Normal view

Received — 26 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Netanyahu: Shqipëria ishte “ishull paqeje” gjatë Holokaustit, të gatshëm t’ju mbështesim me çdo gjë

26 January 2026 at 19:20

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu vlerësoi rolin historik dhe unik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët përbën një shembull të rrallë humanizmi dhe guximi që nuk do të harrohet kurrë.

Në fjalën e mbajtur sot në një seancë plenare të veçantë të parlamentit të Izraelit, ku ishte i ftuar kryeministri Edi Rama, Netanyahu, tha se “ai kapitull i historisë sonë nuk do të harrohet kurrë ndër breza. Por ajo që nuk do të harrohet po kështu është edhe shembulli i atyre njerëzve që shpëtuan hebrenjtë dhe i ndihmuan të iknin nga persekutimi”.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Shqipëri gjatë pushtimit italian dhe nazist ishte unike. “Dhjetëra e qindra shqiptarë myslimanë rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë. Ata i fshehën, ndanë bukën me ta dhe vunë në rrezik jo vetëm veten, por edhe anëtarët e fundit të familjeve të tyre për t’i mbrojtur”, tha Kryeministri izraelit.

Netanyahu theksoi se Shqipëria përfaqësonte një shembull të rrallë në Evropën e asaj kohe. “Shqipëria ishte ishulli i paqes në oqeanin e së keqes dhe këto akte heroike tregojnë vlerat më të mëdha të një vendi që nderonte miqtë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe pas Luftës së Dytë Botërore, Netanyahu kujtoi se Shqipëria kaloi dekada të vështira nën regjimin komunist, ndërsa Izraeli u njoh zyrtarisht nga Shqipëria në vitin 1969. “Pas ndryshimeve politike 35 vite më parë, Shqipëria dhe Izraeli forcuan marrëdhëniet diplomatike”, u shpreh ai.

Kryeministri izraelit vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria vitet e fundit. “Nën drejtimin tuaj, Shqipëria është kthyer në një kopsht të gjallë të Evropës që ka sukses. Unë i vlerësoj reformat që keni ndërmarrë për të përmirësuar situatën e tregut në Shqipëri dhe këtë e vlerësojnë edhe investitorët izraelitë që po vijnë në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë me çdo gjë: mbështetje për siguri, në luftën kundër terrorit, novacion, teknologji, tregti e kulturë”, deklaroi Netanyahu.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Netanyahu: Shqipëria ishte “ishull paqeje” gjatë Holokaustit, të gatshëm t’ju mbështesim me çdo gjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Netanyahu: Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael më të mira se kurrë

26 January 2026 at 19:12

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu në fjalën e rastit vlerësoi si mjaft pozitive marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke i cilësuar ato si më të fortat ndonjëherë si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal.

“Sot marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit janë më të mira se kurrë, si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal”, u shpreh Netanyahu, duke theksuar simbolikën e flamurit shqiptar. “Kur shoh sot dy kokat e shqiponjës që shikojnë në drejtime të ndryshme, shoh një shembull të së shkuarës dhe të së ardhmes”.

Ai shtoi se kjo simbolikë përfaqëson një vizion të përbashkët drejt së ardhmes, të bazuar në forcimin e mirëqenies dhe sigurisë mes dy vendeve. “Shoh diçka që simbolizon një shikim drejt së ardhmes, që bëhet më i fortë, me më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri midis dy vendeve tona”, tha ai.

Kryeministri izraelit vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar mbështetjen e saj të hapur për Izraelin. “Qeveria juaj po hap krahët, ashtu si shqiponja në flamurin tuaj. Përpjekjet që po bëni për ta çuar Shqipërinë përpara dhe miqësia e thellë për Izraelin, e shfaqur hapur në forume ndërkombëtare, duke qëndruar në anën e së vërtetës dhe kundër gënjeshtrës, janë të çmuara për ne”, u shpreh Netanyahu.

Duke folur për situatën e sigurisë, Netanyahu iu referua sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, duke e cilësuar atë si një akt terrorist çnjerëzor. “Ajo që pamë ishte çnjerëzore. Terroristët vranë, përdhunuan dhe dogjën njerëz të pafajshëm. Ky ishte akti hapës i një lufte që synonte të na fshinte nga faqja e dheut”, tha ai.

Netanyahu theksoi se Izraeli do të vijojë përpjekjet për të garantuar sigurinë e tij. “Ne do të luftojmë kundër kujtdo që na sulmon. Ushtarët tanë do të mbrojnë shtëpitë tona dhe vlerat tona”, u shpreh ai, duke shtuar se Izraeli ka arritur të kthejë të gjithë pengjet, si ata të gjallë, ashtu edhe ata që kanë humbur jetën.

Sipas tij, faza e radhës është çarmatimi dhe shpërbërja e Hamasit. “Faza tjetër është shpërbërja e Hamasit dhe çarmatimi i Gazës, dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces”, deklaroi Netanyahu.

Në fjalën e tij, Kryeministri izraelit vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë si një vend me shumicë myslimane që promovon bashkëjetesën dhe paqen. “Shqipëria është shembull i bashkëjetesës. Ky është islam i moderuar, krejtësisht kundër ekstremizmit dhe xhihadit”, tha ai.

“Ju, Edi, keni shumë vlera. Shkalla juaj morale është e lartë. Por, fatkeqësisht, disa shtete janë bërë pjesë e propagandës që mbështesin islamin në vend të liberalizmit. Shohim urrejtje në vendet europiane duke mbështetur terrorin. Heshtja e shumë vendeve europiane teksa shohin terrorin në Iran është standard i dyfishtë i politikës së tyre. Pra nëse do të sulmohej Izraeli atëherë nuk do flisnin për gjenocid, por nëse do të sulmojë Izraeli do të flitej për gjenocid”, tha kryeministri izraelit Netanyahu.

/r.e/a.f/

The post Netanyahu: Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael më të mira se kurrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem

26 January 2026 at 15:23

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u takua sot me Kryeministrin Benjamin Netanyahu, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se bota dhe njerëzimi duhet të dijë faktin që Shqipëria, ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit strehoi një popullsi hebreje brenda shoqërisë së saj.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Netanyahu tha se “Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre,  mik i madh i shtetit hebre dhe mund të them një mik i madh i imi”.

“Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta, njerëzit nuk e dinë, bota duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit dhe nuk u mpak. U rrit sepse myslimanët shqiptarë në frymën e moderimit, tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebrenj që jetonin në Shqipëri dhe po kështu mikpritën shumë të tjerë”, tha Netanyahu.

“Ky është shpirti që ju përfaqësoni, kjo është ajo histori, që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore”, tha Kryeministri izraelit.

Sipas Netanyhut, kjo është fryma që Shqipëria vazhdon ta ushqejë edhe sot.

“Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju zmbrapsin, ju qëndruat krah Izraelit kur u sulmuam nga barbarët. Busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe atyre segmenteve të njerëzimit që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë”, theksoi ai.

Kryeministri izraelit, deklaroi se mes dy vendeve po ndërtohen marrëdhënie të shkëlqyera.

“Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta një mijë përqind dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Mund t’ju them gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm kështu që shkoni atje. Kemi kompani me investues izraelit, të cilët dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët”, tha Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit theksoi se ditën e nesërme, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama do të çelet Dhoma e Tregtisë në Jeruzalem, diçka që sipas Netanyhut do të çojë përpara lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri izraelit tha se ka një mirëkuptim të përbashkët që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore.

“Njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi mes dy popujve tanë dhe një bazë vëllazërimi mes të dyve ne”, përfundoi Netanyahu.

/e.i/

The post Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pritet nga kryeministri Netanyahu

26 January 2026 at 12:21

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë pune në Jeruzalem në Izrael, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Rama do t’i drejtohet sot me një fjalë seancës plenare në Knesset.

Në këtë vizitë, kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama u ndalën në memorialin e viktimave të Festivalit Nova, një monument që përkujton viktimat e masakrës së festivalit muzikor Nova gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.

 

1 nga 5

/m.m/j.p/

The post Rama pritet nga kryeministri Netanyahu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌