Normal view

Irani vendos 30 mijë dollarë shpërblim për këdo që kap ose vret një ushtar amerikan

16 August 2026 at 12:56

Gjeneralmajor Amir Hatami, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit, njoftoi të dielën se një shpërblim prej 30mijë dollarësh do t’i jepet çdo force iraniane që kap ose vret një anëtar të shërbimit pushtues amerikan.

“Çdo forcë iraniane që arrin të kapë ose vrasë një agresor amerikan do të marrë një shpërblim prej 30,000 dollarësh”, citohet të ketë thënë komandanti i ushtrisë iraniane, Amir Hatami.

Duke folur të dielën, Gjenerali Hatami deklaroi se me pjesëmarrjen e publikut, çdo forcë iraniane që kap ose vret me sukses një personel ushtarak pushtues amerikan do të marrë një çmim prej 30,000 dollarësh të financuar në emër të popullit iranian.

Zyrtarët iranianë kanë promovuar edhe më parë shpërblime për vrasjen e presidentit të SHBA-së Donald Trump. Më 15 maj, ligjvënësi i lartë Ebrahim Azizi tha se një masë e propozuar parlamentare përfshinte një shpërblim prej 50 milionë eurosh për vrasjen e Trump.

Atentati i dështuar në Elbasan, 52-vjeçari donte të hakmerrej për plagosjen e të vëllait pas 15 vitesh

16 August 2026 at 12:43

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i dështuar i ndodhur një ditë më parë në një lokal në hyrje të Elbasanit, ku shënjestër ishte 50-vjeçari E. K. Për ngjarjen është arrestuar 52-vjeçari P. B., i cili, sipas burimeve hetimore, ka deklaruar se motivi i sulmit lidhet me një ngjarje të ndodhur vite me pare,

Para hetuesve, 52-vjeçari mësohet të ketë pretenduar se E. K., kishte plagosur vëllain e tij vite më parë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore. Sipas këtij versioni, atentati ishte kryer si akt hakmarrjeje për atë ngjarje, raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu.

Një tjetër version vjen nga vetë shënjestra e sulmit. E. K., ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar dhe se dy familjet jetonin në të njëjtën lagje pa pasur konflikte për rreth 15 vite.

Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, përfshirë mundësinë e një konflikti më të fundit mes autorit të dyshuar dhe shënjestrës. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë të ngjarjes dhe për të rindërtuar dinamikën e atentatit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës, në një lokal në hyrje të Elbasanit, i cili në atë moment ishte i mbushur me klientë. Atentati nuk shkaktoi viktima, pasi arma e përdorur dyshohet se nuk funksionoi në momentin kur autori tentoi të qëllonte.

I nxori amnistia, rikthehen në burg! Avokatët: Institucionet kanë dështuar në rehabilitimin e të dënuarëve

16 August 2026 at 12:33

“Ndoshta mund të rikthehem prapë. Në Shqipëri nuk mund të jetosh pa shkelur ligjin. Nuk jetohet pa përkrahje”

Kjo ishte një deklaratë e një të burgosuri që përfitoi nga ulja e dënimit më 15 korrik duke lënë qelitë e Fierit. Një rrëfim përpara mediave qe u komentua gjërësisht, por nga ana tjetër për eskpertët tregon një realitet duke nxjerrë në pah edhe efektët negative të ligjit për amnistinë.

Rasti konkret i përket Mariglen Gashit, 36-vjeç i cili një ditë pasi doli nga burgu pasi përfitoi nga amnistia kreu disa krime. Konkretisht pa kaluar 24 orë në liri, Marigleni kreu dy grabitje në Plug të Lushnjes. Madje një lokali që grabiti i vuri dhe zjarrit. Në këto kushte pa kaluar 3 ditë në liri, i riu u kthyer sërish në burg.

Avokati Arbër Hoxha shprehet se pas daljes nga burgu, të dënuarit e kanë të vështirë jetesën për shkak të mungesës së rehabilitimit siç është mësimi i një zanati gjatë vuajtes së dënimit.

“Duhet që këtyre personave të cilët janë të dënuar me burgim duhet ti jepet mundësia reale e punësimit. Jo vetëm e punësimit, por edhe për të mësuar një ose disa zanate, të cilat parashikohen në ligj, por fatkeqësisht nuk aplikohen në praktikë. Patjetër që jeta e këtyre personave që janë të dënuar dhe rehabilitimi i tyre në shoqëri do të ishte shumë herë më i lartë”, tha avokati Arbër Hoxha.

Shpesh herë të dënuarit përballen me situate te vështirë kur lirohen. Avokati shton se rruga e ligjshme pë rata shpesh herë është e papërballueshme për shkak se nuk mund të fitojnë të ardhura.

“Kur një person dënohet me burgim, ora i qëndron aty, pra i ngel aty. Kur të dalë jashtë, ai patjetër duhet të gjenerojë të ardhura. Tani ka dy rrugë. Ose rrugën e paligjshmërisë, të cilin ai e kishte zgjedhur më përpara, ose rrugën e ligjshmërisë. Por rruga e ligjmërisë është e vështirë edhe për personat që kanë qënë jashtë, jo më për një person i cili vjen nga ambjentet e burgimit dhe pa asnjë zanat dhe pa asgjë tjetër si do ta fitojë një jetesë të ligjshme?”, shtoi avokati.

Një dështim te institucioneve e quan avokati mungesne e rehabilitimit të të burgosurve.

“Besoj se është dështimi i institucioneve, qoftë edhe të Ekzekutimit të Vendimeve Penale që këta persona të cilët janë dënuar dhe kanë përfituar nga amnistia nuke rehabilitohen, por rikthehen aty. Pra është një dështim i institucioneve dhe jo një dështim i ligjit për amnistinë”, tha ai.

Jo vetëm rasti i Mariglen Gashit, por gjatë një muaji kur nisi zbatimi i amnistisë janë identifikuar disa raste kur policia ka arritur të arrestojë disa autorë krimesh kryesisht grabitje por edhe drogë. Ata rezultuan se sapo kishin dalë nga buru, e ndërsa shijuan vetëm pak ditë lirinë u rikthyen sërish në qeli.

Konkursi i pranimit në Mjekësi, të hënën garohet për 500 kuota të lira

16 August 2026 at 12:25

Maturantët që synojnë të vijojnë studimet e larta për Mjekësi do t’i nënshtrohen të hënën konkursit të pranimit. Nga data 17 deri më 21 gusht, kandidatët që e kanë përzgjedhur Mjekësinë si një nga preferencat e tyre do të zhvillojnë provimin e informatizuar, i cili konsiderohet një nga etapat më të rëndësishme në garën për t’u bërë pjesë e Universitetit të Mjekësisë.

Këtë vit do të garojnë 1,500 kandidatë për 500 kuota të lira në programin e Mjekësisë së Përgjithshme.

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar kalendarin e zhvillimit të konkursit hyrës të Mjekësisë. Të gjithë kandidatët, nëpërmjet listës emërore të publikuar, do të mund të gjejnë ditën dhe orën që u është përcaktuar për t’iu nënshtruar provimit.

Provimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të përmbajë 50 pyetje, të përzgjedhura nga një fond prej rreth 3 mijë pyetjesh, ku përfshihen edhe pyetje me nivel të lartë vështirësie.

Testimi do të zhvillohet përpara kompjuterit, në pesë fasha orare, ndërsa në çdo sallë do të jenë të pranishëm deri në 60 maturantë.

I gjithë procesi do të monitorohet me kamera, me synim garantimin e transparencës dhe integritetit të konkursit.

Rezultati përfundimtar do të llogaritet duke kombinuar 30 për qind të pikëve të konkursit me 70 për qind të mesatares së arsimit të mesëm.

Kandidatët fitues pritet të shpallen në fund të muajit gusht.

Ashtu si edhe vitin e kaluar, studentët që do të pranohen në programin e Mjekësisë do të nënshkruajnë kontratën që i detyron të ushtrojnë profesionin për tre vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Arrestohet 44 vjeçari në Pogradec, iu gjet në banesë automatik dhe fishekë (EMRI)

16 August 2026 at 12:16

Policia e Pogradecit ka arrestuar 44 vjeçarin Besnik Baçi,në kuadër të operacionit “Befasia”.

Sipas bluve, në banesë, 44 vjeçarit iu gjet një automatik dhe fishekë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i punës parandaluese, bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.

Si rezultat, u ushtrua kontroll në dy banesat që shtetasi B. B. ka në lagjen nr. 3, Pogradec, dhe në fshatin Vërdovë, Pogradec, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, së bashku me municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi B. B., 44 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë avantazhe për studentët, karta studentore pritet të përfshihet në rrjetin europian

16 August 2026 at 12:05

Karta studentore pritet të marrë një dimension të ri në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Rektorja Dragusha bën të ditur se së shpejti do të aplikohet për përfshirjen e saj në një rrjet më të zgjeruar.

“Është një avantazh shumë i madh për studentët tonë. Shumë shpejt do të aplikojmë edhe për rrjetin europian të kartës studentore e cila gjithashtu do të jetë në favor dhe në mbështetje të studentëve tonë”, tha ajo.

Një tjetër prioritet i universitetit mbetet kualifikimi i vazhdueshëm i stafit akademik.

“Kam pasur rastin të firmosin tre pedagogë pwr kalimin nga doktor në profesor të asociuar të tre anëtarëve të stafit të universitetit dhe këto janë arritje të vazhdueshme të stafit tonë” tha rektorja.

Krahas procesit mësimor, rëndësi i kushtohet edhe përfshirjes së studentëve në aktivitete akademike, kulturore dhe sociale.

“Studentët janë në fokus të punës me pjesëmarrjen e tyre në klube studentore, në projekte kombëtare, ndërkombëtare, në konferenca e mundësinë që kanë për t’u përfshirë në mobilitete, në universitetet më të mira kudo në Europë”, u shpreh ajo.

Përfshirja e kartës studentore në rrjetin europian, zhvillimi profesional i stafit dhe aktivitetet jashtë auditorëve janë pjesë e përpjekjeve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” për t’u ofruar studentëve një përvojë më të plotë dhe më pranë standardeve europiane.

Shtohen meshkujt infertilë, mjeku: Kanë ndryshuar stili i jetës dhe faktorët ambientalë

16 August 2026 at 11:56

Infertiliteti nuk lidhet gjithmonë me paaftësinë e femrës për të riprodhuar. Edhe numri i meshkujve infertilë, për fat të keq, është në rritje të shpejtë dhe, sipas mjekëve, kjo lidhet me cilësinë e spermatozoidëve, të cilët pas moshës 40 vjeç dhe pas një stili jete të shkujdesur dëmtohen pa rikthim.

“Infertiliteti mashkullor ka një tendencë në rritje të dukshme gjatë viteve të fundit dhe është aq e vërtetë kjo, saqë ka ndryshime edhe në parametrat e konsiderimit normal të spermogramës përgjatë dekadave dhe ky është trend global. Në vitin 1970, spermograma normale konsiderohej mbi 140 milionë për ml. Në vitin 1990 konsiderohej normale mbi 40 milionë për ml. Sot konsiderohet normale mbi 15 milionë për ml. E njëjta gjë është edhe për shpejtësinë dhe morfologjinë e spermatozoidëve. Morfologjia normale mjafton të ketë 4 spermatozoidë në 100 dhe quhet normale. Dikur ka qenë mbi 40%. Pra, 4% sot quhet normale”, tha Redi Hoxhallari, Zv. Drejtor i Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ndryshimi i parametrave të spermogramës tashmë ka lidhje të provuar me faktorët socialë dhe ambientalë, por meshkujt kanë ende në dorë të shmangin disa ndikime në qelizën riprodhuese.

“Stresi oksidativ në organizëm mund të japë dëmtime dhe ndonjëherë edhe të parikthyeshme të funksionit, shpejtësisë, lëvizshmërisë dhe formës së spermatozoidit. Edhe faktorë si droga, alkooli, duhani, ushqimi dhe stresi social lidhen direkt me procesin e spermogramës”, tha ai.

Mjekët i shohin veset e të rinjve si faktorë që mund të ndikojnë negativisht në kohën e riprodhimit të tyre. Qelizat tona riprodhuese nuk na i falin kollaj gabimet e bëra me trupin tonë në rini, ndaj mjekët apelojnë për edukim të hershëm.

“Duhet të fillojë informimi dhe edukimi shumë më herët se koha kur fillojmë të mendojmë për familje. Duhet të fillojmë që në shkollë, e cila këtë punë duhet ta bëjë më mirë”, tha mjeku.

Dhuna ndaj shefit të Krimeve në Sarandë, reagon Këlliçi: Tregon fuqinë e të fortëve të lidhur me qeverinë

16 August 2026 at 11:45

Një ngjarje e rëndë që tregon fuqinë që kanë të fortët e lidhur me qeverinë dhe pafuqinë e uniformave blu, e cilëson nënkryetari i PD-së dhe deputeti Belind Këlliçi, dhunimin e shefit të Krimeve në Sarandë.

Duke iu referuar lajmit, Këlliçi thekson se shefi i krimeve në Sarandë, i cili është futur për të shuar një sherr, “është dhunuar nga klima që Edi Rama ka krijuar në këto 13 vite, ku bandat që janë shtabet e tij elektorale në zgjedhje, funksionojnë mbi ligjin dhe nuk përfillin as policinë as shtetin”.

Postimi i plotë i Këlliçit:

Dhunimi i shefit të krimeve në Sarandë në krye të detyrës, siç raportojnë mediat, është një ngjarje e rëndë që tregon fuqinë që kanë të fortët e lidhur me qeverinë dhe pafuqinë e uniformave blu.

Në qytete të vogla si Saranda po dhe kudo tjetër, ata që kanë bërë fushatë e vota për ‘rilindjen’, janë mbi ligjin dhe sundojnë e dhunojnë qytetarët. Policia vihet në shërbim të tyre.

Kjo klimë padrejtësie ka sjellë revoltën që kanë sot njerëzit kudo në Shqipëri.

Shefi i krimeve në Sarandë që sipas të dhënave mediatike, është futur për të shuar një sherr, është dhunuar nga klima që Edi Rama ka krijuar në këto 13 vite, ku bandat që janë shtabet e tij elektorale në zgjedhje, funksionojnë mbi ligjin dhe nuk përfillin as polcinë as shtetin.

Në jo pak raste, është bërë e njohur që organizatat kriminale kanë emëruar shefa komisariatesh e drejtorë policie. Në këto kushte, ngjarje si kjo e Sarandës kanë për të ndodhur sa kohë Edi Rama të jetë në krye të qeverisë e krimi të emërojë kupolën e policisë së shtetit.

Dështon tentativa e dytë e emigrantëve nga Maroku për të hyrë në Ceuta, 111 persona të arrestuar

16 August 2026 at 11:37

Policia marokene ka ndaluar të paktën 111 persona një ditë më parë, pasi ata tentuan të kalonin kufirin drejt Ceutës, territorit spanjoll në Afrikën e Veriut. Përpjekja për kalim ndodhi në një kohë kur autoritetet në të dyja anët e kufirit kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë, pas thirrjeve në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv të emigrantëve.

Sipas një burimi nga Ministria e Brendshme e Marokut, 109 prej të ndaluarve ishin emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane, ndërsa dy të tjerë ishin shtetas marokenë. Ata u ndaluan në qytetin Fnideq dhe në zonat përreth tij, përballë Ceutës.

Sipas agjencisë spanjolle EFE, policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e emigrantëve që ishin mbledhur në kodrat rreth 3 kilometra larg kufirit

Në Ceuta, ushtarë spanjollë u vendosën për të ruajtur supermarketet, ndërsa policia shtoi patrullimet në rrugët kryesore të qytetit. Situata ishte më e qetë krahasuar me ditët pas përpjekjes së përgjakshme për kalimin e kufirit më 30 korrik.

Gjatë asaj ngjarjeje, më shumë se 72 mijë migrantë u dyndën drejt Ceutës, ndërsa të paktën 96 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të arritur në territorin evropian. Ngjarja shkaktoi tensione brenda Bashkimit Evropian dhe nxiti reagime të forta nga partitë e krahut të djathtë dhe kundër emigracionit në vende të ndryshme.

Pas fluksit të madh, Madridi ka vendosur një barrierë detare dhe ka dërguar më shumë se 500 policë shtesë nga Spanja kontinentale. Numri i përgjithshëm i forcave të policisë në Ceuta ka kaluar në mbi 1,600 efektivë. Ministria e Brendshme spanjolle ka deklaruar se përforcimet do të qëndrojnë në zonë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Do të vazhdojmë të dërgojmë çdo numër efektivësh që nevojitet për të rikthyer normalitetin sa më shpejt dhe për të parandaluar që ngjarje si ajo e 30 korrikut të përsëriten”, tha të enjten ministri i Brendshëm spanjoll Fernando Grande-Marlaska.

Sipas ministrit, rreth 5,000 emigrantë ndodheshin ende në Ceuta. Reuters raportoi se qindra prej tyre po qëndronin nën streha të improvizuara prej bambuje në plazhin urban El Trampolin, duke kërkuar mbrojtje nga temperaturat e larta.

Ministri i Brendshëm Grande-Marlaska tha se emigrantët që kanë hyrë në mënyrë të parregullt nuk do të lejohen të qëndrojnë në Ceuta, të udhëtojnë drejt Spanjës kontinentale apo të marrin status të ligjshëm, përveç rasteve të rralla kur bëhet fjalë për persona në gjendje të jashtëzakonshme vulnerabiliteti. Ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë do të kthehen në Marok, tha ai.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet marokene deklaruan se po monitoronin postime dhe mesazhe në rrjetet sociale, me origjinë të paqartë, që bënin thirrje për një kalim masiv të kufirit më 15 gusht. Rabati paralajmëroi se organizatorët dhe pjesëmarrësit do të ndiqeshin penalisht.

Plas mes organizatorëve! Gazetarja ironizoi protestën, aktivistët “i sulen”: Negativitet! Po merrni në qafë popullin…

16 August 2026 at 11:27

Një përplasje e ashpër virtuale ka ndodhur mes organizatorëve të protestës qytetare, në ditën e 77-të të ashtuquajturës “Revolucioni Flamingo”, shkak për të cilat është bërë mënyra e organizimit dhe marshimi i zakonshëm nëpër rrugët e kryeqytetit.

Përplasja ka nisur menjëherë pas një publikimi të bërë nga gazetarja e turizmit Flora Xhemani Baba e cila ironizoi thirrjen për marshim, duke e krahasuar atë me xhiro të darkës ose siç thuhet në zhargonin e përditshëm “me çunat”.

“Me frikën se mos ndonjë “grup rebel” nga Diaspora dilte nga rreshti e bënte ndonjë të pabërë, Shtabi i Përgjithshëm doli me udhëzime të qarta; deri në 9.30 me Mikrofonin, pas orës 9.30, me çunat. S’ka au iu…!” shkroi gazetarja krahas videos së publikuar në të cilën shfaqej aktivistja Sidorela Vatnikaj duke bërë thirrje për marshimin e radhës në Tiranë.

Reagimi i kësaj të fundit nuk ka vonuar. Brenda pak minutash Vatnikaj i është kundërpërgjigjur gazetares duke e cilësuar reagimin e saj si negativitet dhe fake news.

“Çfarë ndryshimi ka marshimi i sotëm i nisur pas 21:30 nga marshimi që ndodh çdo ditë në të njëjtën orë? Nuk ka asnjë ndryshim dita e sotme. Megjithatë, më bën përshtypje që të paska bërë përshtypje një fjali që tregon diçka që ndodh për natë, më shumë sesa thirrjet kundër krimit e korrupsionit. Bëhu pjesë e lëvizjes që po ndryshon Shqipërinë, negativiteti dhe fake news nga rrjetet sociale nuk të vlejnë as ty vetë, lëre më Shqipërisë. Nesër më shumë!” u përgjigj Sidorela Vatnikaj.

Menjëherë pas Sidorelës kanë reaguar dhe aktivistë të tjerë të cilët kanë mbështetur “Revolucionin Flamingo” që në ditët e para të protestës. Në mesin e tyre Luçiana Kokaj dhe Artion Zotkaj, të cilët shkruajnë se përmes këtij reagimi gazetarja Flora Xhemani Baba ka lënë të kuptohet se nuk është pro protestës, ndryshe nga seç ka pretenduar.

Mirëpo gazetarja nuk e ka lënë me kaq. Ajo i është kundërpërgjigjur dyshes aktiviste, duke u thënë se është për të ardhur keq që nuk e kanë kuptuar akoma se kështu po marrin në qafë një popull të tërë.

Reagimet:

Luciana Kokaj

Keto statuset kundër protestes i sherbejne vetem atyre qe se duan protesten, dhe statuse te tilla nga njerez qe pretendojne se e duan protesten si kuptoj.

Artion Zotkaj

Kush fiton nga kjo gje ? Keni dite qe te sinkronizuar keni filluar te flini, me mullixhiun per inat te vjerres. Ne fund fare kuvendi do pjelli nje parti se protesten se therret dot.

Reagimet e gazetares:

Luciana Kokaj vetëm ti nuk duhet të kishe komentuar në këtë postim. Kushdo tjetër le të ishte.

Artion Zotkaj është për të ardhur keq që nuk e kuptoni (ose nuk ju plas), që po merrni më qafë një komb.

Qindra të arrestuar për zjarret në Francë, 70% e tyre akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme –

15 August 2026 at 23:00


Gati 500 persona janë arrestuar që nga fillimi i verës në lidhje me zjarret në Francë, e cila po lufton me zjarre të mëdha që kanë djegur qindra mijëra hektarë tokë.

Ministria e Brendshme tha se 474 persona janë arrestuar që nga 1 korriku, përfshirë 183 të mitur.
70% e të arrestuarve akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa 30% janë për zjarrvënie nga pakujdesia.

Një djalë 15-vjeçar është në paraburgim për një zjarr në Bordeaux, në të cilin vdiqën dy zjarrfikës. Ndërkohë, Franca vazhdon të përballet me fronte të mëdha.

Të premten, më shumë se 500 banorë të një fshati në Francën jugperëndimore u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të një zjarri që përfshiu një pyll me pisha. Thatësira e zgjatur në rajon i dha zjarrit përmasa shumë të mëdha.

Tërheqje masive e vezëve në SHBA për shkak të shpërthimit të salmonelës, rreth 100 persona të sëmurë –

15 August 2026 at 20:19


Një tërheqje masive e vezëve është registruar në SHBA, ndërsa zyrtarët hetojnë një shpërthim të salmonelës që ka sëmurë gati 100 persona.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave më 12 gusht riklasifikoi tërheqjen e gati 1.6 milion vezësh të bardha dhe kafe të kultivuara në kafaz, për shkak të shqetësimeve se ato mund të jenë të kontaminuara me salmonelë.

Tërheqja tani është përcaktuar si klasa I, të cilën FDA e përcakton si “një situatë në të cilën ekziston një probabilitet i arsyeshëm që përdorimi ose ekspozimi ndaj një produkti të paligjshëm do të shkaktojë pasoja serioze negative shëndetësore ose vdekje”.

Të paktën 98 persona në 17 shtete janë sëmurë në shpërthimin e lidhur me vezët e tërhequra nga tregu që nga 24 korriku, me 26 persona të shtruar në spital. Sëmundjet u raportuan midis 21 nëntorit 2025 dhe 30 qershorit 2026.


Home
Kryefaqja

Shiko në:

YouTube

❌