, duke përfshirë masivin pyjor me pisha.
Flakët janë aktive në zonën e pyllëzuar, ndërsa forcat zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë dhe për të bërë të mundur izolimin e zjarrit.
Ende nuk dihet sipërfaqja e përfshirë nga flakët apo shkaku i rënies së zjarrit. Situata vijon të jetë në zhvillim./et
Ish-presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me avokatin e tij, por krahas këtij njoftimi, ka deklaruar se diskutimi po monitorohej me një kamer
Pas këtij rasti që pretendon Meta, shton se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. E për këtë ish-presidenti zbulon se do t’i drejtohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për cenimin e garancive të Konventës dhe standardeve që lidhen me të drejtën për respektimin e konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.
“Sot zhvillova takimin tim të dytë me avokatin e mirënjohur Prof. Ass. Ledi Bianku, të cilin e falënderoj me mirënjohje për gatishmërinë për të më përfaqësuar përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). E konsideroj të nevojshme të bëj publik një fakt serioz, që prek drejtpërdrejt ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe konfidencialitetin e komunikimit ndërmjet një personi të privuar nga liria dhe mbrojtësit të tij ligjor. Gjatë takimit të parë, të zhvilluar më 17 korrik 2026, avokati Prof. Ass. Bianku konstatoi se ambienti në IEVP “Jordan Misja”, ku po zhvillohej takimi ynë, ishte nën monitorimin e një kamere.
Ky fakt, në vlerësimin tonë, përbën një çështje serioze të papajtueshmërisë me garancitë ligjore shqiptare dhe standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket konfidencialitetit të komunikimit ndërmjet të paraburgosurit dhe avokatit, si dhe ushtrimit real dhe efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe të përfaqësimit përpara GJEDNJ. Për këtë arsye, me qëllim që situata të korrigjohej përpara takimit të radhës, dy mbrojtësit e mi ligjorë i janë drejtuar zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.
Pavarësisht këtij komunikimi zyrtar, deri në zhvillimin e takimit të sotëm nuk është dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtësve të mi dhe, më shqetësuesja, situata nuk ka ndryshuar. Edhe takimi i sotëm me Av. Prof. Ass. Bianku është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera. Ky fakt nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht administrative apo teknike. Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor, qoftë përpara gjykatave shqiptare, qoftë përpara GJEDNJ.
Çdo ndërhyrje ose monitorim i këtij komunikimi, përtej kufijve të përcaktuar qartë nga ligji, cënon vetë thelbin e kësaj garancie. Në këto rrethana, dhe në mungesë të një reagimi institucional ndaj kërkesave të paraqitura, e konsideroj të domosdoshme të bëj publike letrën zyrtare të dy mbrojtësve të mi ligjorë, si dhe të ndjek të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të mia.
Për këtë arsye, së bashku me mbrojtësin tim ligjor Av. Prof. Ass. Ledi Bianku, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur para saj shqetësimin lidhur me cenimin e garancive të Konventës dhe, në veçanti, të standardeve që lidhen me të drejtën për një proces të rregullt, të drejtën e mbrojtjes dhe përfaqësimit efektiv, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.
Theksoj se qëllimi i këtij qëndrimi publik nuk është thjesht denoncimi i një rasti individual, por domosdoshmëria për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të garancive që duhet të jenë të padiskutueshme për çdo person të privuar nga liria që duhet të gëzojë mbrojtje efektive ligjore. Çështja tashmë do të ndiqet në rrugë institucionale dhe juridike, në përputhje me të gjitha mjetet ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut“, shkruan Meta./et
Parlamenti i Suedisë miratoi të enjten uljen e moshës minimale të përgjegjësisë penale në 14 vjeç, sipas mediave vendase.
Masa lejon që fëmijët e moshës 14 vjeç të dënohen me burg për vepra penale veçanërisht të rënda, duke përfshirë vrasje, përdhunim të rënduar dhe vepra penale me armë të rënda.
Propozimi u miratua me 281 vota pro dhe 66 kundër, me dy ligjvënës që mungonin.
Qeveria dhe Demokratët e Suedisë të krahut të djathtë kishin kërkuar më parë të ulnin moshën në 13 vjeç, por e tërhoqën propozimin pasi përcaktuan se nuk kishte mbështetje të mjaftueshme në parlament.
Lideri i Demokratëve të Suedisë, Jimmie Akesson, e mirëpriti rezultatin, duke e përshkruar atë si “një hap në drejtimin e duhur”.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme parlamentare, ligjvënësit miratuan gjithashtu kushte më të rrepta për emigracionin familjar dhe hoqën uljet e dënimeve për njerëzit e dënuar për vepra të shumëfishta penale.
Masa për emigracionin familjar u miratua me 176 vota pro dhe 171 kundër. Ndër dispozita të tjera, ajo në përgjithësi kërkon që një person në Suedi të ketë pasur një leje qëndrimi për të paktën dy vjet përpara se një i afërm të mund të marrë një leje në bazë të lidhjeve familjare.
Parlamenti votoi gjithashtu me të njëjtën diferencë për të shfuqizuar të ashtuquajturin “zbritje sasiore” të vendit, që do të thotë se njerëzit e dënuar për disa vepra penale në të njëjtën kohë do të përballen me dënime më të gjata me burg./et
Tom Holland e konsideron veten tashmë në një kapitull të ri të karrierës së tij. Aktori i njohur për rolin e Spider-Man-it në kinema, i cili ka nisur tashmë provat për filmin biografik kushtuar jetës dhe karrierës së legjendës së kërcimit dhe kinemasë muzikore, Fred Astaire, ka deklaruar gjatë një interviste në “Good Morning America” se dëshiron të lërë pas imazhin e adoleshentit.
“Ndjej se po hyj në një kapitull të ri, ku nuk mund të kaloj më si adoleshent. Ajo që dua më shumë në punën time janë sfidat”, u shpreh ai në një intervistë të fundit për emisionin “Good Morning America”.
Duke folur për rolin e tij të ri, aktori 30-vjeçar zbuloi se përgatitja për të i ka shkaktuar njëkohësisht entuziazëm dhe frikë.
“Së fundmi bëra provat e para dhe ndjeva njëkohësisht një entuziazëm të jashtëzakonshëm, por edhe një frikë të madhe, sepse kam shumë punë përpara për t’u përpjekur të jem në lartësinë e Fred-it”, rrëfeu ai.
Aktori tha gjithashtu se, sapo të përfundojë promovimin e projekteve të tij aktuale, do t’i përkushtohet plotësisht stërvitjes në kërcim.
“Tani vjen Fred Astaire, ky është plani ynë. Dhe sapo të përfundoj këto ture promovuese, do të kthehem menjëherë në studion e kërcimit”, deklaroi Holland.
Ai foli edhe për një objektiv ambicioz që i ka vendosur vetes para nisjes së xhirimeve. Aktori dëshiron të realizojë vetë të gjitha skenat e kërcimit, pa përdorur zëvendësues, madje edhe në xhirime të gjata pa ndërprerje.
“Nuk dua të përdor fare zëvendësues. Dua t’i bëj vetë të gjitha kërcimet dhe t’i xhirojmë këto skena në një plan të vetëm, ashtu siç do t’i kishte bërë ai”, tha Holland, duke iu referuar stilit karakteristik të Astaire, i cili ishte i njohur për xhirimin e koreografive të ndërlikuara në plane të gjata dhe pa ndërprerje.
Tom Holland, një nga aktorët më të njohur të brezit të tij, u bë i famshëm në mbarë botën si Spider-Man në universin Marvel, ndërsa gjatë karrierës së tij ka spikatur edhe në role të tjera të rëndësishme në kinema, duke dëshmuar njëkohësisht aftësitë e tij në aktrim, kërcim dhe performancë./mxh