Asllani lë Interin, gati huazimi tek Torino
TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani ka përzgjedhur skuadrën e Torinos si klubin e tij të ardhshëm.
Asllani lë kështu zikaltërit e Interit, duke kaluar në një huazim 1,5 milionë euro, me të drejtë blerje për 12 milionë euro tek Torino.
Mesfushori shqiptar zgjodhi të ardhmen e tij, duke realizuar kushtin kryesor, atë të qëndrimit në Serie A italiane. Vullneti i lojtarit u plotësua nga Torino, me 23-vjeçarin që i ka thënë “Po” klubit torinez dhe marrëveshja është praktikisht e mbyllur.
Interi do të provojë të mbyllë sa më shpejt negociatat me klubin “granata”, për të evituar të papritura.
Më parë zikaltërit kishin arritur marrëveshjen me Betisin për shitjen e Asllanit, por mesfushori shqiptar nuk dëshironte të largohej nga Italia. Më pas ishte mesfushori ai që refuzoi transferimin te Bologna për 10 milionë euro, plus 40 përqind të vlerës në rast të rishitjes.
Problem në atë rast ishte rroga, me 300 mijë euro diferencë mes kërkesës dhe ofertës. Nga situata e krijuar përfitoi Torino, që do ta huazojë kuqeziun për 1,5 milionë euro dhe ka të drejtën e blerjes përfundimtare për 12 milionë euro.
Asllani zgjodhi projektin e Torinos, aty ku luan edhe Ardian Ismajli dhe zyrtarizimi është çështje orësh.
/gj.m//a.f/
The post Asllani lë Interin, gati huazimi tek Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.