Normal view

15:52 Mbi 20 zona në vend në alarm nga i nxehti/ Koreja e Jugut regjistron temperaturën më të lartë në histori, termometri arrin 42.5°C

By: EL
2 August 2026 at 15:52

Last Updated on 02/08/2026 by EL

Koreja e Jugut ka regjistruar temperaturën më të lartë që prej nisjes së matjeve meteorologjike në vitin 1904. Në qytetin Yangsan, në juglindje të vendit, temperaturat arritën në 42.5°C, njoftoi Agjencia Meteorologjike Koreane (KMA). Sipas KMA-së, temperatura rekord u regjistrua në orën 13:26 sipas kohës lokale. Yangsan, qytet pranë portit të Busanit, ka përjetuar për pesë ditë radhazi temperatura mbi 40°C.

Rekordi i ri vjen në një periudhë me valë të forta të nxehti që kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të Koresë së Jugut, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë paralajmërime ekstreme për miliona banorë.

Më shumë se 20 zona të vendit janë aktualisht nën alarm maksimal për temperatura të larta, ndërsa rreth 157 qytete janë në gjendje gatishmërie për valë të nxehti. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në natyrë, përfshirë punën fizike dhe aktivitetet sportive, gjatë orëve me temperaturat më të larta. Ky nivel maksimal alarmi për valët e të nxehtit është krijuar këtë vit për të përballuar ngjarjet ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike dhe u aktivizua për herë të parë më 12 korrik.

Sipas sistemit të ri, alarmi maksimal vendoset kur temperaturat e ndjera arrijnë të paktën 35°C për dy ditë radhazi dhe parashikohen temperatura mbi 39°C në ditët pasuese.

 

 

Agjencia Meteorologjike Koreane ka paralajmëruar se valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta. Numri mesatar vjetor i ditëve me temperatura ekstreme është rritur nga rreth 8 ditë në vit gjatë viteve 1970, në rreth 19 ditë në vit gjatë pesë viteve të fundit./et

15:46 Ndodh në Greqi! Po luftonin kundër zjarreve, dy helikopterët përplasen me njëri-tjetrin

By: EL
2 August 2026 at 15:46

Last Updated on 02/08/2026 by EL

Një alarm u dha në Shërbimin e Zjarrfikësve të Greqisë, pasi u bë e ditur se dy helikopterë zjarrfikës që vepronin në zjarrin e Psathas në Atikën Perëndimore u përplasën me njëri-tjetrin këtë të dielë.

Mediat greke bëjnë me dije se ekuipazhi i dy helikopterëve janë në gjendje të mirë shëndetësore Ekipet e EKAB po nxitojnë në vendngjarje, ndërsa një operacion kërkim – shpëtimi është nisur menjëherë  për të dy ekipet.

Dy helikopterët zjarrfikës kishin operuar në frontin e zjarrit që nga mëngjesi, ndërsa përplasja mes tyre krijoi panik.

Gjatë një operacioni për shuarjen e zjarreve në pyll në zonën e Psathas, dy helikopterë që merrnin pjesë në operacionin e shuarjes së zjarreve u përplasën.

Forcat u mobilizuan menjëherë për një operacion kërkim-shpëtimi për ekipet, i cili është duke u zhvilluar aktualisht”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë./et

15:45 Ekstradimi e Ermal Beqirajt në Shqipëri mund të zgjatë disa javë! Mediat franceze japin detaje për procedurën

By: EL
2 August 2026 at 15:45

Last Updated on 02/08/2026 by EL

Rasti i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiraj ka marrë vëmendje në mediat franceze, pas arrestimit të tij në Francë për fluturimin me avion të lehtë mbi centralin bërthamor Penly në Normandi.

Mediat franceze raportojnë se Shqipëria ka kërkuar ekstradimin e tij, ndërsa ai ndodhet në paraburgim në pritje të procedurave.

Sipas raportimeve franceze, Beqiraj u arrestua në aeroportin Albert, në veri të Francës, pasi fluturoi mbi centralin bërthamor Penly, një nga zonat e përzgjedhura nga qeveria franceze për ndërtimin e reaktorëve të rinj bërthamorë EPR2.

Për këtë ngjarje, biznesmeni shqiptar u gjykua në procedurë të përshpejtuar nga gjykata në Amiens dhe u dënua me 7 mijë euro gjobë. Më pas ai u vendos në paraburgim, pasi autoritetet shqiptare kishin kërkuar ekstradimin e tij.

Mediat franceze i referohen edhe hetimit të SPAK në Shqipëri, ku Beqiraj dyshohet për përfshirje në një skandal korrupsioni të lidhur me tendera me vlerë miliona euro. Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj tij është lëshuar urdhër arresti për mashtrim të organizuar.

Në raportimet e tyre, mediat franceze shkruajnë se hetimet kanë zbuluar edhe pasuri që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas SPAK, bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion turistik, automjete dhe një pronë luksoze në departamentin e Oise, e vlerësuar rreth 2.6 milionë euro.

Autoritetet franceze, në bashkëpunim me ato shqiptare, kanë nisur procedurat për sekuestrimin e pasurive të identifikuara. Sipas prokurorisë franceze, procesi i ekstradimit të Ermal Beqirajt drejt Shqipërisë mund të zgjasë disa javë./et

15:30 Tronditëse në Britani/ Policia nuk e arrestoi edhe pse kishte urdhër-arrest, i riu vrau vajzën 2-vjeçare të partneres

2 August 2026 at 15:30

Një rast tronditës në Britaninë e Madhe ka nxjerrë në pah dështime serioze të policisë dhe institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, pasi një dhunues me urdhër arresti të pazbatuar për 18 muaj përfundoi duke vrarë vajzën 2-vjeçare të partneres së tij.

Harrison Simpson, 22 vjeç, u dënua javën e kaluar me burgim të përjetshëm dhe duhet të vuajë të paktën 28 vjet për vrasjen “sadiste” të Isabelle Welsh, e cila humbi jetën në shtator të vitit 2025. Edhe nëna e vajzës, Alexandra Walker, 26 vjeçe, u shpall fajtore për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një minimum prej 21 vitesh, shkruan The Times.

Çifti kishte nisur lidhjen vetëm tre muaj para vrasjes, pasi ishin njohur në Facebook.

Policia e Cleveland ka pranuar se nuk e ekzekutoi një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Magjistraturës së Teesside në mars të vitit 2024, duke i lejuar Simpsonit të mbetej i lirë, të krijonte lidhje me Walker dhe të jetonte me të dhe vajzën e saj.

Urdhri ishte lëshuar pasi Simpson nuk ishte paraqitur në gjykatë për shkeljen e një urdhri mbrojtës ndaj një ish-partnereje, e cila kishte raportuar se ai e kishte ngacmuar dhe kërcënuar.

Policia deklaroi se kishte kryer disa tentativa për ta gjetur dhe arrestuar, por pa sukses.

“Pranojmë se periudha gjatë së cilës Simpson kishte një urdhër arresti të pazbatuar është larg standardeve të pranueshme”, thuhet në reagimin e policisë.

Gjatë gjyqit u provua se Simpson kishte ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj vogëlushes për muaj të tërë përpara vdekjes së saj.

Isabelle pësoi një dëmtim fatal në tru pasi koka e saj u përplas me forcë në një sipërfaqe të fortë gjatë një tronditjeje të dhunshme më 13 shtator 2025. Ajo ndërroi jetë një ditë më vonë në spital.

Nuk u arrit të provohej se cili prej dy të pandehurve kishte shkaktuar dëmtimin fatal. Walker deklaroi se atë mëngjes kishte qenë duke fjetur pas konsumimit të madh të alkoolit një natë më parë, ndërsa Simpson refuzoi të jepte versionin e tij të ngjarjes.

Vetëm 12 ditë para vdekjes, Walker kishte dërguar vajzën në spital për shkak të një dëmtimi në këmbë. Ekzaminimet zbuluan se ajo kishte një frakturë.

Një infermiere ngriti menjëherë shqetësime për sigurinë e fëmijës, por mjekët pranuan shpjegimin e nënës dhe nuk ndërmorën masa të mëtejshme.

Infermierja dëshmoi se Walker reagoi me agresivitet kur u përmend mundësia e njoftimit të shërbimeve sociale dhe kërkoi të vizitohej nga një mjek tjetër.

Vetëm 11 ditë më vonë, Isabelle u rikthye në spital me plagë fatale.

Infermierja shpërtheu në lot gjatë dëshmisë së saj, duke kujtuar se vogëlushja ishte “e mbuluar nga koka te këmbët me mavijosje”.

21 kocka të thyera, përfshirë kafkën dhe shtyllën kurrizore;

97 dëmtime të indeve të buta;

Prokuroria e përshkroi rastin si një nga më të rëndët e dhunës ndaj një fëmije.

Qendra lokale për mbrojtjen e fëmijëve kishte pasur kontakte me familjen edhe dy herë gjatë katër javëve para vdekjes së Isabelle, por në të dyja rastet nuk u ndërmor asnjë veprim.

Katër ditë para tragjedisë, një vizitore shëndetësore zgjodhi të kontaktonte familjen vetëm me telefon dhe nuk shkoi për ta parë fëmijën në banesë.

Prokurori Richard Wright tha në gjykatë se pa e parë fare Isabelle, punonjësja shëndetësore e mbylli rastin duke shënuar se nuk kishte shqetësime.

Megjithatë, pas vrasjes, një rishikim i autoriteteve lokale arriti në përfundimin se vendimet për të mos e përshkallëzuar rastin kishin qenë “të përshtatshme”, pavarësisht rezultatit tragjik.

Gjyqi zbuloi se Isabelle ishte një fëmijë i lumtur dhe i shëndetshëm përpara se Simpson të hynte në jetën e saj.

Walker kishte nisur të dyshonte për sjelljen e partnerit, sidomos pasi ai këmbëngulte ta lante vetëm vajzën. Ajo madje kontrolloi në regjistrin e autorëve të krimeve seksuale, por nuk e gjeti emrin e tij.

Edhe nëna e Walker kishte paralajmëruar vajzën e saj se mbesa dukej sikur po abuzohej.

Pas zbulimit të dështimit për ekzekutimin e urdhrit të arrestit, Policia e Cleveland njoftoi se ka ndryshuar procedurat për menaxhimin e personave në kërkim.

Sipas autoriteteve, tashmë është krijuar një sistem i ri për monitorimin e urdhrave të arrestit, ndërsa rastet me rrezik të lartë shqyrtohen çdo ditë nga drejtuesit e policisë.

Edhe Partneriteti për Mbrojtjen e Fëmijëve në Hartlepool dhe Stockton-on-Tees deklaroi se pas vdekjes së Isabelle u hartua një plan masash, i cili është zbatuar menjëherë dhe vazhdon të monitorohet për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme./kb

15:19 Rama reagon për herë të parë për Reformën Territoriale: Djegia e teserave të PS një akt i turpshëm

2 August 2026 at 15:19

Last Updated on 02/08/2026 by Kesjana

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas debateve dhe kundërshtive të ngritura lidhur me draftin e Reformës së re Territoriale. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i cilësoi normale reagimet dhe qëndrimet kundër projektit, duke theksuar se dokumenti ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik dhe se çdo qytetar, bashki apo institucion ka të drejtë të shprehë opinionin e tij. Rama hodhi poshtë pretendimet për përçarje në Partinë Socialiste apo për vendimmarrje të imponuar, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi pas përfundimit të procesit të konsultimit. Rama ka reaguar dhe për rastin e Poliçanit ku u dogjën teserat e PS-së, çka e ka cilësuar të turpshëm aktin.

Ky është reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”.

Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.

Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.

Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.

Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.

Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat./kb

15:15 Centrali i vetëm bërthamor në Hungari ndalon plotësisht punën/ Shkak niveli i ulët i ujit në lumin Danub

2 August 2026 at 15:15

Lajmi u njoftua nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili vuri në dukje se rënia e nivelit të lumit i detyroi autoritetet të mbyllin të fundit nga dy njësitë e fundit që ishin aktive.

“Prodhimi i centralit do të reduktohet fillimisht në 240 megavat dhe më pas centrali do të ndalojë plotësisht funksionimin për herë të parë në 44 vjet”, thuhet në postimin e tij në platformën X.

Centrali bërthamor Paks ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Budapestit dhe është burimi kryesor i energjisë elektrike në Hungari, duke mbuluar rreth 40% të nevojave vjetore të vendit. Katër reaktorët e tij, të ndërtuar me teknologji sovjetike, përdorin ujin e Danubit për sistemin e ftohjes. Megjithatë, ulja drastike e nivelit të lumit ka krijuar probleme serioze për funksionimin e sigurt të centralit.

Kompania që administron Paks kishte paralajmëruar që të premten se, nëse niveli i Danubit do të vazhdonte të binte, ndalimi i plotë i centralit do të ishte i pashmangshëm brenda pak ditësh.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me kushtet ekstreme klimatike që kanë goditur Evropën prej disa javësh. Thatësira e zgjatur dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit kanë ulur nivelin e Danubit në pika historikisht të ulëta, duke ndikuar jo vetëm në lundrim, por tashmë edhe në infrastrukturën energjetike kritike të rajonit. /kb

15:00 Policia Rrugore “skanon” Tiranën/ Mbi 12 mijë gjoba në një javë, procedohet një drejtues për ryshfet

2 August 2026 at 15:00

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore dhe ato me fluks të lartë qarkullimi, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Sipas bilancit të javës së fundit, janë konstatuar 12 505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa janë evidentuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.

Një drejtues mjeti është proceduar penalisht pasi tentoi të korruptonte një punonjës të Policisë Rrugore, duke i ofruar 2 000 lekë të rinj për të shmangur masën administrative, pasi ishte konstatuar duke drejtuar automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Gjatë kontrolleve janë vendosur gjithashtu 74 masa administrative për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, 12 masa ndaj drejtuesve që drejtonin automjetin nën efektin e alkoolit, si dhe janë zhvendosur me mjet ngritës 31 automjete të parkuara ose të ndaluara në kundërshtim me Kodin Rrugor.

Po ashtu, Policia Rrugore ka vendosur 1 562 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe mosmbajtje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Policia Rrugore u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë përgjegjshmëri për garantimin e sigurisë rrugore./kb

14:45 Fluks i lartë i automjeteve/ Mijëra udhëtarë përballen me 10 orë pritje në kufirin Kroaci-Mali i Zi

2 August 2026 at 14:45

Kolona të gjata automjetesh dhe pritje që në disa raste kanë arritur deri në 10 orë janë regjistruar gjatë fundjavës në pikën kufitare Karasoviçi–Debeli Brijeg, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, duke krijuar një nga situatat më të vështira të sezonit turistik në rajonin e Adriatikut.

Sipas medieve kroate, mijëra automjete janë bllokuar në radhë kilometrike që shtrihen nga pika kufitare Karasoviçi deri pranë aeroportit të Dubrovnikut, ndërsa trafiku ka përfshirë edhe rrugët lokale në komunën e Konavles, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve.

Për banorët e kësaj zone, fundjava e parë e muajit gusht është kthyer tashmë në periudhën më problematike të vitit për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve që kalojnë drejt Malit të Zi.

Situata është konsideruar aq serioze, sa kryetari i bashkisë së Konavles, Bozho Lasiç, aktivizoi Shtabin e Mbrojtjes Civile të komunës, duke e cilësuar gjendjen si të papranueshme.

“Njerëzit nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre apo të zhvillojnë aktivitetet normale të përditshme”, deklaroi ai duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme derisa të normalizohet qarkullimi.

Ekspertët e transportit e lidhin këtë situatë me fluksin tradicional të lëvizjeve gjatë fundjavës së parë të gushtit.

Çdo vit, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera evropiane, udhëtojnë drejt vendeve të origjinës për pushimet verore.

Në të njëjtën kohë, një numër i madh turistësh që qëndrojnë në Dubrovnik zgjedhin të vizitojnë destinacionet turistike të Malit të Zi, si Kotori, Budva dhe Gjiri i Kotorrit, duke shtuar ndjeshëm ngarkesën në pikën kufitare./kb

14:30 “Renditet ndër bashkitë të më të mira në vend”/ Kryetari i Patosit kundër ndarjes së re territoriale

2 August 2026 at 14:30

Kryebashkiaku i Patosit, Fation Duro është shprehur kundër planit të ri për ndarjen territorale.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Duro shkruan se Patosi nuk është bashki me performancë të dobët, përkundrazi sipas tij renditet ndër bashkitë më të mira të Shqipërisë

Ai shprehet se bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë edhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier

Ndër të tjera ngre pyetjen: “Cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që kërkon heqjen e statusit të saj, kur Indeksi zyrtar i vet Komisionit e rendit të dhjetën në vend dhe dukshëm mbi Bashkinë Fier me të cilën do të bashkohet?”

Postimi i plotë:

Patosi nuk është bashki me performancë të dobët

Raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki që nuk arrin të kryej funksionet e veta. Përkundrazi, në treguesit më të rëndësishëm, Patosi renditet ndër bashkitë më të mira të Shqipërisë.

Patosi është i dhjeti në Shqipëri për funksionalitetin

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive, IFB, vlerëson elemente të tilla si:

• autonomia fiskale;

• ngurtësia e buxhetit;

• mbulimi i funksioneve;

• eficienca e stafit;

• detyrimet e prapambetura.

Patosi merr 71,7 pikë dhe renditet i dhjeti ndër 61 bashkitë. Raporti e konsideron nivel të lartë çdo rezultat mbi 65 pikë.

Argumenti zyrtar për konsolidimin territorial është:

Bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet administrativ dhe financiar të ushtrojnë funksionet.

Por në rastin e Patosit, vetë të dhënat e raportit tregojnë të kundërtën.

Krahasimi brenda Qarkut Fier

Rang vendi Bashkia Popullsia 2023 IFB

10 Patos 18.227 71,7

15 Roskovec 16.332 65,2

16 Lushnjë 63.135 65,0

23 Divjakë 24.882 59

32 Fier 101.963 55,4

40 Mallakastër 15.838 50,4

Të dhënat tregojnë se Patosi ka:

• 16,3 pikë më shumë se Fieri;

• performancë më të lartë se çdo bashki tjetër e qarkut;

• rezultat të lartë edhe në shkallë kombëtare.

Pra,

Bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë edhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier.

Cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që kërkon heqjen e statusit të saj, kur Indeksi zyrtar i vet Komisionit e rendit të dhjetën në vend dhe dukshëm mbi Bashkinë Fier me të cilën do të bashkohet? /kb

14:30 Kufizimi i sheqerit deri në moshën 2 vjeç lidhet me rrezik më të ulët për demencë në pleqëri

2 August 2026 at 14:30

Last Updated on 02/08/2026 by Kesjana

**

Kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë shtatzënisë dhe deri në moshën dyvjeçare mund të ulë rrezikun për zhvillimin e demencës shumë dekada më vonë, sipas një studimi të ri. Studiuesit zbuluan se personat që ishin ekspozuar ndaj një sasie më të vogël sheqeri në fazat më të hershme të jetës kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë, e shfaqnin sëmundjen më vonë dhe kishin tregues më të mirë të shëndetit të trurit në moshë të madhe. “Ulja e konsumit të sheqerit në fazat më të hershme të jetës mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit. Gjetjet tona theksojnë rëndësinë e ushqyerjes në fëmijërinë e hershme për uljen e rrezikut të demencës dekada më vonë,” tha autori i studimit, Jiazhen Zheng, nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong. Studimi analizoi të dhënat e rreth 65 mijë personave të lindur para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Mbretërinë e Bashkuar ishte vendosur racionimi i sheqerit. Ky kufizim përfundoi në vitin 1953 dhe, pas heqjes së tij, konsumi mesatar ditor i sheqerit pothuajse u dyfishua, nga rreth 41 gramë në 80 gramë. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas ekspozimit ndaj racionimit të sheqerit: ata që ishin ekspozuar gjatë shtatzënisë dhe vitit të parë të jetës, ata që kishin qenë të ekspozuar deri në moshën dy vjeç dhe ata që kishin lindur pas përfundimit të racionimit.
Duke analizuar të dhënat mjekësore nga mosha rreth 55-vjeçare dhe duke i ndjekur për 15 vjet, studiuesit zbuluan se personat që kishin pasur më pak sheqer para lindjes dhe gjatë vitit të parë të jetës kishin 21% më pak rrezik për demencë. Për ata që kishin qenë të ekspozuar ndaj kufizimit të sheqerit deri në moshën dy vjeç, rreziku ishte 23% më i ulët. Edhe tek ata që zhvilluan demencë, diagnoza u vendos mesatarisht 2.6 vjet më vonë krahasuar me personat që nuk kishin përfituar nga kufizimi i sheqerit në fëmijërinë e hershme. Studiuesit theksojnë se kufizimi i sheqernave të shtuara gjatë shtatzënisë dhe viteve të para të jetës mund të jetë një strategji e dobishme për uljen e rrezikut të demencës në të ardhmen, megjithëse nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë këtë lidhje./FC

13:30 Balla viziton sipërmarrjen tekstile në Kavajë: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” mbështetje edhe për sektorin fason

2 August 2026 at 13:30

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, vizitoi sipërmarrjen tekstile të Ylli Elmazit në Kavajë, ku u ndal në rëndësinë e mbështetjes së bizneseve prodhuese përmes programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Gjatë vizitës, Balla theksoi se edhe sektori fason mund të përfitojë nga kjo skemë financimi, e cila synon të nxisë investimet dhe zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve shqiptare.

“Programi ofron garanci sovrane deri në 70%, normë interesi preferenciale 2–3% dhe financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, duke krijuar mundësi për investime në teknologji, pajisje, rritje të prodhimit, si dhe zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, turizmit dhe industrisë përpunuese”.

Balla vlerësoi sipërmarrjet që investojnë në prodhim dhe punësim, duke theksuar se mbështetja e biznesit mbetet një nga prioritetet për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë./kb

13:30 Etiketimi i përmbajtjes së krijuar nga AI bëhet i detyrueshëm në BE

2 August 2026 at 13:30

**

Që nga kjo e diel, kompanitë që krijojnë ose përdorin përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) duhet ta etiketojnë qartë atë, sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian për transparencën.
Qëllimi është që qytetarët të kuptojnë menjëherë nëse një tekst, foto, video apo material tjetër që shohin në internet është krijuar nga një njeri apo nga inteligjenca artificiale. Sipas udhëzimeve të reja, sistemet e AI-së si chatbot-et duhet të identifikohen qartë si të tilla, ndërsa imazhet, videot dhe tekstet e krijuara me AI duhet të mbajnë etiketa ose shenja identifikuese, si watermark-e apo forma të tjera që lehtësojnë zbulimin e tyre. Kompanitë që nuk respektojnë këto rregulla rrezikojnë gjoba të larta.
Rregullorja kërkon gjithashtu që përdoruesit të informohen kur ekspozohen ndaj:
• sistemeve të njohjes së emocioneve dhe kategorizimit biometrik;
• përmbajtjeve të tipit deepfake;
• teksteve mbi çështje me interes publik të krijuara nga AI pa mbikëqyrje apo redaktim njerëzor.

BE-ja shpreh shqetësim të veçantë për përhapjen e deepfake-ve, pasi inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes reale dhe asaj të krijuar artificialisht. Sipas zyrtarëve evropianë, rregullat synojnë të ruajnë besimin e qytetarëve në atë që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë. Detyrimi zbatohet për përmbajtjen e krijuar për qëllime profesionale, ndërsa përdorimi personal i AI-së nuk preket nga këto rregulla. Sistemet ekzistuese të inteligjencës artificiale kanë afat deri më 2 dhjetor 2026 për t’u përshtatur, ndërsa përjashtohen veprat artistike, krijuese, satirike dhe fiktive. Rregullat e reja kanë ngjallur debat mes kompanive të teknologjisë, të cilat paralajmërojnë se zbatimi i tyre mund të jetë i ndërlikuar. Megjithatë, disa prej tyre kanë nisur tashmë etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me AI. TikTok kërkon prej vitesh që krijuesit të etiketojnë imazhet, videot dhe audiot e gjeneruara nga AI, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram. Edhe Google ka nënshkruar kodin evropian të transparencës për AI dhe po punon me kompani si Nvidia, OpenAI dhe Apple për zhvillimin e mjeteve të etiketimit digjital./FC

13:15 Debati për konsullatën serbe në Shkodër dhe atë shqiptare në Luginën e Preshevës, ministri Ferit Hoxha: Nuk cenon sovranitetin, Shqipëria mbron interesat e saj

2 August 2026 at 13:15

Në një intervistë për Top Channel, ministri thotë se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.

“Hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare”, u shpreh ministri.

Kërkesa e Shqipërisë për një përfaqësim në Bujanoc ka qenë një objektiv i hershëm i politikës së jashtme. Për ministrin Hoxha, ky angazhim me Serbinë nuk ndryshon kurrsesi qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, shprehet Hoxha.

Kjo dakordësi do të arrinte që shteti të ishte më afër shqiptarëve jashtë kufijve, deklaron ministri duke vlerësuar me rëndësi në këtë debat pyetjen: çfarë përfiton Shqipëria me një konsullatë në Luginën e Preshevës. Debati sipas ministrit të jashtëm është zhvilluar në mënyrë absurde në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.

“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, shton më tej ai.

Ministri Hoxha shpjegon se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë. Me këtë argument ai kundërshton kritikat që thonë se shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës janë të barabartë.

“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, thekson ministri Ferit Hoxha.

Reciprociteti thotë ministri Hoxha është një parim themelor në diplomaci por nuk nënkupton barazi automatike./kb

13:00 Kriza e memories, Apple akuzohet se kontribuoi në rritjen e çmimeve

2 August 2026 at 13:00

Apple po përballet me kritika se strategjia agresive e kompanisë në negociatat me furnitorët mund të ketë kontribuar në krizën globale të memories, që po rrit çmimet e kompjuterëve, telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Pretendimi vjen nga Micron, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, i cili la të kuptohet se presioni i vazhdueshëm i disa klientëve të mëdhenj për uljen e çmimeve gjatë viteve të kaluara, pengoi investimet në kapacitete të reja prodhimi.

Sipas drejtuesit të biznesit të Micron, Sumit Sadana, gjatë krizës së vitit 2023, disa klientë kërkonin vazhdimisht çmime më të ulëta, edhe kur fitimet e prodhuesve kishin rënë ndjeshëm.

Kjo bëri që shumë investime për zgjerimin e fabrikave të shtyheshin ose të anuloheshin. Edhe pse Apple nuk u përmend me emër, kompania njihet për aftësinë e saj për të negociuar kontrata shumë të favorshme me furnitorët dhe konsiderohet si një nga klientët më të mëdhenj të Micron.

Ironikisht, sot Apple është një nga kompanitë më të goditura nga kjo situatë.

Pak ditë më parë, rriti çmimet e disa modeleve të MacBook dhe iPad, duke argumentuar se kostoja e çipave të memories është rritur në nivele të paprecedenta si pasojë e kërkesës së madhe nga qendrat e të dhënave që mbështesin Inteligjencën Artificiale.

Drejtori ekzekutiv, Tim Cook e ka cilësuar situatën si “të paqëndrueshme”, duke thënë se kompania nuk mund të vazhdojë më t’i përthithë vetë këto kosto.

Sot, prodhuesit e memories po i japin përparësi çipave me performancë të lartë për serverët e AI, që janë shumë më fitimprurës se memoria për telefonat dhe kompjuterët.

Si rezultat, oferta për tregun e elektronikës së konsumit është tkurrur, ndërsa çmimet e RAM-it dhe memories NAND janë rritur ndjeshëm.

Kjo ka detyruar jo vetëm Apple-in, por edhe kompani si Microsoft, Dell, HP dhe Lenovo të rrisin çmimet ose të ofrojnë pajisje me më pak memorie në konfigurimet bazë.

Megjithëse nuk ka prova që Apple është shkaku kryesor i krizës, komentet e Micron tregojnë se politikat agresive të blerjes të disa gjigantëve të teknologjisë mund të kenë ndikuar në uljen e investimeve në industri.

Tani, ndërsa kërkesa për çipa të AI po arrin nivele rekord, e gjithë industria po paguan çmimin e mungesës së kapaciteteve prodhuese./kb

12:45 Vetëm 18% probabiliteti në Polymarket për rënien e qeverisë Rama këtë vit…

2 August 2026 at 12:45

Nga Eduard Zaloshnja

Polymarket është një bursë online për parashikime nga më të ndryshmet, ku përdoruesit blejnë dhe shesin kontrata të lidhura me rezultatet e ngjarjeve reale, si zgjedhjet politike, vendimet ekonomike, konfliktet ndërkombëtare, sporti apo zhvillimet teknologjike. Çmimi i një kontrate, zakonisht ndërmjet 0 dhe 1 dollar, interpretohet si vlerësimi i tregut për probabilitetin e një rezultati; për shembull, një çmim prej 0,70 dollarësh nënkupton se pjesëmarrësit i japin ngjarjes afërsisht 70% mundësi të ndodhë. Pas përfundimit të ngjarjes, kontrata fituese paguhet me një dollar, ndërsa ajo humbëse humbet vlerën. Përveç mundësisë së fitimit financiar, Polymarket përdoret edhe si burim informacioni për të matur në kohë reale pritshmëritë kolektive.

Aktualisht në Polymarket janë investuar pothuaj 126 mijë dollarë nga qindra investitorë rreth parashikimit se qeveria Rama do të bjerë deri më 31 dhjetor 2026. Ata që e parashikojnë sot këtë gjë e kanë probabilitetin e fitores vetëm 18%, ndërsa ata që parashikojnë të kundërtën e kanë probabilitetin e fitores 82%. Pra, nëse dikush fut sot 18 dollarë për rënien e qeverisë Rama, në fund të vitit merr 100 dollarë po të bjerë (në të kundërtën merr 0 dollarë).

Ndryshe nga bastet online, ku kompanitë e basteve përcaktojnë dhe lëvizin koeficientët bazuar në analizat statistikore të klubeve që përballen në një ndeshje sportive, në Polymarket probabilitetet luhaten sipas shumave që futen për parashikimet nga pjesëmarrësit në bursë. Kështu, më 20 qershor mbizotëronte parashikimi për rënien e qeverisë Rama brenda vitit me 54%, ndërsa sot probabiliteti ka zbritur në vetëm 18% (shihni grafikun e mëposhtëm).  /kb

Vetëm 18% probabiliteti në Polymarket për rënien e

12:40 Vapa ekstreme mund të përshpejtojë plakjen, zbulon studimi

2 August 2026 at 12:40

**

Vapa ekstreme nuk shkakton vetëm lodhje dhe dehidrim, por mund të përshpejtojë edhe proceset e plakjes qelizore. Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature Climate Change, ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit mund të ndikojë në organizëm në një mënyrë të ngjashme me efektet e konsumit të alkoolit dhe duhanit, ndërsa përdorimi i mjeteve për ftohje, si kondicionerët, duket se e zbut këtë efekt.
Studimi u zhvillua në Tajvan dhe analizoi 30 valë të të nxehtit të regjistruara mes viteve 2008 dhe 2022, duke i krahasuar me të dhënat shëndetësore të afro 25 mijë personave. Ekspozimi ndaj temperaturave të larta u përcaktua duke kombinuar matjet e temperaturës në zonat ku banonin pjesëmarrësit me adresat e tyre të rezidencës.
Rezultatet treguan se temperaturat e larta shoqërohen me rritje të inflamacionit në organizëm, ndryshime në presionin e gjakut dhe ndikim negativ në shëndetin e disa organeve. Efektet ishin më të theksuara në zonat rurale, ku përdorimi i kondicionerëve është më i kufizuar./FC

12:30 Kishin kultivuar mbi 1000 bimë kanabisi/ Në pranga dy persona në Dibër

2 August 2026 at 12:30

Dy persona janë arrestuar në Dibër pas finalizimit të një operacioni antidrogë.

Sipas informacioneve në pranga janë vënë dy shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, të cilët u kapën në një parcelë në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, ku ishin kultivuar bimë narkotike.

Nga kontrolli u konstatuan të kultivuara 1121 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies

Njoftimi i policisë:

Dibër/Kontrolle intensive
nga toka dhe monitorim me dronë nga ajri për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Deja”.
Kishin kultivuar 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Asgjësohen me djegie 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Si rezultat i informacioneve policore të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, Komisariatit të Policisë Mat dhe Komisariatit të Policisë Kamëz, u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Deja”.
Gjatë operacionit, në një parcelë të kultivuar në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, pronë publike në territorin e bashkisë Dibër, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, bashkia Mat.
Nga kontrolli u konstatuan të kultivuara 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë qytetarët, veçanërisht për banorët e zonave rurale, që të denoncojnë menjëherë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike.
Bashkëpunimi me Policinë mbetet thelbësor për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. /Kb

12:20 Zjarr në një tjetër magazinë të Wildberries në Rusi pas një sulmi

2 August 2026 at 12:20

**

Një zjarr i madh ka përfshirë të dielën një magazinë të kompanisë ruse të tregtisë online Wildberries në rajonin e Samarës, pas një sulmi. Kompania bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se nuk ka raportime për viktima dhe se zinxhiri logjistik është riorganizuar, ndërsa pranimi i mallrave dhe dërgimi i porosive po kryhen nga qendra të tjera.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha që kanë përfshirë ndërtesën dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiell.
Në korrik, forcat ukrainase goditën disa qendra logjistike të Wildberries në Rusi, në kuadër të asaj që Kievi e quan “sanksione me rreze të gjatë”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se këto magazina përdoreshin për furnizimin e ushtrisë ruse me pjesë për dronë dhe pajisje navigimi.
Wildberries, e themeluar në vitin 2004 nga miliarderja ruse Tatyana Kim, është platforma më e madhe e tregtisë online në Rusi. Në faqen e saj ofrohen edhe produkte si thika, helmeta, veshje kamuflazhi dhe pajisje për shikim nate.
Ndërkohë, Zelensky njoftoi se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës rreth 1.900 dronë, afro 1.600 bomba ajrore dhe 144 raketa, duke goditur 16 rajone të vendit. Sipas tij, një person humbi jetën nga një sulm me dron në Brovari, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se gjatë natës Rusia sulmoi me 133 dronë dhe municione fluturuese, ndërsa mbrojtja ajrore neutralizoi ose rrëzoi 109 prej tyre.
Në të njëjtën kohë, Zelensky përsëriti thirrjen ndaj aleatëve për të furnizuar Ukrainën me më shumë raketa Patriot, duke theksuar se këto sisteme duhet të përdoren për mbrojtjen e civilëve dhe jo të mbeten në depo.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se SHBA nuk ka rënë ende dakord t’i japë Ukrainës teknologjinë për prodhimin e raketave Patriot, megjithëse gjatë samitit të NATO-s në Turqi kishte lënë të kuptohej se Uashingtoni do t’i jepte Kievit një licencë për prodhimin e tyre./kb

12:15 Avokado ndryshon “gjini” gjatë ditës, zbulimi i ri shpjegon sekretin e tij

2 August 2026 at 12:15

**

Një studim i ri nga University of California, Davis, i publikuar në PNAS, ka zbuluar mekanizmin që qëndron pas një prej veçorive më të pazakonta të avokados: lulet e saj kalojnë nga faza femërore në atë mashkullore gjatë ditës për të favorizuar pjalmimin e kryqëzuar. Avokado është një nga frutat më të kultivuara në botë dhe parashikohet që deri në vitin 2030 të bëhet një nga kulturat tregtare më të rëndësishme. Megjithatë, kultivimi i saj mbetet sfidues për shkak të kërkesës së lartë për ujë dhe vështirësive në pjalmim.
Të gjitha pemët e avokados janë hermafrodite, pasi kanë si organet mashkullore ashtu edhe ato femërore. Por ato nuk funksionojnë njëkohësisht. Pemët e tipit A hapin lulet femërore në mëngjes dhe ato mashkullore pasdite, ndërsa pemët e tipit B bëjnë të kundërtën. Kjo strategji ul ndjeshëm rrezikun e vetëpjalmimit dhe ruan diversitetin gjenetik.
Duke analizuar gjenomin e qindra pemëve, studiuesit identifikuan një gjen të vetëm, të quajtur SDMYB, i cili kontrollon hapjen e luleve dhe ndryshon aktivitetin e tij gjatë ditës, duke përcaktuar nëse lulja funksionon si mashkull apo si femër.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se i njëjti mekanizëm gjendet në të paktën 26 specie të tjera bimore dhe mendohet se është shfaqur rreth 40 milionë vite më parë.
Ky zbulim mund të ketë vlerë të madhe për bujqësinë, pasi do t’u lejojë fermerëve të përcaktojnë llojin e një peme avokadoje shumë vite përpara lulëzimit të saj të parë, i cili në disa raste ndodh vetëm pas 15 vitesh./FC

12:00 Dyshimet për varrezë masive, Prokuroria Speciale komenton mbi gërmimet në Zubin-Potok

2 August 2026 at 12:00

Last Updated on 02/08/2026 by Kesjana

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale në Kosovë, Nora Luta, duke komentuar në lidhje me gërmimet në Zubin-Potok ku dyshohet për një varrezë masive nga koha e luftës, u shpreh se rasti është ende në fazën e hetimeve. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara.

“Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disavjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta.

E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra./kb

❌