Normal view

Zjarret “pushtojnë” Shqipërinë/ 31 vatra të regjistruara, 11 ende aktive, në terren qindra forca

By: E B
15 August 2026 at 21:01

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 20:00, në territorin e vendit janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon operacioni në një perimetër të gjerë. Janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Janë hapur korridore që kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në terren janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës.

* Abazaj, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; zjarri në Zidoll është në monitorim.

* Lufaj, Mirditë – Vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse, pavarësisht terrenit të vështirë dhe bimësisë së dendur. Nuk ka rrezik për banesat.

* Fushë-Lajë, Pukë – Zjarri mbetet aktiv në terren shumë të thyer, që vështirëson ndërhyrjen e forcave të MZSH. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Gjirokastër – Aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa në të gjitha rastet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

* Gjormë, Selenicë – Vatra është vënë nën kontroll nga MZSH dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Erdogan zgjeron aleancën ushtarake, kërkon Egjiptin në Paktin e Mekës: Marrëveshja është e hapur për vende të tjera

By: E B
15 August 2026 at 20:53

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Egjipti mund t’i bashkohet marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes të nënshkruar së fundmi mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit. Në një intervistë për Al Jazeera-n, Erdogan e cilësoi anëtarësimin e Kajros si një mundësi dhe theksoi se marrëveshja është e hapur edhe për vende të tjera.

Marrëveshja, e njohur si Pakti i Mekës, u nënshkrua në qytetin e shenjtë nga Erdogan, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif. Sipas saj, një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve nënshkruese do të konsiderohet si sulm ndaj të trejave.

Erdogan tha se marrëveshja i ka dërguar një mesazh të rëndësishëm botës dhe se zgjerimi i saj me vende të tjera, përfshirë Egjiptin, është një nga mundësitë që po shqyrtohen. Megjithatë, zyrtarët pakistanezë kanë paralajmëruar se pakti nuk duhet të shihet si një kopje e NATO-s apo si një aleancë e drejtuar kundër një shteti të caktuar.

Gjatë intervistës, Erdogan foli edhe për tensionet në rajon dhe për rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, vazhdimi i mbylljes së Ngushticës nuk i shërben interesave të askujt. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Katarit në përpjekjet diplomatike për ndalimin e luftimeve.

Për Sirinë, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e vendit dhe la të kuptohet se planifikon një vizitë atje. Ai deklaroi gjithashtu se kurdët e Sirisë kanë të drejtë të jetojnë në paqee në stabilitet dhe se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e komuniteteve kurde në rajon.

Sa i përket Gazës, presidenti turk tha se Turqia nuk mund ta lërë Gazën vetëm dhe se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbështetur. Erdogan deklaroi se Hamasi po i përmbush angazhimet e tij me mirëbesim, ndërsa kritikoi vazhdimin e luftës nga Izraeli.

Për Libanin, Erdogan shprehu shqetësim të madh për sulmet e vazhdueshme izraelite. Ai tha se gjatë takimeve me presidentin amerikan Donald Trump kishte ngritur nevojën për përfundimin e luftës në Liban dhe nënvizoi rolin e Uashingtonit në ndalimin e konfliktit.

Erdogan foli edhe për Sudanin dhe Libinë, duke deklaruar se Turqia do të vazhdojë t’i mbështesë të dyja vendet. Ai tha se marrëdhëniet me kreun e Këshillit Sovran të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, janë të mira, ndërsa për Libinë deklaroi se marrëdhëniet me Ankaranë mbeten të qëndrueshme.

Në lidhje me Bashkimin Evropian, Erdogan tha se BE-ja nuk duket e gatshme ta pranojë Turqinë si anëtare. Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk është më një prioritet për Ankaranë dhe se në këtë situate, Europa do të jetë ajo që do të humbasë.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte programi i avionëve luftarakë F-35. Erdogan tha se ka marrë një premtim nga Donald Trump për avionët dhe se tani pret që ai premtim të zbatohet. Turqia u përjashtua nga programi shumëkombësh F-35 në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Shtetet e Bashkuara argumentuan se sistemi rus mund të rrezikonte teknologjinë e avionëve amerikanë. Uashingtoni vendosi më pas sanksione ndaj Ankarasë në kuadër të ligjit CAATSA.

Trump ka deklaruar se administrata e tij do të shqyrtojë mundësinë e rikthimit të Turqisë në programin F-35. Megjithatë, çështja përballet ende me pengesa në Kongresin amerikan dhe me kufizime ligjore që lidhen me mbajtjen nga Turqia të sistemit S-400.

Deklaratat e Erdogan tregojnë se Ankaraja po synon të forcojë bashkëpunimin strategjik me vendet kryesore të Lindjes së Mesme dhe Azisë, ndërsa një zgjerim i Paktit të Mekës me Egjiptin do t’i jepte marrëveshjes një peshë edhe më të madhe politike dhe ushtarake në rajon.

Rikthehen mashtrimet me SMS dhe WhatsApp, Policia paralajmëron: Mos klikoni linqet, rrezikohen llogaritë bankare

By: E B
15 August 2026 at 20:43

Mesazhet mashtruese përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit janë rikthyer sërish, ndërsa Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm.

Bëhet fjalë për skema të njohura si “phishing”, që synojnë marrjen e të dhënave bankare dhe personale. Mashtruesit paraqiten si përfaqësues të bankave dhe u kërkojnë qytetarëve të verifikojnë apo përditësojnë llogaritë e tyre.

Në mesazhe zakonisht përfshihen edhe linke të dyshimta, të cilat mund të çojnë në faqe të rreme. Përmes tyre, autorët synojnë të marrin kredencialet e e-banking, PIN-in dhe të dhënat e kartave bankare.

Policia këshillon qytetarët të mos klikojnë në linke të ardhura nga numra të panjohur apo të dyshimtë. Gjithashtu, asnjëherë nuk duhet të ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna të kartës bankare.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të njoftimeve të herëpashershme të bëra nga Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e mashtrimeve online dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, nisur edhe nga fakti që, ditët e fundit, janë konstatuar raste të mesazheve mashtruese të dërguara përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in, nga numra të ndryshëm telefoni, sqarojmë qytetarët se:

Në këto mesazhe, autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare dhe u kërkojnë qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogarinë apo të kryejnë veprime të tjera, duke klikuar në një link të përfshirë në mesazh.

Bëhet fjalë për skema mashtrimi të tipit “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit (OTP), si dhe të dhënave të kartave bankare. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.

Për t’u mbrojtur nga këto mashtrime:

Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë.

Mos jepni asnjëherë fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare.

Përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare, kontrolloni me kujdes adresën e faqes së internetit dhe sigurohuni që po përdorni kanalet zyrtare të bankës.

Bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta. Për çdo paqartësi, kontaktoni bankën vetëm përmes numrave dhe kanaleve të saj zyrtare.

Nëse keni klikuar në një link të dyshimtë ose keni dhënë të dhënat tuaja bankare:

Kontaktoni menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë dhe për të marrë masat e nevojshme.

Ndryshoni menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare.

Raportoni rastin në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në çdo drejtori vendore.

Policia e Shtetit apelon për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi.

Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.

Masakër në Libanin e Jugut/ 11 të vrarë nga sulmet izraelite, mes viktimave 3 fëmijë dhe 2 gra

By: E B
15 August 2026 at 20:32

Të paktën 11 persona u vranë nga sulmet izraelite në jug të Libanit, në një nga ditët më të përgjakshme që prej njoftimit të një marrëveshjeje synonte uljen e tensioneve, ne muajin qershor. Kryeministri libanez, Nawaf Salam, tha se shtatë persona u vranë në një sulm ndaj një banese në periferi të Ansarit. Mes viktimave raportohet se janë tre fëmijë dhe dy gra. Autoritetet bënë me dije se në banesë strehoheshin familje të zhvendosura.

Më vonë, një tjetër seri sulmesh goditi qytetin Deir al-Zahrani, ku katër persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur atë që e cilësoi si “infrastrukturë terroriste të Hezbollahut”, në përgjigje të një veprimi të mëparshëm kundër ushtarëve izraelitë.

Por autoritetet libaneze vunë në dukje se sulmet kishin shënjestruar civilë duke i cilësuar ato si “shkelje të përsëritura” të marrëveshjes.

Evropa përfshihet nga zjarret masive, mijëra të evakuuar dhe dhjetëra mijëra hektarë pyje të djegura

By: E B
15 August 2026 at 20:26

Evropa po vazhdon të përballet me një seri zjarresh shkatërruese, ndërsa kontinenti përballet me kushte më të nxehta dhe thatësira që përkeqësohen, me mijëra njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në Francë, autoritetet thanë se 100 banorë dhe pushues të tjerë u evakuuan nga qyteti Luglon në departamentin jugperëndimor të Landes të shtunën, ndërsa një zjarr që shpërtheu të enjten vazhdoi të digjej.

Në një përditësim të shtunën në mëngjes, Prefektura e Landes tha se flakët kishin djegur rreth 1,580 hektarë deri më tani dhe se ishin “veçanërisht aktive” në juglindje të Luglon, afër fshatit Garein.

“Në total, 550 zjarrfikës janë aktualisht të mobilizuar për të luftuar përhapjen e zjarrit. Burimet ajrore do të rifillojnë rotacionin e tyre”, shtoi ajo.

Në rajonin Eifel të Gjermanisë, një zjarr i madh ka çuar në evakuimin e të paktën 1,800 personave nga Hurtgenwald, ku rreth 1,400 zjarrfikës kanë luftuar me flakët.

Zjarri besohet të jetë zjarri më i madh pyjor në historinë e shtetit të North Rhine-Westphalia.

Ndërkohë, përforcime zjarrfikëse gjermane janë thirrur për të ndihmuar homologët e tyre belgë, të cilët po luftojnë një zjarr tjetër në parkun natyror Fagnes, afër kufirit midis dy kombeve.

Zjarri filloi të premten dhe ka djegur të paktën 16 kilometra katrorë pyll, thanë autoritetet.

Rreth 1,000 persona janë evakuuar gjithashtu në rajonin verilindor të Aragonës në Spanjë, ku një zjarr që ka shkatërruar më shumë se 15,000 hektarë vazhdon të djegë.

Megjithatë, zjarrfikësit thonë se kanë ndaluar përhapjen e tij drejt qendrave të banuara dhe parashikimet e motit në zonë sugjerojnë se temperaturat mund të bien së shpejti, me mundësi edhe për reshje të lehta shiu.

Greqia është gjithashtu në gatishmëri të lartë pasi erërat e forta në pjesë të vendit kanë rritur rrezikun e shpërthimit të zjarreve.

Më shumë se 50 zjarre bujqësore dhe pyjore kanë shpërthyer tashmë në 24 orët e fundit, megjithëse shumica janë vënë nën kontroll, sipas shërbimit zjarrfikës.

Evropa Lindore

Në Kroaci, shërbimet e emergjencës po luftojnë një zjarr të madh në ishullin Dugi Otok, ku janë në veprim më shumë se 100 zjarrfikës dhe dy aeroplanë uji.

240 zjarrfikës dhe tre aeroplanë arritën të vinin nën kontroll një tjetër zjarr në gadishullin e Peljesacit të premten.

Autoritetet serbe thanë të premten në mbrëmje se po luftonin me 25 zjarre pyjore, njëri prej të cilëve tha se kishte shkatërruar 25 kilometra katrorë tokë në parkun kombëtar Deliblatska pranë Beogradit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa ishte në “alarm të lartë për zjarre” dhe se kishte presion në rritje mbi vendet e Evropës Lindore.

Ajo shtoi se satelitët e vëzhgimit të Tokës Copernicus të BE-së “tashmë mbështesin operacionet e hartëzimit” në Spanjë, Shqipëri, Greqi, Francë, Gjermani dhe Serbi, dhe se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i bllokut ishte “atje kur një vend kërkon”.

Tentoi të vriste me armë 50-vjeçarin në Elbasan, arrestohet autori

By: E B
15 August 2026 at 20:10

Policia e Elbasanit ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin e 52-vjeçarit Polic Borici, i cili tentoi të vriste me armë zjarri në mes të ditës në qytet shtetasin Ermir Kërtezi, 50 vjeç, të njohur edhe si Mir Bitoci.

“Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin”, tha policia.

52-vjeçari po qëndronte në lokal bashkë me një grua dhe në momentin që ka parë Bitocin është çuar dhe i ka shkuar nga pas duke i vendosur pistoletën në kokë. Sipas asaj që mëson A2 CNN, arma është bllokuar, ndërsa vetë Bitoci ka reaguar duke u larguar me shpejtësi.

Ende nuk dihen arsyet që e çuan 52-vjeçarin të ndërmarrë këtë veprim.

Rimbursimi i DIVA 2025/ 39 mijë shqiptarë përfitojnë 6.4 milionë euro nga tatimet

By: E B
15 August 2026 at 19:52

Administrata Tatimore po vijon pa ndërprerje procesin e kalimit të fondeve për të gjithë individët që kanë rezultuar përfitues në kuadër të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025. Skema përfshin kthimin e shumave nga tatimi i mbipaguar gjatë vitit financiar, si dhe përfitimet që rrjedhin nga zbritja e parashikuar ligjërisht për fëmijët në ngarkim.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), deri në këtë fazë të procesit numri i qytetarëve që kanë përfituar nga ky kthim e kalon pragun e 39 mijë personave. Përllogaritjet e përditësuara konfirmojnë se shuma e përgjithshme e alokuar në llogaritë e deklaruesve kap vlerën e 6.4 milionë eurove.

Mekanizmi i rimbursimit të tatimit të mbipaguar dhe zbritjes për fëmijët përbën një nga shtyllat kryesore të sistemit të ri të deklarimit vjetor të të ardhurave, me synim garantimin e barazisë fiskale dhe kthimin e drejtpërdrejtë të mjeteve monetare që u takojnë qytetarëve.

Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikonfirmoi ecurinë e këtij procesi administrativ:

“Vijon rimbursimi për individët në kuadër të DIVA 2025. Janë 39,940 individët përfitues nga tatimi i mbipaguar dhe zbritja për fëmijët. Vlera totale e rimbursimit arrin në 6.4 milionë euro. Administrata Tatimore vijon procesin e rimbursimit për individët përfitues.”

Sipas procedurës, të gjitha shumat e konfirmuara nga strukturat e kontrollit tatimor po kalojnë në mënyrë të automatizuar në llogaritë bankare të deklaruara nga vetë individët gjatë plotësimit të formularit të DIVA-s.

President nga zarfi

15 August 2026 at 19:43

Nga Mero Baze

Kriza politike në Kosovë ka hyrë në një spirale që po gëlltit brenda saj shtetin e ri të Kosovës. Albin Kurti është i vendosur ta thellojë krizën, nëse shqiptarët dhe serbët nuk gjunjëzohen para tij dhe t’i dhurojnë gjithë pushtetin që nuk e ka fituar me votë.

Kjo krizë politike, e nisur gati dy vite më parë, ka në qendër të saj populizmin e Albin Kurtit kundrejt SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, që është fuqia elektorale e tij. Duke testuar kufijtë e antiamerikanizmit dhe frymës antiperëndimore në Kosovë, duke përdorur një pjesë trushpëlarë të diasporës së Kosovës, së cilës i ka mbetur ora në vitet tetëdhjetë, dhe populizmin brenda në Kosovë, ai e ka sjellë Kosovën në këtë situatë ku ose duhet pranuar dështimi i shtetit, ose duhet pranuar Albini, edhe pse nuk i ka votat për gjithë pushtetin.

Aleanca e tij me Vjosa Osmanin u shkërmoq, pasi u pa se ajo mund të ishte një mekanizëm për zgjidhjen e krizës, edhe pse vetë ajo ka ndihmuar që Kosova të arrijë në këtë ditë. Ndarja me të u bë pikërisht pse ajo dukej e preferuar e SHBA-së.

Tani opozita e Kosovës ka vetëm një shans: ta ndajë këtë histori si histori antiamerikane dhe kundër Kosovës, ose si histori dorëzimi të tyre para Albin Kurtit.

E përsëris që kjo është një zgjidhje poshtëruese për klasën politike të Kosovës, por është më e mirë sesa poshtërimi i shtetit të Kosovës prej tyre për hir të pushtetit.

Edhe pse është jo dinjitoze për ta, ata duhet t’i drejtohen formulës së presidentit në zarf nga qeveria amerikane, si në vitin 2011.

Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacollit, Kosova rrezikonte të hynte përsëri në krizë institucionale dhe potencialisht në zgjedhje të parakohshme. Më 5–6 prill 2011, Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK) dhe Behgjet Pacolli (AKR) zhvilluan negociata intensive, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Dell, dhe më 6 prill u arrit marrëveshja: të tria partitë do të mbështesnin Atifete Jahjagën, në atë kohë zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë së Kosovës, një njeri krejt i panjohur për skenën politike dhe opinionin publik. I vetmi lajm që gjendej online për të ishte se kishte marrë pjesë në masat e sigurisë gjatë vizitës së Presidentit Bush në Tiranë.

Ishte e qartë se emri i saj u dha në një zarf të mbyllur, siç dhe u përfol publikisht. Edhe pse në momentin kur u zgjodh Atifete Jahjaga presidente, raporti i forcave që vinte nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010 nuk mjaftonte që presidenti të zgjidhej vetëm me votat e tri partive, zgjedhja e saj u arrit në Kuvend edhe me 11 vota të padeklaruara. Pra, u provua që në finale Kosova kishte një kujdestar të saj, SHBA-në, që ndërhyri dhe e zgjidhi krizën.

Sot Kosova është në krizë pikërisht se ka humbur kujdestarin e saj, SHBA-në. Albin Kurti ka luftuar gjatë t’ia arrijë kësaj dite dhe sot në Kosovë kemi për herë të parë skalione antiamerikane që mund t’i ketë zili dhe ISIS-i.

Por kjo nuk ka rëndësi. Testi duhet kryer përsëri. Një opozitë e fragmentuar, që nuk merret dot vesh as për të pirë kafe me njëri-tjetrin dhe që Kurti i relativizon, duke u dhënë detyra shtëpie, duhet të bashkohet në kërkim të një zarfi të ri të mbyllur, për ta ndarë përfundimisht çështjen nëse Kurti e pranon një porosi nga SHBA-ja apo jo.

Presidenti në Kosovë dhe ashtu është një figurë formale dhe nuk ia vlen të hedhësh në erë shtetin e Kosovës për një emër. Kurti s’po kërkon një emër, po kërkon një president që, mes të tjerash, ta përdorë edhe kundër SHBA-së e BE-së, për të vetmen gjë që nuk e përdorte Vjosa Osmanin.

E vetmja frikë që kam është se SHBA-ja mund të thotë: “Nuk dua t’ia di më për ju.” Ky do të ishte dënim me vdekje për shtetin e Kosovës.

Tani ky test duhet bërë, pasi edhe nëse nuk zgjedh presidentin, zgjidh një enigmë të madhe: nëse Kosova është më aleate e SHBA-së apo jo. Nëse me votat e Kurtit kjo aleancë rrëzohet, atëherë situata është më e qartë: Kosova duhet të nisë të riçlirohet nga ata që ishin kundër SHBA-së më 1999.

E dimë të gjithë adresën. E dinin dhe avionët e NATO-s.

“Njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë”

15 August 2026 at 19:34

Në numrin e fundit, revista gjermane “Der Spiegel” ka vendosur në ballinë politikanin Ulrich Siegmund nga partia e djathtë populiste AfD. Siegmund ka gjasa t’i fitojë zgjedhjet e 6 shtatorit në krahinën Sachsen-Anhalt. Në nivel të Gjermanisë, kjo parti ka qëndrime radikale kundër Kosovës.

Nga Enver Robelli 

Më 6 shtator, në landin Sachsen-Anhalt të Gjermanisë Lindore zhvillohen zgjedhjet më të rëndësishme të këtij viti në Gjermani.

Ndonëse është kohë pushimesh, prapë pushim për mediat gjermane nuk ka. Sivjet nuk dominojnë temat e lehta verore, por raportimet e reportazhet e njëpasnjëshme nga Sachsen-Anhalt.

Në këtë land, partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), sipas anketave, mund të fitojë rreth 43 për qind të votave.

Te partitë që me dekada kanë dominuar skenën politike – kristiandemokratët dhe socialdemokratët – ekziston frika se AfD, për herë të parë, mund të marrë drejtimin e një landi gjerman dhe politikani Ulrich Siegmund të bëhet kryeministri i parë nga radhët e AfD-së në një krahinë në Gjermani.

AfD nuk është parti normale. E themeluar më 2013 si reagim ndaj shpëtimit të euros, valutës së përbashkët europiane, nga qeveria e kancelares Angela Merkel, kjo parti me kalimin e viteve është radikalizuar gjithnjë e më shumë.

Me pranimin e rreth 1 milion refugjatëve, kryesisht nga Siria, më 2015 qeveria gjermane ka ngjallur edhe më shumë reagime negative te një pjesë e popullatës.

Shumë gjermanë e shprehin mllefin e tyre duke përkrahur, simpatizuar e votuar AfD-në, e cila nga shërbimi i brendshëm sekret (Verfassungsschutz) në Gjermani, në nivel të vendit, dyshohet si parti e ekstremit të djathtë.

Në Sachsen-Anhalt, shërbimi i brendshëm sekret ka shkuar një hap më tutje dhe e trajton këtë parti si të sigurt ekstremiste.

Në numrin e fundit, revista gjermane “Der Spiegel” e ka vendosur në ballinë Ulrich Siegmundin, i cili është kryekandidat i AfD-së në Sachsen-Anhalt.

Nën fotografinë e Siegmund, “Der Spiegel” shkruan se ky është: “Njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë”.

Reagimet në Gjermani janë të ndryshme. Kritikët besojnë se një ballinë e tillë vetëm ia rrit popullaritetin AfD-së, ndërsa vetë Siegmund tha se ballina ishte “një reklamë e mirë”.

Vëzhgues të tjerë politikë theksojnë se detyrë e mediave është të paralajmërojnë mbi rreziqet që i kanosen Gjermanisë nëse AfD vazhdon të rritet me këtë trend.

Sipas anketave, AfD momentalisht është partia më e madhe në Gjermani – po të mbaheshin zgjedhjet për parlament këtë të diel, atë do ta përkrahnin me votë 28 për qind e votuesve.

Si në politikën e jashtme, ashtu edhe të brendshme, AfD ka qëndrime që nuk përputhen me ato të qeverisë gjermane.

AfD kritikon përkrahjen e Ukrainës nga Gjermania dhe kërkon “normalizimin” e raporteve me Rusinë.

Politikanë të AfD-së kanë paralajmëruar se, nëse partia e tyre arrin të krijojë qeverinë në Sachsen-Anhalt, atëherë në shkolla do të mësohet më shumë rusisht. Po ashtu, synohet që të ketë vizita të shpeshta të nxënësve gjermanë në Rusi.

AfD kërkon që të flitet më pak për nazizmin, një njollë e madhe e historisë gjermane, dhe më shumë për anët pozitive të patriotizmit gjerman.

“Më shumë Bismarck, më pak Hitler” – kjo është parulla e AfD-së në Sachsen-Anhalt.

Nxënësit gjermanë, sipas kësaj partie, më shumë duhet të mësojnë për themelimin e Rajhut gjerman në shekullin e 19-të nën kancelarin Otto von Bismarck.

AfD synon të mbyllë një qendër për edukim politik në Sachsen-Anhalt, e cila, mes tjerash, financon udhëtime të nxënësve në ish-kampet naziste të shfarosjes së hebrenjve.

AfD mban një qëndrim kryesisht proserb dhe kritik ndaj pavarësisë së Kosovës.

Deputeti i AfD-së, Petr Bystron, ka deklaruar se “njohja e Kosovës ka qenë një gabim”.

Ai e ka cilësuar bombardimin e forcave serbe më 1999 nga NATO-ja si të “paligjshëm”.

Sipas Bystronit, qeveria gjermane duhet “t’i kërkojë falje Serbisë për pjesëmarrjen gjermane në bombardime dhe ta anulojë njohjen e Kosovës”.

Më 2023, Bystron kundërshtoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Deputeti tjetër i AfD-së, Markus Frohnmaier, i cili rrjedh nga Rumania dhe është i martuar me një ruse (ish-bashkëpunëtore e gazetës “Izvestija”), e quan Kosovën “projekt të dështuar”.

Sipas tij, edhe pas “kujdesit gjithëpërfshirës” nga NATO-ja, BE-ja, OKB-ja dhe ndihmës zhvillimore gjermane, Kosova mbetet një “konstrukt thellësisht i korruptuar, kriminal dhe i paaftë për të mbijetuar”.

Si shumë deputetë të tjerë, edhe Frohnmaier mban qëndrime të hapura proruse dhe proserbe.

AfD ka kërkuar të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

AfD kundërshton perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa propozon një partneritet të privilegjuar me Bashkimin Europian.

AfD-ja ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e Bundeswehr-it nga misioni i KFOR-it në Kosovë.

Në qershor 2026, të gjithë deputetët e saj që morën pjesë në votim votuan kundër vazhdimit të mandatit gjerman në Kosovë.

Apeli liron Petri Bozon nga burgu, i jep “arrest shtëpie” pas aksidentit fatal

By: E B
15 August 2026 at 19:22

Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit ndaj regjisorit Petri Bozo, duke zëvendësuar masën “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.

Bozo u arrestua, pasi përplasi për vdekje të miturin7-vjeçar në aksin nacional Elbasan-Librazhd.

Aksidenti tragjik ndodhi paraditen e 25 majit. 7-vjeçari po kalonte rrugën së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë.

Pas ngjarjes Petri Bozo dëshmoi në polici se nuk e kishte vënë re fëmijën edhe pse lëvizte me shpejtësi të ulët. Madje kishte përshëndetur edhe policin para se të godiste për vdekje të miturin.

Rama për mediat britanike: Protestat nuk përfaqësojnë shqiptarët, algoritmi bëri shumë për t’i sjellë njerëzit në bulevard

By: E B
15 August 2026 at 18:56

Kryeministri Edi Rama ka thënë për median britanike “UnHerd” se protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Shqipëri nuk janë më të njëjta me ato të qershorit.

Sipas tij, në protestat e fundit janë përfshirë më shumë parti politike dhe grupe të opozitës, përfshirë edhe forca të ekstremit të majtë dhe të djathtë.

Rama tha se, pavarësisht tensioneve, ai është “shumë krenar” që protestat kanë zhvilluar për ditë me radhë në mënyrë kryesisht paqësore.

Sipas kryeministrit, fakti që qytetarët mund të protestojnë në bulevard pa u penguar tregon se Shqipëria po sillet si një vend normal evropian, ku protestat janë pjesë e jetës demokratike.

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu idenë se protestat përfaqësojnë të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ai argumentoi se një pjesë e rëndësishme e protestuesve të fundit janë të lidhur me partitë opozitare dhe grupime politike që kërkojnë përmbysjen e qeverisë.

Rama u shpreh se rrjetet sociale kanë luajtur një rol të madh në mobilizimin e protestuesve.

Sipas tij, një përqindje e lartë e përmbajtjeve që kanë nxitur protestat është prodhuar jashtë Shqipërisë.

Ai e lidhi këtë veçanërisht me përfshirjen e Jared Kushner, Ivanka Trump dhe debatit rreth projekteve turistike në Shqipëri.

“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë njerëzit në bulevard”, tha Rama, duke argumentuar se lidhja e protestave me Kushner dhe familjen Trump ka bërë që ato të marrin më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo çështje ka tërhequr edhe persona që janë kundër Donald Trump dhe e kanë amplifikuar protestën në rrjetet sociale.

Në lidhje me projektet në Zvërnec dhe Sazan, Rama ka mbrojtur më herët qëndrimin se protestat nuk duhet të interpretohen si provë se projektet kanë nisur apo se janë cenuar tashmë zonat e mbrojtura.

Në artikullin e “UnHerd” Rama paraqitet si një kryeministër që e sheh situatën aktuale jo si një krizë të regjimit, por si shprehje të pakënaqësisë politike dhe sociale në një Shqipëri që, sipas tij, ka ndryshuar ndjeshëm ekonomikisht gjatë viteve të qeverisjes së tij.

Greqia në alarm nga zjarret, rrezik shumë i lartë në Atikë, Kretë dhe ishujt e Egjeut

By: E B
15 August 2026 at 18:43

Greqia do të mbetet në gatishmëri të lartë për zjarret të dielën, me autoritetet që lëshuan një paralajmërim për rrezik zjarri të kategorisë 4, ose shumë të lartë, për Atikën, duke përfshirë ishullin e Kythirës, rajonet e Viotisë dhe Evisë, duke përfshirë Skyros, ishujt e Ciklades dhe Kretën.

Paralajmërimi i Kodit të Kuq bën thirrje për mobilizim të plotë të personelit dhe pajisjeve të emergjencës dhe u kërkon autoriteteve lokale dhe rajonale të aktivizojnë organet e koordinimit të emergjencës dhe të përgatiten për zjarre të mundshme në pyje.

Shërbimi kombëtar i motit parashikoi kryesisht qiell të kthjellët, me erëra veriore 6 deri në 7 ballë të shkallës Beaufort në Egje dhe erëra lokalisht më të forta në Greqinë lindore. Erërat pritej të dobësoheshin më vonë të dielën.

Temperaturat parashikoheshin të arrinin 32 deri në 34 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit, me temperatura maksimale prej 35 gradësh në pjesë të kontinentit dhe Dodekanezit. Në Atikë pritej të arrinte 32 deri në 33 gradë.

Erëra të forta do të vazhdojnë të hënën, veçanërisht në Egje, ndërsa temperaturat do të mbeten kryesisht të pandryshuara. Reshje të shpërndara dhe stuhi të izoluara janë të mundshme në zonat malore.

Autoritetet u bënë thirrje banorëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin aktivitetet që mund të shkaktojnë zjarre, ndërsa vazhdojnë kushtet e nxehta, të thata dhe erërat e forta.

Ambasadori shqiptar në Britani ngre alarmin: Emigrantët po përdoren politikisht

By: E B
15 August 2026 at 18:24

Shqiptarët nuk po dynden më ilegalisht drejt Britanisë së Madhe, por pavarësisht kësaj, ambasadori i Shqipërisë në Londër, Uran Ferizi, shpreh shqetësimin se ata vazhdojnë të stigmatizohen dhe të keqpërdoren për qëllime politike në këtë vend.

“Një pakicë e zëshme në politikën dhe median britanike po e mban gjallë krizën e emigracionit të shqiptarëve shumë kohë pasi ajo ka përfunduar sipas të dhënave. Mbërritjet ranë me shpejtësi dhe Britania po vazhdon të flasë për shqiptarët sikur viti 2022 të mos kishte përfunduar kurrë.”

Viti 2022 shënoi kulmin e dyndjes së shqiptarëve me varka drejt Britanisë së Madhe përmes Ngushticës së La Manshit, me më shumë se 12 mijë persona në një vit. Që nga ajo kohë, sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme britanike, numri ka rënë duke arritur nivele të papërfillshme. I cituar nga The Guardian, Ferizi ia faturon dyndjen e asaj kohe politikës së padrejtë të dhënies së vizave për shtetasit nga Shqipëria, që ndiqte qeveria britanike.

“Kur rruga ligjore është më e vështirë se për vendet e tjera të rajonit, nuk mund të diskutosh rrugën e paligjshme sikur të dyja të mos kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën.”

Ferizi shprehet se politikat shtrënguese të vizave nga vetë Londra shtynë të rinjtë drejt rrjeteve të trafikut, pasi mes viteve 2018–2025 normat e miratimit të vizave për shqiptarët ishin vetëm 65.5%, përkundrejt 90% për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, periudhë kur shqiptarëve iu refuzuan mbi 70 mijë aplikime.

Ministria e Mbrojtjes: 23 vatra zjarri në Shqipëri, 13 ende aktive, ja zonat më problematike

By: E B
15 August 2026 at 18:08

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 17:00, në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Në operacionet e sotme janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër – Mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 ha pyll pishe dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.

Abaze, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

Lufaj, Mirditë – Vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat.

Fushë-Lajë, Pukë – Vatra mbetet aktive në terren të thyer, i cili vështirëson ndërhyrjen; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjirokastër – Aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj. Strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Vlorë – Aktive janë vatrat në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Në Gjormë vatra është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen. Nuk ka rrezik për banesat.

Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

Miti i diasporës së ndriçuar politikisht

15 August 2026 at 17:53

Nga Bjorn Runa

Sa herë që Shqipëria përballet me kriza apo ngërçe politike në dukje të pazgjidhshme, ka një fantazi romantike se si të dilet prej tyre dhe që lidhet gjithmonë me idenë se herët ose vonë, diaspora do të vijë për të na shpëtuar.

Është një lloj bindjeje se shqiptarët që jetojnë jashtë janë më të lirë sepse nuk varen nga një punë në shtet dhe më të ditur sepse e kanë parë si funksionon Europa dhe bota. I ngjan pak a shumë mentalitetit të babait të pagdhendur por të urtë në filmat Anagnostit, i cili e këshillon gjithmonë të birin se xhaxhai a një fqinj i ardhur nga jashtë, duhet dëgjuar sepse “ka parë botë me sy” dhe “di ç’është Amerika,” sikur qytetaria të jetë diçka që mund të përftohet përmes një osmoze politike.

Arsyet pse një ide e tillë dominon kaq fort janë natyrisht historike. Shumica e lëvizjeve tona kombëtare janë zhvilluar nga shkrimtarë dhe intelektualë që kanë jetuar e punuar jashtë vendit. Por problemi qëndron se përgjatë viteve, kemi marrë cilësitë e disa njerëzve jo të zakonshëm për t’ia atribuuar një kategorie të tërë shoqërore, siç është diaspora. Harrojmë se rilindasit të cilët i kujtojmë sot, ishin të rëndësishëm pikërisht sepse nuk ishin njerëz të thjeshtë.

E premtja na e kujtoi këtë. Ashtu sikurse qe njoftuar, diaspora iu bashkua protestës së 76-të në Tiranë. Shifrat ishin disi më modeste krahasuar me ato të 20 qershorit, por nuk është kjo ajo që e bën interesante përfshirjen e diasporës në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Ajo çfarë qe në fakt interesante, ishte se sa shpejt u zhbë miti i emigrantit të përndritur, për të na dhuruar protestuesin tipik shqiptar. Kjo natyrisht nuk e bën protestën e tyre jolegjitime, por e zhvesh atë nga ekzotizmi me të cilin shpesh e veshim diasporën në përfytyrimin tonë.

Në fakt, largësia e bën ndonjëherë politikën e vendit tënd më sentimentale seç duhet sepse, nëse dikujt në Shqipëri i duhet ta përjetojë vendin në formën e vet materiale më të mërzitshme (nga rroga tek spitalet dhe tortura që është marrëdhënia me adminsitratën), parë nga mijëra kilometra larg, të gjitha këto zhduken dhe Shqipëria kthehet në një kompozim flamujsh e mitesh kombëtare rreth nacionalizmit, nderit dhe tradhtisë. Por, emigricaioni është vetëm ndryshim adrese dhe nuk përkthehet automatikisht në edukim qytetar. Kjo e fundit në fakt, është marrë bashkë me arsimin fillor para se diaspora të bëhej diasporë dhe zor se ndryshon në moshë të rritur.

Mbi të gjitha, ajo çfarë duket se harrojmë është se diaspora përbëhet nga shqiptarë, njerëz që ashtu si ne, kanë interesa, paragjykime dhe nivele informacioni të ndryshme nga njëri tjetri. Disa janë vërtet të mirëarsimaur dhe të pavarur, ndërsa të tjerë janë shndërruar ndoshta në edhe më tribalë se ç’kanë qenë para se të emigronin. Disa janë më liberalë se të afërmit e tyre në Shqipëri, të tjerë shumë herë më konservatorë. Pra me pak fjalë, janë një komunitet krejt normal dhe jo një ushtri rezervë njerëzish të ndriçuar politikisht, siç na ndodh shpesh t’i përfytyrojmë.

Nuk ka asnjë Shqipëri të iluminuar që pret jashtë kufijve. Janë të gjithë shqiptarë si ne, por me adresa dhe kode postare europiane.

324 kg marijuanë nga Shqipëria drejt Turqisë/ Shkatërrohet banda në Greqi, drogën e fshihnin në ngarkesa me letër për riciklim

By: E B
15 August 2026 at 17:45

Oficerët e policisë nga Nëndrejtoria Kundër Narkotikëve të Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Greqi shpërbënë një organizatë kriminale ndërkombëtare, anëtarët e së cilës ishin aktivë në transportin e sasive të konsiderueshme të marijuanës nga Shqipëria në Turqi, nëpërmjet territorit grek.

Për të shpërbërë organizatën, një operacion policor në shkallë të gjerë u krye në orët e para të së premtes, më 14 gusht 2026, në një zonë të Selanikut, me ndihmën e oficerëve të policisë nga Departamenti i Narkotikëve i Nëndrejtorisë së Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore dhe Departamenti i Parandalimit dhe Shtypjes së Krimit të Drejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimit të Selanikut.

Në kuadër të operacionit, u arrestuan 2 të huaj, 43 dhe 58 vjeç, si anëtarë të organizatës kriminale, ndërsa në dosjen e ngritur përfshihet edhe një tjetër, i cili është identifikuar dhe është në kërkim.

Kjo u parapri nga shfrytëzimi i duhur i informacionit në lidhje me aktivitetet e organizatës, ndërsa pas veprimeve policore, verifikimeve të kryqëzuara të të dhënave dhe profilizimit të personave të përfshirë, në bashkëpunim me Autoritetet Kundër Drogave të Maqedonisë së Veriut dhe Rajonit të Kosovës, u certifikua aktiviteti i tyre kriminal.

Siç zbuloi hetimi, anëtarët e organizatës, e cila kishte një strukturë hierarkike dhe infrastrukturë profesionale, përdornin kamionë transporti ndërkombëtar për të transportuar sasi të konsiderueshme marijuane, ndërsa përdornin ngarkesa të ligjshme letre për riciklim, si për të fshehur drogën në depo të dizenjuara posaçërisht, ashtu edhe për të mbuluar dhe legalizuar lëvizjet e automjeteve.

Për të arritur qëllimin e tyre, anëtarët e organizatës kishin role të dallueshme.

Personi i paarrestuar kishte ndërmarrë koordinimin e përgjithshëm të veprimeve në Greqi për trafikimin e lëndëve narkotike dhe, në veçanti, gjetjen e vendeve të përshtatshme për ruajtjen e përkohshme të tyre, si dhe formimin e kripteve brenda ngarkesave me letër për riciklim, ku fshihej droga, ndërkohë që kishte ndërmarrë edhe kontakte me furnizuesit dhe koordinimin e shoferëve të kamionëve, për transportin e mëtejshëm të lëndëve narkotike nga Greqia në Turqi,

58-vjeçari kishte marrë përsipër të mbështeste veprimet që lidheshin me transportin, fshehjen dhe dërgimin e lëndëve narkotike nga Greqia në Turqi,

43-vjeçari ishte përgjegjës për marrjen e lëndëve narkotike nga Shqipëria dhe fshehjen e tyre në kripta të projektuara posaçërisht në ngarkesa letre për riciklim, me qëllim transportimin e mëtejshëm të tyre, përmes territorit grek, në Turqi.

Gjatë operacionit, dy personat e arrestuar u gjetën në një zonë të mbyllur në një zonë të Selanikut, duke poseduar së bashku, në emër të anëtarëve të tjerë të organizatës, 8 paleta të ngarkuara me letër për riciklim.

Nga paletat, 4 ndodheshin brenda një automjeti gjysmërimorkio dhe 4 pranë tij, ndërsa brenda ngarkesave ishin formuar kripte të posaçme, ku u gjetën pako të fshehura me kujdes që përmbanin marijuanë, me një peshë totale prej afërsisht 324 kg e 474 gramë, me qëllim transportin dhe lëvizjen e tyre të mëtejshme drejt Turqisë.

Në total, nga kontrollet e kryera, u gjetën dhe u sekuestruan:
324 kg e 474 gramë marijuanë, gjysmërimorkio, 2 makina private, 2 celularë, targa e regjistrimit të makinës së autoriteteve të huaja, 11 çanta të zbrazëta pranë zonës ku u sekuestrua droga dhe shuma e parave prej 1,165 euro.

Vlerësohet se përfitimi i paligjshëm financiar i pritur nga aktivitetet e organizatës tejkalon 700,000 euro.

Personat e arrestuar u dërguan në organin kompetent të akuzës, ndërsa hetimet për identifikimin dhe gjetjen e bashkëpunëtorëve të tyre në Shqipëri dhe Turqi vazhdojnë.

Tërmeti në Kolumbi/ U kthye për vajzën që mbeti brenda, nëna sakrifikon jetën nën rrënoja

By: E B
15 August 2026 at 17:35

Një histori tragjike nga tërmeti që goditi Kolumbinë këtë javë ka marrë vëmendje të madhe për shkak të vendimit të një nëne në sekondat pas lëkundjeve.

Magnolia Garcia Lugo, 57 vjeçe, nënë e tre fëmijëve dhe banuese në New Jersey të SHBA-së, ndodhej në Kolumbi me familjen kur tërmeti me magnitudë 7.4 goditi vendin.

Sipas raportimeve për ngjarjen, Magnolia kishte arritur fillimisht të dilte nga ndërtesa. Por vajza e saj Natalia kishte mbetur brenda. Në vend që të largohej, ajo u kthye.Ndërsa përpiqej të arrinte te vajza, një mur u shemb mbi të. Magnolia humbi jetën, ndërsa Natalia mbijetoi dhe pësoi një dëmtim në krah.

Familja kishte udhëtuar drejt Kolumbisë ndërsa bashkëshorti i Magnolias kishte qëndruar në SHBA. Lajmi për vdekjen e saj tronditi edhe komunitetin e Bergenfield, ku ajo jetonte.

Ajo kishte qenë prej më shumë se një dekade pjesë aktive e komunitetit të Mercy Church of God. Njerëzit që e njihnin e përshkruan si një nënë të përkushtuar dhe një grua shumë të lidhur me familjen.

Mes qindra historive të dhimbshme që ka lënë pas tërmeti, ajo e Magnolias është kthyer në një histori për instinktin e një nëne: ishte tashmë jashtë rrezikut, por u kthye sepse fëmija i saj ishte ende brenda.

VIDEO/ I vendos pistoletën në kokë, por arma nuk shkrep! Dalin pamjet e atentatit të dështuar në Elbasan

By: E B
15 August 2026 at 17:22

A2 CNN ka siguruar pamjet e atentatit të dështuar në Elbasan, pasdreken e të shtunës. Në video duket atentatori, me bluze të bardhë, që i afrohet objektivit të tij në një lokal në qytet dhe i vendos pistoletën në kokë.

Sipas informacioneve, fatmirësisht arma nuk ka shkrepur, ndërsa siç shihet edhe nga pamjet, shënjestra ka reaguar duke u larguar me shpejtësi.

A2 CNN mëson se autori është kapur nga policia.
Shënjestra, Mir Bitoci (Ermir Kërtezi) jeton prej vitesh jashtë. Emri i tij përmendet gjatë trazirave të vitit 1997-2000 në Elbasan.

Përplasen dy automjete në Fier, plagosen babë e bir, mes tyre një i mitur

By: E B
15 August 2026 at 17:09

Një aksident ështe shënuar pasditen e sotme ne aksin Fier-Vajkan në vendin e quajtur” Ura e Mbrostarit”.

Një automjet tip “Fiat” me drejtues shtetasin L. XH, është perplasur me nje mjet tip “ Volksëagen” dhe për pasojë drejtuesi dhe pasagjeri, babai dhe djali i tij i mitur kanë mbetur të lënduar.

Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fierit ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti.

I drejtoi armën në kokë, detaje tronditëse nga atentati në Elbasan, ja si shpëtoi shënjestra

By: E B
15 August 2026 at 16:57

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri të regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal të njohur në qytetin e Elbasanit, ku Mir Bitoci dyshohet se ka qenë objektivi i një atentati.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 14:50, në momentin kur Bitoci po largohej nga ambientet e lokalit. Sipas të dhënave paraprake, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e dinamikës së incidentit.

Në pamjet filmike shfaqet Bitoci, i veshur me bluzë të zezë, duke qëndruar fillimisht brenda lokalit. Pas disa minutash, ai ngrihet nga tavolina dhe largohet nga ambientet e brendshme. Në të njëjtën kohë, një tjetër person, i cili ndodhej në lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një shtetaseje, ngrihet dhe e ndjek nga pas.
Sipas të dhënave paraprake, pasi ka dalë jashtë lokalit, personi i veshur me bluzë të bardhë i është afruar Bitocit nga pas dhe i ka drejtuar një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.

Në këtë moment, reagimi i shpejtë i Bitocit dyshohet se ka shmangur një tragjedi. Ai ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është dyshimi se pistoleta e autorit të dyshuar është bllokuar në momentin kur ai ka tentuar të qëllojë.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga ekspertiza balistike, ajo mund të jetë një prej elementeve të rëndësishme për përcaktimin e natyrës së ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, me qëllim përcaktimin e mënyrës se si është zhvilluar ngjarja, nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin dhe cili ka qenë motivi i përplasjes.

Hetuesit po mbështeten në dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, por edhe në pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar lëvizjet e personave të përfshirë para, gjatë dhe pas incidentit.

Këto pamje pritet të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës se si është organizuar përplasja, nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin dhe cili ka qenë motivi i kësaj ngjarjeje.

Deri tani, motivi mbetet i paqartë dhe pritet të jetë një prej pikave kryesore të hetimit. Emri i Mir Bitocit nuk është i panjohur në zonën e Elbasanit.

Sipas të dhënave të publikuara dhe informacioneve që qarkullojnë prej vitesh, emri i tij është përmendur në lidhje me episode të periudhës së trazuar të viteve 1997–2000.Më pas ai më së shumti ka jetuar jashtë.

❌