Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Gazeta Fjala

07:45 Talentet po i merr Europa / 5 mijë e 400 karta blu për shqiptarët në dekadën e fundit, rekord Gjermania

By: Kesjana
6 February 2026 at 07:45

Europa duket se po i vlerëson talentet shqiptare, teksa po jep gjithnjë e më shumë karta blu, që është një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian (BE).

Eurostat raportoi se që nga viti 2014 janë dhënë gjithsej 5405 karta blu për shtetasit shqiptarë. Rritja ka qenë e fortë nga viti 2019, kur nisi dhe një cikël masiv emigracioni, po këtë herë i personave me kualifikim të lartë.

Në vitin 2023 u dhanë 825 karta, ndërsa në 2024-n, ra në 592. Në krahasim me vitet e mëparshme rritja është e fortë. Në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta të tilla, ndërsa në 2021-n, që është rekordi i deritanishëm, shifra arriti në 882.

Rritja e dhënies së kartës blu për shqiptarët ka ardhur për shkak të hyrjes në lojë të Gjermanisë. Në vitin 2021 ky shtet dha 823 karta blu për shtetasit shqiptarë, ose 93% të totalit të shteteve të BE-së. Në 2023-n u dhanë 716 leje, ose 87% e totalit dhe në 2024-n numri i tyre zbriti në 513, ose 87% e totalit. Ata që kanë përfituar këtë kartë në Gjermani paguhen me të paktë 43 mijë euro në vit (rreth 3,600 euro në muaj), që është dhe kriteri minimal për të aplikuar për kartë blu.

Në vend të dytë për kartat blu është Italia, por me nivele shumë më të ulëta në raport me Gjermaninë (23 në 2022, 41 në 2023 dhe 20 në 2024-n). Pas saj renditet Austria (11 në 2022, 30 në 2023 dhe 18 në 2024-n). një shtet tjetër që po tërheq talentet shqiptare është dhe Polonia, që dha 11 karta blu për shtetas shqiptarë në 2023-n dhe 13 në 2024-n.

Gjermania ka qenë vitet e fundit një magnet për profesionistët nga Shqipëria, kryesisht nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë, që u nxitën të punonin në ekonominë më të madhe të Europës, të joshur nga pagat e larta dhe zbutja e kritereve në shtetin që po vuante mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e plakjes së popullsisë.

Ndërsa talentet largohen, Shqipëria po e ndjen gjithnjë e më shumë ikjen e tyre. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, tregon se rreth 23% e të arsimuarve nga vendi ynë tashmë kanë emigruar.

Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 dhe kthime shumë më të ulëta të tyre krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH.

Edhe në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2025, vendi ka rënë me 7 pozicione, në vendin e 63-të, duke treguar përkeqësim në zhvillimin e aftësive, cilësinë e arsimit dhe mbajtjen e profesionistëve.

Kartat blu në BE

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, në vitin 2023 u dhanë rreth 89 mijë Karta Blu në nivel BE-je dhe struktura e shpërndarjes mbeti e përqendruar në disa shtete kryesore.

Gjermania mbeti vendi dominues, duke lëshuar rreth 69 mijë leje, ose rreth 78% të totalit, e ndjekur nga Polonia me rreth 7 mijë dhe Franca me rreth 4 mijë.

Për sa i përket shtetësive përfituese, shtetasit e Indisë vijuan të jenë përfituesit kryesorë të Kartës Blu, të ndjekur nga shtetas nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, duke reflektuar kërkesën e lartë të tregut europian për profesionistë në sektorë teknikë dhe me kualifikim të lartë.

Çfarë është Karta blu

Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi që u jepet shtetasve jo të Bashkimit Europian me kualifikime të larta profesionale, për të punuar në një vend anëtar të BE-së.

Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke u ofruar atyre kushte të favorshme pune, përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë. Karta Blu jepet mbi bazën e një kontrate pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare.

Për të përfituar nga Karta Blu e BE-së, aplikantët duhet të plotësojnë një prag minimal page, i cili ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të caktuar të pagës mesatare bruto në vendin përkatës. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.

Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Inxhinieri; Mjekësi dhe kujdes shëndetësor; Shkencat natyrore dhe matematika;  Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor; Financa dhe kontabiliteti./Marrë nga Monitor.al/kb

07:30 Kursi i këmbimit, e premte 6 shkurt 2026

By: Kesjana
6 February 2026 at 07:30

Këtë të premte, një dollar amerikan do të blihet me 81.2 lekë dhe shitet me 82.4 lekë.

Euro blihet me 96.2 lekë dhe do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane blihet me 104.7 lekë dhe shitet me 105.7 lekë.

Paundi britanik blihet me 110 lekë dhe shitet me 111.2 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje./kb

07:28 6 Shkurt 2026 – Data që rikthen frikën e armëve bërthamore

By: Kesjana
6 February 2026 at 07:28

Last Updated on 06/02/2026 by Kesjana

 Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia nuk arrijnë një marrëveshje të re për armët bërthamore, njerëzimi mund të rikthehet në një periudhë të ngjashme me epokën e Luftës së Ftohtë, ku kërcënimi bërthamor mbante botën në tension. Kjo është ideja kyçe që artikulli i sotëm nis të trajtojë, duke analizuar rolin e marrëveshjeve ndërkombëtare për armët bërthamore. 

Në dekadat e fundit, marrëveshjet e kontrollit të armëve bërthamore ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit luajtën një rol kyç për të kufizuar arsenalet e tyre dhe për të ulur rrezikun e ndërhyrjeve bërthamore aksidentale apo të qëllimshme. 

Në vitet e fundit, New START — marrëveshja më e fundit dhe më e rëndësishme e tillë — ka qenë një shtyllë e këtij sistemi kontrolli. Nën këtë traktat, dy fuqitë më të mëdha bërthamore i kufizonin arsenalet e tyre strategjike në një nivel të caktuar dhe pranonin inspektime reciproke për të garantuar zbatimin e rregullave. 

Por New START skadoi më 5 shkurt 2026, pa një marrëveshje të re që e zëvendëson ose zgjat atë. Kjo skadencë ishte një moment kyç sepse, për herë të parë në dekada, nuk ka më një kufizim ligjor të detyrueshëm ndërmjet SHBA dhe Rusisë për numrin e armëve strategjike bërthamore që secila palë mund të mbajë. 

Historikisht, bota ka kaluar nga periudha të rrezikshme pa kontrolle bërthamore — si gjatë viteve të Luftës së Ftohtë — në epoka më të qëndrueshme kur marrëveshjet SALT, START dhe pastaj New START ndaluan përshkallëzime të pakontrolluara. 

Sipas analizës, edhe pse kufizimet e New START-it ishin më të ulëta sot se në periudhat e mëparshme (p.sh. limit për 1,550 kokë bërthamore të vendosura për secilën palë), ato ishin thelbësore për stabilitetin strategjik dhe për zvogëlimin e rrezikut të gabimeve të madhdimensionuara. 

Ekspertë të politikave ndërkombëtare, përfshirë analistë amerikanë, paralajmërojnë se mosarritja e një traktati të ri apo të paktën një marrëveshjeje për të ruajtur kufizimet ekzistuese mund të çojë në një kapërcim drejt një gare të re bërthamore — me pasojat e rrezikshme që dihen nga historia. /kb

07:19 Reshje shiu në formë shtrëngate, moti për ditën e sotme

By: Kesjana
6 February 2026 at 07:19

Last Updated on 06/02/2026 by Kesjana

Ditën e sotme vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas SHMU, moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura.

Reshjet e shiut priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore me intensitet të ulët.

Gradualisht pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut shtrihen në të gjithë vendin me intensitet të ulët deri mesatar. Hera-herës shtrëngata afatshkurtra.

Në zonën e veriperëndimit, qendërs nga orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmje reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar deri të lartë, në intervale të shkurtra kohore reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare deri në 9m/s, e cila hera-herës pritet të fitoi shpejtësi deri në 18m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave.

Valëzimi në det do të jetë i forcës 2-4 ballë./Kb

07:02 Horoskopi, 6 Shkurt 2026

By: Kesjana
6 February 2026 at 07:02

Last Updated on 06/02/2026 by Kesjana

Dashi

Sot ndjeni një energji të re që ju shtyn të përballeni me vendosmëri me çështje që kanë mbetur pezull. Marrëdhëniet personale përmirësohen falë hapjes suaj, por përpiquni të dëgjoni edhe të tjerët: nxitimi mund të sjellë keqkuptime. Në punë, përqendrohuni te detyrat më të vështira, sepse përpjekja e sotme do të japë rezultate konkrete në vazhdim.

Demi

Mund të ndiheni pak më të tërhequr në vetvete se zakonisht, por kjo është dita e duhur për të organizuar dhe planifikuar. Kujdes me çështjet financiare: detajet e vogla bëjnë diferencën. Në dashuri, stabiliteti shpërblehet, ndërsa beqarët mund të kenë takime interesante në situata të papritura.

Binjakët

Të dashur Binjakë, marrëdhëniet janë në qendër të vëmendjes sot: miqësia, dashuria dhe puna kërkojnë fleksibilitet. Kurioziteti dhe sharmi ju ndihmojnë të krijoni kontakte stimuluese. Në punë mund të lindin ide të reja; merrni kohën e duhur për t’i zhvilluar pa u nxituar. Fati ju buzëqesh sidomos përmes bisedave dhe takimeve rastësore.

Gaforrja

Të dashur Gaforre, dita sjell emocione të forta: dikush afër jush mund t’ju surprizojë me një gjest të papritur. Në punë, mos u nxitoni të mbyllni çështje të rëndësishme; analizoni çdo detaj me kujdes. Në dashuri, ndjeshmëria është pika juaj e fortë: shprehni hapur ndjenjat. Fati shoqëron vendimet e menduara mirë dhe momentet e reflektimit.

Luani

Të dashur Luanë, sot sharmi juaj është i lartë dhe ju bën protagonistë në marrëdhëniet personale. Kujdes nga impulsiviteti: dëgjimi i të tjerëve do t’ju ndihmojë të shmangni përplasjet. Në punë, kreativiteti ka hapësirë, por duhet kombinuar me strategji. Edhe gjestet e vogla sot mund të forcojnë lidhje dhe bashkëpunime.

Virgjëresha

Të dashur Virgjëresha, dita është ideale për të sistemuar dhe për të rregulluar çështje të mbetura pezull. Saktësia dhe përkushtimi ju shpërblejnë si në punë, ashtu edhe në marrëdhënie. Shmangni kritikën e tepërt ndaj të tjerëve: pak fleksibilitet do ta bëjë ditën më të lehtë. Fati është i qetë, por i pranishëm, sidomos në punët praktike.

Peshorja

Të dashur Peshore, aftësia juaj për të ndërmjetësuar është shumë e dobishme sot: dikush mund të ketë nevojë për ekuilibrin tuaj. Marrëdhëniet sentimentale ose profesionale kërkojnë delikatesë, por sharmi ju ndihmon të zgjidhni tensionet. Fati ju shoqëron në takime dhe situata shoqërore: hapuni ndaj mundësive të reja.

Akrepi

Të dashur Akrepë, dita është intensive dhe plot pasion. Emocionet janë të forta dhe vendosmëria ju shtyn drejt hapave të rëndësishëm. Kujdes të mos tregoheni tepër të ashpër në marrëdhënie; përdorni intuitën për të kuptuar të tjerët. Në punë, energjia dhe përqendrimi ju ndihmojnë të përballoni sfida të ndërlikuara. Fati shpërblen guximin e shoqëruar me maturi.

Shigjetari

Të dashur Shigjetarë, sot ndiheni të lirë dhe kuriozë: ide dhe impulse të reja ju nxisin të eksploroni. Marrëdhëniet kërkojnë ekuilibër mes nevojës për pavarësi dhe vëmendjes ndaj partnerit. Në punë, kreativiteti është i lartë; mos kini frikë të propozoni zgjidhje ndryshe. Fati favorizon iniciativat personale dhe daljen nga rutina.

Bricjapi

Të dashur Bricjapë, dita ju fton drejt konkretësisë dhe përgjegjësisë. Në punë, aftësitë organizative dalin në pah dhe është moment i mirë për të planifikuar projekte afatgjata. Në dashuri, maturia shpërblehet, por mos harroni gjestet e vogla ndaj atyre që doni. Fati është i përmbajtur, por forcohet me këmbëngulje dhe punë të vazhdueshme.

Ujori

Të dashur Ujorë, mendja juaj është aktive dhe plot ide. Marrëdhëniet shoqërore sjellin stimuj dhe kontakte të vlefshme. Në punë, iniciativat novatore mund të kenë sukses nëse menaxhohen me qartësi. Në dashuri, dita është pozitive për surpriza dhe emocione të bukura. Fati është në anën tuaj, veçanërisht nëse veproni me guxim dhe hapje.

Peshqit

Të dashur Peshq, dita është e ndjeshme dhe reflektuese. Dëgjoni emocionet dhe ndiqni intuitën, sepse do t’ju udhëheqë drejt zgjedhjeve të duhura. Në punë, kushtojini vëmendje detajeve dhe komunikimit. Në dashuri, momentet e ëmbla dhe mirëkuptimi forcojnë lidhjet. Fati shoqëron ata që dinë të balancojnë zemrën me arsyen dhe t’u kushtojnë kohë projekteve krijuese./kb

07:00 Histori/ 6 shkurt 1958 – Tragjedia e Mynihut, katastrofa ajrore që i mori jetën shtatë futbollistëve të Manchester United

By: Leonard
6 February 2026 at 07:00

Më 6 shkurt 1958, bota e futbollit u trondit nga një prej fatkeqësive më të mëdha në historinë e saj. Shtatë futbollistë të ekipit të njohur anglez Manchester United humbën jetën në një aksident të rëndë ajror në Mynih të Gjermanisë, duke lënë pas një plagë të thellë në sportin britanik dhe më gjerë.

Avioni i kompanisë “British Airways”, që transportonte skuadrën dhe shoqëruesit e saj, u përfshi nga flakët menjëherë pas përpjekjes për t’u ngritur nga aeroporti Riem i Mynihut. Në bord ndodheshin 38 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Mosha mesatare e futbollistëve që humbën jetën ishte vetëm 24 vjeç – një brez i ri talentesh që premtonte të ardhme të ndritur për klubin anglez.

Mes viktimave ishin kapiteni Roger Byrne, si dhe Mark Jones, Eddie Colman, Tommy Taylor, Liam Whelan, David Pegg dhe Geoff Bent. Në këtë tragjedi humbën jetën edhe tetë gazetarë sportivë britanikë dhe disa zyrtarë të klubit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 21 persona. Mbretëresha Elizabeth II reagoi menjëherë, duke u shprehur se ishte “thellësisht e tronditur” nga ngjarja.

Skuadra e Manchester United po kthehej në Angli pas një ndeshjeje të Kupës së Evropës kundër Crvena Zvezdës në Beograd dhe ishte ndalur në Mynih për furnizim me karburant. Pas dy përpjekjeve të dështuara për ngritje, në tentativën e tretë avioni doli nga pista, u përplas me një shtëpi, më pas me një ndërtesë tjetër dhe shpërtheu në flakë.

Menaxheri i ekipit, Matt Busby, pësoi plagë të rënda dhe u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa sulmuesi i ri Bobby Charlton shpëtoi me dëmtime të lehta në kokë. Sipas drejtuesve të kompanisë ajrore, aeroporti i Mynihut ishte përfshirë atë ditë nga një stuhi e fortë dëbore, gjë që kishte shkaktuar vonesa dhe shqetësime teknike, përfshirë dyshime mbi funksionimin e njërit prej motorëve.

Ky ishte aksidenti i parë fatal për atë model avioni, i cili që nga hyrja në shërbim në vitin 1952 kishte transportuar mbi 2.3 milionë pasagjerë në rreth 86 mijë fluturime. Tragjedia e Mynihut mbeti një moment i errët në historinë e futbollit, por edhe një kujtesë e dhimbshme e brishtësisë së jetës përtej lavdisë së fushës së blertë.

Përgatiti: L.Veizi

22:59 Serbia arreston një veteran të UÇK-së

By: Monika
5 February 2026 at 22:59

Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.

Por, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./mxh

22:45 Vjedhja spektakolare në Luvër, kurora e mbretëreshës gjendet vetëm “pak e shtypur”

By: Monika
5 February 2026 at 22:45

urora e Mbretëreshës Eugenie, bashkëshortes së Napolonit III, një prej thesarëve më të çmuar të Luvrit, u gjet e shtypur pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më 19 tetor të vitit të kaluar.

Megjithëse grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (£76 milion, $104 milion), kurora e dekoruar me diamante mbeti pas, e dëmtuar, por sipas muzeut është gati e paprekur dhe mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.

Fotografitë e para të publikuara nga muzeu tregojnë se kurora ishte lënë “shumë e deformuar”, pasi grabitësit përpiqeshin ta nxirrnin nga një vrimë e ngushtë në vitrinën e saj prej qelqi. Kurora ka humbur një nga tetë shqiponjat prej ari që e zbukuronte, por ruan 56 smeralde dhe pothuajse të gjitha diamantet e saj (vetëm 10 nga 1,354 diamantet mungojnë). Sipas muzeut, rikthimi do të bëhet pa nevojën për rindërtim, duke ruajtur kështu pamjen dhe strukturën origjinale të shekullit XIX.

Rikthimin e kurorës do ta mbikëqyrë një komitet ekspertësh i udhëhequr nga presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, që do të sigurojë se çdo detaj historik do të rikthehet me kujdes maksimal. Grabitja e tetorit të kaluar ishte mjeshtërisht e planifikuar. Grabitësit përdorën një ngritës mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Sena.

Ngjarja tronditi jo vetëm muzeun, por edhe publikun ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Luvrit dhe rrezikun që i kanoset objekteve të rralla historike. Kurora e Mbretëreshës Eugenie mbetet një simbol i madhështisë dhe elegancës franceze të shekullit XIX, dhe rikthimi i saj i plotë do të jetë një fitore e madhe për trashëgiminë kulturore dhe për muzeun më të vizituar në botë./mxh

22:37 Shpërthim në një minierë qymyri në Indi, të paktën 16 viktima, disa të tjerë të zhdukur

By: Monika
5 February 2026 at 22:37

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të ndodhur në një minierë Meghalaya-s në Indi. Raportohet se shumë persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa dyshohet se miniera ishte e paligjshme.

Shpërthimi ndodhi rreth orët e para të mëngjesit, ndërsa tunelet e ngushta vështirësonin punën e autoriteteve për t’ia ardhur në ndihmë të lënduarve.

Miniera të tilla dikur ishin shumë të zakonshme në shtetet verilindore të Indisë, por u ndaluan në vitin 2014 për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe shkatërrimit mjedisor që ato shkaktojnë./mxh

22:25 Sllovenia shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

By: Monika
5 February 2026 at 22:25

Sllovenia po përgatit një projektligj që do të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha zëvendëskryeministri slloven Matej Arkon në një konferencë për shtyp të martën. Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga adoleshentët , në një shenjë të një forcimi të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar të krijojë varësi.

Arkon tha se Ministria e Arsimit ka marrë iniciativën, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera, dhe se ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e projektligjit që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Ka qenë një çështje shumë ‘e nxehtë’ në të gjithë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Arkon pas një mbledhjeje të kabinetit.

Ai vuri në dukje se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet e mediave sociale ku ndahet përmbajtja, duke përmendur ndër të tjera TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Spanja dëshiron të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Francën, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra në mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në platforma të tilla për fëmijët nën moshën 16 vjeç./mxh

22:17 Administrata Trump lançon sot faqen e internetit ‘TrumpRx’ për ilaçe me zbritje

By: Monika
5 February 2026 at 22:17

Administrata Trump do të lançojë sot ‘TrumpRx’, një faqe interneti që do t’i ndihmojë pacientët të blejnë ilaçe me recetë direkt nga prodhuesit me një çmim të zbritur, në një kohë kur kujdesi shëndetësor dhe kostoja e jetesës janë shqetësime në rritje për amerikanët.

Faqja e internetit e organizuar nga qeveria nuk pritet të jetë një platformë për blerjen e ilaçeve, por përkundrazi do të krijohet si një lehtësues.

Zbulimi i faqes, i planifikuar për të enjten në mbrëmje, u njoftua nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, e cila në një postim në ‘X’ e quajti “një faqe interneti të teknologjisë së fundit për konsumatorët amerikanë për të blerë ilaçe me recetë me kosto të ulët”.

Sekretarja tha se Presidenti Donald Trump do ta bëjë njoftimin së bashku me Administratorin e Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, dhe Joe Gebbia, drejtor i Studios Kombëtare të Dizajnit të Trump.

Presidenti e paralajmëroi për herë të parë TrumpRx në shtator ndërsa njoftonte të parën nga më shumë se 15 marrëveshjet e tij me kompanitë farmaceutike për të ulur çmimet e ilaçeve në përputhje me çmimin më të ulët të ofruar në vendet e tjera të zhvilluara./mxh

22:09 Tentoi të v*asë me armë mësuesin në Uells, arrestohet 15-vjeçari

By: Monika
5 February 2026 at 22:09

Një djalë 15-vjeçar u arrestua sot në 5 shkurt nga policia nën dyshim për tentativë vrasjeje pas një incidenti në Milford Haven Comprehensive School në Pembrokeshire, Uells. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:20, kur nxënësi tentoi të sulmonte një mësues me armë.

Policia e Dyfed-Powys tha se menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nën bllokadë, për të siguruar nxënësit dhe stafin. Mësuesi i sulmuar po merr trajtim mjekësor për lëndimet e marra. Asnjë nxënës nuk u dëmtua dhe shumica tashmë kanë shkuar në shtëpi. Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës në Uells tha se u thirrën në vendngjarje dhe një pacient u transportua në spital. Policia vijoi të qëndrojë në shkollë për hetime.

Këshilli i Pembrokeshire konfirmoi se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe se çdo aktivitet pas shkollor për këtë mbrëmje është anuluar. Incidenti është nën hetim dhe se oficerët po punojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Autoritetet po bëjnë thirrje që prindërit dhe komuniteti të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë policinë të kryejë hetimin.

Djali 15-vjeçar u la në paraburgim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin dhe mënyrën sesi ndodhi incidenti. Policia dhe autoritetet shkollore po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar që të gjithë nxënësit dhe stafi të ndihen të mbrojtur dhe për të parandaluar çdo incident të ngjashëm në të ardhmen./mxh

Yesterday — 5 February 2026Gazeta Fjala

21:58 Pas skandalit dhe faljes publike, a po i vjen fundi kryeministrit britanik?!

By: Monika
5 February 2026 at 21:58

Ky është një moment jashtëzakonisht serioz për kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer. Sipas analizës së BBC-së, çdo veprim dhe deklaratë e tij gjatë ditës tregon se ai dhe ekipi i tij e kuptojnë thellësisht gravitetin e situatës.

BBC vë në dukje se kryeministri britanik ka zgjedhur të mos mbajë fjalimin që kishte planifikuar mëngjesin e sotëm, 5 shkurt, për fonde dhe iniciativa qeveritare, duke kërkuar falje publike ndaj viktimave të Jeffrey Epstein dhe duke pranuar se kishte “besuar gënjeshtrat e Peter Mandelson” dhe e kishte emëruar atë në postin më të lartë diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar.

Më domethënëse ishte momenti kur, i pyetur nga gazetarët, Starmer pranoi se e kupton “zemërimin dhe frustrimin e deputetëve laburistë”.

Janë pikërisht ata deputetë që do të vendosin fatin e kryeministrit, dhe tani ata janë më të zemëruar se kurrë përgjatë udhëheqjes së Starmer.

Deputetja laburiste Rachael Maskell, e cila ka qenë shpesh kritike e tij për politikat sociale, tha se e sheh pozicionin e kryeministrit si “të papërballueshëm” dhe se është “e pashmangshme” që ai të japë dorëheqjen.

“Nuk mendoj se ka ndonjë zgjedhje. Ai e mbajti për disa muaj sekret për Parlamentin faktin që dinte për lidhjet mes Peter Mandelson dhe Jeffrey Epstein në momentin e emërimit. Kjo ishte një gjë e pandershme, si për deputetët, ashtu edhe për viktimat e Epstein”, tha ajo për BBC Radio York.

Një deputet tjetër laburist, i cili nuk dëshironte të identifikohej, tha për BBC Radio 5 Live:

Nuk e di si mund të vazhdojë…

Ministrat aktualë pranojnë se situata është jashtë kontrollit të qeverisë dhe mund të shkojë në çdo drejtim.

Megjithatë, pavarësisht zemërimit të fshehtë, shumë pak deputetë po kërkojnë publikisht dorëheqjen e kryeministrit. Ata që e bëjnë këtë zakonisht nuk kanë qenë mbështetës të fortë të udhëheqjes së tij.

Shumë pak janë edhe ata që kërkojnë publikisht shkarkimin e shefit të kabinetit, Morgan McSweeney, të cilin Starmer ka rezistuar ta largojë, edhe pse ai kishte insistuar për emërimin e Mandelson.

Kjo tregon se, megjithë dobësimin e pozicionit të Starmer aktualisht, nuk ka ende një sfidë të hapur ndaj tij.

Një deputet theksoi se diçka e tillë mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve në maj në Skoci, Wales dhe disa autoritete lokale në Angli.

Një ish-ministër shtoi:

Mendoj se ka shumë pak gjasa që që dikush të veprojë para majit, por gjithçka po lëviz shumë shpejt. Nuk e di se si kryeministri mund të rikuperojë gabimin e jashtëzakonshëm me emërimin e Mandelson.

“Ai ka mbaruar. Është thjesht çështje kohe”, tha një ministër tjetër./mxh

21:51 Analisti: Rama dhe Berisha, të dy janë konsumuar si figura politike

By: Monika
5 February 2026 at 21:51

Last Updated on 05/02/2026 by Monika

Analisti Fatos Lubonja ndau sot një qasje kritike lidhur me drejtuesit e mazhorancës dhe opozitës.

Në një dalje televizive, Lubonja tha se Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy figura politike që tanimë janë konsumuar.

Sipas analistit, teza kryesore për situatën aktuale në vend nuk është nëse duan Ramën apo Berishën, por nëse duan rotacionin dhe demokracinë.

“Teza ime kryesore është që këtu nuk është problemi doni Ramën apo Berishën, por problemi qëndron nëse doni autokracin apo demokraci. Do rotacion sidoqoftë me këdo qoftë apo autokraci. Pra duhet futur në lojë të gjithë aktorët e tjerë kur flasim për opozitë. Unë kam thënë që një ndryshim nuk bëhet më Berishën, por nuk bëhet edhe pa Berishën dhe duhet gjetur një zgjidhje. Të dy janë konsumuar si figura politike. Rama është rrezik për demokracinë, Berisha i kemi dhënë shanse dy herë”,-tha Lubonja./mxh

21:49 Dosja “Epstein”/ Artan Hoxha: Problem që Shqipëria ndjell kërshëri për këto personazhe

By: Monika
5 February 2026 at 21:49

Last Updated on 05/02/2026 by Monika

Gazetari Artan Hoxha tha sot se është problematike dhe shqetësuese që Shqipëria është një vend tërheqës për personazhe të përshirë në afera e skandale me përmasa të mëdha, si të dosjes “Epstein”.

Hoxha u shpreh se gjithçka lidhet me rolin si pastrues parash, shkarkues lobimi dhe interesash.

Siaps gazetarit është e pamundur që kjo gjë të shmanget, pasi personazhe të tillë qarkullojnë kudo.

“Unë mendoj se më shumë sesa këta ‘broker-at’ ndërkombëtarë, janë të gatshëm për të të ofruar mundësinë që t’i përdorësh si shkarkues lobimi dhe interesash. Edhe këta janë në rolin e pastrueses. Po të shikosh, vendet që lëvizin me këta personazhe shumë të rëndësishëm për politikën globale në momente të caktuara, janë ose diktatoriale, ose gjysmëautokratike, Kazakistan, Azerbajxhan , etj. Ata gjejnë vende të botës së tretë, ku sigurisht, atje mund të lëvrohen këto shuma të mëdha pa kokëçarje për ta. Prandaj them që ne nuk na interesojnë shumë se çfarë bëjnë këto lloj personazhesh, se janë në qarkull edhe nëse nuk duam ne. Problemi dhe fatkeqësia jonë është që, si është e mundur, që një vend si ne me resurse shumë të cunguara, të bëhet kaq kërshërindjellës për këto lloj personazhesh”,-tha Hoxha./mxh

21:47 Izrael, kabineti i Sigurisë në takim urgjent përpara bisedimeve SHBA-Iran

By: Monika
5 February 2026 at 21:47

Kabineti izraelit i sigurisë është mbledhur në një seancë urgjente përpara bisedimeve të planifikuara midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konfirmoi sot një zyrtar izraelit.

Faqja e internetit e lajmeve ynet raportoi se takimi, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej të dielën, është shtyrë.

Sipas burimeve iraniane, bisedimet me SHBA-në do të zhvillohen nesër në kryeqytetin e Omanit, Muscat.

Teherani tha se po planifikon të kufizojë bisedimet për programin e tij bërthamor, ndërsa Uashingtoni dëshiron të vendosë në axhendë programin e raketave të Iranit, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura anti-izraelite si Hamasi, Hezbollahu dhe Huthët.

Sipas qeverise izraelite bisedimet SHBA-Iran mund të dështojnë.

“Ynet” raportoi shqetësimet izraelite se presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të bëjë lëshime për të arritur një marrëveshje të kufizuar mbi kufizimin e programit bërthamor të Iranit./mxh

21:35 Dafina ndan si rrallëherë foto me djalin dhe i dedikon fjalët e ëmbla

By: Monika
5 February 2026 at 21:35

Dafina Zeqiri ka qenë shumë private për jetën e saj me bashkëshortin, Kreshnik Gjergji, dhe të voglin e tyre, Daskan, ama ndonjëherë ndan dhe detaje të bukura për këtë fazë të re të jetës si grua dhe nënë.

Së fundmi, këngëtarja ka ndarë disa foto të Daskanit, për të cilën është treguar gjithmonë shumë e kujdesshme që t’i ruajë privatësinë duke mos i zbuluar portretin.

Në mbishkrimin e postimit, Dafina i dedikon të birit dhe dy fjalë të ëmbla dashurie:

“Ti ndryshove jetën time përgjithmonë. Ti e kthen çdo gjë gri me ngjyra, çdo stuhi në diell. Dashuria ime më e madhe.”

Në janar të vitit 2025 Dafina zbuloi se ishte në pritje të ëmbël me parterin e saj prej disa vitesh, biznesmenin Kreshnik Gjergji.

Në korrik të po atij viti, këngëtarja dha lajmin e ëmbël se ishte bërë nënë e një djali, të cilit i kanë vendosur emrin Daskan./mxh

21:27 Mozzik pa filtra: ‘Vajzën po ta rrit Karimi’ në këngën ku reperi i bën diss vetes

By: Monika
5 February 2026 at 21:27

Në këngën “Diss”, që ka marrë menjëherë vëmendje të madhe, Mozzik shkon edhe më tej duke rikthyer në vëmendje vargje shumë të ashpra që, sipas tij, i janë drejtuar ndër vite në rrjete sociale dhe media. Reperi citon komente fyese që prekin jetën e tij personale, përfshirë edhe vajzën e tij Hana, duke përmendur fraza si “vajzën po ta rrit Karimi”, vargje që kanë ndezur debat të fortë në publik.

Përmes këtyre teksteve, Mozzik nuk synon të sulmojë drejtpërdrejt persona të caktuar, por të tregojë presionin psikologjik dhe gjuhën e rëndë me të cilën është përballur vazhdimisht. Kënga shërben si një pasqyrë e komenteve më të errëta që, sipas reperit, i janë drejtuar për marrëdhënien me ish-partneren Loredana, jetën familjare dhe figurat publike të lidhura me të.

Ky stil i drejtpërdrejtë dhe pa filtra e ka bërë “Diss” një nga këngët më të komentuara të EP-së së re, duke ndarë opinionin mes atyre që e shohin si një akt të guximshëm artistik dhe atyre që e konsiderojnë tejet provokues./mxh

21:18 “Zilja që do ta mbaj gjithmonë në zemër”/ Beatrix Ramosaj ndan momentim prekës me nënën e saj

By: Monika
5 February 2026 at 21:18

Këngëtarja Beatrix Ramosaj ka ndarë me ndjekësit një video thellësisht emocionuese, përmes së cilës ka bërë të ditur se nëna e saj ka përfunduar sot seancën e fundit të kimioterapisë. Ky moment shënon një hap shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt shërimit, pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë për gjithë familjen.

Në pamjet e publikuara, nëna e Beatrix surprizohet nga stafi mjekësor me një zile simbolike, duartrokitje dhe përqafime plot dashuri, një gjest që ka sjellë emocione të forta dhe lot gëzimi për të gjithë të pranishmit. Këngëtarja e ka përshkruar këtë çast si një kujtim që do ta mbajë përgjithmonë në zemër, duke theksuar forcën dhe qëndresën e jashtëzakonshme të nënës së saj gjatë këtij procesi të vështirë.

Beatrix ka theksuar se, ndonëse rrugëtimi i shërimit nuk ka përfunduar ende dhe ka hapa të tjerë përpara, ky ishte një moment i shenjtë dhe i merituar për t’u festuar. Ajo është shprehur thellësisht krenare për guximin, forcën dhe zemrën me të cilën nëna e saj ka përballuar çdo sfidë.

Në mesazhin e saj, këngëtarja ka shprehur mirënjohje të veçantë për infermierët, mjekët dhe të gjithë ata që kanë qenë pranë familjes me lutje, mesazhe dhe mbështetje morale gjatë momenteve më të vështira. Ajo e ka përshkruar këtë ditë si një ditë drite dhe shprese.

Në fund, Beatrix e ka lidhur këtë moment me besimin e saj, duke theksuar se e gjithë kjo rrugë ka qenë e mundur falë dorës së Zotit, të cilit ajo ia beson vazhdimin e këtij udhëtimi drejt shërimit të plotë./mxh

21:07 Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës, një arritje historike për mjekësinë moderne

By: Monika
5 February 2026 at 21:07

Mjekësia spanjolle ka shënuar një moment historik me realizimin e transplantit të parë të fytyrës në vend, një ndërhyrje tepër komplekse që hap një kapitull të ri në kirurgjinë rindërtuese. Operacioni u krye falë indeve të dhuruara nga një grua që kishte zgjedhur eutanazinë, praktikë e legalizuar në Spanjë që prej vitit 2021.

Ndërhyrja u zhvillua në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe u konsiderua një hap i rëndësishëm për avancimin e transplantologjisë. Indet e dhuruara iu transplantuan një pacienteje që vuante nga dëmtime të rënda në fytyrë, të shkaktuara nga një infeksion serioz, i cili kishte komprometuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe komunikimi verbal.

Operacioni u realizua nga një ekip multidisiplinar prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe bëri të mundur rindërtimin e pjesshëm të fytyrës, duke hapur rrugën për rikuperimin gradual të funksioneve bazë të pacientes.

Donatorja kishte shprehur paraprakisht vullnetin për dhurimin e organeve dhe indeve pas procedurës së eutanazisë, çka i lejoi ekipet mjekësore të planifikonin me saktësi çdo fazë të ndërhyrjes, përfshirë përputhjen biologjike dhe përgatitjen e indeve.

Operacioni u drejtua nga Dr. Joan Pere Barret, drejtues i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron, i cili theksoi se transplantet e fytyrës përfshijnë transferimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe një trajtim të vazhdueshëm me medikamente imunosupresive për të shmangur refuzimin nga organizmi./mxh

❌
❌