Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Berisha i siguroi vend të sigurt në Kuvend, reagon Meta: Vota për koalicionin do sjellë ndryshimin

By: E S
4 March 2025 at 21:39

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu në lidhje me koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ku bën pjesë edhe forca politike që ai drejton.

Me anë të në reagimi në rrjetet sociale, Meta thotë se ‘ky koalicion opozitar është gjithëpërfshirës dhe është në funksion të fitores dhe ndryshimit të shumëpritur më 11 maj’.

Meta i bëri thirrje të gjithë emigrantëve që të regjistrohen me qëllim për të votuar më 11 maj dhe sic thotë ai “për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre”.

“Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.

Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!”, shkruan Meta.

Ilir Meta kërkon të dalë nga qelia teksa zgjedhjet po afrojnë, Gjykata e Lartë vendos më 27 shkurt

By: A M
16 February 2025 at 11:19

Caktohet data për shqyrtimin e rekursit të paraqitur në Gjykatën e Lartë nga Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në qeli prej gati 4 muajsh.

Pas afro 10 ditësh, më 27 shkurt në Dhomë Këshillimi gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici do të shqyrtojnë jo vetëm rekursin e ish-kreut të shtetit, por edhe atë të deputetes Monika Kryemadhi.

Meta që mbahet i arrestuar prej 21 tetorit 2024, kërkon një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhet më qenien e tij drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ish-presidenti dyshohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.

Për të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.

Edhe Kryemadhi me masë sigurie “detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme. Ndaj saj rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre.

15-vjeçarja i dha fund jetës në mënyrë tragjike, Dom Gjergj Meta: Problem madhor dhe emergjencë serioze

By: A M
11 February 2025 at 21:16

Dom Gjergj Meta ka reaguar pas vetëvrasjes tronditëse të 15-vjeçares nga Gjirokastra, që dyshohet se i dha fund jetës pas përballjes së vazhdueshme me bullizmin.

“Ngushëllime familjarëve të kësaj vajze. Ky po që është një problem madhor dhe emergjencë serioze. Fatmirësisht, jo të gjithë ata që bullizohen ndërmarrin një akt kaq të skajshëm, por janë të shumtë ata që vazhdojnë të vuajnë nga bullizimi, duke marrë plagë që i ndjekin gjatë gjithë jetës,” tha Meta, bashkangjitur raportimit të ngjarjes së rëndë nga BalkanWeb më herët.

Ai theksoi nevojën urgjente për të adresuar këtë fenomen, duke e konsideruar një çështje shqetësuese për shoqërinë.

Kreu i partisë Ilir Meta në burg, anëtarët e Partisë së Lirisë “e djegin” në festën e fundvitit (VIDEO)

By: A M
29 December 2024 at 16:55

Anëtarët e Partisë së Lirisë kanë zhvilluar festën e fundvitit në një prej lokaleve të Tiranës.

Ata kanë kërcyer e vallëzuar nën ritmet e këngëve popullore shqiptare, duke shijuara festën.

67716ffcc8cbc

Ndryshe nga vitet e tjera, kreu i partisë, Ilir Meta, nuk ishte pjesë e festës, pasi ndodhet në burg.

Ish-presidenti i vendit ndodhet në qeli që prej 21 tetorit, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje pasurie”.

Në pamjet e publikuara nga zv. Kryetarja e partisë, Erisa Xhixho, nuk duket Monika Kryemadhi, e cila nuk dihet nëse ka qenë apo jo pjesë e festës.

Edhe deputetja është nën hetim dhe GJKKO vendosi masën detyrim për t’u paraqitur.

SPAK deklaroi më parë se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

“Ia kemi parë sherrin koalicionit me LSI”/ Deputeti i PD: Pas 21 Janarit, Meta shkoi te darka e ngjalave

By: Java News
2 December 2024 at 21:36

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, është shprehur se është kundër një aleance të lidhur fortë mes PD dhe PL.

Komentet Çollaku i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se ndarja mes PD dhe PL është e qartë, njëra parti e djathtë dhe tjetra e majtë.

Ai tha gjithashtu se PL (atëherë LSI) ka kontribuar në fuqizimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, duke përmendur hyrjen në koalicion me PS në vitin 2013, pas trazirave të 21 Janarit.

“Unë nuk mund të bëjë dot gjyqin e Metës. Ajo që më la shije të hidhur është mënyra e arrestimit të Metës. Nuk kam qenë tifoz i një aleance aq të lidhur mes PD dhe LSI. Ne jemi të djathtë, ata janë të majtë. Në qeverisje me PD shpeshherë LSI ka shërbyer, por ka shkaktuar edhe dëme.

Unë nuk harroj që pushtetin e Ramës në 2013 e konsolidoi aleanca me Metën, i cili vetëm 6 muaj pasi PD pagoi një faturë shumë të lartë për 21 janarin, kaloi në krahun tjetër dhe u bë ajo darka e ngjalave atje. Ja kemi parë edhe sherrin atij koalicioni me LSI.

Ne nderojmë 28 nëntorit si festë edhe të Pavarësisë edhe të Çlirimit, ndërsa Meta nuk ka munguar çdo 29 nëntor të shkojë të përulet krah Ramës në varrezat e deshmorëve”, tha Çollaku.

Ilir Meta sot ka humbur, edhe “burrërinë”, edhe lirinë

By: Mero Baze
19 November 2024 at 22:49

Nga Mero Baze

Gjykata e Apelit nuk ia ndryshoi masën e arrestit Ilir Metës, por ky i fundit ndryshoi qëndrimet që kishte më parë lidhur me përgjegjësitë e tij në gjithë historitë e hetuara. Në mbrojtjen ligjore që bëri para gjykatës, ai ia faturoi gjithë problemet me ligjin ish-gruas së tij, Monika Kryemadhi, dhe vjehrrës së tij.

Personalisht jam kundër burgosjes paraprake të politikanëve që nuk ushtrojnë detyra konkrete në pushtet, të cilat lidhen me veprën e tyre penale, dhe në këtë kuadër nuk do të ishte ndonjë mëkat ndryshimi i masës së arrestit për Ilir Metën. Por vendimi i gjykatës nuk diskutohet. Ajo që mund të diskutojmë tani është qëndrimi i Ilir Metës ndaj akuzave që i janë bërë.

E gjithë beteja politike e Ilir Metës ishte se atë po e fuste në burg “DumDumani”, Edi Rama, SHBA, McGonigal etj. Pra, ai ka ngritur gjithë fabulën politike mbi idenë se ndaj tij ka një komplot për ta burgosur si udhëheqës opozite. Deklarata e sotme është një pranim i pastër juridik i fajësisë, duke ia faturuar ish-gruas dhe ish-vjehrrës së tij përgjegjësinë penale për shkeljet e ligjit.

Kjo natyrisht nuk është në dorën e tij, por në dorën e gjykatës. Është ajo që përcakton përgjegjësitë për shkeljen e ligjit në gjithë këtë proces.

Por fakti që ai e humbet “burrërinë” dhe fajëson ish-gruan për gjithë shkeljet ligjore që lidhen me abuzime financiare, as e shfajëson dhe, për më tepër, as e nderon.

Monika Kryemadhi është treguar më dinjitoze se ai në gjithë këtë proces. Edhe pse është e njohur për gjuhën e saj ekstreme ndaj kundërshtarëve, ajo ka treguar më shumë “burrëri” se Ilir Meta dhe më shumë integritet publik, duke pranuar që është përgjegjëse për shumë transaksione financiare në familje.

Madje, në gjithë këtë dramë të familjes së tyre, ajo mbajti të bashkuar fëmijët dhe u tërhoq nga politika, përballë një burri që, sa ishte jashtë, merrte malet dhe kodrat me radhë, duke u kthyer në një figurë tragjikomike që kombinon paranojën, delirin dhe frikën me njëra-tjetrën.

Në këtë aspekt, deklaratat e sotme të Ilir Metës para gjykatës, ku shfajësohet duke fajësuar gruan dhe vjehrrën, janë dy herë të dëmshme për të.

E para, politikisht, pasi i ka rënë kauza që e ka futur në burg Dumani, Rama, SHBA etj., duke pranuar që është në burg sepse ka shkelur ligjin.

E dyta, i ka rënë burrëria, pasi në vend që të pranojë përgjegjësitë e tij si bashkëshort dhe si ish-zyrtari më i lartë i këtij vendi, përpiqet të shfajësohet dhe kërkon lirinë duke fajësuar ish-gruan e tij.

Sot, para gjykatës, Ilir Meta ka humbur jo vetëm lirinë, duke mbetur në masën e arrestit, por edhe “burrërinë”, pasi strategjia e tij për të fajësuar ish-gruan dhe vjehrrën në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë personale, e ka bërë situatën e tij edhe më të pafavorshme, si politikisht, ashtu edhe moralisht. Ai ka humbur edhe “burrërinë”, edhe lirinë.

Protesta e opozitës, Meta nga burgu: Nuk ka forcë në botë të ndalë Uraganin e Lirisë!

By: Java News
29 October 2024 at 22:12

Vjen reagimi nga ish-presidenti Ilir Meta nga burgu pasa protestës së opozitës, që zgjati 3 orë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i PL-së shprehet se nuk ka forcë në botë që të ndalë uraganin e lirisë.

Ai po ashtu falënderon shqiptarët që protestuan sot.

“Falënderim dhe mirënjohje të përzemërt për qindra mijëra shqiptarë patriotë në mbarë vendin që u ngritën në këmbë me guxim dhe me ndjenjë të fortë patriotike e kombëtare, në përballje pa kthim me Narkoshtetin për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë.”, shprehet Meta.

“Rrezikon 23 vite burg”, eksperti: Nëse Meta do bashkëpunonte mund të ishte bërë procedurë tjetër

By: Java News
21 October 2024 at 21:25

Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço, në emisionin “Real Story” në ABC News, foli për arrestimin e kreut të PL Ilir Meta.

Karamuço theksoi se arrestimi ka qenë i shpejtë, ndërsa nënvizoi se rrezikon rreth 23 vite burg

“Janë vepra të rënda, në një shumatore 23 vite është maksimumi, por janë vepra të rënda. Veprat penale kanë një rrezikshmëri të madhe shoqërore ndaj është kërkuar edhe “arresti me burg”. Arrestimi ka qenë i beftë, i shpejtë në hyrje të qytetit. Në një trafik që fillon dhe ngadalësohet shpejtësia e mjeteve. Nëse Meta do kishte bashkëpunuar ndoshta do të ishte bërë procedurë tjetër . Në momentin kur janë prezantuar dhe kanë thënë ka vendim gjykate, ai ka reaguar menjëherë dhe aty policia ka kuptuar se do të iki dhe kanë ndërhyrë”, ka thënë ai.

Arrestimi nga policia?

Ervin Karamuço: Agjentët e BKH nuk janë kontakti i parë me subjektin që do ndalohet, janë prezent, por kanë mbështetje kryesore që të ndërhyhet me forcë të posaçme operacionele të drejtorisë së përgjithshme të policisë së Shtetit. Aty ka qenë njëri, por s’kemi pse ta bëjmë të ditur. Një nga këta persona ka qenë agjent i BHK. Më pas janë futur Forcat e Operacionale kanë ndërhyrë kur kanë parë kundërshtim.

“Ka dhe të penduar të drejtësisë”/Ilir Meta në pranga, Karamuço: Në hetime janë përdorur letërporosi ndërkombëtare

By: Java News
21 October 2024 at 21:07

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se në dosjen që çoi në pranga Ilir Metën, ish-presidentin e Republikës, janë përdorur letërporosi ndërkombëtare, dëshmitarë dhe persona të penduar, të cilët kanë zbardhur veprimtaritë e paligjshme të tij.

“Aty ka dhe letërporosi ndërkombëtare, dëshmitarë dhe të dhëna bankare dhe të dhënat e formularëve nga deklarimi i pasurisë dhe ka dhe të penduar që kanë folur. Ka një përgjim ambiental të njerëzve të afërt të Metës, ka të dhëna telefonike, që kanë zbardhur edhe ndikimin e ushtrimit të paligjshëm që përfshinin biznesmenë shumë të mëdhenj të këtij vendi, dhe i futin dhe ata si pjesë të hetimit”, tha ai.

Ai theksoi se masat e sigurimit do të konfirmohen dhe do ngelen në fuqi, pasi janë shumë të rënda.

“Do ngelet në fuqi patjetër. Janë veprat shumë të rënda”, shtoi Karamuço.

Ai komentoi arsyet se pse u zgjodh që arrestimi i Ilir Metës të kryhej në hyrje të Tiranës dhe jo në selinë e Partisë së Lirisë apo në banesë. Sipas tij, në këto rrethana, Policia mund të kishte përballje me perona të tjerë, mbështetës dhe të afërm të Ilir Metës dhe mund të krijohej një situatë e papëlqyeshme.

“Nuk do ishte e lehta arrestimi në LSI, apo në zonën e bllokut. Sepse mund të kishte simpatizantë, njerëz të afërt, që do përfshihen në atë operacion dhe do bëhej një situatë e papëlqyeshëm me Policinë e Shtetit. Në banesë është problem. Ai jeton i veçuar në një apartament, mund të reagonte keq. Ka fëmijë, ka njerëz të tjerë aty që jetojnë dhe mund të krijonte probleme të tjera”, tha ai.

❌
❌