Normal view

Received — 27 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lillestrom shuan ëndrrat e Egnatias për Europa League, Dinamo City mbyll rrugëtimin evropian

27 August 2026 at 22:00

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ – Egnatia, edhe pse mbizotëroi për më shumë se 80 minuta lojë, nuk arriti të kurorëzonte ëndrrën “Europa Ligë”, duke u eliminuar në fazën e fundit kualifikuese nga skuadra norvegjeze e Lillestrom. Nga ana tjetër, Dinamo City ka mbyllur rrugëtimin e saj në Evropë, pas humbjes 4-2 në Qipro përballë Pafosit.

Egnatia shënon e para, por rrëzohet në fund

Skuadra kampione e Shqipërisë, pasi gjeti avantazhin e para, nuk arriti të përfundonte me sukses sfidën në Norvegji përballë Lillestrom. Skuadra e Nevil Dedes preku iluzionin e kualifikimit pas golit të shënuar në minutën e 33-të nga Sota, por rrogozhinasit u shtangën tetë minuta para përfundimit të lojës.

Lillestrom reagoi në pjesën e dytë dhe, në minutën e 82-të, gjeti golin e barazimit me Moen Fos, pas asistit të Ibrahimajt.

Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, duke e dërguar sfidën në shtesë. Në minutat shtesë, Egnatia pati mundësitë e saj për të rikthyer avantazhin, por nuk arriti të tregohej cinike përpara portës.

Në minutën e 94-t, Olsen shënoi golin e dytë për Lillestrom, duke përmbysur rezultatin dhe duke vendosur skuadrën norvegjeze në avantazh. Egnatia tentoi të reagonte deri në fund, por nuk arriti të gjente golin që do ta rikthente në garë.

Pas eliminimit nga gara për fazën e ligës së Europa League, rrogozhinasit do të vazhdojnë aventurën evropiane në Conference League.

Dinamo City, eliminim dramatik në Qipro

Blutë e Dinamo City, edhe pse mbijetuan për të paktën 115 minuta, nuk arritën të siguronin kualifikimin në Ligën e Konferencës. Skuadra dinamovite u mund 4-2 nga Pafosi në Qipro.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për ekipin e drejtuar nga Ilir Daja. Në minutën e 8-të, Fadairo përfitoi nga një aksion i mirë i bluve dhe kaloi Dinamon në avantazh.

Në të 12-ën, Sema barazoi shifrat me një gjuajtje nga distanca, me topin që u devijua dhe përfundoi në rrjetë.

Në minutën e 79-të, Pafosi përmbysi rezultatin me Ioannou, i cili shënoi me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë. Dinamo, megjithatë, reagoi menjëherë dhe tregoi karakter. Në minutën e 87-të, pas një goditjeje këndi, Silva-Richards u gjend në vendin e duhur dhe dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Ky rezultat e çoi ndeshjen në kohën shtesë dhe gjithçka mbeti e hapur. Në minutën e 116-të, Quina shënoi golin e tretë të Pafosit dhe riktheu vendasit në avantazh.

Goditja për Dinamon ishte fatale. Në 120+1’, Silva vulosi fitoren 4-2 të Pafosit dhe i dha fund përfundimisht shpresave të bluve.

/a.f/

The post Lillestrom shuan ëndrrat e Egnatias për Europa League, Dinamo City mbyll rrugëtimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hëna mbi Moravë, Rama ndan pamjet spektakolare nga Korça

27 August 2026 at 21:46

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e sotme pamje të Hënës që ndriçon në qiellin e Korçës, mbi malin e Moravës, duke krijuar një peizazh të veçantë dhe një spektakël natyror për banorët e qytetit të serenatave, por edhe për vizitorët vendas e të huaj.

Në fotografinë e realizuar gjatë mbrëmjes, disku i ndriçuar i Hënës shfaqet mbi majën e malit të Moravës, ndërsa poshtë tij dallohen silueta e kryqit monumental dhe dritat e kishës, duke krijuar një kontrast mes dritës së ftohtë të Hënës dhe ndriçimit të ngrohtë të monumenteve.

Kryqi i Moravës, i vendosur në majën e Shëndëllisë, rreth 1,365 metra mbi nivelin e detit, është një nga pikat më karakteristike panoramike mbi qytetin e Korçës. Kryqi i madh i bardhë është i dallueshëm nga larg dhe së bashku me kishën pranë tij përbën një prej simboleve të peizazhit të Moravës.

Pamja vjen në prag të hënës së plotë të gushtit. Sipas të dhënave astronomike, Hëna më 27 gusht ishte rreth 95% e ndriçuar, ndërsa faza e plotë e Hënës arrihet më 28 gusht.

Mbrëmja e kthjellët në Korçë ka favorizuar edhe më shumë pamjen, duke bërë që Hëna të dallohet qartë mbi siluetën e Moravës.

Kombinimi i Hënës së ndritshme, relievit malor dhe monumenteve të Moravës i ka dhënë qytetit një tjetër pamje karakteristike, duke sjellë një moment të veçantë për ata që kanë pasur mundësi ta shijojnë këtë panoramë.

/m.m/a.f/

The post Hëna mbi Moravë, Rama ndan pamjet spektakolare nga Korça appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌