Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Gazeta Fjala

17:56 BBC kërkon rrezimin e padisë së Trump

By: Monika
13 January 2026 at 17:56

BBC ka paraqitur një kwrkesw nw gjykatw për të rrëzuar padinë e Donald Trump për mënyrën se si u redaktua fjalimi i tij i 6 janarit 2021 në një dokumentar të Panorama.
Presidenti amerikan ngriti një padi prej 5 miliardë dollarësh muajin e kaluar, duke akuzuar BBC-në për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare. Sipas dokumenteve tw dorwzuara nw gjykatw argumentohet se gjykata e Floridws nuk ka juridiksion mbi BBC, vendi i procesit wshtw i papwrshtatshwm dhe se Trump nuk ka arritur tw paraqesw njw pretendim qw vlen nga ana ligjore.
Media britanike gjithashtu thotw se programi Panorama nuk u transmetua ne SHBA dhe nuk ka demtuar imazhin e presidentit amerikan.
BBC shton se Donald Trump nuk ka pasur asnje dem real pasi ai u arrit te rizgjidhej pas transmetimit te dokumentarit dhe po ashtu mori Floriden me njw shumicw tw thellw. Trump pretendon se dokumentari është transmetuar në platformën BritBox, gjë që BBC e ka mohuar. Po ashtu, BBC argumenton se nuk ekziston “keqdashje ” në publikimin e materialit, një kriter i rendesishem në rastet e shpifjes ndaj figurave publike.
BBC më parë i kërkoi falje Trump për redaktimin, por hodhi poshtë kërkesat e tij për demshperblim.
Gjithashtu ajo pranoi se me editimin e bere ishte krijuar pershtypje e gabuar sikur Trump bente thirrje te drejteperdrejte per veprime te dhunshme.
BBC ka kërkuar gjithashtu pezullimin e procesit të shkëmbimit të provave deri në një vendim mbi kërkesën për rrëzim të padisë. Nëse çështja vijon, një datë e mundshme gjyqi është parashikuar për vitin 2027./mxh

17:55 Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë dhe njofton vizitë në Kiev gjatë javës

By: EL
13 January 2026 at 17:55

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi në rrjetin social X pas sulmit të fundit masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, i cili përfshiu përdorimin e dronëve dhe raketave balistike.

Spiropali shkroi se “Shqipëria i dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale”, duke njoftuar se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

Spiropali thotë se “do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe.”

“Këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar. Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund”, shkroi Spiropali.

Postimi i plotë:

Mbrëmë, bota u bë dëshmitare e një tjetër akti barbarie nga regjimi i Kremlinit kundër Ukrainës. Rreth 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, u lëshuan duke targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike, në këtë mot ekstremisht të ftohtë dimri.
Shqipëria dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale. Shprehim solidaritetin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike apo siguri.

I dashur @andrii_sybiha, këtë javë do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe. Këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar. Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund.

#QëndrojmëMeUkrainën #SlavaUkraini /E

17:51 Berisha bie sërish pre e ironisë: “Qytetari dixhital” i dërgojnë denoncim të shkruar nga ChatGPT

By: EL
13 January 2026 at 17:51

Sali Berisha ka rënë sërish pre e “qytetarit dixhital”, një figurë që ai vetë e ka shpikur dhe promovuar prej vitesh si burim denoncimesh publike.

Kësaj here, në faqen e tij është publikuar një tekst që pretendohet si denoncim alarmant për Shkolla Profesionale Kristo Isak në Berat, por që, në thelb, nuk përmban asnjë fakt konkret, asnjë të dhënë të verifikueshme, asnjë emër të denoncuar apo problematik të qartë që ngrihet si shqetësim.

Karakteristika kryesore e këtij “denoncimi” është gjuha e tij: e përgjithshme, abstrakte, e ndërtuar me fraza të gjata, të përsëritshme dhe me tone morale universale, tipare që përputhen qartësisht me një tekst të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe të pa redaktuar nga dorë njerëzore dhe që, në thelb, s’thotë asgjë.
Denoncimi flet për “situata alarmante”, “terr”, “mungesë besimi” dhe “rrezik abuzimi”, por pa denoncuar asnjë ngjarje konkrete apo veprim konkret të paligjshëm.
Nuk është hera e parë që ish-kryeministri bie në këtë kurth. Prej vitesh, “denoncimet” e qytetarit dixhital kanë prodhuar më shumë tallje sesa hetime, më shumë dyshime për burimin sesa për objektin e tyre. Rasti i fundit e thellon edhe më tej këtë paradoks: një tekst mekanik, i ftohtë dhe pa përmbajtje konkrete, publikohet si alarm shoqëror, duke ekspozuar jo institucionin e përmendur, por mungesën e seriozitetit në mënyrën se si ndërtohet komunikimi politik.

Në fund, ajo që mbetet është një shembull se si teknologjia, kur përdoret pa përgjegjësi, mund të kthehet në karikaturë politike dhe se si “qytetari dixhital” vazhdon të tallet me krijuesin e vet.

Postimi i plotë i Berishës:

Situatë tejet alarmante në Shkollën “Kristo Isak”.

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital.

DENONCIM PUBLIK

Shkolla Profesionale “Kristo Isak”, Berat**

Në një kohë kur Shqipëria po përballet çdo ditë me raste tronditëse abuzimi ndaj të miturve, heshtja dhe neglizhenca nuk janë më opsion.

Ky denoncim publik ka të bëjë me një situatë thellësisht shqetësuese që ndodh në
Shkollën Profesionale “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.

Drejtoria e kësaj shkolle funksionon me derë të mbyllur dhe sistem elektronik, që nuk hapet nga jashtë, duke e bërë praktikisht të pamundur hyrjen e lirë të nxënësve, prindërve apo mësuesve pa autorizim të brendshëm.

Kjo nuk është thjesht një masë administrative.
Kjo është një problem serioz sigurie dhe transparence.

Në këtë shkollë publike:
• nxënës adoleshentë thirren për takime individuale,
• pas një dere që askush tjetër nuk mund ta hapë,
• në një ambient ku nuk ka kontroll, mbikëqyrje apo prani të personave të tretë.

Në një shoqëri ku:
• nuk ka më besim as brenda familjes,
• ku abuzimi psikologjik, moral dhe seksual është bërë plagë kombëtare,
• ku fëmijët shpesh heshtin nga frika,

është e papranueshme dhe e turpshme që një institucion arsimor të krijojë kushte izolimi në vend të mbrojtjes.

Ky denoncim nuk është akuzë personale, por është alarm publik.
Sepse institucionet që mbyllen, krijojnë terr.
Dhe terri është gjithmonë terren për abuzim.

Një drejtori shkolle nuk është bunker.
Një drejtor nuk është figurë e pakontrollueshme.
Një shkollë nuk është vend frike.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë të thjeshta:
• Pse drejtoria e Shkollës Profesionale “Kristo Isak” është e pakalueshme?
• Pse nxënësit nuk mund të hyjnë të shoqëruar?
• Pse prindërit nuk kanë akses të drejtpërdrejtë?
• Kush mban përgjegjësi nëse ndodh diçka pas asaj dere të mbyllur?

Në vitin 2026, në Shqipëri, siguria e nxënësve duhet të jetë prioritet absolut, jo çështje komoditeti administrativ.

Ky denoncim bëhet:
• në emër të nxënësve që kanë frikë të flasin,
• në emër të prindërve që kanë të drejtë të dinë,
• në emër të një shoqërie që nuk duhet të mbyllë më sytë.

Kërkohet ndërhyrje urgjente nga Institucionet perkatese sepse parandalimi është detyrim, jo zgjedhje.
Dhe sepse një derë e mbyllur në shkollë është një alarm i hapur për shoqërinë./ET

17:49 Rutte: Aleatët e NATO-s të bashkuar për Arktikun

By: Monika
13 January 2026 at 17:49

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se vendet anëtare do të zhvillojnë diskutime për hapat e ardhshëm lidhur me sigurinë në rajonin e Arktikut, në një kohë kur Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur interesin për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Në një konferencë të mbajtur në Bruksel, Rutte theksoi: “Të gjithë jemi dakord që kur bëhet fjalë për Arktikun, duhet të punojmë së bashku”, duke shtuar se brenda aleancës nuk ka mosmarrëveshje kur vjen puna për sigurinë e këtij rajoni.

Ai gjithashtu komentoi situatën në Iran, duke e cilësuar regjimin si të shtypur dhe përdorues të dhunës masive ndaj popullsisë së tij. Rutte u shpreh se aleatët e NATO-s ndjekin situatën çdo ditë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm, duke shprehur solidaritet me popullin iranian, jo me udhëheqësit./mxh

17:40 Forcat Operacionale nisen drejt burgut të Durrësit, kontrolle në qelinë e Altin Ndocit! A kishte dijeni dikush tjetër për planin e arratisjes?!

By: EL
13 January 2026 at 17:40

Forcat Operaracionale të burgjeve, nga Tirana, janë nisur drejt burgut të Durrësit, për verifikime atje, kontrolle, me kë ishte në dhomë Altin Ndoci.

Kontrollet do të kryhen për të kuptuar nëse dikush ka dijeni për planin e Ndocit, apo për të tjerë elementë që mund t’i vlejnë zbulimit të bashkëpunëtorëve.  /E.T

17:36 Ish-et e Ben Affleck/ Jennifer Lopez dhe Jennifer Garner, larg njëra-tjetrës në Golden Globe!

By: Monika
13 January 2026 at 17:36

Jennifer Lopez, 56 vjeç, dhe Jennifer Garner, 53 vjeç, ishin të dyja në ceremoninë e 83-të të ndarjes së çmimeve Golden Globe në Beverly Hilton. Të dyja dukeshin fantastike me fustane të ngushta, ndërsa shërbyen si prezantuese për shfaqjen vjetore, e cila pa One Battle After Another të fitonte bindshëm. Por në asnjë moment, nuk u fotografuan së bashku.

Mes tyre, ekziston një lloj lidhje pasi të dyja kanë qenë të martuara me Ben Affleck: Garner nga viti 2005 deri në vitin 2018 dhe Lopez nga viti 2022 deri në vitin 2025. Fëmijët e tyre shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Lopez ka binjakët Max dhe Emme me ish-bashkëshortin Marc Anthony dhe Garner ka Violet, Seraphina dhe Samuel me Affleck.

Daily Mail ka mësuar, megjithatë, se nuk ka ‘asnjë dramë’ dhe se ato janë të qeta me njëra-tjetrën, nuk kanë probleme. ‘Ato nuk duan të bëjnë bujë duke pozuar së bashku në një shfaqje çmimesh, kjo do të ishte e sikletshme.’ Ata nuk duan të bëjnë bujë sepse do të ishte e vështirë për fëmijët, tha burimi./mxh

17:32 Murrizi sulmon Belind Këlliçin: Deklarata e tij, psikozë komuniste! Ka disa padi mes tij dhe Bardhit

By: EL
13 January 2026 at 17:32

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Ish-deputeti i PD-së Myslim Murrizi ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj Belind Këlliçit, pasi ky i fundit, pasi doli nga SPAK, tha se u mor në pyetje për një çështje periferike.

Murrizi tha se deklarata e Këlliçit, është një psikozë komuniste, teksa më tej theksoi se nuk bëhet fjalë për një çështje periferike, pasi deputeti demokrat ka qenë pjesë e asaj çështje.

Nuk e di sa e vërtetët është se ka qenë për atë. Keni ndonjë komunikatë nga hetues Kraja i komunizmit? Ka shkuar për një çështje periferike? Kështu thonë të gjithë këta shejtanër, se janë shumë metropolitanë, sepse e kanë nga psikoza e fëlliqur e komunizmit, që bllokqenër, pjesën tjetër e quajnë periferike. Si është çështje periferike kur ke qenë në dijeni dhe ke qenë pjesë e saj?’’, tha ish-deputeti.

Më tej Murrizi zbuloi se ka disa padi mes Bardhit dhe Këlliçit në SPAK.

‘Kanë disa padi mes njëri tjetrit këta, por se di se SPAK-u nuk ka dhënë noj deklaratë.’’, tha Murrizi./E.T

17:30 Dënohet me 1 vit burg babai i ish-kandidates së PSD-së në Fier për korrupsion në zgjedhje

By: EL
13 January 2026 at 17:30

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin këtë të martë për çështjen penale, në ngarkim të Pandeli Bozhës, babait të ish-kandidates për deputete të PSD-së në Fier Limonera Bozha dhe Vladimir Lushkajt.

Sipas njoftimit zyrtar për mediat, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar gjykimin e çështjes penale ndaj Pandeli Bozhës, “i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal” dhe Vladimir Lushkajt, “i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsion pasiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal”.

Gjykimi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 1, datë 13.01.2026, vendosi deklarimin fajtor të Pandeli Bozhës për korrupsion aktiv në zgjedhje, duke e dënuar fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim.

Në zbatim të nenit 406 të Kodit Penal, gjykata i uli dënimin me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 1 vit burgim. Po ashtu, në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënia në provë e Bozhës për një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Ndërkohë, gjykata deklaroi fajtor edhe Vladimir Lushkajn për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, por “në bazë të nenit 52/b të Kodit Penal”, vendosi përjashtimin e tij nga dënimi.

Lidhur me provat materiale, GJKKO vendosi që një kartmonedhë prej 2000 lekësh, e konsideruar si shpërblim për veprën penale, “të kalojë në favor të shtetit”, ndërsa një fletë e ngjashme me fletët e votimit, ku emri i një kandidateje për deputete ishte i shënuar, të mbetet pjesë e fashikullit gjyqësor.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale në vlerën 6,361.52 lekë t’u ngarkohen të pandehurve solidarisht./E.T

17:23 Balluku nga Fieri: Lumi Seman është kthyer në shtratin e tij, situata drejt përmirësimit

By: EL
13 January 2026 at 17:23

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Zv.kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, është shprehur se ka një përmirësim të situatës së përmbytjeve në qarkun Fier, pasi sipas saj, lumi Seman është rikthyer në shtratin e tij.

Komentet Balluku i bëri teksa ndodhej në Hasturkas, të Njësisë Administrative Libofshë në qarkun e Fierit, ku si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Seman ka pasur dëmtime të argjinaturës.

Sipas Ballukut, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe pushteti vendor ndërhynë menjëherë duke ju ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar dhe po vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës.

Balluku bëri edhe një përditësim të thjeshtë të situatës në zonat problematike të prekura nga përmbytjet, teksa tha se situata ka ardhur drejt përmirësimit në të gjithë vendin.

Numri 2 i qeverisë u premtoi banorëve të zonave të përmbytura se shteti do ju vijë në ndihmë, për të përballuar këto momente të vështira që po kalojnë.

Prononcimi i Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

Balluku: Falënderoj të gjithë gazetarët e terrenit të Qarkut të Fierit që kanë qenë gjatë gjithë kohës pranë skuadrave të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, pushtetit vendor, prefekturës, deputetëve dhe kujtdo tjetër që ka qenë këtu.

Jemi, ta quajmë, në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht këtu jemi shumë afër hidrovorit dhe kjo është një zonë ku vazhdon të ketë prezencë të ujit. E rëndësishme është që 20 banesa që janë prekur asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Është bërë evakuimi i plotë i të gjithë banorëve të zonës.

Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim ti kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur, janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera.  Forcat e Armatosura kanë pas një rol të jashtëzakonshëm në gjithë këto ditë të vështira dhe sfiduese pothuajse në gjithë vendin.

Nga ana tjetër, nuk parashikohet në dy-tre ditët në vazhdim që të ketë reshje dhe kjo do jetë koha për të rikuperuar edhe dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Para pak po diskutonim me inxhinierët e bordit të kullimit, përsa i përket kësaj situate. Gjithsecili është në pozicionin e vet, në krye të detyrës, duke ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

Duhet që të bëjmë me dije që të gjithë ata banorë të zonave të përmbytura që kanë nevojë për mbështetje përsa i përket ushqimit të bagëtive, të kontaktojnë menjëherë me pushtetin vendor, pasi janë në dispozicion dhe rezervat e shteti gjithçka që mund t’i vijë në ndihmë, qoftë për nevojat personale, por edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës. Skuadrat janë këtu. Do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve.

Duhet thënë përsa i përket kaskadës së Devollit, është e rëndësishme kjo për t’u thënë, duke qenë se ndikimi i asaj kaskade vjen këtu në lumin Seman, që shkarkimet janë ulur në kuotën minimale, janë më të ulëta se prurjet që ka kaskada në këto momente. Kompania Statkraft na është përgjigjur thirrjes tonë pikërisht për ti ulur sa më shumë shkarkimet dhe për të pasur një menaxhim të mirë, ashtu siç kemi bërë me kaskadën e Drinit. Kaskada e Drinit është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushë Shkodër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kaskadën e Devollit.

Tani do të na duhet që të bëjmë të gjithë riparimet e duhura. Do na duhet që të bëjmë vlerësimin e dëmeve, ashtu siç e kemi thënë, siç e ka thënë kryeministri Rama dhe çfarë është më e rëndësishme më pas, në një mënyrë të drejtë me të gjitha grupet e ngritura nga bashkitë e zonave të prekura nga Emergjencat Civile t’ia dalim për të bërë një shpërndarje të kompensimit që do të jetë ekuvalent i një skeme e cila po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë, si për banorët që janë prekur banesat, ashtu edhe për dëmet që kanë ndodhur nëpër serra apo tokat bujqësore.

Pyetje: Ndërkohë një dëm i tillë nuk është parë asnjëherë, një vërshim i tillë i ujërave këtu në këtë zonë dhe është çarë argjinatura në disa segmente Kjo do të thotë që duhen investime për riparimin e argjinaturës së Semanit?

Balluku: Atëherë, kemi dëmtime, se çarje argjinature është pak fjalë më e madhe se ç’duhet në këtë rast. Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Padyshim do të duhen riparime të menjëhershme që do të bëhen, siç e dëgjuat se ju ishit këtu me mua, nga inxhinierët e bordit të kullimit që do të bëhen në orët në vazhdim, sapo të ketë rënie të nivelit të ujit dhe më pas do të ketë ndërhyrje akoma më të thella për të përforcuar të gjitha argjinaturat që janë prekur për shkak të këtyre vështrimeve, unë nuk e di nëse është hera e parë që janë kaq shumë vështrime apo jo, por megjithatë është e rëndësishme që të thuhet që janë identifikuar pikat problematike, të cilat do të riparohen menjëherë.

Shumë faleminderit të gjithëve! /E.T

17:23 Protestë dhe përplasje me policinë në kampusin e Diyarbakirit

By: Monika
13 January 2026 at 17:23

Studentët në Universitetin e Dicle në Diyarbakir dolën sot në protestë, duke mbajtur slogane pro‑kurde dhe duke shprehur mbështetjen për popullsinë kurde në veri të Sirisë, të njohur si Rojava. Protesta vjen pas përfundimit të operacionit ushtarak në Aleppo, ku forcat kurde të SDF-së u tërhoqën pas përleshjeve me ushtrinë siriane.

Gjatë marshimit në kampus, situata u tensionua mes studentëve dhe forcave të sigurisë. Siguria private e universitetit dhe policia u përfshinë në përplasje fizike me protestuesit. Një prej studentëve tha se administrata e universitetit po bëhet bashkëfajtore me dhunën, duke cenuar statusin autonom të universiteteve dhe hapësirën akademike.

Studentët kërkojnë drejtësi dhe respektim të lirive civile, ndërsa paralajmërojnë se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre për të mbështetur komunitetin kurd dhe për të tërhequr vëmendjen për situatën në Siri./mxh

15:57 Prishi xhaminë në vitin 1967, pendohet i moshuari nga Ravoniku: Të rindërtohet

By: EL
13 January 2026 at 15:57

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Rini Topçiu ishte njeriu që në vitin 1967 drejtoi bashkëfshatarët e tij në Ravonik për të prishur xhaminë dhe kishën e fshatit. Ai tregon se urdhri ishte që rinia e fshatit të prishte xhaminë, urdhër që u zbatua nga ai i pari dhe nga të tjerët.

“Me urdhër të Enver Hoxhës të prishej xhamia dhe kisha, ta prishte rinia. Ju si mendoni? Me urdhër të atij bëjmë çdo gjë, thashë. Mblodha rreth 10 veta, ramë dakord dhe në mëngjes, në orën 8, filluam prishjen e xhamisë. Kam hyrë unë i pari, pas xhamisë, prishëm minaren. Ikëm në kishë dhe e prishëm gjithë kishën. Ndërsa pemët i lamë dhe bëmë stërvitje për çetën”, tregon ai për A2 CNN.

Sot, i moshuari është penduar për këtë akt dhe kërkon që xhamia e fshatit të tij të rindërtohet. “Prapë me urdhër erdhi të ndërtohej kisha e xhamia. Prapë ne filluam të ndërtonim kishën dhe xhaminë. Kisha u ndërtua, xhamia jo. Kanë kaluar 20 vite dhe sot fshati më thotë: ti e prishe, ta ndërtosh. I kam çuar letra Berishës, Ramës. I kam vajtur kryetarit të qarkut, i kam vënë në dijeni. Myftiu është indiferent, si i vjetri ashtu edhe i riu. Për xhaminë thonë nuk kemi lekë. Edhe si ajo, peng që e kam”, thotë ai.

Kryeplaku i fshatit Ravonik, Arjan Farasholli, tregon se kërkesa e gjithë fshatit është që xhamia të ndërtohet, por duhet gjetur një tokë e re, pasi aty ku ka qenë më parë ka probleme me pronësinë dhe tokën. “Normalisht kërkesa e gjithë fshatarëve dhe komunitetit është që të ketë një xhami, por për vendin nuk e them dot. Në atë vend ku ka qenë, pronat janë blerë. Duhet parë diçka e arsyeshme, një vend i përshtatshëm”, thotë ai.

Pjesa dërrmuese e banorëve të fshatit Ravonik i përkasin besimit mysliman dhe kërkesa e tyre vijon të jetë e njëjtë prej vitesh: ndërtimi i një xhamie ku të kenë mundësi të kryejnë ritualet e tyre fetare. /e.t

15:48 Arratisja e Altin Ndocit/ Pezullohet gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit

By: EL
13 January 2026 at 15:48

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Është pezulluar këtë të martë, 13 janar, gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit.

Kjo pas rastit të pazakontë me arratisjen e të burgosurit Altin Ndoci, teksa ai kishte shkuar për t’u mjekuar te spitali i burgut.

Ndoci është një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale./e.t

15:28 Bilanci në Durrës, 5200 objekte të prekur nga përmbytjet, 1200 janë banesa

By: EL
13 January 2026 at 15:28

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Tetë ditë pas përmbytjeve që prekën qarkun e Durrësit, banorët e zonave më të dëmtuara apelojnë për masa konkrete parandaluese nga shteti, me qëllim që situata të mos përsëritet më, përtej procesit të dëmshpërblimit.

Sipas bilancit paraprak të grupeve të punës në terren, rreth 5200 objekte janë prekur nga përmbytjet, prej të cilave 1200 janë banesa, shkruan A2. Grupet e verifikimit po kryejnë akt-konstatimet derë më derë, për të evidentuar dëmet e shkaktuara.

Zona e ish-kënetës rezulton më e prekura, me numrin më të lartë të banesave që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Probleme serioze janë konstatuar edhe në Shkozet, Plazh dhe Spitallë. Ndërkohë, me qindra banesa të përmbytura janë evidentuar edhe në Sukth dhe Katund të Ri, ku procesi i verifikimit vijon.

Paraprakisht, grupet e punës do të kryejnë kontrollin teknik të banesave për të përcaktuar nëse ato janë të banueshme, përpara se të merret vendimi përfundimtar për rikthimin e banorëve./et

15:23 Barinjtë nuk pranojnë të evakuohen, duan të qëndrojnë me lopët në zonën e përmbytur

By: EL
13 January 2026 at 15:23

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Autoritetet kanë arritur të lokalizojnë përmes dronit dy barinjtë që ishin shpallur të humbur në Libofshë të Fierit, pora mësohet se ata nuk duan të largohen prej aty.

Sipas asaj që raportohet nga terreni, barinjtë qëndrojnë bashkë me 200 krerë lopësh në zonën e përmbytur të Kularit. Ata janë mirë nga ana shëndetësore, por nuk pranojnë të evakuohen pasi po mbajnë nën kontroll lopët, të cilat janë të lira.

Ata janë barinj të punësuar dhe sipas asaj që mësohet, edhe në përmbytjet e vitit të kaluar nuk kanë pranuar të largohen./e.t

15:20 Ishte i shoqëruar nga 3 policë të Burgjeve, një ‘Audi’ i bardhë e priste jashtë! Zbardhen detaje nga arratisja e Altin Ndocit

By: EL
13 January 2026 at 15:20

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit, i cili u largua sot nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit, duke vënë në alarm strukturat e rendit dhe sigurisë. I paraburgosuri Altin Ndoci kishte shkuar në spitalin Infektiv të Durrësit për një vizitë, teksa ka qenë i shoqëruar nga 3 punonjës policie të burgjeve. Ai ka kërkuar të shkojë në tualet, më pas ka goditur rojen që e shoqëronte te dera dhe ka dalë jashtë godinës së spitalit.

Sipas burimeve policore, në parkimin e spitalit dyshohet se e priste një automjet luksoz tip Audi A7, me ngjyrë të bardhë dhe targa AA700RS. Menjëherë pas daljes nga spitali, Ndoci është futur në mjet, me të cilin autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Spitallës.

Policia ka ndërmarrë kontrolle intensive në Durrës dhe zonat përreth, duke ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar itinerarin e arratisjes.

Autoritetet dyshojnë se arratisja nuk ka qenë spontane, por e mirëplanifikuar, duke marrë parasysh profilin kriminal dhe rrezikshmërinë e lartë të Altin Ndocit. Hetimet janë përqendruar edhe në identifikimin e personave që mund ta kenë ndihmuar në largim./et

15:15 Histori/ 13 Janar 1915 – Tërmeti shkatërrimtar i Italisë Qendrore, 30 mijë të vdekur

By: Leonard
13 January 2026 at 15:15

Në orët e para të mëngjesit të 13 janarit 1915, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.7 ballë goditi provincën e L’Aquila-s, në zemër të Italisë Qendrore, duke shkaktuar një nga katastrofat natyrore më të rënda në historinë e vendit. Brenda pak sekondash, qytete dhe fshatra të tëra u shndërruan në rrënoja, ndërsa mbi 30 mijë njerëz humbën jetën, shumica të zënë nën shtëpitë e tyre ndërsa flinin.

Tërmeti ndodhi rreth orës 07:52 të mëngjesit, në një zonë malore të Apenineve, e njohur për aktivitetin e saj sizmik. Epica e lëkundjeve ishte pranë Avezzano-s, në rajonin e Abruzzos, por valët sizmike u ndjenë fuqishëm në një territor të gjerë, nga Roma deri në brigjet e Adriatikut. Intensiteti i tërmetit ishte shkatërrues jo vetëm për shkak të forcës së tij, por edhe për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimeve, të cilat nuk ishin aspak të përshtatura për lëkundje të forta sizmike.

Qyteti i Avezzano-s u zhduk pothuajse tërësisht nga harta. Nga rreth 11 mijë banorë, mbi 10 mijë humbën jetën. Edhe Pescina, Celano, Gioia dei Marsi dhe dhjetëra qendra të tjera u shkatërruan rëndë. Kisha shekullore, pallate historike dhe shtëpi të varfra prej guri u shembën njëra pas tjetrës, duke varrosur familje të tëra.

Ndihma mbërriti me vonesë. Italia ndodhej në prag të përfshirjes në Luftën e Parë Botërore, dhe burimet shtetërore ishin të kufizuara. Terreni i vështirë, rrugët e shkatërruara dhe dimri i ashpër e bënë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë. Shumë të mbijetuar vdiqën në ditët pas tërmetit nga plagët, të ftohtit dhe mungesa e ushqimit e strehimit.

Megjithatë, solidariteti u shfaq fuqishëm. Ushtria italiane, vullnetarë, mjekë dhe ekipe shpëtimi u angazhuan në kërkimin e të mbijetuarve nën rrënoja. Ndihma erdhi edhe nga jashtë vendit, ndërsa mbreti Vittorio Emanuele III dhe mbretëresha Elena vizituan zonat e shkatërruara, një gjest i rrallë për kohën, që kishte rëndësi të madhe simbolike.

Pasojat e tërmetit ishin të thella dhe afatgjata. Rajone të tëra u shpopulluan, mijëra fëmijë mbetën jetimë dhe valë emigracioni nisën drejt qyteteve të tjera italiane dhe jashtë vendit. Katastrofa nxiti edhe një reflektim të vonuar mbi sigurinë sizmike dhe nevojën për rregulla më të rrepta ndërtimi, megjithëse përmirësimet reale do të vinin shumë dekada më pas.

Tërmeti i 13 janarit 1915 mbetet një plagë e thellë në kujtesën kolektive italiane, një kujtesë tragjike se natyra, kur godet pa paralajmërim, nxjerr në pah brishtësinë e jetës njerëzore dhe paaftësinë e shoqërive për t’u përballur me katastrofa të përmasave të tilla. Ai mbetet edhe sot një nga tërmetet më vdekjeprurëse në historinë evropiane.

Përgatiti: L.Veizi

15:04 Dosja “Buka” përplas SPAK me mbrojtjen e Ahmetajt, debate të forta në sallë

By: EL
13 January 2026 at 15:04

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Ka vijuar sot, 13 janar, gjyqi në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, për dosjen “Buka”, ku akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në seancë, siç raporton gazetarja Glidona Daci, pati debate mes avokatit mbrojtës të Ahmetajt dhe prokurorit të SPAK.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe të dëmtuarit nga vepra penale, anëtarët e familjes Myderizi. Avokati i Arben Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti kërkesa për marrjen e provave në lidhje me çështjen e “Buka sh.a.”

Ai deklaroi se ishte i autorizuar nga Ahmetaj për të bërë me dije se ish-zyrtari i lartë nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e konsideron atë si politike.

Mbrojtja kërkoi që Arben Ahmetaj të pyetet përmes video-konferencës, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin teknik dhe kontabël, si dhe të merren në pyetje si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Po ashtu, u kërkua lejimi i provave dokumentare dhe administrimi i të gjitha akteve juridike që lidhen me “Buka sh.a.” dhe subjekte të tjera.

Gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK të shpjegojë se cilat janë veprimet dhe mosveprimet konkrete që i atribuohen Arben Ahmetajt në kuadër të akuzës për shpërdorim detyre.

Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, deklaroi se në dosje janë depozituar vendime gjykatash që i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Sipas tij, Arben Ahmetaj ka vepruar përmes një urdhri ku ka caktuar vetë dy ekspertë, ndërsa akt-ekspertimi i kryer prej tyre përmban kontradikta. Gokaj theksoi se më herët ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima nuk e kanë privatizuar këtë pronë, ndërsa Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi ligjore.

Përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, u shpreh se mbrojtja po përpiqet të ngatërrojë çështjen. Sipas tij, bëhet fjalë për një shkelje të pastër të detyrës nga ana e Ahmetajt. Ai theksoi se familja Myderizi ka fituar gjyqin ndaj Ministrisë së Ekonomisë me vendim të formës së prerë dhe ka kundërshtuar mënyrën e llogaritjes së aksioneve të pronarëve.

“Sipërfaqja e tokës na është llogaritur me 8 mijë lekë të vjetra për metër katror, ndërkohë që vlera e tregut është rreth 1 mijë euro. Na dhanë vetëm 80 milionë lekë të vjetra. Bëhet fjalë për zonën ku ra zjarri disa ditë më parë. U bënë manovra për t’i hapur rrugë vjedhjes. Ahmetaj bëri atë që nuk e bëri asnjë ministër tjetër, edhe pse të tjerë e kanë tentuar. Kjo është një vjedhje absurde. Prej 30 vitesh kërkojmë pronën tonë në mënyrë të rregullt, fitojmë gjyqet dhe sot e kësaj dite nuk jemi aksionerë”, është shprehur Myderizi.

Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet dhe të shqyrtojë kërkesat për prova dhe dëshmitarë të paraqitura nga mbrojtja e Arben Ahmetajt./e.t

14:51 Pse dy gjigantë të futbollit botëror po mbështeten te trajnerët e krijuar në shtëpi?

By: EL
13 January 2026 at 14:51

Real Madridi emëroi Arbeloan nga Castilla në ekipin e parë pasi shkarkoi Xabi Alonson, ndërsa Manchester United së shpejti do të shpallë Michael Carrick si trajnerin e tyre të ri, duke zëvendësuar Darren Fletcher, i cili nga ana tjetër zëvendësoi Amorim.

Dy nga klubet më prestigjioze në botë po mbështeten te njerëz që e njohin mirë klubin, pasi kanë luajtur dhe fituar atje për vite me radhë. Ky është thelbi i zgjedhjeve të menaxhimit të Real Madridit dhe United: trashëgimia është më e rëndësishme se përvoja dhe emri i trajnerit. Situatat janë shumë më të ngjashme nga sa mund të mendohet.

Në Madrid, ka një situatë të pashoqe në botë. Florentino Pérez mund të shkarkojë një trajner që është ende brenda objektivave në kampionat dhe Ligën e Kampionëve thjesht sepse, sipas mendimit të tij, ai nuk është i përshtatshëm për skuadrën mbresëlënëse që i ka dhënë. Fakti që ata humbën Superkupën e Spanjës është vetëm një justifikim për të arritur në një vendim të planifikuar prej kohësh. Megjithatë, Xabi Alonso ishte një legjendë për Real Madridin dhe provoi në Leverkusen se është një nga trajnerët më të mirë në futbollin botëror. Por, kjo nuk mjafton për Florentinon. Nëse dikush përpiqet të ketë një ndikim të rëndësishëm në organizimin e lojës, ai tashmë është i mbaruar. Del Bosque, Zidane dhe Ancelotti punuan mirë. Ata u vlerësuan, por vetëm për sa kohë që sollën trofe.

Në vitet e fundit, Benitez dhe Lopetegui kanë dështuar – ose më saktë, atyre as nuk u është dhënë koha për të dështuar. Shenjat e para të problemeve kanë filluar dhe kërkimi për dikë që mund të udhëheqë Los Blancos me një kuptim të asaj që përfaqëson klubi ka filluar. Me Del Bosque të pensionuar, Zidane gati për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar francez dhe Ancelottin e dërguar në Brazil, nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtoheshin trajnerit të ekipit B, i cili do të ngarkohet me detyrën e menaxhimit të kampionëve pa shumë kufizime taktike. Në fund të fundit, kjo është tradita e klubit: lojë e bukur nga kampionët, jo organizim i tepërt. Ka qenë kështu që nga ditët e Di Stefano-s, Gento-s dhe Puskas-it, duke vijuar me Michel, Butragueno, Valdano dhe Sanchez, deri te Zidane, Figo, Ronaldo, Raul, etj. Por, nëse loja nuk po ecën mirë, njerëzit fishkëllejnë. Për informacion, pyetni Capellon, i cili gjithashtu ka fituar atje. Në Madrid, ata shkojnë përtej logjikës Bonipertiane se fitorja është e vetmja gjë që ka rëndësi. Në Madrid, duhet të fitosh (gjithmonë) dhe të argëtosh tifozët dhe presidentin. Përndryshe, merr njollë në biografi.

Tek United, situata është e ngjashme, por më komplekse. Atje nuk është një lloj trajneri ai që kërkohet vazhdimisht. Është trajneri “par excellence”. Ose më saktë, shefi. Domethënë, Sir Alex Ferguson. Që kur ai vendosi të largohej, Manchester United përveçse nuk ka fituar një tjetër titull kampion, ka humbur plotësisht edhe busullën. Trajnerët që kanë bërë histori në futboll, si Van Gaal dhe Mourinho, dhe trajnerë të konsideruar më të mirët e momentit (Ten Hag dhe Amorim) provuan fatin e tyre. Disa kanë sjellë në shtëpi trofe të vegjël, por asgjë më shumë. Kjo është arsyeja pse ka një përpjekje të vazhdueshme për t’u rikthyer në ditët e arta të mbretërimit të Sir Alex, në një cikël kohor të vazhdueshëm që i sjell ish-lojtarët e asaj epoke përsëri në stol. Kjo ndodhi me Solskjaer, i cili ishte gjithashtu një kandidat këtë herë, por më pas u refuzua, Fletcher, i cili u emërua vetëm për disa ndeshje, dhe tani Carrick, i cili tashmë ka qenë në krye të klubit në mënyrë të përkohshme që nga viti 2021. Ish-mesfushori ka pranuar të gjitha klauzolat në kontratën që United i ofroi dhe është gati të debutojë në derbin kundër City. Trajneri i ri do të shpallet pas pak orësh dhe tashmë ka marrë mbështetje të rëndësishme, përfshirë atë të Cristiano Ronaldo, i cili e përshkroi atë si “një individ me klas të destinuar të bëhet një trajner i shkëlqyer”./et

14:40 E dënuar për përvetësim fondesh, jeta politike e Marine Le Pen varet nga vendimi i gjykatës

By: EL
13 January 2026 at 14:40

Fati i politikanes franceze të ekstremit të djathtë, Marine Le Pene, varet nga Gjykata e Apelit.

Kjo është beteja e saj e fundit për të kthyer vendimin që e dënoi atë për korrupsion duke e ndaluar që të kandidonte për poste publike për pesë vjet.

Le Pen u shpall fajtore vitin e kaluar për përvetësim të fondeve të BE-së dhe nëse ndalimi vazhdon, ajo nuk do të jetë në gjendje të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Ajo këmbëngul se nuk ka kryer “asnjë shkelje”.

Përpara apelit, lideri i partisë së saj, Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella, tha se ndalimi i saj nga zgjedhjet do të ishte “thellësisht shqetësues për demokracinë”. Bardella tha se nuk do të kandidojë për President vitin e ardhshëm, por në vend të kësaj do të kërkojë postin më të ulët të kryeministrit.

Çështja në Gjykatën e Apelit të Parisit do të zgjasë deri më 12 shkurt, por një vendim nuk pritet para verës, shumë kohë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. /e.t

14:32 Të bllokuar prej orësh në zonën e përmbytur, ngrihet droni për lokalizimin e dy barinjve në Fier

By: EL
13 January 2026 at 14:32

Last Updated on 13/01/2026 by EL

Dy barinj kanë mbetur në zonë me prezencë uji prej disa orësh Hasturkas të Fierit. Në një prononcim për mediat kreu i AMC, Haki Çako, i cili është i pranishëm në Hasturkas, informoi se do të nisë së shpejti aksioni i kërkim- shpëtimit të tyre.

Të bllokuar prej orësh në zonën e përmbytur, ngrihet

Çako pohoi se do të ngrihet një dron termik, për të lokalizuar dy barinjtë. Nëse nuk do të ketë asnjë gjurmë prej tyre do të përdoren alternativa të tjera, si helikopter dhe forcat e ushtrisë.

Të bllokuar prej orësh në zonën e përmbytur, ngrihet

“Jemi në veprim për të identifikuar dhe saktësuar seku janë dy barinjtë të cilët shërbejnë për ruajtjen e bagëtive të lira në zonën e Kularit, në derdhje të lumit. Kanë pasur kontakt deri pak çaste më parë me familjarët dhe për shkak të mbarimit të baterive apo problemeve me telefon nuk kanë mundësi kontakt. Po instalojmë një dron për të saktësuar vendndodhjen e tyre. Do të vendosim në funksion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i siguruar jetën. Nuk ka informacion prej disa orësh”, tha Çako./et

❌
❌