Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Gazeta Fjala

17:58 A do të futet Luiz Ejlli në Big Brother VIP 5? Kiara Tito e zbulon: Menduam se ishte e fundit, por…

By: Monika
6 February 2026 at 17:58

Ditët e fundit në rrjet kanë qarkulluar zëra se fituesi i Big Brother VIP 2, Luiz Ejlli, mund të rikthehet në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, këtë herë në edicionin e pestë të spektaklit.

E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Kiara Tito u pyet drejtpërdrejt për këto spekulime, duke mos dhënë një përgjigje të prerë, por duke lënë gjithçka të hapur.

Moderatorja Sidorela Gjoni u shpreh se telefoni i saj ishte “masakruar” nga mesazhet e publikut që kërkonin të dinin nëse Luizi do të hynte sërish në Big Brother. Ndërsa Kiara u përgjigj:

“Big Brother është i paparashikueshëm. Luizi është akoma më i paparashikueshëm. As nuk përjashtohet dhe as nuk konfirmohet.”

Biseda u shoqërua edhe me nota humori, ku Sidorela përmendi titullin e filmit “Loja e Fundit”, duke shtuar se për Luizin “e fundit” nuk mund të thuhet kurrë me siguri. Këtë ide e mbështeti edhe Kiara, e cila shtoi: “Menduam se ishte e fundit, por…”

Deklaratat e saj kanë ngritur edhe më shumë pikëpyetje mes fansave, duke shtuar kureshtjen për surprizat që mund të rezervojë Big Brother VIP 5./mxh

17:44 Përmbysje e çmendur! Partizani zgjohet në fund ndaj Bylisit

By: Monika
6 February 2026 at 17:44

Partizani regjistroi një fitore 2-1 ndaj Bylisit në transfertë, në ndeshjen e javës së 23-të të Kategorisë Superiore.

Të kuqtë hasën vështirësi në pjesën e parë dhe u ndëshkuan në minutën e 29-të, kur Fokam shënoi për vendasit. Bylisi e mbylli pjesën e parë në avantazh minimal.

Në pjesën e dytë loja ishte e balancuar, me pak raste të pastra shënimi. Partizani barazoi rezultatin në minutën e 81-të me golin e Tomës. Në minutën e parë shtesë, Hjumen realizoi golin e përmbysjes për skuadrën kryeqytetase.

Me këtë fitore, Partizani renditet në vendin e pestë me 30 pikë. Bylisi mbetet në vendin e tetë me 20 pikë./mxh

17:44 Mbledhja e qeverisë/ Miratohet projektligji për dhënie amnistie

By: Monika
6 February 2026 at 17:44

Last Updated on 06/02/2026 by Monika

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar projektligji për dhënie amnistie. Në vendimin e qeverisë thuhet se qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.

Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga: parimi i humanizmit, arritja e qëllimit të dënimit, rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen, edukimi dhe rehabilitimi, mbrojtja e interesit publik, dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra, rritja e eficiencës në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

PROJEKTLIGJ PËR DHËNIE AMNISTIE

Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:

Neni 1

Qëllimi dhe parimet e ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.

2. Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga:

a) parimi i humanizmit;

b) arritja e qëllimit të dënimit;

c) rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen;

ç) edukimi dhe rehabilitimi;

d) mbrojtja e interesit publik;

dh) dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra;

e) rritja e eficiencës në sistemin e drejtësisë;

ë) mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “I dënuar” konsiderohet:

a) personi i dënuar nga gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykatat e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që, brenda afatit ligjor, nuk është bërë ankim ose ankimi nuk është pranuar në gjykatat përkatëse të apelit, duke marrë formë të prerë brenda datës 31.12.2025;

b) personi i dënuar deri në datën 31.12.2025 nga gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

c) personi i dënuar deri në datën 31.12.2025 kur Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, si dhe personi i dënuar nga Gjykata e Lartë, kur kjo gjykatë ka vendosur ndryshimin e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë, deri në datën 31.12.2025.

2. “Person që i është shmangur drejtësisë” është personi i fshehur, i arratisur ose i ikur, i cili, megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet procedimit penal, zbatimit të masave të sigurimit ose ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të dënimit.

Neni 3

Kriteret për përfitimin e amnistisë nga vuajtja e dënimit

1. Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:

a) personat burra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.12.2025, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;

b) personat gra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.12.2025, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;

c) personat burra, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet;

ç) personat gra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet;

d) personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç;

dh) personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç;

e) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

2. Nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.

Neni 4

Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë

1. Pavarësisht nga parashikimet e shkronjave “a”, “c” dhe “d”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a dhe 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 80, 81, 82, 83, 83/a, 83/b dhe 84/a të Kodit Penal, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;

c) vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a, 93, 96 dhe 99 të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108 dhe 108/a të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, 109/a, 109/b, 109/c, në paragrafin e dytë të nenit 110, në nenet 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114, në paragrafët e dytë dhe të tretë të nenit 117, në nenet 119, 120, 121 dhe 121/a të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, nenin 124/a, në paragrafët e dytë e të tretë të nenit 124/b, në nenet 128/a, 128/b, 129 dhe 130/a të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në paragrafin e tretë të nenit 134, në nenet 135 e 136, në paragrafin e dytë të nenit 137/a, në paragrafin e dytë të nenit 138, në nenet 138/a, 139, 140, 141, 141/a, në nenet 143/a, 143/b, 144/a, 151, 152, 153, 154, 154/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 155, në paragrafin e dytë të nenit 159, në paragrafin e dytë të nenit 160, në nenet 164/a, 164/b, 175, në paragrafët e dytë dhe të tretë të nenit 180 dhe në nenin 181/a të Kodit Penal, si dhe në paragrafët e dytë dhe të tretë të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak;

f) vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 186/a, në paragrafin e dytë të nenit 187, në paragrafin e dytë të nenit 188, në nenet 190, 191, 192 dhe në paragrafin e dytë të nenit 192/b të Kodit Penal;

g) veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, të parashikuara në paragrafët të tretë dhe të katërt të nenit 199/a dhe në nenin 199/b të Kodit Penal;

gj) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në paragrafin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 201, në nenet 201/a, 201/b, 201/c, 201/ç, 202, 202/b, 203, 206/a dhe 206/b të Kodit Penal;

h) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 dhe 225 të Kodit Penal;

i) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 dhe 228 të Kodit Penal;

j) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a dhe 234/b të Kodit Penal;

k) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 237, 238, 243, 244, 244/a, 245, në paragrafin e dytë dhe të katërt të nenit 245/1, në paragrafin e dytë të nenit 247, në nenet 248, 248/a, 250, 252, 253, 257, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267, 268, 270, 271, në paragrafët e parë, të dytë, të gjashtë, të shtatë dhe të tetë të nenit 278, në nenet 278/a e 278/b, në paragrafin e dytë të nenit 281, në paragrafin e dytë të nenit 282, në nenet 282/a, 282/b, 282/c, 283, 283/a, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 284/d, 285, 286, 287, 287/a, 287/b, 288, 288/a, 288/b, 288/c, 288/ç, në paragrafin e dytë të nenit 289, në paragrafët e dytë, të tretë dhe të katërt të nenit 290, në paragrafin e dytë të nenit 292, në nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, 294, 295, në paragrafët e parë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë të nenit 295/a, në paragrafin e katërt dhe të pestë të nenit 298, në nenin 299 të Kodit Penal, si dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak;

l) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 302, 303, 311, 312, 312/a, 313, 313/a, 313/b, 314, 316, 317, 318, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, në paragrafin e dytë të nenit 323, në nenin 324 dhe në paragrafin e dytë të nenit 324/a të Kodit Penal;

ll) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 328/b, 329, 330, 330/a, 331, 331/a, 332 dhe 332/a të Kodit Penal;

m) vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

n) vepra penale të parashikuara në nenet 8 dhe 9, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar.

2. Pavarësisht nga parashikimet e shkronjave “b”, “ç”, “dh” dhe “e”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a dhe 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c,81 dhe 83/b të Kodit Penal;

c) vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88 dhe 89/a dhe 93 të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 103, 104, 105, 106, 107/a 108 dhe në paragrafin e dytë të nenit 108/a të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, 109/b, 109/c, në paragrafin e dytë të nenit 110, në nenet 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 114, në paragrafët e dytë dhe të tretë të nenit 117 dhe në nenin 121 të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, në nenin 124/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 124/b, në nenet 128/a, 128/b dhe 129 të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, në paragrafin e dytë të nenit 137/a, në paragrafin e dytë të nenit 138, në nenet 139, 140, 141, 143/a, 143/b, 144/a, 151, 152, 153, 154, 154/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 155, në paragrafin e dytë të nenit 159, në nenet 164/a, 164/b, 175, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 180 dhe në nenin 181/a të Kodit Penal;

f) vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 186/a, në paragrafin e dytë të nenit 187, në paragrafin e dytë të nenit 188, në nenet 190, 191 dhe 192 dhe në paragrafin e dytë të nenit 192/b të Kodit Penal;

g) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në paragrafin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 201, në nenet 201/a, 201/b, 201/c, 201/ç, 202, 202/b, 203, 206/a, 206/b, të Kodit Penal;

gj) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 dhe 225 të Kodit Penal;

h) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 dhe 228 të Kodit Penal;

i) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a dhe 234/b të Kodit Penal;

j) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 243, 244, 244/a, 245, 248, 248/a, 250,253, 257, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267,268, në paragrafin e pestë, të gjashtë, të shtatë dhe të tetë të nenit 278, në nenet 278/a, 278/b, në paragrafin e dytë të nenit 281, në paragrafin e dytë të nenit 282, në nenet 282/a, 282/b, 282/c, 283, 283/a, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 284/d, 285, 286, 287, 287/a, 287/b, 288, 288/a, 288/b, 288/c, 288/ç, në paragrafin e dytë të nenit 289, në paragrafin e dytë, të tretë dhe të katërt të nenit 290, në paragrafin e dytë të nenit 292, në nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, 294, 295, në paragrafin e parë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë të nenit 295/a, në paragrafin e katërt dhe të pestë të nenit 298 dhe në nenin 299 të Kodit Penal, si dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak ;

k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 302, 303, 311, 312, 312/a, 313, 313/a, 313/b, 314, 316, 317, 318, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, në paragrafin e dytë të nenit 323, në nenin 324 dhe në paragrafin e dytë të nenit 324/a të Kodit Penal;

l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 328/b, 329, 330, 330/a, 331, 331/a, 332 dhe 332/a të Kodit Penal;

ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

m) vepra penale të parashikuara në nenet 8 dhe 9, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar.

Neni 5

Kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit

1. Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas nenit 3 të këtij ligji ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 4 të këtij ligji, u zbritet:

a) 1 vit e gjysmë për personat e dënuar, gra dhe të mitur;

b) 1 vit për personat e dënuar, burra.

2. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit:

a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal;

b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm;

c) personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale apo personat e dënuar për çdo vepër penale tjetër që është e lidhur ngushtë me hetimin apo çështjen penale brenda kompetencave të parashikuara në nenin 75/a.

3. Nuk përfitojnë zbritje të dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.

Neni 6

Kriteret për përfitimin e amnistisë nga ndjekja penale

1. Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31.12.2025, për të cilat Kodi Penal dhe Kodit Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara në nenet 83/a, 83/b, 84/a, 88/b, 90, 91, 92, 96, 105, 112/1, 113, në paragrafin e parë të nenit 117, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121,122, 124, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 130/a, 131, 132, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 134, në nenet 137, 137/a, 142, 143/a/2, 143/a/3, 143/a/4, 143/a/5, 149, 150, 156, 160, 161, 164/a, 170/c, 170/ç, 178, 179, 179/b, 180, 180/a, 181, 185, 186, 187, 188, në paragrafin e parë të nenit 191, në nenin 192, në paragrafin e parë të nenit 192/a, në paragrafin e parë të nenit 192/b, në paragrafin e parë të nenit 193, në paragrafin e parë të nenit 197, në paragrafin e parë të nenit 201, në paragrafin e parë të nenit 202/a, në nenet 204, 205, 206, 207, 223, në paragrafin e parë të nenit 224, në nenin 225, në paragrafin e parë të nenit 236, në paragrafin e parë të nenit 237, në paragrafin e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë të nenit 238, në paragrafin e tretë të nenit 242/a, në paragrafin e parë dhe të dytë të nenit 244, në nenin 244/a, në paragrafin e parë, të dytë dhe të tretë të nenit 245/1, në paragrafin e parë të nenit 251, në nenet 254, 255, 256, në paragrafin e parë dhe të dytë të nenit 257/a, në nenin 259, në paragrafin e dytë të nenit 261, në paragrafin e parë të nenit 263, në nenet 265/c, 269, 271, në paragrafin e parë të nenit 274/a, në paragrafin e tretë të nenit 274/b, në paragrafin e katërt të nenit 278, në paragrafin e parë të nenit 279, në nenin 287/a, në paragrafin e parë të nenit 287/b, në paragrafin e parë të nenit 288, në paragrafin e parë të nenit 288/a, në paragrafin e parë të nenit 288/c, në nenet 288/ç e 293, në paragrafin e parë të nenit 293/b, në paragrafin e parë të nenit 295, në paragrafin e dytë dhe të katërt të nenit 295/a, 296, në paragrafin e parë të nenit 300, në nenin 301, në paragrafin e dytë të nenit 306, në paragrafin e dytë të nenit 308, në paragrafin e parë të nenit 309, në paragrafin e dytë të nenit 313/b, në nenet 317 e 318, në paragrafin e dytë të nenit 320/a, në paragrafin e parë të nenit 324/a, në paragrafin e parë dhe të dytë të nenit 327, në paragrafin e parë dhe të tretë të nenit 327/a, në paragrafin e parë, të dytë, të tretë, të katërt të nenit 328/a, në paragrafin e parë të nenit 329, në paragrafin e parë të nenit 330/a, në paragrafin e parë të nenit 331/a, në nenin 332, të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e parë të nenit 21, në nenin 23, në paragrafin e dytë të nenit 38, në paragrafin e dytë të nenit 39, në paragrafin e parë të nenit 42, në paragrafin e parë të nenit 47, në paragrafin e parë të nenit 51, në paragrafin e parë të nenit 67, në paragrafin e parë të nenit 74, në paragrafin e dytë të nenit 81, në nenet 85 e 92, të Kodit Penal Ushtarak.

2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

3. Nuk përfitojnë nga pika 1 e këtij neni subjektet, që kanë detyrimin për të deklaruar sipas ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale dhe për çdo vepër penale tjetër që është e lidhur ngushtë me hetimin apo çështjen penale brenda kompetencave të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 7

Të drejtat civile në procesin penal

Nga zbatimi i këtij ligji nuk cenohen të drejtat civile në procesin penal dhe as shpenzimet gjyqësore të kryera gjatë gjykimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 8

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /mxh

17:38 Trump mbështet Orbanin, zgjedhje të tensionuara në Hungari

By: Monika
6 February 2026 at 17:38

Last Updated on 06/02/2026 by Monika

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka theksuar marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.

Deklaratat Orban i bëri gjatë një interviste për radion shtetërore, ku foli për mbështetjen që, sipas tij, Hungaria ka gjetur në SHBA. Ai tha se qëndrimi i përbashkët mbi konfliktin Ukrainë–Rusi ka qenë çelësi i këtij afrimi.

“Ne kemi qenë të suksesshëm në Amerikë, sepse ka një çështje të madhe ndërkombëtare për të cilën biem dakord dhe ku edhe ata kanë nevojë për ne. Kjo është lufta në Europë, çështja e paqes dhe e luftës,” u shpreh Orban, duke shtuar se Hungaria është i vetmi vend europian që ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se lufta nuk do të kishte nisur nëse Donald Trump do të ishte president i SHBA-ve në vitin 2022.

Deklaratat e Orban vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump e ka mbështetur publikisht atë përpara zgjedhjeve parlamentare në Hungari, të planifikuara për më 12 prill. Në një postim në rrjetet sociale, Trump e cilësoi Orban si një “udhëheqës të fortë dhe të fuqishëm”, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë administratës së tij.

Megjithatë, Orban përballet me një sfidë serioze politike në vend. Sipas sondazheve të fundit, partia opozitare e qendrës së djathtë, Tisza, kryeson ndaj partisë qeverisëse Fidesz, ndërsa një forcë e djathtë ekstreme pritet të hyjë në parlament.

Këto zgjedhje konsiderohen si sfida më e madhe për Viktor Orban që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2010, ndërsa një pjesë e madhe e elektoratit vijon të mbetet e pavendosur./mxh

17:23 Meloni takon Emirin e Katarit në prag të Olimpiadës Dimërore

By: Monika
6 February 2026 at 17:23

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një takim me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, në Milano, vetëm pak orë përpara ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.

Takimi u zhvillua në prag të një eventi madhor ndërkombëtar, teksa Milano dhe Cortina d’Ampezzo përgatiten të mirëpresin zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat do të hapen më vonë gjatë ditës së premte.

Ceremonia hapëse do të mbahet në stadiumin “San Siro” në Milano dhe pritet të ndërthurë elemente simbolike të dy qyteteve mikpritëse, duke reflektuar jetën urbane dhe atë malore, si dhe duke përcjellë një mesazh harmonie dhe bashkëpunimi.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë anëtarë të familjeve mbretërore dhe krerë shtetesh nga e gjithë bota, përfshirë edhe Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, JD Vance.

Autoritetet italiane kanë forcuar masat e sigurisë në zonën veriore të Milanos, përreth stadiumit, për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë dhe sigurinë e pjesëmarrësve./mxh

17:15 Tetë familje të izoluara/ Rruga që lidh fshatin Senisht në bashkinë Maliq prej muajsh e izoluar, banorët apelojnë për ndihmë

By: Monika
6 February 2026 at 17:15

Rruga që lidh fshatin Senisht në bashkinë Maliq vijon të mbetet e bllokuar prej disa muajsh, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut. Segmenti rrugor ka pësuar çarje dhe rrëshqitje dherash, duke u bërë i pakalueshëm për mjetet dhe duke izoluar banorët e zonës.

Në fshatin Senisht jetojnë tetë familje, të cilat aktualisht lëvizin vetëm në këmbë ose me kafshë, pasi automjetet nuk kanë mundësi të kalojnë.
Situata paraqet rrezik të vazhdueshëm për shkak të rënies së gurëve dhe dherave, ndërsa dëmtimet në rrugë janë përkeqësuar nga dita në ditë.

Banorët bëjnë me dije se prej muajsh i janë drejtuar institucioneve vendore për ndihmë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete.

Izolimi ka vështirësuar sigurimin e ushqimeve, lëvizjen e përditshme dhe aksesin në shërbimet shëndetësore, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

Nga ana tjetër, bashkia Maliq njofton se rrëshqitja ka ndodhur në një segment rrugor prej rreth 80 metrash. Sipas autoriteteve lokale, ndërhyrja do të kryhet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, me qëllim futjen e mjeteve të rënda dhe hapjen e një rruge alternative. Deri në zgjidhjen e problemit, familjet e fshatit Senisht vijojnë të jetojnë të izoluara, përballë vështirësive të mëdha dhe rrezikut të përditshëm./mxh

17:09 Vllaznia është e pandalshme, marshon në krye pas fitores së gjashtë radhazi

By: Monika
6 February 2026 at 17:09

Vllaznia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi në Kategorinë Superiore, duke mposhtur Vorën me rezultatin minimal 1-0 në javën e 23-të.

Sfida u vendos nga një gol i Sherif Kallakut në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Mesfushori shkodran realizoi me një goditje të saktë me të majtën, nga jashtë zone.

Në pjesën e dytë, Vllaznia administroi avantazhin dhe kërkoi golin e dytë. Vora tentoi të reagojë dhe krijoi disa raste, por pa arritur të shënojë.

Portieri Pohls dhe mbrojtja shkodrane ruajtën portën të paprekur. Me këtë fitore, Vllaznia kryeson renditjen me 45 pikë. Vora mbetet në vendin e shtatë me 25 pikë./mxh

17:01 GJKKO dënon 5 persona për korrupsion në zgjedhje dhe moskallëzim krimi

By: Monika
6 February 2026 at 17:01

Last Updated on 06/02/2026 by Monika

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar për një çështje penale që lidhet me korrupsionin në zgjedhje. SPAK kishte kërkuar gjykimin e Engjëll Carës, Limon Shalës, Fatmir Thaçit, Florant Saraçit dhe Shkëlqim Hoxhës.

Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Trupa gjykuese e përbërë nga Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka i shpalli fajtorë katër të pandehur për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjëll Cara dhe Florant Saraçi u dënuan fillimisht me nga 1 vit e 6 muaj burg secili. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 1 vit burg, ndërsa ekzekutimi i dënimit u pezullua, duke u vënë në provë për 2 vite, me detyrimin për të mos kryer vepra të tjera penale dhe për të mbajtur kontakte me Shërbimin e Provës.

I pandehuri i pestë, Shkëlqim Hoxha, u shpall fajtor për veprën penale “moskallëzimi i krimit”. Ai u dënua përfundimisht me 4 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u zëvendësua me 60 orë punë në interes publik, që duhet të kryhen brenda 6 muajve, si dhe me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës.

Gjykata vendosi gjithashtu kthimin e celularëve të sekuestruar për tre prej të pandehurve dhe ngarkimin e tyre solidar me shpenzimet proceduriale. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar./mxh

16:58 Vizatim i rrallë i Mikelanxhelos në ankand, vlerë deri në 2 milionë dollarë

By: Monika
6 February 2026 at 16:58

Një vizatim i rrallë i Mikelanxhelos, që paraqet një këmbë të djathtë, pritet të shitet deri në 2 milionë dollarë në shtëpinë e ankandeve Christie’s, në ankandin që do të mbahet të enjten, më 5 shkurt.

Vepra, e titulluar “Studim për këmbën e Sibilës Libiane”, është realizuar rreth vitit 1510, në kohën kur mjeshtri i Rilindjes italiane po përgatiste pikturimin e tavanit të Kapelës Sistine në Vatikan.

Sipas Giada Damen, specialiste në Departamentin e Vizatimeve të Mjeshtërve të Vjetër në Christie’s, bëhet fjalë për një vepër me rëndësi të jashtëzakonshme artistike dhe historike, pasi lidhet drejtpërdrejt me një nga kryeveprat më të famshme të artit botëror.

Vizatim është rreth 12 centimetra i lartë dhe është realizuar me shkumës të kuq. Christie’s njofton se vepra u identifikua vetëm vitin e kaluar, pasi ishte paraqitur në faqen online të shtëpisë së ankandeve për një vlerësim falas.

“Momenti ishte shumë emocionues,” u shpreh Damen për agjencinë Reuters, duke shtuar se vizatimet e Mikelanxhelos janë jashtëzakonisht të rralla dhe shumë të kërkuara në tregun ndërkombëtar të artit.

Christie’s e ka vlerësuar veprën mes 1.5 dhe 2 milionë dollarë./mxh

16:49 Marrëdhënia mes Taylor Swift dhe Blake Lively nën tension, në dyshim ftesa në dasmë

By: Monika
6 February 2026 at 16:49

Raportet mes Taylor Swift dhe Blake Lively duket se kanë hyrë në një fazë të ftohtë, duke ngritur pikëpyetje mbi vazhdimësinë e miqësisë së tyre të dikurshme shumë të afërt.

Sipas burimeve të cituara nga Us Weekly, këngëtarja po mendon seriozisht nëse do ta përfshijë aktoren në listën e të ftuarve për ceremoninë martesore me Travis Kelce. Një person pranë situatës ka bërë me dije se prania e Lively-t do të sillte vëmendje të tepruar mediatike, diçka që Swift dëshiron ta shmangë në një moment kaq intim të jetës së saj.

Tensionet mes dyshes thuhet se u shtuan pas përfshirjes indirekte të Swift-it në konfliktin ligjor të Blake Lively-t me aktorin Justin Baldoni, lidhur me filmin It Ends With Us. Publikimi i mesazheve private të këngëtares në dokumente gjyqësore e ka bërë atë të ndihet e cenuar dhe e ekspozuar, duke ndikuar negativisht në marrëdhënien mes tyre.

Burime të tjera raportojnë se aktualisht ekziston një distancë emocionale mes Swift dhe Lively-t, ndërsa komunikimi mes tyre është minimal. Sipas tyre, ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kanë pasur një bisedë të sinqertë dhe të thellë, ndërsa besimi është dëmtuar ndjeshëm nga situatat e fundit.

Ndërkohë, Taylor Swift dhe Travis Kelce pritet të kurorëzojnë dashurinë e tyre këtë verë në Ocean House, në Watch Hill, Rhode Island. Çifti u fejua në gusht të vitit 2025, pas dy vitesh lidhje.

Nga ana tjetër, Daily Mail raporton se Blake Lively nuk e ka kontaktuar Taylor Swift-in për ta uruar për fejesën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, ndërsa gjithnjë sipas burimeve, aktorja nuk pritet të jetë e pranishme në ceremoninë e dasmës./mxh

15:59 “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, Norvegjia nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Jagland pasi i doli emri në dosjet e Epsteinit

By: Monika
6 February 2026 at 15:59

Policia në Norvegji ka hapur një hetim për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të vendit, Thorbjørn Jagland, për lidhjet e tij të dyshuara me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, i vetëvrarë në burg në vitin 2019.

BBC shkruan se një njësi speciale e policisë norvegjeze, e cila po analizon dosjet e reja të publikuara mbi Epstein në SHBA, tha se 75-vjeçari dyshohet për “korrupsion të rënduar”.

Policia tha se tashmë i ka kërkuar ministrisë së jashtme të vendit të heqë imunitetin e tij, të cilin e gëzon për shkak të rolit të tij të mëparshëm si diplomat i lartë.

Jagland është gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Nobel norvegjez dhe ka kaluar 10 vite si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës. Jagland është ish-zyrtari i cili në dokumentet e publikuara, rezultonte se i kishte dërguar një e-mail mikut të tij Jeffrey Epstein më 25 maj të vitit 2012, ku shprehej se ka vizituar Tiranën, ku kishte parë vajza të jashtëzakonshme (lexo këtu).

Avokati i tij tha se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin.

Pål K. Lønseth, kreu i Økokrim (që është njësia e krimit ekonomik që po heton Jagland-in), tha: “Ne konsiderojmë se ka baza të arsyeshme për hetim, duke qenë se ai mbajti pozicionet e kryetarit të Komitetit Nobel dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës gjatë periudhës së mbuluar nga dokumentet e publikuara.”

“Ndër të tjera, Økokrim do të hetojë nëse dhurata, udhëtime dhe hua janë marrë në lidhje me pozicionin e tij.” Policia shtoi se detaje të tjera do të jepen “në një fazë të mëvonshme”.

Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, tha se është “e rëndësishme që faktet e këtij rasti të dalin në dritë”. Ai shtoi se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Europës që imuniteti i Jagland-it të hiqet.

Avokati i Jagland, Anders Brosveet, mirëpriti hapjen e hetimit. “Bazuar në atë që kemi gjetur deri tani, jemi të bindur për rezultatin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ndërkohë, Brosveet i tha faqes së lajmeve VG në Norvegji se ai dhe klienti i tij do të dorëzojnë “gjetjet kryesore dhe dokumentacionin që kemi tek Økokrim sa më shpejt të jetë e mundur”.

Jagland ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996-97, dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës në vitet 2009-19. Ai gjithashtu ka kryesuar Komitetin Nobel norvegjez në vitet 2009-2015./mxh

15:46 Turqia po përgatitet të shtrëngojë ndjeshëm aksesin e të miturve në rrjetet sociale

By: Monika
6 February 2026 at 15:46

Një raport parlamentar i publikuar këtë javë rekomandon masa të gjera kufizuese, përfshirë verifikimin e moshës, filtrimin e përmbajtjes dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët, duke e rreshtuar Ankaranë mes vendeve që po ashpërsojnë kontrollin mbi platformat digjitale.

Partia në pushtet, AKP e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, pritet të paraqesë së shpejti një projektligj, ndërsa ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktas, ka deklaruar se nisma do të përfshijë ndalim të rrjeteve sociale për të miturit dhe detyrimin e platformave për të ndërtuar sisteme filtrimi të përmbajtjes.

Raporti i komisionit parlamentar parashikon gjithashtu heqjen e përmbajtjeve pa paralajmërim, monitorimin e lodrave dhe videolojërave me inteligjencë artificiale, si dhe kufizime të internetit gjatë natës për pajisjet që përdoren nga të miturit.

Sipas rekomandimeve, fëmijët nën 16 vjeç do të ndalohen nga rrjetet sociale, ndërsa deri në moshën 18 vjeç do të zbatohet filtrim i detyrueshëm i përmbajtjes.

“Duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë nga degradimi moral dhe nga të gjitha format e varësisë, përfshirë edhe atë digjitale,” deklaroi për Reuters deputeti i AKP-së, Harun Mertoglu.

Shqetësimi ndahet edhe nga shumë prindër. Një shitëse në Stamboll thotë se djali i saj 10-vjeçar kalon orë të tëra në rrjetet sociale dhe videolojëra, duke paralajmëruar për përmbajtje të dëmshme që ndikojnë tek fëmijët.

Nisma e Turqisë vjen në një moment kur shumë vende po ndjekin të njëjtën rrugë. Australia u bë vendi i parë në botë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa Spanja, Greqia dhe Sllovenia po shqyrtojnë masa të ngjashme. Edhe Franca, Britania dhe Gjermania janë duke diskutuar kufizime për të miturit.

Nga ana tjetër, kompanitë e rrjeteve sociale paralajmërojnë se ndalimet mund të dështojnë për shkak të teknologjive të dobëta të verifikimit të moshës dhe rrezikojnë t’i shtyjnë fëmijët drejt platformave të pakontrolluara.

Turqia ka tashmë një nga regjimet më të rrepta të kontrollit digjital. Sipas organizatës IFOD, deri në fund të vitit 2024 janë bllokuar mbi 1.2 milion faqe dhe postime online. Platforma si Roblox, Discord dhe Wattpad janë të ndaluara, ndërsa Wikipedia ka qenë e bllokuar për rreth tre vjet.

Nëse ligji miratohet, Turqia pritet të shënojë një tjetër hap të fortë në betejën mes mbrojtjes së fëmijëve dhe lirisë në internet./mxh

15:38 TikTok nën hetim nga BE për shkelje të rregullave të përmbajtjes online

By: Monika
6 February 2026 at 15:38

Platforma e njohur e videove të shkurtra është akuzuar zyrtarisht nga Komisioni Europian për shkelje të rregullave të BE-së mbi përmbajtjen online, për shkak të asaj që rregullatorët e quajnë dizajn tepër i varësishëm për përdoruesit.

Hetimi, i cili ka zgjatur rreth një vit dhe është zhvilluar në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), përqendrohet te funksione si scroll-i i pafund, autoplay, njoftimet shtytëse dhe algoritmi shumë i personalizuar i rekomandimit, që sipas Komisionit nxisin përdorim kompulsiv të aplikacionit.

Sipas autoriteteve europiane, TikTok nuk ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin që këto veçori mund të kenë në shëndetin mendor dhe fizik të përdoruesve, veçanërisht te fëmijët dhe grupet vulnerabël. Rregullatori thekson se platforma ka neglizhuar tregues të rëndësishëm të varësisë, si koha që të miturit kalojnë në aplikacion gjatë natës dhe sa shpesh e hapin atë.

Komisioni Europian akuzon gjithashtu TikTok se nuk ka zbatuar masa të arsyeshme dhe efektive për të kufizuar rreziqet, përfshirë menaxhimin e kohës së ekranit dhe kontrollet prindërore, duke kërkuar ndryshime në vetë dizajnin bazë të aplikacionit.

Nga ana e saj, TikTok ka kundërshtuar akuzat, duke mbrojtur algoritmin e saj, i cili ka qenë kyç në suksesin global të platformës.

Nëse shkeljet konfirmohen, kompania rrezikon gjobë deri në 6% të xhiros globale të pronarit të saj, ByteDance. TikTok ka të drejtë të shqyrtojë dokumentet e Komisionit dhe të paraqesë një përgjigje me shkrim përpara marrjes së vendimit përfundimtar.

Ky veprim është pjesë e një goditjeje më të gjerë të Bashkimit Europian ndaj gjigantëve të teknologjisë, e cila ka shkaktuar kritika nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë akuza për censurë dhe kërcënime për masa tregtare.

Ndërkohë, edhe Meta, me Facebook dhe Instagram, është akuzuar më herët për shkelje të DSA-së për përdorimin e të ashtuquajturave “dark patterns”, ndërsa kompani si Snapchat, YouTube, Apple dhe Google janë vënë nën lupë për sistemet e verifikimit të moshës dhe mbrojtjen e të miturve online./mxh

15:30 Protesta e Ronaldos, Liga arabe i kundërpërgjigjet futbollistit

By: Kesjana
6 February 2026 at 15:30

Vendimi i Kristiano Ronaldos për të mos zbritur në fushë me fanellën e Al Nasr në shenjë proteste kundër fondit të investimeve që menaxhon katër klubet më të mëdha të kampionatit, ka bërë që Liga Arabe e Futbollit të reagojë ashpër kundër portugezit.

Saudi Pro League është rreshtuar përkrah skuadrës së Al Nasr, duke sulmuar Kristianon.

“Cristiano ka qenë plotësisht i përkushtuar ndaj Al Nassr që nga ardhja e tij dhe ka luajtur një rol thelbësor në rritjen dhe ambiciet e klubit. Si çdo lojtar i nivelit elitar, ai dëshiron të fitojë. Por asnjë individ, sado i rëndësishëm të jetë, nuk merr vendime përtej klubit të tij”.

Liga Saudite bën me dije se kampionati është konkurrues dhe kjo dëshmohet nga klasifikimi i ngjeshur mes skuadrave.

“Liga është kompetitive dhe skuadrat kanë pak pikë diferencë me njëra-tjetrën. Lufta për titullin është e hapur dhe kjo reflekton faktin se sistemi funksionon më së miri”.

Rebelimi i Kristiano Ronaldos ka ngritur alarmin në Arabinë Saudite. Ai ka një kontratë deri në vitin 2027 me Al Nasr, nga e cila përfiton 200 milionë euro në vit, por gjithashtu ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh në rast se dëshiron të largohet./kb

15:15 Gjykata e BE-së rivendos imunitetin e Puigdemont dhe ish-eurodeputetëve katalanas

By: Kesjana
6 February 2026 at 15:15

Është një fitore e vonuar, por me ndikim të fortë politik dhe institucional, ajo që arriti dje Carles Puigdemont së bashku me dy ish-eurodeputetë të tjerë katalanas. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian anuloi përfundimisht vendimin e Parlamentit Europian për heqjen e imunitetit parlamentar të Puigdemont, Toni Comín dhe Carla Ponsatí.

Sipas gjyqtarëve në Luksemburg, emërimi i raportuesit të ngarkuar me kërkesat për heqjen e imunitetit ishte në kundërshtim me parimin e paanshmërisë.

Rasti ka lidhje të forta me lojërat politike spanjolle brenda Parlamentit Europian. Partia Popullore Europiane, nën presionin e Partido Popular, kishte organizuar emërimin e një eurodeputeti të partisë ekstremiste nacionaliste VOX si raportues, pa hasur rezistencë nga grupi i Socialistëve & Demokratëve, i kryesuar nga socialistja spanjolle Iratxe García Pérez.

Gjykata thekson se, duke qenë se VOX ishte në origjinë të procedimit në Spanjë ndaj Puigdemont dhe të tjerëve për referendumin e vitit 2017 mbi pavarësinë e Katalonjës, raportuesi nga VOX mund të perceptohej si i paanshëm.

Ky vendim përbën një goditje jo vetëm për nacionalizmin spanjoll, por edhe, dhe mbi të gjitha, për përdorimin politik të procedurave të imunitetit në Parlamentin Europian./kb

15:00 Berisha akuza Ramës: Po kërcënon integrimin, në BE po shqyrtohet zhbërja e procesit për Shqipërinë

By: Kesjana
6 February 2026 at 15:00

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat, ku po ngre akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po rrezikon të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian.

“Sot jam këtu për të denoncuar kërcënimin madhor që Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveria, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE.

Lajmet që vijnë nga kancelaritë europiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.”, tha Berisha.

Kryedemokrati shtoi se nëpër kancelaritë e vendeve të Europës po diskutohet kjo gjë dhe se nuk përjashtohet opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.

Berisha e lidhi këtë me qëndrimet e kreut të qeverisë mbi çështjen e hetimeve ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe mbetjes pezull të votimit për imunitetin e saj në Kuvend. Po ashtu edhe për shkak të çështjes së hetimeve ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.

“Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë europiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.

Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Lubi Balluku, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë. Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t. Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë.”, shtoi ai.

Berisha: AKSHI, dosja që ka lënë pa mend kancelaritë europiane

Më tej Berisha foli edhe për çështjen e hetimeve për tenderat e AKSHI-t, duke e konsideruar këtë si dosjen që i ka lënë pa mend kancelaritë e Europës.

“AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha. Është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate. Për të mos folur pastaj për qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur.

Edi Rama po loz me fatet e vendit. Me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij. Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar.”, tha Berisha, duke akuzuar më tej kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, që në faqen e Parlamentit censuroi mesazhin që kishte marrë në takimin që kishte në Departamentin e Shtetit Amerikan, mbi luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.

“Dhe ai e censuron, duhet të lexojmë njoftimin e departamentit për të marrë vesh të vërtetën e njoftimeve të SHBA. Këta janë bashkëpunëtorë në krim. Niko Peleshi që bën këtë censurë është bashkëpunëtor në krimet e Edi Ramës.”, shtoi.

Mes të tjerash, në komunikimin e tij me gazetarët, kreu i opozitës tha se kishte një mesazh për familjet që përmbyten. Duke iu referuar parashikimeve të metereologëve për një mot të keq në vazhdim, Berisha paralajmëroi qytetarët që të marrin masa vetë, pasi nga ana e qeverisë nuk është bërë asnjë përgatitje./kb

14:45 447 persona lirohen menjëherë nga burgu, miratohet amnistia penale

By: Kesjana
6 February 2026 at 14:45

Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari./kb

14:30 Shtrëngata dhe erëra të forta, përmbyten rrugët e Durrësit

By: Kesjana
6 February 2026 at 14:30

Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar situatë problematike në disa rrugë të qytetit të Durrësit.

Situata më e rënduar është shfaqur këtë të premte, në rrugët pranë Stadiumit “Niko Dovana”, si dhe në disa segmente të tjera, përfshirë shëtitoren “Taulantia”.

Pas ndërprerjes së reshjeve, uji është tërhequr gradualisht, por sipas autoriteteve, reshjet me intensitet të parashikuar në orët në vijim mund të krijojnë sërish problematika të ngjashme, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Më herët mëngjesin e sotëm, Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se qytetarët mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.

“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.

Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhej në njoftimin e Bashkisë së Durrësit, e cila gjithashtu bëri me dije se ndodhet në gatishmëri të plotë.

Strukturat e ndërmarrjeve, emergjencave dhe policisë bashkiake thuhet se janë në terren dhe të angazhuara maksimalisht për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme./kb

14:15 Manja paralajmëron drejtësinë: Vërini gishtin kokës! Do ndërhyjmë në sistem!

By: Kesjana
6 February 2026 at 14:15

Ulsi Manja ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet rishikuar.

Në një intervistë me Grida Dumën, ai nisi të fliste për pagat e gjyqtarëve.

“Çfarë do të bëhet me dosjet e prapambetura? Ka ardhur momenti të hapet ky diskutim. Po shfaqen simptomat e një apatie në sistemin e drejtësisë; në KLGJ dhe KLP ka mungesë transparence në vendimmarrje dhe ata e konsiderojnë këtë si diçka që ndodh brenda shtëpisë së tyre,” tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit “ka ardhur koha për diskutimin e temës: a e kanë shqiptarët këtë drejtësi cilësore që iu premtua në 2016? U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova,” tha ai, duke i paralajmëruar magjistratër prerë nga studio e TCH:
“Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem.”/kb

14:00 “Partizani”, Malltezi: Gjetëm mbi 35 falsifikime, prokurorët dhe Irena Gjoka kishin komunikime

By: Kesjana
6 February 2026 at 14:00

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka dalë në një komunikatë për mediat këtë të premte, ku po flet lidhur me çështjen e dosjes “Partizani” kundër tij dhe për gjyqtaren Irena Gjoka.

“Ne sot do ju paraqesim vetëm pesë shkelje që tregojnë falsifikime nga ana e prokurorisë dhe e gjykatëses Irena Gjoka dhe me radhë, për t’ju treguar pse prokurorët kanë frikë që kjo çështje të ketë kamera në sallë.

Gjithashtu këtu ne do të tregojmë vetëm pesë, por ka mbi 30-35 falsifikime nga ana e prokurorëve politikë.”, tha Malltëzi.

Gjatë konferencës për mediat, Malltezi lexoi disa mesazhe që sipas tij vërtetonin se kishte patur një komunikim mes prokurorëve dhe gjyqtares Irena Gjoka, para marrjes së vendimeve.

“Dy komunikime me prokuroreve dhe gjyqtaarëve, e para për urdhrin e prokurorit Arben Kraja për Policinë.

Keni të nënvizuar këtu, në datën 20.10.2023 Arben Kraja dhe Mehmet Rrumbullaku kanë komunikuar, të nesërmen Irena Gjoka do nxirrte vendimin siç ia kishte kërkuar prokuroria.”, deklaroi Malltezi.

Ai shtoi se për tri ditë, gjyqtarja Irena Gjoka, ka nxjerrë vendimin sic e kishte kërkuar prokuroria./kb

❌
❌