Ndodh që një fotografi të mos ketë nevojë për një datë të vulosur në arkiv për të mbetur dëshmi e fuqishme e historisë. Një prej tyre është fotografia e Josif Stalinit në Kremlin, ku udhëheqësi sovjetik shfaqet i ulur, me fytyrë të rënduar dhe me një shprehje të pazakontë shqetësimi. Për dekada me radhë, kjo pamje është shoqëruar me një pyetje: çfarë lajmi kishte marrë Stalini në atë çast?
Një nga versionet më të përhapura thotë se fotografia është shkrepur në orët e para të 22 qershorit 1941, pikërisht kur Stalini u njoftua se Gjermania naziste kishte nisur Operacionin «Barbarossa», pushtimin më të madh ushtarak në historinë e njerëzimit. Sipas këtij interpretimi, në orët e para të mëngjesit, në Kremlin mbërriti lajmi se trupat gjermane kishin kaluar kufirin sovjetik, duke shkelur Paktin e Mossulmimit të vitit 1939.
Në atë mëngjes, rreth tre milionë ushtarë gjermanë, të mbështetur nga mijëra tanke dhe avionë, nisën një ofensivë përgjatë një fronti prej afro 1 800 miljesh. Për Stalinin ishte çasti kur u shemb një bindje që ai e kishte mbajtur deri në atë kohë: se Adolf Hitleri nuk do të guxonte të hapte një luftë në dy fronte.
Pavarësisht paralajmërimeve nga inteligjenca britanike dhe amerikane, nga burimet sovjetike të zbulimit dhe nga disa prej gjeneralëve të tij, Stalini kishte refuzuar të besonte se sulmi ishte i afërt. Ai e shihte luftën me Gjermaninë si një përballje të pashmangshme, por jo si një veprim të menjëhershëm të Hitlerit. Ky hezitim i dha Wehrmacht-it avantazhin e ditëve të para, duke e lejuar të përparonte me shpejtësi në thellësi të territorit sovjetik.
Por ekziston edhe një interpretim tjetër për të njëjtën fotografi. Disa e lidhin atë jo me agimin e 22 qershorit, por me javët dramatike të gushtit dhe shtatorit 1941, kur ushtria gjermane po i afrohej rrethimit të Kievit. Në këtë version, fotografia kap Stalinin në momentin kur ai merrte raportet për një nga katastrofat më të mëdha ushtarake të Bashkimit Sovjetik.
Në fund të verës së vitit 1941, forcat gjermane të Grupit të Ushtrive «Jug», të ndihmuara nga njësitë e blinduara që po lëviznin nga veriu, po mbyllnin një darë të madhe rreth Frontit Jugperëndimor Sovjetik. Kievi, një nga qytetet më të rëndësishme të Ukrainës, ishte në prag të humbjes, bashkë me qindra mijëra ushtarë sovjetikë.
Komandantë si Georgi Zhukov kishin paralajmëruar se duhej urdhëruar tërheqja për të shmangur një shkatërrim masiv. Por Stalini refuzoi. Për të, dorëzimi i Kievit nuk ishte vetëm një humbje ushtarake; ishte një goditje politike dhe simbolike që ai nuk donte ta pranonte. Urdhri ishte që qyteti të mbrohej «me çdo kusht».
Rezultati ishte një nga disfatat më të rënda të Ushtrisë së Kuqe. Në shtator 1941, Wehrmacht-i përfundoi rrethimin e Kievit. Mbi 600 mijë ushtarë sovjetikë u vranë, u plagosën ose ranë robër. Ishte një goditje që tregoi përmasat e katastrofës me të cilën përballej Bashkimi Sovjetik në muajt e parë të luftës.
Megjithatë, fotografia mbetet një enigmë historike. Nuk ka një dokument arkivor të pakundërshtueshëm që të përcaktojë me siguri se kur është shkrepur, kush e ka bërë dhe nëse lidhet me njërin prej këtyre momenteve. Edhe rrëfimi se një fotograf i Komsomolskaya Pravda e bëri atë pa leje dhe më pas e ruajti, pavarësisht urdhrave për ta shkatërruar, është një histori e përhapur, por jo e konfirmuar plotësisht.
Por ndoshta forca e kësaj fotografie nuk qëndron te ora, data apo lajmi i saktë që Stalini mori në atë çast. Vlera e saj historike është pikërisht te ajo që përcjell: një udhëheqës i zakonshëm përballë një momenti të jashtëzakonshëm, një njeri që për pak çaste del nga imazhi zyrtar i «udhëheqësit të pathyeshëm» dhe shfaqet si dikush që përballet me peshën e një katastrofe kombëtare.
Qoftë në mëngjesin e pushtimit gjerman, qoftë në ditët e errëta të rrethimit të Kievit, ajo fytyrë mbetet simbol i një vere të vitit 1941, kur Bashkimi Sovjetik u gjend në buzë të humnerës. Një fotografi pa një datë të sigurt, por me një kuptim të qartë: përballë historisë, edhe pushteti më i madh mund të gjendet përballë frikës, pasigurisë dhe ankthit.
Në psikologji quhet post-holiday blues. Në shqip, më thjesht: rënia pasi ke qenë lart. Ose “Depresioni Blu”.
Për dhjetë ditë jetove si njeri. Pa alarm. Pa shef. Pa e ditur se çfarë dite është. Pastaj gjithçka mbaroi dhe përsëri duhet të kthehesh. Në zyrë. Në trafikun e Tiranës në orën 07:45. Në 247 email-e që janë shtuar ndërkohë. Në fatura që, çuditërisht, nuk kanë marrë pushime asnjë ditë.
Kjo është e gjithë filozofia e “depresionit blu”: more një dozë antistresi dhe tani duhet të përballesh sërish me fabrikën e stresit.
Paradoksi është brutal: pushimet të bëjnë mirë, prandaj kthimi të duket më keq. Në plazh mëson një ritëm tjetër. Zgjohesh kur do. Ha kur të vjen. Mund të qëndrosh në det deri në perëndim. Në qytet ritmi është krejt ndryshe: ora bie 06:30 dhe për një sekondë je i bindur se alarmi është armiku yt personal.
Nuk është vetëm alarmi, por paketa e plotë: zhurma, vapa e asfaltit, telefonatat, grupet e WhatsApp-it që nuk kanë pushuar kurrë, lajmet, çmimet. Dhe, mbi të gjitha, ndjesia se sapo e shijove lirinë, ta vodhën sërish.
Nuk ke humbur shtëpinë dhe as punën; ke humbur vetëm të drejtën për të mos bërë asgjë pa u ndjerë fajtor. Në vitin 2026, kjo mjafton për të të rrëzuar humorin, sepse kemi harruar diçka me rëndësi: kemi gjithnjë e më shumë aparate që na kursejnë kohë, e gjithnjë e më pak kohë për të mos bërë asgjë.
Celulari e vulosi këtë realitet. Dikur dilje nga zyra dhe puna mbetej pas derës. Sot e ke zyrën në xhep: edhe në plazh, edhe në shtrat. Kemi ndërruar vetëm sfondin, jo jetën.
Shtatorin nuk e ndalim dot, të hënën as që bëhet fjalë, e trafikun e Tiranës nuk e bindim dot të mos ekzistojë vetëm se ne u kthyem nga një plazh i Jon-it. Por kthimi mund të bëhet më pak brutal nëse zbatojmë një ritëm më gradual për veten.
Gjëja e parë është të shmangim kthimin të dielën në darkë për të dalë në punë të hënën – kjo nuk është rikthim, por vetëvrasje organizative. Është mirë t’i lëmë vetes një ditë ndërmjetëse për të zbrazur valixhen, për të fjetur e për të pirë një kafe pa vrap.
Gjithashtu, nuk ka pse të hapen të gjitha frontet që ditën e parë. Bota ka vazhduar edhe pa ne dhe nuk ka pse ta shpëtojmë brenda tetë orëve, sepse në këtë fazë më pak është më shumë.
Nga ana tjetër, nuk duhet braktisur ajo që na bëri mirë gjatë pushimeve: nëse ke eceur, vazhdo të ecësh; nëse ke lexuar, lexo; e nëse qëndrove me familjen, rri me familjen, sepse pushimet mbarojnë, por zakoni i mirë jo.
Kujdes i veçantë i duhet kushtuar edhe telefonit. Jo çdo mesazh kërkon përgjigje menjëherë, jo çdo email është urgjent dhe shtrati nuk është degë e zyrës.
Më mirë është të rregullojmë gjumin sesa botën, pasi një mbrëmje pa ekran bën më shumë se dhjetë këshilla motivuese në Instagram.
Tekembramja, fundjava nuk duhet kthyer në një listë punësh; nuk kemi nevojë për “pushim nga pushimet”, por vetëm për një drekë të gjatë, një shëtitje jashtë qytetit ose luksin e madh modern: disa orë pa bërë asgjë.
Të jemi të qartë: një javë e zymtë pas pushimeve është normale. Por nëse trishtimi, ankthi dhe pagjumësia zgjasin me javë dhe të marrin energjinë, nuk është më “blu” poetike – aty duhet profesionist, jo status në Facebook.
“Depresioni blu” është një emër i bukur. Ka brenda detin, qiellin, melankolinë. Ironia është se vjen nga deti blu për të hyrë në një blu tjetër.
Në fund, pamja është kjo: një valixhe për t’u zbrazur, një tavolinë që të pret, një alarm që do të bjerë të nesërmen dhe një foto nga pushimet që të del në telefon pikërisht kur trafiku ka ngecur te Zogu i Zi apo 21 Dhjetori.
Atëherë e kupton se pushimet nuk ikën, por kanë mbetur brenda. Problemi është vetëm të mësosh të jetosh pa to, pa e lënë këtë blunë të të bindë se bashkë me verën mbaroi edhe jeta e mirë.
Princesha Diana e Uellsit vdiq në një aksident automobilistik në Paris, vetëm 36 vjeç. Ishte fundi i një jete që kishte kaluar nga përralla mbretërore te një prej historive më të mëdha të dashurisë, krizës, rebelimit dhe bamirësisë së shekullit XX.
Në orët e para të 31 gushtit 1997, bota ende nuk e dinte se një nga gratë më të njohura të planetit po luftonte për jetën në një spital të Parisit.
Pak minuta më parë, një Mercedes-Benz S280 kishte dalë me shpejtësi nga hoteli Ritz, në sheshin Vendôme. Në makinë ndodheshin Diana, Princesha e Uellsit, shoqëruesi i saj Dodi Fayed, truproja Trevor Rees-Jones dhe shoferi Henri Paul. Makina po përpiqej t’u shpëtonte fotografëve të paparacëve që i ndiqnin me motorë.
Pak para mesnatës, Mercedes-i hyri në tunelin e Pont de l’Alma. Në një kthesë, makina humbi kontrollin dhe u përplas me një kolonë betoni. Dodi Fayed dhe Henri Paul vdiqën në vend. Truproja Rees-Jones mbijetoi, ndërsa Diana u gjet ende gjallë, por në gjendje kritike. Ajo u nxor nga rrënojat dhe u transportua në spitalin Pitié-Salpêtrière. Mjekët luftuan për rreth dy orë për ta shpëtuar. Por dëmtimet e brendshme ishin tepër të rënda.
Në orën 03:00 të mëngjesit, Diana u shpall e vdekur.
Ishte 31 gusht 1997. Diana ishte vetëm 36 vjeç.
Vajza që u bë princeshë
Diana Frances Spencer kishte lindur më 1 korrik 1961, në Park House, pranë Sandringhamit, në Norfolk. Në vitin 1975, pasi babai i saj trashëgoi titullin Earl Spencer, ajo mori titullin Lady Diana Spencer.
Në vitin 1977 njohu Princin Charles, trashëgimtarin e fronit britanik. Marrëdhënia e tyre u zhvillua me shpejtësi dhe më 29 korrik 1981, në Katedralen e Shën Palit në Londër, u zhvillua dasma që u ndoq nga qindra miliona njerëz në mbarë botën.
Diana ishte 20 vjeçe.
Ajo hyri në familjen mbretërore si një vajzë e re, e turpshme dhe pothuajse e panjohur për publikun ndërkombëtar. Por shumë shpejt u shndërrua në një figurë globale.
Çifti pati dy djem: Williamin, i lindur më 21 qershor 1982, dhe Harryn, i lindur më 15 shtator 1984. Por përralla nuk do të zgjaste.
Nga përralla te kriza
Martesa e Dianës dhe Charles-it u përball me kriza të vazhdueshme. Në dhjetor 1992 u njoftua zyrtarisht ndarja e çiftit. Divorci u përfundua më 28 gusht 1996.
Diana nuk ishte më princeshë në kuptimin e plotë protokollar të fjalës. Por për publikun britanik dhe për miliona njerëz në botë ajo mbeti “Princesha Diana”.
Pas divorcit, ajo u përqendrua gjithnjë e më shumë te puna humanitare. U angazhua me organizata që ndihmonin të pastrehët, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe njerëzit që jetonin me HIV/AIDS.
Në vitin e fundit të jetës, ajo u bë veçanërisht e njohur për fushatën kundër minave tokësore. Në janar 1997 vizitoi Angolën dhe më pas vazhdoi fushatën në Shtetet e Bashkuara. Në gusht, vetëm pak javë para vdekjes, vizitoi Bosnjën për të tërhequr vëmendjen ndaj pasojave të minave të luftës.
Ishte një Diana tjetër. Më e pavarur. Më e drejtpërdrejtë. Më pak e kontrollueshme nga protokolli mbretëror. Dhe pikërisht kjo e bënte edhe më të famshme.
Vera e fundit
Në verën e vitit 1997, Diana po kalonte një periudhë të ekspozimit të jashtëzakonshëm mediatik. Ajo ishte lidhur me biznesmenin egjiptian Dodi Fayed dhe fotografët e ndiqnin vazhdimisht.
Më 30 gusht, Diana dhe Dodi ndodheshin në Paris.
Mbrëmjen e asaj dite darkuan në Ritz, hotelin në pronësi të familjes Fayed. Pas mesnate, vendosën të largoheshin nga hoteli. Paparacët ishin aty. Mercedes-i u nis me shpejtësi. Fotografët u vunë pas. Dhe pak minuta më vonë ndodhi përplasja.
Ajo që pasoi ishte një nga netët më të gjata në historinë moderne të monarkisë britanike.
Një lajm që pushtoi botën
Në orët e para të mëngjesit, lajmi për aksidentin filloi të përhapej. Fillimisht flitej për një aksident të rëndë. Pastaj erdhi lajmi për vdekjen e Dodit Fayed.
Dhe më pas, pak para agimit, u konfirmua ajo që askush nuk donte ta besonte: Diana kishte vdekur. Lajmi shkaktoi një tronditje globale.
Njerëzit dolën në rrugë. Te portat e Kensington Palace filluan të shfaqeshin lule. Qirinj u ndezën në Londër dhe në qytete të ndryshme të botës.
Britania hyri në zi.
Por zia nuk ishte vetëm britanike.
Diana ishte bërë një figurë që i përkiste edhe njerëzve jashtë monarkisë, jashtë Britanisë, madje edhe jashtë Evropës.
Polemika për paparacët
Vdekja e Dianës solli menjëherë në qendër të debatit rolin agresiv të paparacëve dhe mënyrën se si mediat ndiqnin figurat publike.
Fakti që Mercedes-i po largohej nga Ritz-i ndërsa ndiqej nga fotografë krijoi një pyetje që do të vazhdonte për vite: sa përgjegjësi kishte kultura e ndjekjes së pandërprerë mediatike në atë tragjedi?
Hetimet franceze dhe më vonë hetimet britanike shqyrtuan rrethanat e aksidentit, përfshirë shpejtësinë e automjetit, gjendjen e shoferit Henri Paul dhe rolin e paparacëve.
Por përtej debateve juridike, mbeti një fakt i pakundërshtueshëm: në pak sekonda, një grua që për vite kishte jetuar nën blicet e fotografëve u bë viktimë e një prej tragjedive më të mëdha mediatike të shekullit.
Princi Charles dhe dy djemtë
Në atë moment, William ishte 15 vjeç dhe Harry vetëm 12. Për ta, ajo nuk ishte “Princesha Diana”. Ishte nëna e tyre.
Princi Charles u nis menjëherë për në Paris dhe u kthye në Britani me arkivolin e Dianës. Trupi i saj u kthye në Britani më 31 gusht dhe u vendos fillimisht në një morg privat në Londër, përpara se të çohej në Chapel Royal në St James’s Palace.
Në ditët që pasuan, Britania përjetoi një shpërthim të jashtëzakonshëm zie publike.
Edhe monarkia u gjend përballë një situate të pazakontë. Njerëzit kërkonin një reagim më njerëzor, ndërsa familja mbretërore po përpiqej të përballonte tragjedinë brenda kufijve të protokollit.
Mbretëresha Elizabeth II, në një fjalim televiziv më 5 shtator, e përshkroi Dianën si një njeri të jashtëzakonshëm dhe foli për tronditjen, dhimbjen dhe pikëllimin që kishte përfshirë vendin.
Funerali që u ndoq nga bota
Më 6 shtator 1997, arkivoli i Dianës u përcoll nga St James’s Palace drejt Westminster Abbey. Qindra mijëra njerëz u grumbulluan përgjatë rrugës. Miliona të tjerë e ndoqën ceremoninë në televizion.
Pas ceremonisë, arkivoli u dërgua në Althorp, pronën e familjes Spencer. Diana u varros në një ishull të vogël në mes të një liqeni dekorativ, në territorin e familjes së saj.
Ajo nuk u varros në një varrezë publike. Ishte një zgjedhje që i dha familjes mundësinë të kishte një vend privat përkujtimi, larg turmave.
Pse Diana mbeti e gjallë në kujtesë?
Sepse historia e saj nuk ishte vetëm historia e një princeshe.
Ishte historia e një vajze që u fut në familjen më të famshme mbretërore të botës dhe që, me kalimin e viteve, u përpoq të gjente identitetin e saj përtej kurorës.
Ajo përdori famën për të tërhequr vëmendjen te njerëzit që zakonisht nuk e kishin atë.
Përqafoi pacientë me HIV në një kohë kur frika dhe keqinformimi rreth sëmundjes ishin ende të mëdha. Vizitoi të pastrehë. U angazhua për fëmijët. Dhe në muajt e fundit të jetës e vendosi veten në qendër të fushatës kundër minave tokësore.
Diana kishte gabimet e saj, kontradiktat e saj dhe një jetë private që u kthye në spektakël publik. Por pikërisht kjo e bëri figurën e saj njerëzore. Ajo ishte princeshë, por jo e paprekshme. Ishte e famshme, por shpesh dukej e vetmuar. Jetonte mes luksit, por kërkonte të prekte njerëzit që jetonin në anën tjetër të shoqërisë. Dhe vdiq në një mënyrë që e ktheu sërish në qendër të vëmendjes së gjithë botës.
Më 31 gusht 1997, Diana vdiq në Paris. Por historia e saj nuk përfundoi atë mëngjes. Në njëfarë mënyre, pikërisht atëherë filloi miti. Një figurë që kishte jetuar vetëm 36 vjet do të vazhdonte të jetonte në kujtesën publike për dekada. Sepse disa njerëz vdesin. Disa të tjerë, për arsye që historia nuk arrin gjithmonë t’i shpjegojë, bëhen pjesë e saj.
Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë lindjen e saj më 30 gusht 1972 në San Diego, le të kujtojmë jo vetëm simbolin e seksit, por një nga karrierat më inteligjente dhe më të pavarura të Hollivudit.
Udhëtimi i Kameron Mishel Diaz nuk nisi në një shkollë aktrimi, por në korridoret e shkollës së mesme politeknike të Long Biçit. Në moshën 16-vjeçare, ende nxënëse, ajo firmosi kontratë me agjencinë legjendare Elite Model Management. Për pesë vitet e ardhshme jetoi mes Japonisë, Australisë, Marokut, Meksikës dhe Parisit, duke pozuar për Kelvin Klajn, Livi’s dhe duke u shfaqur në kopertinën e revistës Seventin.
Fati ia ndryshoi jetën kur u kthye në Kaliforni. Një agjent i Elite-s e rekomandoi për një audicion për filmin “Maska” prodhim i vitit 1994. Pa pasur bërë më parë asnjë orë aktrimi, 21-vjeçarja që do të luante Tina Karlajl përballë Xhim Kërrit, u bë brenda natës një sensacion botëror. Filmi ishte ndër dhjetë më fitimprurësit e vitit dhe e vulosi menjëherë imazhin e saj si biondja amerikane e parezistueshme.
Por Diaz refuzoi të mbetej vetëm një fytyrë e bukur.
Pas rolit dytësor në “Dasma e shokut tim më të mirë” prodhim i vitit 1997, përkrah Xhulia Roberts, shpërthimi i vërtetë erdhi me “Diçka për Merin” prodhim i vitit 1998, të vëllezërve Farelëli. Roli i Merit i solli nominimin e parë për Globin e Artë dhe e shndërroi në mbretëreshën e komedisë romantike të fundviteve ’90.
Ajo që e dalloi nga të tjerat ishte kurajoja për të thyer klishetë.
Aktorja dramatike: Në “Të jesh Xhon Malkoviç” prodhim i vitit 1999, ajo u shfaq e parruar dhe brilante, duke fituar nominime për BAFTA-n, Globin e Artë dhe Çmimet e Shoqatës së Aktorëve të Ekranit. Po atë vit ishte pronarja e pamëshirshme e ekipit në “Çdo të dielë”, filmin e Oliver Stounit.
Ylli i aksionit: Trilogjia “Engjëjt e Çarlit” prodhim i vitit 2000, 2003 e bëri pjesë të një prej serive filmike më fitimprurëse, me mbi 260 milionë dollarë vetëm filmi i parë.
Zëri i një brezi: Si zëri i Princeshë Fionës në serinë “Shrek” prodhim i vitit 2001–2010, ajo u bë pjesë e filmit të parë që fitoi Oskarin për filmin më të mirë të animuar. Filmat e serisë “Shrek” kanë grumbulluar në total mbi 3 miliardë dollarë.
Muzë e regjisorëve të mëdhenj: Punoi me Martin Skorcezen në “Bandat e Nju-Jorkut” prodhim i vitit 2002 dhe me Kameron Krouin në “Qielli prej vaniljeje” prodhim i vitit 2001, ku kritika e cilësoi performancën e saj si tronditëse dhe magjepsëse.
Vitet 2005–2014 e konsoliduan si një nga aktoret më të paguara në botë. Në vitin 2013 u shpall aktorja më e paguar mbi 40 vjeç, ndërsa filma si “Pushimet” (2006), “Çfarë ndodh në Las Vegas” prodhim i vitit 2008, “Mësuesja e keqe” (2011) dhe “Gruaja tjetër” (2014) e mbajtën vazhdimisht në majë.
Në kulmin e famës, bëri zgjedhjen më të guximshme: u tërhoq.
Pas tre filmave në vitin 2014, ajo njoftoi se do t’i përkushtohej jetës private. Gjatë kësaj pauze u rishpik sërish, kësaj here si autore. Dy librat e saj, “Libri i trupit” botim i vitit 2013 dhe “Libri i jetëgjatësisë” botim i vitit 2016, u bënë bestsellerë të Nju-Jork Tajmsit dhe u shndërruan në manuale për një mënyrë jetese të shëndetshme.
Jeta private ka qenë po aq solide sa karriera. Që nga viti 2015 është e martuar me kitaristin e grupit Gud Sharlot, Benxhi Maden. Çifti, i njohur për diskrecionin, u bë prind për herë të parë në dhjetor 2019 me vajzën Radiks, dhe më pas e zgjeroi familjen përmes një nëne surrogate, duke qëndruar larg vëmendjes mediatike që e ndoqi për dekada.
Pas një dekade larg ekranit, rikthimi i saj ishte i bujshëm: në janar 2025 u rikthye në ekran me komedinë aksion “Përsëri në aksion”, në platformën Netfliks, përkrah Xhemi Foksit, duke dëshmuar se karizma e saj nuk kishte ndryshuar.
Kameron Diaz mbetet një nga shembujt më të mirë se si mund të jesh simbol seksi pa u bërë viktimë e këtij imazhi. E përulur, tokësore dhe gjithmonë me një humor vetëironizues, ajo frymëzoi një brez të tërë vajzash të besonin se bukuria mund të ecte krah për krah me biznesin, inteligjencën dhe kontrollin mbi fatin e vet.
Pyetja duket qesharake por herë-herë merr kuptim kur ndjen se për muaj me radhë përvëlohesh nën diellin 40 gradësh të Tiranës. Se në Tiranë 50 vjet më parë bënte dimër. Tanimë është behar në çdo kohë.
Në mendësinë tradicionale, Apokalipsi perceptohet si një ndëshkim hyjnor për mëkatet e njerëzimit. Kjo është një ide e rrënjosur thellë në kulturën dhe historinë tonë, një përsëritje e pandërprerë në gojëdhënat dhe librat e shenjtë që përshkruajnë fundin e botës si një hakmarrje të Zotit për veprimet e padenja të njerëzve. Megjithatë, në kohën moderne, ky perceptim ka filluar të rrënohet, duke na shtyrë të rimendojmë përkufizimin e Apokalipsit.
A është vërtet një ndëshkim hyjnor apo thjesht pasojë e natyrshme e veprimeve tona?
Ngrohja globale nuk është më një ëndërr, që ndoshta edhe mund të mos dalë, se helbete ëndërr është. Sepse Tirana, – që është kryeqendra e Shqipërisë dhe jetojnë e punojnë gjysma e shqiptarëve të mbetur, bashkë me qeveritarët, – prej vitesh nuk e njeh më të ftohtin e dimrit. Vera e vitit 2024 u përjetua si një nga më të nxehtat në historinë e njerëzimit, një çast vendimtar që tregon realitetin alarmant të ndryshimeve klimatike. Temperaturat po thyejnë rekorde, zjarret pyjore po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha toke, dhe thatësira po rrit rrezikun për mungesën e ujit dhe ushqimit. Këto ngjarje ekstreme, dikur të rralla, po bëhen përditshmëri, duke lënë pas vetes një ndjenjë të përbashkët të brishtësisë dhe papërcaktueshmërisë për të ardhmen e planetit tonë.
Ndoshta kjo është një shenjë që Apokalipsi na është afruar?
Në fakt, trajtimin e apokalipsit si temë, frika që njerëzit përjetojnë, është një pasqyrë e kompleksitetit të përjetimeve njerëzore në prag të fundit të gjithçkaje. Apokalipsi, si një koncept universal, ka ngulitur rrënjët thellë në imagjinatën kolektive që nga fillimet e njerëzimit. Ai nuk është thjesht një fund fizik i botës, por një pasqyrë e brishtë së qenies njerëzore përballë forcave të pakuptueshme, të pandalshme dhe të pamëshirshme.
Oh, sa thellë u futëm mor aman. Edhe kjo na duhej në temperaturat përvëluese ku truri nuk mbushte as me oksigjenin e nevojshëm. Nejse…
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar njerëzit flisnin për vitin 2000 si për fundin e botës. Pritej Apokalipsi. Megjithëse duheshin edhe 20 vite nga ndëshkimi, data e supozuar e Apokalipsit në fakt dukej shumë e largët. Mirëpo kur viti 2000 trokiti, toka nuk u trondit edhe pse u hodhën fishekzjarrë në gjithë botën aq sa të kujtonin bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo Apokalipsi nuk erdhi.
Pastaj u tha ishte bërë një përllogaritje gabim, dhe sipas gjasave dita e gjykimin ishte andej nga fundi i vitit 2012, sepse deri aty shkonte dhe kalendari Maja. Kishim dhe 12 vite të tjera jetë beqari, ku mund tia shtrinim kabllin sa të na hante dora.
Mirëpo iku dhe viti 2012 mes tringëllimit të gotave të shampanjës dhe numërimit mbrapsht 4, 3, 2, 1… Zero.
Apokalipsi nuk u pa.
Në këtë kohë në lojë u fut baba Vanga. Demek ai e kishte bërë parashikimin më të saktë dhe se vetë Nostradamusi… E treta e vërteta, apo,..
Njerëzit u lodhën duke pritur ditën e gjykimit. Apokalipsi u la i lirë, mund të vinte kur të donte. U thelluan vetëm koncpiracionistët që Apokalipsin e lidhën në afrimin e planetit Nibiru në orbitën e Tokës, ku fuqia e tij gravitacionale do ta shkundte planetin Blu nga themelet e do t’i nxirrte ujët e Zi.
Por as Nibiru nuk po duket në horizont. Megjithëse për të duhet se ka një orbit ëtë barabartë me 3600 vite tokësorë
Por Apokalipsi nuk po vjen akoma. Ose ndoshta është duke ardhur, por megjithë mesazhet që na jep, ne nuk arrijmë t’i ç’kodojmë ose thjesht nuk duam ta kuptojmë.
Kohët e fundit, domethënë në ditët e gushtit 2024 lajmet tronditën me njoftimin se një krijesë e rrallë e quajtur “peshku i ditës së gjykimit” u zbulua në brigjet e Kalifornisë Jugore. Peshku i rrallë me 12 këmbë, i cili dukej si një gjarpër i madh deti, i shokoi shkencëtarët detarë. Në disa zona të botës, këto krijesa shihen si pararojë të lajmeve të këqija, ndaj dhe krijesa në njihet si: peshku i ditës së gjykimit.
Kësaj rradhë më duket se e hëngrëm vërtet. Po mblidhet laku.
Dielli po na pjek. Në sfond kemi dhe luftrat lokale që nuk është çudi të na shndërohen në mbarë botërore. Atëhere po, do ta kemi vetë në dorë Apokalipsin. Një shtypje butoni dhe… BUM. Na marrtë të keqen Bing Bengu.
Nëse e vëzhgojmë botën sot, duket qartë se shumë nga krizat me të cilat përballemi, qofshin ato ekologjike, sociale apo ekonomike, janë krijime të vetë duarve tona. Ndryshimet klimatike, ndotja, varfëria e skajshme, pabarazia, luftërat dhe konfliktet që na shqetësojnë çdo ditë nuk janë rezultat i ndonjë vendimi hyjnor. Përkundrazi, ato janë pasojë e vetëdijes sonë të kufizuar, e etjes për pushtet, pasuri dhe dominim mbi të tjerët. Në një farë mënyre, njerëzimi është duke i nxjerrë vetë rrënjët e vet, duke e shkatërruar botën dhe veten njëkohësisht.
E ndërsa në Tiranë mund të zejeje rrobat në qiell të hapur, në shumë rajone të tjera evropiane u shkaktuan reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje.
A është kjo një shenjë tjetër se apokalipsin e kemi afër?
Ku ta dish, edhe mundet.
Ne kemi kohë që flasim dhe presim Apokalipsin. Ndoshta dhe kjo është bërë një përditshmëri e nuk na bën fort përshtypje. Ndaj jemi mësuar me të siç po mësohemi me temperaturat ekstreme.
Frika ndaj apokalipsit përshkon çdo aspekt të jetës, duke u shfaqur në art, letërsi, dhe mitologji, si një pasqyrë e ankthit të njeriut për të panjohurën. Është frika e të humburit të gjithçkaje që kemi ndërtuar, të të lënë pas historitë dhe kujtimet që na bëjnë të tillë çfarë jemi. Njerëzit, në këtë dritë, janë qenie që përpiqen të mbajnë nën kontroll kaosin përreth, dhe kur ky kaos merr formën e apokalipsit, ky kontroll shpërbëhet.
Megjithatë Apokalipsi duket se është larg.
Prej vitesh kemi nisur të mësohemi me termat: efekti serë, ngrohje globale, dhe marrjen e tokës nga deti. Përmbytja e qyteteve bregdetare dhe futja e tyre nën ujë, gjithashtu mund të jetë një proces që do të konsiderohet në një të ardhme jo fort të largët.
A është dhe kjo një shenjë apokaliptike?
Shqipëria është nën kërcënimin e erozionit të shkaktuar nga rritja e nivelit të detit dhe aktivitetet njerëzore.
A keni dëgjuar për një studim të Bankës Botërore…? Një studim që flet mbi ngrohjen globale dhe ndikimet e saj, përfshirë përmbytjet e vijave bregdetare. Ky studim ka tërhequr vëmendje për potencialin e humbjeve të mëdha territoriale dhe urbane në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Vendi ynë, me një vijë bregdetare të gjatë dhe qytete të rëndësishme është veçanërisht e rrezikuar nga ngritja e nivelit të detit dhe përmbytjet. Në nivel botëror, në vitin 2100, nga ndryshimet klimatike, Banka Botërore parashikon, se do të rritet niveli i detit me 50-60 centimetra. E pra projeksioni i këtij studimi tregon se 75 vite më vonë Shqipërisë do t’i mungojë gati 1/3 e territorit. Për fatin tonë, – të mirë a të keq nuk e di, – këto toka nuk na i pushtojnë armiqtë shekullorë. Na i merr uji. Dhe ujin nuk e lufton dot as me shpata e shigjeta, as me topa e mitrolozë. Parashikimi për Shqipërinë është i frikshëm kur mendon se Durrësi, Fieri, Velipoja, Shëngjini do të jenë nën ujë.
Kjo do të jetë vërtet një situatë apokaliptike. Për më tepër që një Durrës e kemi nën ujë. Dhe presim që edhe këtë të cilin e kemi në gjendje, me hipotekë e certifikatë pronësia të na zhytet nën Adriatik bashkë me Portin e Jahteve dhe godinat luksoze përreth tij.
Ndaj duket sikur në horizont është shfaqur Apokalipsi.
Por frika ndaj apokalipsit nuk është thjesht frikë ndaj shkatërrimit fizik. Është frika ndaj humbjes së kuptimit, e asaj çfarë na ndan nga e përditshmja. Ndërsa universi përfundon, njerëzit nuk ndjejnë vetëm frikën e shuarjes së tyre, por edhe të humbjes së gjithçkaje që i ka dhënë formë jetës: dashuritë, ambiciet, bindjet dhe marrëdhëniet. Në një farë mënyre, apokalipsi është një përballje me pafundësinë, me vetëdijen që fundi nuk është vetëm fizik, por edhe shpirtëror. Kjo e bën atë një nga temat më të thella dhe më të frikshme për njerëzimin.
Ndërsa teknologjia dhe globalizimi na kanë dhënë fuqinë për të ndikuar në çdo cep të planetit, ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah lakminë, egoizmin dhe indiferencën tonë ndaj njëri-tjetrit dhe natyrës. Përballë kësaj, Apokalipsi duket më shumë si një përmbysje që ne vetë e kemi shkaktuar, sesa një ndëshkim i Zotit. Kur shkaktojmë shkatërrim ndaj ambientit për fitime të përkohshme, kur anashkalojmë të drejtën e tjetrit për të jetuar në paqe dhe dinjitet, ne jemi duke ndërtuar bazat për apokalipsin tonë personal dhe kolektiv.
Shumëkush mund të argumentojë se Zoti ka dhënë urdhra dhe udhëzime për një jetë të drejtë dhe të barabartë. Megjithatë, është vetëdija jonë e munguar dhe veprimet tona që po na çojnë drejt një apokalipsi të pashmangshëm. Në fund të fundit, apokalipsi që përballemi nuk është një ndëshkim për mëkatet e kaluara, por një pasojë e drejtë për mëkatet që vazhdojmë të kryejmë, të thelluar në një cikël të pafund dëmprurës.
Në vitet 1920, mjeku gjerman Magnus Hirschfeld ishte një nga pionierët e parë që u ofroi ndihmë njerëzve që ndienin se identiteti i tyre gjinor nuk përputhej me seksin e përcaktuar në lindje. Por veprimtaria e tij do të përplasej me homofobinë dhe përndjekjen naziste.
Mjeku gjerman Magnus Hirschfeld ishte një pionier i luftës kundër diskriminimit seksual. Historia e tij, si dhe ajo e ndërhyrjeve të para kirurgjikale për ndryshimin e seksit, vjen përmes artikullit “Klinika e parë e ndryshimit të seksit”, të Elisa Vencos, botuar në arkivat e Focus Storia.
PIONIERI
Më 6 korrik 1919, në Berlin u inaugurua Institut für Sexualwissenschaft – Instituti i Seksologjisë. Ai përfaqësonte një hap themelor në historinë e luftës kundër diskriminimit seksual. Megjithatë, pak njihnin themeluesin e tij, mjekun gjerman Magnus Hirschfeld (1868–1935). Akoma më të paktë ishin ata që e dinin se ku ndodhej ndërtesa ku, më shumë se një dekadë më vonë, do të kryheshin ndërhyrjet e para kirurgjikale për ndryshimin e seksit: një vilë në lagjen Tiergarten, ku çdo vit dyndeshin mijëra pacientë.
TABUTË SEKSUALE
Hirschfeld nuk merrej vetëm me homoseksualitetin dhe transvestizmin. Ai ishte ndër të parët që përdori termin “transvestit”, në esenë e tij të vitit 1910. Interesat e tij shkonin edhe te edukimi seksual, infertiliteti, kontracepsioni dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme – tema që në atë kohë konsideroheshin tabu.
Ideja për themelimin e institutit kishte lindur rreth dy dekada përpara inaugurimit të tij, e nxitur nga një tragjedi personale që do ta prekte thellë mjekun.
SIGURIA
Një mbrëmje të vitit 1896, Hirschfeld gjeti një oficer gjerman duke e pritur në hyrje të banesës së tij. Oficeri ishte një pacient që mjeku e kishte trajtuar për atë që ishte diagnostikuar si “depresion”. Por pas gjendjes së tij fshihej diçka tjetër: tërheqja ndaj burrave, diçka e papranueshme për pjesën më të madhe të shoqërisë së kohës, aq më tepër për një ushtarak.
Në pamundësi për t’i rezistuar ndjenjave të tij, në prag të martesës oficeri kishte ardhur t’i rrëfente mjekut “turpin” që mbante mbi vete. Pak ditë më vonë, ai kreu vetëvrasje. Në një letër që i la Hirschfeldit shkruante se mendimi se mund të kontribuonte për një të ardhme, në të cilën atdheu gjerman do t’i shihte njerëzit si ai me më shumë drejtësi, ia ëmbëlsonte orën e vdekjes.
SHKENCA PËRBALLË PARAGJYKIMIT
I goditur nga fjalët e oficerit, një vit më vonë Hirschfeld themeloi Komitetin Shkencor-Humanitar, me synimin për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve dhe, mbi të gjitha, për të kërkuar shfuqizimin e të ashtuquajturit Paragrafi 175.
Ky paragraf, pjesë e kodit penal gjerman që nga viti 1871, kriminalizonte marrëdhëniet seksuale mes burrave. Për shkelësit parashikohej edhe dënimi me burg. Vetë Hirschfeldi u bë objekt sulmesh dhe përbuzjeje. Në qarqet shkencore u mbiquajt me ironi “Ajnshtajni i seksit”, ndërsa në klubet homoseksuale të Berlinit thirrej “Halla Magnezia”.
Deri në vitet 1930, ligji zbatohej relativisht rrallë, pasi për një dënim kërkohej një rrëfim ose prova. Meqenëse bëhej fjalë kryesisht për marrëdhënie konsensuale, këto prova shpesh mungonin. Por ekzistenca e ligjit mbetej një kërcënim.
Për shfuqizimin e tij, Hirschfeld mblodhi më shumë se 5 mijë nënshkrime, mes tyre edhe të shkencëtarit Albert Einstein dhe shkrimtarëve Alfred Döblin e Hermann Hesse. Kur peticioni mbërriti në Parlament, në vitin 1898, ai u mbështet vetëm nga një pakicë e deputetëve socialdemokratë.
I GODITUR, POR JO I THYER
Përmes Komitetit Shkencor-Humanitar, Hirschfeld filloi të mblidhte të dhëna dhe të shpërndante materiale shkencore në trena dhe vende publike, me synimin për të luftuar paragjykimet. Ai përpiqej, për shembull, t’u shpjegonte prindërve të fëmijëve homoseksualë se orientimi seksual nuk duhej parë si një sëmundje apo turp.
Në një prej botimeve të tij shtrohej edhe pyetja: “Çfarë duhet të dinë njerëzit për seksin e tretë?”, ku trajtoheshin edhe çështje që sot lidhen me identitetin transgjinor.
Hirschfeld shpresonte se botimet dhe kërkimet e tij do të zbusnin qëndrimin armiqësor të shoqërisë ndaj njerëzve që nuk ishin heteroseksualë.
Ai madje u përfshi në realizimin e filmit Anders als die Andern (Ndryshe nga të tjerët, 1919), një nga filmat e parë që trajtoi hapur homoseksualitetin. Filmi rrëfente historinë e një violinisti homoseksual, i cili shantazhohet për të mos zbuluar orientimin e tij dhe, në fund, kryen vetëvrasje – një fat tragjik që të kujtonte atë të oficerit që kishte kërkuar ndihmën e Hirschfeldit.
I KONTESTUAR
Fushata e ndërgjegjësimit nuk kalonte pa kundërshtime. Në vitin 1921, në përfundim të një konference, Hirschfeld u godit me një gur dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kokë.
Disa ditë më vonë, një gazetë ultranacionaliste shkruante me kënaqësi se mjeku ishte plagosur rëndë dhe shprehte keqardhje që ai kishte mbijetuar. Sulmi verbal ishte po aq brutal sa edhe ai fizik: Hirschfeld paraqitej si një “helmues” i popullit gjerman dhe si një figurë që duhej zhdukur.
FILLIMI I FUNDİT
Fundi do të vinte me ngritjen e nazizmit. Adolf Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë në janar 1933 dhe, pak nga pak, Berlini liberal e transgresiv i viteve 1920 filloi të zhdukej.
Në kryeqytetin gjerman kishte qindra klube ku mblidheshin homoseksualë dhe lezbike. Kjo atmosferë e lirë dhe provokuese është përshkruar me forcë edhe nga shkrimtari britanik Christopher Isherwood në romanin Mirupafshim në Berlin, që më vonë do të frymëzonte muzikalin Kabare dhe filmin e vitit 1972 me të njëjtin emër.
QASJA SHKENCORE
Kjo klimë lirie i detyrohej, pjesërisht, edhe punës së Hirschfeldit. Ai ishte ndër të parët që u përpoqën ta trajtonin homoseksualitetin dhe transvestizmin nga një këndvështrim shkencor dhe jo thjesht moral.
Sipas historianes Laurie Marhoefer, në librin Sex and the Weimar Republic, Hirschfeld argumentonte se shkenca, dhe jo morali fetar, duhej të udhëhiqte mënyrën se si shteti dhe shoqëria i përgjigjeshin seksualitetit.
Për rreth dy dekada, ai arriti madje të bindte policinë që t’u jepte transvestitëve të të dyja gjinive një lloj “leje maskimi”. Dokumenti i mbronte nga gjobat ose burgimi që mund t’u shqiptohej për prishje të rendit publik.
Për Hirschfeldin, mënyra e pazakontë e veshjes nuk ishte domosdoshmërisht një shfaqje e devijimit seksual. Ai e shihte atë si shprehje të një gjendjeje të veçantë psikologjike dhe seksuale.
NDËRHYRJET E PARA
Duke pranuar se disa njerëz mund të ndienin se i përkisnin një gjinie të ndryshme nga ajo që u ishte përcaktuar në lindje, Hirschfeld mendonte se shkenca duhej t’u jepte mundësinë për t’iu afruar sa më shumë identitetit të tyre gjinor.
Kështu u hap rruga edhe për ndërhyrjet kirurgjikale. Në vitin 1930, në bashkëpunim me kirurgun Ludwig Levy-Lenz, u krye një nga ndërhyrjet e para të këtij lloji.
Pacienti ishte danezi Einar Wegener, i cili më vonë do të njihej si Lili Elbe. Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën dhe u trajtua edhe në filmin The Danish Girl (2015).
Detajet e ndërhyrjes së parë mbeten pjesërisht të paqarta, veçanërisht në lidhje me atë nëse në atë fazë u hoqën vetëm testikujt apo edhe penisi. Pas ndërhyrjeve, Einar Wegener filloi të jetonte si Lili Elbe dhe u nda nga gruaja e tij, Gerda.
Pasuan operacione të tjera dhe përpjekje kirurgjikale gjithnjë e më të avancuara. Lili Elbe vdiq më 13 shtator 1931, pas komplikimeve që lidhen me një ndërhyrje për transplantimin e mitrës.
VAGINOPLASTIKA
Disa muaj më herët, në qershor 1931, Dora Richter, e cila kishte lindur me emrin Rudolph dhe punonte si shërbëtore në institutin e Hirschfeldit, iu nënshtrua një prej ndërhyrjeve të para të plota për afirmimin kirurgjikal të gjinisë, përfshirë vaginoplastikën.
Këto ndërhyrje u kryen në vitet e fundit të veprimtarisë së Institutit të Seksologjisë, në një kohë kur Hirschfeldi po përballej gjithnjë e më shumë me armiqësinë e simpatizantëve nazistë.
Për nazistët, ai përfaqësonte gjithçka që ata e kundërshtonin: ishte hebre, homoseksual, liberal dhe pacifist.
IDEOLOGJIA NAZISTE
Hirschfeld argumentonte se homoseksualiteti ishte i lindur dhe nuk përbënte një gjendje “të panatyrshme”. Nazistët mendonin të kundërtën. Për ideologjinë e tyre, homoseksualiteti ishte shenjë e një “degjenerimi” kulturor dhe biologjik që kërcënonte familjen patriarkale dhe e largonte mashkullin arian nga detyra për të lindur fëmijë për kombin.
REPRESIONI
Më 6 maj 1933, ndërsa Hirschfeld ndodhej jashtë Gjermanisë, Instituti i Seksologjisë u sulmua nga studentë nazistë. Ata sekuestruan materiale dhe dokumente, përfshirë të dhëna personale të pacientëve.
Rreth 20 mijë libra dhe vëllime u morën nga biblioteka dhe arkivat, së bashku me fotografi, emra dhe adresa. Fati i këtyre të dhënave u bë veçanërisht i rrezikshëm, pasi ato mund të përdoreshin për identifikimin dhe përndjekjen e homoseksualëve dhe personave të tjerë të konsideruar “të padëshirueshëm” nga regjimi.
ZJARRI
Natën e 10 majit 1933, shumë prej librave të bibliotekës së institutit u dogjën publikisht në Berlin, së bashku me libra të autorëve hebrenj dhe intelektualëve të tjerë të shpallur armiq të regjimit.
Ishte një nga skenat më simbolike të shkatërrimit kulturor të Gjermanisë naziste.
Hirschfeld e pa djegien e librave të tij në një film kronikal. Ai nuk u kthye më në Gjermani. Vdiq në Nice të Francës në vitin 1935, pa e parë më institutin që kishte ngritur dhe pa mundur të kthehej në vendin e tij.
HOMOFOBIA NAZISTE
Midis 30 qershorit dhe 2 korrikut 1934, gjatë asaj që u bë e njohur si “Nata e thikave të gjata”, regjimi nazist ndërmori një valë vrasjesh dhe arrestimesh kundër drejtuesve të SA-së, organizatës paraushtarake naziste, si dhe kundërshtarëve të tjerë politikë.
Mes viktimave ishte Ernst Röhm, drejtuesi i SA-së dhe një homoseksual i njohur. Konflikti mes Hitlerit dhe Röhmit ishte në thelb një luftë për pushtet brenda regjimit, por propaganda naziste e përdori homoseksualitetin e Röhmit për të justifikuar spastrimin.
Pas vitit 1934, përndjekja e homoseksualëve u intensifikua ndjeshëm. Numri i dënimeve sipas Paragrafit 175 u rrit nga rreth 800 në vitin 1932 në më shumë se 8 mijë në vitin 1937.
TREKËNDËSHI ROZË
Sipas historianit Robert Beachy, autor i librit Gay Berlin: Birthplace of a Modern Identity, rreth 50 mijë burra u dënuan sipas Paragrafit 175 gjatë periudhës naziste, ndërsa mijëra homoseksualë u dërguan në kampe përqendrimi.
Në kampe, të burgosurit homoseksualë identifikoheshin me një shenjë të veçantë në uniformë: trekëndëshin rozë.
Nga një institut që kërkonte ta trajtonte seksualitetin me gjuhën e shkencës, deri te librat e djegur në sheshet e Berlinit dhe njerëzit e shënuar me trekëndëshin rozë, historia e Magnus Hirschfeldit tregon se sa e brishtë mund të jetë liria kur shkenca, politika dhe paragjykimi përplasen në të njëjtën kohë.
Aktorja suedeze u lind më 29 gusht 1915 në Stokholm
Nga Leonard Veizi
Ingrid Bergman kishte një veçanti që kamera e donte menjëherë: nuk kishte nevojë të bërtiste për të qenë e pranishme. Bukuria, natyrshmëria dhe një lloj ftohtësie nordike, pas së cilës fshihej një botë e tërë emocionesh, e shndërruan nga aktore suedeze në një prej yjeve më të mëdha të kinemasë botërore.
Ingrid Bergman lindi më 29 gusht 1915, në Stokholm të Suedisë, dhe vdiq po më 29 gusht, në vitin 1982, në ditën e 67-vjetorit të lindjes. Gjatë një karriere që përfshiu kinemanë suedeze, amerikane dhe evropiane, ajo u bë një prej figurave më të rëndësishme të historisë së filmit.
Për publikun amerikan, Bergman u shfaq fillimisht në versionin anglisht të filmit Intermezzo, provuar në vitin 1939. Ishte një hyrje e butë, por efektive. Ajo solli në Hollivud një pamje të ndryshme nga standardi i zakonshëm i yjeve të kohës: bukuri pa tepricë, elegancë pa artific dhe një freski nordike që e bënte të dukej njëkohësisht e largët dhe jashtëzakonisht njerëzore.
Producenti i madh Dejvid O. Selznik e kuptoi menjëherë potencialin e saj. Në vend të një kontrate tipike shtatëvjeçare, Bergman këmbënguli për një marrëveshje më të kufizuar. Fillimisht punoi vetëm për një film, ndërsa më pas nënshkroi kontratë për katër filma. Ishte një shenjë e hershme e karakterit të saj: Bergman nuk donte thjesht të bëhej një yll i sistemit të Hollivudit; donte të ruante kontrollin mbi karrierën e vet.
Pastaj erdhi një peronazh si Ilsa Lund.
Në vitin 1942, Bergman luajti përkrah Hamfri Bogartit në “Kasablanka”. Historia e dashurisë së Rikut dhe Ilsës, mes kujtimeve, luftës dhe një ndarjeje të pashmangshme, e shndërroi filmin në një klasik të përjetshëm. Dhe Bergman mbeti përgjithmonë fytyra e asaj gruaje që duhet të zgjedhë mes dashurisë dhe detyrës.
Por Kasablanka ishte vetëm një pjesë e historisë. Ajo luajti në Për kë bie këmpana, prodhuar në vitin 1943, “Dritëgazi”, provuar në vitin 1944, dhe “Këmbanat e Shën Marisë”, prodhuar në vitin 1945, ndërsa me Alfred Hiçkokun ndërtoi një prej bashkëpunimeve më të rëndësishme të karrierës së saj. Në “Të magjepsur”, prodhuar në vitin 1945, dhe sidomos në “Të dyshimtë”, prodhuar në vitin 1946, përkrah Keri Grantit, Bergman tregoi se mund të ishte njëkohësisht aktore romantike, protagoniste dramatike dhe figurë e një thrilleri psikologjik.
Hiçkoku do ta drejtonte sërish në “Nën Kaprikorn”, provuar në vitin 1949.
Por pikërisht kur dukej se Bergman ishte vendosur përfundimisht në panteonin e Hollivudit, ajo bëri zgjedhjen që do t’i ndryshonte jetën.
Në vitin 1950 luajti në Stromboli, të regjisorit italian Roberto Roselini. Gjatë kësaj periudhe, marrëdhënia e saj me Roselinin u kthye në një skandal të madh publik, pasi të dy ishin të martuar kur nisën lidhjen. Bergman mbeti shtatzënë dhe më pas u martua me regjisorin italian.
Në Amerikën konservatore të viteve ’50, reagimi i ashpër. Aktorja që ishte kthyer në simbol të gruas ideale të ekranit u shndërrua papritur në objekt të një gjyqi moral publik. Për disa vite, ajo punoi kryesisht në Evropë dhe qëndroi larg Hollivudit.
Por Bergman nuk u rrëzua.
Në vitin 1956, ajo u rikthye në Hollivud me Anastasia. Roli i solli Oskarin e dytë të karrierës dhe dëshmoi se publiku amerikan nuk e kishte harruar. Përkundrazi, rikthimi i saj ishte një nga ato momente kur një aktore nuk kthehet thjesht në ekran, por kthehet me një histori personale që tashmë është bërë pjesë e legjendës së saj.
Bergman fitoi gjithsej tre çmime Oskar, si dhe çmime Emi, Golden Globe dhe Toni. Në klasifikimin e Institutit Amerikan të Filmit ajo renditet ndër yjet më të mëdha femra të kinemasë amerikane.
Megjithatë, ndoshta çmimet nuk janë ajo që e ka mbajtur emrin e saj gjallë.
Është fytyra. Është zëri. Është mënyra si shikonte.
Dhe është sidomos ajo skenë e Kasablankës ku Ilsa dhe Riku e kuptojnë se dashuria e tyre nuk do të ketë një fund si në përralla.
Ingrid Bergman lindi dhe vdiq në të njëjtën datë, 29 gusht. Një rastësi që duket sikur i vendosi një kornizë të përsosur jetës së saj: nga Stokholmi në Hollivud, nga Intermezzo te Kasablanka, nga Hiçkoku te Roselini, nga skandali te rikthimi.
Ajo nuk ishte thjesht një yll suedez në Hollivud. Ishte një nga ato fytyra që kinemaja nuk i harron.
Më 29 gusht 1949, në orën 7 të mëngjesit me orën lokale, stepa e pafund e Semipalatinskut në Kazakistan u ndriçua nga një dritë që nuk e kishte parë kurrë. Për një çast, nata u bë ditë. Pastaj erdhi zhurma. Dhe më pas, një re kërpudhë u ngrit mbi shkretëtirë.
Bashkimi Sovjetik sapo kishte shpërthyer bombën e tij të parë atomike. Monopoli bërthamor amerikan, i cili kishte zgjatur vetëm katër vjet, kishte marrë fund. Lufta e Ftohtë sapo kishte hyrë në fazën e saj më të rrezikshme.
Amerikanët e quajtën “Joe-1”, me ironi, sipas Josif Stalinit. Sovjetikët e quajtën zyrtarisht RDS-1 – “Reaktivniy Dvigatel Specialniy” – dhe jozyrtarisht “Pervaya Molniya” – Rrufeja e Parë.
Heshtja që alarmoi një fizikant të ri
Historia nuk fillon në vitin 1949. Fillon në vitin 1939.
Në vitet ’30, fizikantët sovjetikë ishin në ballë të botës. Në Leningrad dhe Kharkov flitej hapur për ndarjen bërthamore. Në vitin 1940, dy fizikantë të rinj, Georgy Flyorov dhe Konstantin Petrzhak, kishin zbuluar edhe ndarjen spontane të uraniumit.
Por pastaj ndodhi diçka e çuditshme. Flyorov, i cili shërbente si oficer i aviacionit, vuri re se në të gjitha revistat shkencore perëndimore kishte rënë një heshtje e plotë për temën e fisionit. Asnjë artikull i ri nga gjermanët, amerikanët apo britanikët. Për një shkencëtar, kjo heshtje ishte më e zhurmshme se çdo artikull.
Në prill 1942, nga fronti, 29-vjeçari Flyorov i shkroi një letër direkt Josif Stalinit:
“Pa gabim, po ndërtohet një superarmë. Duhet ta ndërtojmë edhe ne, pa humbur asnjë ditë.”
Letra përfundoi mbi tavolinën e duhur. Stalini, i zhytur në luftën kundër Gjermanisë, e kishte lënë mënjanë projektin bërthamor. Por kjo letër, plus informacioni që po vinte nga spiunët në Perëndim, e detyroi të veprojë.
Në fund të vitit 1942, ai thirri fizikantin Igor Kurchatov. Një burrë me mjekër, energjik, i njohur me pseudonimin “Mjekra”. Urdhri ishte i thjeshtë dhe brutal: “Na jepni bombën.”
Dy rrugë për një bombë: shkenca dhe spiunazhi
Projekti sovjetik lindi me dy këmbë. Njëra ishte shkenca vendase, tjetra ishte spiunazhi.
Këmba e parë: Kurchatov dhe Arzamas-16.
Laboratori Nr.2 në Moskë, i drejtuar nga Kurchatov, u bë zemra. Më vonë, në një vend të fshehtë që nuk ekzistonte në asnjë hartë, u krijua qyteti i mbyllur Arzamas-16, sot Sarov. Atje, nën drejtimin e shkencëtarit kryesor të armëve, Yuli Khariton, u mblodhën mendjet më të mira.
Këmba e dytë: Spiunët brenda “Manhattan Project”.
Ky është ndoshta operacioni më i suksesshëm i spiunazhit në histori. Klaus Fuchs, fizikani gjerman që punonte në Los Alamos, Theodore Hall, David Greenglass dhe rrjeti i Julius Rosenberg transmetuan në Moskë mijëra faqe me vizatime, llogaritje dhe detaje.
Kur amerikanët hodhën bombat mbi Hiroshima dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht 1945, Stalini e kuptoi se bota kishte ndryshuar. Ai thirri në Kremlin shefin e policisë sekrete, Lavrentiy Beria, dhe i tha: “Tani na duhet bomba, me çdo kusht.”
Beria u bë shefi absolut i projektit. Një organizator i pamëshirshëm dhe i tmerrshëm. Ai kishte pushtet mbi gjithçka: mbi minierat e uraniumit në Gjermaninë Lindore dhe Çekosllovaki, mbi shkencëtarët gjermanë të kapur si Manfred von Ardenne dhe Gustav Hertz, mbi kampet e punës që nxirrnin materialin, dhe mbi jetën e vetë shkencëtarëve. Metoda e tij ishte terrori dhe privilegji në të njëjtën kohë. Nëse Kurchatov dështonte, pasojat do të ishin fatale. Nëse ia dilte, do të kishte gjithçka.
Falë informacioneve të Fuchs, sovjetikët nuk e humbën kohën duke provuar modele të ndryshme. Ata kopjuan direkt modelin amerikan “Fat Man”, bomba me plutonium që u hodh në Nagasaki. Ishte një bombë me implosion, shumë më komplekse se ajo me uranium e Hiroshimës. Kjo ishte arsyeja pse RDS-1 ishte pothuajse identike me Fat Man.
Teatri i apokalipsit në Semipalatinsk
Vendi i testimit u zgjodh në stepën kazake, 170 km në perëndim të qytetit Semipalatinsk. U quajt “Poligoni”. Një territor sa gjysma e Sllovenisë, i shpallur zonë e ndaluar.
Për të kuptuar se çfarë bënte arma e re, sovjetikët ndërtuan një teatër makabër. Jo vetëm instrumente matës.
Në rreze të ndryshme nga kulla 37-metërshe ku ishte vendosur bomba, inxhinierët ndërtuan gjithçka: shtëpi me tulla, shtëpi prej druri, ura hekurudhore, një metro të vogël, fabrika. Vendosën tanke, aeroplanë, artileri. Dhe, më tragjikja, vendosën qindra kafshë – qen, dele, derra, minj – në kafaze, të lidhura me litarë, në mënyrë që mjekët të studionin efektet e rrezatimit dhe djegieve në gjitarë të ngjashëm me njeriun.
Askush nuk mendoi për fshatarët kazakë që jetonin vetëm pak dhjetëra kilometra më larg.
Në orën 07:00, bomba shpërtheu. Fuqia ishte rreth 22 kilotonë, pak më shumë se Fat Man. Kulla u avullua në çast. Shtëpitë u rrafshuan deri në 2 km largësi. Kafshët u zhdukën ose ngordhën nga rrezatimi në ditët në vijim.
Igor Kurchatov, i cili e pa shpërthimin nga një bunker, thuhet se doli dhe tha vetëm: “Tani gjithçka ka mbaruar” – dhe përqafoi kolegun e tij Khariton.
Bota mëson lajmin dhe ngrin
Sovjetikët e mbajtën sekret. Por amerikanët nuk ishin naivë. Një aeroplan spiun B-29 që fluturonte mbi Paqësor zbuloi gjurmë radioaktive. Më 23 shtator 1949, Presidenti Harry Truman doli në televizion dhe njoftoi botën: “Ne kemi prova që në javët e fundit ka ndodhur një shpërthim atomik në BRSS.”
Tronditja në Uashington ishte e madhe. Amerikanët mendonin se sovjetikëve do t’u duheshin edhe 5-7 vjet të tjerë. Papritur, planeti kishte dy fuqi bërthamore.
Pasojat ishin të menjëhershme dhe afatgjata:
Fundi i monopolit dhe fillimi i garës. Nëse të dy palët kanë bombën, duhet një bombë më të madhe. Brenda dy vitesh, të dy superfuqitë do të fillonin punën për bombën me hidrogjen, mijëra herë më të fuqishme.
Lindja e parimit të Shkatërrimit të Ndërsjellë të Sigurt (MAD). Për herë të parë, lufta totale mes superfuqive do të thoshte vetëvrasje kolektive. Kjo, paradoksalisht, e bëri një luftë të tretë botërore direkte të pamundur, por e zhvendosi konfliktin në luftëra me përfaqësues, spiunazh dhe propagandë.
Çmimi njerëzor i fshehur. Poligoni i Semipalatinskut do të vazhdojë të përdoret për 40 vjet, me 456 teste bërthamore në total. Qindra mijëra kazakë u ekspozuan ndaj rrezatimit pa dijeninë e tyre. Sot, zona përreth njihet ende për shkallën e lartë të kancereve dhe keqformimeve. Vetëm në vitin 1991, me pavarësinë e Kazakistanit, poligoni u mbyll nga presidenti Nursultan Nazarbayev.
Më 29 gusht 1949, në një stepë të largët, njerëzimi kaloi një prag pa kthim. Rrufeja e Parë nuk ishte vetëm një arritje teknike sovjetike, e lindur nga gjenialiteti i Kurchatov-it dhe nga dosjet e vjedhura në Los Alamos. Ishte momenti kur frika u bë globale. Nga ajo ditë, çdo konflikt, çdo krizë si ajo e Kubës në 1962, do të luhej nën hijen e një reje në formë kërpudhe.
Ka një paradoks të çuditshëm te ditëlindjet. Kur je fëmijë, mezi pret të rritesh. Të duket sikur fëmijëria është një dhomë ku ke mbetur mbyllur dhe bota e të rriturve është matanë derës, duke të pritur. Numëron vitet jo sepse ke frikë prej tyre, por sepse mezi pret t’i mbërrish.
Pastaj rritesh. Dhe një ditë, pa e kuptuar se kur ka ndodhur, urimi “Edhe 100!” nuk të tingëllon më si premtim. Të kujton se edhe një vit tjetër ka ikur.
Në fëmijëri koha është një dëshirë që nuk e vlerësojmë sa duhet. Në pleqëri bëhet llogari.
Kur je i vogël, një vit të duket shumë i gjatë. Dhjetë vjet janë pothuajse një jetë tjetër. Të duket se ke përpara një pafundësi për të dashuruar, për të udhëtuar, për të gabuar, për të filluar nga e para.
Dhe pikërisht atëherë bëjmë gabimin më të madh: e marrim kohën si diçka që na përket. Mendojmë se kemi kohë. Për projektin që shtymë. Për librin që do ta shkruajmë një ditë. Për udhëtimin që do ta bëjmë kur të kemi më shumë para. Për dikë që do t’i telefonojmë të nesërmen. Për jetën që, në mendjen tonë, do të fillojë diku më vonë.
Por “më vonë” është një nga mashtrimet më të mëdha të jetës.
Në mesin e jetës kemi ndoshta më shumë projekte se kurrë. Kemi më shumë qartësi për atë që duam dhe ndoshta edhe mjetet për ta realizuar. E megjithatë vazhdojmë të besojmë se koha është e bollshme. Tridhjetë vjeç mendon se të dyzetat janë larg. Dyzet vjeç mendon se të pesëdhjetat janë ende përpara. Derisa një ditë shikon pas dhe kupton se një pjesë e madhe e rrugës tashmë është bërë.
Koha nuk ndryshon. Ndryshon mënyra se si e shohim.
Një vit për një dhjetëvjeçar është një e dhjeta e jetës së tij. Për një pesëdhjetëvjeçar është një e pesëdhjeta. Prandaj vitet e fëmijërisë duken të gjata, ndërsa vitet e moshës së rritur rrëshqasin njëri pas tjetrit. Në fillim numërojmë vitet që kemi përpara. Më vonë fillojmë të numërojmë ato që kemi lënë pas.
Dhe aty lind ankthi i vërtetë: jo frika nga mosha, por frika se mos nuk kemi kohë të mjaftueshme. Sepse trupi plaket, por ëndrrat nuk plaken me të njëjtin ritëm.
Kjo është ndoshta padrejtësia më e madhe. Në moshën kur ke më shumë energji, nuk ke gjithmonë qartësinë se çfarë të bësh me të. Në moshën kur ke më shumë përvojë dhe njohuri, koha bëhet më e çmuar.
Papritur e kupton se nuk mund t’i bësh të gjitha. Nuk mund të lexosh të gjithë librat, të shohësh të gjitha vendet, të realizosh çdo projekt që ke imagjinuar. Secili prej nesh është i dënuar të zgjedhë.
Dhe ndoshta pjekuria fillon pikërisht aty: kur kupton se jeta nuk është vetëm ajo që do të arrish të bësh, por edhe ajo që duhet të pranosh se nuk do ta bësh dot.
Ditëlindja është një lloj pasqyre. Të detyron të shohësh fytyrën tënde, por edhe rrugën pas teje. Njerëzit që kanë qenë pjesë e saj, ata që kanë ikur, ata që kanë mbetur. Dhe mes dy urimeve dhe një qiriu të ndezur, të vjen pyetja e thjeshtë: A do të kem kohë të bëj atë që ende dua?
Ndoshta nuk ka përgjigje. Por ka një mundësi që mund t’ia japim vetes: të mos presim.
Sepse koha nuk ngadalësohet ngaqë kemi ende ëndrra. Nuk ndalet sepse kemi një projekt të papërfunduar. Dhe mbi të gjitha, nuk pyet nëse jemi gati. Ajo thjesht kalon.
Ditëlindja është vetëm mënyra që kemi shpikur për t’i vënë një shenjë këtij kalimi. Prandaj ndoshta duhet ta shohim ndryshe. Jo si një vit më shumë që na është marrë, por si një vit që na është dhënë.
Kur je fëmijë dëshiron që koha të ecë më shpejt. Kur rritesh do që të ecë më ngadalë. Kur plakesh kupton se nuk e ke pasur kurrë në dorë ta komandosh.
E vetmja gjë që mund të bësh është të vendosësh çfarë do të bësh me orët që të kanë mbetur. Sepse problemi nuk është se jeta është shumë e shkurtër. Problemi është se për një kohë të gjatë sillemi sikur do të jetë gjithmonë aty.
Vera e Barbit është tashmë lajmi i djeshëm. Përgatituni për vjeshtën horror, e cila ofron diçka për të gjithë. Të pëlqen një horror më i sofistikuar? Provoni Red Rooms, në të cilin një modele kanadeze bëhet e fiksuar pas një vrasësi serial, i cili po gjykohet për torturimin dhe vrasjen e grave në rrjetin e errët. Nëse anon nga ekstremizmi autor feminist francez, mos kërko më larg se The Substance të Coralie Fargeat, me Demi Moore në rolin e një aktoreje të moshuar që i nënshtrohet një lloj tmerri trupor, i cili lidhet më shumë me David Cronenberg-un e hershëm sesa me yllin e Ghost. Të pëlqeu zuzari i Hugh Grant në Paddington 2? Shikoje teksa e përdor sërish sharmin e tij keqdashës, këtë herë me një efekt shumë më të errët, në Heretic, shkruar dhe drejtuar nga skenaristët e A Quiet Place, Scott Beck dhe Bryan Woods.
Horrori është zhanri i vogël që mund të bëjë shumë. Ndërsa publikimet e vitit 2024 ishin në vështirësi përpara goditjes së dyfishtë të verës, Inside Out 2 dhe Deadpool & Wolverine, tmerri nuk ndaloi kurrë së ecuri përpara, javë pas jave, kryesisht nën radarin e kritikës. Filma të tillë si Immaculate dhe Abigail korrën rezultate të shëndetshme, ndërsa hiti i fundit i Oz Perkins, Longlegs, ka arritur të arkëtojë gati dhjetë herë buxhetin e tij. Tmerri nuk kërkon shpenzime të mëdha apo yje të kushtueshëm dhe fansat e tij besnikë do të vijnë me kënaqësi për të parë një kukull të vjetër djalli, një murgeshë apo një ekzorcizëm, ndonjëherë me shpresën se do të ndeshen me ndonjë copëz të frymëzuar neverie.
Shfaqja e filmave të frikshëm tradicionalisht arrin kulmin në prag të Halloween-it dhe këtë vit nuk bën përjashtim. Dëshironi një horror popullor anglez? Ja ku janë Matt Smith dhe Morfydd Clark, në rolin e prindërve të pikëlluar që gërmojnë në të kaluarën pagane rurale të Yorkshire-it, në Starve Acre të Daniel Kokotajlo. Ndoshta horrori evropian, i përshtatur në gjuhën angleze, është më shumë stili juaj? Speak No Evil i James Watkins, një ribërje e psikotrilerit danez të Christian Tafdrup, të vitit 2022, luan James McAvoy dhe Aisling Franciosi si një çift britanik që fton në shtëpinë e vet një familje amerikane, të cilën e ka takuar gjatë pushimeve, për të kaluar fundjavën në shtëpinë e tyre të bukur në fshat. Por a do ta ruajë fundin e zymtë, si ribërja e Funny Games, apo do të zgjedhë një përfundim më të butë, si The Vanishing i Hollivudit?
Gjurmët e gishtërinjve të tmerrit janë kudo, jo vetëm në filmat grindhouse dhe në VOD, por edhe në prodhimet kryesore të multiplekseve dhe në hitet e artit të adhuruara nga kritikët. Deadpool & Wolverine ofron një përplasje të qartë me elemente horror. Në Love Lies Bleeding, një personazh vjell një tjetër në një halucinacion të ushqyer me steroide. Territoret e horrorit nuk janë më pengesë për filmat që nominohen për çmime: Të gjithë ne të huajt i Andrew Haigh është një histori fantazmash, ndërsa Gjërat e varfra të Yorgos Lanthimos anon fuqishëm drejt imazheve të Frankenshtajnit, shkencëtarëve të çmendur dhe transplanteve të trurit.
Në anën tjetër të shkallës, krijuesit e filmave me buxhet të ulët rregullisht i përmbysin formulat e horrorit dhe merren me eksperimente, siç mund të shihet çdo gusht në FrightFest, në Leicester Square të Londrës. In a Violent Nature i Chris Nash së fundmi e ndryshoi nënzhanrin slasher, duke paraqitur historinë nga këndvështrimi i vrasësit të maskuar. Këtë vit, ndërkaq, JT Mollner sjell thrillerin për një vrasës serial, Strange Darling, i cili duket se do të jetë horror-i më i egër i këtij viti. Prandaj, nëse doni të shijoni narrativën e tij destabilizuese dhe jolineare, është më mirë të shmangni leximin paraprak për filmin. Dhe kini kujdes për Dead Mail të Joe DeBoer dhe Kyle McConaghy, i cili e shndërron mjedisin e një qyteti të vogël amerikan të viteve ’80 në një përrallë të shtrembëruar dashurie, sintetizuesish dhe shërbimi postar.
Natyrisht, tmerri nuk i ka shpëtuar vazhdimeve, rinisjeve dhe riciklimit të pronës intelektuale që mbizotërojnë edhe në zhanret e tjera. Beetlejuice Beetlejuice i Tim Burton rikthehet te bota e përtejme e komedisë së tij horror të vitit 1988. Dashamirët e ekskluziviteteve të nivelit të ulët mund të zgjedhin midis Hellboy: The Crooked Man, Smile 2 dhe Terrifier 3. Ndërsa fansat e Stephen King-ut mund të presin me padurim një tjetër ribërje të Salem’s Lot. Por a do të jenë vampirët po aq të frikshëm sa djemtë e vegjël që gërvishtin dritaret në mini-serialin e Tobe Hooper-it të vitit 1979?
Mbetet për t’u parë nëse Lady Gaga mund të prishë trajektoren nihiliste “incel” të sociopatit Arthur Fleck në Joker: Folie à Deux, të Todd Phillips. Traileri me vlerësim R i Kraven the Hunter të Marvel-it premton shumë gjakderdhje dhe paraqet Russell Crowe-n, i cili po ndërton një emër për veten si figurë e kinemasë së shfrytëzimit. Ndërkohë, vazhdimi i Ridley Scott-it i hitit të Crowe-t të vitit 1999, Gladiator, me siguri do të sjellë shpërthime gjaku të krijuara me CGI në arenë – dhe nëse nuk ndodh, duam paratë tona mbrapsht. Ndërsa të dridhurat vazhdojnë të vijnë, me Nosferatu të Robert Eggers dhe Wolf Man të Leigh Whannell që do të mbërrijnë në multiplekse në fillim të vitit të ri.
Në kohët e vjetra, tmerri përqeshej si një hap i vogël përpara pornografisë; tani, ai është një forcë për t’u llogaritur – fitimprurës në mënyrë të qëndrueshme, fleksibël nga pikëpamja krijuese dhe i pafund në shumëllojshmërinë e tij, nga goth-lite deri te tmerri më i skajshëm.
Paradoksalisht, ai gjithashtu siguron një strehë nga mizoritë e jetës reale që shohim në lajme. Duke e vendosur tmerrin në mënyrë të sigurt në ekran, brenda kufijve të një historie, zhanri i jep audiencës mundësinë të arratiset nga frikërat dhe ankthet e saj ose të përballet me to dhe, qoftë edhe përkohësisht, t’i kapërcejë.
U lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë.
Nga Leonard Veizi
Në horizontin e poezisë shqipe, Ali Podrimja qëndron si një figurë e veçantë: poet i dhimbjes së përmbajtur, i simbolit të ngjeshur dhe i një gjuhe që shpesh flet më shumë në heshtje sesa në deklarim. Jeta e tij përfundoi në mënyrë të pazakontë dhe ende të mbështjellë me mister, duke i shtuar figurës së tij një dimension legjendar që shkon përtej letërsisë…
…I lindur më 28 gusht 1942 në Gjakovë, në një kohë lufte dhe pasigurie të thellë historike, Podrimja u rrit në një realitet të shënuar nga tronditje shoqërore dhe politike. Kjo përvojë e hershme do të bëhej bazë e ndjeshmërisë së tij poetike, ku dhimbja nuk shfaqet si retorikë, por si strukturë e brendshme e vargut.
Që në rininë e hershme, ai u formua në Prishtinë, ku studioi gjuhë dhe letërsi shqipe. Në vitin 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”, duke hyrë në një rreth letrar që do ta shënjonte thellësisht zhvillimin e tij artistik.
Poezia e tij e hershme u shfaq në një kohë tensioni të madh historik në Kosovë, ku përplasjet politike dhe dhuna institucionale krijonin një klimë të rëndë ekzistence. Në këtë kontekst, vargu i tij i parë ishte një akt i përmbajtur rezistence, ku fjala nuk bëhej thirrje e drejtpërdrejtë, por simbol i koduar i qëndresës:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat.
E vatrat shkimbur deri më një…
Që nga përmbledhja e parë Thirrje, e deri te veprat e mëvonshme si Lum Lumi, Podrimja ndërtoi një univers poetik të përqendruar në simbol, metaforë dhe tension të brendshëm. Në këtë univers, fjala nuk është përshkrim, por shenjë; nuk është rrëfim, por kod.
Veprat e tij si Shamitë e përshëndetjeve, Sampo, Torzo, Zari dhe Buzëqeshje në kafaz e konsolidojnë atë si një nga zërat më modernë të poezisë shqiptare, ku vargu i lirë dhe gjuha e fragmentuar shërbejnë për të shprehur botën e ndërlikuar të njeriut bashkëkohor.
Kthesa e madhe në krijimtarinë e tij lidhet me përvojën personale të humbjes së djalit, Lumit, një tragjedi që u sublimua në një nga librat më të fuqishëm të poezisë shqipe, Lum Lumi. Në këtë vepër, dhimbja nuk është vetëm personale, por shndërrohet në metaforë universale të mungesës.
Podrimja është konsideruar poet modern në kuptimin e plotë të fjalës: ai çliroi poezinë shqipe nga struktura të ngurta metrike dhe nga retorika ideologjike, duke e zhvendosur drejt vargut të lirë, ironisë dhe shumëkuptimësisë. Tek ai, fjala nuk është më dekor, por mekanizëm i mendimit dhe i fshehjes njëkohësisht.
Poezia e tij, e përkthyer në shumë gjuhë, e ka bërë atë një zë të rëndësishëm edhe në letërsinë ndërkombëtare, duke e vendosur në dialog me traditën moderne evropiane të poezisë hermetike dhe ekzistenciale.
Jeta e tij përfundoi në mënyrë të papritur dhe ende të paqartë në 21 korrik 2012, pas një aktiviteti letrar në Francë. Trupi i tij u gjet disa ditë pas zhdukjes, duke lënë pas një pyetje të hapur që i shtohet mitit të tij poetik.
Në fund, Ali Podrimja mbetet jo vetëm një autor i rëndësishëm i poezisë shqipe, por një arkitekt i një gjuhe të brendshme, ku dhimbja, historia dhe heshtja bashkëjetojnë në një formë të vetme estetike. Vepra e tij nuk lexon kohën; ajo e përthith dhe e shndërron në kujtesë poetike.
Më 28 gusht 1988, ajo që duhej të ishte një festë e aviacionit ushtarak u kthye në një nga katastrofat më të rënda të shfaqjeve ajrore në historinë moderne. Në bazën ajrore amerikane të Ramstein, në Gjermaninë Perëndimore, mijëra njerëz kishin ardhur për të parë Flugtag ’88, një spektakël ku avionët ushtarakë demonstronin shpejtësinë, manovrat dhe saktësinë e tyre. Pak pas orës 15:00, qielli mbi bazë u mbush me tym, flakë dhe copa avionësh.
Në skenë ishte ekipi italian i akrobacive ajrore Frecce Tricolori, formacioni prestigjioz i Forcave Ajrore Italiane. Dhjetë avionë Aermacchi MB-339 po kryenin një nga manovrat më spektakolare të programit, të njohur si “Piercing the Heart” – një figurë në të cilën avionët e formacionit ndaheshin në mënyrë të sinkronizuar për të krijuar pamjen e një zemre në qiell.
Por këtë herë manovra doli tragjikisht jashtë kontrollit.
Në qendër të figurës, avioni i drejtuar nga majori Ivo Nutarelli dhe ai i drejtuar nga kapiteni Giorgio Alessio u përplasën me avionin e kapitenit Maurizio P. — një zinxhir përplasjesh që ndodhi brenda pak sekondash dhe në një lartësi shumë të ulët për t’u dhënë pilotëve mundësi shpëtimi.
Avioni qendror shpërtheu në ajër. Dy avionët e tjerë u copëtuan dhe ranë në pistë e në zonën përreth. Por tragjedia më e madhe ndodhi në tokë.
Një nga avionët e përfshirë në përplasje u drejtua me shpejtësi drejt turmës. Mbetjet e tij dhe karburanti i ndezur u përhapën mbi spektatorët. Një avion tjetër ra mbi një pistë, ndërsa pjesë të avionëve u shpërndanë në një zonë të gjerë.
Për disa sekonda, spektakli ajror u shndërrua në një skenë ferri. Flakët përfshinë njerëzit që ndodheshin pranë zonës së demonstrimit. Shumë prej tyre u goditën nga copat metalike të avionëve; të tjerë u dogjën nga karburanti i avionëve. Mes viktimave pati edhe fëmijë. Një ambulancë e ndodhur pranë zonës u përfshi gjithashtu nga zjarri.
Një nga pamjet më tronditëse të tragjedisë ishte një automjet mjekësor që u godit nga një avion i përplasur. Brenda tij ndodhej mjeku amerikan Kapiteni Kim D. Walker, i cili humbi jetën bashkë me disa të tjerë.
Bilanci ishte katastrofik. Shtatëdhjetë persona humbën jetën, përfshirë tre pilotët italianë dhe 67 njerëz në tokë. Më shumë se 300 persona u plagosën, shumë prej tyre rëndë. Shifrat përfundimtare të viktimave dhe të plagosurve ndryshojnë në disa burime sipas mënyrës së llogaritjes së të lënduarve; bilanci i përdorur gjerësisht është 70 të vdekur dhe rreth 350 të plagosur.
Një katastrofë që u pa drejtpërdrejt nga mijëra njerëz
Ajo që e bëri tragjedinë edhe më të rëndë ishte fakti se gjithçka ndodhi përpara syve të turmës. Spektatorët kishin ardhur për të parë një demonstrim të koordinuar në qiell. Shumë prej tyre kishin kamera fotografike dhe videokamera. Në vend të figurës elegante që pritej të shfaqej në qiell, ata panë tre avionë që u bashkuan në një përplasje të tmerrshme.
Një prej avionëve u përplas me tokën dhe shpërtheu. Një tjetër u copëtua në ajër. Ndërsa avioni i tretë u përplas me turmën. Njerëzit që ndodheshin më larg fillimisht nuk e kuptuan se çfarë kishte ndodhur. Disa menduan se ishte pjesë e shfaqjes. Pastaj panë tymin, flakët dhe njerëzit që vraponin në të gjitha drejtimet.
Shërbimet e emergjencës u përballën me një situatë të jashtëzakonshme. Në pak minuta, zona e shfaqjes u kthye në një pikë masive evakuimi. Të plagosurit u transportuan drejt spitaleve të Kaiserslauternit dhe objekteve të tjera mjekësore të zonës.
Çfarë e shkaktoi përplasjen?
Hetimi përcaktoi se shkaku ishte një gabim gjatë ekzekutimit të manovrës “Piercing the Heart”. Manovra kërkonte një nivel jashtëzakonisht të lartë saktësie. Avionët duhej të afroheshin me njëri-tjetrin në trajektore të paracaktuara, përpara se të ndaheshin në drejtime të ndryshme.
Në Ramstein, distancat ishin minimale dhe koha për korrigjim pothuajse zero. Një nga avionët hyri në trajektoren e tjetrit dhe përplasja ndodhi në një moment kur shpejtësia e lartë e avionëve dhe lartësia e ulët nuk i lanë pilotëve mundësi reale për të shmangur katastrofën.
Të tre pilotët humbën jetën.
Ramstein ndryshoi rregullat e shfaqjeve ajrore
Pas katastrofës, u ngritën pyetje të mëdha për mënyrën se si organizoheshin shfaqjet ajrore dhe, veçanërisht, për distancën mes avionëve demonstrues dhe publikut.
Ramstein ishte një shembull ekstrem i rrezikut që krijohej kur manovrat komplekse zhvilloheshin pranë turmave. Pas katastrofës, Gjermania vendosi kufizime të forta mbi shfaqjet ajrore dhe për një periudhë aktivitetet e këtij lloji u ndërprenë.
Rregullat e sigurisë u ndryshuan edhe në vende të tjera. Një prej parimeve që u forcua ishte krijimi i distancave më të mëdha midis avionëve dhe spektatorëve, në mënyrë që një avion që humbte kontrollin të mos përfundonte drejtpërdrejt mbi turmë.
Tragjedia e Ramstein u bë kështu një pikë kthese për sigurinë e air show-ve.
Një plagë që nuk u mbyll
Për Gjermaninë, por edhe për Italinë, 28 gushti mbeti një ditë zie. Tre pilotët e Frecce Tricolori u kthyen në Itali jo si heronj të një spektakli, por si viktima të një prej aksidenteve më të rënda në historinë e aviacionit demonstrues.
Për familjet e viktimave në tokë, historia ishte edhe më e dhimbshme: ata kishin shkuar në Ramstein për të kaluar një të dielë mes avionëve, muzikës dhe spektaklit. Shumë prej tyre nuk u kthyen më në shtëpi.
Sot, “Ramstein Air Show Disaster” kujtohet si një nga shembujt më të fuqishëm të kufirit të hollë midis spektaklit dhe katastrofës. Tre avionë, një manovër e projektuar për të krijuar një figurë të bukur në qiell dhe vetëm disa sekonda gabim mjaftuan që ajo figurë të shndërrohej në një masakër.
Atë pasdite të 28 gushtit 1988, në Ramstein, publiku nuk pa më një zemër në qiell. Pa qiellin të binte mbi të.
Globi s’ka fare ndërgjegje. Ai vazhdon të rrotullohet me një kokëfortësi të papërgjegjshme, pikërisht në atë sekondë kur ti e shpall zyrtarisht apokalipsin tënd personal dhe mendon se boshti i universit ka dalë nga vendi.
Ne jemi mjeshtër absolutë të madhështisë së vogël. E vendosim veten në qendër të gjithësisë me të njëjtën lehtësi me të cilën shefi vendos një afat të ri “për dje” dhe pret mrekulli me buxhet zero.
Dështon në një projekt? Fundi i karrierës dhe i çdo shprese njerëzore. Të lë dikush? Fundi i historisë së dashurisë. Të bërtet eprori në korridor sepse fonti i raportit nuk ishte në standardin e duhur? Fundi i dinjitetit, i ekonomisë dhe, për të qenë tërësisht dramatikë, edhe i qytetërimit perëndimor.
Dhe ne kthehemi në shtëpi me ndjesinë se sapo kemi mbijetuar një shembje të pashmangshme tektonike. Drama na ka rënë mbi kokë. E hapim TikTok-un për pak ngushëllim, vetëm për të parë dikë tjetër që po jep shpirt për një hall po aq “ekzistencial”.
Ndërkohë, jashtë dritares… asgjë.
Zero reagim institucional nga hapësira.
Toka vazhdon të rrotullohet rreth Diellit sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Hëna vazhdon të sillet rreth Tokës si një ish i ngjitur që nuk e ka marrë kurrë mesazhin e bllokimit. Stinët ndërrohen me një paturpësi skandaloze, pa na marrë fare leje. Pemët rriten, deti bën valë, ndërsa mëngjesi vjen sërish me aromë kafeje dhe me lajme të reja tronditëse që, në shumicën e rasteve, do t’i kemi harruar brenda tri ditësh.
Universi duket se vuan nga një shkujdesje totale. Ai nuk e ka marrë vesh kurrë se ti nuk e kalove provimin, se të flakën nga puna apo se dikush të tha ftohtë: “Duhet të flasim.”
Ai vazhdon të punojë në turne 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa leje mjekësore, pa sindikata dhe pa u interesuar aspak për dramën tënde të radhës.
Dhe kjo, në fakt, është njëkohësisht fyerja më e madhe dhe ngushëllimi më i madh.
Fyerja: Sepse dhimbja jote është e vërtetë. Plagët nuk janë meme dhe dështimi të djeg në palcë. Askush nuk ka të drejtë të të thotë me cinizëm “qetësohu, s’është gjë”, ndërkohë që bota jote e brendshme është shkrumbuar.
Ngushëllimi: Sepse nuk je qendra e botës. Faleminderit Zotit që nuk je!
Nëse globi do të ndalej çdo herë që ne bëjmë ndonjë marrëzi apo dështojmë në një ambicie, do të ishim ende duke gërvishtur gurët nëpër shpella.
Problemi ynë kronik është se i ngatërrojmë gjithmonë dy gjëra: tragjiken për ne me tragjiken për gjithçka.
Një qortim zyrtar nuk është luftë bërthamore. Një “jo” nga dikush nuk është vdekje klinike. Një projekt i dështuar nuk është fundi i qytetërimit. Është thjesht një projekt i dështuar.
Dhe ndonjëherë një “jo” është vetëm një “jo”, sado fort të na dhembë.
Mbase zgjidhja është kaq banale sa na vjen për të qarë: bëj një hap pas. Shikoje veten nga lart, si një pikë e vogël mbi hartë, që për një çast po dramatizon sikur gjithë planeti është mbledhur posaçërisht për t’i prishur punë.
Sepse bota është shumë më e madhe se halli ynë i radhës.
Dhe kjo nuk e bën hallin më pak të dhimbshëm. Thjesht i jep përmasat e duhura.
Globi do të vazhdojë të lëvizë edhe pa miratimin tënd.
Pyetja e vetme është: a do të vazhdosh të lëvizësh bashkë me të, apo do të mbetesh i shtrirë në mes të rrugës, duke pritur që universi të të kërkojë falje?
Në kinematografinë botërore, ka pak vepra që e zbërthejnë mekanizmin e rënies morale me një ftohtësi kirurgjikale siç bën filmi i vitit 1998, “A Simple Plan” i ardhur në shqip si “Një plan i thjeshtë”, me regji të Sam Raimit. Larg efekteve vizuale dhe spektaklit të filmave për të cilët regjisori njihet sot, ky thriller psikologjik është një leksion i dhimbshëm mbi atë se çfarë i ndodh shpirtit njerëzor kur përballet me mundësinë për të ndryshuar fatin përmes pasurisë së pamerituar…
…Në qendër të filmit qëndron një gjetje fatale: tre burra në një qytet të mbuluar nga bora e Minesotës gjejnë një avion të rrëzuar dhe brenda tij, një valixhe me 4.4 milionë dollarë. Në dukje, një bekim. Në realitet, një mallkim. Vendimi për ta mbajtur këtë pasuri të fshehur, duke shpresuar se “gjërat do të qetësohen”, është pika ku njeriu i zakonshëm fillon shndërrimin e tij në një kriminel.
Paraja si katalizator i shkatërrimit
“A Simple Plan” nuk është thjesht një film për një krim; është një ese vizuale mbi korrupsionin moral. Ajo që e bën filmin të mbetet i freskët dhe tronditës edhe dekada më vonë, është aftësia e tij për të na treguar se sa “e thjeshtë” është të heqësh dorë nga parimet. Paraja në film nuk është thjesht mjet këmbimi; ajo është një katalizator që heq maskat. Ajo nxjerr në dritë paranojën, lakminë e fjetur dhe aftësinë për të justifikuar çdo të keqe.
Kur Hank Mitchell (Bill Paxton), vëllai i tij Jacob (Billy Bob Thornton) dhe shoku i tyre Lou (Brent Briscoe) vendosin të mbajnë paratë, ata nuk e kuptojnë se nuk po ndajnë thjesht një pasuri, por po ndërtojnë një burg të përbashkët. Me çdo zgjedhje, me çdo gënjeshtër të re që duhet thënë për të mbuluar të parën, ata bien në një spirale ku dinjiteti njerëzor shkrihet si bora e Minesotës nën peshën e fajit.
Një vështrim mbi natyrën njerëzore
Regjizori Sam Raimi, përmes një stili të përmbajtur dhe introspektiv, na kërkon të bëjmë një pyetje të pakëndshme: Çfarë do të bënim ne? Filmi nuk përqendrohet te dhuna e rastësishme, por te tensioni moral që vjen nga frika e humbjes së asaj që është fituar pandershmërisht.
Billy Bob Thornton, në rolin e Jacob-it, na ofron një portretizim që i jep filmit një thellësi tragjike, duke mishëruar njeriun që kërkon dashuri dhe pranim, por që gjendet i humbur në mes të intrigave të të tjerëve. Ndërkohë, Bridget Fonda, në rolin e Sarah-s, sjell dimensionin e realizmit të ftohtë, duke na kujtuar se lakmia shpesh maskohet pas dëshirës për një “të ardhme më të mirë” për familjen.
Mesazhi i përjetshëm
Suksesi i këtij filmi – i dëshmuar nga nominimet për Oscar si për skenarin e Scott B. Smith ashtu edhe për interpretimin e Thornton-it – qëndron në faktin se ai nuk jep përgjigje të lehta. “A Simple Plan” na mëson se krimi nuk fillon me aktin e vrasjes, por me aktin e heshtjes. Ai fillon atëherë kur ne vendosim që paraja ka vlerë më të madhe se sa integriteti ynë.
Në fund, historia e Hank-ut dhe vëllait të tij mbetet një alarm për çdo kohë. Na kujton se pasuritë e papritura shpesh kërkojnë një çmim që asnjë bilanc bankar nuk mund ta përballojë: paqen e shpirtit. Në këtë botë ku shpeshherë “plani i thjeshtë” duket si rruga më e shpejtë drejt lumturisë, filmi i Raimit na kthen në realitet: nuk ka asnjë “plan të thjeshtë” për të blerë ndërgjegjen pa e shkatërruar atë përgjithmonë.
Mëngjesin e 27 gushtit 1982 koloneli Atilla Altıkat, atasheu ushtarak i Turqisë në Kanada, po udhëtonte me makinën e tij drejt ambasadës. Ishte rreth orës 9:00 kur, në një kryqëzim të Island Park Drive, pranë lumit Otava, ndaloi në semafor. Pak çaste më vonë, një makinë tjetër u afrua pranë tij. Nga automjeti zbriti një person i armatosur. Ai iu afrua nga ana e pasagjerit dhe hapi zjarr përmes xhamit të makinës së diplomatit. Raportet e kohës flasin për një pistoletë Browning 9 mm dhe rreth 13 të shtëna. Altıkat u godit për vdekje në vend. Atentatori hodhi armën dhe u largua me vrap drejt një zone me shkurre, ndërsa makina me të cilën kishte mbërritur u largua me shpejtësi.
Policia kanadeze nisi menjëherë kërkimet. Një person u ndalua pak pas atentatit, por u lirua pas marrjes në pyetje. Autorët nuk u identifikuan dhe çështja mbeti e pazgjidhur. Dokumentet e kohës dëshmojnë se, përmes një telefonate në zyrën e Agjencisë France-Presse në Montreal, përgjegjësinë për atentatin e mori një grup që e quante veten Komandot e Drejtësisë për Gjenocidin Armen (JCAG).
Fushata
Vrasja e Altıkat nuk ishte një episod i izoluar. Ajo ndodhi në kulmin e një fushate ndërkombëtare atentatesh kundër diplomatëve dhe përfaqësuesve turq, e nisur në vitet 1970 nga organizata militante armene, përfshirë ASALA-n dhe JCAG-në. Grupet pretendonin se sulmet ishin hakmarrje për vrasjet masive të armenëve në Perandorinë Osmane gjatë vitit 1915 dhe kërkonin që Turqia të pranonte përgjegjësinë, të ofronte dëmshpërblime dhe të mbështeste krijimin e një atdheu armen.
Në vitin 1982, kjo fushatë kishte mbërritur edhe në Kanada. Vetëm disa muaj para vrasjes së Altıkat, më 8 prill, Kani Güngör, këshilltar tregtar i ambasadës turke në Otavë, ishte qëlluar dhe plagosur rëndë në garazhin e banesës së tij. Më 27 gusht, objektivi ishte tashmë një zyrtar i rangut të lartë diplomatik dhe ushtarak.
Altıkat kishte qenë oficer i Forcave Ajrore Turke dhe ishte caktuar në Otavë në vitin 1981. Ishte 45 vjeç. Përpara tij shtrihej një karrierë ushtarake, ndërsa në Kanada ai përfaqësonte Turqinë në cilësinë e atasheut ushtarak. Por pas atentatit, në qendër të historisë nuk mbeti vetëm diplomati: mbeti edhe familja që la pas.
Gruaja e tij, Ayla, mbeti e ve. Vajza Zeynep ishte 17 vjeç, ndërsa djali Göker vetëm 4 vjeç. Një vit më vonë, familja e Altıkat do të përballej ende me të njëjtën pyetje që mbeti pa përgjigje: kush e kishte vrarë dhe pse askush nuk ishte vënë para drejtësisë?
Goditja
Vrasja e kolonelit u bë një ngjarje e veçantë edhe në historinë e Kanadasë. Qeveria kanadeze e ka cilësuar Altıkat të vetmin diplomat të huaj të vrarë në Kanada në një akt terrorizmi ndërkombëtar. Kryeministri i atëhershëm Pierre Trudeau e dënoi fuqishëm atentatin. Për Kanadanë, një vend që në atë kohë shihej si një nga shoqëritë më të sigurta të Perëndimit, vrasja në mes të Otavës ishte një goditje e drejtpërdrejtë nga vala e terrorizmit politik ndërkombëtar.
Atentati ishte pjesë e një serie shumë më të gjerë. Sipas burimeve turke, gjatë valës së sulmeve të viteve 1973–1986 u vranë 42 diplomatë turq, ndërsa në sulme të ndryshme pati edhe viktima të huaja. Megjithatë, përgjegjësia për sulme të veçanta nuk ishte gjithmonë e njëjtë: disa atentate iu atribuuan ose u morën përsipër nga JCAG, të tjera nga ASALA dhe organizata të tjera militante armene.
Në vendin ku u vra Altıkat, kujtesa e atentatit nuk u zhduk. Më 20 shtator 2012, 30 vjet pas vrasjes, Kanadaja dhe Turqia inauguruan një monument për diplomatët dhe nëpunësit publikë të vrarë gjatë shërbimit, me një përkushtim të veçantë për kolonelin Altıkat. Monumenti ndodhet pikërisht pranë vendit ku ai u qëllua. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ministrat e jashtëm të të dy vendeve, John Baird dhe Ahmet Davutoğlu, si edhe e veja dhe dy fëmijët e Altıkat.
Epilog
Sot, atentati i 27 gushtit 1982 mbetet një nga episodet më të errëta të historisë diplomatike të Kanadasë. Një makinë e ndalur në semafor, disa të shtëna dhe një burrë që nuk arriti kurrë në ambasadë. Pas tyre mbetën një familje, një hetim pa autorë të dënuar dhe një monument që kujton se edhe rrugët e qeta të një kryeqyteti mund të bëhen, brenda pak sekondash, skenë e terrorizmit politik.
Jemi në luftë. Në një luftë që, për nga numri i viktimave, i të plagosurve dhe panikut që prodhon çdo ditë, është më e rrezikshme se çdo armik që kemi njohur në histori.
Armiku këtë herë nuk ka uniformë. Nuk vjen me tanke dhe as nuk paralajmëron me sirena. Është rruga. Është makina. Është shpejtësia. Alkooli. Telefoni në dorë. Një parakalim i gabuar. Një sekondë shpërqendrim. Dhe mbi të gjitha, bindja tragjike se aksidenti u ndodh gjithmonë të tjerëve.
Një mjek i Spitalit të Traumës thoshte së fundmi në një media serioze, se vetëm aty trajtohen çdo ditë të paktën 250 persona. Jo të gjithë nga aksidentet, një pjesë nga politrauma të tjera. Por kjo është vetëm ajo që mbërrin në një spital të vetëm. Jo statistika kombëtare.
Pas çdo shifre është një njeri. Një familje. Një telefonatë në mesnatë. Një nënë që pret në korridor. Një fëmijë që nuk e di ende çfarë i ka ndodhur të atit. Një kirurg që nis një tjetër ndërhyrje.
Për ta kuptuar tmerrin: në 19 ditët e luftimeve për çlirimin e Tiranës nga divizioni gjerman, në nëntor 1944, forcat partizane humbën zyrtarisht 127 të vrarë dhe 290 të plagosur. Sot, rrugët prodhojnë në pak ditë më shumë të plagosur sesa një betejë e asaj lufte.
Qëllimi nuk është të barazojmë luftën me aksidentin. Lufta ka një front dhe një armik. Aksidenti ka diçka edhe më të frikshme: në shumicën e rasteve, mund të parandalohet.
Prandaj fjala “aksident” na qetëson në mënyrë të rreme. Shpejtësia e tepërt nuk është fat. Drejtimi në gjendje të dehur nuk është fat. Sytë në telefon në vend të rrugës nuk janë fat. Këto janë zgjedhje. Dhe kur përsëriten çdo ditë, nuk kemi më raste të izoluara. Kemi një fenomen shoqëror. Kemi një epidemi.
Një vend mund të ketë ushtri, polici, spitale dhe ligje, por nëse qytetari e sheh rrugën si hapësirën ku rregullat negociohen, lufta nuk mbaron. Ajo vazhdon në çdo kthesë, në çdo kryqëzim, në çdo autostradë.
Ne i kujtojmë viktimat e luftërave. Vendosim kurora, mbajmë minuta heshtjeje, gdhendim emrat në memoriale. Viktimat e rrugës harrohen po aq shpejt sa makinat që i shkaktuan.
Ka ardhur koha ta quajmë me emër. Kjo nuk është më thjesht “trafik”. Është luftë.
Dhe ndryshe nga luftërat e së shkuarës, këtë herë armikun e kemi brenda vetes.
Më 26 gusht 1963 vdiq albanologu i shquar austriak Maksimilian Lamberci
Nga Leonard Veizi
Maksimilian Lamberc ishte një studiues austriak që në fillim të shekullit XX u magjeps prej gjuhës shqipe. Ai do ta kthente magjepsjeen e tij në një jetë të tërë kërkimi dhe do të bëhej një nga emrat më të rëndësishëm të albanologjisë…
…Maksimilian Lamberc lindi më 27 korrik 1882 në Vjenë. Studioi gjuhësinë krahasuese dhe filologjinë klasike në Universitetin e Vjenës, ndërsa më pas u doktorua me një studim mbi emrat grekë të skllevërve. Një bursë shtetërore i dha mundësinë të udhëtonte në Itali dhe Greqi. Ishte pikërisht në Greqi, në Atikë, ku dëgjoi për herë të parë shqipen. Bisedat e peshkatarëve dhe barinjve shqiptarë të atjeshëm zgjuan kureshtjen e një filologu të ri dhe i hapën një drejtim të ri jetës së tij shkencore.
Shqipja nuk do të mbetej më një gjuhë e huaj që ai e kishte dëgjuar rastësisht. Lamberci nisi ta studiojë në mënyrë sistematike. Në vitin 1913, së bashku me Gjergj Pekmezin, botoi në Vjenë “Lehr- und Lesebuch des Albanischen”, një libër për gjuhën shqipe. Më pas puna e tij u shtri në dialektologji, folklor, letërsi dhe kulturën popullore shqiptare.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, Lamberci erdhi edhe në Shqipëri. Në vitin 1916 ndërmori një udhëtim studimor, veçanërisht në veri të vendit dhe në Mirditë. Nuk udhëtonte vetëm për të parë Shqipërinë; ai mblidhte fjalë, këngë, tregime, të dhëna dialektore, zakone dhe dëshmi mbi jetën e popullit. Gjatë këtij udhëtimi realizoi edhe fotografi të shumta, shumë prej të cilave janë ndër dëshmitë interesante vizuale të Shqipërisë së asaj kohe.
Lamberci pati edhe një rol në Komisinë Letrare Shqipe, ku u përfshi në diskutimet për çështjet e gjuhës dhe të drejtshkrimit. Për të, shqipja nuk ishte thjesht objekt i një studimi akademik. Ajo ishte një gjuhë që po kërkonte të ndërtonte standardin e vet letrar në një shtet të ri dhe, bashkë me të, të konsolidonte edhe një kulturë të shkruar.
Por ndoshta kontributi i tij më i çmuar lidhet me folklorin dhe epikën shqiptare. Lamberci e kuptoi se një pjesë e rëndësishme e historisë shpirtërore të shqiptarëve nuk gjendej në arkiva, por në gojën e njerëzve: në këngët e kreshnikëve, në përralla, në legjenda dhe në rrëfimet që ishin përcjellë brez pas brezi.
Në vitin 1917 botoi “Die Volkspoesie der Albaner”, një studim mbi poezinë popullore shqiptare. Më 1922 pasoi me “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde”, ndërsa më 1958 botoi një nga veprat e tij më të njohura, “Die Volksepik der Albaner”, kushtuar epikës popullore shqiptare dhe ciklit të kreshnikëve.
Ai u mor gjithashtu me dialektet arbëreshe në Itali, me ndarjen dialektore të shqipes, me gjuhësinë historike dhe me aspekte të kulturës tradicionale shqiptare. Në këtë kuptim, Lamberci nuk ishte vetëm albanolog i gjuhës. Ai kërkonte shqiptarin përmes gjuhës, por edhe gjuhën përmes mënyrës se si jetonte shqiptari.
Në historinë e albanologjisë, emri i tij qëndron pranë atyre studiuesve të huaj që e kthyen Shqipërinë nga një hapësirë pak e njohur në një objekt serioz të kërkimit shkencor evropian. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e përfshin Lambercin ndër figurat e rëndësishme të plejadës së studiuesve që ndihmuan në themelimin dhe zhvillimin e albanologjisë.
Maksimilian Lamberci vdiq më 26 gusht 1963, në Markkleeberg pranë Lajpcigut. Ishte 81 vjeç. Kishte lindur në Vjenë, kishte jetuar mes librave dhe universiteteve gjermane, por një pjesë të rëndësishme të jetës së tij shkencore ia kishte kushtuar një gjuhe të vogël të Ballkanit.
Shqipja i kishte hyrë në vesh rastësisht, në brigjet e Greqisë. Më pas ajo i hyri në libra, në arkiva, në terren, në këngë dhe në kujtesën e një populli.
Dhe ndoshta ky është paradoksi më i bukur i jetës së Lambercit: një austriak që nuk ishte shqiptar, por që kaloi një pjesë të jetës duke ruajtur për shqiptarët zërin e një Shqipërie që po zhdukej.
Më 26 gusht 1910 u lind në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhi
Nga Leonard Veizi
Në historinë e njerëzimit, rrallë shfaqen figura që nuk lënë pas vetëm një emër, por edhe një standard moral me të cilin brezat matin ndërgjegjen e tyre. Një prej tyre është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu…
E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare katolike – Nikollë e Drane Bojaxhiu – me emrin Anjezë Gonxhe, ajo do të bëhej simbol universal. Pa pushtet politik, pa pasuri, pa ushtri. Vetëm me atë që bota e sotme ka harruar më shumë: një zemër që ndjen dhe dy duar që shërbejnë.
Në një kohë kur bota po mësonte të fluturonte më shpejt, ajo zgjodhi të zbriste më poshtë. Aty ku askush nuk donte të shikonte. Në rrugët e Kalkutës. Te lebrozët, te foshnjat e braktisura në kosh plehrash, te njerëzit që vdisnin në trotuar pa emër.
Ajo e dha vetë përkufizimin më tronditës të varfërisë së re: “Varfëria më e madhe nuk është mungesa e bukës, por ndjenja se je i padëshiruar, i padashtur, i harruar.” Dhe kjo nuk ishte varfëri indiane. Është varfëria e sotme perëndimore. Është varfëria jonë.
Jeta e saj nuk ishte kartolinë. Letrat e saj, të publikuara pas vdekjes, dëshmojnë një natë të gjatë shpirtërore, dyshime, thatësi, vetmi. Dhe pikërisht kjo e bën më të besueshme dhe më të madhe: shenjtëria e saj nuk ishte eufori, ishte vendim. Çdo mëngjes, për 50 vjet, zgjodhi të donte përsëri.
Ky është revolucioni i saj i heshtur. Në një botë që mat madhështinë me sa ke, ajo e mati me sa jep. Në një botë që adhuron zhurmën, ajo bëri fuqi heshtjen. Në një botë që shet veten, ajo u bë e të tjerëve.
Shqiptarja që bota na e mori borxh
Anjeza u largua 18-vjeçe nga shtëpia për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë dhe prej andej në Indi si mësuese gjeografie. Thyerja ndodhi në trenin për Darjeeling, më 10 shtator 1946. Ajo që Kisha e njeh si “thirrja brenda thirrjes”: lër mësuesen, shko e jeto me më të varfrit e të varfërve.
Më 7 tetor 1950, me lejen e Vatikanit, themelon Misionaret e Bamirësisë. Fillojnë me 12 motra në një shtëpi me qira. Sot janë mbi 5 mijë motra në 139 vende.
Më 1979 merr Çmimin Nobel për Paqen. Dhe bën gjestin që e përmbledh të tërën: anulon banketin zyrtar prej 192 mijë dollarësh dhe kërkon që paratë t’u jepen të uriturve. I thotë botës: nuk mund të flasësh për të varfrit duke ngrënë në kristale.
Ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. U varros me nderime shtetërore nga India, një vend me shumicë hindu, për një murgeshë katolike shqiptare. Kjo foto e vetme tregon më shumë se çdo enciklikë për universalitetin e saj. U shpall e lume më 19 tetor 2003 nga Gjon Pali II dhe shenjtore më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si Shën Tereza e Kalkutës.
Çfarë na mbetet ne?
Paradoksi i madh shqiptar është ky: i dhamë botës shenjtore dhe vazhdojmë të sillemi si popull që ka nevojë për misionarë.
E kemi kthyer në statuja, në emër aeroporti, në kartëvizitë krenarie kombëtare, por shumë pak në model. Nënë Tereza nuk është për t’u mburrur. Është për t’u ndjekur. Ajo nuk na pyet sa krenarë jemi që ishte shqiptare. Na pyet sa shqiptarë janë sot të gatshëm të bëjnë punën që bëri ajo: të duan pa kushte, aty ku nuk ka interes.
Trashëgimia e saj nuk janë ndërtesat e Misionareve. Është një fjali që rrëzon gjithë filozofinë e suksesit të Instagramit: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Në kohën e zhurmës kolosale, kjo është gjëja më subversive që mund të thuhet.
Ajo ishte bionde, e gjatë, e bukur dhe elegante – një kombinim që në vitet ’90 dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për pasarelat. Ndaj nuk u bë thjesht një modele e famshme; por u shndërrua në një nga fytyrat që mishëruan epokën e supermodeleve…
…Më 25 gusht 1970 – Në Rajnbërk të Gjermanisë Perëndimore lind Klaudia Shifer, modelja gjermane që gjatë viteve ’90 do të shndërrohej në një nga fytyrat më të njohura të modës në botë.
Në adoleshencë, Shifer nuk e kishte menduar se do të bëhej modele. Ajo u zbulua në moshën 17-vjeçare në një klub nate në Dyseldorf, nga një agjent i një agjencie modelingu. Fytyra e saj bionde, tiparet e theksuara dhe ngjashmëria me ikonat e kinemasë së viteve të mëparshme e bënë shpejt të dallueshme.
Karriera ndërkombëtare nisi në fund të viteve ’80, kur Shifer u shfaq në fushata dhe kopertina të revistave prestigjioze të modës. Por kthesa e madhe erdhi kur ajo u bë një nga modelet kryesore të Shanelit, nën drejtimin artistik të Karl Lagerfeldit. Bashkëpunimi me stilistin gjerman do të ishte vendimtar për krijimin e imazhit të saj si një prej supermodeleve të epokës.
Në fillim të karrierës, shtypi e krahasoi shpesh me Brixhit Bardo, për shkak të flokëve biondë, pamjes sensuale dhe një kombinimi të veçantë mes elegancës dhe sensualitetit. Por Shifer shumë shpejt e krijoi identitetin e saj.
Vitet ’90 ishin dekada e supermodeleve. Emri i Klaudia Shifer u vendos në të njëjtën ligë me Naomi Kembëll, Sindi Krouford, Linda Evangelista dhe Kristi Tërlington. Ato nuk ishin më thjesht modele që shfaqeshin në pasarelat e modës. U bënë personazhe globale, me kontrata milionëshe, kopertina revistash dhe një ndikim që kapërcente kufijtë e industrisë së modës.
Shifer u shfaq në qindra kopertina revistash dhe punoi me disa prej fotografëve dhe shtëpive më të rëndësishme të modës. Fytyra e saj u bë pjesë e reklamave ndërkombëtare, ndërsa emri filloi të përdorej si sinonim i epokës së artë të supermodeleve.
Në vitet e mëvonshme ajo u shfaq edhe në filma dhe programe televizive, duke provuar të zgjerojë karrierën përtej modës. Ndërkohë, u angazhua edhe në projekte të lidhura me dizajnin dhe stilin.
Ajo që e dalloi Shiferin ishte aftësia për të mbetur një figurë publike edhe pasi epoka e supermodeleve filloi të ndryshonte. Nga pasarelat e Parisit, Milanos dhe Nju-Jorkut, ajo kaloi në një fazë tjetër të karrierës, duke e kthyer famën e modeles në një markë personale.
Klaudia Shifer mbetet një nga fytyrat që përcaktuan modën e viteve ’90. Në një kohë kur revistat e modës mund të krijonin yje botërorë brenda një nate, ajo ishte ndër ato gra që e shndërruan modelingun nga një profesion në një fenomen të kulturës pop.
Biondja nga Rajnbërku nuk ishte vetëm një modele e suksesshme. Ajo ishte një nga simbolet e epokës së supermodeleve.
Më 15 tetor 1844, në fshatin Röcken të Prusisë, lindi Fridrih Niçe – djali i një pastori luteran që do të bëhej antiteza më e fuqishme e krishterimit modern në filozofi. Paradoksi e ndjek që në fillim. I destinuar të bëhej pastor, ai u bë profeti i dyshimit. I rritur me Biblën, ai do të shkruante: “Perëndia ka vdekur. Dhe ne e kemi vrarë.”
Nga filologu te filozofi
Niçe nuk ishte filozof në kuptimin klasik të katedrës. Ishte filolog. I shkëlqyer aq sa në moshën 24-vjeçare, pa doktoraturë ende, u emërua profesor i filologjisë klasike në Universitetin e Bazelit. Një rekord që ende sot mbetet i jashtëzakonshëm.
Por filologjia i ngushtë e mbyti. Ai nuk donte të komentonte tekstet e lashta, donte të mendonte si grekët. Në veprën e parë, Lindja e Tragjedisë (1872), u përplas me kolegët: filozofia për të nuk ishte analizë e ftohtë, por art, muzikë, instinkt dionisiak kundër racionalizmit apolonian. Ky konflikt do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga Bazeli dhe të hynte në dekadën e vetmisë së tij të madhe.
Dhjetë vitet në vijim – mes shëtitjeve në Alpet e Zvicrës dhe dimrave në Xhenova dhe Torino – ai prodhoi me një ritëm maniakal veprat që tronditën Perëndimin: “Njerëzorja, tepër njerëzore”, “Agimi”, “Shkenca e Gëzuar”, “Kështu foli Zarathustra”, “Përtej të Mirës dhe të Keqes”, “Gjenealogjia e Moralit”.
Tri idetë që tronditën botën
Filozofia e Niçes mund të përmblidhet në tre goditje:
1-“Perëndia ka vdekur”. Nuk është ateizëm triumfalist, por një diagnozë. Niçe thotë: Evropa ka vrarë në praktikë Zotin e saj moral, por vazhdon të jetojë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kemi rrëzuar themelet dhe habitemi pse shtëpia po shembet. Pyetja e tij nuk është nëse Zoti ekziston, por çfarë do të vendosim në vend të tij.
2-Vullneti për pushtet. Jo dëshira për të sunduar të tjerët, siç u keqkuptua më vonë, por shtysa e brendshme e çdo gjëje të gjallë për t’u tejkaluar, për t’u rritur, për të krijuar formë. Edhe arti është vullnet për pushtet.
3-Mbinjeriu dhe kthimi i përjetshëm. Mbinjeriu, apo sië njihet në orgjinal Übermensch, nuk është super-njeri biologjik, arian apo tiran. Është njeriu që arrin të krijojë vetë vlerat e tij, përtej moralit të tufës, moralit të resantimentit që Niçe e quante “moral i skllevërve”. Dhe testi final i tij është: A do të kishe guximin të jetoje jetën tënde, pikërisht ashtu siç është, për një pafundësi herësh? Nëse jo, nuk je i lirë.
Fundi në Torino
Jeta e tij nuk e ndoqi dot filozofinë e forcës që predikonte. Shëndeti i dobët, migrena kronike, izolimi dhe indiferenca e publikut e gërryen. Më 3 janar 1889, në Piazza Carlo Alberto në Torino, pa një karrocier që rrihte një kalë. Sipas dëshmisë, iu hodh në qafë kafshës duke qarë dhe u rrëzua. Ishte kolapsi mendor përfundimtar.
11 vitet e fundit i kaloi në errësirë mendore, fillimisht nën kujdesin e nënës dhe më pas të motrës, Elizabet Fërster-Niçe.. Kjo e fundit do të bëjë dëmin më të madh: do të censurojë, presë dhe montojë shënimet e tij për të krijuar veprën e rreme Vullneti për Pushtet, duke e përshtatur për antisemitët dhe nacionalistët gjermanë që vetë Niçe i përbuzte hapur. Ai vdiq më 25 gusht 1900 në Vajmar.
Nga ajo manipulim lindi keqkuptimi më tragjik: nazizmi e përdori Niçen si pararendës. Në të vërtetë, Niçe kishte shkëputur marrëdhëniet me motrën pikërisht për shkak të martesës së saj me një agjitator antisemit. Ai e quante nacionalizmin gjerman “neurozë” dhe antisemitizmin “llojin më të ulët të mediokritetit”.
Pse na duhet ende sot
Niçe mbetet i rrezikshëm sepse nuk të lë të qetë. Në vend të të ofrojë ngushëllimin ai të ofron një çekiç. Dhe na detyron të pyesim: Nëse nuk ka më vlera të gatshme nga lart, a ke forcë të ndërtosh vetë? Nëse jeta nuk ka kuptim të dhënë, a ke guxim t’i japësh vetë kuptim?
Prandaj ai nuk ishte një njeri që prodhonte tragjedi. Sepse tragjedi është kur bota prodhon një mendje si të tijën dhe nuk di çfarë të bëjë me të, veçse ta keqlexojë.