Normal view

Received — 21 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Futbollistit iranian i skadon viza amerikane pas ndeshjes së parë në Kupën e Botës

LOS ANXHELES, 21 qershor /ATSH-AA/ – Futbollistit iranian Mehdi Torabi i ka skaduar viza amerikane pas ndeshjes hapëse të ekipit kombëtar në Kupën e Botës, duke e lënë mesfushorin në pritje të një lejeje të re për t’iu bashkuar sërish skuadrës në SHBA, njoftoi organi i futbollit të Iranit.

Sipas Federatës së Futbollit të Iranit, vizat e lëshuara për anëtarët e ekipit kombëtar të Iranit në përgjithësi ishin të vlefshme për hyrje të shumëfishta, por viza e Torabit ishte lëshuar vetëm me një hyrje.

Federata tha se Torabi udhëtoi me ekipin në Los Anxheles për ndeshjen hapëse të Iranit kundër Zelandës së Re.

Megjithatë, pasi u largua nga SHBA-ja pas ndeshjes, viza e tij skadoi.

Autoritetet iraniane të futbollit kanë nisur procedurat për të siguruar vizë të re për lojtarin në mënyrë që ai t’i bashkohet sërish ekipit kombëtar për ndeshjet e ardhshme të Kupës së Botës.

Nuk u dha menjëherë asnjë afat kohor për lëshimin e vizës së re.

Ndeshja hapëse e Iranit kundër Zelandës së Re përfundoi 2-2./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Futbollistit iranian i skadon viza amerikane pas ndeshjes së parë në Kupën e Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – IA nxjerr Austrinë kampione të botës?

21 June 2026 at 08:11

VJENË, 21 qershor /ATSH-DPA/ – Tifozët austriakë të futbollit po argëtohen me një skenar të pazakontë të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku Austria shpallet kampione e Botërorit 2026 dhe vendi transformohet rrënjësisht në dekadat që pasojnë.

Në videon e realizuar nga kompania vjeneze “Sequence Five”, sulmuesi veteran Marko Arnautoviç paraqitet si president i Austrisë, ndërsa një statujë e David Alaba zë vendin e monumentit të kompozitorit të famshëm Johann Strauss në Vjenë.

Filmi, i krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, paraqet një vizion imagjinar të Austrisë pas 30 vitesh, nëse kombëtarja do të arrinte surprizën e madhe duke fituar Kupën e Botës 2026.

Videoja u publikua pas ndeshjes hapëse të austriakëve në turne, ku ata mposhtën Jordaninë me rezultatin 3-1.

Një nga figurat kryesore të këtij skenari është Arnautoviç i cili shënoi ndaj Jordanisë dhe u bë golashënuesi më i moshuar i Austrisë në historinë e Kupës së Botës, në moshën 37-vjeçare.

Sulmuesi kishte bërë më herët shaka për një kandidim të mundshëm për president në një reklamë sponsorizuese, ide që filmi e çon në ekstrem.

Në videon futuriste, Alaba shfaqet i moshuar dhe kujton me emocion ditën e triumfit historik.

“Kur e kujtoj atë ditë, ende më dridhet trupi”, thotë mbrojtësi në rrëfimin e gjeneruar nga IA, duke nënvizuar ndikimin që do të kishte një sukses i tillë në identitetin kombëtar të Austrisë.

Edhe pse mbetet vetëm një fantazi teknologjike, filmi ka ngjallur buzëqeshje dhe optimizëm te tifozët austriakë, të cilët po shijojnë rikthimin e kombëtares së tyre në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998.

Për momentin, rruga drejt trofeut është ende shumë e gjatë, por imagjinata tashmë ka nisur të fluturojë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – IA nxjerr Austrinë kampione të botës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌