Normal view

Received — 12 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

VivaTech në Paris, Gonxhja: Ekosistemi i inovacionit në Shqipëri në skenën globale

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Shqipëria merr pjesë në ekspon e teknologjisë “VivaTech 2025”, kushtuar inovacionit dhe startup-eve, që mbahet në Paris, Francë.

Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit do të marrin pjesë katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: Dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga panairi “VivaTech”, teksa bëri të ditur se, mijëra novatorë nga e gjithë bota që kanë pushtuar VivaTech Paris e kanë sjellë me vete emocionin e teknologjisë dhe fuqinë e inovacionit.

“Nga deep tech dhe informatika kuantike te inteligjenca artificiale, teknologjia e klimës, gratë në teknologji dhe zhvillimet më të fundit në sektorë të ndryshëm, çdo ditë në VivaTech zbulon çfarë fsheh e ardhmja”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh krenarë që punon krah Qeverisë për të lartësuar ekosistemin e inovacionit në Shqipëri në skenën globale.

“Mbështesim prezantimin e parqeve të teknologjisë dhe shkencës, zonat e lira ekonomike, mundësitë e investimit dhe komunitetin gjithnjë në rritje të novatorëve”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

 

The post VivaTech në Paris, Gonxhja: Ekosistemi i inovacionit në Shqipëri në skenën globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Innovation Now”, Shqipëria prezantohet në VivaTech 2025, në Paris

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Nga data 11 deri më 14 qershor, Parisi do të jetë qendra botërore e teknologjisë dhe inovacionit, falë edicionit të radhës së VivaTech, konferencës më të madhe në Europë për startup-et, bizneset inovatore dhe teknologjitë e avancuara.

Në këtë arenë globale, Shqipëria përfaqësohet me moton “Albania Future Now”, pjesë e fushatës Innovation Now e mbështetur nga EU4Innovation (GIZ) dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim promovimin, në tregun kombëtar e ndërkombëtar, të ekosistemit të inovacionit shqiptar.

Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit do të marrin pjesë katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: Dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.

Durana Tech Park është një nga projektet më ambicioze që synon të kthehet në epiqendër të kërkimit, inovacionit dhe prodhimit teknologjik. Përmes mbështetjes strategjike për ndërmarrjet e vogla e të mesme, Parku Teknologjik Durana synon të tërheqë investime të huaja dhe vendase.

TEDA Tirana është zona e parë ekonomike e lirë në Shqipëri, që me pozicionin gjeografik, në zemër të Ballkanit, me burime të shumta natyrore dhe një fokus të qartë në energjinë e gjelbër, krijon një mjedis të favorshëm për projekte të qëndrueshme dhe inovative. TEDA ofron një platformë ideale për zgjerimin e bizneseve në një mjedis të favorshëm fiskal dhe logjistik.

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH / AIC) synon që duke përdorur në mënyrë efikase asetet shtetërore dhe kapitalin publik e privat, të nxisë zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe social në vend, nëpërmjet transformimit të ideve të reja në projekte strategjike të investimeve kombëtare dhe rajonale, ku përfshihen parqet shkencore dhe teknologjike, industritë e panairit, turizmi dhe industria e pasurive të paluajtshme.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mbështet investitorët vendas e të huaj, që dëshirojnë të zhvillojnë biznese të suksesshme në Shqipëri, duke u ofruar asistencë të plotë për projektet e tyre, që nga analizat e tregut dhe identifikimi i sektorëve potencialë, deri te shërbimet pas investimit.

Me pjesëmarrjen e saj në VivaTech 2025, Shqipëria konfirmon angazhimin për të qenë pjesë aktive e hartës globale të inovacionit.

Nën moton “Innovation Now- Albania Future now”, Shqipëria jo vetëm që do të prezantojë projektet më të rëndësishme kombëtare, por edhe do të ndërtojë ura bashkëpunimi me aktorë ndërkombëtarë, start up-e dhe investitorë të mëdhenj.

E themeluar në vitin 2016 nga Publicis Groupe dhe Groupe Les Echos, VivaTech është kthyer në një pikë takimi të domosdoshme për liderët e së ardhmes.

1 nga 3

/a.f/

The post “Innovation Now”, Shqipëria prezantohet në VivaTech 2025, në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Programi GovTech i Shqipërisë vlerësohet në Forumin Global në selinë e Bankës Botërore

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Programi GovTech i Shqipërisë është vlerësuar nga Banka Botërore si një “WorldWide Flagship Program”, një notë pozitive që e liston vendin tonë si shembullin më të suksesshëm të transformimit digjital më shërbim të qytetarëve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, bën me dije se në selinë e Bankës Botërore në Washington D.C., gjatë tryezës së rrumbullakët “Albanian Frontiers in GovTech”, u prezantua rrugëtimi dhe modeli i Shqipërisë për modernizimin e administratës publike përmes digjitalizimit.

Në këtë forum, morën pjesë zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Hava Delibashi, drejtoresha e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja, Romina Kostani dhe Ermal Jauri, koordinator i Programit GovTech, të cilët në prani të ekspertëve të Bankës Botërore dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme, ndanë historitë e suksesit të Shqipërisë në fushën e GovTech.

Sipas AKSHI-t, Shqipëria, gjatë Forumit Global për GovTech & Inovacionin në Sektorin Publik, zhvilluar më 27–29 maj në Washington D.C., përcolli edhe një tjetër arritje unike si përdorimin e Inteligjencës Artificiale për transpozimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Gjatë eventit, delegacioni shqiptar mori pjesë edhe në tryezën dedikuar “Modernizimit të institucioneve, rritjes ekonomike dhe vendeve të reja pune për Evropën dhe Azinë Qendrore”, ku zëvendësdrejtoresha Delibashi, përfaqësoi Shqipërinë, së bashku me Ministrin e Shtetit për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku dhe Ambasadorin e Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Në njoftimin e AKSHI-t, thuhet se ekipi shqiptar në forum prezantoi edhe zhvillimin e platformës e-Albania 2.0, e cila synon shërbime proaktive, të personalizuara dhe të kategorizuara sipas ngjarjeve të jetës, integrimin e Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar përdoruesit në platformën e-Albania, përmes Diellës 3.0, asistentes digjitale që gjeneron dokumente në kohë reale me vetëm një komandë zanore, rizhvillimin e shërbimeve me arkitekturë mikroshërbimesh dhe përmirësimin e Platformës së Ndërveprimit, me 297 milionë transaksione në vit.

Platforma po ashtu, sipas AKSHI-t synon rritjen e aksesueshmërisë për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe përfshirja sociale në çdo fazë të projektimit, si edhe zhvillimin e 216 SmartLab-eve në 200 shkolla, për të përgatitur brezin e ri për epokën digjitale.

“Shqipëria u vlerësua gjithashtu për impaktin pozitiv të digjitalizimit në mjedis, në sesionin “Greening GovTech for a Sustainable Digital Transition”, ku vetëm në 5 vite kemi arritur të kursejmë jo vetëm para, por edhe të japim një kontribut të vyer në mbrojtjen e mjedisit, për të tashmen e të ardhmen”, thuhet në njoftimin e AKSHI-t.

Shqipëria po dëshmon se vizioni, angazhimi dhe teknologjia mund të ndërtojnë një administratë më transparente, efikase dhe të afërt me qytetarin. /j.p/

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në selinë e Bankës Botërore në Washington D.C.
1 nga 7

The post Programi GovTech i Shqipërisë vlerësohet në Forumin Global në selinë e Bankës Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Durana Tech Park pret “banorët” e parë, Rama: Interes i lartë nga kompani të huaja, produkt konkret i një vizioni që dukej utopik


TIRANË, 2 prill/ATSH/ Portat e Durana Tech Park, hapësira që do të bëhet epiqendra e rritjes së sipërmarrjeve, zhvillimit teknologjik dhe ekonomik të rajonit, u hapën sot me dhënien e certifikatave për rezidentët e parë të saj.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ceremoni, deklaroi se certifikimi i rezidentëve të parë në Durana, është produkti i parë konkret i një vizioni që dukej utopik.

“Kemi një produkt të parë, konkret të një vizioni që dukej utopik kur ne nisëm realizimin e tij. Ashtu siç dukej utopik edhe qëllimi ynë për të bërë Shqipërinë lider në shërbimet publike elektronike, gjë që sot është fakt. Ashtu si dukej utopik edhe besimi ynë se procesin e negociatave do ta përshpejtonim eksponencialisht nga Inteligjenca Artificiale. Ashtu siç dukej utopik dhe qëllimi tjetër që të kemi në dispozicion një model të IA për të zhvilluar prokurimet publike”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se ka pasur interes të lartë nga kompani të huaja, nga vende të ndryshme të botës për t’u bërë pjesë e Durana Tech Park.

“Ajo që është një surprizë e bukur për ne, nuk është thjeshtë numri i kompanive të huaja apo diversiteti i hartës nga SHBA, në Estoni, Gjermani e deri në Azi, por është fakti që ka interes të lartë nga institucione akademike”, theksoi Rama.

Megjithatë, tha Rama, qëllimi ynë nuk është vetëm të kemi sa më shumë kompani të huaja në Park, por të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare.

Kryeministri vuri në dukje se disa nga start-up-et që janë mbështetur nga qeveria që në qelizë, të kthyera në kompani të reja, bëhen anëtarë të Parkut.

Kryeministri informoi se ka filluar procesi për tre universitete të mirënjohura italiane dhe ka interes edhe nga universitete të tjera.

“Kjo na bën të shohim pak kornizën rregullatore që t’u japim mundësi institucioneve akademike të hyjnë në këtë shoqëri digjitale”, tha më tej Rama.

Përmes mbështetjes strategjike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Durana Tech Park synon të tërheqë investime të huaja dhe vendase, ndërsa nxit zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar. Me fokus në kërkimin, inovacionin dhe prodhimin në sektorin e teknologjisë, ky park teknologjik është projektuar për të krijuar një grup ekspertësh të aftë dhe për të shtyrë përpara rritjen ekonomike.

Durana Tech Park ofron një regjim tatimor shumë të favorshëm, i krijuar enkas për të maksimizuar fitimin e kompanive rezidente në techpark: 0% TVSH dhe 0% tatim mbi fitimin për kompanitë rezidente, si një avantazh i madh krahasuar me rajonin, ku TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin mund të arrijnë deri në 20% dhe 15%, respektivisht. 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vite për punonjësit. Kontributet shoqërore për punonjësit kufizohen në 95 euro/muaj, me një kontribut të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore prej vetëm 3,4%, duke sjellë kursime të mëdha në kostot e punës.

Durana Tech Park është vendosur në Xhafzotaj. Vendndodhja është strategjike për shkak të afërsisë së saj (15 minuta) me Portin e Durrësit (më i madhi në Shqipëri dhe një nga më të mëdhenjtë në Adriatik) dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (20 minuta).

Gjithashtu garanton akses në tregjet më të mëdha dhe më të kualifikuara të punës në vend (Tirana dhe Durrësi), ku përqendrohen 75% e institucioneve të arsimit të lartë dhe qendrave kërkimore.

Zona është mjaft e madhe, me një sipërfaqe prej rreth 26 ha gjithsej. Kjo pronë është e ndarë në tri pjesë të veçanta që nuk janë direkt të lidhura, edhe pse janë pranë njëra-tjetrës. /j.p/r.e/

The post Durana Tech Park pret “banorët” e parë, Rama: Interes i lartë nga kompani të huaja, produkt konkret i një vizioni që dukej utopik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌