Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile po punojnë me ritëm të shpejtë për të evakuuar banorët dhe gjënë e gjallë në fshatin Ferras në Fier, të cilët rrezikohen nga përmbytja, pasi niveli i ujit ka arritur lartësinë maksimale të argjinaturës dhe rrezikon ta tejkalojë atë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, paralajmëroi se vendi i tij do të qëndrojë i palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial të aleatëve evropianë, përfshirë Danimarkën dhe Grenlandën, si pjesë e angazhimit të Madridit për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë kolektive të NATO‑s.
Sánchez gjithashtu dënoi ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, duke nënvizuar se Spanja e sheh të ardhmen e këtij vendi të vendoset nga vetë venezuelanët dhe jo nga ndikime të jashtme. Ai premtoi mbështetje aktive për transicionin demokratik në Venezuelë, duke theksuar se populli duhet të ketë të drejtën për të zgjedhur vetë udhëheqësit e tij.
Në lidhje me konfliktin israelo‑palestinez, kryeministri spanjoll tha se do t’i propozojë Parlamentit spanjoll dërgimin e trupave të paqes në Palestinë sapo të krijohen kushtet e nevojshme për avancimin e një misioni paqeje. Spanja ka shprehur edhe më parë angazhimin e saj për një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës, si dhe rëndësinë e krijimit të paqes në këtë rajon të trazuar.
Duke folur për Ukrainën, Sánchez ritheksoi gatishmërinë e vendit të tij për të dërguar trupa paqeruajtëse nëse arrihet një armëpushim dhe theksoi se Spanja do të marrë pjesë aktivisht në forcimin e sigurisë evropiane pas përfundimit të konfliktit. Ai vuri në dukje se Bashkimi Evropian dhe Spanja duhet të jenë pjesë e arkitekturës së re të sigurisë për të ruajtur paqen në kontinent./mxh
8 Janari do të mbetet një nga ditët më të errëta jo vetëm për historinë e Partisë Demokratike, por për demokracinë shqiptare në tërësi. Ajo që ndodhi atë ditë nuk përbën thjesht një konflikt të brendshëm partiak, por një precedent të rrezikshëm që sfidon parimet bazë të funksionimit demokratik të subjekteve politike.
Ngjarja e 8 janarit është unike dhe pothuajse e paprecedentë në praktikën politike ndërkombëtare. Nuk ekziston asnjë rast i njohur, qoftë në demokraci të konsoliduara, demokraci hibride apo edhe në regjime autoritare, ku një subjekt politik të përjetojë një “grusht shteti” të brendshëm – ose më saktë një grusht partiak – me përdorimin e dhunës fizike për të marrë kontrollin e institucionit dhe simbolikës së tij.
Kjo ngjarje nuk mund të kategorizohet as si revolucion. Revolucioni, sipas çdo manuali politik dhe historik, është reagimi masiv i shumicës së qytetarëve ndaj një pakënaqësie të thellë, i drejtuar kundër institucioneve shtetërore që nuk përfaqësojnë më vullnetin popullor. Në rastin e 8 janarit, nuk kishim as një shumicë qytetare, as institucione shtetërore, por një përplasje të dhunshme brenda të njëjtit subjekt politik.
Narrativa kryesore justifikuese e asaj dite ishte koncepti i “shumicës”: pretendimi se shumica legjitimon çdo veprim dhe se, për rrjedhojë, “atyre u takon gjithçka”. Ky interpretim mekanik dhe i rrezikshëm i demokracisë e redukton atë thjesht në aritmetikë, duke anashkaluar rregullat, procedurat, institucionet dhe respektin për pakicën.
Ngjarjet e brendshme të Partisë Demokratike përbëjnë disa nga precedentët më negativë për demokratizimin e partive politike në Shqipëri. Ato krijojnë një model që mund të përdoret sërish në të ardhmen, jo vetëm brenda PD-së, por potencialisht edhe në subjekte të tjera politike, si mjet për të imponuar pushtetin përmes forcës dhe jo përmes rregullave.
Një tjetër element shqetësues ishte përdorimi i një referendumi të brendshëm për të marrë legjitimitetin dhe lidershipin, në një formë që nuk ka analogji në praktikat demokratike perëndimore. Referendumi, i shkëputur nga institucionet statutore dhe proceset e rregullta, u shndërrua në një instrument presioni politik dhe jo në një mekanizëm demokratik vendimmarrjeje. Ky precedent jo vetëm që ishte i padëgjuar më parë, por mbart rrezikun real që nesër të përdoret kundër vetë atyre që e iniciuan.
Nëse do t’i qëndrojmë deri në fund argumentit të “shumicës që ka të drejtë për gjithçka”, atëherë lind një kontradiktë thelbësore: Partia Demokratike, në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë morale apo politike për të kundërshtuar Partinë Socialiste, e cila gëzon një super-shumicë në mandate dhe numra. Në këtë logjikë, shumica qeverisëse do të ishte e justifikuar të marrë gjithçka, ndërsa pakica asgjë.
Por demokracia nuk funksionon kështu. Demokracia nuk është sundimi i shumicës mbi pakicën, por bashkëjetesa e tyre brenda rregullave, ku shumica qeveris dhe pakica kontrollon, kritikon dhe përfaqësohet. Çdo devijim nga ky parim e shndërron demokracinë në autoritarizëm, pavarësisht nëse ai ndodh në shtet apo brenda një partie politike.
8 Janari nuk ishte thjesht një episod i dhunshëm. Ishte një paralajmërim serioz se pa rregulla, pa institucione dhe pa respekt për pakicën, edhe subjektet që pretendojnë të mbrojnë demokracinë, mund të bëhen rreziku i saj më i madh.
Një memorial i përkohshëm u vendos të enjten pranë vendit ku një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) qëlloi për vdekje një grua 37-vjeçare në makinën e saj në Minneapolis. Në memorial u vendosën lule dhe qirinj, pranë rrugës që kishte barrikada të përkohshme.
Këshilli i qytetit të Minnesota identifikoi viktimën si Renee Nicole Good, duke deklaruar se ajo “po kujdesej për fqinjët e saj atë mëngjes dhe jeta e saj iu mor për shkak të veprimeve të qeverisë federale”. Këshilli gjithashtu kërkoi largimin e menjëhershëm të ICE nga qyteti.
Ndërkohë, Kristi Noem, sekretare e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, deklaroi se agjentët e ICE po përgjigjeshin ndaj një automjeti të bllokuar nga dëbora kur u sulmuan nga një “turmë agitatorësh”.
Ngjarja ka shkaktuar tension të madh në qytet, duke ngjallur debate për rolin e agjentëve federalë në komunitetet lokale dhe për mënyrën e përdorimit të forcës nga autoritetet./mxh
Një deklaratë dramatike vjen nga ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, i cili thotë se 100 persona kanë humbur jetën gjatë sulmit amerikan që çoi në largimin nga pushteti të presidentit Nicolás Maduro dhe arrestimin e tij të shtunën e kaluar në Karakas. Kjo është hera e parë që qeveria venezueliane jep një shifër të përgjithshme për viktimat e operacionit ushtarak.
Sipas zyrtarëve, shumica e viktimave përbëheshin nga anëtarë të kontigjentit të sigurisë së Maduros, të cilët, sipas qeverisë së Karakasit, u vranë “me gjakftohtësi”. Që nga sulmi, gjithashtu ka konfirmime se 32 anëtarë të ushtrisë dhe shërbimeve kubaneze që ndodheshin në Venezuelë janë vrarë.
Gjatë sulmit, gruaja e Maduros, Cilia Flores, pësroi një plagë në kokë, ndërsa vetë Maduro u plagos në këmbë. Të dy janë duke u shëruar, sipas zyrtarëve venezuelianë.
Ndërkohë, Presidentja e përkohshme venezueliane, Delcy Rodríguez, ka shpallur një javë zie kombëtare për të nderuar anëtarët e forcave të sigurisë që humbën jetën gjatë operacionit. Cabello e ka përshkruar këtë sulm si një “akt të tmerrshëm barbar” dhe ka bërë thirrje që bota të njohë gjendjen e rrezikshme në vend pas ndërhyrjes së huaj.
Sulmi amerikan dhe zhvillimet pas tij kanë çuar në rritje të tensioneve ndërkombëtare dhe debate për legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake, ndërsa situata politike në Venezuelë mbetet e paqëndrueshme./mxh
Bllokohet qarkullimi në Qafën e Llogarasë. Për shkak të reshjeve të dëborës policia ka vendosur efektivë në zonë duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment.
Reshjet e dëborës por edhe ngricat në rrugë nga temperaturat e ulëta në zonë shkak i ndalimit të qarkullimit./E.T
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar pas reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë përfshirë vendin.
Në mesazhin e saj, ambasada u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen.
“Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut”, vijon mesazhi i ambasadës së SHBA./E.T
Mes pritjes për institucione të reja dhe rrezikut të shkuarjes përsëri në zgjedhje, qindra miliona euro nga Bashkimi Evropian dhe dhjetëra miliona të tjera nga Banka Botërore mbeten ende të pashfrytëzueshme nga Kosova. A do t’u thotë ‘po’ marrëveshjeve ndërkombëtare legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se rrezikon shpërndarjen e mëvonshme?
Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.
Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.
Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re. Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.
A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.
“Nuk besoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të futen në diskutimet për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet në lidhje me këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është një fazë tjetër, ku do të ketë diskutime. Presim vullnetin e tyre [të opozitës] për t’i votuar, dhe jo kushtëzime”, u shpreh Haxhiu.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“LDK-ja i ka votuar, dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, në një deklaratë për REL-in.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.
Megjithatë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi ditë më parë para mediave se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare edhe në të kaluarën, dhe se do të kontribuojë për gjithçka që është në interes dhe në dobi të Kosovës.
Çka përmbajnë këto marrëveshje?
Nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.
Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.
Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.
E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.
Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë për REL-in se Kosova është vonuar në miratimin e këtyre marrëveshjeve, dhe se po i nisë me vonesë reformat e kërkuara nga BE-ja.
“Fondet e Planit të Rritjes vlejnë deri në vitin 2027, ndërkohë që Kosova hyri në vitin 2026 pa i alokuar fondet, dhe pa i nisur reformat. Dhe, rreziku shtesë është që mund mungojë konsensusi politik në Kuvend për t’i miratuar”.
Për skadimin e afatit kishte paralajmëruar edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, vitin e kaluar.
Të rrezikuara janë edhe miliona euro të tjera, për të cilat marrëveshja ishte nënshkruar në prillin e 2024-tës.
Javë më parë, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë pohoi për REL-in se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti i vitit 2026.
Këto marrëveshje dështuan të miratoheshin në një seancë të mbajtur më 19 nëntor 2025, një ditë para se të shpërndahej Kuvendi, pasi opozita kishte refuzuar të shkonte në seancë, me arsyetimin se LVV-ja kishte zvarritur procesin e formimit të institucioneve gjatë tërë vitit.
Mbetet të shihet se a do t’i japë përbërja e re e Kuvendit dritën e gjelbër fondeve të huaja, edhe nëse rrezikon t’i shkurtojë jetëgjatësinë legjislaturës së dhjetë./ REL
Megjithëse opozita ka bërë pesë tentativa në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të 2026 për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për kërkesën e SPAK lidhur me zv.kryemnistren Balluku, ky organ i Kuvendit nuk do të mblidhet përpara 19 janarit.
Sipas një njoftimi zyrtar Sesioni parlamentar i Kuvendit do të nisë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, më 19 janar 2026.
Gjatë ditës së hënë do të bëhet i ditur kalendari i punimeve, si dhe do të nxirren urdhrat përkatës për seancën hapëse, Konferencën e Kryetarëve, Mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, si dhe për Komisionin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.
Mbledhja e Këshillit ku do të vendoset për kërkesën e SPAK për të marrë lejen për arrestimin e zv.kryeministres, pritet të mbahet pas 22 janarit, ditë kur është parashikuar mbledhja e Gjykatës Kushtetuese e cila do të shqyrtojë një kërkesë të kryeministrit Rama për të shfuqizuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv.kryeministres nga detyra.
Edhe ditën e sotme anëtarët demokratë të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve tentuan të mblidhen në sallën e katit të katërt të Kryesisë së Kuvendit, por e patën të pamundur për shkak se derën e gjetën të mbyllur./e.t
Deputeti Agron Shehaj ka reaguar ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas daljes së ksaj të fundit në terren për shkak të përmbytjeve.
“Në një vend normal, Balluku do të ishte duke u gjykuar para drejtësisë si një qytetare e zakonshme, pa mandat dhe pa pushtet.
Belinda jo vetëm që nuk lëshon karrigen, por shkon të ngushëllojë banorët e përmbytur, në një kohë kur me milionat e eurove që ajo ka vjedhur, hidrovoret do të funksiononin, rrugët nuk do të rrëshqisnin si rërë dhe kanalizimet do të ishin në rregull.
Nuk është “dora e Zotit”, është e korrupsionit”, shprehet Agron Shehaj. /e.t
Me Lea Ypi po kanë paturpësinë të maten ca mjeranë, ca njëqelizorë, ca aq të vegjël, sa nga qiejt ku fluturon Lea Ypi nuk i dallon dot as me mikroskop elektronik.
Po guxojnë ta rrejnë veten se mund të maten me Lea Ypin ca lehësa, ca lëpirësa, ca uritha që mbijetojnë me kockat e thata që u hedh Sali Kulla, i cili, mishin e vjedhur të kockave të zbrazura që u hedh lehësave, e ka ngrënë vetë paraprakisht.
Nuk tuten të maten me Lea Ypin as zhgani i analfabetëve funksionalë që Shqipen e flasin me 150 fjalë dhe e shkruajnë me 20 gërma.
Prej atyre që i rren menia se mund të maten me Lea Ypin janë edhe ata që nuk e dinë se dituria nuk shitet, nuk blihet, nuk vidhet, nuk këmbehet, nuk vihet bast, nuk fitohet as nuk humbet në bixhoz, por vetëm mësohet me shumë mundim në shumë shkolla, dhe në shumë përvoja të vështira nga jeta. Nuk e dinë, as haber nuk kanë, se Politika është shkencë. Librat nuk i shkruajnë dot me abrakadabra spiunat që në Lidhjen e Shkrimtarëve i solli Sigurimi. Është dhunti e rrallë. Është dhuratë e Zotit. Kërkon frymëzim të thellë, njohje të gjithanshme, urtësi, diplomaci, mirkuptim, shëndet, vullnet, vendosmëri, cilësi këto që nuk i ka halabaku lehës që trillon, shpif, intrigon, e gënjen mendja se mund të matet me Lea Ypin.
Në të vërtetë, të matesh me Lea Ypin nuk është e pamundur. Por ka ca kushte.
Kandidati që ulurin me turi nga qielli të kthehet disa shekuj pas. Te gjyshërit hyzmeqarë pa asnjë perspektivë imediate apo historike. T’i transfigurojë ata fatkeqë. T’i shndrrojë në njerëz për së mbari. T’i veshi, mbathi, lajë, pastrojë, krehë, dhe pasurojë. Pas pasurimit, t’i shndërrojë, nga rrjepacukë në bejlerë, pashallarë, vezirë, gjeneralë. Njërën prej çupave të pashallarëve, budallai i sotëm, udhëtari në kohë, që aspiron të matet me Lea Ypin, ta dërgoje të mësojë në një Kolegj europian. Ku çupa të shquhet. Të dalë e para me mësime dhe dije mes krejt djemve, sepse është e vetmja vajzë në atë Kolegj. Kjo do jetë gjyshja e kandidatit të ardhshëm deridiku si gjyshja legjendare e Lea Ypit. Pastaj, gjyshen e vet, konkurrrenti trushkulur, ta lërë të martohet me një fisnik dhe aristokrat. Pakashumë si një Ypi. Nga ata që, përveçse zengjinë, ishin të parët rilindas, të cilët, nuk bënë si bëjnë morrat e sotëm që vjedhin Shqipërinë për të majmur veten, por shkatërruan veten për të mos e lënë Shqipërinë të vdiste. Pas martesës, gjyshja e pretenduesit për tu matur me Lean Fenomenale, të bëjë jetën që meriton, jetën mondane.
Kur as Churchilli as Zoti nuk e ndali dot shumicën e shqiptarëve të sillnin në krye një rrugaç gjirokastrit, gjyshja në fjalë, bashkë me njerëzit e saj të shkojnë të shkojnë të sakrifikohen me këmbët e veta. Konkurrenca ka çmim. Në burg, pushkatim, varje në litar, internim, andej nga Lushnja, Semani, Divjaka, Bashtova.
Kur burgjeve dhe internimeve tu japi fund Regani dhe Gorbaçovi, langaraqi pretendent për tu krahasuar me Lea Ypin, të bëjë sikur themeloi Partinë Demokratike me në krye hajdutin dhe mashtruesin Sali Kulla. Dhe fill të nisi të lëpijë kockat që ja hedh Sali Hajduti. Sdo ishte keq, në këtë fazë të ringjalljes së tij, në gjurmët dhe shembullin e Lea Ypit, kandidati konkurrent për tu matur me Lean, të mësojë të flasë e të shkruaj ca gjuhë të huaja si Lea Ypi: Italisht më prerë se Meloni, ferngjisht më bukur se Macroni, american english më vendosmërisht se Trumpi, british english më fuqishëm se Shekspiri. Dhe të shkruajë libra që të përkthehen në 40 gjuhë. Vetëm po i plotësoi këto kushte i përket e drejta të matet me Lea Ypin. Tjetër shteg, rrugë, mënyrë, për tu matur me Lea Ypin nuk ka.
Nëse kandidati ose kandidatët në fjalë udhëzimet si më lart nuk i përfillin, Lea Ypi do i marri të gjithë llapaqenat një nga një me pirun ose me një kërruajtëse dhëmbësh do i fusi në një makinë copa mishi e do i nxjerri rrota sallami. Ose me një ofshamë keqardhjeje dalë nga fundi i mushkërive do ngrejë një furtunë aq të tmerrëshme, sa ta zhduki nga faqja e dheut krejt rracën e buburrecave dhe lapangjozave që guxojnë të maten me fenomenalen dhe gjenialen Lea Ypi./e.t
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.
Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.
Më poshtë letra e plotë të Kryetari të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.
Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.
Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.
Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:
1. Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
2. Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.
3. Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Përsa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.
Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates./e.t
Rreth orës 13:30, në Yzberisht, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se në kërcënimin e një mjeti prerës, ka vjedhur një shumë parash në një market.
Gjatë tentativës për të ndaluar autorin, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësja e marketit, e cila u dërgua në spital, për mjekim.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit./e.t
Synimet e Trumpit ndaj Grenlandës risjellin në kujtesë ëndrrat e pushtimit – të realizuara më pas me para ose me armë – të disa prej paraardhësve të tij. Rast pas rasti: nga Luiziana te Alaska.
Donald Trump, në krye të Shteteve të Bashkuara që nga 20 janari 2025 (pasi kishte qenë tashmë në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri më 2021), ka ndezur sërish zjarrin e polemikave ndërkombëtare me ambiciet e tij “imperiale”. Pasi shprehu dëshirën që Kanadaja të bëhej vullnetarisht ylli i 51-të në flamurin amerikan, Trump tani po synon aneksimin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, duke lënë të kuptohet edhe përdorimi i mjeteve të forta.
Në këto deklarata ekspansioniste, ai frymëzohet nga presidentë të tjerë imperialistë, të cilët kanë hyrë në histori për përvetësime të mëdha territoriale, të realizuara – me marrëveshje ose, më shpesh, me forcë – mes viteve 1803 dhe 1898.
Luiziana: Jeffersoni “ia hedh” Napoleonit
Është ironike të mendosh për përpjekjet e përgjakshme të Napoleon Bonapartit për të ndërtuar një perandori të madhe evropiane, kur ndalemi te ajo që ndodhi në vitin 1803. Pa para, pas dhjetë vitesh luftërash dhe me rifillimin e konfliktit kundër Anglisë në horizont, Bonaparti nuk hezitoi t’u shiste Shteteve të Bashkuara të sapolindura një territor prej mbi 2,1 milionë km², përgjatë pellgut të madh të lumit Misisipi, nga gryka e tij deri në kufirin kanadez.
Një perandori me potencial të jashtëzakonshëm – që mund të zhvillohej dhe mbrohej me shumë më pak burime sesa ato të shpenzuara në Evropë – u (ri)shit për të financuar një perandori shumë më jetëshkurtër, e cila do të shembej 12 vjet më vonë në Vaterlo.
Se Blerja e Luizianës, e shpallur më 4 korrik 1803, ishte një marrëveshje e mirë për Francën, kjo është shumë e diskutueshme. Është e vërtetë që 15 milionë dollarët (rreth 80 milionë franga) i shërbyen përpjekjes ushtarake franceze. “Paraja bën luftën”, thotë një shprehje franceze; dhe pa ato dollarë “të gjelbër”, perandori nuk do të kishte vënë në lëvizje Armatën e Madhe, as do të kishte arritur fitoret spektakolare të Ulmës dhe Austerlicës në vitin 1805. Por… me çfarë çmimi?
Përgjatë Misisipit
Edhe pse në vitin 1803 territori i shitur ishte i banuar nga vetëm disa mijëra francezë, mjafton të shihen emrat e shteteve që u krijuan më pas për të kuptuar se kush fitoi realisht: republika e re amerikane dhe presidenti i saj i tretë, Thomas Jefferson.
Të lidhura nga “babai i lumenjve” dhe degët e tij, lindën realitete si Luiziana me qytetin shkëlqyes të Nju Orlinsit; Arkansas me blegtorinë e tij; Oklahoma me rezervat e ardhshme të naftës dhe gazit. Pastaj një varg rajonesh bujqësore dhe minerare: Missouri, Kansas, Iowa, Nebraska, dy Dakotat, Wyoming, Minesota e mbuluar nga dëbora, e kolonizuar nga emigrantë suedezë, Kolorado dhe Montana.
Ky ishte zemra e burimeve ushqimore dhe natyrore të Amerikës, e zgjeruar më tej me ekspedita drejt Perëndimit, përmes luftërave kundër popullsive autoktone dhe duke ia rrëmbyer Floridën Spanjës.
Meksika dhe Kalifornia: Polk dhe “fati i paracaktuar”
Rënia e perandorive koloniale iberike hapi perspektiva të reja në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Me shpalljen e Doktrinës Monroe në vitin 1823, SHBA-të nisën të shtyhen fuqishëm në Amerikën Latine. Në shënjestër përfundoi sidomos Meksika, trashëgimtare e mëkëmbësisë së gjerë të Spanjës së Re, por e dobët dhe e përçarë.
Fillimisht interesat amerikane kufizoheshin në tregti me portet kaliforniane dhe në vendosjen e rreth 300 familjeve kolonësh në Teksas, me pëlqimin e qeverisë meksikane. Por në 1836, Teksasi u shkëput pas një konflikti të shkurtër, i njohur për rrethimin e Fort Alamos.
Në ato vite, gazetari John O’Sullivan formuloi doktrinën e “Destinit Manifest”, sipas së cilës zgjerimi i SHBA-ve ishte një mision i caktuar nga Providenca.
Vjen Kalifornia
Në vitin 1844, president u zgjodh James Polk, përfaqësues i elitës jugore skllavopronare. Ai bëri të vetat objektivat e Destinit Manifest: Oregonin, Teksasin dhe territoret veriperëndimore të Meksikës. Me Britaninë veproi diplomatikisht, por me Meksikën jo.
Më 25 prill 1846, një përleshje kufitare u shfrytëzua si pretekst për luftë. Polk deklaroi se “gjak amerikan ishte derdhur në tokë amerikane”, duke e çuar vendin në një konflikt të përgjakshëm që përfundoi me pushtimin e Qytetit të Meksikos në 1847 dhe me Traktatin e Guadalupe Hidalgo më 1848.
Shtetet e Bashkuara morën Kaliforninë, Nevadën, Utahun, pjesë të Kolorados, Nju Meksikon dhe Arizonën – një perandori e vërtetë kontinentale.
Karaibet dhe Filipinet: McKinley dhe perandoria përtej detit
Nga mesi i shekullit XIX, ambiciet amerikane u shtrinë edhe në dete. Me Guano Island Act (1856), SHBA-të pretenduan dhjetëra ishuj. Në 1867, blenë Alaskën nga Rusia për 7,2 milionë dollarë.
Por në 1898, armët folën sërish. Preteksti ishte fundosja e anijes USS Maine në portin e Havanës, ku humbën jetën 261 marinarë. Edhe pse shkaqet ishin të paqarta, u fajësua Spanja dhe shpërtheu lufta.
Rezultati: Kuba formalisht e pavarur, por nën ndikim amerikan; Porto Riko i aneksuar; Panamaja e shkëputur nga Kolumbia për ndërtimin e kanalit; dhe zgjerimi drejt Paqësorit.
Filipinet dhe Hawaii
Në Paqësor, SHBA-të mbështetën grushtin e shtetit në Hawaii (1893) dhe, pas luftës hispano-amerikane, pushtuan Filipinet. Lufta guerile vazhdoi deri më 1913, me mizori që parathoshin Vietnamin e viteve ’60.
Viti 1898 shënon për Shtetet e Bashkuara lindjen e perandorisë, pas një shekulli zgjerimesh territoriale të jashtëzakonshme.
Burimi: focus.it/ Nga Giuliano Da Frè/ Përgatiti për botim: L.Veizi
Me hidhërim të thellë, mësohet ndarja nga jeta e Qemal Dishës, themelues, drejtues dhe një prej figurave më emblematike të industrisë së sigurimeve në Shqipëri.
Ceremonia mortore zhvillohet pranë Funeral Home ALBA 2000, ndërsa varrimi do të mbahet të shtunën, më 10.01.2026, në orën 11:00, në Tufinë.
Qemal Disha nuk ishte thjesht një drejtues. Ai ishte një arkitekt vizioni, një mendje strategjike dhe një njeri që e pa sigurimin jo si produkt, por si kontratë besimi me shoqërinë. Në një kohë tranzicioni të thellë ekonomik dhe institucional, ai pati guximin të ndërtojë një model biznesi të bazuar mbi profesionalizëm, korrektësi dhe përgjegjësi afatgjatë.
I lindur në vitin 1951 në Zerqan të Dibrës, Qemal Disha ndërtoi një profil të rrallë profesional, duke ndërthurur formimin akademik në ekonomi me një eksperiencë të gjerë në administratën publike dhe sektorin financiar. Kontributi i tij si ministër në Ministrinë e Financave, në themelimin dhe drejtimin e INSIG-ut dhe më pas në krijimin dhe konsolidimin e SIGMA-s, shënon etapa kyçe në historinë moderne të sigurimeve në vend.
Në vitet kur tregu i sigurimeve ishte ende në formësim, Qemal Disha zgjodhi rrugën më të vështirë: të ndërtojë standarde aty ku mungonin, të krijojë besim aty ku kishte pasiguri dhe të udhëheqë me shembull, jo me retorikë. Nën drejtimin e tij, SIGMA u pozicionua si një kompani që respekton klientin, paguan detyrimet dhe ndërton marrëdhënie afatgjata – vlera që mbeten themel i identitetit tonë edhe sot.
Megjithatë, trashëgimia e Qemal Dishës shkon përtej institucioneve që drejtoi. Ai do të mbahet mend si mentori që investoi tek njerëzit, që krijoi hapësirë për breza të rinj profesionistësh dhe që ndërtoi një kulturë pune të bazuar në etikë, respekt dhe meritokraci. Për konkurrentët e tij, ai ishte një aktor stabilizues në një treg në zhvillim. Për bashkëpunëtorët, një udhëheqës që udhëhiqte me shembull. Për familjen, një njeri i përkushtuar dhe mbështetës.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Disha, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që patën privilegjin ta njohin dhe të punojnë me të. Kujtimi dhe vlerat e tij do të mbeten një busull morale për brezat që vijojnë.
Prefektura e Qarkut Durrës ka dhënë një thirrje urgjente për evakuimin e banorëve në zonën e Sukthit, për shkak të rrezikut të menjëhershëm nga prurjet e shumta të lumit Erzen.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth 500 persona ndodhen në zona të prekura nga vërshimet dhe jeta e tyre është në rrezik të drejtpërdrejtë. Autoritetet po kërkojnë nga banorët që të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencës civile dhe të largohen menjëherë nga zonat e rrezikuara.
Evakuimi po organizohet nën koordinimin e strukturave të Bashkisë, Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të emergjencës, të cilat po ofrojnë transport, strehim të përkohshëm dhe asistencë për qytetarët e prekur.
Prefektura u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të shmangur rreziqe të mundshme nga përmbytjet./e.t
Eksperti Mjedisor, Mihallaq Qirko, është shprehur se ndryshimet klimatike mund të jenë pjesë e problemit të përmbytjeve të shkaktuara në Shqipëri, por jo i gjithë problemi.
Komentet Qirko i bëri në ‘Sot Live[ ku tha se problematikat klimatike duhet të kenë vëmendjen dhe kujdesin e plotë të institucioneve në vend, në mënyrë që problematikat të minimizohen.
Qirko shtoi se përmbytjet e fundit janë një hakmarrje e natyrës për dëmet mjedisore që i kemi shkaktuar vendit tonë gjatë viteve të fundit, me shpyllëzimet dhe dëmtimin e shtretërve të lumenjve.
Ai tha gjithashtu se një nga problematikat që ne ndeshim me lumenjtë është shtimi i sasisë së sentimenteve që vijnë nga erozioni dhe që ndodhen brenda tyre.
“Problemet me klimën janë në një diskutim të vazhdueshëm këto kohë dhe kërkimi për zgjidhje është diçka që na ka bashkëshoqëruar këto kohë. Ndryshimet klimatike mund të jenë pjesë e problemit, por jo e vetmja. Problematikat klimatike duhet të kenë kujdesin e plotë të institucioneve.
Një nga problematikat që ne ndeshim me lumenjtë është shtimi i sasisë së sentimenteve që vijnë nga erozioni dhe praktikisht brenda tyre edhe problemi i mbetjeve është i shtuar. Në ditët që krijohen probleme me përmbytjet, qoftë mbetjet që vijnë nga rrjedha e mesme apo e sipërme e lumenjve, transportohen në pjesën më të poshtme duke shkaktuar ndotje të mjediseve.
Patjetër që e kemi vrarë mjedisin. Ky është një dënim i natyrës që i bëhet keqtrajtimit të mjedisit që kemi bërë ne gjatë këtyre viteve. Problematika e ndeshur në Lezhë ku shpyllëzimi ka qenë me ritme të larta këto kohë, menjëherë prohektohet në përmbytjen e tokave përreth“, tha mes të tjerash Qirko./e.t
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të takohet në ditët në vijim me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petron.
Sipas mediave të huaja, lajmin e ka konfirmuar vetë Trump, pas një telefonate që zhvilloi dje me Presidentin e Kolumbisë.
Trump e cilësoi si një nder të madh telefonatën me Presidentin e Kolumbisë dhe shkroi në Truth Social se Petro i shpjegoi “situatën e drogës dhe mosmarrëveshjet e tjera që kemi pasur”.
“E vlerësova telefonatën dhe tonin e tij dhe mezi pres ta takoj në të ardhmen e afërt”, shtoi Trump, përcjell Report TV.
Ai tha më tej se sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të caktojë një takim me ministrin e Jashtëm të Kolumbisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kujtojmë se më herët Trump e ka quajtur Presidentin e Kolumbisë një trafikant droge dhe ka thënë gjithashtu se Kolumbia është një vend “shumë i sëmurë” i drejtuar nga një “njeri i sëmurë”./K.M