Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2026Gazeta Fjala

14:54 Rinis me debate seanca plenare/ Rama i pranishëm në Kuvend, foltorja e bllokuar

By: Monika
23 July 2026 at 14:54

Last Updated on 23/07/2026 by Monika

Ka rinisur seanca plenare, ndërsa i pranishëm në Parlament është dhe kryeministri Edi Rama. Seanca ka nisur sërish me debate dhe me bllokimin e foltores nga deputetët e opozitës.

Këta të fundit nuk kanë lejuar bashkëkryetarin socialist të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjna Mazniku të paraqesë raportin e mazhorancës.

Që në nisje seanca është ndërprerë disa herë për shkak të debateve./mxh

13:55 Berisha: Elisa pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton replikë

By: Monika
23 July 2026 at 13:55

Last Updated on 23/07/2026 by Monika

Kryeministri Sali Berisha ka marrë fjalën e tij në Kuvend pas deputetes socialiste Elisa Spiropali.

Berisha u shpreh se deputetja nuk meriton asnjë replikë por sipas tij duhet folur vetëm për dhunën që sipas tij është ushtruar në protestë.

“Elisa pëllumbesha në botën e cudirave nuk meriton asnjë përgjigje. Kjo është replika ime ndaj saj. Sot problemi më madhor është barbaria e ushtruar ndaj protestuesve. Një njeri po lufton në urgjencën e spitalit, i kanë thyer brinjët dhe i kanë dëmtuar kafkën. Nuk ka seancë më të padenjë në historinë e këtij paralamenti se sot. Kjo është replika ime ndaj pëllumbeshës në botën e çudirave”, tha Berisha.

Më herët gjatë fjalës së saj në foltore, Spiropali iu drejtua Berishës lidhur me protestat që po zhvillohen në vend dhe kërkesat e tyre./mxh

12:20 Ministrja Ismaili opozitës: S’keni moral të flisni për protesta, kujtoni qeverisjen tuaj

By: Anisa
23 July 2026 at 12:20

Last Updated on 23/07/2026 by Anisa

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili deklaroi sot në kuvend  se Partia Demokratike nuk ka legjitimitet moral të flasë për protestat.

Ismaili tha se opozita nuk mund të paraqitet si mbrojtëse e protestuesve, duke kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë gjatë protestës para Kryeministrisë.

Ajo solli në vëmendje edhe tragjedinë e Gërdecit, ndërsa e kujtoi qeverisjen e dikurshme demokrate për mungesë investimesh në arsim dhe për degradimin e sistemit universitar.

Ministrja deklaroi se gjatë qeverisjes së demokratëve nuk u investua në ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, ndërsa diplomat universitare jepeshin nga universitete pa standarde.

“Po që të flisni ju për protestë, mua më duket e tepërt. Flisni për protestë, ju që vratë 4 protestues në mes të ditës, në mes të bulevardit. Flisni për drejtësi, ju që ende në fakt do duhej të ishte bërë drejtësi për Gërdecin. Flisni ju për arsimin, që 1 lek nuk e hodhët në rikonstruksion të shkollave, jo më të flasim për ndërtimin e shkollave të reja.

E flisni për arsimin, ju që diplomat  jepeshin rrugëve, nga universitete Vitrina and Co. Flisni ju për korrupsionin, që doganat dhe tatimet në kohën tuaj lulëzonin nga korrupsioni, e bizneset NIPT-et nuk i kishin. Ndërkohë që sot, falë gjithë procedurave që janë bërë për digjitalizimin e shërbimeve, ka ikur edhe perceptimi për korrupsion në dogana dhe tatime. Flisni për shëndetësinë, ju që një investim serioz në spitale nuk e bëtë, e nuk flisnim dot fare këtu për qendra shëndetësore. Flisni ju për turizmin, që kishte 2 milionë turistë në total me gjithë emigrantët, dhe një kokërr leku nuk e hodhët a një nismë politike nuk e bëtë për të mbështetur zhvillimin e gjithë linjës së biznesit në turizëm. Flisni ju për biznesin. Flisni ju për biznesin.

Ju biznesin nuk e mbështetët kurrë me asnjë program e nismë, ndërkohë që sot flasim për një nga programet më serioze që mbështet biznesin, pikërisht kjo qeveri, në të gjithë Shqipërinë. Flisni ju për energjinë, që në vitin 2013 ishte një nga sektorët më problematikë, për mos të folur këtu për gjobat nga 1.5 milionë që ishin vënë pa dijeni fare të të gjithë abonentëve.

 Flisni ju për muzetë, për muzetë, që i kishit lënë në mëshirë të fatit. Shiko, sfidat e kësaj qeverie, me të vërtetë, janë të jashtëzakonshme akoma, por ajo që ne më së shumti na bën krenarë dhe të lumtur është që sfidat kanë ikur nga bazike e ofrimit të shërbimit dhe kemi arritur totalisht në sfidën e ofrimit të shërbimeve me standarde europiane”, u shpreh Ismaili./ad

10:52 Kaos jashtë Kuvendit dhe përplasje e protestuesve me policinë, nis seanca plenare, mbahet 1 minutë heshtje në nder të akademikut Riza

By: Anisa
23 July 2026 at 10:52

Last Updated on 23/07/2026 by Anisa

Me rreth 30 minuta vonesë ka nisur këtë të enjte mbledhja e seancës plenare.

Ndërsa në sallë kanë nisur punimet, jashtë Kuvendit vijojnë tensionet.

Seanca plenare ka nisur me 1 minutë heshtje në nderim të akademikut Emin Riza, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Protestuesit përplasen me policinë, teksa kërkojnë që të afrohen dhe të futen në Kuvend./ad

10:48 Nufi: Investimi në dije është investimi më i rëndësishëm për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike

By: Anisa
23 July 2026 at 10:48

Last Updated on 23/07/2026 by Anisa

67 oficerë të rinj, mes tyre 10 nga Republika e Kosovës përfunduan me sukses programin një-vjeçar të Kursit të Përgatitjes së Oficerëve në Akademinë e Forcave të Armatosura (AFA).

Në ceremoninë e diplomimit të tyre të organizuar mbrëmjen e djeshme në garnizonin “Skënderbej” morën pjesë: Kryeministri Edi Rama; Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro; Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura; ambasadorë, atashe ushtarakë, pedagogë, familjarë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi përgëzoi oficerët e rinj në përfundimin me sukses të kursit:

“Sot Shqipëria fiton një brez të mirë oficerësh, një brez të ri udhëheqësish të përgatitur mirë për t’i shërbyer Atdheut, qytetarëve dhe për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar. 67 oficerë të rinj, 10 prej të cilëve nga Kosova, i uroj përzemërsisht në përfundimin me sukses të Kursit të Përgatitjes së Oficerëve. Sot, Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) është më tepër se një institucion arsimor – është një vend ku formohen udhëheqësit me karakter, integritet dhe profesionalizëm të frymëzuar nga vlerat e Detyrës, Nderit dhe Atdheut. Ndaj bindjen se investimi në dije është i vetmi investim në sigurinë tonë të përbashkët në të ardhmen tonë euroatlantike.”, u shpreh ai.

Ministri Nufi shprehu mirënjohjen e sinqertë për të gjithë pedagogët dhe instruktorët e AFA, të cilët kanë formësuar këtë brez të ri oficerësh, ashtu siç kanë bërë edhe me brezat para tyre.

“Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë familjarët e këtyre kadetëve, të cilët i kanë mbështetur ata përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.” – nënvizoi ai ndër të tjera.

Për Ministrin Nufi, oficerët e rinj që u diplomuan nuk mbajnë vetëm një gradë ushtarake, por edhe besimin e një kombi, duke theksuar se ky besim merr një rëndësi të veçantë në një periudhë kur mjedisi i sigurisë po ndryshon me ritme të shpejta.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Nufi falënderoi në mënyrë të veçantë, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për praninë e tyre në këtë ceremoni diplomimi.

“Besoj se prania e tyre sot është simbolike. Ajo dëshmon jo vetëm mbështetjen e shtetit dhe të Qeverisë së Shqipërisë, por edhe të Qeverisë së Kosovës për këtë akademi. Njëkohësisht, ajo është një shenjë për të kujtuar ditën kur u bë betimi, ditën kur u mor vendimi dhe ditën kur jeta iu kushtua shërbimit në Forcat e Armatosura të Republikës. Është një ditë e veçantë, një ditë që nuk harrohet lehtë. Për këtë arsye, të gjithë jemi shumë krenarë dhe u urojmë shumë suksese të gjithë këtyre kadetëve. Mbarësi në rrugëtimin tuaj dhe mbajeni me nder betimin që do të bëni sot. Nderoni Atdheun, nderoni flamurin!”, u shpreh Ministri Nufi.

09:33 Tensione në protestën para Kuvendit, protestuesit qëllojnë me vezë e domate policinë; dy efektivë dyshohet se janë lënduar

By: Anisa
23 July 2026 at 09:33

Last Updated on 23/07/2026 by Anisa

Tensionet e para janë regjistruar në protestën e kësaj të enjteje para Kuvendit, ku protestuesit janë përplasur me forcat e Policisë së Shtetit në përpjekje për të çarë kordonin e sigurisë dhe për të hequr gardhin metalik të vendosur rreth godinës së Parlamentit.

Situata është përshkallëzuar kur protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të policisë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se dy punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve dhe janë shoqëruar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, pranë Kuvendit ka mbërritur edhe një automjet ujëhedhës, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar masat e sigurisë për të mbajtur nën kontroll situatën.

Në minutat në vijim pritet mbërritja e deputetëve, të cilët do të marrin pjesë në seancën plenare të parashikuar të nisë në orën 10:00. Policia vijon të mbajë të rrethuar perimetrin e Kuvendit, ndërsa situata në terren mbetet dinamike./ad

07:50 Diplomohen 67 oficerë të rinj, Rama: Nuk do të ndalemi së rrituri pagat e ushtarakëve

By: Anisa
23 July 2026 at 07:50

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Kryeministri u shpreh se forcat e aramtosura kanë kaluar një transformim të rëndësishëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas tij, sot ushtria shqiptare është më e mbështetur, më e motivuar dhe ka ushtarakët më të mirëpaguar në rajon, ndërsa qeveria do të vijojë të rrisë pagat dhe të përmirësojë statusin e tyre.

“Më vjen shumë mirë që sot jam këtu bashkë me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për këtë ceremoni, që padiskutim për 67 oficerët, që sot ne jemi këtu për të kremtuar, është një ditë e paharrueshme. Unë dua ta nis fjalën time me një urim dhe një shprehje respekti për të gjithë prindërit e tyre këtu të pranishëm. Jam i bindur që, nëse për vajzat dhe djemtë që sot hyjnë në rrugën e shërbimit është emocion, për prindërit është një emocion shumë i veçantë, sepse shohin të kurorëzohet një rrugë e gjatë e mirëedukimit dhe mbështetjes me çdo sakrificë për fëmijët e tyre, të cilët sot janë shërbëtorë të atdheut, shërbëtorë me uniformë të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.

Fjala krenari është një fjalë që mund të futet në çdo fjali në një rast të tillë, por unë nuk e ekzagjeroj po të them që sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, trupën pedagogjike dhe Shtabin e Përgjithshëm, jo vetëm se shefi i Shtabit i dha diplomën të birit, i cili duhet të bëjë shumë sakrifica për t’ia zënë vendin babait, por e siguroj që babai na duhet në atë vend për një kohë akoma më të gjatë.

Është krenari sepse sot unë e kam të pamundur të mos kujtoj se në çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i forcave tona të armatosura. Kjo fushë këtu, që sot shkëlqen dhe na mirëpret, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme dhe, faktikisht, dallimi mes pasqyrës së asaj fushe dhe kësaj sot është simbolik me dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura, të motivuara dhe ndiejnë motivim të përfituar nga vëmendja dhe respekti.

Kur kjo fushë ishte një pasqyrë dheu, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë nga pasioni dhe edukata ushtarake, nga ata që ishin më të keqpaguarit dhe kishin në dispozicion një buxhet ushtarak. Nuk kishin asnjë perspektivë për mënyrën se si gjërat do të ndryshonin. Sot ne kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit dhe nuk do të ndalemi së rrituri pagat.

Përkujdesja jonë shkon përtej thjesht dhe vetëm shpërblimit me pagë, sepse më në fund ne jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Diçka është gati, është raundi i fundit i boksit mes ministrit të Mbrojtjes dhe Financave, por unë, që më detyrojnë të bëj arbitrin, jam me ministrin e Mbrojtjes. Do ta japim shumë shpejt si një lajm të shumëpritur.

Dua të them se ushtarakët kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të nënvlerësuar edhe për shkak të një faze të historisë kur gjërat ndryshuan dhe diçka mungonte. Dukej sikur ushtria nuk ishte më e nevojshme, se do të na mbronin të tjerët, ndërkohë që ushtarakët, pavarësisht të gjithave, vazhdonin t’i shërbenin atdheut.

Është një jetë që askush që nuk e bën nuk e di deri në fund se çfarë sakrifice përbën për ata që veshin uniformën dhe për fëmijët e tyre, që shpesh u mungojnë, sepse detyra i kërkon në fronte dhe situata të vështira.

Kur shoh sot se si po ndryshon prirja dhe se si numri i atyre që po vihen në radhët e aplikantëve rritet, kjo është shenja më e sigurt e një transformimi që nuk ndalet më. Kam besim se të gjithë ushtarakët kanë një shpirt sakrifice për të përcjellë. Ata që janë në fund të karrierës e kanë treguar me vite sakrificën me një uniformë që duhet të ishte e admiruar, por ka qenë edhe e nënvlerësuar”, u shpreh Rama./ad

07:30 Nëna e tre fëmijëve në burg, Begaj kërkon lirimin: Nëse s’përfiton nga amnistia, të shqyrtohet falja

By: Anisa
23 July 2026 at 07:30

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e nënës 34-vjeçare në Rinas, është interesuar pranë organeve ligjzbatuese që çështja të zgjidhet dhe nëna e tre fëmijëve të mitur të lihet e lirë.

Burime bëjnë me dije se Presidenti ka kërkuar informacione nëse e reja përfiton nga amnistia e nëse jo, ka kërkuar propozim zyrtar nga ministria e Drejtësisë për amnisti personale për të, pasi është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve i sëmurë.

34-vjeçarja u arrestua me të mbërritur në Rinas dhe u dërgua na burg bashkë me foshnjën 7 muajsh pasi ishte denoncuar nga vjehrri i saj për dhunë në familje./ad

Yesterday — 22 July 2026Gazeta Fjala

17:19 Një viktimë dhe një i plagosur/ Si ndodhi aksidenti me pasoja fatale te Unaza e Madhe (FOTO)

By: EL
22 July 2026 at 17:19

Last Updated on 22/07/2026 by EL

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Unazën e Madhe të Tiranës, ku dyshohet se një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Nga pamjet nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se një automjet i tonazhit të rëndë është përplasur me një automjet tip fuoristradë, e cila është shkatërruar plotësisht nga përplasja.

Pas aksidentit, mjeti i tonazhit të rëndë ka thyer barrierat mbrojtëse të urës dhe ka përfunduar duke rënë poshtë, në rrugën tjetër, ku edhe ai ka pësuar dëmtime të shumta.

Nga burime paraprake pranë vendit të ngjarjes mësohet se si pasojë e aksidentit dyshohet se ka humbur jetën drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./ET

15:12 “Shoferët bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë”/ 4255 gjoba në 24 orët e fundit!

By: EL
22 July 2026 at 15:12

Last Updated on 22/07/2026 by EL

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në akset rrugore, gjatë 24 orëve të fundit, me qëllim parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në timon dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Si rezultat i kontrolleve, janë vendosur 4,255 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe janë arrestuar 8 drejtues automjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi.

Gjatë monitorimeve janë evidentuar raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, parkimeve të gabuara dhe shkeljeve të tjera që cenojnë sigurinë rrugore.

Në zonat urbane janë vendosur 1,530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa me përdorimin e mjeteve ngritëse të Policisë së Shtetit janë larguar automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe në trotuare, të cilat pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në akset rrugore nacionale janë vendosur 1,331 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, një nga faktorët kryesorë që ndikon në rëndimin e pasojave të aksidenteve rrugore. Gjithashtu, janë ndëshkuar:

– 332 drejtues për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

– 126 drejtues për mosvendosje të rripit të sigurimit;

– 66 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit;

– 166 drejtues për parakalime të gabuara;

– 27 drejtues për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

– 11 drejtues për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane;

– 494 drejtues për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve.

Drejtoria e Policisë Rrugore, duke marrë në konsideratë fluksin e shtuar të qarkullimit gjatë fundjavës drejt zonave bregdetare dhe turistike, ka shtuar prezencën e shërbimeve në terren, patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Shpejtësia, alkooli dhe sjelljet e pakujdesshme në timon rrezikojnë jetën. Parandalimi nis nga secili prej nesh.

07:11 “Shkon në Theth dhe flet vetëm me ata që përzgjedh”, Rama ankohet se po e sulmojnë me profile false: Pas tyre qëndrojnë sorrat e korbat

By: Anisa
22 July 2026 at 07:11

Last Updated on 22/07/2026 by Anisa

Kryeministri Edi Rama është ankuar se qytetarët po e sulmojnë me profile false, kjo pas komenteve të tyre në rrjete sociale.

Qytetarët të cilët e kanë komentuar pas takimit me banorët e Thethit, i ka publikuar, duke pretenduar se janë profile false.

Në komente ata shkruajnë se “Po ju mashtron o të mjerë”, e për këtë Rama i ka publikuar, shoqëruar me disa akuza.

“Lexoni ARGUMENTAT E KUNDËRSHTARËVE TË PAKETËS SË MALEVE dhe kini parasysh se 90% e tyre janë vërtetë profile fallco, po mbas atyre profile qëndrojnë pikërisht sorrat e opozitave parlamentare dhe korbat e opozitave imagjinare, të cilat e shndërruan Bulevardin e Flamingove në Sheshpërsheshin e Vulgaritetit, ku jashtënxirret llumi i gjuhës së urrejtjes me sasira e ndotësira që ai bulevard s’i kishte parë as kur nxirrte gjuhën mbi të Ndotësi i Madh i mexhelisit tonë…

Shikojeni se si i shajnë, mallkojnë, ofendojnë gjithë ata burra sot në Theth dhe mendojeni vetëm për një sekondë, që këta shpirtra të bardhë si sytë e sorrës dhe pendët e korbit, të kenë në dorë fatin e Shqipërisë”, shkruan Rama krahas fotove./ad

Before yesterdayGazeta Fjala

15:40 Rama mbledh të premten Grupin Parlamentar dhe qeverinë, zbardhet agjenda e takimit

By: EL
21 July 2026 at 15:40

Last Updated on 21/07/2026 by EL

Është zbardhur agjenda e mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e cila do të zhvillohet të premten në Pallatin e Brigadave.

Sipas agjendës së shpërndarë deputetëve, fjalën do ta marrë fillimisht kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit, futjen e teknologjisë në funksionimin e institucionit, si edhe perspektivën e godinës së re të Kuvendit.

Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të bëjë një bilanc të punës së grupit gjatë këtij sesioni parlamentar, duke u ndalur te angazhimi i deputetëve në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare.

Në përfundim të mbledhjes, fjalën përmbyllëse do ta mbajë kryeministri Edi Rama./et

14:27 Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi: Shqipëria po përgatitet për fazën e re të NATO-s, me më shumë investime në mbrojtje dhe modernizim të Forcave të Armatosura

By: Kesjana
21 July 2026 at 14:27

Last Updated on 21/07/2026 by Kesjana

Tiranë, 21 Korrik 2026 – Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi zhvilloi një konferencë për media, ku prezantoi prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, zhvillimet në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, investimet në mbrojtje dhe masat për përballimin e situatës së zjarreve në vend.

Gjatë konferencës, Ministri Nufi e cilësoi vendimin për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë si një vlerësim të rëndësisë strategjike të Shqipërisë dhe rolit të saj gjithnjë e më të madh në Aleancë.

Ai theksoi se NATO po hyn në një fazë të re zhvillimi, të njohur si NATO 3.0, dhe se Shqipëria po përgatitet për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.

Ministri bëri të ditur se Shqipëria ka hyrë tashmë në një trajektore të besueshme të rritjes së investimeve në mbrojtje, duke arritur nivelin e 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të alokuar për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij, këto investime përfaqësojnë një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s.

Në këtë kuadër, Ministri Nufi nënvizoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet prioriteti kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë konferencës për media, ai veçoi marrëveshjen me kompaninë FINCANTIERI, e cila pritet të gjenerojë rreth 500 vende pune në Pashaliman, si dhe hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, të cilin e cilësoi një investim strategjik dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore.

Ministri ritheksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një kontribuuese aktive në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO-s dhe partnerëve strategjikë, duke forcuar më tej rolin e saj si një aleate e besueshme.

Duke u ndalur te situata e zjarreve, Ministri Nufi informoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka administruar në kohë reale raportimet e ardhura nga strukturat vendore dhe ka koordinuar aktivizimin e kapaciteteve shtesë tokësore dhe ajrore për përballimin e emergjencave.

Ai theksoi gjithashtu se monitorimi me dronët Bayraktar ka rezultuar një mjet efektiv për evidentimin e hershëm të vatrave të zjarrit dhe për koordinimin e operacioneve në terren.

Në përfundim, Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile dhe çdo person të angazhuar në shuarjen dhe menaxhimin e zjarreve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, në toka bujqësore, pranë pyjeve, kullotave apo zonave me bimësi, për të parandaluar rrezikun e përhapjes së flakëve./kb

12:40 Malaj konfirmon vrullin e ri të ndërtimit në Tiranë dhe bregdet: 11 miliardë lekë të ardhura

By: Anisa
21 July 2026 at 12:40

Të ardhurat e bashkive u rritën me 90% në pesë muajt e parë të vitit, të nxitura kryesisht nga taksat e lidhura me ndërtimet e reja në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Këtë e konfirmoi ministri i Financave, Petrit Malaj, në Komisionin e Ligjeve, gjatë fjalës së tij në mbrojtje të Aktit Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 87/2025 ‘Për Buxhetin e vitit 2026’”.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mblodhën 28.5 miliardë lekë të ardhura të veta tatimore në periudhën janar-maj 2026, ose 13.5 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Rritja më e lartë i dedikohet taksave lokale”, tha Malaj gjatë prezantimit të aktit normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2026 në Komisionin e Ligjeve.

Sipas tij, vetëm të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u rritën me 10.8 miliardë lekë. Rritja është regjistruar “kryesisht në Bashkinë Tiranë dhe bashkitë bregdetare, si ajo Himarë, ku ka ndërtime të reja në zhvillim”, tha ministri.

Aktiviteti ndërtues në vend ka hyrë në një cikël të ri, me një seri projektesh që po zhvillohen në kryeqytet dhe përgjatë bregdetit, ku janë dhënë leje nga KKTU për ndërtesa shumëkatëshe, komplekse rezidenciale, hotele dhe fshatra turistikë.

Projektet shtrihen në zona që përfshijnë Golemin, Qerretin, Vlorën, Himarën, Lukovën, Borshin dhe Sarandën, ndërsa vrullit të ndërtimeve i janë bashkuar edhe zona në veri të vendit, si Shëngjini dhe Velipoja.

Të ardhurat nga taksa e pasurisë gjithashtu tejkaluan nivelin e një viti më parë.

“Mbledhja e saj ka avancuar përtej pritshmërive”, tha Malaj. Për pesë muajt e parë të vitit, bashkitë arkëtuan 784 milionë lekë më shumë nga kjo taksë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Qeveria propozoi rritjen me 14 miliardë lekë të parashikimit për të ardhurat vendore në buxhetin e rishikuar, bazuar në performancën e arkëtimeve gjatë pjesës së parë të vitit. Edhe shpenzimet vendore parashikohet të rriten me 14.2 miliardë lekë.

Në nivel kombëtar, të ardhurat e përgjithshme buxhetore arritën në 341 miliardë lekë gjatë pesë muajve të parë, ose 105.3% të planit të periudhës.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat e përgjithshme u rritën me 34.8 miliardë lekë ose 11.4% më shumë”, tha Malaj.

Ministria e Financave propozoi që parashikimi vjetor i të ardhurave të përgjithshme të rritet në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë mbi buxhetin fillestar.

Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet arritën në 298.4 miliardë lekë në periudhën janar-maj, 2.2% mbi planin.

“Në total, janë mbledhur 6.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me planin fillestar të pesëmujorit 2026”, tha ministri.

Suficiti buxhetor për periudhën arriti në rreth 53.7 miliardë lekë. Sipas Malajt, ndryshimet e propozuara në buxhet financohen nga të ardhurat shtesë dhe nuk ndryshojnë nivelin e deficitit.

“Të gjitha ndryshimet e propozuara në aktin normativ financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore”, tha ai. “Ato nuk ndryshojnë nivelin e deficitit buxhetor, ruajnë trajektoren rënëse të borxhit publik dhe garantojnë vijimin e konsolidimit fiskal.”/ad

10:29 Rama mbron Paketën e Maleve: Nuk shiten malet, po u jepet mundësi pronarëve të zhvillojnë pronën

By: Anisa
21 July 2026 at 10:29

Last Updated on 21/07/2026 by Anisa

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave dhe kërkesave për shfuqizimin e Paketës së Maleve, duke theksuar se nisma nuk synon shitjen e maleve, por krijimin e mundësive për zhvillimin ekonomik të pronave të trashëguara në zonat malore.

Në një lidhje live në rrjetet e tij sociale, Rama tha se paketa është hartuar pas një procesi të gjatë konsultimesh dhe synon t’u japë zgjidhje qytetarëve që prej vitesh nuk kanë mundur ta kthejnë pronën e tyre në një aset financiar.

Sipas kreut të qeverisë, përfitues do të jenë banorët që kanë trashëguar prona në zonat malore, si edhe ata që zotërojnë pemëtore apo sipërfaqe bujqësore, por që për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitet ekonomik.

“Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që kanë trashëguar një pronë dhe për njerëzit që prej vitesh mirëmbajnë pemëtore apo toka, por nuk kanë mundur të pajisen me dokumentet e nevojshme. Me këtë paketë ata mund të marrin leje për të zhvilluar aktivitete agropërpunimi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ka pasur interes të lartë nga emigrantët shqiptarë për të investuar në zonat malore, duke e lidhur këtë me rritjen e rolit të turizmit në ekonominë e vendit.

Ai argumentoi se Paketa e Maleve është një politikë në mbështetje të së drejtës së pronës dhe zhvillimit ekonomik, duke u dhënë mundësi pronarëve që pronat e tyre të krijojnë vlerë.

Duke iu referuar kërkesave të protestuesve për anulimin e paketës, Rama tha se një vendim i tillë do t’i linte mijëra pronarë pa mundësinë për të zhvilluar pronat e tyre.

“Ç’do të thotë të anulohet Paketa e Maleve? Do të thotë që këta njerëz të mbeten pezull. Nuk kam parë komunitetet që preken nga kjo paketë të thonë se po u merren pronat. Përkundrazi, ata e presin me interes. Kjo është rezultat i shumë bisedave dhe përpjekjeve, nuk është një nismë që lindi brenda një dite”, deklaroi ai.

Në fund, Rama hodhi poshtë akuzat se Paketa e Maleve përbën një “akt tradhtie”, duke ironizuar kritikat ndaj tij.

“Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Unë tradhtar? Kjo është një temë tjetër”, përfundoi kryeministri./ad

07:00 Nga Leonard Veizi/ 21 korriku 1969 – Dita kur njeriu preku Hënën dhe lindi mosbesimi modern

By: Leonard
21 July 2026 at 07:00

Gjysmë shekulli pas hapit të Armstrongut, beteja nuk është më mes Tokës dhe Hënës, por mes faktit dhe komplotit

Nga Leonard Veizi

Më 21 korrik 1969, sipas Orës Universale, njerëzimi përjetoi një çast që nuk i përkiste më vetëm Shteteve të Bashkuara dhe as vetëm shkencës. Ishte fitorja e dijes, guximit dhe imagjinatës njerëzore mbi atë që deri atëherë dukej e pamundur. Kur Neil Armstrong zbriti shkallët e modulit hënor “Eagle” dhe shqiptoi fjalinë e pavdekshme – “Një hap i vogël për njeriun, një kërcim gjigant për njerëzimin” – nuk ishte thjesht një astronaut mbi pluhurin hënor. Ishte vetë qytetërimi që po provonte se kufijtë janë bërë për t’u kapërcyer.

Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i madh i kësaj ngjarjeje: sa më e madhe bëhet një arritje, aq më shumë shtohen ata që duan ta rrëzojnë.

Nëse ulja në Hënë ishte triumfi më i madh teknologjik i shekullit XX, teoritë që pretendonin se gjithçka ishte një mashtrim u bënë një nga fenomenet më të mëdha kulturore të të njëjtit shekull. Nuk konkurruan më NASA dhe Bashkimi Sovjetik. Filloi gara mes faktit dhe dyshimit.

Pyetja nuk ishte më: “A arriti njeriu në Hënë?”

Pyetja u bë: “Pse duhet ta besoj?”

Ky është ndryshimi thelbësor.

Historia ka njohur gjithmonë njerëz që kanë mohuar të pamundurën derisa ajo është bërë realitet. Disa mohonin sferën e Tokës. Të tjerë betoheshin se avioni nuk do të fluturonte kurrë. Edhe fotografia, kur u shpik, u quajt nga disa një mashtrim optik.

Por rasti i Hënës është ndryshe. Është ndoshta episodi i parë global ku teknologjia moderne dhe mosbesimi modern u përplasën ballë për ballë.

Argumentet e konspiracionit i dimë të gjithë. Flamuri “valëvitet”, ndonëse në Hënë nuk ka atmosferë. Nuk duken yje në fotografi. Hijet nuk janë paralele. Pamjet janë tepër perfekte. Dhe, sipas versionit më të famshëm të komplotit, regjisori Stenli Kubrik e paska xhiruar gjithçka në një studio sekrete në Nevada.

Problemi nuk është se këto pyetje u ngritën. Shkenca jeton me pyetjet.

Problemi është se, për shumë njerëz, pyetjet u kthyen automatikisht në përgjigje.

Në shkencë, pyetjet kërkojnë prova. Konspiracioni ushqehet vetëm me dyshim.

E vërteta është se shumica dërrmuese e këtyre pretendimeve janë rrëzuar prej dekadash. Flamuri nuk valëvitej nga era, por dridhej nga inercia, sepse mbahej nga një shufër horizontale dhe, në mungesë të ajrit, nuk kishte çfarë ta ndalonte menjëherë lëkundjen. Yjet nuk dukeshin për të njëjtën arsye që nuk duken në një fotografi portreti gjatë ditës: ekspozimi i kamerës ishte i kalibruar për sipërfaqen shumë të ndriçuar të Hënës. Hijet krijonin kënde të ndryshme për shkak të relievit të parregullt hënor dhe perspektivës fotografike.

Dhe prova më e heshtur, por më kokëfortë, është ende atje lart: reflektorët lazer të lënë nga misionet Apollo, të cilët edhe sot përdoren nga observatorë në të gjithë botën për të matur me saktësi të jashtëzakonshme distancën Tokë–Hënë.

Ironia më e madhe është se Bashkimi Sovjetik, rivali për vdekje i SHBA-së në kulmin e Luftës së Ftohtë, nuk e mohoi kurrë uljen në Hënë. E pranoi si fakt. Po të kishte ekzistuar qoftë edhe dyshimi më i vogël për një mashtrim, Moska do të kishte qenë e para që do ta demaskonte me bujë. Nuk e bëri kurrë.

Ky shkrim nuk synon të bindë mohuesit.

Synon të kuptojë pse njerëzit besojnë më lehtë një komplot sesa një sukses.

Sepse suksesi të detyron të pranosh se dikush tjetër ishte i aftë të bënte atë që dukej e pamundur. Komploti ta heq këtë barrë psikologjike. Nëse gjithçka ishte teatër, atëherë askush nuk ishte më i zoti se ne. Është një mekanizëm mbrojtës, i vjetër sa vetë njeriu.

Sot jetojmë paradoksin e kundërt. Inteligjenca artificiale mund të krijojë video që bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga realiteti. Zërat mund të klonohen. Fotografitë mund të manipulohen me një klikim. Pikërisht tani, kur kemi më shumë arsye për të dyshuar te imazhi, kemi edhe më shumë mjete për ta verifikuar atë.

Në vitin 1969 ndodhte e kundërta. Atëherë nuk ekzistonte teknologjia për të fabrikuar bindshëm një mashtrim në atë shkallë. Për të simuluar uljen në Hënë, do të duhej të heshtnin qindra mijëra inxhinierë, shkencëtarë, teknikë, kontraktorë dhe vëzhgues të pavarur në mbarë botën. Historia na mëson një rregull të thjeshtë: sa më i madh të jetë një komplot, aq më e pamundur bëhet ruajtja e sekretit.

Ndoshta, pas më shumë se gjysmë shekulli, pyetja më interesante nuk është më nëse Neil Armstrong e shkeli apo jo Hënën.

Pyetja është pse kemi ende nevojë ta vëmë në dyshim.

Sepse Hëna nuk është më objekti i debatit. Në qendër të debatit është vetë e vërteta.

Ndoshta ky është mësimi më i madh që na la 21 korriku i vitit 1969: njerëzimi arriti të kapërcente rreth 384 mijë kilometra për të prekur Hënën, por ende nuk ka arritur të kapërcejë distancën shumë më të shkurtër që ndan faktin nga paragjykimi.

22:10 Deputetja socialiste nxjerr në pah skenarin e opozitës: Bllokimi ishte i planifikuar

By: Monika
20 July 2026 at 22:10

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, reagoi pas tensioneve që shoqëruan seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar opozitën se kishte përgatitur një skenar për bllokimin e punimeve parlamentare.

Sipas saj, ndërprerja e seancës nuk ishte një reagim spontan, por një vendim i marrë që në fillim të saj. Çaushi u shpreh se raportimi i Avokatit të Popullit u përdor vetëm si pretekst për të nxitur përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Deputetja socialiste theksoi se Kuvendi duhet të jetë institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat politike, dhe jo një hapësirë ku bllokimi zë vendin e debatit parlamentar.

Në reagimin e saj, Zegjine Çaushi nënvizoi se qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete nga përfaqësuesit e tyre, duke shtuar se tentativat për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve.

Postimi i plotë:

“Sot nuk pamë një opozitë që kërkonte të shprehte qëndrimet e saj përmes debatit parlamentar. Pamë një skenar të përgatitur për të bllokuar punimet e Kuvendit.

Prishja e seancës plenare nuk ishte spontane, por një vendim i marrë që në nisje të saj. Raportimi i Avokatit të Popullit ishte thjesht një pretekst për të krijuar përplasje dhe për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Kuvendi është institucioni ku përballen idetë, argumentet dhe alternativat, jo një vend ku bllokimi zë vendin e debatit. Qytetarët presin përgjegjësi, dialog dhe punë konkrete, jo tentativa për ta kthyer çdo seancë në një spektakël politik që pengon punën e institucioneve.”/mxh

22:04 Mbiçmim i lekut?/ Zëvendësministri i Ekonomisë sqaron situatën

By: Monika
20 July 2026 at 22:04

Last Updated on 20/07/2026 by Monika

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u ndal sot gjerësisht të situata me monedhën vendase.

I ftuar në një studio televizive, Musabelliu u shpreh se në fushën e politikës monetare, llogaritë nuk bëhen me laps e letër, por bazohen në kryqëzimin e një sërë faktorëve makroekonomikë.

Sipas Musabelliut, mbiçmimi më i madh i lekut ka qenë në periudhën 2023-2024, që përkon edhe me zhvillimin më të madh të turizmit. Ndërkohë që në vitin 2024 dhe në vazhdim, ka një forcim të lekut me vetëm 2,8%, shkaktuar nga të ardhurat nga tregtia e mallrave që dalin dhe që hyjnë në ekonominë shqiptare.

“Duhet të theksojmë që kur flasim për politikën monetare, flasim për një nga gjërat më të komplikuara të ekonomisë, llogaritë për të cilën nuk bëhen as me laps me letër, as me gishta, po bëhen me modele makroekonomike, ku kryqëzohen një sërë faktorësh të ekonomisë dhe ku shkencëtarë të ekonomisë punojnë për të bërë projeksione nga njëra anë, por edhe për të llogaritur efektet nga ana tjetër. Tani, për të shpjeguar pse është mbiçmuar leku. Mbiçmimi më i madh i lekut ka qenë në periudhën 2023-2024, që përkon edhe me zhvillimin më të madh të turizmit. Ndërkohë që në 2024 dhe në vazhdim ne kemi një rënie ose një forcim të lekut me vetëm 2,8%. Çfarë ka shkaktuar kjo? Ka shkaktuar që nga njëra anë defiçiti tregtar, të ardhurat nga tregtia e mallrave që dalin dhe që hyjnë në ekonominë tonë të reduktohet nga 2021 në 2025 nga 7,7% e produktit të brendshëm bruto, në 0.7% të produktit të brendshëm bruto. Ndërkohë që defiçiti i llogarive korrente, pra të paratë që hyjnë dhe paratë që dalin, është reduktuar nga 13.4% në 5.5%. Kjo është kombinuar edhe me një rënie të rriskut sa i përket investimeve financiare në Shqipëri. Besueshmëria e ekonomisë shqiptare është rritur. “Rating” i Standard and Poors dhe i gjithë të tjerëve, të cilët e kanë rejtuar le të themi borxhin e Shqipërisë më lart krahasimisht me pesë apo 10 milionë dhe kjo ka bërë që të shtohen edhe depozitat në lekë, edhe kursimet në lekë, edhe investimet në lekë, duke rritur kërkesën për lekun, çka ka shkaktuar dhe mbiçmimin e tij”,-tha Musabelliu./Mxh

18:36 Shqipëria “digjet” nga i nxehti, temperaturat regjistrojnë 47 gradë në diell!

By: EL
20 July 2026 at 18:36

Last Updated on 20/07/2026 by EL

Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin tonë këtë të hënë ka arritur kulmin e saj.

Termometri mesditën e sotme në Tiranë ka arritur 45 gradë në diell, duke shënuar ditën më të nxehtë të vitit.

Vlerat më të larta janë regjistruar në Berat, me 47 gradë në diell dhe 42 gradë në hije.

Sipas meteorologëve, dita e martë do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave, por për shkak të lagështirës ato nuk do të ndihen.

Nga e premtja ditët më të freskëta do të jenë më të theksuara, duke u shoqëruar edhe me rrebeshe shiu.

Megjithatë, në ditët në vijim vendi pritet të përfshihet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan./et

12:41 Debate dhe përplasje në Kuvend pas ndryshimit të rëndit të ditës, Berisha-Peleshit: Do mbetesh në histori si armik i Kushtetutës

By: Anisa
20 July 2026 at 12:41

Last Updated on 20/07/2026 by Anisa

Kuvendi ka miratuar ndryshimin e rendit të ditës me kërkesë të bërë nga PS, duke e spostuar për të enjten diskutimin për projektligjin për SHEB, çka solli përplasje mes socialistëve dhe demokratëve.

Sali Berisha i është drejtuar Niko Peleshit duke i thënë se “do të mbahet mend në histori si vasali më i shpifur i Ramës.

“Do mbetesh në histori si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i kushtetutës”, i tha Berisha.

“Mu drejto me etikë, nuk të drejtohem me ti. Do t’u ndërpres sa herë që shkel rregulloren, madje do të marr edhe masa për të gjithë ata që përdorin një përrua fjalësh që nuk na takon”, tha Peleshi./ad

❌
❌